• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELMI BERISHA RIZGJIDHET KRYETAR I FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA

February 27, 2022 by s p

Sokol Paja/

Z. Elmi Berisha fitoi mandatin e dytë në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ai mori 23 vota kundrejt Rafaela Priftit me 2 vota, Prend Qetta 1 votë dhe 1 votë abstenim, në Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor të Federatës të mbajtur në New York më 26 Shkurt 2022. Punimet e Kuvendit që zgjatën rreth 10 orë u shoqëruan me diskutime dhe debate të forta për mënyrën sesi ka funksionuar Vatra e Dielli për 2 vitet e shkuara dhe sfidat që na presin në të ardhmen. Punimet e Kuvendit i hapi Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët e tij dhe dorëzoi mandatin te Kryesia e Kuvendit. Kuvendi filloi me himnin kombëtar të SHBA dhe Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Vatrës z.Berisha propozoi Ervin Dinen dhe Valentin Lumaj për kryetar Kuvendi, votim nga i cili fitoi z.Dine që zgjodhi nënkryetar të Kuvendit z.Bashkim Musabelliu dhe sekretar të Kuvendit z.Eduard Aranitasin dhe në mes të punimeve të Kuvendin zonja Nazo Veliu Sekretarja e Vatrës iu bashkua ekipit që udhëhoqi Kuvendin. Në fjalën e parë përshëndetëse të Kuvendit, Konsulli i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës në New York, Ambasador Frymëzim Isufaj ndër të tjera tha: “Sot është një ditë e rëndësishme për Vatrën dhe komunitetin shqiptar. Vatra dha një ndihmesë të jashtëzakonshme për çështjen kombëtare, Vatra është pjesa më e lavdishme e historisë sonë me ndikim kulturor, historik e patriotik. Çdo shqiptar ndihet krenar për Vatrën e Vatranët për potencialin intelektual dhe frytet që Vatra i ka dhënë kombit tonë” tha Ambasador Isufaj. Gjeneral Gani Shehu nga Batalioni Atlantiku u shpreh se: “ Vatra ka dhënë një aktivitet të madh historik për të gjitha etapat që ka kaluar kombi e atdheu ynë”.  Përshëndetën gjithashtu në Kuvend z.Mhill Velaj nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, z.Dash Myftari i Shoqatës Atdhetare Dibra, z.Mark Qehaja Kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane Skënderbej, Safet Llolla nga shoqata Ana e Malit, Shaqir Gjokaj nga shoqata Malësia e Madhe, Ceno Duli nga shoqata Ulqini, Esad Gjonbalaj nga shoqata Plavë e Guci, Blerim Koçani sekretar i Shoqatës Peja. Punimet e Kuvendit vazhduan me verifikimin e mandateve të delegatëve të Kuvendit. Z.Lek Mirakaj si delegati më i vjetër pjesëmarrës në Kuvend ndër të tjera deklaroi se fryma e Vatrës duhet të jetë e bashkimit, vëllazërimit dhe unifikimit. Nuk duhet të ketë kurrë ndarje e përjashtime por bashkime vlerash kombëtare, tha z.Mirakaj. Z.Alfons Grishaj kërkoi prej të gjithë të pranishmëve paqe, vëllazëri, e bashkim për të mirën e Vatrës, komunitetit e kombit tonë. Kryetari i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj u bëri thirrje delegatëve për të vazhduar të bashkuar e për të çuar përpara amanetin e Nolit e të Konicës. Delegatët e Kuvendit pranuan me votë delegatët nga degët e Manhattan, Miami, Queens, Jacksonville. Kuvendi më pas vazhdoi me ekspozenë e kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha i cili pasqyroi punën 2 vjeçare në krye të Vatrës. Dr. Ilmie Mara pyeti kryetarin e Vatrës se: çfarë ka bërë Vatra në nivel ndërkombëtar për historinë e shqiptarëve, çështjen çame, dhe sesione shkencore për historinë e vlerat e shqiptarëve? Delegati Valentin Lumaj pyeti bashkëpunimin e Vatrës me qeveritë në shtetet shqiptare Prishtinë e Tiranë, delegati Viktor Vorfi pyeti për avancimin e çështjes shqiptare, delegati Rafael Floqi pyeti për lobimin në Kongresin Amerikan. Më pas punimet e Kuvendit vazhduan duke paraqitur raportin e punës: arkëtari i Vatrës z.Marjan Cubi, Dr. Pashko Camaj për Fondin e Studentëve, dhe Editori i Diellit Sokol Paja. Me kërkesë të delegatit z.Asllan Bushati u mbajt një minutë heshtje për viktimat e luftës në Ukrainë. Zoti Bushati kërkoi që të zgjidhet kontingjenti inteligjent në Vatër dhe të zgjerohet Vatra në anëtarësinë e saj me kapacitete e talente nga diaspora shqiptare. Z. Lumaj vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Vatrës dhe vuri në theksim ato gjëra që nuk realizuan. Z. Ilirjan Blloshmi kërkoi ndër të tjera bashkim të Vatrës dhe vatranëve. Z. Viktor Vorfi solli në vëmendje largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria dhe kërkoi angazhim më të madh të Vatrës në dobi të mirëqënies së shqiptarëve. Dr. Ilmie Mara deklaroi se: “Shqiptarët presin shumë nga Vatra. Fjala jonë është ligj. Vatra duhet të jetë më afër problemeve të shqiptarëve në diasporë, të ndërhyjë me deklarata të veçanta kur shkelën të drejtat e shqiptarëve, futja e elementëve të rinj në Vatër dhe intelektualëve, transparencë të kuotave, të bëjnë takime, seminare e konferenca rreth çështjes kombëtare, Vatra të ketë në fokus çështjen çame, krijimi i Departamenteve të Vatrës është domosdoshmëri” tha në diskutimin e saj zonja Mara. Editori që drejtoi Diellin për 12 vite Dalip Greca, ai që krijoi një epokë të shkëlqyer në Vatër e në Diell, ekspozoi në Kuvend punën e Diellit sidomos në pandemi dhe rolin e Diellit në informimin e pasqyrimin e mërgatës shqiptare kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Ai theksoi ndër të tjera se: “Vatra nuk ka luksin të largojë askënd por të mbajë çdo vlerë që ka Vatra. Nëse doni Nolin e Konicën zbatoni edhe Kushtetutën e tyre” theksoi z.Greca. Z.Muhamet Omari deklaroi se Vatra duhet të ndryshojë konturet e saj pasi kanë ndryshuar kushtet politike të vitit 1926 dhe situata politike në hapësirën mbarëshqiptare. Duhet angazhim më i fuqishëm i Vatrës në trojet kombëtare. Rafael Floqi kërkoi që Vatra të lobojë fort për votën e diasporës dhe lobimin te politika dhe institucionet amerikane. Z.Mondi Rakaj falenderoi z.Elmi Berisha për punën e mrekullueshme për dy vite dhe solli në vëmendje investimin personal të bërë nga Berisha e bashkëpunëtorët e tij në dobi të çështjes kombëtare. Z.Mark Gjonaj (Nderi i Kombit) theksoi rolin e jashtëzakonshëm të Vatrës në 110 vite histori dhe punën e jashtëzakonshme për vendosjen e Rrugës Fan Noli në Bronx New York. Valentin Lumaj lexoi një rezolutë për gjëndjen e rëndë të shqiptarëve dhe qeverisjen e keqe në Shqipëri të cilën e miratoi Kuvendi i Vatrës. Z.Toni Sufaj në fjalën e tij theksoi se Vatra duhet të jetë Vatër e bashkimit të shqiptarëve. Z.Bashkim Musabelliu paraqiti Projekt-Kanunoren e Vatrës e cila në nenet kryesore të saj, ato që përcaktojnë afate mandatesh apo pika thelbësore të funksionimit e veprimtarisë, u debatuan, u diskutuan fuqishëm, por që kaluan të miratura e të ndryshuara në nenet respektive. Z.Musabelliu prezantoi Projekt-Kanunoren 2022 ne emer te Komisionit te punes te perbere nga juristet z.Mehmet Kadria e Kujtim Porja te autorizuar per kete Projekt nga Kuvendi i Vatres ne Michigan 2020. Më pas kandidatët për kryetar të Vatrës Elmi Berisha, Rafaela Prifti dhe Prend Qetta lexuan platformën para delegatëve. Në vazhdim u zhvillua votimi për kryetar të Vatrës ku z. Elmi Berisha fitoi mandatin e dytë në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ai mori 23 vota kundrejtë Rafaela Priftit me 2 vota, Prend Qetta 1 votë dhe 1 votë abstenim. Kuvendi përfundoi punimet me sukses të plotë ku u lanë shumë detyra e angazhime për të ardhmen si për Vatrën, Diellin e çdo vatran në përmbushje të misionit historik të Vatrës. Për të gjithë të pranishmit u shtrua një darkë vëllazërore në Restorant Cakor ku u festua deri në orët e vona nën tingujt e magjishëm të zërit të mbretit të këngës shqiptare Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh). Vatra shpreh mirënjohje për mediat Tv Alba Life, Tv Kultura Shqiptare, Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës e çdo gazetar që ishte i pranishëm në Kuvendin e Vatrës, sidomos z.Dritan Haxhia për mbulimin ekskluziv të Kuvendit.

PROGRAMI 4 VJEÇAR I KRYETARIT TË VATRËS Z. ELMI BERISHA

1. Do të vazhdoj të promovoj vlerat e kultivuara nga “Vatra” brez pas brezi që nga themeluesit e saj në avansimin e çështjes shqiptare dhe trojeve etnike gjithandej, duke u mbështetur në parimet e vlerave demokratike dhe civilizuese mbi të cilat veprojnë institucionet dhe shteti amerikan;

2. Do të reformoj dhe freskoj  “Vatrën” duke u hapur ndaj brezit të ri të bashkëkombasve tanë në SHBA, ndaj ideve të reja, alternativave kreative që promovojnë kombin tonë dhe vlerat e tij në institucionet amerikane qoftë politike, ekonomike, edukative, shkencore dhe kulturore;

3. Me ngritjen e këtyre kapaciteteve me brezin e ri të edukuar në SHBA, duke ofruar profesionist të fushave të ndryshme, do të vazhdojmë forcimin e lidhjeve shumëdimenzionale me institucionet vendimarrësë të SHBA-ve si Senatin, Kongresin dhe Stejt – Departamentin amerikan në funksion të avansimit të cështjes shqiptare, në rrafshin politik, ekonomik, edukativo – shkencor, kulturor dhe afirmativ për kombin tonë;

4. “Vatra” do të jetë institucion avangard i shqiptarëve në SHBA, duke ruajtuar parimet e neutralitetit, duke mbajtur pozicione të forta apartiake dhe duke përcuar mesazhin se ne jemi të të gjithëve dhe se misioni ynë është zhvillimi dhe avansimi në të gjitha fushat i kombit tonë dhe të gjitha trojeve etnike pa përjashtim;

5. “Vatra” do të bashkëpunojë ngushtë me Qeveritë e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit e zgjedhur nga vota e lirë të shqiptarëve në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, do kërkojë drejtësi për Çamerinë, do luftojë për të mirën e të gjithë bashkombasve, në funksion të bashkërëndimit, bashkëpunimit dhe koordinimit të përbashkët për avancimin e gjithmbarshëm në rrafshin politik, ekonomik, arsimor e kulturor të gjithë kombit tonë.

6. Dixhitalizimi i Gazetës Dielli dhe gjetja e sponsorëve me qëllim që gazeta të rritet në staf, rubrika, cilësi dhe siguria financiare e vazhdimësia  të jetë e padiskutueshme.

7. Seli e re qëndrore për Federatën Panshqiptare “VATRA” me qëllim që ndërtesa e re të jetë multifunksionale dhe të përmbushë nevojat dhe kërkesat e kohës.

8. Krijimi i Bibliotekës Shkencore të Vatrës dhe pasurimi me tituj shkencor më qëllim që kjo Bibliotekë të kthehet në njësi kërkimore për të gjithë studiuesit dhe studentët shqiptarë në USA dhe jo vetëm.

9. Krijimi i Degëve të reja të Vatrës në shtetet kryesore të Amerikës dhe në Kanada.

10. Bashkëpunime të frytshme me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e Kosovës, me Institutet Kërkimore e Shkencore në Shqipëri e Kosovë dhe të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në këto dy shtete dhe në mbarë hapsirën shqipfolëse.

11. Krijimi i një fondi të veçantë për botimet me qëllim që Vatra të mbështesë studiuesit, shkrimtarët dhe botuesit e rinj.

12. Rritje e Fondit të Studentëve, gjetja e sponsoreve e mbështetësve të fuqishëm me qëllim që Vatra të mbështesë vit pas viti me Bursa sa më shumë studentë shqiptarë.

Filed Under: Featured

Deklaratë e përbashkët e krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës pas agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Federata Ruse

February 24, 2022 by s p

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur takim me krerët e institucioneve të Kosovës për të diskutuar zhvillimet pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe implikimet për sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë dhe rajonit.

Në takim kanë marrë pjesë: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, Kryeministri Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

Pas takimit, krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës lëshojnë këtë deklaratë të përbashkët pas agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Federata Ruse:

Republika e Kosovës dënon fuqishëm agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse që shpërfaqë hapur qëllimin rus për të minuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Gjithashtu, Republika e Kosovës dënon njohjen ilegale të “pavarësisë” së regjioneve ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut nga ana e Federatës Ruse.

Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes agresionit ushtarak entitete fantome brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore.

Përpjekjet revizioniste të diktatorit Putin për të minuar parimet themeltare të mishëruara në Kartën e OKB-së e që janë parimi i sovranitetit dhe barazisë së shteteve, integriteti territorial dhe e drejta e kombeve për të vendosur në mënyrë të pavarur për fatin e tyre, gërryen themelet e rendit ndërkombëtar.

Agresioni ushtarak kundër Ukrainës nuk mund të përmbysë triumfin e vlerave të lirisë dhe demokracisë që shënuan përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik, që më shumë se çdo gjë tjetër ishte një burg i kombeve dhe shtypës i lirisë njerëzore.

Sot, në Ukrainë nuk mbrohet vetëm sovraniteti dhe e drejta për vetëvendosje e një populli të lirë dhe e një shteti të pavarur. Por, në Ukrainë mbrohen vlerat universale të paqes, demokracisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.

Askush më mirë sesa populli i Kosovës nuk e njeh fuqinë e vlerave të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës për vetëvendosje.

Ishin këto vlera dhe parime që motivuan botën demokratike që në vitin 1999 të ndërhynte për të shpëtuar popullin e Kosovës nga rreziku i shfarosjes nga regjimi gjenocidal i Serbisë së Sllobodan Milosheviqit.

Tendenca e diktatorit Putin për t’iu referuar rastit të Kosovës dhe për të tërhequr paralele janë tërësisht të paqëndrueshme, abuzive dhe përpjekje për të kamufluar mungesën e çfarëdo baze dhe arsyetimi të sulmit barbar të forcave të tij kundër një shteti sovran.

Procesi i pavarësimit të Republikës së Kosovës ka qenë rezultat i shpërbërjes së përgjakshme të Federatës Jugosllave, suprimimit të dhunshëm të statusit federativ të Kosovës, zbatimit të politikës së aparteidit ndaj popullit shqiptar përgjatë një dekade, luftës çlirimtare kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit, ndërhyrjes ndërkombëtare për ta ndalur gjenocidin, administrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe procesit negociator me ndërmjetësim ndërkombëtar për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Për më tepër, ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si trupi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare.

Federata Ruse jo vetëm që nuk ka kundërshtuar asnjëherë luftërat pushtuese dhe fushatat gjenocidale të Serbisë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, por ka vazhduar të luaj rol negativ duke mbështetur pa rezervë tendencat destabilizuese dhe politikat anti-evropiane në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke shfrytëzuar shtete dhe liderë që i ka nën kontroll, për të penguar integrimin euro-atlantik të rajonit tonë.

Republika e Kosovës është përballur vazhdimisht me përpjekjet e Federatës Ruse për ta minuar sovranitetin dhe progresin e saj, qoftë duke bllokuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke armatosur Serbinë dhe duke ndërtuar baza të kamufluara ushtarake në Serbi, në afërsi të kufirit me Kosovën, apo duke orkestruar luftë speciale dhe hibride përmes propagandës dhe formave të tjera që Moska në vazhdimësi ka ndërmarrë kundër Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës shprehë solidaritetin dhe mbështetjen e saj të parezervë me Ukrainën dhe popullin e saj. Në mbështesim të drejtën e patjetërsueshme të Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial.

Ne shprehim shpresën dhe besimin tonë se vetëm reagimi i vendosur i bashkësisë ndërkombëtare, kundër agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Federata Ruse është vendimtar për t’i dhënë fund këtij agresioni.

Republika e Kosovës mbështetë plotësisht reagimet e shteteve demokratike dhe organizatave ndërkombëtare dhe iu bashkohet atyre në ndërmarrjen e veprimeve dhe masave që ndëshkojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke përfshirë shqiptimin e sanksioneve, masave dhe veprimeve të tjera.

Republika e Kosovës do t`i bashkërendojë ngushtë veprimet e saj me shtetet liridashëse të rajonit dhe aleatët strategjik euro-atlantik, veçanërisht SHBA-të dhe BE-ja, për ta kundërshtuar fuqimisht luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë dhe për t’u përballur me pasojat, të cila mund t`i prodhojë agresioni i Moskës në rajonin tonë nëpërmjet shteteve mike të Rusisë dhe aktorëve joshtetëror. Tendencat destabilizuese të Rusisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’i kundërvihemi së bashku me aleatët tanë.

Filed Under: Featured

Presidentja Osmani: Qëndrojmë me popullin ukrainas – hegjemonia ruse do të dështojë sërish

February 24, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Presidentja Osmani: Qëndrojmë me popullin ukrainas – hegjemonia ruse do të dështojë sërishPresidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.Presidentja Osmani ka thënë se lufta në Ukrainë, si rezultat i akteve te agresionit dhe sulmeve të paprovokuara të Rusisë, na e përkujton se sa e vlefshme është liria.“Në ditë si kjo, kur shohim horrorin e luftës me të cilin përballet ky shtet, qëndrojmë me popullin ukrainas dhe shprehim solidaritetin tonë të thellë. Imazhet e tmerrshme nga Ukraina na përkujtojnë sërish rëndësinë e aleancave mes popujve demokratik, si e vetmja mënyrë për t’i dalë ballë hegjemonisë së Rusisë dhe të satelitëve të saj”, ka thënë Presidentja Osmani.Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:Lufta në Ukrainë, si rezultat i akteve te agresionit dhe sulmeve të paprovokuara të Rusisë, na e përkujton se sa e vlefshme është liria. Në ditë si kjo, kur shohim horrorin e luftës me të cilin përballet ky shtet, qëndrojmë me popullin ukrainas dhe shprehim solidaritetin tonë të thellë. Imazhet e tmerrshme nga Ukraina na përkujtojnë sërish rëndësinë e aleancave mes popujve demokratik, si e vetmja mënyrë për t’i dalë ballë hegjemonisë së Rusisë dhe të satelitëve të saj. Prandaj, jemi në koordinim të vazhdueshëm me aleatët tanë, për të mos lejuar destabilizimin e rajonit tonë. Hegjemonia ruse do të dështojë sërish. Liria dhe demokracia do të triumfojnë!

Filed Under: Featured

AKTIVITETI DY VJEÇAR 2020-2022, I DEGËS SË VATRËS, MICHIGAN

February 21, 2022 by s p

Kronika nga Valentin Lumaj dhe  Mondi Rakaj

Dega e Vatrës, Michigan

20 shkurt 2020

Dega e Vatrës Michigan shkon në Kuvendin e Federatës Pan-shqiptare Vatra, me një bilanc të pasur aktivitetesh. Megjithëse në një situatë të vështirë pandemike, kjo nuk i ndaloi Vatranët e Michiganit të zhvillojnë një jetë të gjallë dhe aktive, kjo në fushën e lobimit, njohjes dhe takimeve me figura të larta publike amerikane dhe Kongresistë, udhëtime dhe takime ne shërbim të komunitetit si dhe aktivitete të brendshme të degës.

Ky aktivitet dy-vjeçar starton me pregatitjen, zhvillimin, drejtimin dhe përfundimin me sukses të plotë të Kuvendit të Vatrës të 19 Janarit 2020. Situata e nxehtë e debateve parakuvendore e asaj kohe kërkonte një impenjim shumë të madh të Kryesisë së degës tonë, e cila me kohë mori të gjitha masat për mbarëvajtjen e Kuvendit. Vlen të përmenden drejtuesit dhe aktivistët e gjith-hershëm të Vatrës, Alfons  Grishaj, Mondi Rakaj, Dritan Demiraj, Gani Vila,  Mynyr Nazifi , Rafael Flloqi, Kujtim Qafa, Julian Çefa, Gjeto Ivezaj , Eduard Aliko , Gjergj Ivezaj   etj , si dhe menaxhimi dhe drejtimi profesional i Kuvendit nga Valentin Lumaj. Po ashtu ndihmesë të madhe dhanë edhe Qendra Bektashiane, Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve dhe Ëindham Hotel.

Me datën 12 Qershor 2020, një përfaqësi nga Komuniteti i Michiganit e përbërë nga vatranët Mondi Rakaj dhe Valentin Lumaj , Merita Bajraktari , pati një takim virtual me ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim. Ky takim u iniciua nga ambasadorja amerikane me përfaqësues të diasporës në Amerikë me tematikë njohjen dhe trajtimin problemet dhe çështjet që shqetësojnë Diasporën, sikurse ishin e drejta e votës, përfaqësimit si dhe çështje të tjera. 

Në kuadër të lobimit dhe krijimit të lidhjeve me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë, një grup vatranësh të degës Michigan u angazhuan në fushatën elektorale në mbështetje të Presidentit  Trump. Fillimisht, me datë 8 qershor 2020, pati një takim të parë të iniciuar nga përfaqësuesja me origjinë shqiptare e fushatës se Trump, Znj. Evi Kokalari me pjesëmarrjen e drejtorit te koalicionit për fitoren e Trump në MI, Sean Moscynsky, të përfaqësuesve të kulteve fetare dhe aktivistë të Komunitetit ku morën pjesë vatranët Kol. Dritan Demiraj, Valentin Lumaj dhe Mondi Rakaj.

Kjo iniciativë u vazhdua me 27 Qershor, me një drekë pune në një nga restorantet e qendrës se qytetit Northville. Në këtë takim morën pjesë Sean Moscynsky, drejtori i koalicionit për fitoren e Trump në MI, Danny Gustafson, Drejtor Rajonal i Fushatës, Irena Vulaj, menaxhere rajonale e fushatës, si dhe vatranët Alfons Grishaj, Mondi Rakaj, Dritan Demiraj dhe Valentin Lumaj. Një vend të rëndësishëm në këtë takim zuri edhe propozimi i bërë qysh në mbledhjen e parë, për një takim të Presidentit Trump enkas me shqiptarë këtu në MI, ku mendohej që të ftohen rreth 20 mijë shqiptarë, takim i cili nuk arriti të realizohej me përkeqësimin e situatës pandemike. 

Në datën 17-18 Gusht 2020, nën përkujdesjen e Kryetarit te Vatrës Elmi Berisha, nënkryetari Federatës Pan Shqiptare te Amerikës “Vatra”, Pishtari i Demokracise z. Alfons Grishaj, kryetari e Vatrës dega Michigan z. Mondi Rakaj dhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Kol. Dritan Demiraj morën pjesë në takimin e organizuar me rastin e vizitës së Ministres së Jashtme të Kosovës Znj. Meliza Haradinaj  dhe ambasadores Çitaku në New York. 

Më 18 Gusht 2020, në 3 West Club, në 51 st, në Manhattan, u organizua veprimtaria fondmbledhëse për kongresmenin republikan Lee Zeldin, veprimtari që kishte për organizatore bashkatdhetaren Evi Kokalari. Thirrjes së saj iu përgjigj edhe dega e Vatrës Michigan.Udhëtuan enkas për këtë event, nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj, kryetari i degës së Vatrës për Michigan Mondi Rakaj dhe anëtari i Këshillit Kol. Dritan Demiraj. Morën pjesë gjithashtu nga Qendra e Vatrës kryetari i nderit Agim Rexhaj, Editori i “Diellit” Dalip Greca , arkëtari Marjan Cubi, anëtari i kryesisë Mark Mernacaj. Në atë takim u prekën çështje të nxehta shqiptare si tragjedia e familjes Bytyqi ku Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, të cilët u ekzekutuan në mënyrë kriminale nga shteti serb gjatë konfliktit në Kosovë. Gjithashtu u trajtuan ruajtja e tërësisë territoriale dhe kufijve të Kosovës dhe situata e degraduar politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri. Në përfundim të aktivitetit u organizua një fundraiser në ndihmë te fushatës së Kongresistit Zeldin, ku përfaqësuesit e Degës Michigan dhe qendrës  kontribuan  konsiderueshëm .

Më 22 Gusht 2020, zyrtarizohet “ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP 2020”. Kjo erdhi mbas një kërkese zyrtare nga vatrani Valentin Lumaj me datë 8 qershor 2020, propozim i cili u mbështet nga Znj. Evi Kokalari, e cila e ndoqi këtë çështje deri në implementimin e saj. Ishte hera e parë në historinë e zgjedhjeve Presidenciale në Amerikë, që shqiptaro-amerikanët legalizohen zyrtarisht nga zyra qendrore e fushatës së Presidentit. 

Në shtator 2020, nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj dhe kryetari i degës Mondi Rakaj patën një bisedë të zgjeruar telefonike me Senatorin e shtetit të Michiganit Gary Peters. Në këtë bisedë u trajtuan çështjes elektorale, të komunitetit shqiptar në MI. Po ashtu u fol mbi situatën politike në Kosovë dhe Shqipëri.

Në tetor 2020, kryetari i Vatrës Michigan, njëkohësisht pjestar i grupimit “Albanians Americans for Trump”, Mondi Rakaj pati një bisedë telefonike me Eric Trump. Biseda u mundësua me ndërmjetësinë e znj. Evi Kokalari. 

20 Tetor 2020, anëtarë të “Albanian Americans for Trump” të përfaqësuar Kryetari i Vatrës Michigan, Mondi Rakaj, kol. Dritan Demiraj dhe Valentin Lumaj, u takuan për afër dy orë me të dërguarin special i Presidentit Trump në bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ku morën pjesë edhe perfaqësues të zgjedhur te komunitetit shqiptar dhe chaldean në Michigan. 

Përpara tubimit u organizua nje takim i vecantë, tete-a-tete, midis Ambasadorit Grenell dhe kolonel Dritan Demiraj, ku morëm informacion se u biedua për situatën në Shqipëri, për degradimin e demokracisë dhe rritjen e kriminalitetit nën qeverisjen e Kryeministrit Rama, po ashtu biseduan për situatën parazgjedhore atje.

Ditën e Marte më 13 Tetor 2020, në Suburban Show Place, Novi, u mbajt një miting i madh i thirrur që më parë, ku folësi kryesor ishte Eric Trump. Grupimi “Albanian Americans for Trump”, u përfaqësua nga vatranët Mondi Rakaj dhe Valentin Lumaj. Për shkak të angazhimit te tyre në fushatë dhe njohjeve me disa udhëheqës të fushatës së Trump, atyre u ishin rezervuar vendet në qendër të rreshtit të parë së bashku me përfaqësues të rëndësishëm të PR dhe të Koalicionit për Fitoren e Trump.

Mbas mitingut, Mondi Rakaj dhe Valentin Lumaj, patën rastin të “meet and greet”, të shtrëngojnë duart dhe të ndajnë një bisedë të shkurtër me Eric, djalin e Presidentit Trump. Ata i shprehën Eric-ut, urimet më të mira për shërimin dhe shëndetin e Presidentit Trump dhe i premtuam se Shqiptaro-Amerikanët në Michigan do të votojnë për Presidentin. Eric i falenderoi për mbështetjen dhe shpresonte të takoheshim prapë së shpejti.

Më 29 Tetor 2020, nën përkujdesjen e vatranëve , nënkryetarit Federates Vatra,  Alfons Grishaj, Mond Rakaj, (sponsori kryesor) Valentin Lumaj , Dritan Demiraj, Av. Jozef Dedvukaj (sponsor), Ben Pëllumbi,  Gjeto Ivezaj , Julian Çefa, Nikoll Hysa, Marjan Camaj , Robert Lulgjuraj, Robert Gjonaj,  ku  në Restorant Besa në Detroit u organizua një takim special në mes Ambasadorit Richard Grenell dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Michigan: Xhamia me Imam Shuaib Gurguri, Kisha e “Shen Palit”,  me Don Fred Kalaj , Kisha e “Zojes Pajtore”. Teqeja Bektashjane me Baba Helidon Pashai etj .  Në këtë takim morën pjesë kryetarë shoqatash, liderë të komunitetit si dhe udhëheqësit e të gjitha kulteve fetare ne Michigan. Mori pjesë gjithashtu edhe këngëtarja dhe aktorja e njohur shqiptare, Bleona Qerreti. Me këtë rast u shtrua një drekë ku po ashtu u shtruan çështje të komunitetit këtu dhe më së shumti çështja e Kosovës.

Më 22 Prill 2021, Kryetari i Degës së Vatrës Michigan, Mondi Rakaj së bashku me një delegacion I Federatës Vatra udhëtoi për në Shqipëri për të dhuruar fondet e mbledhura nga Vatra për familjet e dëmtuara nga tërmeti. Z. Rakaj dhe delegacioni i Vatrës I udhëhequr nga kryetari Elmi Berisha, u takuan me familjet e pastrehë dhe dëshmuan punimet që po kryheshin për ndërtimin e banesave për të prekurit nga tërmeti. Po ashtu, z. Mondi Rakaj u takua me ish-Presidentin Sali berisha dhe zyrtarë të tjerë të opozitës. 

Më 16 Korrik 2022, anëtari i Këshillit kombëtar të Vatrës, Valentin Lumaj mbas ftesës që mori, ishte i dërguari special i Federatës Vatra për të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të monumentit ne kujtim te të rënëve të Kastratit dhe të Shkrelit të luftës së Moksetit të vitit 1911 dhe luftës kundër pushtuesve serbo-malazezë 1920. Z. Lumaj udhëtoi në Shqipëri për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Në këtë ceremoni ku morën pjesë rreth 1000 persona, z. Lumaj dorëzoi Dekoratën “Mirënjohja e Artë” me të cilën Federata Vatra dekoroi heronjtë e Shkrelit dhe të Kastratit dhe dekoratën e Mirënjohjes për z. Gjok Luli, kryetar i grupit organizator.  

Me 7 Nëntor 2021, me ftesë të kryetarit Elmi Berisha, dega e Vatrës Michigan mori pjesë ne themelimin e degës së re në Miami. Delegacioni i degës Michigan që udhëtoin për në Miami u kryesua nga nën-kryetari i Vatrës Alfons Grishaj dhe Kryetari i degës Mondi Rakaj, të cilët mbas përshëndetjeve dhe urimeve për kryetaren e Degës Miami, znj. Iris Halili I dhuruan kësaj dege një fond prej $600.

Me datë 19 Nëntor 2021, në një nga restorantet e njohura ne Birmingham, Michigan, me iniciativë të vatranit Valentin Lumaj, u realizua një takim zyrtar me Kongresisten e Partisë Republikane Lisa McClain, ku morën pjese Ambasadorja e Shqipërisë, Floreta Fabër, Konsulli i Nderit Ekrem Bardha, Kryetari i Vatrës Michigan Mondi Rakaj dhe anëtari i Këshillit të Vatrës, Valentin Lumaj. Në këtë takim u trajtuan çështje të nxehta në Shqipëri dhe Kosovë. Kongresistja konfirmoi pjesëmarrjen ne Kakusin shqiptar si bashkë-kryetare e këtij Kakusi. Me këtë rast, vatrani Lumaj e ftoi Kongresisten McClain për të marrë pjesë në celebrimet më rastin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë, ftesë të cilën ajo e pranoi me kënaqësi.

Me 27 Nentor 2021, me rastin e festës se Pavaresisë, Qendra e Vatrës në New York organizoi një aktivitet festiv madhështor. Me ftesë te posaçme nga kryetari i Vatrës Elmi Berisha, udhëtoi për në New York dhe morën pjesë në keto festime një përfaqësi e Degës së Vatrës Michigan e përbërë nga Alfons Grishaj, Mondi Rakaj, Dritan Demiraj me bashkëshortet e tyre. Gjate vizitës në NY, përvec vizitave miqësore u realizuan edhe takime dhe biseda për çështje organizative dhe të punës së Vatrës. 

Me 27 Nëntor 2021, në darkën solemne të Festës së Pavarësisë të organizuar në Qendrën Kulturorë Nënë Tereza “të Kishës Zoja Pajtore dhe të moderuar nga vatrani Valentin Lumaj, mori pjesë Kongresistja Lisa McClain me bashkëshortin e saj si dhe shefi i zyrës së saj në Kongres Nickolas Hawatmeh. Në këtë darkë Kongresistja McClain pranoi ftesën dhe u regjistrua si anëtare Nderi e përhershme e Qendrës Kulturore Nënë Tereza.

Me datë 8 Dhjetor, vatrani Valentin Lumaj së bashku me aktivisten Evi Kokalari u pritën në një takim të rezervuar që më parë në ambientet e Capitol Hills, Washington D.C. nga Kongresistja Lisa McClain dhe shefi i stafit të saj Nickolas Hawatmeh. Takimi zgjati mbi një ore, ku z. Lumaj dhe znj. Kokalari shfrytëzuan këtë takim për të lobuar dhe mbrojtur disa çështje aktuale në Shqipëri dhe Kosovë.

Më 12 Shkurt 2022, në sallën e Qendrës Kulturorë “Nënë Tereza” u mbajt darka solemne me rastin e 14 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Dega e Vatrës në Michigan iu përgjigj ftesës së Shoqatës Kosova për të marrë pjesë në këtë festë madhështore. Vatra Michigan u përfaqësua nga vatranët Alfons Grishaj, Mondi Rakaj , Valentin Lumaj dhe bashkëshortet e tyre. Në emër te Kryesisë së degës përshëndeti kryetari i saj z. Mondi Rakaj i cili përcolli edhe urimet e Kryetarit te Federatës Pan Shqiptare Vatra z. Elmi Berisha. Dega e Vatrës Michigan kontribuoi për këtë aktivitet me një fond prej $1000.

Një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e aktiviteteve të Deges tonë dhe qendrës së Vatres ka dhënë edhe Televizioni i shqiptarëvë të Amerikës të drejtuar nga vatrani Gani Vila. Ky television ka qenë gjithmonë në gadishmëri për të pasqyruar aktivitetet e degës tonë por edhe të qendrës në kohë reale dhe pa pagesa. Po ashtu, ky televizion ka transmetuar me dhjetëra e dhjetëra intervista direkte dhe virtuale te figurave qëndrore të Vatrës si Elmi Berisha, Alfons Grishaj, Mondi Rakaj, Pashko Camaj , Valentin Lumaj, Julian Çefa, Gjeto Ivezaj , Kujtim Qafa , Menyr Nazifi, Sotir Laço etj…  

Po ashtu, elita intelektuale e Degës së Vatrës Michigan, Alfons Grishaj, Kol. Dritan Demiraj, Rafael Floqi, Gani Vila dhe Valentin Lumaj kanë qenë aktivë, në ndihmë të Gazetës Dielli me shkrime, artikuj dhe opinione shoqërore dhe politike të vazhdueshme si dhe me prezenca në televizionet lokale këtu, në Shqipëri dhe Kosovë.

Dega e Vatrës Michigan ka zhvilluar të gjitha mbledhjet e Kryesisë konform Kanunores, mbledhje në të cilat në disa raste kanë marrë pjesë edhe kryetari Elmi Berisha, nënkryetari Pashko Camaj, arkëtari Marjan Cubi dhe figura të tjera qëndrore të Vatrës.

Kronika nga Valentin Lumaj dhe  Mondi Rakaj

Dega e Vatrës, Michigan

20 shkurt 2020

Filed Under: Featured

ADEM JASHARI, PRIJËS I DEKADËS SË FUNDIT TË LUFTËS PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS

February 20, 2022 by s p

Dr. Naim Musliu

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912, që përfshiu gjitha tokat shqiptare dhe copëtimi i tyre, më 29 korrik 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke ju dhënë territore shqiptare Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, lëvizjes kombëtare jashtë Shqipërisë së cunguar iu dha detyrë që edhe më tutje të vazhdoj luftën kundër pushtuesve. 

Pas vitit 1912, Kosova dhe viset tjera shqiptare kaluan në duart e shumë pushtuesve. Kështu, nga vitit 1912 deri më 1914, Kosova ishte nën Mbretërinë e Serbisë, kurse në Luftën e Parë Botërore, u pushtua nga austro-hungarezët e bullgarët, ndërsa në vitin 1918 Kosova u ripushtua nga serbët dhe u sundua nga Mbretëria Serbe Kroate e Sllovene që më vonë u quajt Mbretëria e Jugosllavisë dhe pushtimi zgjati deri më 1941. Nga viti 1941 deri më 1944, respektivisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti e ndarë në tri zona pushtimi, si atë italian, gjerman dhe bullgar. Më 8 shkurt 1945, Kosova u pushtua ushtarakisht nga forcat komuniste jugosllave, respektivisht serbe, dhe e sunduan Kosovën deri në vitin 1999. 

Në anën tjetër shqiptarët nuk u pajtuan në asnjë periudhë me pushtuesit e huaj. Gjatë viteve 1912 – 1913 në krye të Lëvizjes për mbrojtjen e tokave shqiptare ishin Hasan Prishtina, Isa Boletini, Elez Isufi e shumë atdhetarë tjerë. Kurse, gjatë Luftës Parë Botërore, çetat kryengritëse i udhëhoqi Azem Bejta, Idriz Seferi, Mehmet Konjuhi etj.

 Për mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtuesi serbo-jugosllav dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, në vitin 1918 u themelua edhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” që e udhëhoqën Hoxhë Kadri Prishtina, Hasan Prishtina etj. Po ashtu, u formuan edhe formacione ushtarake për mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtuesit të udhëhequra nga Azem Bejta e Sadik Rama e Kalosh Dani Zajazi etj. 

Gjatë viteve ’30 të shekullit XX, qeveria jugosllave në marrëveshje me Turqinë bëri shpërnguljen e organizuar të shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë, ku këtë proces e ndaloi fillimi i Luftës së Dytë Botërore.

Nga viti 1941 deri në vitin  1944, në përjashtim të zonës bullgare që u keqtrajtua populli shqiptar dhe që në mbrojte të saj ishte Hasan Alia me shokë, pjesa tjetër e Kosovës edhe pse nën pushtimin italian dhe gjerman pati një zhvillimit të dukshëm si në drejtat kombëtare edhe ato arsimore. Në vitin 1943 u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e “Tokave të Lirume” nga pushtuesi komunist jugosllav. Megjithatë, në vitet e para të ripushtimit të Kosovës nga viti 1945 deri më 1951, vepronte Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila kundërshtonte ripushtimin komunist jugosllavo-serb. Në këtë periudhë veprimtari të dendur bëri Adem Gllavica, Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Halim Spahiu, Halim Orana, Mulla Idriz Gjilani, Esat Berisha, Shaban Polluzha dhe shumë atdhetarë tjerë.

Nga vitet e 60 deri në vitet e 90 të shekullit XX, shpërthyen demonstrata të shumëta. Ndër më të njohurati isthe ajo e vitit 1968 dhe 1981, ku shpërthyen demonstratat e rinisë studentore në Kosovë për të kërkuar drejtat e tyre, ku në mesin e shumë parullave ishte edhe parulla Kosova Republikë. Ndër ta ishin Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe shumë të tjerë. Më 19 – 20 shkurt 1989, u mbajt greva e minatorëve në Trepçë. Më 28 mars të vitit 1989, Kuvendi i Serbisë e shfuqizoi autonominë e Kosovës. Më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës nën masa të dhunshme të policisë jugosllave-serbe shpalli Deklaratën Kushtetuese, kurse tre ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pushtuesi jugosllavo-serb e suprimoi autonominë e Kosovës. 

Më 7 shtator 1990, nën okupimin jugosllavo-serb në Kaçanik u shpallë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në vitin 1991, u mbajt referendum për pavarësinë e Kosovës. Pas zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, u themeluan edhe institucionet e pavarura të Kosovës nga ato që i kishte pushtuesi jugosllav në Kosovë. Në krye të këtyre institucioneve qëndronte presidenti Ibrahim Rugova. 

Nga të gjitha këto lëvizje politike në Kosovë, filloi edhe organizimi ushtarak për të filluar luftën për çlirim nga Jugosllavia respektivisht Serbia. Kështu, Adem Jashari në fillim të viteve të ’90 – ta me bashkëpunëtorët e tij duke parë nevojën e domosdoshme filluan t’i organizonin formacionet e para ushtarake. 

Adem Jashari lindi në Prekaz të Skenderaj, më 28 nëntor 1955 dhe ishte djali i tretë i Shabanit dhe Zahides. Shkollën fillore e kreu në Prekaz, kurse të mesmen teknike në Skenderaj. Që nga mosha madhore ai ishte pjesë e zhvillimeve politike në Drenicë dhe Kosovë. Për tu stërvitur ushtarakisht, më 3 nëntor të vitit 1991, për disa muaj me një grup shokësh nga Kosova qëndruan në bazën ushtarake shqiptare në Labinot të Elbasanit në Shqipëri. Aty bënin përgatitje ushtarake nga ushtria shqiptare.

Pas kthimit nga Shqipëria, Adem Jashari me shokë, filloi të organizonte aksione të armatosura kundër forcave policore jugosllave-serbe në Drenicë dhe më gjerë. Këtyre organizimeve ushtarake të Adem Jasharit me shokë iu bien në gjurmë regjimi pushtues jugosllav-serb. Kështu, më 30 dhjetor 1990, forcat policore jugosllave-serbe të armatosur me armatime të rënda rrethuan Prekazin. Derisa policia jugosllave-serbe kërkonte që të dorëzohej Adem Jashari, vetëm se filloj lufta ndërmjet Adem Jasharit me të vëllanë dhe shokët e tij dhe forcave jugosllave-serbe. Pas katër orë luftimesh, Adem Jashari me shokë e çanë rrethimin. Kurse, forcat jugosllave-serbe për ta kapur Adem Jasharin angazhuan edhe helikopter. Kështu, ekspedita e parë ushtarake dështoi. Pas këtij rrethimi, Adem Jashari filloi edhe më intensivisht të punoj rreth formimit të Lëvizjes së Armatosur të Kosovës.  

Më 1 tetor 1997 shpërtheu protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj dhunës që përdorte pushtuesi jugosllavo-serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më 27 nëntor 1997, Adem Jashari me njësitin e tij e kreu edhe një aksion të armatosur në Vojnik të Drenicës. Në këtë betejë katër orësh ndërmjet forcave shqiptare dhe atyre jugosllavo-serbe e detyruan policinë jugosllave-serbe të tërhiqej. Në shenj hakmarrje për humbjet nga forcat e UÇK – së, policia jugosllave-serbe vranë mësuesin Halit Gecin para dyerve të shkollës. Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë në mënyrë publike.  Pas këtyre aksioneve të UÇK – së filluan të përqendrohen forca të shumta ushtarake jugosllave-serbe në Drenicë, në rrugën Mitrovicë – Skenderaj dhe sidomos në fabrikën e municionit në Prekaz. Kështu, familja e Jasharajve, më 22 janar 1998, u rrethua nga forcat jugosllave-serbe me pretekstin për ta kërkuar Adem Jasharin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Më pas ushtria jugosllave-serbe e sulmoi me armë shtëpinë e Jasharajve, ku edhe Jasharajt iu përgjigjën sulmit. Mbas disa orë luftimesh, forcat jugosllave-serbe tërhiqen në drejtim të Skenderaj. Në këtë betejë mbetën të plagosur dy vajzat e familjes Jashari. Kjo ishte hera e dytë që rrethohet familja e Jasharajve nga forcat jugosllave-serbe. Në fund të shkurtit të vitit 1998, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sulmuan policinë jugosllave-serbe te vendi i quajtur “Gjashtë Lisat” ndërmjet fshatit Qirez e Likoshan. Policia jugosllave-serbe, pas humbjes së betejës nga UÇK – ja, më 28 shkurt të vitit 1998, në shenj hakmarrje sulmuan fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë dhe vranë 24 veta. Adem Jashari me njësinë e tij arrijnë me vonesë, por ata arrijnë të hyjnë brenda fshatrave dhe i tërheqin të plagosurit dhe popullsinë e këtyre fshatrave. Kjo betejë dhe masakra në Qirez e Likoshan shënon fillimin e luftës në Kosovë. Derisa opinioni ndërkombëtar po e kuptonte se Jugosllavia, gjegjësisht Serbia po organizonte terror dhe dhunë të organizuar nga aparati shtetëror jugosllavo-serb ndaj popullsisë shqiptare dhe deri sa diplomacia perëndimore bënte përpjekje të ndalonte këtë, familja Jashari sulmohet për të tretën herë nga forcat jugosllave-serbe. Më 5 mars 1998, forcat e shumta ushtarake policore rrethuan Prekazin dhe familjen Jashari. Në kullën e Jasharajve gjendeshin 21 anëtarë nga 30 anëtarë të familjes. Aty ishin edhe Adem e Hamz Jashari, babai i tyre Shabani dhe gratë e fëmijët. Kurse të tjerët ishin në Gjermani. Rrethimin policor e ushtarak jugosllavo-serb, i pari e hetoi Adem Jashari dhe kishte deklaruar “Sot do të kemi luftë. Me fat na qoftë”. Edhe pse babai i Adem Jasharit, Shaban Jashari, kishte kërkuar që të largohen gratë e fëmijët dhe vetë të bëjë rezistencë, këtë nuk e pranoi Adem Jashari, ku tha “Nuk largohem nga shtëpia. Kamë vendos të vdes për Kosovën dhe Shqipërinë”. Kështu filloi një luftë e pabarabartë ndërmjet forcave jugosllave-serbe dhe 22 anëtarëve të familjes Jashari. 

Luftimet u zhvilluan deri në mbrëmjen e 5 marsit të vitit 1998, dhe anëtari i parë i vrarë nga familja Jashari ishte gruaja e Adem Jasharit, Adile Jashari. Ajo u vra deri sa e furnizonte bashkëshortin e saj, Adem Jasharin me municion. Kështu, luftimet vazhduan më 6 dhe 7 mars 1998, për tri ditë rresht. Luftimet u zgjerua në gjithë lagjen Jasharaj, ku u solidarizuan me familjen e Adem Jasharit. Kështu në ditën e tretë të luftimeve, më 7 mars 1998, një predhë topi të kalibrit të madh e goditi dhomën ku qëndronin fëmijët, gratë dhe pleqtë e familjes Jashari. Kështu, Adem Jashari duke kënduar e luftuar ra heroikisht me 20 anëtarët e familjes së tij. Pas tij u vra edhe djali i tij 13 vjeçar, Kushtrim Jashari, që po ashtu luftonte përkrah babait të tij. Kështu në betejën e Jasharajve në Prekaz, nga lagjja Jasharaj u vranë 53 veta, prej tyre 21 anëtar të familjes së Adem Jasharit. Besarta Jashari, vajza e Hamëz Jasharit mbeti e gjallë, kurse Bashkim Jashari, djali i Rifat Jasharit, e kishte çarë rrethimin dhe ishte larguar nga Prekazi, duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në çlirimin e Kosovës. Të gjithë të vrarët u varrosën në fushën e pajtimit në Prekaz. 

Të vrarët nga familja e ngushtë Jashari janë:

  1. Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit
  2. Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit
  3. Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit
  4. Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit
  5. Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit
  6. Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit
  7. Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit
  8. Hamëz Shaban Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit
  9. Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit
  10. Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit
  11. Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit
  12. Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit
  13. Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit
  14. Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit
  15. Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit
  16. Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit
  17. Adem Shaban Jashari (42)
  18. Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit
  19. Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit
  20. Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit

Të vrarë nga familja e gjerë Jashari janë:

21. Artim Sejdi Jashari

22. Bahtie Muharrem Jashari

23. Abdullah Zen Jashari

24. Blerim Zen Jashari

25. Bujar Zen Jashari

26. Qazim Osman Jashari

27. Nazim Zuk Jashari

28. Beqir Bajram Jashari

29. Halil Bajram Jashari

30. Sherif Brahim Jashari

31. Faik Tahir Jashari

32. Sinan Ramadan Jashari

33. Ali Ramadan Jashari

34. Elheme Uka Jashari

35. Halit Imer Jashari

36. Mihrije Feriz Jashari

37. Hajzer Zymer Jashari

38. Myrtez Zymer Jashari

39. Sabrie Zymer Jashari

40. Hanife Zymer Jashari

41. Hamit Hus Jashari

42. Sala Sheremet Jashari

43. Qerim Hus Jashari

44. Shahin Qerim Jashari

45. Ukshin Qerim Jashari

46. Hajrije Zymer Jashari

47. Hamide Ajet Jashari

48. Kajtaz Maliq Jashari

49. Ajvaz Kajtaz Jashari

50. Smajl Asllan Jashari

51. Sadik Hysen Jashari

52. Afije Hysen Jashari

53. Hamdi Sadik Jashari

54. Elfije Sadik Jashari

Epopeja e luftës së Adem Jasharit dhe familjes së tij, ndërgjegjësoi botën demokratike dhe liridashëse për gjendjen që jetonin shqiptarët nën sundimin jugosllavo-serb. I gjithë opinioni shqiptarë kudo që ndodhej shprehu zemërim ndaj veprimeve të ushtrisë dhe policisë serbo-jugosllave. Veprimet tmerruese që ndërmori shteti jugosllav, respektivisht serb, ndaj shqiptarëve e sidomos në familjen Jashari, e dërgoi çështjen e Kosovës edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në saje të qëndresës së Adem Jasharit me familje, Adem Jashari merr epitetin komandant legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu qëndresa e Adem Jasharit ndikoi tek shumë vajza e djemë që të iu bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nën heroizmin e tij luftuan kundër forcave serbe-jugosllave deri në çlirimin e Kosovës.

Me frymëzimin e luftës së Adem Jasharit, lufta vazhdoi dhe dal nga dal përfshinte pothuajse tërë territorin e Kosovës. Nga shumë masakra anekënd Kosovës, në janar të vitit 1999, forcat serbe-jugosllave kryen edhe masakrën e Reçakut, ku luftën e UÇK – së e vendosi në një fazë të re të veprimtarisë së saj. Në shkurt – mars të vitit 1999, u mbajt konferenca e Rambujesë. Pas tërheqjes së Misionit Verifikues të Kosovës, më 19 mars 1999, shteti jugosllavo-serb e filloi aksionin për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Pas dështimit të konferencës së Rambujesë apo Parisit, më 24 mars 1999, filluan sulmet ajrore të NATO – s ndaj caqeve ushtarake serbe-jugosllave.   

Më 12 qershor 1999, u çlirua Kosova dhe në territorin e saj hyjnë forcat e Nato – s dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri nëpër qytetet e Kosovës.

Vepra heroike e Adem Jasharit dhe familjes së tij, dhe e vajzave e djemve që ranë në luftë për lirinë e Kosovës, bëri që bota perëndimore në krye me ShBA-të të ndërhyjnë për të ndalur luftën shfarosëse të Jugosllavisë, gjegjësisht Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo vepër heroike dhe unikale në botë duhet të jetë vizion dhe frymëzim që gjeneratat e sotshme dhe të ardhshme të vazhdojnë punën që Kosova të ec edhe më tutje drejt një shteti të fuqishëm dhe demokratik për të cilën kanë luftuar breza të tërë.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 904
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Grupi Shqiptar i Vallëzimit në Edmonton
  • Një frymë e re kombëtare…
  • Shqipëria nga krizë emigracioni në krizë perspektive
  • Prof. Dr. Nexhat Abazi, jeta, vepra dhe kontributi në arsimin dhe pedagogjinë shqiptare
  • Pasivizimi i adresave në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit
  • AMERIKA, ATDHEU GLOBAL I LIRIDASHËSVE
  • Prishtinë, “Liria Ka Emër” falënderon rreth 100 mijë qytetarë për Marshin për Liri: Më 16 shtator presim lirinë për çlirimtarët
  • LIRI – DREJTËSI – DINJITET
  • FOTOT E RRALLA TË TINA TURNER NGA GJON MILI
  • KUR VARGJET DHE MUZIKA BËHEN KRAHË PËR NJË LULE NË ZEMËR TË BJESHKËVE
  • KRIMINELET, NDERIM SHTETËROR PËR KRIMINELIN
  • STAND WITH OUR KLA LEADERS WHO RISKED EVERYTHING FOR KOSOVA
  • SHKOLLA SHQIPE “JONUS” NË GENOVA, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI
  • QUEEN TEUTA QUARTET BRINGS THE SOUNDS OF ALBANIA TO TRIBECA PERFORMING ARTS CENTER THIS FALL
  • “NË KOHËN E BRITMËS” – ROMAN I VISAR ZHITIT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT