*Marrëdhëniet me Greqinë, mes velenit dhe miqësisë/
* Një fjalë e urtë indiane thotë: Mos e shmang problemin, por ballafaqohu me të, përndryshe agonia do të zgjatet./
Nga Reis Çiço/
Pas vendosjes së demokracisë në vendin tonë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë sjellë kurdoherë midis normales dhe anormales, rruga e këtyre marrëdhënieve ka qenë e vështirë dhe është
shoqëruar me turbulenca konstante.
E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e ekzistencës së disaproblemeve midis palëve, që jo vetëm nuk janë zgjidhur, por kohë pas kohe, ato mahisen duke traumatizuar marrëdhëniet dypalëshe.
Tashmë është njoftuar se më datë 14 Tetor, Tiranën do ta vizitojë ministri i Jashtëm grek, Venizellos. Axhenda e ministrit është bërë publike, dhe ajo përmban bisedime për çështjen e kufirit detar, do të
diskutohet për gazsjellësin TAP, dhe ndoshta Venizellos do të vendosë piketat e vizitës së ardhshme të presidentit Papulias, diku nga muaji nëntor në Tiranë.
Udhëtimi i marrëdhënieve Shqipëri-Greqi është shoqëruar me incidente të vogla e të mëdha, një pjesë e mirë e të cilave ose nuk është zgjidhur, ose është gjetur një zgjidhje përcjellëse.
Në nëntor të vitit 2005, u shënua një nga incidentet më të rënda diplomatike. Në atë kohë, Presidenti i Greqisë, Papulias po zhvillonte një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila do të mbyllej me një takim në
qytetin e Sarandës, me presidentin e asaj kohe, Alfred Moisiu.
Dhjetëra apo qindra njerëz në qytetin bregdetar nisën një protestë, e cila bëri që Presidenti grek të anulonte takimin me homologun e tij shqiptar, dhe të largohej drejt Greqisë, pa dhënë asnjë shpjegim.
Mos vallë z. Papulias nuk e dinte se protestat janë pjesë vitale e demokracisë? Mos vallë ai harroi se kur Athinën e vizitoi presidenti Klinton gjysma e kryeqytetit grek u dogj nga protestuesit? Natyrisht
ai i di të gjitha, por me Shqipërinë gjërat ndryshojnë, ndaj dhe presidenti grek ndërmori një hap arrogant dhe prepotent, sepse e dinte që reperkusionet diplomatike e më gjerë do të ishin zero, dhe ashtu
ndodhi. Asnjë reagim nga presidenca, qeveria, madje dhe media reagoi vakët. Një heshtje e çuditshme!
Rastet e përsëritura të incidenteve kanë evidentuar qartë dy qëndrime diametralisht të kundërta. Nga njëra anë prepotenca e Athinës zyrtare, dhe nga ana tjetër përulësia e Tiranës zyrtare.
Në vazhdën e incidenteve, vlen të evidentohet se deputetë të ndryshëm grekë, qoftë dhe të “Agimit të Artë”, me raste të përsëritura skandalesh në vendin tonë, jo vetëm nuk kanë problem për të hyrë në
Shqipëri, por dhe kur vijnë, në raste zgjedhjesh, apo ceremony përkujtimore, shpërthejnë në histerizma antishqiptare dhe largohen të qetë për t’u rikthyer përsëri. Ndërkohë që qeveria greke shpall person
non grata një gazetar shqiptar pse xhiroi disa sekuenca në fshatrat e Çamërisë, e kështu lista mund të zgjatet pafund.
Parë në një rend kronologjik, Athina zyrtare ka qenë dhe është këmbëngulëse në realizimin e objektivave dhe kërkesave të saj, sepse ajo i ka dominuar kurdoherë marrëdhëniet me Shqipërinë, për arsye shumë komplekse, që meritojnë një shtjellim të veçantë.
Çështja e kufirit detar me Shqipërinë është në krye të axhendës, dhe konfirmon se këmbëngulja greke për zgjidhjen e saj ka qenë dhe mbetet një konstante e pandryshuar. Është ky problem që realisht po bie në Tiranë ministrin e Jashtëm grek.
Në këtë sfond, me dritëhije të marrëdhënieve shqiptaro-greke, vizita e ministrit të Jashtëm Venizellos merr një rëndësi të veçantë dhe është interesante në disa aspekte.
1. Shqipëria udhëhiqet nga qeveria e re e majtë që doli nga zgjedhjet e 23 Qershorit.
2. Ministri grek do të diskutojë vetëm për kufirin detar, apo do ta zgjerojë gamën e bisedimeve, duke prekur çështje të tjera delikate që rrinë pezull në marrëdhëniet tona?
3. A do të jetë Venizellos, dialogues, sugjerues, apo imponues?
4. Nga ana tjetër, kjo vizitë është një test për qeverinë e re. Çfarë qëndrimi do të mbajë lidhur me kufirin detar, që Gjykata Kushtetuese e ka bllokuar?
5. Po çështjen Çame e të tjera, do t’i hedhin përfaqësuesit tanë në tryezën e bisedimeve?
Sigurisht, të gjitha këto pyetje do të marrin përgjigje kur vizita e z. Venizellos të përfundojë.
Çështje të trashëguara dhe çështje të reja që kanë lindur në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Qeveria jonë nuk duhet t’i shmangë,përkundrazi t’i shtrojë ato për zgjidhje, duke u mbështetur mbi një dimension tjetër mendimi e veprimi, ku në themel të jenë Reciprociteti dhe Dinjiteti.
Nëse do të ketë vullnet nga palët, zgjidhjet aty janë, në të kundërt do të vazhdojmë të ecim mes velenit dhe miqësisë.
AKUZË GJENOCIDI PËR KRIMET KOMUNISTE NË RUMANI
Nga Frank Shkreli /
Gjatë dy dekadave të fundit, shtetet ish-komuniste të Europës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik — dikush më shumë e dikush më pak, e disa prej tyre aspak — janë përpjekur që të përballen me krimet dhe me abuzimet e të drejtave të njeriut, që ishin karakteristikë e jetës së përditëshme të regjimeve komuniste për pothuaj 50-vjetë. Megjithëse ky proces ndryshon nga vendi në vend, në përgjithësi shtetet ish-komuniste janë përpjekur të zbatojnë një sistem drejtësie që të mundësonte, që këto shoqëri të përballeshin me të kaluarën e tyre tragjike komuniste, duke mare vendime për ligjet e lustracionit, ndalimin për të marrë pjesë në jetën politike të ish-zyrtarëve komunistë dhe të ish-zytarëve të policisë sekrete të shteteve komuniste, përfshirë edhe spiunët. Disa vende kanë hapur të gjitha dosjet duke bërë të mundur që qytetarët e thjeshtë të mund të shikojnë arkivat dhe informatat e mbledhura për ta nga ish-sigurimi i shtetit komunist. Ky proces i përballimit me krimet e regjimeve komuniste në shumë vende ka përfshirë gjyqe dhe procedura ligjore kundër ish-zyrtarëve komunistë dhe ish-agjentëve të sigurimit të shtetit, të cilët dyshohet se kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe brutalisht kanë dhunuar dhe kanë shkelur të drejtat bazë të njeriut, të bashk-kombasve dhe bashk-qytetarëve të tyre.
Kohët e fundit media amerikane dhe ajo rumune dhe europiane, përfshirë media të njohura si gazeta Nju Jork Tajms, kanë shkruar për vendimin e prokurorëve rumunë të cilët kohët e fundit njoftuan vendimin për të akuzuar zyrtarisht për kryerje gjenocidi, një komandant të burgjeve të regjimit komunist rumun. Prokurorët rumunë kanë akuzuar ish-komandantin Aleksandru Visinescu për krimet që sipas dëshmitarëve ai ka bërë kur ishte përgjegjës i burgut famëkeq Ramnicu Sarat, nga viti 1956 -1963. Thuhet se në atë burg mbaheshin kundërshtarët më të dalluar politikë të regjimit komunist rumun, përfshirë elitën politike para- komuniste të Rumanisë si dhe intelektualët dhe klerikët më të njohur të vendit. Siç duket, këjo masë nga prokurorët rumunë është një përpjekje serioze nga ana e auoriteteve rumune për tu përballur me të kaluarën komuniste të vendit të tyre, duke sjellur para drejtësisë ish-komandantët e burgjeve, të cilët mundësuan qendrimin në fuqi të një prej regjimeve më brutale në Europën Lindore.
Akuza për gjenocid, është një akuzë e rëndë, pasi gjenocidi përcaktohet nga Kombet e Bashkuara si një krim ndërkombëtar, dhe si një “akt që kryhet me qëllim të për zhdukur në terësi, ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar”. Ish komandanti i burgjeve të regjimit komunist rumun, Aleksandru Visinescu është personi i dytë në Rumani që mban mbi shpatulla akuzën e gjenocidit, pas ish-diktatorit komunist rumun Nikolai Çausesku dhe bashkshortes së tij, të cilët u gjykuan dhe u ekzekutuan në vitin 1989. Prokurorët rumunë, në deklaratën për median, janë shprehur se Visinescu, si komandant i burgut Ramnicu Sarat, i trajtonte aq barbarisht të burgosurit politikë sa trajtimi i tyre shtazarak kishte për qëllim zhdukjen fizike të kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.
Ishte Instituti Rumun për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe të Kujtimit të të Mërguarve Rumunë, një organ qeveritar, ai që mblodhi provat kundër Visinescu-t dhe bëri një listë që përfshinë emërat e të pakën 35 ish-zyrtarëve komunistë, të cilët instituti në fjalë i akuzon ata për shkelje të të drejtave të njeriut dhe abuzime e krime të tjera. Instituti qeveritar për Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Rumani, në një prononcim për median tha se, “mirëpret këtë vendim historik (të Prokurorisë rumune) duke nënvijuar njëkohësisht vedosmërinë e tij për të vazhduar përpjekjet për identifikimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për abuzime dhe krime të rënda politike gjatë periudhës komuniste.” Duke thënë se ky vendim është historik jo vetëm për Institutin që ai kryeson por edhe për të gjithë shoqërinë rumune, Presidenti i Institutit Andrei Muraru u shpreh për median se, “Këjo është hera e parë që një ish-nëpunës i sistemit të burgjeve komuniste akuzohet për gjenocid, për krimet politike dhe abuzimet e bëra gjatë regjimit komunist.” Ai shtoi se akuza kundër ish-komandantit të burgut famëkeq Ramnicu Sarat, Aleksandër Visinecu-t, “përbën një pikë-këthesë në zhvillimin dhe dënimin e krimeve të regjimit komunist”, në vendin e tij.
Para një jave, gazeta Nju Jork Tajms në një artikull të gjatë në faqen e pare, tha se akuza zyrtare kundër ish-komandantit të burgut Visinescu ka shtuar shpresat se më në fund edhe Rumania po ndjekë shembullin e shumicës së fqinjëve të saj në Europën Lindore dhe Qëndrore për të “shkundur amnezinë kombëtare mbi të kaluarën e saj brutale dhe që të rishqyrtojë kulturën e mos-ndëshkimit e cila ka nxitur korrupcionin e papërmbajtur në shoqëri, gjë që ka ngadalësuar dukshëm përparimin e vendit, megjithëse është anëtare e Bashkimit Europian ç’prej vitit 2007.” Gazeta Nju Jork Tajms shkruan se vazhdimësia midis elitës komuniste dhe post-komuniste është një fakt që shpjegon se pse në Rumani ekziston një rezistencë aq e fortë ndaj përballimit me krimet e regjimit komunist. Gazeta citon, Laura Stefan, një eksperte rumune të ligjit e cila thotë, duke iu referuar vendit të saj se, “Ne rrjedhim nga ujëra të thella dhe shumë të ndyra. Korrupcioni është arsyeja kryesore që ne nuk flasim për të kaluarën”, tha ajo për Nju Jork Tajms. Megjithëse e sheh akuzën zyrtare ndaj ish-komandatit Visinescu si diçka pozitive, ajo dyshon se autoritetet janë serioze për të dënuar dhe burgosur Visineskun dhe të tjerët si ai të akuzuar për krime gjatë regjimit komunist. Edhe profesori rumun D. Voinea citohet nga gazeta Nju Jork Tajms se elita politike dhe ekonomike e Rumanisë gjithnjë dominohet nga ish-komunistët dhe të afërtmit e tyre, të cilët si të tillë duan të sigurohen se krimet e komunizmit nuk do të zbulohen kurrë dhe ata që i kryen ato krime nuk do të dënohen kurrë për to.
Tranzicioni nga regjimet komuniste në demokraci ka qenë dhe vazhdon të jetë i vështirë për shumë vende të ish-bllokut komunist, përfshirë Rumaninë, por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën si vende ish-komuniste. Ekspertët në përgjithësi janë dakort se konfliktet e pazgjidhura që rrjedhin nga mos vullneti për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe të gjitha të zezat e saja vazhdojnë të pengojnë zhvillimin dhe stabilizimin e një sistemi të vërtetë demokratik, megjithëse në pushtet tani janë përfaqsues të një brezi tjetër, por pinjollë të regjimit të vjetër komunist. Tranzicioni ka qenë më i vështirë në shtetet ish-komuniste siç janë Shqipëria dhe Rumania, vende këto të cilat, ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, nuk kanë dënuar as nuk kanë mbajtur përgjegjës asnjë person për krimet dhe masakrat e kryera gjatë periudhës komuniste ndaj kundërshtarëve të pafajshëm të regjimit komunist. Madje në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, individë që kishin marrë pjesë në shtypjet brutale dhe në zhdukjen e kundërshtarëve të regjimit komunist, gjatë 20-viteve të fundit, janë këthyer në pozita të larta të pushtetit qeveritar dhe shtetëror.
Siç duket, në një mungesë të plotë të vullnetit politik për tu marrë me krimet e së kaluarës, në disa vende ish-komuniste dhe jashtë, do të vazhdojë debati në lidhje me hapjen ose jo të dosjeve, me lustracionin, me gjyqet dhe me dënimin e atyre që kryen krimet dhe masakrat gjatë diktaturës komuniste kundër popullit të vet. Pyetja është se pse disa vende përballen me të kaluarën e tyre diktatoriale e shtypëse duke hapur dosjet e sigurimit të shtetit, duke ndaluar pjesëmarrjen në politikë të ish-zytarëve të regjimeve komuniste dhe duke dënuar abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të bashkombasve të vet, ndërsa disa vende të tjera me të njëjtën histori krimesh e abuzimesh ndaj popullit të tyre, nuk bëjnë asgjë për tu përballur me të kaluarën e tyre tragjike. Shekspiri ka thënë, “What is past is prologue”, që pak a shumë do të thotë se ato që kanë ndodhur më heret vendosin faktorët sundues tani dhe për të ardhmen, me fjalë të tjera nëqoftse e kaluara nuk gjykohet për ato që ishte, në këtë rast për krimet dhe brutalitetin e regjimeve komuniste, atëherë historia do të prësëritet.
Idriz Lamaj: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”
Nga ANTON ÇEFA/
Hulumtimi rreth ngjarjeve të së kaluarës dhe ndriçimi i figurave që kanë luajtur njëfarë roli historik, i jetës dhe veprimtarisë së tyre është i domosdoshëm, qoftë për ndërtimin e godinës historike kombëtare mbi themele të sakta-një detyrim qytetërues ndaj së kaluarës, qoftë për t’u orientuar në shtigjet politike të së tashmes-një detyrim i dyfishtë ndaj së sotmes dhe së ardhmes, qoftë për vlerësimin e veprimtarisë së tyre-një detyrim ndaj përpjekjeve, mundimeve e sakrificave të tyre, një detyrim që duhet ta lajë heret a vonë një komb i qytetëruar. Këtij qëllimi i shërben libri i fundit i studjuesit Idriz Lamaj mbi figurën e Xhafer Devës: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, botuar në NY, kohët e fundit.
Le të kujtojmë gjithnjë thënien e famshme të filozofit amerikan, Santayanës: “Ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë”.
Duke qenë se për një kohë të gjatë historia jonë kombëtare, si në Shqipëri ashtu edhe në trojet e robëruara, ka qenë mohuar, shtrembëruar, përbaltur, mallkuar, për ne shqiptarët, dritësimi i fakteve, ngjarjeve, personaliteteve ka një rëndësi të dorës së parë.
Duke medituar për gjendjen e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, autori hulumton me zell e durim “si një vëzhgues i akullt i kohës” shkrimet dhe letrat e personaliteteve, që hodhën vallen e politikës shqiptare në mërgim dhe u jep dritë atyre mbi bazën e kujtimeve të veta në marrëdhënie me to, duke sendërtuar kështu një shërbesë me vlerë për një trajtim sa më objektiv të jetës dhe veprimtarisë së tyre.
Përveç njohjes e letërkëmbimit personal me Devën, përveç shkrimeve të botuara në shtypin e emigracionit, ku autori ka luajtur një rol aktiv, përveç letërkëmbimit për rreth 40 vjet të Devës me shokun e mikun e tij të ngushtë, dr. Rexhep Krasniqin, Lamaj, me përpjekjet këmbëngulëse që e karakterizojnë, siguroi edhe korrespondencën që dispononte familja e Devës dhe që ia kishte dorëzuar z. Qefali Hamdisë.
“Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i mirrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihej një periudhë prej mbi 30 vjetësh, 1945-1978”-shkruan autori dhe sqaron: “Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë-tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht”.
Për trajtimin e kapitullit: “Marrëdhëniet e Xhafer Devës me Blokun Kombëtar Indipendent dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri dhe Kosovë”, autori u vu në lidhje me vëllezërit Kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Nikollë Gjomarkaj, të cilët përveç vënies në dispozicion të lëndës së nevojshme, i ndihmuan në shqyrtimin e dokumenteve dhe në deshifrimin, transkribimin dhe përkthimin nga italishtja të materialeve të papublikuara deri më sot dhe që u botuan në këtë kapitull.
Libri fillon me një parathënie të shkurtër, mbas së cilës jepet një skicë e jetës dhe e veprimtarisë së Xhafer Devës në mërgim, së cilës i shtohen disa të dhëna edhe për jetën e mëparshme në kapitullin “Xhafer Deva në SHBA.”; vijon parashtrimi me hollësi i veprimtarisë së Xhafer Devës në bashkëpunim me Blokun Indipendent për organizimin e zbarkimit të parashutistëve në Shqipëri e Kosovë dhe përpjekjet e tij për krijimin e një qendre sekrete informative në Kosovë në shërbim të amerikanëve dhe riorganizimin e Lidhjes së Prizrenit në Amerikë, (gjë që u bë me inisiativën e Grupit Kosovar me banim në NY, në emër të të cilit vepronte dr. Rexhep Krasniqi, megjithëse ishte kryetar i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë), si një organizatë politike kosovare e pavarur në botën e lirë. Flitet për organizimin e kongreseve të saj, në vitet 1966 dhe 1971; për pjesëmarrjen e Devës, në vitin 1972, në mbledhjen e Madridit për koordinimin e veprimtarisë së partive politike shqiptare në megrim.
Duke u mbështetur në frymën tradicionale të Lidhjes së Parë historike të Prizrenit dhe Lidhjes së Dytë, Lidhja e Prizrenit në Mërgim pati për qëllim realizimin e bashkimit të popullatës shqiptare që jeton në trojet e veta nën robërinë jugosllave me Shqipërinë, mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje.
Lidhja e Prizrenit në Mërgim, nën drejtimin e Xhafer Devës, u bë një organizatë e fuqishme që luajti një rol të rëndësishëm për të paraqitur gjendjen reale dhe kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare të pushtuar nga Jugosllavia. Ajo krijoi disa degë në SHBA, dy degë në Kanada, degë në Bruksel, Paris, 3-4 degë në Gjermani, Stamboll dhe Australi.
Nëpërmjet korrespondencës së Devës, autori ka dhënë edhe disa skica portretesh për disa nga udhëheqësit dhe veprimtarët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim: Kalosh Hamdia, Hysen Terpeza, Ismet Berisha, Shemsedin Vendresha, Gjon Shtufaj dhe Zef Nekaj..
Deva, gjithashtu, luajti deri në njëfarë mase rolin e një katalizatori në lëvizjen politike shqiptare në mërgim. Ai ishte për një veprimtari të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare, në përpjekje për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimit të trojeve të pushtuara nga Jugosllavia. Duke gëzuar një reputacion të tillë, ai u zgjodh për të drejtuar tubimin e Madridit.
Libri mbyllet me kapitullin : “Shkrime të Xhafer Devës”, ku janë botuar : “Sfondi i depërtimit të suksesshëm të Bashkimit Sovjetik në Lindjen e Mesme” (një analizë politike që Deva e lexoi në Akademinë Ushtarake Amerikane në Ëst Point, material që botohet për herë të pare); një relacion i gjatë që Deva ia dërgoi Ministrive të Jashtme Italiane e Amerikane, nga fundi i vitit 1953 (i pabotuar) dhe një Fjalim i Xhafer Devës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Blokut Kombëtar Indipendent.
Forcat politike në mërgim mbështetën Lidhjen e Prizrenit në Mërgim. Që në Kongresin e saj të Parë, në vitin 1966, në emër të “Vatrës”, z. Antoni Athanas-kryetar i atëhershëm i saj, u zotua se “do të ndiqte me besnikëri idealet e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim për realizimin e Shqipërisë etnike”. Në letrën e falënderimit që Deva i dërgon z. Athanas, shkruan: “Pjësëmarrja Juaj në Kongresin e Parë të Lidhjes së Prizrenit ishte një nderim i veçantë për mua dhe një garanci e vazhdimit të idealeve të Vatrës ndaj realizimit të Shqipërisë etnike. Fjalimi i Juaj prekës dhe zotimi se, ‘do të mbështesni me vendosmëri të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës për bashkim me shtetin e lirë shqiptar’, jam i bindur se do të dëgjohen në Ëashington me respekt dhe seriozitet…”
Shtjellimin e lëndës, autori e përfundon me kërkesën për kthimin në atdhe të ështrave të Devës: “Është detyrë morale e kosovarëve, sot në Kosovën e lirë prej pushtuesit serb, ta kthejnë Xhafer Devën në Kosovë, sepse varri i tij në vendlindje do të ishte një piramidë kufiri, e cila do t’i bënte roje atdheut më shumë se një ushtar i mbërthyer në armë.”
Libri është shkruar me një ndjenjë të ngrohtë dashurie e nderimi për personalitetin e Devës e veprimtarinë e tij politike dhe, përveç vlerës historike, aty-këtu ka pjesë të bukura letrare. Nuk mungojnë as fotografitë. Botimi i tij u bë i mundur me sponsorizimin e një grupi shqiptaro-amerikanësh.
Në emër të vatranëve përgëzoj autorin, z. Idriz Lamaj, anëtar i këshillit të “Vatrës”, për botimin e këtij libri dhe botimet e tjera me vlerë dhe i uroj shëndet dhe suksese në veprimtarinë e tij të mëtejshme krijuese e botuese.( Autori ishte editor i Diellit nga viti 1994-2009 Dielli-Arkiv)
Eksperienca është emri me të cilin quajmë gabimet tona.!
Nga Gëzim Llojdia/
1.“Matura Shtetërore”
Emri zyrtar është “Matura Shtetërore” (Matura Shtetërore), e cila u prezantua në vitin 2006 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bazuar te Provimet e Pjekurisë. Matura është provimi i detyrueshëm që duhet të kalojë pas mbarimit të gjimnazit (shkolla e mesme) të ketë arsimin e njohur zyrtarisht dhe të jepet e drejtë të regjistrohen në universitete. Shkollat profesionale janë pjesë e Maturës me një strukturë të provimit disi të ndryshme.Matura është një çështje e centralizuar, e kryer nga AVA (Agjencia Qendrore e Vlerësimit) e cila është në krye të detyrave për zgjedhjen, emërimin kontrolluesit kombëtare, kategorizimin, fletët. MASH (Ministria e Arsimit dhe Shkencës), bën administrimin e përgjithshëm dhe logjistikën e mbarë provimet. Një Agjencia e dytë (APRIAL), është përgjegjëse për pranimin në publik të gjitha universiteteve shqiptare ku aplikantët kanë aplikuar.Të dy lëndët e detyrueshme për të përfunduar arsimin e mesëm janë në gjuhën shqipe dhe letërsi dhe matematikë si dhe zgjedhje.Për të u pranuar studentë të universitetit duhet të marrë dy provime shtesë të cilat ata i zgjedhin për veten e tyre nga një listë prej tetë subjekteve. Provimet e maturës mbahen në tre ditë të ndara zakonisht në periudhën qershor , korrik. Dy ditët e para janë për secilën nga lëndët e detyrueshme; ditën e tretë është për dy provime shtesë. Themelore për pranimet universitare pse një sistem më kompleks i quajtur MEP (Merite-Preference) është përdorur. Matura Shtetërore zëvendësoi një sistem të pranimit të kryer individualisht nga çdo fakultet, universitet e cila shihej si abuzive.
Diplomimi shtetit është një sistem i lidhur me provimet përfundimtare që të rriturit e rinj (të moshës 17, 18 apo 19 në fund të arsimit të mesëm në Shqipëri. Ajo u krijua nga Ministria shqiptare e Arsimit dhe Shkencës në vitin 2006, si një projekt që do të shmangte korrupsioni, mungesën e kontrollit dhe favorizimet që kishte karakterizuar paraprakisht provimet në sistemin e maturës.
Ndryshe nga sistemi i mëparshëm, i cili përbëhej nga tre dypjesësh (provimeve me shkrim dhe me gojë Letërsi, Matematikë shkrim dhe me gojë, me shkrim dhe me gojë dhe Fizikë), Diplomimi i Shtetit përbëhet nga dy provimet e detyrueshme (matematika e shkruara dhe literaturën e shkruar) dhe dy provime të tjera. Këto dy të fundit provime janë zgjedhur nga studenti nga një përzgjedhje të subjekteve (Kimi, Biologji, Fizikë, Anglisht, Histori-Gjeografia dhe Sociologji-Ekonomi-Filozofi).
Megjithatë, ky sistem është kritikuar shumë për nivelin e lartë të vështirësisë, dhe subjektivitetit dhe kategorizimit të rreptë, duke rezultuar në mesataret me rezultatin ulëta.
Shqetësimet kanë qenë gjithashtu të ngritur rreth diplomimit të Shtetit për masat e sigurisë rigoroze. Për shembull, mësuesit që krijojnë testin janë të izoluar për një javë të tërë, pa ndonjë mjet të komunikimit me botën e jashtme. Fletët e provimit dhe fletët përgjigje janë gjithmonë të shoqëruara nga policia. Ata janë shpërndarë në zarfe gjatë orëve ndryshme të natës, sipas distancës së shkollës nga Ministria. Të gjitha zarfet janë menduar të hapet pikërisht në të njëjtën kohë, 10 jam i të gjitha provimet janë të dyfishtë kontrolluar për të shmangur çdo gabimet e mundshme. Megjithatë, mësuesit janë të zgjedhur rastësisht, dhe shumica e mësuesve jashtë kryeqytetit nuk kanë nivelin e duhur akademike.
…………………..
Kam ndjekur me vëmendje procesin, që MASH e ka quajtur :”Matura shtetërore” ose ndryshe :”sanduic” ditën kur ky sistem i diplomimit të maturantëve do të kalonte përmes këtij procesi të tejzgjatur dhe shumë të fryrë për nga fatura financiare.
Ja cilat janë rrugët në të cilat kalon matura shtetërore dhe ingranazhi i saj financiar.
1-Nis procesi i ngujimit të përgatitësve të tezës së gjuhës shqipe dhe letërsisë. Sa është kostua?
2- Nis procesi i ngujimit të përgatitësve të tezës së matematikë. Sa është kostua?
3- Nis procesi i ngujimit të përgatitësve të tezës së provimet me zgjedhje. Sa është kostua?
Faza e dytë
1-Fillon procesi i shpërndarjes së zarfit me tezën e provimit përkatës .Rreth orës 2 mëngjesit dalin nga Agjencia automobilat të cilat do të shkojnë nga jugu në veri në të gjitha qytetet ku gjimnazistët shtetërorë dhe privat do të fillojnë procesin e provimit shtetëror. Sa është kosto?2-Teza ka arritur në Drejtorin arsimore të rrethit. Do të duhet të kryhet një operacion tjetër i cili përfshinë shpërndarjen e tezës në të gjitha shkollat ku do të zhvillohet provimi. Sa është kostua?
Maturantët
Nëse do të ndjekin dinamikën e procesit të maturantëve gjejmë këto lëvizje të kostueshme. Le ti hedhim një sy procesit në një rreth si është Vlora. a-Maturantët e shkollave jopublike zhvendosen nga shkollat e tyre drejtë atyre publike 9 vjeçare. Në qytetin e Vlorës janë këto shkolla publike :”Perla”,’Drita e Dijes”,”Internacional”,Ikeja,”Real’’,Nr1”,”Aulona”,’E gjuhëve të huaja”,”Bota e dijes dhe shkencës”.
b-Ora 6-7 e mëngjesit .Nis procesi i transportit të maturantëve të shkollave publike nga komunat dhe fshatrat në drejtim të qytetit. Vetëm në rrethin e Vlorës drejt qytetit në këtë orar do të transportohen maturantët e këtyre shkollave publike. Kuc,Vranisht,.Brataj,Smokthinë,Gjormë.Sevaster,Kotë,Vllahinë,Armen,Selenicë,Himarë,Dukat,Orikum,Novoselë. Sa është numri i nxënësve që do të transportohen,numri i mjeteve ,autobusë, furgonë etj dhe kostua e këtij operacioni?
Mirëpo i gjithë ky shpenzim përfshihet tek thënia:” Kush nuk ka kokë, ka këmbë”.
c-Vendosjen e administratorëve të cilët do të qëndrojnë në sallat e provimit gjatë kohës së zhvillimit të këtij procesi. Administratorët përzgjidhen nga Drejtorit arsimore duke zgjedhur mësuesit e ciklit të ulët dhe 9-vjecarë. Por sa është numri i tyre në të gjithë vendin dhe fatura financiare?
d-Operacioni i përfundimit të provimit i cili tash lëviz në drejtimin e kundërt.
e-Ngujimi i korrigjuesve në disa qendra të ndara për të gjithë vendin. Sa mund të jetë shifra e korrigjuesve dhe çfarë fature financier sjell ky operacion?
Këtu mbyllet vetëm provimi i parë gjuha shqipe dhe letërsia. Nëpër të gjithë këtë ingranazh të ndërlikuar qëllimisht shkojnë edhe dy provimet e tjera ku kosto financiare do të duhet të shumëzohet me dy.
Ky operacion nuk është sosur ende. Agjencia nxjerr librin e transparencës dhe fillon procesin e nxjerrjes së pikëve dhe më tej shpall fituesit tek ëebi i MASH.
I gjithë ky tunel, që në këtë vend quhet qorrsokak ose një rrugë e mundimshme për hiç mos gjë,ndërkohë që përzgjedhjen do ta bënte vet universitetit me kosto xero e në përmbajtje të kushteve dhe kapaciteteve që disponohen.
Një pyetje e thjeshtë shtrohet:Përse shteti morri përsipër një faturë financiare kaq të madhe,ndërkaq që operacioni i nisur me një numër të madh nëpunësish e zhurmë shpesh përfundonte i zbuluar,sepse pa u shpërndarë teza nëpër bankat e shkollarëve, ajo përfundonte e publikuar në facebook dhe në mjetet tjera elektronike.
Matura shtetërore mbarte me vete një sërë procesesh të cilat janë quajtur të dështuara.
A do të vazhdojë më si proces Matura shtetërore?
Një proverb thotë: Moti i mirë duket që në mëngjes dhe më tej duke e përforcuar: Fshati që duket nuk do kallauz.
Ne,shqiptarët nuk kemi vëllezër!
* “Vëlla” i dashur, kur serbi i zbrazëte tokat tona,ti ia lehtësoje punën duke na përgatitur letrat,duke na siguruar bartjen ,duke na e gjetur token në shkretëtirat e Azisë,dhe hiq s`të vinte keq për ne. Gëzoheshe ,bile edhe shumë ,se me një të rame i kishe dy të vrame. E doje token e ‘vëllaut” tënd ,të mbushej me sllavë ,e doje mbushjen e Anadollit me ne./
*“Vetëm ne, si njohës më të mirë të vetvetes, mund ta shkruajmë historinë tonë ashtu si duhet./
(Fahri Xharra)”/
A po tregohen Shqiptarët se janë në shkallën e duhur të përgjegjësisë historike ? A na mëson historia e Shqipërisë të kemi kujdes ? A ka dhënë prova Shqipëria e vogël, se ka patriotë të shkëlqyer që i kanë mbrojtur interesat e atdheut ? A ka pasur të pa besë që e kanë goditur me thikë pas shpine.?I madhi Kristo Frashëri pyetet :“ Po Perandoria Osmane çfarë solli gjatë 500 vjetëve të sundimit osman në Shqipëri?
Si munden të na thonë: “Ne nuk mund të ju harrojmë juve dhe se ju jeni nipërit dhe vëllezërit tanë. “ Ne juve asnjëherë nuk mund t’ju harrojmë për shkak se mes juve ka nipër të Osmanlinjve. Ne kemi vëllezër tanë …në Prishtinë dhe Prizren edhe në Shkup, Manastir, Ohër, Dibër, Tetovë”, po thuani..
Për të pasur një vëlla biologjik e dijmë rrugën . Vellau i vërtetë eshtë ai vëlla prej një nëne e prej një babe . Si u bë që tani qenkemi edhe vëllezër ? Pse e gjithë kjo dashuri “vëllazërore” ,pas 5 shekujsh robërie? E pas një shekulli ,pa ju?
Si mundi “vëllau “ osman të ndërpres procesin më të rëndësishëm që njeh historia mesjetare e Evropës – krijimin e shtetit kombëtar në Shqipëri ? (K.F) Si mundi “vëllau “ osman të zëvendëson rendin ekonomik shoqëror feudal shqiptar, atëherë të pjekur, me rendin e prapambetur feudal-ushtarak të timareve, të cilin Shqipëria e kishte tejkaluar dy shekuj më parë ?( K.F.)
Si mundi “ vëllau “ të pushton “vëllaun” e të shkëpus Shqipërinë për pesë shekuj nga familja evropiane dhe e gozhdoi atë në familjen turke osmaniste, të huaj për Evropën. ? (K.F.) Si mundi “ vëllau “ osman, të mospërfill as arsimin popullor, as lëvizjen kulturore, por u kujdes vetëm për shkolla fetare turqishte. Shkurt, si mundi “vëllau “ osman t`i le për 500 vjet Shqipërinë të prapambetur, të varfër, pa mjete jetese. ? “( Kristo Frashëri)
“Ne nuk mund të ju harrojmë juve dhe se ju jeni nipërit dhe vëllezërit tanë. Gëzimi juaj është gëzimi jonë,dhe shqetësimi juaj është shqetësimi ynë. “ Po na thonë . Pse mu tani?
Si mundi “ vëllau” të na le të ngelur disa shekuj para shekujve ? A pse s`kishim aftësi raciale apo për shkak të rrethanave që na i bëri të jetojmë?
E ka ditur “vëllau “ se këtë e shkruante Beogradi dhe nuk reagonte t`i del në mbrojtje “vëllaut”: ““Kurse shtypi i Beogradit kabinetet e Beogradit dhe zotërinj ministrat e punëve të jashtme i konsideronin shqiptarët raje të paemër, që banonin në vend të paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor. “
“Vëllau” i shihte ato që i “shihte” serbi? se :“Qysh para disa vitesh, udhëtarët në Shqipëri paskan parë njerëz me bisht, “me bisht të kalit ose të dhisë” dhe këta Bastarde të Tribalëve dhe Skordiskëve antikë, këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme, bërtet dhe thërret ndër vetë në anarki skëterrëse “. Kur vëllau të ofendohet ,njeriu sa do pak e ngre zërin kundërshtues. Apo,jo? Po me këto fjalë për ne, “ vëllau” pajtohej bile i shtonte edhe fjalët e veta, kur në kancelaritë e Europës flitej nga serbi:.
“Këta të egjër gjakpirës, këta lëkurëkuq evropiane, intolerantë fetarë deri në ekstrem, te të cilët fjala cub dhe bandit është sinonim për kalorës, këto bisha të egra me fytyre njeriu, ditëve të festave gostiten me miell misri të zier, nuk dinë çka është kripa, kurse për sheqerin mendojnë se është borë. Banojnë nëpër shpella si njerëzit e Neandertalit, jetojnë nëpër kulla të gurit pa dyer, pa dritare dhe pa oxhakë; flenë nën dritën e pishës, të veshur, me pushkë në dorë, kurse para kasolles, kafka e kalit e ngulur në hu është trofe lufte. “ E pyes” vëllaun “ se a me të vërtetë Me të vërtetë kështu ishim,dhe me këto fjalë serbi i mbushte mendjen Europës .? ,: “Shqiptarët e pinë gjakun e nxehtë të viktimave të veta të therura, i prejnë hardhitë, i rrënojnë kullat, zhduken me pasion ndër vete, duke vrarë gratë nga lakmia, kurse kuptimi i dashurisë nuk ekziston te ata dhe fjala dashuri nuk gjendet në gjuhen e tyre. Nevojtore nuk ka në këtë vend, të gjithë janë të ndytë dhe me morra dhe këta vjedhës të kuajve, tradhtarë, banditë, rrenacakë, e tipa të poshtër, që i lëshojnë sytë për toke si qentë para njeriut jetojnë në retë e tymit, tifos, malaries, lisë, dizenterisë dhe sëmundjeve venerike, “ .Po apo jo? Nëse ishim ,pse na lije ne kete gjendje,o “vëlla”? Nëse jo, pse s`e kapshe serbin për fyti atëherë dhe t`i dilshe “vellaut “ në mbrojtje.
Vështirë është të jesh vëllau i ynë. Ne, nuk të pranojmë. Nuk je vëllu i ynë bilogjik.Ishe dikur armiku i ynë ( 500 vjet) dha tani shtiresh si mik. Si mik po, por si të besojmë.?
Nëse nga të tanët të dualen pashallarët , azemat e sadriazemat,edhe serbit i kemi dhënë,krajla e misitra; edhe grekut i kemi pruar lirinë ,i kemi dhënë bijtë tanë për t`a udhequr. Por as Serbin e as Grekun nuk e kemi Vëlla. E atëherë pse turku të jetë vëllau i ynë.? Dashuria e vonuar . Është dashuri e vonuar, por edhe e dyshimtë.
“Vëlla” i dashur, kur serbi i zbrazëte tokat tona,ti ia lehtësoje punën duke na përgatitur letrat,duke na siguruar bartjen ,duke na e gjetur token në shkretëtirat e Azisë,dhe hiq s`të vinte keq për ne. Gëzoheshe ,bile edhe shumë ,se me një të rame i kishe dy të vrame. E doje token e ‘vëllaut” tënd ,të mbushej me sllavë ,e doje mbushjen e Anadollit me ne.
Kur Rankoviqi na bartëte andej e këndej ,na çkombëtaronte ,në dhunonte,ty “vëlla” ,zëri s`të ndihej? Kur Millosheviqi na i mbyllte shkollat ,na burgoste,na shnjerëzonte, na… ,ty s`të shihshim, O “vëlla” ? Ku ishe ,pse mshifeshe ,pse s`folshe ?
Kur Gjeneral Jankoviqi ,në vitet e 12-13 –ta të shekullit të kaluar ,iu futëte bajonetat grave tona shtatëzëna që kurrë mos të lindin “nipat “ tu, t`i s`bëzeje? Kur Kral Nikolla,i bënte krimet mbi shqiptarët e Malësisë së Shkodrës ,edhe atëherë i mbyllje sytë e veshët ?Pse?
Kur u bë “Lidhja e Prizrenit” dhe e shihje veten në shkapërderdhje ,pse ishe aq i pazhurmshëm karshi botës ,e aq katil me” vëllaun” tënd ? E, në Gjakovë e dërgove Magjarr Pashën,për të shuar Lidhjen e Gjakovës. Kur i shihje planet e asaj kohe për copëtimin e tokave të “vëllaut” tënd,pse nuk të dhimbëseshim? Pse fshiheshe mbas kuleve të hanumeve dhe bëheshe se sikur nuk po ndodhë asgjë ?
Vërtetë Kosova është e “vogël”; Vërtetë Shqipëria është e “vogël” ; Vërtetë që kombi shqiptar ka mbetë i” vogël “ , por fajtor je ti “ vëlla” që nuk të kemi vëlla.Ne kemi miq dhe dashamirës në botën e civilizuar që na u gjetën në momentin më të vështirë në kohën më të re kur ti “vëlla”strukeshe dhe nuk bëzëje thuase nuk po ndodhë gjë me ne.
Mos o “vëlla” se ke shumë gjynahe me ne, se zoti të cilit ti i beson dhe ti i falesh nuk t`i harron!
Kur me qindra shkolla serbe ,greke ,turke gjatë kohës së “vëllaznimit” me ty hapeshin
në Shqipëri ,si s`të biente ndërmend të hapësh bile një në gjuhën tanë ? Pse aq shumë
i frikoheshe shkollimit tanë? Shumë mirë e dije që na ishim dhe jemi populli më i vjetër i kësaj ane,por ty s`të pëlqente kjo,doje me çdo kusht të na zhbëje. Pse?Ju e dinit mirë që krahas shkombëtarizimit, asimilimit dhe shuarjes së popujve të padëgjueshëm të preken edhe qendrat nervore ku rrënohej intelekti i ynë dhe shkaktohen çrregullime mendore dhe shpirtërore që barten brez pas brezi…” Boll mo!
Fahri Xharra, Gjakovë
04.10.13
- « Previous Page
- 1
- …
- 956
- 957
- 958
- 959
- 960
- …
- 988
- Next Page »