• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një zë kundër harrimit

January 24, 2018 by dgreca

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)  ka gati botimin e Albumit narrativ “Një si mijëra familjet e tjera” të autorit Musa Çapani, një i mbijetuar i kampeve të internimeve komuniste që në mituri e deri në rënien e diktaturës, të shoqëruar me parathënien e shkrimtarit Agron Tufa/

Agroni-tufa

Nga Agron Tufa/ Z.Musa Çapani e ndesha gjatë një aktiviteti përkujtimor në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë. Ishte një zotëri i heshtur, shtatmesatar, mbi të shtatëdhjetat, i pabujë e i pavënë re; shkurt, nga ata që nuk luftojnë të dalin në pah në radhët e para. E veçanta e tij ishte një buzëqeshje e plotë dhe e gjerë që të falet gjer në fund të shpirtit, gjithë familjaritet. Më tha se donte të më takonte në Institut për të biseduar diçka. Kur të mundesh, i thashë. Mendova se interesohet për ndonjë të afërm të dënuar, të cilin nuk e ka gjetur në germat e “Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist”. Andaj këtë prisja të më thotë kur erdhi në zyrë. Por jo. Bëhej fjalë për një seri portretesh e skicash, peizazhesh e vizatimesh nga kampe të ndryshme të “telave me gjemba”, e mandej për kampe të tjera internimi me punë të detyruar anekënd Shqipërisë komuniste.

Në bisedë e sipër, duke kundruar këto vizatime e portrete bashkëvuajtësish të kohës, kuptova se kisha të bëj me një dëshmitar të përhershëm të atyre realeve të trishta kampesh, me një përjetues nga brenda tyre, i cili i ka përcjellë me dekada të gjata ato pamje të zymta, në fillim me sytë shastisur të një fëmije, e mandej me sytë e adoleshentit, të djaloshit dhe të burrit të pjekur. Një kalvar i gjatë e i pasosur i vetvetes, familjes dhe familjeve të tjera.

Edhe në ferrin komunist të internimeve e degdisjeve fati ruan surpriza: fëmija i internuar ishte i pajisur me dhuntinë e kujtesës vizuale dhe mbresimit të saj në letër, përmes skicimeve, vizatimeve e pikturimit. Për fat të mire, lapsi e peneli i tij vazhdoi t’i mbresonte thjesht, në letër, këto pamje e portrete bashkëvuajtësish, për të mos ia lënë harrimit gjithëpërpirës. E sot këto mbresa përbëjnë dëshmi të rralla, madje unikale, në kushtet kur kanë mbërritur kujtimet për atë topografi të dhimbshme lotësh e vuajtjesh nga kampet e hershme me “telat me gjemba”, por që prej tyre sot nuk ka mbetur më shenjë e as gur mbi gur. Ne nuk e dinim se si ishin këto kampe, por falë dëshmive të fëmijës-djaloshit-burrit Musa Çapani, ato i jepen lexuesit për herë të parë, duke na përafruar sadopak me shembëlltyrën e atyre kampeve.

Përpos këtyre, krijimtaria e lapsit dhe penelit të Çapanit (i cili e quan veten, modestisht, “amator”), bashkëshoqërohet në këtë album edhe me një narrativë memuaristike, që i ilustron dhe i shpjegon këto pamje e portrete. Përftohet kështu një panoramë kuptimore, antropologjikisht e imagjinueshme se si kanë funksionuar kampet komuniste të internimit, si kanë regëtirë fatet njerëzore të braktisura në udhëkryqet e atdheut, me fëmijë të vegjël, pa prindër, pa shtëpi e strehë, të hedhur nga karroceritë e kamionëve nëpër sheshet e qyteteve e fshatrave nga qenë dëbuar. Një akt i papërshkrueshëm mizorie e moskokëçarjeje, sikundër e shohim në fragmentin e mëposhtëm:

Ushqimi vazhdonte me kazan, buka shpërndahej një herë në ditë dhe supa kryesisht ishte me koloniale, mbeturina të ardhura nga depot e ushtrisë sovjetike dhe më së shumti me bathë foragjere që ishte kulturë kryesore për fermën e lopëve të ngritur para viteve ’40 në Kamëz. Gjella e kazanit ishte një lëtyrë e shpifur, që edhe pa e provuar të përzjehej, e megjithatë ishte i vetmi ushqim që mbante gjallë trupat kufoma, të drobitur nga kequshqyerja dhe veshja e pamjaftueshme. Dimri 1951-52 me urinë dhe epidemitë e herëpashershme i përgjysmoi fëmijët dhe pleqtë e kampit.

Fuqia punëtore, gra dhe vajza të rritura, ishte e angazhuar në Fabrikën e Tullave dhe pjesërisht në punë bujqësore në fermë.

Fundi i vitit 1951 ishte fatkeqësia më e madhe që u ndodhi familjeve të internuara në kampet e Kamzës. Me një vendim ogurzi të Ministrisë së Brendshme të gjitha familjet u ndanë në tre pjesë:

Fëmijët e moshës 5-13 vjeç u liruan dhe forcërisht të hipur në karroceri makinash e të shoqëruar me 2-3 policë, u nisën në drejtim të vendlindjes. Në atë mes dimri të egër e të uritshëm, u përplasën në sheshet e qyteteve e lokaliteteve nga ishin internuar dhe u lanë në mëshirë të fatit, në mes të katër rrugëve pa prindër, pa strehë e pa ushqim.

Pleqtë e plakat, të paaftë për punë e të sëmurë, u ngarkuan nëpër makina e u nisën drejt Kampit të Tepelenës.

Të aftët për punë, mes tyre dhe nënat e reja së bashku me fëmijët e gjirit, u lanë përkohësisht aty derisa me një urdhër të dytë, pas 6 muajsh, u nisën drejt Kampit të Paprit për t’u marrë me punë bujqësore në kodrat e këtij fshati dhe në fushat e Cërrikut.

Këtë fat të keq patën gjithë familjet. Po e ilustroj këtë me fatin e familjes Çapani, e cila u nda në këtë mënyrë: 4 fëmijë të moshës deri në 13 vjeç, u nisën drejt Leskovikut; gjyshet u nisën drejt kampit të Tepelenës; kryefamiljarja Enveria, së bashku me djalin e vogël 3 vjeç, ngeli në Kodër Kamëz.

Për herë të parë, në sajë të këtij albumi me pamje e portrete, ne kemi mundësinë, falë lapsit e penelit të Musa Çapanit, të perceptojmë vizualisht, se si kanë qenë një sërë kampesh të komunizmit, që nga ato me “tela me gjemba”, deri tek ato të mëvonshmit nga Vlora, Fieri e Lushnja. Deri më tash nuk kemi pasur asnjë dokument pamor (foto apo vizatime) nga kampet e Kamzës (“Kampi i Mesit”; “Kampi Poshtë”; “Kampi Lart”; “Kodër-Kamzë”; “Kampi te Kodra e Beut” në Paskuqan), por tani ato i kemi për here të parë të vizualizuar me sytë e një fëmije të talentuar që gjendej brenda tyre.

Vizatimet e tjera, si ato të kampit famëkeq të Tepelenës e të Porto Palermos, kanë përsëri një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vijnë si dëshmia e dytë vizuale, pas atyre që ka sjellë piktori ish-i internuar Lekë Pervizi, të botuara tashmë nga Instituti ynë në albumin “Në rrathët e Ferrit” (ISKK, 2014). Janë të njëjtat reale pothuaj, me të cilat Musa Çapani përforcon vizualisht ato pamje e mjedise të trishta që sjell Lekë Pervizi.

Në një seri vizatimesh, skicash e portretesh dalin përsëri kampe të tjera, si ai i Paprit në Elbasan, i Petes në Vlorë, i Ngurës, i Gjazës dhe i Kryekuqit në Lushnjë, për të cilët nuk ekzistonte më parë asnjë dëshmi pamore. Kampet e tjera të internimi, të Plugut, Grabianit, Çermës e Savrës – përsëdytin sërish, me të veçantën autoriale të Çapanit ato pamje, portrete e realitete që i kemi ndeshur edhe tek Lekë Pervizi.

Libri “Një si mijëra familjet e tjera”, i konceptuar si një album narrativ, ka një vlerë të pazëvendësueshme në cilësinë e guidës pamore, rrëfimore e meditative për kalvarin e familjeve të internuara. Ne vetëm se mund të hamendësojmë mbi përditshmërinë e rëndë e të privuar nga çdo lloj gëzimi e shprese, për perspektivën e zymtë e shtypëse të fateve individuale brenda këtyre kampeve të punës së rëndë, deri në shfytyrim. Sigurisht, na ndihmojnë shumë në këtë drejtim dëshmitë e shkruara memuaristike të atyre që ia dolën “me rrnue e me tregue”, sikundër janë memuaret e Lekë Pervizit, Fatbardha Mulletit, Dine Dines, apo ditari i mrekullueshëm e lapidar i Lekë Tasit “Grabiani mes kodrash”. Edhe autori i këtij libri-album, Musa Çapani ka shtjelluar memuaret e veta në librin “Jetë apo dhembje” (Tiranë, 2001). Madje në këtë libër ne mund t’i përafrohemi një gjendjeje konstante të të vetëndjerit në përditshmërinë e internimit, nëse i referohemi njërës nga poezitë e Musa Çapanit me titull “GRI…”:

Qielli i rimët me horizonte gri,

Toka pa bimë, ujë e baltë gri,

Rreth e qark mjegull, heshtje, qetësi,

I ftohtë, bezdisës, shi e vetëm shi.

Në trupin e cfilitur, kapitëse dhimbja rri

Në shpirtin e harruar, brengë e mërzi.

Po si do ta mposhtim dhimbjen, si?!

Ku është agimi që do çjerrë terrin e zi?!…

Grabian, 1985

Albumi pamor e memuaristik i ish-të internuarit Musa Çapani, me pamjet, panoramat, portretet e tablotë e mbijetuara,jo vetëm shpëtoi, për fat të mirë, tok me vetveten, nga harrimi i kampeve të përqendrimit dhe internimit, por shtron sërish para shtetit shqiptar apelin për t’u zgjuar nga mefshtësia e amnezisë së përgjithshme dhe për t’i shënuar në harta memoriale të gjitha burgjet dhe kampet e internimit anembanë Shqipërisë. Askush nuk mund të krenohet me harresën, e harresa e qellimshme është një turp dhe krim i dyfishtë, është sindroma e njohur e kriminelit që fsheh gjurmët e krimit.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Agron Tufa, kundër harrimit, Nje ze

Montenji për Skënderbenë

January 17, 2018 by dgreca

1 SkenderbeuNga Gëzim Llojdia/

1.Poeti i rilindjes franceze Pier de Ronsar (1524-1585), pjesëtar i grupit të «Plejadës» dhe më i ndrituri në të, është në të parët në letërsinë fran­ceze që” këndon për Skënderbenë. Vjersha e Ronsarit për Skënderbenë i kushtohet bashkëkohësit të poetit Zhak dë Lavarden, i cili më 1576 shkroi veprën :”Historia e Gjergj Kastriotit” të quajtur :”Skënderbe, mbretit të Shqipërisë”.Në hyrjen e kësaj vepre u botua edhe vjersha e Ronsarit. Ndonëse i kushtohet Lavardenit ,vjersha ka në qendër të saj figurën e Skënderbeut, i cili për autorin e saj përfaqëson diçka më të madhe se sa luftërat dhe fitoret e tij në fushat e betejës kundër turqve. Natyrisht aty këtu në   këtë sonet dalin edhe disa pikëpamje të gabuara, të cilat kushtëzohen  nga vetë koha kur ka jetuar poeti.Me fjalën kobzi Ronsari nënkupton Skënderbenë si tmerr vdekje për armiqtë. Sipas poetit emri i Skënderbeut do të ishte shuar, po të mos qe botuar libri i Lavardenit nga i cili ai u frymëzua për të shkruar këto, vargje të pavdekshme. Kjo duhet parë si   një etiketë letrare e kohës ose si një lëvdatë për veprën e Lavardenit sepse, siç dihet, para saj ishin shkruar mjaft vepra te tjera për Skënderbeun.

Mishel de  Montenj    (1533-1592), mendimtar  e   shkrimtar   humanist francez, vuri në qendër të veprës së tij «Sprova» njerinë, ashtu siç e njohu në kohën e tij apo nëpërmjet veprave historike .Idealet humaniste, mendimet liridashëse e të tjera cilësi letrare e bënë .Gorkin që të thoshë se Montenj i përmes shekujve i zgjat dorën Volterit.Montenji me këtë ngjarje të shkurtër do na tregojë një nga tiparet kryesore të karakterit të Skënderbeut .Por si e ka përdorur pjesërisht ngjarje nga jeta e Skënderbeut ,sepse kaq i duhej për jetën e tij ,ka lënë jashtë zënien midis komandantit dhe ushtarit ,pra shkakun zemërimit të madh të Skënderbeut për të kuptuar më mirë tregimin. Të shohim :’Historinë e Skënderbeut’ të Nolit  i cili e përshkruan në këtë mënyrë pjesën tjetër. Një anë, që na jep at Dhimitër Frangu tregon me çfarë elementa Skënderbeu mbrujti një ushtri. Një ditë kur u jepte ushtrave komandën një mes tyre në vend që të mbaronte urdhrin që kishte marrë ju përgjigj me fjalë aq të paturpshme sa Skënderbeu i zëmëruar nxori shpatën dhe ju derdh përsipër. Dhe pastaj Noli përfundon :”Nuk të ngas,i tha Skënderbeu ,të cilit i iku zemërimi nga fjalët  papritura të ushtarit ,por  me mua qenke trim”.Kështu në të dy motërzimet kuptohet lehtë Skënderbeu e çmonte shumë lirinë te njeriu.

“Skënderbeu, princi i Shqipërisë, po ndiqte një nga  ushtarët e  tij për  ta vrarë”; ushtari, pasi u mundua më  kot me gjithfarë  përulje e  lutje  ta zbuste  në  fund fare vendosi  që ta presë  me shpatë në’ dorë. Kjo vendosmëri e ushtarit e zbuti menjëherë zemërimin e  « komandantit të tij, i cili, kur pa që ai mori një qëndrim për t’u nderuar , ia fali jetën.

Ky shembull mund të shpjegohet ndryshe vetëm nga ata që nuk kanë lexuar për fuqinë” e çuditshme dhe  për trimërinë e  këtij udhëheqësi.Përktheu: Perlat Xhiku.Gazeta :”Drita”1967.

Tingëllim i Ronsarit për Lavardenin

Shqipëria nuk ka vetëm kuaj të shpejtë,

 Që në olimpiada kudo rendin të  parët:

Po ka  edhe burra me lavd, luftëtarë ,

 Që gjaku Akilit u rrjedh nëpër dejtë.

Pirron kam dëshmi, që qytete rrafshoi,

E në  fund të lashtin Arg pati si varr :

Skënderin fitonjës mbi turkun barbar,

Që qytetërimin nga gjithë Azia faroi.

O nder I  shekullit tënd!O shqiptar kobëzi,

 Turqit krahu yt I  mundi  njëzet e dy herë!

 Drithërim e kalave, tmerr i tyre ishe ti;

Po shuar prej fatit, vdekur do ishe përherë,

Sikur puna e ndritur e Lavardenit të ditur,

S’ kish mposhtur vdekjen tënde dhe luftërat përtëritur.

3.Pierre de Ronsard (lindi në  shtator të vitit 1524 në Castle Possonnière, në afërsi të fshatit Couture-sur-Loir në Vendome  dhe vdiq në 27 dhjetor 1585 në Saint-Cosme është një nga poetët francezë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. I quajtur si:”Princi i poetëve dhe poet i princave”, Pierre de Ronsard është një figurë e rëndësishme në literaturën poetike të Rilindjes. Autori i një vepre të madhe që, më shumë se tridhjetë vjet, është fokusuar në dy poezi zyrtare dhe të kryera në kontekstin e luftërave fetare me himne.Pierre de Ronsard është i katërti i fëmijëve.Babai i tij, një kalorës në moshën 21 vjeç,  mori pjesë në luftërat italiane, është një njeri i dashur për poezin dhe admirues i Bayard.Sipas Ronsard, familja e tij është nga Evropa Lindore pranë Danubit. Ky fakt i raportuar nga biografët e tij të parë është kontestuar sot.Pierre de Ronsard ka lindur në kështjellë në Possonnière 1524. Ai e kaloi fëmijërinë e tij në kështjellë. Nga mosha pesë vjet, Pierre de Ronsard i është besuar një mësuesi privat, ndoshta xhaxhai i tij,  Navarre, Jean Ronsard, i cili e paraqiti atë  autorëve latine dhe i lë trashëgim atij pas vdekjen e tij (1535-1536) bibliotekën e tij. Babai i tij e destinoi për karrierën dhe e dërgoi për të studiuar, në tetor 1533, në Kolegjin e Navarre ku ai do të mbetet vetëm 6 muajn e 3-të. Vitet e jetës së tij vijojnë me :Kur Madeleine e Francës u martua me Mbretin Jacques V të Skocisë në 1537, Ronsard u bashkangjitur në shërbim Madeleine dhe në shërbim të Mbretit Jacques për vdekjen e saj dhe kaloi tre vjet në Skoci, nganjëherë në Londër, ndonjëherë në Francë nganjëherë në Flanders. Ishte gjatë kësaj periudhe koha kur ai filloi të merrte një interes në poezi, të inkurajuar nga, Paul Duc, i cili e prezantoi atë me poetë latine si: Virgili dhe Horace. Në vitin 1539, ai u kthye në Francë për të shërbyer te Duka i Orleans. Megjithatë, kjo karrierë diplomatike premtuese ndërpritet papritmas. Një sëmundje, e ndjekur nga një mbingarkesë e gjatë e lë atë gjysmë të shurdhër. Pierre de Ronsard pastaj vendos të përkushtohet studimit. Një karrierë është duke u shqyrtuar përsëri, dhe në mars 1543, Ronsard u hirotonis nga peshkopi i Mans por mbetet në shërbim të Charles së Orleans.Babai i tij vdiq në  6 qershor 1544.

4.Kush ishte Montaigne,ai ka lindur në rajonin e Aquitaine të Francës, në pronën e familjes Château de Montaigne, në një qytet tani të quajtur Saint-Michel-de-Montaigne, pranë Bordeaux. Familja ishte shumë e pasur, stërgjyshi i tij, Ramon Felipe Eyquem, kishte bërë një pasuri si një tregtar dhe kishte blerë pasurinë më 1477, duke u bërë kështu Zot i Montaigne.Babai i tij, Pierre Eyquem, Seigneur i Montaigne, ishte një ushtar francez në Itali për një kohë dhe gjithashtu ishte kryebashkiaku i Bordeaux.

Megjithëse kishte disa familje që mbanin patronimin “Eyquem” në Guyenne, mendohet se familja e babait të tij ka pasur një farë origjine origjinale Marrano (spanjolle dhe portugeze). Ndërsa nëna e tij, Antoinette López de Villanueva, ishte një konvertim në Protestantizëm.  Gjyshi i tij i nënës, Pedro Lopez, nga Zaragoza, ishte nga një familje e pasur Marrano (sefardike hebreje) që ishte konvertuar në katolicizëm. Gjyshja e tij e nënës, Honorette Dupuy, ishte nga një familje katolike në Gascony, Francë.

Nëna e tij jetonte në një pjesë të madhe të jetës së Montaigne pranë tij dhe madje e  përmend vetëm dy herë në esetë e tij. Megjithatë, marrëdhëniet e Montaigne me babanë e tij shpesh reflektohen dhe diskutohen në esetë e tij.Arsimi i Montaigne filloi në fëmijërinë e hershme dhe ndoqi një plan pedagogjik ,që babai i tij kishte zhvilluar,  këshillat e miqve humanistë të së kaluarës. Menjëherë pas lindjes së tij, Montaigne u soll në një vilë të vogël, ku jetoi tre vitet e para të jetës në shoqërinë e vetme të një familje fshatare, në mënyrë që, sipas Montaigne plak, “tërheq djalin afër njerëzve, dhe për kushtet e jetës së njerëzve, të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë “.  Pas këtyre viteve të para spartane, Montaigne u kthye,qëllimi ishte që latinja të bëhej gjuha e tij e parë. Edukimi intelektual i Montaigne ishte caktuar për një tutor gjerman (një mjek me emrin Horstan, i cili nuk mund të fliste frëngjisht). Babai i tij punësonte vetëm shërbëtorë që mund të flisnin në latinisht dhe iu dhanë gjithashtu urdhra të rrepta për t’i folur gjithmonë djalit në latinisht. Edukimi latin i Montaigne u shoqërua me stimulim të vazhdueshëm intelektual dhe shpirtëror. Ai ishte i familjarizuar me greqisht nga një metodë pedagogjike që përdorte lojra, biseda dhe ushtrime të meditimit të vetmuar, sesa librat më tradicionalë. Rreth vitit 1539, Montaigne u dërgua për të studiuar në një shkollë prestigjioze me  konvikte në Bordeaux, Collège de Guyenne, pastaj nën drejtimin e dijetarit më të madh latine të epokës, George Buchanan, ku ai zotëronte tërë kurrikulën deri në vitin e trembëdhjetë. Më pas ai filloi studimet e tij të drejtësisë në Universitetin e Tuluzës në 1546 dhe hyri në një karrierë në sistemin ligjor vendas. Ai ishte këshilltar i Gjykatës së Aides të Périgueux dhe, në 1557, ai u emërua këshilltar i Parlementit në Bordo (një gjykatë e lartë). Nga 1561 deri në 1563 ai ishte oborrtar në oborrin e Charles IX; ai ishte i pranishëm me mbretin në rrethimin e Rouen (1562). Ai u nderua me nderin më të lartë të fisnikërisë franceze, Urdhrit të Shën Michael, diçka për të cilën ai aspiroi nga rinia e tij. Ndërsa shërbeu në Parlementin e Bordeaux, ai u bë shumë i afërt me poetin humanist Étienne de la Boétie, vdekja e të cilit në vitin 1563 ndikoi thellë në Montaigne. Është sugjeruar nga Donald M. Frame, në hyrjen e tij në Ese të Plota të Montaigne, që për shkak të “nevojës së domosdoshme për të komunikuar”. Montaigne pas humbjes së Étienne, ai e nisi Essaisin si “mjetin e komunikimit” të tij dhe se “lexuesi merr nga vendi i mikut të vdekur “. Montaigne u martua me Françoise de la Cassaigne në vitin 1565, ndoshta në një martesë të organizuar. Ajo ishte vajza e mirë dhe mbesa e tregtarëve të Toulouse dhe Bordeaux. Ata kishin gjashtë vajza, por vetëm e lindura  e  dytë, Léonore, mbijetoi në fëmijëri.  Pak dihet për martesën e tyre, pak fjalë që i ikin vetë Montaigne-it – ai shkroi për vajzën e tij Léonor: “Të gjithë fëmijët e mi vdesin në infermieri, por Léonore, vajza jonë e vetme, e cila ka shpëtuar nga kjo fatkeqësi.Mendimtarët që eksplorojnë ide të ngjashme për Montaigne përfshijnë Erasmus, Thomas More dhe Guillaume Budé, të cilët të gjithë punuan rreth pesëdhjetë vjet përpara Montaigne. Shumë nga citatet e Montaigne-së në latinisht janë nga Adagia e Erasmus, dhe ato më kritike, të gjitha citimet e tij nga Sokrati. Plutarku mbetet ndoshta influenca më e fortë e Montaigne, në kuptimin e substancës dhe stilit. Citatet e Montaigne nga Plutarku në numrin e eseve janë mbi 500.

Kritiku letrar i shekullit të 20-të Erich Auerbach e quajti Montaigne njeriun e parë modern. “Në mesin e të gjithë bashkëkohësve të tij”, shkruan Auerbach ,”ai kishte konceptin më të qartë të problemit të vetë orientimit të njeriut, dmth. Detyrën për ta bërë veten në shtëpi pa pikat fikse të mbështetjes”. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Llojdia, Montenji, për Skënderbenë

TEATRI ABSURD I DITËVE QË JETOJMË

January 9, 2018 by dgreca

1 xhevair-lleshi-zyre

Panegjerik i ftohtë

  Nga Xhevair Lleshi/

Kur e arrita synimin tim në moshë pak a shumë të re, nuk iu ndava njëherë teatrit, asaj magjie të siparit ngjyrë tulle të errët përplot pala të rënda që, sa herë hapej, lëshonte një qiqërim pluhuri që avullonte në dritën e skenës dhe binte pastaj duke u ulur përtokë, ose mbi kokat tona. Hapej ngadalë me një zhurmë bezdisëse e të çjerrë që sidoqoftë dëgjohej, pa ndonjë ndjenjë ngadhënjyese që të krahasohej me madhështinë e njerëzve të gjallë në skenë. Ja, kështu vjen para teje, veshur bukur, me fenerët që rrëzojnë një dritë të vagullt në shtegun e karakterit të çdo njeriu që dëshiron të shoh me ankth shoqërinë e lartë të qytetit në lozha dhe fuajé, në galeri e në platé. Më gjeti belaja, miku im, m’u desh të vija si dikur në teatër, ku skenën e një pylli apo me dy të dashur që shtrëngohen e gjeta me befasi të reja. E, duke qenë dimër, doja të shihja palltot e rënda gub, kapelat strehëgjera republikë, të ndieja parfumin aq ngacmues të zonjave të mëdha të shoqërisë së re tiranase. Dhe ndjeva erë të rëndë kurmi. Dhe pashë veshje të thjeshta dhe pastaj edhe papërsosmëri elegante.  Ç’emocion rrëqethës, pse të ndodhë kështu? Ku të jetë fshehur vallë shoqëria e lartë e Tiranës? Ç’ngashënjim prekës, pse, pse, pse? Ndërsa dy hapa më tej dëgjohen ulërimat e makinave, njerëzit që i fshihen vetes së tyre, ndihet aroma e sherebelit dhe e çajit të malit. Dhe dritat bien mbi fytyrat e shikuesve. Një nervozizëm i nxirë dhe që përthyhet drejt së verdhës mehitiane. Sikur të siguronin një copëz djathë të bardhë kjo do të ishte kënaqësi e madhe. Eh, hiqe mendjen nga madhështia e varfërisë! Dritat vazhdimisht bien dhe zbukurojnë karakteret e nxirë në platé, sikur t’i zbulojnë papritur…  Dhe të gjithë ndjekin me një vuajtje dhe gëzim të pa rrëfyer një komedi, jo si Pallati 176, por një tjetër: Plakat e Katit të Tretë, aq të bukur e të goditur, ku plakat e mbetura vetëm jetojnë me ëndrrat dhe makthin e takimeve plot të papritura, ku tinës vjen në kat edhe i dashuri i thekur 70vjeçar… Njerëzit nxjerrin dufin. Qeshin. Përkëdhelin sedrën. Duartrokasin për minuta të tëra. Pastaj vënë duart në xhepa dhe nisin të largohen. Ftohtë. Ndërsa ty, or mik, s’të pashë. Se, e di, ti ke punë të mëdha. Sepse më nxite dëshira lakmitare që edhe ti ta shihje këtë komedi. Nuk dihej kush vuante më tepër: njerëzit në skenë, apo shikuesit e mjerë. Jo, s’doja të dilja as unë nga shtëpia. Pse mbaroi kaq shpejt? Po fundja, ku do të shkoja? Një gotë çaji diku larg apo afër më priste…  Dhe jeta tej dukej aq blu nga nata e thellë, edhe dëshira e bakërt prej vjeshte sesi kthehej në një dimër të zbardhëlluar. Ndoshta mos prisnin të vinte Babagjyshi i Vitit të Ri me dhurata të çmuara? Pse jo. Se Babagjyshi sivjet ishte aq i shkurtër. Tmerr. Mjaft të shkurtër patjetër që e përsillte kaleidoskopi ynë këtë vit, Plakun e gjorë që bredh nëpër botë (Edhe nëpër Shqipëri! Edhe në Kosovë!) me stap në dorë e me thesin bosh në krahë. Dhe shikuesit papritur përzihen me aktorët duke ikur, si retë që zënë përgjysmë me një hënë aq të zbehtë. Net me hënë kaq hakmarrëse s’kam parë, or mik!

Po pse me tërheq kaq shumë teatri? Prej aktorëve, prej veprave të mëdha që luhen aty? Jo, edhe ata si të gjithë, tani luajnë çdo lloj vepre që u jepet. Nuk zgjedhin vet. Ata ikin dhe vijnë dhe… më ftohtë brenda e jashtë, s’janë më, po unë e kisha atë fat, se punova në kohën e tyre dhe me ta, i njoha nga afër, i pashë, por tani nuk i gjej më, edhe pse i kërkoj me ngulm. Pastaj më mbeten sytë ngujuar mbi fashën e dritës në platé, të cilin e ka zënë gjumi në prehër të zonjës së tij. Hajde peshk i freskët! Vërtet, i freskët! Po, nuk e sheh si lëviz? Eh, mor mik, edhe gruaja ime lëviz, por ç’e do, s’është më e freskët… Dreq o punë. Fasha e dritës ka ngrirë. Kështu, miku im, nisa të nxë më shumë, fillova të dua gjithçka në të gjitha skutat e teatrit, të famshmit, të ndryshëm nga njëri-tjetri, po edhe aq të ngjashëm!: Mjeshtër të skenave masive, kërkues brilantë detajesh, të puthur nga lirizmi, të prirë nga modernia, gjurmues të imtë karakteresh. Net të ngrira brenda në teatrin e makthit e të dhimbjes, ku shiten gështenja a misra të pjekur, ku aroma e bujkut vjen me tërsëllëm dhe përplaset me duhmën e luksit, nga duket sikur edhe hëna largohet e zemëruar prej fushës e pamatë të nderit. Ka prova? Ka, sigurisht. Ky rol nuk shkon. Personazhi është shumë i gjatë, mos ka ardhur ndonjë ministër? Jo? Mos e thuaj! As ai i kulturës? Mbylle buçen! Vër fre se do ta pësosh, budalla!

Eh, miku im! I pashë videot që më dërgove, edhe pse isha në teatër. Më mrekullon ideja e videove dhe e bashkoj me teatrin. Sidomos kur ka kukulla që tërheqin karrocat e fatit dhe s’di pse i bë bashkë, i mbreh me teatrin që më mërdhin dhe më ka mbetur në mend! Plakat e katit të tretë! Ka pak mirënjohje aty. Pensioni i plakave është i madh, shumë i madh. Skena e teatrit është e ftohtë, shumë e ftohtë! Ka kaq shumë rroga të mëdha! Ka vetëm jetë të vogla nëpër apartamente si ne të gjithë, po ato mobilie që kanë humbur aromën dhe ngjyrën, vuajtje prej ushqimeve si në videon tënde, veç kudo sikur e ndien se ka bjerrë një mirënjohje e dikurshme. Mos! Mos e thuaj! Kemi pasur mirënjohje ne? Ç’thoni? Nderim me të tepërt. Nënshtrim. Servilizëm. Pse, ka njeri dëm nga servilizmi? Dhe më vjen në mendje Kadri Roshi që gjuante peshk në Karavasta dhe përkëdhelte lejlekun kaçurrel, Kadri Roshi, ai burrë i gjatë e i thatë, me ata sy aq ledhatarë! Që shpesh i hidhte sytë nga plateja. Po ajo dritë që shëtiste herë pas here përmbi koka. Nuk mund të bëhesh i famshëm nga rastësia! Merr vesh. O këtu dhe gatitu, o në Karavasta! Po nuk rrinte dot pa luajtur në skenë, dhe thonë se e ngriti skenën me dhelprat dhe peshqit e lejlekët kaçurrelë në Karavasta. Atje ku vinin ngaherë Të Bukurat zonja e zonjusha që e donin teatrin dhe ledhatimin e syve… Ja, or mik, i lodhur nga krijimi dhe puna e ditës, i dhashë leje shpirtit dhe erdha në teatër, ku pashë Plakat e Katit të Tretë dhe videot e tua. Ky është ai që unë e gjej si  kronikë të përditshme. Mirupafshim! Pres të diskutoj me Ty për videot dhe për muzikën e ftohtë të teatrit në akullimën e sallës…

 Tiranë, më 08.01.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: Pangjerik, TEATRI ABSURD, Xhevair Lleshi

PRURJE TË REJA PËR HISTORINË TONË KOMBTARE

January 8, 2018 by dgreca

(Portret biografi për atdhetarin Myrteza Bajraktari)/

2 Thanas-Gjika

Nga Thanas L. GJIKA/

Mbas shkërmoqjes së diktaturës, një varg poetësh e shkrimtarësh si Arshi Pipa, Uran Kostreci, prof. Sami Repishti, Lazër Radi, Visar Zhiti, Anton Çefa, si dhe shumë studjues dhe analistë si Uran Butka, Pjetër Pepa, Tomorr Aliko, Fritz Radovani, Daut Gumeni, Agim Musta, Enver Memisha (Lepenica), Lek Pervizi, Eugjen Merlika, Mërgim Korça, Astrit Lulushi, Idriz Lamaj, prof. Ardian Ndreca, Myrteza Bajraktari, etj, të shtyrë nga pasioni për të zbuluar të vërtetën, kanë botuar artikuj dhe vepra me fakte dhe interpretime të rinj për shumë ngjarje dhe personalitete të ndryshëm historikë të përbaltur prej historiografisë komuniste. Përmes faktesh të shumtë, këta atdhetarë kanë treguar dhe dënuar shumë prej shtrembërimeve të historiografisë shqiptare marksiste, kanë theksuar se historianët e formuar në kohën e diktaturës duhet të evoluojnë, duhet të heqin syzet me ngjyrë që u kishte vendosur partia shtet për interpretimin e ngjarjeve dhe dukurive të së kaluarës dhe të mbajnë qëndrim kritik ndaj ideologjisë komuniste internacionaliste, që nuk ishte tjetër vetëm se një maskë e pansllavizmit agresiv, si ka thënë profesor Sami Repishti. Mirëpo botimi prej Akademisë së Shkencave i veprave “Histori e Shqipërisë” (vëll. III 2009) dhe i “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” (vëll I, 2008 dhe vëll. II-III 2009), tregoi se grupi i historianëve i drejtuar prej prof. Xhelal Gjeçovit dhe ai i hartuesve dhe redaktorëve të veprës enciklopedike, kanë mbeturina të theksuara të ideologjisë komuniste dhe nuk duan të dënojnë krimet e diktaturës komuniste. Këta historianë e studiues nuk duan të kuptojnë se nga reagimi ndaj së kaluarës varet jeta e jonë politike sot. Nga mësimet që nxjerrim prej së kaluarës, ne përcaktojmë trajektoren e edukimit të fëmijëve tanë, që do të bëhen politikanë e qeveritarë nesër.
Myrteza Bajraktari është pikërisht një nga atdhetarët, që me jetën dhe veprën e tij tregon se dalja nga bunkeri i mendësisë komuniste është një nevojë urgjente e atdhetarizmit shqiptar.
Këtë burrë të përkryer e njoha në Tiranë në vitin 1985, kur punonte si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë te shkolla profesionale 2-vjeçare. Na prezantoi miku i tij, emigranti kosovar Kurtesh Neziri. Të dy ishin atdhetarë fjalëpakë dhe shumë të njerëzishëm. Myrtezai e kishte kryer shkollën fillore në gjuhën shqipe gjatë Luftës së II Botërore, kur ishte hapur shkolla shqipe në Gostivar me përpjekjet e Ernest Koliqit. Më tej shkollimi i tij kishte pasur peripeci të ndryshme si në ish Jugosllavi e në Shqipëri. Me shumë mundime mundi të kryente studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe me korrespondencë në Fakultetin “Histori e Filologji” të Universitetit të Tiranës.
Më hyri në zemër që në takimin e parë: burrë i gjatë me sy të mëdhenj plot dritë. Flokët i kish të bardhë, të dredhur onde onde, si valët e Vardarit, ku ishte larë shpesh herë që fëmijë. Fisnikëria e tij binte në sy si në pamjen e jashtme shumë të rregullt dhe në sjelljen e matur e të kulturuar. Ndjehej që ishte bir i një familjeje të pasur fisnike të luginës së begatë të Pollogut. Zëri i tij shumë i veçantë, zë i ëmbël prej baritoni. Sapo e njoha herën e parë dhe ia dëgjova zërin, nuk munda ta harroja më Myrtezain. Sa herë e takoja në Tiranë deri në vitin 1992, kisha qejf të rrija me të e ta dëgjoja. Takimet me të ishin për mua leksione atdhetarie dhe burrnie.
E urtë, e këndshme është dhe bashkëshortja e tij, zonja Kimete, bijë e një familjeje tjetër fisnike shqiptare të ardhur nga qyteti i madh i Shkupit, ku sot mbizotërojnë ardhacakët sllavo-maqedonë. Kimeten e kisha njohur që në vitet 1966-1969, kur unë punoja si redaktor në “Radio Tirana”, e ajo si një nga violinistet e talentuara të orkestrës simfonike bashkë me Agustin e Lucie Simonin dhe motrat Tartari. Ata u martuan pas vitit 1970 dhe u shtuan me tre fënijë, dy vajza dhe një djalë.

Ballina e librit të parë
* * *
Myrtezai ishte lindur në Gostivar më 15 prill 1933, në gjirin e një familjeje të pasur atdhetare që synonte bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar. I edukuar me të tilla ndjenja e mendime, ai gjithë jetën ia kushtoi lëvizjes kombëtare për bashkimin e trojeve tona në një shtet të vetëm. Burgimet në ish Jugosllavi e në Shqipërinë komuniste nuk ia shuan zjarrin e këtij ideali, të cilin e kanë pasur dhe e kanë atdhetarët e vërtetë, që nuk u gënjyen dje nga ideologjia internacionaliste komuniste dhe sot nuk gënjehen nga ideologjia e kozmopolitizmit. Që nga viti 1998, kur ai me bashkëshorten kaluan me banim nga Berna në Bruksel, është një nga bashkëpunëtorët dhe anëtarët e redaksisë së revistës “Kuq e Zi” të Lek Pervizit. Kurse tre fëmijët e tyre, që nga viti 1992 vijojnë të jetojnë në Zvicër, ku kryen shkollimet dhe punojnë me sukses në profesionet e tyre.
Përveç shumë artikujve, Myrtezai ka botuar dhe dy vepra studimore. E para titullohet “Një vështrim tjetër i Historisë”, WEST PRINT Tiranë 2011, 260 f. dhe e dyta “Sytki Hoxha – Një jetë e burgosur” WEST PRINT Tiranë 2013, 184 f.
Në veprën e parë ai ka përmbledhur shkrime historike ku jep shpjegimet e veta dhe dokumente të mbledhura me kujdes për periudha të ndryshme të historisë sonë kombëtare dhe vlerësime për disa personalitete të ndryshëm. Si kemi përmendur dhe në recensionin përkatës me rastin e daljes së kësaj vepre, kjo ka disa merita të veçanta.
Aty jepet një panoramë e shkurtër e historisë së popullit tonë që nga koha romake e deri në ditët tona, e parë ndryshe nga historiografia zyrtare.
Përmes shpjegimesh të mbështetura në fakte, jepen vlerësime të rinj për ngjarje e personalitete historikë të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ngjarje e personalitete të shtrembëruar deri sot prej historianëve të ideologjizuar.
Prej saj mësojmë shumë fakte të panjohur për lëvizjen kombëtare në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë;
Vepra ka një mori fotografish të panjohura ose pak të njohura për ngjarje e personalitete historike të periudhave të ndryshme;
Shfrytëzimi i një literature pak ose aspak të shfrytëzuar prej studiuesve të tjerë.
Problemet që e shqetësojnë më shumë studjuesin Bajraktari në librin e tij të parë, janë ngjarjet e Luftës së dytë Botërore në Shqipërinë e asaj kohe, ku përfshiheshin dhe trojet e pjesës më të madhe të Kosovës dhe të Shqipërisë Lindore (si e quan ai krahinën e gjerë të përbërë prej qyteteve dhe rretheve Strugë, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Dibër, që i ishin bashkuar Shqipërisë. Autori përpiqet të ndriçojë dhe sqarojë veprimtarinë politike atdhetare të disa personaliteteve si profesorët Selman Riza, Rexhep Krasniqi, të politikanëve si Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, avokatit Kadri Saliu, përfaqësuesit të qeverisë Gjermane Herman Nojbaher, etj. Ngjarjet në të cilat ndalet më tepër janë “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Qeveria Mitrovica”, e quajtura “Masakra e 4 shkurtit 1944”, “Regjenca”, “Konferenca e Bujanit”, “Masakra e Tivarit”, gjarje për të cilat autori jep gjykimet e veta pozitive mbështetur në fakte të rinj, për të nxjerrë në dritë të vërtetën.
Interes të veçantë paraqet dhe veprimtaria politike ilegale e vetë Myrteza Bajraktarit. Me pseudonimin “Kreshnik Pollogu” në vitet 1952-1953 kur ishte student e mësues, ai kishte formuar në Shkup e Kumanovë organizatën ilegale “Shkëndia” me shtatë celula treshe, të cilat mbanin lidhje vetëm me kryetarin e saj, pa pasur lidhje me njëra tjetrën. Kjo organizatë propagandoi nevojën e bashkimit të trojeve shqiptare me atdheun mëmë, iu kundërvu hapjes së shkollave turke në popullsinë shqiptare, kundërshtoi shpërnguljen e popullsisë shqiptare myslimane të Maqedonisë për në Turqi si turq, etj.

Gjatë promovimit të librit të parë.

Rrëngjethëse janë përshkrimet e torturave që iu bënë autorit disa muaj me radhë në burgun e kalasë së Shkupit dhe pastaj trajtimi i tij si armik në atdheun mëmë, ku ai erdhi për të shpëtuar nga përndjekjet e sllavëve, por që ra nga shiu në breshër.
Vlera njohëse ka dhe veprimtaria e tij si përfaqësues diplomatik i Qeverisë Demokratike (qeveria e parë e Sali Berishës) në Bernë të Zvicrës pas vitit 1992, opinionet e tij vlerësuese dhe kritike për Sali Berishën, etj. Të gjithë e mbajmë mend skenën qesharake të Fatos Nanos para emigrantëve shqiptarë në Zvicër, ku atë e pyetën lidhur me vlerësimin e tij për ish diktatorin Enver Hoxha e ai u përgjigj: “Gjithkush e ka një baba, dhe ne socialistët atë e kemi baba shpirtëror.” Këtë takim e pati organizuar dhe xhiruar pikërisht Myrtezai.
Në vepër ka dhe vlerësime të bashkëvuajtësve për Myrtezain si një shembull i burrit që u qëndroi mundimeve të burgut, etj.
Historiografisë shqiptare iu shtua kështu një vepër me materiale që ndihmojnë për kthjellimin e mendësisë sonë nga tymnaja e ideologjisë komuniste. Kjo vepër bashkë me veprat e zotërinjve që përmendëm në fillim të këtij shkrimi, ngre me të madhe nevojën e grumbullimit të të gjithë fakteve historikë, pa seleksionim ideologjik dhe interpretimin e tyre larg nga politizimi partiak, për ta rishkruar historinë tonë kombëtare pa mllefe e pa mbajtur anë, por me objektivitet shkemcor. Me objektivitet shkencor kuptojmë interpretimin e paanshëm dhe pranim e të vërtetave edhe kur ato bien ndesh me bindjet personale të studiuesit.
Mësimi kryesor që përfiton lexuesi prej këtij libri është: Pa çlirimin e historianëve prej mendësisë komunisto-socialiste, nuk mund të kemi një histori kombëtare objektive, nuk mund të kemi as politikanë e as shoqëri të lirë…
* * *
Shoqëria shqiptare e dalë nga zgjedha komuniste, sidomos shumica e ish komunistëve dhe sigurimsave të kohës së diktaturs dhe shumica e anëtarëve dhe e simpatizantëve të Partisë Socialiste po përpiqen t’i lenë në hije vlerat morale, politike dhe letraro-artistike të të përndjekurve politikë, të këtyre njerëzve, të cilët në fakt sot përbëjnë ajkën e shoqërisë sonë. Madje ky grup i madh njerëzish synon edhe mënjanimin fizik të shtresës së të përndjekurve politikë. Autorëve të lartpërmendur shumë rallë u janë vlerësuar veprat e tyre nga zhuritë e ndryshme, nga gazetat dhe stacionet televizive. Media, duke qenë në shumicë në dorë të klanit socialist, ose të disa gjoja demokratëve, është përpjekur dhe përpiqet që të krijojë opinionin se në Shqipërinë paskomuniste, sundon kultura e arti socialist, ashtu si gjatë regjimit komunist sundonte arti e kultura e realizmit socialist.
Eshtë e pabesueshme, por është e vërtetë, se media e sotme shqiptare përpiqet ta justifikojnë dhe ta propagandojnë kulturën dhe artin e realizmit socialist si sukses të madh të arritur në kohën e diktaturës, me pretekstin se arti është art dhe ka vlerat e veta në çdo kohë, kur dihet se arti dhe kultura e asaj kohe ishte art dhe kulturë e helmuar me ideologjinë komuniste, e cila kapitulloi tek ne me turp, si në mbarë Europën Lindore. Kjo ideologji kapitulloi me turp sepse luftoi për shkatërimin e moralit njerëzor, mohoi shumë të drejta të njeriut, dënoi pa shkak atdhetarë e intelektualë që nuk iu nënshtruan politikës së partisë shtet. Arti e kultura që e propaganduan këtë ideologji kanë në thelb shumë deformime të historisë kombëtare të popujve ku sundoi ajo ideologji, deformime të moralit njerëzor, justifikime dhe lavdërime të politikës diktatoriale së partisë shtet, etj.
Një njeri i përvojtur, i pajisur me kulturë humane, si zoti Myrteza Bajraktari, nuk mund të linte në harresë vlerat e sivëllezërve të tij, bashkëvuajtësve të burgut. Pikërisht këtë tipar të tij manifeston vepra e dytë e Myrtezait kushtuar atdhetarit kosovar Sytki Hoxha, këtij djali të sinqertë, që erdhi në Shqipëri nga Kosova në vitin 1949 për t’i shpëtuar padrejtësive të shtetit jugosllav, por që u dënua dhe kaloi 30 vjet në burgjet e Shqipërisë dhe 7 vjet internime në kampet e punës, deri në vitin 1987.
Sytkiu ishte shtatë vjet më i madh se Myrtezai. Ata u njohën në burg dhe e vijuan miqësinë edhe pas kryerjes së dënimit. Sytkiu ishte një tip i heshtur, që fliste shumë pak për jetën, vuajtjet e veta dhe nuk tregonte për krijimet e tij letrare. Gjithë vlerat e këtij njeriu do të kishin humbur, sikur ai të mos kishte qenë mik i Myrteza Bajraktarit dhe bashkëshort i zonjës Mimoza.
Fati e ndihmoi atë, që në vitin 1996 , kur jetonte si emigrant politik në qytetin Ërje të Norvegjisë, gjatë vizitave në Tiranë, të njihej e të martohej me zonjushen simpatike Mimoza Përleka. Kjo bashkëshorte, me sjelljen e saj të kujdesëshme e të qetë, i krijoi Sytkiut kushte e frymëzim për të rishkruar disa nga veprat e tij të menduara e hartuara më parë.
Mbas vdekjes së bashkëshortit, Mimoza i mblodhi disa foto të Sytkiut, shkrimet e tij, letërkëmbimin e tij me Amnisty International dhe me bashkëvuajtësit Don Simon Jubani, Pjetër Arbnori, Uran Kalakula, Myrteza Bajraktari dhe motrën Behrie. Po ashtu ajo mblodhi dhe poezitë që u shkruan për të prej ish të burgosurve Daut Gumeni dhe Zenel Peposhi, si dhe fjalimet që u mbajtën në varrimin e tij prej miqve norvegjezë, të cilët e njohën dhe e vlerësuan emigrantin shqiptar me seriozitet e dashamirësi.
Mimoza përgatiti përmbledhjen të cilën ia vuri në dispozicion mikut dhe historianit Bajraktari, i cili u muarr me hartimin e jetëshkrimit të Sytkiut dhe botimin e librit. Kështu si një bashkëpunim u realizua dalja e kësaj vepre me synime monografike për jetën e veprën e Sytki Hoxhës.
* * *
Jeta e Sytki Hoxhës është jeta e një njeriu të thjeshtë, por të talentuar, që rrethanat e jetës si në Jugosllavi, ku u lind e jetoi rininë, dhe në Shqipëri ku erdhi për të gjetur lirinë, nuk i dhanë mundësitë për të shijuar lirinë e ëndërruar dhe as iu krijuan kushtet për të zhvilluar talentin e tij, talent i cili, si do ta shohim më tej, do ta kishte ndihmuar të bëhej një vijues i denjë i Migjenit.
Sytkiu ishte lindur në qytetin e Gjakovës më 15 dhjetor 1927 në një familje atdhetare me shumë fëmijë: pesë djem e tre vajza. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë e pushtuar prej ushtrisë fashiste e gjeti Sytkiun 14-vjeçar. Pa i mbushur ende të gjashtëmbëdhjetat, i frymëzuar nga ideali i lirisë, doli malit partizan dhe u inkuadrua në forcat rajonale në Gri të Tropojës. Ndonëse shumë i ri ai mori pjesë në Konferencën e Bujanit që u mbajt në fund të vitit 1943. Pas mbarimit të luftës ai u inkuadrua me gradën toger në ushtrinë e Kosovës, që i ishte dhënë sërisht Jugosllavisë (Sërbisë). Por shumë shpejt e ndjeu se jeta ushtarake nuk ishte zgjidhja e drejtë dhe u çmobilizua. Filloi punë si sportelist në një hotel në Prishtinë, mirëpo, pa e pyetur e veshin polic dhe e dërgojnë me detyrë në Mitrovicë, Kamenicë, Kaçanik, Vuçitern dhe Prizren. Në këto vite ai ndoqi në gjuhën sërbe shkollën e mesme natën dhe e mori diplomën e gjimnazit në vitin 1948. Duke parë shumë padrejtësi që u bëheshin shqiptarëve prej regjimit sërb, Sytkiu vendosi të largohej nga Jugosllavia dhe në shkurt të vitit 1949 kaloi kufirin e hyri në Republikën e Shqipërisë, ku sipas emisioneve të Radio Tiranës, që kishte dëgjuar, mendonte se kishte demokraci të vërtetë.
Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të Jugosllavisë që kërkonin strehim politik në Shqipëri edhe Sytkiu në shtetin amë, nuk gjeti demokracinë e ëndërruar, por një regjim edhe më diktatorial se ai i Jugosllavisë së Titos. Në Shqipëri mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë botohej një gazetë në sërbisht për emigrantët sërbë e malazezë. Në këtë gazetë Sytkiun e punësuan si redaktor. Në këtë gazetë u botuan mjaft artikuj të tij, kurse në emisionin sërbisht të “Radio Tiranës” ai transmetoi komente të ndryshme. Në vitet 1950 – 1952 ai ndoqi studimet e larta për gjuhë shqipe, letërsi dhe histori. Mirëpo për mendime liberale ai u dënua dhe përfundoi në kampet e internimit në Llakatund të Vlorës, në Seman të Fierit, në Çermë të Lushnjës dhe Berat. Në mars të vitit 1957 ai largohet nga internimi dhe shkon në Maliq të Korçës për të kaluar në Greqi, prej ku mund të riatdhesohej në Kosovë. Në Maliq e kapin dhe e shpien në Degën e Punëve të Brendshme të Korçës ku e torturuan barbarisht për 11 ditë rresht. Pastaj e shpunë në Degën e Punëve të Brendshme të Tiranës ku i kërkuan të nënshkruante se do të shërbente si informator i Sigurimit të shtetit shqiptar. Sytkiu kishte dëgjuar sesi ishin trajtuar ata që kishin kundërshtuar, prandaj pranoi të firmoste që të mos vijonin më torturat mbi trupin e tij të dërmuar. E shpunë në kampin e internimit në Llakatund, por ai në vend që të informonte policët për ato që bisedonte me të dënuarit e tjerë u tha dy bashkëvuajtësve, Shefqet Meçes dhe Haxhi Gjocit, për nënshkrimin e deklaratës për bashkëpunim, që të ruheshin prej tij. Pas dy muajve, kur u ngroh moti, Sytkiu tentoi të arratisej edhe një herë, por edhe kësaj radhe dështoi dhe pasi e kapën, e dënuan me 15 vjet burg për tradhëti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë. Në vitin 1967, pasi e kreu dënimin, i komunikuan lirimin, por ai kërkoi që ta riatdhesonin në Kosovë. Atëhere e marrin me dhunë dhe e shpien në kampin e internimit në Seman. Pas disa javësh tenton të arratiset përsëri, kësaj radhe nga kufiri i veriut, anës Liqenit të Shkodrës, por e kapin në pikën Zogaj dhe e ridënojnë me 15 vjet të tjerë heqje lirie. Në vitin 1979 e ridënojnë në burg me 11 vjet të tjerë për agjitacion e propagandë.
Ramiz Alia, në detyrën e Presidentit dhe të Sekretarit të parë të PPSH-së, për të treguar se po e zbuste diktaturën, më 22 janar të vitit 1987 e liroi Sytki Hoxhën nga burgu i Burrelit, pasi kishte kryer 7 vjet internim dhe 30 vjet burg, nga 41 vjet burg që ishte dënuar gjithsej. Sytkiu u vendos në Tiranë. Duke mos pasur mjete jetese ai kërkoi të riatdhesohej në Kosovë pranë familjes së tij, por kësaj radhe shteti shqiptar ia dha të drejtën për riatdhesim, kurse shteti jugosllav ia kundërshtoi, sepse kundër tij ishin shkruar shpifje të ndryshme, ku paraqitej si veprimtar antijugosllav.
Në vitin 1990 Sytkiu mundi të shkonte në Gjermani, ku kërkoi azil politik përmes agjensisë Amnesty International. Më tej u vendos në qytetin e vogël Ërje të Norvegjisë, ku gjeti paqen e lirinë që kërkoi gjithë jetën. Aty, midis “njerëzve të shenjtë”, si i quante ai banorët e atij qyteti, i kaloi vitet më të mira të jetës. Aty u lumturua 11 vjet me bashkëshorten Mimoza Përleka Hoxha.
Më 5 qershor 2007, ky shqiptar i vuajtjeve të mëdha, u largua nga jeta duke thënë: “Më mirë që vuajta unë prej të tjerëve sesa të kishin vuajtur të tjerët prej meje”, pra Sytkiu si human, mendonte se kishte qenë më mirë që ai kishte bërë jetën e të persekutuarit, sesa të bënte jetën e persekutorit. Një humanizëm i tillë, ka qenë dhe është i pakonceptueshëm prej mijëra ish komunistësh, ose ish hetues, roje burgu, a gjyqtarë të kohës së diktaturës…
Aftësitë krijuese të Sytki Hoxhës shpalosen në disa skica, tregime dhe reportazhe. Në tregimin e parë “Tingujt e Fyellit”, autori ngre problemin e arrestimeve pa shkak dhe zhdukjen nga jeta pa gjyq të njerëzve që dyshoheshin si kundërshtarë të regjimit diktatorial. Ky krijim letrar ka një hyrje ku autori sqaron detyrën e tij si krijues: “Të jem sa më konçiz, që të mos ia vjedh kohën lexuesit.” dhe “Të mos pajtohem me gënjeshtrën, skllavërinë dhe dhunën” (f. 109). Tregimi është i ndërtuar sipas fantazisë krijuese të autorit dhe jo duke riprodhuar ndonjë ngjarje të jetuar. Aty tregohet se si një ditë vere, kur autori po ujiste zarzavatet e kampit të internimit, filloi të shqetësohej nga melodia vajtimtare e një fyelli. Shkoi pas tingujve të fyellit dhe arriti të gjente një djalë të ri që i binte fyellit me motrën e tij më të vogël varur mbi supin e tij. Djaloshi vajtonte humbjen e babait të tij. Hyjnë brenda në kasolle, ku autori takon dhe dy motra të tyre, një nuse, që ishte nëna e fëmijëve dhe vjehrrën e saj, pra gjyshen e fëmijëve, nënën e të zotit të kasolles. Këtë e kishin marrë forcat e Sigurimit 11 ditë më parë dhe pastaj kishin lajmëruar se ai kishte vdekur duke u hedhur nga dritarja e zyrave të Degës së Brendshme. Këtë lajm nëna plakë nuk mund ta besonte. Mosbesimi i saj lihet të kuptohet se përputhej me mosbesimin e vetë autorit.
Shkrimi, që të kujton tipare publicistike të Bilal Xhaferit, është shkrimi “Valle mbi kockat e të vdekurve” ndërtuar në formën e një reportazhi ku autori paraqitet me pseudonimin Blin Marku dhe i shtjellon ngjarjet në vetën e parë. Autori, personazhi kryesor, quhet Artan. Ai tregon çfarë pa e dëgjoi si pjesëtar i një grupi gazetarësh të ardhur nga Kosova për të marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës gjatë tetorit 1973. Aty theksohet pritja pompoze me ushqime të bollshëm e shumë sende zbukurimi në familjen gjirokastrite Dino, ku u strehua autori; atmosfera festive e gjithë qytetit, ku binin në sy furnizime e shpenzime të mëdha të mbuluara prej buxhetit të shtetit, hareja e madhe pompoze e popullit që këndon dhe vallzon edhe nëpër rrugët e qytetit; e folura si e një roboti të kurdisur e shoqëruesit, etj. Në kontrast me këtë atmosferë zbulohet se populli vuante edhe për ushqimet e zakonshëm, dhe se skena ku hidheshin vallet dhe vendqëndrimi i spektatorëve ishin vendosur në një shesh, ku para pak kohe ishte varri masiv ku ishin varrosur të dënuarit pa gjyq që vuanin në qelitë e burgut të kalasë së Gjirokastrës. Kjo e vërtetë, thekson autori “m’i hapi sytë për t’i parë gjërat ashtu siç ishin në lakuriqësinë e tyre e jo siç visheshin me vello të rreme në biseda e shkrime.” dhe në fund nxiret përfundimi: “Ky muaj për mua dhe për të vërtetën… Nuk duhej të ishte muaj feste, por muaj zije, muaj që të kujtonte se si hidhej valle mbi kockat e të vdekurve” (f. 123).
Nga fundi i shkrimit, autori shton se kjo atmosferë kontradiktore, ku populli nuk e kuptonte të vërtetën, i kujton dy vargje të poetit malazez Negoshit:
“Populli im, fuqia ime,
Populli im, bagëtia ime…”(f. 124).

Tregimi “Një natë pa gjumë në hotel” është një vepër migjeniane. Subjekti i veprës përqendrohet në 24 orët e para pas lirimit të autorit nga burgu i Burrelit, më 22 janar 1987. Ishte një ditë shumë e ftohtë mbuluar me re të dendura, krejt pa diell. I liruari nga burgu, sipas porosisë që iu dha duhej të flinte te hoteli i vetëm i qytetit. Të nesërmen dikush do ta merrte e do ta shpinte në kryeqytet, ku duhej të sistemohej vetë. Në hotel dhomat ishin dyshe ose treshe, por asnjë nuk pranonoi ta merrte në dhomë. Sportelistja, një vajzë vendi me zemër të mirë mezi ia mbushi mendjen një mjeku që ta pranonte këtë nevojtar të flinte në dhomën e tij. Mjeku banonte prej kohësh në atë hotel, sepse strehimi ishte i pamundur për kuadrot e ardhur. Ishte komunist e bir komunisti, pra një nga ata qytetarët që flisnin si robotë me slogane gazetash. Ai i drejtohej autorit (personazhit bashkëbisedues) me fjalën “shoku Mark Shpati…”, gjë që e bezdiste Markun, Shumë miq të doktorit, kur morën vesh se në dhomën e tij do të flinte një i liruar nga burgu erdhën të njiheshin me të. Këtu autori shpalos thelbin e problemit: I sapodali nga burgu dhe qytetarët e lirë, përfaqësojnë dy mentalitete shoqërorë të kundërt. Nga bisedat e pyetje-përgjigjet midis mjekut e miqve të tij nga njëra anë dhe Markut nga ana tjetër, të cilat zgjatën deri nga mëngjezi, zbulohet e vërteta e madhe: i sapoliruari prej burgut mendonte si qytetar i lirë, kurse qytetarët e jashtëburgut ishin të ndrydhur, e kontrollonin veten, flisnin me slogane, si njerëz me mendësi të burgosur. Pra në burg, Marku me bashkëvuajtësit kishin krijuar një botë të lirë ku komunikohej lirshëm dhe pa frikë, kurse qytetarët jetokëshin në një botë ku mungonte liria dhe sundonte frika nga njëri tjetri. Këta njerëz i shprehnin keqardhje Markut për vitet e kaluar në burg, kurse Marku ndjente keqardhje për ta për kohën e tanishme, të cilën e jetonin si të burgosur mendorë. Si konkluzion, autori kuptoi se nuk ishte liruar vërtet, por se kishte kaluar nga burgu i vogël te burgu i madh, ku nuk i nevojitej mençuria, po vetëm bindja e besnikëria ndaj rendit në fuqi.
Kur mbetën vetëm, mjeku i thotë Markut, këtij 60-vjeçari pa mjete jetese, pa shtëpi dhe pa punë, që të ishte optimist për të ardhmen, sepse për partinë njeriu ishte kapitali më i çmuar dhe ajo do të interesohej dhe për të. Marku e mbajti veten dhe, ashtu si nuk iu përgjigj shumë pyetjeve të vizitorëve, nuk ia shprehu mendimin e vet as mjekut. Nuk i tha si mendonte, se partia me “mençurinë e vet e kishte sjellë në një pikë të tillë shoqërinë shqiptare ku asnjëri nuk i besonte tjetrit, ku as vëllezërit nuk janë më shokë e miq si dukur” (f. 101). Dhe më tej kur erdhi biseda per partinë, atdheun dhe historinë, Marku shprehet me zërin e ndërgjegjes: “ Ec e thuaji se partia në të cilën aderonte, në emër të atdheut varfëronte atdheun, në emër të traditave shkatërronte traditat; ec e thuaji që duke i lavdëruar të vdekurit partia e tij, vriste e priste të gjallët, vetëm e vetëm sepse nuk vepronin e nuk mendonin si ajo…” (f. 107)
Në letrat e Sytki Hoxhës me shkrimtarin Pjetër Arbnori, ai ka shprehur disa mendime me vlerë për shkrimtarin më të talentuar të kohës së diktaturës, për Ismail Kadarenë. Në letrën e datës 20 janar 1991 (botuar në gazetën “Republika” të qytetit Sarborg të atyre ditëve), pasi flet për rëndësinë që pati kërkimi i strehimit politik të këtij personaliteti për botën shqiptare brenda e jashtë atdheut dhe për vetë Kadarenë, autori nuk le pa përmendur disa dobësi të veprës dhe mentalitetit të shkrimtarit të shquar:
“…veprave të Kadaresë u mungojnë veç të tjerave, dy gjëra kryesore: plagët e popullit shqiptar dhe e vërteta. Nga ana tjetër veprave të Kadaresë nuk u mungojnë ato që duhej t’ u mungonin: lavdërimi me art i sistemit tiranik dhe lavdërimi i vetë tiranit, para dhe pas vdekjes së tij.
Në intervistat e tij, para dhe pas “kthesës”, vërej me keqardhje që Kadareja nuk ka gjetur forca në vetvete për të ndryshuar mënyrën e vjetër të të menduarit për sendet, për njerëzit dhe ngjarjet. Në intervistën dhënë “Zërit të Amerikës” sa ishte në Tiranë, ai nuk vlerësoi asnjë shkrimtar shqiptar të persekutuar a të vrarë, ai nuk përmendi as Trifon Xhagjikën, që e vrau tirani për dy tre vjersha, në të cilat shprehej vreri dhe vuajtja e popullit shqiptar; ai lavdëronte vetëm “talentin”, ai nuk donte të dinte se më tepër çmohet një letër e shkruar me zemër, se njëqind letra të shkruara me art” (f. 67-68).
Të tilla mendime të botuara në norvegjisht, duket se janë lexuar dhe prej anëtarëve të zhurisë që jep çmimin Nobel në Stokolm të Suedisë. Zhuri e cila duke mos ia dhënë Nobelin shkrimtarit tonë të talentuar, na zemëroi, por ajo zhuri dhe Sytkiu kishin të drejtë, sepse arti nuk vlerësohet thjesht dhe vetëm vlerat estetike, por edhe për faktin se krahas vlerave estetike a ka moral dhe të vërtetën brenda.
Pa këtë punë të Myrteza Bajraktarit, ne nuk do të kishim rënë në kontakt me jetën e veprën e njeriut të thjeshtë e të përvojtur, Sytki Hoxhës, prej vlerave morale, letrare dhe kritike të së cilës kemi nevojë të mësojmë të gjithë…
* * *
Po vjen 15 prilli 2018, pra 85-vjetori i lindjes së atdhetarit Myrteza Bajraktari. I propozojmë Ministrisë së Kulturës, asaj të Arsimit dhe Institutit të Studimeve që të përgatisin një vëllim me shkrime të zgjedhura të atdhetarit dhe studiuesit Bajraktari dhe ta botojnë në tirazh të madh me qëllim që ta shpërndajnë në të gjitha libraritë, bibliotekat dhe shkollat e mesme e të larta të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Kështu kthehen në pronë mbarëkombëtare arritjet e këtij studiuesi, punë të cilën ministritë e qeverive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës duhet ta koordinojnë së bashku si plan pune…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: biografi për atdhetarin, Myrteza bajraktari, portret, Thanas L Gjika

“Parisi i vogël”, qyteti plot mistere

December 31, 2017 by dgreca

1 Parisi i vogel

Mbi romanin “Misteret e Parisit të vogël” nga Kristaq Turtulli/

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/
“Parisi i vogël” është padyshim një qytet plot mistere. Por çka e tërheq lexuesin është ajo që shqiptarët e djeshëm e të sotëm nuk kanë mundur ta kuptojnë; është misteri i filantropisë e i bamirësisë, mister pa të cilin çdo flijim, vuajtje, çdo punë e pikë djerse shkon kot,dhe qyteti nuk bëhet si “Parisi”.

Na ishte një herë një i pasur…kjo është fabula që përcjell romani…Çdo gjë varet se ç’do të bëjë ai: a do ta përdorë pasurinë për t’u bërë edhe më i pasur duke përçmuar, shfrytëzuar, mashtruar, vjedhur, shtypur të tjerët? Apo do ta vërë pasurinë e tij në funksion të zhvillimit për të bërë veten dhe të tjerët më të pasur dhe mbarë qytetin shembull përparimi?

Dhe autori Kristaq Turtulli, zgjedh për të pasurin rrugën e dytë: udhëtimet jashtë vendit i ai i përdor jo thjesht për luks, mburrje e shpenzime për veten, por për të nënshkruar kontrata, marrëveshje biznesi me investitorë të huaj për tërheqjen e veprimtarisë së tyre në këtë qytet të vogël. Për të huajt, që nuk e njohin a nuk e paragjykojnë Shqipërinë, i pasuri bëhet një ambasador dhe jo i korruptuari, grykësi i pangopuri, siç njihen sot “parallinjtë” dhe fëmiljet e tyre kur dalin për pushime në ishuj a kur udhëtojnë me xhepa plot e fodullëk nëpër botë.

Romani zhvillohet në kohë të shkuar në qytetin e Korçës, sjell historinë e tij me heronj e “karnavale” dhe përhapet në mbarë Evropën, e përsëri në “Parisin e vogël”. Kristaq Turtulli, njohës i mirë i terrenit, tregon me stil të zhdërvjellë, me gjuhë plot  metafora e personazhe të larmishëm, se filantropia është virtyt i njeriut që ndjen e që ka. Dhe Korça (Shqipëria) është e pasur me të dyja. Qyteti është me fat me pasanikë të tillë, me shpirt për të gjithë.

Por fatkeqësisht, ata duket se ekzistojnë vetëm në roman, dhe në zemrën e autorit që digjet nga malli për vendin e tij. Prej afro 20 vjetësh, Kristaq Turtulli jeton në mërgim, në Kanada.”Misteret e Parisit të vogël”, në amazon.com, është ftesë a thirrje për shqiptarët kudo të mos harrojnë e të kujdesen për vendlindjen e tyre, për ta bërë atë “Paris”, simbol të kamjes dhe qytetërimit. Tani për tani kjo duket Utopi, por mund të bëhet ëndërr e pastaj realitet; Dhe “Misteret e Parisit të vogël” i Kristaq Turtullit ofron një rrugë, që mban emrin “Bamirësia”.

Filed Under: ESSE Tagged With: "Parisi i vogël" është padyshim një qytet plot mistere, Astrit Lulushi, Kristaq Turtulli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 296
  • 297
  • 298
  • 299
  • 300
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT