• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”

February 27, 2026 by s p

FATMIR MINGULI/

Pikërisht në ditën që gjeniu i letrave tona Ismail Kadare do të mbushte 90 vjet, shtëpia Botuese “Jozef” nxorri librin e shkrimtarit Shpendi Topollaj me titull “Kadareja i pavdekshëm”, ribotim i zgjeruar. Libri çelet me citatin e gjithkohshëm të latinëve të vjetër: “O Kombe! Ruani njerëzit e mëdhenj se përmes tyre do t`ju njohë bota”. Kurse tek ato dy fjalë hyrëse, vetë autori i librit shprehet: “Kur zemra e Ismail Kadaresë pushoi së rrahuri, nuk e di pse më erdhën ndërmend fjalët që dikush kishte thënë për fiorentinasin e madh Dante Alighieri: “Kurse pas vdekjes nisi “jeta e tij e re”, ajo e pavdekësisë, që e kanë hak vetëm gjenitë e mirëfilltë”. Dhe vazhdon: “Pa dyshim, Ismaili ishte Dantja ynë dhe për rrjedhojë, një gjeni, që i dha lavdi si pakkush atdheut tonë. Ishte fat që jetoi gjatë, pasi njësoj si Hygoi, që deri në fund të jetës nuk e lëshoi penën nga dora, duke punuar për veprën epope dhe mjaft voluminoze “Legjenda e shekujve”, edhe ai nuk reshti së shkruari dhe ngritur me guxim zërin e arsyes për vlerat e larta të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, dhe padrejtësitë që i janë bërë atij ndër shekuj. La pas një thesar veprash si trashëgimi e çmuar e kulturës tonë kombëtare, e cila si atëherë kur cerberët e diktaturës vigjëlonin me një fanatizëm të denjë për domenikanin Tomas de Torquemada, ashtu dhe kur demokracia fitoi terrenin e humbur, ndriçoi mendjet e shqiptarëve për nevojën e lirisë, me forcën e një iluministi të vërtetë”. Shpendi, te “Dy fjalë si parathënie” ka vendosur shkrimin e vëllait të tij, Spartakut, intelektualit të shquar, diplomatit dhe mikut të hershëm e besnik të Ismailit, me titullin “Precedenti “Karlfeldt” dhe mundësia e një Nobeli nderi për Kadarenë pas vdekjes”, artikull i botuar te Gazeta “Panorama” po në 28 janar, pra ditën që ai kishte 90 vjetorin e lindjes. Kushdo që e ka lexuar ose do ta lexojë te ky libër, do të bindet se argumentet, erudicioni, elokuenca dhe logjika e tij, janë plotësisht bindëse dhe të pakundërshtueshme, për të mos thënë, nga apologjitë më të bukura që janë shkruar ndonjëherë për “Nderin e Kombit” tonë Kadare. Sipas Spartakut, Ismaili i përkthyer në mbi 50 gjuhë të ndryshme të Botës së sotme tetëmiliardëshe, kryemjeshtër dhe luksoz i alegorisë së sofistikuar, ai që jo vetëm i mbijetoi si rrallëkush ferrit stalinist të regjimit të Hoxhës, por edhe për dekada të tëra kaloi në qyngjet e zjarrta të purgatorit të kuq, ka qenë prej dekadash serial kandidat si askush tjetër për ta marrë atë çmim që për turpin e asaj Akademie, ju dha sllovenit Peter Handke, atij që përlotej para varrit të kryekriminelit Sllobodan Millosheviç. Shpendi, teksa tregon arsyet e botimit të këtij libri, nuk heziton të kujtojë se ka edhe nga ata shqiptarë që kanë vjellë vrer për Kadarenë. Ai i referohet librit autobiografik të Salman Ruzhdies i cili thosh se: “Mënyra më efikase për të sulmuar një libër është të demonizosh autorin e tij, për ta shndërruar atë në një krijesë me motive të ulta dhe qëllime të liga”. Po ashtu ai sjell pasazhe nga ç`ka shkruar me mençuri e sinqeritet bashkëshortja e tij, shkrimtarja Helena te libri “Kohë e pamjaftueshme”, ku inatçinjtë e ziliqarët arrijnë deri atje sa të thonë marrira të tilla, duke e krahasuar Ismail Kadarenë me rrezet gama që vinin nga universi dhe që kombi shqiptar duhej t`i kthente mbrapsht nëse donte të mos dëmtohej. Por Ismailin e donte me gjithë zemër populli i tij, lexuesit e pafund, pasi ishte ashtu sikurse thosh Tefik Çaushi se: “Ai (I.K.), ka ditur të krijojë për masën e lexuesve një letërsi të tillë që ka shërbyer si ushqim shpirtëror i një cilësie të lartë, aq i domosdoshëm për emancipimin tonë kombëtar”. Dhe si për t`u dhënë një përgjigje të merituar kritizerëve, Shpendi përmend shembullin e xhuxhave që kur hipin në shpinën e gjigantit, thonë se jemi më të mëdhenj se ai, dhe kujton se si e kanë vlerësuar atë të huajt, si fjala vjen Nicole Zand: “Universal dhe i të gjitha kohrave, duke mbetur gjithaq shqiptar”, Bruce Bawer; “një nga romancierët më të shquar”, “Figaro Litteraire”: kalibrin e jashtëzakonshëm të këtij shekulli”, Gullaume Allary: “më i madhi shkrimtar i gjallë i kohës”, “Histori e Letërsisë Evropiane”: “që rrok historinë me një frymë të fuqishme shekspiriane”, e deri tek Alain Bosquet: “Kadareja njihet në të gjithë planetin; të kurorëzosh Kadarenë nuk do të thotë ta emanciposh atë, do të thotë të emancipoheni vetë ju”. Dhe Shpendi e nis librin e tij me shkrimin “Një ditë e paharruar”, qysh mbi gjysmë shekulli më parë, kur Kadareja doli nga selia e Lidhjes, për t`i takuar me Spartakun, i veshur me një palë pantallona gri, një këmishë të lirë, një orë “Ruhla”, nga ato që thuhej se andej ishin me lopatë dhe i kthenin për kusur, dhe syze me skelet të trashë. I thjeshtë dhe njerëzor ishte dhe në sjellje, në fjalët që thoshte, dhe premtimin për të ndihmuar e inkurajuar. Ishte mësuar ta thërrisnin ngado: Ismail, edhe pse ai ishte autori i Gjeneralit të famshëm, Kronikës, Autobiografisë, Dimrit dhe i një sërë novelash dhe poezishë të mrekullueshme. Gjatë bisedës, dukej që kishte adhurimin më të madh për Lasgushin, dhe disa kritikë i quante vagabondë, për të cilët duhej gjetur sipas tij, ndonjë rrahës profesionist. Por pas kësaj dukje krejt të zakonshme, fshihej një vullkan i vërtetë që kur shpërthente me krijimet e tij, trondiste gjithë vendin. Por Ismail Kadareja e tronditi vendin edhe me krijimet e mëpastajme, disa nga të cilat i zgjedh kritiku Shpendi Topollaj për t`i trajtuar në këtë libër. Ato janë: romanet “Qyteti pa reklama”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Darka e gabuar”, “Kur sunduesit grinden”, “Ikja e shtërgut”, si dhe analizat për ç`kanë shkruar të tjerët në librat e tyre për të, si monografia e Fatime Kullit “Uragani i meteorëve” me nëntitull “Bilal Xhaferri përballë Kadaresë”, libri studimor i Met Dervishit “Intertekstualja dhe disidentja te “Dimri i vetmisë së Madhe”, paskvilet e Kapllan Resulit me titull “Shpifjet e Kadaresë nuk e ndryshojnë të vërtetën”, apo pjesë nga libri i të ndjerit Kastriot Myftaraj “Ballkanadolli gjeostrategjik”. Për Shpendin, roli i shkrimtarit në shoqëri, dhe sidomos i Kadaresë është i pazëvendësueshëm dhe arsyen e gjen po te fjalët e Ismalit i cili tek intervista e tij e botuar te “Kohë barbare” shprehet: “Një shkrimtar është më tepër se një parti, ai është një Atdhe më vete. Ai flet në emër të këtij Atdheu. Një shkrimtar (dhe i referohet Dantes), e rilind atdheun e vet, ai është ekuivalenti, zëdhënësi i vlerave të epokës së tij”. Teksa merret me analizimin e Lul Mazrekut, Shpendi hyn brenda thelbit të problemit që synon Kadareja dhe shkruan: “Dhe shihni ç`ngjet: ndërsa grekët me gojën e Homerit pohonin se kur tërhiqej zvarrë nga Akili, Hektori qe i vdekur, e romakët nëpërmjet Virgjilit, mbronin mendimin se Akili ia shpoi këmbët Hektorit dhe në ato vrima futi litarin për ta tërhequr, por që fundja askush nuk e vinte në dyshim, se i prekur nga lutjet e të atit, ai ua ktheu trojanëve trupin e të vrarit, mijra vjet më vonë, në një vend që qëndronte midis tyre, dhe që ndofta qe më i vjetër se ata, do të shfaqeshin ca monstra që do t`ua kalonin në ligësinë e fantazisë dy të parëve, duke inskenuar një vrasje në kufi, me aktorin e dështuar e fatkeq, tashmë ushtar, Lul Mazrekun, për të tmerruar e frikësuar turmat e njerëzve të mjerë, në një kohë që kishin vrarë sa kishin mundur, vetëm pse donin të baktisnin “parajsën” socialiste, dhe as e kishin marrë mundimin që prindërve të tyre, t`u tregonin të paktën varrin”. Por populli duhej llahtarisur me zvarritje kufomash, ndaj dhe autori i këtij libri thotë: “Dhe këtu të mos ua hamë hakun; intrigat, bëmat dhe krimet e bandës së Enver Hoxhës, do t`i kishin zili edhe ata që bënë shtesat e epokës posthomerike për pallatin e Atridëve; ato do të ishin të denja për penën e Sofokliut, Euripidit e Senekës”. Dhe si për ta vërtetuar këtë, ai huazon diçka nga një personazh i romanit të Kadaresë i cili e mbyll këtë temë: “…më lejoni t`u them se për kësi gjërash ata kishin më shumë përvojë dhe ide se gjithë antikiteti grek e romak të marrë bashkë”. Te shkrimi i tij për romanin “Darka e gabuar”, ndërsa bën fjalë për paradokset e kohës së pas luftës së Dytë në Gjirokastër dhe mjetet artistike që Kadareja përdor, Shpendi nënvizon: “paradoksi i kohës… në penën e Kadaresë merr përmasat e një grotesku që i përdorur dikur nga Rableja (Gargantua dhe Pantagryel”), dhe Shçedrini (“Historia e një qyteti”), i ka dhënë aq forcë “Kronikës në gur”. Shpendit, leximi i “Kur sunduesit grinden” i kujton se ky libër i mrekullueshëm, jo vetëm të kënaq estetikisht, por edhe të bën të përfytyrosh se nga kaloi aq gabimisht rruga jonë dhe si u luftuan mendjet e ndritura, te të cilët duhej mbështetur e ardhmja e një populli. Duke e mbyllur ligjeratën, ai gati bërtet: “…a do të dalë dikush që të shkojë në Suedi tek ai komisioni që ndan atë çmimin e famshëm dhe duke ua hedhur në tavolinë, t`u thotë: Lexojeni o u plaçin sytë, se mjaft e shkelët testamentin e Alfred Bernhard Nobelit me padrejtësinë që i bëni ndër vite, jo vetëm Ismail Kadaresë, por gjithë popullit shqiptar”. Sa njerëzor e përshkruan Topollaj, Kadarenë, kur shtjellon “Ikja e shtërgut”, bazuar te dashuria platonike e një zemre delikate si ajo e Lasgush Poradecit. Aty ai sheh forcën e shpirtit njerëzor, të vizatuar sipas porosisë tolstojane për thjeshtësinë, lakonizmin dhe qartësinë, si mjete për të mbërritur te përsosmëria e artit. Në këtë libër Shpendi ka përfshirë edhe artikuj mospajtues e deri polemizues me ata që sikurse e cekëm më lart, duan t`ia ulin vlerat Kadaresë, me arsyetimin e padrejtë se në një farë kuptimi, i ka shërbyer diktaturës, si për shembull artikulli “Ziliqarë! mjaft e sulmuat Kadarenë”. Ai u drejtohet të gjithë atyre që e quajnë Ismail Kadarenë glorifikuesin e diktatorit, me fjalët e Ciceronit drejtuar Katilinës: “Quoskue tandem?” pra “Deri kur më?” dhe shton se hija e nihilistëve të rinj si Eugjen Bararovi i Turgenievit, ende sillet rrotull nesh. Kurse te shkrimi kundër smirëziut që urren vetë shqiptarët, Kapllan Resulbegoviç thotë: “…kushdo që kërkon ta baltosë me të pavërteta atë (I.K.), duhet të kujtojë fjalët e arta të Charles Colton – it se “Shpifja dëmton më shumë atë që shpif, se atë ndaj të cilit shpifet”. Do gjejmë në libër dhe pasazhe nga intervistat që ai ka dhënë me gazetarë të ndryshëm, si e ndjera Rezarta Reçi, Migena Sotiri e Luan Laze, rreth figurës madhore të Ismailit. Dhe si për të krijuar një lloj mozaiku, këtu rreshtohen dy poezi, shkruar posaçërisht për Kadarenë, me rastin e botimit të këtij libri, nga poetët e mirënjohur Agim Bajrami dhe Ymer Nurka, si dhe shkrimi i historianit Meçan Hoxha “Gjenia e Kadaresë në penën e Shpendi Topollajt”. Si në të gjithë krijimtarinë e tij shumëplanëshe, ashtu edhe në 45 librat e tij me kritika letrare, ku dallon një kulturë superiore tashmë e njohur e Topollajt, edhe te ky libër të mbetet në mendje jo vetëm horizonti i tij i pamatë, por dhe dashuria e madhe që ai ka për vetë Ismail Kadarenë, si një mbrojtës i patundur i çështjes kombëtare (Kosovë e Çamëri), e demokrat, dhe veprën e tij kolosale. Shpendi shpreh bindjen se të gjithë librat e I. Kadaresë janë të denjë për atë përgjigjen e poetit komik grek, Aristofanit që kur e pyetën se cili libër ju pëlqen më shumë, u përgjigj: – Atë që filloj ta lexoj duke shpresuar shumë dhe që i jap fund duke përfituar edhe më shumë. Dhe në fund të këtij shkrimi, nuk mund të mos përmend faktin se ky libër jo vetëm nderon gjigantin e papërsëritshëm Ismail Kadare, por edhe se morisë së librave të poetit, prozatorit, kritikut, dramaturgut, publicistit, esseistit Shpendi Topollaj, i shtohet një zë mjaft dinjitoz, aq sa do të kujtoj se sa të vërteta janë fjalët e Idriz Dermyshit, kur te parathënia e librit të tij “Përtej talentit”, shkruan: “Vepra me vlerë dhe vlera e veprave të Shpendit do enden gjatë në kujtesën e kombit tonë. Shpendi hesht, ndërsa jehona e tij ndrin, bubullon… Tashmë, Shpendi është një krijues kombëtar! Një thënie e Niçes, mendoj se i shkon për shtat Shpendit tonë: “Ju shihni lart, kur kërkoni të lartësoheni. Po unë shoh poshtë, sepse jam lart”. Dhe Shpendi është vërtetë lart, ndaj shikon poshtë. Kalli gruri me shumë bukë”. Ja pse do të mbesin përherë aktuale, fjalët e tij përshëndetëse drejtuar të pavdekshmit Ismail Kadare, me rastin e akordimit të titullit “Kalorës i Legjionit të Nderit”: “U mrekullova nga vlerësimi që t`u bë. Pas 500 vjet krenarie me një Princ të Krishterimit në mbrojtje të qytetërimit të Evropës me shpatë, vendit tonë i duhej një Princ i Letërsisë në mbrojtje të kulturës të saj me penë; gjë që ti e realizove kaq bukur. Përherë Atdheu do të të jetë mirënjohës si një nga burrat më të shquar të tij”.  

Filed Under: ESSE

Viktor Hygo, pena tragjike që predikoi humanizmin si besim

February 26, 2026 by s p

Albert Vataj/

Më 26 shkurt të vitit 1802, Franca dhe bota, do të priste të vinte në jetë, atë që do të prekte zenitin si poet, dramaturg, novelist, eseist, artist vizual, burrë shteti, atë… Viktor Hygoin, aktivistin e zellshëm të të drejtave dhe lirive të njeriut. Përpos të gjithash mëtoi kunguesin e patëdytë të poetit dhe vazhduesin e spikatun të romantizmit. Ishte dhe mbeti një shëmbëllesë e një penelate tragjike me sharm humaniteti.

Në galerinë e veprës, përcjellim kjartësisht si figurë qendrore njeriun e mitizuar në Sizif. Ngarëndja për të rrëmuar mes rrënojave të kohës, e për të ç’burgosur së andejmi gologotën e mundimshme të njeriut që gjen tek sekush vetveten, e beh atë gjithnjë mes rrëfimtarëve ngadhnjyes. Tipat, karakteret, figura, episode, etapat, datimet dhe rendiet historike, janë jo vetëm lënda e parë e asaj përmendore shtatlartë, por edhe brumi i një doktrine që me romantizmin dhe me emrin e Viktor Hygoit, kërkuan dhe përftuan përjetësinë.

Edhe sot ndërsa matim kohësinë tone, në këtë turravrap të çmendur përnga zdiseku, përgjojmë pa shumë qëmtesë, praninë mes nesh të personazheve që skaliti mendja, zemra dhe pena e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shkullit XIX, këtij dishepulli të njimendtë të romantizmit. Gjatë kësaj kohërendie pakkush ka mbetur jashtë asaj bote ngjethëse që sendërtoi ai me landën e një vullkani. Kurrkush nuk bitisi atë realitet cingëritës, atë univers ku hovtë një mllef dhe si një llavë flatëron gjithëkohësinë e gjëmimeve të brenshme të çdo shpirti. E gjithë kjo për ti dhënë përmasat e qiellit vullnesës për të drejtë dhe liri, dinjitet dhe dashuri. Vepra, personazhet dhe trillet e një ngulmi reagues, u bënë udhërrëfyes të rendjes së gjatë të një kreature letrare të tjetërqyshtë, që do ta ngjiste shumë shpejt të zotin e saj në fronin e famës. Gjithëkjo ka në thelb njeriun, atë brenda dhe jashtë nesh, atë më fatkeqin në kohësinë e vet.

Gjithëçfarë na lidh me Viktor Hygoin, këtë personalitet të letërsisë botërore, është ajo afri delikate e një shpirti rrapëllitës, i një pene tragjike që predikoi humanizmin si fe e gjithëkohësisë. Akti i krijimit, u shugurua prej tij si shërbesa e perëndishme e romantizmit.

Hygo e trajton njeriun në një mënyrë të tjetërsojtë nga sa e kishin mëtuar dhë qenë rrekur mbamëndjet kohore letrare. Veçmas kur gjen shteg dhe depërton në brendinë e tij të mistershme, mëdyshjet që ka njeriu rreth zgjedhjeve në jetë, konfliktin që gjallon në vetëdije, dhe metamorfoza që e përndjek në të gjithë hapat në të gjallë. Ai sheh anën vlertë të qënies, qëllimshëm për të nxjerrë që andej të virtytshmin. Nuk resht së lartësuari shpirtin dhe dhimbjen, ndërgjegjes i jep kahje hyjnore duke e naltësuar dhe himnizuar këtë krijesë si gjithnjë të njëmendtë në mirësi.

Sipas shkrimtarit njeri mund të bëhet i madh, i urtë, i dobishëm për shoqërinë, pavarësisht sesi ka qenë ai më parë. Ai depërton më në thellësi, ndoshta shumë më shumë se kishte mbërritur tjetërkush më heret.

Viktor Hygo krijoi novela dhe poema, të cilat përfshinin çështje të nalta dhe vorbulluese, ato politike dhe filozofike të historisë së asokohëshme. I trajtoi ato me një stil të lartë dhe finesë, dritëpamësi dhe fundament, nuk është aspak i mërzitshëm edhe pse shpesh ndalet në detaje që dlirin dyshimin në trill dhe mishërojnë çdo çast me shkëlqimin e vet të ngrysët dhe trishtimin pikëllues. Gjithmonë në këtë lojë ligjëruese, ka ndopak andje dhe hir për tu përfshirë, gjithëpoaq, ke diçka për të reflektuar mbi atë që trajton me aq mjeshteri Viktor Hygoi. Mjafton vetem një sentencë që ka fuqinë e një bërthame shpërthimi brendie, që të ngas me forcën dhe magjinë e një Circe dhe të përfshijë në vorbullën e përjetimit.

Për formësimin e një botëkuptimi letrar, përvoja me kryeveprat e shkrimtarit të madh, “Njeriu që qesh”, “Katedralja e Parisit” dhe “Të mjerët”, është kryekëput një ndikesë për nga përfundimet dalldisëse, të cilat lënë në gjurmën e kohës dhe në përcjelljen kundruese, gjurmë që drithërojnë. Gjithsesi këto tre vepra, dhe jo vetëm, ishin njëkohësisht dhe pasaporta ndërkombëtare e Hygoit. Mbeten sakaq emblematike për galerinë e shkrimtarit. Njëherash janë realitete letrare që paraprijnë në yshtjen e stuhishme drejt kreut këtë penë. Kohësia e këtyre veprave mëtoi në sentimentet e një qëmtesë kushtruese. Pas personazheve të skalitur me daltën e këtij dimensioni të gjithmonshëm letrar, asohere kur u botuan, sefte, në të tashmen e kohës, kur erdhën në shqip dhe u bënë yshtje e netëve pagjumë, në të sotmen e përgjithkohë, mbeten të jashtëzakonshëm. Kuazimodo, Guinpleni dhe Gavroshi janë të gjithëkohshëm. Kumti i tyre ishte, është dhe mbetet në kohësinë e gjithë shtresime shoqërore, një shkundje nga themelet, një ndërmëndje që udhëton dhe jeton me elemnetin thelbësor të jetësores, njeriun, asohere, tash e në të përgjithmonshmen.

Manteli që veshi këto personazhe është reja e zezë që noton edhe në qiejt modern, duke gërmushur me nervin e hakërrisë paqen e rrejshme sociale, patosin dhe shtrirjen jargavitëse ndjesore. Ai diti dhe ia doli t’i ikte modeleve pështira dhe melankolike që mëkoi shpirtin kumtues të asokohjes së tekstshkruesve. Nuk hezitoi të hidhej në rrapëllimën e kohës, të përballet fyta-fytas me peripecitë, me jetësoren gjithnjë në zgrip të personazheve, për ti shndrruar ato hove në shkëndija të qenësishme të ndryshesave epokale historike. Kreatura shkrimore dhe padyshim thellësisht ndjesore, arritën të mbulonin të gjitha gjinitë letrare, nga lirika tek tragjedia, nga zakonet tek satira politike, nga romani historik e social tek thmelimi i një doktrine, duke ngjallur kësisoj një lloj njëmendësie të patjetërt evropiane.

Filed Under: ESSE

“LUCI DI VERITÀ – ÇMIMI NDËRKOMBËTAR I GAZETARISË ETIKE NË MINISTRINË E KULTURËS (ROMË)

February 25, 2026 by s p

Nga Regina Resta/

Të martën, më 24 shkurt 2026, nga ora 14:30 deri në 18:00, në Romë u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimit Gazetaresk Etik “Dritat e së Vërtetës”, e planifikuar në Ministrinë e Kulturës në sallën Spadolini. Projekti, i promovuar nga Shoqata Kulturore VerbumlandiArt APS me nismën e senatorit Manfredi Potenti, lindi për të vlerësuar një gazetari të aftë që të ndërthurë rigorozitetin, guximin dhe përgjegjësinë etike në një periudhë historike të shënuar nga dezinformimi dhe kriza e besimit në rrëfimin publik.

Çmimi “Dritat e së Vërtetës” nuk paraqitet në konkurrencë me vlerësime të tjera, por si një hapësirë drite, reflektimi dhe mirënjohjeje ndaj atyre që mbrojnë të vërtetën si një të mirë të përbashkët. Konceptimi dhe kujdesi për nismën iu besuan Dr Regina Resta, presidente e shoqatës VerbumlandiArt APS dhe e Çmimit, Dr Maria Pia Turiello, presidente e Komitetit Shkencor dhe zv/presidente e Çmimit, si dhe Dr Mirella Cristina, Deputete Parlamentare në komisionin e Drejtësisë, avokate dhe gazetare si dhe anëtare e Komitetit Shkencor.

Për t’i dhënë autoritet nismës ishte edhe Komiteti i Nderit, i cili përfshin: Nico Spuntoni, Francesco Mura, Francesco Lenoci, Goffredo Palmerini, Roberto Sciarrone dhe Vinicio Leonetti, figura referuese në panoramën gazetareske dhe kulturore.

Ndër të vlerësuarit italianë me Çmimin Ndërkombëtar të Gazetarisë u renditën: S.E. Card. Fernando Filoni, Anna Maria Esposito, Brunella Bolloli, David Parenzo, Giovan Battista Brunori, Giulia Sorrentino, Manuela Sain, Maria Rita Grieco, Marilena Vinci, Massimo Giraldi dhe Silvia Grassi.

Çmimi Gazetaresk “DRITAT E SË VËRTETËS”

seksioni i gazetarëve të huaj, të propozuar nga promovuesja kulturore ndërkombëtare Angela Kosta, përfshin: Aleksandër Çipa (Shqipëri), Alketa Gashi Fazliu (Kosovë), Tarana Turan Rahimi (Azerbajxhan), si dhe Marinellys Tremamunno (Venezuelë), duke konfirmuar profilin gjithnjë e më ndërkombëtar të nismës.

Hapësirë e gjerë iu kushtua edhe brezave të rinj, me të rinjtë e vlerësuar Angelo Baracco, Antonio Errigo, Federica Tomasello dhe Mulengezi Adolphe Mihingano, në mbështetje të talentit në rritje dhe të një gazetarie të përgjegjshme e cila sheh me dinjitet drejt së ardhmes.

Vlerësimet e dorëzuara gjatë ceremonisë janë vepra origjinale dhe unike të artistit nga Salento, Tommaso Filieri (Galatone, Lecce), të realizuara me dorë dhe të konceptuara si simbolë autentikë dhe të papërsëritshëm të vlerës etike të profesionit.

Roma, zemra institucionale dhe kulturore e vendit, mirëpriti Çmimin Gazetaresk Etik “Dritat e së Vërtetës” në një seli me vlerë të lartë simbolike si Ministria e Kulturës, duke forcuar lidhjen midis informacionit, përgjegjësisë qytetare dhe trashëgimisë demokratike.

Të gjitha mediat e ndoqën nismën me vëmendje, duke i njohur vlerën kombëtare dhe ndërkombëtare në promovimin e një gazetarie të ndërgjegjshme, të lirë dhe të orientuar drejt së mirës së përbashkët.

Salla Spadolini, e vendosur brenda Ministrisë së Kulturës (MiC) në Romë, mban emrin e Giovanni Spadolini, historian, gazetar dhe politikan italian, themelues dhe Ministri i Parë për Pasuritë Kulturore dhe Mjedisore në vitin 1974.

Ministria simbolizon lindjen e dikasterit, i ndarë nga Ministria e Arsimit Publik, për të mbrojtur në mënyrë të pavarur trashëgiminë kulturore dhe mjedisore italiane. Spadolini, si historian dhe njeri i kulturës, e konceptoi Ministrinë jo si një institucion burokratik, por si një përkushtim ndaj mbrojtjes së trashëgimisë artistike dhe historike italiane, duke e konsideruar atë si një pasuri të gjallëruese dhe lëvruese për vendin.

Përktheu: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare.

Filed Under: ESSE

20 Shkurti i 35 viteve më parë…

February 21, 2026 by s p

Agim Baçi/

20 Shkurti i 35 viteve më parë, sidomos për ne që e kemi përjetuar si një nga ato ngjarje që do spërkaste me ngjyra shprese errësirën e gjatë nën komunizëm, na dha idenë se e keqja s’mund të na merrte sërish përdore. Madje 20 Shkurti, më shumë se gjithçka, duhej të ishte një datë kujtese për të besuar se një popull mundet gjithnjë të zgjohet e të dëbojë të keqen, sado e madhe të jetë ajo. Por, të gjithë e dimë se nuk ishte aspak e lehtë kjo përballje me të keqen gjatë gjithë këtyre viteve. As sot, edhe pse dimë shumë të vërteta për atë sistem çnjerëzor, duket qartë që nuk është e lehtë rruga për të pranuar të vërtetën e dhimbshme, apo, guximi për t’u penduar.

Ne që e kemi jetuar atë kohë, ato ngjarje, e kujtojmë faktin se, pavarësisht shumë ngjarjeve që kishin ndodhur në disa vende ish komuniste, sidomos në Rumani ku u vra publikisht Çaushesku, sërish në Shqipëri kishte shumë frikë për të kërkuar ndryshim. Dhe pikërisht këtu nisin pyetjet, pasi shumë nga ata, të cilët sistemi i kish formatuar në modelin vrastar- pra përfituesit e atij pushteti dhe ai që njihej si “Njeriu i Ri”-, ishin gati ende të bënin krimet që u kërkoheshin në emër të mbrojtjes së sistemit duke mos dashur e besuar se ai po rrëzohej. Dhe ky kriminalizim i thellë vjen qartë kur faktet dhe dëshmitë tregojnë se në kufi janë kryer vrasje makabre edhe pasi kishin ndodhur ngjarjet e hyrjes në ambasada më 2 Korrik 1990 apo Lëvizja e Studentëve në Dhjetor ’90. Pra kanë ndodhur krime edhe kur ishte më se e qartë se nuk do kish kthim pas në atë sistem.

Mungesa e dekomunistizimit, mangësia e muzeve të hapura për krimet në diktaturë apo mosndryshimi i teksteve të historisë, i lanë hapësirën nostalgjikëve të kohës së diktaturës të shprehnin adhurim për atë kohë. Një nostalgji djallëzore pasi në mënyrë gati krimiale u kërkuan të harroheshin dëshmitë kur shqiptari që mendonte ndryshe vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me uri, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me zhveshje lakuriq në netët e ftohta, ose i lidhur në shtylla mes acarit. Gjyqet e munguara ndaj atij sistemi, ose më saktë, mungesa e një studimi për madhësinë e së keqes që kish mbjellë ai sistem, bënë që në shoqërinë shqiptare të rikthehej gjatë këtyre viteve tranzicioni ridiskutimi për “të mirat dhe të këqijat e komunizmit”, të cilat, në thelb, janë formë e talljes së hapur me shqiptarët, pasi janë vazhdimësi e kënetës të së keqes.

Nobelisti lituanezo-polak, Çesllav Milosh, që ka shkruar një nga rrëfimet më interesante për devijimin njerëzor nën udhëheqjen komuniste, ku kish kaluar edhe vetë disa vite në bashkëpunim me ta, e quante “mendja e robëruar” mendjen e prodhuar nga autocensura që pësojnë njerëzit nën një diktaturë. Një autocensurë që e ndjejmë edhe sot kur flitet pak për gjërat që duhet të thuhen me zë të lartë për të vërtetat e shoqërisë.

Dhe në fakt, të gjitha llojet e diktaturave, kanë armën më të fortë autocensurën, atë frikën e njeriut për t’u dalë përballë të vërtetave. Ajo që Milosh e ka thënë për shoqërinë polake dhe për shumë shoqëri të tjera që ishin nën diktaturat komuniste, natyrisht që për Shqipërinë vlen me disa marshe më të larta se në ish-vendet e tjera komuniste në Europë, për shkak se diktatura shqiptare rezulton të ketë qenë më mizorja.

E megjithatë, shumica e atyre shoqërive që kaluan sistem të ngjashëm me Shqipërinë arritën të pohojnë me zë të lartë humbjen e vetvetes gjatë diktaturave që kaluan duke zgjidhur kështu edhe mjaft nga enigmat e deformimit të njeriut. Ndërsa ne, si shoqëri, nuk bëmë asgjë më shumë se sa struci, që fsheh kokën para të së vërtetës. E tashmë, shkelmat e mungesës së guximit për të vërtetën, e mungesës së guximit për të pohuar atë regjim antihuman, vijojmë t’i ndjejmë në përditshmërinë tonë. E do t’i ndiejmë për aq kohë sa nuk do guxojmë të pranojmë të vërtetën e asaj që ndodhi me qytetarët e këtij vendi.

Filed Under: ESSE

Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë

February 20, 2026 by s p

Dr. Atdhe Hetemi

Drejtori Ekzekutiv IKKL/

Pavarësia e Kosovës është fryt i një rrugëtimi të gjatë, të shënuar nga padrejtësi dhe vuajtje, por edhe rezultat i qëndresës, sakrificës dhe mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë. Prandaj, kujtesa dhe reflektimi shkencor mbi të kaluarën mbetet element thelbësor i vetëkuptimit të shtetësisë, dhe përgjegjësisë sonë ndaj brezave të ardhshëm. Konferenca e parë ndërkombëtare e Institutit vendosi bazë të fortë për dialog shkencor mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, shkëmbim idesh dhe përballje me fakte. Ajo kulmoi me një rezultat të rëndësishëm akademik: vëllimin e redaktuar me punime shkencore, i cili është pranuar për botim nga shtëpia prestigjioze botuese Routledge, në kuadër të serisë South East European Studies. Ky botim konfirmon vlerësimin e standardeve shkencore të punës sonë, si dhe dëshmon që përvoja e Kosovës po zë vendin e merituar në diskursin akademik ndërkombëtar mbi luftën, drejtësinë tranzicionale dhe kujtesën kolektive.

Duke u mbështetur në këtë arritje, edicioni i sivjetmë, i titulluar “From War to Recovery: A Multidisciplinary Approach Towards Kosovo’s War Trauma”, shënon një fazë të re të konsolidimit institucional dhe pjekurisë akademike të IKKL-së. Kjo konferencë është vazhdimësi e një tradite në zhvillim e sipër dhe dëshmi e përkushtimit tonë për ta thelluar dialogun shkencor, e për ta zgjeruar perspektivën e hulumtimit mbi krimet e luftës. Diskutimet që do të zhvillohen gjatë këtyre tri ditëve synojnë të ofrojnë analiza të thelluara, qasje ndërdisiplinare dhe reflektime kritike mbi pasojat afatgjata të luftës, jo vetëm si përvojë historike, por edhe si realitet që vazhdon të ndikojë jetën e individit, strukturën shoqërore dhe proceset e shtetndërtimit.

Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se puna e IKKL-së nuk kufizohet vetëm në mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve arkivore.

Por, misioni ynë është gjithashtu të ndërtojmë baza njohurish të verifikuara, të besueshme dhe të përdorshme, që shërbejnë si themel për hulumtime akademike, për hartimin e politikave publike, edukim e brezave të rinjë dhe forcimin e kujtesës institucionale të Republikës së Kosovës. Instituti ynë funksionon si hapësirë e pavarur kërkimore, e mbështetur në standarde të larta ndërkombëtare të metodologjisë shkencore, që adresojnë nevojat lokale dhe ruajnë integritetin shkencor duke e vendosur të vërtetën dhe profesionalizmin në qendër të çdo procesi.

Andaj sot, arkivi i IKKL-së është shndërruar në pike referimi që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm si për studiues vendorë e ndërkombëtarë, ashtu edhe për institucionet e drejtësisë. Edhe kjo konferencë është dëshmi e këtij rrugëtimi dhe e besimit që po ndërtohet rreth punës sonë dhe zhvillimit të saj të vazhdueshëm.

Punimet që do të prezantohen gjatë ditëve në vijim janë përzgjedhur përmes një procesi rigoroz akademik dhe pasqyrojnë qasje historike, politike, juridike, sociologjike e psikologjike ndaj traumës së luftës dhe procesit të rimëkëmbjes. Në këtë mënyrë, konferenca jonë synon që të dokumentojë të kaluarën dhe të kontribuojë në prodhimin e njohurive të reja, të krahasueshme në nivel ndërkombëtar. Andaj, shpreh mirënjohjen time për redaktorët e vëllimit shkencor që do të pasojë nga kjo konferencë, Prof. Catherine Althaus (University of New South Wales, Sydney) dhe Prof. Blerina Këllezi (Nottingham Trent University), për angazhimin e tyre profesional në garantimin e cilësisë së këtij procesi.

Të nderuar të pranishëm,

Ballafaqimi me të kaluarën përveç se detyrë morale, është edhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë. Andaj diskutimet që do të zhvillohen këtu, veç vlerës së theksuar akademike, pritet të kenë edhe rëndësi shoqërore dhe zhvillimore. Trajtimi i traumës dhe ndërtimi i paqes nuk mund të realizohen pa dokumentim të bazuar në fakte, pa ndjeshmëri ndaj viktimave dhe të mbijetuarve, si dhe pa përgjegjësi institucionale. Janë pikërisht këto parime që qëndrojnë në themel të punës sonë dhe i japin kuptim kësaj konference.

Në përmbyllje, falënderoj ekipin e IKKL-së për përkushtimin dhe punën e palodhur në organizimin e këtij aktiviteti. Falënderoj, po ashtu, Zyren e Kryeministrit dhe partnerët tanë institucionalë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe secilin prej jush që keni zgjedhur të jeni pjesë e kësaj konference. Jam i bindur se na presin diskutime të frytshme, që do të japin kontribut të rëndësishëm në avancimin e dijes, forcimin e drejtësisë dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT