• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ballkani në Shekullin XXI: Sfidat e sigurisë hibride, ndikimet gjeopolitike dhe perspektivat Euro-Atlantike

August 9, 2025 by s p


Prof.dr.Muhamet Racaj/


Abstrakt


Ballkani në shekullin XXI përballet me një spekter të gjerë sfidash komplekse hibride që tejkalojnë kërcënimet ushtarake tradicionale. Evoluimi teknologjik, krizat klimatike, migracioni masiv dhe tendencat gjeopolitike kanë përshpejtuar përkeqësimin e ambientit të sigurisë në rajon. Artikulli i kushtohet analizës së hollësishme të kërcënimeve hibride, me theks të veçantë në ofensivën ruso-serbe që operon përmes dezinformimit, sulmeve kibernetike, krimit të organizuar dhe manipulimit institucional. Përmes lidhjes së ndikimeve ndërkombëtare — si BE, NATO, Rusia dhe Kina  me kontekstin politik, institucional dhe social të vendeve të Ballkanit Perëndimor, synohet promovimi i mekanizmave të qëndrueshmërisë përmes bashkëpunimit rajonal dhe reformave institucionale në përputhje me standardet euro-atlantike.


Fjalët kyçe
Ballkani, Siguria hibride, Dezinformim, Rusia-Serbia, Integrimi euro-atlantik


Hyrje
Në shekullin XXI, ndryshimet në doktrinat e sigurisë nuk janë më të ndikuara vetëm nga komponentët e fuqisë së fortë (forca ushtarake), por gjithnjë e më shumë nga lufta hibride, operacionet kibernetike dhe dezinformimi, që veprojnë në zonën gri ndërmjet paqes dhe luftës¹. Ballkani është tejet i ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve për shkak të pasigurisë institucionale, plagëve të pazgjidhura ndër-etnike dhe ndikimit të aktorëve të jashtëm.


1. Lufta hibride: konceptualizim dhe përmasa aktuale
Lufta hibride është e kodifikuar si një strategji që përplaset jashtë fushëbetejës klasike, përmes mjeteve jokonvencionale: sulme kibernetike, infiltrime në institucione, krim të organizuar dhe dezinformim⁷. Në kontekstin ballkanik, përhapja e dezinformimit përmes platformave dixhitale është rritur ndjeshëm, duke polarizuar debatin publik dhe duke krijuar mosbesim ndaj institucioneve².
Sulmet kibernetike në Shqipëri në vitin 2022 nga një aktor i lidhur me Iranin janë shembuj konkretë të dobësisë së infrastrukturës dixhitale dhe ekspozimit rajonal ndaj aktorëve të jashtëm⁸. Krimi i organizuar, i cili bashkëvepron ngushtë me struktura politike lokale, shfrytëzohet për operacione hibride që minojnë qeverisjen e mirë⁶.


2. Manifestimet në vendet e Ballkanit Perëndimor
• Kosova është përballur me ofensivë koordinuar të sabotimeve institucionale, akte terroriste të dhunshme si sulmi në Banjskë dhe në kanalin e Ujmanit.Infiltrim në agjencitë e sigurisë, ngjarje që konfirmojnë ekzistencën e një strategjie hibride ruso-serbe në rajon³.
• Maqedonia e Veriut vuan ndikimin e mediave dhe strukturave politike të mbështetura nga qarqe ruse e serbe; raportet e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar për përfshirjen e figurave shtetërore në aktivitete që promovojnë narrativën e botës serbe⁴.
• Shqipëria ka qenë objektiv i disa sulmeve kibernetike ndaj sistemeve të saj qeveritare dhe kritike duke dëshmuar brishtësinë institucionale në sferën dixhitale⁸.
• Mali i Zi, përvijon një situatë të tensionuar ndëretnike, të përkeqësuar nga instrumentalizimi i kishës ortodokse dhe deklarata të orientuara politikisht nga Beogradi⁶.
• Bosnja dhe Hercegovina është në grafikën e ndarjes, për shkak të mbështetjes që Rusia dhe Serbia i japin Republika Srpska-s, duke penguar në mënyrë të drejtpërdrejtë funksionimin e institucioneve shtetërore multi-etnike⁵.


3. Ndikimet ndërkombëtare dhe realiteti multipolar
Shtyrja e afateve të zgjerimit të BE-së dhe ngadalësimi i integrimit kanë krijuar një boshllëk që po shfrytëzohet nga Rusia, Kina.
• Rusia, përmes lidhjeve historike, shpirtërore dhe ushtarake me komunitetet serbe, është bërë një motor i narrativës anti-NATO dhe anti-BE, duke synuar mbajtjen e rajonit jashtë ndikimit euro-atlantik³.
• Kina, me nismën “17+1” dhe investimet infrastrukturore, ndikon përmes metodave ekonomike dhe kredi me kushte jo-transparente⁴.

Sipas strategjisë së Bashkimit Evropian për sigurinë, përcaktuar në vitin 2003, një ndër kërcënimet më serioze për BE-në mbetet fragmentimi i brendshëm në vendet partnere⁹.


4. Sfidat sociale dhe ekologjike që dëmtojnë sigurinë
• Migracioni Masiv: Sipas të dhënave të OSBE-së dhe UNHCR, më shumë se 1.600,000 refugjatë kanë kaluar Ballkanin që nga viti 2015, duke krijuar sfida serioze për sistemet e menaxhimit të kufijve, rendit dhe integrimit afatgjatë⁵.
• Kriza energjetike: Pas pushtimit rus të Ukrainës, shumë shtete ballkanike përjetuan ndërprerje të burimeve ose çmime të papërballueshme për gazin dhe karburantet, veçanërisht ku varshmëria nga Rusia është e lartë⁵.
• Ndryshimet klimatike janë ndër faktorët destabilizues që ndikojnë në sektorin bujqësor, migracionin ekonomik dhe konfliktet për burime uji në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe pjesë të Shqipërisë⁶.


5. Rruga drejt qëndrueshmërisë institucionale dhe demokratike
• Reziliensa kibernetike: Krijimi i sistemit të mbrojtjes kolektive dixhitale ndërmjet vendeve të rajonit në bashkëpunim me NATO-n është i domosdoshëm⁸.
• Zhvillimi i qytetarisë digitale dhe medias së lirë: Forcimi i mediave të pavarura mbetet një mjet efektiv kundër propagandës destabilizuese².
• Harmonizimi me BE dhe NATO: Kërkon ristrukturim ligjor dhe institucional, përfshi trajnimin e elitave shtetërore dhe ndërtimin e sistemit gjyqësor të pavarur⁹.
• Bashkëpunimi ndërkufitar: Politikat për menaxhimin e krizave, trajtimin e emergjencave mjedisore dhe sigurisë së përbashkët janë kyçe për stabilitet⁶.


Përfundim dhe Rekomandime
Në shekullin XXI, Ballkani për momentin nuk përballet me luftëra klasike, por me forma të përparuara të luftës hibride ku synohet ndarja sociale, dobësimi institucional dhe ndalimi i përparimit euro-atlantik. Për të ndërtuar një ambient sigurie të qëndrueshme, nevojiten:
• Riformatim i legjislacionit të sigurisë dhe mbrojtjes në përputhshmëri me standardet euro-atlantike⁹.
• Ndërtimi i një arkitekture të përbashkët kibernetike për të mbrojtur infrastrukturën kritike⁸.
• Thellimi i partneriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare në luftën kundër dezinformimit dhe krimit të organizuar⁷.
• Forcimi i edukimit demokratik si mjet për reziliencë sociale dhe kundër influencave polarizuese².


FUSNOTAT
• Racaj, M. (2025). Siguria dhe lufta hibride në Ballkanin Perëndimor: Bota ruso-serbe në ofenzivë, Bota Sot.
• OSCE (2020). The Impact of Disinformation in South East Europe.
• Bardos, G. N. (2024). Strategjia ruse në Ballkan: Qasje hibride dhe boshllëqe politike, Balkan Security Review.
• European Parliament Report (2024), Neni 35: Veprimet e aktorëve rusë dhe serbë në Maqedoni.
• European Security Strategy (2003). A Secure Europe in a Better World, Bashkimi Evropian.
• Penev, S. et al. (1999). Pakti për Stabilitetin në Evropën Juglindore, European Institute.
• NATO (1998). Enlargement Study.
• Albanian National Agency for Cybersecurity (2022), Raporti mbi sulmet nga aktorë kibernetikë.
• BE-Komisioni Evropian (2025). Western Balkans Progress Report.

Filed Under: Ekonomi

KODI PENAL I SHPËTIMIT – “KUSH VJEDH ME ZEMËR TË PASTËR, SHPËTOHET!”

August 8, 2025 by s p

Pamflet nga Rafael Floqi

Generated image

Mirëseerdhët në Republikën e Pafajësisë Shqiptare , ku krimi burokratik vdes nga dashuria ligjore, jo nga drejtësia!

Të nderuar qytetarë dhe të nderuar zyrtarë të lartë (sidomos ata me valixhe gati për t’u arratisur), kemi kënaqësinë të shpallim Kodin e Ri Penal Socialist, më i dashur, më mbrojtës, më shpëtimtar se kurrë më parë!

Nëse jeni zyrtar dhe keni bërë “gabimisht” ndonjë tender për hallën, dajën, kushëririn e dytë apo për xhepin tuaj – mos u shqetësoni! Sipas versionit të ri, nuk mjafton të keni vjedhur me dorë të lirë. Jo! Prokuroria tani duhet t’ju lexojë mendjen për të vërtetuar se kishit qëllim kriminal. Po kush ka më kohë të provojë qëllime, në një vend ku edhe gjyqtarët i kanë qëllimet në pushime?

Arben Ahmetaj, shembulli më edukativ i këtij realiteti – arratisur larg, i qetë dhe i lirë – është prova që kodi penal mund të jetë më i butë se një çaj kamomili në ditë proteste. Një vendim gjykate nuk u zbatua? Dëm me miliona? Asnjë problem. S’e provoi dot njeri që Arbeni donte të dëmtonte me vetëdije. Ndoshta i rrëshqiti gishti në dëm.

Tenderët? Barazi? Mos e përmendni më!

Kodi i vjetër thoshte se mjaftonte të shkelje rregullat e tenderit dhe përfundoje në burg. Kodi i ri thotë: vetëm nëse vërtetohet që doje të përfitoje! A gjeni se çfarë po mendon Lali tani ? Dhe ajo çështja Partizani duket si kot me këtë Kod, ta kenë menduar vallë?

Po nëse flet me sarkazëm dhe fsheh përfitimin? Thjesht, je njeri i kujdesshëm – jo kriminel. Ligji të duartroket, jo të ndëshkon.

“Ligji i gjatë, dënimi i shkurtër” – Formulë e re juridike me aromë partishmërie

Kodi i vjetër kishte 71 fjalë për abuzimin me detyrën. Kodi i ri ka 162 fjalë, me më shumë kthesa se rruga e Qafë-Thanës, por që në fund nuk të çojnë askund, veçse në rrugën e lirimit.

Nëse dikur mjaftonte një mosveprim për të të dënuar, tani duhet një sinjal nga telepatia për të vërtetuar qëllimin kriminal. Ose më thjesht: nëse nuk e thua me gojë “po, dua të vjedh”, je i pafajshëm.

Dënime për qytetarët që guxojnë të flasin… por jo për hajdutët që vjedhin me stil

Kodi i ri Penal nuk është veç një letër amnistie për zyrtarët në hall, por edhe një kërcënim për çdo qytetar që guxon të qeshë me Begajn, Ramën apo ndonjë tjetër të përkryer institucional. Të tallesh me autoritetet? Burg! Të vjedhësh tenderin? Vetëm nëse e bëre me qëllim (dhe s’të kapën kamerat).

Qeveria? Jo, s’është autori – vetëm qëllimi ishte i mirë!

Një grup “ekspertësh anonimë” – të cilët ende s’i kemi parë me sy – kanë shkruar këtë kryevepër gjuhësore që s’e kupton as vetë drejtësia. Profesori Fuga thotë që gjuha e ligjit duket si llastik. Po, llastik që zgjatet aq sa të nxjerrë të pafajshëm gjithë kupolën.

Përfundimi?

Nëse ke vjedhur, falsifikuar, abuzuar me detyrën apo prishur barazinë në tenderë, mos ki frikë!

Thjesht thirr një avokat me përvojë në interpretim “llastiku”, e me ndihmën e kodit të ri, ti do të jesh sërish në krye të detyrës… apo në Dubai, sipas dëshirës. 

Kodi Penal i Rilindjes: më i butë se qymyri politik, më elastik se flamuri i drejtësisë.

Sepse në Shqipëri, 

Drejtësia është për të vegjlit, kurse kodi është për të mëdhenjtë.

Filed Under: Ekonomi

MALËSORËT E AMERIKËS LETËR TË HAPUR PRESIDENTIT TË MALIT TË ZI: MOSDEKRETIMI I LIGJIT PËR TATIMIN MBI PATUNDSHMËRITË, AKT ANTI-SHQIPTAR

August 4, 2025 by s p

LETËR E HAPUR nga organizatat shqiptare në SHBA

Malësia e Madhe NY, Malësia e Madhe MI, Malësia Kaliforni dhe Jehona e Malësisë

Drejtuar institucioneve të Malit të Zi, partnerëve ndërkombëtarë dhe opinionit publik:

Vendimi i Presidentit të Malit të Zi për të mos dekretuar Ligjin për Tatimin mbi Patundshmëritë është një akt i pastër anti-shqiptar që godet drejtpërdrejt Komunën e Tuzit dhe komunat me shumicë shqiptare.

Ky është sabotim i qëllimshëm, që pengon zhvillimin ekonomik dhe vetëqeverisjen e shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërkohë që toka shqiptare shfrytëzohet nga kompani shtetërore si “Plantaže”, komunave shqiptare u mohohen të ardhurat që u takojnë.

Presidenti Milatoviq, në vend të përgjigjes për këtë padrejtësi, sulmon përfaqësuesin shqiptar Nik Gjeloshaj, duke e paraqitur barazinë si kërcënim.

Ne nuk heshtim.

Jemi të lidhur me faktorë kyç në Kongresin Amerikan, Senat, dhe Departamentin e Shtetit.

Kërkojmë rikthimin dhe miratimin e menjëhershëm të ligjit, si dhe hetim të pavarur për këtë bllokim të rrezikshëm.

Komunat tona nuk janë plaçkë politike.

Janë shtëpia jonë.

Drejtësia do vijë!

Filed Under: Ekonomi

Popullariteti i Trump-it dhe Emigracioni- Një Paradoks Politik Amerikan

August 1, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi  

Nga fillimi i mandatit të dytë presidencial, Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë me një përmirësim të ndjeshëm të perceptimit publik për mënyrën si po e menaxhonte emigracionin. Kjo ishte një kthesë e fortë në krahasim me mandatin e tij të parë, ku politikat e ashpra dhe ndonjëherë kaotike për kufijtë dhe deportimet hasën kritika të ashpra nga opinioni publik dhe grupet për të drejtat e njeriut.

Por tani, gjashtë muaj pas rifillimit të qeverisjes, kjo mbështetje po lëkundet. Edhe pse emigracioni vazhdon të jetë një nga çështjet ku ai merr ende nota më të mira krahasuar me fusha të tjera si ekonomia, politika e jashtme apo shëndetësia, një sërë sondazhesh tregojnë sipas demokratëve një rënie të vazhdueshme në vlerësimin për politikat e tij të emigracionit. Dhe ata që thonë këtë janë që ndoqën politikat e dyerve të hapura dhe emigracionit të pa kontrolluar, duke luajtur kukafshehtas me kufirin “kufiri është i mbyllur por 16 milionw emigrantë të paligjshëm hynë në SHBA

Administrata Biden është përballur me kritika të shumta për trajtimin e çështjes së emigracionit, veçanërisht në kufirin jugor të SHBA-së. Pavarësisht premtimeve për një qasje më humane dhe të reformuar krahasuar me paraardhësin Donald Trump, realiteti në terren ka treguar një kaos të vazhdueshëm. Zëvendëspresidentja Kamala Harris pati deklaruar në fillim të mandatit të saj: “Don’t come. The United States ëill continue to enforce our laës and secure our border.” Ndërkohë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, deklaroi se “kufiri nuk është i hapur”, pavarësisht fluksit të madh të emigrantëve që kalojnë çdo ditë ilegalisht. Megjithëse administrata ka tentuar të ruajë një imazh njerëzor, shumë masa praktike — përfshirë deportimet, ndalimet në qendra mbajtjeje dhe bashkëpunimi me autoritetet meksikane — janë kritikuar si vazhdim i praktikave të mëparshme dhe jo reformë substanciale.

Në krahasim, administrata Obama kishte një qasje më të ashpër ndaj emigracionit sesa shpesh perceptohet. Obama mbajti titullin “Deporter-in-Chief” pasi dëboi më shumë emigrantë të paligjshëm se çdo president para tij, ndërsa Trump u bë simboli i një politike kufitare agresive, përmes ndërtimit të murit dhe ndarjes së fëmijëve nga familjet. 

Çfarë po ndodh në terren?

Administrata Trump, në mandatin e dytë, ka zgjedhur të shkojë edhe më thellë në zbatimin e një axhendë të ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm. Janë rritur ndjeshëm arrestimet, nga ICE sidomos në zonat urbane ku jetojnë emigrantë pa dokumente, dhe janë bërë përpjekje për të përshpejtuar proceset e deportimit, veçanërisht për ata që kanë precedentë penalë. Por, pavarësisht këtij aktivizmi agresiv, shifrat e deportimeve mbeten të ulëta dhe shpesh përfundojnë në labirinte burokratike ose përplasje ligjore me gjykatat federale. 

Drejtori i ICE, Tom Homan, ka komentuar: “Nëse nuk keni kontroll të kufirit, nuk keni as kontroll të sovranitetit të vendit tuaj.” Kjo deklaratë i ka dhënë zë një segmenti të gjerë të opinionit publik që kërkon rregulla të qarta dhe zbatim të fortë të ligjit.

Ndërkohë, imazhet e operacioneve policore në lagje me komunitete emigrantësh, apo videot e përplasjes me familjarë që kërkojnë strehim, kanë ndikuar negativisht tek perceptimi i gjerë publik. Ajo që për një pjesë të elektoratit konservator shihet si “mbrojtje e ligjit dhe rendit,” për një pjesë tjetër të shoqërisë amerikane shfaqet si mizori dhe abuzim me pushtetin shtetëror.

Kur edhe mbështetësit fillojnë të kërkojnë më shumë tolerancë

Interesant është fakti që edhe vetë një pjesë e mbështetësve të Trump po shfaqin një prirje në rritje drejt një qasjeje më pragmatike dhe humane ndaj emigracionit. Ka gjithnjë e më shumë konservatorë që mbështesin rendin në kufi, por nuk duan që prindër punëtorë, që paguajnë taksa dhe që nuk kanë shkelje penale, të ndëshkohen me dëbim. 

Në shumë shtete bujqësore dhe industriale, ku mbështetja për Trump mbetet e lartë, ka një njohje të heshtur se ekonomia lokale nuk funksionon pa punëtorët emigrantë – shumë prej të cilëve janë të paligjshëm, por kanë qenë pjesë e komunitetit për vite me radhë. Ata shihen gjithnjë e më pak si “kërcënim” dhe gjithnjë e më shumë si kontribues të ndershëm që meritojnë një shteg ligjor për të qëndruar.

Edhe në qarqet më patriotike, ka një kthjellim: lufta ndaj emigracionit të paligjshëm nuk duhet të jetë luftë ndaj emigrantit si njeri. Ka një dallim mes ndëshkimit të kriminelëve dhe ndëshkimit të atyre që, përtej mungesës së dokumenteve, jetojnë sipas rregullave dhe ndihmojnë ekonominë.

Popullariteti i kontrolluar, por jo i qëndrueshëm

Në disa komponentë të politikës së emigracionit – veçanërisht në çështjen e kontrollit të kufirit jugor – Trump ende ka mbështetje të konsiderueshme. Votuesit duan rend, kufij të sigurt dhe ndalimin e trafikut të njerëzve apo drogës përmes Meksikës. Por mbështetja bie ndjeshëm kur pyetësorët shkojnë më thellë: mbajtja e familjeve në qendra ndalimi, ndarja e fëmijëve nga prindërit, mohim i azilit për njerëz që ikin nga dhuna – këto nuk kanë më simpati të gjerë.  

Një faktor tjetër është edhe efekti psikologjik i “lodhjes nga përplasjet.” Votuesit e zakonshëm, që nuk janë as fanatikë pro-Trump dhe as kundërshtarë të vendosur, shfaqin shenja lodhjeje nga retorika e përhershme luftarake mbi emigracionin. Në vend që të ndihen të mbrojtur, ndihen të ngopur me konfliktin.

Emigracioni si armë politike dhe e rrezikshme

Trump ka përdorur vazhdimisht emigracionin si një temë për të ndezur mbështetjen e bazës së tij politike. Kjo strategji ka funksionuar në të kaluarën, veçanërisht në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe pjesërisht në 2020. Megjithatë, përdorimi i tepruar i frikës dhe ndarjes për të mobilizuar elektoratin ka efekt anësor: ai i largon votuesit e moderuar dhe rrit tensionet sociale në vend.

Në këtë kontekst, rënia e popullaritetit për politikat e tij të emigracionit nuk është vetëm çështje ekzekutimi, por edhe pasojë e një qasjeje toksike dhe të njëanshme. 

Nga ana tjetër “Emigracioni i paligjshëm nuk është një akt heroizmi, por një sfidë ndaj rendit ligjor dhe sovranitetit shtetëror. Çdo shtet ka të drejtë dhe detyrë të ruajë kufijtë e tij dhe të zbatojë ligjet për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit të brendshëm.”

Është koha për një zgjidhje bipartizane

Politikat e ashpra mund të ndezin pasionet në fushatë, por nuk prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme. Sistemi i emigracionit në SHBA është i tejngarkuar, i vjetëruar dhe shpesh jofunksional – dhe asnjë president nuk mund ta rregullojë i vetëm. Ajo që i duhet Amerikës sot është një zgjidhje bipartizane që balancohet mes sigurisë dhe dinjitetit njerëzor. Një reformë që mbron kufijtë, por njeh dhe legjitimon kontributin e miliona emigrantëve që punojnë ndershëm dhe duan të bëhen pjesë e shoqërisë amerikane.

Nga Ellis Island dikur vinin ëndërrimtarë që ndiqnin ligjin — sot, emigracioni i paligjshëm e sfidon vetë parimin mbi të cilin u ndërtua Amerika.

Në vend të përçarjes, duhet bashkëpunim. Në vend të spektaklit, reforma reale. Sepse, në fund të fundit, emigracioni nuk është thjesht çështje e rendit – është çështje e identitetit amerikan.

Filed Under: Ekonomi

NJË DOMOSDOSHMËRI STRATEGJIKE PËR STABILITETIN, SOVRANITETIN DHE ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË BALLKANIT ME THEKS TË VEÇANTË TEK KOSOVA

July 30, 2025 by s p

Analizë me qasje juridike, diplomatike dhe akademike – Prof. Dr. Fejzulla Berisha

I. HYRJE: KONCEPTUALIZIMI I UNIONIT AMERIKANO-BALLKANIK NË KONTEKSTIN GJEOPOLITIK TË SHEKULLIT XXI

Në arkitekturën aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku ripozicionimi i fuqive të mëdha, rikthimi i realpolitikës dhe sfidimi i rendit liberal ndërkombëtar janë shndërruar në faktorë dominues, rajone si Ballkani marrin rëndësi të dyfishtë: si zona vulnerabël ndaj ndërhyrjeve të jashtme dhe si hapësira kritike për ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Pikërisht në këtë kontekst, Unioni Amerikano-Ballkanik duhet të konceptohet si një partneritet strategjik i përhershëm, që tejkalon kornizat bilaterale dhe operon si një bosht gjeopolitik me bazë juridike, vlerore, institucionale dhe zhvillimore.

Ky union nuk është ende formalizuar si një entitet juridik ndërkombëtar, por funksionon si një realitet i konsoliduar politik, diplomatik dhe strategjik, i cili artikulohet nëpërmjet bashkëpunimeve dypalëshe, marrëveshjeve ndërqeveritare, ndërhyrjeve për ruajtje paqeje (peacekeeping), asistencës për shtet-ndërtim dhe promovimit të një sistemi të përbashkët të vlerave demokratike dhe të drejtës ndërkombëtare.

II. BAZAMENTI JURIDIK DHE DIPLOMATIK I UNIONIT

1. E Drejta Ndërkombëtare dhe Parimi i Paktës së Paqes së Qëndrueshme

SHBA-ja ka qenë promotore dhe garantuese e disa marrëveshjeve ndërkombëtare të natyrës paqësore në Ballkan: nga Marrëveshja e Dejtonit (1995), e cila krijoi arkitekturën institucionale të Bosnjë-Hercegovinës, deri te Marrëveshja e Rambujesë (1999) dhe deklarata ndërkombëtare e Grupit të Kontaktit për Kosovën. Për më tepër, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, një qëndrim i mbështetur dhe përfaqësuar fuqishëm nga SHBA.

Unioni bazohet edhe në:

-Parimin e vetëvendosjes (neni 1(2) i Kartës së OKB-së),

-Parimin e mosndërhyrjes dhe sovranitetit të barabartë,

/Parimet e Marrëveshjes së Helsinkit (1975) mbi kufijtë, paprekshmërinë territoriale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

2. Dokumentet dypalëshe dhe strategjitë transatlantike

SHBA ka nënshkruar dhjetëra marrëveshje strategjike me shtetet ballkanike për bashkëpunim në fushat e sigurisë, drejtësisë, tregtisë, energjisë dhe diplomacisë. Këto janë të kodifikuara në memorandume mirëkuptimi, marrëveshje për ndihmë teknike (p.sh. për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe Kosovë), si dhe në deklarata politike dypalëshe për partneritet strategjik (p.sh. me Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, dhe veçanërisht me Kosovën).

III. ELEMENTËT QË E NJËSOJNË UNIONIN AMERIKANO-BALLKANIK

1. Kohezioni në vlera demokratike dhe normat e të drejtës ndërkombëtare

SHBA promovon një sistem global të vlerave të përbashkëta, përfshirë:

-Sundimi i ligjit

-Të drejtat e njeriut

-Liria e medias

-Pluralizmi politik

/Zgjedhje të lira dhe të ndershme

Në këtë aspekt, unionin e njëson një bashkësi normash dhe vlerash, jo vetëm interesash të ngushta gjeopolitike. Për këtë arsye, modeli amerikan i aleancave nuk është imperialist apo paternalist, por transformues dhe partnerizues, duke respektuar sovranitetin e shteteve partnere.

2. Aleanca për sigurinë kolektive (përmes NATO-s)

SHBA është forca dominuese brenda NATO-s, ndërsa Ballkani ka shënuar përparime të mëdha drejt integrimit të plotë. Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova ka partneritet të strukturuar me SHBA për integrimin eventual. Kjo e bën unionin një sistem të sigurisë kolektive dhe parandalimi gjeopolitik ndaj kërcënimeve hibride, dezinformimit, radikalizmit dhe nacionalizmit agresiv.

3. Ekonomia dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Përmes instrumenteve si MCC (Millennium Challenge Corporation), USAID, DFC (Development Finance Corporation) dhe partneriteteve të tjera investive, SHBA ka kontribuar në:

-Modernizimin energjetik të rajonit

-Digjitalizimin e qeverisjes

-Rritjen e transparencës fiskale

-Fuqizimin e sektorit privat

Në këtë aspekt, unioni përfaqëson një model alternativ të zhvillimit përkundër ofertave jodemokratike të Kinës dhe Rusisë.

4. Koordinimi strategjik kundër ndikimeve malinje

Ballkani është në qendër të ndikimeve të jashtme autokratike, sidomos nga:

-Rusia (përmes Serbisë, strukturave të sigurisë dhe përçarjes në Bosnje)

-Kina (përmes borxheve dhe infrastrukturës)

-Turqia (përmes ndikimeve kulturore dhe fetare)

SHBA, së bashku me vendet ballkanike që ndajnë të njëjtat vlera, përbën bllokun e vetëm efikas mbrojtës ndaj këtyre ndërhyrjeve.

IV. NEVOJA E DOMOSDOSHME PËR BALLKANIN NË TËRËSI

Unioni nuk është një zgjedhje politike e thjeshtë por:

-Mekanizëm mbijetese institucionale

-Instrument parandalues ndaj rikthimit të konflikteve

-Mjet për përshpejtimin e integrimit evropian

-Katalizator për tranzicion demokratik dhe kapërcim të mentaliteteve post-konfliktuale

Nëse Ballkani braktiset nga SHBA ose BE, rreziku është rikthimi i polarizimit etnik, autoritarizmit rajonal dhe destabilizimit strategjik me pasoja ndërkombëtare.

V. PSE KY UNION ËSHTË I PAALTERNATIVË PËR KOSOVËN

1. SHBA është arkitekt dhe garant i shtetësisë së Kosovës

Pa ndërhyrjen e SHBA-së në vitin 1999, pa rolin e saj në procesin e statusit përfundimtar dhe pa njohjen e hershme të pavarësisë (2008), Kosova nuk do të kishte as njohje ndërkombëtare, as sovranitet funksional.

2. Prania ushtarake amerikane është pengesë ndaj revanshizmit serb

Kampi Bondsteel dhe angazhimi i SHBA në NATO-KFOR përbëjnë shtyllën kryesore të mbrojtjes de facto të Kosovës, sidomos në kohë tensioni. Në mungesë të kësaj garancie, rreziku për përshkallëzim të dhunës do të ishte real.

3. Mbështetje në forumet ndërkombëtare dhe për dialogun

SHBA ka qenë promotor i fuqishëm i Kosovës në:

-Proceset në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

-Lobimin për njohje ndërkombëtare

-Dialogun me Serbinë, ku SHBA është garanti i balancës dhe ndërmjetësues më neutral dhe më aktiv se BE-ja

4. Zhvillim ekonomik dhe stabilitet institucional

Kosova përfiton nga projekte të mëdha zhvillimore të SHBA-së, përfshirë:

-Investimet në rrjetin energjetik (Projekti MCC)

-Përkrahje për sundimin e ligjit dhe kundër korrupsionit

-Mbështetje për procesin e vettingut dhe pavarësinë e drejtësisë

5. Lidhje strategjike me diasporën dhe opinionin publik amerika

Komuniteti shqiptar në SHBA është një aktor politik dhe diplomatik që forcon marrëdhëniet e Kosovës me Uashingtonin. Kjo lidhje është kapital gjeopolitik që Kosova nuk e ka me asnjë vend tjetër në botë.

VI.NJË LIDHJE STRATEGJIKE QË DUHET THELLUAR DHE INSTITUCIONALIZUAR

Unioni Amerikano-Ballkanik është një aleancë jo vetëm e nevojshme, por e pazëvendësueshme, veçanërisht për Kosovën. Nëse ky union thellohet, institucionalizohet dhe merr një formë më të qartë juridike-strategjike (p.sh. marrëveshje të përbashkëta rajonale me SHBA-në si garantues i sigurisë dhe reformave), atëherë Ballkani do të fitojë jo vetëm stabilitet, por edhe dinjitet gjeopolitik dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 222
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT