Nga MSc. Albert Habazaj/*
Në kuadrin vlerësues të plotmërisë diturore dhe të kontributeve të tij, jo vetëm në fushën e gjuhësisë, por edhe në rrafshin historiografik, gjykojmë të trajtojmë ndihmesën e prof. Ethem Likaj për redaktimin e librit madhor të Eqrem bej Vlorës “Kujtime (1885 – 1925)”.
Në lëmin e albanologjisë, njihet emri i Eqrem bej Vlorës (Vlorë, 21 shkurt 1885 – Vjenë, 25 maj 1964), si një politikan, diplomat, shkrimtar dhe historian shqiptar. I cilësuar si Beu i fundit, ai qe mishërim i aristokracisë së mirëfilltë shqiptare megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, shkollimi i tij dhe stili në të shkruar përcjellin stërhollimin interesant të një eruditi. Njohës i 9 gjuhëve të huaja, të vdekura dhe të gjalla, ku veçojmë turqisht, arabisht, italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermaisht, me bibliotekë personale nga më të pasurat e kohës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, ai ishte i plotësuar edhe me një kulturë gjermane. Veprën e tij madhore, “Kujtime (1885 – 1925)”, ai e la në dorëshkrim, që u botua në gjermanisht, (Mynih, 1968, 1973). Për modelin e botimit në gjuhën shqipe të librit “Kujtime” të Eqrem bej Vlorës, (Tiranë, 2001, 2003) me këtë formë dhe përmbajtje që është paraqitur në shërbim të lexuesve dhe studiuesve shqiptarë etj., jemi të mendimit se roli i redaktorit të librit është i dukshëm, i prekshëm, i dobishëm. Redaktor i këtij botimi madhor të historiografisë shqiptare është gjuhëtari i njohur, prof. dr. Ethem Likaj, i plotësuar edhe ky i plotësuar me kulturë gjermanike. Ndoshta mund të jetë e dobishme trajtesa për rolin Profesor Ethemit, si redaktor i këtij botimi.
Fjalët kyçe: Redaktim, historiografi, ndihmesa gjuhësore, kujtime.
Hyrje: Siç dhe dihet, Eqerem bej Vlora është një figurë me dritë hije e kulturës shqiptare dhe e historisë së Shqipërisë. Duke bërë një vështrim krahasues, dallohet Eqerem Bej Vlora si studiues dhe emri i tij është i mbushur me dritë në fushën e kulturës shqiptare. Ai është një zë i nderuar i mendimit shqiptar dhe, sipas kriterit kronologjik radhitet krahas Vaso Pashës, Sami Frashërit, Luigj Gurakuqit, Mithat Frashërit, Gjergj Fishtës, Fan Stilian Nolit etj. Eqerem Vlora është ndër 25 intelektualët shqiptarë të periudhës 1879 – 1945, të cilët përfaqësojnë antologjinë e mendimit shqiptarë, jo vetëm për kohën që jetuan, me ndikim jo vetëm në hapësirat e banuara me shqiptarë. Përkrah mendimin e një studiuesi bashkëkohor, që i cilëson ata edhe si “ndërgjegjja e nesërme e kombit shqiptar”. Nëqoftëse në fushën e kulturës, Eqerem Bej Vlora na mbush me dritë dhe vetëm me dritë, në rrafshin historik figura e tij ka dritë, hije dhe hije. Edhe në histori, ai është një figurë enciklopendike, e përfshirë në botimet e nivelit akademik. Sipas “Fjalorit Enciklopendik Shqiptar” (FESH), ai njihet si veprimtar politik dhe diplomat, i arsimuar në Vjenë dhe në Stamboll, ku mbrojti doktoraturën për drejtësi. Shërbeu në poste me rëndësi të Perandorisë Osmane. Edhe sipas këndvështrimit tonë, drita e tij në histori duket, kur u bashkua me Ismail Qemal Vlorën në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Sipas historianëve, Eqerem Vlora “Me shpalljen e pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë (1912). Gjatë Luftës së Parë Botërore u arrestua nga italianët…”. Ky është fakt dhe e vërtetë dhe kjo paraqitje është pamja e tij e bardhë, me dritë. Në burimin e sipërcituar, vijon fjalia: “por më pas ishte një nga përkrahësit kryesorë të mbështetjes nga Italia”. Është fjala për kohën kur, në Vlorë dhe në krahinat e saj, italianët erdhën si kolonizatorë dhe pushtuan trojet e banorëve vendas, të cilët i kishin trashëgim prej të parëve të tyre. Njihet miqësia për interesa personale e Eqerem Beut me Piaçentinin. Ky fakt dhe kjo e vërtetë nuk mund të jetë faqe e bardhë, pra as dritë, por hije e cila u pasua nga një tjetër hije në vitet e Luftës së Dytë Botërore. “E. V. e mbështeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste”. Shqyrtimi ynë ka të bëjë me pjesën me dritë të tij dhe pikërisht me kontributin e tij në lëmin shkrimor.
Vepra kujtimore e Eqerem Bej Vlorës. Kontributi i mendimit të Eqerem bej Vlorës është i dukshëm dhe i dobishëm në këto fusha të dijes: në publicistikë, kulturë dhe histori, me punimet albanologjike, me studimet historike, arkeologjike, kulturore, etnografike e sidomos etnologjike. Nga literatura e tij e botuar, vjen me shungullimë vepra madhore “Kujtime nga jeta”, pjesa I, II (Mundien, 1973), e cila, në dorëshkrim daton Romë – Mynhen, 1963; ndërsa për botimin shqip u përgatit nga Shtëpia e Librit & Komunikimit, në trajtën më të plotë më vitin 2003, nën kolanën “Bota Shqiptare”, përkthyer nga gjermanishtja prej Afrm Koçit, nën redaktimin e prof. Ethem Likajt. Një lexues i vëmendshëm di ta lexojë dhe ta interpretojë tekstin, duke kuptuar dhe vlerësuar rolin e stafit realizues për botimin shqip. Libri në shqip titullohet “Kujtime (1885 – 1925)” dhe vjen në dy vëllime. Vëllimi i parë rrok periudhën 1885- 1912, pra arrin deri në mbledhjen e Kuvendit të parë Shqiptar, më 27- 28 nëntor 1912. Vëllimi i dytë kap segmentin kohor të ngjeshur me ngjarje 1912 – 1925 dhe përfshin edhe zgjedhjen e Ahmet Zogut si president i Republikës Shqiptare në vitin 1925. Monografia është e pajisur edhe me shtojcë, ku shënohen shtëpitë e mëdha, listat gjenealogjike, treguesi i emrave të personave dhe treguesi i emrave të vendeve. Jeta dhe veprimtaria e Eqerem bej Vlorës, i cili mbahet mend për kujtesën e habitshme, ka qenë e pleksur ngushtë me regjimin osman dhe me lindjen e Shqipërisë moderne për kohën. Sipas studiuesve, libri me kujtime i Eqrem bej Vlorës i ndarë në dy vëllime, përkatësisht vëllimi i parë 1885-1012 dhe vëllimi i dytë 1912- 1925 të përkthyera nga gjermanishtja e të botuara në shqip më 2001 është jo vetëm libri më i rëndësishëm iautorit, por një prej librave më interesant dhe tërheqës për mendimin shqiptar. Vepra kujtimore e tij mund të quhet pa drojë hartim i një përshkrimi monografik të historisë shqiptare. Ajo vjen herë si serum i kujtesës historike, herë vjen si tetanos nga veprimtaria e tij politike. Gjykojmë se duhet të bëjmë dallimin në personalitetin e dyzuar të Beut të Fundit, se vlen dhe për të tjerët. Asnjë gjë nuk mund të pritet me thikë, veçse figura e Eqerem Vlorës nuk mund të shihet më bardhë e zi, sepse ajo kakolorit ngjyrash interesante dhe me kontraste të fuqishme, e dobishme dhe e dëmshme, veçse gjithmonë me një mendim intelektual të zgjedhur. Faqja e tij politike dhe diplomatike finalizohet në funksion të interesit personal. Faqja e tij kërkimore – shkencore është në interes të kulturës shqiptare. Nuk mund të zbehet shkëlqimi shkrimor i tij nga lëkundjet apo pamjet e kokolepsura politike të Beut, as dhunimi deri në shfarosje deri i bibliotekës së tij nga regjimi komunist. Në formë telegrafike po prezantojmë çka është botuar në “Kujtime”, atë çka është gjetur në dorëshkrimin e kujtesës së tij për jetëshkrimin dhe vitet e fëmijërisë, atyre të rinisë, të pjesës së parë të veprimtarisë politike, ekonomike dhe shoqërore të E.V. në Shqipëri. Nga libri, nëpërmjet dëshmive të tij, marrim një informacion të munguar, të pagjetur dot në librat e historisë. Ai rrëfen për vitet e fëmijërisë në Vlorë (1885 -1899); vijon kujtimet shkollore në Terezianum të Vjenës (1899 – 1903); me vitet e mësimit në Stamboll; me përurimin e hekurudhës së Hexhazit, Siri (vjeshtë 1904); me udhëtimet nëpër Europë; flet për parahistorinë e lëvizjes kombëtare shqiptare; ritakimin me Shqipërinë, pas kthimit nga Stambolli (9 maj 1906- janar 1907), udhëpërshkrimin për në Stamboll, nëpër Tripoli (Pranverë 1907); shkreptimat para stuhisë, siç i quan ai lëvizjet kombëtare të kohës; jep pamje nga revolucioni i parë shqiptar, (në se shprehemi me gjuhën e tij) me Idriz Seferin etj, luftën midis dy drejtimeve për përdorimin e shkronjave latine apo arabe; më tej, për në vendin e faraonëve të rinj, Kajro (fund viti 1911); pamje nga revolucioni i dytë shqiptar me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin etj., kundër Turqve të Rinj; udhëtimet shqiptare (Maj- Korrik 1912); me misionin diplomatik të Gusht – Shtator 1912, që ai e quan të kotë; vjen një panoramë e vrullshme me ngjarje lufte (Tetor – Nëntor 1912); ëndrra e plotësuar nga Kuvendi i Parë Shqiptar dhe Qeveria e Përkohëshme e Plakuttë Pavarësisë, që ishte xhaxahi i tij, Ismail Qemal Vlora. Më tej, marrim informacion për princ Vidin, gjerman protestant, nga dera e Vidëve, nip i mbretëreshës së Rumanisë; rrëfen Beu për fatin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore nëpër Europë; përsëri në Atdhe, mars 1919; vitet 1920 -1923; Shqipëria në udhëkryq dhe Beu i fundit. për kohën pas vitit 1925 dhe për ditët e trishtme – shkruan Eqerem Vlora – kur unë u bëra top i fatit në vende të huaja do të shkruaj në vëllimin e tretë, por ai vëllim nuk arriti të shkruhej, sepse mbasditen e 25 maj 1964 ai uli penën në tavolinën e shkrimit dhe mbylli sytë përgjithmonë. Pa bërë analizë të tekstit, mund të shprehemi, se mendimi i studiuesve të sotëm ështëvlerësues pozitiv për këtë libër të rrallë me kujtime. Për “Kujtimet” e Eqerem Vlorës, jemi në krahun e atyre studiuesve që bëjnë këtë vlerësim: “janë perla në gjerdanin e praruar që zbukuron fondin më të mirë të letërsisë sonë historike, në këtë gjini botimesh”*shih: Verli, Maringlen, Syrja Vlora “Kujtime nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës”, Tiranë, Iceberg, 2013, f. 7 – 8
Ndihmesa shkencore e Prof. Ethem Likaj.
Sipas mendimit tonë, Eqerem bej Vlora është një personalitet me peshë, protagonist i ngjarjeve të mëdha në historinë e vendit për gjysmës së parë të shek. XX, me dritëhijet e pranueshme. Në kohën e sotme, letërsia dokumentare, memoaret paraqesin interes tek lexuesi. Kujtimet në gjuhën shqipe, me analizat dhe vlerësimet për ngjarjet e jetuara të Beut të fundit, para se të mbërrinin në dorën e lexuesit, kanë kaluar në dorën e mjeshtrit të gjuhës shqipe, prof. Ethem Likaj. Duket përkujdesja e vëmendshme dhe përgjegjësia shumë e madhe për këtë angazhim kapital të Profesor Ethemit. Kush e njeh stilin dhe profilin e punës kërkimore -shkencore të Profesorit e ndjen dhe e shijon redaktimin e përkthimit të “Kujtimeve”(2003) të Eqerem Vlorës dhe çdo ndërhyrje rindërtuese, realizuar sipas kritereve më të mira për botimete e kësaj natyre. Vlen të përmendin, se është ruajtur plotësisht jo vetëm origjinali, por edhe stili e zhargoni i autorit dhe përkthyesit. Ndoshta e njëjta origjinë me autorin e kujtimeve dhe fakti që redaktori, po ashtu, është njohës i shkëlqyer i gjermanishtes, e ngre këtë monografi në nivelin e botimeve më cilësore në gjuhën shqipe. Edhe studiues të tjerë bashkohen me mendimin tonë, që, pavarësisht vështirësive të shumta, gjithçka të realizuar profesor Ethemi e ka bërë në respekt të shkencës, të autorit, të përkthyesit dhe patjetër në nderim të lexuesit. Puna skrupuloze, përkushtimi për finalizimin e suksesshëm të botimit meriton fjalët më të mira për kontributin e madh që profesori ka dhënë që “Kujtimet” e Beut të Fundit të botohen me cilësi. është dinjiteti shkencor i Prof. Ethem Likaj, që dorëshkrimin e shndërroi në një vepër madhore, etalon për botime të tjera të nivelit akademik.
Nuk mjafton të thuash që redaktimi është thjeshtë ai procesi i ndreqjes e i përpunimit të një vepre para se të botohet; është tepër më shumë se kaq. Nga përvoja shkrimore dhe studimet, mund të shprehemi se, redaktimi është shkalla më e lartë e realizimit shkencor, gjuhësor dhe letrar të monografisë që përgatitet për botim. Atë mund ta bëjë vetëm një njeri i aftë i fushës përkatëse, që ka mësuar dhe e njeh mirë botën e botimit, që shkëlqen në fushën e redaktimit dhe rezonon punën me botuesin, korrektorin, recensuesin, përgatitësin, apo përkthyesin, sipas rastit, me aftësi të shfaqura e të pranuara nga bota e krijimit, që di të ruajë integritetin shkencor. Mos ka ardhur koha që redaktori (edhe korrektori) të jetë i plotësuar me arsimin e editorisë në nivel universitar dhe pasuniversitar? Bota e Librit prodhon perla, vlera të mirëfillta albanologjike, siç është edhe libri me kutime i Eqerem Vlorës, me redaktor Ethem Likaj. Por, bota e parasë sot prodhon edhe qofte të qullta nga furrat botuese. është tronditës një lajm kulturorqë ndoqa një një televizion lokal disa ditë më parë,të këtij maji 2014. Bëhej një përurim libri. Gazetari intervistron autorin ( s’ja mbaj mend emrin autorit, se, as e kisha takuar, as e kisha dëgjuar më parë. Flet libërbërësi: Libri im me poezi është shumë i mirë. Kjo poezi ashtu e ajo poezi ashtu, njëra më e mirë se tjetra. Hej, dreqo punë, thashë me vete. Autrit i takon të flas për vete , apo të tjerëve…Gjysma e të keqes – kjo që dëgjova. Më tej tha: “Falënderoj redaktoren e librit, sepse i thashë shiko presjet, pikat dhe kaq. Asgjë më tepër, nuk e lejova të më ndryshojë asnjë fjalë” (S’po ia përmend emrin asaj, është mësuese letërsie, e njoh dhe kam respekt, por…) A nuk është tronditëse kjo situatë?! këmbëngul në mendimin që me redaktim duhet të merren njerëz të pajisur me liçencë dhe jo gjithologë.
Personalisht, meqë kam mundësinë profesionale të përshkrimit bibliografik sipas standarteve ndërkombëtare, do të kisha dëshirë t’i kërkoja profesorit po të ishte sot këtu, në nderimin që i bëhet veprës së tij kërkimore- shkencore, të realizoja bibliografinë e monografive dhe të artikujve të Prof. Ethem Likaj.
* “Konferenca shkencore “Veprimtaria kërkimore e akademike e prof. Ethem Likajt”
e shtunë, 31 maj 2014
Biblioteka Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.
Epitafi i hipokrizisë
NGA RESHAT KRIPA/
Një ditë të djelë m’u tek të shkoja në varrezat e qytetit. Përse, do të thoni ju? Desha të vendosja nga një tufë lule në varret e miqve të mi që nuk jetojnë më. Kaloja nga njeri varr në tjetrin dhe lexoja epitafet e shkruara në to.
Në hyrje të varrezave më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor. U afrova dhe u mundova të lexoj emrin e të gjorit që prehej aty. Për çudi, nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi, pa autor, të gdhendur në pllakën e mermerit:
Këtu prehet hipokriti
Gojëmjaltë e trupërlyer,
Që s’tha fjalë pa lezet,
Që s’u prish në muhabet,
Dhe s’e ndyri kurrë gojën,
Me ata që kish nevojën!
Qëndrova i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm. Po thartoja trutë për të gjetur se kush duhej të ishte ky i paemër që prehej aty.
Nga kjo gjendje më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:
– Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?
Ktheva kryet dhe pas meje pash një plak që po i afrohej të njëqindave.
– Jo, or mik, – iu përgjigja, – nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër me këtë epitaf.
Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:
– Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që, kur ishin gjallë, kishin dy fytyra, njërën për natën dhe tjetrën për ditën.
Këto tha plaku dhe iku duke më lënë në meditimet e mia. Thartoja trutë për të gjetur të ngjashmit e këtyre që citonte epitafi. Para syve më dilnin portretet e disa kryetarve të parlamentit apo partive të ndryshme, deputetve apo funksionarve të shtetit, historianëve apo analistëve të shquar, përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme apo edhe disa që e quajnë veten “të pavarur”, duke mbajtur fjalime prekëse lidhur me një përvjetor të harruar të një ngjarje të periudhës së “luftës së madhe”, sipas tyre. Ndërsa këta karafila ligjëronin, një turmë nga ata që quhen “veteranë”, brohorisnin për një djall të kuq me brirë, që vetë ky popull e përmbysi disa vite më parë, madje duke mbajtur në dorë portretet e tij. Unë nuk e di se çfarë veteranësh janë ata se, nga pamja e tyre, më i vjetri nuk i kalonte të 70 vjetët dhe nuk e kuptoj se ku e dinin historinë e asaj ngjarje, kur ende në atë kohë nuk kishin lindur. Bëjë një llogari me veten time. Lufta ka 70 vjet që ka përfunduar. Që të jesh një veteran i asaj lufte duhet të jesh të paktën 85 vjeç sot, domethënë të kesh marrë pjesë qysh në moshën 15 vjeçare në luftë. Por mua nuk më zuri syri asnjë të asaj moshe. Sa veteranë të kësaj moshe mund të jenë gjallë sot në Shqipëri?
– Ne nuk kemi parë gjë, nuk kemi dëgjuar asgjë, – i tha njeri nga ligjëruesit gazetarëve kur
e pyetën.
Të njejtën përgjigje kishte thënë edhe një miku i tij nja tre javë më parë duke përkujtuar atë që ata e quajnë “dita e dëshmorëve”. Të ngratëve! Mirë veshët që i paskan lënë, po sytë çfarë i gjeti.
Për cilët dëshmorë e kanë fjalën këta karafila? Mos vallë Shqipëria paska dëshmorë vetëm ata që kanë rënë me yll në ballë? Po ata me zhgabën dykrenore/ Po ata që u masakruan pas marrjes së pushtetit prej tyre? Mos vallë ata nuk janë dëshmorë? Çështë kjo ndarje e popullsisë së këtij vendi të vogël në “çlirimtarë” dhe “bashkëpuntorë”? Më kujtohet një këngë që këndohej në kohën e luftës:
Çohi, o vllazën, pa dallim feje,
Krahine dhe ideje,
Në një front të përbashkët,
Në luftë kundra fashizmit,
Çohi të gjithë,
Se ma koha nuk na pret!
Fjalët e kësaj kënge i dëgjoi një popull i tërë. Ai u ngrit i gjithë, dikush majtas dhe dikush djathtas. Sipas fjalëve të këngës ata luftonin në ndihmë të njeri-tjetrit. Kjo vazhdoi deri sa djalli i kuq e ndërroi tekstin e këngës me parullën “pushteti buron nga gryka e pushkës”. Kur vuri re se forcat e djathta kishin fituar epërsi ndaj atyre të majta, djalli i kuq vendosi t’i godiste ato. Një luftë e paparë civile shpërtheu në vend. Vëllai luftonte kundër vëllait. Vëllai vriste vëllanë, dhe, kur mori pushtetin, i shpalli kundërshtarët “kolaboracionistë të fashizmit”. Vini veshin! A keni dëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës të shpallen kolaboracionostë më shumë se gjysma e qytetarëve të një kombi. Këtë bëri bisha e kuqe.
Por, fatkeqësisht, kjo frymë vazhdon edhe sot, kur bisha është përmbysur, por në një formë tjetër. Sot kërkohet të lihet në heshtje kontributi i dhënë nga e djathta gjatë luftës për liri dhe të hymnizohet i ashtuquajturi heroizëm i paparë i së majtës. Figurat e shquara të së djathtës, që nga rilindja deri tek pavarësia, që nga pavarësia deri më sot, janë lënë qëllimisht në hije. Nuk flitet asnjë fjalë për to. Nuk shkruhet asnjë rresht nëpër gazeta, libra apo tekste shkollore. Emrat e tyre nuk figurojnë në asnjë shesh, rrugë, shkollë apo institucion tjetër. Epo Shqipërinë e bëmë bashkë dhe bashkë duhet t’i ndajmë meritat e saj. Oligarkia komuniste nuk u përmbys dhe demokracia nuk erdhi vetëm me kontributin e dhënë nga studentët e lëvizjes së dhjetorit 1990. Nuk erdhi me përpjekjet e vetëm atyre katër ditëve. Por është kontributi i dhënë nga e djathta shqiptare gjatë 46 viteve të një rezistence të papare në historinë e vendit dhe që u finalizua me lëvizjen studentore të dhjetorit, shto këtu edhe kontributin e madh të politikës amerikano-perëndimore që e detyruan sistemin socialist të kapitullonte pa kushte./
Po përse e majta shqiptare dhe, veçanërisht, brezi i ri i saj vazhdon, pothuajse, të njejtën politikë diskrimuese me të djathtën tradicionale? A thua të kenë ata ëndërrime për atë sistem që vetë një pjesë e tyre e shembën në vitin 1990? Unë nuk e besoj. Unë nuk besoj që bosët e së majtës që drejtojnë verndin, të duan të humbin milionat e fituara me mënyra nga më të ndryshmet pasi, po të rikthejnë sistemin e përmbysur duhet t’i thonë lamtumirë atyre, pasi ai sistem nuk shkatërroi vetëm të djathtën tradicionale, por u bëri varrin edhe shumë nga protagonistve të atij sistemi. Një fat të tillë ata nuk mund ta pranojnë. Nuk mund ta pranojnë atë sistem bosët që shpenzojnë vetëm për një ditëlindje disa dhjetra shishe verë me vlerë disa qindra dollarëshe. Vetëm pak kohë më parë një funksionar i lartë australian dha dorëheqjen pasi kishte pranuiar si dhuratë një shishe verë të kësaj kategortie. A ka fuqi një funksionar i vendit tonë të jap dorëheqje për një veprim të tillë/ Asnjë.
Atëherë përse? Vargjet e epitafit të përmendur në krye të këtij shkrimi na tregojnë arsyen. Është hipokrizia politike që ata përdorin për të mashtruar një popull të tërë. Ata janë zbatuesit më besnikë të sentencës së thënë nga Seneka i madh se: “Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret”. Për këtë përdorin demagogjinë. Kërkojnë të ndajnë periudhën totalitare nga ajo e luftës. Kërkojnë t’i paraqesin “heronjtë e luftës” të ndryshëm nga ata të periudhë totalitare. Madje edhe djallin e kuq kërkojnë ta paraqesin ndryshe gjatë kohës së luftës dhe ndryshe gjatë periudhës totalitare. Ata bëjnë sikur harrojnë se, djalli i kuq, ishte njësoj djallëzor dhe përbindësh si në kohën e luftës dhe pas saj. Se pikërisht, në kohën e luftës, ai kreu krimet nga më të rëndat, siç janë shfarrosjet e grupeve të tëra kundërshtarësh politikë apo qytetarësh të pafajshëm. Ai arrti deri në atë pikë deri sa të eliminonte edhe bashkëluftëtarët e tij më besnikë. Ky ishte djalli i kuq që sot kërkojnë ta ringjallin.
Por rrota e historisë nuk mund të kthehet më prapa. Ajo periudhë e errët e historisë së vendit tonë ka perënduar përgjithmonë. Së bashku me të edhe ithtarët e saj. Shqiptarët sot kërkojnë më shumë qetësi, më shumë mirëkuptim. Nuk duan më ndarje në patriotë dhe tradhëtarë. Shqiptari nuk e ka pasur traditë tradhërinë. Tradita e tij ka qenë besa dhe ajo duhet të sundojë në vend. Mjaft më me ndarjet abstrakte të qytetarëve. Kur do të lindë ai burrë shteti që do të sjellë paqen në marëdhëniet ndërmjet vëllezërve të një kombi? Kjo është dita e shumëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë.
Çifti Rama – Meta, “gjithë ditën bëjnë demokratin – natën bëjnë komunistin!”
Dhe, kë festuan dhe çfarë kujtuan dhe nderuan ! me grushtin lart dhe poertretin e Enver Hoxhës/
Nga Beqir SINA/
BENSONHURST – BROOKLYN NY : Në një kohë, kur kanë ndodhur ndryshime të mëdha në Europën Juglindore dhe në kampin socialist, pothuajse janë zhdukur fare partitë komuniste dhe simbolet e tyre, në Tiranë, “RILINDJA” e Edi Ramës dhe bijët e trashëgimtares – Partisë së Punës së Shqipërisë, pas zgjedhjeve 23 qershorit u “Rilindën” ose u “Ringjallën” edhe një herë, për të treguar të gjithë shqiptarëve, se në Shqipëri ; “Ajo “fara” e keqe e Enver Hoxhës, dhe komunizmit, tashmë ka mbirë mirë dhe nuk ikën kollaj mbasi i ka “rrënjët e thella”.
Nisur nga debati i hapur së fundi me 5 Majin e këtij viti ; nderimi me grusht nga fëmijët e një shkolle në Përmet, por, edhe disa raste të tjera, si ai i Pandeli Majkos, tek monumenti Nënë Shqipëri, me deputet e PS, ajo e Kryeministrit Edi Rama, në llozhat e presidiumit të Parlamentit, dhe Minsitritit të Drejtësisë Nasip Naço, nderimi para portretit të diktatorit Enver Hoxha, tek lapidari, parullat dhe slloganet komuniste dhe shfaqja e portreteve të Enver Hoxhës në datën 24 maj në Përmet, natyrishtë që janë në lidhje të njëpasnjëshme, të këtyre fenomeneve nga më negativet.
Të cilat, i ranë për hise të përcjell shqoqëria shqiptare. një Shqipëri, kjo që ka “mijëra probleme”, ekonomike, dhe çështjeve të tjera, drogës dhe sigurisë, por, ja që tani duhet të merret edhe me komunizmin. Tash që i ato morën edhe vulën më 24 Majit, me aktivitetin e kryekuvendarit të Shqipërisë, Ilir Metës, dhe Gramoz Ruçit, e Arta Dades, në përkujtim të Kongresit të Përmetit, në Shqipëri.
Ato gjeste nga të shëmtuarat e shoqërisë së sotme, nuk janë kurrgjë tjetër, përveçse, se tregojnë se në Shqipëri, janë ngjallur remenishencat e komunizmit, ndërkohë, që demokracisë, me këto shfaqje i është bërë një dënim, dhe ofendim i madh, po në Shqipëri. Edhe, me këto 23 vjet të demokracisë, që megjithse e brishtë, por ka bërë shumë, që Shqipëria – vendi ynë me diktaturën më të egër, të jetë sado pak i lirë, tek e fundit të jetë në NATO dhe të ëndrrojë Europën, Kosovën ta ketë shtet dhe të pavarur.
Mirëpo, për fat-keq, jemi duke parë se çifti Rama – Meta, janë duke na “firshkëlluar” me të madhe në vesh çdo shqiptari, dhe duke na thënë, gati për çdo ditë (megjithse, ata që i votuan( ato 1 milion shuplakat e Ramës, që ai i permend shpesh-her, ai në Parlament nuk duan t’a besojnë) se :” Kujdes, or shqiptarë se ne kemi ardhur ne pushtet – për t’ju trimëruar ju komunistë të parët, dhe ju treguar se ” ne jemi këtu përsëri sa herë që ju të doni – pavarësisht, se çfarë ne bëjmë me njeri tjetrin – por tek e fundit Partinë t’a kemi të fortë”.
Kjo, vjen nga ajo mbasi, dihet dhe e kemi mësuar mirë, se si po bëhet politika dhe se si po funksionin sistemi i demokracisë në Shqipëri. Pëfitimet e tyre elektorale në Shqipëri, i kemi parë në çfarëdolloj mënyrash:” etike apo joetike, moral-politika apo jo – të ndershme apo të pandershme, atdhetare apo jo, nacionaliste apo jo”, të cilat, gjithmonë, i kan dhënë rezultat. Dhe kjo ka qenë sukses vetëm i së majtës, në Shqipëri. Kur ajo sa herë që ka ardhur në pushtet, kujto 44-tën kujto, 91-shin, 97-tën apo edhe 23 qershorin, deri tek kualicioni i “armiqeve të sharë mbarë e mbrapsht” të çiftit Meta – Rama, por, edhe me tre partit komuniste në Shqipëri, miq edhe me socialistët serb të Tadiqit dhe grekët e Papandreut, për të fituar pushtetin nuk pyet fare.
Të majtët në Shqipëri, gjithë ditën flasin si demokratë – ndërsa, gjithë natën i shikon të flenë si komunistë. Dhe, megjithëse, tani nuk, është koha për të luajtur me kartën e komunizmit, dhe është e rrezikëshme kur Shqipëria, pret të kandidohet për në BE, por, kur kjo i duhet, Edi Ramës dhe Ilir Metës, t’i “mbajnë të ndezuara ndjenjat e tyre, se u duhen votat e tyre, dhe ata janë gati të bëjnë edhe demokratin edhe komunistin, edhe për të mbajtur pushtetin por edhe se vitin tjetër janë zgjedhjete lokale.
Pavarësishtë, asaj që shoqëria shqiptare, sot përgjethësisht, menjëherë reagojë, me të drejtë( perjashtim bëjnë këtu, nga ata që nuk reagojnë, ish -sigurimsat, sipunët, dhe ish komunistët dhe bijtë e tyre, gazetar dhe analist politik të majtë) për sjellje të tilla politike, kur ringjallën simbolet, të këtyre njerëzve që, sot fatkeqësisht, u ra të drejtojnë Shqipërinë.
Edhe pse, shfaqja e remenishencave komuniste, rrezikon të përsërisë historinë, si ndodhi me Shqipërinë, mbas 44-ës, që mbeti për 45 vjet jashtë Europës. Pra, edhe sot, që ndoshta nuk jemi në përmasat e komunizimit, të 45 vitetev që sundoi Enver Hoxha, kur ishim vendi më i izoluar në botë, por, ja që jemi në një vend si Shqipëria, ku sundon një klasë politike, jashtë mase e babëzitur, për të u pasuruar dhe sundur me çfarëdolloj mënyre. Duke filluar qysh nga lidhja etyre ideologjike, që ka të bëj me grushtin lart dhe portretin e diktatorit Enver Hoxha, me 29 Nëntorin, 5 Majin dhe 24 Majin, apo përgatitja që po bënë qeveria për 70 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, nga çifti Rama – Meta “, të cilat janë gjithësesi një rrezik i madh për demokracinë në Shqipëri” në sy të Perendimit.
Se nuk është asnjëra prej tyre rastësi, por kjo po bëhet “modë” në Shqipëri. Ashtu si ndodhi më 24 Maj ditën e 70-vjetorit të Kongresit famëkeq të Përmetit, ku dyshja Ilir Meta ( i biri i ish- oficerit komunist dhe një nga ithtarët e komunizmit, ndër poliitikanët e sotëm në Shqipëri) dhe e Gramoz Ruçit (ish-Ministri i fundit i Sigurimit famëkeq të diktaturës), jo pa qëllim e festuan së bashku me një grusht komunistësh fanatik- ditën më të zezë ne historinë tonë kombëtare, dhe tani këndojnë se “nuk ka asnjë lidhje me ata”.
Mirëpo, kë festuan dhe çfarë kujtuan dhe nderuan !
Ata festuan, kujtuan dhe nderuan ditën me të zezë, pikërisht, atë kur u hodhën bazat e diktaturës komuniste. Ku në mesin e shumë pikave, dhe prishjen qysh atëhere arbitrare të raporteve me SHBA dhe Anglinë, janë ato të anulumit të gjitha koncesioneve të atëhershme amerikane e britanike, me vendimet e Kongresit të Permetit. Ato që Enver Hoxha, i quajti historike, deri në prishjen më vonë të marrdhënieve diplomatike me SHBA në 24 maj 1944 Lëvizja Nacionalçlirimtare, ka mbajtur në qytetin e Permetit Kongresin, i cili, zgjodhi qeverinë e përkohshme të Shqipërisë, dhe, që gjatë sundimit komunistë, qyteti Përmetit, për këtë Kongres, i dha titulli i qytetit Hero.
Dhe, për ironi të fatit të shqiptarëve, sot, dekleratat e Edi Ramës, Ilir Metës, Erjon Velisë, Mero Bazes(lexo shkrimet e tij), Skënder Gjinushit, Gramoz Ruçit, Arta Dades, e shumë të tjerëve, janë pyetjet cinike që ata na drejtojnë, kur na pyesin çdo ditë “se pse keni kaq shumë frikë nga Enver Hoxha edhe për së vdekuri!”. Pra, alergjinë që krijonë dhe reagimin e shqiptarëve, këta ithëtar të komunizmit dhe Enver Hoxhës dhe regjimit të tij – e shohin si frikë, jo si ofendim të madh që iu bëhet sot edhe atyre mijërave të pushkatuarve, të burgosurve politik, internuarve dhe të presektuarve, në Shqipëri.
Megjithse, për këtë çfarë po ndodh me komunizmin në Shqipëri, po ta shohësh në një këndëshikim tjetër, me të drejtë, shumica e shqiptarëve janë kundra tyre. Janë kundra nderimeve ideologjike , janë kundra me nostalgjinë për të kaluarën , e cila për çdo shqiptarë, besojë se është një “gangrenë”, frike dhe trishtimi. Sidomos, tani kur pamë me zë dhe figurë, komunistët, socialistët e konvertuar, dhe bijët e tyre(Bllokut), të cilët janë madje edhe në krye të politikës, dhe udhëheqin Shqipërinë, drejt Europës, nderojnë dhe kan nostalgji për atë regjimim që ia bëri gjëmën për gjysmë shekulli Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Mbasi dihet, se pas rrëzimit të komunizmit, lirisë dhe demokracisë, përfëshirë Shqipërinë, mori udhë procesi i krijimit të një modeli të ri të sistemit qeverisës të këtyre vendve. Ku një vend të veçantë zënë edhe lidhja e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos ajo me SHBA, të cilat janë objekt vëzhgimi dhe studimi të gjithë vendeve ish komuniste, për vetë rëndësinë e madhe që ka si princip vetë liria dhe demokracia, për stabilitetin, zhvillimin, paqen e sigurinë botërore.
Në Shqipëria, tani për perendimin, marrin një rëndësi të veçantë edhe shfaqja – nderimi dhe kujtimi i simboleve komuniste, roli i personaliteteve kryesorë, kanë një rëndësi tepër të veçantë.
Shikoni, me kujdes se në çfarë stadi dhe të një rëndësie të veçantë në këtë sistem janë futur, mbas asaj që po ndodh në Ukrainë, në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Rusisë. Marrëdhënie, të cilat natyrisht që nuk janë si ato të “Luftës së Ftohtë”! por, aktualisht, ato po kalojnë një situatë problematike, që mundësojnë ndoshta dhe një cilësimë më të ri. Kjo është e lidhur me “pushtimin” nga Rusia, të Krimesë, të ambicies së kahershme të saj, të marrjes së një roli të ri në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, në rivalitetin e saj me SHBA-të, dhe e të ndarjes së botës.
Sot, është koha për Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo si në Shqipëri, Kosovë, viset shqiptare, që të shikohet me rëndësi të veçantë sesi të vështrohet dhe shkohet drejt Europës dhe Perendimit, dhe mbi këtë bazë të drejtohet edhe në Shqipëri e Kosovë. Udhëheqësit, tanë nuk duhet më të kenë qëndrime, me du standarte, por të orientohen vetëm nga Perendimi. Edhe për demokracinë e brishtë, sigurinë e tyre kombëtare, duke i shërbyer edhe stabilitetit në rajon e me gjërë, paqes, për të sotmen dhe për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve. Është, koha të udhëhiqemi nga njerëz, që drejtojnë këtë vend, me një përgjegjshmëri më e lartë, më gjakftohtë, të jenë më poliitikan perendimorë, dhe aspak të pa ideologjizuar dhe të ngjizur mbas komunizmit( grushtit lart dhe simboleve komuniste, dhe protretit te diktatorit Enver Hoxha).
CILI DUHET TË JETË IMAZHI I SHQIPËRISË?
Nga Frank Shkreli/
Javën që kaloi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nën-Kryeministri në largim i Kosovës dhe njëherazi kryetar i Partisë AKR-së, Behgjet Pacolli vizituan Kazakistanin për të biseduar, siç thanë ata, mbi përspektiva të reja investimesh në Shqipëri. Në njoftimet u tha se udhëheqsit shqiptarë u pritën mirë në Kazakistan, siç duket falë faktit se Behgjet Pacolli, i cili e shoqëroi Kryeministrin Rama në atë vizitë, ka lidhje dhe interesa biznesi me atë vend.
Është normale që Shqipëria dhe Kosova përpiqen që të tërheqin sa më shumë investime të huaja, por ky shkrim i shkurtër e modest nuk ka të bëjë me mundësitë ose jo të investimeve kazake ose të ndonjë vendi tjetër, në Shqipëri dhe në Kosovë. Por me diçka tjetër që më ran në sy nga kjo vizitë. Në faqet e facebook të Behgjet Pacolit dhe Edi Ramës, sipas njoftimeve edhe në media, Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev – gjatë bisedimeve me presidentin kazak i cili siç duket nuk ishte i kënaqur me imazhin e Shqipërisë në botë, e këshilloi Kryeministrin Rama që të përmirësojë imazhin e vendit duke përdorur figurën e Gjergj Kastritotit -Skënderbe për një imazh më të mirë për kombit shqiptar në botë. Sipas Behgjet Pacollit, i cili mori pjesë në takimet e delegacionit shqiptar me udhëheqsit kazakë, Presidenti Nazarbajev i tha Edi Ramës tekstualisht se, “Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”. Interesant është fakti se asnjë prej pjesëmarrëseve në atë takim me udhëheqsin kazak, nuk njofton në rrjetët e tyre sociale se cili ishte reagimi i delegacionit shqiptar, përfshirë edhe Kryeministrin Rama. A e falenderuan Nazarbajevin për këtë koment për njohjen e meritave të heroit komëta të Shqiptarëve? A u ndjenë përfaqsuesit shqiptarë krenarë me vlerësimin e Skënderbeut nga një udhëheqës i Azisë Qëndrore?
Fatkeqsisht, ky moment nga vizita në Kazakistan zotërinjve Rama dhe Pacolli pasqyron edhe njeherë faktin se Shqipëria ka një problem serioz me imazhin e saj, dhe kjo jo vetëm në botën perëndimore, por ja tani edhe një despot i Azisë Qendrore ka konstatuar se diçka nuk është në rregull me imazhin e Shqipërisë në botë. Dhe për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, Nazarbajev u sugjeroi shqiptarëve, që të përdorin “figurën e jashtzakonshme të Skënderbeut” për të promovuar një imazh pozitiv në botë për kombin shqiptar. Gati sikurë Nazarbajev u tha, eh ta kishim ne këtë figurë të jashtzakonshme…..sa krenarë do të ishim ne me të.
A ra në veshë të shurdhë ky vlerësim dhe ky sugjerim, ndërsa kohët e fundit po zhvillohet një debat i ashpër politik me fjalë dhe po pasqyrohet me vepra mbi imazhin e Shqipërisë në botë i shoqëruar edhe nga dukuri të portretit të diktatorit Enver Hoxha, përveç problemeve shoqërore, përfshirë korrupsionin dhe grindjet politike, të cilat definitivisht nuk ndihmojnë në promoovimin e një imazhi pozitiv për vendin. Atëherë nëqoftse ky imazh duhet të ndryshojë, siç sugjeroi kohët e fundit edhe presidenti kazak Nazarbajev, cila duhet të jetë rruga që duhet ndjekur, ajo e mburrje me portretin e Enver Hoxhës apo rruga e Gjergj Kastriotit – Skënderbe. A duhet ndjekur Flamuri i Gjergj Kastriotit, ai Flamur i Lirisë, i Nderit, i Burrërisë dhe i Besës, i Besëlidhjes së Lezhës dhe i Lidhjes së Prizrenit? Dhe a do zgjidhë klasa e sotëme politike, rrugën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, që Papa Pali i VI e pat quajtur, “Të Gjithmonshim e fisit tuaj, i cili gjithëherë mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, nderit e të burrërisë….Këto virtyte, Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim”, përfundoi Papa Pali i VI në mesazhin e tij drejtuar kombit shqiptar, me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit, në Romë me 25 Prill 1968. A është kjo trashëgimi, a po klasa e sotëme politike, për interesa të ngushta vetjake, partiake e financiare — siç është venë në dukje kohët e fundit — do të vazhdojë t’i mbetet besnike një trashëgime të një diktatori komunist dhe të një ideologjie të huaj që ai i imponoi vendit të vet, dhe e cila i ka kushtuar rëndë dhe vazhdon gjithnjë të rëndojë mbi imazhin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar?
Andaj, a do të ndërtohet Shqipëria e re pas komuniste në bazë të karakterit, moralit dhe të cilësive burrërore të Gjergj Kastriotit Skendërbe, apo duke u bazuar në rrugën dhe në trashëgiminë e Enver Hoxhës? Megjithëse është turp të bëhet krahasimi, por zhvillimet e fundit në Shqipëri, detyrojnë të bëhet pyetja se cilën rrugë dëshiron Shqipëria — madje edhe pothuaj një çerek shekulli pas rënjes së komunizmit — sepse duket se e ka humbur rrugën ose të pakën nuk e ka gjetur drejtimin e përcaktuar nga Gjergj Kastrioti, krenarisë së kombit, i cili bashkoi princat e Arbërit si asnjëherë më parë dhe më pas në një unitet moral kombëtar e shpirtëror, duke i bërë të gjithë krenarë dhe të ndjeheshin anëtarë të një sofre të përbashkët. Kjo është trashëgimia që duhet të mprohet dhe të jetohet nga të gjithë dhe jo trashëgimia e përçarjeve.
Unë jam dakort me Nazarbajevin e Kazakistanit — megjithëse si despot që është nuk kam aspak respekt për të pasi si një udhëheqës diktator ndonëse jo në nivelin enevrist – ai është më afër Enver Hoxhës dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Gjergj Kastriotin Skëndrebe — që Shqipëria dhe kombi shqiptar, nëqoftse me të vërtetë dëshirojnë të përmirësojnë imazhin e vet në botë, atëherë, siç tha ai,“Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”.
Në faqën e facebook të Kreministrit Rama vihet re promovimi i një ideje të re “origjinale”, “Ndiq rrugën tënde”, ku ndër të tjera ftohen qytetarët që të ndikojnë me idetë e tyre për një “qeverisje moderne dhe europiane në Shqipëri”, ashtuqë, sipas njoftimit, të jenë pikërisht ata, të cilët “do të përvijojnë Shqipërinë e së ardhmes”. Sugjerimi im është që si fillim, mos u largoni por rrini afër bazës morale dhe interesave madhore të kombit shqiptar të përcaktuara nga heroi i vërtetë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe dhe mos e bazoni të ardhmen e vendit në trashgiminë e heronjëve të rrëjshëm. Kjo do t’u bëjë ju një brez krenar, burim shpresash për liri e bashkim kombëtar — bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të heroit të vërtetë kombëtar të të gjithë shqiptarëve dhe i të gjitha kohërave –Gjergj Kastriotit — për të cilin ka lakmi bota.
Andaj kontributi im ndaj idesë së fushatës së hedhur në facebook-un e Kryeministrit Rama, “Ndiq Rrugën Tënde’’ dhe në përputhje me sugjerimin që vjen nga Azia Qendrore — është që nëqoftse me të vërtetë dëshironi përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në botë — atëherë merrni parasyshë seriozisht sugjerimin e presidentit kazak, Nazarbajev dhe “përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”, të këtij çlirimtari të kombit dhe mbrojtsit të Europës dhe jo portretet dhe imazhet e diktatorit Enver Hoxha. Kjo është e vetmja rrugë për të gjithë Shqiptarët kudo dhe në këtë rrugë, me qëllim dhe vullnet të mirë si dhe me dashuri dhe bashkim me njëri tjetrin, sipas vet Skënderbeut, ”Perëndia, si gjithnjë edhe paskëtaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.”
REVOLUCIONI ME VOTË – KOHA E KOSOVËS
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Zgjedhjet e sivjetme parlamentare të Republikës së Kosovës bien përafërsisht një vit pas atyre që u mbajtën në Republikën e Shqipërisë. Thuajse e pamundur, pra, të mos e vëresh konotacionin midis këtyre dy datave – 23 qershorit 2013 dhe 8 qershorit 2014, midis këtyre dy zhvillimeve të rëndësishme shqiptare e më gjerë.
Një nga karakterizimet më të qëndrueshme ndaj zgjedhjeve parlamentare të vjetme, nisur – në radhë të parë – nga rezultati, ishte se ato ishin një revolucion me votë. Më metaforik ishte karakterizimi – sinonimik gjithsesi, ngaqë u shpreh me votë – se ai ishte një revolucion i heshtur.
Revolucioni i heshtur, revolucioni me votë ishte zhvillimi më i mirëpritshëm, më i duhur, më i përshtatshëm për realitetin në Republikën e Shqipërisë. Ishte, ndërkaq, zgjidhja më e mençur, më e saktë dhe më komode e gjetur nga uni kolektiv i zgjedhësit. Ishte edhe akti më i përgjegjshëm, më qytetar, më shembullor e njëherësh më detyrues ndaj të zgjedhurve që do të dilnin nga vota popullore, si ndaj atyre që do të vinin në pushtet, si ndaj atyre që do të linin pushtetin.
I pandërlikuar, i qashtër në vetvete, i tejpashëm në shpalosjen e tij, revolucioni me votë i 23 qershorit 2013 është kollaj – tejet kollaj – i interpretueshëm dhe vështirë – tejet vështirë – i ngatërrueshëm në interpretimin e mesazhit të tij, pra të porosisë së tij – njëkohësisht për qeverisjen e re dhe për opozitën e re.
Ky revolucion u mundësua vetëm e thjesht falë pjesëmarrjes masive të votuesit, çka ishte e papritura e madhe brenda së papriturës tjetër – asaj të fitores së thellë të koalicionit PS-LSI dhe humbjes së thellë të PD-së. Në një çast të parë, madje edhe në një kohë të pacaktuar më vonë, është i saktë interpretimi që humbja e PD-së ishte e merituar, ishte më se e merituar.
Nisemi prej këtu, tek pjesëmarrja sa më masive – që do të ishte përmasa e domosdoshme e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 në Republikën e Kosovës. E pikërisht këtu do vënë gjithnjë e më tepër theksi nga të gjithë faktorët e interesuar për një shndërrim të madh, për një transformim të madh në politikën e Prishtinës dhe në jetën e Kosovës pas kësaj date. Pjesëmarrja e lartë, mundësisht sa më e lartë, aktivizimi sot sa më i madh do t’i kursente elektoratit të Kosovës dhe të gjithë vendit energji kolosale të cilat nesër do të shpenzohen për një hop të ri të gjithanshëm dhe nuk do të shpenzohen kundër një vazhdimi të padrejtë të qeverisjes së deritashme.
Populli i Kosovës vetëdijshëm nuk pajtohet se nuk ka si të pajtohet me qeverisjen të cilën e ka pasur këto vite. Nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita superiore, është i kompleksuar ndaj popullit të tij, nuk pajtohet me një lidership i cili, nga pozita inferiore, është i kompleksuar ndaj bashkësisë ndërkombëtare, nuk pajtohet me një lidership të kompleksuar, nga pozita inferiore, ndaj fqinjve, sidomos ndaj Serbisë. Kompleksi që e pengon lidershipin që po e qeveris Kosovën këto vite është lehtësisht i lexueshëm – ky lidership është i korruptuar në çdo qelizë, këtij lidershipi i lexohet korrupsioni, keqbërja, keqqeverisja në çdo sjellje, në çdo paraqitje, në çdo veprim.
Largimi i kësaj qeverisjeje nga pushteti në mënyrë vendimtare është plotësisht i mundshëm pikërisht nëpërmjet votës masive të elektoratit të Kosovës, nëpërmjet rizgjimit të asaj pjese të elektoratit që ka rënë në letargji këto vite. E përsëris, prandaj, faktorëve të interesuar për shndërrime të mëdha, për shndërrime rrënjësore në politikën dhe jetën e Kosovës, iu takon sot të bëjnë maksimalen e tyre për të nxitur, frymëzuar e trimëruar një pjesëmarrje sa më masive të Kosovës në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.
Një argument i përdorur nga abstenuesit dhe i sponsorizuar tërthor nga pushtetarët e sotëm është se hedhja e votës në kuti është e kotë, pasi atë e vjedhin, e blejnë, e transformojnë ata që e kanë bërë këtë gjë përgjatë këtyre viteve. Këtë teori fataliste e përdorën, pas 23 qershorit në Tiranë, humbësit e këtyre zgjedhjeve. Pjesëmarrja e lartë, sa më e lartë të jetë – aq më shumë i tut, i step, i ndal në veprën e tyre hajnat e qeverisjes së deritashme, hajnat e deritashëm të votës.
Me slloganin “Pushtetarë hajna, larg duart nga kutitë e votimit”, me vendosmërinë për fitore sa më të thellë kundër qeveritarëve aktualë, Kosova, vetëm me një pjesëmarrje sa më bindëse do të sjellë një humbje bindëse për humbësit dhe një fitore bindëse për fituesit. Ashtu, vetëm ashtu Kosova do të jetë fituesja e vërtetë e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Askush nuk do të guxonte ta cënonte vendimin e shprehur nga populli i Kosovës nëpërmjet votës së tij sa më masive.
- « Previous Page
- 1
- …
- 896
- 897
- 898
- 899
- 900
- …
- 984
- Next Page »