• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Lu: Ju ndalua hyrja në SHBA disa gjykatësve të korruptuar

March 3, 2016 by dgreca

Ambasadori amerikan në Tiranë shpjegoi se “ju janë refuzuar apo anulluar vizat. Ky është vetëm fillimi”/

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara u ka ndaluar hyrjen në territorin e saj disa gjykatësve të korruptuar”: një masë e tillë u bë e ditur sot në mbrëmje nga ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu. Duke ju përgjigjur pyetjes së një qytetari shqiptar, pjesë e programin të ambasadës amerikane të Video Pyetjeve & Përgjigjeve në YouTube, lidhur me korrupsionin në Shqipëri ambasadori Lu shpjegoi se këtyre gjyqtarëve “ju janë refuzuar apo anulluar vizat”. Identiteti i këtyre gjykatësve apo dhe numri i tyre nuk është bërë i ditur, por në përgjigjen e tij ambasadori shtoi se “ky është vetëm fillimi. Ne kemi shumë më tepër punë për të bërë për të luftuar korrupsionin”. Zoti Lu deklaroi se “korrupsioni është prioritet kryesor i qeverisë së SHBA-ve në Shqipëri. Ne jemi duke ndërmarrë masat tona, por edhe me shoqërinë civile dhe udhëheqësit shqiptarë. Vitin e kaluar, ne pamë se si partitë politike hoqën disa kandidatë kriminelë nga zgjedhjet. Politikanë të tjerë të korruptuar apo me të shkuar kriminale janë arrestuar apo kanë dhënë dorëheqjen. Ne, gjithashtu, mbështesim zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin”, nënvizoi ambasadori Lu. Ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të korruptuar, ambasadori amerikan e kishte paralajmëruar që vitin e shkuar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës në muajin qershor ai kishte shpjeguar se “Shpallja Presidenciale Nr.7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri”, kishte deklaruar ambasadori. Masat e autoriteteve amerikane ndaj gjykatësve shqiptarë të dyshuar për korrupsion vijnë në një moment kur në javët e ardhshme parlamenti shqiptar pritet të diskutojë reformën në Drejtësi. Një numër i madh ndërhyrjesh në Kushtetutë, të parashikuara nga reforma, synojnë një përmbysje thuajse të të gjithë sistemit aktual të Drejtësisë dhe riformatimin e institucioneve kryesore të tij. Ndërsa të gjithë gjykatësit e prokurorët pritet t’i nënshtrohen një verifikimi e kontrolli të detajuar si të formimit të tyre profesional ashtu dhe të integritetit moral e pasurive të tyre. {SH.K}

Filed Under: Editorial Tagged With: Ambasadori Lu, gjykatesve te korruptuar, iu ndalua hyrja ne SHBA

MASAKRA NDAJ 22 INTELEKTUALEVE DHE QYTETAREVE TE PAFAJSHEM

February 26, 2016 by dgreca

( Me rastin e 65 vjetorit të masakrës me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike)/

Nga Uran Butka/

Masakra e natës së 26 shkurtit 1951 në Tiranë është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit, një plojë e pashembullt i terrorizmit shtetëror dhe njëherësh akti më antiligjor dhe më me pa precedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj.

Pse?

Së pari, koha kur u realizua masakra ishte momenti i kalimit nga dominanca e plotë politike jugosllave, në vartësinë e plotë sovjetike të Shqipërisë. Më datën 19 shkrurt, ora 9.00 ishte mbledhur plenimi i KQ të PPSH që sanksiononte dhe rrënjoste kursin Stalinist të Partisë e të shtetit shqiptar. Enver Hoxha, sekretar i Përgjithshëm i Partisë dhe kryeministër, në raportin e tij theksoi:“Politika staliniste e Bashkimit Sovjetik të jëtë fari që do të na ndriçojë në rrugën tonë.Kjo do të jetë epiqendra  e gjithë politikës dhe aktivitetit të Partisë dhe qeverisë”.

Pikërisht atë ditë, pra më 19 shkurt, ora 19 e 47 minuta  u hodh në oborrin e Ambasadës Sovjetike një  një sasi e vogël dinamiti, që shkaktoi një krisje të fortë, theu disa xhama, asgjë tjetër. Në fakt ky ishte një akt terrorist i një grupimi ilegal me emrin “Bashkimi Kombëtar”, që nuk kishte synim të vriste njerës, por të rrëfente botërisht qëndrimin kundër  politikës staliniste të Partisë dhe qeverisë shqiptare. Pra, një akt antisovjetik. Ata që e hodhën dinamitin, Qazim Laçi dhe Hysen Llulla,  si dhe anëtarët e tjerë të asaj organizate u arrestuan menjëherë nga Sigurimi i Shtetit, u mbajtën në hetuesi në fshehtësi të plotë dhe u dënuan pas tetë muajsh. Pra diheshin personat që kishin shkaktuar atë incident.

Së dyti, personat që u pushkatuan në mesnatën e 26 shkurtit 1951, ishin krejt të pafajshëm, nuk kishin njohje me njëri tjetrin dhe nuk kishin asnjë lidhje me incidentin në Ambasadën Sovjetike as me ata që e kishin hedhur dinamitin. U zgjodhën intelektualët më në zë nga gjithë hapësira shqiptare , dhe u ekzekutuan për të ngjallur frikë e terror në popull, sidomos tek intelektualët properëndimorë, por edhe për t’i bërë fli (kurbanë) në themelet e politikës staliniste, personalitete me peshë si Sabiha Kasimati, nga Libohova, shkencëtarja e parë shqiptare; Tefik Shehu, nga Gjakova, tregtar i diplomuar për ekonomi dhe drejtësi në Itali, Niko Lezo, nga Delvina,i diplomuar për kimi në unuversitetin e Tuluzës, themelues i laboratorit të parë kimik, deputet i Parlamentit shqiptar(1923), antifashist i internuar në Ventotene nga italianët; Jonuz Kaceli, tregtar i njohur, nga familja e shquar tiranase Kaceli; Manush Peshkëpia, nga Gjirokastra, intelektual shumëplanësh, poete publicist; Anton Delhysa  nga Prizreni, ndertues i ambasadës amerikane dhe i shkollës teknike të Fullsit etj; Haki Kodra, nga Dibra e Madhe, i diplomuar për ekonomi në Universitetin e Zagrebit; Gafur dhe Myftar Jegeni, oficerë të ushtrisë kombëtare nga Dibra e Madhe, , të diplomuar në akademitë ushtarake të Italisë, luftëtarë  antifashistë,; Zyhdi Herri, nga Tirana, gazetar;  Qemal Kasoruho, nëpunës; Ali Qorraliu, pronar i madh, intelektual me studime të larta juridike në Selanik; Petro Konomi, nga Përmeti, i lauruar në Robetr Kolezh të Stambollit dhe në Akademinë Ushtarake në Itali; Reiz Selfo, nga Gjirokastra, tregtar; Gjon Temali, intelektual nga Shkodra,studiuar në Austri; Pjetër Guraziu, nga Shkodra, i doktoruar për shkencat ekonomike në Itali; Pandeli Nova, intelektual, shtreës e pasur; Thoma Katundi,nga Korça, veprimtar i shqërisë panshqiptare “Vatra” në SHBA; Mehmet Ali Shkupi, shqiptar nga Shkupi, nëpunës; Fadil Dizdari, librar; Hekuran Troka, nga Kuçova, tregtar; Lluka Rashkoviç, bisnezmen nga Mali i Zi.

Së treti, vendimi për të realizuar këtë masakër kolektive, u mor jo në sallën e gjyqit, por në Seline e KQ të PPSH, në mbledhjen e datës 20 të Byrosë Politike të Partisë-shtet, Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet me në krye E.Hoxhën dhe me propozim té ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi, të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit, të pushkatoheshin pa gjyq. « Jemi dakord me këto masa» thanë gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

Së katërti, arrestimet,  që u kryen  më datën 20-23 shkurt 1951, ishin jo vetëm politike, por edhe të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjé urdhër-arresti të prokurorit dhe  pa ndonjë vendim gjykate, vetëm mbi listat e të dyshimtëve apo mbi dëshirën perverse e krerëvë të Partisë.

Bie fjala E.Hoxha shënoi emrat e Sabiha Kasimatit, Manush Peshkëpisë, Reiz Selfos, Qemal Kasaruhos për motive thjesht personale, me të cilët kishte pasur lidhje  të hershme.

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.

Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kyetar Pilo Shanton, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u ….( pika…pika). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.

Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq  përbri çdo personi që do të ekzekutohej.

Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit nga major Edip çuçi, ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje. 

Sigurimi i shtetit ishte vendosur  mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhërat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.

Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kasoruhos dhe Manush Peshképisé u shenjuan nga veté Enver Hoxha, që i njihte dhe e njihnin personalisht dhe lante njëherësh hesapet me ta.

Së pesti, akuza e Prokurorit  ushtarak Siri çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të Pushtetit popullor  dhe kanë hedhur parrulla  pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve  amerikano – anglezë e satelitëve të tyre”.

Është  një akuzë kolektive për terrorizëm, e pa mbështetur në asnjë provë.

Më pas, Siri Çarçani dëshmon: “Unë kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë process verbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo nuk  e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjygj ndaj këtyre të pandehurve.”

Së gjashti, nuk u bë ndaj të arrestuarve as hetuesi, as gjyq, as apelim, pra u shkelën dhe u anashkaluan të gjithë etapat e kodit civil e penal dhe viktimat u pushkatuan fshehtas në mesnatë në breg të lumit të Erzenit, që të zhdukej çdo gjurmë, siç ishte në kodin e sektit partiak dhe të shtetit komunist. Drejtori i Sigurimit té Shtetit, Rasim Dedja, déshmonte: “Pér pushkatimin e kétyre personave, nuk éshté béré gjyq dhe kété e them, sepse nga zyrat e Ministrisé sé brendshme ata jané çuar  direkt né vendin e pushkatimit”

Së shtati, ndaj të arrestuarve, le t’i quajmë « të pandehur », u ushtrua një dhunë dhe terror i paligjshëm, që binte ndesh me dispozitar e kushtetuese të ligjit 372 datë12.12.1956  si edhe me konvetat ndërkombëtare të nënshkruara nga qeveria shqiptare. Le të përmendim vetëm një rast : Jonuz Kacelin e torturuan për vdeje në qelitë e Sigurimit të Shtetit. E vranë gjatë torturave dhe e kufomën e tij e hodhën nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetvrasje!

Së teti, meqenëse pushkatimi pa gjyq bëri bujë, brenda dhe jashtë vendit, nga që lidhej me incidentin në Ambasadën Sovjetike, Gjykata e Lartë, hartoi pas pushkatimit disa procesverbale fiktive, sikur ishte zhvilluar gjyqi, mirëpo këto procesverbale të falsifikuara kishin pasaktësi të dukshme dhe nuk u firmosën nga dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Hydai Beja dhe Nonda Papuli, të cilët refuzuan të nënshkruanin pasi gjyqi nuk ishte zhvilluar. Pra, kemi të bëjmë edhe me një falsifikim të dokumenteve gjyqësore, për një gjyq inekzistent.

Procesverbalet e falsifikuara u firmosën nga  kryetari i Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti dhe  anëtari i gjykatës së Lartë Ushtarake Vangjel Kocani, i cili dëshmon:

“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje  në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike…Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, sigurimi ka arrestuar  dhe një pjesë  nga të arrestuarit , 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal , pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë  dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti, Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj  kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme..Shuaipi  më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar  dhe unë e kam firmosur. Kur ma  dha vendimin për ta firmosur , Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore , nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.

Së nënti, meqenëse kjo ngjarje kriminale dhe absurd bëri  doli zbuluar para opinionit publik të brendshëm e sidomos të jashtëm,, shteti shqiptar, duke nisur nga Ministria e Brendshme dhe deri te presidenti i Republikës, Omer Nishani, hartuan dhe firmosën një dektet, dekreti i zi, të huazuar nga përvoja sovjetike

Ky dekret i datës 26.shkurt 1951, i paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj – që siguronte e përligjte  arrestimet dhe vrasjet e paligjshme, shmangte etapat e proçedurës penale, pérbénte njé mohim té ploté té principeve té drejtésisé, njé shkelje té pérbindshme té té drejtave dhe lirive té njeriut, njé pérdhosje té ligjeve té asaj kohe si edhe kartén e OKB té firmosur nga qeveria shqiptare.

Mbi bazën e këtij dekreti, u hartua edhe një procesverbal tjetër i falsifikuar, që mban  datën 27.2.51, pa numër vendimi e pa numër protokolli, nuk ka as firmat e trupit gjykues në fund të proçesverbalit.

Së dhjeti, u bë  një operacion masiv dhe represiv i Sigurimit të Shtetit për dëbimin dhe internimin e dhunshëm e të paligjshëm të familjeve të tyre në kampe pune dhe përqëndrimi, si në kampin famëkeq tq Tepelenës, etj ku provuan poshtërimin, punët më të rënda sa për të nxjerrë bukën e gojës, siç shkruhet në vendimin e internimit, banimin nëpër baranga dërrase disa familje bashkë në një kthinë, izolimin e plotë, moslejimin e shkollimit, të lëvizjes së lirë dhe dënimet e rënda. Përveç këtyre , viktimave dhe familjeve të tyre, iu sekestruan shtëpitë, pronat, pasuritë e luajtshme, madje edhe librat. Zonja e Tofik Shehut, nga Gjakova,që kishte kryer studimet për skulpturë, dhe ishte shtatzënë, nuk e lejuan të lindte në maternitet, po lindi në shkallët e maternitetit të Vlorës, Hysenin, që e kemi sot këtu, një viktimë e gjallë e  atij sistemi kriminal. Sabiha Kasimatit, përveçse i morën jetën në lulen e rinisë, i sekuestruan edhe librin në dorëshkrim « Peshqit në Shqipëri » dhe e botuan me emrin e një një rusi Anatoli Koljakov dhe të një shqiptari të paemër Ndoc Rakaj… Ndërsa bibliotekat e pasura të të gjithë këtyrëintelektualëve i morën pushtetmbajtësit, duke filluar nga prokurori Siri Çarçani, që mori gjithë bibliotekën e pasur të Manush Peshkëpisë.

Të gjitha këto shkelje juridike dhe ekzekutive, ndonëse konspirative, nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe nuk e mbuluan dot fytyrën kriminale të shtetit komunist

Viktimat e pafajshme, u pushkatuan në mesnatën e 26-27 shkurtit në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe  në fshejhtësi u hodhën  né njé gropë të madhe té pérbashkét 4.30x3x1.50 m, té lidhur me njëri tjetrin me tela me gjemba. Bashkë me 22 të gjallët, ndodhej edhe një i vdekur, Jonuz kaceli, i vrarë në hetuesi. Në mesnatë fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gëdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur.

Një fshatar nga Mëniku,xha Kadriu, rrëfen : « Më vonë, kur ai vend filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që po punonte atje, i ra të fikët, tek pa që traktori po tërhiqte zvarrë një kufomë gruaje, të cilën e mbuloi sërish. Ishte trupi i patretur i Sabiha Kasimatit.

*Mbajtur sot, 26 Shkurt 2016 ne veprimtarine perkujtimore te organizuar nga Presidenti i Republikes, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani

Filed Under: Editorial Tagged With: masakra e 22 intelektualeve, qytetareve te pafajshem, Uran Butka

PDK – ME DY KANDIDATË PËR PRESIDENT, NJËRI – XHORDANO BRUNO I DYTË DHE NJË MESSZH ME ÇIFTELI

February 25, 2016 by dgreca

Nga SINAN KAMBERAJ/New York/
Portalet informative njoftojnë se Partia Demokratike e Kosovës do t’i nominojē dy  kandidatë për President të vendit – një real, pra Hashim Thaçin dhe njē tjetër fiktiv, sa për ta “djegur”, vetëm që të përmbushet një kërkesë formale kushtetuese.
Për kandidatin që do të “digjet”, s’di as vetë pse po ndjej një si dhimbje. Nē fakt, për Kushtetutën ia vlen tē digjet njeriu, por jo për kundërksndidatin, as Partinë, cilado qoftë ajo, madje as për atë që e kontrollon Kushtetuesen. Sepse, kur je mbi Kushtuesen, s’ka pse me të bâ syni vërr!
Kronikat dëshmojnē se edhe mē parë  është bërë kurban nga një kundërkandidat presidencial për një kandidat real, por “të djegurit” kanë qenë oponentë që vinin nga parti të tjera, të ndryshme nga ajo e “djegêsve”.
Suzana Noveberdali është “djegur” për Behgjet Pacollin, Naim Maloku është “djegur” nga Fatmir Sejdiu, Ramë Buja është “djegur” çpufff – nga Ibrahim Rugova.
Këtë herë Xhordano Bruno i Dytë vjen nga e njëjta Parti me Kandidatin Real prandaj “djegia” është e veçantë. Madje-madje është shumë e veçantë sepse, ky burrë që do të “digjet”, oh! vjen nga i njejti rajon, një fshat e kanë në mes me Kandidatin Real.
Akti i ndëshkimit të Xhordano Brunos me djegie, nga ana e Kishës në Mesjetë, ishte i qartë: heretiku Bruno e kishte kundërshtuar botëkuptimin dogmatik të Kishës Romake, ndaj, siç dihet, pas shqiptimit të dënimit nga Inkuizicioni, ai shkoi vetë drejt turrës së druve, pa u trembur, krenar që po i mbronte pikëpamjet e veta shkencore mbi botën ….
Fundi I fundit, ky Bruno i Dytë, që do të digjet vullnetarisht në “turrë të votave”, ndoshta  s’është për ta qarë. Do të dëmshpërblehet për “vetëdjegie” nga Nana Parti. Do ta bëjnë ambasador, ndoshta në Tiranë, ku i çojnë ata që kanë pasë shumë njisha në shkollë të mesme dhe ku dislekti gegë, ku hyn kosovarishtja, llogaritet si njohje e gjuhës së huaj.
Por, pavarësisht nga kjo mynxyrë, “vetëdjegia” po më duket makabre.
Ndoshta ky “therorizim” bëhet për një “Kauzë”, që, përveç kryeparlamentarit Veseli, që nuk “tyrprohet” kurrë, madje as kur i shan para mikrofinit me fjalë të ndyta çikat e gratë deputete, si dhe Grabovcit, zor se i bie kush në fije.
Për Kauzë.
Kauza?! Mua për vetën time,  kjo fjalë, në gojën e pushtetarëve gjysmëanalfabetë, më tingëllon si – Akuza!
Edhe opozita e ka Akuzën e vet. “Kauza” e Opozitës është e paketuar bukur estetikisht. Për Demarkacionin, është bukur e gjatë, me mija kilometera katrorë, sa pronat e feudalëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, që ua kishte dhënë me spin-of AKP e Tanzimatit. Kauza tjetër  është edhe më e kamufluar, edhe kjo është në gjuhës të huaj – asociacion, por meqë shqiptohet zorshëm, duhet t’i thuhet ashtu siç është, sllavisht – Zajednica.
Këto janë Kauzat, jo marrja e pushtetit me dhunë, siç thonë gojëkqinjtë.Këto Kauza tashmë duhet të thuhen, siç u thanë e u bënë më të qarta brëmë, në çadrat e ngritura para Pallatit të Qeverisë, me këngën “Oj Shypni mos thu’j marova!”, me një vijë melodike dramatike, nën tingujt e çiftelisë, instrumentit tonë tradicional me dy tela.
Mungonin vetëm krismat, ruajna Zot, të alltive: bam-bam-bam!
Teksti i kësaj kënge, që sugjeron “vdekje ballë për ballë” (me kë, tash, or jahu?!), në kontekstin e lirisë, i thënçin kështu kësaj derëbardhe, është anakronik.
Bile, ogurzi.
Nuk besoj që ua beson më kush jetën “këngëtarëve” të opozitës që ftojnë miletin fatkeq të shtërngojnë rradhët për “Kauzat” e tyre “shtetndërtuese”. Tashmë është e qartë: Ata as kanë pasur, as kanë Kauza, ashtu siç nuk kanë as sivëllezërit e tyre siamezë,  aktualisht në pozitë. Pseudokumandarët e pangopshëm, në pozitë e në opozitë, qē e kanë kapur dhe e kapin alternativisht e mizorisht shtetin çdo katër vjet, duke ankoruar gra e nipa e mbesa e halla e kunata e teze, nëpër borde e agjenci shtetërore, e kanë degdisur vendin deri në atë derexhe, sa, ka gjasë që, me këto banda në krye, pakkush e do më atë vend. Pushtetarët e sotëm, ashtu si edhe ata që po synojnë të vijnë në pushtet, bile vrap e vrap, para kohe, janë nervozë që nuk po arrijnë t’ia rrjepin edhe atë pak lëkurë që i ka mbetur Kosovës së shkretë, “bukuroshes … qosh e m’qoshe”, siç i thonë ata vajtueshëm.

Si duket, elektorati kosovar, ngaqë nuk u beson më koalicioneve të panatyrshme, si ka mbetur tjetër rrugë, veçse të rirreshtohet. Dhe, si çdo gjë që ka zgjidhje në këtë botë jallane, edhe puna e partive ka zgjidhje. Kur lodhet mileti prej tyre, vjen një ditë kur u thotë – mjaft është mjaft!
Partitë pseudodemokratike nuk kanë dhe nuk duhet të kenë jetë të gjatë. Edhe kjo dihet.
Hëpërhë, ky ngërç i rrezikshëm duhet tè kapërcehet me zgjuarësi, për hir të fëmijëve.
Sa për zgjedhjen e të Premtes, e trashë m’u duk “gjetja artistike” e përzgjedhjes së të Parit që përfaqëson unitetin, me dy kandidatë, nga partia e njëjtë, njëri prej të cilëve, “vetëdigjet”.    Kur të jetë zgjedhur, nëse çdo gjë shkon simbas planit  të Veselit, mbetet vetēm të komentohet verdikti i veçilëve të miletit, në Tupanin Klanor Televiziv, kur kryekomentatori i mirënjohur politik do të vë qershinë mbi tortë:
“Dikush nga jashtë, realisht, mund të thotë së kombinatirika e zgjedhjes së Presidentit nuk kaka më ajo që ishte , por, realisht, mund t’ju them se kaka dhe usht aja që usht dhe atu ku usht”.

Filed Under: Editorial Tagged With: dy kandidatet per persident, mesazh me cifteli, PDK, Sinan Kamberaj, Xhordano bruno

Kosova, dhimbja dhe krenaria jonë

February 17, 2016 by dgreca

Nga Atifete Jahjaga*/

Kjo është dita më e shënuar e historisë së Kosovës, që përmbledh sakrificën, mençurinë e përkushtimin për ta jetësuar idealin e gjeneratave të tëra për një shtet. Kjo është dita e Kosovës – dita kur kremtojmë lirinë, një lindje të re për qytetarët e shtetit të ngritur mbi themelin e barazisë.Kosova është dhimbja dhe krenaria jonë, është amaneti i gjeneratave të tëra që i kujtojmë me respekt e krenari të thellë, sepse kanë sakrifikuar për këtë ditë të sotme, të nisur me dekada të tëra.

Tetë vjet që prej shpalljes së pavarësisë ne përkujtojmë idealet që na bëjnë bashkë, përkushtimin për lirinë dhe për zhvillimin e vendit tonë, për demokracinë që ndërtohet çdo ditë dhe njëkohësisht edhe për paqen.Prandaj, janë parime që na përkufizojnë neve si komb, vlera që krijojmë çdo ditë bazuar në themelet e diversitetit edhe kulturor, fetar dhe etnik dhe aspirata që synojmë t’i realizojmë për të qenë pjesë e pandashme e botës së përparuar.Kosova është një realitet i pakthyeshëm; një paqe e fituar pas një lufte të gjatë e të rëndë; një liri për të cilën është sakrifikuar; një miqësi e përjetshme me SHBA-në që kanë qëndruar kaq pranë nesh në secilin kapitull të shtetndërtimit tonë. Kosova është vlera e shtuar e stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në rajon, një forcë e pazëvendësueshme e fqinjësisë, garantuese e paqes për të gjithë, që hap rrugën e integrimeve.Megjithatë, Kosova sot është një demokraci ende e papërfunduar dhe e sfiduar, në një kohë kur na duhet më shumë forcë për të tejkaluar dallimet dhe më shumë guxim për t’u përballur me dëshpërimin.Shtetndërtimi kërkon vullnet, dashuri dhe fuqi, edhe shpirtërore. Ai kërkon punë më të madhe për të dëshmuar se ligji dhe rendi janë themeli i shtetit tonë, ku secili jemi të barabartë përpara drejtësisë dhe njëkohësisht kërkon më shumë kurajë për ta mbyllur kulturën e mosndëshkikmit për të gjithë ata që janë fajtorë për gjendjen e rëndë në shoqëri, me qëllim të ndërtimit të një të ardhmeje më ndryshe.Sot është ditë feste për të gjithë qytetarët e Kosovës. Festë e shtetit në secilin cep të tij, festë e të gjithëve që e shohin si atdheun dhe tokën e tyre, festë e secilit që jeton brenda kufijve të tij dhe atyre që e ndjejnë si shtet të tyre, kudo qofshin.Sot është festë për ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që keni përmbledhur me sukses prej shumë muajsh punën tuaj në ndërtimin e një force të re mbrojtëse e që po prisni, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e tjerë, ta realizoni ëndrrën tuaj. Forca e Armatosur e Kosovës është e ardhmja e juaj, e ardhmja jonë e përbashkët, e ardhmja e shtetit të Kosovës!Ne kemi dëshmuar se Kosovën mund bëjmë pjesë të pandashme të arkitekturës globale të sigurisë, duke e rreshtuar përkrah botës demokratike, në ruajtje të vlerave themelore të lirisë dhe të demokracisë.Sot është festë për Kosovën, kur secili prej nesh e ndjejmë se e ardhmja duhet të jetë më ndryshe, kur na duhet më shumë punë për të treguar se të tashmen e ndryshojmë vet, por jo me dhunë dhe me forcë. Jo me fuqinë e grushtit që sjell dhimbje dhe rrënim, që sfidon institucionet e shtetit, besimin në të cilat e kemi luhatur. Jo me mohimin e asaj që kemi ndërtuar deri sot, dhe assesi me testimin e partneritetit tonë me faktorin ndërkombëtar.Sot është festë dhe festat zakonisht bëjnë bashkë që të gjithë; në një dialog që zëvendëson moskomunikimin dhe keqkuptimet, që ndryshon botëkuptimin dhe që mban gjallë kulturën e marrëveshjeve.Është koha për të harruar mëritë, për të tejkaluar dallimet dhe tani është koha e ndërtimit që varet nga vetë ne.

 Ne nuk jemi njerëz që i frikësohemi të ardhmes, por e krijojmë atë dhe në këtë tetëvjetor na duhet të bëhemi sërish bashkë, për ta shkruar një kapitull të ri të shtetit: të bazuar mbi dijeni, zhvillim e përparim, me njerëz të aftë për ta bërë Kosovën pjesë të pandashme të botës demokratike.Historinë do ta shkruajmë sërish – të forcuar me pjekurinë e të sotmes dhe të gatshëm për të ardhmen më të mirë. Bashkëqytetarë, urime tetëvjetori i pavarësisë! 

Gëzuar!

*****

President Jahjaga’s speech at the KSF and Kosovo Police Ceremonial March in honour of the eighth anniversary of the Independence of the Republic of Kosovo /

This is the most marked day in the history of Kosovo, which entwines in it the sacrifice, wisdom and determination to enliven the ideal of many generations for a state.

This is the day of Kosovo- day when we celebrate freedom, a rebirth for the citizens of the country erected upon the foundations of equality.

Kosovo is our pain and our pride, is the heritage of many generations which we remember with deep respect and pride, because they have sacrificed for this very day, commencing many decades ago.

Eight years since the declaration of independence remind us of the ideals which bring us together, dedication to freedom and to the development of the country, and for the democracy which is being built every day, and at the same time, for the peace.

For this reason they are principles which define us as a nation, values which we create every day based on principles of cultural, religion and ethnic diversity, which we aim to realize in order to become an inseparable part of the developed world.

 Kosovo is an irreversible reality; a peace won after a long and hard war; a freedom for which sacrifice was made; an eternal friendship with the USA, who stood so close to us in every single chapter of our state building. Kosovo is the added value to the stability and security not only in the region, an irreplaceable force of neighbourliness, and guarantor of peace for all, which opens the way to integrations. 

  However, Kosovo today is an as yet unfinished democracy, challenged too, at a time when we need more strength to overcome the differences and more strength to deal with the disappointment.

State building requires will, love and strength of spirit too. It requires hard work to prove that law and order are the foundations of the state, in which we are all equal before the law, and at the same time requires lots more courage to end the culture of impunity for all those who are guilty for the difficult situation in the society, all for the purpose of building a different future.

 Today is a day of celebration for all the citizens of Kosovo. A holiday in each and every corner of the state, a celebration of all those who see it as their fatherland and their soil, a celebration for everyone who lives within its borders  and of those who feel it as a state of theirs, wherever they might be. Today is a day of celebrations for you as well, members of the Kosovo Security Force, who have successfully concluded your work of many months, in building of a new defence force, which you are so eagerly awaiting to, together with all citizens, to enliven your dream. Kosovo Armed Force is your future, our common future, the future of Kosovo.

 Today is a celebration in Kosovo, in which every one of us senses that the future should be a bit different, where we need more work to show that we can change the present ourselves, but not with violence and force.

 Not with the strength of the fist which brings pain and destruction, which challenges the institutions of the state, faith in which is shaken. Not with the denial of all that which we have built to date, and definitely not with the testing of our partnership with the international factor.

Today is a holiday, and usually we celebrate holidays together, all of us; in a dialogue which replaces non communication and misunderstandings, which change the viewpoints and keep alive the culture of agreements.It is time to forget the spites, to overcome differences and it is time to build, and this all depends upon us.

We are not people who are afraid of the future, we make it, and on this eighth anniversary we need to get together again to write a new chapter of our state; based on knowledge, development and advancement with people capable to make Kosovo an irreplaceable part of the democratic world.

We shall be writing the history again- strengthened by the wisdom of today and ready for a future a bit more different. 

 Dear fellow citizens – have a happy eighth anniversary of the Independence! CONGRATULATIONS.

*Fjalimi i Presidentes kosovare Atifete Jahjaga në ceremoninë e parakalimit të FSK-së dhe Policisë së Kosovës  për nder të tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës

Filed Under: Editorial Tagged With: atifete jahjaga, dhe krenaria jonë, dhimbja, kosova

Pesë vjet luftë

February 17, 2016 by dgreca

Redaksionalja e Faik Konicës në 5-vjetorin e Revistës Albania/

nga Rafael Floqi/*

Transkriptuar në shqipen e sotme, duke ruajtur tingëllimin në toskërisht/

Në revistën “Albania” që u botua nga Faik Konica në vitet 1897-1909 u paraqiten rregullisht artikuj redaksionale polemizues. Në trashëgiminë e Konicës vendin kryesor e zë publicistika. Ai paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Për afro gjysëm shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese etj. të cilat i botoi në organet që drejtonte vetë. Tema qëndrore e publicistikës së Konicës në revistën “Albania” do të jetë ajo atdhetare, problemet e lëvizjes kombëtare, fati i Shqipërisë, rrugët për çlirimin kombëtar etj. Nga ana tjetër, ai do t`i kushtojë vëmendje të posaçme ndriçimit të historisë së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave të tij etno-kulturore, e veçanërisht krijimit të një gjuhe letrare shqipe.Por rasti i Faik Konicës, intelektual i dorës së parë në kohën e Rilindjes, është shembulli më flagrant (përvec ai i Gjergj Fishtës) i censurimit, mohimit, të mos themi asgjësimit kulturor të një prej figurave më të ndritura në historinë e kulturës shqipe.

Ai në Shqipërinë socialiste u trajtua si person jo-ekzistues dhe kryevepra e tij, revista “Albania”, u mohua për 50 vite në radhë. Urrejtja e qarqeve sunduese të Shqipërisë ndaj Faik Konicës mori përmasa paranoide. Kjo urrejtje, ky mohim, me të vërtetë shkaktoi një dëme të madhe; pikëpamjet e intelektualëve shqiptarë rreth zhvillimit të kulturës shqiptare u shtrembëruan, sepse e vërteta, se “Albania” kishte luajtur një rol vendimtar në jetën kulturore shqiptare gjatë fazës së dytë të Rilindjes kombëtare, u la në heshtje, dhe kush guxoi të shkruante pozitivisht për Konicën dhe veprat e tij do të bënte vetëvrasje politike dhe shoqërore!  Por dhe ky pamflet redaksional i botuar me rastin e pesë vjetorit të numrit të parë të “revistës Albania” tw gjithw dashakeqwve e anti shqiptarwve u pwrgjegjet

“Munt të pyesin disa — të gjitha këto i paska bërë « Albania ». Atyreve qi pyesin këtë se kujtojnë që unë dua të lëvdoj veten, u përgjigjem : Direktori i « Albanies » s’ bëri gjë fare ; po të gjitha këto e kanë burimin në mundimet e bashkëpunëtorëve t’ « Albanies». Atyreve qi pyesin me shpirt-ligësî, u thomi: Shqipëtarët e nesërm do të gjykojnë”.

****

Me këtë numër, po mbushen pesë vjet që dolli « Albania ». Pesë vjet mundîme, punë, luftë për bashkëpunëtorët e « Albanisë » ; pesë vjet sëmundje e hidhërim për kurvat  shërbëtore te Turkut a almitsa të Moskovit. Ne na kundërshtuan pa pushim, duke shpresuar sot vdekjen t’onë për nesër, duke rënë nesër në dëshpërim, e ashtu gjer me këtë ditë.

E ç’kundërshtim ? Jo faqeza, jo sheshit, jo me arsye, siç u përket burrave të vërtetë, po prapa kurrizit, n’ errësirë, me gënjeshtra, si kurva që janë e do të mbeten. Sa për ne, ç’ do herë q’ u-rëfye nevoja, ua ngjeshëm fora dackat armiqve t’ane, duke provuar se sa do se mos shpirt-ndyrët janë shpirt-ndyrë e harbutët harbutë. Po më të shumët herë pushuam, se atdhetaret qi ligjërojnë të Përkohshmen presin prej nesh punë më të dobishme se të japim mësime të kotta në zuzarë të paturpshëm.

Punet qi priteshin prej nesh, bashkëpunëtorët e « Albanies • me durim, me fie dashuri të thelle t’atdheut, me në hollim te bukur, i vunë mb’ udhe. Vjershëtorë të vërtetë, shkrimtarë të kulluar, gjykatës të drejtë të punëve të politikës, mbijtën pake nga pakë e u-bashkuan tok. Me sa levdatë, me sa të mburrur, mundim të botojmë më postë një vjershë të Geg Postrippes, aq të hieshëm, aq të zgjedhur në fjalët, aq të mbaruara sa meriton t’u- jipet, për shembull gjithë vjershëtorëve t’ anë.

Geg Postrippa e shume te tjerë qi me fie mënyre a me fie tjatër po zbukurojnë gjuhën shqipe,si do kishin rëfyer fuqin’e mjeshterin’e vetë në mos kishin një të përkohëshme të tyre, — në të cilën drejtori e pati kurdoherë për nder të hiqet mbë ane e t’ u lejë vendin e parë ! Shoqëri të nxehta u-krjuan kudo, nënë kryesin atdhetarësh mendje-lartë, libra popullore mbijtën me të gjitha anët si lule, e duke shtyre njeri tjatërin, u-ndesnë vatëra kombëtare ditë për ditë. Shqiperia e sipërme, qi në kohet e shkuara u-be sa herë vegla e Sulltanëve kundër Shqipërisë së poshtme, zuri të përkujdeset edhe ajo me dashuri të madhe, e, në vaftë përpara pa qendruar, fie anë e Gegerisë do t’ i shkojë gjithë viset e tjera të Shqipërisë për punët kombëtare. Do me thënë munt të pyesin disa — të gjitha këto i paska bërë « Albania ». Atyreve qi pyesin këtë se kujtojnë që unë dua të lëvdoj veten, u përgjigjem : Direktori i « Albanies » s’ bëri gjë fare ; po të gjitha këto e kanë burimin në mundimet e bashkëpunëtorëve t’ « Albanies». Atyreve qi pyesin me shpirt-ligësî, u thomi: Shqipëtarët e nesërm do të gjykoinë. Atyreve qi pyesin dhelpërisht e kurvërisht, u pshtyjmë këto fjalë : Mjaft me gënjeshtra, harbutë të poshtër ! S’ kini ju turi të gjykoni punë të tilla, po hiqni e -bëni zaptien siç ‘ e kini pasur ghithmotin « zananë ».

E na rroftë Shqipëria e vertetë !

Fk K-tza

*Botohet me rastin e Vitit Të Faik Konicës(2016),  shpallë nga Federata VATRA

Filed Under: Editorial, Vatra Tagged With: Faik Konitza, Pesë vjet luftë, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT