Mesazhi i percjelle nga Imam Edini Gjonaj ne darken festive te 103 vjetorit te pavaresise se Shqiperise, organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikes dhe Bashkesia Shqiptare ne Nju Jork, ku ishin te pranishem te tre besimet fetare/Sonte, pas 103 viteve nga pavarësia e shtetit tonë, të gjithë qëndrojmë të bashkuar pranë flamurit tonë: i madh dhe i vogël, në Shqipëri dhe jashtë saj, mbi Shkumbin dhe nën të, të Krishterë dhe Myslimanë: të gjithë një gjaku dhe një gjuhe, një zemre dhe një qëllimi.Sot qëndrojmë krenarë si shqiponja dykrenore që ruajtëm substancën e kombit tonë fisnik, gjuhën tonë të lashtë dhe të ëmbël gjatë gjithë shekujve të qenies tonë …Krenarë përpara historisë së pastër si loti, për duar të papërlyera, për faqe të bardhë me të cilën serbes mund ta shikojmë çdo popull në sy…Por mbi të gjitha krenarë për një të vërtetë të madhe që e kam për borxh ta theksoj sonte dhe përherë: për mirëshkim dhe dashuri vëllazërorë ndërfetar (e jo kurrësesi tolerancë), që në këtë kohë kaosi dhe rrëmuje, na bën që të jemi shembull ekzemplar për mbarë planetin.Më kujtohet Imami dhe mësuesi im zoteri Rexhep Lika kur më fliste për fshatin tonë, Këllezën, në Anë të Malit, pjesë e komunës së Ulqinit (përndryshe fshati në të cilin ka lindur përkthyesi i parë i Biblës në tërësi, Dom Simoni Filipaj) për një rast shembullorë. Ishte ajo kohë, më thoshte ai, kur akoma fshatarët e Këlleznes së Poshtme nuk kishin asnjëfarë ore (sahati), ndërkohë që prifti i katundit kishte orë. Atëherë prifti lajmëronte fshatarëve mysliman përmes kambanave kur ta ndërpresin ushqimin dhe ta fillojnë agjërimin në agim (syfyr) gjatë muajit të Ramazanit. Por në anën tjetër, ku si në Shkodër mund ta gjeni dikë si Myftiun e saj, i cili mu në mes të fjalimit të Bajramit, që është fjalimi më solemn në vit për myslimanët, ta ndërpresë fjalimin mu në respekt ndaj kambanat e Kishës.Gjestet e vogla për nga veprimi, por të mëdha në domethënia. Gjeste që dolën natyrisht dhe pa asnjë teklif nga zemërgjerësia e Shqiptarit.Prandaj, e them sonte dhe përherë, Shqipëria e jonë është në këtë pikëpamje sikur diamanti:– Unike dhe fisnike në substancë,– Reflekton ngjyra të ndryshme kur drita përthyhet nëpër të, prandaj edhe kemi divergjencë fetare e cila asaj i jep vetëm bukuri e hijeshi dhe na pasuron si komb.– Dhe diamantin kush përpiqet që ta thyejë, në fund do ta thyej veten e vet.Më në fund:I lutem Zotit:Ta bekojë Shqipërinë, Kosovën dhe popullin Shqiptarë kudo që të jetë,Ta bekojë Vatrën tonë,Ti bekojë SHBA, këtë tokë dhe popull, për të cilën Zoti e lidhur fuqishëm fatin tonë si komb dhe si shtet dhe të gjithë aleatët tonë.Urime Përzemërsisht Festa e Pavarësisë!
Urimi i Familjes Mbretërore
Familja Mbretërore ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e 103-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë!/MESAZHI: Shqiptarë, kudo që ndodheni! Motra dhe vëllezër!
Motra dhe vëllezër!
Duke uruar njëri-tjetrin për festën tonë më të madhe dhe duke iu gëzuar arritjeve të përbashkëta, me dëshirë të madhe në zemër, duhet të mendojmë si të përmirësohet më tej jeta e shqiptarëve dhe të lartësohet edhe më shumë emri i kombit.
Festa jonë e madhe është rast i mirë për të reflektuar edhe për vështirësitë e jetës së shqiptarëve të thjeshtë, edhe për zbehjen e shpresës për të ardhmen, e në veçanti për largimin tronditës të shqiptarëve drejt vendeve të tjera.
Është rast i mirë për të reflektuar edhe për plagët e rënda nga të cilat vuan shoqëria shqiptare. Kriminaliteti, korrupsioni dhe trafiqet, janë fenomene të cilat shqiptaret nuk i meritojnë, ndaj duhet t’i refuzojmë me forcë dhe t’i luftojmë bashkërisht.
Po ashtu, nuk i meritojmë dhe nuk duhet të pranojme krizat politike në trojet tona, sepse ato përveç se pengojnë reformat e nevojshme, dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të vendeve tona dhe jetesën e qytetarëve. Mbi të gjitha thellojnë krizën e besimit ndaj politikanëve, pushtetarëve dhe institucioneve, rrezikojnë proceset demokratike dhe ardhmërinë tonë. Ato dëmtojnë aspiratat europiane të shqiptarëve, raportet tona me partnerët ndërkombëtarë, stabilitetin dhe balancat me fqinjët dhe vendet e rajonit.
Shqiptarë, kudo që ndodheni! Motra dhe vëllezër!
Dëshiroj t’i bëj thirrje dhe të inkurajoj klasën politike të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zgjidhjen, pasi të ketë nxjerrë mësimet e duhura: për humbjen e rastit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO; për çështjen e ashtuquajtur “Zajednica”; për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Kosovën Lindore; për mosvënien në zbatim të përcaktimeve të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni; dhe, po ashtu, për pritjen pa fund të shqiptarëve të Çamërisë për rimarrjen e shtëpive dhe pronave të etërve dhe gjyshërve.Megjithatë duhet të jemi optimistë, sepse shqiptarët kanë fuqi dhe rezerva të pafundme për t’i përballuar me sukses të gjitha sfidat, ashtu siç kanë dhënë prova në të gjitha etapat e historisë sonë, madje edhe në kohërat shumë më të vështira të diktaturës komuniste.
Këto janë probleme me të cilat po përballemi, sa për shkak të gabimeve tona të së tashmes, aq edhe prej padrejtësive të së kaluarës ndaj kombit shqiptar.
E ndërsa kemi përqafuar vlerat europiane të demokracisë dhe po ecim në rrugën e integrimit, ne shqiptarët kemi shansin historik t’i dhurojmë Europës së kërcënuar dhe sulmuar nga terrorizmi, shembullin më të shkëlqyer në botë të bashkëjetesës fetare.
Duke u përulur me nderim para secilës prej trashëgimive e traditave fetare të shqiptarëve, dhe harmonisë fetare si kontribut dhe trashëgimi e përbashkët e të gjitha feve, shqiptarët duhet të promovojnë dhe përforcojnë këtë vlerë të jashtëzakonshme.
Paqja dhe prosperiteti kalojnë edhe nëpërmjet njohjes, respektit dhe dashurisë ndaj të tjerëve, prandaj nuk duhet të pranojmë ndërhyrje të jashtme që na dëmtojnë.
Motra dhe vëllezër!
Familja Mbretërore ju bën thirrje kudo që ndodheni, të bashkoni forcat dhe përpjekjet në interes të vendit dhe kombit, për të lartësuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar i bashkuar!
Princi Leka II
Atdheu ynë Shqiperia
Nga Anton CEFA/
Atdheu është toka jonë, trojet tona, trojet e dheut, trojet e shpirtit, trojet e gjakut, trojet e frymës, trojet e gëzimit, trojet e dhimbjes; të dhimbjes nga dashuria, të dhimbjes nga vuajtja, të dhimbjes nga dhimbja.
I kemi dhënë dy emra, emrat e prindit: atdhe dhe mëmëdhe, dheu i babait, dheu i mëmës, prindit që na lindi, prindit që na rriti.
E kemi quajtur Shqiperi, në emër të shpendit mbretëror. Shqiperi e madhe, Shqiperi e vogël, Shqiperi e malit, Shqiperi e fushës, Shqiperi e pasur, Shqiperi e varfër, Shqiperi e mendjes, Shqiperi e zemrës.
“Shqiperi, moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime.
Shqiperi, të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë.”
Shqiperi, ky dhe i shtrenjtë, kjo lëndë e shenjtë, ky det i hapët, ky qiell i kaltër.
Shqiperi, ti shpirti im; Shqiperi, ti zemra ime; Shqiperi, ti jeta ime; Shqiperi, ti varri im.
Shqiperia ime, Shqiperia yte, Shqiperia jonë, tokë e larë me gjak, e mbruajtur me djersë. Pjellë e një historie të shqetësuar, hapësirë e copëtuar nga mëria, e nëpërkëmbur nga smira, e yshtur nga urrejtja.
Shqipëri, ti kështjellë e heroizmit mitik, muranë lavdie shekullore.
Historia të dha dy data: atë të 28 Nëntorit 1443, dhe atë të 28 Nëntorit 1912, datën e Heroit të Shpatës e të Lirisë, datën e Burrit të Shtetit e të Pavarësisë.
Shqiperi, jemi bijtë e tu të patjetërsueshëm, bijtë e dashurisë, bijtë e kënaqësisë, bijtë e vuajtjes, , bijtë e dhimbjes, bijtë e lavdisë, bijtë e krenarisë.
“Na jem’ bijt e nji fisi t’permendun
N’dorë qi i shndriste si rrfeja çeliku
Qi e qestisë veç tu’ u dridhun anmiku
Qi t’tanë bota kah besa e nderon.”
Jemi popull i lashtë, i lidhur ngusht me tokën tonë jo prej shekujsh, po prej mija vitesh.
Kur jemi afër, të shohim me sy, të prekim me dorë, të puthim me buzë; kur jemi larg, të shohim me mall, të prekim me afsh, të ndjejmë me dhimbje.
Shqiperi të duam, ti je shpirtësuar në qenien tonë, në dheun e zemrës sonë, në qiellin e shpirtit tonë. Te ky shpirtësim, na vegon drita e misionit tonë, misionit të dëshirës, dëshirës së vullnetit, vullnetit të veprimit, veprimit të flijimit. Flijim, kjo dritëz e kaltër ndriçimi qiellor!
* * *
Reflekse të 28-ës
Festa e 28-ës na përndizet të gjithëve me një hov të fuqishëm ndjenjash që trazojnë zemrën e çdo shqiptari dhe zgjojnë një mori refleksionesh.
Një zjarr dashurie për tokën tonë, për fjalën, për frymën na përflak, një etje e pashuar, e përgjithmonshme, e të gjitha brezave për lirinë na dëshirohet, një dell manifestues krenarie për lavdinë e bëmave të dikurshme na vezullon në sy e në ballë, një dhimbje e thellë për fatkeqësitë e panumërta na shtrëngon në gjoks; të gjitha të plazmuara në palat e atij Flamuri të shenjtë, para të cilit qëndrojmë në këmbë, në më të bardhën ditë të kohëve të reja të kombit tonë-në Ditën e Madhe të 28-ës.
U ngrit, së pari, në epopenë më të lavdishme të popullit tonë, në dorën e Skënderbeut, për të zëvendësuar flamujt përçarës të principatave, duke mishëruar vullnetin e një prijësi dhe gjakimin e një populli, që nuk pranon të nënshtrohet.
Ai u ngrit për t’i dhënë qenies sonë një frymë harmonie, vetëdijes shqiptare një parim kombësie, ndjenjës popullore një shkëlqim vëllazërie, vullnetit tonë një forcë bashkimi.
Sado që 500 vitet turke u përpoqën ta hedhin atë në hauret më të errta të kujtesës kombëtare, ai shkëndijoi gjithnjë në kraharorët shqiptarë dhe u ngrit herë pas here nga duar kryengritëse, që nuk munguan kurrë, deri në Ditën e Bardhë të 28-ës, kur Plaku i Kombit e fisnikëroi në Vlorë, duke e qarë me lot gëzimi e malli, dhimbjeje e përkushtimi.
Ai qe lartësuar më parë në Prizren, qe përgjakur në Deçiç, dhe në ditët tona shkëlqeu në Prishtinë.
Në këmbë përpara asaj pëlhure të kuqe me shkabën e zezë, “lagur me lot, djegur me flakë”, përjetojmë edhe refleksione tejet të dhimbshme, kur e kujtojmë të rënduar e të përdhosur nga simbolet e huaja të gjysmëhënës, spatave të Liktorit dhe yllit gjakatar të internacionalizmit proletar pansllavist.
Qëndrojmë më këmbë me nderim të thellë, në atë Ditë të Madhërishme, para asaj pëlhure të kuqe me atë shpendin e zi, zemërak për padrejtësitë, përbuzës ndaj shovinistëve, mospërfillës ndaj ksenofobisë së huaj, kërcënues për armiqësitë, por zemërhapur për miqësitë dhe krahështrirë kurdoherë për të përfshirë dhe mbrojtur të gjithë bijtë e tij.
E kush nuk shpirtësohet në vetëdijësimin e atij simboli identifikues që të prushit në gjak shqiptarësinë, duke na yshtur të ripërtërijmë me vlera më të freskëta trashëgimitë tona të gjakut, ato që janë më të denja për ngjyrat e këtij Flamuri të magjishëm, të përtërijmë përvojat tona, ato më të fismet, që i bëjnë nder atij, të këndellim vullnetin tonë këmbëngulës për të shmangur ndasitë e ushqyera nga të gjitha izmat e hisës së zezë të shpirtit tonë, që fatkeqësisht na e fali natyra!
E kush nuk tronditet për ditët e bardha, sado të pakta, të valëzimit të tij në fllade lirie ngazëlluese !
E kujt nuk i dhembin plagët që hoqi e heq ai stinë pas stine, dikur dhe sot ! E kush nuk gazmohet nga një vizion plot shkëlqim dëshirak i së ardhmes së këtij Flamuri, që pau aq pak ditë të bardha !
E kush nuk akullohet e ngrin menjëherë porsa refleksioni të zbresë me këmbët në tokë dhe të prekë me duar të sotmen!
Mungesë e plotë parimësie në politikë, mohim idealesh kombëtare, luftë e paprinciptë për sundim, etje e çmendur për pasurim, lojë e ndyrë pushtetarësh mbi kurrizin plagë të një populli, mjerim e varfëri, krim e korrupsion .
Por, edhe në këto ditë të vështira, që po kalon vendi, në Ditën ogurmire të 28-ës, gjithsesi, kur ndodhemi para tij, shpresa na përkëdhel dhe besimi na forcohet, mendja na e thotë dhe zemra na e ndjen që ky Flamur i shenjtë, me shtizën të ngulur thellë në zemrën e kombit, do të valëvitet triumfues në përjetësi, se
“Zoti vetë e tha me gojë,
që kombe shuhen përmbi dhe,
por Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne.”
Katёr Shqiptarёt nё Amerikё dhe Pavarёsia e Shqipёrisё
NGA ENKELA VEHBIU/
Pranverё 2001. Zilja ra gjatё nga ana tjetёr e telefonit. Mё nё fund njё burrё I nxehur mu drejtua nё shqip – çfarё don? I kthehem po shqip mora tё konfirmoj orёn. U ndje keq, mё kёrkoi nё anglisht falje pёr tonin, dhe qeshi me tё madhe. Nё qytetin universitar tё Las Krusesit nё jug tё Nju Meksikos njihja vetёm njё vajzё shqiptare. Njё ish profesor I universitetit dhe tenist I zoti, me prindёr nga Korça, kish dёgjuar pёr ne tё dyja dhe na ftoi nё shtёpinё e tij pёr darkё. Atё pasdite familjen e profesorit e kishin shqetёsuar mjaft telefonatat e telemarketingu saqё ai I kish sugjeruar tё birit ti drejtohej telefonatёs sё radhёs nё shqip. Unё isha telefonata e radhёs.
Vec sё qeshurёs sa herё qё e kujtoj, ai moment mё ngjall dhe kёrshёri – njё njeri i shkolluar, lindur e rritur ne SHBA, ende ruante brenda vetes pak Shqipёri. Si ka mundёsi? Çfarё na bёn shqiptarё? Çfare na bёn krenarё? A i pёrkasim njё trualli? A e kultivojmё identitetin shqiptar? Literatura ёshtё e shumtё, por po e lё mёnjanё sot. Pyetjet e mia, aq mё tepёr nё kёtё prag pamvarёsie, u ula ti ndajё me dy çifte – dy shqiptarё tё Shqipёrisё dhe dy shqiptarё tё Kosovёs, katёr shqiptarё tё diasporёs.
Shqiptarёt e Shqipёrisё
Burrelasit Melida dhe Dilaver Gasa flasin qetё. Tё trashёguar me tre femijё dhe gjyshёr tё njё mbese, ata u vendosёn nё Omaha, Nebraska 13 vjet mё parё. Nё njё shtёpi tё rehatёshme nё zemёr tё Amerikёs, futesh dhe brenda gjen Shqipёrinё. Foto tё Burrelit, pllaka tё Skёnderbeut, Durrёsit dhe Krujёs zbukurojnё muret e lyera kёndshёm, ndёrsa nga ekrani tingujt e shqipes mbushin shtёpinё sa mё duket se vajza Matiane prej porcelani e vendosur pranё televizorit me zor pret t’ia marr valles. Me emocion Melida dhe Dilaveri mё pёrshkruajnё ndjesinё e tyre.
Festa e flamurit nё Shqipёri mё thonё kurrё nuk rroku zemrёn. Edhe pse nё mendimin e tyre ёshtё festa mё rёndёsishme ajo nuk u ndje si e tillё asnjёherё. Te dy pjesёn mё tё madhe tё jetёs e kanё kaluar nё Shqipёrinё e kuqe, dhe si traditё, mё 28 nёntor anёtarёt e komitetit tё partisё mbanin njё fjalim nё qendёr tё qytetit, ndёrsa mё 29, vendosnin kurora tek varrezat e dёshmorёve, tё ndjekur nga femijё. Nё pёrvjetore shton Dilaveri shkohej dhe festohej dhe nё Vlorё. Qytetin e mbajnё mend tё zbukuruar me flamuj. Vetё nuk kanё pasur kurrё flamur nё shtёpi, ndёrsa himnin kombёtar e dёgjonin dhe kёndonin shumё rrallё. Festa asnjeherё nuk u pa si festё mё thonё, por si ditё pushimi. Nё mёndje shёnoj – pamvarёsia nuk arriti kurrё tё rrokё qelizёn e shoqёrisё shqiptare. Identitet I pazhvilluar. Dita e flamurit – thjesht njё datё pa emocion.
Gjёrat ndryshuan kur erdhёn kёtu dhe vetёm nga njё shkak – malli pёr mёmёdhe. Flamurin e festojnё çdo vit, dhe Melida 56 vjeçare, kujton 100 vjetorin e pavmarёsisё. Vura njё flamur tek dera mё thotё, I ndoqa nё televizor tё gjitha festimet dhe qaja sa nga gezimi ashtu dhe nga mёrzija. Doja tё isha atje. Ndёrsa Dilaveri, 57 vjeçar, shton se sa mё shumё moshohet aq mё shumё mallёngjehet. Nuk mё mallёngjejnё vdekjet mё thotё, por ngjarjet positive dhe ndodhitё njerёzore, ato po. 100 vjetorin e pamvarёsisё tregon ta ketё ndjerё shumё, por jo aq sa pamvarёsinё e Kosoves. Nё kёmbё pёrgjatё gjithё kohёs sё leximit tё deklaratёs nё parlament kujton lotёt qё pa kontroll I mblidheshin tek mjekrra. Eshtё fitore e madhe thotё – Kosova e lirё.
Shqiptarёt e Kosovёs
Fortesa dhe Gazmend Ademi, tё dy nga Ferizaj, mbёrritёn nё Omaha nё verёn e ’99-ёs. Tё rinj siç ishin me vetёm 17 dhe 21 vite mbi supe seicili, ankthi i kish pushtuar tek uleshin nё Omaha. Gazmendi biles kishte menduar si tё gjente ca kartona dhe tё ndёrtonte njё strehёz pёr tё kaluar natёn. Pak e dinin qё nё aeroport I pritnin jo vetёm njerёz, por dhe kamera tё televizioneve lokale. Ardhja e refugjatёve tё luftёs sё Kosovёs bёri bujё nё edicionet e mbrёmjes. Tё nesёrmen telefoni I sponsorizuesit, personit qё I strehoi, ra pёr Gazmendin. Genc Gjoca, nje shqiptar I Tiranёs I foli shqip. “Vdes e shkoj dhe atё telefonatё dhe njeri nuk e harroj,” thotё Gazmendi, ndёrsa lufton me lotёt qё I veshin sytё. Jo vetёm se ishte hera e parё qё dёgjonte shqipe tё pastёr por mbi tё gjitha siguria qё I dha prania e njё shqiptari. Siç thonё tё dy, njё shqiptar I Shqipёrisё ёshtё respektuar gjithnjё ashtu siç respektohet njё vёlla I madh nga njё shqiptar I Kosovёs. Tё dy djem tё njё nёne – Shqipёri.
Epike – vetёm kёshtu mund ta perkufizoj forcёn e ndjenjёs sё te rinjve pёr atdhe, qё sot janё qytetarё amerikan, tё trashёguar me tre femijё dhe tё rehatuar si mos mё mirё nё dheun e ri. Fortesa kujton ta kenё festuar pamvarёsinё nё shkolla me programe artistike. Ana zyrtare ishte shumё e vakёt – nuk kishin tё drejtё tё festonin, por brenda shtёpisё ndjenja rrihte fort. Vatёr dhe flamur. Dasёm dhe flamur. Shtёpi e re dhe flamur. Kёngё dhe Shqipёria nёna jonё. Fjalim dhe Shqipёria nёna jonё. Shqipёria, shqiptarёt, flamuri – tё gjitha sё bashku njё mburrje pajustifkim siç e pёrshkruan Gazmendi – e ngulur thellё nё qelizёn e shoqёrisё Kosovare.
Kater Shqiptarё tё Diasporёs
Dilaveri e pёrgjithёson shpejt marrdhёnien e shqiptarit te Shqipёrisё me atё tё Kosovёs – nё Shqipёri ne kemi vuajtur pёr bukё, ata nё Kosovё kanё vuajtur pёr flamur. Ndaj, as ne nuk I kuptojmё plotёsisht ata, dhe as ata ne. Nga kjo qasje mundesh ti japёsh shpjegim edhe tё pёrbashkёtave dhe ndryshimeve qё katёr shqiptarёt vёnё re tek njёri tjetri.
Gjuha bashkon. Fortesa mban mend tё jetё rrёnqethur herёn e parё qё ka dёgjuar shqipen standarte. Gazmendi e pёrforcon. Nuk ia njihnin tingullin. Nё fshatra lart nё kodёr edhe I kapnin valёt e TVSH-sё, nё qytet veshin e kishin tё pa vrarё me gjuhёn. Por shqipja edhe ndan. Melida vё nё dukje vёshtirёsinё. E kam pasur dhe vazhdoj nё disa rast ta kem tё vёshtirё t’ia kuptoj tё folurёn. Fortesa ka mё pak, por ende has probleme nё bisedat telefonike. Por ndryshimi I madh vjen nё konsideratёn pёr njёri-tjetrin.
Fortesa flet me respekt pёr dёshirёn e shqiptarёve tё Shqipёrisё pёr shkollim dhe vendin e gruas nё familje. Ne jemi prapa shton ajo. Gazmendi ka vёnё re se janё mё tё hapur. Kosovarёt sipas tij nuk ta thonё kurrё atё qё mendojnё aq hapur. Por lёndime dhe ka. Fortesa ёshte çuditur qё nuk e ka dёgjuar deri vonё fjalёn Kosovё nё asnjё kёngё tё Shqipёrise. Kёta nuk paskan menduar fare pёr ne – kujton Fortesa ti jetё drejtuar Gazmendit, I cili pёrpiqet ta qasё nga ana tjetёr situatёn. Ne kemi pritur mё shumё thotё ai sepse nuk kemi ditur fare pёr vuajtjet tuaja. Dhe sot e kёsaj dite nuk munden ta imagjinojnё jetёn nё Shqipёrinё e kuqe. Nuk e shprehin, por kam ndjesinё qё nё pёrgjithёsi kanё pёrjetuar njё far harrese nga vёllai I madh. Megjithatё, siç thotё Gazmendi, njё shqiptar I Kosovёs nuk e ul kurrё njё shqiptar tё Shqipёrisё.
E pёrbashkёta e dy shqiptarёve ёshtё mё e lehtё. Fortesa menjeherё rreshton thashethemen dhe qesh. Gazmendi e plotёson listёn me mikёpritjen, tё njёjtёn gjё qё rreshton dhe Melida. Tё dy palёt ndjejnё tё mos I pёrkasin plotёsisht mё as Kosovёs dhe as Shqipёrisё. Jemi si goca – shton Dilaveri I cili ka nje aftёsi tё kёndёshme pёr ti kufizuar situatat thjesht – martohet, shkon me bujt tek baba dhe pas pesё ditёsh dёshiron tё kthehet nё folenё e vet. Nuk na gjehet karari me njё fjalё – plotёson Melida.
Pamvarёsisht se nuk ndjejnё ti pёrkasin vendeve tё tyre si mё parё, pa ngurrim tё thonё se ёshtё koha pёr njё shtet tё vetёm shqiptar. Gazmendi, I cili I mban tё dy flamujt nё shtёpi, I kupton intelektualёt dhe nё mёndje u jep tё drejtё pёr tё gjitha ç’ka kanё kundra njё shteti tё pёrbashkёt. Me shprit ama – jo. Nё zemrёn e çdo shqiptari tё Kosovёs ёshtё dёshira pёr bashkim thotё ai. Ndjenjёn e shqiptarisё e kanё kaluar dhe tek fёmijёt, te cilёt tё dy palёt I kanё rritur tё jenё krenarё qё janё shqiptar. Po pёr çfarё tё jenё krenarё?
Fortesa pёrmend gjuhёn dhe historinё. Gazmendi flet me mburrje pёr besёn e shqiptarit. Melida buzёqesh dhe ia lё fjalёn Dilaverit. Ne jemi njё komb I vogёl kёshtu qё dhe kountributi ynё ёshtё modest, thote ai mendueshёm, por jemi rreshtuar gjthnjё me progresin, gjithnjё me tё mirёn nё ngjarjet historike botёrore ku testohen kombet. Dhe pёr kёtё duhet tё jemi krenarё.
Lё bisedat dhe e ndjej fort identitetin tim jo si shqiptar I Shqipёrisё, jo si shqiptar I Kosovёs, por si shqiptar I kombit tim – kёtij grupimi abstrakt qё duhet tё ketё pasur njё ndjenje pёrkatёsie tё çeliktё, tё mirёformuar kohё para pushtimit 2000 vjeçar, qёkurse grupimi im I mbijetoi historisё. Ne ridolёm me gjuhёn tonё. Ne nuk u asimiluam. Ne I themi vetes Shqype.
Shpresoj qё dita tё vij, kur sociologё dhe antropologё, gjuhёtarё dhe historianё, te ma shpjegojnё qartazi, pa emocion dhe zёnka tё mёrzitёshme, kёtё pёrkatёsi. Tё ma pёrshkruajnё deri diku kombin tim ashtu siç ka qenё dhe tё mё udhёheqin kujdesёshёm drejt asaj qё ata mendojnё qё duhet tё jetё. Deri mё atё ditё, do tё vazhdoj tё jem verbazi – Krenare qё Jam Shqiptare.
Gёzuar Pamvarёsinё!
Në këtë ditë falenderimesh, një falenderim për presidentin Obama
Nga Shefqet Kërcelli/
Para pak muajsh, gjatë kohës që unë isha në SHBA, fatkeqësisht ndrroi jetë nga një sëmundje e rëndë, vjehrri i vajzës sime të vogël, një qytetar i thjeshtë amerikan, në profesion financiar, miku im i mirë në SHBA, zoti Benneth Amaechi. Sipas zakonit shqiptar vitin e kaluar, Benethin e prita familjarisht në Pittsburgh dhe më pas Ai dhe familja e tij më priti në Washington, ku vec festës familjare ndoqëm dhe festimet e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë. Më hyri shpejt në zemër Bennethi, pasi kishte kaluar thuajse të njëjtat halle dhe peripeci familjare si ne, një njëri i thjeshtë, human, profesionist në fushën e vet si financier. Familjet e thjeshta janë të ngjashme kudo në botë. Miku im Benneth, bashkë me zonjën e vet mësuese, për vite me radhë lindën, rritën e arsimuan katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza, të gjithë me arësim të lartë, madje dy djemtë, Chidozie dhe bashkëshorti i vajzës sime të vogël, Ike, tashmë janë inxhinjerë të afirmuar në fushën e vet. Për herë të parë vija në Washington, dhe atë ma prezantoi miku im Bennethi. Ai për ato ditë la punët e shumta, gjeti kohën dhe mirësinë të më tregonte muzeumet e Washingtonit dhe bukuritë natyrore të tij. Madje më bëri dhe dhuratat më të bukura, maketet e Kapitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë. Nuk e mendoja që këtë burrë fisnik, të kalitur nga jeta e puna e gjatë, ta rrëzonte sëmundja për 6 muaj. Por kanceri avancoi shpejt, pamvarësisht përkujdesjes shëndetsore, kështu miku im i mirë ndrroi jetë këtë fund korriku, duke pikëlluar të dy familjet tona. Më mijëra njerëz në Washington e shtete të tjera morrën pjesë në funeralin e mikut tim. Por ajo që na befasoi, ishte se me dhimbjen dhe hidhërimin tonë u bashkua dhe zoti Obama dhe zonja e parë Michelle. Ne nuk e mendonim dhe nuk e prisnim një gjë të tillë. Si është e mundur që Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë, të informohet dhe të ngushëllojë familjen e një njeriu të thjeshtë. Duke gjykuar sjelljen e shumë e shumë liderve të tjerë që jetën dhe veprën e këtyre njerzve e anashkalojnë dhe se kanë fare në axhendë, kjo sjellje humane e Presidentit Obama dhe Zonjës së tij më bëri përshtypje. Në fakt nuk doja ta bëja publik këtë letër, pasi lidhet direkt me familjen time, por gjykova se këtë falenderim të munguar t’ja përcjell sot në kët ditë falenderimesh, presidentit Obama në faqet e gazetës “Dielli”. Letra ngushëlluese familjare i drejtohet djalit më të madh Chidozie që është dhe fëmija më i madh në familjen Amaechi. Midis të tjerave zoti Obama dhe zonja Michelle në letrën e tyre shkruanin:..”Michelle dhe unë u pikëlluam kur mësuam humbjen e babait Tuaj, ndaj ju shprehim ngushëllimet tona të përzemërta për ndarjen nga jeta të prindërit tuaj, Beneth. Ashtu si të parët tanë na tregojnë ne botën, po ashtu prindërit tanë gjithmonë punojnë e shenjëzojnë të ardhmen tonë, ndaj nuk ka gjë që lehtëson dhimbjen tonë në këto raste. Ne shpresojmë se shembulli, përvoja dhe mësimet e mbajtura gjallë nga babai juaj, do ju zbusin pikëllimin që ju ndjeni për humbjen e tij. Ne besojmë se respekti dhe vlerësimi i tyre do ju shërbejë si burim force në këtë kohë të vështirë. Në këto ditë hidhërimi ne jemi pranë jush, ku ju po qetësoheni me kujtimin e babait tuaj dhe fuqinë largpamëse që ju jep dashuria e tij. Sinqerisht, Barack Obama”. Ndaj në shenjë mirënjohje e respekti, në këtë ditë falenderimesh, familja Amaechi dhe Kërcelli falenderojnë Presidentin Obama dhe zonjën e parë Michelle, që patën mirësinë dhe gjetën kohën për të ngushëlluar dhe inkuruajuar këtë familje të thjeshtë, punëtore dhe arsimdashëse. On this Thanksgiving Day, we thank you mister President Obama and the first lady Michelle, for having the kindness and finding time, to condole and encourage this simple family, hard working and education-loving.
- « Previous Page
- 1
- …
- 410
- 411
- 412
- 413
- 414
- …
- 607
- Next Page »