• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VISAR ZHITI I SHKRUAN KRYETARIT TË VATRËS

July 23, 2021 by dgreca

-Editori Dalip Greca me zell dhe modesti, me përkushtim dhe i hapur, me vështirësi dhe sakrifica e mbajti për më shumë se një dekadë gazetën e shqiptarëve, më të vjetrën e të gjitha gazetave të diasporave në SHBA…./

I dashuri dhe i nderuari Kryetar,

Zoti Elmi Berisha,

Ju dëshirojmë të mira Juve, gëzime e mbarëvajtje “Vatrës” së përbashkët të Shqiptarëve në SHBA dhe “Diellit” të saj, që na kanë dhënë së bashku aq shumë ngrohtësi, përbashkim, shpresë dhe guxim dhe shembullin për bëma në dobi të shqiptarëve dhe Kombit.

     Nisën mbi një shekull më parë me ikonat e shqiptarizmës, me intelektualët e lartë të Kulturës Perendimore europiano- amerikane, me shkrimtarin themeltar Faik Konica dhe Imzot Fan Noli, poet në gjithçka.Vazhdoi dinjitoze me të gjithë shqiptarët më pas, por unë dua të veçoj dhe Profesor Arshi Pipën si drejtues, poet i ferrit të burgjeve të diktaturës komunistë dhe filozof universitar në SHBA.

Fryma e kësaj trinie emblematike ka prirë dhe duhet të prijë komunitetin e shqiptarëve, urë e gjallë që lidh Shqipërinë me SHBA, Vendin e madh, kampion të lirisë dhe demokracisë, superfuqia e përparimit botëror, mbështetje dhe per Shqipërinë tonë, që si një aleate e vogël, por e sinqertë e SHBA-së e di dhe i është mirënjohëse ndihmës jetike që i ka dhënë përherë Kombit tonë. Shqipëria shpetoi dikur nga coptimi perfundimtar, falë SHBA-së dhe Kosova u çlirua dhe është e pavarur së fundmi, përsëri falë SHBA dhe NATO-s.

     Shqiptarët këtu janë me fat që SHBA u është bërë Atdhe, duke u dhënë mundesira pafund, që s’i gjenin dot askund: liri e pasurim me punë e dije, universitete dhe shkencë, besim dhe identitet, dashuri për vendin amë dhe të gjuhës amë, etj, etj.

     “Vatra” dhe “Dielli” janë deshmi mbi njëshekullore të kësaj ecurie, bënë histori dhe janë dhe vetë histori, ndërkohë dhe veprimtare të gjalla, aktive dhe tani që po flasim.

Ja, jeni mbledhur sonte shqiptarisht për të nderuar një veprimtar, Z. Dalip Greca, keni krijuar këtë festë më rastin e daljes së tij në pension si gazetar drejtues i “Diellit”. Ai me zell dhe modesti, me përkushtim dhe i hapur, me vështirësi dhe sakrifica e mbajti për më shumë se një dekadë gazetën e shqiptarëve, më të vjetrën e të gjitha gazetave të diasporave në SHBA. Ajo vazhdoi të ishte si një Vatër, jo vetëm për shqiptarët në SHBA, por kudo në botë, e çiltër dhe e thjeshte si shqiptarët, kapriçoze si ata dhe e dashur po ashtu. Që mbeti dhe përhapet dhe në ditët tona, natyrisht është meritë e “Vatrës” në pergjithësi, e drejtuesve të saj, por dhe e të palodhurit zemërbutë, mikut të të gjithëve, Z. Dalip Greca. Kjo përvojë le t’u shërbejë për mirë atyre që do ta vazhdojnë gazetën duke e çuar dhe më lart, ajo tashmë është një pasuri, kujtesë Kombetare dhe kulturë.

     Ndjehemi të nderuar për ftesën që unë me time shoqe të ishim me ju në këtë mbremje. Faleminderit bashkarisht.

      Me arsye nuk mundemi të vijmë, Ju dërgojmë këto fjalë zemre dhe e përqafojmë dhe si bashkëqytetar z. Dalip Greca, Juve, bashatdhetarët aty të gjithë, me urimet më mira e me gëzime të perbashketa.

Me dashuri,

Visar Zhiti

Chicago, 11 Korrik 2021

Filed Under: ESSE, Komente Tagged With: dalip greca, Visar Zhiti

NË GJURMËT E TRADITËS

July 14, 2021 by dgreca

-“Lundërtari dhe deti – sonete” i Uran Kostrecit-/

Nga Anton ÇEFA/*

Duket sikur poezia shqipe, mbas rrebeshit përmbysës të realizmit socialist, po rifillon të zhvillohet e lirë dhe e shëndtshme në dy hulli kryesore: në hullinë e traditës dhe në atë të poezisë moderne.

            Uran Kostreci na prezentohet me vëllimin me sonete “Lundërtari dhe deti” si një poet që po i lidh mjeshtërisht fijet e poezisë sonë të sotme me atë të traditës, me një profil të përcaktuar poetik e një mesazh shumë të qartë filozofik dhe, mbi të gjitha, larg çdo hermetizmi, që fatkeqësisht po abuzon sot mbi artin e vërtetë poetik shqiptar.

            Tradicionalisht si në zgjedhjen e motiveve, ashtu edhe në trajtimin e tyre, në mjeshtërinë artistike e në elementet poetike, në përgjithësi, ai gjithashtu e ushqen poezinë tonë edhe me motive të reja apo me nuanca të reja motivesh origjinale.

            Kur mendon se poeti, i arrestuar në moshën 23 vjeçare, ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij, e natyrisht më të buklurën, në burgje e internime – afër 30 vjet – të rrënqethet shtati, duke hamendësuar se gjatë leximit do të përjetosh përplasjen e rëndë të prangave a kërcitjen e shkopinjve të gomës mbi gjymtyrët e mpira të të burgosurve ose do të hasësh në imazhet e errëta, të lagështa e të ftohta të qelive. Në të kundërtën, poeti rrallëherë kujton zinxhirët, torturat, burgjet e internimet. Ato i rëndojnë frymëzimet, si dikur jetën, dhe ai pothuajse i braktis, duke i lënë në periferi të këngës.

            Poezia e tij do ajër, hapësirë, dritë, qiell e det, erë e furtunë:

T’ harroj un’ dua shpellën me beton

Ku më përgjonte llampa e sporteli…

Frëngjin’ prej ku e shihja pas kangjeli

Coptuar qiellin nga i ziu hon !

                                                            (“Mjaft më”, f. 14)

            Me dashuri të madhe ndaj Atdheut, me një pathos të vërtetë demokratik e më një moral të lartë qytetar, poeti nuk kërkon shpagim “për plagët që më shpoi me gjemba teli”.

            Sot në shtypin shqiptar, në mbledhje e biseda, shpesh me një nevralgji të shfrenuar e mllef shtrohet problemi i dënimit të shkaktarëve kryesorë, që me krimet e tyre i sollën Atdheut aq vuajtje e mjerim. Dhe objektiviteti i së vërtetës historike kërkon që të ballafaqohen me fajin ata, fajtorët e vetëdijshëm, komunistët. Por poeti është gjithnjë poet, gjithnjë fisnik. Dhe kjo në emër të humanizmit dhe të dashurisë së madhe për Atdheun, sepse Atdheu na lutet deri në përgjërim dhe na kërkon:

                        “T’ mos jemi ne Kaini dhe Abeli”

                                                (Idem, f. 14)

            Një kredo patriotike të vërtetë përbëjnë poezitë “Mendohu shqiptar!”, “Mjaft më” dhe “Përkushtim”. Mbasi i gëzohet lirisë së fituar dhe demokracisë që po vendoset, poeti zotohet me solemnitet:

            “Të qaj për gjithë ata që ranë theror

  E të këndoj për diell-demokracinë.”

Motivet mbizotëruese në vëllim i përbëjnë lirikat me një kuptim të thellë filozofik e që parashtrojnë një mesazh të qartë e të shëndoshë për kuptimin e jetës e qëllimin e saj, dashurinë si ndjenja më njerëzore, bukuritë e natyrës dhe vlerën e bukurisë, në përgjithësi, si koncept jo vetëm artistik, po edhe moral e shoqëror, etj. Këto, përgjithësisht janë më të realizuarat artistikisht se të parat. Kemi të bëjmë me një poezi filozofike të ndjerë, larg logjikës së ftohtë arsyetuese, një poezi të frymëzuar, që kultivohet në një mjedis të gjallë, lëvizës, dinamik, me tone optimiste.

“Shpesh mendjen vras a ka kuptim kjo botë?” shqetësohet poeti në poezinë “Kulari i jetës” (f. 28). Si tërhiqet nga dilema e dy poleve të kundërta, hiçi i mbytur në pije dhe ideali i lartë për t’i shërbyer njerëzimit, poeti kalon tek fataliteti i njeriut që dërmohet në punë si kafshë dhe përfundon:

“Oh varrin kur mendoj e vdekje shkretën,

Ngre sytë nga qielli…dua të shoh dritë…”

                                    (“Kulari i jetës” f. 28)

Dritë e kërkuar nga Zoti për të kuptuar qëllimin e njeriut në jetë. Po për poetin është më se i qartë misioni jetësor i njeriut dhe misioni i tij si poet. Është kuptimplotë fakti që poeti ka parapëlqyer titullin “Lundërtari dhe deti”, titulli i poezisë së parë të vëllimit, që sendërton frymën e krejt vëllimit.

            Tradita e poezisë sonë e ka të gdhendur figurën stoike të detarit, që triumfon mbi tallazet e detit, në perlën poetike të Serembes “Dejtënori” dhe në poezitë e Lasgushit. Edhe tek kjo poezi, lundërtari lufton me vdekjen me vendosmëri dhe optimizëm të plotë.

            Poeti jetoi në një kohë shumë të vështirë për popullin tonë dhe sidomos shumë të vështirë e të rrezikshme për poetët, në kohën kur mungonte liria e fjalës. Merita e Kostrecit është se ai i ruajti thellë në veten e tij frymëzimet dhe tani ia kushton rinisë sonë, të freskëta, të gjalla, plot jetë e dritë. Kur shëmtimi i jetës dhe përdhosja e idealeve fisnike lavroheshin nga diktatura, ai u dashurua pas së bukurës në të gjitha shfaqjet e saj konkrete, po edhe si koncept universal i botës, i jetës, i njeriut, i artit. Ja dy vargje lapidare që dëshmojnë:

                        “Lart u ngjit shpirti n’qiellin tramundanë

                         I etur për të bukurën sublime.”

                                                (“Kënga e mjelmës”, f. 36)

            Erotika zë pjesën më të madhe të vëllimit. Po është një erotikë në gjurmët më tepër të Naimit e më pak të Lasgushit, përsa i takon kahjes së vet filozofike. Koncepti për dashurinë është koncepti për vetë qëllimin e jetës. Vetëm një dashuri reciproke është burimi i një lumturie të vërtetë. Dashuria trajtohet si një ndjenjë e lartë, sublime e natyrshme, njerëzore dhe, në të shumtën e rasteve, ajo përsiatet si një ndjenjë e universalizuar. Nëpërmjet të saj, himnizohet gëzimi i jetës, vetë jeta.

            Poeti i drejtohet vashës:

                                    “Pa ty kuptim s’ka jeta as lezet;

                                     Pushtet e pasuri janë fjalë kote,

                                     Veç ti je lumturi e kësaj bote.”

                                                            (Bukuria, f. 37)

            Bukuria e vashës më shpesh jepet në një mënyrë të tërthortë, pa detaje konkrete në portretin e saj fizik. Përpara bukurisë femërorë veniten dhe stepen të gjitha bukuritë e madhështitë, jo vetëm ato të natyrës së planetit tonë, po edhe ato kozmiket.

            Naimi si panteist ka njëjtësuar dashurinë me bukurinë dhe këtë të fundit me Perëndinë. Kështu përligjet adhurimi i tij ndaj vashës deri në nënshtrim. Por çuditërisht, ja që del sot një poet që i bën Perënditë të falen para bukurisë femërore. Ndoshta sepse trillit poetik i lejohet çdo gjë. Ndoshta për një arsye tjetër. Dhe kjo ka të bëjë me periudhën që kaluam, kur nuk mund t’i këndoje lirshëm vashës dhe dashurisë.

            Motivi i nënshtrimit ndaj vashës arrin skajin final:

                                    “I lumtur vdes ta di se ma shkel varrë.”

                                                                        (Lëngimi i ëmbël”, f. 42)

Sigurisht këtu kemi të bëjmë me ndikime nga poezia jonë e traditës, kryesisht nga Naimi e Poradeci. Remenishencat në shtjellimin dhe teknikën e lirikës erotike shkojnë deri tek poezia e dikurshme persiane dhe letërsia klasike italiane, të cilën Kostreci e shijon aq mirë në origjinal. (Kujto simbolikën erotike të Saadiut dhe sonetet e Petrarkës për Laurën).

            Tablo lirike shumë të bukura, të vizatuara me ngjyra të gjalla e shije të hollë, përbëjnë poezitë për natyrën, të denja për t’u renditur në antologji lirike dhe në librat shkollorë, si p. sh. , “Mbas furtunës”, “Deti”, “Hëna”, “Trishtim vjeshte”, etj.

            Të njëjtit nivel arttik i përkasin edhe disa motive të tjera të trajtuara rrallë ose të patrajtuara në letërsinë tonë, në disa raste me vlera të theksuara edukative e didaskalike. Të tilla janë: poezia me nota elegjiake “Prindërve të mi”, një himn i vërtetë për dashurinë ndaj prindërve, ku një syrgjyn vajton sepse u ka vrarë prindërve ëndrrën e thurur për ardhmërinë e tij, ose “Soditje”, ku vazhdimësia e jetës së prindërve tek fëmijët e zhduk vrazhdësinë e vdekjes, e mohon atë, duke i dhënë jetës njerëzore përmasat e amëshimit. Me interes dhe të bukura janë poezitë: “Veneracion”, ku përgjithësohet denjësisht, si në folklor, figura e vajzës shqiptare, dhe “Dy mbesave”.

            Elemente novacioni në fushën e gjetjes dhe të shtjellimit të motiveve na përcjellin edhe poezitë” “Lumi i shqetësuar”, “Kur ndizen dritat”, “Vetëvrasja e Narçizit”, etj. Në këtë të fundit ngjizet një ridimensionim i kësaj figure mitologjike. Narçizi   që “në shterp idil meskin u përvëlua” vetëvritet, kur bindet se ai nuk mishëron bukurinë fizike njerëzore në superlativ.

            Sonetet janë shkruar me një teknikë të saktë dhe më një figuracion të pasur e të zhdërvjelltë. Mbizotërojnë krahasimet, antitezat e më pak epiteti. Kadenca ritmike,  gjithnjë e përdorur me mjeshtëri, në bashkëveprim me shkallëzimet dhe aliteracionet e pasura e të zgjedhura me kujdes krijojnë një muzikalitet sugjestionues dhe harmonik. Me këto elemente dhe me gjuhën e pasur popullore, ku nuk mungon edhe ndonjë fjalë e huaj, poeti ka krijuar lirika të bukura, që e pasurojnë poezinë tonë. Në fushën e figuracionit, të sintaksës dhe të fjalorit poetik ndihet qartë ndikesa dhe vazhdimësia e artit nolian  dhe lasgushian.

            Në njërën prej poezive tingëllon angazhimi i poetit. Është “Kënga e mjellmës” (f. 36). Jo e asaj mjellme që sipas legjendës këndon vetëm një herë pas vdekjes, por si kënga e një krushku që niset për dasmë:

            “Përpjetë në parnasin e thepisur,

             E t’mjellmës këngë, tash, në mugëtirë…

             Me qejf ia merr…si krushk për dasmë nisur.”

            Lexuesit do ta vlerësojnë poetin e do t’i urojnë shëndet e jetë që të vazhdojë ta pasurojë e begatojë me realizime të reja dhe më të bukura sofrën e letërsisë sonë.

 *Shtypur në Tipografinë Ushtarake, Tiranë, 1993

Botuar në “Dielli”, Nëntor-Dhjetor, 1993

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Çefa, Lundertari dhe Deti, Uran Kostreci

VOKACIONET DHE “KONTRADIKTAT” E NOLIT

July 14, 2021 by dgreca

Nga ANTON ÇEFA/

Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që “ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin”1). Janë quajtur ato kundërthënie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse.

            Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar a jobesimtar, për të mos thënë kundërshtar i besimit dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qene revolucionar a kundërrevolucionar.

Po jap mendimin tim, duke i peshuar kontradiktat në vokacionet e tij, të cilat gjithashtu kanë qenë të shumta, por duke u përpjekur të nxjerr në dukje ato më rëndësorët prej tyre.

            Para së gjithash, duhet thënë se në pikëpamje psikologjike dhe filozofike, duhet pranuar që kontradikta subjektive është në shpirtin e njeriut, në mendjen, në zemrën, në jetën dhe në veprimtarinë e tij. Të lindura fillimisht nga dyshimi, me zgjerimin e përvojës jetësore dhe të kulturës, tek mendimtari a veprimtari, në përpjekjet e tij për t’ju afruar sa më shumë së vërtetës, në çdo plan teorik a praktik që kërkohet ajo, shfaqen kontradiktat. Qenësia e kësaj dukurie është në përputhje me personalitetin e njeriut. Eshtë i njohur fenomeni që kontradiktat e personaliteteve të shquara marrin ngjyra paradoksale, siç është bërë zakon të thuhet, por edhe siç është shpesh e vërtetë. 

            Personalitetet e larta që tejkalojnë kufijt kombëtarë, siç qe Noli ynë, mishërojnë jo vetëm kontradiktat individuale apo ato të një bashkësie, qoftë kjo edhe një komb, por edhe kontradiktat e njerëzimit, sepse të tilla personalitete janë shprehje e ndërgjegjes së njerëzimit, pra edhe e kontradiktave që e ngërthejnë atë, ndërgjegje që përpiqet e lufton për t’i hedhë dritë së ardhmes.

            Njeriu gjatë gjithë jetës së tij, me rritjen e përvojës praktike jetësore dhe me zgjerimin e dimensioneve të kulturës, e përsos dhe e ndryshon mendimin e tij për probleme të rëndësishme, duke shkuar edhe tek kundërshtimi i mendimit të tij të mëparshëm. Gjë krejt normale. Në këtë rast nuk mund të bëjmë fjalë për kontradikta në kuptimin e vërtetë të fjalës, pa rënë në mohimin e zhvillimit të pandërprerë mendor e shpirtëror të njeriut. A nuk kemi sa e sa personalitete evropiane e botërore që në dekadat e para të shekullit të kaluar u lajthitën nga marksizmi e leninizmi dhe, më vonë, u bënë kundërshtarë të tij? Vetë Noli e ka shprehur një dukuri të tillë në introduktën e tij për Khajamin: “Eshtë e pabesueshme që Omar Khajami, armik i të gjitha despotizmave, të mos ketë ndryshuar aspak pikëpamjet e tij filosofike brenda në 55 vjet” 2).

            Si qëndron Noli mes fesë e ateizmit, a beson apo nuk beson, a është përkrahës i fesë apo kundërshtar i saj – kjo është kontradikta më tunduese për ato që përpiqen ta trajtojnë atë si ateist dhe kundërshtar të fesë.

            Megjithësë nuk është për t’u marrë në konsideratë trajtimi i njëanshëm, në një farë mënyrë tendencioz, që iu bë këtij problemi në periudhën e diktaturës, sepse aty mund të ketë indoktrinim e mungesë çiltërsie, më tepër se objektivitet e bindje shkencore; gjithsesi duhet thënë diçka. Namik Resuli në studimin e tij “Fan Noli sot” 3) ka polemizuar për këtë çështje me Koço Bihikun dhe Dhimitër Shuteriqin, lidhur me “antifetarizmin” e Nolit (në ndonjë poezi e shprehje të tijen), duke pranuar këtë dukuri–sado lëkundshëm – si inkoerencë të Nolit (mbështetur në një shprehje të nxjerrë nga një letër që Noli i ka dërguar Tashkos, më 1906: “Perëndisë që nuk i besoj, i ardhtë keq!” dhe e ka mbyllur këtë çështje, duke e lënë në kapërcyell, me citimin e Qerim Panaritit, biografit të parë të Nolit: “Si person, Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual”, (d. m. th. si individ, si person, shënimi im, A. Ç.). Mendoj se kjo shprehje dhe ndonjë tjetër që bie Qerim Panariti në librin e tij 4) mund të jenë rezultat i një momenti shpirtëror a rrethanash të veçanta dhe nuk duhen marrë për bazë për të nxjerrë përfundime rëndësore kategorike, që bien në kundërshtim me krejt jetën dhe veprimtarinë e Nolit.

Aleks Buda ka shkruar: “Me vullnet të lirë e me ndërgjegje, Noli zgjodhi rrugën e priftërisë. Nuk ishte as një thirrje e brendshme, as nevoja për të siguruar jetesën që e çoi në këtë rrugë. Ajo që në kushte normale do të ishte një maskeradë – veshja prift – për një njeri që në thelb…ishte një skeptik në pikëpamje fetare, qe në të vërtetë një akt vetëflijimi i një njeriu që pranoi të flijojë një jetë normale njerëzore dhe lirinë e vet personale e mendore për nevojat politike kombëtare, të luftës kundër veprimtarisë kombëtare të feve e kishave; qe ky një akt vetëmohimi tragjik sepse e detyroi të rrojë një jetë në dy rrafshe” 5). (Eshtë fjala, për rrafshin politik dhe atë fetar).

            Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës. Pra, Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”.

            Së pari, na duket një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.

            Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”.

            Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj.  Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë, siç do ta themi më poshtë, tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).

            Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig” 6). Si mund të shpjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror?  Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i fkaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.

            Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.

            Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.

            Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”. 7)

Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve fetare: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?

Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha” 8); ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” 9) dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” 10).

            Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!” 11). Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !

            I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.

            Vokacioni i brendshëm fetar dhe ai atdhetar janë dy binarët kryesorë nga kalon lokomotiva që tërheq trenin me vagona të shumtë të veprimtarisë së tij: vagonin e përkthimeve letrare, poezisë, publicistikës, oratorisë, studimeve në fushën e historisë e të muzikës, krijimeve origjinale në fushën e muzikës, diplomacisë, politikës. Vokacioni fetar, fillimisht, dhe ai atdhetar janë më të hershmit në jetën dhe veprimtarinë e Nolit dhe e kanë shoqëruar atë tërë jetën; prandaj mund të na shërbejnë si çelës për të shpjeguar “kontradiktat” e tij. 12)

            Cili është më i fuqishmi nga këto dy impulse të shpirtit nolian? Duket se gjaku iliro-shqiptar i trashëguar prej të parëve është ai që përcakton çdo gjë më së miri në personalitetin e këtij shqiptari të madh me përmasa evropiane e botërore. Vokacioni atdhetar është pa dyshim në tharmin e psikologjisë së popullit tonë. Deri vonë i zhytur në elemente paganizmi – pavarësisht përqafimit të dy besimeve monoteiste – shqiptari e ka pasë më se të theksuar vetëdijen e përkatësisë së tij etnike, këtë vlagë të ngrohtë atdhetarizmi, si dhe ndjenjën dhe gjithë botën shpirtërore që lidhet me të. Nuk është i rastit, përkundrazi është shumë kuptimplotë konstatimi i Hobhaus-it, shokut e shoqëruesit të Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyetën se çfarë janë, ata përgjigjen: ‘jemi muhamedanë’ ose ‘jemi të krishtërë’; ndërsa banori i këtij vendi (është fjala për trojet shqiptare, shënimi im, A. Ç.), përgjigjet: ‘unë jam shqiptar.”13). Dhe kjo ndodh në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XIX, kur vetëdija kombëtare e popullit tonë ishte errësuar mjaft nga shkaku i zgjatjes së pushtimit osman dhe politikës së tij antishqiptare dhe kur vetëdija kombëtare e popujve fqinjë kishte kristalizuar platformën e tyre kombëtare. 14)

            Kështu, në vokacionet e tij më rëndësorë, Noli dëshmohet gjithsesi një shqiptar i vërtetë, me gjak, me mish, me kockë; ashtu siç e ka cilësuar Hasan Dosti: “Ky burrë simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.” 15)

            Historia, kultura, etnopsikologjia dëshmojnë dashurinë e popullit tonë për atdheun. Që në fillimet e saj-duke mos lënë jashtë humanistët e mëdhenj, që shkruan në gjuhën latine, kultura shqiptare u frymëzua nga ndjenja e atdhetarizmit. Më së miri këtë e dëshmojnë më të vjetrit: Barleti, Beçikemi, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani; dhe mbas tyre rreshtohen të gjithë, pa dallime besimi a krahine. Dhe asnjërin prej tyre nuk e ka penguar rroba fetare të merret me politikë, shkencë, art, bile edhe të marrë pushkën për të luftuar për atdheun.

            Kleri katolik i Veriut krijoi si moto të veprimtarisë së tij binomin “Fe e Atdhe”. (Duhet theksuar këtu se nëse vokacioni dhe veprimtaria fetare e tij lidhej vetëm më një pjesë të vogël të popullit, siç është elementi katolik, veprimtaria atdhetare e tij kishte karakter mbarëkombëtar.)

            Një nga argumentet për ta paditur Nolin si antifetar ka shërbyer përkthimi prej tij i “Rubairave” të Omar Khajamit. Nëse kontradikta është më se e mprehtë, flagrante, në predikimin e fjalës së Krishtit, nga njëra anë, dhe të bolshevizmit, anti-Krishtit, nga ana tjetër, siç mund të thuhet për disa poezi dhe introdukta të tij; ndryshon puna në përkthimin e Rubairave, një fenomen në dukje kontradiktor dhe, më përtej, paradoksal.

            Në përkthimin e “Rubairave”, duhet të kemi parasysh disa fakte:

Së pari, vetë Khajami është thellësisht kontradiktor. Aq sa mund të trajtohet si afetar, po aq mund të trajtohet si fetar dhe si kundërshtar i fesë.

Së dyti, nëse për hir të lirisë së mendimit, kritikon dogmatizmin fetar, Khajami nuk është ateist. Ai beson në një Zot, pavarësisht se herë-herë kritikon edhe perenditë e feve semitike.

Së treti, mungesa e konsekuencës në idetë e Rubairave, nuk na lejon të përcaktojmë një vijë demarkacioni për një sistem të prerë filozofik të Khajamit. Vetë Noli e pohon këtë në introduktën e tij: “Çdo sistematizatë strikte e iderave që na çfaq Khajami është e kotë sa edhe e lajthitur”. Dhe më poshtë: “Khajami nuk është dishepull i një shkollë, po i të gjitha Shkollave gjer në një pikë” 16).

Së katërit, për hir të realizimit të një perle letrare, Khajami i ka lejuar vetes të predikojë edhe ide krejt kontradiktore. Ja si është shprehur Noli për këtë: “Të gjitha pikëpamjet makar kontradiktore janë të mira për Omar Khajamin në qoftë se i japin lëndën e nevojshme për një rubai artistike” 17). Kjo na dëshmon se vokacioni letrar tek Khajami ka qenë më i fuqishëm se ai filozofik; gjë që shihet, në ndonjë rast, edhe tek disa përkthime të Nolit, në kundërpeshimin mes vokacionit  letrar dhe atij filozofik. Me të drejtë, studiuesi Vehbi Bala ka vërejtur një “afinitet shpirtëror të Nolit me krijimtarinë e Khajamit” 18).

Kështu, mund të rreshtohen edhe argumente të tjera për ta kundërshtuar – si bindje – antifetarizmin e Khajamit. Noli e përktheu Khajamin në vitin 1926, si një nga militantët më të mëdhenj botërorë të “Lirisë së Mejtimit”. Mendoj se përkthimet madhore të Nolit janë nisur jo vetëm nga vlerësimi letrar-artistik, por më tepër e më nga vokacioni i tij atdhetar. Ndryshon puna me përkthimin e disa poezive.

            Si mendimtar i madh, Noli kishte nevojë për hapësirë të gjerë e horizont të kthjelltë mendimi. Këtë e ndjente, e quente të nevojshme dhe e dëshironte edhe për popullin e tij, për atdheun e tij; prandaj ai përkthen krahas Ungjijve edhe Rubairat. E gjithë veprimtaria e Nolit buron nga militantizmi për lirinë e mendimit, ushqehet nga kultura e tij shumë e gjerë dhe ndizet e merr flakë nga pathosi qytetar, për t’i dhënë forcë e energji veprimi idealit të tij atdhetar. Noli kërkon t’i japë dritë një populli që porsa ka dalë nga errësira e thellë otomane e që sorollatet në një qorrsokak vështirësish për të krijuar shtetin e vet dhe çdo gjë tjetër, duke filluar qoftë edhe nga ripërtitja e identitetit. Dhe këtë dritë ai e sheh në vazhdën e rilindasve, tek përqafimi i kulturës, nëpërmjet lirisë së mendimit – një çlirim shpirtëror deri në skajet më periferike të ndërgjegjes kombëtare.

            Të lexosh Khajamin është sikur të përballesh me një enciklopedi të tërë filozofike humaniste, të realizuar në një nga veprat më kulmore artistike të letërsisë botërore, sendërtuar gjithsesi me një thjeshtësi të skajshme. Thënë në mënyrë më se të thjeshtësuar, në morinë e motiveve, dy janë kolonat vertebrale, kryemotivet e Rubairave: gëzimi epikurean, hedonist i jetës –  “carpe diem” e romakëve – dhe qëndrimi stoik përballë vështirësive të saj. Polemika me fetë, kryesisht me dogmat e saj sillet rreth këtyre dy poleve, dy filozofive. Nuk ka këtu ndonjë kontradiktë, aq më pak alarmante, siç është interpretuar aty-këtu. As për Khajamin që i krijon rubaitë e as për Nolin që i përkthen. Sepse jeta i ka brenda saj të gjitha: edhe gëzimet edhe vështirësitë. Të parat duhen jetuar, të dytat duhen përballuar. Eshtë vetë jeta që i jep përparësi njerës ose tjetrës doktrinë filozofike, në rastet emergjente të saj, pa krijuar ndonjë kontradiktë, në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë hulli duhet interpretuar edhe militantizmi Khajam dhe Nolian për lirinë e mendimit.

            I rreshtuar me Khajamin, si një shqiptar i vërtetë që has shumë vështirësi në jetë dhe fare pak gëzime dhe i ushqyer nga vokacionet e tij atdhetare e fetare, Noli i jep përparësi qëndrimit stoik në jetë. Kjo shihet në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij. Del qartë tek përkthimi i Rubairave dhe sidomos në komentin që i bën atyre. Noli bashkë me Khajamin, së bashku me stoikët, mendojnë që njeriu duhet të jetojë i mbështetur tek arsyeja, në harmoni të plotë me natyrën, me ligjet universale të saj. Dhe në këtë rrugë, virtyti është e vetmja gjë e mirë, e vetmja vlerë, vlera më pozitive e njerëzimit. Për të realizuar detyrën e tij, njeriu duhet ta gëzojë jetën, kënaqësitë që jep ajo, t’i përballojë vështirësitë, vuajtjet, duke u ngritur mbi pasojat e fatit dhe duke arritur lirinë shpirtërore në pajtim me logjikën hyjnore, që drejton gjithësinë, natyrën dhe njerëzimin gjithnjë nga e mira.

II

Kontradikta më e thellë dhe më flagrante në dukje lidhet me qëndrimin e Nolit lidhur me përdorimin e dhunës në zgjidhjen e problemeve të mprehta shoqërore e politike. Ky ka qenë tundimi demoniak i shpirtit të tij gjithmonë të shqetësuar, ankthi që e ka ndjekur dhe e ka munduar e stërmunduar tërë jetën dhe që ai nuk ka mundur ta mposhtë plotësisht, por nuk i është nënshtruar.

Sa ka qenë i fuqishëm e i kthjellët vokacioni i tij atdhetar, sa ka qenë e gjerë, energjike dhe e vrullshme veprimtaria e tij në shërbim të këtij vokacioni, po aq ka qenë shqetësuese çështja e qëndrimit ndaj dhunës në llogoret e luftës për zhdukjen e mbeturinave të sundimit turk në strukturën shpirtërore, shoqërore, ekonomike e politike të popullit tonë, në vijën e frontit luftarak për ndërtimin e një shteti shqiptar sipas modelit perëndimor.

Ky problem e ka munduar Nolin që heret. Duket se në nënvetëdijen e tij, ai e parandjeu këtë ankth dhe prandej u përpoq të çlirohet prej tij, duke e derdhur në tragjedinë “Izraelitë e filistinë”-vepra e tij e parë, botuar në vitin 1907.

Në periudhën e rinisë, kur bëhej fjalë për çlirimin kombëtar nga sundimi turk, si gjithë rilindasit, Noli, pa asnjë mëdyshje, bënte thirrje për luftë të armatosur. Më vonë, kur shtrohej çështja e shkëputjes së Shqipërisë nga sfera lindore-aziatike dhe kur luftohej kundër tendencave diktatoriale që u vërejtën në jetën politike, në përpjekje për ndërtimin e një shteti demokratik, Noli është treguar i lëkundshëm ndaj përdorimit të dhunës-problem që më përtej, lidhet me qëndrimin ndaj marksizmit dhe bolshevizmit. Afrinë mes dhunës dhe bolshevizmit u përpoqën ta shfrytëzonin armiqtë e tij politikë për ta akuzuar si bolshevik.

Në periudhën e viteve të stuhishme e të lavdishme 1920-1924 dhe në gjithë veprimtarinë e tij politike të këtyre viteve, Noli luftoi për një Shqipëri moderne, të qytetëruar e demokratike. Sigurisht që ai kishte parasysh modelet e demokracive amerikane e evropiane.

            Në parlament Noli e paraqiste veten si përfaqësues i katundarëve e punëtorëve. Në një nga seancat e parlamentit, me iluzionin e demokracisë amerikane në imagjinatë, ai pati shpallur: “Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin”, duke bërë të vetat fjalët e Linkolnit. Besoj se asnjë mendje sado naive dhe e çoroditur qoftë nuk mund ta padisë Linkolnin për bolshevik.

            Në synimet e tij për ndërtimin e një shoqërie dhe të një shteti demokratik sipas modelit perëndimor, Noli u ndesh me elementin konservator, që përpiqej ta mbante Shqipërinë të lidhur me format e vjetra të sundimit, të shpirtësuara nga fryma e mykut oriental. Luftën kundër tij, ai shumë shpesh e veshi me terma tejet radikale revolucionare, gjë që i shërbei kundërshtarëve politikë për ta akuzuar si bolshevik. Nuk është se ai e pati harruar se “të mirat dhe të këqiat në atdheun tonë nuk ishin kurrë të ndara në klasa; sepse shqiptarët më të mirë kanë qenë kurdoherë aq nga klasa e pasur, nga klasa e ashtuquajtur bejlerë e agallarë, sa edhe nga klasa e t’ashtuquajturëve harbutë” 19), terma aq të pëlqyeshme në fjalorin nolian.

            Në fjalimin e tij të famshëm për “Pesë anarkitë”, mbajtur në parlament, në vitin 1924, qe shprehur: “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive… Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu është më bujk se bujku. Kini një shëmbull të bukur në partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhaqet më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.”.

            Kuptimplotë është fakti që në veprimtarinë e tij politike, Noli nuk u tregua armik i bejlerëve si “klasë”, por vetëm i bejlerëve konservatorë, ashtu siç luftoi edhe kundër intelektualëve konservatorë; ndërsa ai pati miq e bashkëpunëtorë bejlerë liberalë. Sa për ilustrim, po përmendim këtu se ai qe mik dhe bashkëpunoi me Ali Bej Klisurën, Mehmet Bej Konicën, Hasan Beg Prishtinën, Bajram Beg Currin, etj. Po miqësia e tij me Faik Beun? Sa qe Faiku kundërshtar i Zogut, patën një miqësi të ngushtë me njëri-tjetrin, por kur Faiku i doli në krah Zogut, filluan polemikat e ashpra, akuzat, fyerjet, siç i kanë pasur zakon të dy, dhe megjithatë, miqësinë e mbajtën tërë jetën. Kur shkoi në Shqipëri si deputet i “Vatrës”, në vitin 1920, Noli lidhi miqësi edhe me Ahmet Beg Zogollin, por kjo miqësi u prish shpejt, për shkak të vizionit dhe programit politik të tyre të ndryshëm.

Ndër shumë kërkesa të Nolit, të shtruara në parlament, po veçoj dy nga më rëndësoret: zbatimin e reformës agrare dhe dhënien e të drejtës së votës grave, dy kërkesa më se të nevojshme në funksion të çlirimit shoqëror dhe ekonomik të popullit tonë. Ky qe në vijat më të përgjithshme “yryshi” i tij “bolshevik” kundër “feudalizmit”!

Megjithëse në fjalimin e tij mbi varrin e Avni Rustemit, ai dha “kushtrimin luftarak” për të marshuar drejt Tiranës për realizimin e idealit të tij atdhetar e politik të krijimit të një republike demokratike-duke shkuar edhe në kundërshtim me këshillën e Gurakuqit për mospërdorimin e dhunës-qeverisja e tij në periudhën qershor-dhjetor 1924 dëshmoi se Noli nuk paskësh qenë për dhunën. Siç ka thënë Tajar Zavalani “ai që kishte hudhë parrullën e revolucionit mbi varrin e Avni Rustemit, u tregua më pak revolucionar se të gjithë”. 20). Dhe, siç dihet prej të gjithëve, kur forcat e Zogut rrethuan Tiranën, në dhjetor të vitit 1924, dhe ministri i luftës, Kasem Qafëzezi, shkoi ta pyeste Nolin se si duhej të vepronte, këtij iu desh të priste tek dera e zyrës afër dy orë, sepse kryeministri po i binte fyellit!

            Edhe po t’i mbledhim së bashku të gjitha gabimet e Nolit lidhur me problemin që po trajtojmë, qoftë fjalimin në Gjenevë, ku demokracinë e quajti një mashtrim hipokrit të popujve, parlamentin një murtajë, zgjedhjet e lira një komedi, etj., qoftë marrëdhëniet me sovjetikët (ardhjen e misionit diplomatik dhe njohjen e B. S.), qoftë disa mendime të tijat të shprehura në ndonjë introduktë lerare a në poezi, nuk na japin argumente për ta paditur atë si bolshevik

Në fushën e organizimit politik, mbas dështimit të të ashtuquajturit Revolucion Demokratiko-Borgjez të Qërshorit 21), Noli vepron në krahun e revolucionarëve. Në vitin 1925, ai është në krye të KONARE-s, organizëm politik i mërgimtarëve demokratë revolucionarë shqiptarë dhe më vonë, më 1927, ai është kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional, ku bënin pjesë edhe komunistët shqiptarë, të cilët nëpërmjet Federatës Komuniste Ballkanike lidheshin me Kominternin.

            Më 1927, Noli viziton Moskën, si anëtar i delegacionit të popujve të Ballkanit për të marrë pjesë në Kongresin e Miqve të Bashkimit Sovjetik, me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Në dy shkrime të botuara në Pravda ai shfaqi “simpatinë e tij për shtetin socialist”, “për sukseset e tij të mëdha”, “për politikën paqedashëse” dhe “besimin për një të ardhme më të mirë” të popujve sovjetikë. 22). Simpatia dhe besimi për një të ardhme më të mirë nuk mund të etiketohen me bolshevizëm.

Kultivimi në ndërgjegjën noliane i simpatisë për B. S., lindur dhe ushqyer nga shpresa se shteti i parë socialist në botë, “shteti i punëtorëve e i fshatarëve” do të ndihmonte për çlirimin politik e shoqëror, begatinë e paqen e popujve të vegjël, argumentohej edhe me faktin se Rusia Sovjetike pati publikuar Traktatin e Fshehtë të Londrës për copëtimin e atdheut tonë.

Duke folur për afrimin me sovjetikët, në kohën kur Lidhja e Kombeve dhe Shtetet Perëndimore nuk i dhanë ndihmën financiare aq të nevojshme për Shqipërinë, Robert C. Austin thekson: “Ky hap, të cilin Noli e ndërmori në mënyrë të njëanshme, ishte projektuar më shumë si një përpjekje e fundit për të tërhequr vëmendjen e Perëndimit sesa për të lejuar depërtimin e lirë të sovjetikëve në vend.” 23).

Si njeri i dimensioneve evropiane e botërore, Noli u përfshi në lajthitjen e shumë personaliteteve të mëdha të kohës, që e menduan shpëtimin, d. m. th. çlirimin politik e shoqëror të njerëzimit, në rrugën e sovjetëve.

Gjatë gjithë shekullit XX, duke lënë mbanesh gjysmën e dytë të shek. XIX, (kujto, p. sh., Federatën Social Demokrate që pati krijuar më 1881 poeti anglez William Morris, simpatizues i zellshëm i marksizmit dhe, më 1884, Shoqërinë Fabiane, ku bënte pjesë ndër personalitete të njohura intelektuale edhe miku e vlerësuesi i Nolit, George Bernard Shaw), në Evropën Perëndimore ekzistonin grupe intelektualësh që jo vetëm simpatizonin komunizmin, por qenë futur në radhët e partive komuniste, parti të cilat, mbas triumfit të Revolucionit të Tetorit, vepronin nën diktatin e Internacionales Komuniste. 24).

            I gjithë krahu i majtë i intelektualëve evroperëndimorë, në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, u nda mes atyre që përkrahnin socializmin dhe atyre që përkrahnin komunizmin dhe, kuptohet, debatet mes këtyre dy grupeve ndikuan mbi jetën politike të Evropës deri në vitet ’80, vitet që sollën përmbysjen e komunizmit.

            Sidomos gjatë viteve ’30, për shumë intelektualë jo vetëm të përmasave kombëtare, por edhe të atyre evropiane e botërore, në radhët e të cilëve futej Noli, komunizmi shihej si rrugë e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave njerëzore.

            Shumë intelektualë vizituan gjatë kësaj periudhe Bashkimin Sovjetik dhe vlerësuan arritjet e tij. Një pjesë e tyre nuk dinin gjë për terrorin stalinist; disa-edhe kjo duhet thënë-mbyllën sytë para tragjedisë sovjetike, duke besuar se qëllimet humane, çlirimi i popujve, e ardhmja e njerëzimit mund të arrihen përmes metodave johumane; pa lënë jashtë edhe ata që mbrojtën haptas terrorin stalinist. 25).

A nuk qenë komunistë nobelistët e lëtërsisë Romeo Roland, Pablo Neruda, Gabriel Garcia Marques (babai i realizmit magjik dhe i dashuruari pas Fidel Kastros), a nuk qenë komunistë personalitetet e shquara të letrave: Frederico Garcia Lorca, Henry Barbys, Louis Aragon, Paul Ives Nizan, Andre Malraux, Paul Eduard, Martin Andersen Nekse, e sa e sa të tjerë? Sa mashtruese aq edhe mikluese qe ëndrra e komunizmit për një shoqëri të lirë, ku të mbretëronte barazia e të mos njihej shtypja e shfrytëzimi.

Gjatë viteve 20-30, komunizmi qe bërë për shumë personalitete evropiane si një besim i dytë. Natyrisht, nuk vonoi që ky besim të digjej në flakët e ferrit të kuq. Mbas proceseve gjyqësore të mesit të viteve 30, që nuk patën të mbaruar, mbas Luftës Civile në Spanjë (1936-39), mbas Paktit Sovjeto-Gjerman (1939), mbas invadimit të Hungarisë dhe atij të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, zhgënjimi qe i plotë.

Jashtëzakonisht qartë është paraqitur ky zhgënjim nga një grup intelektualësh ish-komunistë mbas Luftës së Dytë Botërore, në librin “Zoti që dështoi” (1949), një përmbledhje esesh botuar nga Ed. R. Crossman. Shumë e shumë vepra u bënë pasqyrë e këtij zhgënjimi. Romancieri dhe eseisti hungarez Arthur Koestler e ka pasqyruar atë në disa vepra të tijat, por sidomos në romanin “Errësirë në mesditë” (1941), subjekti i të cilit janë proceset gjyqësore të viteve ’30 të shek. XX në B. S.

            Ndoshta më i njohuri nga ata që e diskredituan qe George Orwell, i cili pati qenë simpatizant i flaktë i komunizmit dhe diskreditoi sidomos tendencat totalitariste si kërcënim të vlerave humane, në romanet “Ferma e kafshëve” (1945) dhe“1984”(botuar më 1949).

Edhe filozofit të madh francez Jean-Paul Sartre, babai i ekzistencializmit, i cili për një kohë të gjatë pati besuar tek Bashkimi Sovjetik, “Revolucioni Hungarez” ia pati ftohur zjarrin e besimit e të dashurisë për sovjetët.

            Megjithëkëtë, zhgënjimi i madh i intelektualëve evropianë ndaj B. S.dhe Stalinit nuk duhet interpretuar edhe si zhgënjim ndaj marksizmit, sepse personalitete të mëdha të politikës, po edhe të filozofisë dhe të artit, vazhduan të mendojnë për një komunizëm të ndryshëm nga modeli sovjetik. Sa për ilustrim, po përmendim këtu vetëm filozofin amerikan Herbert Marcuse, (1898-1979), i cili nëpërmjet të një gërshetimi të frojdizmit me marksizmin predikoi revolucionin e dhunshëm, si shkallën e parë për të shkuar drejt një shoqërie më të pasur dhe më humane. Në vitet 60 të shek. që kaloi, ai qe bërë figura kryesore e së “Majtës së Re” në SHBA. 26).

Të kthehemi tek Noli. Mbas dështimit të tij politik, humanizmi dhe vokacioni i fortë atdhetar iu bënë më të thekshëm dhe dhimbja për atdheun iu bë edhe më e madhe-duke e menduar veten shkaktar të asaj që pësoi jo vetëm ai por edhe atdheu. Duket sikur iu konsumuan lëkundjet dhe u bind se “dhuna revolucionare e masave është alternativa e vetme e luftës ndaj dhunës kundërrevolucionare”.

            Në poezinë autobiografike “Krishti me kamçikun” që mendohet të jetë botuar më 1930, por që mund të jetë shkruar më parë, Noli qan hallin e atdheut që kishte rënë në dorë të batakçinjëve:

                        “Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë

                        janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,

                        tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë”

            Krishti, që nuk e duron dot këtë gjendje, merr kamxhikun: “Me kamçik e me fshikull sarafet i dboj,/ dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.”; por shpejt pendohet dhe e hedh kamxhikun, (në kundërshtim me këshillën e Shen Pjetrit), sepse “lirin’ e sjell drita e mendjes, jo druri”. Dhe çfarë ndodhi atëherë? “Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë/ dhe e shempnë çlironjësin, fen’ e atdhenë”. Krishti pendohet që përdori dhunën, ndërgjegjja dhe besimi që predikon nuk ia lejojnë dhunën; megjithëse logjika e ngjarjeve është në favor të saj. I tillë mund të përvijohet qëndrimi i Nolit. Ai rropatej në vorbullën e tallazitur të kësaj kontradikte, por pa iu nënshtruar asaj. Sentenca latine “Thehem, por s’përkulem” është mishërimi i qëndrimit nolian në gjirin e kësaj kontradikte.

            Në këtë frymë, në shtratin e kësaj lëkundjeje, Noli, mbas dështimit politik, analizoi qëndrimin e tij ndaj dhunës, çka na bën të arrijmë në përfundimin që teorikisht ai e pranon dhunën, por praktikisht nuk mund ta vërë në jetë.

            Në këtë hulli mendore e shpirtërore, megjithëse lëkundjet vazhdojnë, ai arrin ta predikojë përdorimin e dhunës. Kjo është shkalla më e lartë e “bolshevizmit” të Nolit. E kësaj kohe është poezia “Anës së lumenjve”, ku shqiptohet thirrja për kryengritje. Po çfarë është konkretisht qenësia e kësaj thirrjeje kryengritëse në poezinë e mësipërme? Ajo është thjesht një thirrje drejtuar masave popullore për të luftuar kundër gjendjes së krijuar në Shqipëri, kundër republikës autoritare që u vendos menjëherë mbas dështimit të ngjarjeve të qërshorit dhe që në krye të tri viteve, nga një “kuvend” që votoi një zëri, u kthye në mbretëri të trashëguar, e cila solli me vete njëfarë stabilizimi shtetëror të një dore të fortë, por jo çlirimin shpirtëror e shoqëror, për të cilin kishte nevojë Shqipëria. Është pikërisht ajo kohë, kur si shpërblim për shërbimet e larta që i kanë bërë Atdheut, u përshëndetën me plumb tribunët e lavdishën popullorë si Gurakuqi, Bajram Curri, e të tjerë.

            Thirrja e poezisë “Anës së lumenjve”, e cila më së shumti e etiketoi Nolin si bolshevik, nuk ka asgjë të përbashkët me revolucionin bolshevik, që synon vendosjen e diktaturës së proletariatit, ndërtimin e pushtetit të sovjetëve dhe të gjitha shndërrimet e tjera të dhunshme që pasojnë këtë diktaturë. Logjika e shëndoshë asesi nuk mund të argumentojë te kjo thirrje bolshevizmin. Noli kategorikisht qe armik i betuar i çdo diktature. Ideali i tij politik ka qenë një regjim republikan, në kuptimin më të saktë të kësaj fjale. Si militant i lirisë së mendimit,- premisa kryesore e çlirimit shpirtëror të një shoqërie,- atij i përshtatet më së forti thënia e Thomas Jefferson-it, presidentit III të Shteteve të Bashkuara, autorit kryesor të Deklaratës së Indipendencës: “Unë jam betuar në altarin e Zotit për armiqësi të përjetshme kundër çdo forme tiranie mbi mendjen e njeriut.”

            Armiqtë politikë dhe intelektualët puthadorë të tyre e shfrytëzuan këtë thirrje për qëllimet e tyre. Peshkopit tonë të nderuar iu shtua nofka “I kuq”. Ai u akuzua si bolshevik. (Duhet ditur se të parët që e akuzuan Nolin për bolshevizëm kanë qenë grekët). Kjo “kontradiktë” ideologjike e Nolit, kontradikta mes vokacionit e misionit të tij fetar kristian dhe thirrjes “bolshevike” për dhunë mori ngjyra paradoksale. I krijuar nga propaganda me synime të caktuara, paradoksi nolian bëri një përshtypje të thellë, sepse së paku atyre kulmeve të ndërgjegjes humane botërore që përmendëm më lart nuk i peshonte kryqi mbi gjoks. Të vjen çudi, kur edhe sot e kësaj dite ndonjë intelektual e ndjen ende shijën e këtij “bolshevizmi” nolian.

Nga më të avancuarat dhe të diskutuarat ndër introduktat e Nolit, për problemin që po trajtojmë, është ajo e “Armikut të popullit” e Ibsenit. Pipa ka shkruar që pasazhe të kësaj introdukte “hedhin dritë edhe në ideologjinë revolucionare të Nolit, që pa frikë mund ta quash bolshevike” 27).

Në këtë introduktë, Noli ngrihet kundër institucioneve të shoqërisë borgjeze: ideologjisë (të cilën ai e quan “faqe me nder demokratike”), lirisë së fjalës, zgjedhjeve, parlamentit, fesë, shkollës, opinionit publik, shtypit.

Edhe sot e kësaj dite, kur demokracia ka ecur mjaft përpara, nuk mund të pranohet që institucionet demokratike janë të përkryera. Aq më tëpër në vitet 20-30 të shekullit që porsa e lëmë, të cilat sollën në sofrën botërore të ideologjisë e të politikës rrymat e fuqishme, të përgjakshme e të stërpërgjakshme të fashizmit, nazizmit e komunizmit.

Panariti lidhur me konceptin që kishte Noli për për lirinë e mendimit ka shkruar: “Pas theorisë Noliane, liria s’është e lirë asgjëkundi. Kudo kufizohet me mënyra të ndryshme. Diktatoritë t’a kufizojnë lirin’ e mejtimit me anë të burgut dhe të litarit, kurse shtetet Perëndimore t’a kufizojnë me anë të propagandës dhe të policisë sekrete, pregaditin dosje fiktive dhe në bazë të tyre, të vënë vulën e kuqe (nënvizimi im, A. Ç.), ose nonjë tjetër vulë që të të çkreditojnë përpara turmës ignorante. Po natyrisht në botën Perëndimore liri e mejtimit është tolerabile, kurse në botën diktatoriale të presin gjuhën” 28).

Të ngrihesh kundër institucioneve borgjeze është një çështje; çështja tjetër-më rëndësorja- është, në emër të kujt e bën këtë “kryengritje”, në emër të ndonjë teorie socialistësh evroperëndimorë, apo në emër të një revolucioni bolshevik, për t’i zëvendësuar ato institucione me diktaturën e proletariatit, d. m. th. për t’i mohuar?

Ja zgjidhja që i bën Noli, duke komentuar figurën e Doktor Stokmanit: “Kjo shoqëri duhet përmbysur me gjithsej se është e pamundur të ndreqet me ato baza që ka. Qysh? Nga njëra anë me luftë (dhe këtu nuk është fjala për luftë të armatosur revolucionare, por kryesisht për përpjekje reformative, qoftë edhe me force; shënimi im, A. Ç), nga ana tjetër me edukatë, duke rritur një brez të ri ploretarësh…”. Dhe këtu të shkon mendja menjëherë tek “Republika e Platonit” dhe jo tek marksizëm-leninizmi.

Nuk mund të mospërfillet ndonjë interpretim i Nolit në këtë introduktë, në të cilën ai “e kapërcen vetë domethënien e kësaj vepre, përtej kritikës që i bën dhe që mund t’i bënte Ibseni shoqërisë borgjeze” 29). Këtu, më shumë se kudo ndihet lajthitja e përbotshme ndaj komunizmit, (Noli e botoi “Armikun e popullit” në vitin 1926, ndërsa Ibseni në vitin 1890), por gjithsesi, edhe në këtë introduktë, “bolshevizmi” i Nolit mbetet ndër thonjëza.

Kritika e realizmit socialist, duke i peshuar dukuritë letrare në kandarin politik të partishmërisë, që ka qenë parim i parë më i rëndësishmi i kësaj metode, ka vënë në dukje “kufizimet” e Nolit në formimin e tij ideologjik, “stepjet ideologjike”, “shkarjet politike”(!), d. m. th. trajtimin e gabuar prej tij të bolshevizmit.

Vërëhen herë-herë në shtypin shqiptar dhe në median elektronike, shkrime të papërgjegjshme, plotësisht të papërgjegjshme, të ndonjë pene të çoroditur, ku figura e Nolit cilësohet në mënyrat më të çuditshme, shpesh poshtëruese. P. sh., në revistën “Klan” (v. 1999, nr. 4.), shkruhet për Nolin që ka qenë “spiun i austriakëve”, “ka vjedhur gjithë florinjtë e arkës së shtetit”, “ka vjedhur librat ‘Historia e Skendërbeut’ dhe ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’ nga Konica, kur është pushtuar Shqipëria nga Italia, më 1939, ka thënë: “Sikur t’i bjerë zjarri Shqipërisë, unë do të bëj sehir dhe do të fërkoj duart si Neroni kur u dogj Roma” dhe shprehje të tjera që bëjnë me qeshë edhe gomarin. Diku tjetër është shkruar:“Revolucioni i 1924-ës ka qenë revolucion terroristo-ortodokso-bolshevik” dhe Noli është cilësuar: “diktatori i parë ortodokso-komunist i historisë së Shqipërisë”!

            Po ndalem paksa, sado që nuk ia vlen, tek dy cilësimet e fundit, që kanë lidhje më këtë shkrim. Duke lënë mbanesh faktin që këtyre penave u mungon predispozicioni qytetar për të vlerësuar me objektivitet atdhetarët idealistë dhe njerëzit e shquar të kulturës sonë; këto lloj përcaktimesh e të tjera si këto, në kandarin shkencor–duke huajtur një shprehje noliane–janë “flluska e supërflluska sapuni”, ku në vend të vezullimeve logjike e historike, shkëlqejnë padituria, mllefi dhe helmi i qëllimeve të autorëve.

(Ndër kllapa: janë po ato pena që përpiqen të përmbysin atë çka më të shenjtë e më të vyer ka krijuar populli ynë dhe të nxjerrin në pah atë çka ai ka pasur më të ndyrë e më të neveritshme, ato pena që hedhin baltë mbi Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, për të na ngritur në vend të tij shëmtira pashallarësh, që i shërbyen me devotshmëri fanatike pushtuesit turk dhe iu kundërvunë egërsisht, me zjarr e me hekur, luftës çlirimtare të popullit tonë; janë po ato pena që ngrejnë piedestale për Haxhi Qamilat e Esat Toptanat. Cilido që të jetë qëllimi i tyre, ai është para së gjithash e mbi të gjitha antishqiptar.)

Pa pasur ndërmend t’u shpjegoj këtyre zotërinjve konceptet e revolucionit, terrorizmit, ortodoksizmit, diktaturës, etj., u kujtoj vetëm që hapësira e konceptit “bolshevizëm” është një hapësirë e përgjakshme dhune e krimi shumëdimensional. Ajo përfshin revolucionin e dhunshëm, vrasjen pas shpine dhe çdo mjet tjetër makiavelik, grabitjen e pasurive private, shtetizimin e ekonomisë, mohimin më të skajshëm të identitetit të njeriut, nëpërkëmbjen dhe poshtërimin deri në fund të dinjitetit të tij, mungesën e të gjitha lirive e të drejtave njerëzore, duke përdorur kontrollin më të egër dhe censurën më të reptë të mendimit të lirë, që ushtrohen nga e vetmja parti në pushtet dhe nga organizmat më brutale e më represive të policive sekrete dhe sa e sa përbërës të tjerë, nga më antinjerëzorët, që ka sajuar ndonjëherë mendja satanike e njeriut.

Noli ka pasur gabimet e tij në politikë, gabime që dëmtuan vokacionin e fuqishëm atdhetar e qëllimet e tij të fisme dhe i bënë dëm ndonjëherë atdheut dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Ashtu siç simbolizoi “sinthezin e virtyteve të racës arbërore”, ashtu mishëroi edhe disa nga të metat e tharmit etnik shqiptar. Ai nuk doli dot nga ajo hise e shpirtit shqiptar, që përvijohet nga hakmarrja, urrejtja, inati, fyerja ndaj kundërshtarit, vështirësia në pranimin e gabimeve; por kjo hise shpirti është fare e zbehtë përballë shkëlqimit të madhështisë së personalitetit të tij.

Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashëmbullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.

Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian.

Noli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti. Ai ia arriti ta drejtojë atë në tokën e dëshiruar të kulturës e të qytetërimit.

Referencat dhe shënimet:

1). “Flamurtar i kombit”, përmbledhje e një seminari studimesh, i organizuar nga “Vatra”, në vitin 1982, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nolit, dhe botuar nën editimin e Eduard Liços, në Boston, Mass.; artikulli “Kontradiktat e Nolit”(f. 63), artikull pa autor, por i shoqëruar me shënimin: “Përmbledhur nga një shkrim që pat dalë në revistën ‘Mbrojtja Kombëtare’, botuar në N. Y., në v. 1966.

2). “Rubairat e Omar Khajamit” I shqipëroj Rushit Bilbil Gramshi. Edicja e dytë e ndrequr dhe e plotësuar, Bruxelles, 1927, f. 13-14.

3). Namik Resuli “Fan Noli sot”, në “Flamurtari i Kombit”, f. 10-11.

4). “Albumi II i Hirësisë Tij Peshkop Fan S. Noli dhe biografi kronollogjike prej Qerim Panaritit”, Boston, Massachusetts, 1966.

5). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Noli Vepra 1”, Tiranë 1987, f. 10-11.

 6). Fan S. Noli “Autobiografia”, Prishtinë, 1968, f. 27.

7) Po aty, f. 31.

8). Rev. Arthur Liolin “Reflektions on Metropolitan Theophan S. Noli”, në “Flamurtari i Kombit”, f.111.

9). Po aty, f. 111: “We know also that he considered his translation and compilation of the Kremtore Menaion…as his most rewarding achievement”.

10). “Dielli”, June 1, 1982, p. 12.

11). Rev. Arthur Liolin, artikulli i cituar, f.111.

12). Edhe vokacioni letrar i Nolit është i hershëm: ai botoi skicat e para letrare në revistën demokratike greke “Numas”, në vitin 1903. (“Noli Vepra 1”, f. 381).

13). Hobhouse, J. C. a Jorney through Albania and other Provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople during the years 1809 and 1810, London 1813, p.148.

14). Kështu, kur diskutohet për “homo balcanicus” duhet saktësuar mirë vija e brendshme e demarkacionit të “njeriut ballkanas”, gjë që vijëzohet në faktin se si e identifikon veten ai. Fatmirësisht, shqiptari, i dalluar për qartësi të plotë të vetëdijes etnike, nuk e ka identifikuar veten me besimin, siç kanë bërë dhe bëjnë edhe sot e kësaj dite grekët e serbët.

15). “Flamurtari i Kombit”, f. 28.

16). “Rubairat e Omar Khajamit”, f.14.

17). Po aty, f. 14.

18). “Noli Vepra 1”, f. 51.

19). “Flamurtari i kombit”, NY. 1982, f. 66.

20). Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnis”, 1998, f. 280.

21). Për ato që e kanë të qartë konceptin e revolucionit, nuk paraqitet nevoja të argumentohet që ngjarjet e qërshorit 1924 nuk mund të cilësohen si revolucion. Vetë “Luigj Gurakuqi, në një intervistë që dha në gazetën ‘Popolo d’Italia’ deklaroi se ngjarjet e qërshorit 1924 nuk ishin një revolucion i vërtetë, por një grusht shteti.” (Cituar nga Robert C. Austin: “Shtegu i pashkelur i Fan Nolit-Demokracia në Shqipëri në vitet 1920-1924”, f.84).

22). Akademia e Shkencave e PS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i lëtërsisë, “Noli Vepra 1”, Tiranë 1987, f .392.

23). Robert C. Austin, vepër e cituar, f. 197.

24). Donald Kagan, Steven Ozment, Frank M. Turner, “The Western Heritage”, Fourth Edition, Volume II, p. 868.

25). Po aty, f. 1135.

26). “The New Webster’s International Encyclopedia”, Naples, Fl., 1998, p. 676.

27). Revista “Fryma e Re”, Tiranë, 1993, nr. 1, f. 5.

28). Qerim Panariti, “Fan S. Noli, Albumi II”, Boston Mass. 1996, f. 112.

29). Akademia e Shkencave…, vepër e cituar, f. 39.

Botuar në “Dielli”, viti 2002, nr. April-June & July-December.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Çefa, Kontradikatat e Nolit, Vokacionet

ISUF LUZAJ- dhe Atdheu që i përbuz Mendimtarët

July 11, 2021 by dgreca

C:\Users\Admin\Desktop\Isuf Luzaj-Mendimtari.jpg

   “Eshtë detyra e Mendimtarëve që të mos mbajnë krahun e ekzekutorëve.” -Albert Camus/

  Shkruan: Melsen Kafilaj/                                                                                                                            

Tashmë është legjitimuar nga shekujt dhe historia njerëzore ajo shprehja që “Profetët dhe Mendimtarët ose i dëbojnë prej Atdheut të tyre ose i vrasin me gurë.” Dhe sa më i madh profeti, mendimtari dhe mesazhi që ai përçon, aq më e madhe përndjekja dhe aq më e ashpër për rrjedhojë edhe forma e dëbimit a ndëshkimit… Në rajonin e Evropës Juglindore ekziston një vend i cili tradicionalisht i ka përbuzur, linçuar, syrgjynosur apo vrarë mendimtarët e vet. Një fat të tillë të hidhur përbuzjeje dhe syrgjynimi (si gjatë Komunizmit, po ashtu edhe në Demokraci) e ka pësuar edhe njëri prej bijve më të shkëlqyer të këtij vendi; mendimtari Isuf Luzaj.

Ndërsa bluaja këto mendime në kokën time dhe ngjisja shkallët për ndjekjen e një aktiviteti kulturor, mu shfaq përballë një stendë gjigande me gërma kapitale: “Konferencë Shkencore për vetitë e shkëlqyera të lëngut të kërrmillit në trajtimet bio-estetike.” Konferencë për lëngun e kërrmillit?! Jo. Nuk isha në ëndërr. Të pranishmit në masë po ngjiteshin një e nga një dhe po i drejtoheshin sallës ku do të organizohej ky “event i madh shkencor”…U çmerita! Një shoqëri e cila është e angazhuar më tepër për të kuruar Fytyrën (Dukjen) dhe jo veset dhe të metat e saj (Natyrën) është një shoqëri e destinuar për faliment vleror.Një dorë e padukshme më kishte dhënë një shuplakë të fortë dhe e kishte revoltuar befas ndërgjegjen time. 

Fatkeqësisht, në Shqipërinë tonë të varfër (mendërisht akoma edhe më të varfër) të organizosh konferenca shkencore për heronj të tillë mendimi si Branko Merxhani, Kristë Maloki, Mehdi Frashëri, Arshi Pipa apo dhe Isuf Luzaj përbën një herezi të madhe. Një akt i tillë, i cili sipas logjikës së Pushtetit, “del kundër rrymës”, “prish status quo-në” apo dhe zgjon “tema me natyrë sensitive”… Ajme! Se kemi parë ende në sy diellin e Intelektit dhe jemi ende në fazën ku mendimtarët trajtohen sipas nocionit të “kampeve ideologjike”, duke i klasifikuar në “Ne dhe Ata”, duke u diferencuar, stigmatizuar apo edhe duke ju gjendur “cene” për ti diskretituar, por pa u marr në thelb me esencën dhe vlerat e botëkuptimit të tyre…Një problematikë të tillë e kam hasur edhe me mendimtarin Isuf Luzaj.

Ka të paktën disa vite që përpiqemi institucionalisht (në nivel universitar dhe akademik) për të organizuar një konferencë shkencore për nder të këtij mendimtari të madh por deri në këtë moment që shkruajmë këto radhë na ka rezultuar diçka e pamundur. Por kush kërkon që ta mbaj larg prej katedrave universitare dhe qarqeve shkencore shqiptare mendimtarin e përbotshëm Luzaj?! Cilët janë ata individë, instrumente dhe mekanizma që profesorin e nderuar nga 2 Amerikat dhe 2 Presidentë Amerikanë ta refuzojnë dhe përbuzin në Atdheun e vet, ndërsa veprat ia “çensurojnë” për të mos hyrë dhe për të mos u bërë pjesë e kurseve universitare ?! Cili Njeruc dhe Liliput ka frikë nga hija e madhështisë dhe pesha e mendimit të këtij titani Kaniniot ?! A do ta refuzojmë edhe për shumë kohë këtë kolos i cili Bergsonit, Borgesit, Maritain-it, Sartrit dhe plotë mendimtarëve të tjerë me klas botëror kur ju prezantohej, u thoshte me plotë gojë: “Jam Shqiptar?!”

Edhe për sa vite të tjerë me radhë një mëndje prodhimtare si ajo e Tij do të lihet në azilin e harresës ndërsa vepra të tilla me peshë filosofike (të cilat duhet të hulumtoheshin) si: “Ekzistenca dhe Boshësia”, “Sëmundjet e Shekullit Tonë”, “Filosofia e Bukurisë”, “Rindërtimi i Fuqive Shpirtërore”, etj përbuzen dhe nuk ju kushtohet interesi, respekti dhe serioziteti i duhur shkencor?! 

Mendoj që organizimi i një konferencë shkencore në nivel kombëtar për këtë intelektual “par excellence” është më e pakta që mund të bëjmë. Por pse të mos ketë gjithashtu edhe një katedër të studimeve humanistike në Shqipëri, e cila të mbaj emrin e nderuar “Isuf Luzaj ?!” Kemi një parti politike Social-Demokrate. Pse jo akademia e saj politike (nuk e di nëse e ka një të tillë apo jo) të mos ketë emrin e njërit prej themeluesve të saj të parë (1943), pra Isuf Luzajt ?! Luzaj qe gjithashtu edhe një lëvrues i shkëlqyer i esesë. Pse të mos kemi një konkurs në rang kombëtar dhe për esenë më të mirë letraro-filosofike të akordohet çmimi “Isuf Luzaj?!” Do të doja të vazhdoja edhe më tej me propozimet por kam frikë se Atdheu që i përbuz mendimtarët nuk reflekton dhe për rrjedhojë është i destinuar që ti përsëris sërish të njëtat gabime…

Luzaj kishte shpresë tek bërja e Rinisë Mendonjëse. Ai besonte se përmes saj ne mund ta bëjmë Shqipërinë e së Nesërmes.Profesori do të zhgënjehej shumë sikur ta thërrisja në medium dhe ti tregoja që Rinia Shqiptare tek e cila ai aq fort besonte, sot nuk është gjë tjetër veçse një Rini Tik-Toku dhe Instagrami, pa kurrëfarë patriotizme, vizioni a ideali…Do të zhgënjehej shumë edhe me mësonjësit dhe politikanët tanë të sotëm, të cilët ai i kërkonte që të ishin të virtytshëm, me integritet, të pakompromistë dhe në shërbim të Mëmëdheut por që këto 30 e kusur vite demokracie nuk kanë dëshmuar gjë tjetër veçse se janë themel-prishës dhe matrapazë të zellshëm të Interesit Kombëtar. E megjithatë, jam i sigurt që Profesor Luzaj do ta mblidhte veten në mënyrë stoike prej të tilla lajmesh të mynxyrshme  dhe duke rrudhur ballin e gjerë prej mendimtari do të na këshillonte si komb me po të njëjtin ton optimist: 

“Gjithçka ndryshon.Vepro tani! E gjithë ndërmarrja varet veç nga ti !”

Filed Under: ESSE Tagged With: Atdheu qe perbuz mendimtaret, Isuf Luzaj, Melsen Kafilaj

Nderimi i disidencës

July 2, 2021 by dgreca

PROFIL/

Universiteti amerikan për paqen globale ka nderuar Besim Ndregjonin me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”/

Nderimi i disidencës /

  • Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mesazh urimi për  presidentin e Unionit të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zotin Besim Ndregjoni

Nga Halil RAMA

Dhjetë vjet pas dekorimit nga Presidenti i Republikës me Urdhërin e lartë “Mjeshtër i madh”, vjen një tjetër titull nderi për aktivistin e të drejtave dhe lirive të njeriut, Besim Ndregjoni. 

Universiteti amerikan për paqen globale ka nderuar me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” për marrëdhënie ndërqeveritare dhe humanitet presidentin e Unionit të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zotin Besim Ndregjoni duke i njohur shërbimin e tij të përkushtuar dhe vetëmohues ndaj proceseve të paqes dhe pajtimit në Shqipëri.

Parasëgjithash ky është nderimi që i bëhet disdencës shqiptare, Jo më kotë, në këtë event që u mbajt nën kujdesin e veçantë të Misionit diplomatik për paqe dhe Prosperite,t me pjesëmarrjen e personaliteteve nga sfera publike, “Besim Ndregjoni  u vlerësua si një legjendë e gjallë, i cili gjithë jetën ua ka dedikuar gjithë atyre që u persekutuan egërsisht nga rrëgjimi.

Ka të drejtën legjitime të ndjehet krenar Njeiu që që gjithë jetën e tij ia ka dedikuar zërave që nuk mundën kurrë të dëgjoheshin pasi u shtypën nën rrëgjimin e egër komunist . Ai e vlerëson këtë titull si nderimin më të madh që ju bëhet 4500 të zhdukurve të regjimit, 36 mijë burrave dhe grave që u burgosën për liri, si dhe  50.000 familjeve të persekutuara. 

Por para së gjithash, ky titull i lartë është vlerësim për kontributin e rëndësishëm të zotit Ndregjoni si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë dhe për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist. Në ceremoninë e dhënies së këtij titulli ishin të pranishëm ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deputetët e zgjedhur të PD-së Dhurata Cupi, Xhelal Mziu, Tomor Alizoti, këshilltari  i Presidentit të Republikës, gjeneral Dedë Prenga, këshilltari i kryebashkiaut të Tiranës Veliaj, Z.Arjan Hamiti, si dhe dhjetra të përndjekur politikë të regjimit komunist nga Tirana, Dibra e Shkodra. 

Shembulli i njeriut që na tregon se si duhet jetuar jeta

Ndregjoni është shembulli i qëndrestarit, shembulli i njeriut që na tregon se si duhet jetuar jeta. Ai ka të drejtë të krenohet për udhën që ka përshkruar gjatë gjashtë dekadave. Si askush tjetër, ai ka ditur të lërë gjurmë të pa shlyera në udhën e jetës, gjurmë që duhet t`i ndjekin dhe pasardhësit e tij. Personaliteti i tij, kudo dhe në çdo rrethanë reflekton vlera, për të cilat është e etur shoqëria jonë. I rritur dhe edukuar në një mjedis atdhetarësh, në Lukanin e Katër Grykëve, rrëzë Runjës hijerëndë e kreshnike, ai u bë shembull frymëzimi për bashkëkohësit, si udhërrëfyes i progresit dhe dinjitetit njerëzor. Në gjithë jetën e tij Besim Ndregjoni njihet si një njeri mjaft serioz, shumë i dashur dhe me një humor, gjithmonë të shëndetshëm. Njeri i veçantë, energjik, në sjellje e qëndrime, me një mënyrë të foluri karakteristike, që të mbush mendjen për çdo gjë që mund të flasë. Një njeri tepër bujar, i thjeshtë si buka që ndante përnatë e përditë me miq nga më të ndryshmit në tryezën e vatrës së tij familjare. Është një ndihmëtar i pakursyer për të përcjellë nëpër shkolla dhe universitete të vendit, dhjetëra e dhjetëra djem dhe vajza të popullit, nga familje të burgosura e të persekutuara të regjimit komunist. Pikërisht këto vlera të tij i evidentuan gjatë fjalëve përshëndetëse,  dr. Shefki Hysa, kryetar i Misionit Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, Ardian Elezi, Arjan Hamiti dhe vecanërisht koloneli amerikan në pension doktor Randell Torn. 

Misionari vizionar u ka prirë zhvillimeve të rëndësishme 

Emblema e disidencës shqiptare, Besim Ndregjoni, falë intuitës, inteligjencës dhe largpamësisë së tij ka ecur vrullshëm në jetën politike shqiptare të këtyre 25 viteve pluralizëm, duke u prirë zhvillimeve të rëndësishme. Ai i përket atij brezi të vuajtur të Shqipërisë së diktaturës së proletariatit, ku vlera e njeriut ishte e papërfillshme dhe ku konstitutohej nga Kushtetuta diktatura e pakicës mbi shumicën. Ndregjoni vjen nga një familje fisnike, e shquar në kontributet për shërbimet në drejtim të shoqërisë dhe kombit. Si familje fisnike u persekutua nga regjimi komunist; ai regjim i pushkatoi tre pjesëtarë të familjes, dy, të tjerë i mbyti në hetuesi. Babain e tij, Imer Ndregjoni e dënoi me 17 vjet burg politik dhe persekutimi vazhdoi edhe jashtë familjes, ku nga torturat i çmendi në hetuesi kunatin (1982). Gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai i tij luftoi me armë në dorë së bashku me Abaz Kupin kundra fashizmit në prill të vitit 1939. Ai ishte një nacionalist, antikomunist dhe humanist, i cili gjatë periudhës 1943-1945 shpëtoi një familje hebrejsh nga genocidi nazist. Me ardhjen e sistemit pluralist, për kontributet e dhëna në shërbim të kombit, babai i tij është shpallur “Qytetar Nderi i Selishtës, Dibër” (2003). Po ashtu, Presidenti i Republikës e ka dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, si luftëtar antifashist dhe për qëndresën ndaj regjimit komunist. Këshilli Bashkiak i Tiranës me rastin e 60-vjetorit të genocidit nazist mbi Hebrejtë, ka emërtuar një rrugë në Tiranë, Rruga “Imer Ndregjoni” me motivacionin për shpëtimin që u bëri hebrejve gjatë okupacionit nazist. Gjatë kohës së regjimi komunist, Besimit iu privuan të drejtat dhe liritë themelore, ndër to e drejta e arsimimit, e punësimit. Gjatë atij regjimi, u caktua në bazë të një vendimi të pushtetit diktatorial, të punonte në punë të rënda në hapje tunelesh, dhe në vende të tjera, që sot konsiderohen si relike të diktaturës së komunizmit në vend, me detyrimin që të mos lëvizte, pa urdhër të pushtetit qendror. Por megjithë kalvarin e mundimshëm, dashuria për lirinë te ky njeri ka qenë e para, e përhershme dhe e përjetshme, i gatshëm për t`u flijuar dhe martirizuar edhe nën terrorin komunist. 

Memoria historike e krimeve të komunizmit 

Me përmbysjen e diktaturës komuniste, Besim Ndregjonin do ta shohim edhe një herë në vijën e parë të luftëtarit të lirisë. Gjatë viteve të pluralizmit, Besim Ndregjoni ka dhënë një kontribut të çmuar për dokumentimin dhe publikimin e krimeve të komunizmit. Mbrojtës i zjarrtë i kauzës së të përndjekurve politikë, duke qenë një oponent i vazhdueshëm ndaj pushtetit politik për integrimin dhe rehabilitimin e pasojave dhe traumave të kësaj pjese të shoqërisë shqiptare. Ndregjoni shfaqet edhe në shtypin e përditshëm si publicist, me artikuj të shumtë që pasqyrojnë kalvarin e mundimeve të një luftëtari të lirisë dhe nëpërmjet veprës së tij ne njohim kalvarin e vuajtjeve dhe mundimeve të shqiptarëve nën diktaturën komuniste. Dhe në këtë mënyrë, ai na shfaqet si shembulli i njeriut që ndjen detyrën ndaj atdheut dhe se si duhet ta bëjmë këtë detyrë, duke kapërcyer çdo vështirësi që na del përpara. Ai bën një paraqitje historike të fakteve të rënda të persekutimit komunist, botkuptimit dhe filozofisë së pakuptueshme që udhëhoqi Shqipërinë për katër dekada, duke nisur që prej viteve ’40 e deri në fillim të viteve ’90. Ndregjoni analizon në mënyrë të drejtpërdrejtë diktaturën shqiptare si një nga më të ashprat dhe pa asnjë element të përbashkët me pushtetet komuniste në Evropën Juglindore, duke mbajtur konstant genocidin mbi kundërshtarët e saj – të Përndjekurit Politikë shqiptarë, që kaluan një kalvar vuatjesh, traumash, përçmimesh, fyerjesh, degradimesh të pakrahasueshme në asnjë shoqëri të Evropës Juglindore. Në përditshmërinë e jetës zoti Besim Ndregjoni është një nga figurat më interesante, si përfaqësues i elitës intelektuale dibrane dhe mbarëshqiptare. Në miqësi me dijen, si simbol i mençurisë e diturisë, ai besoi dhe dëshmoi me vepra se njeriun në jetë e mban vetëm dija. 

Pjesëmarrës dhe referues në dhjetra konferenca ndërkombëtare

Bashkëvuajtësit vlerësojnë aktin e z.Ndregjoni kur si ish Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Ish të Përndjekurve Politik të Shqipërisë, u larguat nga ky institucion në shenjë proteste ndaj Qeverisë për mos dhënien e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë. Ata evidentojnë bashkëpunimin e kreut të tyre me institucionin e Avokatit të Popullit të Danimarkës dhe Qendrën Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe të Torturës për zbatimin e konventave ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Shqipëri. Por Besim Ndregjoni ka dhe një aktivitet intensiv në organizma prestigjiozë ndërkombëtarë. Më 25 janar 2008 ka referuar në Senatin Francez Paris, “Familjet fisnike Shqiptare në mbrojtje te Hebrenjve”. Tre ditë më pas ai referon ne selinë e OKB-së në New York “Fisnikëria e familjeve shqiptare dhe humanizmi i tyre për shpëtimin e jetëve të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Është pjesëtar dhe referues i delegacionit shqiptar në Konferencën ndërkombëtare organizuar në Berlin, Gjermani me temë: “Eksperienca gjermane domosdoshmëri, në dokumentimin e krimeve të komunizmit”. Nën devizën “Dënimi i krimeve të komunizmit është drejtësi”, themeluesi dhe drejtuesi i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, insiston në kërkesën që politika shqiptare të bëjë ndarjen nga e shkuara komuniste, të dënojë krimet e komunizmit. “Dënimi i krimeve të komunizmit është drejtësi dhe jo hakmarrje siç e përdor politika shqiptare, sepse vetëm kështu mund t’i japim vendit një të ardhme të sigurte demokratike dhe europiane”, -shprehet zoti Ndregjoni. Për këtë kalorës të fjalës së lirë, të përkushtuar maksimalisht në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore, u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa”, nga Misioni diplomatik për paqe dhe Prosperitet, ndërkohë që dhjetra pjesëmarrësit nga institucionet qëndrore e vendore ndoqën me interes të jashtëzakonshëm fjalët përshëndetëse të të ftuarit të veçantë në këtë ceremoni mbresëlënëse, kolonelit amerikan në pension doktor Randell Torn, i specializuar në fushën e sigurisë dhe paqes i cili bashkëpunon me strukturat e misioneve prestigjioz ndërkombëtare për të sjellë paqen dhe sigurinë kudo në botë.

Besim Ndregjoni mban gjithashtu titujt “Nderi i Qarkut Tiranë” dhe “Nderi i Qarkut Dibër”, dhëne nga këshillat e qarqeve përkatës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Besim Ndregjoni, Nderimi Disidences

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 205
  • 206
  • 207
  • 208
  • 209
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT