• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Karakasi në Ballkan: fuqia amerikane si faktor stabiliteti dhe ndalues i krimit shtetëror

January 6, 2026 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj

Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup/

Operacioni amerikan në Venezuelë nuk përfaqëson një akt arbitrar force, por vazhdimësi të një doktrine të provuar historikisht: ndërhyrja vendimtare për të ndalur regjime të kapura nga krimi, represioni dhe destabilizimi rajonal. Ky veprim duhet parë në të njëjtin kontekst strategjik dhe moral me ndërhyrjen e NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 1999 kundër Serbisë, kur u ndal spastrimi etnik, vrasjet masive dhe shkatërrimi sistematik i popullsisë civile në Kosovë.

Ashtu si atëherë, edhe sot, Shtetet e Bashkuara veprojnë mbi parimin se sovraniteti nuk mund të shërbejë si mburojë për krimin shtetëror. Kapja e Nicolás Maduro dhe transferimi i tij për gjykim nuk është shkelje e rendit ndërkombëtar, por rikthim i përgjegjësisë personale për liderët që e kanë shndërruar shtetin në instrument të karteleve dhe represionit.

Precedenti i vitit 1999: kur forca ndaloi gjenocidin

Historia e Kosovës e dëshmon qartë se veprimet e SHBA-së nuk kanë qenë as aventurë politike, as dominim imperial, por ndërhyrje shpëtuese. Në vitin 1999, pa leje nga Këshilli i Sigurimit, por me legjitimitet moral dhe historik, NATO ndali spastrimin etnik dhe vrasjet masive të shqiptarëve të Kosovës. Pa atë ndërhyrje, Ballkani sot do të kishte një realitet krejt tjetër, shumë më të errët.

Ky precedent është thelbësor për të kuptuar Venezuelën: kur mekanizmat ndërkombëtarë bllokohen dhe kur krimi institucional bëhet kërcënim rajonal dhe global, veprimi amerikan shndërrohet në faktor stabiliteti.

Energjia, siguria dhe përgjegjësia globale

Është e vërtetë që Venezuela ka rezerva kolosale të naftës, por reduktimi i ndërhyrjes amerikane vetëm në aspektin energjetik është analizë sipërfaqësore. Në një botë të përballur me krim transnacional, narkotrafik dhe financim të destabilizimit përmes shteteve të dështuara, kontrolli mbi regjime kriminale është pjesë e sigurisë globale. Administrata amerikane, ashtu si në vitin 1999, nuk e fshehu vendosmërinë e saj. Mesazhi ishte i qartë: shtetet që shndërrohen në platforma të krimit ndërkombëtar nuk mund të mbrohen pas parullës së sovranitetit.

Mesazh për Ballkanin: sovraniteti nuk është alibi

Prononcimet analitike të kohëve të fundit e lexojnë rastin e Venezuelës si paralajmërim edhe për hapësira të tjera problematike, përfshirë Ballkanin. Kjo nuk është kërcënim për shtetet demokratike, por sinjal për regjimet që burojnë nga zgjedhje të manipuluara dhe që mbijetojnë përmes lidhjeve me krimin dhe propagandës pseudo-sovraniste.

Në Ballkan, tentativa për të mbrojtur struktura të komprometuara duke përdorur narrativën e “ndërhyrjes së huaj” bie ndesh me përvojën historike të Kosovës. Pikërisht ndërhyrja amerikane ishte ajo që shpëtoi popullin shqiptar dhe krijoi bazën për stabilitet afatgjatë.

Fuqia amerikane si garanci e rendit të ri

Rendi ndërkombëtar nuk ka rënë; ai është riformatuar. SHBA-ja vazhdon të jetë faktori kyç që vendos vijat e kuqe ndaj krimit shtetëror, qoftë në Evropë, Amerikën Latine apo gjetkë. Në këtë kuptim, veprimet amerikane nuk minojnë stabilitetin global, por e ruajnë atë.

Përfundim

Nga Kosova e vitit 1999 te Venezuela e sotme, veprimet e Shteteve të Bashkuara tregojnë një vijë të qartë: kur diplomacia dështon dhe krimi shtetëror kërcënon jetën e njerëzve dhe stabilitetin rajonal, forca bëhet mjet i domosdoshëm për mbrojtjen e paqes. Për shtetet e vogla, përfshirë ato të Ballkanit, mesazhi është i qartë: aleanca me SHBA-në nuk është rrezik për sovranitetin, por garanci për mbijetesë, siguri dhe stabilitet.

Filed Under: Ekonomi

Evropa mes forcimit të aftësive mbrojtëse dhe ruajtjes së ekuilibrit ndërmjet sigurisë dhe racionalitetit strategjik

January 2, 2026 by s p

Prof.dr.Muhamet Racaj/

Prej disa kohësh po përballemi me një pyetje që po qarkullon gjithnjë e më shpesh në media, analiza dhe rrjete sociale: a po shkon Evropa drejt një përplasjeje të drejtpërdrejtë me Rusinë në vitin 2027? Titujt janë dramatikë, videot alarmiste dhe gjuha e përdorur shpesh krijon ndjenjën se lufta është vetëm çështje kohe. Por a është kjo realisht ajo që po ndodh, apo jemi dëshmitarë të një politike të frikës së menaxhuar? Si dikush që e ndjek prej vitesh fushën e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, e shoh me shqetësim se si analiza serioze shpesh zëvendësohet nga parashikime të thjeshtuara dhe data të “magjishme”. Viti 2027 po shndërrohet në simbol, jo sepse ekziston një plan konkret lufte, por sepse frika shitet lehtë dhe mobilizon shpejt.

Pa dyshim, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Evropës janë në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Lufta në Ukrainë ka shembur iluzionin se rendi evropian i sigurisë ishte i përhershëm. NATO është rikthyer në qendër të vëmendjes, buxhetet e mbrojtjes janë rritur dhe gjuha politike është bërë më e ashpër. Por përgatitja për mbrojtje nuk është e barabartë me dëshirën për luftë.
Problemi real qëndron te keqkalkulimi. Kur secila palë e interpreton veprimin mbrojtës të tjetrës si kërcënim ofensiv, hapet rruga për gabime strategjike. Historia na ka mësuar se luftërat shpesh nuk nisin sepse dikush i planifikon me saktësi, por sepse palët e humbin aftësinë për të lexuar saktë qëllimet e njëra-tjetrës.

Ndërkohë, ajo që po ndodh tashmë është një luftë tjetër — më pak e dukshme, por shumë reale. Sulmet kibernetike, dezinformimi, presioni energjetik dhe manipulimi i krizave sociale janë bërë pjesë e përditshmërisë evropiane. Kjo është luftë hibride, dhe ajo nuk ka nevojë për shpallje zyrtare apo data kalendarike. Në këtë kuptim, pyetja nuk është kur do të nisë lufta, por si po zhvillohet ajo tashmë.

Evropa, fatkeqësisht, nuk është gjithmonë e bashkuar në këtë lexim. Disa shtete e shohin Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë, të tjera vazhdojnë të lëkunden mes interesave ekonomike dhe frikës politike. Ky fragmentim i brendshëm është ndoshta dobësia më e madhe evropiane, më shumë sesa çdo kërcënim i jashtëm.
Në Ballkan, këto narrativa shpesh reflektohen me intensitet edhe më të madh. Rajoni ynë historikisht ka qenë i ndjeshëm ndaj tensioneve të fuqive të mëdha. Megjithatë, sot rreziku kryesor nuk vjen nga një luftë e drejtpërdrejtë Rusi–Evropë, por nga paaftësia jonë për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe politika të pjekura. Frika e importuar shpesh përdoret për të mbuluar dështimet e brendshme.

Prandaj, kur dëgjoj parashikime kategorike për vitin 2027, më shumë se frikë ndiej nevojën për qartësi. Lufta nuk është e pashmangshme. Ajo bëhet e mundshme vetëm kur frika zë vendin e racionalitetit dhe kur diplomacia shihet si dobësi, jo si mjet force.
Evropa ka nevojë për vigjilencë strategjike përballë zhvillimeve të sigurisë, por kjo nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një gjendje të përhershme alarmi. Krahas gatishmërisë mbrojtëse, kërkohen maturi institucionale, mendim kritik dhe guxim politik për të shmangur robërimin e diskursit publik dhe vendimmarrjes nga narrativa alarmiste. Përvoja historike dëshmon se përshkallëzimi i konflikteve nuk ndodh domosdoshmërisht në momentin kur kapacitetet ushtarake janë të konsoliduara, por atëherë kur frika kolektive fillon të dominojë arsyetimin racional dhe proceset politike.

Në këtë kuptim, sfida kryesore për Evropën nuk qëndron vetëm në forcimin e aftësive mbrojtëse, por edhe në ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet sigurisë dhe racionalitetit strategjik, duke parandaluar që perceptimet e kërcënimit të shndërrohen në profeci vetëpërmbushëse.

Foto: reporter.al

Filed Under: Ekonomi

Kartolinat festive si dëshira të shkruara

December 31, 2025 by s p

Besnik Fishta

Ne që kemi dërguar dhe marrë kartolina e dimë mirë se ato nuk ishin thjesht urime,sepse ajo ishte, mbi të gjitha, shprehje dëshire. Urimi ishte formula e jashtme, dëshira ishte thelbi. Në pak rreshta shkruhej ajo që nuk thuhej çdo ditë, shpresa për një vit më të mbarë, për sukses, për dashuri, për shëndet, për një fillim të ri etj. Kartolinat nuk i dërgonim vetëm kushërinjve, i dërgonim edhe shokëve të vjetër, atyre që koha i kishte shpërndarë, por kurrë të zhdukur nga kujtesa. Madje, i dërgonim edhe shokëve te rinj me të cilët rrinim çdo ditë, apo fqinjëve që i përshëndesnim përditë në shkallet e pallatit, rrugicat apo oborret tona. Jo nga nevoja,apo interesi, siç emertohet sot, por nga respekti. Sepse donim të shprehnim dashuri dhe të uronim mirësi për të gjithë, pa përjashtim.  Kartolina nuk ishte e njëjtë për të gjithë. Imazhet në kartolina ishin të larmishme. Babagjyshi i Vitit të Ri ishte i pranishëm kudo, por jo i vetmi. Kishte pamje dimri dhe vjeshte, natyrë të qetë, qytete, peizazhe turistike. Në periudhën socialiste, kartolinat shpesh shoqëroheshin me industri, fabrika, ndërtime dhe simbole të punës kolektive, madje edhe me heronj të punës dhe të luftës. Sepse, sigurisht, urimi festiv nuk mund ti shpëtonte frymës ideologjike të kohës. Për fëmijët e vegjël zgjidheshin pamje me Babagjyshin e Vitit të Ri, me lodra, me drita dhe borë. Për adoleshentët, kartolina ishte më simbolike, më dinamike, me ngjyra të forta dhe nënkuptime për rritjen, ëndrrat dhe guximin. Ndërsa për moshat e mëdha, për prindërit dhe pensionistët, kartolina mbante urime për shëndet, qetësi, jetë të gjatë dhe gëzime familjare. Veçanërisht të bukura ishin kartolinat që lidhnin urimin me një moment konkret të jetës. Uroheshin rezultatet në mësime, një diplomë e marrë, fillimi i një pune apo edhe i pensionimit. Urohej edhe gjetja e një shoku apo shoqeje te jetes, shpesh duke përmendur shpresën që viti i ri të sillte një lidhje të re. Për çiftet e reja, kartolina përcillte urimin për bashkim, premtimin e vazhdimësisë dhe, patjetër, edhe hapin drejt martesës. Kartolinat nuk ndodhte të hidheshin. Ato ruheshin duke u vendosur në vende të dukshme, te pema e Vitit të Ri, mbi xhamin e bufesë, mbi televizor apo në raftet e librave. Qëndronin aty për ditë e javë, si dëshmi e vëmendjes dhe e dashurise njerëzore. Më pas futeshin në kuti, mes librave, për t’u zbuluar pas vitesh si kujtime të papritura, ose nga koleksionistët në albume, si vendet më të sigurta.

 Posta kishte shume pune, sidomos ne fundvit. Postierët njihnin adresat, njihnin njerëzit, njihnin lagjet. Kartolinat rrallë humbnin, ishte pothuajse e paimagjinueshme që një urim të mos mbërrinte. Ekzistonte një besim i ndërsjellë mes dërguesit, postës dhe marrësit, një zinxhir njerëzor dhe institucional që sot duket i largët dhe i dëshiruar. Kartolina e dikurshme ishte një formë komunikimi që bashkonte urimin me dëshirën, imazhin me fjalën, dërguesin me marrësin, në një ritëm të ngadaltë, por të ndjerë. Sot, kartolinat digjitale kanë zënë vendin e tyre. Urimet bëhen me SMS, me e-mail, me rrjete sociale. Janë të shpejta, racionale në shpenzimin e kohës dhe të hollave, dhe sigurisht të shumta. Një imazh i dërguar me një klik mjafton. Pullat nuk janë më të domosdoshme, sepse kartolina fizike nuk është më e pranishme. Por bashkë me shpejtësinë e përcjelljes së imazheve dhe klikimeve, ka humbur edhe diçka tjetër, koha e mendimit dhe e përzgjedhjes se tij. Kartolina prej letre kërkonte zgjedhje imazhi, formulim dëshire, shkrim i kujdeseshem me dorë dhe durim për mbërritjen. Ne nuk themi se e shkuara ishte më e mirë, por pohojmë se ishte një kohë tjetër, e ndryshme nga sot dhe me siguri e paperseriteshme me pas. Sot urimet janë më të shumta se kurrë, dhe kjo ndoshta është gjë e mirë, por kartolina prej letre mbetet një kujtim i prekshëm i një kohe kur një dëshirë shkruhej, dërgohej dhe pritej. Dhe ndoshta për këtë arsye, qindra apo mijëra prej tyre ende ruhen, jo nga nevoja, por nga kuptimi që patën dhe kujtesa qe mbartin.

Filed Under: Ekonomi

Vota e Kosovës nuk ishte kundërshti — ishte dinjitet

December 31, 2025 by s p

Nga Cafo Boga – 30 dhjetor 2025/

Fitorja bindëse zgjedhore e Albin Kurtit dhe partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, u interpretua gjerësisht jashtë vendit si një episod tjetër i tensioneve politike mes Prishtinës dhe partnerëve të saj perëndimorë. Brenda Kosovës, megjithatë, votuesit po dërgonin një mesazh shumë më të qartë dhe thellësisht demokratik: legjitimiteti buron nga populli, jo nga miratimi i jashtëm.

Kjo nuk ishte një votë kundër Perëndimit. Kosova mbetet një nga shoqëritë më pro‑amerikane dhe pro‑evropiane në botë. Përkundrazi, ishte një votë kundër një kulture politike që për një kohë të gjatë ka barazuar diplomacinë me nënshtrim dhe sovranitetin me pengesë.

Pse Fitoi Kurti

Për vite me radhë, opozita e Kosovës ka paralajmëruar se politikat e Kurtit do ta largonin Kosovën nga Uashingtoni dhe Brukseli. Ky argument dikur kishte peshë. Sot, nuk e ka më.

Votuesit janë lodhur nga një doktrinë politike që mund të përmblidhet në një fjali: “Amerika ka të drejtë edhe kur gabon.” Ajo që shumë kosovarë sot e refuzojnë nuk është partneriteti perëndimor, por servilizmi politik — ideja se politikat e brendshme duhet të formësohen më shumë për rehati të jashtme sesa për pëlqim të brendshëm.

Forca tërheqëse e Kurtit qëndron në një dallim të thjeshtë, por të fuqishëm: partneriteti nuk kërkon bindje. Sovraniteti, në kuptimin e tij, nuk është izolim, por dinjitet. Ky mesazh gjeti jehonë tek një elektorat që është pjekur politikisht dhe që nuk e sheh më pavarësinë si simbolike, por si praktike dhe institucionale.

Po aq e rëndësishme është edhe fakti se Vetëvendosje ka përfituar nga një perceptim i përhapur — pavarësisht nëse është plotësisht i drejtë apo jo — se ajo është më pak e komprometuar nga rrjetet e korrupsionit të pasluftës, veçanërisht ato të lidhura me privatizimin. Në një shoqëri që ende jeton me pasojat e padrejtësisë ekonomike, ky perceptim ka peshë reale.

Pse HumbI Opozita

Opozita nuk humbi sepse Kurti është i pathyeshëm. Ajo humbi sepse dështoi të evoluojë.

Udhëheqja e saj mbetet kryesisht e ricikluar nga periudha e pasluftës. Fushatat e saj mbështeten më shumë në sinjale diplomatike sesa në përmbajtje politike. Dhe shumë shpesh, politika opozitare është përcaktuar jo nga një vizion për Kosovën, por nga armiqësia ndaj vetë Kurtit.

Edhe më dëmtuese është një problem i vazhdueshëm besueshmërie. Shumë figura opozitare — veçanërisht ato që kanë dalë nga strukturat e pushtetit të pasluftës të lidhura me ish-pjesëtarë të UÇK-së — perceptohen gjerësisht si përfitues të privatizimeve të padrejta ose të errëta. Ky perceptim nuk është adresuar kurrë në mënyrë të sinqertë dhe transparente.

Lufta çlirimtare mbetet e shenjtë në kujtesën kolektive të Kosovës. Por votuesit gjithnjë e më shumë bëjnë dallimin mes legjitimitetit të luftës dhe përgjegjësisë në paqe. Përdorimi i së parës për të mbrojtur mungesën e së dytës është bërë politikisht i papranueshëm.

Çështja e Privatizimit që Kosova Nuk Mund ta Shmangë Më

Procesi i privatizimit pas luftës në Kosovë mbetet një nga plagët më të pazgjidhura të shtetit. Mbikëqyrja e dobët, ndërhyrjet politike, konfliktet e interesit dhe rikuperimi minimal i pasurisë kanë lënë gjurmë të thella në besimin publik.

Sfida për qeverinë e Kurtit nuk është nëse duhet të merret me këtë trashëgimi, por si.

Fajësimi kolektiv do të ishte katastrofik. Hakmarrja politike do të ishte destabilizuese. E vetmja rrugë e qëndrueshme është ajo institucionale: auditime, rishikime ligjore, ndjekje të pavarura penale dhe rikuperim pasurie aty ku ligji e lejon. Heroizmi në luftë nuk mund të përkthehet në imunitet në paqe — por as drejtësia nuk duhet të politizohet.

Nëse trajtohet drejt, ky proces mund të rikthejë besimin në shtet. Nëse trajtohet keq, mund të polarizojë shoqërinë dhe të diskreditojë reformat.

Çfarë Duhet të Bëjë Kurti — dhe Çfarë Duhet të Shmangë

Mandati i Kurtit është i fortë, por është i kushtëzuar.

Votuesit presin rezultate: përparim real në sundimin e ligjit, përmirësim të prekshëm ekonomik dhe institucione që funksionojnë të pavarura nga presioni politik. Ata presin gjithashtu komunikim më të mirë — jo vetëm me partnerët e jashtëm, por edhe me qytetarët e Kosovës.

Po aq e qartë është ajo që Kurti duhet të shmangë: centralizimin e tepruar të pushtetit, etiketimin e çdo kritike si presion i jashtëm dhe drejtësinë selektive. Votuesit e Kosovës shpërblejnë performancën, jo privilegjin — dhe e kanë treguar se janë të gatshëm të ndryshojnë drejtim kur zhgënjehen.

Serbia: Vendosmëri Pa Teatër

Marrëdhëniet me Serbinë do të mbeten sfida më e ndjeshme e Kosovës. Këtu, instinkti i Kurtit për vendosmëri gëzon mbështetje të gjerë — por kjo vendosmëri duhet të jetë strategjike, jo teatrale.

Vijat e kuqe të Kosovës janë të qarta: sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues nuk janë të negociueshme. Megjithatë, fleksibiliteti në proces, durimi diplomatik dhe këmbëngulja në zbatim — e jo në rinegocim të pafund — janë thelbësore.

Dialogu duhet të kalojë nga koncesioni te përmbushja e detyrimeve. Marrëveshjet pa mekanizma zbatimi e dobësojnë Kosovën më shumë sesa mungesa e marrëveshjeve. Duke e ankoruar procesin në të drejtën ndërkombëtare dhe standardet evropiane, Kosova e riformulon çështjen si problem të harmonizimit të Serbisë — jo si problem legjitimiteti të Kosovës.

Beogradi, veçanërisht nën Aleksandar Vuçiçin, lulëzon në paqartësi dhe menaxhim krizash. Avantazhi i Kosovës qëndron te parashikueshmëria, ligjshmëria dhe konsolidimi i qetë institucional, sidomos në veri.

Zgjedhja e Opozitës: Ripërtëritje Apo Pambarimësi

Demokracia e Kosovës nuk mund të funksionojë pa një opozitë të besueshme. Por besueshmëria nuk rikthehet përmes takimeve në ambasada apo riciklimit të udhëheqjes.

Partitë opozitare duhet të rilidhen me votuesit, të rinovojnë udhëheqjen, të artikulojnë politika të qarta ekonomike dhe sociale, dhe të përballen me pyetje të pakëndshme mbi qeverisjen e kaluar — veçanërisht privatizimin. Të jesh pro-perëndimor duhet të nënkuptojë partneritet, jo varësi.

Opozita që ndërtohet vetëm mbi të qenit “anti-Kurti” nuk është opozitë. Është shmangie.

Një Votë për Pjekuri Institucionale

Zgjedhjet e fundit shënojnë një pikë kthese. Votuesit nuk impresionohen më nga slogane, simbolikë apo merita historike. Ata kërkojnë sovranitet pa izolim, përgjegjësi pa hakmarrje dhe udhëheqje pa servilizëm.

Elektorati ka folur qartë. Nëse klasa politike e Kosovës do ta dëgjojë — në të dyja anët e spektrit — kjo do të përcaktojë jo vetëm suksesin e qeverisë aktuale, por edhe pjekurinë e ardhshme të republikës.

Përfundim: Nga Mandati në Pjekurinë Institucionale

Rezultati i fundit zgjedhor në Kosovë pasqyron një evoluim të qartë të pritshmërive demokratike. Votuesit kanë lënë pas simbolikën e pasluftës dhe legjitimitetin e ndërmjetësuar nga jashtë, duke kërkuar qeverisje të bazuar në performancë, besueshmëri institucionale dhe përgjegjësi politike. Mandati i ripërtërirë i Albin Kurtit duhet kuptuar jo si miratim i retorikës, por si një autorizim i kushtëzuar për të qeverisur në mënyrë efektive.

Ky mandat do të zgjasë vetëm nëse sovraniteti përkthehet në institucione të forta e jo në pushtet të centralizuar, nëse përgjegjësia ndiqet përmes sundimit të ligjit e jo përmes përplasjes politike, dhe nëse reformat zhvillohen me disiplinë, durim dhe respekt për pluralizmin demokratik. Mënyra se si qeveria do t’i trajtojë trashëgimitë e pazgjidhura të privatizimit, marrëdhëniet me Serbinë dhe pavarësinë institucionale do të jenë prova vendimtare të pjekurisë së saj qeverisëse.

Njëkohësisht, konsolidimi demokratik i Kosovës varet edhe nga cilësia e opozitës. Pa alternativa të besueshme, të mbështetura në transparencë, ripërtëritje udhëheqjeje dhe vizion të qartë politik, konkurrenca demokratike do të mbetet strukturalisht e pabalancuar — jo për shkak të detyrimit, por nga mungesa e zgjedhjes.

Në fund, stabiliteti afatgjatë i Kosovës do të varet më pak nga miratimi i jashtëm dhe më shumë nga aftësia e saj për të përvetësuar normat demokratike: institucionet mbi individët, përgjegjësinë mbi imunitetin dhe qytetarinë mbi besnikërinë fraksionare. Elektorati e ka artikuluar qartë këtë pritshmëri. Nëse klasa politike do të arrijë ta përmbushë, kjo do të përcaktojë rrugëtimin e republikës në vitet që vijnë.

Filed Under: Ekonomi

SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?

December 29, 2025 by s p

Kapja oligarkike, instrumentalizimi i marrëveshjeve themelore, fragmentimi i përfaqësimit politik shqiptar dhe relativizimi i arritjeve kushtetuese formojnë një zinxhir të pandërprerë që synon të mbajë drejtësinë larg dhe integrimin evropian në nivel retorik. Mesazhi është i qartë dhe i pashmangshëm: ose sundimi i ligjit bëhet i panegociueshëm dhe shteti çlirohet nga frika e drejtësisë, ose Maqedonia e Veriut do të mbetet peng i një oligarkie që prodhon kriza.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Në historinë e çdo shteti ekzistojnë momente kur krizat nuk mbeten më sinjale paralajmëruese, por shndërrohen në prova përfundimtare të një rendi që ka hyrë në fazën e tij mbrojtëse. Vitet 2024 dhe 2025 për Maqedoninë e Veriut përfaqësojnë pikërisht një udhëkryq të tillë. Para syve të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë shpaloset jo një përplasje politike e zakonshme, por një reagim i strukturuar dhe i koordinuar i oligarkisë ndaj rrezikut ekzistencial që përfaqëson drejtësia dhe integrimi evropian. Ky vit ka ekspozuar më qartë se kurrë hendekun midis retorikës dhe veprimit, midis premtimeve të mëdha dhe paaftësisë për t’i bërë ato realitet. Nuk është thjesht një vit tjetër tranzicioni; është një vit që ekspozon dobësitë sistematike, shkatërron besimin qytetar dhe risjell në pah rrezikun e konsolidimit të tranzicionit të pafund.

Për herë të parë pas tre dekadash tranzicioni të zgjatur, oligarkia maqedonase del hapur nga prapaskenat, duke përdorur të gjitha instrumentet e saj për të mbajtur nën kontroll proceset shtetërore. Politika, ekonomia,media dhe institucionet janë vënë në funksion të një qëllimi të vetëm: pengimin e reformave që mund ta çojnë vendin drejt një procesi të pakthyeshëm të sundimit të ligjit. Ky mobilizim nuk buron nga ideologjia, por nga paniku, paniku i një elite që e di se integrimi evropian nuk toleron pandëshkueshmërinë.

Thellësia e këtij shqetësimi bëhet e qartë kur analizohet krahasimi rajonal: Mali i Zi dhe Shqipëria kanë demonstruar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është më një ushtrim formal diplomatik, por një mekanizëm i drejtpërdrejtë i drejtësisë. Burgosja e figurave të larta politike dhe ekonomike nuk ishte devijim, por kusht i domosdoshëm. Kroacia përjetoi integrimin përmes ndjekjeve penale ndaj elitave që cenonin interesin shtetëror, ndërsa Shqipëria provoi se SPAK-u nuk është instrument formal, por mjet për thyerjen e epokës së pandëshkueshmërisë. Në kontrast, Maqedonia e Veriut, duke e asgjësuar Prokurorinë Speciale, ka lënë shtetin pa mekanizmin e vet të vetëpastrimit, duke i hapur rrugë konsolidimit të pandëshkueshmërisë.

Kaosi politik dhe ekonomik nuk është rezultat i paaftësisë, por produkt i një strategjie të vetëdijshme. Krizat prodhohen për të fituar kohë, relativizuar kushtëzimin evropian dhe imponuar narrativën e rreme se stabiliteti duhet të paraprijë drejtësinë. Beteja nuk zhvillohet më midis qeverisë dhe opozitës, por midis sundimit të ligjit dhe mbijetesës së oligarkisë. Instrumentalizimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë kornizën maqedono-bullgare, pasqyron të njëjtën logjikë bllokuese. Marrëveshjet themelore, si ajo e Ohrit dhe e Prespës, përdoren më shumë si mjete presioni dhe monedha këmbimi për interesa të ngushta.

Fragmentimi i qëllimshëm i subjektit politik shqiptar dhe likuidimi i atij subjekti që rridhte nga Marrëveshja e Ohrit nuk ishte spontan, por operacion i porositur nga oligarkia dhe realizuar përmes pushtetit ekzekutiv, me rolin qendror të kryeministrit. Qëllimi ishte çmontimi i një faktori politik që mbante lidhje organike me frymën konsensuale të shtetit multietnik dhe orientimi i spektrit shqiptar drejt skajeve ekstremë, për t’i përdorur më pas si faktor destabilizimi. Në fazën e dytë, këto skaje shërbejnë si alibi për fajësimin e shqiptarëve për stagnimin e shtetit dhe dështimet integruese. Dobësimi i statusit të gjuhës shqipe, relativizimi i të arriturave të Marrëveshjes së Ohrit dhe ekspozimi i çështjeve identitare në hapësirën publike janë pjesë e një agjende të mirëkalkuluar, ku oligarkia përdor shqiptarët si instrument për të ruajtur mbijetesën politike.

Deklaratat e BE-së mbi Ballkanin Perëndimor, si dhe aktet zyrtare të Shteteve të Bashkuara, adresojnë drejtpërdrejt këto devijime. Po aq domethënëse është hapja e vendit ndaj narrativave të “botës serbe” dhe rritja e ndikimit ruso-kinez gjatë dy viteve të fundit. Kur Perëndimi kërkon transparencë dhe llogaridhënie, oligarkia kërkon alternativa gjeopolitike ku pandëshkueshmëria nuk vihet në pikëpyetje dhe ku korrupsioni trajtohet si mjet qeverisjeje. Kjo strukturë nuk kufizohet më vetëm në sabotimin e heshtur; ajo prodhon tensione etnike, instrumentalizon ndasitë fetare dhe kultivon frikë kolektive për të zhvendosur debatin publik nga pyetja thelbësore: kush ka kapur shtetin dhe pse i frikësohet drejtësisë? Pengimi i reformave kushtetuese nuk është akt sovraniteti, por përpjekje për ta shndërruar kushtetutën në mburojë personale dhe për ta ngritur pandëshkueshmërinë në parim shtetëror.

Institucionet shtetërore tregojnë shenja të dobësisë së pashmangshme: politizim i thellë, lodhje administrative dhe paaftësi për të menaxhuar sfida afatgjata. Vendimet e vonuara dhe shpesh të nxitura nga interesa të ngushta partiake kanë krijuar një atmosferë cinizmi publik dhe mosbesimi sistemik. Reformimi i administratës, realizimi i projekteve infrastrukturore strategjike dhe përballimi i krizave ekonomike dhe sociale mbeten të pamjaftueshme. Ky boshllëk strategjik ushqen tensionet etnike dhe ndarjet qytetare, duke rrezikuar destabilizimin dhe reduktimin e kredibilitetit të shtetit në arenën ndërkombëtare.

Integrimi evropian, shpallur si orientim strategjik, gjatë këtij viti ka marrë një rol kryesisht retorik. Ai përdoret herë si instrument legjitimues i pushtetit ekzistues, herë si alibi për mosveprim dhe dështimet e brendshme. Ky përdorim i deformuar ka kthyer horizontin e integrimit evropian nga shpresë reale në simbol të pritjes së pafund, duke rrezikuar besimin publik dhe angazhimin qytetar për reforma reale. Nëse kjo dinamikë vazhdon, projekti evropian për Maqedoninë e Veriut mund të degradojë në një narrativë iluzore, duke e izoluara vendin në dimensionin politik, ekonomik dhe diplomatik.

Dobësimi i kapacitetit shtetëror, fragmentimi politik dhe etnik, konsolidimi i tranzicionit të pafund, humbja e besimit qytetar dhe dobësimi i perspektivës evropiane janë kërcënime reale dhe të prekshme. Mosveprimi ka pasoja të drejtpërdrejta: rrit varfërinë, nxjerr jashtë vendit kapitalin njerëzor dhe intelektual, redukton investimet e huaja dhe përkeqëson pozicionin e vendit në dialogun ndërkombëtar. Historia ka treguar se bllokimi i proceseve zgjedhore, mosrealizimi i reformave gjyqësore dhe menaxhimi i dobët i krizave sociale dhe ekonomike çojnë në rritje të tensioneve dhe destabilizim politik, duke dobësuar kredibilitetin e shtetit dhe besimin publik. Pa veprim urgjent, Maqedonia e Veriut rrezikon të hyjë në një fazë afatgjatë të destabilizimit.

Rikthimi i unitetit politik shqiptar është i domosdoshëm për të vendosur interesin shtetformues mbi fragmentimin partiak dhe për të forcuar kapacitetin për ndikim real. Depolitizimi i institucioneve kyçe dhe konsolidimi i mekanizmave të transparencës, llogaridhënies dhe profesionalizmit janë të domosdoshme për vendime afatgjata dhe efektive. Integrimi evropian duhet të shndërrohet nga narrativë retorike në projekt real reformues, me matje të qarta të progresit dhe monitorim të vazhdueshëm. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe garantimi i standardeve të barazisë janë jetikë për të reduktuar tensionet dhe për të siguruar stabilitet institucional.

Hartimi i një narrative shtetformuese gjithëpërfshirëse që harmonizon interesat etnike, qytetare dhe integruese është i domosdoshëm për të ndërtuar besim publik dhe vizion afatgjatë. Veprim urgjent është i domosdoshëm; çdo vonesë mund të shkaktojë krizë të menjëhershme dhe pasoja të pakthyeshme për stabilitetin politik, ekonomik dhe social të vendit.

Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq historik;pa unitet politik, institucione funksionale dhe orientimi strategjik ndaj integrimit evropian, vendi rrezikon të mbetet peng i tranzicionit të pafund, i fragmentimit politik dhe i paaftësisë institucionale.

Ky realitet nuk përbën thjesht një krizë qeverisjeje, por një provë morale dhe strategjike për karakterin e shtetit. Kapja oligarkike, instrumentalizimi i marrëveshjeve themelore, fragmentimi i përfaqësimit politik shqiptar dhe relativizimi i arritjeve kushtetuese formojnë një zinxhir të pandërprerë që synon të mbajë drejtësinë larg dhe integrimin evropian në nivel retorik. Mesazhi është i qartë dhe i pashmangshëm: ose sundimi i ligjit bëhet i panegociueshëm dhe shteti çlirohet nga frika e drejtësisë, ose Maqedonia e Veriut do të mbetet peng i një oligarkie që prodhon kriza për të shtyrë llogaridhënien. Integrimi evropian nuk është më çështje kapitujsh apo afatesh teknike, por zgjedhje thelbësore midis shtetit si komunitet qytetarësh të barabartë dhe shtetit si strehë e pandëshkueshmërisë. Vetëm aty ku askush nuk është mbi ligjin, Evropa pushon së qeni premtim politik dhe shndërrohet në realitet historik.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 229
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË PORTRET QË VAZHDON TË PASUROHET
  • Përkujtojmë sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, rilindësin Jeronim de Rada
  • LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, Z. ALBIN KURTI
  • Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan
  • Kur harrojmë historinë dhe rrënjët tona, rrezikojmë të humbasim vetveten
  • SHBA-ja dhe Izraeli nisën njё sulm të madh ndaj objektivave në mbarë Iranin
  • “Portret Historik” – Mehdi Frashëri: Një profil mes shtetformimit dhe historiografisë
  • Drejtësia ndërkombëtare, narrativat gjeopolitike dhe kohezioni shqiptar
  • EDITORI I DIELLIT DR. ATHANAS GEGAJ, PERSONALITET I VATRËS E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT