• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBRETI AHMET ZOGUDHE PAVARËSIA E BESIMEVE FETARE

August 23, 2013 by dgreca

Foto 1938-Nga e majta në të djathtë ;Kryeminstri Koço Kotta,imz.Anlonutti-delegat Apostolik në Shqipëri.Mbreti Ahmet Zogu I, Myftiu i Madh Bexhat Shapati,Kryegjyshi botëror i Bekatishinjëve Sali Nijazi Dede,dhe imz.Kristofor Kissi,Mitropolit i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare/

 Shkruan Eugen SHEHU/

 Në dritën e pakët të hedhur në këto vite,për rolin historik të Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu, në krijimin e të parit shtet modern shqiptar,ende nuk është konturuar i plotë porteti i tij.Politizimet vazhdojnë ende në këtë mijëvjeçar të ri,duke dashur të shmangin daljen në dritë të të vërtetave e për më tej,duke dashur të godasin drejtëpërsëdrejti në zemër të shkencës së historisë.Por sidoqoftë,tentativat e pseudohistorianëve mjeranë,janë kurdoherë të pafuqishme ndaj fakteve dhe dokumentave që ende vuajnë burgun e errësirës gjysëm shekullore komuniste.

Ashtu si në të gjithë rrafshet e tjera të ngritjes dhe fuqizimit të shtetit të parë modern shqiptar,roli i Ahmet Zogut do të mbetet i pakontestueshëm edhe në kuadër të besimeve fetare në Shqipërinë Mbretërore.I bindur në idetë e tij se besimi në Zot,ruan dhe forcon parreshtur ndjenjën kombëtare,biri i Matit,që në ditët e para kur duhej të merrte në duar e veta qetësinë dhe rendin në shetin amë ( në Shqipëri,në ditët e Kongresit të Lushnjës) u përpoq të hyje në lidhje të drejtëpërsëdrejta dhe të sinqerta me besimet fetare,duke dashur t’u sigurojë atyre një dimension jo vetëm institucional por edhe kombëtar.Dhe në këtë mision,idetë e Mbretit Zog kanë ngadhnjyer kurdoherë në kahje të nacionalizmit shqiptar.

Siç dihet në Shqipëri,në vitin 1921,një grup intelektualësh të besimit Islam,ndërmuarën nismën për t’u shkëputur nga Sheh-ul-Islam i Konstandinopojës dhe për të krijuar institucione të pavarura në këtë drejtim.Ndonëse puna e këtij grupi intelektualësh,nisi në fillim të vitit 1921,pati  mjaft debate dhe zvarritje,ndofta edhe për shkak të vështirësive objektive që paraqiteshin përballë qeverisë shqiptare.Fjala ime që kjo qeveri të ndihmonte sa më shumë në pavarsinë e institucioneve myslimane,duke ruajtur edhe raporte harmonike me konfesionet e tjera fetare.Ka qenë pikërisht vizita që këta intelektualë,i bënë në vitin 1922 kryeministrit shqiptar Ahmet Zogu (asaj kohe 27 vjeçar) për ta uruar ate, e cila ka shërbyer si shtytje në realizimin e idesë së pavarsisë së komunitetit mysliman.Kryeministri i Shqipërisë Ahmet Zogu,i ka siguruar këta intelektualë se do të kenë kurdoherë vëmendjen e qeverisë që ai drejtonte.Për më tej,duke u njohur me procedurat e arritjes së kësaj autonomie,kryeministri shqiptar ndërmori edhe një varg takimesh me ministrin  e jashtëm me ç’rast u lehtësuan disa procedura burokratike.Duke qenë i njoftuar edhe për parapregaditjet e mbajtjes së Kongersit Mysliman Shqiptar,Kryeministri i Shqipërisë,27 vjeçari Ahmet Zogu,për befasinë e intelektualëve të besimit mysliman , ai u shpreh ; “,mosha, intelegjenca,dhe besimi tek i Madhi Zot,ma përforcon dhe më tepër bindjen,se me ndihmën  e të Madhit Zot,me pastërtinë tuaj morale dhe shpirërore si besimtarë dhe intelektualë,Shqipëria dhe Shqiptarët kanë një ardhmëri të ndritun.Aty ku besohet në Zotin,Atdheu është i siguruar dhe Kombi lulëzon,meqë këto janë nga duart e Zotit”.

Kongresi Mysliman Shqiptar,i zhvilloi punimet në Tiranë,në sallën e shoqërisë “Djelmëria Dibrane” nga data 24 shkurt deri më 12 mars 1923.Çdo prefekturë dhe nënprefekturë kishte dërguar aty përfaqsuesin e vet legjitim,i cili gëzonte të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.Ndër organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi,ishte atdhetari i njohur Imam Vehbi Dibra.Ai duke përshëndetur të pranishmit dhe duke falenderuar qeverinë shqiptare për ndihmën e dhënë,që në fillim u shpreh për ndryshime e përsosje në besimin mysliman,veçmas në pikëpamje organizzative. Deviza e shpallur nga Imam Vehbi Dibra në këtë kongres , ishte : me ndrrimin e kohës ndrrojnë edhe gjykimet “.Se çfar vlersimi tregoi qeveria e atëhershme shqiptare,për këtë kongres,ndofta mund të shihet edhe në faktin se veç masave dhe mbështetjes së plotë organizzative, aty muarën pjesë edhe disa deputetë si : “Mehmet Polingu,,i deleguar i popullit të Krumës,Qamil Bala i deleguar i Kosovës,Sali Vuçitërna,i deleguar i Zerqanit,Halim Gostivari,i popullit të Kolonjës,Halit Roji i deleguar i Shkodrës,Ibrahim Xhindi i Vlorës,Banush Hamdiu i Pogradecit dhe Vehbi Dibra i deleguar i Dibrës “.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë – fondi 882 , dosjet 16-17 fleta e parë).

Për më tej,kryeministri shqiptar Ahmet Zogu e përshëndeti kongresin mysliman me anë të përfaquesit të tij Qerim Çela,i cili ndonëse i ndoqi të gjitha punimet dhe dha mendime tejet të vyera,nuk kishte të drejtë vote.Përshëndetja e kryeministrit shqiptar,i siguronte kongresit mysliman se qeveria shqiptare i përgëzonte ata për nismën e marrë,duke qenë e sigurtë se akti i shpalljes së pavarsisë së xhamisë shqiptare,ishte vazhdim i natyrshëm i ideve dhe veprimeve pas shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë në vitin 1912.Fjala e të dërguarit të qeverisë,ka qenë ndërperë disa herë nga duartrokitjet falenderuese për qeverinë shqiptare.

E shoh të udhës të sjell në këto radhë,një prej vendimeve të Statutit Mysliman,të hartuar dhe miratuar unanimisht në ditët e këtij Kongresi( Pika të cilat më vonë hynë edhe në Statutin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare).Sipas këtij Statuti,Organi më i lartë mysliman në Shqipëri,ishte kryesia e Këshillit të Naltë të Sheriatit e cila drejtohej nga Myftiu i Përgjithshëm.Personi që do të vendosej në këtë detyre,përpara se të votohej nga delegatët e kongresit,duhej doemos të plotësonte këto kushte (  të propozuara nga Kryeministri Shqiptar Ahmet Zogu):

”1- Të ishte nënshtetas shqiptar dhe të dinte gjuhën shqipe. 2- Të gëzonte të gjitha të drejtat civile dhe politike. 3- Të ishte prej races shqiptare ose me origjinë shqiptare tre brezash. Këtë detyrë,nuk mund ta zënë persona që duke filluar nga 28 nëndori i vitit 1912,kanë luftuar kundër çështjes sonë kombëtare”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.Fondi 882,dosja 1 fleta 3 ).

Pa u zgjatur në rëndësinë e madhe historike të këtij Kongresi,i cili shpallte njëherë e përgjithmonë pavarsinë e xhamisë shqiptare prej Stambollit,mendoj se është me vend të ndalem në faktin që kryetari i Kongresit Mysliman Shqiptar i drejtohej kryeministrit shqiptar me një falenderim ku pos të tjerave e vinte në dijeni : “Me anën e kësaj shkrese kam nderin me ju lajmërue se Kongresi Mysliman Shqiptar sot mori fund me sukses të plotë tue ba zgjedhjet e antarëve të këshillit të naltë të Sherijatit,si mbas neneve 6-7 të statutit.Anëtarë të këshillit u zgjodhën : Vehbi Dibra,Hafiz Ali Korça,Vejsel Nailiu,Haxhi Adem Vata,Sheh Ibrahim Karabunara,Qamil Bala,Reshat Kokalari”.

( Arkivi  Qendror i shtetit – Tiranë – Fondi 882 , dosja 4 , fleta 7-8 ).

Natyrisht,vënia në dijeni e kryeministrit shqiptar mbi këto zhvillime të Kongresit Mysliman,nuk mund të ketë qenë e rastësishme.Ngjarjet që u zhvilluan më pas,rrëfyen se kryeministri shqiptar e më pas Mbreti Ahmet Zogu,i mbështeti fuqimisht reformat e shpallura në këtë kongres,që nga nxjerja e ligjit të posaçëm për vakëfet,në sobvencionimin e ndërtesave,shkollave fetare,xhamive etj. e deri tek krijimi i kushteve për të ndërtuar një besim Islam të kohës,të çliruar prej dogmave shekullore të mentaliteteve jocivilizuese.Duke qenë se në fëmijërinë e vet Ahmet Zogu,pat marrë mësime prej atdhetarit të shquar Dervish Hima,ai do të ndiqte me vëmendje gjatë gjithë kohës,ecurinë e proceseve të pavarsisë së besimit mysliman,në raportet e këtij të fundit me vetë shoqërinë shqiptare dhe qytetërimin evropian të kohës.

Nga ana tjetër,Ahmet Zogu, e konsideroi deri në fund,një mik të vyer,Imam Vehbi Dibrën.Jo rallë ata janë takuar së bashku dhe në çdo bisedë,fjala ka qenë në ate plazmin e besimit mysliman,tek ideja e madhe e unitetit dhe detyrimit të gjithësecilit ndaj atdheut,Imam Vehbi Dibra,në thirrjet e hartuara prej tij,me ç’rast këndoheshin në çdo Xhami të Shqipërisë, e vinte theksin pikërisht në kërkesën që sejcili të përpiqej të vinte në jetë detyrat që kishte ndaj atdheut.Këto lutje nuk duhen parë kurdoherë si dogma moralizuese por edhe si vlera jetësore dhe patriotike që lidhen ngushtë me fatet e kombit.Më saktësisht,diku Vehbi Dibra ka pas thënë ; “I Madhi Zot,ka me na e matë edhe temperaturën e dashurisë që kemi për atdhe.Të kemi kujdez vllazën,të mos gabohemi me ba ndonji tradheti kundra atdheut.Vini re vllazën,se tradhëtia kundra atdheut bahet shumë lehtë,Zot,na ruej ! Tue pa se Atdheut i drejtohet nji rrezik e me heshtë,edhe kjo asht nji tradhëti “.( Vehbi Dibra , ” Ç’urdhëron Kurani” faqe 44 ).

Por jo vetëm kaq meqë nuk duhet të harojmë se në vitet 1920-1921,kur Shqipëria nuk ka pasur më shumë se një milion e 100 banorë ( fjala është për banorët e shtetit amë,të Shqipërisë londinese),gati 250 mijë i përkisnin besimit bektashian.Në vitin 1920,në shtetin amë,janë numëruar më shumë nga 50 teqe,më të përhapurat në Krujë,Dibër,Përmet,Elbasan,Kolonjë e Gjirokastër.Në favor të përhapjes dhe zhvillimit të besimit bektashian erdhi një prej neneve të statutit të miratuar në Kongresin  e Lushnjës ku thuhej shprehimishtë se ; “Shqipëria,njeh dhe mbron baraz,synizmën,bektashizmën, ortodoksizmën dhe katolicizmën”.

Më 17  janar 1921,në teqenë e Prishtinës, u mbajt Kongresi i parë Bektashian.Aty muarën pjesë baballarë nga 37 teqe kryesore të Shqipërisë,të cilët përfaqsonin numërin e konsiderueshëm të bektashinjëve të asaj kohe.Në fillim,një komision i posaçëm hartoi statutin lidhur me drejtimet e mëvonshme,ky statut u diskutua dhe gjykua nen për neni.Ky statut i cili u quajt “Lidhja Bektashiane” në thelb,pasi shprehte organizimin dhe veprimtarinë e ardhshme,sanksiononte krijimin e Kongresit Bektashian Shqiptar.Përsa u përket lidhjeve të këtij komuniteti,me teqenë e madhe të  Haxhi Bektash Veliut në Turqi,ata u sanksionuan më tepër në rrafsh moral,ndërsa në thelb qoftë në Statut,qoftë në verpimet e tjera parashihej pavarësia e plotë e besimit bektashian.

Gjashtë muajt më pas,më 18 qershor 1921, në teqenë e Baba Xhemalit në Përmet,u mblodh kongresi i  dytë i klerit bektashian.E vërteta është se midis problemeve të tjera,aty u diskutuan edhe mënyra për t’u miratuar prej qeverisë shqiptare statuti “Lidhja Bekatashiane” i cili shprehtë pavarsinë e besimit bektashian.”Kongresin e drejtoi Baba Ahmeti.Në të mori pjesë edhe përfaqsuesi i qevreisë shqiptare… U vendos që nëpërmjet nënprefektit të Përmetit t’i kërkohej qeverisë të miratone statutin e përgaditur nga mbledhja e Prishtinës,për të vënë në veprim vendimet e këshillit të mësipërm që do të jepeshin mbi organizimin e teqeve”.  ( Arkivi  Qendror  i shtetit – Tiranë, fondi 252 , dosja 89 , fleta 8 ).

Në vitet e më pastajme,kur Ahmet Zogu u zgjodh kryeministër i Shqipërisë,teqet shqiptare patën një lulëzim të dukshëm.Nën kujdesin e drejtëpërsëdrejti të tij,u ngrit mësonjëtorja bektashiane e cila përgadiste kuadro të besimit bektashian,me ç’rast ata shpërndaheshin në krejt teqetë e Shqipërisë. Veçanërisht në momentet kur besimi bektashian u godit rëndë në Turqi , në Tiranë, u vendos Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane,roli dhe ndihmesa e Ahmet Zogut janë të dorës së parë.Përfaqsuesi i qeverisë për besimin fetar,do të informonte rregullisht Ahmet Zogun si kryeministër, e më vonë Mbret i Shqiptarëve,për gjithshka që lidhej me organizimin e punëve në Kryegjyshatë,hallet dhe vështirësitë që kishin baballarët dhe dërvishët e teqeve të largëta. Me propozim dirket të Ahmet Zogut,më 1930 Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë i akordohet nga fondi i qeverisë 1000 franga ari,me të cilat u hodhën themelet e ndërtesës që ende sot shërbenë si Seli e Shenjtë e Kryegjyshatë.Ahmet Zogu kurdoherë do të gjente kohë për të biseduar me Kryegjyshin Botërorë,duke
kërkuar pos të tjerave që Dërvishë apo Baballarë të shkolluar në Shqipëri,të mund të shkonin të ushtronin ritet fetare,sidomos në trojet tona,të mbetura jashtë shtetit tonë amë si në Kosovë,Maqedoninë shqiptare e çamëri.Ai burrë i madh i shtetit,ishte i bindur se bektashizmi i zhvilluar në trojet shqiptare,do të jepte ndihmesë të madh drejt bashkimit të kombi dhe atdheut shqiptar ,ashtu sikundër e patën provuar ngjarjet kulmore të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit dhe shpallja e pavarsisë në Vlorë.

Dihet tanimë se në qershorin e vitit 1928,pas krijimit të qeverisë së re,Mbreti i Shqiptarëve,Ahmet Zogu,dekretoi datën 5 gusht 1928,për mbledhjen  e Kuvendit Kushtetues,me ç’rast do të rishikoheshin ndryshimet e mundshme në Kushtetutë. Më 1 shtatorë 1928,në mënyrë unanime,Kuvendi Kushtetues,aprovoi ndryshimet në Kushtetutë,me ç’rast Shqipëria quhej shtet i pavarur me tërësi tokësore të pandarë,të pacënueshme dhe të patjetërsueshme.Ajo shpallej Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe të trashëgueshme,me Mbret të Shqiptarëve Naltëmadhërinë e tij, Zogu i Parë. Gjithashtu kjo kushtetutë sanksiononte se “Shteti shqiptar do të kishte karakter laik, por fetë dhe besimet e ndryshme fetare gëzonin lirinë e ushtrimit të tyre që gëzoheshin me ligj,por s’do ndërhynin në punët e brendshme të tij”( “Shqipnija më 1937 “ faqe 7 ).Me këtë nen të Kushtetutës,Mbretëria shqiptare e atyre viteve,është radhitur ndër popujt e përparuar të Evropës ku besimet fetare janë vënë plotëisht në harmoni me lirinë personale të njeriut.Por nëse me besimet myslimane,katolike dhe bektashiane vështirësitë kryesore ishin kapërcyer,një gjë e tillë nuk kish ndodhur me kishën ortodokse shqiptare.

Historia e marëdhënieve të kësaj Kishe me ate të Fanarit,ka qenë mbushur me ngjarje të pakëndshme për të mos thënë me luftë të hapur ndaj njëra tjetrës.Është kjo arsyeja që Mbreti Zog,vetëm disa muaj  pas marrjes së këtij funksioni,ndërmori hapa konkrete edhe për pavarsinë e kishës ortodokse shqiptare.Kështu,në fillim të vitit 1929,në bashkëpunim edhe me krerët e lartë të hierarkisë kishtare,qeveria shqiptare shprehu mendimin për shkëputjen e kishës shqiptare si prej Stambollit,ashtu edhe prej Athinës.Madje për këtë,u dërgua në Stamboll edhe një përfaqsues i qeverisë shqiptare,anipse ky vendim nuk u pëlqeu as Athinës as Stambollit.Klerikët e lartë të Fanarit,dërguan disa kushte në Tiranë,të cilat jo vetëm nuk lejonin pavarsinë e kishës shqiptare,por e ndërvarnin akoma më shumë ate ndaj qëndrimeve të Fanarit.Në këto kushte Mbreti Zog nuk mund të rrinte duarkryq.Ai duke marrë edhe mendimet e atdhetarëve të tjerë shqiptarë,të të gjitha besimeve fetare,në një prej mbledhjeve të Këshillit të Ministrave,thirri të pranishëm imzot Visarionin duke e propozuar në funksionin e Mitropolitit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare,njëkohësisht edhe me detyrën e Peshkopit për Durrës dhe Tiranë.Nisur nga idetë,që udhëhiqnin Mbretin Zog për këtë propozim,Këshilli i Ministrave e miratoi poltësisht fjalën e tij,madje imzot Visarioni i pranishëm në këtë takim falenderoi nxehtësisht Mbretin lidhur me kujdesin e madh të tij ndaj besimtarëve ortodoks shqiptarë.

Kështu,më 18 shkurt të vitit 1929,mes një gëzimi të madh në qytetin e Korçës,u zhvillua ceremonia e krijimit të Sinodit të kishës shqiptare.Për herë të parë në histori,u mbajt një meshë në gjuhën shqipe,në mënyrë legale me pjesmarrjen e mijëra qytetarëve korçarë.Imzot Visarioni,nuk harroi të shprehte në fjalën e vet,në emër të besimtarëve ortodoks shqiptarë,mirënjohjen për Mbretin Zog i cili po vendoste themelet e pavarsisë së kishës  shqiptare.Po ate ditë është vendosur që edhe Korça,të ket pasur në gjirin e vet Selinë e shenjtë të kësaj kishe.Pas kësaj ka qenë vetë Mbreti Zog, i cili së bashku me diplomat e emërimit si peshkop,u dërgoi klerikëve të lartë shqiptarë,letër falenderimi nga ana e tij,ku vinte në dukje guximin e tyre për t’i shërbyer besimit fetar dhe atdheut. Ai shprehte bindjen se vepra e tyre në rrafsh të pavarsisë së kishës ortodokse shqiptare,do të çmohej kurdoherë jo vetëm prej besimtarëve ortodoks por prej krejt shqiptarëve.Ky qëndrim dhe veprim i guximshëm i qeverisë shqiptare të asaj kohe,do të shkaktonte fortuna të vërteta në strukturat e Fanarit.Ky jovetëm që nuk e njohu pavarsinë e kishës shqiptare,por mori një sërë masash që synonin në pengimin e ushtrimit të riteve fetare nga peshkopët shqiptarë.Për më tej,me dekret të posaçëm,Fanari  ç’kishtëroi peshkopët shqiptarë që kishin pranuar detyrën duke ua komunikuar këtë vendim të gjithë kishave ortodokse jashtë Shqipërie.Me tërë këto presione u njoh menjëherë qeveria shqiptare e cila,bënte atë ç’të mundëte që mekanizmi i pavarsisë së kishës ortodokse të funksiononte normalisht : “Mbreti Zog u kundërpërgjigjej duke dëbuar nga Korça mitropolitin Hierotheun, i emëruar nga Stambolli.Shtypi i Athinës e cilësoi veprën e qeverisë shqiptare si një padrejtësi ndaj pakicës greke,që gjoja po shkëputej me forcë nga Patriarkana e Stambollit,duke iu imponuar liturgji në gjuhën shqipe.Ndërsa zyra e shtypit e ministrisë së jashtme në Tiranë,i’u përgjegj se shteti shqiptar s’kish bërë tjetër,veç kish zbatuar parimin e njohur dhe aplikuar në tërë ballkanin,sipas të cilit çdo shtet i pavarur kish të drejtë të kishte kishën e vet kombëtare”.

( I . Ushtelenca “ Diplomacia e Mbretit Zog i Parë “- Tiranë 1996 , faqe 225 ).

Edhe Fan Noli më 1933,përshëndet guaimi e padiskutueshëm përmes një letra Mbretin Ahmet Zogun.Është i njohur fakti se pas këtij fakti,Patriarkana e Stambollit dhe kisha greke nuk njohën pavarsinë e kishës shqiptare,madje edhe për vite të tëra nuk pushuan luftën e hapur të tyre.Ndërsa kishat e vendeve të tjera e njohën pavarsinë e asaj  shqiptare dhe ndërtuan marëdhënie të mirëkuptimit të ndërsjelltë me të,mandej këto marëdhënie u shtrinë deri në dërgimin e priftërinjëve në ato dioqeza ku këta,në ato vite patën munguar.

Për vetë kushtet historike,në Shqipëri ç’prej shekujsh ishte zhvilluar edhe besimi Katolik.Ndonëse në dy tri enklave të përcaktuara qartë etnikisht si Mirdita,Kurbini e Shkodra,sigurisht që edhe ky besim u muar menjëherë në mbrojtje nga statuti i Mbretërisë Shqiptare.Gjithsesi,për shkak  se krerët e lartë fetare katolike,nuk kërkuan asnjëherë shkëputjen e tyre nga Vatikani,qeveria shqiptare e asaj kohe,nuk mund të ndërmerrte veprime konkrete duke mos dashur të cënojë lirinë e besimtarëve katolikë.Për më tej ishte po kjo qeveri, e cila mundësoi deri në pagesë,ngritjen e famullive të largëta,apo pasurimin e bibliotekave të qytetit të Shkodrës me literaturë katolike.E vërteta është  se pas shpalljes së pavarsisë së kishës shqiptare,(ku i jepej një goditje e rëndë helenizmit që donte të depërtonte në jugun e shetit amë) nisi të lëvize në mënyrë diplomatike edhe Italia,kishte marrëveshje të detajuar me greqinë,lidhur me zonat e influencës së kishave,ndaj ajo nuk priti mirë pavarsinë e kishës shqiptare.Është kjo arsyeja që nëpërmjet burimeve diplomatike,Italia ndërhyri pranë Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu,për të riparë marëdhëniet me kishën greke,por përgjigjja e burrit të Matit,ishte tejet diplomatike,ai u përgjigj se ato ishin objekt i mekanizmave fetare të qeverisë,por aspak shqetsime personale të tija.

Hapi tjetër i vendosur i Mbretit Zog,lidhur me besimet fetare,në Shqipëri,ishte institucionalizimi i Kodit Civil,ku këto besime jo vetëm mbroheshin por më së shumti zhvilloheshin nga shteti,duke ndaluar çdo dasi ndërmjet tyre dhe duke konfirmuar dhe inkurajuar vetëm tolerancën midis besimeve dhe besimtarëve shqiptarë.Posaçërisht për këtë problem,ku nënvizohej ideja që besimet fetare të konvergonin në dashurinë ndaj atdheut,shtypi shqiptar ka shkruar ; “Hyrja e kodit civil në fuqi,në vitin 1929, inaguroj hyrjen zyrtare në fuqi të Biblës sënjëshmërisë sonë kombëtare civile,të trashëguara nga stërgjyshërit tanë,Pellazgët ose Thrako-Ilirët.Autoqefalia e kishës ortodokse ,krijimi i Komitetit Mysliman,themelimi i Kryegjyshatës Bektashiane,atdhedashuria e klerit katolik në Mbretërinë Shqiptare kanë qenë … lëndët më të para,nga të cilat kombi po pret,me mbretin e madh,Zogun e vet në krye,ta shenjtërojë edhe fetarisht këtë “Njëshmëri” të bekuar nga Perendija vetë që e ka krijuar “ .(Gazeta “ Drita “ Tiranë më 21 mars 1937 ).

Duke inkurajuar tolerancën fetare ndër shqiptarët,në fakt,Mbreti Zog,risillte në kujtesën e popullit të vet,ate tolerancë të trashëguar tradicionalisht midis besimeve fetare në Shqipëri.Gjatë gjithë qeverisjes së tij,ai u kujdes që këto besime dhe religjionet përkatëse të gjenin repsektimin e plotë në qeveri,npërmjet ministrave të kabinetit,ai çoi më tej traditën e bashkëpunimit të religjioneve fetare,të nisur qysh me Lidhjen Shqiptare të Prizërenit.Duke marrë personalisht pjesë,në ditët e shënuara të besimeve fetare,në ritet por edhe shqetsimet e tyre,Mbreti Zog,respektonte Zotin, së pari si njeri e mandej si adhurues shpirtëror i besimit mysliman që ishte, por dhe të besimeve të tjera të kombit të vet shqiptar.

Në vitet 30 të shekullit të kaluar,atëhrë kur vende ballkanike  e përtej tyre,ishin përleshur dhe përlesheshin etnikisht për shkak të besimeve të tyre fetare,në Shqipëri mbizotëronte ideja e madhe e shqiptarizmës.Dhe kjo smund të ishte diçka kafshërore,ky unitet fetar nuk kish rënë nga qielli.Ai ishte edukuar dhe edukohej deri në shkollat e mbretërisë shqiptare.Udhëtarë të huaj që patën ardhur ato vite në Shqipëri shkruajnë tekstualisht : “Duke i dhënë fund udhëtimit në Shqipëri,theksojmë një Dekret Mbretëror të ri,i cili detyron mësimin fetar në shkolla të shtetit.Të gjithë edukatorët e kanë pritur me gëzim dekretin sepse ata nuk mund të mohojnë se detyra e parë e edukatorit është formimi i karakterit të fëmijës që u është besuar.Pra asnjë formim nuk është i mundur pa moral,ashtu siç nuk ka moral pa besim” .( Paul Goujon  “ La Tribune de Genere” më 9 prill 1937 ).

Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu  dhe mbretëria shqiptare u bënë shembull për shumë shtete evropiane.Kushtetuta Mbretërore ishte ndër më të përmendurat dhe ajo mbetet edhe sot e kësaj dite,aty  jo vetëm që rregullohet e drejta e besimeve fetare,por përmes tyre përcillen edhe mesazhet e dashurisë për Atdheun dhe Kombin shqiptar.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe ebsimet fetare, Mbreti Zog

QETSOHUNI TË GJITHË- 2013 NUK ËSHTË 1992

August 22, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Është ndezur media dhe interneti, por edhe politikanët shqiptarë kanë dale nga binarët e trenit me reagimet e tyre nga një deklarate të ditëve të fundit të ambasadorit amerikan në Tiranë, Z. Aleksandër Arvizu, i cili duke komentuar mbi zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, citohet të ketë thënë pardje në Jale të Vlorës se,  “Zgjedhjet e 23 qershorit, 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin”.  Po të lexosh reagimet ndaj kësaj deklarate duket sikur Ambasadori Arvizu hodhi një bombë në marrëdhënjet shqiptaro-amerikane. Tani, pa marrë parasyshë deklaratën e ambasadorit Arvizu, duhet të jemi të qartë, por edhe të sinqertë se Shqipëria e vitit 2013, nuk është Shqipëria e vitit 1992, në asnjë mënyrë, as nga pikpamja e zgjedhjeve, as nga pikpamja e asgjëje.  Sa për informacion, për ata që ndofta nuk e kanë parë Shqipërinë e vitit 1991-1992, ose për ata që me dashje dhe për dobi politike,  preferojnë të harrojnë të zezat e regjimit komunist të Enver Hoxhës —  unë isha atje me delegacionin e parë e diplomatik amerikan në atë kohë dhe u garantoj se Shqipëria e sodit  ndryshon me Shqipërinë e viti 1992, si dita me natën, nga çdo pikpamje, për më mirë.

Ai qe mendon ndryshe e ka humbur busullen e arsyesë dhe të gjykimit të së drejtës dhe të vërtetës. Nuk jam i sigurt se çfarë ka dashur të thotë ambasadori Arvizu me deklaratën e tij në Vlorë, por jam i mendimit se edhe ai e sheh tani se mund ta ketë thënë këtë gjë në një mënyrë tjetër  dhe nuk është vonë që të thotë, “What I actually meant to say is……. “, ajo që në të vërtetë deshta të thoja është…..Sepse edhe ambasadorët, njerëz janë, bëjnë gabime, gafa dhe jam i sigurt se Z. Arvizu e pranon se edhe ai në kapacitetin e tij si përfaqsues i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, dhe më pare gjatë karjerës së tij, ka thënë gjëra që mund ti kishte komunikuar ndryshe.   Por ambasadori duhet të jetë i kujdesshem dhe t’i mate fjalët me kujdes sidomos në një atmosferë të polarizuar politike dhe mediatike si ajo e Shqipërisë. Duhet të jetë i vetdijshëm, se çdo fjalë që ai thotë do të interpretohet për tua përshtatur qendrimeve dhe interesave politike të momentit të palëve të ndryshëme politike dhe medias shërbetore të tyre.  Është i çuditshëm fakti se edhe sot  pas 20 vjetë marrëdhënjesh midis Shteteve te Bashkuara dhe Shqipërisë, klasa politike shqiptare por edhe media që e ndjekë e përkrahë atë, ende nuk e kanë kuptuar  esencën e zhvillimit dhe qellimin e këtyre marrëdhënjeve.    Shpeshëherë edhe   ambasadorët amerikanë, dashtë e pa dashtë, kanë renë viktima të këtij menatiliteti politik e mediatik, ku ecuria e këtyre marrëdhënjeve dhe deklaratat e ambasadorëve amerikanë — duke u nxjerrur krejtsisht nga konteksti — përdoren nga njëra ose tjetra palë për qëllimet e tyre politike të momentit.  Kur  më përshtatet mua, ambasadori flet në emër të Shteteve të Bashkuara, por kur ai thotë diçka që nuk më pëlqen mua, atëherë ambasadori amerikan flet në kokë të vet dhe nuk përfaqëson Amerikën. Këjo fatkeqsisht ka qenë vazhdimisht vlerësimi i punës së ambasadorëve amerikanë në Shqipëri.

Fatkeqsisht, kështu ndodhi edhe kësaj radhe.  Ajo që tha Arvizu në Vlorë, jo vetëm atribohet atij me seriozitetin më të madh, sikur ai  I vuri vulën, e tha Arvizu, tani nuk e luan toka!  Por, për më tepër, për të përdorur këtë deklaratë për qëllimet e veta politike kundër pales tjetër, thuhet se ambasadori Arvizu e bëri ketë deklaratë në emër të Shteteve te Bashkuara.  Madje, ministri i ardhëshëm i punëve të jashtëme të Shqipërisë Ditmir Bushati, duke komentuar deklaratën e Ambasadorit Arvizu në Vlorë — në një përpjekje shterpë për të përfituar pikë për partinë e tij nga një gafë — tha se Arvizu flet në emër të Shteteve të Bashkuara. Duke iu referuar  qeverisë në ikje, ministri i ardhëshëm shqiptar tha se ata “Nuk duan të kuptojnë që Ambasadori është përfaqësues i Presidentit dhe flet në emër të SHBA?! ”

S’ka lojë!  Këtë, sipas Z. Bushati, e vulosi ambasadori amerikan, Shqipëria e 2013 është si Shqipëria e 1992 dhe tani jemi ne kalorësit e ketij vendi që do ta bëjmë Shqipërinë lule.  Nëqoftse ministri i ardhëshëm i punëve të jashtëme i Shqipërisë – i cili do të ketë përsipër zhvillimin e këtyre marrëdhënjeve — mendon se Amerika nuk ka  problem të tjera veç të udhëzoj ambasadorin e vet në Tiranë se çdo të thotë çdo ditë dhe se deklarata e  Z. Arvizu në Vlorë, është me të vertetë qendrimi zyrtar i Amerikes, atëherë… Besoj se edhe vet ambasadori Arvizu do të thonte se për çdo gjë që prononcohet në Shqipëri, ai nuk shprehet me doeomos në emër të Shteteve të Bashkuara.  Por është e vërtetë se ai është përfaqsues i presidentit dhe i adminstratës amerikane në fuqi, por nuk besoj që ai të jetë  këshilluar me Departamentin e Shtetit Amerikan per  komentin, tani famkeq, që ai bëri duke krahasuar zghedhjet e vitit 1991 dhe ato të këtij viti.

Nga ana tjeter, maxhoranca në ikje, të pakën nepërmjet një zëdhënsje, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila sipas medias shqiptare vuri në shënjestër përfaqsuesin amerikan për deklaratëpn e tij në Vlorë,  u shpreh ashpër dhe në mënyrë denigruese ndaj  Ambasadorit amerikan duke thënë se “Një vend të madh nuk e përfaqëson dot një njeri i vockël!  Për më tepër me miopi të theksuar historike e politike.”

Ndonëse, Zoti Arvizu kësaj radhe, pa dashje, mund të ketë shkaktuar vet ketë rrëmujë në media si dhe reagimet e ndryshme politike me deklaratën e tij të pakujdesëshme në Vlorë — edhe kësaj herë si gjithëherë më parë, ato që thotë një përfaqsues amerikan —  lëvdohen nga njëra dhe kritikohen e denigrohen nga tjetra palë, varësisht interesave politike partiake të momentit. Fatkeqsisht, këjo bëhet nga të dy palët, gjithmonë pa marrë aspak parasyshë interesat afatgjata të mbarëvajtjes së  marrëdhënjeve strategjike shqiptaro-amerikane, për kombin shqiptar. Kështu ka ndodhur me secilin ambasador amerikan në Tiranë gjatë këtyre 20 vjetë marrëdhënjesh diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar.  Fatkeqsisht asnjëri prej tyre nuk është larguar nga Tirana, pas mbarimit të mandatit të tyre, pa kritika nga njëra ose tjetra palë.  Ky trajtim, megjith të metat që mund të kenë pasur ata si njerëz dhe si diplomatë, nuk është i denjë për përfaqsuesit e një vendi e miku të madh që vetëm ia ka dashur dhe ia do të mirën kombit shqiptar.

Marrëdhënjet diplomatike miqësore të Shteteve të Bashkuara me kombin shqiptar nuk qenë dhe as nuk janë me një parti politike ose me një tjetër, as me ndonjë politikan ose grup politikanësh, por me popullin shqiptar dhe në interesin afatgjatë të shqiptarëve. Prandaj, qetsohuni, Amerika do të jetë aty, si gjithmonë për kombin shqiptar, për derisa Shqiptarët të dëshirojnë një gjë të tillë.

Në të njëjtin takim në Vlorë foli edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, (BE) Ettore Sequi, i cili nënvijoi sfidat me të cilat përballet Shqipëria për antarësimin e saj në BE, ku ai theksoi  veçanërisht zgjidhjen e çështjes së pronësisë, një çështje këjo gjithnjë e pazgjidhur për shumë shqiptarë dhe njëra nga trashëgimitë e zeza të sistemit komunist që u rrëxua më 1991.

Politikanët shqiptarë dhe media që i shërben atyre, do bënin më mirë që tu kishin venë veshin më me kujdes fjalëve të ambasadorit Sequi, që Shqipëria të plotësojë standardet dhe kërkesat evropiane për antarësim – gjë që për çdo politikan të ndërgjegjshëm shqiptar — duhet të jetë një përparsi këjo e interesit kombëtar për të gjithë  – në vend që të harxhojnë kohë e të prishin kot nervat nga një “lapsus linguae” e ambasadorit amerikan.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, nuk eshet Shqiperia e 1992, qetsohuni, Shqiperia e 2013

TIRANA DHE PRISHTINA NË GARË PËR DESHQIPËZIMIN E SHQIPES

August 22, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Jeni duke folur e punuar shqipen për ta deshqipëzuar, kombin për ta shkombësuar, shqiptarët për t’i deshqiptarizuar. Nëse do të kishim parasysh realitetin e sotëm të politikës ndaj gjuhës shqipe në Tiranë e në Prishtinë, kjo do të ishte anasjella e vargjeve që dikur Lasgush Poradeci, plot lavdërime të merituara, ia kushtonte Asdrenit: “Pate shkruar e punuar/ Kombin për t´a kombësuar,/ Shqipen për t´a shqipëzuar”.
Në Prishtinë, me dijetarë të shqipes së lëvruar, kryesisht nga dy kryeqytetet tona po mbahet Seminari i Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare, një nga veprimtaritë më me traditë dhe më me vlerë të kësaj natyre ndër ne shqiptarët. Pa i paragjykuar tematikat e punimeve të seminarit, e shoh të udhës dhe të kohës t’ua kujtoj atyre disa nga prirjet e mbrapshta të përdorimit të shqipes në mediat tona të shkruara e të folura nga prezantuesit, nga folësit, nga gazetarët si dhe nga qeveritarët e zyrtarët e tjerë shqiptarë, kryesisht në Tiranë e në Prishtinë.
Këto prirje, mendoj unë, vijnë si veprime të qëllimshme, aq sa si shkujdesje, të dyja dukuri të pafalshme, sa dhe të dënueshme e të palejueshme.
Vërej se në mediat e Tiranës dhe në foltoret e tjera zyrtare po merr përmasa të pandalshme të qëllimshme prirja për toskërizimin e shqipes letrare (standarde), duke e kthyer atë në fazat e pakultivuara të këtij dialekti, ku çdo nëndialekt dhe çdo e folme e kujtdofolësi me prejardhje nga ato zona merret si letrarishte (standarde) e mirëqenë. Kjo e çon dëm mundimin të paktën 105 vjeçar, që nga Kongresi i Manastirit, për njëjtësimin e shqipes, duke e thelluar hendekun, duke i larguar dy dialektet kryesore. Unë nuk jam as për revansh as për kundër-revansh mes tyre, jam për rrjedha të natyrshme afruese, për thellim dhe pasurim të natyrës së shqipes letrare dhe për ruajtje, gjallërim e përfshirje gjithnjë e më të madhe të të gjitha dialakteve kryesore dhe të gjitha burimeve të tjera të sotme e historike gjuhësore në punët e shqipes letrare.
Gjithnjë në mediat e Tiranës, e shoh – tashmë – si një shkujdesje të tepëruar, përherë e më shëmtuese prirjen për të mos i përshtatur emrat me përcaktorët e tyre (mbiemra, përemra, numërorë rreshtorë e tjerë) në numra (njëjës e shumës), por edhe në gjini (mashkullore dhe femërore). Kjo prirje është gjithnjë e më stihike sidomos në përdorimin e emrave dygjinorë (ambigjenë), aq të shumtë në shqipe – ku shumë emra mashkullorë, kur kalojnë në shumë marrin gjininë femërore, kështu që mbiemrat e tyre, përemrat, rreshtorët e tjerë, që marrin është e domosdoshme të jenë në femërore. Kjo karakteristikë e shqipes, ndër më të qenësishmet, nuk respektohet. Do të isha i gatshëm ta pranoja këtë shkujdesje si një prirje për zhdukjen e dygjinishmërisë në shqipe, por unë e vërej se folësit e shqipes në mediat e Tiranës, pa çarë kokën, emrave mashkullorë iu vënë përcaktorë femërore, ndërsa atyre femërorë iu vënë përcaktorët mashkullorë. 
Duke u zhvendosur tek mediat e Prishtinës vë re prirjen e përdorimit të tepëruar të tingullit ‘ll’ deri në atë masë, ndoshta, sa të rrezikojë kundërvënien ndaj ‘l’. Sidomos kjo të vret veshin (dhe sytë) kur dëgjon (lexon) përdorimin e emrave të përveçëm të huaj me përkatësi nga gjuhë që nuk e kanë fare tingullin ‘l’, siç janë gjuhët gjermanike (gjermanishte, suedishte, norvegjishte, danishte e tjerë), neolatine (italisht, frëngjisht, spanjisht, e tjerë). Këtë prirje e vë re, mjerisht, edhe tek përdorues intelektualë, pra çka do të parakuptonte të kishin vetëdijë të lartë gjuhësore.
Në këto media tërheq vëmendjen përdorimi i gabuar i foljeve – si përdorimi i kohëve të përbëra të së shkuarës në vend të kohëve të thjeshta (e kryer e thjeshtë, e pakryer), ku e kryera e thjeshtë sidomos nuk përdoret pothuajse fare; përdorimi i gabuar i vetës së tretë njëjës të kohës së ardhshme, si dhe i vetës së tretë njëjës të së tashmes së lidhores; përdorimi i pësores në vend të veprores.
Gjithashtu në këto media vihet re përdorimi i gabuar i emrave – përdorimi i kundrinorëve me parafjalë në vend të kundrinorëve të drejtë. 
Në mediat e të dyja kryeqyteteve vihet re vërshimi i pafund, krejtësisht i pakontrolluar, i fjalëve të huaja kryesisht të panevojshme dhe mungesa e çdo dëshire, çdo vullneti, çdo kujdesi nga ana e folësve për t’i zëvendësuar ato me fjalë të brumit shqip.
Më alarmantja, më fatalja, mendoj unë, është prirja për të futur në shqipe shprehje gjuhësore të huaja, në formën e kalkeve sintaksore, duke përdorur struktura, fjali dhe fraza (periudha) të tëra me fjalë shqipe, por me sintaksa të huaja. Në mediat e Tiranës këto kalke vijnë nga ndikimi i greqishtes, italishtes, anglishtes e më pak frëngjishtes. Ndërsa në Prishtinë këto kalke vijnë nga ndikimi i gjuhëve sllave dhe më pak nga ndikimi i gjermanishtes dhe i ndonjë gjuhë neolatine.
Është e habitshme që Tirana dhe Prishtina nuk janë marrë vesh ende deri sot për njëjtësimin e termave teknikë të përdorimit të specializuar në fusha të tilla të ndjeshme si ato politike, ekonomike, kulturore e tjerë, ku për të njëjtat institucione ose dukuri përdoren terma krejt të ndryshme, ndonëse Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë të dyja shtete shqiptare.
Gjithashtu më shqetëson fakti se Tirana dhe Prishtina nuk merren ende vesh për njëjtësimin e qëndrimit ndaj përdorimit të emrave të përveçëm të huaj në alfabet latin ose të burimeve të tilla në mediat tona të shkruara. 
Për sa më sipër, unë mund të sillja këtu shembuj të panumërt ilustrues, por këtë nuk e bëj, sepse e ndjej se kjo, pavarësisht shkallës së lartë të formimit tim filologjik, nuk është detyra ime. Kjo është detyra e gjuhëtarëve, është detyra e mësimdhënësve, është detyra e Akademive, Universiteteve, e katedrave të gjuhës shqipe, e institucioneve shkencore që paguhen për mbarëvajtjen e gjuhës shqipe. 
Një ndër detyrat kryesore dhe të shenjta të gjuhëtarëve dhe gjuhësisë është pikërisht dallimi në kohë i prirjeve të një gjuhe, pengimi i prirjeve të dëmshme e të mbrapshta dhe nxitja e përkrahja e prirjeve të dobishme e pozitive. Për ta kryer këtë detyrë gjuhësia dhe gjuhëtarët lipset të kenë vetëdijën gjuhësore qytetare më të lartë të shoqërisë përkatëse. 
Në Tiranë dhe në Prishtinë është koha që ta kuptojnë se nuk ka shtet në botë pa politikë gjuhësore, sikurse nuk ka shtet në botë pa politikë kulturore. Nuk ka shtet në botë që, në qendër të politikës së tij kulturore, nuk e vë politikën gjuhësore. Gjuha amtare është thelbi i identitetit kulturor të një kombi. Rrudhja e gjuhës amtare është rrudhje e identitetit kulturor të një kombi. Në botë ekzistojnë ose rrudhje kulturore, ose ekspansionet kulturore, rrugë të mesme nuk ka.
Dikur në Tiranë, pranë qeverisë, ka ekzistuar Shërbimi i Këshillimeve Gjuhësore. Ai nxirrte, ndër të tjera, revistën Gjuha Jonë, që merrej me anë të ndryshme të përdorimit të përditshëm dhe të kultivuar të shqipes, me pastrimin dhe pasurimin e saj. Të njëjtën gjë bënte në Prishtinë revista Gjuha Shqipe, si dhe rubrika të ndryshme në botimet periodike, në botimet e tjera, në radion dhe televizionin e Prishtinës. Një shërbim i tillë i rikthyer do të ishte një ndër masat urgjente për të marrë në dorë gjendjen e dobësuar dhe të çoroditur të shqipes.
Natyrisht, përgjegjshmëria ndaj gjuhës amtare do të parakuptonte një strategji të përbashkët shtetërore në Tiranë dhe në Prishtinë, e cila të pasqyrohej në një politikë të përbashkët shtetërore, në një politikë kombëtare gjuhësore, e ndërtuar kjo mbi bazën e ligjësive të gjuhës shqipe dhe e zbatuar në programet parashkollore, shkollore e universitare, në administratat, në mediat e sa më gjerë, në krejt shtrirjen.
Gjuha letrare është hapësira ku takohen, bashkëveprojnë, ndërveprojnë, ndikojnë dialektet dhe të folmet. Detyra e saj kryesore dhe e shenjtë është vënia e folësve të saj, e lëvruesve të saj në marrëdhënie sa më optimale mes tyre, vënia e dialekteve dhe të folmeve përbërëse në marrëdhënie sa më optimale mes tyre, vënia e breznive trashëguese të kësaj gjuhe në marrëdhënie sa më optimale mes tyre, vënia e marrëdhënieve sa më optimale mes saj dhe gjuhëve të tjera, sa më shumë gjuhëve të tjera, sa më shumë kulturave të tjera, pra mbi baza sa më të barabarta sa më të dinjiteshme, sa më të kujdesshme, sa më pak të druajtura, sa më pak të shkujdesura.
Nuk ka komb të kulturuar që të mos jetë i interesuar dhe i përkushtuar që gjuha e tij amtare të flitet dhe të shkruhet me sa më kompetencë nga të gjithë anëtarët e tij, brenda hapësirës së tij kombëtare dhe kudo tjetër që kjo gjuhë është mbartur, është trashëguar, është përcjellë. Nuk ka komb të kulturuar që do t’ia lejonte vetes të ketë pasardhë të cilët nuk e përdorin dot apo nuk e përdorin me kompetencë gjuhën amtare, shprehja më e konsoliduar e së cilës është gjuha letare (pra, standarde). Dhe nuk ka komb të kulturuar që të mos interesohej të përkushtohej që gjuha e tij amtare të pëlqehet dhe të përvetësohet nga sa më shumë folës të huaj.
Dhe nuk ka shtet të përgjegjshëm që të mos jetë i interesuar e i përkushtuar, me vetëdijë e përgjegjshmëri sa më të lartë, t’iu përgjigjet interesave dhe përkushtimeve kulturore të kombit të tij.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e shqipes, me prishtinen, per deshqipezimin, Skender Bucpapaj, Tirana ne Gare

Serbi ,turku këndej , greku andej !

August 22, 2013 by dgreca

Ne Foto: Vallja e Virgjireshave/

Nga Fahri XHARRA/

E moj shqiptari ,po në zgripc të madh që je !. T`janë vërsulur nga të gjitha anët: të duan shumë e jo nga dashuria për ty , por nga lakmia  për të copëtuar dhe nga ty të bejnë një darkë të madhe dhe përfundimisht t`i mbarojnë edhe eshtrat ,që të zhdukësh nga faqja e dheut . Mos jam gabim?

“Është lojë e gjatë e fqinjit mosmirënjohës..! Posa mori Epirin shqiptar

të Jugut-Camerine..Venizellosi nguli syte nga Epiri i Veriut e shpalli se «kombësia është çështje ndërgjegjeje». Shpallën teorinë….vetëm për Shqipërinë se «çdo ortodoks është grek» (pohim i thënies së lashtë «Ujku sulmon me dhëmbë, demi me brirë, greku me kishë)». Që më 1912 Konica i shkruan mikut të tij, Pashko Bardhi: «Dua të vizitoj Greqinë por kam frikë se do kërkojnë të më bëjnë grek»!..Athina kërkonte dhe Korçën, e atdhetari i nderuar Dr. Turtulli i foli Konferencës së Paqes në Paris, fjalët e pa harrueshme: «Unë jam prej Korçe ku kam ushtruar mjekësinë. Jam një burrë plak e i ndershëm. Unë shpall këtu në mënyrë të prerë se, nuk ka asnjë banor grek as në qytet, as në rrethin e Korçës. Grekët quajnë grekë ata të fesë ortodokse. UNE JAM ORTODOKS PRA, POR NUK JAM GREK !! ”

“Cfare po na shohin sytë! Një grup arrogantesh, të mbledhur si helmi i gjarprit në autobuzë dhe disa të veshur me rroben e priftit, ushtrojnë dhunë skandaloze ndaj punonjësve te veshur me uniformë! Si ështëe mundur që qytetarët e Përmetit bëjnë sehire një turp të tillë?! Janullatos, misionit tënd shovinist në dëm te Shqiperisë po i vjen fundi. Te paralajmëroj drejtpërdrejtë, se po vazhdove me lojra të tilla ne Permet, do të mbashë ti pergjegjësi direkt për ato cka mund të ndodhin më pas.(At Nikolla Marku)

Të kujt janë shqiptarët ortodoks të Maqedonisë?”Ku është Kisha Ortodokse Autoqefale e Fan S. Nolit në Shqipëri që nuk bëzan. Pse ajo nuk e ngre zërin në mbrojtje të vëllezërve tanë ortodoksë shqiptar të Maqedonisë? Pse ajo me autoritetin që e ka, nuk ndihet? Kujt i frikohet? Të kërkosh të tëndin, të kërkosh mbrojtje për të tëndin nuk është e dënueshme as nga zoti e as nga humanizmi.

Të ishte Fan S. Noli gjallë ,ai këtë do ta bënte. Me siguri ,do ta bënte.” (F. Xharra)

Por… Vallja e Virgjëreshave, afresk me motiv biblik i David Selenicasit. Afresku gjëndet në një manastir, në Malin e Shenjt në Greqi. Shumë vepra të artit shqiptar janë te shperndara nëpër botë. Etnografet duhet ta studiojne kete afresk per kostumet popullore) , dhe.. ” Ajka e Bizantit ,historikisht ishin shqiptar”(). David Selenicasi e kishte preardhjen nga Selenica e Kolonjës. Krijmtaria e David Selenicasit u shfaq në Voskopojë, kur në vitin 1726 ai pikturoi Kishën e Shën Kollit. Këtë e vërteton edhe mbishkrimi që gjendet mbi faqen e murit perëndimor në Kishën e Shën Kollit në Voskopojë: “Ky tempull i këndshëm para Perëndisë i Shën Kollit i ndërtuar vonë nga lindja e Perëndisë 1721, në muajin qershor, mori përfundim të lumtur më 19 të muajit shtator 1722 të vitit shpëtimtar. Kunga u pikturua me dorën e të shumëditurit David Selenicasi dhe me shoqërimin e Kostandinit e të Kristos, me dhurimin e bollshëm të të hollave të zotit Haxhi Jorgji, që mbaroi jetën i lumtur. Në kohën kur ishte kryeepiskop në Ohër dhe Selasfor shumë i dituri Joasaf….”.(A. Llukani)

Eshtë për të ardhur keq për ne Shqiptarët ku jemi katandisur! Kisha Autoqefale Shqiptare sot është Kisha  Ortodokse ne Elbasan që falë punes së At ikollë dhe besimtarëve ortodokse Elbasanas nuk e lanë te binte ne duart e kishës greke. Janulla i Greqise ka ardhur me një mision të madh për Greqinë dhe jo për të mirën e ortodoksëve shqiptar! Varfëria që u trashëgua nga ndërrimi i sistemit bëri që shumë njerëz të shiten tek greku për një  rrogë në dëm të vendit të tyrë! Dhe koha po  e tregon vazhdimit se sa fatal ka qenë faji i shtetarëve përgjegjes të vendit tonë që e pranuan Kalin e Trojes ne mes te Tiranës!

”Nuk mund të ketë atdhetarizëm pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetar; Krijoni qytetarinë dhe keni çdo gjë që iu nevojitet; Pa atë ju keni asgjë, përveçse skllevër që nga sundimtari e deri poshtë. (-Jean-Jacques Rousseau)”.

. Si mund të lutemi  perpara altarit te kishës për  Kristo Negovanin, Dhaskal Todhrin, Petro Luarasin, Fan Nolin, Visarjon Xhuvanin  At Stathi Melanin etj, kur në  krye të kishës ortodokse Shqiptare qendron Anastas Janullatos, nipi i atyre qe gatuan helm dhe gjak kunder martireve ortodoksë Shqiptar, martirë qe ëndrra e tyre ishte, që kisha te ishte e pavarur dhe të meshohej Shqip.

”Janullatos u dërgua në Shqipëri si eksark(i ngarkuar me punë i perkohshem) nga Patriarkana e Stambollit per organizimin e Kishes shqiptare mbas 1990-tes!Në ketë cilesi u pranua nga Presidenti Ramiz Alia!Por Janullatos krijoi Sinodin e Shenjte,me mitropolitë  greke te zgjedhur nga ai vete dhe pastaj organizoi në menyrë të fshehte “zgjedhjen” e tij si kryepishkop nga ky “sinod”!Megjithëse ishte paralajmeruar të mos e bënte këte,nga nje perfaqesi e besimtareve ortodokse(me kryetar Petri Bidoshi),megjithëse nuk plotësonte kushtet e Statutit te Kishes ortodokse (te 1928 dhe 1950),sepse Janullatos nuk ishte shqiptar dhe shtetas shqiptar,teatri fallc u luajt deri ne fund!Kur ne menyre te papritur u shpall hiresimi i Janullatos si Kryepeshkop ne Kishen e Ungjillezimit ne Tirane,shumë besimtarë të ndodhur aty kundërshtuan me forcë ,filluan te këndonin këngë  patriotike dhe të thërrisnin emrat e Papa Kristo Negovanit dhe Fan Nolit!Gjatë hirësimit kur duhet të bëhet gjithpranimi dhe besimtarët që ta shprehin këte duhet të therrasin “i denjë,i denjë”,në të vërtetë u degjuan thirrje “i padenj,i padenje”,madje edhe ne greqisht “anaxios,anaxios”!Sipas rregullave kishtare,nëse edhe një  person në kishë  thërret “anaxios – i padenje” procedura e hiresimit quhet e parregullt!Por cuditërisht te gjitha keto u anashkaluan dhe Kryepeshkopi u njoh me ketë cilësi(jo me i perkohshëm) nga Presidenti Sali Berisha dhe pastaj nga Patriarkana(që e kishte të detyrueshme)!Kryepeshkopi është i përjetshëm (dmth deri në vdekje) dhe nuk ka procedura pezullimi apo zëvendë simi!Dmth na e lanë … në derë! ( nga shtypi) ” … Dhe akademiki i ynë Rexhep Qosja iu gjunjëzua duke ia puthur dorën.

Në të vertetë duhet thënë Anastas Janullatos përballë Fan Nolit, se greku me raso dalë boje, po tundohet në pleqërinë e tij të thellë reomatizmale, të zhgulet nga strehëza ku ka zënë vend si zogu i qyqes greke në Kishën Orthodokse Shqiptare në Tiranë, të kalojë Atllantikun e të na shfaqet këto ditë të ftohta e me ngrica marsi, në Boston, tek Kisha e Shën Gjergjit, ku orthodoksët e mbarë komuniteti shqiptar feston 100 vjetorin e meshës së parë në gjuhën shqipe, të ngritur nga Fan Noli në 1908, që shënon krijimin e Kishës Orthodokse Shqiptare të Amerikës.

Çfarë kërkon Janullatos dhe kush janë puthadorët i tij pritës në Boston? (K.Traboini)

Shqiptarët e besimit ortodoks të qytetit të Beratit kanë vepruar me kurajo,duke shpallur hapur Autoqefalinë që në vitin 1922.(E.Shehu) Prej kësaj periudhe ata kanë vepruar në emër të saj dhe i kanë dhënë kuptimin besimit Ortodoks në shtetin amë Shqipëri.Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare është një dimension i institucionalizuar i besimit ortodoks tradicional shqiptar,i cili erdhi si nevojë e kohës,për shkak të presionit të kishës ortodokse greke e cila edhe sot e kësaj dite mban të mbyllura në sirtarët e saj Statutin e Shenjtë të miratuar që në vitin 1922 nga patriotë ortodoksë shqiptarë në inaugurimin e saj në qytetin e Beratit.

„Ky Kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptarë sepse vendosi përfundimisht të drejtën e ligjshme të shqiptarëve ortodoks për përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.Me vendim Nr.807 të datës 18.09.1922 këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe miratoi ato plotësisht sepse ishnin mbështetur në parimin e pavarsisë së shtetit Shqiptar“ .(A.Q.SH.fondi 251,dosja 1254,viti 1922).

Të kujt janë shqiptarët ortodoks të Maqedonisë?”Ku është Kisha Ortodokse Autoqefale e Fan S. Nolit në Shqipëri që nuk bëzan. Pse ajo nuk e ngre zërin në mbrojtje të vëllezërve tanë ortodoksë shqiptar të Maqedonisë? Pse ajo me autoritetin që e ka, nuk ndihet? Kujt i frikohet? Të kërkosh të tëndin, të kërkosh mbrojtje për të tëndin nuk është e dënueshme as nga zoti e as nga humanizmi.

Të ishte Fan S. Noli gjallë ,ai këtë do ta bënte. Me siguri ,do ta bënte.” (F. Xharra)

Fahri Xharra ,

21 Gusht2013

Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, greku andej, kendej, Serbi, turku

Si na mësuan t`a urrenim vetveten

August 21, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra/

Shqiptarët e fillimshekullit 14-të ishin ende flokëbardhë, shtatgjatë, shtathedhur dhe sykaltër, sygjelbër, sylarmë, kur turqit trupshkurtër, flokëzinj, mustaqezinj, lëkurë të murrmë, me forcën e armës i pushtuan viset tona. Pushtuesi është pushtues, gjithmonë i njëjtë, synon skllavërimin, rrjepjen e pasurisë humbjen e gjuhës së vendit të pushtuar, asimilimin e popullsisë së atij vendi. Ballafaqimi i turqve me një racë të bardhë të shqiptarëve, kërkoi edhe metoda të ndryshme të cilat në planin afatgjatë do të bënin ndërrimin e kësaj raceje. Planet e tyre kishin edhe qëllimin tjetër, përmirësimin e racës së tyre aziatike.

Për pamjen e vërtetë të të parëve tanë e kam edhe këtë: Justini i II-të (?- 577 psk) . Ishte djalë motreje i Justinianit të parë, pra me prejardhje ilire.Qysh në moshë të re e kishin sjellë në oborrin mbretëror të ungjit të tij.Shquhej me pamje të bukur të trupit:sykaltër ,bardhec për nga ngjyra e lëkurës.( Menquria Iliro Shqiptare , Sinan Gashi)

Rrëmbimi me dhunë i të rinjve dhe dërgimi i tyre në Azi, martesat e dhunshme, ndërrimi i fesë, ishin metoda të dhunës për interesat e tyre, por u përdorën edhe metoda psiko-sociale, të cilat mbijetuan shumë gjatë gati edhe në ditët tona. Përderisa turku i rekomandonte ato, me kalimin e shekujve ato u ngulitën në vetëdijen e shqiptarëve myslimanë, metoda të cilat me ndërrimet tjera edhe ato u futën në psikikën tonë.

“Syri mavi”- Me kalimin e kohës ndër shqiptarë u krijua bindja se për çdo të keqe që ndodhte në familje apo të individi, fajtor ishte syri ”mavi”. Fajësohej takimi me një sykaltër apo me një sylarosh. Nënat frikësoheshin që të porsalindurin t’ia tregonin ndonjë “symavihi”, dhe lutnin Zotin që të porsalindurin kurrë të mos e shihte sykeqi (sykaltri). Shkruheshin hajmalia dhe viheshin rruza të kaltra mbi veshjet fëmijërore, që Zoti t`i shpëtojë ata.

Merrni me mend çfarë hendikepi natyror ishte të kesh sy të kaltër, sy të gjelbër apo larosh. Frika ishte shumë e madhe se përse vallë, unë të jem shkaktar i ndonjë të keqeje që mund t`i ndodhte dikujt nga ngjyra e syve të mijë (sykaltër –sy iliri). Gjeneratë pas gjenerate përcillej porosia të ruajt Zoti nga syligu (sy kaltri). Njerëzit dëshironin të kenë për martesë me më ëndje një syzi, flokëzi se ata nuk sillnin të liga. Filluan të krijoheshin oda për syzinj si ulliri (i zi), flokëzi si fleta e korbit, vetullzi si harku i krahut të dallëndyshes .Urrejtje dhe frikë nga vetvetja.!

Edhe në ditët e sodit i gjen shenjat mbrojtëse nëpër shtëpia, të varura po me atë qëllim që na i kishte porositur turku: Ruana zot nga syri i keq (sykaltri, sygjelbri, sylarmi )! Por, fatbardhësisht e tërë shoqëria shqiptare nuk është vetëm bardh e zi, vajzat e reja sot çmenden pas sykaltërve, kurse djalëria po ashtu çmendet pas vajzave me sy bojëqielli.

“Leshkuqi”- Ne shqiptarët e patëm “nderin “ të robërohemi për mbi pesë shekuj nga Perandoria Osmane, e çka është më keq, që edhe sot sillemi me vese të trashëguara nga ata. Kur u “trash” feja, ne shqiptarët ramë në kurthin e metodave shumë të sofistikuara psiko-sociale: të urrejtës së vetvetes. Një popull lëkurëbardhë siç ishim, një popull flokëverdhë siç ishim, normalisht që në mesin tonë kishte edhe njerëz me flokë të kuq, dhe e filluam urrejtjen ndaj tyre si “hasmi i pejgamberit”.

Osmanët na e mësuan metodën e injorimit, përçmimit, linçimit dhe urrejtjes ndaj “leshkuqeve” . Vetëm paramendoni, para disa dhjetëvjetësheve apo shekujve më parë, kur besimi në të kota ishte shumë më madh çdo të thoshte të kesh një fëmijë leshkuq. Paramendoni se si është sjellë rrethi me një leshkuq. Çfarë komplekse janë krijuar.

E pse ? Vetëm pse ishin apo janë trashëgimtarë të një race të pastër ILIRE.Më kujtohet leshkuqi, shoku i im nga fëmijëria, i cili ishte shumë inteligjent, e i hijshëm, por ai nuk e kishte as më të voglin guxim të ekspozohej në shoqëri, sepse menjëherë pasonin ofendimet për leshkuqin, ”hasmin e pejgamberit”. Sikurse integrimi në shoqëri, ashtu edhe martesa ka qenë një problem i madh. Të ishe “hasmi i pejgamberit” s`ishte aq lehtë, sepse automatikisht i kishe edhe sytë e “mavitë”, pra i padëshiruari i shumëfishtë i rrethit.

Edhe sot më vjen të çuditëm, se si gjatë shekujve nuk gjendej asnjë prijës fetar mysliman që të përgënjeshtronte këto të pavërteta për sykaltrin dhe flokëkuqin, dhe ta çlironin popullin nga metodat më të vrazhda psiko-shkatërruese të pushtuesit, të jetësuara me aq përkushtim në popullin tonë, se qeniet e lindura me sy të kaltër e lesh të kuq janë të barabartë me leshrat ngjyrë tjetër dhe ngjyrat tjera të syve si pjellë e perëndisë.

Kisha folur edhe për një të keqe të rrënjosur në popullin tonë, nga pushtuesit tanë. Qeshja pak më e gjatë e me zë në ahengje, gazmende, ndenja apo takime të rastit gjithmonë ndillte frikë. Çdoherë luteshim që ky gaz, kjo e qeshur të mos i paraprijë ndonjë të keqeje. Ishte e rrënjosur pra edhe frika e të qenit mirë. Pra, nuk guxonim as të lindnim, e as të jetonim atë që të parët na e kishin lënë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, urrejtja e vetes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 953
  • 954
  • 955
  • 956
  • 957
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT