• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BOSTON- EKSPOZITË E PIKTORIT STERJO SHKODRANI

February 7, 2019 by dgreca

IMG_9315IMG_9304IMG_9310IMG_9325IMG_9337

Nga  Fuat Memelli/*

Prej 9 vjetësh piktori korçar Sterjo Shkodrani, jeton në Boston. Është në moshën e pensionit por nuk ri i qetë, vazhdon të pikturojë. Pasioni për pikturën, nuk e le të qetë. Motivet e pikturave të tij janë me temë nga Shqipëria si dhe nga atdheu i dytë, Amerika. Deri tani ka hapur 12 ekspozita. Shumica e tyre kanë qënë për komunitetin shqiptar por disa edhe për komunitetin amerikan. Ekspozitën e fundit e hapi në qendrën ruse të kujdesit për të moshuar, “Zapota”. Veç  vizitorëve rusë, kishin ardhur edhe shqiptarë.

Motivi kryesor i kësaj eksozite ishte figura e kalit, këtij bashkeudhetari të njeriut, për të cilin thuhet  se historia e popujve, ka kaluar në shpinën e kalit. Piktori falenderoi pjesëmarrësit si dhe qendrën e të moshuarve për kushtet që i krijuan. Më pas, si të ishte një specialist i kalit, theksoi:” Figura e kalit më ka tërhequr vazhdimisht, që nga fëminia e deri në ditët e sotme. Ai është një nga kafshët më fisnike  dhe më të bukura që ka mbarëshuar  njeriu. I ka shërbyer atij për punë të shumta si në transport, për punimin e tokës, etj. I ka shërbyër edhe në kohë lufte. Ashtu si kalorësi, edhe kali egërsohej në luftë kundër armikut. Kur luftëtari rrëzohej, ai kujdesej që mos e shkelte. Për kalin janë shkruar, poezi, tregime, janë bërë piktura e monumente. Edhe unë mendova që disa pikturave të mia t’ja kushtoj kësaj kafshe ”.

Pjesëmarrësit panë me inters punimet e paraqitura dhe bënë vlerësime për piktorin shqiptar. Kandidatja e shkencave mjekësore, Ganella Zlatovskaja, theksoi plot pasion: ”I vlerësoj shumë këto piktura, për konceptimin e tyre, për harmoninë e ngjyrave, duke na sjellë jo vetëm bukurinë por edhe anën jetësore të kalit, kësaj kafshe kaq fiisnike”. Një përshëndetje të veçantë bëri edhe përgjegjësja e veprimtarive në këtë qendër, Yekaterina Bolotovskaja. Pasi vlerësoi punimet e paraqitura, ajo theksoi:” Ne jemi shumë të kënaqur që herë pas here, në qendrën tonë zhvillohen veprimtari edhe të komuniteteve të tjerë, sic ishte edhe ky i sotmi nga piktori shqiptar. Kjo është veprimtaria e dytë që zhvillohet këtu nga shqiptarët. Rradhën e parë sëbashku me një grup shqiptarësh festuam ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Grupi  këndoi  edhe këngë të bukura shqiptare, shoqëruar me kitara”. Përkthimin nga shqipja në rusisht dhe anasjelltas, e bëri Aleko Dhima, njohës i mirë i rusishtes.

Sterjo Shkodrani ka në plan të hapë edhe ekspozita të tjera këtu në Boston. Krahas punimeve që bën në shtëpi, ai pret të trokasë pranvera dhe me kavaletin në sup, të dalë në natyrë, në gjirin e të cilës, peneli i tij rëshqet më lehtë.

  • Per me shume fotografi shih ne facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Ekspozite ne Boston, Fuat Memelli, Sterjo Shkodrani

Para 20 viteve, Konferenca e Rambujesë për Kosovën

February 6, 2019 by dgreca

1 a Rambuje.jpg

-Kalendar, Gazeta DIELLI/

PRISHTINË, 6 Shkurt 2019/ Para 20 viteve, pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, në 6 shkurt 1999 nisi Konferenca e Rambujesë. Kosova përfaqësohej nga i gjithë spektri politik e ushtarak.

Konferenca u ndërpre në 23 shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 mars në Paris. Në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovs nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën.  Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për Kosovën.

Periudha në mes të dy takimeve të Rambujesë dhe Parisit u shfrytëzua nga regjimi i Beogradit për të dërguar në Kosovë trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake shtesë. Numri i forcave serbe, në kulmin e luftës, sipas vlerësimeve të kohës, mund të ketë arritur në 130.000.
Në 24 mars filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mengjesi i 12 qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë, në vendin që në 2019-tën feston 20 vjetorin e lirisë e 11 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 shkurtin historik 2008. /b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Konferenca e Rambujese, para 20 viteve, per Kosoven

Presidenti Meta, i Ftuar Nderi në Senatin amerikan

February 5, 2019 by dgreca

Uashington, D.C. Sh.B.A.-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i Ftuar Nderi në Senatin amerikan nga Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Senatori Jim Inhofe, për të mbajtur fjalën në forumin me temë: “Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia”.

Presidenti Meta njohu audiencën me sfidat e sigurisë në rajonin e Europës Juglindore dhe rolin e Shqipërisë në politikën rajonale, qëndrimin e tij mbi bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE-ja, si dhe përpjekjet dhe reformat e vendit drejt integrimit në bashkimin evropian.

Presidenti Meta tha se Ballkani ka pësuar transformime të thella në dy dekadat e fundit në të cilat janë investuar seriozisht SHBA-ja dhe BE-ja.

Një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme ka qenë Pavarësia e Kosovës dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjatë në rajon.

Marrëveshja që mendohet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të dy vendet.

Lidhur me ndërhyrjen e Rusisë dhe rolin e saj në rajon, Presidenti Meta u shpreh se ardhmja rajonin është Europa e Bashkuar dhe NATO-ja, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët do vazhdojnë të jenë promotorë e integrimit të rajonit në NATO dhe BE.

Presidenti Meta foli gjithashtu lidhur me situatën në Maqedoni e Veriut dhe konsideroi miratimin nga dy parlamentet të ndryshimit të emrit si një arritje historike që do ta bëjë rajonin më të sigurtë dhe do ta sjellë më pranë BE-së dhe NATO-s, duke theksuar se ky është një proces i rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tij.

Në vijim, fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta:

“Ndihem shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj audience të shquar.

Europa Juglindore po kalon një transformim epik, duke rindërtuar të ardhmen e saj nga hiri i Luftës së Ftohtë dhe konfliktet e përgjakshme që trazuan gjithë rajonin për një kohë të gjatë.

Në të vërtetë, një skenar i tillë do të vazhdonte edhe deri tani kur po flasim, nëse rajoni ynë nuk kishte përqafuar modelin më të mirë të arkitekturës së sigurisë në historinë e njerëzimit: NATO-n dhe Bashkimi Europian.

Procesi i paqes dhe dizenjoja e sigurisë u mbështetën nga udhërrëfyesi i NATO-s, për ta ankoruar plotësisht këtë rajon në axhendën e përbashkët të sigurisë të Aleancës.

Ne mbështetemi në përpjekjet dhe vëmendjen e shtuar të SHBA-së për t’i çuar deri në fund punët e papërfunduara në Ballkanin Perëndimor.

Jam krenar që qëndroj para jush sot duke e ditur se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të jetë një katalizator jetik për të zgjeruar kufijtë e NATO-s dhe të BE-së, pasi ato mbeten bazat e stabilitetit dhe të begatisë në Ballkanin Perëndimor.

Rajoni ynë është ende në një fazë vendimtare. Anëtarësimi sfidues i Malit të Zi në NATO dëshmoi nevojën për një rajon plotësisht të integruar në Aleancë.

Po aq i rëndësishme është edhe anëtarësimi i Maqedonisë Veriore, pas arritjes së marrëveshjes historike me Greqinë si dhe vendeve të tjera në rajon.

Teksa vazhdojmë të konsolidojmë demokracinë, shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe ndaj ndikimit të huaj që duan të kontrollojnë këtë rajon, ky proces vendimtar nuk është se shkon në të vërtetë krejtësisht i pakontestueshëm.

Ne jemi të bindur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë paqe, stabilitet, siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues.

Rezultatet e kësaj marrëveshjeje përfundimtare do të thonë se Kosova do të jetë njohur nga Serbia si një shtet i pavarur dhe anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara.

Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor.

Pse Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përqendruara në këtë rajon?

Jemi realistë se sfidat gjithnjë e në rritje, me të cilat përballet SHBA-ja në arenën globale, por jo vetëm ato, tranzicionet e BE-së, si dhe sfidat e brendshme strukturore me të cilat përballet Aleanca, kërkojnë dhe meritojnë vëmendje të plotë.

Është koha për të ngritur flamurin sinjalizues e një rreziku potencial që mund të krijojë e të lerë një vakum në rajon, i cili mund të mbushet nga ekstremizmi fetar me ndihmën e disa fuqive të huaja.

Vetëm pak javë më parë, Shqipëria dëboi ambasadorin iranian në Tiranë, së bashku me njërin prej diplomatëve të tyre, të cilët po rrezikonin sigurinë tonë kombëtare.

Zvogëlimi dhe mungesa e koordinimit të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian si dhe përfshirjes së tyre në Ballkan mund të krijojë një vakum që do të rriste praninë e Rusisë dhe aktorëve të tretë në rajon.

Suksesi i një paqeje të qëndrueshme në rajon ka ardhur si rezultat i partneritetit të fortë transatlantik, i cili mbetet jetik edhe sot, pavarësisht dallimeve.

Destabilizimi i rajonit është në interes të Rusisë, ndërsa fati i tij në rajon është në BE dhe në NATO gjithashtu.

Gjatë vizitës së tij në Beograd, Presidenti Putin akuzoi SHBA-në dhe BE-në se po përpiqen të destabilizojnë seriozisht rajonin.

Në të vërtetë, ne dëshirojmë që Rusia të respektojë aspiratën euroatlantike të vendeve në rajon.

Jemi realistë për faktin se e kuptojmë që fuqitë rivale dhe aktorët që sfidojnë Aleancën Euro-Atlantike janë të fortë, por ne duhet të jemi këmbëngulës në përballimin e këtyre kërcënimeve, nëpërmjet një partneriteti strategjik kolektiv në mënyrë të tillë që të gjithmonë të mbrojmë rajonin tonë dhe interesat e Aleancës.

Ju faleminderit të gjithëve për vëmendjen tuaj!”

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: i Ftuar nderi, Presidenti Meta, Senati Amerikan

KOLË CACAJ DËRGOI $500.00 PËR FUSHATËN E DIELLIT

February 5, 2019 by dgreca

 FALENDERIME BASHKATDHETARËVE QË PO MBËSHTESIN DIELLIN ME RASTIN E 110 VJETORIT. DËRGESAT E FUNDIT:Z. KOLË CACAJ $500.00, SHAQIR SALIHU $ 300.00, ZEF PËRNDOCAJ $ 200.00, RAMIZ MUJAJ $200.00-FUSHATA MBETET E HAPUR!/

1 Kole Cacaj me gruan

 Fushata për 110 Vjetorin e Gazetës Dielli, më të vjetrës gazetë që ende është në botim ne SHBA, gazetës që vjen nga koha e Rilindjes, po vazhdon me sukses.Atdhetari shpirtbujar, Kolë Preka Cacaj dërgoi nga Miami, Florida, një chek me $500.00 të shoqëruar me një mesazh shumë të ngrohtë drejtuar editorit:

I dashur gazaetar, Dalip Greca

Unë Kolë Preka Cacaj, gjendem në Miami, Florida me pushime. Mesova se keni hapur një fushatë për 110 vjetorin e gazetës tonë të dashur “DIELLI”. Po i përgjigjem me $ 500.00 fushatës duke ftuar që edhe të tjerë bashkatdhetarë t’i bashkohen kësaj fushate dhe ta mbajmë gjallë këtë pasuri historike këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U dëshiroj shëndet juve, stafit, të gjithë vatranëve dhe kryetarit Dritan Mishto.

E falenderojmë nga zemra atdhetarin e njohur për bujari e patriotizëm, i cili njihet mirë nga shqiptarët e  Amerikës për investimet në vendlindje, për këmbanoren në Shkodër dhe shumë vepra të tjera atdhesie e bujarie.

Ish gazetari i Zërit të Amerikës, vatrani Shaqir Salihu, dërgoi chekun me $300.00 të shoqëruar me një letër-mesazh  të ngrohtë:

I nderuar Editor

Me anë të kësaj letre dua të njoftoj se sot po ua nis një kontribut modest për 110 vjetorin e Gazetës”Dielli”. Uën jam lexues i vjetër i kësaj gazete që nga zbritja ime në këtë kontinent më 1970. Gazeta DIELLI duhet të gjejë vend në cdo familje shqiptare në Amerikë, Kanada e në gjithë botën ku ka shqiptarë. Gazeta Dielli për 110 vjet me radhë ka qenë udhërrëfyese e diasporës tonë. Ajo na ka mësuar se c’kemi qenë, c’jemi sot dhe ku do të jemi nesër.Shkrimtari serb Dobrica Qosic ka pasë shkruar një roman me titull’Daleko Je Sunce” që në shqip do të thotë “Dielli është larg.Kjo mund të vlejë për serbët, por për ne shqiptarët, Dielli është afër, Dielli është me ne dhe rrezet e tij gjithëmonë do të na ngrohin. Shkrimtari i njohur shqiptar i shekullit të kaluar, Isak Murati ka shkruar librin me titull”Dielli nuk e humb rrugën e vet nëpër re”. Për këtë ka shkruar dhe gjiganti i letrave shqipe, intelektuali i thekur, Profesor Ernest Koliqi.”Il sole non perde La sua strada nelle nuvole”…

I dashur Dalip

Ju përgëzoj për punën e madhe tuajën për të ruajtur Diellin tonë që mos ta mbulojnë retë, megjithëse Dielli edhe nëpër re nuk e humb rrugën.

Përqafime vëllazërore

Shaqir Salihu..

Vatrani për më shumë se pesë dekada në Vatër, Zef Përndocaj dërgoi me postë një chek me $200.00. Si gjithëmonë bujar dhe kontributor i Vatrës. Faleminderit vatran i dimrit e i beharit, sic shprehej Noli në të gjallë të vet.

Me postën e sotme mbërriti në Vatër edhe Cheku me $200.00, kontributi i vatranit për më shumë se tri dekada, anëtarit të Këshillit të Vatrës, poetit Ramiz Mujaj. Faleminderit vatran!

Të dashur Vatranë

Përgjigjuni dhe ju fushatës për 110 vjetorin e Gazetës tonë të dashur. Të gjithë kontributorët do të regjistrohen në “Librin e Nderit të 110 Vjetorit të Gazetës DIELLI”, që do të botohet me rastin e Ditëlindjes së 110-të të Diellit.

Cheku i paguhet VATRËS

Adresa

VATRA

2437 Southern BLVD

BRONX, NY 10458

 

***

FUSHATA KA FILLUAR QE ME 24 JANAR

 

KUJTESE – VATRANË, FUSHATA PËR DIELLIN FILLOI, NËNKRYETARI Z. AGIM REXHAJ JU FTON NË GARË DUKE PRIRË ME $500.00!

– GARA NISI ME DHURIMET E PARA: MARJANA BULKU $200.00, NAZO VELIU $200.00, DALIP GRECA $200.00,AMBASADOR MAL BERISHA $200.00, SINAN KAMBERAJ $ 200.00, MARJAN CUBI $300.00, DR. PASHKO CAMAJ $300.00, FRANK SHKRELI $200.00, ALFONS GRISHAJ $ 250.00, UKA GJONBALAJ $200.00, MONDI RAKAJ $250.00, ASLLAN BUSHATI $ 200.00- GARA ËSHTË E HAPUR, TREGOJENI SHPIRTIN VATRAN!

Të Enjten në mbrëmje,24 Janar 2019,  gjatë takimit të Kryesisë, ku u miratua programi për festimin e 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI”, Editori njoftoi hapjen e Fushatës. E para që iu përgjigj thirrjes ishte anëtarja e Kryesisë së Vatrës zonja, Marjana Bulku me $ 200.00(dyqind dollarë).Menjëherë iu përgjigj sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu po me $200.00.

Nënkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj e mbështeti garën, duke prirë, dhuroi  $500.00. Në mbyllje të celjes simbolike të fushatës, Editori dhuroi $ 200.00.

Gara pati dhurues edhe në fundjavë. Emrat janë vendosur sipër, në nëntitullin e kronikës.

Vatranë; është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e  bukur VATRA & DIELLI. Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës

Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.

Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!

Ju biznesmenë, që ju akrakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë. DHURONI!

Për ju miq të Diellit dhe të Vatrës, që keni dëshirë të  përfshiheni në fushatën tonë, dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:

VATRA

2437 Southern BLVD

BRONX, NY 10458

Filed Under: Featured Tagged With: Fushata e Dielli, Kole Cacaj, Ramiz Mujaj, Shaqir Salihu, zef perndocaj

Të lindësh në kohën e gabuar

February 3, 2019 by dgreca

Një Jetë…Disa Histori: Të lindësh në kohën e gabuar (Astrit Rama)/
1 Astrit RamaNga Marjana BULKU/
Marjana-BulkuNË VENDIN  KU QYTETIN E SHEH NGA LART…/

BUGJUNECI…..

Është ndër vendbanimet e pakta në Dibër ku Peshkopia shihet si në pëllëmbë të dorës, me Drinin që gjarpëron dhe ikën dredhërueshëm tej luginave veriore,më poshtë shtrihen lagjet Bulke, Dobrovë, Kamen, Pazar i vjetër , të cilat  përshkallëzohen drejt qendrës së qytetit ku bulevardi i blinjtë memorizon njerëz, hapa, histori. Aty  kaloi vitet e para të fëmijërisë Astrit Rama, intelektuali  jeta e të cilit i ngjan një libri të pashkruar, mbushur me histori të parrëfyera të cilat shtegtojnë midis Peshkopisë dhe Parisit, Spaçit dhe Kutallisë (Berat) , telave me gjemba ku ndaheshin dy Dibrat shqiptare, burgu 17 ditor në Shkup , kampi i të burgosurve në Beograd, rikthimi në Paris…

HISTORITË QË NDRYSHOJNË JETË

Qytetarët e Peshkopisë e njohin dhe nuk e njohin Astritin, pasi përmasat e intelektualëve të formuar në perëndim është shumë e vështirë të kuptohen nga katër lagje qyteti ku katër orë programi televiziv nuk munden të ushqejnë dot me dije e liri e aq më pak me shpresa qindra e mijëra jetë. Por fati i intelektualëve që lindin në kohën e gabuar, nuk do thoja kurrë në vendin e gabuar sepse ai vend plot bukuri është si  kurorë mbi qytet , është apsurd  ka raste që është edhe tragjik. Fati i qyteteve shqiptare ku mungesa e intelektualëve vjen edhe nga sulmi i padrejtë që u bëhet atyre prej mendjesh lilipute është akoma edhe më tragjik. Astriti, fëmija që ecte në këmbë mbi rreth një orë për të ndjekur mësimet në shkollën “Demir Gashi” shkëlqente në mësime edhe pse me humor na  rrëfen se nëna e angazhonte shpesh edhe me punët e familjes si më i madhi fëmijë që ishte.

E kaluara e tij ka aq shumë për të treguar…Ai ka folur shumë pak për vete dhe në këtë ditë janari 2019 jemi unë, Iliri dhe Milva( bashkëshortja e tij ) që ia trazuam kujtesën e tij të fortë dhe të freskët me data të sakta, emra, detaje të cilat ai nis e i tregon shpesh herë me emocione ku lexohet dhimbje, plagë , trazuar nga një lloj furtune e brendëshme 25 vjeçare brenda gjashtëdhjetë e ca viteve jetë ku vitet 70-të do ndryshojnë rrjedhën e jetës së tij ,për mirë apo për keq nuk dij ta them por me shumë siguri pohoj se vite si ato plot dallgë dhe stuhi që çuditërisht njeriu ia shkakton njeriut në shtetin e vet që ka aq pak përgjegjësi, kujdes dhe dashuri për shtetasit e vet, skalitën të riun antikonformist , që nuk pajtohej dot me të keqen pasi preku magjinë e lirisë edhe pse përkohësisht. Ishte një moment kur në kuadrin e marrdhënieve kulturore Francë -Shqipëri , disa nga studentët më të mirë të gjuhëve të huaja të Fakultetit Histori -Filologji Tiranë do të studjonin në Paris në Universitetin e Sorbonës, sipas një kontrate 5- vjeçare që rinovohej çdo vit mbi bazë të rezultateve . Dhe kështu nis kthesa e fortë në jetën e një të riu shqiptar, dibran , drejt Parisit , Nices, Korsikës të cilat nga shfletimet nëpër botimet e kohës në perceptimin real ishin larg , shuumë larg …-shprehet Astriti ndërsa ndalon gjatë teksa përshkruan atë 27 dhjetor të dëbortë të vitit 1970-të në Parisin e paimagjinueshëm.

LIRIA E PALIRË 

Për studentët e letërsisë dhe të historisë së saj liria është thelbi i krijimit, i jep jetë leximit dhe e bën kreative reflektimin mbi veprën letrare dhe vetë jetën në përgjithësi… pikërisht këtë mendoja teksa Astriti rrëfente mbi kalvarin e marrdhënieve që ambasada shqiptare në Francë ndërtonte me shtetasit e saj, i ftonte të lexonin me detyrim gazetat shqiptare për çdo javë , i detyronte të prisnin udhëheqësit e Byrosë Politike të Shqipërisë së varfër që shkonin dhe bënin pushime në Paris.Dhe qeshem e si të mos qeshesh kur Astriti rendiste dhjetra arsye që sajonte për tju larguar atij detyrim leximi gazetash ku uniteti parti-popull ishte kryefjala,arritja,suksesi progresi. Është e kuptueshme për mua një  i ri që shijon “Doktor Zhivagon” dhe lundron nëpër kryeveprat franceze me histori e ndjenjë të Floberit , do ia kursente vetes kohën e humbur ku liria kushtëzohet , i vihet lak.

KTHIMI NË ATDHE

Si është vallë kthimi në Shqipërinë e izoluar pasi ke studjuar , jetuar, mbase edhe ëndërruar nën të tjera horizonte, ke provuar shijen e lirisë kur në vendin tonë as nuk ia dije kuptimin ?!

Dy bashkëatdhetarët e tij do të vazhdonin karrierën diplomatike, ndërsa fati i dibranit kalon nëpër të tjera shtigje, udhë , kryqëzime. Rrëfimi i Astritit i tejkalon detajet e Konicës, Migjenit. Studenti i sapo kthyer nga Franca në bulevardin e Peshkopisë binte në sy, tërhiqte vemendjen prej lëkurës së bardhë, ndryshe , që sfidonte edhe bukuritë klasike të asaj xhiroje tradicionale nën blinj atë korrik të vitit 1975.E megjithatë kthimi në atdhe ka peshën e mallit për familjarët e dashur, ëndrrat dhe premisat për jetën e re e cila nis të japë goditjet e para.

I refuzohet e drejta për të punuar pedagog .

Emrohet mësues në një shkollë 8-vjeçare qyteti. Çudi deri në absurd ku heshtja e gjatë është reagim dhe qëndrim.Astriti një copëz herë pa folur dhe unë duke imagjinuar se ky emrim është shuplaka e parë , e lehtë, e vockël, paralajmëruese e një stuhije të fortë që do ta priste në Peshkopinë e ftohtë.

DOSJA 790- Faqëshe

Për një të shkolluar në perëndim emërimi si mësues 8-vjecareje përbën dhjetra arsye për tu ndjerë i zhgënjyer ndërkohë kur bota akademike, gazetaria e Tiranës do të kishin shumë nevojë për një të ri si ai,shkolluar në perëndim, me dije të thella dhe të çertifikuara por Astriti nuk u ndje i tillë, përkundrazi ;do t’ju mësonte nxënësve dibranë frengjishten, historiza të atij vendi nga burojnë artet që ushqejnë botën me bukuri.Ai thotë se mbante edhe një magnetofon të vogël për t’jua bërë më efiçente nxënien dhe ndofta ishte mësuesi më i admirueshëm për ata fatlumë ,por këto” metoda borgjezo revizioniste që binin ndesh me vijën tradicionale të edukimit ” do të shndërroheshin në akuza për të.

Insistoj ti marr diçka të bukur nga puna e shkurtër si mësues dhe ai kujton me shumë emocion një moment kur njërës prej nxënseve më të mira të klasës  i refuzohet e drejta për të marrë pjesë në mbrëmjen qëndrore të vitit të ri e cila organizohej për nxënësit më të mirë. Arsyeja ishte biografia, një femije me biografi familjare jo të mirë i mohoheshin shumë të drejta asaj kohe , sa shumë si Milva i kishin provuar ata lot që shkaktonte padrejtësia që e vret aq shumë një fëmijë që botën e sheh pafajësisht.I afrohem Milvës dhe me zë të ulur i them:

-” Mos u mërzit se do ndrrojë kjo punë”!

” Lotët e saj m’u duk se u shndërruan në ylber shprese nën dritën e fjalëve të mia .”

(PS  Milva Nasufit  i referohet shkrimi im me titull “Stilistja e qytetit të heshtur”)

-“Unë e ndjeja që isha i kontrolluar”- shprehet ai. – ” edhe kur drejtuesi i shkollës më tha të mos sillja magnetofon në shkollë, edhe kur shikimet e të tjereve nuk u ndaheshin hapave të mia ndërsa fjalēt, mendimet  e mia rralloheshin, e kuptoja që po sajohej dhe shkruhej për mua, por kurrë nuk e kisha menduar se unë paskësha qenë ” spiun i francezëve” siç do më akuzonin “.

Në 11 qeshor të vitit 1976 Astrit Rama arrestohet në mjediset e shkollës ku punonte me akuzën :  agjent i qeverisë franceze, vetëm tre ditë para se të mbyllej viti shkollor (14 qershor 1976). Dosja e tij prej 790 faqesh të cilën ai e ka shfletuar, përmban pseudonime përtej të cilave janë njerëz realë që u ngjajnë aq shumë personazheve kafkjane, me trup dhe gjymtyrë por pa tru dhe shpirt.

RRËFIMET E BIRUCËS

Birruca ishte e errët , e ftohtë jo vetëm prej absurd akuzës që thurej aty por edhe prej njerëzve që hynin, dilnin, pëshpërisnin, shpifnin, intimidonin…

Biruca nisi me hetuesinë e gjatë disa mujore mes shpifjeve dhe intrigave, pyetjeve të pakuptimta dhe më pas burgu 313-tës  i Tiranës për tu transferuar diku në Spaç. Tetë vite burg në Spaçin e punëve të detyruar, ku 52 vetë flinin në një dhomë me përmasa 7 me 8 , mbi dyshekë prej kashte e nën dritaret pa xhama.Imagjinata ime e ka të vështirë ta pranojë një realitet të tillë teksa e dëgjoj ta përshkruajë sikur e ka parasysh çdo çast të jetuar atje , duke shtyrë vagonat e rëndë udhës që nuk mbaron. Astriti rrëfen atë për të cilën askush nuk ka shkruar ende dhe unë dyshoj në bëra mirë apo keq që ia riktheva ato vite ku jeta përplaset fort pothuajse e pajetë dhe asgje nuk dihet se çfarë mundet të mbetet gjallë paskëtaj . Nuk guxoj ta pyes : si mund të ndjehej, çfarë bënte një si ai me frëngjishten mondane  atyre qelive të errëta, kisha lexuar Visar Zhitin, kisha parë pikturat e Lekë Përvizit … Mbase Astriti e lexoi të palexueshmen dhe iu përgjigj rrëmbimthi asaj që unë nuk guxova ta pyes duke plotësuar kështu një dëshmi më shumë në vargun e gjatë të binjakëve me fatin e tij;

-” Unë isha me fat që i mbijetova burgut të Spaçit, shumë nga ne u pushkatuan”.

BESA 

Amplitutat emocionale në jetën e intelektualëve të dënuar transmetojnë sinjale të rralla, njerëzore, plot me vlera që do ishte mëkat të mos i analizonim.Kështu do ta konsideroja raportin mes Astritit dhe babait që pa frikë ka emrin Besë. Një premtim se nuk do të arratisej nga Shqipëria kur të dilte nga burgu, një frikë se diçka tjetër do ti ndante e  mbante larg.Një pasiguri e re, kërcënim jete që bëhej gjithnjë e më brishtë në kushtet e atij tmerri fizik, psiqik dhe shpirtëror.

Në vitin 1982 Astriti lirohet nga burgu me amnisti, nga 1100 të burgosur, 400 të tillë do të liroheshin. Në dalje u jepej një dokument të cilin zëri i thatë e citonte dhe dora edhe më e thatë duhej ta firmoste. Ai tekst i pështirë, i pakuptimtë ,absurd që Astriti e recitoi per mendesh natyrshëm nuk do të firmosej prej tij .

-” Këtu do vish prapë!”

Gjēmonte zëri edhe më i hekurt se qelia.

Fati i individëve të tillë dihej: spiun ose dënim. Shkrepëtinte e nesërmja që dukej edhe më e pashpresë .

INTERNIMI (1983-1989)

Me 29 shtator të po atij viti(1983 ) Astriti internohet në Kutalli të Beratit. Tashmë jo vetëm durimit po i vinte fundi por edhe shëndeti po rëndohej së tepërmi. Zemra e lodhur, të ftohtët e tmerrshëm të dhomave të akullta të Spaçit , etj , etj po e bënin jetën e të riut pa rini edhe më të vështirë. E në kushte të tilla kur fati  dhe shëndeti të braktisin , familja mbetet e vetmja që vuan me ty.Ajo ishte arsye e mos arratisjes , besa e dhënë babait , lotët e nxehtë të nënës, motrave janë edhe vuajtje por edhe arsye për t’u zgjuar ditëve të vështira të internimit që ishte edhe më i egër se burgimi. Punë e detyruar, dhunë trupore, shpirtërore, mendore.

Një ditë kur edhe durimit edhe shëndetit i erdhi fundi Astriti rrëfen se ecte me katër këmbë, kolliste gjak ,rrahjet e zemrës i kalonin 220 rrahje për minut dhe nuk mund të ngrihej në këmbë. Por ja që momentet e liga shfaqen edhe miqtë që do të mbeten përjetësisht të tillë.Ishte Mondi Seiko i cili njoftoi ambulancën dhe kështu i largohet kampit të internimit në vitin 1986 duke iu drejtuar spitalit ku i rekomandohet ndërhyrje e menjëherëse kirurgjikale në zemër.

Fytyra e nënës,shikimi i babait do ishin remedia më e mirë por edhe fjalët e mençura të miqve ” ke thyer vetëm njërën këmbë kur të tjerët kanë lënë jetën” ishin pak diell pas stuhisë vdekjeprurëse.

Pas rrëfimit që zgjat rreth dy orë me plot detaje , citime , ditare të Astritit , pyes veten ; Si është e mundur që të trajtohet në këtë mënyrë një jetë njerëzore?! Një jetë që ka aq shumë gjëra të bukura për ti dhuruar jetës, familjes, miqve, qytetit, Shqipërisë? !

Pse kaq shumë dhunë mbi mendjen?!

Përse kjo trashëgimni e hidhur nuk shteron kurrë?

Si është e mundur që shteti , kaq barbar ndaj bijve të vet më të mirë?!

DEMOKRACIA SHQIPTARE

E si mund të lindte e shëndetëshme demokracia në Shqipëri kur mendja e atij vendi fatkeq ishte dhunuar , dënuar, arratisur, gjymtuar. Ky narracion jete e bën të qartë edhe atë që po lindte në vitet 90-të dhe që ne e quajmë demokraci dhe tash e dijmë se pse ajo nuk mundi të jetë kurrë e tillë. Këtu Astriti rrëfen me zërat tanë , (jemi unë Milva dhe Iliri që kujtojmë) emrat e parë , mbledhjet e para, deri në prag të lindjes së Partisë së Parë opozitare në Shqipëri , Peshkopi , ku natyrshëm prezenca dhe roli i Astrit Ramës ishte i pamohueshëm. Gjithmonë kam besuar se e djathta në Shqipëri do të mbahej në jetë nga jetë të tilla , që kanë sakrifikuar për të drejta dhe liri. Kur shkelësit e të drejtave ulërasin mbi të drejtat më fort sesa ata që i kanë humbur ato , fatet e demokracisë dhe vendeve që aspirojnë atë janë të rrezikuara. Ne ishim një popull i palirë sepse u pajtuam me robërinë e cila çmontohet prej antikonformistësh që nuk pajtohen me të keqen . Dhe muret e së keqes janë ideologjike por edhe morale dhe ato shemben nga njerëz me histori të tilla vuajtjesh që as vuajtja nuk i nënshtroi dot.

IKJA NGA SHQIPËRIA

Me një gjëndje shëndetsore të rënduar Astriti tregon se si u larguan nga Shqipëria. Ishte 24 shtator i vitit 1991 dhe mesa duket me ikjen e tij do të shembej një prej mureve më apsurd në botë , ai që ndante dy Dibrat . Tela me gjemba , breshëri në ajër dhe mbi trupa , një tjetër akt drame ku protagonist ishte Astriti, bashkëshortja e tij Milva dhe një foshnje që pas disa muajsh do të vinte në jetë.

Një tjetër kalvar me shumë të panjohura, në tokë të huaj po ku flitet edhe shqip.

Dy orë hetuesi dhe gjyqi që mund të dënonte nga …muaj deri në tre vjet. Kishin kaluar pa leje kufirin që ndante , kishte vite që ndante familjarë , iniciativa.

Dënohen me 17 ditë burg në burgun e Shkupit dhe pastaj dërgohen në kampin e të burgosurve në Beograd.

Kur rrëfen për dhunë verbale dhe fizike shoh se Milva përlotet. Ndjej se është pikërisht ajo që i ka vuajtur më shumë ato ditë .

” Rrija e mbuluar nën batanije” -thotë, ” nuk doja të shihja asgjë, ndërkohë që Astriti ishtë në kampin e burrave”

Unë vetëm fantazoj se si Milva e bukur, e mençur, ajo vajza e përlotur me biografi të keqe që nuk mund të shkonte as në mbremje qendrore , përkrah ish mësuesit të saj që e ngushëllonte se NJË DITË DO NDRROJË KJO PUNË po jetonte ndoshta ditët më të vështira të jetës së saj por në krah të njeriut të cilit dija e marrë në perëndim nuk do ti shkonte dëm. Vetëm në Shqipëri dijet , librat, studimet , vlerat zhverësohen .

Sa e dhimbshme kjo histori pa fund. Meqënëse ky kamp të burgosurish monitorohej nga shumë organizata ndërkombëtare, Astriti ky frengjishtfolës i shkëlqyer do të punojë si përkthyes i OKB deri në muajin qershor të po atij viti, për tu vendosur më pas në Francë vetëm pak muaj para se të lindë gëzimi i parë i kësaj familjeje Judita .

FRANCA  25 VJET MË VONË

Po shkelte përsëri mbi ato rrugë që i kishte lënë dikur në rininë e tij. Me vete mbante nostalgjinë e atyre viteve, vuajtjet e pamerituara me të cilat pothuajse e vrau e marra kohë, dhimbjet e patreguara të burgut të Spaçit ku kishte vetëm një hektar qiell dhe disa orë diell, përndjekjet, përgjimet në dhomën e internimit, në shtëpi, kudo fliste, heshtte. Ky qiell perëndimi ishte i ngarkuar me aq shumë ëndrra e shpresa te lëna përgjysëm, zhgënjime. Por nën këtë qiell njeriu mundet të eci i lirë përsëri si 25 vite më parë edhe pse në atdheun tonë kjo liri nuk kuptohet, keqpërdoret, përdhoset. Një ish student i Sorbonës e ka të lehtë të orientohet udhëve , qendrave edhe pse në qytetin e tij rrugët iu mbyllën dhe jeta iu burgos kampeve më të egra të një sistemi çnjerëzor që denigron bijtë e vet më të mirë.

Pas disa studimesh post universitare Astriti do të jetë funksionar i shtetit francez. Nga viti 2004-2007 ai punonte në Ministrinë e Kulturës , në Drejtorinë e Kulturës së Krahinës së Bretanjës, sektori i shpërndarjes së librit drejt bibliotekave. Nga shtatori 2007 deri në maj 2018 (kohë kjo kur doli në pension) punoi në Ministrinë e Brendshme , drejtoria e kolektivitetit territorial ku është vlerësuar me medalje pune nga shteti francez.

Në sytë e mi, pasi dëgjova rrëfimin e tij, lexova aktakuzën, disa fragmente nga dosja, reagimet e të njohurve, jeta e atij njeriu m’u duk një muze i gjallë, me gjethe, bunker, muze me gjemba, me qiej ëndërrimtar, muze të pathënash që edhe po ti dëgjosh e ke shumë të vështirë për ti kuptuar dhe besuar. por ja që disa histori nuk duhen lënë në heshtje sepse bashkë me heshtjen vdes e vërteta e trishtë por edhe dija, reagimi, fuqia jone gjithmonë e më e brishtë për të korrigjuar të keqen që vrau të shkuarën tonë duke na gjymtuar edhe të ardhmen.

Edhe pse folëm e folëm gjatë e mbase shumë plagë nuk duhen trazuar sepse dhembin, ne mendje më vërtiten shumë pyetje, pa përgjigje, pezull…
Çfarë fati ka individi në shoqëritë totalitare?!

Çfarë vakuumi intelektual shkakton denigrimi i elitave?!

Sa fatal ishte fati i familjarëve të cilët vuanin dënime të tilla?

Pse sistematikisht atdheut i dënohet mendja?!

Pse demokracia shqiptare nuk e korrigjoi këtë hantikap të trashëguar nga sistemet e mëparshme?!

1 a dekorate 1

(Disa medalje pune dhënë nga shteti francez). Marianne (gruaja që paraqet Republikën francize, busti i së cilës gjëndet në çdo bashki komunë në Francë dhe në anën e pasme ështe shkruajtur : La préfète Michèle KIRRY àAstrit RAMA . Prefektja, Michèle Kirry dhënë Astrit Ramës , për punën e bërë nga 1 tetori 2002 deri me 1 maj 2018.

1 ast dekorateKy material është bazuar nga historia e Astrit Ramës (intervista, dosier, rrëfime personale).

Përgatiti:  Marjana Bulku/

Janar 2019

 

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Rama, Marjana Bulku, Te lindesh ne kobe te gabuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 354
  • 355
  • 356
  • 357
  • 358
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT