• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një Poete e bukur që kërkon t’i thuash “Diçka të bukur”

March 18, 2015 by dgreca

Libri me poezi i VLLASOVA MUSTËS “Më thuaj diçka të bukur”/
Nga Përparim Hysi/
Kushdo që pëlqen poezinë,nuk ka se si mos njoh Poeten e bukur, Vllasova Musta.Kur përdor epitetin:e bukur, ky epitet merr vlerë të dyfishtë.Është në sinkron portreti i poetes, me poezinë cilësore të saj.
Vllasova Musta ka hyrë në fushën e letrave, o rastësisht.Ajo vjen nga një familje ku libri ka patur një peshë dhe dimension të veçantë. I ati,sado ushtarak, ka qenë i lauruar nga një Akademi ushtarake në Itali dhe dy të tjera në Rusi, njëra pas tjetrës. Jo vetëm kaq, por dhe e ëma,deri në moshën tetëdhjetëvjeçare ka qenë me libër në dorë. Parë, pak më gjërë, edhe i vëllai i Vllasovës, oficeri Roland Musta (tani në pension), është një nga poetët e mirë që ka Shqipëria.
Vllasova Musta ka hyrë me këmbë të mbarë në letërsi, sidomos në gjininë e poezisë, që kur ka qenë në bankat e shkollës së mesme dhe, ca më shumë, kur qe stundente. Faqet letrare të “Zëri i rinisë”, faqet e gazetës letrare “Drita”( e vetmja në kohë të diktaturës), shpesh do mbushej me poezi të saj. Aq pëlqeheshin këto poezi dhe aq muzikalitet kishin, sa shpesh kompozitorët vargjet e saj, i kthenin në këngë. Që studente, poezia “Xhaketa e kuqe” jo vetëm u bë këngë, por mori dhe çmimin e parë.

* * *
Po t’i hedhësh një sy, vetëm kalimthi, poezisë së saj në vite, nuk është vështirë të vëresh këtë muzikalitet dhe kumtin e bukur që mbart poezia. Këtë vlerë cilësore të kësaj poezie, mandej e tregojnë dhe çmimet, të cilat nuk kanë munguar në adresë të saj.
Ajo që dua të theksoj, në këto përshtypje modeste të mia, është fakti tjetër: për tridhjetë vjet me radhë ajo ka punuar pranë Kinostudios,si skenariste për filma dokumentarë dhe ato vizatimorë. Duke qenë skrupuloze në punë, ajo është vlerësuar me çmime edhe si skenariste. Pa numëruar çmimet si skenariste, nuk mund të rri pa nënvizuar: dy herë është fituese Kupës “Për skenarin më të mirë”. Po të bësh një analizë të punës së saj në Kinostudio, vëren se ajo ka dalë, e “ngopur”, nga vlerësimi i punës atje.
Por objekti i shkrimit tim është tek poezia e saj dhe , për të qenë më i drejtpërdrejtë, tek libri i fundit me poezi “Më thuaj diçka të bukur”.
Poezinë e Vllasova Mustës (dhe jo vetëm të saj) e kam dashur dhe e dua. Rastësisht, më ra libri në dorë, dhe, kur e lexova, u mbusha me emocione. Sado që shkruaj dhe vet poezi, jam bërë paksa qibar kur lexoj vëllime të shkruar nga poetët. Vet kam bindjen e paluajtshme: kurrë nuk mund të shkruash një poezi të bukur, po nuk e ndjeve. Unë mendoj që poezia e mirë dhe e bukur ( poezia e Vllasovës është e tillë), del nga shpirti. Vetëm një shpirt i brishtë mund të shkruaj poezi të bukur. Unë e lexova librin e saj dhe, nga që më pëlqeu, iu riktheva. Tani, në rikthim, mbresa u bë më prekëse dhe nuk mund të rrija pa shkruar qoftë dhe dy fjalë.
Ky “rikthim imi” ndodhi në një kohë, kur krejt “Bota letrare”, në mund të shprehem kështu, shtron pyetjen sugjestive: ” Çfarë po ndodh me poetët?!” Kjo pyetje që është kaq alarmante, nuk është dhe aq subjektive. Përkundrazi: poezia e ka humbur atë “hierarkinë” në letërsi, dhe, siç është vënë re, është zhdukur nga libraritë. Është zhdukur dhe, sado që lirikat kanë vendin e vet në shtëpitë e mëdha botuese, e, megjithatë, lirikat nuk luajnë ndonjë rol në jetën shoqërore. Këtë e vë re fare lehtë: fakit që ka dalë nga moda të mësuarit përmendësh të lirikave në shkolla. Ka dhe një fakt tjetër domethënës: fituesi i çmimit në Panairin e Lajpsingut,Jan Wagner, sado që ka marrë 28 çmime e bursa, megjithatë, për të jetuar si poet në profesion të lirë, i duhen angazhime të tjera, si: leksione, përkthime, reportazhe radiofonike dhe në gazeta. *

* * *
Por le t’i lëmë poetët në “hallet e tyre” dhe të kthehemi tek poetja, Vllasova Musta.
Libri “Më thuaj diçka të bukur” është botuar në vitin 2014. Libri është përkthyer në gjuhën italiane nga Profesore-Doktore Klara Kodra. Të gjitha poezitë e Vllasovës sikur qëndrojnë mbi një bosht: atë të dashurisë. Kumtojnë dashuri. Japin dashuri, Dhe presin dashuri. Poezitë, sado të shkurtëra, janë shumë domethënëse. Japin një kumt. Ose ngrishin lexuesin drejt një kumti të bukur e të bardhë. Poezitë e këtij vëllimi, autorja i ka shkruar në vend të ndryshme, dhe, në se vargjet kan lindur jashtë Shqipërisë, atëherë mesazhet janë më të ngrohtë dhe të inspirojnë,si: “Po patë diku/ në pemë a në strehë/folezë pa tinguj brenda/ ajo nuk është vetëm/ kam lënë në të zemrën/ mbështjellë me ëndrra/. A ka vallë si mos mbushesh emocione me poezinë “Kalon një grua”. Nuk ka se si mund t’i këndohet gruas-nënë, burim i jetës. Është,- thotë poetja, dhe kodra, dhe mali. Është foleza për gjithë zogjtë apo shkëndija e çdo zjarri. Dhe, mandej, portreti i gruas zë dhe merr përmasa të tilla që të befasojnë: “… lëviz e mban në këmbë gjithë Galaktikat qiellore. Më tej se kaq, nuk ke se ç’thuaj më.
Ose sa e drejtpërdrejtë është poetja, kur e grryen malli për Atdhenë. Sado larg dhe nuk njeh njeri, ajo ndejn diçka që e thërret “… ky rit që më thërret/vjen nga larg e quhet mall/.
* * *
Një nga poezitë që do veçoja, në optikën e shijes sime, pa dyshim që është “Dielli im”. Nuk është vështirë që kjo poezi, nga më të bukurat, i kushtohet të shoqit, të ndjerit dhe të bukurit Kujtim Spahivogli. “… si një rrëkezë me diell e hënë/ deri sa mbrriti ajo ditë, kur erdhe ti dhe më bëre nënë/. Dhe tek ndalem tek kjo poezi, pak më gjatë, nuk kam si mos e bie të plotë strofën e fundit të poezisë:
” Ky diell je ti,
Kjo dritë je ti,
Si ëngjëll jete je për mua
Ndaj është pak,
Fare pak
Kur përsëris:
Sa shumë të dua! ”
Komentet do të ishin të tepërta, por unë ngulmoj tek kjo poezi jo pa qëllim. Për ata që nuk e dinë, Vllasova Musta e Kujtim Sahivogli, si çift nga më të bukurit e atyre viteve, kanë jetuar atë Golgotën që, për fat të keq, nuk qe ponteciale, por reale. Ata qenë martirë të një dashurie të vrarë në atë regjim mesjetar që vriste dashuritë. Nuk janë veç këto vargje si një përmasë dashurie të madhe, por janë disa syresh që përmjet vargjesh, të bëjnë që të lëshosh dhe lotë. Tek shkruaj kështu, lotimi im, është shumë më i drejtpërdrjetë nga mijëra lexues e dashamirë të këtij çifti, që “vranë në gjumë”. Vrasjet në gjumë janë më tragjike nga gjithë vrasjet në histori. Në gjumë dhe, kur pi ujë, nuk të ha as gjarpëri. Po gjarpëri Enver nuk njihte as etikë dhe as moral. Kënaqësia e tij qe perverëse: kënaqej tek shihte të “vrarë” a të martirizuar të gjithë ata që i përfshinte në emërtimin e zi: armiq të partisë. Të quaje armik Kujtim Spahivoglin, një nga Debatikasit e parë, ish më tepër se miopi. Në ndalova gjatë, tek kjo poezi, kam dhe një shkak tjetër: Kujtim Spahivoglin e dënuan, duke e përzënë nga Tirana dhe e sollën në Fier. Punonte në poligonin e bonifikimit qe vetëm lumi e ndante nga fshati im, Mbrostar-Ura. Një ditë, tek kthehesha nga Fieri për në shtëpi (tri km larg është Fieri nga Mbrostar-Ura), shoh dikë aty tek poligoni që jepte e merrte të hidhte një platformë betoni mbi një reportabël. Ndalova biçikletën dhe i shkova në ndihmë. Kur hodha sytë nga “punëtor” që mundohej, pashë që ishte Kujtim Spahivogli.
-Hamlet,- i thashë,- ti në Mbrostar-Ura?
-Pse më njef?
-Po kush nuk të njeh ty?
E pashë që u përlot, por, sa hodhëm së bashku atë platformën e betonit, pashë që u afrua një nga ata “sytë e veshtë e mbretit” dhe, mjerisht, biseda nuk vazhdoi më tutje.
Shkova në shtëpi dhe shkrova ” Hamleti në Mbrostar-Ura”. E shkrova, po tani them: sa të drejtë ka Kadareja kur thotë” autocensura” ku e ku ka qenë më e frikshme se censura. E shkrova vërtet si një pamflet, po, kur të nesërmen po nisesha në shkollë, u ktheva nga rruag dhe e grisa. Frika më hyri në palcë. E kam rishkruar, në vitet e postdemokracisë, po nuk pati atë “vlagën” e njëhershme. Dhe, pse e sjell si një “antipastë” këtë, për të thënë edhe diçka: veç tjerash, në shkrimin tim, qortoja dhe Vllasovën. Si të brishtë që e ndau. Lexoj tani poezinë (veç kësaj dhe disa të tjera ku dashuria për Kujtimin lakohet në të gjitha rasat e shqipes) dhe them: populli me të drejtë thotë: ” E sheh tjetrin me një pallë, po nuk e di se si e ka hall”. Për të shpëtuar familjen, bën divorc. Por thellë në zemër, Kujtimi ka qenë dhe është. ende pranë saj; pranë të bijës, Anit dhe si një përjetim i bukur: vet emri i të nipit, Tim është një fshat që duket dhe nuk do kallauz. Me dashurinë për Kujtimin ajo është mar me disa poezi. Në poezinë “Në Venecia” ajo, thotë mes tjerash: i dashuri im, endet në qiell.

* * *
Për t’ju dëshmuar,sado pak, se sa e kanë dashur njëri-tjetrin ky çift, do mjaftonte t’ju silja një poezi të hershme të Vllasovës. Më ndiqni:” Nëma ta thith, i dashur, llullën tënde/Nëm të pi me të një grusht duhan/Kur të dua ty, dua gjithë botën/ dhe nuk ka forcë që nga ty më ndan/.
Nëma ta thitih, i dashur, llullën tënde/ Nëm të pi duhani që dua/ Le të marë bashkë me nikotinën/ Dashurinë e buzëve të tua/ Vetëm kaq dhe fare lehtë del në përfundimin, seç vrasje makabre i bën këtij çifti të bukur.
Mund të vazhdoja që të sillja për lexuesin dhe një varg poezishë të tjera, por dhe me kaq, mund të them, se me këtë vëllim poetik, Poetja e bukur, Vllasova Musta, bën apel dhe aspiron për kumte të bukur poetik. Sado e “vrarë” nga jeta, ajo nuk është ai “shelgu i trishtuar me sytë nga prapa”, por një shelg i gjelbër e vital që me poezitë e saj ta ngrohë gjakun dhe të mbushë me optimizëm.

* Për Panairin e Laipsingut me “Çfarë po ndodh me poetët” jam bazuar tek gazeta “Standard” 18 mars 2015.

Tiranë, 18 mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, perparim Hysi, poetja e bukur, Vllasova Musta

PROF. MENTOR PERMETI-Ikja e simbolit të shkencës së bujqësisë

March 18, 2015 by dgreca

Nga ILLO FOTO/Astoria- New York/
Shkencëtar i fushave eksperimentale, drejtues dhe organizator i suksesshëm i prodhimit të gjerë, analist i arritjeve shkencore, pedagog, prognozist i prodhimit dhe perspektivës së shkencës bujqësore – mjedisore. I tillë ishte Profesor Mentor Përmeti, i cili ndërroi jetë në Nju Jork, më 6 mars 2015. Aktiv dhe korrekt, në të tëra detyrat që iu ngarkuan në jetën profesionale dhe shoqërore, akademik Përmeti mbetet shembull për të gjithë brezat e fermerëve, specialistëve dhe shkencëtarëve të bujqësisë dhe mjedisit shqiptar, sot e në të ardhmen.
Gjatë luftës për çlirim, ai u aktivizua me armë në dorë kundër pushtuesit dhe, fill pas lufte, iu përkushtua arsimimit, duke u diplomuar agronom i lartë në Bullgari. Në punë e sipër, u vetëspecializua në disa degë të shkencës bujqësore, të drejtimit dhe të prodhimit të gjerë. Ia kushtoi jetën zhvillimit të bujqësisë dhe mjedisit.
Në Shqipëri funksionuan 18 institute kërkimore – shkencore, me personelin e nevojshëm dhe me bazën e duhur laboratorike – teknike. Në të gjitha rrethet funksionuan teknikume të arsimit të mesëm profesional, ku përgatitej i gjithë kontigjenti i mjeshtrave të prodhimit, për bujqësi, blegtori, mekanikë bujqësore, frutikulturë, peshkim e pylltari. Në tërë këtë proces të gjerë transformues, ka gjurmë të pashlyera dora e akademik Përmetit me kolegët e tij të punës dhe idealit. Ai shquhej për pasion, inteligjencë, erudicion të rrallë dhe, mbi të gjitha, për modesti e punë me ekipe të mëdha, me detyra gjithpërfshirëse.
I konsideronte shokë dhe të barabartë vartësit, por kur ata e tepronin në rrugën e vesit, tregohej i pamëshirshëm me gabimet, që vinin nga dembelizmi, egoizmi, hipokrizia dhe përvetësimi i punës së tjetrit. Nuk kam takuar një specialist, mjeshtër prodhimi, shkencëtar apo punëtor, që të ankohet për Mentorin, për arrogancë, fodullëk ose të dënimit pa të drejtë. Ai e peshonte punën dhe djersën e vartësve, me kandar floriri. Ishte shpirt demokrati, i pavarur. Respektonte me fanatizëm ligjet e shtetit dhe rregullat komunitare, duke u bërë avokat i denjë për njerëzit që dikush u mohonte të drejtat, i merrte nëpër këmbë ose i dënonte padrejtësisht.
Kishte besim tek shteti i fortë dhe i reformuar rrënjësisht. Kush ka pasur rast të bisedojë me Mentor Përmetin, për tema të mëdha apo edhe të dorës së dytë, ka vënë re se ai e ilustronte bisedën me shembuj të ngjashëm nga historia, gjeografia, luftërat, letërsia, arti, shkencat ekzakte, ato humanitare, me ngjarje nga kuvendet dhe logu i burrave, nga folklori, politika botërore, etj. Unë jam në moshë të shtyrë dhe një të dytë nuk kam hasur dhe as kam dëgjuar nga të tjerë, se në Shqipëri gjendet një burrë i këtij niveli të shpenguar në çdo lloj bisede, me burra, gra, të rinj dhe fëmijë të çdo niveli kulture, edukate dhe moshe. Kam pasur fatin ta njoh Mentor Përmetin dhe ndjehem i plotësuar, që jam student dhe nxënës i përjetshëm i tij.
Shteti komunist shqiptar, më saktë drejtuesit kryesorë të tij, ia njihnin meritat dhe zotësinë intelektuale, akademikut të madh, por nuk donin që ai të vlerësohej me të tërë bagazhin intelektual dhe kryesisht donin të errësohej figura e tij njerëzore. E krijuan shkakun për ta dënuar. Disa studentë dhe tre pedagogë, i vendosën fletërrufe. Nga kjo e emëruan kryespecialist në fermën e Lushnjës. Pozicioni i punës ishte i tillë, që nuk mund të përballohej nga një specialist, që ishte ndarë nga praktika e prodhimit të gjerë. Ferma ishte nga më të mëdhatë në Evropë. Menaxhonte 14 mijë ha tokë, ose 14 ferma të nivelit mesatar. Përveç prodhimit bujqësor, ferma kishte detyrë parësore të furnizimit të Tiranës me prodhime blegtore e perime, artikuj, që lidheshin me furnizimin ditor të popullatës, që mund të bëheshin shkak diskreditimi të politikës së partisë në pushtet.
Në Lushnjë u miqësua shumë me njerëzit dhe u bë më lushnjar se vendasit. Unë, si specialist, kisha më shumë nevojë për ndihmën e kryespecialistit, prandaj i ndenja shumë afër. U miqësuam me një besim të ndërsjellë të pazakontë. Jeta vërtetoi se dhe ai kishte nevojë për punën time si kryezooteknik. E justifikuam me punë e besnikëri miqësinë që lindi në ato kohë të trazuara. Këtë miqësi tonën, pa interes material, e ndau vetëm data e kobshme e vdekjes së Mentorit.
Vitin e dytë pas ardhjes së Mentorit në fermë dhe në vijim, prodhimi bujqësor, blegtoral, perimor, vreshti, investimet, patën një rritje të pa parë. Të njëjtin përmirësim patën dhe treguesit financiarë. U ulën të tëra kostot e prodhimit. Bilanci vjetor rezultoi me fitim, mbi planifikimin. Ky bum ekonomiko- financiar, nuk ishte spontan dhe as i veçuar. Në tërë vitet që pasuan, deri në ndryshimin e sistemeve, ferma e Lushnjës ishte një ekonomi e madhe prodhimi, ku zbatoheshin tërë rekomandimet shkencore të kohës. Toka, bimët dhe kafshët zhvilloheshin me një harmoni të pandërprerë, që garantonin rritje prodhimi progresivisht. Shkenca e kryeagronom Mentorit, ishte bërë metodë e përditshmërisë së punëve në terren. Jo vetëm kaq. Shkenca e Mentorit, kishte dhënë atë që pritej, në gjithë ekonomitë bujqësore të Shqipërisë. Farat e zgjedhura dhe të prodhuara në vend, bënë revolucionin e plotë të prodhimit, në drithëra, pambuk, luledielli, fasule e foragjere.
Mentori u transferua në Institutin e Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës dhe me vonë në Tiranë, në Komitetin e Shkencës.
Kur do ikja në Amerikë, u takova me Mentorin, më 15 qershor 1995. Ndenjëm 4 orë, në një lokal afër Librit Universitar. Ishte shpallur akademik dhe punonte ne Akademinë e Shkencave. Ishte shumë i mërzitur, nga fakti se specialistët po largoheshin nga vendi, por më vonë, u detyrua të largohej dhe ai vetë. Brengosej me disa zhvillime te Qeverisë Demokratike, që krijoi konfuzion të paparë, në investimet bujqësore, në pronën, në ndarjen e tokës së fermave për frymë, si dhe në zhvillimin spontan e shumë konfuz të bujqësisë kapitaliste. E takova edhe në Amerikë, në shtëpinë e vajzës së tij, Mira, e cila i shërbeu me devocion të lartë, për mëse një dekadë, që ai ndenji i mbërthyer në karrocën e invalidit.
Kur e takova në Amerikë, me kujtoi jetën në fermën, që ne i dhamë gjithçka kishim nga vetja. “Kemi bërë punë të mëdha në Lushnjë. Kur i kujtoj, me lehtësohen plagët e sëmundjes”, u tha atyre që ishin në atë bisedë. Ishte shumë i brengosur, që të gjitha qeveritë e tranzicionit, gjetën mënyrën, për t’iu shmangur përgjegjësive, lidhur me shkatërrimin e rrjetit inxhinierik të kullim- ujitjes. “Si ka mundësi, thoshte me zë të lartë, që për dy dekada, nuk rregulluan gjë nga katastrofa që krijuan me ndërgjegje të plotë. Me sa duket këta lloj qeveritarësh, nuk kanë ndërtuar asgjë vetë, në jetën e tyre. T’i shmangesh kësaj përgjegjësie, është tradhti”, shprehej ai.
Në jehonë të shqetësimeve të Profesorit dhe të gjithë opinionit të shëndoshë shoqëror, shkrova librin problemor “Bujqësia dhe mjedisi në tranzicion”, ku, veç të tjerave, kam nënvizuar mësimet e mëdha të Profesor Mentorit.
Bujqësia e sotme shqiptare, është shumë larg porosive dhe mësimeve të akademik Mentor Përmetit. Fusha më e rëndësishme e vendit kërcënohet nga përmbytjet dhe thatësia. Aktualisht më shumë se 200 mijë ha tokë kanë 25 vjet që nuk janë në qarkullim ekonomik. Recetat për të ndryshuar gjendjen aktuale të bujqësisë, na i ka lënë të gatshme Mentor Përmeti. Heshtja e organeve shtetërore ndaj tokave të pashfrytëzuara është e pafalshme.
I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes Profesor Mentorit, që e deshi me tërë fuqinë e shpirtit! Siç thotë populli ynë: “Iu bëftë varri dritë”!

Filed Under: ESSE Tagged With: Ikja e nje simboli, Illo Foto, Mentor Permeti

NJE MANIFESTIM KULTUROR NE LONDER

March 18, 2015 by dgreca

Shkruan Asllan Dibrani/
Një foto e përbashkët e një grupi të pjesëmarrësve në mbrëmjen kulturore kushtuar 7 marsit, Ditës së Mësuesit, në Londër./
Për nder të Ditës së Mësuesit, në praninë e shumë mësuesve, poetëve dhe krijuesve të tjerë, në lokalet e restorantit “Poem”, me 14 mars 2015, u mbajt një manifestim kulturor.
Mbrëmja kulturore, u organizua nga “Qendra Shqiptare në Londër”. Fjalën hyrëse e mbajti kryetari i Qendrës Shqiptare, Sami Islami, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe shpjegoi rëndësinë e Ditës së Mësuesit. Pastaj kësaj, Agim Morina dhe Sami Islami bënë prezantimin e rrugëtimit të shkollës shqipe që nga shekulli XVII deri në ditët tona me titull “Histori e shkurtër e shkollës shqipe”.
Nga tubimi u nderuan artdashësit dhe dëshmorët e shkollës shqipe Papa Kristo Negovani, Fazli Greiçevci dhe Shaban Jashari (babai i komandantit legjendar Adem Jashari), të cilët gjithë jetën e tyre ia kushtuan arsimimit të shqiptarëve!
Nga faktet që u prezantuan në këtë takim u pa se hapat e parë të mësimit të gjuhës shqipe, janë hedhur disa shekuj më herët se 7 marsi i vitit 1887, por kjo datë, megjithatë mbetet datë e një shkolle laike, për të ardhur pastaj deri tek shkollat e mëvonshme, me mësuesit dëshmorë, siç ishte mësuesi dhe dëshmori i kombit Papa Kristo Negovani, i cili u masakrua bashkë me pesë të tjerë e ndër ta edhe një vëlla i tij. Pastaj mësuesi dhe poeti, Fazli Greiçevci, i cili, për shkak se e përhapte dritën e diturisë në shkollë dhe për shkak të veprimtarisë së tij patriotike kundër regjimit serbosllav, u torturua deri në vdekje në burgun e Prishtinës. Një dëshmor i shkollës shqipe u bë edhe Shaban Jashari (babai i komandantit legjendar Adem Jashari), i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi arsimimit të brezave të rinj.
-Pas prezantimit të historikut të shkollës shqipe, veterani i arsimit, ish profesori i Universitetit të Prishtinës, Gani Hoxha, foli për rëndësinë e shkollës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke e marrë si shembull ruajtjen e gjuhës shqipe te arbëreshët e Italisë. Falë shkollës dhe ruajtjes së gjuhës shqipe atje, edhe pas pesë shekujsh shkëputje nga trungu shqiptar ata e ruajnë edhe sot këtë vlerë të lartë kombëtare.
Ai tregoi se kishte vizituar vetë disa fshatra në jug të Italisë dhe kishte përjetuar çaste të mrekullueshme kur kishte komunikuar në gjuhën shqipe me ta !?.Ai theksoj ma tutje se gjuha shqipe flitej gjithandej, në zyra, në rrugë, në treg, në shitore, në kafene, deri në çerdhet parashkollore. Ai bëri një krahasim me gjendjen e shqiptarëve në Turqi, ku e drejta për të mësuar në gjuhën shqipe nuk përfillet nga qeveria turke as sot e kësaj dite edhe pse në këtë shtet jetojnë rreth 5 milionë shqiptarë!!!Ky intelektual i rralle shpesh u aplauzuar nga të pranishmit gjatë diskutimit. Në diskutimet e tyre rreth përvojave dhe rëndësisë së gjuhës shqipe foli edhe Ismet Koshutova, i cili e vlerësoi lart, prezantimin për historikun e gjuhës shqipe dhe foli për rolin që gjuha shqipe kishte dhe ka për ruajtjen e qenies shqiptare, madje edhe në mërgatë. Poeti dhe publicisti nga Skrapari, Hyda Ismaili, i cili prej vitesh jeton ne Londër, po ashtu, edhe krijuesi dhe gazetari Ruzhdi Jata, nga Kukësi, folën për nevojën e madhe të unitetit të gjithë shqiptarëve për të arritje suksese shumë më të mëdha në fushën e arsimit dhe të gjuhës shqipe edhe ne brezin e ri.
Në mbrëmje me tone artistike u prezantuan edhe poetët Mehmet Elshani dhe Xhavit Gasa me recitimin e disa poezive, të cilat u priten me interesim nga te pranishmit. Po ashtu edhe Mësuesi dhe këngëtari, Ismet Koshutova, shprehur mendimet e tij rreth shkollës shqipe dhe kulturës shqiptare në mërgatën shqiptare.Atmosferën e kësaj mbrëmje kulturore, e pasuroi më tej edhe paraqitja e Selman Lokajt, i cili me poezitë dhe anekdotat e tij e freskoi këtë mbrëmje. Vlen të përmendet këtu prania e bashkëshortëve veteranë të arsimit, Faik e Zarije Sogojeva, si dhe e shumë pjesëmarrësve te tjerë dashamir të artit dhe arsimit shqiptar.
Në këtë rast nuk mund të mos e përmendim edhe arsimdashësin dhe plakun e urtë, bacë Rexhepin, i cili foli për jetën e tij, për shkollimin në kushte shumë të vështira nën regjimin serb. Ai foli edhe për torturat dhe masakrat që pushteti i kishte bërë popullit shqiptar të Kosovës, në veçanti për plojën e bërë mbi familjarët e tij nga forcat serbe duke ekzekutuar 12 anëtarë të familjes së tij brenda një nate!
Rexhep Rexhepi, që për respekt ndryshe e thërrasin baca Rexhë jeton që nga përfundimi i luftës së Kosovës në Londër dhe njihet si person që asnjëherë nuk e ka hequr plisin e bardhë shqiptar nga koka!Ai krenohet me plisin e bardh qe i vetmi deri me tash e ka ruajtur identitetin shqiptar qe nga koha pellazge e deri në ditët e sotshme.
Mund të thuhet se mbrëmja kulturore kushtuar 7 Marsit u vlerësua si shumë e suksesshme dhe nga të pranishmit u propozua që këso takimesh të mbahen më shpesh edhe në të ardhmen, me një vërejtje që në tubime të tilla të ketë ma shumë të rinj, aktivist ,krijues dhe veprimtar te këtij nënqielli gravitues nga një komunitet i madh shqiptarësh.
Ma në fund me mbete që të falënderojmë”Qendrën Kulturore Shqiptare në Londër” që ka synim të krijoj një atmosferë unike tek shqiptarët në rrafshin kombëtar. Shqiptarët sot në shtetet e perëndimit nuk kanë alternativë tjetër, pos kësaj që veprojnë qendrat kulturore . Nga këto organizime të tilla të vijnë deri të krijimi i lobit shqiptar pa grupe,pa parti dhe organizime të ndryshme lokaliste, partiake apo rajonale që ma shumë i shërbejnë përçarjes se sa kulturës dhe unitetit tonë kombëtar!

Filed Under: ESSE Tagged With: asllan dibrani, ne Londer, NJE MANIFESTIM KULTUROR

PASQYRIMI I NJË JETE NË PËRPËLITJE MIDIS ËNDRRËS DHE REALITETIT

March 18, 2015 by dgreca

SHQYRTIME LETRARE/*
Nga Mikel GOJANI/
Romanet e shkrimtarit Sulejman Mato gjithnjë kanë zgjuar vetëdijen e lexuesve dhe të kritikës letrare, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë dhe kanë arritur ta shtojnë interesimin e tyre. Ky interesim ka karakter dimensional, një, për shkak të vlerave që ngërthen poetika prozaike e shkrimtarit Mato, njëherësh edhe nga fakti se pikërisht prozat e tij trajtojnë kohën e kthesave historike me fatet dramatike të protagonistëve që frekuentojnë në prozën e këtij shkrimtari.
Vlerat e komunikimit tregimtar
Romansieri S. Mato, duke strukturuar vlerat sublime të komunikimit të tillë artistik, arrin të pohojë, dhe të na bindë, se realiteti jetësor, i ngritur në realitetin artistik, qartësohet nëpërmes analizës kritike krijuese mbi gjithçka që ka ndodhur dhe mbi gjithçka që ndodh rreth nesh e brenda nesh.
Në letërsinë shqipe, shkrimtari Sulejman Mato ka sjellë edhe romanin e tij të titulluar,”Njerëzit janë si retë”, që është një roman tepër interesant dhe i një rëndësie shumëdimensionale.
Në romanin “Njerëzit janë si retë”, shkrimtari Sulejman Mato sjellë realitetin e një shoqërie të turbulluar, krizën shpirtërore të një brezi me të cilin jeta u tregua dorështrënguar dhe që kërkon dashurinë aty ku vështirë mund të gjendet, duke marrë zhgënjime ndoshta edhe të pritshme.
Studiuesi i veprës së shkrimtarit Sulejman Mato, kritiku letrar, Moikom Zeqo, duke vlerësuar vlerat e këtij romani shprehet: “ Një jetë në përpëlitje midis ëndrrës dhe realitetit të tranzicionit, shqiptarë të traumatizuar nga emigracioni në kërkim të Eldorados. Subjekti dramatik ka në qendër njerëzit e tendosur për të ardhmen, por edhe trafikantë vizash,gomonesh,policë dhe prokurorë të korruptuar, një poet në kërkim të identitetit, një personazh që udhëton në botë me një monolog në kokë,deputetë të lidhur me mafien – një strukturë groteske të shoqërisë, ku nuk mungon drita dhe përsiatjet humaniste. Romani “Njerëzit janë si retë”- vepra më e arrirë e shkrimtarit Sulejman Mato, ndër veprat më të mira të këtij zhanri në Shqipëri – është kronikë, dëshmi, analizë dhe imagjinatë”, shprehet studiuesi Zeqo. Shkrimtari i talentuar shqiptar, S. Mato, në librin “Njerëzit janë si retë”, ka arritur që të sjellë një realitet të hidhur me esencat e saja tragjike, një pasqyrim i përditshmërisë me të cilën përballet individi dhe kolektiviteti shqiptar; një realitet me të cilin përballet shoqëria shqiptare, të një aktualiteti të sotëm me një frymë të re dhe qasje të veçantë në letërsinë tonë bashkëkohore.
Përmbajtja e librit “Njerëzit janë si retë”, i autorit S. Mato, është sjellë nëpër kapituj të veçantë, që përçon mesazhe të rëndësishme përmes narratorit, i cili bën përpjekje që përmes rrëfimit të gjejë shtigje për të dalë nga ky rreth që ka kapërthyer shoqërinë shqiptare. Nga ky rreth i hekurt i këtij realiteti të trishtë, narrator përpiqet të dal përmes revoltës, protestës, dashurisë, indinjatës, thyerjeve të tabuve, paragjykimeve dhe shumë dukurive të tjera. Rrëfimet e autorit që i sjellë në jetë të lënë pa frymë. Autori Mato paraqet një libër me një bazë reale, të gërshetuar me pjesëzën imagjinare.
Romani “Njerëzit janë si retë, i shkrimtarit Sulejman Mato ndjek modelet e rrëfimit realist, të konsoliduar tashmë në krijimet e autorit,bashkë me mënyrën e tij krejt origjinale në qasjen e tematikës sociale me trajtim të spikatur psikologjik. E njohur është tashmë edhe prirja e tij për trajtimin e temave që lidhen me problematikën aktuale social – psikologjike, si mëtim i hershëm për të ndjekur lëvizjet e reja të mendimit, të mënyrës së të ndjerit,kushteve material e më shumë atyre shpirtërore të njeriut shqiptar. Motivet që kanë ngjizur krijimtarinë e këtij autori,e kanë shtysën në vëzhgimin e hollë dhe të vazhdueshëm të evoluimit apo transformimit të psikes së individit dhe të kolektivitetit të realiteti shqiptar. Figurat vihen të veprojnë e të ecin nën trysninë e kushteve politike dhe sociale,por specifika e reagimeve dhe rrugës së zgjedhur kërkohet në veçoritë e karakterit dhe ngjizin strukturën metaforike të veprës letrare. Konfliktet dramatike, në të cilat i përplas jeta protagonistët që frekuentojnë në vepër,përballen denjësisht ose jo, por autori kujdeset të lehtësojë aftësitë e leximit intelektual të lexuesit nëpërmjet paraqitjes tronditëse e rrëqethëse të fakteve të njohura jetësore dhe organizimit të tyre brenda subjektit baladesk së romanit, pa preferuar t’i lërë lexuesit në mëdyshje ekzistenciale, që do të kumbisnin konkretësinë e detajeve të kohës dhe hapësirës. Mëdyshjet dhe sëmbimet janë të realitetit konkret shqiptar dhe jo të fatalitetit konceptual të qenies njerëzore.
Romani i S. Matos, Njerëzit janë si retë, merret me fatin e njerëzve, mbi të cilët kaloi tornadoja e realitetit të egër jetësor, me ngjarjet e dukuritë me ashpërsi e goditje drastike mbi shoqërinë shqiptare;gërshetohen këto për të dhënë problematikën sociale e psikologjike krejtësisht shqiptare në fillimshekullin e XXI, pothuaj në të gjitha përmasat.
Romani “Njerëzit janë si retë i autorit” i S. Mato, në vend të prologut prezanton një mesazh tepër dimensional në formë të vargëzimit, që është një paralajmërim për lexuesin që ka të bëjë me një motiv dhe strukturë esteto-artistike të një shkalle të lartë. Janë këto vargjet përçojnë motivin e zhbërjes së karaktereve nën trysninë e realitetit të rëndë të krijuar në ambientin shqiptar, si variante të të kundërtave brenda këtij njeriu që sjell nota herë – herë edhe nga ato më tragjike. Këto vargje shërbejnë dhe sjellin një gatim real nga një brumë i çdoditëshmërisë së realitetit tonë:
Njerëzit janë si retë…/ Njerëzit janë si retë./ Re-ëndrra, re-vegime,/ re dëshira për qiej të tjerë,/ re pikëllima shirash të vjetra,/ re bubullima të gëzuara fitoresh të përkohshme,/ re- metaforës dashurish mistike, re- flamuj të përgjakura në beteja të humbura, re karvanë të gëzuar shirash në ikje,/re, re, re…/ dhe njerëz, njerëz, njerëz…/ që u ngjajnë reve… (Fq.5).
Në thelb qëndron filozofia defitiste e pamundësisë së njohjes së vetvetes,e pamundësisë së ruajtjes së vetvetes nga e keqja dhe zhgënjimi. Kjo është vetëm endja material e subjektit, premise për ta çuar në përfundimin pesimist ndenjes ekzistenciale.
Fabula që mban në ankth gjatë tërë narracionit
Esencialisht në romanin “Njerëzit janë si retë”, i autorit Sulejman Mato, objekt trajtimi bëhet e keqja, varfëria, dhimbja, që njeriu i shkakton njeriut. Këto fenomene janë konkretizuar dhe shprehur në këtë roman nëpërmjet ngjarjeve dhe rrëfimeve që autori i shtjellon në roman. Fabula e romanit është tejet tërheqëse dhe të mban në ankth gjatë tërë narracionit. Ariani një djalë i ri, i cili njëherësh është edhe bartës i pothuaj gjithë ngjarjeve në roman, të cilit nuk i mungonte guximi, iniciativa, kishte synuar të bëhej dikush në jetë. E ndjente që kishte dhunti për të shkruar,prandaj i vuri vetes obligim që ta kryejë fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe e mbaroi. Qysh në kohën e studimeve nisi të shkruante vjersha,skica dhe tregime të shkurtra. Emërimin mësues në Krume të Kukësit e priti më kënaqësi të veçantë,sepse konsideronte se njeriu në moshën rinore ka nevojë për një përvojë jetësor. Jeta në këtë pjesë të lëna larg urbanizmit, me atë jetën e atyre malësoreve më plot vështirësi,përkatësisht në një varfëri të thellë, mirëpo shumë fisnikë, kjo jetë midis këtij vendi dhe këtij realiteti nuk i dukej monotone sa i dukej në kryeqytet. Megjithatë një ditë Arian Bejta u kthye në kryeqytet, që kishte ëndërruar si një kthim triumfal dhe do të ishin kryeredaktorët e revistave dhe gazetave që do ta angazhonin në jetën letrare, apo publicistike. Mirëpo, me përmbysjen e sistemit u përmbysen edhe ëndrrat e tij,sepse Ariani u kthye në kryeqytet në kohën kur mendjet intelektual ishin infektuar me fraza politike. Gazetat dhe revistat ishin mbyllur njëherë e përgjithmonë, poetët në këto kohë shiheshin me dyshim, si njerëz ëndërrimtarë dhe parazitë, naivë dhe romantikë, të cilët nuk janë të dobishëm për asnjë punë të dobishme.
Lidhjet e tij me Marianën, paraqesin një kapitull të veçantë në jetën e tij. Këtë dashuri e ruajti si diçka të shenjtë dhe pas katër vjetëve në Krumë të Kukësit, ndiente shumë mall për të. Në shtator të atij viti Marianës i doli e drejta e studimit për në Fakultetin e Veterinarisë. Këtë të drejtë ajo e quajti një dështim të ëndrrave të saj, ndërsa për familjen e saj një sukses,mbasi ata nuk kishin pretenduar as kaq. Ata nga pushteti i atëhershëm shiheshin me sy të shtrembër për shkak të një daje të tyre i cili kinse kishte qenë organizator i bombës në ambasadën ruse, i pushkatuar po atë vit së bashkë me 25 persona tjerë. Dashuria në mes Arianit dhe Maiianës ishte një dashuri që do të këputej. Realiteti i rëndë që ishte krijuar, ndjenja e ikjes nga atdheu është një ndjenjë që ishte mbëltuar në qenien e gjithsecilit. Këtë ndjenjë e kishte pasur (dhe kishte realizuar), edhe familja e Marianës, e cila familje përmes lotarisë amerikane kishte siguruar vajtjen dhe jetesën në “tokën e premtuar” në Amerikë. Ariani,edhe pse kishte njohuri qysh herët për këtë fakt,që një ditë do të detyrohej të ndahej nga Mariana, ai, megjithatë ndarja i ishte dukur gjithmonë si diçka e largët. Amerika ishte faktori që kishte prerë një dashuri shumë të thellë dhe teper të sinqert në dysh, dashurinë mes Arianit dhe Marianës.
Nuk më pyetët për vizën, – tha ajo pasi hoqën palltot.
-Ah po…
Si kështu?Kur?
Sot në mëngjes. Gjithë dita na kaloi duke lajmëruar kushërinjtë, nisi të tregonte ajo tërë gjallëri,por kur vuri re fytyrën indiferente të Arianit, u step.
Po ti, pse s’gëzohesh?
Përse të gëzohem? Që po ikën në Amerikë?
Po bën sikur sapo e more vesh?Lotaria ka një vit që ka dalë.- Ajo fliste me gjallëri dhe dukej sikur nuk i interesonte trishtimi i tij i ligjshëm,madje sikur ta bënte kastile…Mami u mërzit që sot. Kur po dilja nga shtëpia erdhën tezet për vizitë. Lëre ç’vajti! Qaj e puthu,sikur të na kishte ndodhur një vdekje. Janë mësuar më njëra – tjetrën. S’ka ditë që të mos vijnë,ose ato te ne, ose ne tek ato. Lerë hallën!… Sa mori vesh që kishim marrë vizat,mbërriti në çast duke qarë.
Më keq nga të gjithë e kam unë,- i tha Ariani.
Ngadalë ti… Po na bëhesh si tezet. Më keq e kam unë…, – i tha ajo duke i shtrënguar dorën… (Fq. 18).

Amerika për shumëkë në këtë kohë ishte shndërruar në simbol të lirisë dhe mirëqenies, mirëpo për Arianin ishte kthyer në një bumerang dashurie.
Realiteti i rëndë që ka kapërthyer në gjithë hapësirat jetësore
Në këtë roman, shkrimtari Mato e thellon gërmimin e tij psiko-shoqëror të kësaj kohe të një bote të larmimshme e me vlera të shumanshme e ku personazhet janë të shumë dhe që i përkasin karaktereve po ashtu të ndryshëm, si Nani, Xhema, Famiri, Sandri, Astriti, Arturi, Shpresa, Ademi, Drinit, Luan Qosha, Sydrit Jaupi e shumë të tjerë. Këta personazhe pësojnë një varg zhgënjimesh, të cilët përmes ikjeve dhe misioneve të pafund për në shtetet e Europës, duke rrezikuar edhe jetët përmes kalimit të ujërave të detit, për të gjetur një jetë më të mirë. Autori do theksuar se në këtë kohë të pas diktaturës komuniste na paraqitet rrugëtimi dhe shtegtimi tragjik të njerëzve që përmes gomoneve famëkëqija bëjnë përpjekje për të kaluar edhe ujëra e thella të deteve, vetëm e vetëm për ta gjetur “parajsën”.
Realiteti i jashtëm, në të cilin lëviz qenia fizike e protagonistëve, shërben vetëm si një rrugëtim për të hyrë në realitetin e brendshme, të çuditshëm dhe tepër paradoksal. Protagonistët gjakojnë përfundësisht për t’i rrëfyer fshehtësitë e këtij realiteti të rëndë dhe shumë konfuz për t’i zbuluar thellësitë e mistershme të problemeve esenciale të jetës.

“Po. Po. Duhet ikur nga ky vend… Nga ky vend që s’ka para, nga ky vend me trazira të vazhdueshme dhe gjithfarëllojshme,nga ky vend me njerëz të korruptuar,nga ky vend kur njeriu për njeriun është ujk,nga ky vend ku të rinjtë plaken para kohe,nga ky vend i infektuar në strese,nga ky vend ku ia bëjmë njëri –tjetrit jetën skëterrë. Do iki, do iki,do iki! Do marr me vete “Vlorën”,- tha me vete,pa menduar se pikërisht në këtë çast po merrte një vendim të rëndësishëm për jetën e tij”. (Fq. 80).

Realiteti i rëndë ka kapërthyer gjithë hapësirën jetësore të individit dhe kolektivitetit të vendit. Ikja me gomonet dhe përfundimi tragjik nëpër këto ujëra, duke u nisur drejt brigjeve italiane, ndërkaq dallgët e valëve shumë të rrëmbyeshme dhe të çmendura i bartin në brigjet e Korfuzit. Gjatë kësaj kohe ndodheshin shumë raste të emigrantëve të cilët duke bërë përpjekje për të ikur nga atdheu i tyre, me gomone ishin zhdukur në det të hapur. Nëpër televizionet private njerëzit shiheshin sekuenca nga më të çuditshmet dhe nga më tragjike, që dukeshin sikur të trilluara, megjithatë ishte një realitet i hidhur dhe pikëllues. Shiheshin skena nga më rrëqethëse që syri nuk mund t’u besojë. Të këqijat që kanë lëshuar rrënjë janë të shumta, jo vetëm fenomeni i ikjes dhe i largimit dhe migrimi nëpër vende të Europës, si Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Angli dhe shumë vende të tjera. E keqja qëndron si makth edhe brenda shumë hapësirave të jetës që rëndon jetën e njeriut në atdhe, si blerja e vizave për ikjen jashtë; ndarja e pronave në mënyrë irracionale që shkaktonte plagë deri në vrasjen e njerëzve mes vete për konflikte pronësie. Këto raste dhe shumë të tjera bënin që policët dhe prokurorët të korruptohen; gjakimi i njerëzve të cilët kishin siguruar një qëndrueshmëri ekonomike jashtë, ndërsa dëshironin që të ktheheshin dhe të investonin në atdhe, mirëpo investimi i tyre ishte i pasigurt, sepse i tëri u digjej i tëri, që krijonte ndjenja dëshpëruese për të tjerët për të investuar në vendlindje, realiteti i rëndë politikë, sidomos në prag të zgjedhjeve në vend, sidomos mes dy partive më të mëdha, PD-së dhe PS-së, zgjedhja e përfaqësuesve të këtyre partive politike për deputetë me atribute të pamerituara dhe keqpërdorimi i pozitave nga ana e tyre, kriminaliteti i shprehur deri në skajshmëri, që jetën e qytetarëve e bënin tepër të pasigurt dhe nga që kanë thelluar ndjenjën e jetës së njerëzve dhe shumë të këqija të tjera, japin vulën e këtij realiteti objektiv.
Këto ndërthurje nuk janë kërkime teknikash rrëfimi të ngritura mbi platformë teorike të estetikës dhe procedimit me fjalën artistike. Mirëpo, e vërteta është gati e pabesueshëm e dukurive që ngjyros tragjikisht kohën tonë, por krejtësisht reale, që ngjeshët me linjat e subjektit në prozë.
Romani “Njerëzit janë si retë”, i autorit S. Mato, e ruan unitetin e vet ligjërimore e tematik, duke e lartësuar dhe duke e fisnikëruar përvojën e gjatë artistike e jetësore të shkrimtarit. Kujtimet, përsiatjet e shenjëzimet që dalin nga zëri i ditëve të caktuara, bëhen shënjëzime, përsiatje e zëra të thellësive kuptimore, të thellësisë së ndjenjave, të ideve e të mendimeve.
Shkrimtari Sulejman Mato, prozën e konkretizon me një post scriptum, përmes të cilit shtron pyetjen se “ç’qëllim kanë këto histori njerëzore, të ngjasur me histori resh në ikje, që fshihen nga kujtesa e qiellit”. Autori Mato, si përgjigje i referohet fjalëve të Schopenhaur-it i cili thotë: Të kërkosh një qiell në histori është njëlloj si të kërkosh gjire, lumenj apoluanë tek retë”.
Libri është një vlerë e padiskutueshme, që kontribuon në njohjen edhe më të thellë të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe hapjen e një horizonti të ri në përsosjen e shijeve të lexuesit shqiptar.
*Sulejman Mato: Njerëzit janë si retë, roman, botoi TOENA, Tiranë 2010.

Filed Under: ESSE Tagged With: Mikel Gojani, njerzit, romani, si rete, Sulejman Mato

PETRO ZHEJI FJETI

March 17, 2015 by dgreca

Ne Foto:Petro Zheji ne dhomen e punes ne Washington/
Nga Lekë Tasi/
Petro Zheji vdiq në 15 Mars. Përdora foljen “fjeti” më lart, sepse kështu thuhej dhe vazhdon të thuhet për besimtarët kur ikin nga kjo jetë.Të njejtin kuptim ka dhe shprehja “ ndërroi jetë”, sepse nënkuptohet me të që jeta vazhdon mbas atij momenti. Jo vetëm bisedat e Petros me këdo dhe kurdoherë e shpallnin besimtarinë e tij, por edhe vepra e tij e shkruar vazhdon ta shpallëatë, duke e përkufizuar madje ai vetëkërkimin e tij filosofik si Kristologji, çfarëdo lëmëtë shkencës të ketëpasë përfshirë kërkim i tij. Këtë cilsim e thekson edhe titulli i veprës së tij të fundit, “Roli Mesianik i Shqipes”, libër qëdoli nga shtypi pak ditë para se Petroja të jepte frymën e mbrame.
Mediat tona e ngrejnëlart Petron me epitete të larta, por heshtin rreth këtij tipari themelor të veprës së tij. Pse ndodh ? Gazetaria mëe kualifikuar, po edhe ajo më pak e tillë, ajo që kërkon sensacionin,kanë në qendër të tyre, përcjeljen në publik thelbin e dishkaje, fenomen, ide, vepër o person; ato priren ta formulojë shkurt dhe qart, të diskutojë rreth tij, e jo ta fshehin me anëtermash të pergjithshëm që sjellin zbehjen e subjektit dhe rënien e interesit të lexuesve.
Kush ishte në thelb Petro Zheji? Pse është kaq e panjohur për masën vepra e tij filozofike? Sa peshëspecifike kanë përkthimet e tij dhe sa librat e tij origjinale në kontributin tërësor që ai i ka dhënë kulturës sonë? Këtu del çështja e interesit që masa e madhe e lexuesve mund të tregojëpër problemet filozofike dhe veçan për debatin edhe më të thellë të gjuhës si fenomen i rastit apo metafizik. Kjo është e qartë, por kur vijmë te elita dhe rrethet akademike, pse kjo heshtje? Mos theksi që u vihet përkthimeve, fsheh dëshirën për tëeklipsuar librat? Po të kthehemi te mediat, meqë për fat ose për vullnet të mirëfilltë politik nuk kemi revista, ato janë zhdukur, temat e mësipërme duhet tëishin lënda më e kërkuar e një shtypi që synon nivelin evropian. Mos vallë është ndjeshmëria e publikut shkaku që nuk promovohen?.E përjashtojmë, sepse privatisht Petroja merrte sinjale simpatie pavarësisht përkatësis fetare, madje edhe prej sektorit ateist. Cilido qoftë pozicioni i intelektualit, atij i “hanë duart” për debat. E pra, është pikërisht debati që u shmang kaq kohë, për çdofarë teme, sepse strukturat institucionale janë të mbyllura ndaj tij. Ai, debati, zëvendësohet rrallë-herë me fraza zhvleftësuese që sulmojnësëtoku studime serioze (siçështë rasti) dhe mitomanira pa rëndësi, duke mos dhënë emra, por me adresim të qartë.Ka edhe një prirje tjetër: i vishen studimit një numur valencash të tepëruara, ndofta prej padijës mirëdashëse apo dhe të nxitura, për ta spostuar punën në një terren jo shkencor.
Shkurt dhe për të përgjithësuar në planin kombëtar , kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi heshtje të plotëkur në tryezë shtrohen çështje që vënë në diskutim serioz me rrezik përmbysjeje të gjërave ekzistuese, të trashguara, dhe nga ana tjetër debate mjaft të gjalla por me një kufi të caktuar “hapjeje “,i përfaqësuar ky kufizim prej moderatorit, rrethit të të ftuarve, dhe financimit të aktiviteteve, nëmënyrë që ajo që quajtëm “heshtje e plotë” më lart, të ketë një kundërpeshë zhurme, qëtë lozë rolin e debatit, natyrisht edhe me maja autenticiteti brënda saj, për të pasur e tëra një pamje demokratike të besueshme. Të ngushëllon fakti që vepra e tij është aty, e botua mbas kaq peripecish të autorit dhe rreziqesh, ajo është e pranishme përballë kësaj përzjerje heshtjeje –zhurme e-debatitë mefshtë qëpo gëzojmë prej 20 vjetësh. Del pyetja: Kur do të dalin revistat , kur e kaluara do të japë lejen që ato të dalin, kur do jepet leja që temat pervëluese të preken, që e vërteta e vërtetë të apasionojë një rreth të gjerë intelektualësh të rinj të paduruar? Sepse ka shoqëria jonë dijetarë që t`i dalin zot edhe opusit të Petro Zhejit , për ta bërë të njohur këtyre të rinjve me mjetet e ndryshme të komunikimit , në katedra që fitohen me konkurse e me punime të botuara lirshëm përkundra mungesave të ndryshme penguese, madje edhe në gjuhë të huaja. Pritet vetëm sinjali nëse do vijë.

Filed Under: ESSE Tagged With: fjeti, Nga Lekë Tasi, Petroi Zheji

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 492
  • 493
  • 494
  • 495
  • 496
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT