• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse Faik Konica ishte i tillë ?

September 10, 2013 by dgreca

“Dija e injoranca janë në kacafytje kudo për sot e mot, veçanërisht në botën shqiptare”-Faik Konica/

Shkruan: Fahri XHARRA/

Pse Faik Konica ishte i tillë si e njohim ne në letrat tona? Sepse i përkiste gjakut të fisëm shqiptar. Bartëte krenari tipike të themeltë,sepse e vishte kostumin e qenjës së tij të kulturës bashkëkohore, të firmës së njohur europiano-perëndimore ,si rrallëkush i kohës së tij. ( Dr. Ledri Kurti)  Pse Konica apo pse nuk e ndjekim rrugën e Konicës që të  mos heshtim, të  mosshtrohemi e të bashkohemi ? Ai na thoshte se rruga që shpie në nderë,në arritje e shpëtim nuk është e shtruar me lule por me therra,dhe se një ditë do të dalim të rritur në sytë e botës. A jemi rritur sa duhet ? A e kuptuam se për të arrijtur në kulm arrihet i grisur ,i përgjakur ,i djersitur e i lodhur? Trëndafillat, dafinat ,uji e ftofët dhe shtrirja e ëmbël  gjinden në kulm  ,dhe atje shumë herë as që i gëzon dot,  por se bie i vdekur nga të lodhurit  dhe me vëtëdijen e plotë se i hape një udhë të re popullit.

Për të zhvilluar temën e titulluar mu desht pa tjetër të thirrem në Faik Konicën ,kur kërkonte : Ndryshim në themel!  A është edhe sot e nevojëshme ,e domosdoshme e menjëherëshme për të kapërcyer paradoksin e kohës shqiptare, e cila  nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e para njëqind vjetëve? A mos është mendja edhe e intelektualit të sotëm një rreth i mbyllur, me një mendim dogmatik të thatë dhe  të pa jetë? A mos po e kemi mendjen e frikëshme  të zhytyr në mediokritet?

Si mundemi të flejmë aq pa brenga ( intelektualët) ,dhe të mos i kundërvihemi një të keqës nga e kaluara e cila po na gërryen edhe sot? Pse heshtim  dhe nuk i zbardhim planet e të kaluarës për zhbërjen tonë nga ata që edhe sot vetëm se po i rifreskojnë planet e tyre ,me të dhëna më të  dhe metoda më të sofistikuara?

Edhe sikur të shkruanim për çdo ditë nga një libër dhe të mundohemi ta bindim botën se atë që e kanë thënë serbet për ne  ,nuk është e vërtetë,nuk ia dalim dot. Ata aq shumë  kanë punuar por edhe sot punojnë në atë drejtim ,dhe duke e krahasur me” punën” tonë apo më mirë të them heshtjen tonë e kemi të pamundur çdo llojë përgënjeshtërimi. E bota i beson librit.

Planët e serbëve për shfarosjen tonë ,bartjen tonë nga tokat tona janë shumë të herëshme. Por ata nuk i bënin vetëm. E kishin mikun ,i kishin miqtë të cilëve iu ndihmonin.  E ne ende nuk po dijmë ta zgjedhim mikun. Përplasemi sipas nevojave ditore ,individuale ,klanore  dhe kurrsesi të ndalemi dhe të rrokemi me të vërtetin. Po ,po me mikun e vërtetë.

Na ende pyetemi se a me Stambollin apo Brukselin?

“ Arnautët ishin gjithëmonë përfaqësiesit e denjë  të çrregullimeve dhe të mos përgjegjësisë ndaj shtetit, Të tillë i njhnin edhe të krishterët( Europa,f.xh.) e edhe Turqit. Gjatë historisë dhe në gojëdhëna ,në të kaluarën dhe të tashmen për banorët e Makedonisë , Sërbisë së vjetër dhe në Sanxhak,Shqiptari ishte sinonim i dhunuesit dhe  i dhunës dhe i rrëmbimit. Ata ishin të tillë edhe në kohë të luftës e edhe në kohë të paqës.”( Jovan N. Tomić  O Arnautima  u staroj Srbiji i Sandžaku,1913). Pra botës i spjegohej për një popull të të pa denjë për Europë.

“ Islamizimi i shqiptarëve nuk ka filluar me ardhjen e tyre në tokat serbe.Islamizimi i shqiptarëve fillon me të madhe pas vdekje së Skënderbeut. Një pjesë e madhe e tyre ikën në Italinë e Jugut ,dhe të tjerët duke marrur përfitime nga turqit filluan ti popullojnë tokat serbe”( po aty).

Si u albanizuan dhe u muhamedanizuan serbet ortodoks në vitet 1737? A nuk ju duke kjo një pyetje që i kalon të gjitha normat e një shkrimi historik apo dokument diplomatik, e shkruar po në atë libër  ?  Dhe këto pyetje bota i ka pranuar ,e ne kemi heshtur dhe heshtim edhe sot. “U mundova thot Jovan N. Tomiqi në librin tim  që me fakte dhe argumente të  tregoj se si erdhi deri te  albanizimi dhe muhamedanizimi  i serbeve , këndej kufirit me  Shqipërinë.”  “Në Sanxhak nuk ka pasur kurr Shqiptarë ,as me ardhjen e turkut ,as në shekullin XVI ,as në ate të XVII. Në shekujt e përmendur banorët e atyhit ,përveq një numri të vogël turqish ishin kryesisht Serbët,serbët e fesë muhamedane dhe më shumë  të asaj ortodokse. Por gjuha e tyre si e muslimanëve si e ortodoksëve ishte serbishtja.  Kufiri etnografik me Shqipërinë ishte largë nga Sanxhaku.Ai (kufiri) as në shek.XVI  nuk mbërrinte deri të Drini i Bardhë. Dukagjini nuk ishte në përbërje të Shqipërisë. Tek në shekullin XVII ,kufiri lëvizi këndej por pa e kaluar Drinin. Në Lumë dhe në nahijën e Gjakovës ,banorët ishin serbë dhe flitshin serbisht.( ?) … Ardhja e Arnautëve në Sanxhak (rreth vitit 1700) nuk ndikoj në numrin e shqiptarëve në Shqipëri sepse teprica e popullit të saj i gjeti kushtet më të mira për jetënë  Sanxhak. Pse erdhën ata aty? Sepse popullata serbe e vendit  ishte në luftë me turqit” ( po aty).

Pra në kohën e konferencave të Londres ,Parisit ,Versajit ,aty ku duhej të diskutohej ndarja e jonë në copëza, atëherë  duhej një arsyetim  për marrjen e tokave tona ; sepse ato” ishin të tyre”. E ne, i kishim esatpashat ,haxhiqamilat që me ndihmën e Turqisë e kërkonin kthimin e dumbabës.

Serbët e albanizuar  sa ishin në numër?  Sipas Samarxhiqit ( 1989) ,në  fund të shekullit XIX –të në Kosovë ishin rreth 30-40 përqind të “Arbanasve “ me origjinë slave ; kurse Mladenoviqi (1989) e rritë numrin në dy të tretat e banorëve shqiptarë të Kosovës që ishin me origjinë serbe, kurse studjuesi  Veselin Gjuretiq (1992) ,e përmbyllë numrin e shqiptarëve me prejardhje serbe në 80%.

Edhe udhëpërshkruesi Gopçeviq e kishte zhvilluar tezën e Shqiptarëve si Serbë të albanizuar si dhe praninë e “Kripto-serbëve” apo “serbëve të mëshefur”(Përvetësim i pa skrupullt i një kombi të tërë). Ai thot se kombësia arbanase nuk egziston , sepse “ Arbanasit” në të vërtetë janë “Shkipetarët” ,sepse Arbanas mundet me qenë edhe serbi edhe turku edhe greku.

Por ,të gjitha këto që u thanë më lartë shkruheshin si në kohën kur neve turku nuk na lejonte shkollën por edhe më vonë kur ne mësuam shkollë për nuk dinim të shkruanim ,se kishim probleme tjera . Ne nuk reagonim në kohë të duhur.

Marrëveshtjet ,për bartjen e popullësisë muslimane (shqiptare) nga tokat “serbe” u muarrën qysh nga viti 1862, kur u mbajt Konferenca ndërkombëtare në Kanlixhe ,paralagje e  Stambollit ,me çrast qeveritë Ruse ,Franceze dhe Turke bënin Marrëveshje  për një qasje të përbashkët në dobi të Serbisë. Në atë marrëveshje ishte shkruar që muslimanët( pra shqiptarët) duhen të shpërngulën “orë e më parë”.Serbia do t`i paguante Turqisë dëmshpërblimin prej 9.000.000 groshësh..

Muslimanët e Serbisë mund të rrinin në vatrat e tyre ,me këto kushte:

– që t`i kthehen besimit stërgjyshor ,dhe nëse jo të mbesin

-serb të besimit musliman, dhe nëse jo

– duhen të shpërngulën nga Serbia.  Dhe drashkoviqët e Millosheviqët rrehnin gjoks karshi Europës ,se për të qenë Serbia e tillë i kishte sakrifikuar 400.000 “serb”.(1998)

Kur ne, do të bartim krenari tipike të themeltë? Kur do e veshim  kostumin e qenjës sonë të kulturës bashkëkohore, të firmës së njohur europiano-perëndimore ?Apo po rrehi ujë në havan ?

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, ishte i tille, Perse Faik Konica

LIRIA E MEDIAS NË EUROPËN JUG-LINDORE

September 9, 2013 by dgreca

MEDIA  E LIRË SI TMERI I TIRANËVE DHE DASHAMIRËSE E POPULLIT/

Nga Frank Shkreli/
Javën që vjen, Zyra e Përfaqsuesit Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Europë (OSBE-së), që merret me lirinë e medias, në bashkpunim me zyrën e kësaj organizate në Shqipëri, organizon konferencën e tretë të saj të radhës në Tiranë.
OSBE-ja njofton se Konferenca mbi gjendjen e medias në Europën Jug-Lindore është e treta e radhës e këtij lloji ç’prej vitit 2011, që mbahet për të diskutuar gjendjen e medias në përgjithësi dhe  të lirisë së medias në veçanti në vendet e Europës Jug-lindore, përfshirë  Shqipërinë dhe Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.  Në njoftimin e konferencës së radhës që do të mbahet me 18 deri më 20 Shtator në kryeqytetin shqiptar, thuhet se gjatë dy viteve të fundit, gjëndja e lirisë së medias në vendet e Europës Jug-Lindore, “jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përparim, por në të vërtetë është keqësuar dukshëm.”
Në paralajmërimin e konferencës  së Tiranës mbi lirinë e shtypit në vendet e Europës Jug-Lindore javën që vjen, thuhet se, “raportet nga këjo zonë flasin për përpjekje për të shuar zërat kritikë” në media, dhe vazhdon duke thënë se në këtë rajon, “flitet për raste ku autoritetet përzihen duke futur hundët në punën e gazetarëve, si dhe  nënvijohen rrethana ku miratohet legjislacioni ose raste ku ligjet ndryshohen mbrenda 24 orësh, për të bërë më të vështirë lirinë e të shprehurit dhe lirinë e medias”, duke penguar kështu përparimin që duhet bërë tanimë në këtë fushë.  Zyra e Përfaqsuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, deklaron botërisht se ka ardhur koha se ”diçka duhet bërë” në lidhje me këtë situatë të lirisë së medias, ose mungesës së saj.

Konferenca për Lirinë e Medias në Europën Jug-Lindore, që mbahet çdo vit në një vend të ndryshëm të këtij rajoni, sipas njoftimit, sjellë ekspertë të njohur në këtë fushë, nga rajoni dhe më gjërë, duke krijuar kështu një platformë për dialog mbi sfidat e tanishme, me të cilat përballet liria e medias, si dhe për të biseduar mbi hapat që duhen marrë për përmirësimin e kësaj gjëndjeje.

Sipas njoftimit të OSBE-së, konferenca e Tiranës do të diskutojë  zhvillimet më të rëndësishme me të cilat përballet sot media  si dhe sfidat  e mëdha në fushën e lirisë së medias në vendet e Europës Jug-Lindore, duke përfshirë ndër të tjera, rregulloret, çështjet didgjitale, lirinë e internetit, vet-censurimin nga gazetarët, zbatimin e legjislacionit  mediatik  dhe transparencën në vet radhët e medias.

Në konferencën e parë të OSBE-së mbi Lirinë e Medias në Europën Jug-Lindore, që u mbajt në Sarajevë në tetor, 2011 u miratua Deklarata e titulluar,  “Në Rrugën Drejt Lirisë së Medias”.  Deklarata, ndër të tjera, theksoi se “liria e të shprehurit është një e drejtë themelore e njeriut dhe njëra ndër shtyllat kryesore të qeverisjes së mire dhe e funksionimit të shtetit ligjor”.   Deklarata, “ripohon rëndësinë themelore të lirisë së të shprehurit dhe lirisë së medias – përfshirë  parimet e pavarësisë, pluralizmit dhe shumëllojshmërisë, si mjete jetike në mbrojtje të të gjitha të drejtave të tjera, që janë gurthemeli i demorkacisë dhe zhvillimit shoqëror”.   Deklarata e Sarajevës, e miratuar nga përfaqsues të vendeve të Europës Jug-Lindore tre vjetë më parë, thekson gjithashtu se “vetëm media që është me të vërtetë e pavarur nga pikëpamja politike, redaksionale dhe ekonomike,  mund të luaj rolin kyç që i takon në një shoqëri demokratike.’’   Në deklaratën e miratuar nga të gjithë, thuhet gjithashtu se roli i medias është  që të funksionojë si të thuash  si një kujdestare dhe mbikqyrëse e punëve të qeveritarëve dhe të biznesit dhe të informojë publikun mbi aspektet e rëndësishme të jetës, në mënyrë të drejtë dhe pa marrë anën e asnjerës palë.  Duke pasqyruar gjithashtu pikëpamje të ndryshme, me qëllim që të mundësojë  individët  dhe shoqëritë që të marrin vendimet e tyre, bazuar në informacione të sakëta dhe të paanëshme, kur zgjedhin dhe vlerësojnë punën e qeverive të tyre.

Zbatimi i plotë i këtyre parimeve për lirinë e gjithanëshme të medias në zonën e Evropës Jug-Lindore, nuk ësht askund më i nevojshëm se sa në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në Ballkan, ku media është aq e influencuar nga partitë politike dhe interesa të ndryshme ekonomike e të tjera.  Zbatimi i këtyre parimeve për zhvillimin e një medias vërtetë të lire, nuk do të ndodhë për derisa, jo vetëm interesat e ndryshme politike dhe ekonomike – por edhe vetë gazetarët – nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë se pa liri të plotë të fjalës dhe të medias, nuk ka as demokraci të vërtetë as zhvillim normal të shoqërisë.

Le të shpresojmë që konferenca e Tiranës të jetë një hap përpara në “Rrugën Drejtë Lirisë së Medias” në trojet shqiptare, dhe të mos jetë vetëm një konferencë e sponsorizuar nga ndërkombëtarët (kësaj radhe nga Holanda) për të biseduar mbi teoritë e lirisë së medias dhe jo mbi zbatimin serioz të standardeve dhe praktikave ndërkombëtare të lirisë së medias,  larg influencave politike e partiake.  Këjo është një sfidë me të cilën përballen  Shqipëria, Kosova , si dhe vendet e tjera të Europës Jug-Lindore, në përpjekjet e tyre për integrim europian, pasi këto janë sfida dhe rregulla të “klubit’’ të përcaktuara, jo vetëm nga OSBE-ja, por edhe nga Bashkimi Europian, për të garantuar pra, pluralizmin dhe lirinë e plotë dhe të pa penguar të medias, si dhe zhvillimin  normal të demokracisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Liria e medias, ne Europen Juglindore

I vjetër sa stalaktitet e shpellave te malëve të veta

September 8, 2013 by dgreca

Nuk jemi ardhacak në tokat tona. Të kotë e keni ju turq ,grekë e serbë./

Nga Fahri XHARRA/

Përputhja e trojeve që flisnin dikur e që edhe sot flasin shqip me kufinjt etnikë të ilirëve të jugut e të epirotëve të lashtë mbrenda e jashtë Shqipërisë mund të shpjegohet vetëm me autoktoninë e shqiptarve në këto troje.

“Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë , banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.”

Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.(At Gjergj Fishta ,1939).

Përputhja e trojeve shqipfolëse të sotme me kufinjt etnikë të ilirëve dhe epirotëve të lashtëë mbrenda dhe jashtë Shqipërisë etnike mund të shpjegohet vetëm me autoktoninë e

shqiptarëve në këto troje

Në vitin 1958 njëfarë Ivan Popoviçi  (Slaven und Albaner in Albanien und Montenegro) e ”zbulon” se duke u mbështetur kryesisht në ”argumentime” gjuhësore , i paraqet shqiptrët si popullsi e ardhur në trojet e sotme të tyre në një kohë të pa përcaktur në mesjetë ,por sipas tij  gjithësesi pas sllavëve.

Pse e gjithë kjo luftë , pse i gjithë ky ngulm gati dyqind vjeçar  i fqinjve që të na “gjejnë kohën se kur kemi ardhë “këndejpari ,dhe të “ nderojnë “ edhe me vendin se nga “ishim”?

Historia është shkencë egzakte dhe nuk duron “ mrekullira” se e vërteta qëndron edhe nën tokë e edhe në ujë , asaj ne duhet t´i japim gjuhën dhe te flet.
“Në  malet ,mbi zonën e banuar me sllavë dhe protoromanë mbeti një popullsi blegtorale që mund të  cilësohen si protoshqiptarë” thoshte Ivan Popoviçi.

Objekti dhe qëllimi i i pikëpamjeve që e kundërshtojnë autoktoninë e shqiptarëve është i qartë (N.Çabej, Ilirët që mbijetuan) , të gjëndet një vend nga dikur jo fort largë në histori. shqiptarët të kenë ardhur. .Por, kot. “Mrekullitë”  nuk i duron shkenca e historisë.

Por ka edhe nga ata , që nuk i bishtnojnë fakteve dhe e thonë  atë që duhet thënë se në burimet historike nuk bëhët fjalë për ndonjë megrim të shqiptarëve.Andaj është e natyrshme që shqipja është folur , që nga kohët e lashta në ato vende ku flitet edhe sot, pa i llogaritur vendet tjera ku iu kanë humbur gjuhën..Gjuhëtari Radoslav Katiqiç: “ grupe shqipëfolëse ka në Epir , në pjesën perendimore të Maqedonisë dhe në lindje të Malit të Zi. Në Kosovë ,popullsia është kryesisht shqiptare.(Katiqiq, Ancien Lanuages of the Balkans) dhe përfundon që kjo zone e banuar me folës të shqipës gjendet thuajse terësisht mbrenda territorit të lashtë të Ilirëve.Për këtë arsye ai e sheh normale dhe të natyrshme gjuhën shqipe si pasardhëse moderne të ilirishtes.

Në një blog serb lexova ku thuhet se shqiptarët e Kosovës nuk kanë aspak lidhëshmëri me ne dhe ata janë ta ashtu si e thoshte plaku shqiptar ne nje Tv-intervju :”  ne jemi ilirë’ ,ky nuk është vendi i serbëve, ne gjithëmonë kemi qenë këtu, kjo është e jona, kjo është e jona…” (Albanci sa Kosova naravno nemaju aspolutno nikakve veze sa nama i oni su kako kaze drtavi starac koga su intervjuisali na TV-u “mi smo Iljiri, ovo nee srbska zemlja, mi smo od uvek bili ovde, ovo nasho, sve ovo nasho…”

Por te shkojmë edhe më largë në histori: Më 18 gusht, Kisha katolike përkujtoi dy shenjtorë, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën për Shën Florin e Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianës në tokën e Dardanisë, Kosova e sotme.

Shën Niketa, i njohur edhe me emrin “ Shën Niketa i Dardanise “apo “ Shën Niketa i Remessiana-s” ( tek sllavet: “sveti Nikita”, kompozoi himnoren e mirënjohur “ Te deum, laudeamus”-“ Ty Zot te lavdërojmë”. Te paktën qe nga fillimi i shekullit te kaluar, kur britaniku A.E. Burn botoi ne Cambridge (1905) monografinë “Niceta of Remessiana”, dihet botërisht se ky shenjtor doli prej botes iliro-shqiptare. Vete Shën Niketa shkruan me dorën e tij: “Dardanus sum” jam dardan..

Në vështrimin historik, shfaqja e Nënë Terezës si perfaqesuese e një misioni të shenjtë, në hapësirën dhe botën shqiptare jo vetëm nuk ka asgjë te papritur, por vjen si perforcim i një tradite dymijëvjeqare. Tradita e takimit të hapësirës shqiptare vazhdoi me shekuj. Në veri Shën Sergji e Baku; ne jug Shen Gjon Vladimiri, deri tek Shen Kozmai, tregojnë se bota shqiptare jo vetem nuk ishte e larget për misionaret e shenjtë, por, madje, ofronte mjedis zhvillimi e lartësimi. Kjo nuk lidhet vetëm me krishterimin, por me bashkesinë shqiptare ne terësi. Ruajtja e kodikeve te Shqiperisë në ketë mjedis ku kan kaluar rrebeshe kohërash dhe ku janë kryqezuar ndikime mospajtuese, shpreh edhe një here një vlerëprej vlerave etnodalluese të popullit shqiptare, tolerancen ndërfetare të tijë, një model tolerance edhe per shqiptarinë e sotme.

Te tilla dorëshkrime janë pjese e identitetit kulturor te popullit, qe i ka ruajtur dhe i japin emer Shqiperisë në bote. Prandaj ne perulemni me emocion dhe nderim para tyre.

Nuk jemi ardhacak në tokat tona. Të kotë e keni ju turq ,grekë e serbë.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e shpellave te veta, Fahri Xharra, i vjeter, sa salaktitet

Përparësitë dhe dobësitë e qeverisë së re shqiptare

September 8, 2013 by dgreca

Nga Menada Zaimi/

Analistët në Shqipëri komentojnë pikat e forta dhe të dobëta të qeverisë së re, e cila do të drejtohet nga Edi Rama. Dukshëm qeverisja do të jetë komode nga pikëpamja e mandateve në Kuvend, fakt që analisti Armand Shkullaku e rendit si një pikë të fortë.
“Pika më e fortë që ka kjo qeveri është mazhoranca tepër e madhe. Pra, ka një shumicë prej 83 votash, me të cilën, si të thuash, i ka duart e lira për të kryer reformat apo premtimet elektorale, që ajo ka paraqitur para votuesve shqiptarë”, thotë Shkullaku.
Iris Luarasi fokusohet te prurjet dhe elementet origjinale për të sjellë një program fitues më 23 qershor:
“Bëhet fjalë për një energji të re të pashpenzuar gjatë 8 viteve në opozitë. Bëhet fjalë për një sërë tryezash të rrumbullakëta të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit, ku është thirrur një grup i rëndësishëm specialistësh dhe është marrë mendimi i njerëzve që kanë një zë në fusha të ndryshme, për të cilat janë realizuar tryezat e organizuara nga Partia Socialiste. Po prapë një gjë pozitive shohim edhe përfshirjen e shumë njerëzve të rinj në pozicionet e ministrave”.
Por, jo të gjithë e kanë përqafuar optikën e kryeministrit të ardhshëm për të formuar kabinetin e ri, çka për Luarasin mund të jetë arsye për konflikte të brendshme.
“Pikë të dobët unë shoh edhe vetë opozitën që do të krijohet brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që mund të ndihet e anashkaluar nga vendimmarrja, në të cilën janë zgjedhur ministrat e rinj, kabinetet e tyre, drejtorët e drejtorive në pozicione të caktuara, që do të jetë ndoshta një nga handikap nëse nuk do të merren masa nga lidershipi i Partisë Socialiste për ta kaluar këtë si proces”, vlerëson Luarasi.
Për të mirëqeverisur, analistët jo drejtpërdrejtë i sugjerojnë qeverisë së re të Shqipërisë të mos gjejë justifikime bazuar te realiteti që po trashëgon mazhoranca në largim.
Armand Shkullaku thotë për Radion Evropa e Lirë se situata ekonomike nuk mund të përdoret si alibi për mospërmbushjen e detyrimeve programore.
“Zoti Rama të paktën gjatë 4 vjetëve të fundit ka akuzuar vazhdimisht me shifra me fakte, me të dhëna, realitetin ekonomik që paraqiste mazhoranca e djeshme. Kështu që e ka të qartë gjendjen reale, në të cilën ndodhet vendi. Kjo nuk përbën justifikim për mosplotësimin e programit të Partisë Socialiste që të qeverisë vendin”.
“Sigurisht, Shqipëria ka pasur një ngecje, nuk ka pasur një rritje ekonomike domethënëse, ka pasur rënie, madje. Por, sigurisht, është një nga vendet e rajonit që ka shpëtuar deri tani nga kriza ekonomike dhe tashmë ajo që do të menaxhohet nga sot e tutje, i mbetet mazhorancës së re”, konsideron Shkullaku.
Nën shënjestër, siç thotë Luarasi, do të jetë sjellja e qeverisë së re në raport me korrupsionin. Çdo hap i munguar në këtë drejtim, sipas saj, do ta penalizonte mazhorancën e re.
“Dhe, nëse ne nuk do të shohim njerëz që do të shkojnë prapa hekurave, dhe do të dënohen për aktet korruptive që ata kanë kryer deri më sot, sigurisht që pastaj do të lërë shumë për të dëshiruar dhe do t’i ulë shumë pikë mazhorancës së re”, thekson Luarasi për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, qytetarët e anketuar presin, as më shumë, as më pak se sa mbajtja e premtimeve të bëra në zgjedhje:
“Të gjitha gjërat, sidomos për të rinjtë dhe të reja, se është bërë shumë keq, punësimi, të gjitha”.
“Punësim, rend, ato që duan të gjithë njerëzit”, shprehet qytetari i dytë.
“Thjesht, të mbajë premtimet dhe kaq. Punësim”.
“Presim ndryshime ndaj dhe shumica votoi për ta. Besoj se do të mendojnë për këtë popull tani. Në radhë të parë duhet luftuar korrupsioni. Mbi gjithçka duhet të ketë qetësi. Rendi duhet të vendoset”.
“Vetëm atë që kanë premtuar. Jo vetëm kjo qeveri, por të gjitha që do të vijnë e do të ikin, gjithë ato që kanë premtuar kaq”.
“Nga qeveria e re presim ndryshime të mëdha në lidhje me zgjidhjen e halleve dhe problemeve të rinisë, të pensionistëve, invalidëve.
“Mbi të gjitha rendi”.
E vetëdijshme për fuqinë e shtuar që i dhanë votat në 23 qershor, mazhoranca e re u ka paraprirë dyshimeve publike e mediatike, duke deklaruar se nuk do të keqpërdorë votat në Kuvend.
Por, rezultati i zgjedhjeve prodhoi gjithaq dhe një LSI më të fortë, e për rrjedhojë dyshimet se kjo forcë politike mund të jetë sa fuqia, po aq dhe dobësia e Qeverisë Rama. Ndonëse shpreson që qeverisja të funksionojë, analistja Luarasi nuk e shmang skepticizmin se marrëdhënia mes dy liderëve s’do të jetë dhe aq e lehtë.
“Sigurisht, me kalimin e kohës do të kemi edhe ngjarje, edhe në këtë pikëpamje. Në fakt, zoti Meta ka treguar se arriti të bëjë një bashkëqeverisje shumë të mirë me zotin Berisha që ishte kundërshtari më i madh i tij politik. Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj që nëse ai do të jetë i interesuar për të vazhduar këtë lloj qeverisjeje, aq më shumë me numrat e katërfishuar të deputetëve që ai ka sot në Parlament, atëherë do të ketë një dëshirë të mirë për ta vazhduar këtë bashkëpunim”.
“Nga ana tjetër, ne e dimë që të dy liderët, qoftë zoti Rama, qoftë zoti Meta në një moment të caktuar kthehen në njerëz të paparashikueshëm. Kështu që e vetmja shpresë është që të mos ndodhin gjëra të paparashikueshme gjatë këtyre katër vjtëve në vazhdim, të paktën”, shprehet Luarasi.
Ndërkaq, Shkullaku kujton se Ilir Meta e Edi Rama kanë ditur të bashkëpunojnë, çfarë ka shumë arsye të ndodhë edhe tani.
“Është e vërtetë se për sa kohë është edhe pikë e fortë si të thuash kjo mazhorancë e konsoliduar, por nga ana tjetër edhe qeverisja me dy koka, ose me dy pole, përbën një vështirësi. Por, mendoj që Meta dhe Rama kanë kaluar periudha bashkëqeverisjeje me njëri-tjetrin, e kanë një eksperiencë nga e kaluara, kur zoti Meta ka qenë kryeministër dhe zoti Rama kryetar i Bashkisë. Kështu që, mendoj që e njohin aq mirë njëri-tjetrin, sa gjërat që i ndajnë t’i evitojnë dhe të mbështeten te gjërat që i bashkojnë”, potencon Shkullaku.
Qeveria e re pritet të nisë punën javën që vjen. Një lexim më i qartë i pikave të forta apo të dobëta të Kabinetit Rama, ndoshta do të bëhet pas përmbylljes së angazhimeve programore të 300 ditëve të para të qeverisjes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Menada, qeveria socialsite

Vila e Enver Hoxhës, “Muze për Krimet e Komunizmit”!

September 7, 2013 by dgreca

NGA GËZIM PESHKËPIA &  AGRON TUFA*/

Shqipëria është vendi i vetëm në Europën Qendrore e Lindore ish-komuniste, që nuk e ka ende një Muze për Krimet e Komunizmit. Ndonëse shkalla e egërsisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ka qenë, siç dihet tashmë, e pakrahasueshme me asnjë prej pushteteve të “demokracive popullore” të vendeve ish-komuniste, ende nuk e kemi një Muze të Diktaturës, madje as në Kryeqytet, edhe pse kanë kaluar 23 vjet nga rënia formale e sistemit totalitar. Diktatori vetë nuk hezitoi fare të ngrinte në vitin 1967, në mes të Pjacës së Shkodrës, Muzeumin monstruoz të Ateizmit. Edhe pse nuk mungojnë objektet dhe gjurmët kriminale të dhunës dhe torturave komuniste, kjo mungesë bëhet më e mprehtë me rritjen e gjeneratave të reja, të cilat nuk arrijnë dot të kenë një përfytyrim të thjeshtë, të prekshëm e didaktik mbi terrorin e ushtruar për gjysmë shekulli mbi qytetarët shqiptarë. Kësisoj, Shqipëria ka vendosur një rekord të ri gines për kultivimin e shpërfilljes së traumës historike dhe amnezisë.
Kemi pasur rastin të ftohemi e të marrim pjesë në konferenca të ndryshme të vendeve ish-komuniste me tema të mprehta mbi muzealizimin e provave dhe dëshmitë të krimeve të komunizmit. Gjithkund në këto vende të Europës Qendrore e Lindore kemi parë disa dhjetëra lloje muzesh mbi krimet e komunizmit, të përqendruara në disa qytete kryesore, me një vizitueshmëri të pandërprerë. I tillë, për shembull, është “Muzeumi i Komunizmit” në mes të Pragës, në sheshin “Vacesllav”, në pallatin elegant “Savarin”. I rrethuar nga të dyja anët prej restorantesh McDonald’s dhe nga ana tjetër prej një kazinoje, të gjitha jo rastësisht, muzeumi krijon kontrast me gjithçka të shoqërisë së re, që ka ardhur pas përmbysjes së komunizmit, për të cilin “Newsweek” shkruan se “brezit të ri nuk i është treguar e plotë nga prindërit” dhe se “të rinjtë kanë nevojë t’u kujtosh se si ka qenë jeta e mëparshme”.
Si rregull, kriteret e përzgjedhjes së godinave për këto muze parapëlqehen ish-godinat e komiteteve të partive, burgjet komuniste, godinat qeveritare ose godinat e shërbimeve sekrete.
Por shembullin e padiskutueshëm të një reflektimi mbi modelet e muzeve të krimeve të komunizmit, e paraqet Gjermania, e cila ka gërshetuar muzetë e dy diktaturave (naziste dhe komuniste), duke ruajtur simbolikat dhe dëshmitë autentike mbi traumat kolektive të dy diktaturave. Edhe Gjermania, në një shkallë akoma më të goditur simbolike, ka përzgjedhur godinat që përcjellin një domethënie të freskët e mbresëlënëse te vizitorët e këtyre muzeve.
Gjatë një trajnimi dyjavor me specialistët e Institutit tonë, me ndërmjetësinë e drejtorit “Konrad Adenauer Stiftung”, Dr. Thomas Schrapel, ne ishim të ftuar në muajin mars të këtij viti nga Instituti homolog gjerman, për të përfituar sa më shumë nga përvoja dhe strategjia gjermane në dëshmitë konkrete të krimeve të dy diktaturave. Edhe në Gjermani muzetë e panumërt të krimeve të komunizmit ishin ndërtesat e ish-Komiteteve të Partisë, godinat qeveritare të ministrive, ish-burgjet dhe Kampet e Përqendrimit, të tejmbushura, kryesisht me nxënës shkollash e gjimnazesh. Ndërsa gjatë vitit 1989 aktivistët e “Lëvizjes qytetare” në të gjitha qytetet e Gjermanisë Lindore, ende pa rënë Muri i Berlinit, me të marrë vesh se STAS-i kishte nisur asgjësimin e dosjeve, i rrethuan të gjitha ndërtesat e Sigurimit komunist gjerman, duke pasur një përkrahje të gjerë popullore. Të gjitha godinat e STAS-it u rrethuan, derisa u morën nën kontroll, duke mos i lëshuar më, gjer në kapitullimin përfundimtar të regjimit komunist të Erich Honeckerit. Tashmë dihet gjerësisht, se këto godina janë shndërruar me kohë të gjitha në muze të krimeve të komunizmit. Rastin më demonstrativ e përbën “Muzeu i STAS-it” në Berlin, godina e të cilit ishte kuartieri kryesor i Sigurimit të Shtetit në RDGJ. Territori i kësaj Qendre në Berlin-Lichtenberg shtrihej me një sipërfaqe prej 22 hektarësh, e cila u kthye në Muzeum me vendim të posaçëm.
Po gjatë marsit të këtij viti, me rastin e inaugurimit të Memorialit “Postbllok” (me autorë F. Lubonja dhe A. Isufi), autorët e këtij shkrimi shoqëruan në një shëtitje në zonën e Bllokut drejtoreshën e “Fondacionit Federal Gjerman për Rishikimin e të Kaluarës Komuniste”, Dr. Anna Kaminsy-n. Ajo u interesua veçanërisht për vilën e diktatorit Enver Hoxha, për destinacionin e saj dhe, pas një kundrimi të hollësishëm të godinës nga të gjitha rakurset, na shprehu mendimin e saj, se “vila ku ka banuar diktatori juaj, do të ishte simbolika më e goditur për kthimin e saj në ‘Muze të Krimeve të Komunizmit’”.
– Përfytyrojeni – tha ajo,- se si nga atje brenda, por edhe nga ballkonet, dritaret dhe shëtitjet e tij në kopshtin e bukur e të qetë të kësaj vile, diktatori juaj projektonte, meditonte dhe shpërndante urdhra për eliminimin e elitave intelektuale deri te bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Ne na dhembën këto fjalë dhe s’ditëm çfarë t’i përgjigjeshim, ndonëse një ide të tillë, jo vetëm e kishim çuar ndërmend, jo vetëm e kishim diskutuar, por edhe e kishim ndeshur të artikuluar edhe në shtypin tonë. Dhe këtë skepsis të thellë mbi pamundësinë e një gjesti, që duket tepër i bukur për ta besuar, na e ka provuar realiteti ynë politik postkomunist, në të cilin, siç po e shohim, jo vetëm nuk ka pikë ndjeshmërie për krimet e komunizmit, por zor të gjesh ndonjë dozë arsyeje e mirëkuptimi.
Por, kur sheh se çfarë idesh po hidhen këto ditë mbi destinacionin e vilës së diktatorit, ne na dhemb dyfish situata që përshkruam më lart me Dr. Anna Kaminsky-n. Sepse nga qasjet e qeverisë së re, që ende nuk ka nisur ushtrimin e pushtetit, po u jepen udhë ideve banale mbi kthimin e kësaj vile në një “Qendër” ku “inovatorët legjislatorë mund të bënin aty seminare, apo studime” dhe ku “…filozofët e ardhshëm mund të vijnë të bëjnë studime tremujore, të banojnë brenda vilës me idenë e dhënies së propozimeve specifike për ligje të caktuara” (“Standard” 27 gusht, 2013). Në Konferencën e 26 shtatorit mbi zhvillimin urban, Partia Socialiste ftoi edhe disa arkitektë të huaj, të cilët shprehen disa mendime mbi funksionin e disa prej godinave, përfshirë dhe Piramidën, por në asnjë rast, asnjëri prej arkitektëve “të partishëm” nuk u kujtua, se pikërisht këto godina bartin një energji simbolike me të shkuarën tonë diktatoriale. Pikërisht për vlerën potenciale të muzeve që paraqesin këto godina, u hesht me një ton të tillë…
Është e habitshme që disa figura politike të kryesisë së kësaj partie, të cilët prej gati një viti na befasuan me dofarë platformash të tyre mbi ndjeshmërinë ndaj të përndjekurve politikë, jo vetëm që nuk guxuan të hidhnin propozimin e tyre për kthimin e vilës së diktatorit në një “Muze për Krimet e Komunizmit” (meqë dhe pretendojnë se janë bij të përndjekurish politikë), por as nuk u ndjenë fare kur këto ide janë bërë tashmë publike në median tonë.
Pra, qëllimi i metamorfozës është më se i qartë. Shkurt, kjo do të thotë: edhe një fondacion tjetër politik “Qemal Stafa”…!
Mirëpo qytetarët shqiptarë kanë nevojë për kujtesën e plagëve të tyre, për identitetin e tyre kolektiv; ata kanë nevojë për rikuptimësimin, filtrimin dhe përcjelljen e kësaj kujtesë te brezat e ardhshëm, për edukimin me faktet dhe ndjenjën realiste të historisë së tyre. Gjëja që më së paku kanë nevojë qytetarët shqiptarë, janë këto qendra të shpëlarjes së trurit nëpërmjet eksperimenteve me fondacione politike e ideologjike.

* Autorët e shkrimit : Gezim Peshkepia, ish-i burgosur politik, anëtar i Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit-Agron Tufa, Drejtori Ekzekutiv i këtij Instituti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Tufa, Gezim Peshkepia, Muze per krimet e komunizmit, vila e Enver Hoxhes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 962
  • 963
  • 964
  • 965
  • 966
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT