• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RA KY MORT E HIÇ S’U PAMË

April 5, 2020 by dgreca

Shënime nga karantina/ Nga K. P. Traboini/

Kisha në plan të udhëtoja për në Amerikë në fillim të Marsit, por që në shkurt kur mora njoftim se në Bergamo, Itali, vdiqën dy vetë, hoqa dorë se e parandjeva që linjat e avionëve ishin bërë çerdhe shpërndarje virusesh e askush nuk po u thoshte ndal linjave ajrore. E ma merr mendja se as i kanë dezinfektuar para apo pas çdo fluturimi. Më ka ndodhur jo pak herë që pas çdo udhëtimi për në Amerikë të kem probleme me shëndetin, në formë gripi apo diç tjetër. Nuk besoj në pastërtinë e mjedisit të avionëve të pasagjerëve. Ani pse biznes i madh. Para e madhe në xhepat e kompanive shumëkombëshe që në janar-shkurt, kur Vuhani po përvëlohej nga epidemia, as po e vrisnin mendjen se si të ndalohej përhapja e kësaj sëmundje të rrezikshme për njerëzimin. Të paktën ata të mos bëheshin mbartësit e saj nga një shtet në një tjetër. Nga një kontinent në një tjetër. Erdhi koha që u bë ndalimi por tepër vonë. Tërë bota u vonua. Tërë bota u infektua. Mungese përgjegjësie totale. Të mjerët italian e pësuan sepse nuk e imagjinuan stuhinë e vdekjes që po vinte në ketë vend të begatë njerëzish punëtorë duarartë, të gëzuar e jetëgjatë. Fati u solli të derdhnin më shume lot se askund tjetër ne Europën e lodhur e të përgjumur. Brenda një muaji, falë linjave të avionëve, tërë botës ju vu flaka, ju pllakosi vdekjen, duke krijuar një gjendje që askush nuk e di se si e kur do përfundojë e sa sa vdekje do te ketë akoma. Asnjeri nga ne nuk e di si do bëhet me veten tonë, do të jemi të gjallë apo të vdekur deri në stinën tjetër. Falë ndryshimeve të mirëqenies, nivelit të pastërtisë e përkujdesjes në raport me brezat e mëparshëm, mendonim se ishim jetë gjatë fatlumë, por krejt pa pritur stuhia e zezë që fryu nga Vuhani na kujtoi se mund të bëhemi edhe jetëshkurtër madje duke numëruar ditët. Këto përsiatje, herë me shpresë e herë pa pikë besimi se do na gjejë stina tjetër. Gjithnjë kur bluaja me vete, arrija në mendimin se duhet të jemi më të butë. Me të mirë e më të mirë kuptueshëm. Asnjë egërsi a mllef nuk na shpëton. Politikanët le të bëjnë ende si të marrë. Punë e tyre.  Milionerët le të rrinë të fshehur pa nxjerre zë, sikur deri dje mos të ishin të zhurmshëm, me shpenzimet e tyre marramendëse, me mburrjet e tyre për gardëroba milion-dollarësh.  Vrima e miut 300 grosh është sot për këto milionerë mburravecë që e kanë harruar krejt çfarë është altruizmi, bujaria e humanizmi. Mbledhësit e milionave nuk do ishte keq të kishin dhënë gjysmën e pasurive të tyre për të shpëtuar njerëzimin, por siç po shihet nuk po e bëjnë. Nuk mjafton që e shohim që një pjesë e botës është zhytur në mjerim, por këta bëjnë kinse nuk janë këtu, por në një planet tjetër. Po këta nuk kanë as mëshirë, as bujari, as humanizëm. Ku janë listat e milionerëve të revistës FORBES. Deri para epidemisë botoheshin emra të mburrur për pasuri përrallore. Paratë atyre ua ka dhënë populli, duke parë koncertet e tyre, filmat e tyre, duke blerë mallrat e tyre,  duke punuar për ata, mirëpo milionerucët tani janë fshehur e numërojnë të vdekurit nëpër lajmet e botës, pa e vrarë mendjen se shpëtimi vjen nga shkenca, e shkenca që të zhvillohet për të mirën e njerëzimit do para, e paratë janë të ndara shumë keq, por jo për faj të tyre sigurisht, por të indiferencës së shtetit që si rregullator lë pa përkujdesje një garë të shfrenuar shoqërore dhe ekonomike ku i pasuri vazhdon të pasurohet pafundësisht e i varfëri të varfërohet tmerrësisht. E pra të dy palët paguajnë taksa. Të dy palët e mbajnë mbi shpatulla shtetin. Veç njëri mbret i pangopur në përfitime e tjetri Sizif kryelartë e fatkeq. Mirë është që njerëzimi ti thërrasë mendjes e shumë gjëra, siç thotë këto ditë edhe politologu amerikan Henry Kisinger, pas pandemisë bota të nisë ti bëjë ndryshe. E kjo nuk ka të bëjë me ide socialiste, siç mund të thotë ndokush (mos e thëntë Zoti rrafshimin e vlerave), por me funksionin rregullator të shtetit para të cilit të gjithë qytetarët janë të bababartë e meritojnë të njëjtën përkujdesje. Kësisoj shteti të ndjekë parimin se të gjitha gishtat e dorës dhëmbin njësoj. Një reformim i madh duhet veçmas në fushën e shëndetit publik, se jemi në luftë, armatimet e bombat nëpër depo flenë, por na mungojnë instrumentat mjeksore, që janë padyshim arma më efikase e kësaj lufte që duhet me çdo kusht ta fitojmë. Jemi në një botë morti dhe unë kam hequr dorë e i shmangëm çdo vështrimi politik në problematikat që na dalin përpara. Sepse jemi në kohë të mbijetesës. Nuk di askush çfarë është e nesërmja. E di se mjaft pasionantë që përqendrohen zellshëm nën ombrellën e konflikteve partiake politike, mund të mos kenë të njëjtin mendim e të më thonë se po i shërben këtij apo atij protagonisti politik e aspak karizmatik. Por gjithsesi dëshiroj të shprehem, të them se i gjithë përqendrimi duhet të jetë, sipas meje, për të ruajtur ekzistencën si popull, Ky është imediati historik i këtyre ditëve. Nuk ka pikë rëndësie kush është në qeveri e sundon e  kush është në opozitë e turfullon. Se aty-aty  janë. Një okë e pak, një okë pa pak, siç thotë populli. Rëndësi ka të organizohemi mirë. Të jemi më homogjen e më të  ndërgjegjshëm se jemi përballë një katastrofe. Përpara një zinxhiri vrasës që me vullnet të mirë e fare pak sakrifica mund ta përballojmë. Duhet ta këpusim atë zinxhir fatal, ta këpusë secili nga ne duke u shmangur nga infektimi. Se shumë kush me moskokëçarje mund të bëhet një hallkë e linjës vrastare e t’ia çojë njeriut të vet të dashur. Duhet të gjithë bashkë të punojnë në një qëllim. Nëse dështojmë të gjithë bashkë, a veç e veç, pasojat e përgjegjësit do të jenë të mëdha për ne të gjithë. Nuk i shmanget gjyqit të ndërgjegjes askush. Ne kemi qeshur me formulime të tilla si “një për gjithë e të gjithë për një”, por erdhi koha ta vlerësojmë këtë shprehje se është një praktikë shpëtimtare. Çfarë e shtyu mjekun Dhimitër Kraja të lerë qetësinë e pensionistit e të kthehet në frontin e luftës për mbrojtjen e jetës së njerëzve, atje ku punoi 48 vjet? Pikërisht kjo ndjesi. U infektua, u rrezikua, por  mrekullisht shpëtoi. Por gjithsesi ja vlejti sakrifica se na e konkretizoi humanizmin, e bëri më të pranishëm mes nesh, sepse për humanizmin flasim shumë, por e gjejmë në praktikë fare pak. Dhe të mos harrojmë se pas çdo lufte janë bërë gjyqe të atyre që i çuan popujt në katastrofë. E kurrsesi nuk dua të besoj se, shkaktarët e kësaj gjëme, pandemie, por edhe ata që e nënvleftësuan, nuk do të jenë pa pasoja e pa gjyqin moral publik. Shteti që është rregullatori i jetës së qytetarëve duhet të jetë me kapacitete të plota, me ekonomi të fortë e më i pasur e të mos vidhet, por gjithashtu të shpenzojë me shumë për nevojat e shërbimit publik. Si ka mundësi që ne nuk kemi veç dy-tre spitale shtetrore në Tiranën që i afrohen 1 milion banorëve, gati gjysma e popullsisë së shtetit përqendruar në një qytet. Si ka mundësi të kemi makina ambulance në gjendje të tillë që nuk transportohet as bostanet, specat e domatet e jo më njerëzit, ndërsa qeveritarët porosisin makina të reja milionëshe? Pse nuk vihen makinat e qeverisë në dispozicion të spitaleve e urgjencave në këto ditë pandemia e shtetrrethimi? O Zot sa pyetje mund të bëhen në këtë vend. Por askush nuk zoritet të jap një përgjigje. Madje as Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që mesa shihet mbahet kot, para të humbura,  sepse nuk kemi asnjë veprim të fortë denoncues për korrupsion, kur këtu paratë villen me galop e me thasë. Pse shteti ti japi koncesione spitaleve private, të cilat punojnë me çmime të kripura mbi aftësitë paguese të qytetarëve, të punësuar qofshin apo pensionistë. Po sa para nxirren nga kromi, nga nafta, nga pasurit tjera minerare. Ku shkojnë këto para. Pse nuk bëhen publike shpenzimet e shtetit. Po të ishin te dhënat publike a do të kishte mundësi të kaparoheshin nga duar e zgjatura të korrupsionit që gjenden ngado. Pse duhet të bëjmë Check Up shëndetësor te një person privat, që qytetarët as nuk e bëjnë fare, por ai (ajo) merr miliona euro. Me ato para mund të ndërtoheshin edhe tre a katër spitale moderne. Ka diçka që nuk shkon në këtë vend. Asnjë parti që vjen në pushtet nuk jep llogari e as mban përgjegjësi për veprimet e veta financiare që e dëmtojnë mirëqenien e popullit e punojnë në favor të klaneve, oligarkëve, quajini si ti doni, por janë brejtës të pasurive kombëtare e shkaku kryesor për varfërimin e popullit. Për frymë të popullsisë, në bazë të pasurive natyrore, jemi populli më i pasur në Ballkan e më gjerë. Por në të vërtetë realisht jemi më të varfërit e Europës. Pse? Kush duhet ti përgjigjet kësaj pyetje. A mund të përgjigjen sadopak ata të kinse Kontrollit të Lartë të Shtetit që ngrohin vezët nëpër zyra shteti. SPAK-u duhet të mbaj shënim për gjithçka që ndodh në këtë vend dhe kur kjo furtunë e zezë të ketë kaluar, të verë përgjegjësit e zullumeve me shpatulla pas muri. Edhe ai apo ajo që ka marrë miliona me këto Check Up-et fiktive, që dreqit nuk i duhen gjë, ti kthejë një për një paratë e popullit. Ka ardhur koha që gjërat ti shohim ndryshe, të luftojmë si bashkësi që asnjë lek i popullit të mos shpërdorohet, por të ketë efikasitet e të shkojë në shërbim të tij. Ka ardhur gjendja aty ku më nuk mban. Fatkeqësi pas fatkeqësie. Varfëri pas varfërie. Duhet kaluar kjo furtunë e zezë që na gjeti të papërgatitur e të vjedhur njëkohësisht, që të nisim gjithçka me një mendësi të re. Të mos jemi indiferent ndaj fenomeneve të tilla që në Shqipëri të gjithë pushtetarët e të gjitha partive mjerisht e poshtërsisht, kanë guxuar ti bëjnë pa u hyre ferrë në këmbë. Për çfarë parashtrova nuk ka të bëjë me politikën në kuptimin e përkatësisë se krahëve të dallaveraxhinjve që kanë veshur petkun e politikanit, por këndvështrimi i problemeve në interes të popullit e të përparimit kombëtar. Zoti i shpëtoftë njerëzit e pafajshëm nga kjo gjëmë e zezë që ka pllakosur botën, por edhe nga politikanët e papërgjegjshëm që e vjedhin dhe e rrjepin popullin si të ishte një popull i huaj nën pushtimin e barbarëve!

5 prill 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, Ra ky Mort

LETER NGA STRASBURGU

April 3, 2020 by dgreca

Fotaq Andrea e Moikom Zeqo, dhjetor 2017./

“Njeriu Vitruvian” i Moikom Zeqos – Letër nga Fotaq Andrea/

Strasburg, 2 prill 2020 –

I dashur Moikom,

Duke më dërguar esenë tënde « Njeriu Vitruvian » – një shkrim sa rrëmbyes e gllabërues, aq edhe universalis e quint-essencialis – ti më kërkove shkurt, shumë shkurt, mendim që, në këtë rast, mua do më reduktohej në çast në një përgjigje të thjeshtë, të matur, të kursyer : « Aty-brenda, “Njeriut Vitruvian”, je Ti, me mjeshtëri fjale artistike, je Ti i përplotë, me bukuri estetike e eruditive, je përhershmërisht e madhërisht Ti, miku ynë Moikom,  – të qofshim falë ! »   

E çuditërisht, tek esetë e tua plot tharm meditues që më dërgon herë-herë, ku unë të shoh të depërtueshëm e të tejhovshëm në skutat e gjitharsyes, vetëdijes e simbolikës, jo rrallë më qëllon që, duke të lëçitur vrrullazi, të ndalem mes rreshtave, për të marrë një hop frymë thellë, si të ristartohem në ritmin tënd të befasive perceptive e imagjinative, duke ndjekur ëmbël gjithë sa ti parashtron e shtjellon me shtjella dijeje plot shije të veçantë letraro-artistike e më tej, ekstralinguistike. Faleminderit, Moikom, për kënaqësinë intelektuale që më dhuron.

Të ngulmosh drejt një përfundimi esencial të Jetë-Vdekjes njerëzore përballë Gjithësisë, do të thotë ta kërkosh esencën e saj që në fillesë, në vezë, dhe veç kur e gjen kurorëzimin e përfundimit shi aty ku zë fill pyetja mister, duke shfaqur brenda vetë pyetjes edhe vetë përgjigjen. O Athropos! – e fillon ti esenë tënde me një thirrje panikuese kukuvajte vajtuese –  kukuvajka këtu si shpend nokturn, i njohur si zëri interpretues i Athroposit mitologjik, që vetë shqipja e jep vajtueshmërisht: ku-ku: për ku? për ku? – në ç’drejtim e përfundim pra, ky Fati Im!…  Ja një nga ato thirrje ekzistenciale që befas këput fatalisht fillin e Jetës mes errësirave të Fatit Njerëzor. Dhe aty-aty, pas kësaj apostrofe bodëleriane, vijohet me pyetjen thelbësore e gjithësore: Ç’është Njeriu Vitruvian (?) – një pyetje pra, që përmban përsibrenda vetë thelbin e saj: “Ç’është Njeriu?” fillimisht e përgjithësisht, ai Njeri në mikrokozmosin e tij përballur ethshëm me “Njeriun Vitruvian” të Leonardos në makrokozmosin e Gjithësisë. Shfaqet kësisoj në vetë pyetjen, edhe vetë përgjigja për Fatin njerëzor si Qenie e lartë brenda Trikëndores: shfaqet “Njeriu emblematik”, Njeriu enigmatik”, “Njeriu-Hy”, “Pani me sytë nga qielli drejt kulmit të së Panjohurës”, drejt Firmamentit, ai Pan Hyjni i prozës poetike “Shkolla pagane” të Bodëlerit, me të cilin ti fillon shtjellinë tënde të refleksionit të thellë estetik. Në fakt, edhe vetë Hygoi – siç e di – “Fatin njerëzor” të konceptuar e koncentruar në “Fatin e tij” e perceptoi aq bukur vizualisht, si grafist e ilustrator i mirënjohur që ish, mes një shtjelle mister që e quajti fuqishëm : “Ma Destinée” (Fati Im”). 

Duke u shmangur disi nga tema jonë, sikur të përdorja një loj fjalësh, “Njeriu Vitruvian” klasik i Marcus Vitruvias, e rrjedhimisht “Njeriu Epiqendër” i Da Vinçit, do të na dilte – pse jo? – “Njeriu In Vitrus”, modern, ajo “Bebe Epruveta Louise Brown” e kohëve të sotme, duke na i sfiduar njëfarësoj krejt “Rregullat e Lojës-Fat” të Njerëzimit. Po këtë shmangie, miku im, po e bëj ashtu-kalimthi, sa për t’iu larguar disi filozofisë sokratike të formulës  “Njeri – Njih vetveten ti vetë – Connaît-toi toi même” siç thotë frëngu, formulë e rrëmbyer në thelbin e vet epistemiologjik nga Hegel, Marks e më pas nga Sartri ekzistencialist. Nuk kërkohet kësisoj këtu, as më shumë, as më pak, por vetë thelbi i çështjes: “I dashur Njeri – dije pra, që ti, përtej gjithçkaje, nuk je tjetër veçse një Vdekatar brenda Trikëndores leonardine, ose ndryshe: “Ti, more Zotëri, nuk je Hyjnor, Hyjnor ish veç Pani i Bodlerit”. 

Ja pra, i dashur Moikom, nga “Njeriu enigmatik” tek “Njeriu Problematik” që ti parashtron gjerë e gjatë në esenë tënde, unë shoh të ndërthuren e të ndërlikohen dy elementët e tij përbërës: Njeriu dhe Problemi i tij, ose ndryshe Njeriudhe Esenca e tij. Dhe, kur ti flet me të drejtë për “Shpirtin Problematik të Europës”, mua nuk ka se si të mos më shkojë mendja edhe tek zviceriani Denis de Rougemont (që ka vlerësuar si filozof modern kryeveprën “Ese për gjuhët natyrale” të Konicës), i cili – Rougemont –, sipas Saint-John Perse mishëron figurativisht Homo Europeanus-in e së ardhmes, duke qenë një pionier e përkrahës i flaktë i Federalizmit Europian. 

Rrjedhimisht, i dashur Moikom, tek “Mona Liza pluri-engmaike” e Leonardos, tek “Kështu foli Mona Liza” tënde, vepër – traktat gjithëpërmasor, mund të gjurmohet e të kërkohet vetë Njeriu kompleks drejt së Panjohurës, ku/kur nuk do të mjaftonte kurrësesi një parashtrim i thjeshtë i pyetjes: “Cila jeni ju Zonja Mona Liza?”, apo “Cili jeni ju Zoti Njeri?”, kur faktikisht “Zoti Zot” moikomian është vetëm Nji !  Dhe, për më tepër, kur Hyut Pan i mjafton, në fund të fundit, Pafundësi e tij në Shkallën Zero të Kuptimit e të Pakuptimit njerëzor! Dhe për akoma më tepër, kur vetë Jeta njerëzore është shterruese, drejt një dekostruktiviteti gradual të pandalshëm, drejt një Hiçi, një Hiçmosgjëje, si të priste durueshëm vetë Zonjën Vdekje, të ftohtë, të ngrirë. À la Covid19! “E ç’jemi, në fund të fundit, do thoja me gjuhën e labit, një m… që të na hajnë pulat!”… 

Nuk ka si të mos vëmë re, përfundimisht, se esseja « Njeriu Vitruvian » i Zeqos – falë një shqetësimi, meditimi, interpretimi e qëndrimi ndaj së Vërtetës së Vërtetë, mes lodrimit të të panjohurave ndërlidhëse të tokësores me kozmiken Da Vinçiane –, përbën në vetvete një Kartë Mendore e krejt erudicionit moikomian, një shtegtim rrethor fillim-mbarim, një itinerar figurativ i Njeriut Univers leonardin përmes estetikës, letërsisë, artit e poeticitetit, në kërkim ngulmues, hutues e të ethshëm të Thelbësores, të gurit filozofal, të arit të së fshehtës kozmike, ironike, mitike e mistike të Mona Lizës, asaj mishëruese të madhërishme të Qenies njerëzore, të cilën Umberto Eco e do dhe e kërkon në Universin continuum, si një xhevahir simbolik, të aftë për të modifikuar edhe vetë Krijimin Hyjnor. 

Gjithçka pra, në këtë esse moikomiane “Njeriu Vitruvian”  të josh, të këndell, të zbukuron shpirtërisht, tek merr vetë Fjala ngjyra ylberore poetike, tek shfaqet gjithë zhdërvjelltësi në vlera të shumëfishta estetike e filozofale, duke gumëzhirë përmes asociacionesh të fuqishme ideore në një mbushulli paradigmash koherente, në kërkim të ngulmtë e të përhershëm të “Njeriut Vitruviano-Leonardin” të Moikom Zeqos. 

Të përqafoj me mall miku im, nga një distancë urdhëruese shtetërore 1000 km larg, distanca jonë pandemike e Covid19. F. 

Ma Destinée – Fati im, nga Victor Hugo /

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea, leter

Luftë

March 30, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Ora ka mbetur, akrepat nuk lëvizin më. Kohë të vështira për njeriun kanë ardhur, i kërkohet të bëjë luftë me armikun që nuk e sheh. Kjo është koha më e mirë që shtypësi ka parë ndonjëherë, ndërsa flet vetëm nga ekrani, rri i mbyllur, pasi vrasjet i kryen virusi. As opozitë e as rivalitet, as fjalë të lirë nuk ka. Armiku i vërtetë është virusi, dhe nëse vdes, thonë se fajin e kishe vetë. Të vjen keq kur sheh se njerëzit, personeli mjekësor, pranojnë të vetëflijohen. Thuhet se qeveria do t’i paguajë, por sa kanë paguar ata vetë në forma të ndryshme për një rrugë të tillë jashtë? Dikur kishte komando që paguanin që t’a kishin emrin në listë. Jeta në Irakun e Afganistanin në luftë u dukej më e mirë e më e siguruar sesa ajo në vendin e tyre në paqe. Çfarë gënjeshtre! Vetëm nëse e lexon tekstin me vemendjen që është shkruar, mund ta kuptosh të vërtetën. Pleqve në radhë të parë, si në kampet naziste të vdekjes, u thuhet: ndahuni veças se duhet të vdisni, ose gjatë revolucionit kulturor në Kinën e viteve 1960, kur fëmijët e rinia e organizuar sulmonin të moshuarit. Thonë se pas virusit, bota do të jetë ndryshe nga ç’e keni parë deri më sot. Do të ketë vetëm shtypës dhe të shtypur pa leje e me frikë për të kundërshtuar, pa zgjedhje, dhe pushteti do të vijë rrotull, si vorbulla gjithë përfshirëse e ujit. Nëse ky skenar nuk ndodh këtë herë, rruga është hapur, dhe shtypësi i pajisur me një armë të re, e di sesi të veprojë herën tjetër e tjetër. Pas panikut vjen shkatërrimi dhe mbi këtë ngrihet sundimi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Mjekët ushtarë, pothuaj kamikaze, dhe italianët që mësojnë të falenderojnë shqip

March 30, 2020 by dgreca

Nga Shpend Sollaku Noé/

Kurrë si tani, gjatë gjithë këtyre viteve të pranisë time në Iali, e kam ndjerë veten kaq krenar sa dje. 

Në kohën kur sapo kisha nisur ta konsideroja veten një binjak të Cilan Murfy-t tek filmi “28 ditë më pas”. Por ja që, edhe në çastet më depresive, më arrin si një ndërhyrje hyjnore një tridhjetëshe shqiptare, mjekë e infermierë të maskuar sa nuk mban më, që zbresin nga avioni me një qëllim fisnikërie të lartë: Të vënë në rrezik jetën për t’i shërbyer një populli mik. 

Si të gjithë bashkëatdhetarët e mi renda edhe unë të lexoj reagimet e italianëve. Aq pozitive sa të ngjethin mishtë. Nuk është e tepruar të them se u përlota. Shpesh në shumë prej tyre i gjeta falenderimet dhe përshëndetjet ndaj Shqipërisë në gjuhën tonë. Edhe në mesazhet vetiake që më erdhën nga socialet. 

Ai dru i shtrembër, që nuk i ndahet asnjëherë stivës së shqiptarëve, ishte vetëm përdorimi politik i këtij gjesti fisnik. Italianëve u kishin ardhur ndihma në mallra e specialistë edhe nga vende të tjera, sidomos ish komuniste, por në asnjë rast, as edhe tek kinezët, nuk pashë ndonjë kryeministër që t’i përcillte, apo ministër të jashtëm që t’i shoqëronte.

Pse gjithë ky pompozitet për një gjest kaq njerëzor?

Më vjen i natyrshëm një dyshim që nuk dua ta besoj, pasi më shkatërron kënaqësinë që në lindje: a ishin vullnetarë? Ndokush duhet të na e sqarojë këtë detaj kaq të rëndësishëm. Nuk jam vetëm unë që e shpreh këtë dyshim serioz. 

Nëse janë të tillë, atyre duhet t’ju kërkoj falje, por jo përcjellësit apo shoqëruesit. 

Si e qysh e shrytëzoi këtë tridhjetëshe në të bardha ministri i jashtëm italian? Edhe ai për propagande në çastet më të vështira të parabulës së tij politike. Apo u detyrua të bënte nderet e zotit të shtëpisë i ndodhur para një fakti të kryer!?

Si i bëhet t’i mbushësh mendjen atij gjatoshit tonë që mos bëjë fushatë elektorale të përhershme? Apo i merr edhe italianët si votues të tij? Apo kujton se Di Maio e ha sapunin për djathë? Edhe mundet, por ai made in Albania i sotëm është kaq banal, sa askush nga Evropa nuk mund ta shkëmbejë për një të parfumuar. 

Sidoqoftë, ju përqafoj të gjithëve, një për një, juve të tridhjetëve që sot, në një epiqendër pandemie Lombaardia, nisët misinonin tuaj që nuk uroj në asnjë rast të kthehet në pikiatë kamikazesh. Shpirtrat tanë janë atje, me ju, gati t’i hidhen në fut gjithkujt që vë në rrezik mbijetesën tuaj.

Përqafime, përqafime, përqafime. U kthefshi të tridhjetë shëndoshë e mirë, o shqipe të mbuluara edhe me tringjyrëshin italian. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Mjeket ushatre, Nga Shpend Sollaku Noé/

“Barcodes-Codici a barre”

March 24, 2020 by dgreca

-Dhjetë vjet më parë botohej në SHBA, si libër më vete në italisht e anglisht, kjo poemë e Shpend Sollaku Noé-së, përkthyer tashmë në 32 gjuhë te tjera./ 

Shpend Sollaku Noé,një poet i puthur prej perëndisë Apollo/

Stelvio Mestrovich Wotninsky-it për librin “Barcodes-Codici a barre”, botuar për herë të parë në SHBA, në italisht e anglisht, në vitin 2010.

Pas një sërë librash të një niveli superior (i fundit, sipas kronologjisë, është fenomenali “Abysses-Voragini”, USA 2009), poeti shqiptar Shpend Sollaku Noé na prezanton tani poemën e labirinteve “Barkodë”. 

Autori – profesor, gazetar, shkrimtar dhe sidomos Poet (me P të madhe), për ta diferencuar nga sharlatanët dhe shitësit e vargjeve të mërmëruar (gjithmonë e më shumë të pranishëm) – jeton në Itali si azilant politik që prej 1992-it. Bashkëpunon me gazeta dhe revista të rëndësishme; veprat e tij i gjen të përkthyera në gjuhë të ndryshme. Sh. S. Noé është shumë aktiv në mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, sidomos të emigrantëve dhe të refugjatëve politikë.

Ky presantim nuk është i kotë. Është esencial për të kuptuar Atë që ka shkruar “Barkodë” dhe përse e ka shkruar. Është një  uverturë për të depërtuar në vepër. 

Në shkrimin e poemës “Codici a Barre”, Shpend Sollaku Noé është puthur në ballë e bekuar prej Perëndisë Apollo, ngjizës i shpirtit të Artit, Muzikës e Poezisë, Perëndi e Dritës, nënkuptuar si njohje shpirtërore dhe profetike. Dhe profecirat në këtë poemë gjenden me bollëk. 

Poeti shqiptar ngren zërin, qorton, paralajmëron,  ndëshkon mëkatarët e epokës që jetojmë. Zihet ngushtë vetëm se çfarë të zgjedhë, por kërkon të jetë afër të të braktisurit, të të varfërit, të emigrantit, të të ikurit prej luftrave, të azilantit politik. Shfryhet me forcën e një cikloni, vërsulet kundër bankave, kundër demokracive të rreme, kundër marksizmit, kundër kapitalizmit, duke tundur gishtin mikelaxhelian sidomos kundër kalbësirës, tashmë të përditshme, duke e dënuar pa mëshirë: 

[…] Kafkë mbi kafkë,/ eshtër mbi eshtër,/ fertilizues për gjëmbaçë e grëmëra,/ hiç xixëllonja,/ zero mëllenja,/ zhdukur bretkët/ pak vetëtima./ Shi shtiran,/ bosh kujtesa e aromave,/ por nuk mungon e pamëshirshmja: / nuk kishte lindur idiot,/ vdiq i çmendur […]

Vargje të dhunshme, ku shpërthen zemërimi dhe trishtimi për realitetin që na bren pak nga pak. E më tej:

[…] Ngarkoj mbi shpatulla sarkofagët e të pyes ty,/ fantazmë e përheshme/ e nëntokës,/ si nuk ke ditur/ Pegazin e interesave të kalërosh,/ të mjelësh/ apo të milesh prej financiareve/ o tout court/ të nxjerrësh bukën e gojës?! …]

Këtu autori bëhet therës, këtu poezia ulet e paftuar në kronikën mondane, por gjithmonë e mbyllur në një kornizë të artë vargjesh të habitshëm.

Për një azilant politik, burgu është i parapëlqyer, është i pari dhe i vërteti atdhe: 

[…] sepse atje jashtë bota të është/ si një banjo penale: /programuar si të lindesh,/ programuar përse të jetosh,/ programuar kur të shfarosesh.

Dhe shpresa ku është? Sh.S.Noé regjistron: 

[…] të vegjetojmë e të jemi gati/ për t’i shërbyer epitropit bankomat,/ të flemë si gjithmonë të fundit/ e si gjithmonë të zgjohemi të parët,/ të konstatojmë që trupi ynë/ është akoma lumturimisht i tëri,/ kur sytë / kapsalliten për kredinë e shtëpisë,/ këmbët / vihen në lëvizje për të shlyer këstet e autos,/ krahu i djathtë përkëdhel/ kuzhinën e re,/ dhe i majti/ sallën e ngrënies;/ kur për të pasur subvencionim/ mendon zonja Vaginë,/ dhe ndonjëherë duhet të behet ganimed/ edhe zoti Penis./ Për iPhone-in e brezit të fundit/ parashikon treguesi i djathtë,/ për të vjedhur nga interneti videoklipet/ konsumohet sharësi i majtë,/ për të bërë të mbijetojnë hipertregjet/ turbinon zonja Bythë,/ dhe për boutique-ët/ kafka e trurit kaçak.[…]

Shpend Sollaku Noe lartësohet si Dante Aligieri i shekullit të 21-të: në poemë nuk gjen lugje dhe rrethe të ferrit, por  vizioni është po ashtu ngjethës. Ndihemi më se të mallkuar, buratinë të vërtetë që qarkullojnë në botën-ferr ku, në vend të flakëve, janë informatika, kreditë për t?u paguar, fajdexhinjtë, bankat-shushunja, cmira, xhelosia, mania për të rënë në sy, besimet fetare të rreme, injoranca, historia e falsifikuar, burokracitë e çnderuara e pagdhendja.

Zoti nuk gjendet. Ndoshta edhe ai është bërë mason. Aty-këtu rigon ndonjë cifël qiellore në Terrin Apokaliptik. Hullì kometash shkojnë nxitimthi dhe zhduken në Hiç. Sepse edhe paralajmërimet vlejnë një Hiç: 

[…] Shkoni, o njerëz, të zvarriteni/ si horra të kënaqur/ të puthni duart e të të mëshirshmëve Godfathers,/ t?u lëpini këmbët/ administratorëve bankarë,/ të gërvishni gjunjët në kllapi/ drejt Vegimit Hyjnor,/ e nën kafkë të kamxhikoni të keqen,/ të inçizoni në shpinë gjarpërinj të gjakosur./ E përjetshme lutja e shenjtë qoftë:/ Banka Jonë që je në Tokë.

Me këtë retiçenzë përfundon Poema “Barkodë” e Shpend Sollaku Noé-së. 

Kurrë s?kam lexuar një poemë kaq të bukur, por ngjethëse; kaq të ngjeshur me lirizëm, por të hidhur dhe plot helm; kaq të vërtetë, saqë të vjen të rilexosh, menjëherë pas kësaj, Shkrimet e Shejnta; kaq të përditshme, saqë të vjen të kesh nostalgji për të kaluarën; kaq depërtuese e sëmbuese saqë të vjen të veshësh dorashka para se t?a shfletosh.

                                           Stelvio Mestrovich Wotninsky

“Barcodes-Codici a barre”

                      Fragmente 

1.

Me sytë pre të pagjumësisë

në mbrëmje

bëhem copë të deshifroj

Braque-t e tavanit të murrmë,

ikona anonime që trysin ngushëllimet,

tempuj të panjohur ankthesh damokleiane,

teprica zemrash të depërtuara.

Në dedalët kërkoj të gjej tempullin tim,

një copë dërrasë të pamishtë

për t’iu lutur Zotave të  Lartë,

por nuk arrij dot  të zgjedh

në cilin kult të ringjallem,

për një shpërblim

që përkthehet në thërrime paqeje.

Mund të jetë Agharti,

i mistershmi i templarëve apogjej,

që bëjnë të rrënqethet globin,

përthajnë detet,

e trasformojnë brigjet

në hekatombë të shpirtrave oqeanike?  

Ndoshta, por si Aksel zhylvernian nuk shquhem

e që tash ma merr frymën

shkretëtira Domineddio.

Mund të jetë Konfuci,

i vyeri mërgimtar

në gjah të përjetshëm mecenatësh?

Ndoshta,

por s’mund të jetë e besueshme,

ngaqë nuk rrodhi kurrë gjak i mirë

midis meje e sovranëve.

Mund të jetë Torah Shebiktav,

por nuk ndihem një Elohim;

as i Pastri, as Krijuesi, as i Plotfuqishmi;

nuk më gjen asgjë hyjnore

si Havajahut;

jam fare pak  zotëri,

hiç padron,

prandaj nuk mund të jem as edhe Adonai.

Mund të jetë instikti që shpie drejt Mekës…

por Xhebraili nuk më ndjell,

larg më përlpas,

atje ku pemët nuk flasin

dhe shkëmbinjtë nuk ulërijnë

vajtimin e të vdekurave akullnaja.

Mund të jetë katekizmi që më katapulton

në karakterin e Betlemit,       

por kozmosi

i yjeve kometa

më vjell nëpër terr,

si një ureolë

të padenjë për të shijuar naforën.  

Mund të jetë…

E ngul këmbë në shfletimin

e të të vërtetës doktrinë superiore,

e atelièsë të hekurishteve ekzesliastike,

të laboratorit makiavelik të zotave,

të buduarit të tejngopur të teksteve të shenjtë,

të dyqanit të rrymave jakobine,

të oficinës së lëvizjeve besëshkala,

të karakatinave të dhunuesve  subversivë

të tabuve…

…gjersa mjegulla e barbiturikut

nuk më zvarris

në rrëpirat vorbullore të plogështisë.

2.

I ngatërruar zgjohem pas gardhit të barkodëve

e nuk kam kohë të admiroj yllin

e gozhduar

mbi shtyllën elektrike,

qenin 

që pshurr lulishten publike,

borën vulgare 

të ndotur prej kripës.

Është mëngjes 

dhe i gëzohem  gazit të marmitave,

që më përplas pa mëshirë

ndër gjeratoret gri 

të rrethrrotullimeve ngatërrestare,

mbi fosilet e zogjve të murosur në hekurbeton,

të zhveshur prej erërave gojëqepura,

shurdhuar nga kolaudimi i xinxhirëve të tankeve,

mes “twisters”-ve të varrmihësve të kërrusur,

me lopatë e byrek në dorë,

në paradën e qivureve të zvjerdhura.

Dita?

Vështrim i turbullt prej djersës,

djersës,

djersës,

akoma djersës.

Dhe shpejt është mbrëmje 

– qerpikë gjysëm të kopsitur

të një filmi që më s’e kujtoj në të gdhirë.

Nata nuk ekziston,

nëmos ripërtypja e ditës 

të ngjizur nga Euriborë e Liborë bankarë

të pasurisë të prodhuar (për të tjerë).

Dhe është kaq shpejt

një mëngjes

i ri:

Hidhem prej çarçafit 

qepur me fatura e kambiale

për të vërshuar 

drejt shtegut ekskluziv

që imponon freri i bankave.

3.                                                                                                                                              

Për  ata që ashtu si unë 

nuk janë të shkathët kontornistë

gjenani, ju lutem, një mënyrë tjetër

për të mos mbetur kurrizshtrembër,

ndërsa kalojmë midis sharrës elektrike

të KREDISË       

dhe trapanos tinëzare

të KËSTEVE.

Jepnani një serum

që të mos mbesim të sharruar,

ofronani një dozë

për të mos mbetur të tejshpuar,

ndërkaq na përplasin

nga pikatorja e farmacistit

në peshoren e supermerkatos së huaj.

Tatuazhet tanë

– ca riga verticale të padeshifrueshme

që ngrihen mbi shpatulla numrash

dhe jemi të gatshëm të pësojmë breshëritë

e datalogic-ëve me lazer

në të gjitha fërtelet e mishit tonë të rëgjuar.

Çfarë zjarrmie

edhe për të mjerat meteorite

të hedhur me hobé në Galaktikën e Sporteleve Bankare

– nebulosa conquibus

kaq frymëmbytëse,

kaq stresuese,

kaq afërndenjëse,

kaq të largëta;

nxitje prerjevenash për të shumtit,

për dikë ëndër kroçere spaciale,

krematoriume të gjithndodhshëm

si semaforët:

të kuq për të shumtët,

të gjelbër për të paktët.

Obsteosarkoma që bren eshtrat

e atij që vihet në radhë për t’u rjepur,

e atij që tenton më kot të trafikojë krahët e rëgjuar;

e atij që shpreson të vërë në ankand fitimprurës trurin;

e asaj që shpreson të depozitojë mitrën e shkulur;

e atij që, duke mos pasur asgjë private,

hipotekon të bijën

– krijesë të rrugës;

e atij që shpreson t’i jepet besim prej ikonastasit

si psalltës i zoti apo si epitrop i mbarë;

e atij që është gati të vërë mbi peshore edhe testikujt

për një shpërblim të majmë afrodiziak;

e atij që e ndien që, edhe si kufomë,

mund të jetë jashtëqitur

prej hyjnores bamirësi të bankave.

…

…

26.

Dhe ja kopirajti felin i depozituar, me korrier djallin,

në faltoren e senduiçit universal:

Të jesh i mbijetuar,

nuk është e rastit,

është përqafimi logjik i jetës

dhe i fesë non optional globale:

jo vetëm e gazelës dhe e luanit,

jo vetëm e barit dhe e zjarrit,

jo vetëm e qenit dhe e vjedhësit,

jo vetëm e telekamerësë dhe e privatësisë,

jo vetëm e bankave guaza

që i hapen vetëm një Zoti të Stërholluar.

Që gjithcka në këtë mishmash ka një shpirt mistik:

të ndenjurat dhe poltrona,

Ferrari dhe Nasdaq,

Mib30 dhe picìnu mafioz,

disku i platinit dhe Mibtel,

Bombay Stock Exchange dhe lypësi i rremë,

llogarija rrjedhëse dhe auditori,

HIV dhe savana,

pema gjenealogjike dhe studioja ligjore,

lebra dhe bodrumi;

që dhe Unicum-i ka një shpirt,

si edhe përsosmëria prej kapitalit.

27.

Për tërbimin e djajve, pas vitesh pagjumësie,

e gjeta më në fund të uruarën faltore.

Braktis përgjithmonë mitet anakronike

për të pushuar më në fund nën një strehë paqësore.

Tempulli priftëror

– banka e lakmuar.

Stoli i përunjshëm për t’u falur

– përballë një sporteli bankar.

I Lartësishmi?

Gjithmonë i Njëjti,

quajeni nëse doni Atpërjetshmi Euro

ose më engjëllisht

Shën Dollar.

Le të lutemi, vëllezër,

përpara Zotit Tonë Matematik,

le t?i përulemi titanit bulldozer poshtë mjegullave,

i vetmi që livelon racat,

ideollogjitë,

dhe bën të skuqen prej turpit CIRA-t

dhe Al Qaeda-t.

Nuk shkon më të theremi me njeri-tjetrin

për pretekste të pjella nga templarët e gjorë,

jemi të gjithë bij të të njëjtit kult të vlershëm;

të Klerit Bankeizëm Botëror.

Mos jini kaq naïf, si unë, të përpiqeni

e të besoni akoma

në një tjetër droktrinë globale,

në një tjetër që nuk është Lekizmi

– stridhe që pjell perla prej kartës.

Mos jini kaq kokëtulë, si unë,

të besoni pambarimisht në një kozmos paralel

me këtë të qelburin 

që na poshtëron,

ku tempulli nuk i ka themelet mbi metoritet 

e ankthit monetar,

ku muzika nuk titullohet vetëm Euribor e Libor,

ku era nuk është vetëm

lëvizja e ajrit prej avionëve të luftës,

ku perëndimet nuk linden 

prej reaksionit të uraniumit të varfëruar,

ku Enti Suprem,

e Vetmja e Përhershme,

NënaVdekja

është Democraci e vërtetë…

Por prej lartësisë së obeliskut pigmè

më pëlcet timpanët

tellalli

prej web-it:

Shkoni, o njerëz, të zvarriteni

si horra të kënaqur,

të puthni duart e të të mëshirshmëve Godfathers,

t?u lëpini këmbët

administratorëve bankarë,

të gërvishni gjunjët në kllapi

drejt Vegimit Hyjnor,

nën kafkë të kamxhikoni të keqen,

e të inçizoni në shpinë gjarpërinj të gjakosur.

E përjetshme Lutja e Shenjtë qoftë:

Banka Jonë që je në Tokë… 

Filed Under: ESSE Tagged With: Barcodes-Codici a barre, Noe', Shpend Sollaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 246
  • 247
  • 248
  • 249
  • 250
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT