• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tërmeti i Shkupit 1963 dhe zhbërja e shqiptarëve

July 22, 2013 by dgreca

Tërmeti katastrofal që goditi Shkupin në vitin 1963, për shqiptarët ishte më shumë se një katastrofë natyrore. 50 vite pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme dalin në dritë dokumente që dëshmojnë se në atë kohë autoritetet shtetërore, përveç përpjekjeve për të rimëkëmbur qytetin, hartuan edhe projekte për dëbimin e shqiptarëve nga Shkupi, me qëllim ndryshimin e strukturës etnike dhe fetare të popullsisë”/

 Shkruan Fahri Xharra/

Tërmeti katastrofal ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 në orën pesë e 17 minuta, ndërsa dridhje më të vogla kishte deri në orën pesë e 43 minuta. Tërmeti i Shkupit u ndje në hapësirë prej rreth 50.000 kilometra katrorë. Vdiqën mbi 1000 njerëz. Nga tërmeti janë shkatërruar 15.800 ndërtesa, ndërsa janë dëmtuar 28.000. Mbi 200.000 njerëz mbetën pa shtëpi. (Yllipress,2009) . Tërmeti ishte me fuqi 6,9 shkallësh të Rihterit dhe zgjati vetëm 20 sekonda.Dridhje pas tërmetit të madh kishte deri në orën 5:43.

Në historinë e tij të gjatë, qyteti disa herë është rrëzuar dhe prej fillimi ka lindur. Në hapësirën mes fshatrave Zlokuqan dhe Bardovcë ka ekzistuar qyteti i Skupit, metropol i provincës Dardania. Kjo qytet dardan në vitin 518 ka qenë plotësisht i shkatërruar nga tërmeti. Atëherë në provincën Dardania janë shkatërruar 24 bedena të qytetit. Forca e këtij tërmeti ka qenë 10-11 ballë. Tërmeti katastrofal plotësisht e ka shkatërruar Skupin. Gjatë kohës së dridhjes janë shkaktuar shumë plasje në tokë. Nga kodrat për rreth janë shkëputur masa të mëdha me shkëmbinj. Shkupi më pas është ndërtuar në vendin e sotëm.

Tërmeti ka për tu shënuar nga ana e mediumeve si një fuqi shkatërruese e natyrës së cilës ende me saktësi në kohë nuk mund t`i ikësh.Por shënimi im është i një natyreje tjetër.

Shkruhej këto ditë: “Ashtu si në kohën e komunizmit, shqiptarët vazhdojnë të ushqehen me idenë se ata janë asgjë, si qenie individuale, përpara interesave të kombit, se ata duhet të sakrifikojnë veten për atdheun dhe të mbyllin sytë ndaj çdo krimi të kryer në emër të tij..(F.L)” E vërtetë që në atë kohë duheshim( 1963) të mbyllnim sy e veshë ,mu si qenje individuale dhe t`i bindemi forcës së natyrës ; të shprehim ngushllime për ata që patën vdekur dhe një falënderim të madh Zotit nga të tjerët që shpëtuan .” Në sajë të kësaj shpëlarjeje trush ata vazhdojnë të jetojnë në mënyrë skizofrenike midis glorifikimit të heronjve të lavdishëm që sakrifikojnë veten për kombin “… dhe vërtetë jetonim në glorifikimin e ndihmës për rindërtim dhe rilindje të Shkupit.Por nuk dinim më tepër.

Ashtu si lopë që ishim ( dhe po duan që edhe sot të jemi të tillë) ,,nuk e dinim se çka përgatitej për shqiptarët e Shkupit të aso kohe.Prap glorifikim sepse  nuk kishim çasje.
Por” Tërmeti katastrofal që goditi Shkupin në vitin 1963, për shqiptarët ishte më shumë se një katastrofë natyrore. 50 vite pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme dalin në dritë dokumente që dëshmojnë se në atë kohë autoritetet shtetërore, përveç përpjekjeve për të rimëkëmbur qytetin, hartuan edhe projekte për dëbimin e shqiptarëve nga Shkupi, me qëllim ndryshimin e strukturës etnike dhe fetare të popullsisë”.(TOP Channel,keto ditë)

Si duhej të zbrazej Shkupi nga shqiptarët: Historiani Skënder Hasani, nga arkivi i Maqedonisë, ka siguruar dokumente që flasin për largimin e 20 mijë shqiptarëve nga Shkupi drejt Kosovës dhe Turqisë, menjëherë pas tërmetit që goditi këtë qytet.

“Shkupi ishte me popullsi dominuese nga shqiptarët, por fill pas implementimit të këtyre projekteve erdhi largimi i 20 mijë shqiptarëve në Kosovë, emigrimi i qindra familjeve në vitin 1963 në Turqi dhe sjellja e 20 mijë sllavëve nga Polonia, Çekosllavakia dhe Maqedonia e Egjeut. Këtu e shohim atë element kyç të ndryshimit të strukturës së popullsisë dhe dominimit sllav në këtë qytet”, deklaron Hasani.

Këto të dhëna, bashkë me mijëra dokumente të tjera historike, historiani Skënder Hasani do t’i publikojë në një libër të veçantë për termetin e Shkupit. Termeti që goditi kryeqytetin e Maqedonisë më 26 korrik të vitit 1963 shkatërroi 80 për qind të qytetit, ndërsa jetën e humbën mbi 1.000 persona. / (Top Channel) Pra?

Historia jonë e përmbysur , e përvetsuar dhe e mëshefur qëndron ende krenare nën dhe e mbi dhe. Vetëm prej nesh duhet që ta duam dhe ta kërkojmë, Ajo është aty dhe këtu ,por asaj duhet t`ia japim gjuhën që të flet shqip. Ne ishim të nënshtruar, ne ishim  fatkeq  ne ishim të pa fuqishëm ,dhe historianët ( serbët ,grekët  e tani edhe turqit dhe dashamirët e tyre; dashamirët e falsifikimit të qëëllimshëm)) shpesh ishin  dhe ende po janë aq të  padrejtë, sa  terësia e jonë historike  po copëtohet në copëza të pa përfillëshme. Po sot ,ku jemi sot? A i bindemi fakteve historike për ne ,apo prap i nënshtrohemi diktatit të të tjerëve  për shkruerjen e historisë sonë ? Planifikohej dhe dhe planifikohej në vazhdimësi për zhbërjen tonë.

Por si mos të jemi nacionalistë kur për ne përgatitën plane të ndryshme?

Po thuhet se është e pabesueshme se si shqiptarët i glorifikojnë personazhet e së kaluarës. Kjo ndodh, , sepse “qenkemi një komb skizofrenikësh”. Turp!

Europa nuk i frigohet nacionalizmit shqiptar !

Pse e gjthë kjo frikë nga ”nacionalizmi ”shqiptar? Nacionalizmi shqiptar nuk është aspak më i madh se ai rumun , bullgar ,italian ,francez apo austriak. Por dikujt ( një populli ) i shihet fija e kashtës që e mbanë  , e tjetërkujt (popullit tjetër) nuk  i shihet ”trani” qe e mbanë mbi supe. Pa e dashur vetvetën nuk mund t`i duash të tjerët.

Nacionalizmi  i një kombi shprehet ne dy mënyra ; duke e ngritur moralin dhe kujdesin ndaj identitetit te tyre edhe mënyra e dytë duke u angazhuar në arritjen e qëllimeve për vetqeverisje -Pavarësi.. (( Gellner, E., 1983, Nations and Nationalism, Oxford: Blackwell.)   Në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës ,çdo lëvizje për nacionalizëm është vetëm se ngritja e asaj ndjenjeje e cila me “kujdesin” e elementeve të caktuar lufton me të madhe për zbehjen  e tij. Nëse nuk kemi nacionalizëm shqiptar e i cili po shihet me sy të keq nga vetë shqiptarët atëjerë do të na mundin  -izmat tjerë. Mu atëherë fillon katrahura kombëtare.

I kujt është atdheu? Shpesh po me dukët që atdheu i im ,i joni është një trup i huaj për të cilin nuk po mundem të kuptoj se i kujt është. Më tepët i atyre që flasin shumë dhe rrahin gjoks për te , apo i atyre që heshtin dhe vuajnë në përsëritjet e kohës të ciliat vijnë për ditë e më tepër bëhen më të rënda.

Gellner, E., (Nations and Nationalism,) thot: “ Nacionalizmi shërben për ngritjen e moralit kombëtar të një kombi” ,moral i cili ka filluar të stërkeqet  në Shqipëri ,Kosovë, Maqedoni, M të Zi , në Lginën e Preshevës e mos të flasim për shqiptarët e Greqisë.

Nacionalizmi shqiptar  është  kur “nderimi dhe respektimi i përkasin veprës nacionaliste, si një ndihmesë me shumë vlerë në njohjen e qytetërimit shqiptar dhe rolin e faktorit shqiptar në periudhën e zhvillimeve globalizuese në mjedisin ballkanik, për mbijetesën e shqiptarizmit në mes të nacionalizmave agresivë e kriminalë serb dhe grek dhe nacionalizmit agresiv turk.(N. Loka)”

 

Po , ne duhet të jemi nacionalist sepse jemi të rrethuar nga kombet nacionaliste me qëllime zhbërëse, me qëllime pansllaviste dhe megalogreke. Europa nuk i frigohet nacionalizmit tonë ,sepse ai nacionalizëm gjithëmonë ka qenë “duke e ngritur moralin dhe kujdesin ndaj identitetit te tyre (, Nations and Nationalism, Oxford: Blackwell.). Thjesht e thënë të mbijetojmë.

Pse të jemi kosmopolit me të tjerët kur ata po janë nacionalist-gllabërues ndaj nesh?  Por ,neve  sipas Charles Taylor-t “duhet të jemi kosmopolit por patriot  “

, Europa nuk i frigihet nacionalizmit shqiptar. Të mos bëhemi hipokritë por  të vazhdojnë aty ku e lanë. Metoda dhe ritmi i ri kërkon kohë e mund për t’u formësuar si metoda dhe ritmi i duhur. Kërkon, në radhë të parë, unitet të brendshëm politik në Shqipëri, Kosovë e mes partive shqiptare në Maqedoni. Kërkon patriotizëm konstruktiv. Hipokrizia nuk është konstruktive, Kombi dhe mbrojtja e kombit nuk durojnë hipokrizi.

“Do t’i vrasim shqiptarët” – ( Agimi i Artë) …po kjo.

Po planet për ”rindërtimin” kombëtar të Fyromit?

Fahri Xharra

Gjakove, 20.07.13

Filed Under: Analiza Tagged With: 1963, dhe zhberja e shqiptareve, Fahri Xharra, termeti i Shkupit

Miti, mitika dhe egoja për famë e Lubonjës

July 22, 2013 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

Këto ditë po zhvillohet një debat e gjerë rreth deklaratave të Fatos Lubonjës, të cilat ai i ka plasuar në një revistë gjermane të destinuar për Ballkanin. Ai artikull i Lubonjës, i shkruar enkas për revistën e përmendur, përmban në thelb deheroizimin e shoqërisë shqiptare, çmitizimin e historisë dhe veçmas të heronjve të sotëm, e akoma më veçmas të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij shqiptarët, të cilët mbështesin e nderojnë “vrasës” si Haradinaj, pra shqiptarët shumicë, janë “skicofrenë”.

Reagimet e shumta kanë shkuar nga njëri ekstrem te tjetri. Një palë është vënë në mbrojtje të Lubonjës. Midis tyre edhe analisti nga Prishtina, Arben Idrizi. Po kështu mediat serbe kanë ngritur lart aktin e Lubonjës. Sigurisht edhe aktin e Idrizit, i cili në reagimin e tij ndaj artikullit të Lubonjës bën një listë “vrasësish” të Kosovës, në mesin e të cilëve përmend Adem Jasharin. Kjo e ka acaruar kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, i cili ka reaguar ashpër ndaj Arben Idrizit., ndërkohë që përkharësit e Idrizit e akuzojnë Krasniqin për qëndrime raciste e fashiste. Në të vërtetë nuanca të tilla gjenden në deklaratën e Jakup Krasniqit, por askush nuk tha se “skicofrenia” për shqiptarët është gjithashtu një etiketim racist e fashist. Pashë dikënd që thoshte se “Më mirë të jesh fashist, sesa serbo-sllav”, çka do të thotë se ne shqiptarët duhet ta ridiskutojmë procesin e demitizimit nga të gjitha pikëpamjet. Pra duhet ta shkruajmë objektivisht raportin tonë me Gjermaninë e Hitlerit (jo me ideologjinë fashiste), gjithnjë të krahasuar me sundimin serb në Kosovë.

Vetë Ramush Haradinaj është treguar i matur dhe nuk ka ndezur ndonjë debat me kundërakuza ndaj Lubonjës e Idrizit. Por ai ka shpjeguar në një emision televiziv gjithë procesin e gjyikimit të tij në Hagë, duke dëshmuar me fakte e argumente pafajësinë e tij. Unë dua t´i besoj zotit Haradinaj në ato që ka shpjeguar, thjesht dhe për faktin se është i vetmi person i akuzuar dy herë dhe i vënë dy herë në gjykatën e Hagës dhe në të dy rastet ka marrë pafajësinë. Të shkosh dy herë për të njëjtën akuzë në një gjykatë ndërkombëtare dhe të shpallesh dy herë i pafajshëm, besoj se është argument i mjaftueshëm për çdo njeri normal që ai të mos etiketohet si “vrasës”, qoftë dhe nga analistë liberalë të llojit të Lubonjës e Idrizit.

Megjithatë besoj se nuk është e udhës që të merresh me vërtetësinë ose jo të një akuze të ngritur publikisht ndaj dikujt. Këto janë punë të gjykatave dhe drejtësisë e sa kohë drejtësia vepron, aq kohë i duhet besuar asaj. Problemi qëndron në argumentet e palëve gjatë reagimeve me mllefe e pasion të dukshëm. Sigurisht që është e pamundur të evitohet pasioni, mllefi, veçmas nga ata që mendojnë ndryshe nga tjetri dhe kjo nuk përbën krim. Por ftohtësia në analizën e një fenomeni të tillë ndoshta sjell më shumë qartësi, urtësi dhe logjikë. Le të ndalemi në disa aspektë të debatit:

Së pari, përkrahësit e Lubonjës e të Idrizit, sidomos ata që janë vetëshpallur si “moderatorë”, i justifikojnë ata me të qenit njerëz të lirë, me mendim të lirë e të pavarur. Ky lloj arsyetimi është i pa vend, sepse as Lubonja, as Idrizi nuk janë aq tolerantë dhe liberatorë, sa të pranojnë ose të heshtin kur ata sulmohen me akuza, të qena ose të paqena, nga të tjerët. Ne i kemi parë ata në debatet televizive, i kemi ndjekur në analizat që bëjnë dhe reagimet që kanë pasur në shtyp dhe në asnjë rast nuk kemi fiksuar në memorie ndonjë akt tolerance përballë njerëzve me pikëpamje e ide të kundërta, me të cilët ata përballen. Madje shpesh herë të dy dëshmohen më agresivë sesa kritikët e tyre që shfaqen këto ditë me shumicë në mbrojtje të Haradinajt apo “miteve” shqiptare. Aq më tepër të qenit “liberator” nuk të jep asnjë të drejtë morale e civile të bësh lista “vrasësish” e të luash rolin e prokurorit e të gjykatësit. Edhe nëse nuk ke vendime gjykatash për të provuar krimin e dikujt, analisti duhet të ketë së paku disa indicje dhe prova morale për të mbrojtur akuzën që bën. Në këtë pikëpamje Lubonja dhe Idrizi duket se duan të luajnë rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës, përballë “skicofrenëve” shqiptarë, të cilët besojnë te e drejta e shqiptarëve për tu çliruar dhe me armë nga pushtimi, sundimi dhe dhuna e pashembullt e Serbisë në Kosovë.

Një analist, opinionist dhe komentator ka përgjegjësi për fjalën që artikulon. Në një analizë timen të para 20 ditëve kam përdorur fjalën “shpurë” për një grup intelektualësh dhe partiakësh, të cilët ikën dhe u rikthyen te Berisha. Miku im, Frrok Çupi, më tha se “nuk shkon kjo fjalë për këta njerëz. Ata nuk janë shpurë, janë intelektualë”. I kërkova falje. Frroku kishte të drejtë. E drejta nuk anonte nga unë. Më ka pëlqyer mua ose jo ikja e rikthimi i tyre te Berisha, kjo është pjesa e sentimentit personal. Si analist nuk kam asnjë të drejtë të përdor epitete, aq më pak të akuzoj dikë pa asnjë fakt e argument. Ndërkaq Lubonja i thotë vrasës një personaliteti politik të Kosovës, për të cilin nuk ka asnjë të dhënë e argument. E si mund t´i thuash vrasës një duzine njerëzish?! Si mund t´u thuash “skicofrenë” miliona bashkkombasve të tu, siç bën Fatos Lubonja?! Eshtë e paimagjinueshme! Eshtë e pakonceptueshme! Të qenit i lirë nuk e justifikon një veprim të tillë. Së paku për këtë Lubonja dhe Idrizi duhet të kërkojnë ndjesë. Jo Ramush Haradinajt, jo listarëve të Arbenit, po opinionit publik. Të listuarit, nëse duan, kanë se ku e kërkojnë të drejtën e të vërtetën, nëse jo, le të pajtohen me të qenit kriminelë. Eshtë punë e tyre.

Së dyti, e gjithë piramida e akuzave që kanë ndërtuar Lubonja dhe Idrizi është vënë në funksion të deheroizimit. Unë besoj se një mision i tillë është fisnik dhe i drejtë. E vërteta është se të gjithë ballkanasit jetojnë me mitet e heronjve, të tradhëtarëve e të viktimës. Heronjtë i përdorin për të mbajtur të bashkuar sa më shumë njerëz rreth vetes, ose për të identifikuar racën, çka sjell fobitë, antivlerat dhe më pas konfliktet, dhunën, luftrat, vrasjet e kështu me radhë. Tradhëtitë i përdorin për të justifikuar gijotinën politike, morale ose edhe fizike kur e lejojnë rrethanat. Viktimizimin e përdorin për mbrojtje kur bëjnë prapësi dhe krime. Kjo prirje dhe ky realitet është i përhapur shumë më tepër te popujt e tjerë, përjashtuar sllovenët,  sesa te shqiptarët. Kujtoni rastin e lirimit nga Haga dhe pritjes se gjeneral Gotovinës me mbi 500 mijë njerëz në sheshin e Zagrebit. Ishte i njëjtë me rastin e Haradinajt.

Çmitizimi dhe deheroizimi në princip është një mision civil, por që shkon në raport me civilizimin e vetë shoqërisë, madje jo vetëm në një vend të caktuar, por në të gjithë rajonin. Lubonja është partizan i çmitizimit, por fatkeqësisht edhe vetë luan shpesh herë rolin e heroit. Le të kujtojmë vitin 2003-2004, kur ai u përball me Nanon dhe përdori gjithçka në funksion të rolit tragjio-komik të heroit, pra edhe të viktimës. Unë kam pasur një milion arsye më shumë sesa Lubonja që të luaja rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës, por nuk e mora përsipër këtë rol, jo nga paaftësia, thjesht se nuk doja të obligoja opinionin publik me problemet e mia si botues e gazetar me shtetin, SHIK-un, gjykatat, Bashkinë e Tiranës dhe segmente të tjera të luftës kundër fjalës së lirë. Edhe unë isha gjobitur me 20 milion lekë të vjetra, madje për një shkrim të dikujt tjetër në revistën “Koha”, i cili kishte emër dhe mbiemër. Por “mbatha këmbët e ika”. Qëndrova në hije për të mos luajtur rolin e heroit, siç bëri Lubonja.

Nëse Haradinaj u kthye nga Haga si hero, Lubonja me akuzën e vrasësit, u bë “hero i fjalës së lirë”, kur kishte shumë më pak kontribute se shumë të tjerë në këtë fushë. Heronjtë e fjalës së lirë të kohës së Lubonjës morën edhe ndonjë plumb me vete e nuk u ndjenë, përveçse u përmenden në lajmet e ditës, sikur të ishin pjesë e kronikës së zezë. Fatkeqësisht te ne ndodh gjithnjë i njëjti cikël. “Antiheronjtë” shfaqen të tillë që të zënë vendin e heronjve dhe heronjtë luftojnë me thonj e me dhëmbë që të mbeten të tillë. Moralisht janë më të pranueshëm këta të dytët, sesa të parët. Ndodh ashtu si me lëvizjet tona njëshekullore për vetëvendosje, të cilat përfundojnë në luftë për pushtet. Njëra palë në emër te deheroizmit e demitizimit e shpall veten hero e mitik. Tjetra palë shpallet luftëtar për vetëvendosje e shtet-kombformim dhe përfundon te lufta për karrige, pushtet e para. Në të dyja rastet funksionon paraja, ndërkohë që në rastin e Lubonjës funksionon kapja e pushtetit mediatik, ndërsa te politika kapja e pushtetit politik.

Edhe unë besoj se është e nevojshme që heronjtë t´i shohim si njerëz, por që kanë disa cilësi të veçantë, të avancuara, siç janë aftësitë, përkushtimi, vendosmëria, guximi, pse jo dhe mençuria e urtësia. Kështu ndodh madje me kryeheroin e shqiptarëve. Edhe Skënderbeu ka qenë njëri prej prijësve shqiptarë të kohës. Kjo do të thotë se ai ka patur thjesht një ose dy cilësi më shumë sesa të tjerët, ndaj është vënë në krye të rezistencës së shqiptarëve për tu mbrojtur nga pushtimi i osmanëve. Por dhe ai ka patur difektet e tij, dhe ai ka bërë një jetë njeriu e nuk pati rënë nga qielli. Po Lubonja e disa të tjerë nuk shkojnë përtej kësaj logjike, kur ata flasin për heronj të tillë si Skënderbeu. U mveshin atyre lloj-lloj cilësish negative dhe nga heronj i shndërrojnë në antiheronj. Nëse lexojmë filozofët e shumtë, të cilët janë marrë me studimet për mitet e heronjtë, atëherë do të gjendej një mesatare e logjikshme dhe civile për të pranuar heronjtë dhe heroizmin e njerëzve. Ndërkaq Lubonja dhe Idrizi e trajtojnë me përbuzje e urrjejte të pabazuar këtë kategori njerëzore, e cila ze vend edhe në vendet e qytetëruara. Kjo ndodh gjithashtu me Arben Idrizin, kur ai i adresohet figurës së Adem Jasharit. Në një kohë paqeje, në e në kohë stabiliteti, logjika e Arbenit është vërtet e pranueshme. Madje kjo logjikë ka qenë e pranueshme nën zë edhe në kohën kur u vra Adem Jashari, përkatësisht fakti se nuk duhej sakrifikuar e gjithë familja në një konflikt të tillë si ai që ndodhi në Kosovë. Megjithatë kjo nuk e zbeh aktin e heroit, i cili u përball me një forcë të pabarabartë, ushtrinë dhe policinë serbe. Pra nuk e justifikon kritkën arbirtrare të analistit Idrizi. Aq më tepër nëse e gjykojmë Adem jasharin me qëllimin e vetëm që t´i bëhet një shërbim i caktuar propagandës së Serbisë, pra për të justifikuar krimet e saj në Kosovë. Nuk jam i sigurt as për Lubonjën, as më Idrizin, nëse me akuzat ndaj Haradinajt e Adem Jasharit ata duan të relativizojnë krimet serbe në Kosovë. Kjo nuk është as detyra ime, edhe pse thash e theme ka plot, së paku sa i përket Lubonjës.

Në këtë kuptim nuk shkojnë gjithashtu disa krahasime që i bëhen Lubonjës dhe Idrizit me Natasha Kondiçin e dikë tjetër në Serbi. Natasha Kondiç, kur flet në përkrahje të shqiptarëve, ajo i referohet vendimeve të Hagës dhe jo akuzave prej prokurorësh. Mbi këtë bazë ajo i ka dënuar gjithherë krimet serbe në Kosovë. Nuk ka luajtur asnjëhherë rolin e prokurorit, siç bëjnë Lubonja e Idrizi. Megjithatë ajo është atakuar në publikun serb si “tradhëtare” e interesave serbe. Unë nuk besoj se Lubonja e Idrizi janë “tradhëtarë” të interesave shqiptare, por besoj se janë i njëjti brumë shqiptarësh, njerëz skicofrenë (nëse besojmë se të tillë jam unë e shqiptarët e akuzuar prej Lubonjës”. Ata të dy janë njerëz mitomanë, madje nga ata që mendojnë se “Bota sillet rreth tyre”. Dredhitë e interpretimit të konteksteve të Lubonjës nuk e zhbëjnë akuzën kolektive të tij kundër nesh, pjesës tjetër të shqiptarëve. Dhe akuzat kolektive janë definime të racizmit e fashizmit në çdo vokabolar të botës.

Në vendet e qytetëruara janë zhvilluar me shekuj luftëra civile e rajonale për të shkuar te ideja reale e mitit dhe heroizmit. Nëse në shekullin e 16-të shpërtheu në Gjermani e në Europë lufta civile fetare e drejtuar nga Martin Luther, ajo u drejtua kundër autoritetit të Papës dhe rolit të tij absolut në jetën fetare europiane. Por ama vetë Martin Luther u shndërrua në një mit për evangjelistët europianë. Ndërkohë që Papa mbeti një institucion me fuqi absolute deri në ditët e sotme. Njerëzimi vërtet zhvillohet përmes të kundërtave, por jo përmes mllefeve, të cilat ne i shohim të shfaqen me bollëk edhe nga kampi pro-Lubonjë, edhe nga kundërshtarët e tij. Rolin e heroit luante gjithashtu Berat Buzhala, në rastin kur i hidhej për hakmarrje politike Jakup Krasniqit.

Së treti, mjeti me të cilin Lubonja lufton për “civilizimin” e shqiptarëve është vërtet një mjet, të cilët e përdorin njerëzit jo civilë. Kur ai thotë se “shqiptarët janë skicofrenë”, shpreh një ngërç në gjetjen e argumentit për tezat që ai lëvron. Dhe përdor fyerjen si mjet “civilizues”. Të jesh moderator, të jesh civil, të kërkosh të jesh ndryshe nga të tjerët, pra i një sëre më të lartë, më të kultivuar, do të thotë të jesh fisnik, do të thotë të jesh i urtë dhe të imponohesh me forcën e argumentit. Të përdorësh një fjalë fyese për një komb të caktuar, edhe nëse ky komb nuk i përket etnitetit që ti i përket, dëshmon për të kundërtën e asaj që predikon. Këtij lloj konflikti nuk i ikin shumica e sojit tonë të analistëve, komentatorëve dhe opinionistëve. Atëherë, pse Lubonja e përdor këtë fyerje kaq të rëndë për bashkkombasit e tij, nëse ai na quan ne bashkkombas? Jam i bindur se ai është i mësuar me autocensurën dhe e njeh mirë instiktin e prodhimit të asaj çfarë i pëlqen, në rastin konkret botuesit. Ai e di se bëhet i famshëm vetëm me skupe të tilla. Rendja pas famës është rendje pas mitit, pas heroizmave. Dhe Lubonja e luan mjaft mirë këtë rol, duke luajtur rolin e antiheroit, antimitit. Për këtë shkak mesazhi i Lubonjës është i pamoralshëm dhe shfaqet si hipokrizi. Ai shfaqet i të njëjtit model si dhe Rahmi Memushi, i cili disa ditë më parë fyente me të pavërteta dhe akuza të çuditshme të gjithë komunitetin katolik në Shqipëri. Këtij trendi të rrezikshëm për shoqërinë njerëzore i duhet dhënë fund. Lavdia dhe fama nuk arrihen mbi fatkeqësitë e të tjerëve ose bazuar në shpifje e akuza. Së paku në një rast të tillë nuk meriton askush të quhet analist, komentator, filozof a ku e di unë çfarë.

Eshtë krejt nornalë që në shoqërinë njerëzore të ketë tokësorë, të cilët me çdo mjet përpiqen për famë. Por vetëdija njerëzore, vetë shoqëria, i ka seleksionuar gjithmonë ata që artficialisht kërkojnë të arrijnë famën dhe mitin. Lubonja beson se është shndërruar në mbinjeri, kur u hakërrehet të gjithëve, kolektivisht, pa dallim. Pikërisht këtë duhet ta evitojmë në shoqëritë e civilizuara që të shndërrohemi në një komb me konkurencë efektive në mesin e vendeve të qytetëruara.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e Lubonjes, egoja per fame, Enver Bytyci, miti mitika

Liria dhe kapadait e vendit

July 21, 2013 by dgreca

Në gjithë tonet e kapadaive politik ndaj Lubonjës u vërejt se është instaluar “makineria e ndalimit, të mendimit dhe të shkrimit të lirë shqip”./

Nga Bekim Rexhepi/

Është mbase e vërtetë se thjeshtëzimet nuk lënë shqyrtimin të pathemel – po supozojmë se në këtë debatin që është ngritur nga Lubonja, ka dy lloje simpatizantësh  të kapadaive, ato të fushës së politikës dhe ato të fushës së shkrimit. Po e marrë për vështrim kategorinë e dytë. Nëse është e thënë se duhet të ekzistoi edhe shkrimtaret, aherë pse të mos ekzistojnë. Jo më sa për sy e faqe të ekzistojnë, ata duhet të ekzistojnë edhe për faktin se duhet të shkruajnë më shumë se të tjerët për të vërtetën. Në të shumtën e rasteve e vërteta duket pa gjasa e shpresa, por kur ekzistojnë shkrimtaret ajo duket më fatlume në vetvete. Ambienti shqiptar për dekada të tëra ka pak vend për të vërteta, madje për të vërteta sublime nuk mund as të flitet. Pse? Garda e shkelmimit duket se gjithnjë ia ka dalë ta zotërojë pozitën e të vërtetës dhe atë e ka kthyer në gëzof. Prandaj nuk duhet të na çudisë fakti se të vërtetat tona janë prej gëzofi. E vërteta prej gëzofi, tek ne duket se ka edhe histori, historia e saj rrokulliset mbi dhimbje dhe fate tragjike e kombëtare. Megjithëkëtë më mirë të ketë disa të vërteta prej gëzofi se sa të mos ketë fare hiq. Përpjekjet për të pasur të vërteta nuk duhet të ndalen kurrë, edhe përkundër sakrificës dhe rezistencës. Më mirë një pikë uji në det, se sa deti një pikë uji. Më mirë një e vërtetë në shumësin e gënjeshtrave, se sa shumë gënjeshtra brenda një të vërtete.

Për këtë – të vërtetën, nuk duhet vetëm një luftë e shkrimtarëve, e artistëve, të tjerëve, por edhe e politikanëve. Por kur politikanët të thonë të vërteten ne do të jemi në “fundin e botës”!. Dikush do të thoshte më mirë të mos e thonë politikanët kurrë të vërtetën, se sa të vije “fundi i botës”. E në fakt nuk vije fundi i botës nëse të vërtetën e thonë edhe politikanët. Shkrimtaret tanë për të vërtetën kanë bërë përpjekje më të mëdha dhe ndofta për këtë ata janë më të rrallët qe kanë bërë përpjekje ta dëmtojnë atë. E kanë dëmtuar të tjerët më shumë se shkrimtaret ndaj unë mbetem një adhurues i shkrimtarëve dhe jo i politikanëve.

A është edhe shkrimtari një kapadai ashtu siç është edhe një politikan? Në parim duket se ka edhe shkrimtar “kapadai”. I tillë është edhe Fatos Lubonja, shkrimtar (gazetar, analistë, publicistë, e etj). Jo më pa të drejtë ai ka marrë një itinerar të vështirë dhe ndofta më të vështirin të, vështroi objektin nga këndi i suficitit. Pse e them kështu, sepse vet Lubonja di të shpenzoi këtë materie të shqetësimeve tona pa pasur atë frikën e reagimit të nacionit egoist qe mbase e kanë edhe popujt e tjerë po edhe ne shqiptaret nuk i shpëtojmë.

Shqetësimeve që ka opinioni shqiptar me rastin e letrës që Lubonja publikoi në mediat e huaja dhe reagimet me tone militantësh, mbase do të bëhej edhe për mua një shqetësim dhe s’ka se si të mos reagoi dhe unë. Në gjithë tonet e kapadaive politik ndaj Lubonjës u vërejt se është instaluar “makineria e ndalimit, të mendimit dhe të shkrimit të lirë shqip”.

Është e Lubonja është padyshim një intelektual dhe një mekanikë i vërtetë, i ndërtimit të mendimit të lirë në demokracinë shqiptare. Në zgjidhjen racionale të këtyre shqetësimeve, unë do të mbishtesa gjithsesi një shkrimtar para një kapadaiu politik.

Po ta shikosh gjendjen e rëndë në Kosovë, të vije mbase jo për të sharë politikan, e kapadai të shumtë që ka vendi. Disa prej tyre ne emër të luftës kanë përvetësuar pasuri të paimagjinueshme. Pasuritë e tyre s’iu bëjnë dot ballë atyre që japin si ndihmë për shtetin-klient. Shkaqet e veprimeve të dyshimta nuk mund të qojnë akoma më shumë pezmatimin e artereve historike. Sepse del kuptueshëm që bartësit e pushtetit në një politikë të tillë kanë fare pak interes për nxitje të “zhvillimit”.  Përfitimet e tyre varen nga pushteti nga rezistenca e tyre mbi shtetin-klient, monopoli i tyre brenda shoqërisë dhe jo nga produktiviteti i shoqërisë si tërësi.

Le ta kuptojmë jo më ndryshe se kaq se shkrimi i Lubonjës, është një shtytës i jashtëzakontë qe mbase përpiqet të heq vëmendjen nga pasuria, nga ajo pasuri që u bë ne emër të luftës dhe të heroizmit. Të ndihmohet populli dhe të shtohen vlerat e shtetit mbi shoqërinë. Kështu ditë më parë u sulmua edhe një veprimtar tjetër Veton Surroi, po ashtu nga një kapadai qe udhëheq me neveritshëm më shtetin.

Ky kapadai i shtetit, ndërton autostrada dhe populli i “tij” ikën rrugëve të botës – azil. Kështu është kur edhe turpi flet moral, apo kur morali flet vetëm turp! Të ndërtosh autostrada kur brenda pak muajsh pjesa më vitale e popullit merr rrugët e huaja, sepse rrugët “tona” si gjithnjë janë bosh.

Në shtetin-klient edhe vëllazëria e kapadaiut numër 1, majmën me pasuri dhe ligji nuk guxon as ti shoh me sy.

 

21-07-13

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, dhe kapadait e vendit, liria

Kush i vrau Aristidh Kolën dhe Luka Çiçipin?

July 20, 2013 by dgreca

Ne Foto: Aristidh Kola/

Biri i Arbrit i njihte thellë dëshirat e heshtura të saja që flinin me shekuj në ëndrrat e dëshirës për një të vërtetë; sepse vuajtjet, vdekjet dhe zhdukjet na e kishin rënduar gjithmonë shpirtin. Biri i Arbrit shpresonte në lindjet e bardha mbi errësirën verbuese, të lagura me gjakun e nxehtë të vrasjes së të vërtetës. Edhe pse ishim të pafjetur, në netët e gjata të ankthit, në pritje të llahtarisë, vullkani i përvëluar i brendisë shpirtërore së Birit të Arbrit e prishte heshtjen e së paarritshmes. E njihte Kosovën edhe në valët e Drinit dhe kërcimet e tija mbi ujin e pafajshëm, jepnin shenjën e dallëndyshes në kërkim të lirisë; lirinë që aq guximshëm e kërkonte me vargjet e tija të mbushura me thjeshtësi, me të rima e padukshme dhe simbolet e papritura. Poeti nuk vdes sepse Drini ushton nga dhembja që ia dha vlerën valëve të tij nuk është më Poeti nuk vdes, sepse Biri i Arbrit, në qiellin tonë i ka skalitur vargjet që i bëjnë dritë po atij Drini edhe në netët më të errëta të vërtetësisë sonë. Do ta lëmë të prehet i qetë shtatë pash lart në qiellin arbëror

“Vritmëni, po gjakun ma mblidhni… se do t’u duhet nipave e mbesave për të shkruar gjuhën shqipe”- Petro Nini Luarasi

Kush i vrau Aristidh Kolën dhe Luka Çiçipin?/

Fahri Xharra/

Por, edhe bijtë e mëdhenj të kombit, Aristidh Kolën dhe Luka Çiçipin, do t`i lëmë të qetë të prehen diku lart në qiellin arbëror, të prehen të qetë për punën e tyre të madhe se edhe këta shpresonin në lindjet e bardha mbi errësirën verbuese të mohimit dhe stërmohimit të një pjese të madhe të Arbërisë dhe arvanitasve mu nga ata, nga të cilët e panë dritën dhe kulturën aty ku e vodhën me themel.

Vdekje nga sëmundja e përgatitur në laborator

Që të dytë, si Aristidhi ashtu edhe Luka, vdiqën në mënyrë të njëjtë, nga e njëjta ”sëmundje” e përgatitur në laboratorët antishqiptare, nga një ”sëmundje”, e cila e sjell heshtjen e të tjerëve për të mos u dëgjuar zëri i së vërtetës së mbyllur me shekuj në shtatë pashët e thellësisë së harresës; duhej patjetër të harrohej se: “Ka pak njerëz në Greqi që nuk e kanë gjyshen apo gjyshin arvanitas” dhe duhej që të mos përmendej se ”Greqia sot i ka 695 fshatra shqiptare ku jetohet shqip, frymohet shqip”, duhet që të mos përmendur kurrë që:”Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3 milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip”.

Duhej që të vdisnin, sepse e kthjellonin ujin e turbullt të historisë; duhej të vdisnin se pastaj në ujin e pastër do të rriteshin troftat të cilat do ta ndërronin emrin e habitatit dhe në atë ujë të pastër të gjithë do ta shihni valën e së vërtetës. Aristidhi dhe Luka e dinin se kur shkruanin nëpër gazeta dhe dilnin në TV shkonin në shtigje me rreziqe të mëdha, por i kishin marrë parasysh të gjitha si edhe dhe gjënë më të keqe…! E ajo i gjeti, se u munduan dhe patën sukses në rrugëtimin e tyre.

Plot akuza dhe “shigjeta me helm” do të hidheshin kundër tij. Më 24 maj 2000, një ditë përpara prezantimit të librit të tij, kushtuar arbëreshit të njohur uratë Antonio Belushit, me titull “Antonio Belushi dhe magjia e traditës popullore”, Aristidh Kola do të shtrohet urgjentisht në një spital të Athinës i sëmurë rëndë. Më 11 tetor të vitit 2000, në spitalin Evangjelizmos në Athinë, vdiq arvanitasi i shquar Aristidh Kola, i cili rënkonte prej një muaj.

Mos-heshtja ndaj së vërtetës

Aristidh Kola ishte studiues, shkrimtar, publicist dhe ka botuar disa libra për çështjen e arvanitasve dhe të Kosovës. Ai gjatë viteve 1995-2000 ishte njëri nga zërat më të fuqishëm në Greqi që mbronte çështjen e Kosovës duke denoncuar masakrat serbe në shtypin grek. Shërbimet dhe kujdestarët e heshtjes ia arritën qëllimit.

E njëjta ”sëmundje” do ta ”gjejë” edhe Luka Çiçipin, i cili po ashtu nuk deshi të heshtë ndaj në të vërtete të madhe; dhe në mënyrë shkencore e shpërndante polenin e kulturës së lashtë arvanite në mënyrë që bletët e së ardhmes të dinë saktë për emrin e luleve polendhënëse.

Luka Çiçipi, profesor i Antropologjisë dhe i Gjuhësisë në Universitetin Aristoteli të Selanikut (Greqi) vdiq të dielën, 14 shtator 2008. I lindur në Athinë në vitin 1946, ai u doktorua në antropologji nga Universiteti i Uiskonsinit, pas përfundimit të dy magjistraturave, një në antropologji dhe një në gjuhësi, në të njëjtin universitet (1981). Ka shkruar librin “Antropologjia gjuhësore e praktikës dhe ndryshimit (dyndjes) gjuhësor: arbërishtja (shqipja) dhe greqishtja në kontakt’ ‘A Linguistic Anthropology of Praxis and Language Shift: Arvanitika (Albanian) and Greek in Contact’ (Clarendon Press, Oxford 1998) dhe dy libra në greqisht: “Hyrje në antropologjinë e gjuhës: Gjuha ideologjisë dhe performansa’ (Gutenberg, Athens 1995) dhe “Nga gjuha si objekt në gjuhën si veprim ‘(Nissos, Athinë 2005), ndërsa një libër nën titullin “Gjuha, praktika, dhe ideologjia: Një qasje dinamike e proceseve sociolinguistike’ ishte në punë e sipër në kohën e vdekjes së tij sipas kontratës me Palgrave Macmillanin. Ka publikuar gjerësisht në revista të tilla si, Word, Language in Society, Journal of Pragmatics, Semiotica, International Journal of the Sociology of Language, Anthropological Linguistics, Journal of Sociolinguistics, Journal of Linguistic Anthropology, Pragmatics etj., mbi çështje të tilla si ideologjitë gjuhësore, teoria politike dhe gjuha, aspektet performuese të gjuhës, teoritë e veprimit shoqëror dhe gjuhësia antropologjike. Ishte anëtar i shoqatave të ndryshme të Greqisë dhe ndërkombëtare (duke përfshirë edhe Shoqatën Antropologjike Amerikane, Shoqatën Ndërkombëtare Pragmatike dhe LSA).

Ai ishte pionier në studimin e gjuhëve të pakicave në greqishte, në kontaktin gjuhësor. Si e gjeti vdekjen, që nuk e deshi, por ia sollën? Sot në Greqi, ata që flasin në publik në lidhje me marrëdhënieve të hegjemonisë, rreth arbërishtes apo cilësdo gjuhë tjetër të pakicave është në shënjestër nga kërcënimet e stilit të Agut të Artë, i cili veçohet dhe në fund të eliminohet fizikisht kudo ku është e mundur. Për fat të keq, kjo është Greqia e sotme dhe e gjithhershme kur janë në pyetje Arvanitasit. Ç`bëri Luka Çiçipi? Në një prej teksteve të tij të fundit mbi gjuhën si një ‘praktikë’, Luka huazon nocionin e’ nënshtrimit të mbarështuar nga shkencëtarët politikë (Laclauja, Mouffeja) për të përcaktuar hapësirën e mjegullt (të paqartë) në të cilin një subjekt është në vartësi nga vendimet hegjemonike të ‘tjetrit’. Vendimet hegjemonike të tjetrit: Harroje!

“Luka, me punën e tij, na tregoi se si mekanizmat e hegjemonisë arrijnë të mbajnë larg nga arena politike debatin e një çështjeje që nuk artikulohet fare: Cila është ajo çështje? Mos fol shqip. Mos e trego se nga lindi shqipja. Mos e përmend të kaluarën tënde se me te e merr vesh bota se unë jam i ardhur pas teje. Mos…mos…mos.

“Ne këtu flasim vetëm greqisht” thuhet në Greqi e referencat e tij të shfaqen në kontekstin komunikativ ku ironia është mbizotëruese – ku arbërishtja po i humb folësit e saj amtarë të fundit, aktivë dhe pasivë. Lluka Çiçipi vdiq me kancer, mundet me të njëjtit lloj si Aristidh Kolias, dhe vdiq në kulmin shkencor.

Ecja kundër rrymës

Pse duhej te vdiste Aristidh Kola në Greqi? Sepse “Arvanitet të këndomi/ Gluhenë të mos harromi” – nuk lejohet. Nuk guxon të jesh arbëror dhe nëse je autor i veprave “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Gjuha e perëndive”, “Deklarata e Bashkimit Arvanitas”, “Fjalori korrigjues i fjalëve arvanite”, “Fjalori krahasues i gjuhës shqipe”, “Greqia në kurthin e serbëve të Milosheviqit”, “Kënga e mercenarëve, prejardhja e grekëve”, “Mithi dhe e vërteta”, “Varrimi i tretë i Marko Boçarit”, atëherë të pret vdekja.

“Pse ia sharrojmë vetes degët që kemi nën këmbë. Me fustanellën tonë krenohen fqinjët duke e quajtur pjesë të etnografisë së tyre kombëtare. Pasi na zvogëluan gjeografikisht të tjerët, pse për fajin tonë, vazhdojmë të zvogëlohemi shpirtërisht. E kryepseja: pse pra ne e kemi humbur shansin historik për t`u bërë qendra e mbarë botës arbërore-arvanite-shqiptare?” – pyetet Kolec Tromboini dhe vazhdon: ”Parë në këtë sy, mund të them se diku përtej gardhit tonë, në Greqi, patëm fatin të njohim Aristidh Kolën, personalitetin më të madh arvanitas të shekullit XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë.” Vetëm pse mbronte shqiptarët e Kosovës në të drejtën e tyre për liri, u kërcënua publikisht në një emision televiziv nga një gazetare. Për këtë ngjarje skandaloze në median greke, shkruante:

“Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në “Skaj”, 5 maj 1999, dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja… Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse “e drejta del, vjen kur t`i vijë ora …(Nga rrënjët tona janë në Arbëri).

Aristidh Kola me krenari, me guxim dhe me vetëdije të plotë thoshte:“Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat. Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjerra dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time…”

Studiuesi arbëresh, Antonio Belushi, në një akademi, u shpreh: “I madhi Aristidh Kola është i pavdekshëm. Ai ndodhet shumë lart në pavdekësi.

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: Aristidh Kolen, Fahri Xharra, kush i vrau, Luka Cicipin

DILEMA SHQIPTARE

July 20, 2013 by dgreca

Politikanet tanë qëndrojnë larg nënshtetasve të tyre, larg nga problemet e tyre, dhe kur është nevoja për taksa nuk përtojnë ti rrjepin fare sepse tashmë natyra e tyre është akomoduar në pushtetin e instinkteve dhe të pasioneve të tyre të liga duke shkatërruar kështu çdo lidhje shoqërore dhe politike./

Nga Bekim Rexhepi/

E dimë se problemi kryesorë në Shqipëri pas Shpalljes së Pavarësisë ishte ngritja e administratës shtetërore me njerëz të aftë dhe të zot. Problemi ishte i vështirë; gjuha shqipe nuk ishte lejuar të mësohej në shkollat e vendit nga administrata osmane; vendi ishte i varfër dhe analfabetizmi mbulonte gati 90% të gjithë popullsisë. Ndërsa sot goxha në koincidencë është edhe Kosova, pas shpalljes se pavarësisë duket se e ka të vështirë të gjejë politikan të pastër.

Si asnjëherë më parë në historinë shqiptare nuk ka pasur më shumë zyrtar të korruptuar, të kriminalizuar, e ne procese hetimore, e gjyqësore. Madje, madje secili qytetar i Kosovës ka një boshllëk dyshimesh, se zyrtaret e shtetit janë të angazhuar për të mirën e tyre e, të shtetit. Kot provon ta bindesh sot atë pas kaq vitesh se ka mbet ndonjëri politikan qe s’është i krimbtë. Po ta shikosh pak këtë histori të pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, krahu i luftës pas ardhjes në pushtet duket se goxha e ka degraduar luftën e vet, e ka bërë të duket e zbehtë edhe para popullit, e edhe para faktorit ndërkombëtar. Një varg akuzash, një varg hetimesh gjyqësore, një varg vrasjesh të dala në shesh, një varg i gjatë me zyrtar të korruptuar, me haraçe e linçime politike e ka bërë qe vendi të ketë një imazh akoma më të rënd.

Krizat konjukturale, me plot rreziqe që peshojnë mbi institucionet si rrjedhojë e dobësisë së pushtetit qeverisës, perceptimi me shqetësim nga ana e opinionit publik dhe intelektualëve të shumtë po alarmojnë shenjat e anarkisë. Dilema shqiptare për pushtet rezonus thellohen sepse në anën tjetër kemi një pushtet autokratik, i cili po zgjerohet pa kuptuar së paku edhe fabulën e vet.

Ngjashëm si Sevarius-i gënjejnë popullin e tyre. Pra, politikanet tanë qëndrojnë larg nënshtetasve të tyre, larg nga problemet e tyre, dhe kur është nevoja për taksa nuk përtojnë ti rrjepin fare sepse tashmë natyra e tyre është akomoduar në pushtetin e instinkteve dhe të pasioneve të tyre të liga duke shkatërruar kështu çdo lidhje shoqërore dhe politike.

Paqja më pak po duket përjashtim sepse të gjitha rregullat shkelen dhe shkatërrohen në favorin e interesit të ngushtë të tyre. Për pak vite ata kanë shitur të gjitha pasurit e shtetit, madje pasurit e tyre janë më te larta se pasurit e disa zyrtarëve ne shtetet industriale. Ligji shtetëror është kthyer në vizion të kapadaillëkut të tyre, po s’je me ta je mish për ta.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, dilema shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 964
  • 965
  • 966
  • 967
  • 968
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT