• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MOS VALLË BALLKANIT I MUNGON NJË “SULLTAN ALLAFRËNGA”?

September 27, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar miq, nuk do ma zini për të madhe nëse këtë shkrim do ta “ngarkoj” me nocionet si: sulltani, pashai, heqimi, kumari, pjerdhët, politika dhe Republika e Maqedonisë, një “shtet specie në zhdukje e sipër”!

Dikur moti, gjegjësisht në vaktin e Perandorisë Osmane, sulltani kishte vendosur që këshilltarin e tij personal ta emërojë pasha në një nahije të lanë pas dore dhe të varfër. Fillimisht e kishte konceptuar si njeri mendjefemër dhe me përvojë. Pasi pashai ishte sistemuar në pashallëk dhe pasi kishte filluar punën, sulltanit i kishin mbërritur haberet për abuzimet që ishin pjellë e pashait. Ai vendosi që ta ftojë në sarajin e tij për të llafosur për “thashethemet” që i kishin ardhur në vesh lidhur me një vakie që kishte ndodhur në hapësirat e rezidencës së tij”. Që pashait i mungonte “hazër-xhevapi”, sulltani si sulltan, që në shikim të parë dukej njeri i qetë, shpesh dhe papritmas dinte të ta kallë tmerrin, e kishte pyetur: “Pa më thuaj të vërtetën dhe mos mëto të më bësh pordhë, pasi që ajo pordha jote nuk shkon përtej brekëve tua pa llastik”!? (Se në vaktin e Perandorisë Osmane nuk kishte pasur brekë me llastik, njohësit e kësaj historie nuk japin asnjë shpjegim, por ama se kishte pasur brekë, kishte pasur!). Kishte shumë kohë, që tek mendja dhe mentaliteti prej provinciali i këtij “me demek” pashai, gjegjësisht këshilltari personal të sulltanit, ishte instaluar turpi, inati prej Homeri, deliri i megalomanisë, “stuhia e negativitetit”, fodullëku i tij i skajshëm dhe një botë e tërë prej mllefesh, shpifjesh dhe thashethemesh absurde. Se, ky “me demek” pasha, kishte shkelur mbi të gjitha limitet e moralit publik dhe njëkohësisht, ashtu “pahiri”, kishte abuzuar toptan atë etikë edhe ashtu të brishtë, sulltani këtë nuk e kishte në dijeni. Për këtë arsye sulltani kishte vendosur që këshilltari i tij i dikurshëm doemos të kontrollohej te heqimi. Në fakt, ai vuante nga një  “mangësi” paksa e vockël.

Kur shkoi te heqimi, ai i parashtroi pyetjen: Ç’të mundon! Pashai që dukej si “ajo pushka e jevgut që dikur kishte marrë flakë”, ia ktheu ashtu troç: Ngado shkoj i bëj të dhjerat në brekë dhe hiç fare nuk më vjen turp nga vetja. Heqimi vazhdon ta pyesë si ndër dhëmbë se në ç’vakt dhe në ç’vend i ndodh kjo vaki?

Pashai i përgjigjet: – Eh, kur dhe ku më vjen!? Më vjen në sabah, në aksham, në saraj, në bahçe, në rrugë, në dhomën e xharijeve, në vaporin e sulltanit, në mexhlise, në “hamamxhik” dhe s’di në ç’vend tjetër!… Bobo, sa turp, kur më shohin njerëzit! Po e gjithë kjo nuk më sikletos kur jam vetëm, por koritem kur njerëzit që rastisin t’i kem për rreth “më marrin erë”!?

Po mirë, – ia kthen me gjysmë gojë heqimi tmerrësisht i frikësuar. – Do t’i pish këto ilaçe dhe do më thërrasësh pas një muaji.

Pashai nuk po e thërriste as pas tre muajsh, heqimi vajti vetë te saraji. E, mor i uruar, – i tha, – të bënë derman ilaçet? E bën më ku të të zërë?

– Prapë i mbush brekët mu para mexhlisit heqim, po nuk më vjen më turp. As skuqem, as zverdhem më.

– Shumë bukur! – u shpreh i kënaqur heqimi. -Në fillim, me këto ilaçe që t’i dhashë, nuk ndalen dot të dhjerat, po përkundrazi, ato të heqin ndjenjën e turpit, të shtojnë injorancën dhe xhahillëkun, ndjenjën e të qenit m. i qelbur dhe bajgë e ndyrë! -ia tha njërën pas tjetrës heqim efendiu”.

Krahas gjithë kujdesit të heqimit për kurimin e tij,  pashai vazhdoi të dhjesë e të urinojë në të gjitha hapësirat që ishin nën juridiksionin e sulltanit.

Meqë pashai nuk i “përfilli” këshillat dhe urdhrat dhe atij nuk i bënë derman ilaçet e heqimit, sulltani u detyrua ta pushonte nga vendi i punës duke e syrgjynosur diku larg në një cep të perandorisë, gjegjësisht në nahijen e berberit, i cili shumë kohë më parë në vend që të ia hiqte kokën këtij “me demek” dhjerësi, gabimisht e kishte bërë vetëm synet…!?

Nëse ky “pasha” kishte jetuar në vaktin e sulltanit dhe nëse e kishin paragjykuar dhe barazuar me atë batutën e gomarit: “hall ta lësh pa ujë, se e ngordh, hall t’i japësh shumë, se e mbyt, hall t’i japësh të ftohtë, se e ftoh, hall t’i japësh të ngrohtë, se e…” si dhe me atë meselenë e dhisë: “…, të cilës kur i ha bytha, ha bukën e bariut”, sot në hapësirat e Gadishullit Ilirik (Ali Podrimja), frymojnë ca “pashallarë të pasynetuar”, të padëgjueshëm, të paragjykuar, politikanë “axhami” dhe me autoritet të falimentuar, a më mirë të themi ca hyzmeqarë, të cilët lëre që jetojnë në kohë dhe vend të gabuar, por edhe kanë rënë në (lesh) dashuri me nacionalizmin, me shovinizmin provincial si dhe me shtetin e tyre “biblik”, një shtet që i mungojnë argumentet, elokuencat si dhe trashëgimia kulturore. Këta “me demek” politikanë, që i përngjajnë asaj “furtunës në gotë uji”, shumë kohë më parë, ashtu “pa hiri”, në lojën e kumarit vunë (me kuti shkrepësesh) institucionet kushtetuese, flamurin, emrin e shtetit “biblik” si dhe autoqefalinë e kishës, duke përfshirë aty edhe hisen e shqiptarëve, qoftë atë politike, kulturore, historike, ekonomike, njashtu edhe territoriale. Këta vuajnë këmbë e krye nga provincializmi dhe, duke mos i përfillur madje as sugjerimet, urdhrat (apo edhe  këshillat) e Brukselit dhe Uashingtonit, njëkohësisht do ta cenojnë rëndë ekuilibrin dhe standardin politik, edhe ashtu të brishtë, si dhe durimin, heshtjen dhe tolerancën e pakuptimtë të shqiptarëve. Duke mbyllur kufij ndërshqiptarë, ata do ta vënë para sprovash të vështira edhe stabilitetin e shtetit,…, kohë pas kohe, për qejfin e tyre do të pezullojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve. Ata me atë inatin e tyre homerik dhe të sajuar, do të humbasin edhe ata pak miq, fqinj, sejmenë dhe sekserë, të cilët sot e gjithë ditën sillen vërdallë kazinove të Shkupit, Sofjes dhe Beogradit në kërkim të “kumarxhinjve të rinj politikë”!

Disa vite më parë, një politikan gjegjësisht një nacionalist i përbetuar grek pat deklaruar: “Nëse doni të mos ketë më Maqedoni, atëherë mos humbisni kohë më të, gjegjësisht mos u merrni me të, nëse do ta bëni të kundërtën, atëherë do t’i mundësoni të frymojë në kaosin e gjirizit të gjeografisë politike të Ballkanit”!

Sot, gjithsecili me të drejtë do parashtrojë pyetjen se a mos vallë Ballkanit në veçanti Maqedonisë, që është një shtet specie në zhdukje e sipër, i duhet një “sulltan allafrënga”, a mos vallë i duhet një “berber dhe berberhane” ku do të “synetoheshin paragjykimet dhe komunikimet primitive a të egra të “pashallarëve” të padëgjueshëm dhe me komplekse? Ku ta dijë njeriu.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani, Fadil Lushi, Sulltani

COMMONWEALTHI SERB ËSHTË SA ANTISHQIPTAR DHE ANTIEVROPIAN

September 25, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Në shkrimin e tij”Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptare”, kolegu diplomat Shaban Murati, një think tank në mendimin aktual shqiptar, sensibilizon opinionin për një shqetësim tejet të drejtë.
Serbia, nëpërmjet Podgoricës, ka hedhur në tregun diplomatik rajonal projektin e një commonwealthi serb të quajtur “Unioni Ballkanikoperëndimor”, në përbërje të të cilit do të ishin, përveç Serbisë, edhe Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova. Pra, do të ishte një Jugosllavi minus Kroacinë dhe Slloveninë, plus Shqipërinë, që do të zëvendësonte ekuacionin hegjemonist të Beogradit të perënduar në fund të viteve 1990 me luftërat e Millosheviçit në rajon dhe do të rilindte projektin e Serbisë së Madhe.
Commonwealth (komënuelth), nga anglishtja e vjetër, do të thotë e mirë e përbashkët. Në praktikën ndërkombëtare ka komënuelthet ndërtohen mes qendrave të ish perandorive me ish kolonitë e tyre. Më klasiku i tyre në epokën moderne është komënuelthi britanik. I quajtur Komënuelth i Kombeve, ai përfshin shtete që kanë qenë më parë pjesë e Perandorisë Britanike, disa prej tyre shtete të pavarura. Një komënuelth tjetër i deklaruar është ai midis Rusisë dhe ish republikave sovjetike, të cilat dolën të pavarura pas shpërbërjes së BRSS. Një formë më të moderuar ka zgjedhur Franca nëpërmjet Aelancës Frankofone, ku përfshihen përveç kolonive të dikurshme dhe vendet më të ndikuara nga kultura franceze.
Iu jam trembur lëvizjeve të viteve të fundit në kryeqyteteve e vendeve të mësipërme ballkanike dhe kam pasur arsye për të dyshuar se ato bëheshin, në mënyra të ndryshme, për të mikluar Serbinë. 
Nisur nga praktikat e tipeve të komënueltheve moderne të përmendura më lart, ku interesat dhe përfitimet shkojnë në përpjesëtueshmëri të pajtueshme me dëshirat dhe synimet për përparim të përbashkët dhe për ndikime pozitive e konstruktive të ndërsjellëta, ky i nxitur nga Beogradi dhe i popozuar nga Podgorica më duket kundër interesave të shqiptarëve, kundër interesave të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe kundër projekteve bashkëkohore dhe perspektive të Evropës në pjesën perëndimore të gadishullit të Ballkanit.
Dihet historikisht roli tejet i rëndësishëm i Komënuelthit Britanik si në hapësirën e tij, ashtu edhe në proceset botërore, qoftë si precedent pozitiv, qoftë për peshën që kanë mbajtur, mbajnë e do të mbajnë në kuadrin e aleancave dhe organizmave të mëdha botërore. Interesat e përbashkëta, përparësitë e ndërsjellëta në marrëdhëniet e tyre në kuadrin botëror, qëllimet dhe parimet e përbashkëta i kanë mbajtur së bashku këto shtete dhe do të vazhdojnë t’i mbajnë shumë kohë në të ardhmen.
Edhe komënuelthi rus është deri diku i shpjegueshëm dhe i natyrshëm, për shkak të infrastrukturave të përbashkëta të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, për shkak të popullsive ruse që mbetën atje gjatë pushtimit rus, për shkak të peshës së gjuhës ruse dhe kulturës ruse në identitetin e atyre vendeve, si dhe për shkak se elitat e këtyre vendeve ishin ish më të privielegjuarit e Moskës, ishin pikërisht klasat udhëheqëse të republikave para shpërbërjes së BRSS. 
Në këtë kontekst, është e kuptueshme edhe që Mali i Zi kërkon të jetë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë. Ky vend i vogël trashëgon një nga infrastrukturat fizike më të kushtueshme të Jugosllavisë së atëhershme (siç është, për shembull hekurudha Beograd-Podgoricë) dhe një ndër më të kushtueshmet në rajon e Evropë, të cilën mund ta mirëmbajë, ta shfrytëzojë dhe ta shndërrojë në të mirë të përbashkët të të dy vendeve. Është e kuptueshme që Bosnjë-Hercegovina, me peshën që ka atje Republika Serbe, ta dëshirojë veten po ashtu nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë. ‘Maqedonia’ do ta kishte si strehim Serbinë në interesin e tyre të përbashkët antishqiptar.
Ndërsa, çfarëdo pranie e Kosovës dhe e Shqipërisë në këtë komënuelth serb, në këtë federatë serbe, Jugosllavi të re, siç e quan me të drejtë Shaban Murati, do të ishte drejtpërdrejt në favor të frymëzimeve serbomëdha, në favor të hegjemonizmit të Beogradit në rajon. Një nga të mirat e tragjedisë së viteve 1990 në Ballkanin Perëndimor, shkaktuar nga shovinizmi serbomadh millosheviçian, ishte pikërisht dhënia fund e hegjemonizmit serb në Ballkan, dhënia fund e serbocentrizmit në politikën evropiane në rajonin e gadishullit tonë. Një “Union Ballkanikoperëndimor” do të ishte thjesht për të ngjallur dhe për të ushqyer orekset e Serbisë së Madhe.
Ky projekt nuk ka si të mos shihej me frikë dhe shqetësim nga dy vendet ish jugosllave, tashmë anëtare të NATOs dhe BEsë, të cilat janë prej më herët në qendër të iniciativave të Ballkanit Perëndimor. Një “Union” si ai që kërkon Podgorica dhe propozon Beogradi do të shmangte dhe përjashtonte rolin e Zagrebit e të Lubjanës. Serbia i sheh me sy të keq sidomos marrëdhëniet e mira mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, marrëdhëniet e mira kroato-shqiptare në tërësi, të cilat paskëtaj do të kontrolloheshin përherë e më tepër nga Beogradi. 
Shaban Murati sjell në shkrimin e tij argumente dhe fakte bindëse sa iu druhen dhe sa i refuzojnë Zagrebi dhe Lubjana të gjitha projektet për ringjalljen e Jugosllavisë së vjetër, në çfarëdo mënyrash, të drejtpërdrejta apo të kamufluara. Në këtë mënyrë, “Unioni” është një sabotim i hapur i integrimeve të rajonit në hapësirën evroatlantike, është një mjet diversioni ndërfqinjësor rajonal në duart e Beogradit. 
Nëpërmjet këtij mjeti diversioni, Beogradi do t’i sabotonte edhe integrimet shqiptare në dy shtetet e tyre si dhe në Maqedoni, ku janë komb shtetformues, në Mal të Zi e në Republikën e Serbisë (Lugina e Preshevës). Vitet e fundit, ne jemi dëshmitarë se si Serbia ka arritur të nxitë mes Tiranës dhe Prishtinës garën se kush do të jetë më e parapëlqyera e Beogradit. Edhe Marrëveshja e 19 prillit nga Beogradi synohet për sabotimin e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare dhe faktorëve të tjerë shqiptarë në rajon, të cilët unë sapo i përmenda.
Shaban Murati për shkrimin e tij merr pikënisje nga njoftimi që gazeta malazeze “Dan” se në fund të shtatorit në Nju Jork, në kuadrin e takimeve vjetore në Kombet e Bashkuara, do të zhvillohet një takim i nivelit më të lartë i këtyre gjashtë vendeve “ballkanikoperëndimore” dhe një udhëzues paraprak me parimet dhe detajet e kësaj nisme iu është dërguar ministrave të Jashtëm të gjashtë këtyre vendeve. 
Murati thotë se qeveria e mëparshme e ka dhënë pëlqimin e saj për projektin dhe kjo e vë para një fakti të kryer qeverinë aktuale, e cila vetëm se mund të kërkojë kohë për t’u njohur më mirë me nismën. Unë, nga ana ime, nuk mund të parashikoj sa do të jetë ndikimi i Prishtinës ndaj Tiranës për ta përfshirë Shqipërinë në “Union”. Republika e Kosovës, në të vërtetë, nuk ka trashëguar nga Jugosllavia ndonjë infrastrukturë kurrkund të ngjashme me atë të Malit të Zi, nuk ka pse ta shohë veten pjesë të infrastrukturave të ardhshme të përbashkëta fizike me Serbinë, nuk mund të presë ndonjë investim serioz apo me qëllime të mira nga ana e Serbisë në përparimin e vendit apo në kuadrin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nga ana ime mendoj se vizioni që shpalosi në Prishtinë kryeministri i ri i Republikës së Shqipërisë, ku ai e ftoi Kosovën që bashkë me Shqipërinë të jenë pjesë e pesëkëndësisht me Turqinë, Greqinë dhe Italinë, është vizion i të sotmes dhe të ardhmes përparuese dhe integruese perëndimore për të dyja shtetet shqiptare. Pra, qeveria Rama nuk ka pse të braktisë një projekt vizionar integrues shqiptar dhe perëndimore për hir të një projekti të errët antishqiptar dhe antievropian që e ka gatuar Beogradi dhe satelitët e tij. Nuk ka pse të braktisë një projekt vizonar madhor sa dhe transparent, për hir të një projekti që vetëm sa do ta legalizonte rajonin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë të mafies ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: antishqiptar, Commonweal thi serb, Skender Bucpapaj

Shqiptarët sipas armiqeve shekullore, Serbëve

September 25, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri XHARRA/ Gjakovë/

Kush janë shqiptarët sipas  serbëve?  Pse ne ishim të atillë ,vetëm ashtu si donin serbët të na paraqisnin? Pse Europa iu besonte? Pse shqiptarët njiheshin në Europë vatëm ashtu  dhe të tillë si ç`na përshkruanin serbët? A punonte koha për ne? Edhe kur punonte , a e dinim t`a çfrutëzonim atë kohë? A mos vallë Europa po i ribindet vetëm shkrimeve dhe përshkrimeve serbe  për ne? Ku jemi ne?  Pyetjet janë të panumërta,por edhe mundësia qe t`i përgjigjemi  është e panumërt. Aq shumë ka shkrime serbe për ne ,kundër nesh dhe për përjashtimin tonë ; sa që edhe nëse do të botonim përditë nga një libër si kundërpërgjegje dhe me fakte bindëse nuk do të mundnim t`i errësonim të gjitha ato që janë shkruar nga serbët  për ne. Ku ishim ,dhe ku jemi? Me shkrime po mendoj. Apo a ishim të tillë dhe a jemi sot të tillë si po duan të tjerët?

Në letrën e botuar me 3 janar 1913 ,në gazetën :Temps” dr.G.M. Jakshiqi në mënyrë shumë të “bukur” –sipas serbëve e ka paraqitur shtrirjen jonatyrore të shqiptarëve jashtë kufinjëve të” vërtetë” të Shqipërisë: në Sanxhakun e Novi Pazarit, në Fushën e Kosovës ,nëpër Sërbinë e vjetër dhe nëpër Maqedoni. Shtrirja e shqiptarëve ,jashtë kufinjëve të Shqipërisë paraqitej si një lum vërshues , i cili del nga shtrati i tij ( sepse s` është kush t`ia rregullon shtratin); dhe se tani ( 1913)  erdhi koha që ai lumi shkretues-vërshues të kthehet në lum të qetë dhtë plleshëm. Që të kthehet në shtratin e tij është detyra  Shteteve të Mëdha të  brengosura, të cilat e zgjidhin problemin e kufinjëve të Shqipërisë  ,dhe ato do t`a bëjnë këtë nëse e vendosin  Shqipërinë në ‘megjet “ e saja natyrale.

A ishte kush që në atë kohë t`i kundërvihet kësaj letreje?Apo, a donte kush dhe a e kishte kush fuqinë,besueshmërinë dhe dëshirën  që gjërat mos të  shkojnë sipas dëshirës së serbëve; dhe që shqiptarët sipas serbëve të rahatoheshin një herë e përgjithmonë në “shtratin” e tyre  naturor?

Shikoni se si i spjegohet Europës qështja  shqiptare: ”Lumi shkretues-vërshues shqiptarë nuk është dalur nga shtrati për shkak të shpejtësisë së madhe të rrymimit që e ka  e aq ma pak që është dalur nga shtrati i tij për shkak  të sasisë së madhe të ujit për të vërshuar.” Por e tëra është përgaditur nga të tjerët duke ia ndërruar shtratin e “vërshimit” sipas nevojave të veta politike. Lumi vërshues  i shqiptarëve iu nevojitej turqëve në mënyrë që turqit të mbajnë pushtetin mbi popujt që e kërkonin lirinë (?) Shtrirja e shqiptarëve  jasht lumit të tyre nuk është e vjetër ,ia mbushin mendjen Europës. Kufinjtë e Shqipërisë si shtet  i pavarur ( e ka fjalën për kohën e Skënderbeut) ishin shumë të vegjël , edhe shkurt në kohë; ashtu edhe më vonë si  krahinë ndër Turkun. Ata kufinjë nuk ndërrohen as në dy shekujt e parë të pushtimit turk.   Ata ishin në një hapësirë të vogël. Europa vetëm ndegjon. Serbët flitnin e nga ana e shqiptarëve dilnin esatpashatë. Por vetëm në kohën kur turqëve iu filluan të dalin dorësh popujt e krishterë e posaqërisht Serbët, atëherë shqiptarët e paskan pas kalur “megjen” e tyre. Shqiptarët qenkan përdorur  nga Turqit për shuarjën e lëvizjeve për liri si dhe përhapjen e muslimanizmit.

“E vërteta “që është pak e njohur ,e të  cilën Serbet mundohen ta plasojnë në Europë në kohën e thyerjeve të mëdha në kohën kur ne ende mundoheshim ta ruajmë gjumin pesëshekullorë ,në kohën e lëvizjeve vendimtare për një të ardhme shumë të  rrezikshme për ne; serbet mundohen të “rregullojnë” shumë padrejtësi që iu paskan pas bër atyre  gjatë historisë. Ajo “ e vërtetë”  ishte ,se shqiptarët kishin një rol të madh në përhapjen e muslimanizmit dhe shqiptarizimin  me dhunë të  serbëve të “ pastër” që ishin në kufijë me atë Shqipëri që s`paska pas egzistuar kurr.

Por thonë ata : “ që mos të na shihet se ne e kemi në shenjestër vetëm marrëdhënjet e serbëve me shqiptarë , ne do ta japim edhe historinë e shkurtër të vendbanimit shqiptar në Sanxhak, i cili nuk ishte muhamedan por i krishter. dhe dhunën ndaj tyre prej vetë shqiptarëve,me këte të tregojmë  si plotësim se si shqiptarët muhamedanë ishin pa kurrfarë vetëdije kombëtare,por vetëm shërbyes të urdhërkryes të turqëve në muslimanizimimin e të krishterëve të robëruar.”

Pra ,po e shofim viktimën e terrorit shqiptarë ndaj serbëve të pastër në kufirin e ngushtë me Serbët.

E njejta lojë edhe tani,serbët viktima të shqiptarëve dhe përgjegjës historik për “vuajtjet” e tyre. Kurse ne prap s`mundemi të ndahemi nga ajo që” mëndja e robëruar është pasojë e shpirtit  dhe e trupit të robëruar. Robëria i njef një mijë mënyra me të cilat e skllavëron mendjën e të robëruarit;dhe mendja si e tillë përkundër lirimit të saj fizik mbetet prapnë kthetrat  e lartëmadhërisë së saj-ish robërisë.”

Edhe sot ka thyerje të mëdha, edhe sot nuk ka përfunduar asgjë Ende sot : “ Bac` s`u krye”.

Jo që po e them unë, por çka po shofim dhe çka po dëgjojmë e kemi vetëm një përsëritje të së kaluarës jo të largët; 100 vjeqare.

Të shofim se si spjegohen shqiptarët sipas  serbëve,po e them shqiptarët sipas serbëve ,sepse vetëm ata kanë folur për ne,na kanë përhapur na kanë cunguar , na kanë sjellur nga malet na kanë paraqitur njerzë me bisht ; sepse ne nuk dinim të flisnim ,nu donim të flisnim apo nuk na lejonin të flisnim.:” Vendbanime të arnautëve të besimit të krishterë në terenin serb në kohët e kaluara kishte kryesisht nëpër qytete si Prishtinë, Vidin., Novi Pazar,Krushevac,Prokuplje ,Nish dhe Çupri ( Acta Bulgariae polissimum ecclesiastica (Monumenta spectantia historiam Slavorum Meridionalium, vol. XXIII, 339). Këta paskan pas qenë tregëtarë dhe zanatlinj që erdhën në qytete ku kishte karakteristika katolike dubrovnikase. por kishte edhe andej e këndej të shpërndarë nëpër fshatra të cilët qenkan larguar për ti ikur dhunës së bashkëfisnorËve muhamedan apo të shpërndarë nga vetë turqit për qëllime politike. Në të gjitha ato vende shqiptarët e krishterë si edhe të krishterët tjerë ishin të shkelurit e perandorisë. Pra largë kufirit të ngushtë të Serbisë me Shqipërinë paska pas pasur shqiptarë e edha të krishterë (Pohimi serb i një të vërtete e cila sa do që tentohej të mëshifej ajo iu ikte nga klishetë e përgatitur për botën perëndimore) .

Shqiptarët në Kaqanik paskan pas ardhur  si   plaçkitës në shek XVI-të ,të cilët i zënin pritë karavaneve ,dhe vritnin e plaçkisnin vetëm e vetë për të plaçkitur e të përkrahur nga turqit.(?)”Fakte” ,”fakte” të atilla që edhe historianin më të kujdesshëm Europian  e çojnë në drejtim të gabuar.

“ Muhamedan në gjysmën e shekullit XIX-të ia arrijtën të i muslimanizojnë  Serbet Katolik (?) në rrethin e Prizrenit ,Gjakovës dhe në disa vende të Kosovës,si dhe Serbet ortodoks që u shqiparizuan dhe u muslimanizuan në shekullin e XVIII-të.”  Një shkrim i gazetës “ Novine Çitalishta Beogradskog” nr.12.12 Mars 1848 shkruan:” Peshteri dhe Biori janë dy vende të vogla në mes të  Shkodrës, Bijelo Poljes dhe Novi Pazarit ,vende ku nuk ka pushtet ,por vetëm me anë të forces së fiseve jetojnë ,ka shtëpi ku janë  nese janë dy vëllezër njëri beson në Krisht e tjetri në Muhamed,njëri falet e tjetri kryqohet. Në disa shtëpi janë nga tre vëllezër dhe që të tretë mbahen për turqë,kurse babën e kanë Serb.dhe kështu djemtë falën karsi i ati kryqohet “.  Procesi i muslimanizimit të Serbëve ortodoks paska pas filluar vonë në këto anë dhe në kushte shumë të vështira

E vërejtët mënyrën e “vajtimit” serb karshi botës në shekullin e kaluar. Por sot ata çka flasin për ne? Zoti e di. Por e dijnë edhe bashkëbiseduesit e serbëve, të cilët vetëm se pohojnë me krye  duke i dëgjuar çpifjet serbe të cilat ende  janë aktuale për botën.

E ne ,a mundemi që me ndërgjegje të plotë të dalim para botës e të themi :jo,nuk është e vërtetë se çka thonë serbet për ne.? Ku po e dijmë se çka po thonë serbët për ne?Posi me qenë aty:,sjelljet tona flasin dhe dokumentojnë dhe s`ka nevojë të jemi aty.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, shqiptaret sipas serbeve

DASVIDANJA MARRËDHËNJEVE RUSO-AMERIKANE?

September 25, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Luftën e filloi i pari presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me botimin e një artikulli në gazetën amerikane Nju Jork Tajms për të argumentuar qendrimin e tij  kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri dhe duke kritikuar Presidentin  e Shteteve të Bashkuara Barak Obama, i cili ka përkrahur një ndërhyrje të tillë pas përdorimit të armëve kimike kundër popullësisë civile të pafajshme, ku kanë mbetur të vrarë qindra gra e fëmijë.

Në mendë të tij këjo ishte një përpjekje e diplomacisë publike për të bindur lexuesin për pikëpamjet e tija se pse bota nuk duhej të ndërhynte në Siri, por në të vërtetë  shkrimi i Putinit është një hipokrizi  dhe i turpshëm në ekstrem.  Dikatori sirian Assad e di mirë se aleati i tij i ngushtë,  Putini do ta përkrahë atë me çdo kusht nga ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare, dhe për më tepër, se Rusia e Putinit  –megjithë vrasjet që kanë arritur mbi 100.000-veta – do ta furnizojë atë me armë të rënda dhe të lehta, të cilat ai nuk hesiton t’i përdori kundër popullësisë së vet civile.

Përveç kritikave që bëri kundër politikës amerikane në Siri dhe në përgjithësi kundër politikës së jashtëme dhe ushtarake të Uashingtonit, në artikullin e tij udhëheqsi rus kritikoi deklaratën e Presidentit Obama se Amerika është e “veçantë’’ dhe si e tillë, sipas tij, duhet  t’u vijë në ndihmë dhe të mbrojë viktimat e pafajshme në Siri.  Këjo kritikë u bë ndërkohë që Rusia ka bllokuar tri herë, duke përdorur veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutat që kishin për qëllim të detyronin  presidentin sirian Assad t’i jepte fund dhunës dhe të dorëzonte armët kimike.

S’do mendë se artikulli i Vladimir Putinit në Nju Jork Tajms shkaktoi reagime të ashpëra në Amerikë, sidomos në Kongresin amerikan.  Reagimi më i ashpër erdhi nga njëri prej ligjvensve më kritikë të Kremlinit, Senatori republikan dhe ish-kandidati për president i kësaj partie, Xhon Mëkejnë.  Në një artikull  që u botua në Rusi, në përgjigje të shkrimit të Putinit, Senatori Mëkejnë e quan udhëheqsin rus, “një tiran në vendin e tij dhe mik i tiranëve jashtë vendit…si dhe armik i të shtypurve dhe i pabesueshëm nga vendet të cilat përpiqen të ndërtojnë një botë më të sigurtë, më në paqë dhe me begati.”

Në artikullin  e tij të ashpër, Senatori  veteran amerikan u drejtohet rusëve duke u thënë se sundimtari i tyre është, “i korruptuar, shtypës dhe përdhunues”.  Senatori Mekëjnë, i cili historikisht ka qenë shumë kritik ndaj politikës së mbrendëshme dhe të jashtëme të Rusisë, e ngarkoi Putinin me akuza të rënda, ndër të tjera, për shkelje të të drejtave të njeriut, për vjedhjen e votave  në zgjedhjet  dhe për përkrahjen e miqëve të tij politikë dhe njëkohsisht dënoi ashpër politikën e jashtëme të Rusisë së Vladimir Putinit.   Në shkrimin e tij, Senatori Mekëjnë kritikoi bllokimin rus të rezolutave mbi Sirinë në Këshillinin e Sigurimit  të OKB-së  duke  e cilësuar Putinin si një udhëheqës që, “përkrah  një regjim që është duke vrarë me dhjetëra mijëra veta nga radhët e popullit të vet, vetëm e vetëm, për objektivin për të qëndruar në pushtet.”  Ai kritikoi ashpër  Rusinë se jo vetëm që nuk po merr asnjë masë për të mbrojtur  të pafajshmit, por edhe për faktin se Moska refuzon madje edhe të dënojë me fjalë maskarat  që po ndodhin në Siri.   Senatori amerikan, vazhdoi artikullin e tij në përgjigje  të  shkrimit  të udhëheqsit rus, duke u thënë rusëve se Putini dhe bashkpuntorët e tij, “Dënojnë dhe hakmerren ndaj kundërshtarëve politikë duke i burgosur ata.  Ata vjedhin votuan tuaj. Ata kontrollojnë mediat tuaja. Ata kërcënojnë dhe mbyllin organizatat të cilat përpiqen të mbrojnë të drejtat tuaja për vet-qeverisje.”

Senatori Mekejnë u drejtohet rusëve duke thënë gjithashtu se, udhëheqsit  e tyre me në krye Putinin, “Po përjetësojnë pushtetin e vet duke mbështetur përhapjen e korrupsionit të pafrenuar në sistemin tuaj gjyqësor dhe në ekonominë tuaj, ndërkohë që ata terrorizojnë,  e madje edhe vrasin gazetarët të cilët përpiqen të demaskojnë korrupsionin e regjimit.”    Udhëheqsit  e Kremlinit, u tha rusëve Senatori Xhon Mekejnë, “nuk respektojnë dinjitetin tuaj as nuk pranojnë autoritetin tuaj si sovrani mbi ta.”  Duke iu përgjigjur akuzave se ai është anti-rus, Senatori Mekëjnë tha se ai nuk është anti-rus, përkundrazi shtoi ai, “Unë jamë më pro-rus se regjimi që u keq qeverisë ju.”

Përveç Senatorit Mekejnë dhe ligjvensve të tjerë amerikanë nga të dy partitë kryesore,  artikulli i udhëheqsit rus, Vladimir Putin u kritikua, ndër të tjerë edhe nga organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch, për hipokrizinë që përmban, si dhe për ato që nuk i thotë Putini në artikullin e tij.    Anna Neistat, bashkputore e kësaj organizate thekson  se udhëheqsi rus në artikullin e tij  nuk përmendë krimet dhe masakrat e tmershme që kanë ndodhur në Siri, të dokumentuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si edhe nga një mori gazetarësh nga mbarë bota.  Ajo thotë se Putini nuk flet as për dërgimin e vazhdueshëm të armëve ruse regjimit të Asadit gjatë dy tre vjetëve të fundit.  Ana Neistat shkruan se thirrja e Putinit për të përdorur Këshillin e Sigurimit të OKB-së si mjet për zgjidhjen e krizës, në sipërfaqe mund të duket si jë kërkesë e arsyeshme, por jo për ata që e dinë se Rusia tanimë  ka përdorur tre herë veton në këtë organ ndërkombëtar, duke bllokuar rezolutat që mund t’i sillnin sadopak ndihmë  popullësisë civile të Sirisë ose të mbanin përgjegjës të gjithë  aktorët e krimeve kundër civilëve të pafajshëm. Ndërsa,  thotë ajo, Putini fajëson  opozitën pa paraqitur asnjë provë, për sulmin kimik të 21 gushtit,  Rusia kundërshton ashpër që Siria t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare, gjë që është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar me qëllim  për të hetuar krimet e të gjitha palëve në konfliktin në atë vend.

Marrëdhënjet ruso-amerikane  kanë rënë në pikën më të ulët të zhvillimit të tyre ç’rej luftës së ftohët.  S’do mendë se këjo gjëndje nuk është e favorshme as për marrëdhënjet amerikano-ruse, dhe as për marrëdhënjet ndërkombëtare.  Pa marrë parasyshë se çfarë shkruan udhëheqsi rus në Nju Jork Tajms  — në përpjekje për të bindur amerikanët dhe botën se politika e tij është paqësore — është e qartë se Vladimir Putin  vazhdon të jetë pengesa kryesore në përpjekjet ndërkombëtare, amerikane dhe europiane, për të sjellur sadopak ndihmë për viktimat e pafajshme civile në Siri.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dasvidanja, Frank shkreli, marrdheniet ruso-turko

VAZHDIMËSI APO NDRYSHIM ?

September 21, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Gjatë pothuaj një viti të fushatës zgjedhore P.S. dhe kryetari i saj shpalosën, në të gjitha shfaqjet e saj, idenë e ndryshimit që do të sendërtohej në jetën e Shqipërisë, mbas vendimit të “sovranit”, të shprehur më 23 qershor 2013.

U deshën më shumë se dyzet ditë që ky vendim të bëhej zyrtar. Kjo qe anomalia e parë e këtij proçesi zgjedhor, për të cilin entuziazmi i politikës, i mediave, madje dhe i të huajve shkoi në qiell, një tregues i hapur i një bindjeje, tashmë të rrënjosur thellë në të gjithë opinionet, se akti i votimeve, veprimi më i thjeshtë, më i natyrshëm e, njëkohësisht, më i rëndësishëm në jetën e një demokracie, në Shqipëri nuk mund të jetë kurrë në kufijtë e së zakonshmes. 23 qershori 2013 duket se, deri diku, e hodhi poshtë këtë postulat, të krijuar në më shumë se dy dhjetëvjeçarë të kalesës, mbasi, fatmirësisht, pala humbëse pranoi përfundimin, mjaft i prekshëm, për të mos lënë shumë shtigje për kundërshtime, ankimime apo shfaqje të tjera të vërtetuara në vitet e shkuara. Megjithatë afati i pritjes së shpalljes së përfundimeve tregon mbrapambetjen e theksuar të administratës dhe legjislacionit shqiptar në mbarështimin e proçesit kyç të jetës demokratike. Si ka mundësi që Vende të tjera, me dhjetra miliona votues, janë në gjëndje që, brënda 12 orëve të shpallin rezultatet, ndërsa ne na duhet një muaj e gjysëm për të numuruar më pak se dy milionë skeda zgjedhore ?

Një tjetër motiv i diskutueshëm është prirja mohuese e politikës shqiptare, për të hapur, realisht, proçesin zgjedhor ndaj shqiptarëve të mërguar. Prej vitesh politika, në të dy krahët e saj, ka spekulluar mbi këtë argument pa e kanalizuar asnjëherë atë në hullinë e një vendimi zyrtar të Kuvendit, që do t’i jepte mundësinë qindra mijra shqiptarëve të mërguar të thonë fjalën e tyre, në përcaktimin e barazpeshave të jetës politike të Atdheut të largët. Është një praktikë e zbatuar në shumë Vende të botës dhe krejtësisht e mundëshme të sendërtohet, pa organizuar karvanë autobuzësh apo makinash nga Greqia, apo premtime të pambajtura për pagesa biletash aeroplanësh nga Italia ose Vëndet e tjera. Nuk dekretohet votimi në qendrat konsullore apo nëpërmjet internetit, nuk dihet se pse…. Është një lloj frike apo mospranimi që i bëhet opinionit të atyre që kanë lënë Shqipërinë duke ruajtur lidhjet me të, sepse ajo i la ata pa asnjë mundësi dinjitoze jetese apo t’ardhmeje, por që, në këta dy dhjetëvjeçarë të kalesës, kanë dhënë një ndihmesë të çmuar, jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për qëndrueshmërinë financiare të vetë Shtetit shqiptar. Ky i fundit, si shpërblim, shfaq mospërfilljen….

Nga përfundimi i zgjedhjeve, deri në formimin e hyrjen në fuqi të Qeverisë së re, kaluan gati tre muaj. Ky është një tjetër paradoks i legjislacionit tonë, nuk di a ka ndonjë rast tjetër të tillë në botë. Në absurditetin e saj kjo gjëndje prodhon ato dukuri si kontrata, dhënie sipërmarrjesh, emërime etj., të cilat sot kundërshtohen fuqishëm e  kërcënohen me pezullime dhe asgjësime, duke vënë në lojë humbje financiare e, akoma më shumë   besueshmërinë dhe seriozitetin e vetë Shtetit dhe përfaqësuesve të tij.

Kryeministri i ri, Edi Rama, në daljet e tij në publik e në skenën ndërkombëtare, ka shpalosur ide e synime që meritojnë vëmëndje. Shumë e dobishme ideja për të vënë në sitën e ndonjë institucioni të njohur ndërkombëtar gjëndjen financiare të Vendit, që ka nevojë për një diagnozë të saktë n’atë drejtim. Vëmëndja ndaj Kosovës e bashkërendimi i veprimtarive të dy qeverive është me shumë interes, nëse do të ketë si synim strategjik jo interesa kastash por ata kombëtarë.

Takimet me përfaqësues të lartë të institucioneve të B.E. e të NATO-s, veç ritualit të zakonshëm të paraqitjes së një qeverie të re , lënë të shpresohet në një tjetër mendësi, që i hap rrugën një shpejtimi të proçesit të integrimit evropian të Shqipërisë, për të cilin duket se ka një prirje të përgjithëshme miratuese. Kryeministri shqiptar vlerësoi zyrtarisht punën e paraardhësve të tij para autoriteteve të Brukselit, duke theksuar edhe shumë detyra të tjera që mbeten për t’u kryer. Nuk i përcolli në tryezën e dëshëruar për të qenë i ftuar, akuzat e ndërsjellta e të pafund që kanë shoqëruar, në gjithë këta vite, përfytyresën e politikës shqiptare. Edhe se është në kuadrin e një etike, do të thosha të domosdoshme në një jetë politike normale, meriton vlerësim  nëse mbajmë parasysh realitetin tonë.

Kryeministri zotohet brënda e jashtë Vendit se do të luftojë me rrënjë korrupsionin, jo thjesht si një kalë beteje të zakonshme, por si një strategji që do t’i sigurojë jetëgjatësi, duke paraqitur ajo dukuri pengesën më të madhe në rrugën e Evropës. Nuk mund të mos jesh i një mëndjeje me të kur ai shpall solemnisht se asnjë zyrë shteti nuk do të bëhet fole prodhuese postesh pune në funksion të interesave vetiake, familiare, të  klanit, të partisë etj. “Shumë e bukur për të qenë e vërtetë” thotë një proverb italian. Sikur të realizohej dhe gjysma e këtij synimi do të ishim të lumtur të konstatonim faktin se kemi bërë një nga kthesat më të rëndësishme në jetën e shoqërisë shqiptare. Por…. ka shumë arsye që bëjnë skeptik edhe optimistin më të zjarrtë të “rilindjes” shqiptare.

Ai mosbesim rrjedh, kryesisht, nga aktorët që do të sendërtojnë këtë “hop” të madh cilësor në Shqipërinë e njëmijë problemeve. Duke mbajtur parasysh faktin e risisë së një pjese të mirë të Qeverisë, që shprehet në moshë e funksione, kursi i ri do të ketë “bekimin” e  rojes së vjetër të trashëgimisë ramiziane, të ngritur në fushën e politikës në vitet e fundit të regjimit e në fillimet e dhjetorit 1991. Çfarë sigurie mund t’i japin këtij kursi të ri drejtues si Gramoz Ruçi, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo e të tjerë si këta ? Vitet e kalesës së pambaruar e të dështuar të sistemit Shqipëri mbajnë vulën e pashlyer të këtij brezi politikanësh që, së bashku me “kundërshtarët” e tyre në PD e kanë monopolizuar në trajta  berluskoniane jetën politike. Jemi i vetmi Vend ish komunist që kemi në drejtimin e Shtetit dhe të politikës të njëjtët njerëz që e përcaktuan atë në 1991. Ky fakt, më shumë se të na bëjë të mendohemi, duhet të na bëjë të skuqemi, sepse provon katërcipërisht paaftësinë tonë për të shkuar përpara, për t’u ripërtërirë politikisht, për të lënë mbas krahëve mallin për socializmin, bëmat dhe idetë e tij, për të pëvehtësuar mendësinë e respektimit të vlerave qytetëruese, që shprehet në forcimin e shtetit ligjor që bëhet pengesë e pakapërcyeshme për ato dukuri që çojnë në paralizat e shoqërisë.

Koha do të tregojë se sa do të jetë në gjëndje ekipi i ri i kryeministrit të vejë në zbatim nevojat e domosdoshme të ripërtëritjes mendësore të politikës shtetërore, se sa do të përfaqësojë ndërrimin brezor, duke e shoqëruar atë me evolucionin e nevojshëm botkuptimor. Sigurisht kthimi në glorifikimin e konferencës së Pezës nuk shkon n’atë drejtim, ashtu siç nuk është një tregues pozitiv fakti që Qeveria merr një vendim të heqë nga zyrat e shtetit portretin e Kryetarit të tij. Edhe duke mbajtur parasysh vlerën e personit, përkatësinë dhe mënyrën e zgjedhjes së tij që, ndoshta për mjaft qytetarë mund të jenë të diskutueshme, nuk do të nguroja t’a quaja atë vendim një shkelje të etikës politike, një veprim të panevojshëm, madje të dëmshëm.

Në shumicën dërmuese të vendeve demokratike portreti i Kryetarit të Shtetit është i pranishëm në të gjitha zyrat qeveritare. Kjo është një praktikë e konsoliduar që mban parasysh çastin real e nuk ka lidhje me të shkuarën dhe historinë.  Ideja për të vënë portretin e firmëtarit të parë të Pavarësisë së Shtetit shqiptar nëpër zyra, në dukje kërkon të ngrejë në piedistal një vlerë madhore historike, në fakt është një mënyrë jo shumë e zgjuar për të asgjësuar de facto autoritetin e Kryetarit aktual të Shtetit, duke e arkivuar si të parëndësishme figurën. Sigurisht Bujar Nishani nuk ka e nuk mund të ketë peshën dhe personalitetin e themeluesit por, që nga çasti i zgjedhjes në funksionin e Presidentit, ai bëhet qytetari i parë i Republikës, simboli i bashkimit të saj e si i tillë respekti për të bëhet i domosdoshëm. Puna dhe veprimtaria e tij mund të jenë objekt kritikash edhe t’ashpra por, përderisa ai mos të ketë kryer ndonjë veprim që, simbas kushtetutës, i jep të drejtë Kuvendit të kërkojë shkarkimin, ai mbetet një figurë ndaj së cilës asnjë lloj qeverie nuk ka të drejtë t’a verë në diskutim.

Zoti Ilir Meta u shpreh se heqja e fotografive të Presidentit është kryer më parë nga paraardhësja e tij në funksion, zonja Topalli. Se sa pak bazë logjike mund të ketë një argument i tillë justifikues është në sytë e të gjithëve. Fatkeqësisht ajo tregon nivelin e ulët të politikës shqiptare në përgjithësi, që është në gjëndje të asgjësojë edhe vlerat më parake të bashkëjetesës institucionale për teka vetiake, për mospërputhje interesash, idesh e konceptesh. Nëse znj. Topalli ishte bërë nismëtare e heqjes nga zyrat e saj të  fotografisë së ish Kryetarit Topi, zoti Meta, si autoriteti i dytë i qeverisë Berisha, duhej të kishte ndërhyrë për t’a kritikuar ashpër atë veprim e jo t’a quante një preçedent për t’u imituar simbas kohës e njerëzve. Veprimi është i dënueshëm në të gjitha rastet e habit fakti që ai, në të shkuarën ka kaluar pa u “vënë re” nga organet e medias e nuk ka patur kundërveprime.

Mendoj se duhet të jëmi të vetëdijshëm se, duke shkelur edhe rregullat më të thjeshta të bashkëjetesës institucionale, do t’i hapim rrugën vetëm mohimit të vlerave shtetformuese, për pasojë anarkisë së koncepteve, dukuri këto që na bëjnë të shkojmë jo drejt Evropës por drejt Haxhi Qamilit. Nëse duam të nderojmë gjithmonë kujtimin e Plakut të Vlorës, mund të miratohet në Kuvend një ligj që e bën të detyrueshëm vendosjen e fotografisë së tij në të gjitha zyrat, krahas asaj të Kryetarit aktual të Shtetit. Të dy mund të qëndrojnë njëkohësisht, njëri simbol i vlerave të përjetëshme të Kombit e tjetri përfaqësues i Shtetit aktual, dëshmi e aftësisë për të fuqizuar institucionet e për t’i respektuar ata. Në të kundërt, nëse pranojmë si të ligjshëm çdo lloj improvizimi politik të çfarëdo partie apo qeverie, rrezikojmë që të kemi, simbas bindjeve e paragjykimeve historike, në zyrat e Shtetit tonë portrete të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe ndonjë që e kemi mbajtur për dhjetëvjeçarë pa fund.

U mundova të skicoj përciptas disa aspekte të periudhës pas zgjedhore e fillimit të punës së Qeverisë Rama. Është ende shumë shpejt për të vlerësuar veprimtarinë e saj. I rëndësishëm është që ky vlerësim, sido që të jetë, të shkëputet nga paragjykimet e të përcaktohet vetëm nga faktet, sa e nxisin apo e frenojnë ata përparimin e Vendit e të shoqërisë shqiptare. Do t’ishte edhe ky një hap i madh përpara drejt qytetërimit.

Shtator 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Vazhdimesi apo ndryshim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 958
  • 959
  • 960
  • 961
  • 962
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT