• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NOLI I PERJASHT-UAR

July 30, 2016 by dgreca

-duke parë bustin e Nolit para kishës Ortodokse  të Durrësit/
 Nga  IDAJET JAHAJ/ 
  Po! Kjo fjalë kështu duhet shkruar :” I përjasht-uar”. Me vizë në mes. Sepse kështu e shpreh saktë  veprimin antishqiptar të klerikëve që janë atashuar në atë kishë, si dhe të bashkiakëve të atij qyteti ,ndaj ikonës sonë kombëtare-Fan Nolit.
  Ç’ bënë ata ?
  Shihni foton dhe gjykoni  vetë. Isha  në Durrës dhe atje mora vesh luftën e heshtur që bëhej nga  klerikët e  Janullatosit për të mos pranuar bustin e Kryepatriarkut tonë, Nolit, në oborrin e asaj kishe.  Në atë kishë të bukur shqiptare, ku Noli meshoi shqip për katër vjet, që nga viti 1914. Sot aty nanurisin priftërinjtë e  J.llatosit (dmth. të Megaliidhesë greke).
  Kishte më se gjashtë muaj që patriotja e zjarrtë Elida Jorgoni  (bashkëshortja e përkthyesit dhe patriotit të vyer-Perikli  Jorgoni) kishte bërë të pamundurën që busti i Nolit të vendosej në oborrin e asaj kishe. Këtë e kishte amanet nga i shoqi. Me nismën e lëvizjes “Foleja Kombëtare Shqiptare” që ajo përfaqësonte, Bashkia  e atij qyteti u detyrua ta pranojë këtë fakt, mori edhe vendimin përkatës, por e zvarriti më se gjashtë muaj, me qëllim që problemi të lihej  në harresë. Por  Elida, e palodhur, mori televizionin e Fiks-Fare dhe i denoncoi  ata, e kështu puna u vu sërish në vijë.
  Elida bëri edhe aktin tjetër të madh patriotik , vetmohues : e pagoi vetë skultorin, pra,  veprën-Nol, me një shumë prej  pesë milionë lekësh të vjetra. Dhe skuklptori  i talentuar Idriz Balani e kreu cilësisht bustin. A kishte akt më të admirueshëm se kaq, që bëri  kjo patriote e papërkulur  nga pengesat që i krijonin ? Një kopje tjetër e bustit shkoi në Elbasan në datën 29 qershor 2016 dhe atje u prit me lot gëzimi nga personeli i kishës Ortodokse  dhe At Nikolla Marku si dhe populli  që e rrethoi me dashuri  bustin e martirit tonë .
     Po në Durrës ? U bë një luftë e heshtur nervash, midis veprimtarëve të lëvizjes “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe klerikëve që shkelin në atë kishë sot,  si dhe bashkiakëve, të cilët e zvarritnin me qëllim këtë vepër të bukur e të domosdoshme. Bashkiakët, që nga kryetari  i  tyre, tërhiqeshin vazhdimisht, a thua se merrnin urdhër nga dikush. E, më në fund, duke qenë se u diskredituan para popullit, vendosën të ndjekin punimet për vendosjen e bustit aty para Kishës . Brenda kishës nuk mund ta vendosnin, se ashtu e kishin marrë urdhërin nga kryepatriarku  i tyre- Janullatos, por kërkuan një vend diku në oborrin e saj, diku…në një cep !
  Bile , J.llatosi kishte dhënë urdhër që busti i Nolit të mos pranohej në asnjë kishë Ortodokse të Shqipërisë, se këto (kishat)  tashmë ishin greke ! Veprimtarja e palodhur Elida, nuk i ndahej përditë kësaj vepre, që të mos e hidhnin diku në ndonjë ahur apo depo… Më në fund ata të Bashkisë vendosën ta montojnë bustin në cepin e oborrit të madh të kishës, nga ana jugore e saj. Por me një ndërhyrje : në cepin e oborrit të lihej pak vend dhe gardhi me kangjela i kishës  ta linte jashtë bustin.
  Shihni në pamjen : Busti u vendos aty te cepi, pranë bulevardit, jashtë gardhit të asaj kishe ku  Noli meshoi  shqip për herë të parë! Pra : “as në tokë e as në pemë” , siç thotë një episod proverbial  i  Jugut. Noli hijeshon edhe aty, por jo brenda në tokën  ku fjala e tij gjëmoi  shqip ,në emër të zotit !
  Shihni pamjen : Tej-kisha- e mbytur në heshtjen ogurzezë, me ca lëvizje misterioze të misionarëve të huaj me veladon. Jo vetëm heshtje, por edhe nxirje, si e spërkatur me blozë…Aty nanuriten  “ lutjet” në gjuhë të huaj, greqisht, pra, në gjuhën e një kombi tjetër-dhe… në vendin tonë !
  Këtë e sqaron më së miri fjala e kryepatriarkut helen  J.llatos, kur tha para pak kohësh : “ Noli ishte për kohën e tij !…Asnjë bust i tij në kishat tona ! “(dmth. greke) !
  Pra, ky  i huaj , i jashtëligjshëm në këtë post fetar, vendoska për ikonën e kombit tonë-NOLIT ! Pra, ky shoven, pastroka kishat tona nga shqiptarët dhe idhujt e tyre ! Dhe, nën hijen e këtyre urdhërave, dergjen jo vetëm klerikët e huaj aty, në Durrës, por edhe mercenarët tanë fetarë që i paguan J.llatosi, si edhe nëpunësit e   Bashkisë , që ,me siguri, duhet të jenë paguar  me KESH në dorë ose me afera gjithfarëlloj nga heleni…
  Gjetën një zgjidhje për BUSTIN E NOLIT –atje jashtë kangjellave të kishës së Tij, të kishës sonë, të të gjithë shqiptarëve!
  Pra: kisha tashmë është greke!
  Pra : në tokën shqiptare !
  Pra : Noli u përjasht-ua !
  Dhe kështu  Janullatosët e Kozmatë e qindravjeçarëve , gradualisht duan të përjasht-ojnë tërë Shqipërinë…!
   Tamam si te përralla e gramit me rrushin : i tha një ditë dimri grami-një trungu të rrushit, aty brenda oborrit :
  -Aman, o rrush, më ler një copëz  vend edhe mua aty në oborr, të kaloj këtë dimër!
  -Mirë, -iu përgjigj rrushi.- Ja, hajde diku këtu rrëzë murit.
  U fut grami (krisqa) dhe gjatë dimrit ndenji  “i qetë”, në heshtje. Shtriu rrënjët gjerë e gjatë nën tokë dhe në pranverë e në verë  mbiu aq shumë, sa që  pushtoi  gjithë tokën e oborrit.
  -Ç” bëre, o gram ?!- i tha rrushi.- Më zure krejt tokën. Nuk marr dot frymë!
  -Si të duash bën,- i tha grami .-Në daç  rri, në daç ikë ti, ose thahu krejt !
  Dhe rrushi, në tokën e tij, u zverdh e u tha…

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, NOLI I PERJASHT-UAR

PËR KOHËN, KUR “LIRIA ISHTE E MBËRTHYER NË PRANGA”…

July 28, 2016 by dgreca

Nga: Prof. Murat Gecaj/

1.Ndoshta, duket pak si i habitshëm titulli i këtij shkrimit tim. Në pamjen e parë, ashtu është. Por, po të lexoni se si e shpjegoj atë, do të bindeni se kam plotësisht të drejtë…
Ishin vitet e diktaturës komuniste – në të dyja anët e kufirit tonë – pra, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Por, atje rëndonte edhe thundra e pushtimit të huaj, ajo serbosllave. Ishim të izoluar dhe, pothuajse, pa kurrfarë lidhjeje me njëri-tjetrin. Megjithatë, sidomos pas vitit 1978, ndërmjet dy vendeve tona të stërlashta arbërore dhe të ndara padrejtësisht, nisën të bëheshin shkëmbime vizitash kulturore, arsimore e shkencore. Një vizitë e tillë, ishte dhe ajo e kolegëve të gazetës simotër të Prishtinës, “Shkëndija”, në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Kulturës.
Në atë kohë, me kujtohet se në gazetën arsimore të Kosovës punonin: Sulejman Dërmaku (kryeredaktor) dhe Vezir Ukaj e Sabit Jaha (redaktorë).
Pra, në vizitën e tyre në Tiranë, që përmenda më lart, bënte pjesë edhe gazetari e poeti ynë i mirënjohur, V.Ukaj. Me atë natyrën e tij të buzëqeshur e të afruar me njerëzit, por edhe me humorin e tij të dukshëm e të këndshëm, u njohëm e u bëmë shpejt miq. Për të më nderuar, pas kthimit në Prishtinë, Veziri e publikoi një artikull jetëshkrimor, në gazetën e mësuesve “Shkëndija”, me titullin “Murat Gecaj, jo vetëm kronikan i arsimit shqip”, bashkë me një fotografi timen.
Vitet kaluan ose, siç thotë populli, “rrodhi shumë ujë nëpër lumë”. Pra, erdhën vitet e stuhishme 1989-1999, kur Kosova u ngrit e tëra në luftën për liri e pavarësi. Në kushtet e reja, që u krijuan pas çlirimit të saj nga regjimi serb, në korrik të vitit 2000, unë bëra një vizitë dyjavore nëpër Kosovë. U mirëprita edhe në zyrat e redaksisë së “Shkëndijës”. Aty takova përsëri mikun e kolegun tim, Vezir Ukaj. Për atë takim dhe tërë vizitën e parë timen në tokën shqiptare kosovare, shkrova e publikova librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Sigurisht, gjeta rastin ta publikoja edhe një foto timen e të bashkëshortes, nga Pallati i Shtypit të asaj kohe, në shoqërinë e Vezirit dhe të kolegëve të tjerë aty.
Por, le të kthehemi pak te vizita e parë e Vezirit, në Tiranë. Me atë rast, ai më foli shkurtimisht për jetën dhe vuajtjet nëpër burgjet serbe, por edhe për krijimtarinë e tij letrare, sidomos për ato në poezi. Bile, më dorëzoi edhe një jetëshkrim (të daktilografuar), të cilin e gjeta më vonë, kur po “gërmoja” nëpër dosjet e arkivit tim vetjak.
2.
Vezir Ukaj u lind në katundin Dobrajë e Madhe, të komunës së Lipjanit, Prishtinë. Shpejt, ai u njoh edhe me burgosjet e përndjekjet, që i ishin bërë nga serbët, si gjyshit Zenun (i cili kishte vdekur në një burg të Sebisë, por nuk ishte kuptuar kurrë në cilin) e babait, Sabitit. Por, edhe vetë ai e pesë vëllezërit e tij, nuk i shpëtuan dot ferrit famëkeq serbo-çetniko-titist. Më 8 qershor 1964, Vezirin e burgosin, si “element i rrezikshëm”, pjesëtar të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin në krye.
Këtë krijues, në planin jetësor e priste burgu, ndërsa në planin krijues anatema. Kështu që këtë fat e përjetoi, siç shkruan poeti Faruk Tasholli, edhe me “shkrimtarët e tjerë, si Adem Demaçi, Teki Dërvishi, Rexhep Elmazi, Murteza Nura, Zeqir Gërvalla e ndonjë tjetër…”.

“Poezia e Vezir Ukajt, për kohën kur është shkruar, është interesante dhe karakteristike, për mendimin dhe qendrimin e guximshëm, posaçërisht nga aspekti i veçantë i një parimi specifik dhe origjinal, ngase çdo varg i tij ka kuptim e shije të posaçme, me fuqi shprehëse e vlerë artistike…”, thotë shkrimtari Remzi Limani, në librin e tij monografik “21 Shprehje Artistike” (2008).
Ndërsa poeti Jakup Ceraja, shkruan se “… poeti V. Ukaj ka arritur që, pa ofkëllima e sentimentalizëm, ta këndojë (lexo: vajtojë) jetën e një të burgosuri politik shqiptar, që martirizohet për të drejtën e popullit të vetë dhe lirinë e atdheut. Të gjitha vjershat…, me temë burgun famëkeq të Nishit, kanë nivel të lakmueshëm artistik,… ku poeti mbërrin të rrëfehet deri në fund dhe të japë porosinë se: Liria / vdekjes i vë emër…”, prandaj “ky edhe është sublimimi i gjithë një flijimi…”.
Pas daljes nga burgu, Veziri vëzhgohej rreptë dhe nuk i lejohej as të publikonte në shtyp. Bile, siç dihet, është marrë edhe në mjaft “biseda informative” dhe, më shumë se pesëmbëdhjetë herë, është arrestuar… Me vështirësi të mëdha (në vitin 1991), është pranuar në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Për ndjenjat e tij antiserbe, përjashtohet edhe nga puna, në rrethin e Kaçanikut. Mirëpo, përmes një miku, lidhet me shkencëtarin dhe bardin e poezisë shqipe , Dr. Esad Mekulin, i cili e punësoi në revistën letrare të Prishtinës, “Jeta e re”. Kështu që, me ndihmën e tij, pa shkëputje nga puna, mundi t’i vijonte edhe studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe.

Që nga janari i vitit 1996, Vezir Ukaj u caktua redaktor i gazetës së përjavshme, arsimore e kulturore, “Shkëndija”, pranë Ministrisë së Arsimit dhe, me shumë sukses, e drejtoi rubrikën e kulturës. Aty, ai i shpalosi ndjenjat e veta atdhetare dhe talentin e krijimtarisë së tij, jo vetëm në fushën e publicistikës, por edhe në atë të letërsisë.
Ngjarje e rëndësishme e jetës së tij ishte edhe krijimi i familjes,lidhja me bashkëshorten e ardhshme, Servetën. Pas vdekjes së dy djemëve, më pas, iu gëzuan lindjes së katër fëmijëve të tjerë, të cilëve iu vunë emra simbolikë: Flamur, Fitore, Shpëtim e Meritë. Ata, i ka shkolluar me mund të madh dhe, tashmë, të martuar e me trashëgimtarë, punojnë dhe jetojnë në Prishtinë.
Me kolegun Vezir Ukaj, gjatë tërë këtyre viteve, nuk i kam ndërprerë lidhjet… Kam shkuar disa herë të tjera në Prishtinë dhe jam ndodhur në shoqërinë e tij. Por, edhe ai ka ardhur në Tiranë. Bile, në marsin e 2010-ës, mori pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit tim dhe në përurimin e librit jetëshkrimor, “Ëndrrat e ‘grisura’ të jetës sime”. Ndërsa, më pas, ai përjetoi edhe një gëzim tjetër, vazhdimin e doktoratës, nga i biri, Ass. Mr. Dr. Flamuri, otorinolaringolog dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Prishtinës.
3.
Krijimtarinë Veziri e nisi që në burgun ferr-titist të Nishit, megjithëse me shkrime ishte marrë edhe më herët, që nga shkolla e mesme. Poezitë e asaj kohe i publikoi, më pas, në një përmbledhje të veçantë, të cilën e pagëzoi me një emër simbolik, “Barrë e vrarë”! Në shënimin e bërë, në jetëshkrimin e mësipërm, pohohet: “Në dorëshkrim ka edhe pesë përmbledhje të tjera, bashkë me një përmbledhje tregimesh e një prozë shumë interesante (në përfundim e sipër), me përjetime nga koha e burgut dhe nga puna në ndërmarrjen botuese grafike “Rilindja””.
Kohë më parë, Veziri më dha, me një shënim të ngrohtë, librin me poezi “Dhoma numër katër” (Bukuresht, 2010), në shqip e rumanisht, të përkthyer nga Baki Ymeri. Këto poezi janë të shkruara në vitet e stuhishme të jetës së tij, 1965-1970. Gjithashtu, ai i ka publikuar edhe gjashtë vëllime të tjera me poezi.
Kjo përmbledhje paraprihet nga shënimi i shkrimtarit, publicistit dhe kritikut të shquar letrar rumun, Marius Chelaru , me titullin “Eshtrat e fjalëve, duke e kurdisur formulën e jetës dhe vdekjes”. Është e vërtetë se, në këto poezi jeta dhe vdekja, përshkruhen pranë e pranë. Autori i atyre vjershave , Vezir Ukaj i përjetoi zinxhirët, vuajtjet dhe torturat e tmerrshme të burgjeve serbe. Pra, provoi kohë të vështira, kur edhe “Liria ishte e mbërthyer në pranga”. Kjo vërehet që në poezinë e parë, ku autori e ngre zërin “deri në kupë të qiellit”, aty në qelinë e burgut, por nuk e dëgjonte kush, sepse: “Terri, Lagështia, Uria Vetmia, / Ekip lojtarësh të Fatit të Zi, / Bëjnë salto mortale të padukshme, / I rrëzon Shpresa që fiket shqim…”. Në vetminë, pas hekurave a në pranga, në kujtesën e tij – fletore, autori thuri poezi të trishtueshme dhe duket se nuk ka rrugëdalje, nga ajo skëterrë: “…Është Rrugë / e largët Liria…”, ose “Liria det i panjohur…”, për të vazhduar se: “Liria / Vdekjes i vë Emër…” etj. Dhe: “Vuajtja ime nuk ka Emër, nuk ka Adresë!…”. Revolta e tij arrin kulmin, kur shkruan: “E marr pasqyrë Natën e thyej / për murin e qelisë sime!…”. Por, ai mediton e kujton aty edhe burgimin e paraardhësve të tij (“Kureshtja” – Në burgun e Gjyshit tim).
Në një linjë janë shkruar 7 poezi të këtij vëllimi, me titullin shumë domethënës, “Në skëterrë qëndrimi” (Për kazamatin e Nishit). Për ato vuajtje burgu dhe për atë gjendjen shpirtërore të tij, flasin edhe poezi të tjera, si ”Biruca” ose ajo, ku shkruan radhë të tilla: “Robëri më linde / më rrite Robëri”, a ”Ç’kullon gjak vargu / plaga e ënjtur / mëton e mërdhezur / Pranga që shtrëngon…” dhe më tej: “Burgu poezinë ma arrestoi…”. Në atë gjendje të mjeruar, ku ka rënë, autori e quan veten të pashpresë: “Vargu Burg ma mbylli këtë Letër / në Birucën e ftoftë Lule pa rrënjë. / A je Luftëtar a Poet më thërret Zëri im / Gjuha më lidhet Hekur Akull më ngrin…”.
Trishtimi i poetit ndihet qartë edhe kur shkruan për ndjenjat e pastra njerëzore, siç është dashuria, emër të cilin e lakon disa herë në radhët e veta: “Ç’është Dashuri e fshehtë / mund ta kuptosh nga Ëndrra, / Ëndrra liqen magjik është, / në frymëzime lirike lahet…”.

Gjithashtu, këto poezi janë të mbushura me ndjenja të larta atdhetare, me dashurinë për lirinë e vatanin, për vendlindjen. Te poezia “Kulla dhe Djepi”, autori shkruan: “Ajo është Djep, që ma përkund / këngën time të pa kënduar / është vend i përballjes sime / me veten time të Emrit Shqip”. Ai përulet me nderim para nënave shqiptare, që lindin e rritin krijesat e reja, fatet e Atdheut: “Kjo grua nuk është Tokë, / është Mëmë e Dheut Tim…”.
Edhe pse autori vuan shpirtërisht, diku larg parasheh rreze shprese për më mirë: “Në sy të fëmijës përgjumur / blerohet Stina / Gufon Agon Zgjon me kambanë / Borizani i Kushtrimit…” (te “Gjethe drite”) ose: “…Vërshon Bleron Gjallëron / ç’bën kështu Farë e re / Dritë bën dhe Jetë…”. Ndërsa, në një poezi tjetër, ritmi i jetës atë e thërret: “Shtëpia prush fëmijë Muzikë / rritet Lisi Oborrit / … Ujë Bukë Kripë Dritë / Liria na pret shumë Dasmorë…” (te “Shtëpia jonë”).
Libri tjetër, me titullin “Ese kritike” (Prishtinë, 2010), me autor Remzi Limanin, është një përmbledhje për disa krijues kosovarë. Ndër të tjerët, shkruhet edhe për Vezir Ukajn: “Përqafimi poetik i fjalës dhe mikut të mirë”. Aty flitet për vëllimin me poezi të tij, “Bush – Yll Drite mbi Ilirikum” (2010), kushtuar vizitës së këtij Presidenti të SHBA-ve në Tiranë. Ndër të tjera, bëhet edhe vlerësimi: “Ky libër me poezi i autorit Vezir Ukaj, kushtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, është pasqyrë e një dhimbjeje të këndshme, dalë nga plagë e varrë të malcuara në shpirtin e poetit. Kjo ndjenjë shpërtheu natyrshëm, si shkreptimë e plagës së moçme për atdhedashurinë dhe për frymëmarrjen e lirshme, që na solli Amerika dhe Njeriu i Mirë – me Lirinë, me njerëzinë dhe me miqësinë, si vlera të gatuara përgjatë historisë”.
…Miku i dashur dhe publicisti e poeti i talentuar Vezir Ukaj, jeton familjarisht në Prishtinë. Ndërkaq, ka shkruar e botuar edhe krijime të tjera, për të cilat nuk po ndalemi, me këtë rast. Po shënojmë vetëm se, së shpejti, nga ai, do të shohin dritën e botimit katër libra të rinj poetikë: “Sërish”, “Atëherë”, “Pikëpyetje” dhe “Aty, diku”.

Urojmë nga zemra që ai të ketë kurdoherë shëndet të mirë, të krijojë e botojë libra të tjerë të bukur dhe të përjetojë, gjithnjë,  gëzime e lumturi, vetjake e në familje!

Tiranë, korrik 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Liria e mberthyer ne pranga, Prof. Murat. gecaj, Vezir Ukaj

“MENDIM ESTETIK MBI LETËRSINË BASHKËKOHORE, AUTORË VLONJATË”

July 28, 2016 by dgreca

 Parimet dhe struktura, konceptualiteti i autorit Eqerem Canaj  në formulimin e librit studimor “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore”./

 Nga MSc. Albert HABAZAJ/*

Setenca e gjeniut të letrave Johan Volfgang Gëte: “Më shumë dritë mendimi, më shumë dituri, më shumë vërtetësi” duhet të çeli syth te shkrimtari dhe  esteti Eqerem Canaj me zhvillim në librin “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore (autorë vlonjatë)”

Ky libër është një studim i mirë, që i rrit vlerat autorit në kontributet e tij letrare dhe i shërben qytetit. Kjo vepër realizon një shërbim për Vlorën, një ndihmesë për shkollat e mesme, sepse pikërisht “Mendimi estetik mbi letërsinë bashkëkohore: autorë vlonjatë – është regjistër vlerësues për krijimtarinë e sotme letrare që prodhohet në Vlorë. Ky fakt meriton vëmendje sepse bëhet fjalë për “një letërsi shqipe në miniaturë, pjesa jugperëndimore e saj”, siç shprehet me dashamirësi prof. Zeqirja Neziri, i Katedrës së Letrësisë Shqipe, Shkup. Gjykojmë, se ai ka patur parasysh që në Ndërtesën Letrare Shqiptare katër dhoma të katit të parë i kanë patur të zotët nga Vlora dhe konkretisht: Ali Asllani – dashnor i poezisë së vesuar, Petro Marko – kalorës i lirisë, rebel me tufanet, Shevqet Musaraj – shkrimtar i angazhuar i spikatur për humorin e tij, Fatos Arapi – krijues i poezisë moderne shqiptare, fitues i çmimit të parë në Europë për poezi vitet e fundit dhe në fillim të tyre e në themele të Ndërtesës  Letrare Shqiptare, eruditi biblik Eqerem bej Vlora, i famshëm për bibliotekën e tij jo vetëm në Shqipëri, por në tërë gadishullin e Ballkanit. Në Ndërtesën Letrare Shqiptare dhe në Kat të Parë dhe në katet e tjera kishte dhe ka dhoma të tjera më të vogla me zotër nga Vlora. Një nga këta zotërinj është edhe miku i Letrave Eqerem Canaj, që po i bëjmë sot këtë respekt të merituar.

Ndër parimet që ka ndjekur autori në ndërtimin e librit do të veçoja:

1 – Trajtimin global të autorëve që kanë botuar libra mbas viteve `90 të shekullit të kaluar deri më sot, të cilët kapin shifrën 99 tituj për 93 autorë.

2 – Për të studjuar dhe për të shpjeguar mendimin e tij estetik për veprat, ai ka përdorur një kërleshje të metodës analitike me atë sintetike.

3 – Struktura e kësaj dhomëze letrare të Eqerem Canajt ka këtë përbërje të brendshme: Është e ndërtuar me 7 kapituj, që janë vendosur të lidhur sipas një rregullsie llogjike: Pjesa e parë rrok poezinë popullore të 19 autorëve të shkallëzuar që nga bejtexhinjtë, rapsodët, poetët popullorë e deri te Perandori i Polifonisë Labe Lefter Ҫipa apo zotëria i vargut të  ëmbël Nertesi Asllani.

Pjesa e dytë, përfshin poezinë moderne të 37 autorëve, ku natyrshëm bën hije të freskët zbukuruese edhe Hiqmet Meçaj, i krahasueshëm për artin e fjalës së tij me Xhevair Spahiun, Tomorrin e Poezisë Shqipe. Trajtohen Miljano Stefa, Alisa Velaj, Anastas Bita, Xhemil Lato, Seit Seitaj Albert Habazaj, Idajet Jahaj, Kristaq Xhaho, etj.

Pjesa e tretë trajton prozën dhe konkretisht tregimin e 17 autorëve, ku spikatin dhe emra të njohur si Shefqet Tigani, Astrit Hajdini, Astrit Xhaferri, Leka Skëndaj, Pali Shtëmbari, Skënder Hasko etj. Ky kapitull është dhe më i begati, sikur të mbush me më shumë frymë artistike. Kapitulli IV ka novelën e 5 autorëve dhe kreu V romanet e 7 autorëve të  tjerë. Disa nga shkrimtarët e këtyre dy xhanreve të fundit, esteti Canaj i ka pikasur që kanë qenë jo të shëndetshëm në realizimin artistik të veprës, por janë shfaqur si ndërtues të vobektë. Studiuesi e ka thënë fjalën e tij me guxim qytetar, me përgjegjësi profesionale, duke zbatuar një kriter të domosdoshëm që, pa ndershmëri intelektuale nuk ka kulturë serioze. Synimi i autorit ka qënë dashamirësia. Këto vërejtje të mos keqkuptohen, as të keqinterpretohen, sepse Canaj i bën për të mirën e Shëndetit Letrar të Shkrimtarëve të Vlorës sot.

Kapitulli VI trajton letërsinë për fëmijë, ku përfshihen 9 autorë. Në këtë letërsi Vlora ndihet më mirë deri në rang kombëtare dhe kritika e Canajt e pasuron më tepër vlerën e vjershave  dhe fabulave për moshën fëmijërore të autorëve të dëgjuar vlonjatë që nga i paharruari Ferhat Ҫakërri, Sazan Goliku, Bardhosh Gaçe, Pëllumb Velo. Një gjedhe e kësaj lënde apo kreu 7  trajton: “Një zë të veçantë në Letërsinë Bashkëkohore”, ku përfshihen 4 shkrime nga autorë të tjerë për poezinë -Hajk, për novelën dhe për romanin e vetë zotërisë Eqerem Canaj.

Natyrisht, që autori i këtij libri e di që Estetika = teori e së bukurës + artit dhe nuk e ka harruar fjalën e urtë të nobelistit Indian të vitit 1913 Rabindranath Tagore (07.05.1861-07.08.1941): “Yjeve nuk u vjen turp të duken si xixëllonja dhe, ne i afrohemi Diellit të madh, kur jemi të mëdhenj në thjeshtësi…”

Ndër kriteret e punës në laboratorin e tij krijues esteti Canaj nuk ka bërë përzgjedhje të veprave të autorëve, por ka trajtuar vetëm një libër të një gjinie, pavarësisht se autori mund të ketë botuar, ta zëmë dy libra me poezi, nëntë novela apo 37 romane!… Ta zëmë, ë? Se dhe bën vaki!… Studiuesi trajton në këtë botim vetëm 1 vepër për zhanrin përkatës që lëvron shkrimtari.

Vepra letrare ka dy pole: polin artistik + polin estetik: 1.- Poli artistik është teksti i krijuar nga autori. 2.- Poli estetik është realizim i polit artistik nga lexuesi. Bashkëveprim i tekstit me lexuesin e sjell veprën letrare në jetë. Këtë kriter autori e ka respektuar dhe, aq më tepër, me përgjegjësinë serioze të penës së tij emërton mesazhin njerëzve që harxhojnë lekë e prishin letër, se kilogramë me gërma janë harxhuar kot, prandaj me ato para që kanë më mirë të bëjnë një çezmë, të mbjellin pesë ullinj apo diçka tjetër të dobishme të bëjnë, të lënë një gjurmë, që të kujtohet për mirë e me respekt. Eqeremi e shikon një libër, i pari i këtij lloji në Vlorë. Punoi, harxhoi kohë, harxhoi mendim dhe me dashamirësi e fisnikëri mbolli një pemë në kopështin e letrave me këtë studim të mirë. Ndonjë kritizer mund t`i kujtojë Konicën që thoshte: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur, kur s`kemi gjë për të thënë…” Ndërsa nesër do të thonë për Eqeremin, se të ikshëm nga kjo jetë jemi të tërë. “Ky pluhur ishte burrë dikur”, sipas një fjale të artë të Uollt Uitmanit (Wollt Witman: 31.05.1819-1892).

Eqerem, ke bërë punë të mirë, me vlerë, ke shfaqur mjeshtërinë artistike me një stil lakonik. Mos u tut, se edhe Fridrik Niçe (Friedrich Nietzsche: 15.10.1844-25.08.1900), te “Kështu foli Zarathustra”, shkruan: “Vetëm kur të më mohoni të gjithë, do të dua të kthehem tek ju”.

Këtu te ne, i nderuar Eqerem Canaj, letërsia është si një republikë ku çdo kush mundohet të bëhet mbret. Ti, me përkushtimin tënd të palodhur bëre radioskopinë e letërsisë së sotme, të autorëve që janë dhe banojnë në Vlorë. Nesër do të duhet të bëhet një.

Le të bëhet dritë për lexuesit, për nxënësit dhe për studentët ky libër, që të njihet ecuria drejt ngritjes e personaliteteve krijuese të Vlorës. I urti Firdensi ka një visar për ne: “Mos e nga milingonën që mbart kokrra drithi/ sepse ka shpirt dhe shpirti është i ëmbël dhe i dhembshur”

Duke të uruar shëndet të plotë, u bekofsh nga e shenjta thjeshtësi dhe po e përfundoj këtu fjalën time më një kujtesë vëllazërisht poetike: As ti, as unë, as të gjithë krijuesit të mos e harrojnë këtë fjalë të urtë italaine: “Chi va piano, va sano” = (Kush ecën ngadalë, ecën i sigurtë).

*Albert R. Habazaj

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve

“Petro Marko”, Vlorë

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, autore vlonjate, Mendimi estetik

Hillary Clinton, një jetë nën syrin e publikut

July 27, 2016 by dgreca

Hillary Clinton hyri në histori si e para grua që siguroi emërimin si kandidate presidenciale e një partie kryesore politike në Shtetet e Bashkuara. Tani ajo shpreson t’i shtojë karrierës së saj kapitullin më të rëndësishëm dhe më domethënës. Nga zonjë e parë, më pas në senatore, nëse fiton në nëntor ajo do të bëhet Presidentja e Shteteve të Bashkuara. Anketat tregojnë se Hillary gjen tek elektorati mbështetje të zjarrtë në një segment, ndërsa zgjon antipati të thellë tek të tjerë. Ajo është një ndër njerëzit më të famshëm në botë, por ata që e njohin nga afër thonë se ajo është e rezervuar dhe nuk i shfaq në publik disa anë të natyrës së saj. Korrespondentja Cindy Saine i hedh një vështrim jetës së kësaj gruaje që, edhe ata që e duan, edhe ata që e urrejnë e pranojnë se ka dëshmuar që është e aftë dhe e vendosur për betejën politike:

Hillary Clinton arriti shumë pranë fitores në 2008, kur u përpoq të sigurojë emërimin e Partisë Demokrate si kandidate presidenciale, por humbi përballë Barack Obamës.

Në atë kohë, kur deklaroi tërheqjen nga gara, ajo u ndal tek vështirësitë që kishte hasur si grua në politikë, duke i quajtur pengesat “tavani prej xhami”, dhe 18 milionë votat që mori si çarje në këtë tavan:

“Nuk arritëm dot ta thyejmë këtë radhë tavanin, por falë jush i kemi shkaktuar 18 milionë të çara dhe tani drita depërton si kurrë më parë dhe na mbush me shpresë dhe me bindjen se rruga do të jetë pak më e lehtë radhës tjetër”.

Në faqen elektronike të fushatës së saj ajo flet për fëmijërinë e vështirë të nënës së vet, Dorothy Rodham, që e frymëzoi të futej në politikë:

“Nënën e braktisën prindërit e saj dhe kur ishte tetë vjeç, e dërguan të jetonte me gjyshërit që nuk e donin. Por njerëzit e mbajtën afër me dashamirësi. Një mësuese e shihte që nëna ime nuk kishte para për të blerë ushqim në shkollë dhe filloi të sillte ushqim me vete edhe për të”.

Në adoleshencë Hillary ishte republikane. Angazhimi në politikë vazhdoi edhe gjatë studimeve në Wellesley ku ajo mbajti fjalimin e diplomimit në 1969.

Ajo ndryshoi kahje politike gjatë studimeve për jurisprudencë në Yale, ku u njoh edhe me Bill Clintonin. Ata u martuan në 1975 dhe u vendosën në shtetin e tij, Arkansas, ku ai u bë guvernator në 1978. Vajza e tyre Chelsey lindi në Arkansas.

Gjatë atyre viteve, gazetari Ron Fournier i ndiqte nga afër Clintonët si reporter në kryeqytetin e shtetit, Little Rock. Ai thotë se Hillary është më e zgjuar dhe më me humor se Bill Clintoni:

“Bill Clinton di si të tregojë një histori, një shaka, por Hillary ka humor të momentit. Ajo di si të tallet me veten, ka atë të qeshurën tipike që i acaron shumë njerëz, por që mua më duket shumë tërheqëse, pasi është e vërtetë. Kur je në prani të saj, është një e qeshur ngjitëse”.

Ish-zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Bob Weiner thotë se Hillary Clinton është më e zgjuar se Presidenti Obama apo bashkëshorti i saj Bill Clinton kur është fjala për të kuptuar një problem, por ka një të metë të madhe:

“Ajo e di edhe vetë që nuk është karizmatike; i mungon karizma, por ka zgjuarsi dhe ka aftësinë qeverisëse që është gjë e madhe”.

Kur Bill Clinton u zgjodh president në 1992, ajo mori mbi vete një rol aktiv si zonjë e parë, por nuk arriti të sigurojë mbështetje për propozimin e saj për kujdes shëndetësor universal.

Vitet në Shtëpinë e Bardhë sollën edhe skandalin Lewinsky, për marrëdhënien jashtë-martesore të Presidentit Clinton me një praktikante. Ishte një goditje personale dhe publike për Hillary Clintonin, që e ka lënë atë të vrarë dhe të poshtëruar.

Por Hillary di si të ngrihet përsëri pas një humbjeje. Ajo u zgjodh senatore në 2000 dhe u rizgjodh në 2006. Në 2008, Presidenti Obama e emëroi sekretare shteti, një rol që e ndihmoi të ngrinte me të madhe të drejtat e grave përmes diplomacisë së butë.

Tani ajo ka përpara betejën më të fortë të karrierës, përballë miliarderit Donald Trump i cili, ashtu si vetë zonja Clinton, ka rryma të forta pro dhe kundër tij.

Anketat tregojnë se gara do të jetë shumë e fortë. Por e kaluara e Hillary Clintonit tregon se ajo është e gatshme dhe e përgatitur të luftojë deri në fund.

Filed Under: ESSE Tagged With: e publikut, Hillary Clinton, nën syrin, nje jete

Mos e harroni Bujar Kaloshin

July 26, 2016 by dgreca

Në 20 vjetorin e rënies/

Nga Reshat  Kripa/

Në përvjetorin e rënies së martirit  Bujar Kaloshi, nuk e di sepse m’u kujtuan vargjet e një poezie të një poeti anonim, që më ranë në duar disa ditë më parë. Në vargjet  e asaj poezie shkruhej:

O Korab, fole kreshnikësh, o çati e Shqipërisë!

Përse e ke ulur kokën, o simbol i trimërisë?

Thellë në zemër më  goditën, më goditën në Tiranë,

Në një ditë të nxehtë korriku, zemrën time dysh e ndanë.

Zemrën time dysh e ndanë, ata plumba të mallkuar,

Kur goditën zemrën djalit, trimit tim të paharruar.

Dhjetë vjet kam që  lëngoj, dhjetë vjet kam që po  pres,

Të vendoset drejtësia, të mos mbetem më me shpresë!

Nuk e di sepse këto vargje e prekën thellë zemrën time. Para syve më doli fytyra e qeshur dhe plot gjallëri e Bujar Kaloshit, në ato ditë të zjarrta të ndërrimit të sistemeve. Djaloshi i lindur dhe rritur baltrave të Plugut dhe Gradishtës, ku ishte internuar familjarisht, nuk kishte si të mos ishte i qeshur dhe plot gjallëri, në ato ditë historike kur zemra e tij vlonte  nga dashuria për lirinë dhe demokracinë e mohuar për gati pesëdhjetë vjet. Më dilte para syve fytyra e këtij trimi, që pa hezituar u bë një nga nismëtarët e shoqatës tonë, duke qëndruar gjithmonë në ball të saj. E shihja atë djalë të lidhur pazgjidhmërisht me Partinë Demokratike, me të cilën u bashkua pasi tek ajo shikonte të mishëruara  të  gjitha  parimet  për  të  cilat kishte luftuar fisi i tij i madh.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Më kujtohet ajo ditë e zezë e 26 korrikut të vitit 1996, kur duart kriminale të trashëgimtarëve të etërve sadistë komunistë, qëlluan zemrën e këtij djaloshi. Ato plumba nuk goditën vetëm zemrën e Bujarit. Ato goditën zemrat e mijëra të përndjekurve politikë, në të katër anët e atdheut tonë të martirizuar. Goditja ishte preludi i asaj që po përgatitej prej kohësh, përmbysja e fitoreve të demokracisë së porsalindur dhe rivendosja e pushtetit të ish komunistëve. Kjo gjë u realizua një vit më vonë,  nëpërmjet rebelimit të armatosur të vitit 1997.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Kemi njëzetë vjet që atë nuk e kemi më midis nesh. Kemi njëzetë vjet që presim të ndëshkohen kriminelët që qëlluan mbi të. Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Më lejoni të përmend këtu emrat e ndritur të anëtarëve të tjerë të shoqatës sonë që kanë rënë nën breshërinë e plumbave të barbarëve, emrat e Lekë Çokut, Besnik Hidrit, Besim Manolit, Valter Harizajt, Viron Rrapajt, Gëzim Shabanit, Bashkim Shkurtit, Fredi Shehut dhe plot të tjerëve. Të gjithë këta prehen në varr pa gjetur qetësi, pasi fajtorët nuk janë ndëshkuar ende.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

 

Gjaku kërkon gjakun thonë! U ngritën gurët nga varret dhe folën! U ngritën malet dhe thanë dhe më i mbrapmi vrasës u ndëshkua!

 

Kështu shkruante Shekspiri i madh disa shekuj më parë. Kurse në vendin tonë, në shekullin e XXI-të, ky ligj nuk funksionon. Kriminelët enden lirisht rrugëve Brukselit apo Zurihut, madje edhe atyre të Tiranës, duke kryer krime  të  tjera  dhe  shteti shqiptar  nuk është i zoti t’ia kthejë drejtësisë. Nuk e dimë, nuk është e zoti, apo mos vallë nuk do që t’ia kthejë? Kjo pyetje kërkon përgjigje nga autoritetet shqiptare.

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Ndëshkimin e fajtorëve e kërkon zemra e babait të tij krenar, zemra e nënës së tij të përvuajtur, zemra e gruas së tij të re, zemrat e vajzave që u rritën pa prindin e tyre pranë, zemra e vëllait dhe motrave të tij. Ndëshkimin e fajtorëve e kërkojmë edhe ne, shokët e tij të vuajtjeve dhe halleve. E kërkon edhe shpirti  i  tij  që  nuk  mund  të prehet në paqe deri sa të vendoset drejtësia.

Dhe vargjet e poetit anonim më dalin përsëri përpara syve të mi:

 

Seç më  duket që  nga larg, zëri djalit po ushton,

Si një klithëm, si një britëm, nëpër shkrepa uturon,

Uturon sot nëpër shkrepa,  zëri i djalit të ri,

Mos më lini në harresë, dua vetëm drejtësi!

 

S’dua llafe, s’dua përralla, s’dua vargje, s’dua këngë,

Ato le t’i lemë më prapa, ato brezat le t’i nxënë.

Jam këtu mbushur me brengë, nuk po gjej dot  rehati,

Dua vetëm  drejtësi, të prehem në qetësi!

 

Ngrihe kokën mal i lartë, mos qëndro i pezmatuar,

Biri yt ka fluturuar lart në qiellin e amshuar!

Lart në qiellin e amshuar, engjëjt e kanë rrethuar,

Si simbol të burrërisë, për  jetë i paharruar!

Mos e harroni Bujar Kaloshin!

Tiranë, 26 korrik 2016.

Filed Under: ESSE Tagged With: 20 vjetori, BUJAR KALOSHIN, MOS E HARRONI, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 345
  • 346
  • 347
  • 348
  • 349
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT