Mbresat e një artisti nga koncerti i Sopranos Inva Mula në Town Hall
Shkruan: Arenc Leka – Violinist/
Mikpritja, që iu bë Sopranos Inva Mula në Town Hall, ishte një nga koncertet e muzikës klasike më të munguara prej vitesh nga audienca Shqiptare e New York-ut.
Mbasi kaluan 25 vjeçarin e parë jashtë Mëmëdheut, mërgimtarët Shqiptarë kanë akoma për zemër kulturën e këngët që iu sjellin emocione nga jeta në atdhe. Dhe si përmbushje e një boshllëku shumë vjeçar na vjen pikërisht në momentin e duhur Koncerti dhe CD-ja “Per Ty Atdhe” e sopranos Inva Mula.
Pa dyshim koncert me vlera te jashtëzakonshme i arritur në kohë të shkurtër dhe me volum pune te ngjeshur, shpërblen mundin shumë vjeçar të treshës – Mula, Tukiçi, Llapaj
Dalja në skenë e Inva Mulës bëri që salla të ndjente peshën e një artisteje dinjitoze. Një artiste e rrallë në llojin e saj, që na perfaqëson kudo ku jemi,, që arrin atje ku nuk arrin gjithkush, që kapërcen ato vështirësi që është e pamundur për shumëkënd,,, që emocionon dhe ngre në këmbë çdo botë Shqiptare dhe ndërkombëtare. Respekt për të !!!
Ishte përvoja e dirigjentit Bujar Llapaj bashkë me Artistët, që ndërthuri, aplikoi dhe përshtati në terren, tipike Shqiptare kjo e fundit, atë që i dha suksesin “Per Ty Atdhe”.
– Më kot nuk thonë se – Diamanti,i vogël është, por vlerën e ka të madhe.
Mbështetja drejtuese e Pianistit dhe Kompozitorit Genc Tukiçi ndjehej në çdo detaj të kësaj mbrëmje emocionuese. Harmonizimi i ri i këngëve prej tij, të sillte në mëndje gërshetimin e kultivimeve muzikore herë herë Hollivudiane, herë herë Shkodrane, remineshenca të Take Five, duke na fluturuar me drone përfytyrimin tonë në çdo skaj Shqiptar ndër filma e koncerte të së kaluarës dhe të tashmes. Një ngjyrim krejtësisht i ri i munguar në harmoninë klasike tipike Shqiptare.
Shpresojmë që kënga e Nënë Terezës t’i ngrejë edhe më shumë ato vlera të merituara plotësisht prej tij.
Sopranoja nga Shkupi, Dëshira Ahmeti Kërliu, një surprisë tjetër e Koncertit “Per Ty Atdhe”.
Jo vetëm që ka nje zë tipik të veçantë sopranoje të ngohtë e të gjerë, por harmonizimi i saj me Invën bëri pa dashur edhe atë bashkim Sopranor simbolik Shqiptar.
Kontributi i këngëtareve Kreshnik Zhabjaku dhe Riad R. Ymeri ishte një gjetje tjetër shumë e bukur e koncertit. Të dy në solot dhe duetet e tyre sollën ngjyra te vecanta interpretimi. Mbeshtetja që i dhanë Invës gjatë koncertit zëvëndësoi ne disa raste edhe korin me harmonizimet e tyre. Të dy të përsosur dhe të duartrokitur denjësisht.
Igli Tuga na përçoi tingujt kadife të kulturave Shqiptaro-Amerikane duke filluar me gërrnetën e kabasë Shqiptare e deri tek befasimi natyrshem swing i klarinetës se Benny Goodman. Edhe ky talent i dalë po nga shkolla Shqiptare.
Në përzgjedhjen e repertorit janë këngët më madhështore të muzikes klasike Shqiptare.
Hapja e siparit me muziken e filmit ” Skenderbeu” te Çesk Zadesë u dha Shqiptareve ate çka prisnin,,,,për të kaluar tek tjetra këngë “Per Ty Atdhe” e Pjeter Gacit.
Më pas “Shqiperi o Vendi Im” i Avni Mulës, “Fjalët e Qiririt” e Limoz Dizdarit, “Per Mëmëdhenë” Mihal Grameno, “Goca e Kaçanikut” Rauf Dhomi, “Unë Biri Yt Kosovë” Feim Ibrahimi, ” Vals Hyjnor” Genc Tukiçi, ” E Dua Shumë Shqiperinë” Thoma Avrami, ” Alfabeti” P. Qiriazi.
Për publikun që është rritur dhe edukuar me këte përzgjedhje këngësh dhe kulture ,,,,Bota Shqiptare e moshave të thyera dhe atyre më pak në moshë se mosha e trete, rrënqethjet dhe lotët ishin pjesë e kënaqesisë së paparë e ketij publiku të përzgjedhur. Të ardhur posaçërisht për atë që prisnin dhe njihnin, të përkushtuar për koncertin,,,, e për të mos thënë se gjysma e Tiranës të zhvendosur në New York ishte e pranishme në këtë Gala të jashtëzakonshme! Nuk ka pasur koncert me prani më të madhe pjesëmarresish se sa ky i fundit gjatë 25 vjetëve të fundit në NYC. Publiku i mbrujtur me këte kulturë i dhuroi konfort e shumë dashuri këngëtarëve.
Emocione te papërshkrueshme patën dhe Artistet tanë te cilët ndoshta nuk imagjinonin dot, një mbështetje kaq të madhe nga komuniteti Shqiptar i New Yorkut.
Të mos harrojmë se jo cdo i ri / e re, e njeh këtë muzikë nga brezi i mbas ’90 të rritur jashtë shtetit. Për aq më tepër, muzika klasike nuk ka qënë pjesë në edukimin e këtij brezi që çdo herë e më shumë i largohet kësaj muzike. Shumë prej tyre të pranishëm për herë të parë në këtë koncert panë se ky komb ka edhe një muzike tjetër tradicionale nga ajo që kanë dëgjuar deri më parë.
Shpresoj që Inva Mula ta thyejë edhe këtë akull të fortë, për ti hapur derën e madhe një brezi të ri, që me diturinë e tij ka arritur majat e Wall Street-it,,, por jo ato koncertore klasike të Metropolitanit në Lincoln Center.
Nga Arenc Leka
Violinist, New York – 3 Prill 2016
MIGENA ARLLATI, MARATHONOMAKE E SHKRIMIT ME DRITË
Nga MSc. Albert Habazaj*/
Gazeta javore, letrare & kulturore “Nacional” më është bërë e nevojshme për shëndetin letrar dhe e kam kryekafen mëngjesore të çdo të hëne. Kjo ngjet, jo vetëm për faktin se fisniku Mujë Buçpaçaj ka çelur nga një dritarez për njerëzit e letrave, por se nëpërmjet faqeve të “Nacional-it” përshëndetem letrarisht dhe kulturalisht me dy nga mikeshat e mia më të respektuara: dr. Rovena Vata dhe dr. Migena Arllati. Jam i kushtëzuar, që, për poeten dhe kulurologen Migena Arllati të shkruaj tepër shkurt, kur dëshirën e kam të shkruaj gjatë, tepër gjatë, sepse e meriton. M. Arllati dritëron jo në një a dy, por në disa rrafshe letrare, kulturore, qytetare, atdhetare e universale. Studimtaria e saj përbën një opus më vete, që kërkon një përfillje të merituar për një vështrim kritik të vlerësuar, sepse i shërben përmirësimit cilësor dhe zbukurimit estetik të letërsisë shqipe në Kosovë e brenda kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Në fakt, profili i Migena Arllatit mund të trajtohet në një studim monografik me pesë kre. Kreu i parë mund të trajtojë bukur prurjet letrare me poezi e prozë të autores Migena Arllati në letërsinë tonë bashkëkohore. Kreu i dytë mund të merret me shkrimet e Dr. Arllatit në shërbim të kritikës letrare, me parathëniet në librat e botuar të autorëve të tjerë, që profesoresha u jep krahë besimi për te lexuesi. Një nëndarje mund të shikojë redaktimet që ka bërë specialistja deri në trajtën përfundimtare të botimit (me ndreqjet, përpunimet e me ndryshimet e nevojshme). Një tjetër nënndarje mund të rrokë recensionet e profesoreshë Migenës për autorë të ndryshëm (poetë e prozatorë) në Shqipëri e në Kosovë; vlerësimet kritike me shkrim për veprat artistike, në të cilat është angazhuar; gjithashtu për punimet shkencore, për shfaqje etj., duke dhënë përmbajtjen dhe duke vënë në dukje anët e mira e të metat. Në çdo punim të botuar nga dr. Migena Arllati dallohen njohuri të plota të fushës nga artikullshkruesja, kompentencë, qartësi e bukuri, çka i japin autores statusin e një kulturologeje të spikatur. Kreut të tretë i qëndron bukur kostumi etnologjik dhe albanologjik i studiueses serioze, të hapur, këmbëngulëse dhe të guximshme M. Arllati. Vetëm libri më i ri “Patronimet në Gjakovë-mbiemrat, emrat familjarë” me bashkautor Muhamet Rogova kërkon studime të thelluara dhe hap shtigje për kërkime të reja shkencore, deri në rrafshin krahasimtar antropologjik në rajon, në Europë e më gjërë. Ndërsa në planin etnologjik, me koherencë dhe dashuri studiuesja promovon vlera të traditës si visare të trashëgimisë sonë kulturore. Me shembullin e saj, me talentin dhe shpirtin e kthjellët, ajo ka ditur bukur të na kujtojë dhe të propagandojë se Dita e Plisit, (e plisit të bardhë, që na dallon ne nga të tjerët, e qeleshes, kapuçit tipik shqiptar) është festa simbolike e shqiptarëve. “Shqiptarët kanë shumë festa tradicionale, historike, fetare, zyrtare, por – shkruan autorja – Festa e Plisit me misionin gjithëkombëtar që ka, meriton të quhet Kryefesta e Dinjitetit të kombit”. Shkrimet e saj janë artikuj shkencorë profesionalisht të realizuar, që mirëpriten jo vetëm nga letërsidashësit dhe lexuesit e kualifikuar, por merren si burime bibliografike nga albanologët dhe studiuesit e linjës përkatëse.
Kreu i katërt mund të trajtojë gjithë atë kontribut asaj zonje fisnike për emancipimin e shoqërisë shqiptare, evidentimin e gruas, si fillimtare e jetës dhe gurrë mirësie. Shpesh herë, parë në sotshmëri, në kontekst, portreti i Migena Arllatit më shëmbëllen me portretin e shkrimtares fisnike dhe humanistes dritërore Nermin Vlora Falaschit, stërmbesës së Plakut të Bardhë të Flamurit Kombëtar. Kreu i pestë mund të japë fasha drite nga humanizmi i botës së saj nënëterezane në shërbim të krijimit universal, ku shquhet roli i saj i dukshëm dhe mjaft i dobishëm me Lidhjen Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI”, me krijimtarët e globit mbarë, e sidomos me ata në Kosovë, në Shqipëri, ku spikat puna e kulluar që Profesoreshë Migena bën me aq dëshirë e mjalt fjale për rritjen e shëndetshme të talenteve të reja. Shembullin e jep konkretisht hijshëm me familjen e saj, me gjakun e saj. Stafeta letrare vijon brezash. Bora Arllati është një emër premtues dhe i njohur poetik jo vetëm në Gjakovë. Gjimnazistja e talentuar Rina Arllati na mrekullon me atë zë brilant, kur interpreton poezi njëkohësisht shqip dhe anglisht, po aq ëmbël e bukur si në shqipen e nënës. Ajo ka lidhur jetën bashkëshortore me shokun e saj ideal muzikologun e dëgjuar, profesor Behar Arllati. Dy intelektualw me identiet, dy artistw tw formuar kanë ndërtuar një familje model, një familje të nderuar letraro-artistike atdhetare-kulturore, si pak kund ndër Shqiptarì. Ndër punët e mira të Migena Arllanit më bëjnë përshtypje tre redaktime, që për mua, përmbushin një simbolikë shkëlqimtare për botën e madhe të profesoreshës. Ajo ka redaktuar vëllimin “Përtej” me poezi e filoprozaikë të bukuroshes së vargut të ri Bora Arllati. Ka domethënie redaktimi i përzgjedhur i vëllimit: “Borxhi i Ali Podrimjes” me poezi të zgjedhura të autorit të njohur çam Namik Selmani, i cili një pjesë të jetës së tij ka banuar e studiuar në Elbasanin e Luleve, në vendlindjen e dashur të Profesoreshë Migenës. Gjithashtu ajo ka redaktuar studimin monografik “Mazllom Mejzini: jeta, vepra dhe roli i tij në traditën muzikore gjakovare”, që është një libër i mirëfilltë shkencor i bashkëshortit të saj Behar Arllati, i cili operon në thellësi e në gjerësi të këngës popullore gjakovare, të muzikës popullore dhe të biografisë së atyre që e kënduan, e ruajtën, e shpërndanë dhe e pasuruan më tej këtë shufër floriri të thesarit të fokloristikës sonë në veçanti dhe muzikologjisë shqiptare në tërësi.
Intelektualë dhe krijues të formatit të Migena Arllatit janë vërtet vlerë e shtuar për familjen shqiptare, për qytetarinë dhe kulturën kombëtare për t’u krahasuar me dinjitet me kulturat e tjera përparimtare, me krijimtarinë dhe studimtarinë europiane e globale, sepse Migena Arllati është krijuese e mirëfilltë dhe marathonomake e fjalës me dritë të bukur.
Vlorë, e hënë, 04. 04. 2016
*) autori i këtij shkrimi ëshë drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi” dhe kryetar i Shoqatës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Vlorë, Albania
BAJO TOPULLI, ATDHETAR I SHQUAR
Shqipëria na dha atë që kishte: Kënaqësinë, miqësinë…
Takim ne Ontario me Akademik Kristian Bukuroshi/
Nga Marjana Bulku- New York/
Në atë pasdite të vecantë marsi teksa shqiptarët e Ontarios nën organizimin e Bashkësisë shqiptaro-kanadeze natyrshëm festonin tashmë edhe ligjërisht traditen tonë kulturore në Ontario, ku dëbora e pazakontë ngrinte përmbi barin e gjelbërt që paralajmëronte nga larg pranverën e afërt, takoj jo pa kureshtje profesor Kristian Bukuroshin. Kisha dëgjuar shumë për të, se si ai ka qenë një gur i fortë themeli në formimin profesional të brezave të parë të informaticienëve shqiptarë.Matematicienin dhe akademikun Kristian Bukuroshi e njohin në Shqipëri , por në mjediset e maturuara të shqiptarëve tashmë kanadezë ai zë vend nderi.Dhe kjo është mëse e natyrshme në një mjedis ku të gjithë kanë lënë pas vite plot histori, investimi shkollimi dhe pune e këtu ia njohin dhe respektojnë vlerat njëri-tjetrit.Është një realitet i natyrshëm ku mbivendosja e vlerave intelektuale pranohet pa kushte duke i pasuruar të gjithë, madje sejcili të prezanton tjetrin përmes produkteve që flasin përmes artit, valles, pikturës, tingujve, skulpturës , krijimtarisë letrare edhe këtu në emigrim. Si nëpër një mozaik të larmishëm ku cdo copëz mbart nëntekste të forta unë kërkoj atë që më nxit vazhdimisht.Është kureshtja ime konstante mbi rolin dhe aktivitetin e intelektualëve në mërgim. Dhe për këtë më shumë sesa një informaticien matematikan askush nuk mund të flasë. Profesor Kristiani flet pak, por saktësisht shpjegon se si mund të ndjehet dikush në moshën e tij larg atdheut. Atje ku ka lënë vitet më të bukura të jetës dhe të punës, ndoshta jo për nga cilësia,por për nga energjia dhe ritmika e moshës dhe fuqisë së ëndërrimit.”I ndjek të gjitha veprimtaritë që zhvillon Bashkësia Shqiptaro-kanadeze”thotë ai,”është një model se si mund të punohet.Këtu gjen jo vetëm produktivitet dhe kreativitet por edhe gjithpërfshirje moshash, gjeografish,kulturash,profesionesh dhe biznesesh. Është një mjedis që më jep besimin që ndjenjat kombëtare nuk do të shuhen”.
Profesor Kristiani ka punuar si tutor matematike këtu në Ontario dhe unë nuk e di nëse ai miksazh studentësh e kanë ndjerë apo jo cilësinë e leksioneve të tij por e sigurt mendoj se disa ikje e kanë varfëruar shumë Shqipërinë sepse emigrimi i mendjeve tkurr memorjen edhe historike edhe kulturore e më gjërë. Largohem prej tij duke marrë me vete përvec respektit dhe mirënjohjes përgjigjen më të bukur, kryefjalë të atyre casteve të paharrueshme: Shqipëria na dha me vete atë cfarë kishte; kënaqësinë, miqësinë që ne dashtë zoti i pasurojmë e trashëgojmë përjetë”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 381
- 382
- 383
- 384
- 385
- …
- 617
- Next Page »