• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËSUESI I PUSHKATUAR PJETËR PALI DHE HAXHIU NGA POSTRRIBA

September 16, 2020 by dgreca

Rrëfim nga KOLEC P.TRABOINI-

Sa i përket të pushkatuarve të Kryengritjes së Postrribës, nga Hoti ka qenë  një mik e i afërt familjar i babait tim që, veç të tjerash, i lidhte dhe profesioni i mësuesit.  Ky ishte mësuesi Pjetër Pali, i cili u lidh me kryengritësit e Postrribës me ndërmjetësimin e Mustaf Jakupin që ka qenë furrtar në Rus Katolik në Shkodër, përballë kishës dhe kishte krijuar një grup në përkrahje të kryengritjes antikomuniste të 9 shtatorit 1946. Me ta ka qenë edhe Gjelosh Vat Maçi, nga Hoti i Ri, sakat ky e punonte nënpunës në Prefekturë, por mesa kujtoj nga tregimet familjare, edhe Gjon Leka, i biri i Luc Gjelosh Lekës dhe vëllai i kompozitorit Zef Lekaj ka qenë i lidhur me ketë kryengritje. Kur është bërë një si punë gjyqi, mësuesin nga Hoti Pjetër Prenush Pali e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan me 2 dhjetor 1947, ndërsa pjestarin tjetër të këtij grupi që siç thuhej ishte ndër kryesorët, drejtuesi i grupit  Mustaf Jakupi, si bani 4 apo 5 vjet burg çuditërisht e lëshuan dhe e mbaj mend në fëmini që vazhdonte të ishte furrtar në Rus Katolik, përballë Kishës. Ishte zijosh hijerëndë dhe kishte miqësi me shumë njerëz. Sa herë e shihja furrtarin me vinte ndërmend tregimi i Dadës Katrinë për mësuesin e pushkatuar Pjetër Pali, e seç me vinte një si dhimbje. Pse kishin pushkatuar pikërisht mësuesin nga Hoti?! Por furrtarin Mustaf Jakupi jo, madje e kishin liruar shpejt dhe vazhdonte të kishte furrën që në atë kohë konsiderohej një burim i mirë fitimi. Edhe Gjelosh Vata e Gjon Lekaj  nga Hoti i Ri kanë bërë burg politik të gjatë.  Nga kujtimet e pakta fëminore për atin tim Palok Traboini është edhe udhëtimi që bënim bashkë me biçikletë për në fshatin Postrribë ku ai kishte miq, me së shumti ish nxënës të tij të cilët e ftonin. Çdo festë Bajrami babai im ishte i ftuar të shkonte te miqtë e vet në Postribë dhe ndër këto festa më merrte edhe mua. Vdekja e babait e ndërpreu këtë miqësi me familjet postrribase. Por ndodhi që më vonë të njihesha me një plak të vjetër nga Postrriba. Mund të ketë qenë nga Mes-Myslimi a Dragoçi por ne të gjithëve matanë urës se Mesit u thoshin postrribakë sepse emri i Postrribës ishte më i njohuri në Shkodër e rrethina. Quhej Haxhi, ishte sakat, një plak i moçëm hokatar të cilin nuk kishte nevojë ta pyesje sepse e fillonte vetë bisedën. E meqë ishim të rinj asokohe na thoshte, “bëji një nder plakut, ik na blej një bukë gruni se kollomoqin nuk e ha as dreqi.” Nuk e di e njihte apo nuk e njihte babain tim, por ai thoshte”Mësues Palokën, po, e kam njohtë”. Ndoshta Haxhiu i shkretë thoshte ashtu për hir të bukës se grunit që shitësja atij nuk ja jepte ani pse rrinte me orë të tëra para dyqanit dhe priste që ne ta ndihmonim të mos ikte me torbat bosh në Postrribë. Gjithmonë kam qenë kureshtar dhe nuk kishin të mbaruar pyetjet që i bëja të moshuarve. Kur e pyeta një herë se a dhimbtë këmba e a merrte ilaçe, ai bëri sikur nuk e dëgjoi  pyetjen. Mesa dukej nuk donte të kujtonte diçka që ishte ma e fortë se dhimbja e plagës. “Ka keq e ma keq”- me tha një ditë.-“ Unë te paktën e kam gomarin po një shoku jem nuk e ka as gomarin e ka mbet në shpi.” Pastaj kalonte me hoka të cilat nuk e di pse na i thoshte dhe çfarë ishte kuptimi i vërtetë i tyre. Fshatarët shpesh kanë një kod të vetin në të folur që ndryshon kuptimin e fjalëve. “Ne mos marrsha sot bukë gruni me vedi do të shkoj puna si atij që shkoi në Domen”- tha një ditë. Dhe qeshi me vete. “Si asht puna e atij domnorit?”- e pyetëmNisi të recitonte ngadalë këto fjalë: “Ku ishe? Në Domen. Çka na solle? Kromen. Drishti qe i pat mendtë hangri ato që lanë qent”. Padyshim që Haxhi fliste në mënyrë të figurshme. Nuk është se i krijonte vete këto shprehje, se ato ishin pjese e zhargonit popullor të krahinës, por mënyra si e thoshte dhe e lidhte me bukën e gojës na vinte në mendime. Haxhiu plak ishte burrë i mençur dhe hokat i bënte kinse për tu dukur se ishte i kënaqur nga jeta. Nuk na u durua një herë pa e pyetur se çfarë kishte pësuar ai shoku i tij fatzi që nuk dilte dot as nga shtëpia. Veç ti shihje sytë e Haxhiut atë çast, si një vetëtimë në qiell të kthjelltë. “Po more rrezikziu. E ngatërruan me do të tjerë fatzi dhe i morën ti pushkatonin. Ishte ditë e të gjithë ata, 16- a 18 burra, si i pushkatuan i lanë aty në një gropë të madhe ku i hodhën veç  pak dhe përsipër që të mos i shqyenin qentë. Ky rrezikzi kishte marrë  disa plumba në trup, por kishte mbet gjallë. Nisi me luajt mes trupave e në një farë kohe vuni re se kishte ra nata. Atëherë mezi doli prej gropës. Ju deshën disa orë sa të shkonte zvarrë deri në shpi të vet. Qeni lehi,  por e njofti të zotin e nisi me kja si kjajn qentë. Njerëzit në shpi nuk po mujshin me dalë jashtë në ërrësinë,  por ma së fundi kur nisi me kris dera, e hapen e thirren “Po kush je ti more?”, Rrezikziu tha jam filani. E kishin kja një herë për së dekuni e tash po e kjanin për së gjalli. E ngritën dhe e futën në shpi, i lanë plagët, i dhanë bukë e nuk po dinin se çka me ba me njeriun që e dinin në vorr të pushkatum. E pleqënuen mirë e mirë dhe nga frika se mos pushkatonin edhe pjestarë të tjetër të familjes, vendosen që të nesërmen ta dorëzonin. Dhe ashtu banë. Kur u mor vesh nga pushteti, u thanë të mos flisnin me askënd e të mos thoshin asgja. Rrezikziun e morën, i banë një gjyq tjetër te mshehtë e meqë e kishin marrë krejt kot, pa asnjë lidhje me kryengritjen dhe nuk i gjetën pushkë,  vendosen ti jepnin 20 vjet burg. Nuk bani veç gjysën e doli sakat prej plumbave që kishte marrë. Gjallë e për gazep asht edhe sot…” Haxhiu i Postrribës na shikonte ne e ne e shikonim atë. Asnjë palë nuk reagonte se nuk donim të vinim njëri-tjetrin në pozitë të vështirë, aq me tepër se këto biseda ishin delikate. Gjithsecili kuptoi aq sa deshi. Aty u thanë e aty u lanë. Haxhiu merrte rrugën drejt verilindjes mbi gomarin e tij dhe hejbet me bukë dhe ne në Gjuhadol vazhdonin jetën në rutinën e përditshme. Gjithmonë pyesja veten, por jo atë, ishte apo nuk ishte Haxhiu njeriu që kishte dalë nga varri. Kjo skene më rrëqethte. Edhe pse kaluan shumë e shume vite,  kurrë nuk mu largua mendimi se  këtë histori treguar për një tjetër rrezikzi e kishte pësuar vetë Haxhiu sakat që vinte nga Postrriba në Shkodër mbi gomarin e tij për të blerë ndonjë bukë gruri  “se kollomoqin nuk kishte dreq që e hante”. Ashtu më ka mbet përgjithmonë në kujtesën time  Haxhiu nga Postrriba. Piktura “Plaku i Postrribës”nga Kol Idromeno

Filed Under: ESSE Tagged With: Haxhiu nga Psotriba, KOLEC P.TRABOINI, Mesuesi, Pjeter Pali

Kthim në natyrë

September 8, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI-

Natyra e njeriut shpesh është e fshehur; ndonjëherë del; rrallë shuhet; është kthimi që e bën njeriun të dhunshëm; gjërat që nuk i realizoi me doktrinë, tani përpiqet t’i bëjë me forcë. Idea konsiderohet më pak e rëndësishme; vetëm zakoni ndryshon dhe përpiqet të nënshtrojë. Prandaj, në disa raste, njeriu nuk meriton shans të dytë. Ai kërkon të fitojë mbi natyrën e tij. Detyrat që i vë vetes janë shumë të mëdha ose shumë të vogla; e para e bën të dëshpëruar nga dështimet; e dyta e bën të vogël, shpesh mbizotërues.Në fillim njeriut i duhet praktikojë me ndihma, siç bëjnë notuesit me mjetet që i mbajnë mbi ujë; por pas një kohe ai praktikon vetëm, siç bëjnë valltarët; kjo krijon përsosmëri të madhe, kur praktika është më e vështirë se vënia në jetë e qëllimit. Aty ku natyra është e fuqishme, dhe për këtë arsye fitorja është e vështirë, ngjitja me shkallë është e nevojshme, për të qëndruar në natyrë e në kohë; si njeriu që i nxjerr fjalët si lumë kur është i zemëruar, dhe rrjedha shteron, kur zemërimi bie, ose, kur dehet duke pirë për shëndetin e vet, apo kur, për t’u freskuar hidhet në ujë të ngrohtë. Nëse njeriu ka guxim dhe vendosmëri të fitojë të drejtën e tij, kjo është më e mira: As rregulli i lashtë nuk është i gabuar për ta përkulur natyrën, si një shkop në ekstrem të kundërt, kur e kundërta ekstreme nuk është ves. Zakoni nuk krijohet në vijë të drejtë me vazhdimësi të përhershme, por me ndërprerje, ku çdo njëra prej përkuljeve përcakton një fillim të ri; dhe nëse njeriu është gjithnjë në praktikë, ai gjithashtu do të praktikojë gabimet dhe aftësitë e tij; do të krijojë një zakon të ri; nuk ka asnjë mënyrë për ta ndihmuar, por vetëm me ndërthyerje. Kështu, nuk i beson fitores mbi natyrën e tij, sepse natyra do të shtrihet e varrosur dhe përsëri do të ringjallet, kur t’i jepet rasti ose tundimi. Ashtu siç ndodh në përrallën e Aesopit, ku macja kthehet në njeri, që fillimisht tregohet i butë, derisa miu vrapon para syve të tij. Dhe njeriu nuk duhet ta shmangë rastin, që të mund të preket pak prej atyre që ndodhin rreth tij. Natyra perceptohet më së miri në privatësi, sepse nuk ka ndikim të jashtëm; në pasion, sepse mund të dalë nga konformizmi; dhe në ndryshim, sepse aty krijohet zakoni.Janë të lumtur, ata, natyra e të cilëve përputhet me profesionet e tyre; ata mund të thonë: Natyra dhe shpirti udhëtojnë së bashku; kur bisedojnë mbi çështje të ndryshme, ato nuk ndikojnë, sepse mendimet fluturojnë drejt vetvetes; dhe çdo hapësirë do të mjaftojë. Natyra e njeriut shkon ose te barërat e mira ose të këqija; ujitja e njërit, shkatërron tjetrin. Ajo, për të cilën instinktivisht – për mirë a për keq – tregoni kujdes, është natyra juaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Kthim ne natyre

KRENARI

September 2, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi-
Mbase, asnjë nga pasionet tona natyrore nuk është aq i vështirë për t’u nënshtruar sa krenaria. Maskojeni, luftoni me të, rriheni, mbyteni, mortifikojeni sa të doni, ajo është akoma gjallë dhe çdo herë do të nxjerrë e do të tregojë vetveten; do ta shihni se iu pengon të rriteni, të ecni; sepse, edhe sikur të mendoni se e keni kapërcyer plotësisht, ndoshta duhet të krenoheni me përulësinë tuaj. Krenaria shfaqet para çdo rrënie. Mos e çmend veten me të menduarit vetëshkatërrues; kjo frikë është burg më vete, dhe ti i mbyllur në burgun tënd. Humbja e krenarisë është hapi i parë i çlirimit dhe ju vini këmbën në udhën drejt paqes dhe qetësisë së shpirtit tuaj. Kudo që kërkon për krenari, gjen vetëm veten tënde. Njerëz të caktuar janë bërë për fat të keq. Disa thjesht kanë nevojë për shpresë dhe vetmi për të shlyer shpërblimin që u jep krenaria. Kur keni gjetur veten, Zoti është i tepërt.Por krenaria është e rëndësishme; nuk ka njeri pa ves. Njerëzit me shumë krenari zhvillojnë ndjenjë epërsie ndaj të tjerëve; krenaria, mendon ndonjë, nuk duhet të jetë e gjitha e keqe; por, është e keqe, gjithësesi; prandaj renditet në vendin e 7-të veseve. Një përkufizim i krenarisë vjen nga Shën Augustini: “dashuria e dikujt për përsosmëri”. Një përkufizim i ngjashëm vjen nga Meher Baba: “Krenaria është ndjenja përmes së cilës manifestohet egoizmi”.Krenaria herë shikohet si e korruptuar ose ves, ndonjëherë si e duhur ose virtyt. Ndërsa disa filozofë, si Aristoteli, e shohin krenarinë si virtyt, disa fe e konsiderojnë formën mashtruese të krenarisë si rrënjën e çdo të keqeje; si në rastin kur njëri bie në gjunjë e s’ka turp nga ato që thonë se ka bërë; e një tjetër, njësoj i paturpshëm, që merr pamjen e themeluesit të shtetit, dhe kërkon mandat të qeverisë mes kësaj krenarie. Aq tregues janë bëmat e tyre, apo vendi, sa s’është nevoja t’ua thuash emrat.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, krenari

SOT DITELINDJA E AT ZEF PLLUMIT

August 28, 2020 by dgreca

Patër Zef Pllumi ka lindur në Malin e Rencit (Lezhë), më 28 gusht 1924. Më 1931 kreu Kolegjin Françeskan në Shkodër. Pas kolegjit ka studiuar në liceun “Illyricum”, të cilin e përfundoi në vitin 1942. Gjatë viteve 1943-1944, ka shkruar artikuj të shumtë në revistën “Hylli i Dritës”.

Më 1946, kur ishte në moshën 22-vjeçare e arrestojnë dhe dënohet me tre vjet burg. Më 1949 lirohet nga burgu dhe vendoset në kuvendin e Arrës së Madhe në Shkodër. Në këtë kuvend qëndroi prej vitit 1949 deri më 1958. Më 1956 shugurohet meshtar dhe shërbeu për 12 vjet në Shosh të Dukagjinit.

Me mbylljen e kishave më 1967, e arrestojnë përsëri dhe dënohet me 25 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti nëpër burgjet e Shkodrës, Spaçit, Ballshit, Zejmenit, etj. Më 11 prill të vitit 1989, Patër Zefi u lirua nga burgu. Në 25 dhjetor 1990 celebroi meshën e parë në kishën e Shna Nout në Tiranë. Me ardhjen e demokracisë Patër Zefi filloi të botojë revistën françeskane “Hylli i Dritës” (1993-1997).

Z. Pllumi ka botuar këta libra: “Rrno vetëm, për me tregue” tre vëllime (1995-2001), “Françeskanët e mëdhanj” (2001), “Antipoezi për shekullin e njëzetë” (2001), “Siç thonim dje” (2002), “Para njimijë vjetve” (2003), “Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës” (2004), etj. Më 2006, Patër Zefi është vlerësuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Ne nderim At Zef Pllumit risjellim vargjet e shkruara prej Tij.

ANDRRAT…

At Zef Pllumi

S’asht fjala për andrrat që shofim na n’gjumë:
sa pamje shpartalle, skelete pa brumë. 
Flluska sapuni me shkumbë. 
Kam fjalen për andrrat-dishire gjatë dite, 
që t’hedhin n’mendime vite me vite. 
Nji send un e dij:
se njerzit ket andërr m’a quejn: utopi!

Mbarë token e due, si fushen, si malet
livadh të qëndisun me lulet e lajlet, 
ku delet t’kullosin të qeta, pa frigë
nga bishat e egra s’i gjenë ndoj e ligë;
ku bleta zukatse t’bajnë mjaltin nder hoje
që njerzt t’ambelsohen goje për goje.

Due ajrin e pastër, pa tym e pa mjegull, 
ku syni t’shikoje gjithshkafen me rregull:
ku n’qiellin e kaltër t’ket pëllumba perherë
pa ju versulë flakurim ndoj skifter. 
Due njerzit, due popujt bashkuemun unji
Me ‘i sundimtare mbretneshë: dashni!

Ket andërr ka pa shumëkush para meje
n’epokat e tjera, çdo komb e çdo feje. 
Dhe prap un e dij:
Se u vunë vulën e zezë: utopi!…

Arsyeja dhe zemra njerzore, 
që n’kohnat e lashta antike, 
andrruene për nji:
“Republikë platonike”.
-Tiranët gopçarët, t’nji kaste, t’nji dore
mbiemnin ja vunë edhe ksaj:
utopike!

E s’voni n’epokat e reja, pa pra
n’shkreti shungulloi persritun nji za:
“O njerz, ju vllazen jeni të tanë!
Ju t’gjith kët token e keni për Nanë!”
Por mbretent, fisnikët, kalorsat barbar, 
Kurr nuk pranuen t’jenë njerzt barabar.

E dij se n’tokë ka dimna e prandverë, 
e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë;
e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele, 
ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele, 
por kët s’e kuptoj:
pse n’tokë sundon dhuna, 
forca shtasore
jo mendja, jo puna;
se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend
a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!

S’pat bota njerz t’mendshëm?
pat, po si s’pat!…
Por o kjenë të plakun
o t’vorfen pa fat.

Prandaj un e due at andrrën e mirë:
që njerzit dikur, me hir o pa hir, 
do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës, 
instinktet shtasore t’mënisë e furtunës, 
dhe n’vendin e tyne do t’vehet
Mirsia,
Mendja njerzore, 
Zemra e Dashunija!

Filed Under: ESSE Tagged With: At Zef Pllumi, ditelindja

Nënë Tereza: Nënë e jetës, dashurisë dhe e paqes

August 26, 2020 by dgreca

Disa mendime me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut-

Nga Don Lush Gjergji-

Nëna e jetës-

Nëna Tereze e ka çmuar, nderuar, dashur dhe përkrahur jetën e njeriut në çdo kënd dhe vend të botës,  prej ngjizjes deri te ofshama e fundit para kalimit në amshim, duke e mbrojtur nga kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme, me parimin e njohur të saj: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.

Tradita jonë e mirë shqiptare mbështetet në pranimin e jetës dhe të familjes, në kujdes për fëmijë dhe për pleq. “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” dhe “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë”.

Këtë parim ungjillor dhe  fryt të traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, Nëna Tereze e ka shpallur dhe mbrojtur vendosmërisht  nga “Katedra e Paqes” në ditën e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979).

Kështu Shenjtëresha jonë ka dëshmuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si përgjigje më të mirë ndaj frikës së jetës së re, fëmijës, dhe braktisjes së të moshuarve, duke i “varrosur” ata për së gjalli, edhe para vdekjes. Kjo dukuri është vetëshkatërrimi i të ashtuquajturës  botës së të pasurve material, pra, kultura e vdekjes, varfëria dhe të mjerimi  shpirtëror i botës së sotme.

Jeta është e rrezikuar edhe nga varfëria, sëmundjet, mungesa e shkollimit dhe kulturës, mospërfilljeve, sidomos sot nga egoizmi, materializmi, konsumizmi, hedonizmi dhe ateizmi praktik, që njeriun e trajton më shumë si gjësend, objekt,vegël pune dhe përfitimi,  se subjekt, person, qenie njerëzore, edhe më pak vëlla apo motër.

Mu për këtë Nëna Tereze ka thënë: “Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula apo kanceri, por mungesa e kujdesit dhe dashurisë, vetmia… Shërimi i vetmisë është dashuria”.

Feja dhe dashuria e frymëzonin dhe aftësonin Nënën Tereze për dashuri flijuese dhe dhuruese, pa asnjë dallim dhe përjashtim, si Nënë universale. “Nuk ka asnjë sëmundje që mund ta shëmtojë njeriun aq,  saqë  unë në të mos ta njoh Njeriun, Vëlla apo Motër, edhe më tepër vetë Jezusin…”.

Nëna e dashurisë

Jeta ka kuptim, shije, bukuri, lumturi vetëm në dashuri. Burimi i jetës dhe dashurisë, në veçanti për Nënën Tereze, është Zoti – Dashuri, që na ndihmon, udhëzon, aftëson për takim, afrim dhe bashkim me Vëllain apo Motrën Njeri.Ajo me dorën dhe zemrën e saj na ka shkruar dhe dhuruar këtë porosi: “Dashnija fillon n’familje  Dhe familja qi lutet bashk, mbetet bashk”.

Nëna e paqes

Porosia e saj për të gjithë ne është kjo: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”. “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.”  “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Në këto tri shtylla mbështet e tërë jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze.

Porositë e Shën Nënës Tereze për paqe mund të përmblidhen në këto qëndrime dhe parime:

“Për ta mbajtur që ndezur një llambë, duhet vazhdimisht të shtojmë vajin”.

“Nëse gjykon dikë, nuk ke kohë për ta dashur”.

“Në këtë botë mund të bëjmë shumë pak. Atëherë të bëjmë  vepra të vogla me dashuri të madhe”.

“Një buzëqeshje e vogël është fillimi i paqes”.

“Mos të përdorim armë për ta fituar luftën. Arma jonë është mirëkuptimi dhe dashuria”.

“Buzëqeshu së paku pesë herë në ditë. Dikush ka nevojë për ty dhe për buzëqeshjen tënde”.

“Dikush më pyeti:  “Çka mund të bëj unë për paqe? I thashë kështu: “Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

“Paqja fillon në mua dhe në ty, në ne. Me Zotin Dashuri dhe vëllain apo motrën njeri, ne jetojmë në paqe dhe jemi bartësit, dëshmitarët e paqes”.

“Dashuria është përgjigjja e vetme për vetmi. Ajo e shëron vetminë”.

Deri tash ndoshta ne e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen, si emër, si shqiptare, si përfaqësuese të Kishës dhe Popullit tonë shqiptar. Tash, pas shenjtërimit të saj, në praninë e gjakut – reliktit të gjakut në Shenjtërore dhe Katedrale, ajo na thërret, pret dhe frymëzon për jetë me Zotin dhe me të afërmin, për dashuri dhe paqe, që buron nga ndërgjegjja dhe zemra e pastër, me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen vëllazërore./drita.info

Filed Under: ESSE Tagged With: don Lush Gjergji, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 224
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT