• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një vulë, një zarf, një epokë…

February 21, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Në filateli shpesh thuhet se një pullë apo një vulë nuk është thjesht mjet postar, por dokument historik në miniaturë. Një zarf i vulosur në Bonn më 14 qershor 2001, me mbishkrimin “Deutsche Soldaten sichern den Frieden im Kosovo”, përbën një dëshmi të tillë: një objekt i vogël që përmbledh një kapitull të rëndësishëm të historisë së Kosovës në fundin e shekullit XX.

Kosova, me shumicë shqiptare, gëzonte autonomi të gjerë brenda Jugosllavisë sipas Kushtetutës së vitit 1974. Në vitin 1989, regjimi i Slobodan Milošević-it e suprimoi këtë autonomi dhe vendosi kontroll të drejtpërdrejtë serb. Pasuan masa represive, largime masive nga puna, mbyllje institucionesh arsimore e kulturore, kufizime politike dhe prani e shtuar policore e ushtarake.

Gjatë viteve ’90, shqiptarët e Kosovës organizuan rezistencë paqësore përmes institucioneve paralele dhe kërkesave për pavarësi. Mungesa e një zgjidhjeje politike dhe përshkallëzimi i dhunës çuan në shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e shndërruar krizën në konflikt të armatosur në vitet 1998–1999. Operacionet ushtarake serbe në vitin 1998 dhe raportimet për masakra e dëbime masive krijuan një krizë të rëndë humanitare, e cila arriti kulmin në pranverën e vitit 1999 me shpërnguljen e qindra mijëra civilëve.

Pas dështimit të bisedimeve të Rambujesë, NATO ndërhyri ushtarakisht më 24 mars 1999 me një fushatë ajrore kundër objektivave serbe. Më 10 qershor 1999 u arrit marrëveshja që parashikonte tërheqjen e forcave serbe dhe vendosjen e një pranie ndërkombëtare paqeruajtëse, KFOR, nën mandatin e OKB-së. Më 12 qershor 1999 trupat ndërkombëtare hynë në Kosovë, duke hapur një fazë të re politike që do të përmbyllej me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

Në këtë kontekst historik merr kuptim zarfi i datës 14 qershor 2001, i përdorur në Bonn të Gjermanisë. Ai shënon dyvjetorin e pranisë së forcave ndërkombëtare në Kosovë dhe pasqyron rolin e Bundeswehr-it brenda KFOR-it. Vula përkujtimore me figurën e pëllumbit të paqes mbi hartën e Kosovës dhe tekstin “Ushtarët gjermanë sigurojnë paqen në Kosovë” përcjell mesazhin e stabilitetit dhe të misionit paqeruajtës.

Sipas përcaktimeve të federatave filatelike, si Fédération Internationale de Philatélie (FIP) dhe Federation of European Philatelic Associations (FEPA), produktet postare kanë vlerë historike sepse janë burime autentike, të prodhuara nga institucione shtetërore dhe të lidhura drejtpërdrejt me ngjarjet e kohës së tyre. Ato pasqyrojnë diskursin zyrtar dhe mënyrën se si shtetet zgjedhin të përfaqësojnë ngjarje politike, ushtarake apo kulturore.

Nga pikëpamja vizuale dhe filatelike, zarfi paraqet disa shtresa kuptimore. Në qendër qëndron harta e Kosovës me qytetet kryesore: Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, si dhe lidhjet rajonale me Tetovën dhe Shkupin. Vendosja e flamujve të shteteve pjesëmarrëse simbolizon karakterin shumëkombësh të KFOR-it dhe ndarjen e sektorëve të përgjegjësisë. Emblema e misionit dhe shënimi “2 Jahre deutsche Soldaten im Kosovo” e vendosin qartë dokumentin në kontekstin përkujtimor të angazhimit gjerman.

Ne foto, ne pjesen e prapme te zarfit shfaqet nenshkrimi zyrtar i shoqeruar me stemen federale gjermane,dhe nenshkruar nga Walter KolboW, Sekretar Shteti Parlamentar ne Bundestag,ne vitet 1998-2005, (ne Ministrine Federale te Mbrojtjes).

Vula speciale e UNMIK-ut, me mbishkrimin “Administration Mission Prizren 1, UNMIK,  KFOR , 2 Years  In Kosovo (14.06.2001)” dhe me simbolin e pëllumbit të paqes brenda konturit të hartës së Kosovës, sintetizon dimensionin civil dhe ushtarak të administrimit ndërkombëtar. Përdorimi i tre gjuhëve “Peace – Paqe – Mir”, pasqyron realitetin shumëgjuhësh të territorit nën administrim ndërkombëtar.

Në këndin e sipërm djathtas ndodhet pulla gjermane, e shoqëruar me vulën përkujtimore të datës 14.6.2001, e cila i jep zarfit vlefshmëri postare dhe e lidh me sistemin zyrtar të komunikimit shtetëror. Kështu, objekti bëhet njëkohësisht dokument postar dhe dëshmi historike.

Në përmbledhje, ky zarf përfaqëson një ndërthurje të ikonografisë politike (harta dhe flamujt), simbolikës paqeruajtëse (pëllumbi), dimensionit ushtarak (KFOR) dhe administrimit civil ndërkombëtar. Ai materializon në një sipërfaqe të vogël letre procesin e kalimit nga konflikti në stabilizim. Prandaj, si dokument filatelik, ai nuk është vetëm objekt koleksionimi, por një burim i drejtpërdrejtë për të kuptuar mënyrën se si një epokë historike është përfaqësuar, përkujtuar dhe institucionalizuar përmes sistemit postar.

Filed Under: Ekonomi

Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë

February 20, 2026 by s p

Debati mbi Qeverisjen e Trashëgimisë dhe Përgjegjësinë Sovrane.

Nga Cafo Boga, MDY – 18 Shkurt 2026

Po ndiqja deputeten Ina Zhupa duke folur në Kuvendin e Shqipërisë në replikë me deputetin Kurti, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë dhe rolin e ndërmarrjeve apo fondacioneve private në administrimin e pasurive kombëtare. Në një vend me institucione që funksionojnë normalisht, një debat i tillë mbi “pro” dhe “kundër” nuk do të ishte i nevojshëm, sepse çështja do të ishte juridikisht e qartë. Por, duket se në Shqipëri nuk është kështu.

Si ish-anëtar i bordit të organizatës që është protagoniste në këtë diskutim dhe si dikush i përkushtuar ndaj mbrojtjes së interesit më të mirë të kombit shqiptar, e ndjeva të domosdoshme të shkruaj edhe një herë mbi këtë çështje.

Transferimi i autoritetit afatgjatë mbi Butrintin tek një fondacion privat i themeluar nga Albanian American Development Foundation nuk është thjesht një zgjedhje politike. Është një çështje kushtetuese – dhe si e tillë, duhej të ishte zgjidhur përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese.

Butrinti nuk është një sit i zakonshëm kulturor. Ai është një pasuri e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s me vlerë universale të jashtëzakonshme. Si i tillë, mbrojtja e tij rregullohet nga detyrime ndërkombëtare detyruese sipas Konventës së vitit 1972 për Trashëgiminë Botërore, të administruar nga UNESCO. Sipas kësaj Konvente, shteti palë mban përgjegjësi përfundimtare dhe të patransferueshme për identifikimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe transmetimin e trashëgimisë tek brezat e ardhshëm.

Kjo përgjegjësi nuk është gjuhë dekorative. Është detyrim ligjor.

Për të mundësuar këtë model qeverisjeje, Shqipëria ndryshoi legjislacionin e saj për trashëgiminë kulturore, duke krijuar një strukturë që i jep një fondacioni privat autoritet të gjerë dhe afatgjatë operativ. Pyetja qendrore juridike nuk është më nëse lejohet pjesëmarrja private. Pyetja është nëse shteti, duke ndryshuar ligjin e vet, ka kaluar nga delegimi në zhveshje efektive të autoritetit.

E drejta ndërkombëtare lejon delegimin e shërbimeve. Nuk lejon abdikimin e përgjegjësisë sovrane. Nuk ekziston asnjë shtet i njohur në botë që të ketë transferuar formalisht dhe plotësisht kontrollin sovran mbi një territor apo sit të Trashëgimisë Botërore tek një ent privat, në një mënyrë që anashkalon përgjegjësinë e shtetit sipas kuadrit të UNESCO-s.

Sipas doktrinës kushtetuese, trashëgimia kulturore kombëtare mbahet në besim nga shteti në emër të qytetarëve. Ajo nuk është një aset që mund t’i nënshtrohet privatizimit funksional. Kuvendi mund të miratojë mekanizma administrimi, por nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësia kushtetuese.

Edhe më shqetësues është fakti që amendamenti ligjor që mundësoi këtë model qeverisjeje nuk është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Duke qenë se trashëgimia kulturore është e mbrojtur me Kushtetutë dhe mbahet në besim nga shteti, çdo ligj që ndryshon në mënyrë thelbësore autoritetin kujdestar mbi një sit të UNESCO-s kërkon një shqyrtim të rreptë kushtetues. Mungesa e një ndërhyrjeje të tillë ngre shqetësime legjitime nëse amendamenti është shqyrtuar me rigorozitetin që kërkon një çështje kaq themelore. Kur kontrolli kushtetues duket i përmbajtur në çështje që prekin sovranitetin kombëtar, lindin pyetje të pashmangshme mbi pavarësinë institucionale.

Parimi në lojë është hierarkia.

Një fondacion – pavarësisht kredencialeve – nuk është organ sovran. Nuk është i zgjedhur nga qytetarët. Nuk është i mandatuar nga Kushtetuta. Nuk i nënshtrohet të njëjtave kërkesa transparence të së drejtës publike që i imponohen institucioneve shtetërore. Nëse kontrolli operativ afatgjatë mbi një sit të Trashëgimisë Botërore i besohet një entiteti të tillë, edhe nën mbikëqyrje formale, balanca e autoritetit zhvendoset në praktikë.

Kjo zhvendosje krijon dobësi reale juridike.

Së pari, çështja e supremacisë: Në rast konflikti mes vendimeve të fondacionit dhe autoriteteve rregullatore shtetërore, ku qëndron pushteti përfundimtar në praktikë?

Së dyti, çështja e mbikëqyrjes: A janë mekanizmat e kontrollit parlamentar dhe gjyqësor realë dhe të vazhdueshëm, apo thjesht formalë?

Së treti, çështja e kohëzgjatjes: Një delegim afatgjatë, i strukturuar për të garantuar autonomi, rrezikon të krijojë një gjendje faktike të përhershme që tejkalon vullnetin politik që e autorizoi.

Së katërti, çështja e precedentit: Nëse Butrinti mund të vihet nën autoritet privat të zgjeruar përmes ndryshimeve ligjore, çfarë pengese ligjore ekziston për pasuri të tjera kombëtare?

Këto nuk janë kundërshtime politike. Janë shqetësime kushtetuese.

Sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore, përgjegjësia para-UNESCO-s mbetet tek shteti. Nëse standardet e ruajtjes dështojnë apo qeverisja rezulton problematike, është Shqipëria – jo fondacioni – që do të përballet me pasojat ndërkombëtare. Kjo e bën thelbësore që dallimi mes administrimit operativ dhe kontrollit sovran të mbetet i qartë dhe i pakompromis.

Efikasiteti nuk është standard kushtetues. Ligjshmëria është.

Ekziston një ndryshim thelbësor mes punësimit të ekspertizës dhe ristrukturimit të sovranitetit.

Trashëgimia kulturore nuk është projekt zhvillimi. Nuk është biznes. Është një besim kushtetues. Çdo strukturë që në dukje nënshtron autoritetin shtetëror ndaj qeverisjes private rrezikon të minojë këtë besim.

Butrinti i paraprin Republikës së Shqipërisë. Ai i përket kombit – jo një ministrie, jo një qeverie të radhës, dhe sigurisht jo një fondacioni privat. Qeveritë janë të përkohshme. Fondacionet janë të përkohshme. Trashëgimia është e përhershme.

Standardi juridik duhet të mbetet i thjeshtë dhe i pakompromis:

Shteti mund të delegojë detyra.
Nuk mund të delegojë sovranitetin.

Nëse kjo vijë turbullohet, nuk kemi thjesht një eksperiment qeverisjeje.
Kemi një rrezik kushtetues.

Dhe rreziqet kushtetuese, sapo normalizohen, rrallë mbeten të izoluara.

Filed Under: Ekonomi

PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI

February 20, 2026 by s p

Hisen Berisha/

(Bordi i Paqes, moment i ri në arkitekturën e sigurisë globale, riafirmon doktrinën e “paqes përmes forcës” si bosht të rendit ndërkombëtar. Shqipëria dhe Kosova, ndër nënshkrueset e aktit themeltar, rreshtohen qartë në arkitekturën perëndimore të sigurisë.)

Në këtë kontekst, inaugurimi i Bordit të Paqes nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nuk është një akt ceremonial. Është një mesazh doktrinar. Është rikthim te filozofia klasike amerikane e sigurisë, se paqja garantohet nga forca, nga aleancat e besueshme dhe nga zhvillimi ekonomik si themel stabiliteti afatgjatë. Kjo është një qasje realiste, jo retorike.

Si ushtarak që kam parë nga afër se si ndërtohet dhe si rrënohet paqja, e di mirë se stabiliteti global nuk prodhohet me deklarata, por me mekanizma funksionalë, me kapacitete ushtarake të gatshme dhe me shtete që marrin përgjegjësi konkrete në terren.

Në këtë frymë duhet lexuar edhe fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai nuk foli thjesht si përfaqësues i një shteti, por artikuloi një shqetësim strategjik, duke vu theksin në raportin mes drejtësisë ndërkombëtare dhe stabilitetit politik në Ballkan.

Kërkesa e tij drejtuar Presidentit Trump lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, prek një nyje delikate të sigurisë rajonale.

Gjykimi i ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ish Kryeparlamentarin Kadri Veseli, e të tjerët, nuk është vetëm proces penal, është faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në ekuilibrat politikë dhe psikologjikë të një shoqërie që ka dalë nga lufta.

Arrestimi i Thaçit në prag të procesit nënshkrimit të Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020 në Uashington, nuk ishte thjesht zhvillim procedural. Ai ndikoi drejtpërdrejt në një momentum diplomatik që kishte mbështetjen e administratës Trump dhe që synonte stabilizimin ekonomik e politik të rajonit. Në doktrinën e “paqes përmes forcës”, koha dhe konteksti janë elementë strategjikë, jo detaje teknike.

Në këtë pikë qëndron edhe kërkesa e qartë politike, që çështja e Dhomave të Specializuara, ku po gjykohet Presidenti Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, të trajtohet me vëmendje strategjike nga administrata amerikane, në mënyrë që drejtësia të mos perceptohet si faktor destabilizues, por si instrument që forcon rendin dhe stabilitetin rajonal.

Si njohës i proceseve të sigurisë, unë besoj se drejtësia duhet të jetë e pavarur. Por po aq e vërtetë është se drejtësia ndërkombëtare operon brenda një mjedisi politik dhe gjeostrategjik. Nëse perceptohet si selektive apo e shkëputur nga realiteti historik i luftës për liri të UÇK në Kosovë, ajo rrezikon të prodhojë pasiguri, jo stabilitet.

Pikërisht këtu lidhet dimensioni i dytë thelbësor, në këto zhvillime që është edhe përfshirja e Kosovës dhe e Forcave të Armatosura të Kosovës në operacione ndërkombëtare për mbështetje të paqes.

Një shtet që kontribuon në misione ndërkombëtare, përfshirë angazhimet e mbështetura nga SHBA-të në zona të ndjeshme si Gaza/Izrael, nuk është konsumator sigurie, por prodhues stabiliteti.

Për një shtet të ri, ky është akt afirmimi strategjik. Është deklarim/deshmie se Kosova është pjesë e arkitekturës perëndimore të sigurisë dhe se është e gatshme të mbajë barrë, jo vetëm të kërkojë mbështetje.

Në analizat e mia të vazhdueshme kam theksuar se siguria globale sot ndërtohet mbi tri shtylla: forcë e besueshme ushtarake, kohezion politik dhe zhvillim ekonomik si garanci stabiliteti social.

Nëse Bordi i Paqes synon të jetë mekanizëm real çfarë e shoh në kontekst të sigurisë dhe paqes globale, dhe jo simbolik, ai duhet të forcojë pikërisht këto tri dimensione.

Apeli i Kryeministrit Rama ndaj Presidentit Trump duhet parë në këtë prizëm, si kërkesë që stabiliteti i rajonit të mos dëmtohet nga procese që perceptohen si të shkëputura nga realiteti strategjik.

Paqja nuk është vetëm mungesë lufte, ajo është ndërtim i balancave të drejta.

Në fund, si ushtarak dhe misionar në politikë, mbetem i bindur për një të vërtetë themelore, se thelbi doktrinar qëndron në faktin se, paqja e qëndrueshme kërkon drejtësi që forcon rendin, jo që prodhon vakuum politik; kërkon forcë që mbron aleatët, jo hezitim që krijon pasiguri; kërkon ekonomi që zhvillon rajone, jo stagnim që ushqen tensione.

Pra, nëse “paqja përmes forcës” do të jetë boshti i rendit të ri global, atëherë ajo duhet të ndërtohet mbi koherencën mes sigurisë, drejtësisë dhe zhvillimit. Nëse këto elemente ecin paralelisht, atëherë arkitektura e re e sigurisë globale ka shans të jetë e qëndrueshme si instrument strategjik i stabilitetit.

Filed Under: Ekonomi

Presidenti Trump uron Presidenten Osmani: Mbështesim fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

February 16, 2026 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në letrën e tij drejtuar Presidentes, Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Presidenti Trump ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e SHBA-ve për zgjerimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me synim avancimin e prosperitetit të përbashkët, si dhe ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për avancimin e paqes dhe stabilitetit në dobi të ndërsjellë.

Presidenti Trump ka shprehur gjithashtu falënderimin ndaj Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.

Në fund të mesazhit, Presidenti Trump shpreh besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Urimi i plotë ⬇️

Filed Under: Ekonomi

Fundi i marrëveshjes START. Si Trump do ta ndalë apokalipsin!?

February 7, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Bota po hyn në një fazë të rrezikshme të historisë së saj moderne, ku armët bërthamore po rikthehen nga tabu strategjike në instrumente presioni politik. Skadimi i marrëveshjes New START, që për dekada kufizoi arsenalet e SHBA dhe Rusisë, shënon jo vetëm fundin e një traktati, por kolapsin e një mendësie: idesë se vetëpërmbajtja bërthamore është interes i përbashkët i njerëzimit. Në mesnatën e së enjtes, një marrëveshje 15-vjeçare e quajtur New START skadoi dhe bashkë me të u hoqën kufijtë mbi numrin e armëve që të dyja palët mund të dislokonin në raketa, bombardues dhe nëndetëse.

Për herë të parë që nga vitet më të errëta të Luftës së Ftohtë, dy fuqitë më të mëdha bërthamore nuk kanë më asnjë kufizim ligjor mbi numrin e armëve strategjike. Siç paralajmëroi Christine Wormuth nga Nuclear Threat Initiative:

“Nuk ka më barriera kufizuese për madhësinë e arsenaleve bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë. Kjo nuk ka ndodhur prej dekadash.” Kjo situatë nuk është aksident historik. Ajo është produkt i vendimeve politike, i arrogancës strategjike dhe i refuzimit për të pranuar se bota e sotme nuk mund të menaxhohet me instrumentet e djeshme – por as pa asnjë instrument fare”.

Presidenti Trump shkroi të enjten në rrjetet sociale: “Në vend që të zgjasim ‘NEW START’-in (një marrëveshje e keq-negociuar nga Shtetet e Bashkuara që, përveç gjithçkaje tjetër, po shkelet rëndë), ne duhet t’u kërkojmë ekspertëve tanë bërthamorë të punojnë për një traktat të ri, të përmirësuar dhe të modernizuar, që të zgjasë për një kohë të gjatë në të ardhmen.”

Shtëpia e Bardhë i kishte thënë më herët NPR-së se Trump dëshironte të “përfshinte Kinën në bisedimet për kontrollin e armëve”.

Ndërkohë duke folur më herët këtë javë për mbarimin e afërt të marrëveshjes, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëroi se bota do të ishte “më e rrezikshme” pa kufizime mbi arsenalet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë.

Çfarë bënte marrëveshja New START

New START u negociua me Rusinë gjatë presidencës së Barack Obama-s. Në atë kohë, marrëveshja ishte thjesht kapitulli më i fundit i një përpjekjeje 50-vjeçare për të ulur numrin e armëve bërthamore që secila palë kishte të drejtuara nga tjetra. (“New START” është shkurtimi për New Strategic Arms Reduction Treaty – Marrëveshja e Re për Reduktimin e Armëve Strategjike. Ajo zëvendësoi marrëveshjen e mëparshme START I, të nënshkruar në vitin 1991 nga Presidenti George H. W. Bush dhe Mikhail Gorbachev.)

Në kulmin e Luftës së Ftohtë, këto shifra besohet se ishin rreth 12 mijë, tha Rose Gottemoeller, profesoreshë në Universitetin Stanford dhe drejtuese e negociatave për New START.

“Marrëveshja New START i uli [SHBA-në dhe Rusinë] në 1.550 koka bërthamore të dislokuara.”

Çfarë humbi njerëzimi me fundin e START-it

Marrëveshjet START nuk e bënë botën të sigurt, por e bënë më pak të çmendur. Ato krijuan një sistem inspektimesh, njoftimesh dhe verifikimesh që ulën rrezikun e gabimeve. Siç e përshkroi një ish-zyrtar i Komandës Strategjike të SHBA-së:

“Kontrolli i armëve nuk i eliminon armët bërthamore; ai eliminon surprizat.”

Mbi 25 mijë njoftime për lëvizje raketash, bombarduesish dhe nëndetësesh u shkëmbyen gjatë jetës së New START-it. Inspektorët amerikanë dhe rusë shkonin në bazat e njëri-tjetrit. Kjo transparencë nuk ishte shenjë miqësie, por frike të ndërsjellë – frikë e arsyeshme.

Sot, kjo frikë është zëvendësuar nga supozimi. Dhe në strategjinë bërthamore, supozimi gjithmonë prodhon skenarin më të keq.

Ukraina: dhe normalizimi i kërcënimit bërthamor

Lufta në Ukrainë ka qenë laboratori i ri i kësaj logjike të rrezikshme. Rusia nuk ka përdorur armë bërthamore, por i ka futur ato në diskursin e përditshëm politik dhe ushtarak. Paralajmërime, zhvendosje doktrinash, retorikë e qëllimshme për përshkallëzim nga Putini. të gjitha kanë shërbyer për një qëllim të vetëm: ta bëjnë armën bërthamore sërish mjet presioni.

Një analist ushtarak rus e formuloi hapur këtë realitet: “Nuk mund të kërkosh transparencë strategjike nga një shtet që e shpall armik ekzistencial.”

Por precedenti është më i rrezikshëm se vetë konflikti. Mesazhi që del nga Ukraina qw i dorëzoi armët e saj bërthamore, është i qartë për pjesën tjetër të botës: nëse ke armë bërthamore, bota sillet me kujdes; nëse nuk ke, je i zëvendësueshëm.

Tajvani: konflikti që mund të thyejë tabunë globale

Nëse Ukraina është prova e sotme, Tajvani është prova e nesërme. Një konflikt mes SHBA-së dhe Kina mbi Tajvanin do të ishte përplasja e drejtpërdrejtë e dy superfuqive bërthamore në një teatër pa asnjë mekanizëm kontrolli armësh.

Paqësori nuk ka START, nuk ka inspektime, nuk ka linja besimi të krahasueshme me ato të Luftës së Ftohtë. Çdo incident detar apo ajror mund të përshkallëzohet shpejt. Dhe ndryshe nga Evropa, distanca gjeografike nuk ofron kohë reflektimi – armët hipersonike e shkurtojnë vendimmarrjen në minuta.

Lindja e Mesme dhe paradoksi izraelit

Lindja e Mesme është një vatër e përhershme krize, por sot ajo është më e rrezikshme se kurrë. Izraeli, i cili zotëron armë bërthamore në mënyrë jozyrtare, operon si fuqi bërthamore rajonale pa asnjë regjim kontrolli. Kjo krijon një ekuilibër frike, por edhe një asimetri të thellë.

Çdo konflikt me Hezbollah-un, çdo përplasje me Iranin, zhvillohet nën hijen e një kapaciteti bërthamor që askush nuk e pranon zyrtarisht, por të gjithë e marrin parasysh. Ky është një destabilitet i heshtur, por real.

Irani: mësimi i gabuar që po mësohet

Çështja e Iran është nyja ku bashkohen hipokrizia globale dhe frika strategjike. Superfuqitë i kërkojnë Iranit të mos zhvillojë armë bërthamore, ndërkohë që vetë modernizojnë arsenalet e tyre dhe heqin dorë nga traktatet.

Irani ka nxjerrë mësimin e gabuar, por logjik: vendet pa armë bërthamore janë të ekspozuara; vendet me armë bërthamore mbijetojnë. Ukraina e vërteton këtë; Koreja e Veriut po ashtu.

Nëse Irani arrin armën bërthamore, gara rajonale do të jetë e pashmangshme. Arabia Saudite, Turqia, ndoshta edhe Egjipti do të ndjekin të njëjtën rrugë. Lindja e Mesme do të bëhet një mozaik fuqish bërthamore në konflikt të përhershëm. Ndaj është i nevojshëm kufizimi i tyre me çdo kusht.

India dhe Pakistani: bërthamorja me rrezik maksimal

Nëse SHBA-ja, Rusia dhe Kina e trajtojnë armën bërthamore si instrument prestigji global, India dhe Pakistan e përfaqësojnë versionin më të rrezikshëm të saj: armën bërthamore si zgjatim të konfliktit historik dhe identitar.

Të dy vendet kanë zhvilluar arsenale bërthamore jo për dominim global, por për të frenuar njëra-tjetrën në një rivalitet të përhershëm, të mbushur me luftëra, kriza kufitare dhe nacionalizëm agresiv. Problemi është se ky ekuilibër frike është jashtë çdo arkitekture ndërkombëtare kontrolli: nuk ka traktate kufizuese, nuk ka mekanizma verifikimi dhe nuk ka komunikim të strukturuar krize të krahasueshëm me atë të Luftës së Ftohtë. Çdo incident në Kashmir, çdo sulm terrorist, çdo përplasje ushtarake mund të përshkallëzohet shpejt në një konflikt ku vendimmarrja bërthamore ndodh nën presion ekstrem kohor dhe politik.

Në këtë kuptim, India dhe Pakistani tregojnë se rreziku bërthamor nuk vjen vetëm nga superfuqitë, por edhe nga fuqitë rajonale të bllokuara në histori, emocione dhe mungesë mekanizmash frenues. Ato janë paralajmërimi më i qartë se pa kontroll armësh dhe pa diplomaci krize, bërthamoret nuk kanë nevojë për superfuqi për të kërcënuar njerëzimin

Trump: diagnozë e saktë, ekzekutim i vështirë

Në këtë panoramë të errët, qasja e Donald Trump ndaj kontrollit bërthamor shpesh është keqkuptuar ose karikaturizuar. Trump e quajti New START një marrëveshje “të keq-negociuar” dhe refuzoi ta zgjaste pa përfshirjen e Kinës. Kritikët e panë këtë si sabotim. Por nga këndvështrimi strategjik, diagnoza e tij nuk ishte e gabuar.

Po — citimi më i fundit i Donald Trump lidhur me idenë e një marrëveshjeje të re bërthamore është dokumentuar gjatë komentit të tij ndaj skadimit të New START, ku ai tha se: “If it expires, it expires. We’ll just do a better agreement.” “Nëse skadon, skadon. Ne thjesht do të bëjmë një marrëveshje më të mirë.”

Kjo deklaratë, e bërë në një intervistë për The New York Times, pasqyron qasjen e tij ndaj skadimit të New START — që ai të mos kërkojë thjesht zgjatjen e një traktati të vjetër, por të synojë një tratativë të re, më “moderne” dhe gjithëpërfshirëse, që mund të përfshijë edhe aktorë të tjerë si Kina. Një version i ngjashëm i kësaj linje është ripërsëritur edhe në komentet e tij më të fundit, bazuar në raportimet e medias amerikane se ai ka kërkuar që ekspertët bërthamorë të punojnë mbi një “traktat të ri, të përmirësuar dhe të modernizuar” në vend të zgjatjes së traktatit ekzistues.

Trump kishte të drejtë në një pikë thelbësore: nuk mund të ketë kontroll bërthamor të qëndrueshëm në shekullin XXI pa Kinën. Një sistem që kufizon SHBA-në dhe Rusinë, ndërsa i lejon Kinës të zgjerohet pa kufi, është i destinuar të dështojë.

Një strateg amerikan e formuloi qartë: “Kontrolli i armëve që injoron Kinën është kontroll armësh me afat skadence.”

Trump gjithashtu ekspozoi një hipokrizi të vjetër: traktatet shpesh shërbenin për të ngrirë avantazhet ekzistuese, jo për të krijuar siguri reale. Nga kjo pikëpamje, refuzimi i tij për të vazhduar një marrëveshje të vjetëruar pa rinegocim ishte akt realizmi, jo nihilizmi.

Problemi nuk ishte që Trump kërkoi përfshirjen e Kinës, por që bota nuk ishte gati për modelin e ri që kjo kërkon. Kina nuk pranon të hyjë në një marrëveshje që do ta “institucionalizonte inferioritetin”, siç deklaruan vetë ekspertët e saj. Rusia nuk kishte interes ta shtynte Pekinin. Dhe kështu, sistemi u shemb.

Teknologjia: katalizator i apokalipsit të gabuar

Në epokën bërthamore të shekullit XXI, rreziku nuk buron vetëm nga arsenalet, por nga shpejtësia dhe automatizimi me të cilat ato mund të përdoren. Armët hipersonike kanë shkurtruar kohën e paralajmërimit nga dhjetëra minuta në pak minuta, duke e zhvendosur vendimmarrjen bërthamore nga analiza strategjike te reagimi instinktiv. Inteligjenca artificiale po integrohet gjithnjë e më shumë në sistemet e paralajmërimit të hershëm, duke rritur efikasitetin, por edhe rrezikun e alarmit të rremë—një rrezik që historia e Luftës së Ftohtë e ka provuar tashmë si potencialisht fatal. Militarizimi i hapësirës, ndërhyrjet kibernetike në sistemet e komandimit dhe iluzioni i “luftës së saktë” po krijojnë një realitet ku udhëheqësit mund të tundohen të besojnë se përshkallëzimi është i menaxhueshëm. Ironia tragjike është kjo: sa më “të zgjuara” bëhen armët, aq më e vogël bëhet hapësira për gjykim njerëzor, për dyshim dhe për ndalim. Në këtë kontekst, apokalipsi nuk vjen nga çmenduria, por nga gabimi teknik ,nga një algoritëm i keqinterpretuar, nga një sinjal i rremë—një fund i botës jo i qëllimshëm, por i “llogaritur

Përfundim: një botë me shumë vatra, pa asnjë frenë

Nga Ukraina te Tajvani, nga Gaza te Irani, bota po hyn në një epokë ku konfliktet rajonale ndërthuren me logjikën bërthamore globale. Fundi i START-it nuk është shkaku i kësaj gjendjeje, por simboli i saj më i qartë.

Trump kishte të drejtë të thoshte se sistemi ishte i vjetëruar. Por bota nuk arriti të ndërtojë një sistem të ri. Dhe sot, njerëzimi ndodhet mes dy gabimeve: traktateve të pamjaftueshme të së kaluarës dhe mungesës totale të rregullave në të tashmen.

“Në epokën bërthamore, strategjia, paralajmëronte, Henry Kissinger, nuk ka më të bëjë me fitimin e luftërave, por me parandalimin e tyre. Paradoksi është se armët që garantojnë mbijetesën, njëkohësisht e kërcënojnë atë.”

Nëse superfuqitë vazhdojnë të mendojnë në terma prestigji dhe frike, jo mbijetese kolektive, atëherë armët bërthamore nuk do të mbeten përgjithmonë teori strategjike. Historia nuk do t’i gjykojë për mungesë fuqie, por për mungesë urtësie.

Ndërkohë, SHBA-ja është e shqetësuar për rivalët e saj bërthamorë, veçanërisht për Kinën. Duke folur të mërkurën, Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se qeveria nuk do të konsideronte bisedime për kontrollin e armëve nëse Kina nuk merr pjesë.

“Presidenti ka qenë i qartë në të kaluarën se për të pasur kontroll të vërtetë të armëve në shekullin XXI, është e pamundur të bësh diçka pa Kinën,” tha ai.

Duke pasur parasysh gjithë pasigurinë globale, Wormuth shprehet e shqetësuar se SHBA-ja mund të fillojë të rishqyrtojë madhësinë e arsenalit të saj.

Nëse kjo do të ndodhte, do të kishte me shumë gjasa kërkesa të reja për të dislokuar më shumë armë bërthamore për të synuar objekte të reja kineze dhe ruse, paralajmëroi ajo.

“Shumë shpejt e gjen veten në një botë shumë të çuditshme të logjikës së armëve bërthamore,” tha ajo, duke shtuar se në atë logjikë, shpesh duket sikur sa më shumë armë, aq më mirë.

Dhe çmimin nuk do ta paguajnë superfuqitë – do ta paguajë njerëzimi. Ndaj duke e mbyllur me Kissingerin “Detyra e një burri shteti sot është të parandalojë katastrofën, jo të arrijë triumfin.’ Dhe unë do të apeloja në emër të njerëzimit:

“STOP APOKALIPS NOW!”.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 230
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT