• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një skaner i shpejtë pas-zgjedhor

June 22, 2015 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Një çerek shekulli më parë, si zor të ketë pasur njeri me mënd në kokë që të parashikonte se edhe tani, përsa i përket zgjedhjeve, do të ishte po ai polarizim i skajshëm, po ato ulërima të liderve, po ato premtime të gënjeshtërta, po ajo turmë që i ndjek pas nëpër mitingje, edhe pse në më të shumtën e rasteve në mos në të gjitha, e di se po e gënjejnë dhe po e marrin me të mirë sa për t’i rrëmbyer votën. Dhe ja, më në fund, zgjedhjet përfunduan. Vlerësime entusiaste, nga liderët e partive, nga analistët tanë mendje-ndritur, nga ndërkombëtarët që nuk i zë gjumi për ne e kështu me radhë, se ato u kryen normalisht dhe pa incidente. Vetë fakti që të gëzohemi kaq shumë që mezi po bëjmë zgjedhje normale, si gjithë bota e qytetëruar, është anormaliteti ynë më i madh që tregon se sa larg jemi ndaj botës ku synojmë të shkojmë. Njëlloj si të kalosh rrugës, pranë një gangsteri e ta falenderosh që nuk të rrahu e të vodhi. Kaq poshtë kemi rënë!

Pjesëmarrja e ulët, sfidë ndaj politikës e politikanëve

Për pjesëmarrjen në këto zgjedhje ka dy tregues: KQZ-ja e zbret atë nën 50 përqind kurse të tjera institucione e analistë na thonë se kjo nuk është e vërtetë, me qënë se të regjistruar për të votuar janë dhe rreth një milion emigrantë. Ecë e merre vesh këtë punë.

Personalisht, jam ndër ata që pjesëmarrjen në votime, në pluralizëm, e kam vlerësuar jo vetëm si një të drejtë por dhe si një detyrë e përgjegjësi. E, megjithë se them kështu, qysh kur isha në Shqipëri, përveç dy-tre votimeve të para të Pas-Diktaturës, nuk votova më. Madje as këtu në Amerikë. Mos vallë ka një kontradiktë në mes asaj që thashë në fillim e asaj që kam bërë e po bëj konkretisht? Përgjigjen e dhanë qytetarët e fshatarët tanë, në këto zgjedhje: të zhgënjyer nga politikanët, si karrieristë, mashtrues, gënjeshtarë, mafiozë, deri edhe kriminelë në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës, ata prej kohësh janë ftohur ndaj tyre, por s’kanë ç’bëjnë. E vetmja armë e tyre është vota. Dhe nuk marrin pjesë në votime. Këtë bëra e po bëj dhe unë, ndaj iu jap të drejtë dhe e vlerësoj si një tregues emancipimi. Ata e shohin se nuk mund t’i lëvizin dot nga karrigia e çimentuar e qeveritarit, deputetit apo kryetarit të bashkisë, ndaj e sfidojnë atë me mos-votimin e tyre, paçka se kjo, siç do ta shtjellojmë më poshtë, mund të çojë ujë në krahun tjetër.

Fitorja e pamerituar e të ashtuquajturve “rilindas”

Parashikimet për këto zgjedhje qenë nga më paradoksalet. Kalonin nga një ekstrem në tjetrin, një tregues plus ky për stadin tonë se sa larg jemi ndaj lirisë e demokracisë. Megjithatë, unë prisja edhe ndonjë çudi më të madhe se kjo që ndodhi. Pse e them këtë? Kam parasysh kërcënimet e Ramës se do t’i linte deri edhe pa bukë “budallenjtë” që do të votonin për kandidatët e opozitës, të cilët, sipas tij, janë njerëz që nuk dinë të bëjnë asgjë e jo më të drejtojnë bashkitë. Mos u hiqni si trima: kur është fjala për bukën e gojës, për më tepër kur je familjar e ke fëmijë, nuk ka as trimëri, e aq më pak mund të bëhet fjalë për liri e demokraci. Kjo qe e para.

E dyta. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se në të gjitha zgjedhjet, PS-ja, pasardhëse e PPSH-së me emër tjetër, ka qënë përgjithësisht më e disiplinuar. Kam parasysh dy deklarata të O.Xhaçkës dhe deputetes Veizaj, të Shkodrës: “Ne i dimë, thanë pak a shumë ato, se kush do të votojë për ne dhe jemi të sigurtë se do të shkojnë në votime të gjitha ata që na ndjekin, se i kemi verifikuar një për një…” Dhe unë iu besoj këtyre zonjave. Tradita e PPSH-së, qoftë në kuptimin e mirë apo të keq të fjalës, ruhet e madje përforcohet. Për më tepër kur kemi parasysh atë që është në krye të kësaj partie që, për të mbajtur dy karriget, atë të partisë e të qeverisë, është gati të bëjë të gjithçka, të bashkëpunojë e të bëjë aleanca dhe me djallin, siç e ka treguar me fjalë e me vepra tërë këto vjet. Pra, fitorja e “Rilindjes” duhet lexuar vetëm nga pjesëmarrja më e madhe e militantëve të saj dhe ata që nuk votuan janë kryesisht në mos tërësisht nga opozita apo dhe të pakënaqurit e PS-së që nuk përfituan gjë, siç kishin shpresuar apo edhe që mund t’iu ishte premtuar.

Siluret e të pavarurve

Ata e dinin që nuk do të fitonin e, megjithatë, nuk hiqnin dorë nga gara. Teorikisht apo virtualisht, unë do të isha me ata: të dy krahët e politikës sonë e kanë treguar tashmë veten se nuk kanë asgjë të përbashkët me të majtën apo të djathtën europiane, asnjë ideologji por janë dy grupe oligarqike e që luftojnë vetëm e vetëm për pushtet e përfitime. Të pavarurit deklarojnë se janë kundër të dy krahëve. Bukur! Edhe në Perëndim apo SHBA, ka të pavaruar të tillë. Por, për Shqipërinë ky është një luks i parakohshëm. Këtë e dinë mirë edhe të pavarurit tanë ndaj, edhe ato vota që marrin, janë vetëm silure për t’i prishur punë njerit krah apo tjetrit. Konkretisht, mendoj se votat e tyre i takonin PD-së, nga që siç thamë më lart, militantër e PS-së nuk lëvizin kollaj nga istikami ku i ka caktuar komandanti i tyre.

Avazi i vjetër i ndërkombëtarëve

Ata vinë, mbushin xhepat me rrogat e fryra e me dietat e larta, bëjnë të ashtuquajturat vlerësime se “këto zgjedhje, përgjithësisht, ishin një hap përpara, por kemi dhe disa vërejtje” dhe ikin prapë andej nga kanë ardhur me xhepat e barqet plot. Ka ndonjë naiv që mendon se ata nuk i zë gjumi për Shqipërinë e shqiptarët. Fare rastësisht, kam qënë dëshmitar i një skene kur një syresh, vite të shkuara, shfaqi kënaqësinë e tij për turbullirat në Shqipëri se do t’i shtoheshin edhe disa ditë dieta(!). Nuk dua të përgjithësoj, por opinioni im për ta është tepër negativ. Pse e them këtë? Se nëse klasa jonë politike e ka treguar veten se kush është për 25 vjet me radhë, po Europa që ata përfaqësojnë, OSBE/ODHIR, etj. ç’kanë bërë në këtë çerek shekulli tranzicioni për të na nxjerrë nga kjo kënetë ku kemi rënë?

Media, analistët e soj e sorollopi i tyre

Unë kam një mendim krejt tjetër për ato që tha kryetari i bashkisë së Elbasanit. Siç shkruante në një editorial Mero Bazja, ai, me një sinqeritet tronditës i spjegon gazetarit, as më shumë e as më pak, një të vërtetë që ne nuk na pëlqen ta pranojmë, jo se nuk qëndron. Le të dalë një gazetar që i është kundërvënë shefit apo atij që jep paratë e që nuk ka pasur pasoja?! Fjalët e tij më kujtuan komedinë e famshme franceze “Topuzi” apo dhe dramën “Armiku i popullit”, të Ibsenit. Janë tërë ato të vërteta që ne i ndeshim përditë por, mos bësh gabim dhe i thua se e pësove. Dhe u bë gjithë ai alarm e u mbushën mediat me “mëkatin” që paska bërë ai?! Analistët tanë, me ndonjë përjashtim të vogël, janë radhitur në dy llogore. Për ta nuk ka fare rëndësi se si është e vërteta, mjafton të ruajnë pozicionin se iu ikën kocka që iu kanë hedhur e iu hedhin ata lart, pushtatarë e pronarë. Unë i kam njohur personalisht shumë syresh dhe më dhimbsen tek i shikoj se sa kanë ndryshuar. Po citoj prapë Mero Bazen: “Qazimi, me sinqeritetin e tij prej babaxhani, në fakt, na ka pështyrë të gjithëve në fytyrë për të treguar se na ka parë që kur vjen puna tek pushteti, pronarët i sakrifikojnë gazetarët Më shumë se sa ulërima ndaj Qazimit, vazhdon sinqeriteti i Meros, sot gazetarët duhet të ulërasin ndaj nesh, botuesve dhe pronarëve të shtypit, që kemi provuar se kemi bërë gjeste të tilla”. Kaq thotë Merua por unë do të shtoja se gjeste të tilla vazhdojnë të bëhen e do të bëhen, siç u pa turpërueshëm edhe në këtë fushatë që, analistë e gazetarë, në kundërshtim me ato që kishin në kokë, flisnin e shkruanin ç’t’iu urdhëronte shefi apo pronari. Turp e faqe e zezë jo vetëm për ata por për të gjithë ne ku e kemi katandisur të ashtuquajturin “pushtet të katërt”.

Haraçi i madh që do të paguajmë

Në shumë shkrime e blogje, kur flitet për problemet e Shqipërisë, lexuesit , me të drejtë, ankohen: “po mirë me kritikat, mund të jemi dakord, po ç’zgjidhje jepni?”.

Edhe pajtohem me këtë kërkesë, kthehem mbrapsht e iu them atyre: Nga kjo klasë politikanësh, që kanë uzurpuar pushtetin apo pushtetet, as mos prisni zgjidhje! Populli i thjeshtë, që e vuan tërë këtë, s’ka ç’bën. Kush i bën thirrje atij që t’i heqë përmes votës, veç gënjen veten, ata nuk i lëshojnë kollaj karriget. Grinden apo dhe përleshen në Parlament apo në media etj., por nuk është e vështirë të kuptosh se ka një marrëveshje të heshtur e të panënshkruar që të ruhet ky status-quo, se ata veç fitojnë e nuk humbasin asgjë. Ndaj as që mos iu shkojë në mendje se me votime do t’i lëkundni sadopak. Duke qënë kështu, haraçi që do të paguajë ai popull do jetë jo vetëm i madh por dhe do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Mjafton të shikoni të ashtuquajturit “të rinj” që janë shumë më të etur për pushtet e përfitime se mjeshtërit e tyre që i kanë ulur në ato karrige. Disa syresh edhe e pohojnë vetë këtë, madje me një farë krenarie, a thua se ai që i’ua ka dhënë atë post është Mesia dhe jo një poltikan i neveritshëm si gjithë të tjerët.

Mjerë populli gjorë!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Një skane, pas-zgjedhor, r i shpejtë

GJERMANIA PASNAZISTE DHE SHQIPËRIA PASKOMUNISTE

June 22, 2015 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. GJIKA/
Gjermania naziste më 9 maj 1945 njohu humbjen dhe firmosi kapitullimin e sistemit nazist. Funksionarët dhe ushtarakët e lartë që u kapën gjallë i kaluan gjyqit dhe u dënuan si kriminelë lufte. Kështu u nda populli gjerman prej së keqes së vet. Mbas kësaj Gjermania u nda në tre zona kontrolli, dy nën kontrollin e Anglisë dhe ShBA-ve dhe një nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Dy pjesët që kontrolloheshin prej aleatëve perëndimorë krijuan shtetin Republika Federale Gjermane, që u quajt dhe Gjermania Perëndimore. Pjesa që kontrollohej prej BS u shpall pas disa vitesh shtet më vete me emrin Republika Demokratrike Gjermane, që u quajt dhe Gjermania  Lindore. Në plan ekonomik e politik këto dy shtete gjermane krijuan dy sisteme të ndryshme. Gjermania Perëndimore me ndihmën e Anglisë e të ShBA-ve, krijoi sistemin pluralist me ekonomi të tregut të lirë, kurse Gjermania Lindore u detyrua prej Bashkimit Sovjetik të krijonte sistemin socialist me ekonomi të përqendruar në duart e shtetit.
Gjermania Perëndimore ndoqi këshillat e një udhëheqësi të saj largpamës, i cili iu drejtua popullit me këto fjalë:
“Për fajin e vetë ne gjermanëve, Gjermania është e shkatëruar, ajo humbi rininë në luftë dhe një të tretën e teritorit (Gjermaninë Lindore). Ne duhet të punojmë fort për ta rimëkëmbur vendin tonë dhe për të paguar dëmet që u shkaktuam vendeve që pushtuam gjatë luftës. Popull gjerman, kur të shkosh në zgjedhje, të votosh ata kandidatë që janë të njohur për ndershmërinë dhe atdhetarinë e tyre dhe jo ata kandidatë që janë të njohur vetëm për shkollimin e tyre të lartë. Gjermaninë do ta ndreqin atdhetarët e ndershëm që punojnë me përkushtim e sakrifica dhe jo ata që kanë diploma të larta, por që u mungon përkushtimi atdhetar.”
Që nga viti 1945 deri më 1960 populli i Gjermanisë Perëndimore punoi kokulur dhe në fushatat zgjedhore zgjodhi bij atdhetarë të përkushtuar pavarësisht nga arsimimi i tyre. Kështu u krijua klasa e re politike që ndoqi një politikë ekonomike me rritje të shpejtë. Brenda 15 vjetëve RFGj arriti të rimëkëmbej ekonomikisht e politikisht, ia hoqi frikën botës se mos shkaktonte një luftë të re dhe u bë fuqia e parë ekonomike midis shteteve të Europës Perëndimore, e cila filloi të thithte fuqi punëtore nga vendet e tjera. Duke ecur në këtë rrugë ajo u fuqizua aq shumë sa që e detyroi Bashkimin Sovjetik ta dorëzonte Gjermaninë Lindore më 1989, gati gjashtë vjet para afatit të caktuar.
Kurse Shqipëria paskomuniste ndoqi një rrugë të ndryshme nga ajo e Gjermanisë pasnaziste. Shqipëria paskomuniste nuk deshi të ndahej nga e kaluara, nga e keqja që pati sunduar për gati gjysëm shekulli. Kjo dukuri pati pasoja shkatërimtare për të ardhmen e atdheut:
1. Udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë ndonëse e njohu dështimin e sistemit socialist diktatorial dhe pranoi shpalljen e pluralizmit dhe krijimin e ekonomisë së tregut të lirë, nuk pranoi të shpallte veten fajtore për gjithë dëmet që i kishte bërë popullit gjatë viteve 1944-1991 dhe nuk kërkoi të falur. Ajo nuk dënoi askënd prej drejtuesve të diktaturës, madje as ish diktatorin e vdekur. Kjo politikë ndikoi tek ish anëtarët e PPSh-së që drejtonin Partinë Demokratike që të mos i dënonin anëtarët e ish kupolës komuniste si meritonin për krimet e kryera. Kështu kuadrot e lartë të PPSh-së, të sigurimit dhe të ushtrisë u nxitën që të mos pranonin se ishin pjesë e asaj ushtrie që doli e mundur prej Luftës së Ftohtë dhe të mos tërhiqeshin kokulur e të mos tërhiqeshin nga veprimtaria politike e pushtetore. Për turpin e tyre ata filluan një luftë të re mashtruese si në politikë dhe në letërsi. U shkruan prej tyre artikuj e libra me kujtime të mbushur vetëm me trimërira e bëma pozitive për periudhën e Luftës Antifashiste dhe për kohën e diktaturës, pa shpjeguar pse dhe si u instalua e keqja, diktatura komuniste, e cila kapitulloi bashkë me ushtrinë e vet. Ata nuk duan ende të kuptojnë përgjegjësinë që kanë pasur në zbatimin e politikës antinjerëzore të atij sistemi dhe në teprimin e krimeve duke vrarë, burgosur dhe internuar vëllezërit e një gjaku shumë më tepër sesa kishin vrarë e dënuar armiqtë e jashtëm të popullit shqiptar gjatë 100 vjetëve para ardhjes në pushtet të PKSh-së.
2. Mosdënimi i krimeve të kryera gjatë sundimit komunist dhe i figurës së ish diktatorit, është pjesë përbërëse e krimeve të rinj, që tregojnë se sa poshtë kishin rënë dhe sa poshtë qëndrojnë edhe sot nga ana morale ish pushtetarët komunistë dhe bijtë e tyre, të cilët shfaqen si enverucë në jetën e sotme duke imponuar mendimet e tyre e duke luftuar me cdo mjet e formë ata që mendojnë ndryshe.
3. Drejtuesit e partive politike të Shqipërisë paskomuniste, që kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me PPSh-në, nuk punuan dhe nuk punojnë për ndërgjegjësimin e cdo shqiptari për të dënuar krimet e kryera gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe për të mos ua dhënë votën bijve të ish pushtetarëve dhe ish sigurimsave të kohës së diktaturës komuniste.
4. Në Gjermaninë Perëndimore nuk ishte prekur prona prej nazizmit, prandaj investimet e reja prej pronarëve vendas dhe të huaj dhanë rezultate të shpejta. Në Shqipërinë socialiste prona u shtetëzua krejt dhe qeveritë paskomuniste nuk luftuan me ndershmëri për t’ua kthyer pronën pronarëve të vërtetë, por ua ndanë atë kryesisht ish komunistëve dhe shërbëtorëve të tyre besnikë. Kjo gjendje e pronës tek ne nxiti vjedhjen e korrupsionin dhe pengoi e pengon investitorët për të bërë investime serioze.
5. Sistemi diktatorial duke e varfëruar tej mase shqiptarin, duke e mbajtur të shtypur përmes një dhune të paparë, ia shkatëroi moralin njerëzor dhe ia neveriti dashurinë për atdheun. Shqiptari i kohës së diktaturës për të mbijetuar detyrohej të bëhej hajdut, gënjeshtar, mosmirënjohës, spiun e vrasës; vese të cilat e pengojnë sot shqiptarin të punojë kokulur e me përkushtim atdhetar qoftë në atdhe, qoftë në diasporë.
6. Duke mos pasur pronë të mjaftueshme në atdhe, duke u drejtuar prej politikanësh të pamoralshëm, shqiptari i sotëm ende e sheh si rrugë shpëtimi rrugën e shpërnguljes drejt vendeve ku mungon tymnaja helmuese e politikës shqiptare dhe puna paguhet më mirë. Po të mos bëhen korrigjimet e nevojshme për të treguar e dënuar krimet e kryera deri sot prej ish pushtetarëve të diktaturës e të tranzicionit, atëhere shpërngulja e shqiptarëve nga atdheu ka për të mbetur si e vetmja rrugë shpëtimi dhe Shqipëria do të kthehet në një shtet me popullsi të rallë, gjë që rrezikon të ardhmen e kombit tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: GJERMANIA PASNAZISTE DHE SHQIPËRIA PASKOMUNISTE, Thanas L Gjika

Çfarë është qëllimi i gjithë kësaj që e them unë?

June 22, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti*/

Porosi shqiptarit kozmopolit: – Merr pjesë në gjithë dhimbjen e botës, vetëm mos i përqendro forcat tua aty ku je i pafuqishëm dhe aty ku nuk është në interes të Kombit dhe Vendit tënd, por tek ata që ti mund të ndihmosh e duash dhe atje ku ti, Kombi dhe Vendi yt fiton kënaqësi.

***

Problemet e refugjatëve afrikan-aziatik le t`i ndreqin ato shtete Evropiane që me shekuj Afrikën dhe Azinë e kanë pas koloni; janë ata që  i kanë shkaktuar ato probleme atje dhe është obligimi tyre t`i zgjidhin, e jo Shqipëria me Kosovën dhe trojet tjera shqiptare që edhe vet ia ka pa sherrin Evropës plakë në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Shqipëria xhuxhe bile as që është  vend i BE, askush nuk mund ta detyron të pranon azilkërkues. Ne qysh tash kemi shumë fundamentalistë shqipfolës, duke filluar prej hoxhallarëve, veçanërisht me qindra IS terroristë që luftojnë dhe vdesin për ”Tokën e Shamit” në Irak, Siri etj. Nuk na duhen të importojmë katilë të tjerë.

***

Dëgjova se policia e FYROM-it ka arrestuar një numër të konsideruar terroristësh internacional që merren me trafikimin e “emigrantëve”, dhe shefin e tyre “Bangladeshi” të cilin shqiptarët me shekuj e kanë mbajtur ilegalisht në shtëpitë e tyre.

***

Mua dhe miqve të mi na shqetëson, poshtëron dhe provokon shumë fakti se një numër i konsideruar i shqiptarëve janë të gatshëm të japin jo vetëm shtëpinë dhe lekët por edhe jetën për të “shpëtuar” jetën e “azilkërkueseve” fals që hyjnë në tokat tona hiç pa na pyetur neve. Tokë jetime! Sikur ju të hynit pa leje në tokat e tyre do ta paguanit shumë shtrenjtë këtë poshtërsi.

Na shqetëson fakti se ju shqiptarë të FYROM-it etj shtroni dreka, darka, i strehoni ardhacakët e paftuar në shtëpia e xhamia pa menduar fare për pasojat.

Pse them kështu?

Sepse përveç tjerash, me “mikpritjen” e juaj  të disa qindra “azilkërkuesve” në shtegtim ju në realitet nuk ndihmoni, por joshni të vijnë me mijëra dhe milion tjerë që dëgjojnë për rastet ku ju tregoheni “fisnik”, ashtu që shumë prej tyre do të humbin jetën rrugëve s`bashku me fëmijët e pafajshëm.

Përveç tjerash, unë nuk besoj aspak se këta që ikin nëpërmes Shqipërisë, FYROM-it, Kosovës do të fitojnë azil në Perëndim. Me siguroi se 99% prej tyre do të dëbohen në vendin e parë ku shkelën Evropën. Kjo dmth se do të kërkojnë dhe fitojnë azil në trojet etnike shqiptare; dhe hopa, me vullnetin e juaj e kolonizoni tokën e juaj; ju, shumica e të cilëve edhe vëllain e barkut e vrasin për një kufi livadhi.

Evropës Perëndimore i konvenon ndërtimi i kampeve për azilkërkuesit afrikan-aziatik në vendet e origjinës apo llafi vjen në Shqipëri, FYROM, Kosovë. Kjo edhe me arsyetim se shumica e tyre janë myslimanë dhe më mirë do të “integrohen” mes jush  që gjithashtu “jeni mysliman”. Kështu pra planifikojnë shumë politikanë dhe qeveritarë Perëndimor me të cilët kam kontaktuar; dhe me një plumb vrasin dy gjela:

– e heqin qafe (nga vetja) valën masive të “azilkërkuesve” fals

– njëherë e përgjithmonë e zgjidhin çështjen shqiptare në Ballkan, me tokat e kolonizuara nga afrikanët-aziatikët – shqiptarët do të asimilohen

***

Mua më kontaktojnë edhe shumë hoxhallarë të nderuar shqiptarë (nga vendi dhe diaspora) që e dinë se jam shqiptar katolik, por si atdhetarë të mirëfilltë, më thërrasin “vëlla” dhe i thërras “vëlla”. Njërit prej tyre i telefonova dje:

“Siç duket, arabët, pakistanezët, afganët, nigerianët, somalezët etj do të nguliten në tokat shqiptare” – i thash.

“Mjerisht, ke të drejtë Aurel, ne shqiptarët jemi mësuar t`ia ngulim vetvetes” – ishte përgjigja.

***

Në verën e vitit të kaluar, kalimthi e vizitova FYROM-in dhe Kosovën. Kudo shikoja mjerim, dhembje e trishtim. Gjithkush përpiqet të shet diçka, sa për të fituar një copë bukë. Edhe sende të vjetra bile, por askush nuk blenë. Shikoj. Në rrugët  e Tetovës shumë traktorë të mbushur me mijëra shalqinj apo speca, blerës askund. Nuk kanë lek të blejnë. Një “shitës” më tha se do të jetë i detyruar t`i fugi shalqinjtë por edhe specat pasi rrallë kush i blenë dhe kanë filluar të prishen. Shkoj në Shkup, hy në Bit Pazar. Një çift bashkëshortësh shumë pleq, shumë të leckosur dhe të sëmurë më lutën të blejë nga ta disa pjata të përdorura. “Jemi shumë të unët, nuk kemi fëmijë të na ndihmojnë, asnjë ndihmë sociale …” më thanë. Më tutje një grua e re më lutën të blejë nga ajo një xhemper: “Është punë dore, kam tre fëmijë jetim, jetojmë me qira në një podrum, kam punuar 10 ditë në te…pronari do të na dëboje nga banesa…”- rrëfehet.

Trishtim!

Ika për në Kosovë. Me taksi. Prishtinë. Para se me arritur në aeroport (aeroplan për Gjermani), me dy fëmijët e vogël dhe gruan u ndalëm në një restorant. Pasi nuk ishim të unët as që hëngrëm ushqimin. Na u afrua një grua me djalin 11 vjeçar përdore. “Zonjë, a mundemi me e ngrënë këtë ushqim që u ka mbetur në pjata, nuk kemi hëngër me ditë të  tëra” – i thotë gruas time e cila filloi të qajë me zë.

Trishtim!

Krejt kjo tragjedi për shkak të kriminelëve prej qeveritarësh që tradhtuan, shitën, vodhën dhe plaçkitën gjithçka.

***

Askush prej jush që me lot deveje vajtoni për arabët…nuk demonstroi, askush prej jush nuk mbajti grevë urie, askush prej jush nuk i dërgoi ultimatum qeverisë të zgjidhet problemi i atyre qindra mijëra motrash dhe vëllezërish tonë të gjakut dhe gjuhës që vuajnë në mjerim, por menjëherë vajtoni, demonstroni, mbani grevë urie, u ndihmoni “vëllezërve” të juaj të fesë myslimane që sipas fotografive, veshmbathjen e kanë shumë më të shtrenjtë dhe më moderne se ju. Por edhe xhepat i kanë më të thellë. Sipas statistikave, për të udhëtuar deri në FYROM secili prej tyre ka paguar kriminelët kontrabandist minimum 10-15000 euro.

Pasi shumica prej atyre “refugjatëve” të huaj e quajnë veten mysliman, atëherë pse dëshirojnë të vendosen në Evropën Perëndimore të krishterë ku gati në secilin ushqim, edhe në gatimin e bukës, përdoret mishi (dhjami) i derrit?

Pasi shumica  e tyre janë arab, pse nuk kërkojnë azil në shtetet shumë të pasura arabe, për shembull në Arabinë Saudite, Kuvajt, Dubai, Katar…?!

Unë e di pse. Shumica e “azilkërkuesve” janë meshkuj, të moshës së re, nuk u konvenon të vendosen në shtetet që përmenda sepse atje nuk do të kenë asnjë shanse të bëjnë seks jashtëmartesor me ndonjë femër, Ligjet e Sheriatit do t`i dënonin shumë keq, kurse në Evropën “moderne” nuk ka këso rreziqesh.

Sikur këta të vendosen në tokat shqiptare, përveç të gjitha të këqijave tjera, do të vijë edhe te çekuilibri gjinor. Më shumë meshkuj se sa femra, ashtu që shumë prej femrave shqiptare do të martohen me afrikanët-aziatikët, dhe si pasojë, shumë meshkuj shqiptarë do të mbesin virgjrin dhe beqarë të devotshëm, llafi vjen, si beqarët e Kinës dhe Indisë.

***

Ka shumë gjasa që do të ketë përleshje për gratë

Ekziston frika e madhe se deficiti i madh i grave në këto shtete: Indi dhe Kinë do të ketë pasoja sociale të rrezikshme, kjo për arsye se pas disa vitesh, kur fëmijët që sot janë të vogël do të bëhen të mëdhenj – do të përplasen ndërmjet veti në një luftë tepër të vështirë për gratë.

Dy vendet më të populluara të botës, Kina dhe India rrezikojnë çekuilibër serioz gjinorë në popullsitë e tyre. Një nga arsyet kryesore është se shumë çifte për shkaqe (jo)kulturore zgjedhin të abortojnë vajzë-fetusin. Si rezultat, pas 20 vitesh popullata e këtyre dy vendeve do të ketë një tepricë meshkujsh prej 25-30 për qind.

Mungesa e femrave do të ketë pasoja të rënda sociale, sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore kanadeze CMAJ.

Çekuilibri në raportin e shpërndarjes gjinore do të thotë se shumë meshkuj nuk do të jenë në gjendje të martohen dhe të kenë fëmijë. Atje edhe sot ka me dhjetëra milion burra  të “virgjër”, të moshës mbi 45 vjeçare. Prandaj, ka arsye shumë serioze për frikën se kjo do të çojë në një numër në rritje të akteve të dhunës dhe krimeve të tjera të rënda, thotë studimi.

*USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, policia e FYROM

HESHTJA ZGJEDHORE QË VJEN NGA ”QARKU I TREMBËSHJETË”…

June 22, 2015 by dgreca

Shqipëria është ndarë në 12 qarqe që, siç thuhet zyrtarisht, janë ftuar për të votuar mbi tre milionë e treqind mijë shqiptarë…/

“Qarku i trembëdhjetë”, rreth dy milionë, është i privuar nga e drejta për të votuar, i është hequr pa gjyq e drejta e votimit, e drejta e zgjedhësit dhe e të zgjedhurit…/
Në atë “mbi tre milionë e treqind mijë…”, në lista, në të gjithë vendin janë qytetarët e “Qarkut të trembëdhjetë”, mërgimtarët në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Zvicër, Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi…mërgimtarët shqiptarë në të pesë kontinentet dhe mbase në të gjitha shtetet e botës./

Nga Abdurahim Ashiku/ Athine/

E diele, 21 qershor 2015…
Jam ulur në qetësinë e shtëpisë sime në mërgim me vështrimin mbi ekranin e vogël sinjali i të cilit vjen nga sistemi satelitor botëror. Kaloj me indiferencë sinjalin kompjuterik të telekomandës sa në njërin ekran të vogël në tjetrin, sa në stacionet “afër qeverisë” aq edhe në stacionet “larg qeverisë”.
Nuk votoj.
Jo se nuk dua por se nuk duan.
Nuk duan partitë politike në Shqipëri të montuara tash 24 vjet në karriget e Kuvendit, që ta bashkojnë kartonin jeshil për një ligj që mërgimtarët të kenë të drejtë të votojnë, ta përcjellin votën në “kutitë e votimit” siç e përcjellin miliona emigrantë në vendet demokratike.
Kanë të drejtën të shprehen me votë të burgosurit deri në dënime me “burgim të përjetshëm” dhe nuk kanë të drejtë të votojnë mërgimtarët e lirë, njerëzit që në këtë një çerek shekulli i kanë dhënë vendit më shumë se çdo komunitet, miliarda dollarë çdo vit, gjakun në deje që e ka mbajtë gjallë jetën shqiptare, që e ka ngritur nga “kuota zero”…
Një absurditet ala shqiptar…
Shqipëria është ndarë në 12 qarqe që, siç thuhet zyrtarisht, janë ftuar për të votuar mbi tre milionë e treqind mijë shqiptarë…
“Qarku i trembëdhjetë”, rreth dy milionë, është i privuar nga e drejta për të votuar, i është hequr pa gjyq e drejta e votimit, e drejta e zgjedhësit dhe e të zgjedhurit…
Në atë “mbi tre milionë e treqind mijë…”, në lista, në të gjithë vendin janë qytetarët e “Qarkut të trembëdhjetë”, mërgimtarët në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Zvicër, Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi…mërgimtarët shqiptarë në të pesë kontinentet dhe mbase në të gjitha shtetet e botës.
Jam ulur dhe gjerboj, mundohem të marr “ajkën e qumështit”  të fjalëve  të (k)analistëve që mundohen ta fusin fjalën në (k)analin e zgjedhjeve.
Gjerbja më vjen paksa e hidhur si t’i kishin hedhur “ajkës së qumështit” gjethe pelini.
Në gojë folësish televizivë, në zë analistësh të njohur me zë e figurë deri në shkallën mesatare të mërzitjes, në titra elektronikë poshtë e djathtas ekranit më vijnë lajme “të mëdha” e të “vogla”.
Në Roskovec nuk kanë filluar zgjedhjet. Shkaku nuk është “poshtë” por “lart”. Në listat zgjedhore, kandidatët e dy krahëve  janë të të njëjtit krah politik. Të të njëjtit shkruar e printuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve por në fakt të krahëve të kundërt.
Gabim njerëzor?
Jo, faj njerëzor.
Në Kavajë komisionarët, me urdhër partiak, kanë marrë në dorë “kapistrën” e zgjedhjeve. Nuk lejojnë njerëzit të votojnë edhe pse ligjërisht kanë të drejtë…
Çudinë shqiptare në katror do ta qesëndiste Zhvejku me shprehjen e tij “Idiot në katror”…
Daljet partiake në ekranin e vogël nuk e di pse më kujtojnë filmin “Ballë për ballë”, deklaratat e palëve me akuza ndaj njëra tjetrës. Deklarata të një fuqie të madhe botërore ndaj një fuqie të vogël që donte të jetonte pa saç mbi kokë….
Daljet e sotme nuk e di pse më ngjallin trishtim…
Pushteti qenka më i ëmbël se hallva…
Pak a shumë kështu thoshte dikur edhe prefekti i Tiranës për…fashizmin.
E shkruar me titra poshtë ekraneve të vegjël apo në krah të djathtë të tyre, me figurë e pa zë, më vijnë dy gishta në sallën e votimit…
Thyerje e kodit zgjedhor?
Askush nga analistët nuk e thotë…
Një mesazh në facebook…
Kryeministri i Shqipërisë, që din shkrim e këndim, dikërka edhe aritmetikë…
Një thirrje në adresë të emigrantëve…
Ju që jeni në emigracion bëni një telefonatë në shtëpi, tek te afërm a miq në Shqipëri dhe thuajuni të shkojnë në votim sepse vota e tyre është investim edhe për ju! Rrofshi:‎edirama
Nuk mund të mos kishte reagime...

*           *          *

I nderuar kryeministër i Shqipërisë,
Edhe një herë Ju me këtë status-thirrje ndaj Ne emigrantëve që për më shumë se 25 vjet kemi mbajtur në këmbë shtetin shqiptar me remitanca dhe vota, por pa të drejtë vote dhe përfaqësimi, treguat indiferentizëm dhe mosmirënjohje duke na parë si mbështetje por pa na mbështetur!
Z. Kryeministër ka ardhur momenti të na ktheni borxhin; të drejtën e votës, të drejtën përfaqësimit dhe jo vetëm…

* * *
Ku e keni Ministrinë e Emigracionit që na premtuat zoti Rama? 

Ku votojmë ne emigrantët që na premtuat se do të ju krijojmë kushtet të votoni në vendet ku punoni e jetoni? 

Pse nuk erdhi Erion Velija, i cili zgjedhjet e kaluara e gdhinte këtu në Greqi me ne emigrantët? 

Pse po na i shponi xhepat për pasaportat e fëmijëve që për fajin tuaj po pajisen me pasaporta të reja kur kanë akoma edhe 90% të kohës së afatit të skadimit? 

Pse nuk e ndërtuat atë qendrën kulturore për shqiptarët që të ndiheshin se shumë emigrantë të tjerë të botës?
Pse nuk e njihni shkollimin shqip të fëmijëve në mërgim dhe mësuesit nuk i vlerësoni as materialisht dhe as moralisht?

Pse? Pse? Pse-të janë pa fund. Nëse ju zoti kryeministër pretendoni se të gjithë fshatarët i bëtë qytetar, por ka ndodhur e kundërta. emigrantët janë bërë qytetarë evropianë dhe nuk mund të mashtrohen sa herë keni fushata elektorale.
Pema mbillet sot dhe korret mot, zoti kryeministër.

* * *
Në Memaliaj  shkakun për pjesëmarrjen e ulët në votime e kërkojnë tek emigracioni, largimi i njerëzve dhe boshatisja e qytetit
Në disa qytete jugore të Shqipërisë pak autobusë me emigrantë kanë kaluar kufirin, kryesisht minoritarë veprimtarë të PBDNJ-së…
Një analist flet për bojkotim të zgjedhjeve nëpërmjet pjesëmarrjes së vogël. Do të isha me të në qoftë se ai do të më jepte numrin e saktë të emigrantëve në listat zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.
“Qarku i trembëdhjetë”, rreth dy milionë mërgimtarë nuk votuan…
Po të kishin të drejtën e votës pjesëmarrja në votime do të ishte rreth 80 përqind.
Vota e tyre mbeti pezull…
Unë kam 19 vjet që nuk votoj…
Herën e fundit kam votuar më 26 maj 1996, atëherë kur vota u vodh me “rruspë” për t’i hap rrugë shkatërrimeve të padëgjuara…
Tash  jam ulur para ekranit të vogël dhe po pres numërimin e votave…
Po meditoj se kur do të më hapet porta për të votuar…
Nuk e di…
Dhe nuk dua ta di…
Deri atëherë do të jem i asimiluar në gjuhë, gjini, dashuri për vendlindjen time…
Mos e thëntë Zoti…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 21 qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Heshtje zgjedhore, Qarku i 13

Kaçamak elektoral në Shqipërinë e esnafeve

June 22, 2015 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI?
 Megjithë dilemat për mospjesmarrje, më së fundi vendosa të shkoj në qëndrën e votimit tek shkolla “Kristoforidhi”, në rrugën “Shyqyri Bërxolli”. Nuk u nguta. Kur u gjenda aty ishte ora 5 e pasdites. Ne të vërtetë gjithçka dukej e qetë, plot njerëz që dukeshin si sehirxhinj, por që në fakt ishin të interesuar e i vigjëlonin sytë për të parë ndonjë hile që mund të bënte kundërshtari. Pasi mora letrat, i vendosa shenjën e përzgjedhjes për kryebashkiak dhe për këshilltarë e dola në oborrin e shkollës. Aty u gjenda para një surprize. Në këndin e kundërt, përkundruall qendrës, por brenda oborrit të shkollës, ishte një kënd i improvizuar me një tryezë e me një kuti votimi. Më bëri përshtypje ndaj u afrova. Vajza në ballë të tryezës bisedonte me një çift, të cilët shënonin në ca letra. Pastaj papritur u kujtova se letrat ishin identike me ato që kisha plotësuar brenda në qendrën e votimit. M’u duk një gjë e parregullt, prandaj sapo çifti u largua e pyes vajzën, çfarë ishin ato letra që plotësuan ata njerëz. Fletë-anketime. – më tha. Çfarë anketimesh e kush i bën. Ora News bashkë me qendrën e anketimeve AA….nuk më kujtohen shënjat që më tha. Këto janë sondazhe. Po mirë, – i them, – këto sondazhe behën përpara votimeve e nuk është e pranueshme të ngrihen instanca paralele ditën e votimit, sondazhet janë prognoza jo realitete paralele, nuk mund të dualizojnët qendrat e votimit e KQZ-të. Mua kështu na kanë thënë, – tha ajo. Deri këtu biseda ishte e thjeshtë por mënyra se si po justifikohej nuk më pëlqeu, ndaj i shpreha dyshimin e dytë. Si është e mundur që flete anketimet të jenë identike ne ngjyre e format dhe me të njëtët emra si ato që unë sapo votova. Nuk e di, tha vajza. Dhe padyshim që ajo nuk e dinte. Atëherë dyshimi im u konsolidua dhe i thashë: bukur, le ta themi se është i mirëqenë dhe i ligjshëm ky paralelizëm ditën e zgjedhjeve. Më jep mua dy fletë, një për këshilltar e një për kryebashkiak që t’i mbush e t’i fus në kutinë që keni vendosur këtu në tryezë. Vajza më pa, dyshoi dhe më tha prerë: Jo. Nuk të jap fletët. Pse? – e pyeta. Pse, – më tha ajo, – se ata që i anketojmë i zgjedhim vetë. Po unë kam dëshirë të anketohem – i thashë. Kur unë këmbëngula ajo akoma më shumë kundërshtoi. Nuk donte të m’i linte në dorën time fletët e votimit (anketim) që ishin identike, siç thamë, me ato që hidheshin në kutitë e votimit. Epo, vazhdova kuvendimin me atë vajzë duke përdorur sarkazmën, o zgjedhje o zgjudhje, media private nuk ka pse gatuan kaçamak në punët e hyqymetit… Hodha sytë rreth e rrotull mos shihja ndonjë të policisë, që t’i pyesja a janë të rregullta këto zgjedhje paralele, kuti votimi paralele e fletë votimi autentike paralele në të njëtën qëndër votimi. Askund këmbë polici megjithëse isha në qendër të Tiranës. Po këto fletë votimi ku shkojnë e pyeta vajzën duke i treguar kutinë, ku mund ishin qindra fletëvotimi të mbushura. I dinë ata, nuk e di unë, – tha ajo. Po, – i thashë, – i dinë ata, por i përfytyroj edhe unë. Ajo vazhdoi punën e vet duke përzgjedhur njerëz, të cilët mesa duket i njihte dhe duke mbushur fletë votimi e duke i hedhur në kutinë e madhe mbi tryezë. Mirë mua më lindi një dyshim, po ata që janë të interesuar që zgjedhjet të mos manipulohen pse nuk u tërheq vëmendje fakti se fletët e votimit ishin autentike. Ku i kanë marrë, ku i kanë shtypur dhe a nuk ka rrezik që kjo arkë të futet fshehurazi në klasat e shkollës e të numërohet si kutitë e tjera? Po sa të tilla ishin në tërë Tiranën?! A mund këto të keqpërdoren për të manipuluar rezultatet? Këto gjëra kanë ngjarë prandaj të mos ju duket çudi të dilni se keni votuar dy here- thashë me vete. Dhe pastaj vazhdova arsyetimin: Se çfarë i duhet Ora News të përzihet në këto zgjedhje paralele nuk e dimë por e marrim me mend, sepse ajo për të përfituar e ka pas një kurs pro PD kur kjo ishte në pushtet, por menjëherë pasi këtij televizioni Ministria e Kulturës së qeverisë së sotme sapo erdhi në pushtet, i shiti në mënyrë të fshehtë e jashtë syve të publikut një pjesë të oborrit të Kinostudios për një çapë bukë, e ka kthyer timonin 180 gradë dhe është në shërbim mediatik të partive në pushtet. Me çfarë shohim përnatë aty gjendet e kapur si peshku në grep. Përndryshe e la veten të kapet nga pushteti me shumë dëshirë se nga pushteti burojnë milionat e reklamave. Ajo çfarë ndodhi me Televizionin “Agon” është edhe një mësim i mirë që po nuk bashkëpunove e pësove. Vajte për lesh. E, mos vallë, na ruaj zot se ne vetëm hamendësime po bëjmë, me këto kuti Ora News dëshiron t’i japë një dorë pozitivitet ndonjë kandidati të partive në pushtet. Mos më thoni që nuk është e mundur, sepse, si në asnjë vend tjetër në botë, nuk ka gjëra të pangjara në këtë Shqipërinë tonë të esnafeve dhe kasnecëve televizivë.
21 qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: kacamak elektoral, Kolec Traboini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 784
  • 785
  • 786
  • 787
  • 788
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT