• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Serbët qenkan populli më i vjetër i botës

October 10, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

”Populli e ka njet me folë, me e çu zërin lart e më lart, shtatë palë qiell, shtatë palë tokë, me i bërë me dije Evropën dhe botën, e pse jo edhe fëmijët tuaj: Unë, Populli, ju thërras në emër të Zotit, të besës, të bukës, të gjakut e të pushkës: Boll më, mos më fyeni, mos më ndani, mos ma përçani atdheun, jetën, besën, dashurinë…! (R.Greiçevci)”

Kësaj rradhe  do të iu lë që ju vetë të gjykoni për ”guximin” serb ne shkrimin e historis­ë,e në të njetën kohë të mëndoni thellë për heshtjen tonë.

”Serbët e Danubit të poshtëm quhen proto-serb apo Serbët e parë të cilët banonin dhe jetonin në këto anë që nga koha e Moisiut.Kurse serbët e ardhur rreth shekullit shtatë pas Krishtit paskan pas ardhur si ndihmë vëllezërve të tyre për të luftuar Romën. (Siprijan) ” Dhe vazhdohet më tutje se :Çekët, Kroatët dhe Rusët që përmenden për herë të parë pas shekullit të 6-të të epokës sonë kishin ardhur disa mijëra vjet pas serbëve.Sa i përk Rusëve burimet serbe flasin që ata ishin vetëm pas shek. të 9-të pas K.”

Mos i mësoni fëmijët tanë me u nda, me u përça, me u hasmëru, me u ligështu, me u bë ujk vëllai me vëlla, baba me djalë e djali me nënë…Mos m’i mohoni dhe shkelni vlerat e traditës së lashtë të species ilire-dardane (r.g)

Glozel quhej shkarravitja e parë njerzore e gjetur nëpër shpella dhe sipas burimeve serbe -Jyrgen Shpanut paska thënë ” Serbët e kishin menduar këtë lloj shkrimi dhe e kishin vendosur gurin e themelit të civilizimit botëror” Jyrgen Shpanut paska thënë se ata ishin Filistinët ,por duke e krahasuar me shkrimin e sotëm cirilik atëhërë na del që edhe Filistinët ishin serb.(?) Ilija Živаnčević ka shkruar se Sllavët(Serbët )ishin të shpërndarë

që nga Vladivostoku e deri në Ballkan dhe ishin boshti kurrizor i njerëzimit.

” Dorëshkrimet haldike, asire dhe misire ishin përmendorët e civilizimit njerëzor dhe janë të vjetra mbi 7 mijë vjet. Dhe sipas serbëve janë të vjetra aq sa edhe historia serbe.Paramendoni në ato dorëshkrime është gjetur i shkruar emri Serb (Srbin) dhe jo ai sllav. Bile edhe në një ”Libër mbretëror kinez ” i cili është shkruar vazhdimisht deri dy mijë vjet para Krishtit, mund të gjeni shënime që atëherë në Sarmatinë e Azisë kanë jetuar serbet, të cilët e banonin tokën prej Siberisë e deri tek Venediku i Italisë ” ( po pra burime serbe)

”Unë, Populli, mos më shkelni në sofër të bukës, mos ma mohoni sofrën me liri, me besë, me miqësi, me tradita e zakone të lashta shqiptare…Unë, Populli, djepi dhe rrita juaj, s’i kam fjalët thika dhe helm për miq e shokë…(Riza Greiçevci)”

Polakët në hulumtimet më të reja paskan gjetur praninë Serbe në brigjet e Detit Baltik  ,2 mijë vjet para Krishtit, kurse studjuesja Olgа Luković-Pejаnović thot në një studim të saj që Bosna dhe Sllavonia ishin serbe dhe quheshin ”Sërbia e bardhë” (“Belа Srbijа”,) dhe shtrihej deri tek kufinjt e sotëm të Gjermanisë. Robert Siprijan  paska ardhur në përfundim që Serbët janë trungu i racës sllave dhe se Sarmatët ishin serb.

”Unë  Populli, mos më shkelni në sofër të bukës, mos ma mohoni sofrën me liri, me besë, me miqësi, me tradita e zakone të lashta shqiptare…”

Sipas Ilija Zhivanqeviçit edhe ”Kodi i Dushanit” ishte vazhdimësi e prejardhjes tradicionale Vende , kurse Walter Wuest paska shkruar që edhe sanskrishtja është Vende, e cila në Indi paska pas ardhur nga veriperendimi i saj dhe sipas të gjitha krahasimeve sanskrishtja ishte gjuhë serbe. ”Emil Burnouff deklaron që gjuha latine dhe greke kanë prejardhje nga pallazgishtja, kurse populli pellazg paska jetuar në Mesdhe e deri në Alpe ” dhe sipas sllavollogëve  pellazgët ishin Serbët e lashtë. E bukur kjo!

”Një degë e serbëve nga Azia e Vogël kishte ardhur në Ballkan 3 mijë vjet prK. dhe ishte vendosur në Rashkën e vjetër (Thraki) , kurse një degë tjetër kishin zbritur nëpër det deri në Kretë në tri ardhje 1800, 1500 dhe 1400 vjet prK. I kishin mundur Kretasit dhe të përzier me ta e  paskan krijuar popullin e ri Grek. Shënimet po flitkan , gjithënjë sipas serbëve që emri i qyetit dhe perendeshës Athina nuk janë greke.Vetë grekët besojnë se e kanë prejardhjen nga populli Pellazg të cilët e flitshin një gjuhë barabare dhe zbulimet paskan treguar që ata pellazg ishin serbët”….

Olgа Luković-Pjаnović  thot’ që serbët e  Peloponezit  ishen vendosur rreth limit Sava dhe Danub dhe kishin kriujar Serbinë Panonike (   aty ku jetonin Keltët fxh) Shikoni edhe këtë mrekulli të artit të zhvatjës së historisë: ” Shënimet e Mihail Lomonosovit Dhe Mavro Orbinit tregojnë që edhe serbët paskan luftuar në Luftën e Trojës, dhe se me ramjen e saj kishin ikur dhe rreth 1860 vjet prK kishin ardhur përsëri në Ballkan dhe ishin zgjeruar deri në Venedik ”

Një farë hulumtuesi Shafarik në librin e tij ”Vendasit e vjetër” shkruan ” Serbët jetojnë në Europë që nga kohërat parahistorike,dhe se serbët e banonin gati krejt Europën dhe Azinë e vogël dhe nga aty paska ardhur shprehja ” “Govori srpski dа te ceo svet rаzume”.( Fol serbisht që të kupton bota mbarë).  Rrijm­ ne ,rrij­më. Mirremi me prejardhjen tonë të ”lashtë” që nga shekulli  i 14-të.!
”Një gjuhë aq origjinale si gjuha serbe e pasur ,me një garmatikë perfekte është pjellë e një populli të ngritur që moti” shkruan Shafarik. Edhe diçka : ”Serbët thonë  që shkrimi i Vinçës tregon se serbët janë populli më i vjeter dhe që edhe Etrurët  ishin serb”

Sodoqoft , me qenëse ne heshtim dhe jemi robër të asgjëje  ,atëherë le të lexojmë edhe për zbulimin më të ri , që doktori i shkencave të Harvardit , rusi ANATOLIJ Kljosov paska ardhur në përfundim që të gjithë sllavët e kanë prejardhjen prej Ballkanit,dhe kjo nga Serbia dhe Bosna e Hercegovina e sotme. Sipas Kljusovit bartësit e gjenit R1a1 ,kanë jetuar në Ballkan bile që para 12 000 vitesh. Ai paska zbuluar që i biri i Noah -së qenka paraardhësi i Rusëve dhe se pasardhësit e tij së pari erdhën në rrjedhën e poshtme të Danubit , në Serbinë e soti. dhe se nga aty e vazhduan rrugën për në veri.

Biokimisti  i Harvardit me analizat e tij  të gjeneve ka konstatuar  që Serbët janë populli më i vjetër në botë dhe se Ballkani është atdheu i lashtë i të gjith sllavëve  si  edhe atdheu i atyre që shkuan ë Indi dhe u quajtën Arian . Edhe Aianët ishin serb. (Jutarnji.hr 20.09.2013)

Mos i mësoni fëmijët tanë me u nda, me u përça, me u hasmëru, me u ligështu, me u bë ujk vëllai me vëlla, baba me djalë e djali me nënë…Mos m’i mohoni dhe shkelni vlerat e traditës së lashtë të species ilire-dardane (r.g)

Gjakovë, tetor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, populli, serbet

ZËRI I VATRËS THËRRET: JO KLLASA, POR KOMBI!

October 9, 2013 by dgreca

URIMI ME KUSHT I VATRËS PËR QEVERINË E RE TË SHQIPËERISË/

NGA HEKTOR ZOTO-Dega e Vatrës në Washington DC/

 Takimi i përfaqësisë së Vatrës me Kryetarin e Qeverisë së re të Shqipërisë , dëshmon se ajo edhe pas 100 vjetësh është në duar të sigurta Kombëtare. Kryetari dr. Gjon Buçaj me shoqëruesit e tij gjeti mënyrën për të thënë me dinjitet, publikisht e zyrtarisht, qëndrimin e Vatrës: “Ju të njihen direkt me qëndrimet e Vatrës dhe me kërkesat që dëshirojnë vatranët të shohin të realizuara në Shqipëri.”- i tha kryetari i Vatrës Kryeministrit.Kryetari i Vatrës bëri karakteristikën pa asnjë rezervë për qëndrimin e Opozitës në vitet e saj para ardhjes në pushtet. Ia numëroi të gjitha: Për zgjedhjet në 2009, për veprimet e dhunshme, për pengesat parlamentare në dëm të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në organizmat Europiane, si dhe vështirësitë e krijuara në fushat e jetës në Shqipëri e teprimet shumë të dëmshme. Ai tërhoqi vëmendjen për gjestet jo Kombëtare  lidhur me varrezat e okupatorëve të viteve të historisë, luftrave antishqiptare.Mesazhi i Vatrës ishte i qartë: “Bëj për Kombin që të të respektoj!”

-Hidhe, Flake tej Komunizmin, shkaktarin e të këqiave katastrofike të Kombit në të gjithë egzistencën e tij.

  -Zbato drejtësinë njerëzore për të gjithë shqiptarët, duke dënuar krimin që është  ushtruar deri edhe mbi një shqiptar të vetëm.

-Ktheji sot dhe jo mot, atë që ka pasur të tij ”PRONËN”, që iu konfiskua me dhunë e u dënua me burg.

-Paguaj paranë e papaguar atyre që qenë në burgje e në internime, jo thjesht dëmshpërblimin për vitet e burgut, por për punën e bërë në fakt: me norma të matura e të regjistruar, për vagonat e nxjerra nga galeritë e mineraleve, qymyreve e zifteve, që po të mos plotësohej nga i burgosuri, vihej si në Spaç, tek “Shtylla e Turpit” me orë të tëra, dhe ky ndëshkim ishte në të gjitha minierat-burgje të Shqipërisë, ku komandonte partia.

-Paguaj paranë e papaguar për volumet e dheut në kanalet për tharjen e kënetave të mëdha të Maliqit, të Myzeqesë, të Kakariqit e kudo tjetër. Për volumet e dheut në bërjen e taraçave në Lukovë, Sarandë, Ksamil,  e në vende të tjera.

   -Burgu ngrihej mbi objektin që do ndërtohej.”Burgu i Sigurisë së lartë”, si burgu tipik i ndërtimit të Pallateve Agimi në qendër të Kryeqytetit ngjitur me famkeqin”Blloku i Udhëheqjes”,  apo burgu i Uzinës së madhe-Superfosfati i Laçit.

   Të gjitha veprat e mëdha industriale, blloqet e mëdha massive të ndërtesave në qytete e qendra të tjera , veprat tharëse e vaditëse, fabrikat ushtarake të prodhimit të armëve, tunelet nënujore për Flotën Detare-Ushtarake në Porto-Palermo e nën Himarë, strehimet sekrete- Shkëmbore e tunelet e nëndheshme ”Për Byronë”, për kohën e “Sulmit Atomik”,  në Malin e Dajtit e Poliçanit, ndërtimete bunkerëve në të gjithë Shqipërinë, janë bërë nga të burgosurit dhe bijtë e tyre të inkuadruar në brigada pune në ushtri. E ato, Qendrat më sekrete, nga persona të burgosur jo shumë të njohur të dënuar me vdekje, që ekzekutoheshin pasi mbaronte vepra –si rasti i Osman Ryçit nga Larushku i Fushë-Krujës. Volumi i veprave me investime nga të burgosurit është më i madh nga e gjithë puna e bërë nga “Klasa punëtore e fshatarësia punonjëse” në vitet e partisë.Kjo është “Puna e Papaguar”-është “Hua Shtetërore” tipike , e pa kthyer nga shteti kriminel komunist. Vendi këtë ia ka borxh  punëbërësëve-të burgosurëve dhe të internuarëve. Të rikonstruktohen financat dhe Ekonomai e Shtetit për të shlyer borxhin, huanë shtetërore , zgjidhje tjetër nuk ka.

Le të varfërohet vendi për ca kohë. Gjermania edhe sot paguan reperacione lufte. Të ndërtojë edhe vendi ynë blloqe pallatesh për strehimin e të burgosurve. Ua ka borxh! Të barazohet disi jeta e pastaj të hyhet në Bashkimin Europian.

Të burgosurit nuk kanë nevojë për para-mëshire. Ata duan Pronën –Paranë-Strehimin, që i kanë të tyre, që i kanë ndërtuar me duart e tyre, jashtë burgut dhe në burg.Ata nuk e duan, dhe nuk e pranojnë, faljen e kriminelëve-komunistë dhe lëpirësve të tyre. Ata e ndjejnë veten heronj, ashtu si dhe të internuarit, dhe ata janë vërtetë heronj; janë heronj të rezistencës, antikomunsite, heronj të luftës brenda vendit me okupatorët e vendit.Qeveria e mëparshme bëri sa mundi, pati kritika , bile dhe përplasje. Por ajo bëri dhe vepra të rëndësishme të gjithanshme, që vendi i gëzon sot, e bashkë me të dhe të burgosurit politik.Po ju, qeveritarë të rinj të etërve të vjetër, do të bëni përpara, në vendnumëro, apo PRAPA, TEK KUSHTRIMI I TË PARËVE?

Mosbërja, shkakton akumulime , maisje, që çojnë në shtërzime e shpërthime të mëdha që i kushtojnë vendit dhe Kombit.Është koha që t’i hapet rruga dinjitetit të tyre që mbahet akoma bllokuar me anë të urrejtjes së Luftës së Klasave, që ende vazhdon.

Martin Luterking ka thënë:”Një shuplakë e dhënë edhe mbi një individ , ashtë një shuplakë për të gjithë njerëzimin.”

   Komunizmi nuk dha “një shuplakë” në Shqipëri. Ai bëri shumë e shumë krime. Ai bëri krime  masive ndaj një klase ndaj një klase të tërë – që e quajti”reaksionare”, “pronare” , “tregtare”, “intelektualë borgjezë të arsimuar në Perëndim”, “tradhëtarë”, “deviatorë”, “agjentë”, “puçistë”,”mikroborgjezë”, “kapitalistë”, “me lakra në kokë”, “me çfaqje të huaja”, “art e artistë dekadentë”…Kur vetë komunizmi me ”ndryshimin e kushteve historike”!!! i ka hyrë kësaj jete në vrullin e tij karakteristik revolucionar , duke u arsimuar vetë në Perëndim, duke lakmuar edhe Master degree’”,  tituj shkencor të trashëguar ”pronarë”, “tregtarë”, “bankierë”, “Monopole Biznese” me lidhje Kombëtare e Ndërkombëtare, me “kapitale të mëdha”,  me “art dekadent”, me çfaqje të huaja në veshje, paraqitje e jetë mondane, me jetë të çfrenuar, me arrogancë e prepotencë….Në emër të të cilave po Ky Komunizëm Bëri KRIMIN e madh në 50 Vjet-Ai mbetet i “Kllasës” edhe sot, e këtë e pretendon hapur me urrejtje për Klasën tjetër:

– JO kurrë pajtim të shqiptarëve me”Kllasa” – siç e la KOMUNIZMI!

–         Zëri i VATRËS thërret:- JO-KLLASA,- por KOMBI!

                     ***

Është një plus i madh të kesh model Abraham Linkolnin, por emblema e tij është “Shpëtimtari i Kombit” amerikan.

-Po ti?- Kombi nuk bashkohet vetëm me Klube sportive, e grupe folklorike. Ai ka nevojë për “Zë të Fortë”, për Bashkimin e tërë territoreve tona-territoreve shqiptare në një të vetëm, siç thotë figura e shquar e Vatrës Peter Prifti në studimin për Kombin.

  Linkolni i shpalli luftë skllavërisë me shtetasit e tij dhe e hoqi atë me gjak e sakrifica të mëdha.

–         Po Ti?- Skllavëria e Kuqe në Shqipëri, skllavëria e Klasave, 100 vjet më vonë  qe shumë më e tmerrshme se ajo e racës së bardhë karshi racës së zezë. Kuklusklani i paligjshëm vriste të ziun apo të zezën, kurse skllavopronarët komunistë, zhduknin gjenerata deri në katër breza, deri edhe për martesat e pëlqyera prej tyre.

Është plus i madh të kesh për model Tony Blair-por ai- goditi ushtarakisht genocidin e një Kombi kundër një Kombi tjetër, atë Serb kundër atij Shqiptar.

–         Po ti?- Genocidin brenda kombit në Shqipëri e godet apo e përkëdhel?

–         Në ç’pozicion qëndron Qeveria e re me genocidin dhe me pjesën Viktimë të Kombit?

Tony Blair dhe Presidentët e fundit të SHBA i shëtrnguan dorën si burri i shtetit- burrit të shtetit Ibrahim Rugovës e Azem Hajdarit.

PO TI?

Që në shenjat e para Kombi të pyet:- Për ku je nisur, o Kapedan? Ule tonin,-thyeje shkopin-Vërtet, vërtet, vërtetë beson tek ajo thënia popullore ”Bëmë baba të të ngjaj”?

            ***

   Epokën e “mendjeve të ndritura” dhe e “trimave të fortë”  të mbrojtur nga radhë tankesh , Perëndimi e mbylli në vitin 1945-e nisi  epokë të re, ”Epokën e Njeriut të Mirë”.

PO NE?

Ne goditën në fillim të viteve ’90, por nuk e shkundëm plotësisht atë, po valë-valë e me hope.

       ***           

Të lashtët tanë kalin e mbathnin tek Hani apo n’udhë e sipër ku t’i zinte hera.

Atë bëri edhe VATRA në takim me Kryeministrin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hektor Zoto, i Vatres, Kryeminstri Rama, urimi me kusht

VIZITA E VENIZELLOS NË TIRANË MES KUFIRIT DETAR DHE ÇËSHTJES ÇAME

October 9, 2013 by dgreca

*Marrëdhëniet me Greqinë, mes velenit dhe miqësisë/
* Një fjalë e urtë indiane thotë: Mos e shmang problemin, por ballafaqohu me të, përndryshe agonia do të zgjatet./
Nga Reis Çiço/
Pas vendosjes së demokracisë në vendin tonë, marrëdhëniet mes  Shqipërisë dhe Greqisë janë sjellë kurdoherë midis normales dhe anormales, rruga e këtyre marrëdhënieve ka qenë e vështirë dhe është
shoqëruar me turbulenca konstante.
 E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e ekzistencës së disaproblemeve midis palëve, që jo vetëm nuk janë zgjidhur, por kohë pas kohe, ato mahisen duke traumatizuar marrëdhëniet dypalëshe.
 Tashmë është njoftuar se më datë 14 Tetor, Tiranën do ta vizitojë ministri i Jashtëm grek, Venizellos. Axhenda e ministrit është bërë publike, dhe ajo përmban bisedime për çështjen e kufirit detar, do të
diskutohet për gazsjellësin TAP, dhe ndoshta Venizellos do të vendosë piketat e vizitës së ardhshme të presidentit Papulias, diku nga muaji nëntor në Tiranë.
 Udhëtimi i marrëdhënieve Shqipëri-Greqi është shoqëruar me incidente të vogla e të mëdha, një pjesë e mirë e të cilave ose nuk është zgjidhur, ose është gjetur një zgjidhje përcjellëse.
 Në nëntor të vitit 2005, u shënua një nga incidentet më të rënda diplomatike. Në atë kohë, Presidenti i Greqisë, Papulias po zhvillonte një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila do të mbyllej me një takim në
qytetin e Sarandës, me presidentin e asaj kohe, Alfred Moisiu.
Dhjetëra apo qindra njerëz në qytetin bregdetar nisën një protestë, e cila bëri që Presidenti grek të anulonte takimin me homologun e tij shqiptar, dhe të largohej drejt Greqisë, pa dhënë asnjë shpjegim.
Mos vallë z. Papulias nuk e dinte se protestat janë pjesë vitale e demokracisë? Mos vallë ai harroi se kur Athinën e vizitoi presidenti Klinton gjysma e kryeqytetit grek u dogj nga protestuesit? Natyrisht
ai i di të gjitha, por me Shqipërinë gjërat ndryshojnë, ndaj dhe presidenti grek ndërmori një hap arrogant dhe prepotent, sepse e dinte që reperkusionet diplomatike e më gjerë do të ishin zero, dhe ashtu
ndodhi. Asnjë reagim nga presidenca, qeveria, madje dhe media reagoi vakët. Një heshtje e çuditshme!
Rastet e përsëritura të incidenteve kanë evidentuar qartë dy qëndrime diametralisht të kundërta. Nga njëra anë prepotenca e Athinës zyrtare, dhe nga ana tjetër përulësia e Tiranës zyrtare.
Në vazhdën e incidenteve, vlen të evidentohet se deputetë të ndryshëm grekë, qoftë dhe të “Agimit të Artë”, me raste të përsëritura skandalesh në vendin tonë, jo vetëm nuk kanë problem për të hyrë në
Shqipëri, por dhe kur vijnë, në raste zgjedhjesh, apo ceremony përkujtimore, shpërthejnë në histerizma antishqiptare dhe largohen të qetë për t’u rikthyer përsëri. Ndërkohë që qeveria greke shpall person
non grata një gazetar shqiptar pse xhiroi disa sekuenca në fshatrat e Çamërisë, e kështu lista mund të zgjatet pafund.
Parë në një rend kronologjik, Athina zyrtare ka qenë dhe është këmbëngulëse në realizimin e objektivave dhe kërkesave të saj, sepse ajo i ka dominuar kurdoherë marrëdhëniet me Shqipërinë, për arsye shumë komplekse, që meritojnë një shtjellim të veçantë.
Çështja e kufirit detar me Shqipërinë është në krye të axhendës, dhe konfirmon se këmbëngulja greke për zgjidhjen e saj ka qenë dhe mbetet një konstante e pandryshuar. Është ky problem që realisht po bie në Tiranë ministrin e Jashtëm grek.
Në këtë sfond, me dritëhije të marrëdhënieve shqiptaro-greke, vizita e ministrit të Jashtëm Venizellos merr një rëndësi të veçantë dhe është interesante në disa aspekte.
1. Shqipëria udhëhiqet nga qeveria e re e majtë që doli nga zgjedhjet e 23 Qershorit.
2. Ministri grek do të diskutojë vetëm për kufirin detar, apo do ta zgjerojë gamën e bisedimeve, duke prekur çështje të tjera delikate që rrinë pezull në marrëdhëniet tona?
3. A do të jetë Venizellos, dialogues, sugjerues, apo imponues?
4. Nga ana tjetër, kjo vizitë është një test për qeverinë e re. Çfarë qëndrimi do të mbajë lidhur me kufirin detar, që Gjykata Kushtetuese e ka bllokuar?
5. Po çështjen Çame e të tjera, do t’i hedhin përfaqësuesit tanë në tryezën e bisedimeve?
Sigurisht, të gjitha këto pyetje do të marrin përgjigje kur vizita e z. Venizellos të përfundojë.
Çështje të trashëguara dhe çështje të reja që kanë lindur në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Qeveria jonë nuk duhet t’i shmangë,përkundrazi t’i shtrojë ato për zgjidhje, duke u mbështetur mbi një dimension tjetër mendimi e veprimi, ku në themel të jenë Reciprociteti dhe Dinjiteti.
Nëse do të ketë vullnet nga palët, zgjidhjet aty janë, në të kundërt do të vazhdojmë të ecim mes velenit dhe miqësisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: ceshtja came, kufiri dtear, reis Cico, vizita e Venizelos

AKUZË GJENOCIDI PËR KRIMET KOMUNISTE NË RUMANI

October 8, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

Gjatë dy dekadave të fundit, shtetet ish-komuniste të Europës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik  — dikush më shumë e dikush më pak, e disa prej tyre aspak — janë përpjekur që të përballen me krimet dhe me abuzimet e të drejtave të njeriut, që ishin karakteristikë e jetës së përditëshme  të regjimeve komuniste për pothuaj 50-vjetë.    Megjithëse ky proces ndryshon nga vendi në vend, në përgjithësi shtetet ish-komuniste janë përpjekur të zbatojnë një sistem drejtësie që të mundësonte, që këto shoqëri të përballeshin me të kaluarën e tyre tragjike komuniste, duke mare vendime për ligjet e lustracionit, ndalimin për të marrë pjesë në jetën politike të ish-zyrtarëve komunistë dhe të ish-zytarëve të policisë sekrete të shteteve komuniste, përfshirë edhe spiunët.   Disa vende kanë hapur të gjitha dosjet duke bërë të mundur që qytetarët e thjeshtë të mund të shikojnë arkivat dhe informatat e mbledhura për ta nga ish-sigurimi i shtetit komunist.   Ky proces i përballimit me krimet e regjimeve komuniste në shumë vende ka përfshirë  gjyqe dhe procedura ligjore kundër ish-zyrtarëve komunistë dhe ish-agjentëve të sigurimit të shtetit, të cilët  dyshohet se kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe brutalisht kanë dhunuar dhe kanë shkelur të drejtat bazë të njeriut, të bashk-kombasve dhe bashk-qytetarëve të tyre.

Kohët e fundit media amerikane dhe ajo rumune dhe europiane, përfshirë media të njohura si gazeta Nju Jork Tajms,  kanë shkruar për vendimin e prokurorëve rumunë të cilët kohët e fundit njoftuan vendimin për të akuzuar zyrtarisht për kryerje gjenocidi, një komandant të burgjeve të regjimit komunist rumun.  Prokurorët rumunë kanë akuzuar ish-komandantin Aleksandru Visinescu për krimet  që sipas dëshmitarëve ai ka bërë kur ishte përgjegjës i burgut famëkeq Ramnicu Sarat,  nga viti 1956 -1963.  Thuhet se në atë burg mbaheshin kundërshtarët më të dalluar politikë të regjimit komunist rumun, përfshirë elitën politike para- komuniste të Rumanisë si dhe intelektualët dhe klerikët më të njohur të vendit.   Siç duket, këjo masë nga prokurorët rumunë është një përpjekje serioze nga ana e auoriteteve rumune për tu përballur me të kaluarën komuniste të vendit të tyre, duke sjellur para drejtësisë ish-komandantët e burgjeve, të cilët mundësuan qendrimin në fuqi të një prej regjimeve më brutale në Europën Lindore.

Akuza për gjenocid, është një akuzë e rëndë, pasi gjenocidi përcaktohet nga Kombet e Bashkuara si një krim ndërkombëtar, dhe si një “akt që kryhet me qëllim të për zhdukur në terësi, ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar”.    Ish komandanti i burgjeve të regjimit komunist rumun, Aleksandru Visinescu është personi i dytë në Rumani që mban mbi shpatulla akuzën e gjenocidit, pas ish-diktatorit komunist rumun Nikolai Çausesku dhe bashkshortes së tij, të cilët u gjykuan dhe u ekzekutuan në vitin 1989.    Prokurorët rumunë, në deklaratën për median, janë shprehur se Visinescu, si komandant i burgut Ramnicu Sarat, i trajtonte aq barbarisht të burgosurit politikë sa trajtimi i tyre shtazarak kishte për qëllim zhdukjen fizike të kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.

Ishte Instituti Rumun për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe të Kujtimit të të Mërguarve Rumunë, një organ qeveritar, ai që mblodhi provat kundër Visinescu-t dhe bëri një listë që përfshinë emërat e të pakën 35 ish-zyrtarëve komunistë, të cilët instituti në fjalë i akuzon ata për shkelje të të drejtave të njeriut dhe abuzime e krime të tjera.  Instituti qeveritar për Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Rumani, në një prononcim për median tha se, “mirëpret këtë vendim historik (të Prokurorisë rumune) duke nënvijuar  njëkohësisht vedosmërinë  e tij për të vazhduar përpjekjet për identifikimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për abuzime dhe krime të rënda politike gjatë periudhës komuniste.”   Duke thënë se ky vendim është historik jo vetëm për Institutin që ai kryeson por edhe për të gjithë shoqërinë rumune, Presidenti i Institutit Andrei Muraru u shpreh për median se, “Këjo është hera e parë që një ish-nëpunës i sistemit të burgjeve komuniste akuzohet për gjenocid, për krimet politike dhe abuzimet e bëra gjatë regjimit komunist.”  Ai shtoi se akuza kundër ish-komandantit të burgut famëkeq Ramnicu Sarat, Aleksandër Visinecu-t, “përbën një pikë-këthesë në zhvillimin dhe dënimin e krimeve të regjimit komunist”, në vendin e tij.

Para një jave, gazeta Nju Jork Tajms në një artikull të gjatë në faqen e pare, tha se akuza zyrtare kundër ish-komandantit të burgut Visinescu ka shtuar shpresat se më në fund edhe Rumania po ndjekë shembullin e shumicës së fqinjëve të saj në Europën Lindore dhe Qëndrore për të “shkundur amnezinë kombëtare mbi të kaluarën e saj brutale dhe që të rishqyrtojë kulturën e mos-ndëshkimit e cila ka nxitur korrupcionin e papërmbajtur në shoqëri, gjë që ka ngadalësuar dukshëm përparimin e vendit, megjithëse është anëtare e Bashkimit Europian ç’prej vitit  2007.”   Gazeta Nju Jork Tajms shkruan se vazhdimësia midis elitës komuniste dhe post-komuniste është një fakt që shpjegon se pse në Rumani ekziston një rezistencë aq e fortë ndaj përballimit me krimet e regjimit komunist.   Gazeta citon, Laura Stefan,  një eksperte rumune të ligjit e cila thotë, duke iu referuar vendit të saj se, “Ne rrjedhim nga ujëra të thella dhe shumë të ndyra. Korrupcioni është arsyeja kryesore që ne nuk flasim për të kaluarën”, tha ajo për Nju Jork Tajms.   Megjithëse e sheh akuzën zyrtare ndaj ish-komandatit Visinescu si diçka pozitive, ajo dyshon se  autoritetet janë serioze për të dënuar dhe burgosur Visineskun dhe të tjerët si ai të akuzuar për krime gjatë regjimit komunist.   Edhe profesori  rumun D. Voinea citohet nga gazeta Nju Jork Tajms se elita  politike dhe ekonomike e Rumanisë gjithnjë dominohet nga ish-komunistët dhe të afërtmit e tyre,  të cilët si të tillë duan të sigurohen se krimet e komunizmit  nuk do të zbulohen kurrë dhe ata që i kryen ato krime nuk do të dënohen kurrë për to.

Tranzicioni nga regjimet komuniste në demokraci ka qenë dhe vazhdon të jetë i vështirë për shumë vende të ish-bllokut komunist, përfshirë Rumaninë, por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën si vende ish-komuniste.   Ekspertët në përgjithësi janë dakort se konfliktet e pazgjidhura që rrjedhin nga mos vullneti për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe të gjitha të zezat e saja vazhdojnë të pengojnë zhvillimin dhe stabilizimin e një sistemi të vërtetë demokratik, megjithëse në pushtet tani janë përfaqsues të një brezi tjetër, por pinjollë të regjimit të vjetër komunist.  Tranzicioni ka qenë më i vështirë në shtetet ish-komuniste siç janë Shqipëria dhe Rumania, vende këto të cilat, ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, nuk kanë dënuar as nuk kanë mbajtur përgjegjës asnjë person për krimet dhe masakrat e kryera gjatë periudhës komuniste ndaj kundërshtarëve të pafajshëm të regjimit komunist.  Madje në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë,  individë që kishin marrë pjesë në shtypjet brutale dhe  në zhdukjen e kundërshtarëve të regjimit komunist, gjatë 20-viteve të fundit, janë këthyer në pozita të larta të pushtetit qeveritar dhe shtetëror.

Siç duket, në një mungesë të plotë të vullnetit politik për tu marrë me krimet e së kaluarës, në disa vende ish-komuniste dhe jashtë, do të vazhdojë debati në lidhje me hapjen ose jo të dosjeve, me lustracionin,  me gjyqet dhe me dënimin e atyre që kryen krimet dhe masakrat gjatë diktaturës komuniste kundër popullit të vet.  Pyetja është se pse disa vende përballen me të kaluarën e tyre diktatoriale e shtypëse duke hapur dosjet e sigurimit të shtetit, duke ndaluar pjesëmarrjen në politikë të ish-zytarëve të regjimeve komuniste dhe duke dënuar abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të bashkombasve të vet, ndërsa disa vende të tjera me të njëjtën histori krimesh e abuzimesh ndaj popullit  të tyre, nuk bëjnë asgjë për tu përballur me të kaluarën e tyre tragjike.   Shekspiri ka thënë, “What is past is prologue”, që pak a shumë do të thotë se ato që kanë ndodhur më heret vendosin faktorët sundues tani dhe për të ardhmen, me fjalë të tjera nëqoftse e kaluara nuk gjykohet për ato që ishte, në këtë rast për krimet dhe brutalitetin e regjimeve komuniste, atëherë historia do të prësëritet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Akuze gjenocidi, Frank shkreli, krimet komuniste, Rumani

Idriz Lamaj: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”

October 7, 2013 by dgreca

Nga ANTON  ÇEFA/

Hulumtimi rreth ngjarjeve të së kaluarës dhe ndriçimi i figurave që kanë luajtur njëfarë roli historik, i jetës dhe veprimtarisë së tyre është i domosdoshëm, qoftë për ndërtimin e godinës historike kombëtare mbi themele të sakta-një detyrim qytetërues ndaj së kaluarës, qoftë për t’u orientuar në shtigjet politike të së tashmes-një detyrim i dyfishtë ndaj së sotmes dhe së ardhmes, qoftë për vlerësimin e veprimtarisë së tyre-një detyrim ndaj përpjekjeve, mundimeve e sakrificave të tyre, një detyrim që duhet ta lajë heret a vonë një komb i qytetëruar. Këtij qëllimi i shërben libri i fundit i studjuesit Idriz Lamaj mbi figurën e Xhafer Devës: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, botuar në NY, kohët e fundit.

Le të kujtojmë gjithnjë thënien e famshme të filozofit amerikan, Santayanës: “Ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë”.

            Duke qenë se për një kohë të gjatë historia jonë kombëtare, si në Shqipëri ashtu  edhe në trojet e robëruara, ka qenë mohuar, shtrembëruar, përbaltur, mallkuar, për ne shqiptarët, dritësimi i fakteve, ngjarjeve, personaliteteve ka një rëndësi të dorës së  parë.

            Duke medituar për gjendjen e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, autori hulumton me zell e durim “si një vëzhgues i akullt i kohës” shkrimet dhe letrat e personaliteteve, që hodhën vallen e politikës shqiptare në mërgim dhe u jep dritë atyre mbi bazën  e  kujtimeve të veta në marrëdhënie me to, duke sendërtuar kështu një shërbesë me vlerë për një trajtim sa më objektiv të jetës dhe veprimtarisë së tyre.

            Përveç njohjes e letërkëmbimit personal me Devën, përveç shkrimeve të botuara në shtypin e emigracionit, ku autori ka luajtur një rol aktiv, përveç letërkëmbimit për rreth 40 vjet të Devës me shokun e  mikun e tij të ngushtë, dr. Rexhep Krasniqin, Lamaj, me përpjekjet këmbëngulëse që e karakterizojnë,  siguroi  edhe korrespondencën që dispononte familja e Devës dhe që ia kishte dorëzuar z. Qefali Hamdisë.

            “Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i mirrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihej një periudhë prej mbi 30 vjetësh, 1945-1978”-shkruan autori dhe sqaron: “Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë-tetë gjuhë. Korrespondenca e tij  është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht”.

            Për trajtimin e kapitullit: “Marrëdhëniet e Xhafer Devës me Blokun Kombëtar Indipendent dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri dhe Kosovë”, autori u vu në lidhje me vëllezërit Kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Nikollë Gjomarkaj, të cilët përveç vënies në dispozicion të lëndës së nevojshme, i ndihmuan në shqyrtimin e dokumenteve dhe në deshifrimin, transkribimin dhe përkthimin nga italishtja të materialeve të papublikuara deri më sot dhe që u botuan në këtë kapitull.

            Libri fillon me një parathënie të shkurtër, mbas së cilës jepet një skicë  e jetës dhe e veprimtarisë së Xhafer Devës në mërgim, së cilës i shtohen disa të dhëna edhe për jetën e mëparshme në kapitullin “Xhafer Deva në SHBA.”; vijon parashtrimi me hollësi i veprimtarisë së Xhafer Devës në bashkëpunim me Blokun Indipendent për organizimin e zbarkimit të parashutistëve në Shqipëri e Kosovë dhe përpjekjet e tij për krijimin e një qendre sekrete informative në Kosovë në shërbim të amerikanëve dhe riorganizimin e Lidhjes së Prizrenit në Amerikë, (gjë që u bë me inisiativën e Grupit Kosovar me banim në NY, në emër të të cilit vepronte dr. Rexhep Krasniqi, megjithëse ishte kryetar i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë), si një organizatë politike kosovare e pavarur në botën e lirë. Flitet për organizimin e kongreseve të saj, në vitet 1966 dhe 1971; për pjesëmarrjen e Devës, në vitin 1972, në mbledhjen e Madridit për koordinimin e veprimtarisë së partive politike shqiptare në megrim.

            Duke u mbështetur në frymën tradicionale të Lidhjes së Parë historike të Prizrenit dhe Lidhjes së Dytë, Lidhja e Prizrenit në Mërgim pati për qëllim realizimin e bashkimit të popullatës shqiptare që jeton në trojet e veta nën robërinë jugosllave me Shqipërinë, mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje.

            Lidhja e Prizrenit në Mërgim, nën drejtimin e Xhafer Devës, u bë një organizatë e fuqishme që luajti një rol të rëndësishëm për të paraqitur gjendjen reale dhe kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare të pushtuar nga Jugosllavia. Ajo krijoi disa degë në SHBA, dy degë në Kanada, degë në Bruksel, Paris, 3-4 degë në Gjermani, Stamboll dhe Australi.

            Nëpërmjet korrespondencës së Devës, autori ka dhënë edhe disa skica portretesh për disa nga udhëheqësit dhe veprimtarët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim: Kalosh Hamdia, Hysen Terpeza, Ismet Berisha, Shemsedin Vendresha, Gjon Shtufaj dhe Zef Nekaj..

Deva, gjithashtu, luajti deri në njëfarë mase rolin e një katalizatori në lëvizjen politike shqiptare në mërgim. Ai ishte për një veprimtari të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare, në përpjekje për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimit të trojeve të pushtuara nga Jugosllavia. Duke gëzuar një reputacion të tillë, ai u zgjodh për të drejtuar tubimin e Madridit.

            Libri mbyllet me kapitullin : “Shkrime të Xhafer Devës”, ku janë botuar : “Sfondi i depërtimit të suksesshëm të Bashkimit Sovjetik në Lindjen e Mesme” (një analizë politike që Deva e lexoi në Akademinë Ushtarake Amerikane në Ëst Point, material që botohet për herë të pare); një relacion i gjatë që Deva ia dërgoi Ministrive të Jashtme Italiane e Amerikane, nga fundi i vitit 1953 (i pabotuar) dhe një Fjalim i Xhafer Devës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Blokut Kombëtar Indipendent.

            Forcat politike në mërgim mbështetën Lidhjen e Prizrenit në Mërgim. Që në Kongresin e saj të Parë, në vitin 1966, në emër të “Vatrës”, z. Antoni Athanas-kryetar i atëhershëm i saj, u zotua  se “do të ndiqte me besnikëri idealet e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim për realizimin e Shqipërisë etnike”. Në letrën e falënderimit që Deva i dërgon z. Athanas, shkruan: “Pjësëmarrja Juaj në Kongresin e Parë të Lidhjes së Prizrenit ishte një nderim i veçantë për mua dhe një garanci e vazhdimit të idealeve të Vatrës ndaj realizimit të Shqipërisë etnike. Fjalimi i Juaj prekës dhe zotimi se, ‘do të mbështesni me vendosmëri të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës për bashkim me shtetin e lirë shqiptar’, jam i bindur se do të dëgjohen në Ëashington me respekt dhe seriozitet…”

            Shtjellimin e lëndës, autori e përfundon me kërkesën për kthimin në atdhe të ështrave të Devës: “Është detyrë morale e kosovarëve, sot në Kosovën e lirë prej pushtuesit serb, ta kthejnë Xhafer Devën në Kosovë, sepse varri i tij në vendlindje do të ishte një piramidë kufiri, e cila do t’i bënte roje atdheut më shumë se një ushtar i mbërthyer në armë.”

            Libri është shkruar me një ndjenjë të ngrohtë dashurie e nderimi për personalitetin e Devës e veprimtarinë e tij politike dhe, përveç vlerës historike, aty-këtu ka pjesë të bukura letrare. Nuk mungojnë as fotografitë. Botimi i tij u bë i mundur me sponsorizimin e një grupi shqiptaro-amerikanësh.

Në emër të vatranëve përgëzoj autorin, z. Idriz Lamaj, anëtar i këshillit të “Vatrës”, për botimin e këtij libri dhe botimet e tjera me vlerë dhe i uroj shëndet dhe suksese në veprimtarinë e tij të mëtejshme krijuese e botuese.( Autori ishte editor i Diellit nga viti 1994-2009 Dielli-Arkiv)

 

 

Filed Under: Analiza, Kulture Tagged With: Anton Cefa, Idriz Lamaj, Xhaferr Deva

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 942
  • 943
  • 944
  • 945
  • 946
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT