Nga Arshi PIPA/
Arsyeja është ndërgjegja e fuqizuar në maksimum te vetëndërgjegja.
Unë jo vetëm që ndiej, por e di që ndiej, e di që jam unë që ndiej. Por, jo gjithçka që është e ndërgjegjshme, është edhe e vetëndërgjegjshme. Një bimë e ndien ngacmimin e jashtëm dhe kundërvepron në mënyrën e saj, por kufizohet me aq: nuk arrin të ndiejë edhe si një qendër referimi.
Kafshët më të përparuara vetëm sa e prekin rrëshqitazi vetëndërgjegjen në shkrepëtimat kalimtare të inteligjencës së tyre. Ndërgjegja e tyre, zakonisht, nuk i çon përtej gjendjes që i bën të ndihen organ i species së cilës i përkasin; por ndërgjegja e species është e pamjatueshme për të formuar vetëndergjegjen, e cila është ndërgjegje individuale.
Ndërgjegja lulëzon nga lart në shpirt; nga poshtë, ajo e thellon rrënjët e veta në jetën pa ndërgjegje, në nënvetëdijen dhe në pavetëdijen. Këto dy koncepte të fundit nuk kanë të njëjtën vlerë. Është pavetëdija e gurit që bie, dhe është pavetëdija e njeriut të cilit i bie të fikët. Është pavetëdija e të vdekurit dhe pavetëdija e kafshës në letargji. Ndryshimi bie në sy. Pavetëdija është absolute në njërin rast, por relative në tjetrin, ose, siç thotë Bergson-i, i cili e ka analizuar me shumë mprehtësi çështjen, është nul në rastin e parë, por vetëm e anuluar në rastin e dytë. Ndërgjegja e ndrydhur, sidoqoftë, ruhet, por në një gjendje latente; prandaj duhej të quhej nënvetëdije. Është e pamundur që ndërgjegjja të ruhet e plotë, e pranishme tek individi; nevoja e veprimit bën që ajo të dendësohet në një zonë më të ndriçuar, si te një lloj vatre e zonës së ndërgjegjshme, duke lënë pjesën që mbetet si në një gjysmë errësirë. Por errësira ndeshet vetëm, aty ku mbaron gjysmë-hija, që është kufiri i materies bruto, dhe as aty madje medoemos.
Pavetëdija, doemos, i përket vetëm kësaj të fundit; gjithçka që jeton, kur njeriu pushon së qeni i ndërgjegjshëm, gjendet e zhytur në oqeanin e nënvetëdijes.
Po të jetë e vërtetë se, çdo gjë që kalon, gjithashtu ruhet, njeriu, prodhimi i fundit i evolucionit, duhet ta ketë ruajtur në nënvetëdijen e tij gjithë përvojën e jetës që ka rrjedhur deri tek ai. Gjurmë të pashlyeshme instinkti shtazor dhe mpirje vegjetative gjenden të ngulitura në ndonjë pjesë të trupit të tij. Dhe manifestohen me intervale, rastësisht, gjatë atyre gjendjeve psikike që rrjedhin drejtpërdrejt nga nënvetëdija, siç janë ëndrrat apo gjendjet patologjike. Janë mesazhe të një bote të huaj që dikur ka qenë jona, mesazhe të çuditshme, që na habisin duke mos qenë aktualë dhe të përshtatshëm, por që hedhin dritë në thellësinë e errët ku kanë rrënjët, tendencat dhe afektet themelore.
Po të mendohet tashti se mosha e arsyes është vetëm disa mijëravjeçare, në krahasim me miliona vjet që kur njeriu u shfaq në tokë, nuk është për t’u habitur që arsyeja jonë të influencojë kaq pak te njerëzimi, i sunduar nga vala e pasioneve atavike.
Arsyeja është vetëm lëvozhga, po çfarë thellësie fshihet nën të! Si një bimë ujore, vetëm maja e së cilës lulëzon në sipërfaqe, por që kërcelli i saj laget në thellësi poshtë, gjithnjë e më poshtë, deri te trualli ku shpërndan rrënjët e veta, kështu është edhe për jetën tonë psikike. Mbretëria e nënvetëdijes është e stërmadhe në krahasim me shtresën e ndërgjegjshme dhe e kushtëzon këtë.
***
Nënvetëdija mund të konceptohet sipas një shkalle të dobësimit gradual të lajmërimit shqisor, nga kufijtë e ndërgjegjes te kufiri i pavetëdijes. Nga lart, ajo kufizohet me atë që është forma më e ulët e ndijimit, ndijimi i të prekurit. Një përvojë të kësaj e gjejmë në kontaktin seksual. Këtu, trupi është në kontakt të menjëhershëm me trupin, me trupin si tërësi; është vetëm një përqëndrim i pjesshëm i ndijimit në një pjesë të posaçame të tij, kurse pjesa tjetër është e shpërndarë në të gjithë lëkurën.
Këtu, trupi nuk sheh, nuk dëgjon, vetëm prek. Është jeta e verbër, e shurdhër, memece, që përpiqet të riprodhohet, jeta shtazore më e ulët, karakteristikë e materies organike në fazat e para të evolucionit të vet, që është në kufi me nënvetëdijen e jetës vegjetative. Kalimi, në fakt, nga kjo lloj ndërgjegjeje te mungesa e saj – gjë që ndodh ndonjëherë në kontaktin seksual- është shumë i lehtë.
Mbretëria e nënvetëdijes është karakteristikë e bimës. Instinkti e di atë që bën, madje e di shumë mirë; si mund të vepronte ndryshe ai me kaq përsosmëri?! Po vetë bima, çfarë di? Diçka do të dijë dhe ajo, sigurisht: të ndjekë drejtimin e dritës për hapur gjethet, ashtu si dhe të fusë rrënjët e veta në tokë për të nxjerrë ushqimin. Kështu, ajo e krijon jetën nga lënda organike. Dhe në kohën kur e krijon, duhet të ndiejë edhe ajo diçka, por është një ndjesi e përhapur në të gjithë trupin e saj dhe pa asnjë organ të veçantë ku të përmblidhet dhe të përqendrohet. Bima jeton si në një gjumë të vazhdueshëm, gjatë të cilit nëpërduket ndonjëherë një ëndërr që e shkund nga plogështia. Rrezen e parë të dritës, që vë në lëvizje aktivitetet e saj të fotosintezës, ajo sigurisht që duhet a ndiejë; dhe, a nuk është ndoshta një mënyrë e të ndjerit ajo fëshfërimë e lehtë e gjetheve të saj në përgjigje të puhisë? Edhe ajo i njeh, gjithashtu, në mënyrën e saj, pasionet: kur furtuna përplaset mbi të, ajo i lëviz gjymtyrët e saj. Dhe një ndjenjë jete të brendshme ajo duhet ta ketë, bashkë me reagimin ndaj së jashtmes. Pranvera e zgjon nga gjumi: bulëzimi dhe lulëzimi i degëzave të saj është si një himn gëzimi për jetën. Dikush do të mundë, një artist sigurisht, duke ia vënë veshin rilindjes së saj, të kompozojë një melodi duke dëgjuar tingujt e lehtë që lëshon lëkura e saj kur kriset për të mugulluar. Dhe era delikate, dhe aroma që lëshojnë lulet e frytet e pjekura, a nuk janë, ndoshta, një mënyrë për t’u folur ndijimeve të kafshës dhe të njeriut? Këtë dëshiron bima: përndryshe, përse aq shumë “corrispondenza d’amorosi sensi” (përputhje ndjenjash dashurie, Foscolo)?
Në ëndrrën e vet bima dëshiron zgjimin e ndërgjegjes, ashtu siç dëshiron kafsha inteligjencën, ashtu siç e dëshiron njeriu Zotin. Duke ngulur rrënjët e saj në lëndën bruto, duke ia hapur organet e veta perceptuese ajrit, bima, ky mekanizëm elastik i krijimit jetësor, ia transmeton jetën e vet kafshës dhe njeriut, duke sjellë me vete thelbin e lëndës dhe sekretin e vet të pavetëdijes, që vetëm ajo mund ta ketë në mënyrë të përshtatshme. Kështu, nëpërmjet eksperiencës së bimës, që njeriu e bën të vetën, këtij i jepet mundësia për të prekur kufirin e nënvetëdijes dhe për ta tejkaluar atë.
POLITIKANËT E KOSOVËS MË DETYRUAN TA BRAKTIS SËRISH ATDHEUN,PAÇIN FAQEN E ZEZË!
Në vend të reagimit/
Distancohem nga çdo punë në institucionet publike, që lidhen, me PDK-LDK/
Nga Jeton Kelmendi, Prishtinë/
Ndonëse kishte 8 vite që isha larguar nga Kosova edhe pse e kisha njohur natyrën e funksionimit të jetës institucionale ne vendin tim, këto vite më mashtruan. Mendova se gjërat kanë ndryshuar dhe vërtet kishin ndryshuar, por jo për të mirë, por në atdheun tim çdogjë është degraduar deri në shkallën më ekstreme. Me propozimin e disa miqve të mij, provova të bëhem anëtar i Bordit të Mediumit Publik RTK.Pa modesti, mendova se mund të shërbej per evndin tim nga ai pozicion.Që në fillim një nga anëtaret e komisionit parlamentar më tha se koti po konkurron, sepse këto punë i ka në dorë partia, në fakt dy partitë më të mëdha LDK-PDK. E merrja me mend edhe ketë, por jo edhe centralizimin e krejtë pushteteve që lidhen me tre emra: Hashim, Kadri dhe Isa. Nejse, për mos t’u marrë më shumë me ketë punë, po dal tek ngjarja që më ndodhi.Erdhi dita, kur 55 kandidatët që kishim konkuruar për anëtarë të Bordit të RTK-së,të dalim para komisionit parlamentar për t’u intervistuar.Isha diku pas te 20-tit dhe sapo hyra në sallën S-2, ku,ky grup i quajtur Ad-hok intervistonte, më morën në pyetje për afër një minutë e gjysëm. Realisht nuk di çka më pyetën, sepse doren në zemër,ky komision nuk kishte nivel as për së afërmi që të dijë gjë nga shkenca e medies, për të mosthënë se shumica nga ata nuk dinë as të shkruajnë dhe as të flasin mirë gjuhën e tyre. Nejse edhe kjo nuk është punë e imja sepse ata dhe ato i ka sjellur aty “populli”, por ajo që më bëri përshtypje ishte mungesa e disave nga anëtaret, nga njëra anë, ndërsa në anën tjetër disa flisnin me telefona, e disa bënin shaka. Sido që të jetë ky grup bëri punën e vet, në fakt bëri punën e shefave të tyre: përzgjodhën 8 anëtarët që shkojnë në Kuvend për t’u votuar. Nga 55 konkurrentet, sigurisht që kishte kandidat me gradashkencore, me përvoja ndërkombëtare, kishte autoritete të njohura ndërkombëtarisht në fusha të artite tje, por në mesine atyre 8 të përzgjedhurve nuk hynri asnjëri.Nga të përgjedhurit e këtij grupi parlamentarë, ka pensioniste, njerëz pa profesion, por sigurisht militante të partishëm.Fundja kjo është e drejta e komisionit të përzgjedhin këtë duan ata, nuk ka rëndësi pse nuk janë profesionist, me rëndësi është se ata janë përsona të besuar te shefave që po e sundojnë ketëpopull.Ajo që dua të them është se Kosovës nuk i duhet më të hap konkurse për asnjë vend pune në institucionet publike, sepse kot i mundon njerëzit të konkurojnë, të shpenzojnë, kur nuk janë të preferuarit e shefave. Ndoshta konkurset hapen sa për meditje të komisioneve parlamentare, ndërsa kush punësohet dihet mirë që në fillim, paar konkursit,ashtusiç u ditën këta 8 persona, që para intervistimeve, sepse këta ishin më të “mençur”, pra ishin përsonat e partishëm. Unë mund të jem ekspert i cilësdo parti, por jo nuk mund të jem i partishëm dhe delitant, prandaj mua nuk më bëjnë punë as të qenit veteran i luftës, as përgatitja shkollore me dy master dhe para përfundimit të doktoratës, as të qenit shkrimtar i përkthyer në dhjetra gjuhë dhe lauerat i shumë çmimeve ndërkombëtare, prandaj përjashtoj vetën nga çdokonkurim në institucionet publike të vendit, derisa atdheun time ta sundojë kjo kastë politike. Vendimi hyn në fuqi që nga sot. Gjithashtu ju kërkoj falje disa anëtarëve të komisionit që u detyruan të më gënjejnë (nuk i detyrova unë, por vetëvetën e detyruan para meje) se do më vlerësojnë me maksimum pikësh, gjithnjë duke u bazuar në bagazhin timprofesional dhe shkencor, e artistik,ndërsa urdhërat nga Lartë-Partia ju kishte ardhur:që duhen vlerësuar të preferuarit e shefave, prandaj prej sot distancohem nga çdopunë apo bashkëpunim me partizanët e partive që po sundojnë popullin tim.Në pamundësi për t’i shërbyer vendit tim, më ka mbetur vetëm një shpresë: ta lus Perëndinë ta shpëtojë atdheun tim, sepse keq i kapunët kypopull nga kjo kastë politike, ndëresa unë i faleminderohem Zotit që nuk varem nga ata dhe serish detyrohem ta lë Kosovën time, dhe të ktheme në atdheun e huaj (Belgjikë), atje ku mënyra se si trajtohem më dhemb, jo përfaktin se trajtohem keq, por se ashtu do të doja të trajtohësha në vendintim.Ndërsa këtyre politikanëve u mbetet faqja e tyre e zezë!
Prishtinë/ me 21 korrik 2015
NYJEN GORDIANE NUK MUND TA ZGJIDHIN DEPUTETET E KUVENDIT TE SHQIPERISE! SHKAKTARET KANE UZURPUAR DREJTESINE, GJYKATATA, PROKURORIN…
PYETJE:Ku ndodhen shkaktarët e këtyre masakrave të përbindëshme në ditët tona?/
PERGJIGJE: Mos u çudisni por, jo pak prej tyre, dhe midis tyre, edhe gjykatësi, që dënoi tre të rinjtë e sipërpërmendur, i gjen në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, gjykatat e apelit, gjykatat e shkallës së parë, Prokurorinë e Përgjithëshme dhe prokuroritë e rretheve, madje edhe deri në Ministrinë e Drejtësisë dhe funksione të tjera të larta të vendit./
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë-Dega Tiranë/
Nr. 5 Prot.Tiranë, më 20.07. 2015/
Lënda: Mbi reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin/
Drejtuar:Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi/
Komisionit Parlamentar për dekriminalizimin/
Për dijeni:Zotit Donald Lu Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
Zonjës Romana Vlahutin Ambasadore e Bashkimit Europian/
Tiranë/
Nje zhurmë e madhe po bëhet këto ditë në vendin tonë mbi këto dy çështje që kanë zaptuar opinionin e gjerë publik të vendit tonë. Madje janë krijuar edhe komisione parlamentare që, prej muajsh, po punojnë për zgjidhjen e saj. Në këto çaste na lind një pyetje:
-A janë, me të vërtetë këta deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që mund ta zgjidhin këtë nyje gordiane? Kush janë ata?
Na duket e pamundur përgjigjja e kësaj pyetjeje. Përse, do të thoni ju. Për t’iu përgjigjur kësaj duhet të kthehemi shumë prapa, në ato kohët e errëta të asaj periudhe mizore që kishte gllabëruar vendin tonë, viktimat e së cilës jemi edhe ne. Ata që i kanë kaluar të pesëdhjetat, e njohin fare mirë atë periudhë. Njohin diktaturën e proletariatit në përgjithësi, por njohin gjithashtu edhe ato që quheshin levat e tij, levat e diktaturës dhe pikërisht për këto leva do të flasim.
Kush ishin ato?Ishin organet e Sigurimit të Shtetit dhe ato të drejtësisë. Një mori individësh si, për shembull, hetuesat dhe operativët e Sigurimit, gjykatësit dhe prokurorët, bashkëpuntorët e ndryshëm të këtyre organeve dhe të tjerë të këtij kallëpi ishin zotërit e vërtetë të këtij vendi në atë kohë. Ishin pikërisht hetuesat dhe operativët që kurdisnin lloj-lloj intrigash të paskrupullta që i çonin njerëzit e pafajshëm para hienave të tjera, prokurorve dhe gjykatësve, të cilët pa hezituar i syrgjynosnin nëpër burgjet e tmerrshme, madje nje pjese jo të vogël të tyre, ua prisnin fare fillin e jetës. Ishin bashkëpuntorët e sigurimit ata që shërbenin si manekinë të ndyrë në duart e mjeshtërve të errësirës.
Na lejoni t’ju sjellim një shembull fare të vogël nga proceset gjyqësore falso të asaj periudhe, proces i zhvilluar në fundin e vitit 1989 kur komunizmi kishte marrë rrokullimën në të gjithë vendet e lindjes. Mendoni si kanë qenë këto procese në periudhat e mëparshme kur dikatura ishte në kulmin e saj. Bëhet fjalë për Vendimin Nr. 261, datë 16.11.1989 të Gjykatës Rrethit Durrës. Po e japim të plotë këtë vendim:
Gjykata e rrethit Durrës më 15-16.11.1989, shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale nr.253 që i përket:
Të pandehurve:
1.Adnan Balla, i biri i Tasimit dhe Dritës, datëlindja 1963, lindur e banues në Durrës, pa parti,i pa dënuar,i pa dekoruar, me arsim të mesëm profesional, beqar, me punë në Portin Detar “Enver Hoxha”, i arrestuar (ndaluar) më 25.7.1989
2. Kastriot Mara, i biri Halitit dhe Lumes, datëlindja 1960, lindur e banues në Durrës, pa parti,i padënuar,i padekoruar, me arsim të mesëm profesional,me punë në NI Goma, i arrestuar më 27/7/1989, mbrojtur nga këshilltarja ligjore Vasilika Sotiri.
3. Agron Fico, i biri Avdullajt dhe Meremes, datëlindja 1961, lindur e banues në Durrës, me origjinë e gjendje punëtor,i pa dënuar, pa parti, i pa dekoruar, me arsim të mesëm profesional, i martuar me një fëmijë, me punë në NIQ Durrës, arrestuar më 16.8.1989, mbrojtur nga këshilltari ligjor Rustem Syziu.
Të akuzuar:
* I pandehuri Adnan për moskallzimin e krimit të tradhëtisë ndaj atdheut, neni 11/2 K.Penal.
* Të pandehurit Kastriot dhe Agron për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut kryer në
bashkëpunim neni 47/gj – 31/b K.Penal
Gjykata pasi shqyrtoi materialet e denoncuara nga hetuesia, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit dhe prokurorin që kërkoi:
* Të deklarohet fajtor i pandehuri Adnan Balla për veprën penale të moskallëzimit të një krimi kundër shtetit dhe sipas nenit 112/2 K.Penal të dënohet me një vit heqje lirie
* Të deklarohet fajtor i pandehuri Kastriot Mara për nenin 47/gj, 31/b K.Penal, dhe të dënohet me gjashtë vjet heqje lirie.
* Të deklarohet fajtor i pandehuri Agron Fico për veprën penale të tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes dhe sipas nenit 47/gj, 31/b K.Penal, të dënohet me shtatë vjet heqje lirie.
VENDOSI
Të deklarojë fajtor dhe të dënojë për veprën penale të tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes kryer në bashkëpunim:
* Të pandehurin Agron Fico, sipas nenit 47/gj, 31/b, 32 të Kodit penal me 5 (pesë) vjet heqje lirie duke filluar vuajtja e dënimit nga data e arrestimit 16.8.1989.
* Të pandehurin Kastriot Mara sipas nenit 47/gj, 31/b, 32 të Kodit penal me 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj heqje lirie, duke filluar vuajtja e dënimit nga data e arrestimit 27.7.1989.
* Të pandehurin Adnan Balla për veprën penale të moskallëzimit të një krimi kundër shtetit dhe në bazë të nenit 112/2 të K.penal e dënon atë me një vit heqje lirie duke filluar vuajtja e dënimit nga data e arrestimit 25.7.1989.
Por ky proces nuk ishte i vetmi. Një numër i madh prej tyre zhvillohej në atë kohë në vendin tonë. Midis tyre ka patur edhe nga ato procese që përfundonin me likujdimin fizik të viktimës, siç ndodhi me rastin e poetit martir Havzi Nela në gushtin e vitit 1988 që e çoi atë në Litar. Por ne nuk do të zgjatemi më me to por duam të përqëndrohemi në ditët tona, ku realiteti është krejt ndryshe nga i së kaluarës.
Ku ndodhen shkaktarët e këtyre masakrave të përbindëshme në ditët tona. Mos u çudisni por, jo pak prej tyre dhe midis tyre edhe gjykatësi që dënoi tre të rinjtë e sipërpërmendur, i gjen në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, gjykatat e apelit, gjykatat e shkallës së parë, Prokurorinë e Përgjithëshme dhe prokuroritë e rretheve, madje edhe deri në Ministrinë e Drejtësisë dhe funksione të tjera të larta të vendit.
Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e sistemit diktatorial dhe politika shqiptare vazhdon të mbështetet ende në elementet më famëkeq të asaj periudhe. Përse? A nuk ka kuadro të reja, qofshin ata socialistë apo demokratë që mund t’i zëvendësojnë? A mos vallë janë të paktë të rinjtë tanë që kanë mbaruar shkollat më të mira të botës perëndimore duke fituar madje edhe tituj shkencorë? Nuk janë të pakta rastet kur universitete të njohura të botes perëndimore u ofrojnë bursa falas studentëve shqiptarë të shkëlqyer. Bota perëndimore po thith trurin shqiptar. Po politika shqiptare kur do të kujtohet të thithë rininë shqiptare?
Mendojmë se përgjegjësia më e madhe në këtë drejtim u përket pothuajse të gjithë udhëheqësve të forcave kryesore politike që aktualisht janë relativisht të rinj por që ruajnë ende mentalitetin komunist dhe që vazhdojnë ta mbajnë peng vendin me politkanë të ardhur nga bota totalitare. Të tillë politikanë kanë depërtuar në të gjitha sferat e politikës shqiptare dhe madje edhe në komisionet e ngritura për reformën e drejtësisë dhe në atë të dekriminalizimit, ndaj e bëmë pyetjen në fillim të kësaj shkrese Çfarë reforme mund të bëjnë tipa të tillë? Kë do të gjykojnë? Kë do të dekriminalizojnë? Mos vallë veten e tyre? Pasi janë ata që, në rradhë të parë, duhej të dilnin në bangën e drejtësisë.
Ndaj iu bëjmë thirrje atyre që kanë marrë përsipër reformimin e drejtësisë dhe dekriminalizimin e shoqërisë shqiptare, të shkëputen nga mentaliteti i vjetëruar komunist që vazhdon ende dhe të përqafojnë frymën e re demokratike të perëndimit, të gjejnë forca për të hedhur në koshin e plehrave të gjitha mbeturinat e atij sistemi të përmendura më sipër. Një gjë e tillë mund të bëhet vetëm me ligj. Kjo nuk është një shkelje e të drejtave të njeriut. Është vendosja e një drejtësie bashkëkohore. Ata individë nuk po i burgos apo eliminon njeri, siç kanë vepruar ata me viktimat e tyre. Sistemi i sotëm i lejon të merren me çfarë ta shohin të përshtatshme. Le të ushtrojnë profesionet e tyre ose çdo lloj aktiviteti që mendojnë, por kurrë nuk duhet të jenë në organet drejtuese të shtetit shqiptar.
Le të pastrohet administrata shtetërore nga hienat e së kaluarës! Kjo është “A”-ja e një demokracie të vërtetë.
Për Kryesinë e Degës Tiranë
Sekretari Kryetari
Sejdi Peka Reshat Kripa
ISHA NË BURG DHE ERDHËT TE UNË
Nga Gjergj Meta/
Nuk ma mori mendja në fakt se një postim i imi në facebook rreth ngjarjes së trishtuar dhe mjaft të ndërlikuar të vrasjes së turisëtve çekë në Prekal të Shkodrës, të kishte një impakt në shtypin elektronik dhe në rrjetet sociale.Nuk po i hyj detajeve të ngjarjes e cila duket, deri tani të paktën, para syve të të gjithëve shumë e qartë, së paku ashtu si na e kanë përcjellë mediat. Pozicionimi im për këtë ngjarje para se të kapej autori i prezumuar i krimit, ishte ai i të gjithëve duke thënë se kjo ngjarje është e shëmtuar dhe e turpshme, sidomos për faktin që viktimat ishin të huaj. Një istikt mikpritjeje, që vjen nga traditat ku jam rritur, më shtynte për ta dënuar ashpër veprimin. Premja e mikut në besë është një gjë e rëndë në mendësinë e një populli i cili ka jetuar brenda një sistemi juridik autonom për shumë shekuj, jo larg së drejtës mesjetare europiane. E po ashtu ky delictum, pra premja në besë e mikut, kishte edhe dënime të rënda në sistemin kanunor. Ishte katundi ai i cili merrte hak për premjen e mikut në besë. E gjithë kjo ADN dokësore nuk ka se si të mos ndikojë në reagimet e çdonjërit prej nesh kur ndodhin situata të tilla.
Në atë kohë, sikurse edhe sot, roli i Kishës ka qenë ai i një realiteti që shkon përtej. Ajo me anë të meshtarëve që punonin në zonat veriore, e gjendur përballë një rrënjosjeje të thellë të sistemit dokësor nuk mund të bënte më shumë se sa të zbuste sa të ishte e mundur efektet. Prandaj edhe misionarët e parë të pajtmit janë priftërinjtë, fretërit françeskanë e jezuitë të cilët në net festash të mëdhaja, sikurse festa e shën N’kollit, e Zojës apo e shna Ndout të dimrit e të verës, të Shmasjanit e të shën Gjonit të Shalës, e në raste të tjera përfitonin për të shpallur të themi një amnisti, një thirrje për t’u falur gjaqet. Kjo ndodhte nga vetëdija që Kisha kishte se hakmarrja, vrasja, nuk janë aspak në nder të njeriut dhe të dinjitetit të tij, të vokacionit të tij fillestar si rojtar i jetës dhe jo vrasës i saj.
Në sistemin modern gjërat kanë ndryshuar, por jo thelbi i tyre. Kapja e djaloshit dukagjinas, ishte një lloj lehtësimi për të gjithë ne. Kjo për shumë arësye. E para, sepse ishte një çështje drejtësie për turistët çekë e së dyti, sepse një person i tillë është i rrezikshëm për shoqërinë. Deri këtu është një çështje drejtësie dhe kjo është ajo çka duhet të bëjnë organet e drejtësisë nga policia, te prokuroria, gjykatat dhe avokatia: të zbatojnë drejtësinë brenda kontureve të legjislacionit shqiptar.
Por ka diçka më shumë që qoftë policia, qoftë gjykatat, qoftë prokuroria apo qoftë opinion publik nuk mund të shkelin: dinjiteti njerëzor i Sokolit dhe kjo ka të bëjë me një drejtësi të epërme. Një opinion publik gati-gati në limitet e një histerie kolektive, fatkeqësisht i ushqyer edhe nga ndonjë lider politik që kërkonte sindormën e monstrës, u kthye në një valë pothuajse të papërmbajtshme gjykuese e dënuese: “Oburra në kërkim të monstrës; Ta vrasim monstrën!” Ky është një turp i dytë pas atij të Sokolit.
Këtu gjykimi ndalet, nuk është më çështje e gjykatave e as e shtetit. Njëherë që ai njeri është në burg dhe ka marrë dënimin për veprat e veta hyn në lojë një ligj tjetër që përmbush të parin dhe i jep kuptim atij. Askush nuk mund ta zhveshë apo ta grabisë Sokolin nga dinjiteti i tij, sepse bën njëkrim njësoj si ai i Sokolit. Askush nuk mund ta prekë Kainin (Zan 4,15). Të ndash veprimin nga personi është edhe kjo një çështje drejtësie. Askush prej nesh nuk është veprimi apo veprimet e tija. Unë nuk jam ajo çka bëj.
Për një të krishterë këtu luhet shpëtimi i shpirtit të tij. Jo pa qëllim vendosa si titull të shkrimit tim një fjali nga Ungjilli i Mateut (Mt 25,36) ku përshkruhet gjykimi i fundit. Krishti, që për të krishterët është Zot, në citimin e mësipërm identifikon veten e tij me një të burgosur. Çdo herë që shkojmë e shohim një të burgosur, kemi shkuar të takojmë vetë Krishtin.
Mëshira është një atribut hyjnor e neve na kërkohet t’i përshtatemi dhe jo ta paragjykojmë apo aq më keq ta mohojmë mëshirën e Zotit dhe mundësinë e kthimit të mëkatarit. Kjo do të thotë në planin praktik se Kisha ka për detyrë t’u shërbejë edhe atyre që janë të burgosur, t’u lajë këmbët atyre, pavarësisht nga ajo çka kanë bërë dhe të mos ua mbyllë dyert e faljes dhe të mëshirës. Por nuk është vetëm Kisha. Shoqëria nuk mund të heqë dorë nga “monstrat”, madje duhet të jetë e kudjesshme të mos i krijojë ata. A e kemi pyetur ndonjëherë veten pse Europa dhe Amerika insistojnë në kushtet e mira të burgjeve? Sepse në bazë është motivi i të drejtave të njeriut. Një dënim të parë nuk mund ta rëndosh me një të dytë. Unë mundohem të kuptoj ata që e kanë të vështirë të hyjnë në këtë mendësi, por duhet një përpjekje sado e vogël që njeriu të mendojë thjesht si për veten e tij. A nuk do të donim që çdonjërit prej nesh kur gabojmë shumë apo pak t’i jepej një mundësi e dytë, e tretë e kështu me rradhë, me shpresën se një ditë do t’ia dalim. A thua e kthejmë në jetë çiftin çek nëse Sokolit i marrim jetën apo e trajtojmë atë si “monster”, pra përbindësh? Çfarë kemi zgjidhur? Nëse këtë mundësi e duam për veten tonë, për të afërmit tanë, pse nuk e kërkojmë edhe për tjetrin?
Unë kam shkuar në burgje shpesh në këto vite si prift. Kam bërë biseda me të burgosur, kam folur, kam thënë meshën në burg, kemi lexuar fjalën e Zotit aty brenda. Aty ka edhe psikologë, por ka edhe policë. Aty brenda ka njerëz e shoqëria jonë, ne që jemi të lire, nuk mund të themi: ata janë monstra! Një ditë mund t’i qëllojë secilit prej nesh.
Me këtë nuk dua që Bibla të zëvendësojë ligjet e shtetit. Ky do të ishte atentat ndaj laicitetit të shtetit dhe të sistemit gjyqësor që aq shumë e kemi për zemër në Europë. Ata duhet të funksionojnë në mënyrë autonome, por secila ka vendin e vet në këtë shoqëri e secili ka “priftërinjtë” e vet!
PRESIDENTI NISHANI, MESAZH PER ZGJEDHJET
Nishani apel shqiptarëve: Mos e shisni votën; vota është pushteti juaj/
TIRANË, 19 qershor- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dy ditë para datës së zgjedhjeve vendore, i është drejtuar me një mesazh qytetarëve shqiptarë, ku apelon që më 21 qershor ata të ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë të pavarur dhe të lirë. “Mos e tjetërsoni votën tuaj, mos e shisni votën tuaj! Vota është pushteti juaj sovran është dinjiteti juaj”, është thirrja e Kreut të Shtetit, në prag të ditës së votimeve.
“Thirrja ime për ju, të nderuar qytetarë të vendit tim, është të merrni pjesë në mënyrë masive në votime, të ushtroni lirisht dhe vendosmërisht të drejtën tuaj sovrane të zgjedhjes, të vendosni me votë të lirë mbi alternativën më të mirë për bashkinë tuaj për të orientuar politikë-bërjen drejt shqetësimeve tuaja, për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën tuaj. Ky është misioni, kjo është detyra e çdo qytetari të përgjegjshëm. Vota e lirë i jep jetë gjykimit publik të pushtetit, i jep jetë llogaridhënies së drejtuesve të zgjedhur para qytetarëve. Indiferenca, mospjesëmarrja, e ca më keq shitblerja e votës, investojnë papërgjegjshmërinë e pushtetit”, citohet mesazhi i Kreut të Shtetit.
Proceset zgjedhore në Shqipëri, thekson Presidenti, nga viti 1992 e këndej kanë qenë promotor i zhvillimeve demokratike në vend, ndërsa vota e lirë ka qenë dhe mbetet lokomotiva e këtyre zhvillimeve. “Zgjedhjet e lira, pavarësisht problemeve të shumta, kanë konsoliduar e lartësuar standardin e llogaridhënies nga ana e të zgjedhurve, kanë rritur vetëdijen e qytetarëve për vlerën dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të votës. Në thelb, megjithë zig-zaget e njohura, kjo është një histori suksesi, që duhet ta çojmë përpara me vendosmëri në zgjedhjet e së dielës e në vijimësi, duke synuar standardet zgjedhore më të përparuara evropiane”, thekson Nishani.
Ai në mesazh i bën gjithashtu thirrje udhëheqësve politikë që të përcjellin mesazhet e tyre pozitive ndaj votuesve në epilogun e kësaj fushate, duke i ftuar ata të shprehen qetësisht për alternativat më të mira të propozuara nga kandidatët, në përputhje me garancitë kushtetuese të ballafaqimit të drejtë dhe të barabartë.
“Në këtë kontekst, shprehet Presidenti, të gjitha palët kanë përgjegjësinë e një reflektimi pozitiv. Qeveria ka një përgjegjësi të shtuar në këtë rast edhe për rolin që ajo ka në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Shpreh besimin tim se Kryeministri do të përcjellë mesazhin e tij mbi garantimin e lirisë së zgjedhjes së qytetarëve, mbi paanshmërinë e Policisë së Shtetit dhe Administratës Publike, mbi garantimin e lirive dhe të drejtave të sanksionuara në Kushtetutë, si dhe mbi detyrimin e tij për të garantuar bashkëpunimin dhe pa ndikuar të qeverisë qendrore me të gjithë kandidatët fitues”.
Nishani në mesazh nënvizon rëndësinë që testi zgjedhor i 21 qershorit, thuajse një vit nga marrja e Statusit të Vendit Kandidat, duhet të shërbejë si investimi kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
Duke marrë shkas nga denoncimet e ofruara edhe nga deputetë të Kuvendit, Presidenti në mesazh i drejtohet ‘me besim të plotë’ drejtuesve të administratës zgjedhore, të organeve të pavarura dhe të Policisë së Shtetit, që të jenë të angazhuar në punën e tyre të përditshme në përputhje me ligjet e vendit, në funksion të mbarëvajtjes së procesit.
“Çdo veprim në kundërshtim me ligjet e vendit dhe parimet demokratike është në dëm të procesit zgjedhor në tërësi, aq të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë ndaj institucioneve dhe çeljen e ardhshme të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, nënvizon Kreu i Shtetit.
Me këtë rast, ai i shpreh partnerëve ndërkombëtarë mirënjohjen e thellë për angazhimin dhe kontributin e tyre të vyer në procesin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.
“Falenderoj veçanërisht SHBA-në dhe ambasadorin e këtij vendi të madh mik, Donald Lu, qëndrimet e të cilit po orientojnë jo vetëm politikën shqiptare, por edhe votuesit të shkëputen nga dukuria e shitblerjes së votës dhe nga kandidatë apo përfaqësues me të shkuar kriminale, të padenjë për të përfaqësuar interesat e qytetarëve”, shprehet Nishani.
- « Previous Page
- 1
- …
- 21
- 22
- 23
- 24
- 25
- …
- 59
- Next Page »