• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KY KOALICION QEVERISES DO TE ECIN SI TRAKTORI I PARE SHQIPTAR

November 2, 2013 by dgreca

NGA RAMIZ LUSHAJ/

E majta e riardhun në qeverisje, me pushtete e struktura të saj, iu ka turr opozitës së djathtë tue kangurue me tepri politike e qytetarie: Basha e Berisha–bashkëkryetarë të Partisë Demokratike. Në fakt diçka tjetër po duket ashiqare: mazhoranca e ka hallin e vet. Po i tutet duelit politik mbi 15 vjeçar Rama-Meta. “Kali i Trojës” po iu lodron në thelluta e thepnaja të ortakërisë ajzberige. Patjetër, njani prej të dyve, ndoshta dhe pas një shkrirje aliazhore të natyrshme PS-LSI, ka me ia mbrri shpejt për me u ulë në krye të “llozhës rozë” të pushtetit politik të trefishtë. I pari hap, ma i arritshëm: Rama të bahet ish-kryeministër. Hapi i dytë i të (pa)mundurës është yshtja e Ramës nga kreu i PS. I treti vjen vet: kryetar i aleancës të së majtës shqiptare. Duket se nuk ka tjetër rrugëzgjidhje politike, pasi kësisoj ky koalicion ka me ecë si traktori i parë shqiptar. Përndryshe, lypsen të tjera mejdane politike: zgjedhjet lokale të rradhës më 2015 apo ato të (para)kohshme parlamentare, që do të ndryshojnë raportet e forcave politike dhe priten përgjegjësi e angazhime të reja kombëtare politike.

Kryesocialisti e kryeministri Fatos Nano, disi i pa mëvetësuar plotërisht po i motivuar e i (vet)detyruar pothuaj tërësisht nga kushte e rrethana të (prapa)skenës politike të ditës e të perspektivës, si një mjeshtër i sprovuar i skemave kësodore, iu dha Ilir Metës e Edi Ramës poste ministrore në qeverinë “Nano 4” të 24 prillit 1998. Pavarësisht faktit se kjo qeveri e re vinte pas krizës së qeverisë të maparshmes të 25 korrikut 1997, u syshfaq publikisht sikur u riformatua vetëm për këto dy fytyra politike të reja të ekzekutivit shqiptar, Meta e Rama, pasi emrat e ekipit qeveritar 18 antarësh ishin pothuaj të njëjtit.

Rama dhe Meta ishin qeveritar me fat për karrierën e tyre politike, sepse për gjashtë muaj kontribuan dhe mbijetuan në këtë qeveri të përveçuar si tepër aktive, vorbullnajë enigmatike, autokrate ekstreme, mafioze e ashpër, me laryshi politike, tejet problematike. Njëherash, ishte qeveria që ka prit e përcjellë ma shumë personalitete në historinë e tranzicionit shqiptar, si: Nano, Rama, Meta, K. Islami–ish kryetar i Kuvendit, A. Imami–një ndër themeluesit e PD dhe nënkryetar i PD e kryetar i grupit të saj parlamentar (1990-1992), B. Fino–ish kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (1997), ministri A. Malaj–tashti antar partie jashtë partisë së tij, A. Angjeli–ish ministër i kahershëm i lekut që në qeverinë “Nano 2” (1991) dhe i rikthyem së vonit deputet i Ramës, etj. Në vite të ardhshme (jo)elektorale 6 ministra të kësaj qeverie të majtë u (ri)kthyen tek PD si në aleanca para e pas zgjedhore, antarë ose deputetë e ministra të saj.Kësokohe, Nano me të tijët, i la Metën e Ramën në “bangot e fundit” të qeverisë “Nano 4”, pasi i duheshin ma së forti për frymë e imazh (ndër)kombëtar. Prania e këtyre dy “pëllumbave”politik flatrahapur në këtë qeveri ishte një farë çertifikate e garancie që Fatos Nano të rrinte në krye të pushtetit të trefishtë: ekzekutiv, partiak e atë të koalicionit qeverisës.

Këta dy lider të së ardhmes, nistue në Qeverinë “Majko 1” dhe “Meta 1” dhe veçmas kur Meta rizgjidhjet për së dyti herë rradhazi kryeministër dhe kur Rama u zgjodh për herë të parë kryebashkiak i Tiranës, u kthyen në “skifterë të politikës”, pasi ndaj tyre dhanë ndikimet e veta edhe Lufta e Kosovës (1998-1999), ngjarjet e shtatorit 1998, rivaliteti gjithëfarësh i Nanos për rikthim në krye të ekzekutivit sidomos pasi gjyqësori i dha pafajësi për vitet e burgimit në Bënçë dhe PS e rizgjodhi kryetar të saj në Tiranë, rikthimi konservator e brutal i ish-ëve të PPSH, lufta e hapur e të rinjëve e të vjetërve në qeveri e struktura të larta të PS e të aleatëve të saj, etj.

Mirëpo, Rama e Meta, pos valëve të përplasjeve politike ndërveti, po edhe me të tjerët në PS e jashtë dhe larg saj, të dy mirëditën me ia mbrri të dalin të parët e vendit të shqipeve në elektoriadën e veçantë të qershorit 2013. Sigurisht, Rama dhe Meta, ishin të projektuar, promovuar e faktorizuar qyshse herët për një kohë të tillë të pritshme qeverisjeje të së majtës në Shqipërinë Londineze të shek. XXI.

Këta të dy, Rama e Meta, tashma në këtë mandat të ri qeverisës po bahen “dinosaurë” të rinj të politikës shqiptare.  Po i betonojnë klanet e tyre në politikë. Përplasja e re e tyre është në ardhje të  frikshme e eksplozive para e drejt nesh.

Edhe këta të dy liderë të rinj, Rama e Meta, jo pak personaliteteve politike shqiptare, ndër ta edhe kryesocialistit e kryeministrit Nano, ua dhanë “faturat” politike me veti. Tani, edhe pas 15-viteve, prapë kanë “llogari” politike ndërveti, aqsa gjithandej e shpeshtas edhe jashtë të majtës shtrohet (krye)pyetja e heshtur apo e hapur: Rama apo Meta? Meta apo Rama? Ndaj industria politike e të majtës aleancore produkton për eksport politik drejt të djathtës shqiptare e në instuticione euro-atlantike hamendësime të qëllimta: Basha apo Berisha në krye të PD, edhe pas 26 qershorit 2013 të dorëheqjes së Berishës si kryetar i saj.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: koalicioni imajte, qeverises, Ramiz Lushaj, traktori i pare

KADELIZMI NË PD, PARLAMENT DHE SHOQËRI

November 1, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ne Foto: Gjovalin Kadeli me ish Kryeministrin dhe Kryetarin e PD, dr. Sali Berisha/

Merkatoja në Parlamentin e Shqipërisë e bëri deputetin e PD Gjovalin Kadeli të shitej rishtas. Është e treta shitje rradhazi. Brenda disa muajsh, ai kaloi nga deputet i PS, tek PD dhe tani tek LSI. Për këto lëvizje kaq energjike sa majtas djathtas e prapë majtas, Kadeli përbën prototipin e trafikut të deputetëve – ose ndryshe fenomenin e kadelizmit, i cili ka depërtuar në çdo qelizë të jetës shqiptare, duke filluar nga PD, Parlamenti dhe shoqëria, që është shit-blerja pa asnjë moral, vetëm me qëllim përfitimi personal.
E nisim nga PD – e cila u dënua nga verdikti i sovranit më 23 qershor sepse e aplikoi pa asnjë limit fenomenin e kadelizmit. Kopje si Kadeli, PD ka të paktën disa deputetë, që përfaqësojnë kahe të ndryshme politike, por e kanë fituar karriken e deputetit me votuesin e PD. Kastriot Islami është një tjetër syresh. Nard Ndoka po ashtu. Koncentruar tek numri dhe aspak tek vlerat, nga PD e 22 marsit 1992 nuk ka mbetur më asnjë shenjë. Tani ka filluar të përjetojë të tatëpjetën, konsekuencat dhe pasojat e makiavelizmit vulgar, se për hir të pushtetit nuk ka asnjë ligj dhe parim që e ndalon. PD jo vetëm që nuk blen më dot deputetë, por as nuk është në gjendje që t’i mbajë as ata që ka blerë dhe as të vetët, sepse merkatoja ka rënë fare, deri aty sa PD nuk e preferon më as skota Kadeli. Degradim, deklin, disfatë quaje si të duash. Pa ideale dhe me fuqi blerëse zero, sepse PD tani s’ka më kolltukë, s’ka më tendera, s’ka më as kredibilitet, s’ka më miq, s’ka më asgjë. Edhe nga këta 40 deputetë që ka de jure, shumica janë pa asnjë lloj kontributi, veç të katapultuar nga ish-lideri historik, të cilit klanet brenda PD-së ia llogarisin edhe blerjen e Kadelit. Edhe Kadeli vetë ashtu thotë për gazetat. „Kisha kontratë me Berishën“! Gallatë e madhe! 
Kadeli nga një ish-deputet mediokër, tashmë është kthyer në një figurë interesante për kryetitujt dhe faqet e para të gazetave e lajmeve të televizioneve të Tiranës. Në fakt, ky është modeli bruto i deputetit të parlamentit të Shqipërisë. Që gdhihet majtas e ngryset djathtas, e pastaj mesnata e gjen në një tjetër parti. Kadeli po përrallis se largimi i tij nga PD tek LSI është kthim në origjinë. Tani problem është origjina e PD-së. Një gjë është e sigurt, se PD e sotme nuk ka lidhje me PD e para 23 viteve, kur populli i besonte dhe kur rreth saj afroheshin figura dhe njerëz me vlera, si Pjetër Arbnori me shokë. PD e sodit e ka kredibilitetin e Kadelit. 
Ndërkohë largimi i Kadelit, i ka kthyer në shurdh-memecë, ata që u tradhtuan më së fundmi prej tij. Heshti edhe ai që e bëri për vete Kadelin përpara disa muajsh. Vetëm kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se „Kadeli iku për interesa vetjake, por nuk e dëmton PDnë“! Nuk ka deklaratë më qesharake se kjo. Ndërsa të tjerët në PD menduan se mbrojtja më e mirë për t’ia bërë vetes së tyre nga Afera Kadeli është rritja e agresivitetit të deklaratave kundër maxhorancës. Berishës i takonte të parit që të bënte një koment. Sepse ai i ka shumë qejf komentet. Kujtoni se me çfarë triumfalizmi folklorik ish-kryeministri do të shpallte deri në Facebook fitoren e votës së blerë të Kadelit. Ja çfarë prodhoi largpamësia e liderit historik. Shiheni vetë se si Kadeli fluturoi nga ish-blerësi tek blerësi i ri dhe kadelizmi është kthyer në sindromën malinje të politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Në muajin prill 2013 Sali Berisha ishte në ekstazë nga blerja e Kadelit, ndërsa tani në fundtetori 2013 hesht. Në fillim prilli Berisha ishte në apoteozë të retorikës, ndërsa tani rastin Kadeli e kalon në retiçensë të plotë. Po ku i shkoi ironia Berishës? Ku i vajtën kalamburet? Sepse largimi i Kadelit meriton një koment prej oratorisë së tij gjëmuese. Koment pritej edhe prej Jozefina Topallit, e cila na pozon rezëllitëse në Facebook nga një zyrë luksoze që posa ia ka dhuruar Ilir Meta. Me meritokraci padyshim! Se e çoi Shkodrën në humbje! Por opinioni publik dëshiron që t‘ia dëgjojë zërin se si zonja Topalli do ta komentojë trafikimin më të freskët të Kadelit, i cili sot është deputet i LSI, me votat e PD-së. E pra, flisni, ku shkoi elokuenca e lidërshipit të PD-së, ku mbetën shpotitë, talljet, rromuzet. Kllouniadat ku mbetën. Apo prapë në sulm për t’u mbrojtur, duke e përçunduar moton e njohur të gjeneralit dhe strategut ushtarak prusian Carl von Clausewitz sipas të cilit “Sulmi është Mbrojtja më e mirë” – “Der Angriff ist die beste Verteidigung.” Carl von Clausawitz ishte shefi i shtabit në luftrat Franko-Prusiane kundër Napoleonit deri në betejën përfundimtare të Waterlosë. Teoria e tij e luftës mbështetej në një moral të pastër, por ajo u shfrytëzua si nga marksistë leninistët deri tek akademitë ushtarake sovjetike. Në kuptimin e von Clausewitz, mbrojtja më e mirë bëhet përmes sulmit, por jo si metodologji ortodokse për t’i dezertuar së vërtetës. Ashtu si vepron sot opozita. Së cilës nuk i skuqet më faqja për asgjë.

Këto ditë Presidenti Obama paraqiti shefin e ri të FBI-së. Në mbi 100 vite histori, Jim Comey është shefi i shtatë i Byrosë Federale Investigative. Në takimin prezantues Obama tha se: “Besnikëria, Trimëria dhe Integriteti që është Motoja e këtij institucioni kaq të rëndësishëm për sigurinë e vendit, ndërkohë që Jim Comey, lideri i ri i saj i jeton në çdo moment të ditës principet e përmendura në moton më lart”.
E pra, në fjalorin e politikës shqiptare nuk ekzistojnë më fjalët, “kompetencë”, “aftësi”, “meritokraci”,”talent”, “besnikëri”, “ndershmëri”, “integritet”. Këto fjalë politika i ka hequr edhe nga falori i gjuhës shqipe, duke ushtruar ndikimin fuqishëm që këto fjalë t’i harrojë se ekzistojnë edhe vetë shqoëria shqiptare e cila po ashtu është infektuar nga kadelizmi. Por kësisoj nuk mund të vazhdohet më. Kadelizmi duhet të izolohet në karantinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, kadelizimi i Parlamentit, PD

E MAJTA SHQIPTARE KONSOLIDON LULIN

November 1, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Jemi dëshmitarë të gjithë se qysh e majta shqiptare ka vënë në veprim ekstremin e saj më agresiv për të ndërmarrë një fushatë demonizuese ndaj Lulit, siç po e quaj edhe unë kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, liderin e ri të opozitës së re të Tiranës.

Janë të shumta rastet kur faktorët e jashtëm, qoftë si faktorë objektivë apo subjektivë, respektivisht, pra, joqëllimorë apo qëllimorë kanë ndikim më të madh se faktorët e brendshëm ndaj një dukurie apo ndaj një realiteti të caktuar. Aq më tepër, duke qenë tek rasti konkret, dihet se Partia Socialiste e Shqipërisë është njëherësh faktor i jashtëm dhe faktor i brendshëm për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe anasjelltas. Kjo shpjegohet me rrjedha historike të realitetit të shqiptar, të kristalizuara që nga 8 nëntori 1941.

Faktorët mirëfilli të brendshëm në partinë tashmë opozitare nuk janë dhe nuk kanë për të qenë të aftë që të ndikojnë në konsolidimin ose moskonsolidimin e Lulzim Bashës në krye të saj. Në këto kushte, rolin vendimtar e merr partia pozitare, e cila, për këtë, përdor ekstremin e majtë shqiptar. Në stilin katovicar, folklori denigrues kundër Lulzim Bashës nga kjo guzhinë e propagandës, vetëm sa ndikon për ta bërë sa më interesant në sytë e atyre faktorëve jo të majtë shqiptarë, të cilët ende e shikojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë si mishërim të idealeve të djathta shqiptare, pra si alternativë ndaj socialistëve.

Së majtës shqiptare, mbisunduese absolute në jetën e kombit tonë prej më se shtatë dekadash, i intereson që Partia Demokratike e Shqipërisë të vazhdojë të mishërojë iluzionin e një të djathte. Duke qenë njohëse e psikologjisë së të sunduarve të saj, e majta, pasi e ka krijuar iluzionin, vazhdon ta zhvillojë atë në skenën shqiptare, duke bërë mrekullira të rreme, ashtu si iluzionistët bëjnë në skenat e shfaqjeve të tyre.

Mungesa e një kryetari të konsoliduar të partisë kryesore opozitare, mungesa e një lideri të konsoliduar të opozitës, do të vinte në pikëpyetje nëse ekziston apo jo Partia Demokratike, nëse ekziston apo jo opozita në Tiranë, çka do të bënte urgjente gjithnjë e më shumë lindjen dhe rritjen e një partie të vërtetë opozitare, të një lëvizjeje vërtetë opozitare, rrjedhimisht të një djathte të vërtetë e të mirëfilltë në politikën shqiptare.

E majta jonë është në dijeni të plotë se në realitetin shqiptar ekziston faktori i djathtë. Mirëpo ajo është e interesuar që ky faktor të mos jetë i organizuar në një parti të tijën, por të jetë i përfaqësuar edhe më tej nga një parti tjetër, e përbërë edhe ajo nga klane të majta, si gjatë këtyre viteve të derisotme të të ashtuquajturit tranzicion shqiptar.

Prandaj propaganda e majtë e paraqet tashmë Lulzim Bashën jo vetëm si kopje të Sali Berishës, por edhe si një rimishërim të tij për së gjalli, sikur kemi të bëjmë me të njëjtin embrion, por me dy trajta të tij, të zhvilluara ato në dy epruveta të ndryshme, njëra sosh me faza më të përshpejtuara, ndërsa tjetra sosh me faza më të përngadalësuara, derisa të japin gjendjen e sotme, frytin e sotëm, sado të dyzuar në dukje, gjoja të njëjtë në thelb.

Synimi tjetër po aq kryesor i fushatës që e majta shqiptare ka ndërmarrë me anë të krahut të saj më ekstrem është që t’i shmangë sa më shumë ngjashmëritë në figurën, stilin dhe veprimet e paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e qeverisë. Me çdo kusht, ngjasimet, pra të jenë sa më të mëdha, sa më ekskluzive dhe sa më të imponuara mes paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Dhe sa më pak ose mundësisht fare të mos vihen re këto ngjashmëri midis Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Shkalla e suksesit të fushatës aktuale demonizuese të së majtës shqiptare ndaj Lulzim Bashës do të varet jo aq shumë nga zelli i fushatbërësve dhe nga sofistikimi i makinerisë së saj. Ajo do të varet kryesisht nga mënyra se qysh Lulzim Basha do të bëhet vetë pjesë e lojës. Pra, sa dhe si ai, si pasardhës, do të ketë mësuar në këtë drejtim nga paraardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, sa dhe si ai, do të dëshmojë talentin për të hyrë dhe për të qenë në këtë lojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: e majta shqiptare, Lul Basha, Skender Bucpapaj

Me fytyrë nga Lindja

October 30, 2013 by dgreca

Nga Dionis Xhafa/
Shoqëritë e Lindjes po vënë bazat e atyre shoqërive, ku marrëdhëniet konfliktuale rregullohen përmes tre konceptesh kryesore. Kështu, Bulaç tregon tre konfliktet që ka sot njeriu i parimeve të Lindjes. Njeriu ka tre konflikte bazë, të cilat janë: (1) Konflikti i njeriut me natyrën. (2) Konflikti me vetveten. (3) Konflikte morale, politike ose juridike. Laicizmi i shteteve lidnore shprehet për zgjidhje konkrete dhe për zgjidhje të plotë të proceseve historike që kalon një shoqëri. Shoqëria shqiptare, si një shoqëri e ndikuar ndjeshëm nga historia e Lindjes në disa etapa historike evolutive të saj është e aftë dhe madje disa nga këta parime ka arritur ti instalojë si norma morale dhe si rregullatore të shoqërisë. Gjithashtu lartpërmendëm si element me rëndësi të jashtëzakonshëm laicizmin e shtetit dhe në një shoqëri si ajo shqiptare, me një popullësi dërrmuese të besimit islam, por shtet laik, një përzierje “e frikshme” për ti dhënë një hov cilësor lëvizjeve të gjëra civile. Si një demosdoshmëri e gjallimit të demokracisë në zhvillim. Mendimtarë të Lindjes mendojnë se sqarimet e Perëndimit mbi demokracinë kanë humbur fuqinë e përmirësimit. Francis Fukyama, mjeshtër i shkencave të politikës dhe një autor mjaft i njohur, në kryeveprën e tij, “Fundi i Historisë..” thotë se Perëndimi po shkon drejt fundit të qytetërimit të vet dhe fundi i qytetërimit vlen vetëm për Perëndimin dhe jo pjesën tjetër të botës. Në demokracitë e vendeve Lindore, ku hyn edhe demokracia shqiptare, vërtetë nuk kemi demokraci të përsosor, por ama nuk është një demokraci e ngrirë siç ndodh në Perëndim, ku ka arritur perfesioni dhe gjithçka është stopuar. Hipoteza e autorit është se në kohëzgjatje, ky lloj modernizimi që ka Perëndimi do të vijë një kohë që do të thyhet, ashtu sikundër u thye njëherë e një kohë Perandoria Osmane, fuqia më e madhe për shekuj me rradhë dhe fundi i saj erdhi pikërisht kur ajo arriti në perfeksion dhe në kulmin e fuqisë. Shoqëria shqiptare, ndryshe nga panoramat e “fotove të ngrira” të vendeve perëndimore, ku sistemet janë të palëvizshme, sistemi demokratik është në lëvizje, është dinamik, ka progres, jetë, gjallëri. Si përfundim, mund të thuhet se hipoteza e famshme lindore është se ndërsa Perëndimi është në fillimit e fundit të përsosmërisë, Lindja është në fundin e fillimit të saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dionis Xhafa, me fytyre nga Lindja

DREJTORI I RI I FBI-së URDHËRON AGJENTËT TË VIZITOJNË MONUMENTIN E MARTIN LUTHER KINGU-ut

October 30, 2013 by dgreca

Ne Foto: Monumenti i Martin Luther King-ut në Uashington/

Nga Frank Shkreli/

Këtë javë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama instaloi drejtorin e ri dhe të 7-të të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Zotin Xhejms Komi (James Comey), duke e paraqitur atë në kryeqendrën e FBI-së si një njeri dhe profesionist që e dallon mirë të drejtën nga e padrejta dhe si i tillë gjithmonë vepron në mbështetje të së drejtës.  Drejtori  i ri i FBI-së më parë ka shëbyer si Zevëndës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara në adminstratën e ish-Presidentit Xhorxh Bush.   Presidenti Obama iu drejtua agjentëve dhe nëpunësve të FBI-së  duke thënë se “Ju, çdo ditë punoni pa u lodhur duke përballuar kërcënimet më të rrezikshme me të cilat përballet kombi ynë.”  Ju, tha Presidenti Obama, e kryeni këtë detyrë me guxim dhe me integritet, duke mbrojtur amerikanët mbrenda dhe jashtë vendit, duke ruajtur vlerat më të mira njerëzore dhe duke respektuar ligjin.  Presidenti Obama duke u kujtuar atyre se motoja e FBI-së është, “Besnikëria, Guximi dhe Integriteti”, paraqiti drejtorin e ri të këtij institucioni, Zotin Xhejms Komi, i cili sipas Z. Obama “çdo ditë jeton dhe vepron bazuar në këto parime”.  Presidenti Obama shtoi se, drejtori i ri i FBI-së ia ka dedikuar jetën e tij mbrojtjes së ligjeve, duke siguruar në këtë mënyrë që “të gjithë amerikanët të mund të besojnë në sistemin tonë ligjor dhe të drejtësisë, në mbështetje të të drejtave dhe mirëqenjes së tyre”.

Edhe Drejtori i ri i FBI-së, Xhejms Komi iu drejtua të pranishmëve duke theksuar zbatimin e fjalëve të motos së entit që ai do të kryesojë për dhjetë vitet e ardhëshme, dmth.,  “Besnikërinë, Guximin dhe Integritetin”.   Gjatë fjalimit të tij, drejtori i ri i FBI-së tha se do t’u kërkojë agjentëve të ri të FBI-së që të vizitojnë monumentin e posa ndërtuar të ish-udhëheqsit të të drejtave civile, Martin Luther King në Uashington, me qëllim për tu sjellur në mendë dhe për tu kujtuar atyre kufizimet e detyrës si edhe përgjegjësitë që kanë ndaj mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim.  Këjo për arsye se marrëdhënjet e FBI-së me ish-udhëheqsin e të drejtave civile në Amerikë gjatë 1960-ve dhe 1970-ave, mbetet  gjithnjë një pikë e zezë në historinë e këtij enti qeveritar.  Ish-drejtori i atëhershëm i FBI-së, J. Edgard Huver, kishte urdhëruar jo vetëm përgjimin e aktiviteteve të Martin Luther Kingut, por kishte dhënë urdhër për minimin e veprimtarive dhe lëvizjes së tij në mbështetje të të drejtave civile të barabarta për të gjithë, përfshirë zezakët.  Para-ardhësi i drejtorit Komi, gjatë 1990-ave, drejtori Luis Fri kishte urdhëruar agjentët e ri të FBI-së, që si pjesë e trajnimit të tyre të vizitonin Muzeumin e Holokaustit në Uashington, sipas tij, për të parë se ç’ndodhë kur abuzohet pushteti i qeverisë dhe shtetit.   Drejtori i ri i FBI-së njoftoi se po e mbështetë këtë traditë duke detyruar agjentët e ri dhe analistët që edhe këta si pjesë e trajnimit të tyre,  të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, në një kohë kur po shprehen shqetësime serioze nga Kongresi, media dhe nga populli amerikan,  mbi përgjimet nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar, e të cilat u zbuluan kohë më parë nga Eduard Snouden, një ish-kontraktor i këtij enti qeveritar.  Zoti Komi tha gjatë fjalimit të tij se do të urdhëroj agjentët e rij të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, ashtuqë që ata të reflektojnë mbi “abuzimet dhe masat e tepëruara” nga FBI-ja në të kaluarën, duke cituar paradhësin e tij Luis Fri, që kishte urdhëruar agjentët e rij të vizitonin Muzeumin e Holokaustit, “me qëllim që ata të shohin, të dëgjojnë dhe të ndjejnë në një mënyrë të prekshme pasojat që rrjedhin nga  abuzimi i pushtetit në një shkallë masive dhe pothuaj të pa-imagjinueshme.”

Drejtori i ri i FBI-së tha se vitet e para të agjensisë që ai do kryesojë tani, ishin një periudhë “progresi dhe arritjesh të mëdha”, por më vonë reputacioni dhe historia e FBI-së u mjegullua nga “abuzimet dhe masat e tepruara të agjentëve të saj, sidomos përsa i përket Martin Luther Kingut dhe të tjerëve që në atë kohë konsideroheshin si kërcënues ndaj sigurimit të mbrendëshëm të këtij vendi.”

Qëllimi i këtij urdhëri, që agjentët e FBI-së dhe analistët e rijë të këtij enti qeveritar të vizitojnë monumentin ish-udhëheqsit amerikan të të drejtave civile,  Martin Luther King dhe Muzeumin e  Hollokaustit në fillim të trajnimit, është sipas fjalëve të ish drejtorit të FBI-së Lui Fri, që tu “kujtojmë atyre tmerret dhe të keqën që rezulton kur, jo vetëm, qeveria por edhe  agjensi që me ligj duhet të jenë mbrojtëse të zbatimit të ligjit si FBI-ja, heqin dorë nga misioni i tyre kryesor, që është  mbrojtja e të drejtave të barabarta të qytetarëve – dhe përkundrazi bëhen mjete të shtypjes”.

Shtetet e Bashkuara si shtet dhe si shoqëri nuk kanë dhe as nuk pretendojnë  të kenë një histori pa probleme në fushën e të drejtave civile dhe të barabarta për të gjithë. Në të vërtetë,  janë vet udhëheqsit e këtij vendi  që kanë pranuar dhe pranojnë se Amerika nuk është një vend i perfeksionuar.   Ka të meta dhe probleme sa të duash, historikisht dhe tani.   Por ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të kësaj bote — siç ka thënë edhe Presidenti i tanishëm amerikan, Barak Obama në një fjalim në Moskë më 2009 — “Është angazhimi dhe mbështeja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë.   Liria e fjalës dhe e drejta për të demonstruar, ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat të protestojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta, në një kohë kur ato iu mohoheshin atyre.  Zbatimi i ligjit dhe administrimi i drejtësisë ka rrëxuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i ka dhënë fund abuzimit të pushtetit.  Media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë qeverinë.”  Zgjedhjet e lira, tha Presidenti Obama, “na mundësojnë që të ndryshojmë drejtimin dhe të mbajmë përgjegjës udhëheqsit tonë për punën e tyre.  Nëqoftse demokracia jonë nuk do të mbronte dhe të avanconte këto të drejta, atëherë unë si afrikano-amerikan nuk do të kisha mundësi që në këtë moment të historisë tu drejtohem ju si shtetas amerikan dhe aq më pak si President i Shteteve të Bashkuara.  Sepse në kohën e themelimit të Amerikës, personat si unë (me ngjyrë) nuk kishin të drejta … por falë këtij procesi, unë jam sot para jush si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Gjëja, pra që dallon Amerikën nga vendet e tjera, nuk është së Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë historisë së tyre, nuk kanë bërë gabime mbrenda dhe jashtë vendit. Por ajo që e dallon Amerikën nga shumë vende të tjera është fakti se ajo i pranon gabimet historike kundër të vetëve dhe kundër të tjerëve. Mëson nga këto mangësi e gabime dhe vazhdon të mbështesë parimet dhe vlerat universale të të drejtave të barabarta për të gjithë.   Urdhëri i drejtorit të ri të FBI-së që agjentët dhe analistët e rijë gjatë trajnimit të tyre, që të vizitojnë muzeume si ai i Holokaustit dhe monumentin e Martin Luther Kingut –është pikërisht në përputhje dhe pjesë e këtij reflektimi që Amerika bën gjithmonë në mbështetje të vlerave universale për të drejta të barabarta për të gjithë, mbrenda dhe jashtë vendit.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: drejtori i ri, FBI, Frank shkreli, Martin Luter King, Monumenti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 937
  • 938
  • 939
  • 940
  • 941
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT