• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mashtrimi turk dhe papjekuria shqiptare gjatë historisë

October 18, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Mashtrimi turk,por edhe papjekuria shqiptare na ka kushtuar shumë gjatë historisë .Neve gjithemonë na ka munguar qendra e vendosjes kombetare, Na mungon edhe sot.

“Ka popuj në kufinjtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjërësisht, bazuar në fatet, bëmat dhe cilësitë që shfaqin. Tek këto popuj bëjnë pjesë edhe popuj të tillë si shqiptarët”, por vë në dukje nga ana tjetër se Shqipëria, s’ishte prekur thuajse fare nga studiuesit e huaj, nëse e krahason me provincat e tjera të Turqisë europiane dmth. të Ballkanit. (“Die Völker des Orients-Die Albanesen”, Feuilleton der „Debatte”, 27 mars 1869, Nr. 86. Viti VI, fq. 1).) . Po pse?

A flitej për ne dhe në çfarë raportesh flitej për ne?

“Edhe pse në pakon e Londrës Shqiptarët u përjashtuan nga parimi i të drejtës së autonomisë se ende nuk ishin pranuar si kombi  veqantë, meqë Perandoria Osmane ende i trajtonte si millet-osman,..”(Jusuf Buxhovi;Kongresi i Berlinit ,2008)..

Kronisti  gjerman Peter Bartler (“ Koelnische Zeitung “,1878) konstaton se ,,Shqiptarët , jo vetëm që nuk u thirrën ne Kongresin e Berlinit , ku vendosej edhe per fatet e tyre , por ata nuk paten as ndonjë mbrojtës te tyre , i cili sadopak do te fliste per ta ,,  , që do të thotë  se përfaqesuesit e Portës ne Kongresin e Berlinit kishin mandatin që të flisnin për mbrojtjen e vilajeteve shiptare  e që hapësira e tyre sa më pak tu jepej  te tjerëve , dhe këte e bënin duke e theksuar edhe fjalën Shqipëri si terësi etnike , por assesi që asaj nga aty ti paracaktohej çfardo statusi autonom. (Jusuf Buxhovi). Po vallë pse? pse na ”donte” aq shumë sa që nuk e ”lejonte” shkëputjen nga ne.

Perpjeka e pare shqiptare per te arritur “standartet” e Europes Perendimore i takon vitit 1462. Sipas dokumentit ka qenë ditë e hëne data 8 nëntor e atij viti, kur Pal Engjelli organizoi ne kishën e Trinisëse Shenjtë, ne Mat, një mbledhje ku morën pjesë gjithë prelatet e kishës katolike në Shqipëri. Në atë mbledhje u fol ,ndër tjerash  për problemin qe u ngrit, ishte edhe ai i mospagezimit te femijeve per shkak te vdkshmërisë së lartë të foshnjeve. Shumë femijë vdisnin pa u pagezuar. Ndaj u vendos që të perdorej një formulë e ngutshme në gjuhën shqipe, e cila t’ju thuhej fëmijeve në djep, pa patur nevojë qëtë pritej ceremonia e mirefilltë e pagëzimit, me qokat e shumta që e shoqeronin ate. Formula ishte: “Unë te pagëzoj në emër te Atit, Birit dhe Shpirtit te Shenjtë”. Kjo është e famshmja Formula e Pagëzimit që njihet si dokumenti i parë i shkruar ne gjuhën shqipe. Por ajo verteton se populli e fliste gjuhën shqipe, madje fliste vetëm ate. Ndryshe nuk kishte pse tëdilte nevoja për një formulë pagëzimi në shqip.

Eshtë logjike që të ketë pasur edhe tekste të shkruara në shqip para kësaj formule, sepse asgjë nuk lind nga hiçi. (“Kryqtari i Fundit” Virgjil Kule)

Në kohën e Lidhjë së Prizrenit  u mbajt  dhe Kongresi i Berlinit, por mashtrimet turke ishin shumë ”joshëse” për ne sulltani e emëroi Abedin Pashën (shqiptar ) si Ministër të Punëve të Jashtme. Ai ishte mashtrues dhe ja çka shkruan në letrën e tij:

”Me emër dhe me dëshirë të të madhit zot shpresoj se do ti kryej dhe do ti plotësoj obligimet e mia. Ashtu si vellezërit tanë , edhe unë ia kam venë vetës për detyrë që terë jetën të punoj dhe të perpiqem për të miren dhe fatin e atdheut tonë Shqiperisë . ( Cila ishte Shqipëria e asja kohe? a mendontente në katër vilajetet shqiptare të cilat edhe shut ishin cunguar më herët ?fxh) Ju mund ti merrni me mend ndjenjat e mia të tanishme dhe duhet tu besony atyre , tash ne kete pozitë që jam . Une po uroj që ti degjoni këshillat e mia , sepse ekzistojnë disa , te cilët qeverinë atërore të madhërisë së tij  Sulltanit ,  deshirojnë ta komprometojnë. Ai juve deshiron tju mbrojë .(mashtrim,mashtrim fxh).

Në Berlin ka ditë qëpo kuvendon një Konferencë per te zgjidhur si duhet çështjen greke .

( Pse jo atë shqiptare? fxh)

Në saje të angazhimit të qeverisë sonë , e cila ka marre masa paraprake , jam shumë i bindur se rezultatet e kesaj mbledhjeje nuk do te shkojnë në dëm te Shqiptarëve , sepse synimet e fuqive te mëdha që Shqiperine ta lenë te madhe , ju do ti shfrytezoni .( Pra fuqitë e mëdha e paskan dashur një Shqipëri etnike ,të madhe …por jo turku fxh)…

Deshirë kryesore e Madhërisë së tij , sulltanit , kur me emëroi ministër të Punëve të Jashtme , ishte që të tregonte se zemra e tij e madhe gjithnjë  rrah per Shqiperinë dhe se ajo eshte e lidhur ne menyre vitale me interesat e pergjithshme të shtetit . ( Jusug Buxhovi,Kongresi Berlinit 1878 fq.78,79)” E shihni hipokrizinë dhe mashtrimin nga turqit ? Ne nuk kishim se kush të na mbroj.

Të vazhdojmë . “Në Marsin e vitit 1998 tensionet në mes të shqiptarëve dhe Serbëve u rritën shumë deri në nivelin ushtarak) .paraqitja e UÇK-së  i tmerroi autoritetet serbe… Masakrat mbi shqiptarët u rritën gjatë gjithë vitit 1998. komuniteti ndërkombëtar u mundua pa sukses të ndërmjetësoj.Më në fund anëtarët e NATO-së të brengosura që autoritetet serbe organizonin apo ishin edhe duke organizuar një spastrim etnik e filluan bombardimin mbi Jugosllavinë Federale (Mars -Qershor 1999) Gjatë gjithë konfliktit liderët turk nuk ndërmorrën asnjë nismë në arenën diplomatike ndërkombëtare.Ata bile gjatë fazës së parë të bombardimeve  frenoheshin nga çdo komentim . Pas vendosjës së NATO-s për ndërhyerje ushtarake ,edhe kësaj rradhe liderët politik dhe ata ushtarak  Turk e preferonin mos përzierjen. Liderë turq nuk e kundërshtuan  intervenimin ( të njejtë si Greqia dhe Rusia )  por e shprehën dëshirën të mbesin anash.(://balkanologie.revues.org/517)

“Ka popuj në kufinjtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjërësisht, bazuar në fatet, bëmat dhe cilësitë që shfaqin.

Tetor 2013, Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, mashtrim turk

Ligji i Luftës i Greqisë me Shqipërinë DE FAKTO dhe DE JURE nuk ekziston

October 16, 2013 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Vizita e delegacionit grek të kryesuar në zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Elefteros Venizelos nxori në pah përsëri problemet e thella që ekzistojnë midis dy vende, ndër to edhe Ligjin e Luftës. (Vizita u realizua më 14 Tetor, pikërisht në ditën kur, 99 (14.10.1914), vite më parë ushtria greke që kishte pushtuar Jugun e Shqipërisë u tërhoq si pasojë e presioneve të fuqive të mëdha).

Ligji i Luftës që Greqia i ka shpallur Shqipërisë DE JURE dhe DE FAKTO nuk ekziston. Presionet për ekzistimin e Ligjit të Luftës bëhen vetëm për dy çështje: 1).Shqipëria të njohi autonomin politike, ekonomike dhe kulturore të minoritetit greke në Jugun e Shqipërisë ose e thënë në gjuhën që shprehen grekët Autonominë e Vorio Eopirit. 2). Përvetësimin përgjithmonë të pronave të shqiptarëve në Greqi dhe mos rikthimin e tyre në Çamëri në bazë të Konventave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Historia e Ligjit të Luftës fillon më 10 nëntor 1940 kur u shpall dekreti mbretëror grek – ligji 2636 mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë dhe Shqipërinë. (Shqipëria kishte më shumë se një vit e pushtuar nga Italia fashiste e Musolinit). Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë që udhëhiqej nga kryeministri Jorgos Xolagoklus e hoqi Ligjin e Luftës. Por pas përfundimit të luftës qeveria e sapo formuar në vitin 1945 e rikthen atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë me një dekret të ri numër 13.

Një dokument i Departamentit të Veçantë Ligjor të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Departamenti i së Drejtës Publike Ndërkombëtare, dhe shteteve të datës 16 nëntor 2007, thuhet se: “Ne Ju njoftojmë se aq sa dimë, nga 10 nëntor 1940 NW Përcaktimi si shtete armiqësore në kuptimin e Ligjit të Emergjencave Nr 2636/1940 të Italisë dhe Shqipërisë dhe pozitës në aplikimin për vende anëtar dispozitat e ligj. (Qeveria Gazeta Një 379), u kthye në Forca me Ligjin 13/1944 (Qeveria Gazeta 1944)”.

Më poshtë, në këtë dokument shkruhet se është raportuar se në kontrast me Shqipërinë, të gjitha çështjet e pazgjidhura me Italinë, natyrës politike dhe ekonomike, janë zgjidhur nga një seri prej traktateve, marrëveshjeve dhe konventave në mes të 1946 dhe 1949.

Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 Greqia kërkoi ndryshimin e kufirit me Shqipërinë duke kërkuar jugun shqiptar. Gjithashtu nuk pranoi që Shqipëria të konsiderohej aleat i vendeve fituese kundra fashizmit. Më 1949 ushtria e Greqisë afroi forcat e saja në kufi për të hyrë në Shqipëri, atëherë pati shumë provokacione me të vrarë nga të dy palët dhe në historinë shqiptare këto ngjarje njihen si provokacionet e Gushtit të 1949. Më 1968 marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës arritën deri në një luftë të hapur pas pretendimeve greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Në gusht të atij viti Greqia mbajti Kongresin e Vorio Epirit ku pjesëmarrësit dolën me deklaratën se Greqia duhet të çlirojë Vorio Epirin (Jugun e Shqipërisë) të pushtuar nga shqiptarët. Siç duket emocionet e suksesit të Kongresit çuan deri aty sa politikanët dhe ushtarakët grek të bëjnë gabim drastik duke mbledhur forca të mëdha ushtarake në kufi për të sulmuar Shqipërinë. Në 1 shtator 1968 forcat e mëdha të ushtrisë greke u tërhoqën nga fronti njëherë e përgjithmonë, duke lënë vetëm ato forca ushtarake që i mbanin zakonisht për ruajtjen e kufirit. Këto do të ishin edhe përpjekjet e fundit të grekëve për të bërë presion për pushtimin e jugut të Shqipërisë me pretekstin për mbrojtjen e “voriepiriotëve”. Që nga ajo kohë nuk ka pasur acarime të ngjashme midis dy vendeve.

Në vitin 1971 Kryetari i sapo zgjedhur i Republikës së Greqisë me anë të puçit ushtarak koloneli Jorgos Papadhopulos, më 6 Maj vendosi për marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Që nga vitit 1939 e deri më 1971 Shqipëria dhe Greqia nuk kishin marrëdhënie diplomatike midis tyre. Në fillim u hap pika kufitare midis Follorinës dhe Kapshticës. Në vitin 1978 filluan edhe fluturimet e para të linjës ajrore midis Athinës dhe Tiranës.

Gjatë një fjalimi në Janinë më 23 shkurt të vitit 1984 kryeministri Andrea Papandreu deklaroi se Greqia nuk kishte pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, por i kërkonte Tiranës respektimin e minoritetit grek në Shqipërisë. Më 28 gusht 1987 Qeveria e Andreas Papandreu, i pranishëm dhe Karolos Papulias në pozicionin e ministrit të jashtëm, heq Ligjin luftënxitëse mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ky vendim u zbatua nga një akt i kabinetit dhe të lidhura në thelb për të rregulluar komponentin civil të situatës së përgjithshme situatat ekzistuese midis dy vendeve, të cilat kanë qenë të tensionuara që prej themelimit të shtetit shqiptar. Ky veprim është bërë me arsyetimin se ishin pjekur kushtet për afrimin e të dy vendeve dhe për të siguruar kushtet më të mira të jetesës së minoritetit grek në Shqipëri.

Disa vite më vonë Ministria e Jashtme greke botoj një shkresë me titull: “Korniza konvencionale”, brenda të cilës në themel të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve u përcaktua Pakti i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë Fqinjësisë së Mirë të nënshkruar më 21 mars, 1996 (ratifikuar nga N.2568 / GG A8/13-1-1998).

Dokumenti zyrtar i dërguar nga Ministria e Jashtme e Greqisë më 1999 që tregon mbi Ligjin e Luftës që ekziston midis dy vendeve nuk është një dokument seriozë në bazë të Ligjeve Ndërkombëtare, por një letër presioni për ti treguar qeverisë së brishtë shqiptare të atyre viteve se mund ta rrëzojnë nga pushteti kur të duan. Të mos harrojmë se ajo letër ka ardhur në kohën kur Ballkani ziente nga lufta në Kosovë dhe Greqia për të treguar besnikëri ndaj Serbisë e ka dërguar atë shkresë jo-serioze dhe jo-diplomatike fill pasi u nënshkrua kapitullimi i regjimit të Millosheviçit në Kumanovë.

Në të vërtetë Ligji i Luftës i Greqisë nuk ekziston De Fakto dhe De Jure, nuk ekziston as dokumenti origjinal zyrtar i Mbretërisë së Greqisë të vitit 1945, me numër 13. Nëse do ekzistonte Ligji i Luftës, atëherë përse Greqia që nga vitit 1990-1998, lejoj mijëra emigrantë shqiptar pas asnjë dokument identifikimi të jetonin dhe punonin atje? Përse Greqia ka lejuar mijëra shqiptar pas vitit 1990 të blejnë shtëpi, dyqane dhe toka? Përse Greqia votoj Pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kur kishte mundësi të votonte kundër ashtu siç bëri me Republikën e Maqedonisë?

Besoj se ka ardhur koha që politikanët shqiptar të shfrytëzojnë fatin që u ka ardhur tek dera këto për një politikë më dinjitoze dhe kombëtare për ballë Greqisë me qëllimin e mirë që mos të biem në kurthet e shitjeve të pasurisë kombëtare për karrigen e karrierës politike, por të flasin me Greqinë si dy anëtarë të barabarta në NATO, dhe jo si marrëdhënie të pronarit me çirakun.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, ligji i Luft

Për një diplomaci ndryshe…

October 16, 2013 by dgreca

Diplomati duhet të jetë një vizioner për të parashikuar të mirat dhe të këqijat që i vijnë atdheut. Ai, që t’a bëjë atë duhet të zotërojë artin e fjalës, por që t’a zotërojë artin e fjalës, ai duhet të dijë shumë e më shumë për kombin, kulturën dhe traditën; duke shtuar si vlerë profesionin, gjeopolitikën, politikën dhe ekonominë. Në se zotëron dijen, ai është apo bëhet një diplomat i mirë, i besueshëm. Në se është i besueshëm, ai di të menaxhojë lehtësisht politikën që të mos bëjë hapa të nxituara në fushën diplomacisë dhe të sigurisë./

 Nga kolonel (R) Zaim Kuçi/

Ish Atashe i Mbrojtjes në Paris/

 Fjala diplomat përbën një kompleksitet sjelljesh nga më të thjeshtat deri në ato në nivel strategjik. Ajo prezantohet sa e thjeshtë në paraqitje aq dhe e ndërlikuar në veprim, sa naive aq edhe e zhdërvjellët, sa e nënkuptuar aq edhe e sinqertë, sa si pa vlerë aq edhe e rëndësishme dhe e domosdoshme  për  interesa  kombëtare.Për të arritur zgjidhjen e këtij ekuacioni me shumë të panjohura, të bërit diplomaci fillon herët nga rekrutimi i tejkujdesshëm, i të diturve, i të përkushtuarve dhe përfunduar tek vlerësimi i punës së diplomatit si etapa më delikate që duhet të bëjnë përfaqësitë eprore, për çka është bërë dhe çka nuk është bërë nga përfaqësuesit tanë në botë. Kjo praktikë vlerësimi nuk kufizohet vetëm me diplomatët tanë, do të thoja se kjo praktikë vlerësimi dhe njohje shtrihet dhe për ata të huaj, rezident në Tiranë. Të vlerësuarit, është momenti ndoshta më rezultativ për të përftuar dhe prodhuar diplomaci, duke analizuar dhe ndarë të mirat nga të këqijat, për të ndërtuar të ardhmen me një diplomaci më pragmatiste, më reale, më pranë Shqipërisë. Kjo është e vështirë, prandaj kërkon vëmendje dhe duhet të bëhet me ekipe të mirëpërgatitura.

Sprovë teorike dhe praktike në diplomacibërje: me marrjen e detyrës është e rëndësishme që, puna e çdo diplomati të fillojë me homologun e vet të ambasadës në Tiranë, me qëllim prezantimin, njohjen dhe koordinimin e mëtejshëm të veprimeve për të bashkërenduar punën, për një projekt/plan bashkëpunimi dy palësh. Pikërisht këtu fillon dhe ka vlerë diplomacia nëse je bindës dhe ke aftësi komunikimi për të bërë për vete/mik diplomatin, përfaqësues në RSH.

Nga eksperienca e punës në mision, vlerësoj tepër të domosdoshme lidhjen/të qënurit në kontakt me diplomatin e vendit ku je i akredituar. Duhet punuar për të qënë në një vektor të përbashkët me homologun për të kërkuar dhe propozuar fusha me interes bashkëpunimi, për më tepër bërje “lobing” ku RSH ka nevojë më shumë se kurrë. Bashkëpunimi me diplomatin  në Tiranë  duhet të jetë reciprok, për të realizuar qëllimin e përbashkët, duke gjetur gjuhën e komunikimit. Por puna “disi” e përbashkët midis diplomatëve të akredituar në vendet respektive në përgjithësi nuk funksionon edhe aq mirë, madje herë herë mjafton vetëm me njohje emrash, ka dhe një distancë lidhjesh në forma të dukshme apo të padukshme midis ambasadave…. Kujtoj se në këtë bashkëpunim ka dhe rivalitet për t’u vlerësuar, sipas interesit personal të diplomatit…edhe mbeten disa enigma diplomatike.

Është e kuptueshme se, diplomati në vendin ku akreditohet ka rol, por ai i mat marrëdhëniet me kutin se sa i shërben politikës së vendit të vet. Në përgjithësi të gjithë diplomatët, të çfarëdolloj shteti, janë konstant në politikën e tyre. Ajo që ndryshon është vetëm forma; paraqitja e mirë deri dhe në, sadopak “shtirje” për të bërë detyrën si diplomat; ceremoniali i kujdesshëm, të cilëve nuk u mungon pasi është edhe në traditën e shteteve të tyre. Ata punojnë me vijimësi në ekip “me bllok xhepi”, me cliché të mirëstudjuara.

Detyra në vendin ku u akreditova më shtyu kuriozitetin të zgjeroja informacionin për diplomacinë tonë në përgjithësi dhe në reflektim të asaj që mblodha kuptova se diplomacia shqiptare edhe pse ka progres, ka nevojë në përgjithësi për rivlerësim të asaj që duhet bërë, me një tjetër vizion, që fillon me përzgjedhjen dhe trajnimin e diplomatëve të vet duke vijuar me kërkesën për mbajtje në gjendje “alarmi” të punës së stafit diplomatik.

Po çfarë ndodh? Në këtë shërbim ndjehet më tepër se kudo influenca për emërime të sforcuara partiake, ato vlerësohen si fushë e të privilegjuarve. Në këtë ambient diplomatësh, sigurisht edhe eprorët janë të paaftë të ndërtojnë punën me këtë kontingjent të “zgjedhurish”. Kjo praktike të çon në atë që, politika shqiptare në përgjithësi anon në një politike disi servile. Ne besojmë më shumë tek të huajt se sa tek vehtja jonë dhe se ky mosbesim është kthyer në një normalitet në fushën e diplomacisë, kjo nga prezantimi ynë rutinë, pa format dhe vizion.

Ajo që duhet bërë në vazhdimësi është analiza e detajuar nga Përfaqësia, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila do të jetë “CV” e ardhshme për diplomatin dhe  ish-diplomatin dhe në vartësi të saj do të përcaktohet strategjia e punës në diplomaci, si dhe ardhshmëria e diplomatit të përftuar gjatë misionit.

*Është bërë si traditë e jona mbivlerësimi, madje dekorohen diplomatë të  huaj me medalje të motivacioneve më të larta (kjo dhe për garadat e ulëta). Në pamje të parë dikush mund të thotë: shumë mirë, Ministri e ka në mision të bëj politike-diplomacie. Por nga ana tjetër, çdo medalje ka motivacionin dhe sidomos për ushtarakët, të cilët e dinë se kur e fitojnë këtë medalje. Ajo përfaqëson një akt sublim, një ndihmë dhe punë specifike konkrete, të matshme, një risi të sjellë në të mirë të vendit ku kryen misionin diplomatik etj. Nuk mund të dekorosh çdo diplomat që bën thjesht detyrën, për të cilën ai paguhet. Më tepër se kaq unë kam rezervat e mia për të akredituarit në vendin tim, për të cilët, vështirësisht, mundem t’i paraqes sipas mënyrës dhe njohjes sime në këtë shkrim gazetaresk.

Për të qënë më pranë asaj që dua të shprehem, risjell në këtë shkrim një takim diku në një vend që diplomacinë e ka art zhvillimi.   …në një tavolinë miqsh, përgjatë një darke, me të drejtë homologu im fliste për ngarkesën e punës së misionit të vet në Tiranë. Fillimisht u ndjeva mirë që diplomati po “shiste” punën e një Atasheu të Mbrojtjes (AM), kjo më shumë për të kuptuar pala jonë. Por… eprorët e mi vijonin dhe i thurrnin gjithfarë lloje lëvdatash për punën dhe ngarkesën e misionit të tij, e cila më shkonte për shtat edhe mua dhe isha në pritje për pjesën e dytë: dy fjalë për atasheun e tyre, pasi sapo ishte hapur misioni në Paris dhe unë vërtet e prisja një vlerësim të tillë.

I ndodhur në këtë heshtje të stërzgjatur mendoja se, të shesësh lëvdata me tepricë është humbje, madje thoja me vete se, sa servilë jemi ne….theva heshtjen duke iu drejtuar homologut tim si me humor: detyra e AM nuk është e lehtë, për më keq ngarkesa nuk kuptohet edhe aq nga eprorët. Sigurisht ka matshmëri, por më shumë jo, eprorët e kujdesshëm edhe mund t’a zbulojnë atë… dhe rezultati: pashë zemërimin e eprorëve të mi, madje më pas feedback –u i ligjëratës sime ishte jo i këndshëm :  …….po përse ku informacion?

 

**Në një bisedë të lirë në zyrën time me një përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të Francës midis të tjerash i tregova disa shkrime ku cilësohej në shqip fjala Francë (armatim, logjistikë, teknologji, koncepte). Kurioziteti i tij u shtua kur pa në shtypin tonë gjerësisht analizën mbi dokumentin “Libri i Bardhë”, shkrime për personalitetet ushtarake franceze të shoqëruar me fotot e tyre,etj . Shprehu interesim dhe kompliment…gjatë misionit të Atasheve të Mbrojtjes në Paris, vijoi ai, ministria jonë në përgjithësi nuk praktikon dekorimin e atasheve të mbrojtjes…e të tjera konsideracione …, po përse ky informacion?

Sot dhe në të kaluarën, në dekadat e marrëdhenieve diplomatike, do të nxitoj të gjykoj se, në diplomacinë shqiptare shumë pak ka vlerësime, shumë pak ka bilance punë, shumë pak ka transparencë, shumë pak ka dëshirë për përmirësim, por më tepër ka: rrethanë, mbyllje -diskret,miqësi dhe interes. Sigurisht, RSH ka prodhuar figura diplomatësh; ka rastësira dhe spontanitete progresiste në diplomacibërjen shqiptare që unë i respektoj. Nga ana tjetër të zësh vendin e specialistëve të fushës përkatëse është humbje kohe dhe kosto e lartë financiare, është një mëkat për popullin. Më mirë për vendin tonë do të ishte mospërfaqësim se sa emerim “n’importe quoi”.

Në librin e Berridge “Diplomacia”, shkëputa si të domosdoshme për të mësuar, tre momente që mendoj se janë kruciale për shërbimin diplomatik në tërësi: “….rekrutim/trajnim të personelit, vlerësim periodik të personelit, …duke luftuar prirjet për largimin e specialistëve më të mirë …çka përfaqëson rrezik të madh për shërbimin e jashtëm në përgjithësi”.

 

Le t’i kthehemi praktikës së ministrisë sonë të mbrojtjes, tashmë e kthyer në traditë dekorimi i Atasheut të Mbrojtjes të akredituar në Tiranë, edhe pse deri më sot nuk është ruajtur reciprociteti diplomatik. As dhe një shqiptar nuk është vlerësuar nga homologët tanë. Nëse dekorohet diplomati i akredituar në Tiranë për punë të mirë sigurisht dhe homologu i tij shqiptar ka pjesën e medaljes të kësaj pune të përbashkët. Diferencimi në sjellje nuk është rezultat. Në se dekorimi është i merituar ai është një forcë morale, shtytëse për rritjen e konkurrencës diplomatike në përfaqësi. E rëndësishme për një diplomat është vlerësimi real i punës së bërë gjatë misionit, minimalisht çdo 6 muaj. Kjo është një formë për të nxitur punën në fushën e diplomacisë.

Gjatë misionit tim në Paris nuk u “informova” nga transparenca franceze për dekorime të diplomatëve amerikane, anglezë, hollandezë, rusë dhe portugezë, për të cilët dhe me të cilët unë isha pjesë aktive e trupit diplomatik.

 

*Për sa më lart, do të ndalem, përse vendi im është vlerësuar deri vonë nga të “dekoruarit tanë” “vend me siguri të kufizuar”?

Për post tejsjelljes miqësore shqiptare me diplomatët e akredituar në vendin tonë, do dëshiroja të sjell si argument faktin se, si ish diplomat më ka shqetësuar çështja që diplomatët e akredituar në Tiranë deri vonë e kanë vlerësuar (apo e kanë prezantuar) në vendin e tyre, situatën e vendit tonë “vend me siguri të kufizuar”. Si vijim të këtij vlerësimi, artificialisht rriten muret mbrojtëse të ambasadave të tyre, të cilët më kujtojnë epokën e bunkerëve të kohës së diktaturës të cilët e humbën funksionin që në themel të ngritjes së tyre. Le të pranojmë që, më shumë frika atyre ju vjen nga terroristët e importuar nga jashtë  se sa nga shqiptarët.

Gjithkush ka të drejtë të shtrojë një pyetje:Përse ky vlerësim?Sipas meje, pamjaftueshmëri diplomatike, por duke shkuar dhe më larg, gjithëpërfshirje shqiptare e vakët, pa nerf kombëtar.  Diplomacia e jashtme shqiptare duhej t’a kishte prioritet strategjik heqjen e këtij vlerësimi të dyshimtë, madje këtu do të duhej të fillonte “plani i punës i çdo ambasadori”. MJ duhej të vinte në lëvizje të gjitha mekanizmat vepruese (mediat, konferencat, debatet në Tiranë dhe në ambasadat e akredituara, si burim informacioni për vendet e tyre) me informacionin kundër argument në këtë drejtim, edhe pse ndoshta kjo nuk do të ishte e pranueshme nga “miqtë” tanë diplomatë të Tiranës. Në diplomaci bëhet edhe zhurmë në interes të sigurisë së vendit.

Argumente: Së pari, informacionet e dërguara nga këta të akredituar në vendet e tyre për pasigurinë në Tiranë, nuk kanë qënë të vlerësuara nga ekspertë të sigurisë qofshin këto në kohë, në statistikë të memories diplomatike, por as edhe me elementët e sigurisë të evoluar pas viteve 90-të. Edhe në kohën e komunizmit asnjë ambasadë apo diplomat në Tiranë nuk u dhunua nga ndonjë “komunist” apo person me të meta “mendore”, siç ndodh rëndom në vende të klasifikuar me “siguri të lartë”.

Për më keq, sjell si kuriozitet edhe faktin se, ambasadat e atij regjimi të padëshirueshëm, maksimalisht ishin të rrethuara me kangjella hekuri, por oborret ishin të dukshme dhe në vend të mureve rrethuese ishin mbjellë lule. Edhe pse kohët e fundit Shqipëria ka kaluar trazira lufte deri në rënien e shtetit, as dhe një diplomat apo  ambasadë nuk u sulmua nga shqiptarët e irrituar.

Opinionin tim për fenomenin miqësor shqiptar do ta ilustroj me një ndodhi gjatë trazirave të ‘97 tës me një diplomat të huaj. Edhe pse shëtitëm gjatë dy ditëve në qytetin bregdetar të jugut të trazuar (kulmi i trazirave), herë me veturën me targë CD dhe herë me veturën time, jo vetëm që nuk u veprua ndaj nesh por u ndihmuam. Të spostuar diku afër Himarës, mbasdite vonë, patëm një defekt ne veturë, u afruan për ndihmë disa djem të armatosur me pamje dhe veshje jo të zakontë (u friksuam). Fikja e motorit kishte ardhur si rezultat i mbarimit të karburantit, pasi treguesi i tij ishte me defekt. Djemtë e armatosur filluan të kërkonin me bidona të vegjël karburant nga mjetet e rastit që kalonin në këtë orë disi vonë, dhe më pas na shoqëruan deri në Vlorë. Me ndjenjën e frikës të asaj situate të zezë, AM kaloi natën në familjen time dhe jo në hotelin ku kishte rezervuar. Të nesërmen rrugës për në Tiranë, atasheu diplomat, i çliruar nga ankthi i një dite më parë, komentonte me pasion ndihmën e dhënë nga këta djem që bënin “luftën” dhe padyshim për këtë diplomat ushtarak ky gjest ka qënë, përse jo, një reflektim për ndryshim të imazhit apo dhënie informacioni, që zor ndodh në një vend tjetër në krize, ky humanizëm njerëzor. Kam bindjen si ushtarak se, AM ka informuar eprorët e vet për këtë ditë në qytetin e “luftës”, më shumë se kaq për të prezantuar punën e tij. Ai padyshim ka lënë gjurmë vlerësimi pranë ambasadës së tij si informacion të detyrës së vet.

Flitet që ka grupe kriminelësh apo terroristë në Shqipëri, por ndaj të huajve çuditërisht nuk ka pasur as dhe një tendencë aksidenti, pra edhe ky fenomen negativ i zgjatur në kohë flet shumë për këta diplomatë që kane stimuluar frikën tek eprorët e tyre.

Këtë siguri të atëhershme dhe për më tepër sot e bazoj në analizën personale të këtij fenomeni të rrallë, në traditën e bukur të vendit tim që vjen prej shekujsh: Respekt për Mikun që të vjen në shtëpi. Pra ky virtyt nuk ka prapaskenë regjimet që kanë drejtuar këtë vend, por kulturën e respektit që ka mbizotëruar me kohë në shqiptarët e atëhershëm dhe të sotshëm.  Këtë virtyt të popullit shqiptar e plotëson edhe sjellja e politikës sonë në vlerësimin dhe respektimin maksimal të diplomatëve të akredituar në Tiranë, herë herë e panevojshme deri edhe servile.

Në këtë mjedis, sigurinë e konsideruar “e disfavorshme”(edhe përse dalin shëtitje në orë të vona) për punë  të diplomatëve në vendin tim, e shoh në një plan tjetër dhe shpesh pyes veten: Mos vallë vjen dhe për një kërkesë dublim vlerësimesh nga eprorët e tyre në vendet që i kanë dërguar me mision “në vendin problematik”[1]…?

Lipset që me ambasadat  reciproke  duhet  të  bashkëpunojmë dhe të rrahin tema të tilla edhe pse kanë pavarësinë për të punuar dhe gjykuar më vete, e drejtë kjo që u jep statusi “diplomat”. Të jesh diplomat, sidomos të përfaqësosh një vend të vogël, do të thotë: vështirësi. Puna fillon në Tiranë dhe vijon në vendin e akreditimit.

Diplomati duhet të jetë një vizioner për të parashikuar të mirat dhe të këqijat që i vijnë atdheut. Ai, që t’a bëjë atë duhet të zotërojë artin e fjalës, por që t’a zotërojë artin e fjalës, ai duhet të dijë shumë e më shumë për kombin, kulturën dhe traditën; duke shtuar si vlerë profesionin, gjeopolitikën, politikën dhe ekonominë. Në se zotëron dijen, ai është apo bëhet një diplomat i mirë, i besueshëm. Në se është i besueshëm, ai di të menaxhojë lehtësisht politikën që të mos bëjë hapa të nxituara në fushën diplomacisë dhe të sigurisë.

Fusha e veprimit është e gjerë. Na duhet të thyejmë imazhin e gabuar që të tjerët kanë për vendin tonë, të ndryshojmë fatin e hidhur të opinioneve, por edhe të shtrembëruar nga ne. Në këto lëkundje të dhimbshme të kohës që kalojmë, personalisht e kërkoj punën si “negociator lobingu”, për të kapur e ndryshuar ato që humbasim përditë në këtë fushë kaq të rëndësishme të zhvillimit dhe prezantimit të shoqërisë shqiptare, dinjitetin e integrimit tonë në fushën e diplomacisë.

Po përse ky shkrim? Përballë këtij realiteti ndjehesha keq për atë që nuk e bëja vet edhe për atë që nuk e bënin dhe kolegët e mi me/pa uniformë, dhe se ishte kjo ndjesi që më çoi të formuloja idetë për përmbajtjen e këtij teksti duke marrë si personazh dhe analizuar atë që di por edhe vehveten:  Për çfarë nuk isha i informuar para fillimit të misionit; çfarë pashë dhe mësova nga francezët dhe homologet e mi të huaj të akredituar në këtë vend; çfarë duhet të bëja gjatë misionit; dhe së fundmi, çfarë kërkohet të bëhet në të ardhmen nga diplomatët?Do të përfundoja se diplomatët me punën e kujdesshme të tyre duhet të gjejnë aleatë dhe të bëjnë aleanca në interes të vendit. Në se e kanë këtë aftësi diplomatike, ata duhet të vlerësohen në prioritet për vijushmëri të eksperincës së tyre nga struktura shtet. 

 Shumë herë jam ndalur tek thënia lapidar e Gëtes: “Bota, edhe, pse ecën përpara, duhet nisur nga fillimi”, që për mua përkthehet se edhe në diplomacinë tonë kërkohet një lëvizje, një rivlerësim apo një rifillim për ndryshim, kjo është e nevojshme të bëhet.


[1] Shënim personal : edhe në qytetin e Parisit, nje nga qytetet më të sigurt në botë, ç’faqen sjellje kundër të huajve ndoshta në njësi “javë/muaj” ndërsa ky fenomen në vendin tonë matet me njësine « ndoshta vite ».

Filed Under: Analiza Tagged With: diplomacia ndryshe, Zaim Kuci

AMANETI I ÇUAR NË VEND!

October 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javën e kaluar, Z. Servet Pëllumbi, një ish-funksionar i lartë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në një intervistë televizive zbardhi mëtej dokumentin e Ramiz Alisë, të bazuar në platformën e Mikhail Gorbaçovit, të ashtuquajturën “Katovice” duke rrëfyer vendimin e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë për të zbatuar vendimin sekret të Byrosë politike të Shqipërisë, në lidhje me këtë platformë.   Në Shqipëri gjithnjë duket si tabu përmendja e këtij këtij dokumenti, dhe si rrjedhim tërheq vëmendje e interesim sado herë që përmendet.  Është i rëndësishëm fakti që Z. Servet Pëllumbi, i cili ka qenë pjesmarrës dhe është në dijeni të plotë të ngjarjeve të 20 e sa viteve të jetës politike në Shqipëri, flet për këtë fenomen të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare.   Deklaratat e tija kanë peshë dhe janë një kontribut në diksursin politik për zbardhjen e së vërtetës së historisë moderne të vendit.  Platforma “Katovice”,  në të vërtetë, ishte sajuar nga ish-udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçev.  Duke parë se komunizmi si ideologji dhe sistem qeveritar kishte dështuar anë e mbanë ish perandorisë sovjetike, ai në vitin 1987, mblodhi ish-udhëheqsit e partive komuniste në Katowice të Polonisë për tu paraqitur atyre platformën e kalimit nga komunizmi në “demokraci’’.

Megjithëse Partia e Punës e Ramiz Alisë nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Katowicës, pasi e konsideronte veten gjithnjë si shpëtimtarja e fundit e marksizëm-leninizmit në botë, Zoti Pëllumbi thotë se megjithëkëtë platforma “Katowice” i kishte ardhur Ramiz Alisë nga Gorbaçovi dhe sipas tij, diktatori komunist shqiptar e zbatoi atë me përpikmëri — në mendimin tim më me përpikmëri se në çdo vend tjetër komunist të Europës.  Zoti Pëllumbi drejton gishtin ke Ramiz Alia, si njeriu i cili në bazë të plaformës “Katowice”, megjithëse në prapaskenë,   luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit edhe pas vitit 1990 duke caktuar udhëheqsit e partive politike, si dhe reformat që duhen bërë në fushën ekonomike dhe politike të vendit.  Për mua elementi më i rëndësishëm në këtë platformë është amaneti i Ramizë Alisë se si të trajtohen (ose jo) ish-të përndjekurit politikë.   Pyetjes së gazetarit në televizionin “Channel One”,  nëse Ramiz Alia kishte gisht në zbatimin e platformës “Katovice” në Shqipëri, ish-udhëheqsi socialist, Z. Servet Pëllumbi, ndër të tjera tha këto:  “Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri.  Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së ‘87.   Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë.  Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete.  Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës.  Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji.  Dokumenti që po ju tregoj është një facsimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike”, tha ai në intervistën televizive për “Channel One”.

Në përgjigje të gazetarit, nëse ka ndonjë pikë referimi ndaj këtij dokumenti, Zoti Pëllumbi tha se dokumenti është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë në vitin 1989,  nga i cili ai lexoi në ekran pjesët më thelbësore të dokumentit, bazuar në materialet e Gorbaçovit ku sipas tij, thuhet:   “Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?”  Ndër të tjera thotë: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne”.  Dhe kështu u bë.  Vijon Ramizi: “Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.  Momenti i dytë është ai i të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”.  Problemi i tretë, lidhet me pronat: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne”. Dhe  më në fund, sipas Z. Servet Pëllumbi, Ramiz Alia ka thënë se sipas kësaj strategjie,  “brenda dy tre legjilstaurave do kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”.

Megjithëse kam besim tek deklarata e Z. Servet Pëllumbi, është shumë vështirë të zbulohet e vërteta mbi zbatimin e këtij dokumenti, siç është vështirë të zbulohet e vërteta për shumë gjëra të historisë komuniste dhe post-komuniste të Shqipërisë.  U mbetet  historianëve të paanshëm që më në fund të  hedhin dritë mbi këtë fenomen dhe të tjerë të kësaj natyre.  Por një gjë është e qartë.  Nëqoftse Ramiz Alia kishte gisht në vendosjen e udhëheqsve të     Shqipërisë post-komuniste dhe në krijimin e partive politike, historia e 20-viteve të fundit tregon se amaneti i ish-udhëheqsit komunist shqiptar – në bazë të platformës “Katovice” — është zbatuar si një skenar i ndjekur me përkushtim,pa ndryshuar pikë as presje.  Mund të ketë qenë këjo një koincidencë, ose mund të ketë qenë një aksident historik, që gjërat në Shqipëri të kenë rrjedhur pothuaj përpikëmërisht në përputhje me strategjinë e platformës “Katovice”.

Në vizitën e parë në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991,  me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishim dëshmitarë të një vendi të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, por njëherazi u gjëndëm edhe përball një populli plotë pritje, i cili ëndërronte për një të ardhme më të mirë, për një jetë të lirë dhe në drejtësi.  Shqiptarët dëshironin integrimin me Perëndimin, rivendosjen e pronës private, të demokracisë, të zbatimit të ligjit. Dëshironon lirinë e shtypit, gjykata të pavarura dhe privatizim.  Por sot pas 20 e sa vjetësh, megjithë dukjet dhe retorikën demokratike, Shqipërisë fatkeqsisht i mungon substanca e vlerave të vërteta demokratike dhe është kaplluar nga një kulturë politike e rrënjosur në mos besim dhe mungesë tolerance ndaj kundërshtarit politik, që e ka lënë vendin pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.

Sipas Z. Servet Pllumbi, në skeletin e programit të Ramiz Alisë thuhet se “Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin”, një amanet ky që është mbajtur, pasi jo vetëm që ata nuk kishin asnjë mundësi që të merrnin pushtetin, por ata u anashkaluan dhe as nuk u pranuan si pjesë e qeverive të 20-viteve të fundit.  Është e mundur që asnjë përson nga rradhët e të ish-përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe as nga bijtë e bijat e tyre të kësaj shtrese të shoqërisë së vuajtur shqiptare të ketë pasur përgatitjet dhe kualifikimet e duhura për ndonjë  detyrë me rëndësi në qeveritë socialiste dhe demokratike të  20-viteve të fundit?  Kombi shqiptar do të përparojë vetëm atëherë kur të gjithë trajtohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Vetëm atëherë kur nuk bëhen përjashtime, por kur të inkurajohet pjesëmarrja dhe përdorimi i talentit  dhe potencialit të plotë të çdo personi pa marrë parasyshë të kaluarën familjare ose  bindjet politike të tij. Kombi do të përfitojë dhe të shkojë përpara vetëm atëherë  kur të tërheq talentet më të mira nga të gjitha shtresat e shoqërisë – pa ndonjë barometër politik – me qëllim realizimin e ëndërrave të shqiptarëve të para 20-viteve dhe vetëm në këtë mënyrë Shqipëria dhe Shqiptarët do të jenë në gjëndje të përballojnë sfidat e mëdha tani dhe në të ardhëshmen. A është e drejtë që bijtë dhe bijat e të përndjekurve të mos përfshihen në qeverisjen e Shqipërisë demokratike? Fatkeqsisht praktikat e qeverive të 20-vietve të fundit, më shumë kanë  ndarë e përçarë se sa kanë bashkuar e pajtuar.

Trashëgimia komuniste nuk mund të zhduket lehtë, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada ç’prej rënjes së komunizmit zyrtar. Këjo trashëgimi është pjesë përbërse e individëve, e grupeve dhe klasave shoqërore shqiptare dhe si e tillë, këjo trashëgimi fatkeqsisht është vendosëse për fatin e shqiptarëve tani dhe në të ardhmen.  Sidomos në Shqipëri, përballimi me të kaluarën duket se është tepër i vështirë — mos i pamundur — pikërisht për ndasitë e mëdha që kanë ekzistuar dhe që  ekzistojnë midis viktimave dhe  atyre që në emër të regjimit komunist dhunuan dhe shkelën të drejtat njerëzore të këtyre viktimave, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim.  Shoqëria shqiptare ka nevojë për krijimin e një hapsire të lirë publike ku qytetarët mund të debatojnë të pa penguar dhe pa ndërhyrje mbi çështjet e rëndësishme për fatin e tyre.  Martin Luter Kingu ka thënë se, “Jeta jonë fillon të marrë fund, pikërisht në ditën kur ne heshtim për gjërat e rëndësishme.

Z. Servet Pëllumbi hapi një debat për një gjë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare të 20-viteve të fundit.  Dhe në një seminar të organizuar ditët e fundit nga Ambasada e Polonisë në Tiranë mbi standardet e të drejtave të njeriut dhe bashkpunimin me shoqërinë civile, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani theksoi se mbrojtja e  të drejtave të njeriut  është problemi kryesor politik dhe ekonomik që pnegon zhvillimin normal të vendit duke thënë se “familja europiane, ku dëshirojmë të rikthehemi pas një mungese të gjatë dhe ku aspirojmë të jemi të barabartë mes të barabartëve, kërkon ndërgjegjësim të madh të shoqërisë, promovimin e një barazie, tolerancë dhe gjithpërfshirje më të madhe se ai me të cilin është mësuar shoqëria tradicionale shqiptare”.

Si e sheh Shqipëria të ardhmen e saj gjatë 20-viteve të ardhëshme? Cilat janë vlerat dhe objektivat mbi të cilat do të ndërtohet këjo e ardhëme.  A do të jenë gjithëpërfshirëse a po do të vazhdojnë të jenë përjashtuese?  Pa vlera dhe pa ideale të përbashkëta dhe pa të drejta të barbarta për të gjithë, përfshirë dhe ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, por sidomos bijtë dhe bijat e tyre, të cilët janë në moshën për të kontribuar — dhe pa marrë parasyshë amanetin e Ramiz Alisë —  duhet të kenë të drejtën e konkurencës që t’i shërbejnë Atdheut në çdo kapacitet dhe detyrë për të cilën kanë kualifikimet e nevojshme.  Për ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të çalojë drejtë përparimit, zhvillimit dhe integrimit europian për të cilin ka aq shumë nevojë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Gorbacovi, servet Pellumbi

ÇËSHTJA ÇAME:NUK KA PERSE TE NA ÇUDISË QËNDRIMI I VENIZELLOS

October 15, 2013 by dgreca

ARTUR VREKAJ, Worcester, MA SHBA/

Veprimi diplomatik i qeverisë Shqiptare të Shqipërisë për njohjen e Çështjes Çame sapo ka filluar me dialogun ndërqeveritar në vizitën e ministrit të Jashtëm Grek Venizellos në Tiranë këtë javë.

Aspak nuk duhet të çuditemi me qëndrimin Grek të Venizellos në Tiranë për mosnjohjen e Çështjes Çame. I njohim mirë Grekët edhe pse kanë patur Shqiptarë në udhëheqje të shtetit që prej kryengritjes së përgjithshme për Pavarësinë e dhuruar nga Shqiptarët. Edhe pse që nga hapja e pikës së Kakavijës kemi patur rastin të komunikojmë me Shqiptarë që kanë qënë ministra të Jashtëm të Greqisë në më të shumtën e rasteve me Papulias ( sot President i Greqisë) apo Theodor Pangallos.

Kjo dramë ka filluar që më 1878. Atëherë e më pas më 1913 dhe 1919 lobimi për Çështjen e Jugut të Shqipërisë (vilajetin e Janinës-Çamërinë)  ishte në rend të ditës si sot.

Greqia tregoi muskujt në Tiranë ( sikundër edhe në Berlin dhe Paris më herët) edhe pse sot është më në hall se Shqiptarët e Ballkanit duke ditur se ka një borxh përmbi dy herë më të madh se ne ( Shqipëria dhe Kosova së bashku) bazuar në mbështjetjen historike të Europës dhe Rusisë.

Shqipëria amë duhet të qëndrojë e kthjellët, sepse ne jemi rreshtuar me shtete dhe kombe që janë kundër gjenocideve njerëzore ndaj nesh si komb, kundër padrejtësive shekullore që na janë bërë nga fqinjët e në veçanti Greqia ( për rastin në fjalë) që ka sot të grabitur padrejtësisht territorin më të madh të banuar nga Shqiptarë autotoktonë-Çamërinë.

Një vend anëtar i NATO-s kërcënon diplomatikisht se nuk kemi frikë ( Venizellos, 14 tetor 2013)! Edhe pse ende Greqia ka një ligj lufte në dëm të Shqipërisë dhe Çamërisë. Kjo ndodh edhe sepse BE dhe NATO nuk janë ndalur si duhet me Greqinë megjithë elementët neonazistë në Parlamentin Grek dhe thirrjet e tyre për luftë kundër Shqipërisë këtë verë.

Shqipëria me ministrin e Jashtëm Bushati nuk kërkoj ndryshime territoresh por Shqip vetëm të drejtën e njohjes së Çështjes Çame, të drejtën e pronësisë së Çamëve.

Grekët kanë ende oreks për territor Shqiptar dhe këtu mund të përmendim edhe piketat Greke në territorin Shqiptar me Varrezat Greke në Jug të Shqipërisë apo dhe miljet detare në det të hapur që i përket Shqipërisë.

Kjo situatë në dëm të sovranitetit të Shqipërisë gjatë këtyre 23 vjetëve u degradua me qëndrime antishqiptare jo vetëm të Athinës zyrtare, por edhe të Tiranës zyrtare.

Papërgjegjshmëria më e madhe e deputetëve Shqiptarë e në veçanti e Servet Pëllumbit, ish-kryetar Kuvendi si dhe e Jozefina Topallit, së fundi, treguan se sa kombëtarë janë këta përfaqësues të popullit tonë kur bie fjala për interesa kombëtare siç është votimi dhe botimi i Çështjes Çame në kohën e duhur.

Po mbushet një shekull nga masakrat Greke në Çamëri dhe Shqipërinë e Jugut dhe ende qëndrimi Grek nuk ka ndryshuar. Bile, me qeverisjet e mëparshme Shqiptare të 23 viteve të fundit është krijuar terren pro-Grek për më shumë influencë Greke në Tiranën zyrtare nga brenda.

Shqiptarët duhet të kuptojnë se Çështja Çame nuk është detyrë vetëm e diplomacisë Shqiptare të Tiranës, por e të gjithë faktorit Shqiptar të Ballkanit dhe Diasporës. Prandaj, lobimi në favor të njohjes ndërkombëtare të Çështjes Çame deri në arritjen e saj duhet të marrë përmasa reale pranë institucioneve ndërkombëtare si Parlamenti Europian, NATO, OKB, OSBE, si dhe Kongresi dhe Senati Amerikan.

Ashtu si një shekull më parë, Shqiptarët e Amerikës duhet të përbashkohen të lobojnë me çdo mënyrë sikundër bëri Noli, Konica për dy dekada apo dhe DioGuardi së fundi për një çerek shekull për të bërë të qartë në Kongres dhe Senat Çështjen Çame si pjesë e Çështjes Kombëtare Shqiptare.

Një peticion  me firmat e të gjithë Çamëve të Amerikës mund të ndihmojë si pjesë e një Dëshmie Historike për kalvarin e mundimeve gjatë Gjenocidit Grek të ushtruar mbi ta dhe familjet e tyre.

Po ashtu hartimi i një ProjektRezolute për Çështjen Çame dhe propozimi i saj për votim në Kongresin dhe Senatin Amerikan kërkon një bashkërendim për një lobim të fortë me të gjithë komunitetin Shqiptar e në veçanti me Lidhjen Qytetare të DioGuardit që ka dhënë tonin për Çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës siç ishte dhe rasti i Dëgjimit Historik në Kongres për Marrëveshjen Kosovë-Serbi në prill 2013.

Krijimi i një Grupi Ndërparlamentar me deputetë Shqiptarë të Ballkanit ( përfshi deputetët Çamë) do të jepte mundësinë e përmbushjes së një axhende më të plotë për një lobim më të përfaqësuar për njohjen e Çështjes Çame në Bashkimin Europian.

Dosja e Çështjes Çame do të udhëtojë drejt Strasburgut jo se na e tregoi rrugën Greqia por, sepse ne jemi të vendosur për të kërkuar të drejtën Çame me çdo mënyrë legjitime e demokratike.

Kjo do të tregojë edhe se sa demokratike është Europa, e cila duhet të kuptojë se kombi ynë nuk mund të nëpërkëmbet më.

Për çdo subjekt Shqiptar, partiak apo shtetëror apo dhe të Diasporës Çështja Çame sot le të jetë në rend të ditës për lobim. Le të përbashkohemi vëllazërisht.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: artur vrekaj, ceshtja came, mos njohja, Venizellos

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 954
  • 955
  • 956
  • 957
  • 958
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT