• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Drejtësia” Greke dhe Bashkëpunëtorët (Çamë) të Pushtuesit

October 8, 2026 by s p

Dr. Halil HYSENI*/

Presidenti i Republikës së Greqisë, Konstantinos Tasoulas, më 29 shtator 2026, nga Paramthia, përsëriti për çamët refrenin grek ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’. Termi gjithëpërfshirës “οι μουσουλμάνοι Τσάμηδες”/ “çamët myslimanë” u përsërit pesë herë brenda një fjalimi të shkurtër, botuar edhe në faqen zyrtare të Presidencës. Në fjalën e tij, Presidenti e paraqet komunitetin çam, në mënyrë kolektive, si pjesë të atij projekti vrastar që mori jetët e 49 paramthjotëve. Për të, çdo çam mysliman ishte bashkëpunëtor i pushtuesit. Për të, i gjithë komuniteti veproi si një trup i vetëm, si një ndërmarrje kriminale.

Brenda të njëjtit paragraf, Presidenti vendos qartazi dy standarde. Një për grekët e një të kundërt për çamët. Presidenti dënon teorinë naziste të zbatimit të përgjegjësisë kolektive dhe, po aty, e zbaton vetë këtë praktikë, duke akuzuar kolektivisht ‘çamët myslimanë’ si ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’. “Në Paramthi, – thotë Presidenti në fjalën e tij – në fund të shtatorit të vitit 1943, trupat gjermane të Pushtimit dhe bashkëpunëtorët e tyre, çamët myslimanë, arrestuan 49 vetë nga paria e qytetit, civilë të pafajshëm, me qëllim që t’i asgjësonin, në mënyrë që të frikësohej popullsia dhe të zbatohej në praktikë teoria naziste e përgjegjësisë kolektive.” / “Στην Παραμυθιά, στα τέλη Σεπτεμβρίου του 1943 τα γερμανικά στρατεύματα κατοχής και οι μουσουλμάνοι Τσάμηδες συνεργάτες τους, συνέλαβαν 49 Προκρίτους της πόλης, αθώους άμαχους, προκειμένου να τους εξοντώσουν ώστε να πτοηθεί ο πληθυσμός και να εφαρμοστεί στην πράξη η ναζιστική θεωρία της συλλογικής ευθύνης.”

Presidenti e argumenton bashkëpunimin kolektiv të çamëve përmes vendimeve të Gjykatës Speciale të Janinës.

“Në Janinë – thotë Presidenti – deri në vitin 1948, më shumë se 1.700 vendime të Gjykatës Speciale të Bashkëpunëtorëve të Pushtuesit dënojnë çamët myslimanë dhe konfiskojnë pasuritë e tyre për krimet e luftës që kryen në Thesproti.” Vlen të ndalemi te vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës për Kolaboracionistët, sepse këto vendime u krijuan, u përdorën, shërbyen dhe i shërbejnë ende politikës greke. I shërbejnë Presidentit grek të vendosë nën emëruesin e përbashkët Bashkëpunëtorë të Pushtuesit të gjithë komunitetin çam.

E vërteta është se me Vendimet Nr. 344/1945 dhe Nr. 344/1946 të Gjykatës Speciale të Janinës për Kolaboracionistët, dalë respektivisht më 23 maj 1945 dhe më 27 maj 1946, u akuzuan për bashkëpunim me pushtuesit 2116 persona. Të gjithë ishin Çamë, të gjithë u dënuan, dhe të gjithë u dënuan me vdekje, dhe të gjithë u dënuan me konfiskim të plotë të pasurisë së tyre, të pasurisë së bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre.

Vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës u mbështetën në Aktin Kushtetues Nr. 6/1945 dhe Ligjin Nr. 533/1945, norma këto që u paraprinë vendimeve gjyqësore dhe ndërtuan shtratin ligjor për realizimin e proceseve gjyqësore. Akti Kushtetues Nr. 6/1945 dhe Ligji Nr. 533/1945 kishin fuqi në të gjithë territorin e Republikës Helene. Në të gjithë Greqinë pati forca e individë që bashkëpunuan me pushtuesit. Pati qeveri greke, që qeverisi në bashkëpunim me nazistët. Falë bashkëpunimit të Grekëve me pushtuesit, hebrenjtë e famshëm të Selanikut, Korfuzit dhe Janinës u identifikuan dhe u deportuan në kampet e përqendrimit. Këtë krim nuk e bënë Çamët.

Sipas United States Holocaust Memorial Museum (USHMM), në vitin 1941 në Greqi jetonin 71,611 hebrenj, ndërsa vlerësimi i viktimave është 58 800–65 000. Mbi 80% e popullsisë hebraike të Greqisë së paraluftës u vra. Në këtë krim të tmerrshëm, Bashkëpunëtorët e Pushtuesit ishin Grekë. Ishin ata që spiunuan bashkëqytetarët e tyre te pushtuesit.

U ngritën Gjykata Speciale për Bashkëpunëtorët e Pushtuesit edhe në Athinë, Selanik, Serres e Halkidë.

Le të krahasojmë Vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës me Vendimet e Gjykatave Speciale të Athinës e Selanikut. Athina, me hapësirë e popullatë shumëfish më të madhe se Çamëria dhe Çamët. Athina, vendi ku kishte rezidencën qeveria kuislinge e ku mijëra nëpunës apo qytetarë grekë bashkëpunuan zyrtarisht me pushtuesit Gjermanë. Selaniku, vendi ku para lufte jetonin rreth 45 000 hebrenj, dhe ku, falë bashkëpunimit të grekëve, pas lufte mbetën më pak se 2 000 e ku strukturat e administratës greke sistematikisht konfiskuan pasuritë hebraike.

Pakrahasimisht më e vogël, normal që popullata çame ka prodhuar më pak ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’ se tërë Greqia. Gjykatat ‘speciale’ greke nuk mendojnë kështu. Vendosin të kundërtën.

Ja një tabelë përmbledhëse krahasimore e Vendimeve të Gjykatave Speciale për Kolaboracionistët të Athinës, të Selanikut dhe të Janinës, ndërtuar mbështetur në të dhënat publike greke.

Athinë

Selanik

Janinë

Persona të akuzuar

2,205

959

2116

Persona të akuzuar me kombësi greke

2,205

—

—

Persona të akuzuar çamë

0

0

2116 = 100%

Të dënuar

849 = 38.5%

410 = 42,7%

2116 = 100%

Dënime me vdekje

114 = 5.2%

78 = 8,1%

2116 = 100%

Burgim i përjetshëm

121 = 5.5%

65 = 6,8%

0

Burgim nën 20 vjet

614 = 30%

267 = 27,8%

Pafajësi

1,356 = 61.5%

549 = 57,2%

0

Konfiskim i plotë i pasurisë

2 = 0,01%

1 = 0,001%

2116 = 100%

Gjykata Speciale e Athinës dënoi me vdekje dhe konfiskoi pasurinë e Sotirios Gocamanis (Σωτήριος Γκοτζαμάνης) dhe Ektor Tsironikos (Έκτωρ Τσιρονίκος), të dy ish-ministra, finance dhe ekonomie të qeverisë greke përgjatë pushtimit. Me poste të tilla, është e logjikshme rëndesa e veprës penale të bashkëpunimit me pushtuesin e fakti që pasuria e tyre mund të jetë shëndoshur apo vënë për shkak të bashkëpunimit.

Gjykata Speciale e Janinës dënoi me dënimin maksimal, me vdekje, dhe konfiskoi pasurinë e të gjithë të akuzuarve Çamë, pa përjashtim, 2116 syresh, çobenë, bujq etj., pasuria e të cilëve, trashëguar ndër breza, sigurisht që nuk ishte produkt i veprës penale të supozuar.

Thuhet se nuk gjykohen vendimet e gjykatave. Që vendimet të pranohen, që vendimet të qëndrojnë, duhet që Gjykatat të japin drejtësi. Gjykatat duhet të jenë mbi palët dhe në baraslargësi nga palët. Nuk kemi kopje të vendimeve të gjykatave greke, nuk i kemi provat për të vlerësuar drejtësinë/padrejtësinë e vendimeve të dhëna, por mund të krahasojmë.

Ne krahasojmë. Të masësh do të thotë ta krahasosh një send a një procedurë me një send apo procedurë të ngjashme, të marrë si njësi. Supozoni si njësi të së drejtës vendimet e Gjykatës së Athinës, të Selanikut apo të Nurenbergut dhe krahasojini me Vendimet e Janinës. Ju rezultojnë të drejta Vendimet e Janinës?

Krahasoni numrin e të gjeturve fajtorë/të akuzuarve bashkëpunëtorë të pushtuesit në Çamëri me numrin e të gjeturve fajtorë/të akuzuarve nga gjykatat në të gjithë Greqinë. Vetëm me dy vendime, Janina gjen fajtor dhe dënon me dënimin maksimal 2116 nga 2116 të akuzuar. Më shumë se në tërë Greqinë. Në Athinë, Gjykata Speciale vlerëson bashkëpunëtorë dhe dënon vetëm 849 persona nga 2,205 të akuzuar. Në Selanik, vetëm 410 persona u gjetën fajtorë.

Krahasoni dënimet e dhëna dhe veprat e mundshme penale të kryera nga bujq e çobenër çamë, me dënimet e dhëna dhe veprat e mundshme penale të kryera nga zyrtarë, ministra e kryeministra grekë. Krahasoni numrin e të gjykuarve me përqindjen e të dënuarve me vdekje nga secila Gjykatë. Vëreni se çamët të gjithë, 100%, u dënuan me dënimin maksimal, ndërsa në Athinë vetëm 5% e në Selanik 8%.

Edhe Gjykata Ndërkombëtare Ushtarake e Nurembergut (IMT), pra gjyqi kryesor ndaj vetë udhëheqësve të pushtuesve nazistë, nga totali prej 24 të akuzuarish vetëm gjysmën e tyre, 12 vetë, dënoi me vdekje, tre u shpallën të pafajshëm.

Krahasoni përqindjen e të shpallurve të pafajshëm. Asnjë Çam nuk u gjet i pafajshëm, përkundrejt shumicës së të akuzuarve në Athinë e në Selanik.

Si është e mundur që në Janinë të gjithë të akuzuarit u dënuan? Si është e mundur që në Janinë të gjithë u dënuan njësoj – me vdekje? Mesa duket, vetëm mes çamëve, gjykata ‘Speciale’ në Janinë nuk ka gjetur fare hierarki ‘në ligësi’. Të gjithë njësoj. Të gjithë kriminelë, më kriminelë se vetë nazistët. Të gjithë meritojnë dënimin me vdekje!!!

Shifrat flasin vetë. Krahasimi i shifrave të vendimeve të Gjykatës Speciale të Janinës me vendimet e dhëna nga Gjykatat e tjera Speciale nuk lë hapësirë për tjetër përfundim. Janë vendime politike. Padrejtësi. Vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës sanksionuan Padrejtësi ndaj Çamëve.

Nëse Ligjet, Gjykatat dhe Gjykimet u krijuan dhe u procedua me parimin se qëllimi justifikon mjetin dhe nëse qëllimi ka qenë deklarimi i twrw Çamëve myslimanë si ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’, ia kanë mbërritur qëllimit, porse Me vendime të padrejta gjykate. Nëse qëllimi ka qenë edhe konfiskimi i pasurive të Çamëve, ia kanë mbërritur qëllimit. Me vendim gjykate. Dhe sërisht ngre krye pyetja: Nëse drejtësia ishte individuale, pse përgjegjësia u bë kolektive?

Vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës kanë qenë instrumente juridike për qëllime politike. U përdorën për të shpallur me vendim gjykate, ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’ gati një të dhjetën e popullsisë Çame. Mbështetur mbi to, me vendim politiko-publik, politika greke, tani dhe përmes Presidentit të saj, ka shpallur ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’ të gjithë popullsinë Çame, përfshi nënën time, përfshi babin tim. Jo, ata nuk ishin.

Ky cilësim, ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’, i sanksionuar me vendime të padrejta Gjykate dhe përgjithësuar politikisht, përbën sot mburojën greke ndaj llogaridhënies për spastrimin etnik që realizuan ndaj popullsisë Shqiptare, myslimane, që banonte në trojet e veta, brenda territorit Grek.

Përmes cilësimit ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’, zhvlerësojnë jetët e qindra mijëra çamëve të vrarë e të persekutuar. Jeta nuk ka kombësi. Është krim vrasja e 49 paramthjotëve nga reparti nazist dhe disa bashkëpunëtorëve të tyre çamë. Është krim vrasja e mijëra çamëve nga trupat e EDES.

Presidenti Tasoulas në fjalimin e tij ndalet gjatë në historinë e 1943-shit, dhe fap kapërcen në 1945. Ka edhe të tjera masakra ku preja dhe grabitqari kanë ndërruar kahe. Ka shumë e shumë gjak çam të derdhur para e pas krimit të vitit 1943 në Paramthi. “Në total më shumë se 1200 Çamë u vranë”, vlerëson Lambros Baltsiotis, profesor i Historisë së Minoriteteve në Panteion University, Athinë, në studimin e tij “The Muslim Chams of Northwestern Greece”, botim i EJTS, 12, 2011, paragrafi 59. Edhe jetët e tyre vlenin. Njëjtë si 49 paramthjotët e vrarë.

Është krim spastrimi etnik i Çamëve nga trojet e tyre. Zaten, nuk ka axhami të pranojë variantin presidencial të deklaruar në Paramthi se Çamët “ikën për në Shqipëri” / “καταφεύγουν στην Αλβανία.”

Çamët u dëbuan përmes plumbave dhe “Mund të argumentohet se nuk ishte zyrtarisht shteti (grek – shënimi im) ai që kreu spastrimin etnik…. Megjithatë, në rastin e Çamërisë, vetë shteti jo vetëm që nuk u shqetësua nga ky spastrim etnik, por edhe i mirëpriti rezultatet e tij.” shkruan Prof. Lambros Baltsiotis, në konkluzionet e studimit, paragrafi 84.

Presidenti grek vijon të ‘mirëpresë rezultatet’ dhe vijon sulmin. Mbrojtja më e mirë është sulmi. Në fjalën e tij në Paramthi, katër paragrafë të plotë i adresohen politikës shqiptare dhe rrugëtimit evropian të Shqipërisë. Në këta katër paragrafë fshihet mesazhi kryesor i fjalimit: Shqipëria duhet të pranojë interpretimin grek të historisë. Të katër paragrafët bashkë përkthehen “Shantazh”, “Veto”.

*Halil Hyseni është pedagog, ish zëvendës Ministër ne Ministrinë e punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Filed Under: Ekonomi

Drejtësia gjeopolitike dhe dështimi i elitave tona

October 6, 2026 by s p

Në vitin 2015, Kosova ishte në një situatë ku çdo lëvizje e përkeqësonte pozicionin e saj. Por ajo ishte e detyruar që të lëvizte. Mekanizmi për ngritjen e një tribunali nga OKB-ja ishte “Shpata e Demokleut” që u mbajt mbi kokën e lidershipit politik të Kosovës në vitet 2014-2015. Kjo do ta rikthente edhe më fort çështjen e Kosovës në tryezën e Këshillit të Sigurimit dhe do t’u jepte Rusisë dhe Kinës një rol të drejtpërdrejtë në arkitekturën e mekanizmit të drejtësisë.

Nëse Prishtina nuk do ta krijonte mekanizmin e kërkuar, Këshilli i Sigurimit kishte një alternativë reale për të ngritur një mekanizëm ad hoc. Kjo do ta vendoste procesin në një terren ku Rusia dhe Kina, si anëtare të përhershme me veto, do të kishin peshë të drejtpërdrejtë. Ky skenar u përdor nga SHBA dhe BE si presion i fortë mbi Prishtinën për të pranuar krijimin e mekanizmit.

Kosova e krijoi këtë mekanizëm përmes rendit të saj kushtetues dhe ligjor, mbi bazën e angazhimit të marrë me Bashkimin Evropian. Krijimi i Dhomave të Specializuara ishte lëvizja e detyruar për ta mbajtur këtë institucion larg duarve të Moskës. Kosova ruajti një formë të rëndësishme të pronësisë juridike mbi procesin, por e ndërkombëtarizoi në mënyrë të thellë ushtrimin e drejtësisë.

Sot, politika e Kosovës po përpiqet të kurojë me aspirinë një frakturë që vetë e shkaktoi në vitin 2015. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Kosova është një shtet i mbështetur fuqimisht nga jashtë. Siguria jonë varet nga KFOR-i dhe NATO. Shtetet e vogla nuk vendosin ultimatume për aleatët ekzistencialë, por kanë detyrimin që të negociojnë rregullat e lojës.

Kosova u detyrua të bëjë një kompromis institucional në 2015, për të shmangur një mekanizëm potencialisht më të pafavorshëm ndërkombëtar. Por ne nuk arritëm të ndërtonim kapacitetin shtetëror për ta përballuar pasojën e këtij kompromisi.

Megjithatë, në këtë ekuacion nuk mund të injorohet asimetria ulëritëse e kësaj drejtësie. Ndërkohë që krerët e një lëvizjeje guerile përballen me një gjykatë speciale, kemi një dështim monumental të bashkësisë ndërkombëtare për të detyruar Serbinë të mbajë përgjegjësi. Serbia ende nuk ka dhënë përgjigje të plotë për masakrat e kryera gjatë luftës, personat e zhdukur, dhunën seksuale dhe varret masive.

Ky është një “dështim moral dhe parimor” i Perëndimit, i cili ka vendosur gjeopolitikën mbi drejtësinë. Pikërisht sepse Perëndimi operon me interes, ne duhet të operojmë me shtet të fortë, jo me ankesa që “bota është e padrejtë” ndaj nesh.

Gjithsesi, fajësimi i ndërkombëtarëve është vetëm gjysma e së vërtetës dhe shpesh, alibia jonë më e preferuar. Ndërkombëtarët nuk ndërtojnë dosje vullnetarisht. Ndërkohë që Serbia ka investuar prej vitesh në lobim dhe propagandë ndërkombëtare për të relativizuar përgjegjësinë e saj, çfarë bëri shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë në këto 25 vite?

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, drejtësia nuk funksionon në vakum. Ajo funksionon brenda një ekuilibri fuqie. Gabimi ynë ka qenë të besojmë se aleanca është zëvendësim për shtetin. Nuk është. Gjeopolitika përcakton hapësirën. Institucionet përcaktojnë aftësinë për të vepruar brenda saj.

Për 25 vite, Prishtina dhe Tirana nuk arritën të ndërtonin një arkitekturë të qëndrueshme juridike, dokumentare dhe diplomatike për ndjekjen e krimeve të Serbisë. Sot, është hipokrizi që të akuzojmë botën se “nuk po e detyron Serbinë”, kur vetë klasa politike në Prishtinë dhe Tiranë dështoi që të krijonte një mekanizëm të mirëfilltë juridik, institucional dhe financiar kundër saj.

Institucionet dështuan sepse ato shpesh u drejtuan pikërisht nga politikanë që ishin më të interesuar të pasuroheshin apo të mbronin veten, sesa të ndërtonin një mbrojtje juridike kombëtare. Ne nuk mund t’u kërkojmë aleatëve të bëjnë betejat diplomatike e juridike që ne vetë i braktisëm. Aleatët mund të na mbrojnë nga kërcënimet, por nuk mund të na zëvendësojnë shtetin.

Ky është një dështim që duhet të na bëhet mësim. Është një paaftësi e thellë e jona, e ushqyer nga korrupsioni dhe mungesa e vullnetit politik. E vërteta e hidhur nuk është se shqiptarëve u mungon kapaciteti intelektual apo juridik, por se shtetet tona e kanë përjashtuar këtë kapacitet. Ne kemi dështuar të organizojmë një makineri të mirëfilltë institucionale për t’u përballur me Serbinë, e cila prej dekadash investon sistematikisht në diplomaci, lobim dhe propagandë ndërkombëtare.

Korrupsioni dhe paaftësia institucionale janë dy anë të së njëjtës medalje. Politikanët tanë e shohin shtetin si plaçkë. Ata i larguan profesionistët dhe nuk investuan në ngritjen e një administrate të pavarur, sepse profesionistët e vërtetë nuk bëhen dot vegla të pushtetit.

Ndaj, sot ne nuk duhet që vetëm të ankohemi për “botën e padrejtë”, por duhet të rrisim nivelin e përgjegjësisë shtetërore. E kjo përgjegjësi shtetërore kërkon institucione të forta që u mbijetojnë rotacioneve politike, jo liderë që e identifikojnë shtetin me veten. Shteti nuk ndërtohet vetëm kur fiton. Shteti ndërtohet edhe kur humbet.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Ekonomi

Modele analoge legjislacioni…

October 2, 2026 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Pas një dite mjaft intensive shpikjesh dhe racionalizimesh ligjore, që si rregull janë produkt, jo vetëm i një shumice të thjeshtë, por i një shumice të cilësuar bazuar në konsensus të gjanë politik, mbi modele analoge legjislacioni, të gjithë sot pritëm krerët e institucioneve të nalta të drejtësisë të flisnin. Por, siç ndodh rëndom në rastet kur ka interesa të epërme publike, ata, gjyqtarët, heshtin, bajnë sikur nuk dëgjojnë. Thjesht nuk duan ta prishin punën me ata, të Gjithpushtetshmit, që kanë hy garant për vetingimet, prig’jimet e pastërtisë dhe të vazhdimësisë, Zotat që i bëjnë ta hedhin vallen vendçe, sa herë duan t’i telendisin publikisht.

Atëherë, cila duhej të ishte radha e korrektimeve për të cilat asht i interesuem publiku?

1. Sot, përpara se të ndërmerreshin propozimet e paarsyetueme e të pasinqerta, për ndryshime të gjëra në Kodin Penal apo në Kodin e Procedurës Penale, do të ishte e nevojshme që Kryeministri dhe shumica parlamentare të paraqisnin një kuadër – projekt të kjartë ligjor mbi përgjegjësinë politike dhe institucionale të funksionarëve të naltë publikë të përfshirë në procedime penale. Kjo sepse, prej së paku dy vitesh, publiku asht i çoroditun nga dyzimi figurativ i funksionarëve publikë, që shfaqen, ose janë njëkohësisht, ushtrues funksionesh në parlament e gjetkë dhe paralelisht, persona të vendosun nën akuzë, në pritje të gjykimit, ose individë që nga burgu kryejnë shkarkime dhe emërime. Kjo ështe një situatë e pangjashme që as zonja Ursula von der Leyen nuk do ta kishte kuptuar, sikur t’i shpjegohej se si po tallen qytetarët shqiptarë të mbetun peng në Shqipërinë kandidate.

Një projektligj i tillë i munguem edhe sot, do të duhej të kishte një nen të vetëm, i cili të përcaktonte se “personat që ushtrojnë funksione të nalta shtetnore, në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, në administratën e naltë, në pushtetin vendor dhe në institucionet e pavaruna, kur ndaj tyre ngrihet zyrtarisht akuzë për vepra penale të lidhura me ushtrimin e detyrës, korrupsionin, shpërdorimin e detyrës ose krimin e randë, dhe veçanërisht kur ndaj tyre caktohet nga gjykata një masë sigurimi, nuk duhet të vazhdojnë ushtrimin normal të funksionit”.

Po ashtu në shtesë të këtij neni, do të duhej të përcaktohej se në këto raste, asht e nevojshme të funksionojë një mekanizëm i përcaktuar kjartë i zhvendosjes nga detyra me ligj: dorëheqje, pezullim i përkohshëm ose procedurë shkarkimi nga organi kompetent, sipas natyrës kushtetuese të funksionit, duke e vendosun funksionarin në dispozicion të drejtësisë deri në sqarimin e pozitës së tij juridike.

Kjo formulë, ky mekanizëm, kështu i konceptuem, nuk do të përbante ndonji deklarim fajësie dhe nuk duhet të cenonte prezumimin e pafajësisë. Ai do të shprehte një standard tjetër: përgjegjësinë, e cila në asnji rast për funksionarin publik nuk është individuale, por ligjore dhe politike, mbasi ka të bajë, me integritetin e funksionit publik dhe detyrimin që pushteti shtetëror të mos përdoret për të penguar, ose ndikuar, ose komprometuar hetimin penal.

Dhe tani duhet të dalim tek problemi i dytë, i nderlidhur me të parin. Në fakt asht një pyetje: A ka Qeveria e Republikës së Shqipërisë një Kod të Përgjegjësisë Politike, Kolektive dhe Individuale, sikurse çdo qeveri parlamentare në Europë e Bashkuar, në menyrë që e vërteta të mos mbetet tëk humori i një njëriu, por të shfaqet tek fryma dhe përmbajtja e ligjit?! Pse duhet të përfshihemi në debate të kota, me fytyra të vrazhda imponuese, ndërkohë që duhet të angazhohemi të shkruajme rregullat që i paraprijnë përgjegjesisë penale të funksionarëve publike?!

Këto ditë jemi përfshirë çuditshëm në një debat mbi formulën, do ta quaja sofiste, të Përgjegjësisë Individuale të një ministri ose funksionari të naltë të pushtetit shtetëror, që ka ngjallur debat midis njerëzve të arsyeshëm nga njera anë, dhe të zanunve në qark, nga ana tjetër, të cilët duan ta gjejnë shpëtimin në fjalëkryqe të pakuptimta për t’u shpjeguar qytetarëve të drejtën publike. Kjo mënyrë arsyetimi e redukton një çështje themelore të së drejtës publike në një lojë fjalësh, duke ngatërruar përgjegjësinë penale personale me përgjegjësinë politike individuale dhe kolektive.

2. Sot, para shpalljes së nismës së rikodifikimit te ri penal, do të kishte kenë e udhës të shpallej Kodi i Pergjegjesise Politike Qeveritare, në të cilin të përcaktoheshin kjartë standardet e qëndrimit në detyrë të funksionarëve të naltë publikë. Kjo sepse në legjislacionin shqiptar nuk rezulton i ndërtuar një regjim i përgjithshëm, i cili të përcaktojë pasojat politike kur një ministër ose funksionar i naltë vihet nën akuzë apo nën masë sigurie për vepra të rënda penale. Po aq e papërcaktuar mbetet përgjegjësia politike e drejtuesit të qeverisë, sidomos kur raste të tilla përsëriten ndër persona të propozuar ose të emëruar prej tij dhe shtrojnë çështjen e standardit të përzgjedhjes, kontrollit dhe mbikëqyrjes politike.

Kjo nuk do të thotë t’i atribuohet Kryeministrit përgjegjësi penale për veprat e një ministri të tij, sepse përgjegjësia penale është personale; bëhet fjalë për përgjegjësinë politike për emërimin, mbajtjen në detyrë, mbikëqyrjen dhe reagimin institucional.

Kushtetuta dhe Kodi Etik Ministror njohin përgjegjësinë e ministrit dhe rolin drejtues e kontrollues të Kryeministrit, por nuk ndërtojnë një mekanizëm të plotë që të përcaktojë kur akuza, masa e sigurimit ose shkelje të rënda të integritetit të një ministri, duhet të sjellin pezullim, dorëheqje, shkarkim apo pasoja politike për autoritetin emërues.

Ky është boshllëku që një kod i mirëfilltë i përgjegjësisë politike do të synonte të rregullonte: pra, jo fajësinë penale, por standardin e përgjegjshmërisë së pushtetit.

Ky asht qarku ku jena futë pa dashjen tonë, por me vullnetin e ngatërrimit të krenave tanë, prej Zotave që kanë monopolin e të gjithë të vërtetave të këtij vendi të bamë lamsh.

Pyetjet që mbeten për t’i dhanë përgjegje janë këto: Kush duhet ta shkruajë këtë Statut? A duhet që ky Statut të shkruhet mbi bazen e modeleve të ngjashme të vendeve të tjera me sistem qeverisjeje parlamentare në Europë?

Për 11 vite me radhë, një prej seminareve ma të mirëpritura nga studentet e Fakultetit të Drejtësisë në UET, në lendën e të Drejtës Publike ka qenë ai mbi “Qeverinë e Përgjegjeshme dhe të Shpjegueshme”/” Kodi i Përgjegjësisë Politike të Qeverisë” / “Moraliteti i Funksionit Publik”. Duke mos pasur nji model tonin bashkëkohor, studenteve u ofroja rastin e qeverisjes parlamentare me spikatje të Kryeministrit, të Mbretërisë së Bashkuar. Sa larg jemi………edhe nga Mali i Zi, vend në të cilin, pas pak muajsh, për hatër të imuniteteve deri në 5 vite të disa mëkatarëve, do të hyjmë me kontroll të rreptë biometrik të pasaportave, duke mbajtur radhën.

Filed Under: Ekonomi

Iliria në hartografinë Ptolemeike: Një analizë historiko – hartografike e hartës së Petrus Bertius

September 28, 2026 by s p

Prof.dr. Pal NIKOLLI/

Hyrje: një dëshmi e rëndësishme e ripërtëritjes së gjeografisë antike.

Harta e Ilirisë e paraqitur në traditën ptolemeike dhe e botuar në fillim të shekullit XVII nga hartografi dhe eruditi holandez Petrus Bertius (Pieter Bert, 1565–1629), përbën një dokument me rëndësi të veçantë për historinë e hartografisë evropiane dhe për studimin historik të hapësirës së Ballkanit perëndimor.

Vlera e saj nuk qëndron vetëm në paraqitjen grafike të territorit, por edhe në faktin se ajo përfaqëson një moment të rëndësishëm të rikthimit të gjeografisë së Antikitetit në hartografinë evropiane të Rilindjes dhe të fillimit të Epokës Moderne. Baza konceptuale e hartës lidhet me veprën e gjeografit dhe astronomit aleksandrin Klaud Ptolemeu (Claudius Ptolemaeus), i cili në shekullin II të erës sonë përpunoi një sistem të gjerë koordinatash dhe përshkrimesh gjeografike për botën e njohur të kohës.

Megjithatë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm ndërmjet burimit antik të informacionit gjeografik dhe hartës konkrete të botuar në shekullin XVII. Bertius nuk ishte autor i të dhënave origjinale antike për Ilirinë; ai i riprodhoi dhe i sistemoi ato brenda traditës së hartografisë ptolemeike, duke i përshtatur me njohuritë, teknikën e gravurës dhe konvencionet hartografike të kohës së tij.

Harta lidhet me veprimtarinë e qendrave të mëdha hartografike holandeze dhe me traditën e botimeve të lidhura me Jodocus Hondius dhe pasuesit e tij. Në këtë kuptim, ajo duhet parë si një dokument i hartografisë neo – ptolemeike, ku informacioni i Antikitetit ndërthuret me mënyrën e përfaqësimit hapësinor të shekujve XVI–XVII.

Një element tjetër me interes të veçantë është përdorimi i gjuhës latine, gjuhë shkencore ndërkombëtare e Evropës së kohës. Emërtimet e qyteteve, lumenjve, maleve, krahinave dhe popullsive shfaqen në format e tyre klasike, ndërsa në disa raste hartografi shton edhe emërtime më të vona për t’i bërë vendet antike të identifikueshme për lexuesin bashkëkohor.

Kështu, një shënim i tipit “Lissus nunc Alessio” është veçanërisht domethënës: ai lidh Lissusin antik me Alessio-n, emërtimin e përdorur për Lezhën në periudhën më të vonë. Kjo praktikë e lidhjes së toponimisë antike me atë moderne është një nga karakteristikat më të vlefshme të hartografisë historike.

I. Albanopolis dhe Albani: një nyje qendrore e identifikimit historik.

Një nga elementet më të rëndësishme të hartës, veçanërisht për historinë e hapësirës shqiptare, është paraqitja e Albanopolis dhe e etnonimit Albani.

Në traditën e Ptolemeut, Albanopolis paraqitet si një qytet i lidhur me Albani, një bashkësi/fis i vendosur në pjesën qendrore të hapësirës së Ilirisë së Jugut. Në hartat neo – ptolemeike të periudhës moderne, ky emërtim ruhet si pjesë e trashëgimisë së drejtpërdrejtë të burimit klasik.

Pikërisht këtu qëndron rëndësia e tij për historinë e emrit Albania dhe Albani. Etnonimi Albani dhe toponimi Albanopolis janë dokumentuar në burime të lashta shumë shekuj përpara shfaqjes së formave mesjetare dhe moderne të emërtimit të shqiptarëve dhe të vendit të tyre.

Në historiografinë dhe arkeologjinë shqiptare, Albanopolis është lidhur gjerësisht me qendrën arkeologjike të Zgërdheshit, pranë Krujës, megjithëse identifikimi nuk duhet trajtuar si një fakt absolutisht i mbyllur. Çështja e lokalizimit të saktë të Albanopolisit mbetet një problem shkencor ku ndërthuren dëshmitë e Ptolemeut, arkeologjia, topografia historike dhe analiza e rrjetit të koordinatave antike.

Për këtë arsye, harta e Bertius duhet lexuar jo thjesht si një “provë” për një lokalizim të caktuar, por si dëshmi e mënyrës se si gjeografia ptolemeike e vendoste Albanopolisin dhe Albanët në hapësirën e Ilirisë së Jugut.

Kjo ka rëndësi të veçantë sepse në hartën e fillimit të shekullit XVII emërtimi antik Albani vazhdon të jetë i pranishëm dhe i dallueshëm. Pra, hartografia e kohës së Bertiusit ruan në formë grafike një nga dëshmitë më të hershme të traditës evropiane për emrin Alban-.

II. Iliria e Jugut dhe hapësira adriatike.

Një nga karakteristikat kryesore të hartës është paraqitja e bregdetit lindor të Adriatikut si një hapësirë e dendur me porte, qytete, lumenj dhe rrugë komunikimi.

Bregdeti nuk paraqitet si një kufi i thjeshtë natyror, por si një korridor historik komunikimi, nëpërmjet të cilit lidheshin hapësirat e brendshme ballkanike me Adriatikun dhe, nëpërmjet tij, me botën mesdhetare.

– Lissus

Lissus, Lezha e sotme, zë një pozicion të rëndësishëm. Në traditën hartografike të periudhës moderne, shënimi “Lissus nunc Alessio” është veçanërisht interesant sepse bashkon dy shtresa kronologjike të toponimisë.

Kjo mënyrë paraqitjeje u jep hartave historike një funksion të dyfishtë: ato janë njëkohësisht dokumente të gjeografisë së lashtë dhe mjete për identifikimin e vendeve në hapësirën bashkëkohore të lexuesit të shekullit XVII.

– Dyrrachium

Në jug shfaqet Dyrrachium, Durrësi antik, një nga qendrat më të rëndësishme urbane dhe portuale të Adriatikut lindor.

Pozita e Durrësit ishte veçanërisht e rëndësishme për komunikimin midis Adriatikut dhe brendësisë së Ballkanit. Qyteti lidhej me rrjetet rrugore që çonin drejt lindjes dhe, përmes tyre, me qendrat e Maqedonisë dhe të mëtejshme të botës romake.

– Apollonia

Apollonia paraqitet si një tjetër qendër e rëndësishme e bregdetit jugor ilir. Pozicioni i saj pranë sistemit lumor të Apsusit e lidhte atë me rrjetin ekonomik dhe komunikues të brendësisë.

Apollonia ishte njëkohësisht qendër urbane, portuale, kulturore dhe arsimore. Rëndësia e saj historike dëshmohet edhe nga lidhjet e saj me botën helenistike dhe romake.

– Ulcinium

Më në veri shfaqet Ulcinium, Ulqini i sotëm, duke dëshmuar vazhdimësinë e një rrjeti qytetesh bregdetare përgjatë Adriatikut lindor.

Më tej drejt veriut, tradita hartografike përfshin qendra të tilla si Rhisinium/Risinium dhe Epidaurum, të lidhura përkatësisht me zonën e Risanit dhe Cavtatit të sotëm.

III. Rrjeti hidrografik: Drilon, Apsus dhe Aous.

Një nga aspektet më të rëndësishme të leximit të hartës është hidrografia.

Në gjeografinë antike lumenjtë nuk ishin thjesht elemente fizike. Ata përbënin korridore komunikimi, kufij territorialë, orientues hapësinorë dhe pika referimi për përcaktimin e vendndodhjes së qyteteve dhe popullsive.

Ndër lumenjtë kryesorë të paraqitur në këtë hapësirë dallohen:

Drilon, i lidhur me sistemin e Drinit;

Apsus, që korrespondon me sistemin e Semanit, i përbërë nga degët kryesore të tij;

dhe Aous, lumi i njohur në traditën antike dhe i identifikueshëm me Vjosën.

Duhet theksuar se identifikimi i hidronimeve antike me lumenjtë modernë nuk është gjithmonë mekanik. Ndryshimet e rrjedhave, emërtimeve, perceptimit gjeografik dhe veçanërisht pasaktësitë e koordinatave ptolemeike kërkojnë analizë kritike.

Megjithatë, kombinimi i hidronimeve + qyteteve + vargmaleve + koordinatave krijon një rrjet të fuqishëm për rindërtimin e gjeografisë historike.

IV. Dardania dhe hapësirat e brendshme.

Drejt lindjes dhe verilindjes së Ilirisë shfaqet hapësira e gjerë e Dardanisë, një nga rajonet më të rëndësishme të Ballkanit të brendshëm.

Në hartografinë ptolemeike, Dardania paraqitet në marrëdhënie të ngushtë me masivet malore dhe rrjetin e rrugëve që lidhnin Adriatikun me zonat e brendshme të Ballkanit.

Një nga elementet më të dallueshme është Scardus mons, që lidhet me sistemin e Maleve të Sharrit.

Në këtë zonë tradita ptolemeike përfshin një seri toponimesh të lashta, ndër të cilat janë përmendur në interpretimet moderne edhe Thermidava, Siparontum dhe qendra të tjera dardanike.

Por këtu kërkohet kujdes metodologjik: identifikimi i çdo toponimi ptolemeik me një qytet modern nuk është i sigurt vetëm nga ngjashmëria gjeografike ose fonetike. Përfundimi kërkon kombinimin e koordinatave, arkeologjisë, itinerareve antike dhe dëshmive të tjera historike.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për studimin e hartave historike: një hartë e shekullit XVII që riprodhon Ptolemeun është vetë një dokument historik, por nuk duhet trajtuar automatikisht si matje moderne e territorit antik.

V. Lychnidus, Deborus dhe hapësira e liqeneve

Në juglindje dhe lindje të hapësirës ilire fillon një zonë tranzicioni ndërmjet Ilirisë, Paeonisë dhe Maqedonisë.

Këtu spikat Lychnidus, qyteti antik që lidhet me Ohrin, si dhe liqeni i madh që përbënte një element të rëndësishëm të gjeografisë së kësaj hapësire.

Gjithashtu përmendet Deborus, i lidhur me zonën e Dibrës dhe sistemin e sipërm të Drinit.

Më tej shfaqet Axius fluvius, Vardari i sotëm, i cili përbënte një nga boshtet kryesore hidrografike të Ballkanit qendror.

Në këtë hapësirë shfaqen edhe emërtime të lidhura me Lyncestis, Dassaretinë dhe territore të tjera kufitare. Këto zona janë veçanërisht të rëndësishme për të kuptuar se kufijtë etnikë, politikë dhe kulturorë të Antikitetit nuk përputhen domosdoshmërisht me kufijtë shtetërorë modernë.

VI. Hapësirat jugore.

– Amantia

Amantia paraqitet si një qendër e rëndësishme e hapësirës jugore. Qyteti antik ndodhet në territorin e sotëm të Vlorës dhe lidhet me zonën e luginës së Shushicës.

Pozicioni i saj tregon rëndësinë e qendrave të fortifikuara që kontrollonin komunikimin midis zonave bregdetare dhe brendësisë malore.

– Byllis

Byllis, qendra e rëndësishme e Bylinëve, ishte një nga qytetet kryesore të hapësirës së luginës së Vjosës.

Pozita e tij në një lartësi dominuese mbi territorin përreth e bënte atë një qendër të rëndësishme strategjike dhe urbane.

– Oricum

Oricum, në gjirin e Vlorës, përfaqëson një tjetër lidhje midis botës detare dhe asaj tokësore.

Pozita e tij pranë hyrjes së gjirit e bënte veçanërisht të rëndësishëm për lundrimin dhe kontrollin e korridoreve detare.

– Antigonia

Në luginën e Drinosit paraqitet Antigonia, qytet i rëndësishëm.

– Phoenice

Phoenice, Finiqi i sotëm, ishte një qendër e rëndësishme e Kaonisë dhe një nga qytetet më të fuqishme të hapësirës jugore.

VII. Acroceraunia: kufiri malor midis deteve dhe krahinave.

Një element tjetër i rëndësishëm është Acroceraunia iuga, ose malet Akrokeraune.

Ky sistem malor lidhet me vargmalet e sotme të Vetëtimës, Llogarasë dhe Kanalit, në jugperëndim të Shqipërisë.

Në gjeografinë antike, Akrokeraunet përbënin një element të fuqishëm orientues dhe një kufi natyror midis hapësirave të ndryshme bregdetare.

Rëndësia e tyre është jo vetëm fiziko-gjeografike, por edhe kartografike: malet e mëdha shërbenin si pikë referimi për ndërtimin e hapësirës në hartë, veçanërisht në një periudhë kur matjet e drejtpërdrejta gjeodezike ishin të kufizuara.

VIII. Më shumë se një hartë: një palimpsest i kujtesës gjeografike.

Harta e Bertiusit mund të interpretohet si një lloj palimpsesti kartografik.

Në të mbivendosen disa shtresa historike:

– shtresa e parë është gjeografia antike e Ptolemeut;

– shtresa e dytë është tradita mesjetare e ruajtjes dhe transmetimit të emrave;

– shtresa e tretë është humanizmi evropian i Rilindjes, i cili riktheu autorët klasikë;

– shtresa e katërt është teknika e hartografisë holandeze të shekujve XVI–XVII;

– dhe shtresa e pestë përbëhet nga emërtimet moderne të kohës së Bertiusit, të cilat në disa raste shfaqen krahas emrave antikë.

Kjo e bën hartën veçanërisht të vlefshme për historinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit. Ajo nuk na tregon vetëm “ku ndodhej një vend”, por edhe si e perceptonte Evropa e fillimit të shekullit XVII hapësirën e saj të lashtë.

IX. Rëndësia metodologjike e hartës për historinë e trojeve shqiptare.

Për studimin e trojeve shqiptare nëpërmjet hartave historike, kjo hartë ka rëndësi në të paktën katër drejtime.

Së pari, ajo ruan toponiminë antike dhe na mundëson të krahasojmë emërtimet e Ptolemeut me format e përdorura në shekujt e mëvonshëm.

Së dyti, ajo dokumenton pozicionimin relativ të qyteteve, lumenjve dhe vargmaleve.

Së treti, ajo dëshmon vazhdimësinë e interesit të hartografisë evropiane për gjeografinë antike të Ilirisë, Epirit dhe Dardanisë.

Së katërti, ajo ka një rëndësi të veçantë për studimin e historisë së emrit Albania, sepse ruan në traditën hartografike evropiane çiftin e rëndësishëm Albani – Albanopolis.

Megjithatë, përdorimi shkencor i kësaj harte kërkon një parim themelor: harta duhet analizuar si burim historik, jo si hartë moderne me saktësi gjeodezike moderne.

Koordinatat e Ptolemeut përmbajnë deformime të njohura. Pozicionet relative të qyteteve mund të jenë të zhvendosura dhe distancat nuk duhet të maten drejtpërdrejt sikur të ishin prodhuar nga një sistem modern referimi.

Pikërisht për këtë arsye, krahasimi me arkeologjinë, epigrafinë, itineraret antike, hidrografinë, topografinë dhe GIS-in modern është mënyra më e përshtatshme për një analizë bashkëkohore.

X. Përfundim: një urë hartografike nga Ptolemeu te identiteti gjeografik i Shqipërisë.

Harta e Petrus Bertius për Ilirinë dhe trevat përreth është një dokument i jashtëzakonshëm i historisë së hartografisë evropiane. Ajo bashkon në një sipërfaqe të vetme hartografike gjeografinë e Antikitetit, humanizmin e Rilindjes, teknikën e gravurës holandeze dhe nevojën e Evropës së fillimit të shekullit XVII për të rikonstruktuar hapësirën e botës klasike.

Në të shfaqet një territor i ndërlikuar ku ndërthuren Iliria, Dardania, Paeonia, Maqedonia dhe Epiri, të lidhura nga një rrjet qytetesh, lumenjsh, malesh dhe popullsish.

Nga Lissus dhe Dyrrachium, te Apollonia, Albanopolis, Lychnidus, Amantia, Byllis, Antigonia dhe Phoenice, harta ruan një pjesë të rëndësishme të kujtesës gjeografike të Ballkanit antik.

Por mbi të gjitha, për historinë e trojeve shqiptare, rëndësia e saj përqendrohet te prania e Albanopolis dhe Albani. Këto dy emërtime përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të traditës antike të emërtimit Alban-, e cila do të marrë një rëndësi shumë më të madhe në burimet mesjetare dhe moderne.

Në këtë kuptim, harta e Bertiusit nuk duhet parë vetëm si një riprodhim i një harte të lashtë. Ajo është një dokument i historisë së kujtesës gjeografike evropiane: një dëshmi se si, shumë shekuj pas Ptolemeut, gjeografia e Ilirisë dhe e hapësirave shqiptare vazhdonte të jetonte në hartografinë shkencore evropiane.

Filed Under: Ekonomi

KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË

September 24, 2026 by s p

Nga Fadil Ferizi/

Kosova ka marrë pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në një pozitë të veçantë: është shtet i njohur nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit ndërkombëtar, por ende nuk është anëtare e OKB-së. Për këtë arsye, prania në New York ka rëndësi jo vetëm protokollare, por edhe politike. Ajo i ofron Kosovës mundësinë të zhvillojë kontakte me shtete dhe institucione që ndikojnë drejtpërdrejt në proceset e njohjes, integrimit euroatlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Agjenda e këtij viti përfshin disa çështje të ndërlidhura: marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, njohjet e reja, raportet me Serbinë, gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, tërheqjen e investimeve dhe trajtimin institucional të zhvillimeve në Dhomat e Specializuara pas aktgjykimit të 16 shtatorit.

Sesioni zhvillohet në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga luftërat, rivalitetet gjeopolitike, pasiguria ekonomike dhe debatet mbi efektivitetin e multilateralizmit. Tema e sesionit, “Rikthimi i besimit, menaxhimi i transformimit: një Organizatë e Kombeve të Bashkuara që jep rezultate për të gjithë”, e vendos theksin te funksionimi i institucioneve ndërkombëtare dhe aftësia e tyre për të prodhuar rezultate. Për Kosovën, kjo e bën të rëndësishme që takimet në New York të lidhen me objektiva të matshme dhe me procese që vazhdojnë pas përfundimit të sesionit.

Përbërja e delegacionit kosovar pasqyron disa nga këto prioritete. Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar praninë e ministrit të Financave Hekuran Murati, ministrit të Administratës Publike dhe Digjitalizimit Lulëzon Jagxhiu, zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës Kreshnik Ahmeti dhe ambasadorit të Kosovës në Washington, Ilir Dugolli. Në aktivitetet e delegacionit është i pranishëm edhe Blerim Reka. Pjesë e agjendës janë gjithashtu kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, dhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kjo përbërje lidh diplomacinë politike me çështjet e sigurisë, ekonomisë, investimeve, digjitalizimit dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Megjithatë, rëndësia e delegacionit nuk përcaktohet vetëm nga përfaqësimi institucional. Ajo varet nga objektivat e përcaktuara, niveli i bashkëbiseduesve dhe rezultatet që mund të dokumentohen pas vizitës.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten një nga prioritetet kryesore. Në takimin me kongresistin republikan Mike Lawler janë diskutuar siguria, energjia, investimet, sundimi i ligjit, integrimi në NATO, gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe aktgjykimi i Dhomave të Specializuara. Kryeministri Kurti ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për rifillimin e Dialogut Strategjik Kosovë-SHBA.

Në takimin me kongresistin Joe Wilson janë trajtuar mbrojtja, partneriteti i FSK-së me Gardën Kombëtare të Iowa-s, siguria e Ballkanit Perëndimor, NATO-ja, organizatat ndërkombëtare dhe synimi i Kosovës për pjesëmarrje të plotë në OSBE.

Këto kontakte mund të kenë vlerë politike, por ndikimi i tyre varet nga vazhdimësia institucionale. Nëse dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara rifillon, ai duhet të përfshijë objektiva të përcaktuara në siguri, mbrojtje, energji, ekonomi dhe diplomaci. Një mekanizëm i rregullt konsultimi do të ishte më i dobishëm se kontaktet e izoluara gjatë një sesioni ndërkombëtar.

E njëjta qasje vlen për anëtarësimin në NATO. Kosova duhet ta trajtojë këtë synim si proces diplomatik dhe institucional, jo vetëm si deklaratë politike. Përparimi kërkon koordinim me shtetet anëtare, veçanërisht me ato që nuk e njohin Kosovën, si dhe forcim të kapaciteteve të sigurisë, sundimit të ligjit dhe kontrollit demokratik të institucioneve të mbrojtjes.

Argumenti kryesor duhet të jetë se integrimi i Kosovës kontribuon në sigurinë euroatlantike dhe në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Për ta mbështetur këtë argument, Prishtina duhet të paraqesë rezultate konkrete në reformat institucionale, bashkëpunimin e sigurisë dhe përafrimin me standardet e Aleancës.

Sesioni i Asamblesë së Përgjithshme krijon gjithashtu mundësi për diplomacinë e njohjeve. Prania e delegacioneve nga shumë shtete në të njëjtin vend e lehtëson vendosjen e kontakteve politike, por nuk e zëvendëson punën dypalëshe. Shtetet që nuk e njohin Kosovën kanë interesa dhe kufizime të ndryshme; për këtë arsye, qasja duhet të përshtatet sipas secilit rast.

Në disa raste mund të ketë peshë argumenti juridik, në të tjera bashkëpunimi ekonomik, siguria, marrëdhëniet rajonale ose interesat e përbashkëta në organizatat ndërkombëtare. Prandaj, rezultat i dobishëm i sesionit do të ishte identifikimi i shteteve prioritare, përcaktimi i kanaleve të komunikimit dhe krijimi i një plani vijues për secilin kontakt.

Kjo diplomaci duhet të zhvillohet në kushtet e një përballjeje të vazhdueshme me Serbinë. Beogradi e kundërshton shtetësinë e Kosovës përmes diplomacisë, argumenteve juridike dhe ndikimit në narrativën ndërkombëtare. Për t’iu përgjigjur kësaj qasjeje, Kosovës i nevojitet një kapacitet i qëndrueshëm i diplomacisë juridike dhe komunikimit ndërkombëtar.

Opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dokumentet e OKB-së për Kosovën, raportet ndërkombëtare për represionin, dëbimet dhe krimet e viteve 1998-1999, si dhe argumentet mbi shtetësinë duhet të sistemohen në materiale të përditësuara dhe të përdorshme nga ambasadat dhe institucionet e Kosovës. Kjo do ta mundësonte një përgjigje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme ndaj pretendimeve të Serbisë.

Prania e Ardita Sinanit dhe Shaip Kamberit e lidh këtë agjendë me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në takimet me kongresistët amerikanë janë ngritur çështje si nënpërfaqësimi në institucionet e Serbisë, pasivizimi i adresave, pengesat në arsim dhe mosnjohja e diplomave.

Për t’u trajtuar në mënyrë efektive, këto çështje duhet të mbështeten me të dhëna, dokumente dhe raste të verifikueshme. Një dosje në gjuhën angleze, e përditësuar dhe e shpërndarë te institucionet amerikane, evropiane dhe organizatat ndërkombëtare, do ta bënte më të qartë natyrën e problemeve dhe do të krijonte bazë për kërkesa konkrete ndaj Beogradit.

Ekonomia është një tjetër komponent i kësaj agjende. Takimet e ministrit Hekuran Murati me investitorë amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë mund të jenë të dobishme nëse shoqërohen me projekte të identifikueshme, procedura të qarta dhe mekanizma përcjellës. Investimet e huaja mund të ndikojnë edhe në marrëdhëniet politike, sepse krijojnë lidhje ekonomike dhe interesa të përbashkëta. Megjithatë, ky ndikim varet nga stabiliteti rregullator, transparenca dhe aftësia e institucioneve për t’i zbatuar marrëveshjet.

Në këtë proces mund të angazhohet edhe diaspora shqiptaro-amerikane. Përveç rolit në mobilizimin politik, ajo mund të kontribuojë përmes ekspertizës profesionale, rrjeteve akademike, investimeve dhe lidhjeve me institucionet amerikane. Për këtë nevojitet një politikë e strukturuar e angazhimit, me objektiva dhe kanale të përcaktuara, jo vetëm mobilizim gjatë vizitave zyrtare.

Koordinimi me Shqipërinë ka rëndësi të veçantë në këtë fushë. Të dyja vendet janë shtete sovrane, por kanë interesa të përbashkëta në siguri, integrim euroatlantik, të drejtat e shqiptarëve në rajon dhe përfaqësimin në organizatat ndërkombëtare. Shqipëria, si anëtare e OKB-së, mund të ofrojë mbështetje institucionale dhe diplomatike në çështje ku Kosova nuk ka të njëjtën qasje formale.

Ky koordinim duhet të jetë i rregullt dhe transparent, duke respektuar kompetencat e secilit shtet. Ai mund të përfshijë shkëmbim informacioni, harmonizim të mesazheve diplomatike dhe mbështetje të ndërsjellë në nisma ndërkombëtare.

Në këtë kuadër duhet të trajtohet edhe zhvillimi i fundit në Dhomat e Specializuara. Aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka pasoja juridike dhe politike që kërkojnë vlerësim institucional. Kryeministri Kurti e ka ngritur këtë çështje në New York, përfshirë në takimin me kongresistin Mike Lawler.

Reagimi i institucioneve të Kosovës duhet të respektojë pavarësinë e procesit gjyqësor dhe kompetencat e palëve në procedurë. Në të njëjtën kohë, institucionet mund t’i informojnë partnerët ndërkombëtarë për qëndrimet e tyre, për çështjet që lidhen me të drejtat procedurale dhe për ndikimin e mundshëm të zhvillimeve në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo kërkon koordinim ndërmjet institucioneve politike, juridike dhe diplomatike, pa zëvendësuar punën e mbrojtjes ligjore.

Në fund, rezultatet e sesionit duhet të vlerësohen përmes treguesve konkretë: takimeve me shtetet mosnjohëse, hapjes së proceseve të reja diplomatike, avancimit të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, mbështetjes për integrimin në NATO dhe organizatat ndërkombëtare, zhvillimit të dosjes për Luginën e Preshevës dhe konkretizimit të kontakteve ekonomike.

Këta tregues e lidhin praninë në New York me punën institucionale pas sesionit. Takimet dhe komunikatat janë pjesë e diplomacisë, por vlera e tyre përcaktohet nga veprimet që pasojnë: marrëveshjet, proceset e hapura, mbështetja e siguruar dhe rezultatet e matshme.

Kosova ka interesa të shumta ndërkombëtare, por ato duhet të organizohen në një strategji të përbashkët. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, integrimi euroatlantik, njohjet, përballja me Serbinë, të drejtat e shqiptarëve në Luginë, investimet, diaspora, koordinimi me Shqipërinë dhe zhvillimet në Dhomat e Specializuara kërkojnë ndarje të qartë përgjegjësish dhe vazhdimësi institucionale.

Suksesi i sesionit të 81-të do të vlerësohet jo nga numri i takimeve, por nga ajo që këto takime prodhojnë pas kthimit të delegacionit në Prishtinë.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 255
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kinematografia e Kosovës shkëlqen në Nju Jork
  • NGA UNITETI I ALFABETIT TE UNITETI I VIZIONIT
  • “Dyqani i helmeve”, një parabolë groteske mbi zbrazëtinë ekzistenciale
  • Rinia në shesh, intelektualët në dilemë dhe përgjegjësia morale e një kombi
  • LASGUSH PORADECI – POEZIA SI PIKTURË
  • Alfabeti dhe kokat e mendjes shqiptare
  • AT GJERGJ FISHTA DHE KONGRESI I ALFABETIT – KUR SHKRONJAT U BËNË BESË, GJUHË DHE BASHKIM KOMBËTAR
  • VOTUESIT AMERIKANË FOLËN — DEMOKRACIA KA NEVOJË PËR EKUILIBËR DHE KONTROLL TË PUSHTETEVE
  • PARIMI I NACIONALIZMIT SHQIPTAR
  • Shkrimtari dhe ndjenja e detyrimit moral ndaj shoqërisë
  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT