• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BAHRI OMARI: EDHE NË VARR DO T’I SHËRBEJ ATDHEUT!

February 10, 2019 by dgreca

10 SHKURT- Kujtojmë Editorin e DIELLIT Bahri Omari me rastin e 110 Vjetorit të Diellit dhe 130 vjetorin e Lindjes/

1 Omari BahriNGA DALIP GRECA/1 Omari Familja

Në foto: Familja Omari me 1941 ne Bari te Italisë/Me 10 Shkurt 1889 lindi në Gjirokastër Bahri Omari, një ndër intelektualët idealist, që për fat, rrethanat jetësore do ta sillnin në moshën 26 vjecare në SHBA, për të marrë drejtimin e gazetës “Dielli” në kohë kritike, kur fatet e Shqipërisë ishin në duart e Shqiptarëve të Amerikës, Kur VATRA vepronte në vend të shtetit të vdekur shqiptar. Në kohën e Bahri Omarit si editor i Diellit dhe Kol Tromarës si Kryetar i VATRËS, Perëndia kishte zgjedhur Shqiptarët e Amerikës që të shpëtonin Shqipërinë. Kështu shkruante Dielli i 3 Qershorit 1917, Ku dy “kokat” e Vatrës, udhëhiqnin fushatën “Për Shpëtimin e Shqipërisë”, që i priu dhe siguroi mbrojtjen e Pavarësisë së humbur në Konferencën e Paqes në Paris. Por ndërsa Kol Tromarën e Bahri Omarin, Perëndia i vuri në krye të shqiptarëve të Amerikës për të shpëtuar Shqipërinë, e cila ua shpërbleu tragjikisht duke u dhënë plumbin për të vetmin faj se e deshën Atdheun, ndaj patën lënë Amerikën që të bënin Shqipërinë!

1 Bahri Andon FrasheriU kthyen, pa e ditur se po firmosnin aktin e fundit të tragjedisë së tyre. Dhe të dy, ashtu si dhe bashkëluftëtari i tyre Vatran Aqif Përmeti, u përballën me gjyqin absurd special, ku atdhetarët akuzoheshin për tradhëtarë dhe ata u dënuan me pushkatim. Bahri Omari në fjalën e fundit para Trupit Gjykues tha :”Unë nuk kërkoj mëshirë, kërkoj drejtësi(Sipas Testamentit të ish Kryeprokurorit Bedri Spahiu). Edhe në qeli në pritje të pushkatimit, Bahri Omari do të tregonte shpirtin fisnk. Kur i biri e vizitoi në qeli, i tregoi se po bënin përpjekje për t’ia shpëtuar jetën, ai edhe pse nuk besonte tek falja e komunistëve, e porositi të birin: Kini parasysh edhe Kolën(Tromarën) se ai nuk ka kënd…Natyrisht që vendimi nuk ndryshoi. Të 17-ët e dënuar nga gjyqi special u pushkatuan me 14 prill 1946. Sipas dëshmisë të Astrit Bishqemit, të birit të Tahsim Bishqemit(pushkatuar), i cili ndoqi i fshehur skenën e pushkatimit tek Kodra e Priftit dhe kishte dëgjuar zërin e fortë të Bahri Omarit, drejtuar Kryeprokurorit Bedri Spahiu, kur iu kërkuan të kthenin shpinën nga skuadra e pushkatimit:Dëgjo Bedri Spahiu, unë nuk jam tradhtar dhe nuk e kthej kurrizin. Ta dish se dhe nga varri, Bahri Omari, do të punojë për Shqipërinë!(referuar librit”Bahri Omari-Jeta dhe veprimtaria”, e autores Donika Omari.

… Por le të kthehemi pas në kohë.

***

BAHRI OMARI, NGA HIMARA NE SHBA

Bahri Omari ishte i biri i Iliaz Omarit, vëlla i vetëm i dy motrave nga një familje atdhetare gjirokastrite. U arsimua në Gjirokastër dhe Janinë, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll, në Mekteb-i Mylkije. U diplomua në shkencat administrative më 1910. Pat punuar nëpunës i administratës në Kurvelesh, ndërsa pragshpallja e pavarësisë e gjeti si nënprefekt në Himarë. Këtë post e mbajti edhe pas shpalljes së qeverisë së Vlorës,ku u shqua në përballjen me armë në dorë kundër andartëve grekë ”vorio-epiriotë.”

Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë të kohës së Luftës Ballkanike, Bahri Omari zgjodhi rrugën e emigrimit. Mbërriti në Amerikën e Veriut, fillimisht në Bufalo, dhe u vu në dispozicion të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës.

***

Bahri Omari erdhi në krye të Diellit në këto rrethana: Paqja mes Kostë Çekrezit, editorit që e bëri Diellin të përditshëm që me 8 nëntor 1915, dhe Komisionit të Vatrës, nuk qe e qëndrushme. Komisioni që u mblodh me 19 Dhjetor 1915, nuk e pranoi, por e hodhi poshtë kandidaturën e Kostë e Çekrezit me argumentin se ai kishte shkelë konditat me të cilat qe marrë vesh me Komisionin, të cilat ishin botuar edhe në numrin 528 të gazetës.

Detyra e Editorit të Diellit iu nga ngarkua përkohësisht kryetarit të asaj kohe, Fan S Nolit. Kështu vendosi Komisioni me shumicë votash dhe Noli nuk e refuzoi detyrën deri në Kuvendin e radhës. Për rreth 7 muaj gazeta Dielli u editua nga Imzot Fan S. Noli.

Kryetari i Vatres dhe editori Noli, nuk do të merrte rrogë të vecantë si editor, por iu gjet një ndihmës Editor, Andon Frashëri me një rrogë 40 dollarë në muaj.

BAHRI OMARI DHE RAUF FICO, DY KANDITATËT PËR EDITOR

Diskutimin për dy kandidatura për editor të Diellit gjenden në rekordin e Vatrës, mbajtur nga Komisioni që drejtonte VATRËN. Rekordi që ndodhet në arkivin e federatës mbanë datën 7 Maj 1916. U la që dy kanditë të rinj të parqiteshin para Komisionit për t’u intervistuar se çfarë platformash mendonin për ta bërë gazetën më të fuqishme. Një muaj më vonë, në një rekord tjetër të Federatës e Vatra, që mbanë datën 8 qershor 1916, informohemi se ishin paraqitur dy kandidatura për tu shqyrtuar; ajo e Bahri Omarit dhe e Rauf Ficos. Do të zgjidhej njëri prej tyre. U mor vendimi që Kuvendi vjetor të mblidhej sipas Kanunores me 2 deri 4 Korrik 1916 dhe aty të vendosej edhe për editorin e ri.

Në seancën e ditës së katër të Kuvendit, që i kishte nisë punimet të dielën me 2 Korrik, u shtrua para delegatëve kandidatura e Bahri Omarit si editor i Diellit. Ai u pranua njëzeri. Kandidatura e dytë, ajo e Rauf Ficos, që më vonë do të bëhej një nga diplomatët më të zëshëm të Shqipërisë, nuk u hodh në votë për dy arsye; së pari Omari mori shumicën e votave, së dyti, sepse miqtë e kandidaturës së dytë argumentuan se z. Fico ndodhej në Elbasan dhe nuk mund të vinte në këtë kohë trazirash nga Shqipëria në Amerikë. U vendos që rroga e editorit të ishte 70 dollar në muaj, ndërsa e menaxherit të Diellit 50 dollarë në muaj(Kuvendi zgjodhi Mahmud Përmetin menaxher) dhe ndihmës editor u rizgjodh Andon Frashëri, rroga e të cilit u caktua që të lihej aq si ishte edhe në kohën e Nolit, 40 dollar në muaj.

Edhe një vit më pas, në Kuvendin e 1-13 korrikut 1917, kur kandidatura  e Bahri Omarit kishte përballë kandidatin Kostë Çekrezi, Omari doli sërish fitues me 40 vota nga 32 që mori Çekrezi.

Nën drejtimin e Bahri Omarit Dielli vijoi të kryej misionin e tij informues dhe të rrisë patriotizmin në radhët e shqiptarëve të Amerikës, të përçjellë frymën vatrane në çdo koloni ku jetonin shqiptarët. Rritjes së frymës Kombëtare gazeta i jepte përparësi duke i parapërgatitë shqiptarët e Amerikës për sakrifica në emër të Atdheut që vuante nën pushtim dhe egërsinë e fqinjëve për ta ndarë copash Shqipërinë. Evokimi i figurave kombëtare ishte një formë që Dielli e përdori për të rritë shpirtin patriotik. Përmes gazetës mësojmë se shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës po përgatiteshin për të kryer detyrën e mbrojtjes së Shqipërisë në mungesë të Shtetit.Për këtë qëllim Komisioni kishte shtruar detyrën që të dërgohej në Evropë Mehmet Konica me kredenciale për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Vatra kishte kohë që vepronte në vend të shtetit të munguar shqiptar.

Nën drejtimin e Bahri Omari Dielli përveçse vazhdoi të publikohej si gazetë e përditshme, u zmadhua edhe në format dhe doli me gjashtë shtylla(Kolona). Kjo ndodhi me 30 Dhjetor 1916.

Bahri Omari përcolli ngjarje dhe zhvillime të vrullshme që po ndodhnin përgjatë luftës botërore. Hyrja e Amerikës në luftë në prill të vitit 1917 e kishte bërë Vatrën të intensifikonte veprimtaritë për t’i paraprirë sigurimit të pavarësisë së humbur. Dielli dhe vatranët duartrokitën ngritjen e Flamurit shqiptar nga ushtria franceze në Korçë. Me këtë rast gazeta e Vatrës shkroi se Shoqëria korçare “Arsimi” organizoi një miting madhështor në Boston, duke pasur edhe mbështetjen e Vatrës, ku drejtues dhe  folës kryesor ishte Kristo Kirka, ndërsa Thoma Natsi drejtoi muzikën.

BAHRI OMARI NGJATJETON VATRANËT

Në numrin e parë të Diellit të drejtuar prej Bahri Omarit, 7 Korrik 1916, publikohet editoriali me titull  ”Mirë se ju gjeta”!. Mënyra e komunikimit të editorit me vatranët në vecanti dhe lexuesit në përgjithësi është i hapur dhe i sinqertë: “ Dëshira e madhe që kam patur kurdoherë se si t’i shërbej atdheut dhe Kombit m’u kurorëzua me redaksinë e Diellit, me shërbimin më të ëndërruar, e çila është arma më e madhe në botë. Shtypi është,siç duan ta thonë disa shkrimtarë të dëgjuar, e katërta fuqi përmi të tri fuqitë që janë në qeveritë konstitucionale. Me rëndësinë e madhe që ka shtypi, është i zoti të sjellë fitim a dëme të mëdha si pas qëllimit që ka përpara…”

Editorit zotohej para lexuesëve që në editorialin e parë: ”Do të derdhim të gjitha fuqinë për mbrojtjen e Atdheut dhe e vetmja politikë që do të ndjekë Dielli do të jetë përlindja shqiptare.

Editori Omari u jepte fjalën vatranëve se se do të ndiqte vetëm rrugën kombëtare dhe se Diellin do të përpiqej ta zmadhonte e ta zbukuronte me qëllim që të kishte një vend të ndritshëm midis gazetave më të mira të kohës. Ai ndjehej krenar për shqiptarët e Amerikës, të cilët meritojnë, siç shkruante ai, më të madhen lavdi për zhvillimet dhe përparimet që kanë rrëfyer e po rrëfejnë në fushën kombëtare ; cilësitë patriotike të shqiptarëve të Amerikës janë shumë më të larta se mburrjet tona:shpresa jonë është lidhur gjithë në mbrojtjen dhe përkujdesjen e asaj patriotizme.

Editori i paralajmërontë shqiptarët e Amerikës se beteja për ta bërë Shqipërinë do të ishte e gjatë dhe e vështirë sepse: “Shqipëria është vendi ku përplasen valët e intrigave dhe lakmive të fqinjëve dhe është bërë një “Top” në duart e diplomacisë evropiane, prandaj ne shqiptarët, sipas vendit gjeografik që kemi(të lakmuar nga të tjerët)  duhet të punojmë më shumë se kombet e tjerë të Ballkanit… Për atdhetarët e vërtetë, dëshpërim nuk ka kurrë, mundimet tona do t’i përhapin ret’ e zeza që po mbulojnë horizontet e Atdheut.

NJË LEKSION EDHE PËR POLITIKANËT E SOTËM

Shumë nga editorialet e Bahri Omarit, edhe pse janë të shkruara një shekull më parë mbeten leksione për politikën dhe në ditët e sotme. Ndiqeni editorialin e 20 Korrikut 1916” Sëmundjet morale”. Nën këtë titull editori zbërthen atë që e quan sëmundje epidemike të shqiptarëve: Sëmundja e politikës. Ai konstatonte se çdo shqiptar sheh një farë autoriteti në veten e tij, duke e gjetur veten të aftë që të bisedojë nga çdo pikpamje mbi politikën e përgjithshme, dhe më shumë për politikën e vendit të tij. Editori e zbërthen dukurinë në kompleksitetin e saj dhe mbanë qëndrim kritik: Shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke e bazuar gjykimin tonë mbi ca fjalë të thata liksht dëgjuar andej- këtej, pa patur as të paktën ndonjë njohuri për biografinë e atij njeriu që dënohet ose cnderohet. Tjetri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh brockulla, dhe në daç t’i mbushësh mendjen, atë çast të merr nëpër këmbë dhe të shpall të paditur…

Leksioni i editorit ka vlera edhe sot: “Më e madhja çudi është kur përdorin fjalët e reja, pa i kuptuar i pëlçasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vendeve tona, e cila bren gjendjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani` në kombet e qytetëruar. Më të shumtët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë tërhequr vëmendjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre që e kanë për detyrë.

Editori B. Omari, gjykon se shqiptarët po trashëgonin një sëmundje greke, se më shumë ndër grekër ishte e përhapur kjo sëmundje. Ku është e keqja? Kjo sëmundje, shkruan Omari, ndalon njerinë të përparojë në punën e tij. Sëmundja politike të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin, të nervozohesh. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë, këshillonte editori Omari.

Editori përpiqet që përmes Diellit të edukojë shqiptarët. Për Bahri Omarin, padija ndahet në dy: Një është ai që s’di dhe e tregon padijen. Tjetri është ai që s’di dhe s’ia ka për pesë.

Editori e quan mjerim të madh për shqiptarët që shiten si  të ditur, kur nuk dinë asgjë. Ai godet veset e shqiptarëve, krekosjen, egoizmin, sharlatanizmin, dhe u kërkon shqiptarëve të përkrahin idealizmin sepse kështu i shërbejnë atdheut dhe Kombit.Ai kërkon një qeverisje shqiptare me themele e moral të fortë se morali i prishur kalbëzon rërnjët e qeverisë dhe e rrokullis në humnerë.

PENA E HIDHËT NDA ARMIQËVE DHE TRADHËTARËVE

Nën penën e Bahri Omari Dielli e solli në fokus shqetësimet e Shqipërisë për mbijetesë, i grisi maskën “qytetërimit” Europian, efektet e të cilit i provuan në kurriz shqiptarët: Kur u shkel Shqipëria prej fqinjëve të saj, sa i mori në sy Europa të drejtat e Shqipërisë që i ripej lëkura prej qeverive barbare nën maskën e qytetrimit? Më në fund Europa i gostiti dhe me nga një thelë nga trupi shqiptar. Pyesim: Ku është qytetërimi? Ku janë mbrojtësit e atyre principeve të nacionaliteteve, ku janë autorët italianë që i kanë kryer në shesh këto principe? Sa serbfolës ka në Kosovën Shqiptare?  Nuk mjaftoi ç’iu dha këtij barbari sllav po dhe ta madhojmë më? Neve bërtasim se e dimë që shpata do kërcasë në kokën tonë. Se Serbi s’e ka synë veçse në Adriatik, dhe ëndrron Durrësin. Përfundimi i analizës së Omarit është: Qytetërimi përdoret në duart e të mëdhenjëve si vegël për t’u edukuar të vegjëlve dëshirat e tyre me veshjen e drejtësisë Kurdoherë idealet dhe qëllimet janë bërë dëshmorë të padrejtësisë dhe t’interesit(Dielli  25 Korrik 1916.)

Bahri Omari është i ashpër jo vetëm me armiqtë e jashtëm të Shqipërisë, por edhe me tradhëtarët shqiptarë. Ai e cilëson Esad Pashë Toptanin si Neronin e Shqipërisë. Në editorialin me titull ”Neroni i Shqipërisë”, botuar në Diellin e 1 gushtit 1916, ai shkruan:Esat Pashë Toptanit këtij gjakpirësi, s’i arritën të bënte sehir ngjarjet tragjike të mëmëdheut të tij, tani do dhe t’i verë zjarrin, si Neroni Romës. Ky gjeneral i famshëm! Ky mbrojtës i Shkodrës për të kurorëzuar veprat e tij  do dhe t’i verë flakën Atdheut! Ky faqezi, pasi vizitoi fortesën e Verdunit dhe dëftoi mendjet strategjike të tij, tani bredh oborreve të Evropës duke vënë Shqipërinë, këtë mëmëz të dashur të shqiptarëve, si plaçkë pazari që të mbushë qesen, të ngopet me napolona, me flori.

Pena e Omarit është e mbushur me idhnim: Më së fundi ky vagabond zuri të ngjyrosë ne ngjyrën e tij edhe shqiptartë e shkëlqyer të Amerikës, që ti bëjë vegla të tij. Ky tradhëtor i Kombit zuri të mburret se mund të sjellë nag Amerika më shumë se 15 mijë shpirtë dhe të lëftojë,të dëftojë trimërinë e tij! Por te shqiptarët e Amerikës s’arrijnë djallëzitë e tij. Shqiptarët amerikanë jan’ aq të lartë sa s’mund t’i arrijnë kurrë pabesia e një lajkamadhi e tradhëtori. ..(Të plotë e lexoni në gazetën Dielli ne Print)

Filed Under: Featured Tagged With: 130 Vjetori, Bahri Omari, dalip greca, i lindjes

“Bijtë e Shipes” në Filadelfia përkujtuan Ismail Qemalin e Isa Boletinin

February 9, 2019 by dgreca

Me rastin e 175 vjetorit të lindjes dhe 100 vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit dhe 155 vjetorit të lindjes dhe 103 vjetorit të rënjes së Isa Boletinit/

1 Fili Vlash2 Vlashi Fili1 Sadik2 Sadili12 Sadil14 Gege e Toske1 me ep Nder

Nga Sadik ELSHANI/ 

Viti që sapo kaloi, viti 2018, ishte shpallur Viti i Skenderbeut në tërë botën shqiptare, sepse u shënua 550 vjetori i ndarjes fizike nga kjo botë të Heroit tonë Kombëtar dhe 575 vjetori i kthimit të tij në Krujë, për të shënuar kështu periudhën më të ndritur e më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Me këtë rast në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë u organizuan mjaft manifestime të ndryshme kulturore – artistike, konferenca shkencore, simpoziume, etj. Edhe shoqata “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia organizoi një veprimtari dinjitoze ku u paraqiten disa kumtesa serioze, shoqëruar pastaj me një program artistik dhe koktejin tradicional me pije e ushqime të kuzhinës shqiptare. Shoqata jonë u kushton një rëndësi të madhe figurave të ndritura të kombit tonë, sepse jetëshkrimi i tyre është edhe jetëshkrimi i kombit tonë. Dhe ja, sapo hyri viti i ri, 2019, një veprimtari e tillë u organizua ditën e shtunë më 2 shkurt në mjediset e shoqatës sonë për te përkujtuar nepunesin dhe deputetin e Perandorisë Osmane, veprimtarin e çështjes kombëtare, themeluesin e shtetit shqiptar, Babain e Kombit tonë,Ismail Qemalin (16 janar, 1844 – 24 janar, 1919), me rastin e 175 vjetorit të lindjes dhe 100 vjetorit të ndarjes së tij nga kjo botë. Po ashtu, në këtë veprimtari u përkujtua dhe u nderua edhe trimi i Kosoves dhe i kombit tonë, luftëtari e strategu ushtarak, “gjenerali me plis të bardhë”, Isa Boletini (15 janar, 1864 – 23 janar, 1916) me rastin e 155 vjetorit të lindjes dhe 103 vjetorit të vdekjes. Është kjo dyshja e këtyre burrave të mëdhenj të kombit tonë që e plotësojnë mirë njëri – tjetrin, janë këto dy shtyllat, dy figurat qendrore të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipqrisë dhe themelimit të shtetit të parë shqiptar.

Salla e madhe në godinën e shoqatës “Bijtë e Shqipes” ishte zbukuruar posaçërisht për këtë veprimtari, me portretet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, me një tablo nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku spikasin këta dy burra si dy shqiponja, ndërsa në sfond qëndron busti i Ismail Qemalit dhe kuptohet, në mes qëndron Flamuri Kuq e Zi. Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, zoti Bujar Gjoka, i cili u dëshiroi mirëseardhjen bashkatdhetarëv dhe i falenderoi ata për pjesëmarrjen. Pastaj ai theksoi rëndësinë e kësaj veprimtarie dhe rëndësinë e këtyre dy figurave madhore të kombit tonë. Për këtë veprimtari ishin përgatitur dy kumtesa cilësore, z. Sadik Elshani, njëherësh edhe shkruesi i këtyre radhëve, kishte përgatitur kumtesën për Ismail Qemalin, me titull: “Ismail Qemali, burri që ngriti Flamurin e Skenderbeut, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe hodhi themelet e shtetit shqiptar”, ndërsa z. Llazar Vero kishte përgatitur kumtesën për Isa Boletinin, titulluar: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia”.

Që në fillim të fjalës së tij z. Elshani vuri në pah se, muaji i ftohtë i janarit i lindi burra të mëdhenj kombit tonë: Ismail Qemalin (16 janar, 1844), Isa Boletinin (15 janar, 1864), Fan Nolin (6 janar, 1882), Ismail Kadarenë (28 janar, 1936) e ndonjë tjetër. Poashtu, ky muaj i ftohtë i mori në amshim disa burra të mëdhenj të kombit tonë: Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skenderbeun (17 janar, 1468), Isa Boletinin (23 janar, 1916), Ismail Qemalin (24 janar, 1919), Ernest Koliqin (15 janar, 1975), Ibrahim Rugoven (21 janar, 2006) e ndonjë tjetër. Ishte ky një rast i përshtatshëm për t’i nderuar edhe këto figura të lartpërmendura. Pastaj ai u përqëndrua te figura e Ismail Qemalit, burrit, plakut të urtë, Babait të Kombit tonë, që më 28 nëntor të vitit 1912, pas një robërie pesëshekullore, e ngriti në Vlorë Flamurin e Skenderbeut, dhe në prani të përfaqësuesve të të gjitha trojeve shqiptare shpalli pavarësinë e Shqipërisë, hodhi themelet e shtetit shqiptar dhe përmbushi ëndrrën shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi dhe vazhdoi: “Ismail Qemali është një figurë qendrore e lëvizjes sonë kombëtare për liri e pavarësi, një figurë që rrezaton pjekurinë, urtësinë, por edhe guximin, burrërinë e një njeriu të rryem, që në një fazë mjaft kritike për popullin tonë arriti që t’i printe popullit dhe t’i drejtonte fatet e tij drejt një fitoreje përfundimtare. Përvoja e tij e gjatë në administratën Otomane, studimet dhe udhëtimet e tij në botën përendimore, njohja e mirë e historisë dhe pozitës së popullit të tij e kishin përgatitur mirë për rolin që do të merrte në drejtimin e përpjekjeve kombëtare për të hequr qafe një herë e përgjithmonë zgjedhën Otomane. Këtë mund ta bënte vetëm një burrë si Ismail Qemali, sepse ai ishte shtetar, kishte një përvojë të mirë në administrimin e disa rajoneve të Perandorisë Otomane, diplomat i rryem, ishte i vetëdijshëm për përgjegjësitë që lidhen me ndërtimin dhe udhëheqjen e një shteti. Të tjerët intelektualë shqiptarë nuk e kishin një përvojë të tillë, ishin figura të ndritura, idealistë, por pa një përvojë konkrete administrative e shtetndërtuese”.

Pastaj ai bëri një vështrim të shkurtër për jetën e Ismail Qemalit që nga lindja e tij në një familje fisnike e tdhetare; shkollimi në gjimnazin e njohur “Zosimea” të Janinës (1855 – 1859); vajtjen e tij në Stamboll më 1860, punën e tij në Zyrën e Përkthimeve të Ministrisë së Jashtme; studimet për drejtësi dhe postet e shumta në Perandorinë Otomane: ndihmës drejtor i çështjeve politike në vilajetin e Janinës, ndihmës i valiut të Danubit, vali i Varnës, Bejrutit, Gjiritit,Tripolit, sekretar privat i ministrit të Drejtësisë, Mid’hat Pasha (1873 – 1876), kryetar i Komisionit Europian të Danubit (si delegat Osman) e shumë poste të tjera. Ishte një nëpunës i zoti dhe mjaft i vlerësuar i Perandorisë Otomane. Në vitin 1900 Ismail Qemali arratiset nga Perandoria, sepse ai kishte dyshime se diçka e keqe do t’i ndodhte. Në fillim shkon në Athinë ku takohet me politikanët arbërorë dhe më pas kaloi në Napoli, Romë, Llozanë, Paris. Pasi u mor vesh me Faik Konicën, u vendos në Bruksel dhe mori drejtimin e gazetës së njohur, “Albania” dhe më vonë me ftesën e kolonisë shqiptare shkon në Kajro. Pastaj z. Sadik foli për kthimin e Ismail Qemalit në Stamboll më 1908, pas revolucionit xhonturk dhe angazhimin e tij për cështjen kombëtare si deputet i parlamentit turk, nga Berati, udhëtimet e tij nëpër Europë për të siguruar përkrahjen e vendeve europiane për pavarësinë e Shqipërisë, nënshkrimin e “Memorandumit të Gërces” ku kërkohej një vilajet shqiptar brënda Perandorisë Otomane dhe më në fund kthimin e tij në Shqipëri dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912.

Ismail Qemali ishte nënshkruesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë dhe u emërua kryetar i Këshillit të Ministrave të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë. Gjithashtu, ai ushtroi edhe detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Formoi një qeveri me burra atdhetaëë, që gëzonin autoritet në popull. Sipas mendimit tim, kjo qeveri edhe në ato kushte të vështira, mbetet si qeveria më kompetente dhe më kombëtare që shteti shqiptar ka patur ndonjëherë. Edhe në ato kushte të vështira u miratuan ligje, u bën përpjekje për ngritjen e administratës, zhvillimin e ekonomisë, arsimit, kulturës, etj. Vetë Ismail Qemali u angazhua që trojet shqiptare të mos coptoheshin, formoi një delegacion dhe vetë mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Të tjerat i ka thënë historia. Në këtë pozitë Ismail Qemali qëndroi gjer më 22 janar të vitit 1914 kur iu kërkua dorëheqja nga Komisioni Ndërkombëtar.Ai u largua nga Shqipëria dhe shkon ne Nicë ku e kishte familjen. Por, ai kurrë nuk u tërhoq nga skena politike shqiptare. Në maj të vitit 1914 kthehet në Shqipëri dhe në qershor takohet edhe me princ Vidin. Në vitet në vazhdim bën udhëtime të shumta në Itali, Francë, Spanjë – gjithmonë duke punuar për Shqipërinë, për ta mbrojtur e stabilizuar shtetin shqiptar. Në një nga këto udhëtime kur po qëndronte në Peruxhia të Italisë, duke mbajtur një konferencë për shtyp ai sëmuret dhe vdes më 24 janar të vitit 1924. Siç duket, nga helmimi.

Zoti Elshani e përfundoi fjalën e tij duke i bërë këtë vlerësim figurës së Ismail Qemalit: “Edhe Ismail Qemali si shumica e figurave të rendesishme nuk ka qenë i përjashtuar nga ndonjë rast kundërthënës (kontravers) në jetën e tij.  Edhe pse u angazhua pak vonë në lëvizjen kombëtare, ndihmesa e tij është madhështore. U angazhua në njëren nga periudhat më kritike të historisë sonë, që u kurorëzua me formimin e shtetit shqiptar të pavarur. Ismail Qemali, intelektual e shtetar i rrallë, është një figurq e rëndësishme, nga më të rëndësishmet, e historisë sonë kombëtare. Kur dëgjojmë emrin Ismail Qemal, mendja menjëherë na shkon te Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimi i shtetit shqiptar. Në historinë tonë të lavdishme shumëshekullore ka mjaft episode, ngjarje të rëndësishme, por shpallja e shtetit të pavarur është kulmi i të gjitha përpjekjeve, të gjitha të arriturave. Për këtë akt madhor meritat nuk i takojnë vetëm Ismail Qemalit, por ai ishte më i merituari. Ai ishte një burrë që perveç karakteristikave fizike burrërore, ishte edhe njeri me pervojë, njeri i mencur, i urtë që kishte aftësinë, autoritetin për t’i bashkuar njerëzit, që nuk ishte aq lehtë në atë kohë dhe në çdo kohë tjetër. Ishte figura, portreti i tij me atë mjekrën e bardhë si në tregimet e moçme shqiptare, që rrezatonte ato vlera të larta njerëzore e kombëtare të popullit shqiptar, që ngjallte respektin te njerëzit. Portrei fizik e shpirtëror i Ismail Qemalit ishte portreti i një Shqipërie të madherishme, dinjitoze, serioze e të respektuar, “Zonjë e Rëndë”, siç e ka quajtur Shqipërinë një burrë tjetër i madh i kombit tonë, Vaso Pasha. Edhe sot, të gjithë shqiptarët, sidomos politikanët tanë duhet të mësojneënga jeta dhe vepra e pavdekshme e Ismail Qemalit. Viti 2019 duhet të shpallet “Viti i Ismail Qemalit” dhe të gjithë duhet të reflektojmë e të punojmë për të ndërtuar një Shqipëri, një shtet shqiptar ashtu siç e meriton populli ynë i shumëvuajtur”.

Në vazhdim zoti Llazar Vero paraqiti kumtesën kushtuar jetës dhe veprës së Isa Boletinit me mjë titull mjaft kuptimplot që mishëron karakterin, qëllimin e jetës së këtij burri të rrallë të kombit tonë: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia”. Pastaj z. Vero e analizoi më thellë këtë thënie mjaft domethënëse: “Kjo është një thënie lapidare e heroit tonë kombëtar, Isa Boletinit. Në të është njeriu i qytetëruar, luftëtari, atdhetari. Ai ishte edhe një strateg ushtarak i talentuar, largpamës që besonte ndershmërisht në marrëdhëniet paqësore të ndershme dhe të qëndrueshme midis popujve. Ai kishte besim në idealin e tij kombëtar dhe luftoi me mish dhe me shpirt që Kosova të mbetej e pandarë nga Shqipëria”. Për të pranishmit z. Vero bëri edhe një paraqitje të shkurtër për jetëshkrimin e Isa Boletinit që nga lindja e tij më 15 janar të vitit 1864 në një familje luftëtarësh atdhetarë, pjesëmarrjen e tij në Lidhjen e Prizrenit, betejat e për mbrojtjen e Lidhjes, siç ishin betejat e Slivovës dhe të Grykës së Carralevës. Më vonë do ta shohim si komandant (nëntor, 1908), duke luftuar me trimat e tij kundër 7000 ushtarëve osmanë. Më 1909 ishte përsëri në krye të forcave shqiptare në kryengritjet e Prishtinës e Prizrenit e shumë beteja të tjera. Më 1912 u caktua komandant i çetave kryengritëse shqiptare që luftonin për çlirimin dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare e më vonë pavarësinë e Shqipërisë. Me trimat e tij arrin në Vlorë pak me vonesë nga Shpallja e Pavarësisë, por ata luftëtarë nën komandën e tij u bën garda e parë, ushtria e parë e Shqipërisë që deri diku e stabilizoi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe në tërë Shqipërinë e Jugut. Një vëmendje të posacme z. Vero i kushtoi edhe rolit të Isa Boletinit në organizimin e Kuvendit tradicional te Verrat e Llukës më 17 prill 1910, ku krerët shqiptarë nga të gjitha trevat e Kosovës ishin mbledhur për t’i falur gjaqet në mes shqiptarëve dhe për të lidhur besën për të luftuar armikun e përbashkët e jo njëri – tjetrin. “Gjak borxh na ka vetëm anmiku ynë. Na jemi vllazën e duhet me u bashkue dhe me dekë për liri të vatanit. Ai që mbas sodit ngre pushkë ndër veti ka m’u kanë bash hasmi ynë” – ishin këto fjalët e Isa Boletinit në këtë kuvend që ka zënë një vend të rëndësishëm në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht në të njejtin vend, 80 vite më vonë, nën udhëheqjen e profesor Anton Çettës, akademik Mark Krasniqit, profesor Zekeria Canës e shumë veprimtarëve të tjerë të çështjes kombetare, shqiptarët u mblodhën përsëri për t’i falur gjaqet e për të lidhur besën për të luftuar armikun e përbashkët – regjimin barbar të Sllobodan Millosheviqit.

Isa Boletini ishte kudo që kërkohej për të luftuar për Shqipëri. Edhe kur në Shqipëri u vendos Princ Vidi më 1914, ai vihet në shërbim të kësaj qeverie së bashku me trimat e tij. Përpjekjet e tij për të mirën e Shqipërisë nuk u ndalen kurrë derisa më 23 janar të vitit 1916 u vra në pabesi në një pritë te ura e Ribnicës afër Podgoricës. Është e ngrirë në historinë tonë pjesëmarrja e tij në delegacionin shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Një përshtypje të jashtëzakonshme u ka lënë të gjithëvë Isa Boletini me pamjen e tij burrërore, veshjen e bukur kombëtare, por edhe me qëndrimet e tij për të mbrojtur tokën shqiptare. “Unë hyra në një dhomë të madhe katrore ku gjeta Isa Boletinin, me trup shumë të gjatë, të zhdërvjelltë, një shqiptar të vërtetë, shqiponjë, me sy të lëvizshëm dhe me fytyrë të bukur dhe të ashpër” – është shprehur diplomati anglez, Aubrey Herbert. Nuk e kanë quajtur kot” Gjenerali me plis të bardhë”. Pastaj është edhe ajo ndodhia kur anglezët mendojnë se e kanë çarmatosur gjeneralin, por ai ua tregon revolen tjetër që e kishte mbajtur fshehur – gjeneralin tonë askush nuk ka mundur ta çarmatoste. Në fund z. Llazar foli edhe për varrimin e eshtrave të Isa Boletinit pas 99 vjetësh në oborrin e kullës së tij në Boletin, kështu duke përmbushur amanetin e tij, por: “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mbetet pengu i tij dhe i yni dhe i çdo shqiptari të ndershëm” – e përfundoi fjalën e tij z. Llazar Vero.

Veprimtaria vazhdoi pastaj me paraqitjen e disa videove për Ismail Qemalin e Isa Boletinin: Pjesa e fundit e filmit “Nëntori i dytë – skena e shpalljes së pavarësisë dhe ardhja e Isa Boletinit me trimat e tij në Vlorë; një dokumentar për varrimin dhe rivarrimin e Ismail Qemalit dhe në fund kënga kushtuar Ismail Qemalit: “Cili je ti more burrë”, kënduar nga grupi i njohur i Kaninës. Sipas traditës së shoqatës sonë, në fund u shtrua kokteji: “Bukë e kripë e zemër”, me pije e ushqime të llojllojshme. Edhe gjatë koktejit vazhduan bisedat në mes bashkatdhetarëve për këta dy burra të mëdhenj të kombit tonë, duke shprehur respektin e adhurimin për jetën dhe veprën e tyre në shërbim të kombit e atdheut.

Të paharruar qofshin Ismail Qemali, Isa Boletini dhe të gjithë ata/ato që luftuan për lirinë e çdo pëllëmbe të tokës shqiptare!

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane

Filadelfia, 5 shkurt, 2019

 

Filed Under: Featured Tagged With: bijte e shqipes, Dr. Sadik Elshani, filadelfia, Isa Boletini, Ismail Qemali

RRENJET NUK HUMBIN…

February 8, 2019 by dgreca

  • Rrënjët nuk humbin,ato kultivohen-Rreth koncertit të Grupit “Vëllezërit Arbëreshë” me Artisten e mirënjohur Mimoza Nazarko e grupin e saj drejtuar nga pianisti Gjon Guralumi/*

1 Arbereshet

Ështe ky titulli i koncertit te dates 16 shkurt ne Friburg per nder te 11 vjetorit te Pavaresise se Kosoves, nje bashkepunim ne mes grupit “Vellezerit Arbereshe ” dhe këngëtares qe jeton e zhvillon me shumë sukses prej shume vitesh aktivitetet koncertore ne Zvicer . E kemi fjalën për artisten shumë të mirënjohur Mimoza Nazarko dhe grupin e saj trion muzikore me drejtues pianistin Gjon Guralumi figure tashme e njohur ne rrethet muzikore zvicerane e jashte saj.

Ky koncert mbeshtetet nga komuniteti shqiptar i Friburgut me kordinatore znj.Mimoza Nazarko.

Koncerti po pritet me një padurim i madh nga gjithe artdashesit e bashkeatdhetaret tane ne Zvicer jo vetem per aspektin artistik por edhe per mesazhin tejet të fuqishem qe mbart ne vetevete ardhja e vellezerve arbereshe ne gjirin tone duke ditur dashurine, krenarine e punen e palodhshme qe bejne ata prej 600 vitesh per te ruajtur me dashuri e përkushtim të pakufishëm gjuhen, kulturen e traditat shqiptare. Emocioni qe ata percjellin nepermjet kengeve, melosit arberesh na bene aq shume t’i duam e t’i degjojme me endje e te jemi prane tyre per t’ju shtrenguar duart për dashurinë që ata derdhin për të transmetuar mesazhin e fuqishëm per ta dashur Shqiperine e per te bere shume e me shume per atdheun.

Brenda shoqates dallojne zera autentike e kjo ka bere qe grupi “Vellezerit Arbereshe” nga Frasnita(cs) e Kalabrise pergjate 30 viteve te jene prezantuar përmes koncerteve ne shume vende te Kalabrise, Shqiperi, Kosove, Kroaci, Maqedoni e Zvicer.

Midis tyre spikasin zerat historike te kengetareve te ketij grupi si :

-Michele Greco

-Domenico Imbrogno

-Soprano Maria Cristina-Imbrogno

-Backup Emiljana Oriolo

-Backup Francesco Durante

Mjeshtrit e Fizarmonikes

-Camillo Mafia

-Pasqualino Mitidieri

-Violine Daniela Fusha

Qellimi i shoqates ka qene i vetmi dhe gjithnje studimi, kerkimi dhe perhapja e traditave e gjuhes shqipe tek arbereshet dhe diaspores shqiptare kudo ne bote, ruajtjen e mbajtjen e gjuhes, transmetimin e kultures muzikore, të traditës të kostumeve arbereshe nder shekuj.

Shoqata “Vellezerit Arbereshe” jane pjese e Federates se Shoqatave Arbereshe f.a.a. ku te gjitha bashke keto shoqata bashkeveprojne ne Itali per te ruajtur e trasheguar kulturen arbereshe.

Me frymen e vellazerise qe i karakterizon, ky grup bashkepunon dhe me artiste shqiptare e me artiste te diaspores shqiptare ashtu si ne rastin e disa koncerteve te meparshme e gjithashtu edhe ne kete koncert te dates 16 shkurt ne Friburg

me artisten e mirenjohur Mimoza Nazarko,

pianistin e drejtuesin e trios muzikale Gjon Guralumi,

violinistin Edmond Basha dhe

flautisten Dori Sota.

Artistja e mirënjohur dhe e dashur aq shumë në diasporën shqiptare Mimoza Nazarko na tregon qe eshte prezantimi i tyre i katert se bashku në Zvicer, France, Maqedoni “por emocioni dhe permasat me te medha ne syte e mi thotë Nazarko do mbeten impresionet nga koncerti ne Kalabri ku jemi pritur me ovacione nga spektatoret arbereshe dhe italiane dhe ku jemi vleresuar me mirenjohje edhe nga kryetari i bashkise se qytetit Civita.”

“Ka vertet shume muaj qe po pregatitemi per kete koncert,vazhdon zonja Nazarko, por projektet mund te mbeten ne hije pa nje mbeshtetje e suportim qe te krijon infrastrukturen e duhur per te realizuar nje koncert me të tilla permasa. Gjej rastin te pershendes komunitetin shqiptar te Friburgut e ne veçanti mikun e dashamiresin e artit te mirefillte zotin Bajram Mehmeti i cili jo vetem qe nuk kurseu asgje per te na  bere qe te ndjehemi si në shtëpinë tonë si artistë te respektuar pasi na ka vënë gjithçka ne dispozicion. I shpreh falenderimet edhe nje here.”

“Michele Greco,presidenti i grupit “Vellezerit Arbereshe” dhe zevendespresidenti i F.A.A. ( Federata e Shoqatave Arbereshe ) ne Itali na tregon se programi do te jete i ndertuar me kenge arbereshe, me kenge qe variojne nga shprehjet e lashta te diaspores dhe kenge popullore te shekujve te mevonshem si dhe kenget nga me te njohurat tradicionale te Shqiperise, Kosoves e pjeses shqiptare te Maqedonise. Z.Michele falenderon komunitetin shqiptar te Friburgut dhe znj.Nazarko per ftesen e bere duke shfaqur gatishmerine e tij dhe te grupit per te bashkepunuar edhe me tej per inisiativa e ngjarje te rendesishme që duke kujtuar traditën e shkuar mbajnë gjalle te ardhmen dhe diasporen shqiptare neper bote.”

Persa i takon programit te trios muzikore ku soliste eshte zonja Nazarko ajo thote se “eshte nje repertor gjitheperfshires i trevave shqiptare ku pianisti Gjon Guralumi ka sjelle autorësinë dhe personalitetin e tij ne orkestrimin e disa kengeve te koncertit ku tashme dihet qe Gjon Guralumi eshte fondator i nje prej grupeve me te hershme “Guralumi Albanian Project Jazz” ku levrohet muzika shqiptare ne version jazz. Kenget jane te bukura e jane punuar me shume pasion nga te gjithe anetaret e grupit tone e besojme qe do te jene te pelqyeshme per publikun e me siguri do te duartrokiten fort.”

Zonja Nazarko nënvizon për evenimentin se “nuk do të jetë vetem nje koncert por edhe nje feste e madhe ku do të festojme bashkarisht 11 vjetorin e pavaresise se Kosoves por mbi te gjitha gjaku shqip eshte bashke per te treguar se kemi qene e jemi ndër shekuj nje e te pandare se ne shqiptaret kudo qe jemi, kemi kulture e tradita per te treguar e mund te mburremi me to çka është shembull konkret e i gjalle ky bashkepunim kaq i gjere si i ketij koncerti.”

Voal perfiton nga rasti për t’ju uruar suksese artisteve e komunitetit shqiptar te Friburgut ne kete koncert e mirupafshim ne te tilla koncerte perseri nëpër Zvicër, Europe e botë! Po kështu për t’ju uruar te gjithe shqipatereve kudo ku ata jane.

* KORTEZI- VOAL. Faleminderit Elida dhe Skender Bucpapaj per bashkepunimin me Diellin!

Filed Under: Featured Tagged With: "Vellezerit Arbereshe", Bajram Mehmeti, Fransita, Friburg, Gjon Guralumi, Kalabri, Michele Greco, Mimoza Nazarko, VOAL, zvicer

“Çka ka qëllu”, një “muze”shqiptar në zemër të Bronksit…

February 7, 2019 by dgreca

Foto.-Clka-ka-Qellu.-kryesore-1-780x4391Cka-ka-QelluFoto.-Cka-ka-Qellu.3-1Foto.-Cka-ka-Qellu.-2-11 a Ramizi interviste1 Kezja11 burri me fustanelle1 Isa ne Vlore1 Fustanelle

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në një ditë të dielltë me pak akullnajë të shndritshme janari shkuam si TV “Alba Life” pranë restorantit “Ç’ka ka qëllu” që ndodhet ne Bronx, të Nju Jorkut.

Që në momentin e parë, kur ndodhesh përballë ndërtesës, sa lexon emrin e restorantit ndjen emocion dhe doemos krenari që në një vend të madh si Amerika ka dhe shumë restorante me pronar shqiptar të pagëzuar nga ata me emra në gjuhën shqipe.  Shpesh një rrugë në Bronx me emrin “Artur” e kanë thirrur “Little Italy”, “Itali e vogël”por sot me të drejtë shumë amerikan e njohin si “Little Albany”, (Shqiperi e vogël).  Janë këta bij shqiptarësh që kur largohen nga Atdheu marrin ëndrrat e parealizuara me vehte dhe i ndërtojnë mrekullisht në Amerikën e demokracisë dhe të Lirisë.

Kjo ka ndodhur si në rastin në fjalë me pronarin Ramiz Kukaj me origjinë nga Vuthaj, por që jetoi vite të tëra në Pejë të Kosovës, i cili pasi u largua nga Lufta nga Atdheu dhe erdhi ne Amerike ne vitin 1995, shumë shpejt e gjeti vehten e tij dhe ndërtoi biznese të suksesshme, që jo pak kanë tërhequr dhe vëmendjen e gazetave amerikane.  Gazeta e famshme “New York Times” e ka vendosur midis restoranteve të preferuara dhe të rekomanduara nga shumë klientë të saj.

Dhe gazetat si dhe klientët kanë të drejtë, sepse shërbimi brenda këtij restoranti është shumë i kulturuar dhe me gatime shumë të shijshme.  Brenda mjediseve të rregulluara me plot kulturë nga tradita jonë e mrekullueshme sheh dhe prek me shpirt gjithçka shqiptare.  Fotografitë e varura në mur nga Marubi sjellin pranë klientëve të shumtë që nuk reshtnin së ardhuri botën shqiptare, botën e të gjitha trojeve shqiptare.  Pasi i shikon me radhe fotot te krijohet ndjesia se ke shkuar prane Fototekës Kombëtare “Marubi”, që ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë ne art…

Fotot me vlera të rralla historike, kostumet e larmishme brenda dollapeve me dritë në mure, mjetet e guzhinës që kanë përdorur stërgjyshërit tanë, si mulliri i kafesë, dybeku, talëri i rrahjes së qumështit, ena e shtypjes së kafesë, djepi ku janë rritur bebet shqiptare, ibrikët e çajit dhe të ujit, çikriku i puseve të ujit, xhevzeja dhe filxhani i kafesë në tabakanë e vogël të bakërt e shumë sende të tjera ta çojnë imagjinatën në retrospektivë dhe doemos sjellë fakte të ndryshme nga historia e traditës shqiptare.

Përballë dhomës komode të restorantit ndodhet nje mini bibliotekë e vogël ku dallohet libri i Poetit Kombëtar Gjergj Fishta si “Lahuta e Malcisë”.  E marr në duar dhe i them stafit se peshon sa shtatë kala…, ndërkohë ndjeva krenari që shumë prej nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” kanë interpretuar nga poema “Gjuha Shqipe” shkruar nga Fishta.

Djali prej Peje me plot botë për bizenese që la Atdheun nga Lufta gjeti paqen duke sjellë një Shqipëri të vogël me vehte dhe afron gjithë shqiptarët emigrantë kudo ku janë me bujarinë dhe mikpritjen që janë aq të ngjizura në shprehjen mikpritëse: Ç’ka ka qëllu”.  E vendosa kete emër thotë z.Kukaj, sepse shpesh e dëgjoja nga babai im që kushdo që vinte pranë vatrës sonë i thoshte: “Mire se të vini, urdhëroni me çfarë do gjëje që gjendet në shtëpinë tonë, mjafton zemra e bardhë dhe ne do të kemi çdo gjë, sepse ne shqiptarët themi me shpirt: “Bukë e krypë e zemër…”

“Edhe nëse nuk kemi asgjë, do të kemi dashuri, bukë dhe kripë do të vazhdonte z.Kukaj.”

Shumë familje që vinin grupe-grupe dhe që shumë shpejt vendet ziheshin, para se t’ju vinte porosia shkonin pranë fotove, pajisjeve shtëpiake, pamjeve të mrekullueshme nga Shqipëria dhe mësonin diçka nga Atdheu ynë, mësonin traditën dhe bujarinë shqiptare.

Kur Mrs. A. Amodio një kolege amerikane më pyeti se çfarë do të thote “Ç’ka ka qëllu”, pas përkthimit tim më tha se nuk habitem aspak që ju e keni këtë shprehje nga më bujaret në botë, nuk habitem, sepse kombi juaj lindi gruan më të madhe dhe më bamirëse të shekullit, Nënë Terezën, Gonxhe Bojaxhiun.

Z.Kukaj nuk eshte thjesht një biznesmen, por ai është dhe një patriot i madh, duke organizuar disa aktivitete në shërbim të çështjes kombëtare.

Së shpejti do të jetë një mbrëmje humanitare që do të organizohet, më datën 17 Shkurt në ditën historike të Pavarësisë së Kosovës, me moton “Vaji i burrit është kënga”.  Z.Kukaj thotë se mërgimtarët në Amerikë me krenari dhe dinjitet të lartë do t’u dërgojmë mesazh “Nënave në Gjakovë” të cilat edhe sot pas tërë këtyre viteve të pasluftës ruajnë nderin dhe amanetin e bijëve të tyre që si harrojnë kurrë!

Kanë qenë këto tradita dhe zakone bujare që do të vazhdojnë brez pas brezi, dua t’jua lë trashëgim fëmijëve të mi si Doruntinës, Kastriotit dhe Taulantit do të vazhdonte pronari i restorantit.  Këto tradita do të vazhdojnë dhe në vendet e huaja, ndonëse fati na ra që të largoheshim nga trojet tona, por kur ato mbeten në zemër vjen një ditë që i tregon dhe botës së qytetëruar se Shqipëria, Kosova, Dibra, Mali i Zi, Çamëria janë vende ku jeton një popull autokton me tradita dhe kulturë nga më të lashtat dhe historiket.  Ato janë vende me traditat tejet të bukura që mikut i thonë mik dhe bukës bukë, sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Pasi largohemi me shijen dhe aromën e kafesë që derdhet nga xhevzeja në filxhanin e vogël tradicional me bisht që sjelë dhe pak romancë mikpritjeje krenohemi që vimë nga vende që mirëpresin bujarisht me shprehjen aq mikpritëse: Bujrum si në restorantin “Ç’ka ka qëllu…” në Shqipërinë e vogël në Bronx.

Filed Under: Featured Tagged With: “Çka ka qëllu”, Keze Zylo, në zemër të Bronxit…, një “muze” shqiptar

TAKIME TE PRESIDENTIT META NE SHBA

February 7, 2019 by dgreca

7 Shkurt 2019 Presidenti Meta takon Sekretarin e Shtetit Pompeo dhe Kryetaren e Kongresit Amerikan Pelosi

Uashington D.C., SHBA

Në vijim të vizitës së Tij në Uashington D.C., Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në Mëngjesin e Lutjeve në prezencë të Presidentit të SHBA, Donald Trump, senatorëve, kongresmenëve, si edhe personaliteteve politike e fetare nga e gjithë bota.

Presidenti Meta u takua me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo me të cilin bisedoi për partneritetin strategjik mes dy vendeve, sfidave të përbashkëta globale dhe veçanërisht për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Presidenti Meta pati gjithashtu një takim miqësor me Kryetaren e Kongresit Amerikan, znj. Nancy Pelosi, të cilën e uroi për zgjedhjen e saj në këtë detyrë të rëndësishme duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që Kongresi Amerikan ka në mbështetjen e Shqipërisë dhe promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

7 Shkurt 2019 Presidenti Meta pritet nga Kongresmeni amerikan, z. Robert Aderholt

Në vijim të vizitës së Tij në Uashington D.C, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga delegacioni parlamentar i Shqipërisë, u takua me Kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komitetit Amerikan të Helsinkit dhe bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri.

“Për shqiptarët, SHBA janë dhe do të mbeten partneri kryesor strategjik. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një rëndësi jetike për ne”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për anëtarësimin në NATO, si dhe për përmbushjen e aspiratës euro-atlantike.

“Është e domosdoshme, – theksoi Presidenti Meta, – nevoja e një angazhimi edhe më të vendosur të SHBA në rajonin tonë, si një garanci për të gjithë investimin amerikan, por edhe si ndihmesë e pazëvendësueshme për finalizimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kongresmeni Robert Aderholt siguroi Presidentin Meta për angazhim të pandalur për forcimin e arritjeve në Ballkanin Perëndimor falë përkushtimit konstant të SHBA për paqen, lirinë dhe stabilitetin.

7 Shkurt 2019 Presidenti Meta takohet me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel

Uashington D.C., SHBA

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në Kongresin Amerikan nga Kongresmeni, Eliot Engel, njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme.

Presidenti Meta falënderoi Kongresmenin Engel për rolin e tij të pazëvendesueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Presidenti Meta shprehu besimin se z. Engel do të vijojë angazhimin e tij për të ndikuar në një vëmendje më të madhe të administratës amerikane, jo vetëm në raportet dypalëshe, por veçanërisht në sfidat euro-atlantike që po kalon rajoni.

“Një vëmendje e veçantë duhet të përfshijë Kosovën, që ndodhet në një moment të rëndësishëm për finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të jetë e qëndrueshme, afatgjatë dhe do të sjellë siguri dhe stabilitet në rajon”, – u shpreh Presidenti Meta.

Kongresmeni Eliot Engel siguroi Presidentin Meta për angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e arritjeve të derisotme në rajon falë përkushtimit të SHBA për paqen dhe lirinë.

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: ne SHBA, Presidenti Ilir Meta, takime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 353
  • 354
  • 355
  • 356
  • 357
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT