• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROF. DR. MUHAMED MUFAKU VIZITOI VATRËN

January 9, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York- 8 Janar 2022, Prof. dr. Muhamed Mufaku vizitoi Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. I shoqëruar nga vajza e tij Mërgime, miku i përbashkët Elez Osmani me zonjën e tij Nurije Osmani, në selinë qëndrore të Vatrës u pritën nga kryetari z.Elmi Berisha dhe Editori i Diellit Sokol Paja. “Jam shumë i gëzuar që po vizitoj Vatrën. Ju përgëzoj për punën që po bëni. Ne i kemi ndjekur gjithmonë aktivitetet e Vatrës. Është krenari të jem në këtë qendër shqiptarie me histori të madhe historike dhe kulturore për kombin tonë. Jam shumë i emocionuar që ju takoj sot të gjithëve në Vatër. Uroj shumë suksese në vazhdim dhe bashkëpunim” ishin fjalët e ndjera të Prof. dr. Muhamed Mufakut në vizitën vëllazërore në Vatër. Kryetari Berisha e informoi profesor Mufakun me detaje rreth punës së Vatrës në vitet e fundit në aspektin diplomatik, kulturor dhe në fushën e kërkimit shkencor ku Vatra shumë shpejt do të ketë historinë e saj të dokumentuar në pesë vëllime, një histori autentike, projekt i inicuar nga z.Berisha dhe udhëheqës shkencor Akademik Beqir Meta dhe bashkëpunëtorët e tij shkencor në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Prof. dr. Muhamed Mufaku shprehi dëshirë dhe gatishmëri për të pasqyruar në gazetën Dielli artikuj të historisë së shqiptarëve në lindjen e mesme dhe figura shqiptare të panjohura por me kontribute të larta në historinë e shqiptarëve në botën arabe. Prof. dr. Muhamed Mufaku (Arnauti) është i lindur në Damask, në vitin 1952. Ka qenë anëtar i Shoqërisë për Kërkime dhe Studime. Është diplomuar në universitetin e Damaskut në gjuhën dhe letërsinë arabe, ndërsa magjistraturën dhe doktoraturën në letërsi krahasuese dhe histori i ka mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, ka doktoruar në filologji e në histori në Universitetin e Prishtinës, ushtroi detyrën e profesorit të historisë moderne në disa universitete të Jordanisë gjatë viteve 1989-2018. Pas përfundimit të takimit miqësor në Vatër, kryetari Berisha shtroi një drekë vëllazërore për miqtë e rinj të Vatrës dhe u diskutua për promovimin e veprës së plotë të Prof. dr. Muhamed Mufakut në muajin qershor 2022 në Selinë Qëndrore të Vatrës.

Filed Under: Featured

MESHARI I BUZUKUT NË DRITËN E HULUMTIMEVE MË TË REJA – ME RASTIN E 467 VJETORIT TË BOTIMIT

January 6, 2022 by s p

Autori i shkrimit prof.dr. M. Ahmeti ne Biblioteken Apostolike te Vatikanit duke studiuar origjinalin e Mesharit te Buzukut
Ilustrimi 1 – Faqja e fundit e Mesharit
Ilustrimi 2 – Ilustrim nga nje flete e demtuar e Mesharit
Ilustrimi 3 – Autograf i M. Roques ne nje flete qe sot ruhet se bashku me origjinalin e Mesharit ne BAV

Meshari i Buzukut është pjesë përbërëse e kontributit shqiptar në rrjedhat krijuese letrare europiane të kohës. – Ky libër është meshar i plotë, sipas traditës së Kishës Katolike. – Ai është shkruar sipas mjedisit ku është krijuar, pra mbart shumë elemente lokale e kombëtare shqiptare, të cilat vërehen hapur në kultin e shenjtorëve lokalë e rajonalë, zakonet vendase dhe traditën e pasur fetare shekullore. – Meshari, sot ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturën: Ed. Prop. IV. 244. – Një kopje e riprodhuar në mënyrë anastatike, e punuar nga laboratori i BAV-Vatikan, iu dorëzua kohëve të fundit presidentit të Shqipërisë.

Prof. Dr. Musa AHMETI

Centar for Albanian Studies – Budapest

Meshari i Gjon Buzukut hap një faqe të re një historinë e letërsisë shqiptare. Me të fillon historia e librit të botuar, [të njohur deri sot] në gjuhën shqipe. Andaj është e natyrshme që ky libër të tërheqë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve dhe çdoherë t’i provokojë ata të masin forcat intelektuale që të kontribuojnë për zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura, që dalin prej tij. Është e natyrshme, që si i tillë, ta nxisë çdo studiues të merret me të, por jo çdonjëri ka fatin të shënojë kthesë të rëndësishme në studimet buzukiane. Kur nga perspektiva e sotme i hedhim një vështrim studimeve buzukiane, nuk ka si të mos befasohemi me këmbënguljen e studiuesve për t’i ndriçuar çështjet e pazbërthyera që nxit ky libër.

Gjuha popullore filloi të përdoret me kohë në kishat nacionale, jo vetëm në shërbimet kishtare dhe ceremonitë e ndryshme, por edhe në takime me besimtarët si dhe në komunikimin e klerit dhe të rendeve kishtare. Kjo gjë është dëshmuar dhe argumentuar jo vetëm me dokumentet arkivore, por edhe me ruajtjen e teksteve të shumta, disa nga të cilat janë më të hershme se shek. XIV. Kështu që nga periudhat më të hershme, u zhvillua një letërsi [krijimtari] kishtare në gjuhë të ndryshme popullore, e cila si pjesë përbërëse e nevojës së përhapjes së besimit të krishterë, më parë u dëshmua te popujt, gjuha e të cilëve largohej më shumë nga latinishtja, pastaj edhe te popujt romanë dhe në letërsinë e tyre kombëtare. Sipas dëshmive të ruajtura në dorëshkrimet e shumta, kjo letërsi kishtare ka qenë e përfaqësuar në disa forma: në krijime mësimore për klerin si p.sh. manualë, doracakë me karakter të ndryshëm, breviarë, leksionarë, libra lutjesh e lavdesh, mesharë, psalterë, ungjij, si dhe libra të mësimit fetar për të gjithë besimtarët, të njohura si katekizma, tekste të thjeshta letrare, rrëfime për shenjtorët, krijime letrare siç ishin himnet, lutjet, lavdet, tekstet e ndryshme skenike që kanë shërbyer për nevojat e përhapjes dhe ruajtjes së besimit të krishterë.

Rrugëtimi i Mesharit nëpër shekuj

Fati i Mesharit të Gjon Buzukut, që nga botimi e deri në ditët e sotme, është shumë interesant! Ai mban në vete një histori të çuditshme për rrugën e mundimshme dhe tepër të vështirë për t’i përballuar kohës, shkatërrimit fizik, pakujdesisë e humbjes. Si libër u përmend për herë të parë nga autori shqiptar i shek. XVII Pjetër Bogdani, gjë që na bën të mendojmë se deri atëherë nuk ishte i humbur, por përkundrazi konsultohej dhe shfrytëzohej nga prelatët shqiptarë, duke kaluar nga një dorë në tjetrën. Këtë gjë më së miri na e ilustrojnë shënimet e shumta në margjinat e faqeve të ksombllës origjinale.

Gjurmët e Mesharit humbin deri në vitin 1743, kur imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova njofton at Gjergj Guzetën, themeluesin e Seminarit Arbëresh të Palermos, për ekzistencën e një ksomblle të vetme, duke i dërguar atij një fragment të kopjuar të tij: “Antichissimo Missale per antichita tutto straciato“, me shënimin se ruhet në Bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fide [Kolegji për Ungjillizimin e Popujve] në Romë. Në shkrimet e tyre, Mesharin e përmendin edhe rektorët e Seminarit të Palermos, Pal Parrino /1710-1765/ dhe Sepë Krispi /1781-1859/. Mesharit nuk përmendet më deri në vitin 1898, kur e dërgojnë nga biblioteka e Kolegjit të Propaganda Fide në koleksionin e librave Orientale, të kardinalit Stefano Borgia. Bashkë me koleksionin Oriental të kardinal Borgia-s, disa vite më vonë ai bëhet pronë e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, në Vatikan, duke u rregjistruar fillimisht me signaturën: R[accolta] G[enerale] Liturgia. III. 194., /R. G. Liturgia. III. 194./, që disa vite më vonë me signaturë të re, në të cilën ruhet edhe sot e kësaj dite: Ed. Prop. IV. 244.

Imzot Pal Skiroi ishte i pari që bëri të mundur riprodhimin fotografik të plotë të Mesharit në vitin 1909. Pas një pune këmbëngulëse shumëvjeçare, Skiroi bëri transliterimin, transkriptimin fonetik dhe një studim të veçantë për gjuhën e Mesharit, duke e krahasur atë me autorë të tjerë të Veriut të Shqipërisë, veçanërisht me Pjetër Budin. Megjithatë, vepra e Skiroit ka mbetur deri sot e kësaj dite në dorëshkrim dhe e pabotuar, edhe pse me këtë dorëshkrim janë shërbyer Namik Resuli, Eqrem Çabej dhe ne, gjatë hulumtimeve të bëra në Vatikan.

Në vitin 1929, Justin Rrota nxori tri kopje të filmuara të Mesharit, të cilat u depozituan në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku edhe sot e kësaj dite ruhet një kopje, ndërsa dy të tjerat në Shkodër: njëra në Seminarin e Etërve Jezuitë, ndërsa tjetra në Bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës, e cila edhe është dixhitalizuar para disa vitesh dhe është në shfrytëzim për të gjithë të interesuarit. Në  vitet ’50 të shek. XX, dy studiues të shquar shqiptarë, E. Çabej dhe N. Resuli, secili në mënyrë të pavarur nga tjetri, e përgatitën për botim, Mesharin, duke vënë në përdorim kriteret e shkencës bashkëkohore, si dhe tri mënyra të riprodhimit të exemplarit origjinal, transkriptimin fonetik, transliterimin dhe fototipinë, të përcjella  me analiza të thukta kritike shkencore.

Namik Resuli e botoi studimin e tij në Vatikan në vitin 1958, në një numër të kufizuar ekzemplarësh, në kollanën e njohur Studi e Testi nr. 199; ndërkohë Eqrem Çabej e botoi në Tiranë në vitin 1968. Edhe pas këtyre botimeve, libri do të njihej vetëm nga rrethe të caktuara specialistësh dhe shkencëtarësh. Në fund të viteve ’90, Meshari depërtoi në masën e gjerë të lexuesve dhe u bë i mundshëm studimi i tij i shumanshëm. Ishte viti 1987, kur shtëpia botuese “Rilindja” e Prishtinës bëri ribotimin integral të tekstit të E. Çabejt, të vitit 1968. Vëmë në pah se, studimet e deritanishme (qoftë ai i Skiorit, apo këto të Resulit, Çabejt e Camajt dhe ky i yni së fundi), kanë disa dallime, që kanë të bëjnë sidomos me interpretimin e vlerave fonologjike të grafemave, të përdorura nga Buzuku, sepse gjuha arkaike, alfabeti i veçantë [grafemat sllave], përdorimi i të njëjtës grafemë me vlera të ndryshme e çështje të tjera, lënë vend për një studim të ri, të mbështetur në metoda të reja shkencore fonologjike, semiotike, analogjike, gjithsesi edhe informatike. Përkundër shumë studimeve, nga specialistë të shumtë, ende shumë gjëra rreth Mesharit kanë mbetur të pasqaruara.

Koncepti zhanror dhe përmbajtja e librit

Çështjet kryesore për diskutim rreth Mesharit janë: përmbajtja e librit dhe koncepti zhanror i tij. Me zbërthimin eventual të këtyre dy çështjeve dominuese do të zgjidheshin edhe disa të tjera, të cilat janë ngushtësisht të lidhura me dy të sipërpërmendurat, sidomos personaliteti i autorit, koha e krijimit të veprës, vendi dhe viti i saktë i botimit si dhe titulli i plotë i librit. Nga këndvështrimi i studimeve të deritashme buzukiane, jemi në gjendje të diskutojmë për shumë çështje të hapura, një pjesë e të cilave janë zgjidhur, kurse një pjesë tjetër pritet të zgjidhen në të ardhmen. Problemi i parë që meriton kujdes të veçantë është vetë Meshari dhe përmbajtja e tij, analiza dhe studimi i tij, si në rrafshin horizontal ashtu edhe në atë vertikal. Krahasimi analogjik me veprat e ngjashme, të botuara para dhe pas kohës  kur u botua Meshari, mund të ndihmojnë në zgjidhjen tërësore ose të pjesëshme, të çështjeve të mbetura.

Mesharit i mungojnë së paku 8 fletët e para. Së bashku me këto fletë, fatkeqësisht, mungojnë edhe: titulli i vërtetë i librit, viti i botimit, vendi i botimit, emri i saktë i autorit ose i përkthyesit, titulli i origjinalit, nga ku janë marrë pjesët që janë përkthyer, leja e botimit, pastaj parathënja, hyrja dhe ndonjë poezi, në formë lavdi, që ishte gjë e zakonshme e kohës në botime të tilla. Mungesa e këtyre të dhënave u ka hapur rrugë studiuesve të shumtë, që të sjellin ide dhe argumente të reja, që nga ato të natyrës tipografike, e deri te ato gjuhësore, me të cilat dëshirohet të zgjidhen çështje shumë të diskutuara, të shkaktuara nga mungesa e të dhënave, të cilat do të duhej të ishin në faqet e para të librit. Natyrisht zgjidhja e problemit të vendit të botimit, do të ndihmonte të zbërtheheshin edhe shumë çështje të tjera të panjohura.

Vendi i botimit i Mesharit të Buzukut

Studiues të shumtë sjellin argumente dhe të dhëna shkencore me të cilat dëshmojnë se Meshari mund të jetë botuar në këtë apo në atë shtypshkronjë, respektivisht, në këtë apo atë qytet, duke u mbështetur kryesisht në fakte që nxirren nga pasthënja e Mesharit, si e vetmja dëshmi e sigurt deri më sot, e cila na sjell të dhëna biografike për autorin e veprës dhe kohën kur u shkrua vepra. Shkak për një gjë të tillë është pohimi i vetë Buzukut se: “ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj ‘ta nukë mundë jeshe, u tue ënbajtunë një klishë, ënbë të dy anët më duhee me sherbyem”.

Këto argumente pastaj ndahen në dysh: fillimisht pohohet se libri është botuar në brigjet lindore të Adriatikut. Këtë ide e përfaqësojnë: F. Fishta, M. Domi, J. Rrota, N. Jokli, Dh. Shuteriqi, P. Janura, A. Stipçeviqi, A. Kovaçeci, R. Katiçiqi. Të gjithë këta, marrin si argument ekzistencën e shtypshkronjave të ndryshme dhe botimin e librave, qoftë në gjuhën latine apo në atë sllave. Të tilla kishte në në Shkodër, ku botohet Triodi sllavisht i vitit 1563; në Durrës në vitin 1584; Ulqin ose Tivar, etj., sepse mund të dëshmohet me siguri, se në këto qytete, në atë kohë, kishte edhe shtypshkronja lëvizëse. Përveç kësaj, mundësia e shërbimit të Buzukut në ndonjërën nga famullitë e afërta ose edhe faktori gjuhë, që është e afërt me të folmen e Krajës dhe Shestanit, mund të bëhet një lokalizim i përafërt, që nga rrethi i liqenit të Shkodrës, me një pjesë të Malësisë së Madhe deri në detin Adriatik. Mendimi tjetër, sipas të cilit botimi e Mesharit vendoset në brigjet perëndimore të Adriatikut, përfaqësohet nga M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj, E. Çabej, I. Zamputi, E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani, të cilët mendojnë se libri është shtypur në Venedik. Jovan Tomiqi mendon se libri u shtyp në Napoli.

Në vitin 1968, profesor E. Çabej tërheq vëmendjen në botimin kritik të Mesharit duke thënë që libri dhe autori duhen vlerësuar në kontekstin e rrethanave favorizuese për botimin e këtij libri. Si e rëndësishme mund të llogaritet, çështja e botuesit: Kush mund të ishte meceni, sponsori, porositësi i librit? Ky fakt, hap një çështje të re, e cila domosdo ndihmon të zbërthehet përmbajtja e librit, vendi i botimit, por edhe çështje të tjera, që janë drejtpërdrejt të lidhura me librin, historinë e tij dhe autorin. Duke analizuar nga ky kënd vështrimi këtë çështje, kemi dy mundësi favorizuese për botimin e librit, respektivisht, dy mecenë të mundshëm: a) Vatikani apo ndonjëri nga Kongregacionet e tij dhe b) ndonjëri nga fisnikët shqiptarë, të cilët ishin të shumtë në Itali, si p.sh. Albanët, Engjëllorët, Muzakajt, Kastriotët, Spanët, Matrangët, etj., të cilët edhe më parë, janë kujdesur dhe kanë financuar botime të ndryshme të humanistëve shqiptarë në Itali.

Përsa i takon kohës së botimit, është i pamohueshëm fakti se Meshari nuk ka mundur të botohet para vitit 1555! Këtë gjë na e dëshmon vetë Buzuku, në pasthënien e librit kur pohon: “Ëndë vietët M.D.L.IV., një-et dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V. dit“.

Biografia e Buzukut, me shumë të panjohura

Për biografinë e autorit të Mesharit, disponojmë shumë pak të dhëna. Praktikisht kemi vetëm ato që na i ofron vetë Buzuku në pasthënien e librit, ku pohon se: është i biri i Bdek Buzukut, e asgjë më shumë. Pra mbeten të pandriçuara viti i lindjes, viti i vdekjes, vendlindja, shkollimi dhe shërbimi kishtar në një apo më shumë vende. Përkundër hulumtimeve të shumta të bëra në arkiva dhe biblioteka të ndryshme europiane, nuk kemi arritur të gjejmë as edhe një të dhënë të vetme për Gjon Buzukun. Përjashtohet mundësia që të ketë studiuar në ndonjërin nga kolegjet ekzistuese të kohës në Itali, sepse asnjëri nga librat amzë të studentëve që u arsimuan atje, nuk përmban të dhëna për një student me emër të tillë. Nuk mund të themi asgjë të sigurt as për pozitën e tij kishtare! Një gjë e themi me siguri, se emri i Gjon Buzukut nuk figuron në emrat e relatorëve të kohës. Po ashtu nuk gjendet as në regjistrat e Arkivit Sekret të Vatikanit, as si ipeshkv apo kryeipeshkv. Këto i kemi konsultuar e shfytëzuar me vëmendje të veçantë, me shpresë se do të gjenim ndonjë shënim, por përpjekjet tona, edhe pse për një kohë të gjatë dhe me përkushtimin maksimal, kanë rezultuar të pasuksesshme.

Duke u mbështetur në gjuhën e Mesharit, studimet gjuhësore kanë ndihmuar deridiku për lokalizimin e vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut! Kjo kërkohet në zonat veriperëndimore gege, që do të ishte: rrethi i Liqenit të Shkodrës me një pjesë të Malësisë së Madhe deri në detin Adriatik. Mirëpo, gjuha e veprës, jo gjithmonë është shprehje e gjuhës së vendlindjes së autorit, sepse ajo, gjuha e veprës, mund të ishte edhe gjuhë e shërbimit. Kështu edhe mbështetja në gjuhën e Mesharit nuk mund të llogaritet si argument shumë i sigurtë për zgjidhjen e problemit të vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut.

Libri në gjendjen ekzistuese është i lidhur me kopertina lëkure, por është shumë i dëmtuar. Ai ka format: 20 x 14 cm dhe ka 94 fletë ose 188 faqe, nga 110 fletë ose 220 faqe sa duhej të kishte. Kanë humbur 16 fletë ose 32 faqe, të paginuara me numra romakë! Përveç faqes së parë [frontespicit] të humbura llogariten edhe fletët 1-8, 27-29, 33-36 dhe 63, që duhej të ishte 73. Përveç kësaj, kemi edhe disa gabime te paginimi i faqeve, si p.sh. f. 49 është shënuar si 39, f. 61 është shënuar si 59, pastaj f. 65 është shënuar në vend të f. 55. I njëjti gabim përsëritet edhe në f. 89 që shënohet si 79 dhe e fundit f. 90 duhet të ishte 110. Në margina të faqeve ka të shënuara me dorë emra, përshëndetje dhe fjalë të tjera në gjuhën shqipe, që i kanë bërë lexuesit e librit. Libri është i shkruar në dy shtylla, me alfabet latin, të tipit gotik dhe ka pesë grafema të tipit sllav, të bosançicës.

Botimi i Mesharit të Buzukut u realizua me qëllime të caktuara. G. Schiro pohon se ai duhej të përmbushte tri kërkesa: a) nevojën e përditshme për shërbime fetare; b) përgatitjen dhe thellimin e njohurive liturgjike të prelatëve shqiptarë dhe c) edukimim fetar masiv, të masës së besimtarëve që ndodhej në kufijtë me Perandorinë Osmane. Këtë qëllim të Mesharit na e pohon edhe vetë Buzuku: “u lus ënbas sodi ma shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t’inë Zot; e ate në ënbarofshi Zot’ynë të ketë mishërier ënbi ju“, duke dëshiruar që kështu të luftonte disa dukuri të këqija, që u kanoseshin besimtarëve shqiptarë, “lëkundjes nga besimi i moçëm” me anë të reformës dhe islamizimit, që siç pohon E. Çabej: “Po bënte përparimet e para në vend”. Nëse përjashtojmë reformacionin, Kisha Katolike që në shek. XIII kishte lejuar përdorimin e gjuhëve kombëtare. Mund të sillen të dhëna të shumta, që nga papa Inocenti IV, i cili në vitin 1248 u kishte lejuar kroatëve të ishujve të Kvarnerit dhe të Dalmacisë ushtrimin e liturgjisë në gjuhën e tyre kombëtare, në gjuhën kroate, por edhe botimin e librave fetare me alfabet glagolik.

Të dhëna të tërthorta flasin se Vatikani ka pasur si qëllim që me këtë libër të forconte besimin e lëkundur tek shqiptarët, si nga lëvizja reformiste (protestantizmi) e heretike [bogumilizmi], ashtu edhe nga konflikti i ashpër kishtar ndërmjet dy kishave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit, që ishte mjaft i theksuar në atë kohë në Ballkan. Përmbi të gjitha këto ishte edhe rrezikur i madh dhe real i përhapjes së islamizmit, përhapje kjo mjaft shqetësuese për Vatikanin.

Meshari i Buzukut – korelacione me botime të ngjashme të kohës

Në studimin e tij, Eqrem Çabej pohon se: “Meshari, veç ndonjë fraze vetiake t’autorit hedhur tek-tuk nëpër tekst, është fund e krye përkthim“. Prof. Çabej anashkaloi punën e Mario Rokut, i cili kishte bërë krahasime me libra të ngjashëm boshnjakë. Ky i fundit kishte nxjerrë përfundime se Meshari ishte një kombinim i një Meshari me elemente të një horologu, me pjesë të një katekizmi e të një rituali françeskan analog, me një horolog sllavisht, libër oficiesh e uratash që ishte në përdorim në Bosnjë nga viti 1512. Çabej u thellua në analizën e tekstit të Mesharit shqip, duke e krahasuar atë me botime të ngjashme latine e italiane, p.sh. me botimin e Venedikut nga viti 1598, por edhe me botime të mëvonshme të ritit lindor, të të dy ungjijve. Çabej thekson se për të arritur rezultatet e dëshiruara është e domosdoshme të konsultohen edhe botime më të hershme se Meshari shqip, sidomos ato që ishin në përdorim “para Koncilit Tridentin“, të arealit gjuhësor gjeografik të Bosnjës, Kroacisë e Dalmacisë, pastaj përmend edhe reçensionet e M. Reshetarit, por edhe botimin e F. Fancevit të lutësorëve e psalterëve kroatë, nga shek. XIV dhe XV-të, të Raguzës, me të cilët, mund të afrohet Meshari shqip.

Ne, fillimisht krahasuam Mesharin shqip me “Lutësorin kroat të Vatikanit”, origjinali i të cilit duhet në dorëshkrim në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Ne kemi pasur privilegjin të shfrytëzonim për konsultim si origjinalin, ashtu edhe botimin e mëvonshëm. Pastaj kemi konsultuar edhe “Psalterin dubrovnikas” në origjinal, i cili ruhet në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan (OFM), në Dubrovnik. Pas krahasimit arritëm në përfundimin se pjesët e para të Mesharit të Buzukut, janë plotësisht identike me tekstin e “Lutësorit kroat të Vatikanit” deri në fund të kapitullit të VII-të, të “Shatë psallmeve pendëstare”. Pjesa tjetër e Mesharit shqip është deri diku identike me “Officium Beatae Mariae Virginis”. Përveç këtyre, krahasuam Mesharin shqip me dy mesharë të tjerë kroatë nga vitet 1483 dhe 1494 si dhe me “Leksionarin e Bernardinit” të vitit 1495. Më në fund, duke pasur parasysh traditën e pasur humaniste të shqiptarëve në bregdetin dalmat, si një rezultat i një procesi të gjatë kohor, në raportet kulturore shqiptaro-kroate, që daton shumë më heret se shek. XIV, konsultuam edhe “Mesharin e Verbnikut”, që ishte botuar me urdhër të kryeipeshkvit shqiptar të Senjit, Ndreut nga Durrësi, nga viti 1458. Mund të pohojmë se tradita e shkrimit shqip para Buzukut ishte në vazhdimësi, gjithnjë duke pasur parasysh edhe kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë prelatët shqiptarë të bregdetit të Adriatikut, qoftë në qytetet shqiptare, qoftë në ato dalmate. Nga këto krahasime nxorëm përfundimin se Meshari i Buzukut, aq sa ndjek tekstet e ngjashme liturgjike të kohës, aq edhe largohet prej tyre.

Nëse Mesharin e Buzukut e studiojmë me vëmendje, do të bindemi se ai, jo vetëm që është përfaqësuesi më i denjë dhe më tipik i tendencave letrare e fetare të kontinentit europian të kohës, po ai është edhe pjesë përbërëse e kontributit shqiptar në rrjedhat krijuese letrare europiane. Mungesa e të dhënave dhe e dokumenteve të kohës, na e vështirëson punën për të dhënë gjykime të sakta dhe përfundimtare, por shpresojmë se në të ardhmen, edhe kjo çështje do të ketë zgjidhje të favorshme.

Meshari i Gjon Buzukut, është meshar i plotë, sipas traditës së Kishës Katolike me përmbajtje, renditje, manifestime dhe infiltrime të njëjta të Kishës Universale. Ai është ndërtuar sipas mjedisit ku është krijuar, pra mbart shumë elemente lokale e kombëtare shqiptare, të cilat vërehen hapur në kultin e shenjëtorëve lokalë e rajonalë, zakonet vendase dhe traditën e pasur fetare shekullore.

Kohëve të fundit studiuesja italiane nga Venediku, Lucia Nadin, pas hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore në arkiva e biblioteka të Venedikut, sjell në vemendje se libri i Gjon Buzukut, Meshari, u shtyp në Venedik. Sipas kësaj autoreje, ky libër qarkulloi dhe u përdor në këtë qytet nga priftërinj shqiptarë në kishat shqiptare të Venedikut dhe u përdor edhe në Scuola degli Albanesi. Edhe pse një pohim i tillë mund t’i afrohet të vërtetës, autorja ende nuk është as vetë e bindur përfundimisht për një gjë të tillë. Mbetet që studimet e ardhëshme ta ndriçojnë këtë problematikë.

Pas qindra vitesh, ksomblla origjinale e Mesharit të Buzukut erdhi në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 2012. Meshari i Buzukut u ekspozua në Bibliotekën Kombëtare dhe u vizitua nga mijëra shqiptarë e të huaj, por sigurisht duke respektuar kushtet e sigurisë, që nënkuptojnë vetëm shikimin e tij përmes kutisë së xhamit, në të cilën ndodhej. Edhe pse në Shqipëri, studiuesit shqiptarë nuk arritën ta shfletojnë apo ta prekin atë, kështu që ai u kthye pas në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, i pastudiuar, si në aspektin paleografik, të cilësisë së letrës, të ngjyrës së shkronjave, të peshës së letrës, të rrjetit të letrës dhe të shenjave të ujit, të filigranes. I vetmi që i ka bërë një studim sipërfaqësor shenjave të ujit dhe ngjyrës së letrës ishte Martin Camaj, studim ky që lë për të dëshiruar. Një kopje e riprodhuar në mënyrë anastatike, e cila është punuar nga laboratori i BAV-Vatikan, iu dorëzua presidentit të Shqipërisë, kohëve të fundit. Ajo gjithashtu zgjoi interes të jashtëzakonshëm te publiku shqiptar, kur u ekzpozua për disa orë në presidencën e Shqipërisë. Sipas njohurive tona, kopje të tilla, të riprodhuar në mënyrë anastatike, mund të porositen në BAV, por sigurisht me një çmim mjaft të lartë. Kjo kopje është riprodhim identik, por i mungojnë filigranes, rrjeta dhe pesha e letrës, që sigurisht nuk janë më të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo është e ngjashme me kopjen e riprodhuar anastatike të Kuvendit të Arbrit të vitit 1706, që e ka ish-ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, z. Zef Bushati.

Filed Under: Featured

VATRA NDEROI RAPSODIN BAJRUSH DODA

January 1, 2022 by s p

Sokol Paja/

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra nderoi sot më 1 janar 2022 në  Selinë Qëndrore në New York, rapsodin e madh Bajrush Doda, në një cermeoni madhështore me pjesëmarrjen e familjes, miqve, të njohurve, bashkëpunëtorëve, mediave e personaliteteve të shquara e veprimtarëve të spikatur në diasporën shqiptare të Amerikës. Në fjalën e hapjes në ceremoninë e nderimit kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha theksoi rëndësinë e figurës së Bajrush Dodës në muzikologjinë dhe folklorin shqiptar. Z.Berisha prezantoi për të pranishmit miqësinë e hershme me rapsodin Doda dhe aspekte të veçanta të madhështisë së tij si njeri dhe si rapsod popullor. Musa Dakaj verimtar i madh i çështjes kombëtare u ndal në njohjen me rapsodin Bajrush Doda dhe theksoi faktin se rapsodi Doda do të mbetet përjetë i paharruar dhe i veçantë pasi i ka kënduar trimërisë shqiptare, bukurisë shqiptare, figurave të shquara të kombit shqiptar të cilat na bëjnë krenarë gjithmonë. Në emër të familjes përshëndeti të pranishmit Skënder Doda i cili shprehu mirënjohje për vlerësimin dhe respekt të veçantë për pjesëmarrësit. Në ceremoninë e nderimit përveç pjesëmarrësve shqiptaro-amerikanë të spikatur në diasporë, nga familja e rapsodit Bajrush Doda morën pjesë bashkëshortja Mone, e bija Afërdita, djali i madh Skënderi, Ylberi, Besarti, dhe dy nipat e Bajrush Dodës Denisi dhe Bjarushi i vogël. Në një ceremoni solemne në Selinë Qëndrore të Vatrës, nderimi i rapsodit u bë në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta. Vatra e nderoi rapsodin Bajrush Doda për veprimtarinë e tij jetësore dhe kontributin e madh që i ka dhënë folklorit shqiptar, i cili me një mjeshtri të rrallë diti ta ruaj dhe ta kultivoj me besnikëri melosin autokton të Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës dhe të Rugovës. Duke qenë një prej rapsodëve më mëdhenj të kohës, ai me këngët e tij që nuk do të vdesin kurrë, u bë i dashur dhe i adhuruar në të gjitha trojet shqiptare dhe ne me plot krenari mund ta quajmë legjendë të folklorit shqiptar. Djali i Bajrush Dodës, Skënder Doda u bë pjesë e Federatës Vatra në Degën e Hudson Valley.

Në përfundim të ceremonisë së nderimit, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shtroi një drekë festive në shenjë nderimi dhe respekti për të pranishmit dhe legjendën e folklorit shqiptar Bajrush Doda.

Filed Under: Featured

PROMINENT ENTREPRENEUR JIM XHEMA DONATES $ 30,000 TO VATRA

December 29, 2021 by s p

Jim Xhema, a prestigious entrepreneur and major contributor of Vatra, has donated $30,000 to Vatra. The donation supports the funding of one of Vatra’s most important works to document the history of Pan Albanian Federation of America, a broad coalition of Albanians that gave rise to the Albanian national movement and promotes the rights of Albanians.

The project has been under way by a team of academics, researchers led by director of the Institute of History at the Academy of Albanological Studies, Professor Doctor Beqir Meta. It presents the most comprehensive up-to-date account of Vatra. The impact of such work is decidedly significant. Documenting the efforts to promote Albanian interests in a span of over a century is not only part of Vatra’s proud history, it is crucial to building a vision for the future of Albanians on the world stage.

Jim Xhema has been an outstanding supporter of the project that provides a roadmap of how our forefathers pursued their ideals for a country proud of its history, its name and its people. Encapsulating more than a hundred years of our proud history in the United States is a project of incredible magnitude. Vatra is only a few months away from celebrating its 110 anniversary. Its longevity is a testament to the founders’ foresightedness, inspiration and wisdom.

The meticulous recordings and analysis of the publication will serve as a reference for the young generation of Albanians in all Albanian-speaking regions and also for the international body of academia that pursues Albanological studies and historiography. Aside the five volumes of the publication, the project includes multimedia such as a documentary series production on the iconic figures and their involvement in events that have helped shape the history of Albanians in every corner of the globe.

In a time when there is no shortage of good causes in the world, we are extremely grateful that Jim Xhema has chosen to donate to this worthy project that memorializes our path and place in history.

Filed Under: Featured, Opinion

Donacioni më i madh në Vater nga bamirësi Jim Xhema

December 29, 2021 by s p

Një donacion prej 30,000 dollarësh i është dhënë Vatrës nga bamirësi dhe biznesmeni shqiptar Jim Xhema. Donacioni i kushtohet një prej projekteve më të mëdha të Vatrës lidhur me dokumentimin e historikut të Vatrës. 
”FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS VATRA NË DOKUMENTE HISTORIKE” përmbledh dokumentacion arkivor brenda dhe jashtë Shqipërisë, raporte origjinale dhe artikuj të qëmtuar nga grupi i punës nën drejtimin e akademikut Profesorit Beqir Meta.  Historia 110 vjeçare e kësaj organizate patriotike të emigracionit shqiptar në Amerikë e Kanada dëshmon kontributin e saj madhor duke filluar nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare, në periudhën e Pavarësisë, në mbështetjen efektive të shtetit shqiptar, veçanërisht në periudhën e Luftës së Parë Botërore kur shteti shqiptar praktikisht ishte i pajetë, dhe pastaj me ndihmesën per ngritjen e institucioneve të këtij shteti pas viteve 1920, me qëndrimin e saj antikomunist dhe sakrificat e persekutimi i shumë Vatranëve nga regjimi komunist i Tiranës. 
E konceptuar në pesë vellime, kjo vepër është panorama më e plotë e rolit të Vatrës në të gjitha sferat e jetës shqiptare, në politikë, në fushën e mbrojtjes, në arsim, letërsi, kulturë, etj. Mbi të gjitha Vatra është përpjekur të mbrojë dhe përfaqësojë interesat mbarëkombëtare të shqiptarëve duke qenë një model i angazhimit qytetar dhe civil në Amerikë. 
Ky projekt ka qenë ëndërr e dëshirë e disa brezave të Vatranëve, prandaj realizimi i tij i mundësuar nga donacioni i një miku të Vatrës si Jim Xhema  është veçanërisht i vlerësuar nga drejtuesit e organizates, nga komuniteti vatran e diaspora. 

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT