• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUFTA NË SYTË E NJË FËMIJE…KRIMI E GJENOCIDI SERB NË KOSOVË

January 19, 2022 by s p

Gazetarja Dafina Buçinca, autorja e librit “Fëmijë në luftë”, në një rrëfim të dhimbshëm rreth luftës së Kosovës dhe masakrave të regjimit serb mbi popullsinë shqiptare dhe mbi të gjitha përjetimet e fëmijëve mbi genocidin që serbët ushtruan në Kosovë. Në rrëfim e saj dhënë Editorit të Dielli Sokol Paja, gazetarja Dafina Buçinca analizon detaje dhe fakte sesi regjimi e terrori serb i ushtruar ndikoi mbi fëmijët ua ndryshoi jetën përgjithmonë.  


“FËMIJË NË LUFTË”…NJË DËSHMI E TERRORIT E KRIMEVE SERBE NË KOSOVË

Unë kisha lindur në kohën kur situata në Kosovë filloi të trazohet. Atë kohë filluan ato tubimet serbe që kishin për qëllim marrjen e autonomisë së Kosovës. Gjë që ndodhi dy vjet më vonë me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviçit. Pastaj largimi i dhunshëm i Babës nga puna, që na e vështirësoi shumë jetën, për të vazhduar me ato vitet e tensionuara në pritje të asaj që do të ndodhte. Ishim të privuar nga çdo e drejtë, madje ishim të detyruar t’i fiknim dritat në mbrëmje, të mos e ndeznim zjarrin në shtëpi, në mënyrë që të mos bëheshim shënjestër; shto terrin informativ, mungesat e ushqimit, shkuarjen në shkollë fshehurazi e shumë të tjera, derisa një ditë shpërtheu edhe lufta, që filloi me vrasjen e mësuesit, për të vazhduar me daljen në skenë të UÇK-së, largimin nga shtëpia, kthimin, largimin në male, jetën aty e deri te dita e çlirimit. Pra, e gjithë fëmijëria ime lidhet ngushtë me luftën. Kjo fjalë më ka përcjell gjatë gjithë jetës. Ja, edhe tash, pas kaq vitesh ne po flasim prapë për të, për luftën. Lufta filloi në Drenicë dhe duke qenë se unë jam lindur e rritur në Zabel, një fshat i vogël ky në mes të Drenicës, patjetër që ajo na përfshiu edhe neve, për të kaluar pastaj në tërë Kosovën. Për mënyrën se si e kujtoj unë atë dhe shumicën e atyre që e kemi përjetuar, flet romani im.  

LUFTA NË SYTË E FËMIJËVE… PËRJETIME TË GJALLA

Është diçka që shpesh e mendoj, si do të isha unë, po të mos kaloja nëpër ato që kam kaluar, apo edhe si do të isha unë nëse do të lindesha në një vend krejt tjeter? A do të isha kjo që jam? Besoj se nuk do të isha kjo që jam. Femijëria lë gjurmë të pashlyera te secili dhe ndikon fort në formimin e individit e fëmijëria ka ndikuar edhe në krijimitarinë time, sepse në vend që të shkruaja p.sh., një roman dashurie, unë krijimtarine time lertrare e nisa me një roman autobiografik që flet për luftën.

MASAKRA E POKLEKUT, KRIM DHE GJENOCID SERB NË KOSOVË

Drenica ishte një nga zonat më të prekura nga lufta. Kur ndodhi masakra e Poklekut, ishim të tmerruar.  E dinim se kjo po na priste edhe neve. Nga çasti në çast kjo mund të na ndodhte edhe neve. Por, për fat, në Zabel nuk ndodhi ndonjë masakër e tillë, ani pse ishim të rrethuar për shtatë javë radhazi. Ne arritëm të shpëtonim duke u organizuar dhe duke u larguar fshehurazi gjatë natës. Më vonë dëgjuam se po atë natë ishte planifikuar një masakër mbi ne. ”Shpëtuam për një fije floku”, kjo shprehje e përkufizon më së miri atë natë të tmerrshme plot ankth e frikë. 

FIGURA E NËNËS DHE BABAIT NË ROMANIN “FËMIJË NË LUFTË”

Nëna dhe Babai janë prindër tradicionalë shqiptarë, janë të vërtetë sado që kjo mund të tingëllojë vrazhdë, por nuk do të isha e sinqertë më lexuesit nëse do t’i paraqisja ndryshe. Nëna paraqet femrën e nënshtruar, të përkushtuar 100% ndaj familjës dhe fëmijëve të saj, femrën që nuk ka as ëndrra as dëshira, edhe nëse i ka nuk guxon t’i shfaqë. Ajo është simbol i dashurisë dhe përkushtimit ndaj familjes. Ndërsa babai ishte njeri josentimental, ai i shfaqte ndjenjat e tij shumë rrallë dhe atë vetëm ndaj nesh fëmijëve, por jo edhe ndaj nënës. Ai madje as nuk e përqafoi atë në ditën që u ndanë për të mos u takuar kurrë më. Ai ishte i angazhuar në çështjen e çlirimit të vendit. Atdheu ishte mbi çdo gjë tjetër, atdheu ishte para familjes së tij. 

FËMIJËT NË LUFTË SI MEMORIE E KOHËS, SI HISTORI… 

Tragjedia jonë e shikuar me sytë e fëmijës flet shumë, fëmijët nuk flasin për luftën në piedestal, me diskurs e stil të lartë siç jemi mësuar të lexojmë e shohim deri tani, fëmijët nuk flasin për heronj, flasin për njerëz të zakonshëm që lufta, regjimi e terrori serb i ushtruar mbi ta ua ndryshon jetën përgjithmonë.  

“FËMIJË NË LUFTË”, NJË HOMAZH PËR TË GJITHË FËMIJËT E KOSOVËS

Romani im është zëri i fëmijëve të luftës kudo në botë, veçanërisht është zëri i fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, të cilët kanë mbetur pa zë në liri. Për të cilët edhe 23 vjet pas luftës nuk është ndërtuar një memorial kushtuar atyre. 

“FËMIJË NË LUFTË” NJË AKUZË NDAJ REGJIMIT SERB DHE KRIMEVE NË KOSOVË

Romani im “Fëmijë në luftë” është roman që përmes rrëfimit dëshmon për atë që ka ndodhur gjatë atyre viteve. Është ajo që unë dhe familja ime kemi përjetuar gjatë atyre viteve të tmerrshme për popullin tonë. Por, jo vetëm familja jonë, në roman janë të përfshirë edhe një numër i madh personazhesh, të cilët janë të vërtetë, janë historitë e tyre, jetët e tyre të humbura, për të cilat dikush duhet të japë llogari para drejtësisë.

Filed Under: Featured

VATRA DHE SHTETI I KOSOVËS NDERUAN MËSUESIT QË HAPËN SHKOLLAT SHQIPE NË KOSOVË NDUE ZEF MARKAJ DHE PRETASH ZEF KAÇAJ

January 17, 2022 by s p

Sokol PAJA/

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe shteti i Kosovës nderuan dy mësuesit legjendarë që hapën shkollat shqipe në Kosovë, Ndue Zef Markaj-Reçi dhe Pretash Zef Kaçaj. Në një ceremoni madhështore në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me pjesëmarrjen e dhjetëra familjarëve, miqve, të ftuarve, vatranëve, patriotëve të spikatur në diasporë, personaliteteve të komunitetit, mediave shqiptare në Michigan, mësuesit e pendës e të pushkës u vlerësuan për kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillim të mësimit shqip, shkollës e kulturës, identitetit e trashëgimisë së shkëlqyer të popullit e kombit shqiptar. Në një ceremoni patriotike të zhvilluar në Imperial House, nën përkujdesjen e veçantë të Gjergj Markajt dhe Gjon Kaçajt, të gjithë të pranishmit mbetën të impresionuar nga roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm që dy mësuesit Ndue Zef Markaj-Reçi dhe Pretash Zef Kaçaj kanë dhënë për shkollën shqipe në Kosovë e në vise të tjera të Shqipërisë.Ceremonia e nderimit filloi me himnin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë të kënduara nga Mikela Nonaj. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha shpalosi për të pranishmit peshën që dy mësuesit kanë pasur në Kosovë, Kryetari i Vatrës dega Michigan Mondi Rakaj foli rreth rëndësisë së figurave dhe personaliteteve në arsimin shqip, ndërsa nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj sqaroi pozicionin e Vatrës në raport me zhvillimet e kohës në Shqipëri e Kosovë duke theksuar rolin patriotik dhe kombëtar që ka luajtur e do luajë gjithmonë Federata Vatra. Në ceremoninë e nderimit Gjon Kaçaj shpjegoi për të pranishmit aspejte të veçanta dhe të panjohura më parë nga jeta e dy mësuesve. Në takim përshëndetën edhe Luigj Stërbyqi si sekretar i Shoqatës Dukagjini, Prek Camaj si ish-student i Kolegjës Franceskane në Shkodër dhe Nikollë Pepaj bashkëveprimtar i Presidentit Rugova. Në ceremoninë e përkujtimit dhe nderimit ishte shumë emocionues recitimet nga Kejsi Markaj dhe Roberta Markaj. Ceremonia e nderimit e moderuar prej Editorit të Diellit u përmbyll nga Gjergj Markaj i cili falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në ceremoninë madhështore të nderimit të mësuesëve Ndue Zef Markaj-Reçi dhe Pretash Zef Kaçaj. Mirënjohjen për familjen Markaj e tërhoqi Dr. Zef Markaj, ndërsa për familjen Kaçaj, Gjon Kaçaj.

Nderimi nga Vatra dhe shteti i Kosovës

NDUE ZEF MARKAJ – REÇI (Pas vdekjes) dhe PRETASH ZEF KAÇAJ (Pas vdekjes) u nderuan me MIRËNJOHJEN E ARTË: “Për kontributin intelektual e atdhetar dhe humanizmin e pashembullt të treguar në ushtrimin e profesionit dhe misionit të tij fisnik si mësues dhe patriot në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë. Në vlerësim të veprës së tij të lartë patriotike për zhvillimin e arsimit, kulturës, gjuhës e shkollës shqipe në trojet shqiptare”.

“Nderimi i mësuesëve të pendës e të pushkës”

Ndue Zef Markaj-Reçi – U shkollua në Liceun Françeskan “Illyricum”. Zotërues i Latinishtes dhe Italishtes. Ishte përkthyes për të plagosurit gjatë luftës nac-çlirimtare në spitale. Nga perkthyes ikuadrohet në Brigadën 24 sulmuese. Në dhjetor 1945 bashkohet me 42 arsimtarë vullnetarë për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në zonat e Suharekës, Pejës, Trestenikut, Brudisale e në veçanti hapi shkollen në Kraçevën e Epërme të Gjilanit nga ku ashtë larguar në vitin 1947 ku edhe sot mbahet komunikimi i familjes Markaj-Reçi me stafin e shkollës. Sapo u kthye në Shqipëri e burgosin në Koplik me akuzën agjitacion e propogandë kundër instalimit të diktaturës dhe lirohet me kushtin e përhershëm: mësues në zonat e thella malore dhe paraqitje të detyrueme një herë në muaj në postën policore. Nga viti 1992 ka qenë kryetar i veteranëve të luftës Malësi e Madhe.

Pretash Zef Kaçaj –U shkollua në Liceun Françeskan “Illyricum”. Zotërues i pesë gjuhëve të huaja. Gjatë luftës antifashiste nac-çlirimtare ka qenë përkthyes i të plagosurve nëpër spitale. Nga përkthyes ka kaluar në Brigadën 24 sulmuese nga ku bashkohet me 42 mësues vullnetarë për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë duke dhënë mësin klasëve nga e pesta deri tek e teta në lëndët matematikë, gjuhë, histori e gjeografi në shkollat: Suharekë, Pejë, Trestënik, Budisale….etj. Nga Dhjetori 1945 deri në Mars 1947 dhe nga muaji shtator 1847 ishte i emëruar sekretarë në komunën e Ulqinit dhe arrestohet në Dhjetor të këtij viti kur ishte kthyer për festat me familjen. E burgosin në burgun e Koplikut duke i dhënë dënimin me kusht: mësues në zonat e thella malore dhe detyrim paraqitje në postat policore dy herë në muaj. Mbas që e detyronin me dhënë mësim në klasa kolektive që nga Pajajt në Rrjollë në Malësi e deri në Mirditë i ndodhi edhe ajo që priste: E arrestuan para nxanësve në Kalivaç të Mirditës tre agjentë policorë dhe pasi e prangosën e kthyen mbas 10 orë ecje në burgun e Lezhës dhe mbas tre muajve e dërguan në burgun e Shkodrës ku i komunikuan masën e i nternimit pa afat në Bënçe Tepelenë.

Filed Under: Featured

Deklaratë e Përbashkët e Institucioneve të Republikës së Kosovës, pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së

January 14, 2022 by s p

Dielli/

Deklaratë e Përbashkët e Institucioneve të Republikës së Kosovës, pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-sëInstitucionet e Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021. Aq më tepër kur këto praktika kanë rezultuar vetëm me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë. Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Ashtu siç dëshmohet në letrën e dërguar OSBE-së nga ana e autoriteteve serbe, arsyeja pse Serbia insiston t`i hapë vendvotimet edhe në Kosovë është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Prandaj edhe dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës. Institucionet e Kosovës mbesin falënderuese ndaj shteteve të Quint-it dhe të gjitha shteteve të tjera demokratike që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe shprehin mirënjohjen që edhe sot në takim u rikonfirmua mbështetja e tyre ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë. Duke qenë kështu, institucionet e Kosovës i bëjnë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike. Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës është hap i duhur në betejën tonë të përbashkët kundër autokracive dhe avansim i praktikave demokratike, përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured

Dr. Ibrahim Rugova – Ky burrë i madh i shqiptarisë dhe mik i çmuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

January 13, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Nderohet nga Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë

Të hënën, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani pranoi letër kredencialet e Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier. Duke i uruar atij mirëseardhjen në detyrën e re, Presidentja Osmani tha se Ambasadori Hovenier e njeh mirë Kosovën dhe dinamikat e saja politike dhe shoqërore, pasi ai ka shërbyer atje, vite më parë.

This image has an empty alt attribute; its file name is image.png
Ambasadori i ri i SHBA-ve në konferencë shtypi me Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani

“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier, sepse ajo ka ecur përpara. Mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente, gjatë gjithë kësaj kohe. Kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur e zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë”,- ka theksuar Presidentja Osmani. E para e vendit ka vlerësuar se roli i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor, për të garantuar që marrëdhëniet midis dy vendeve do të vazhdojnë të lulëzojnë. Presidentja e Kosovës e siguroi Ambasadorin e ri të Amerikës në Prishtinë se Republika e Kosovës, “beson dhe i promovon vlerat, të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë, meqenëse i kemi fituar ato liri me shumë mund e sakrificë. Kam besim të plotë se duke punuar ngushtë me ju Z. Ambasador, ne mund të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Dua t’ju siguroj se nuk do të gjeni asnjëherë aleatë më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”, -ka thënë Presidentja Osmani.

Takimi i fundit i autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, 2005 në Presidencën e Kosovës

Angazhimi i Zonjës Osmani dhe mbëshetja e saj ndaj vlerave të përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është, në të vërtetë, një kopje e pasqyrimit të angazhimit të Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, arkitektit të “miqësisë së përhershme”,- siç shprehej ai, midis Kosovës dhe Amerikës.

Prandaj nuk ishte për t’u çuditur që pas takimit dhe konferencës së përbashkët për  median në Prishtinë, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier, së bashku, kanë vendosur kurorë lulesh te shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë. Me atë rast, Presidentja Osmani u shpreh se si themelues i shtetit të Kosovës, Presidenti Rugova diti të hedhë, jo vetëm, hapat e duhur drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran, por të ndërtojë gjithashtu edhe miqësi të sinqerta, miqësi të forta, të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten dhe të lulëzojnë edhe më tej nga ana e secilit prej nesh. “Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë – së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – deshëm që sot, si simbolikë e kësaj miqësie të fortë, ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”,- ka thënë Presidentja Osmani.

“Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane, dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deshëm që sot si simbolikë e kësaj miqësie të fortë ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”,- ka thënë Presidentja Osmani.

Ndërsa, Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, theksoi angazhimin amerikan për Kosovën duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë dhe do të mbeten partner i palëkundshëm i Kosovës. Ai i bëri këto komente pasi i dorëzoi letrat kredenciale presidentes së Kosovës, Z. Vjosa Osmanit. “Shtetet e Bashkuara janë partneri i palëkundshëm i Kosovës dhe kjo do të vazhdojë. Një përkushtim që dua të ndaj me ju”, vazhdoi diplomati amerikan,  “është një përkushtim nga ambasada e Shteteve të Bashkuara; para se gjithash dhe mbi të gjitha, ne jemi miqtë tuaj, ne jemi në anën tuaj, ne do të punojmë me ju, qeverinë tuaj, njerëzit tuaj, shoqërinë civile, qytetarët, për të çuar përpara përparësitë që përfshijnë promovimin e demokracisë, që përfshijnë mbështetjen e mëtejshme për zhvillimin e institucioneve të pavarura, gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, që janë aq të rëndësishme sikurse janë përpjekjet tona të vazhdueshme globale për të luftuar korrupsionin dhe për të vendosur drejtësi dhe në këtë rast drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës”,- shtoi ai duke nënvijuar se do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e qeverisë së Kosovës për t’u afruar me institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Presidentja, Vjosa Osmani, tha gjithashtu se Kosova beson dhe promovon vlerat, të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara, e që mbështeten në liritë demokratike.  “Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier sepse ajo ka ecur përpara. Mirëpo, një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe, kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur dhe zhvilluar si vend si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse jemi të bekuar të kemi SHBA-të pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë. Roli i ambasadorit të Shteteve ë Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor për të garantuar që marrëdhënia jonë të vazhdojë të lulëzojë”, -shtoi ajo.

Ambasadori i ri i SHBA-ve në konferencë shtypi me Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani

Me këtë rast, Presidentja Vjosa Osmani dhe Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Z. Jeffrey Hovenier vendosen kurora lulesh te shtatorja e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në nderim të kontributit të tij për shtetformimin dhe pavarësinë e Kosovës. “Këtë doja ta bëja që në ditën time të parë si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, për respektin që kam për Presidentin Rugova dhe për atë që ai përfaqëson. Unë pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambouilletit (Rambuje) dhe e di se çfarë ai përfaqëson dhe besoj se është shumë e rëndësishme që ta kujtojmë e ta nderojmë”, Presidentin Ibrahim Rugova, ka theksuar ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier.

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Jeff Hovenier, i shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani vendosën të hënën kurorë me lule te Monumenti i Presidentit historik të Republikës së Kosovë, Dr. Ibrahim Rugovës në Prishtinë

Kjo nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane në Prishtinë nderon dhe respekton Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, duke venë në dukje vetitë e tija prej burrë-shteti dhe për vlerat njerëzore pro-perëndimore: Frank Shkreli: KUJTOHET DR. IBRAHIM RUGOVA SI NJË KAMPION I LIRISË DHE NJË BURRË SHTETI QË NDANTE VLERAT AMERIKANE | Gazeta Telegraf —  Duke marrë parasysh zhvillimet politike të fundit të botës shqiptare, sidomos absurditetin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri, figura e Dr. Ibrahim Rugovës sa vjen e rritet dhe shkëlqen, si një udhëheqës ndryshe. Ndërsa është kujtuar dhe kujtohet si udhërrëfyesi i Kombit. At Zef Pllumi e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, “Një ndër burrat e rrallë të kombit”, ndërsa Ismail Kadare, është cituar të ketë thënë se, “Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, i botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.” Fatkeqësisht, Presidenti Rugova ka ikur nga kjo botë tepër herët, atëherë kur Kosova dhe Kombi shqiptar kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një zgjim dhe hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqertë, për një zëdhënës dhe për një përfaqësues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perëndimore të shqiptarëve: pas një periudhe errësire, të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli. Të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht – të këtyre vlerave kombëtare dhe të identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve – një ideologji enveriste, trashëgimia tragjike e të cilës shihet qartë edhe sot në zhvillimet politike shqiptare, sidomos, në Shqipëri. Shikoni rreth e rrotull dhe më thoni kush nga të ashtuquajturit liderë aktualë të shqiptarëve, mbron sot cilësitë burrënore të Rugovës, për të cilat ka shkruar At Zef Pllumi, ose për “aspiratat dhe qytetërimin” e botës shqiptare të Dr Ibrahim Rugovës, të cilave u referohet Ismail Kadare? Shpresojmë në Presidenten e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa e Osmani, e cila sot për sot duket se beson në ato vlera dhe po i promovon ato kurdoherë që i paraqitet rasti.

Ishte kjo vizita e parë (dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington), por jo e fundit. Dr. Ibrahim Rugova, autori dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989.

Ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë dhe partive të tyre politike – pjellë e Partisë së Punës (komuniste-enveriste), sidomos atyre në Shqipëri. Presidenti Ibrahim Rugova besonte në vlera kombëtare dhe vizion të qartë historik që ai i artikulonte edhe me të huajt, sidomos me miqtë e tij amerikanë, për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar, në liri dhe demokraci, si dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe me perëndimin, në përgjithësi. Si asnjë udhëheqës tjetër i këtyre 30-viteve të fundit, ai ishte i bindur për rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar, nëqoftëse dëshironte të hynte dhe të pranohej ndërshmërisht, në radhët e kombeve të përparuara të perëndimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge për shqiptarët, e sidomos në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejt bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar në aleancat me vendet perëndimore, ku sipas tij, aty ku, historikisht, e kishin vendin e vet shqiptarët.

Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar.  Me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur – mbi të gjitha – edhe nderin dhe respektin e emrit shqiptar: një mesazh ky shumë i përshtatshëm dhe tepër i nevojshëm edhe sot, sidomos, për politikanët aktualë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është dhe mbetet edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës: përfaqësimi me nder, burrëni dhe respekt i të drejtave dhe pëgjegjësive kombëtare, duke qenë i bindur në drejtësinë e kërkesave historike të shqiptarëve, përballë padrejtësive shekullore.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë

Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – nga fundi të viteve 80-ta të shekullit të kaluar – ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga idealet e tija.  Fatkeqësisht, ai ka ndërruar jetë 16 vjetë më parë, pa qenë dëshmitar i fruteve të punës së tij, përfshirë shpalljen dhe njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës, e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën, përfundonte me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”. Nderimi dhe respekti i treguar për Dr. Ibrahim Rugovën në ditën e parë në detyrë të ambasadorit të Amerikës në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier i shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, tregon se epopeja e Rugovës nuk ka vdekur me të.  Ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër për brezat, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi dhe burri historik të një Kombi, madje edhe pas shkuarjes së tij në amshim. Një udhërrëfyes, një, “Hero kombëtar, madhështor e mendjemprehtë”, siç e ka cilësuar para disa vitesh, Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, Presidenti i Amerikës, Xho Bajdën. Kjo është edhe arsyeja që Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Jeff dhe Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, e shihnin si një detyrim moral që të shkonin e të vendosnin një kurorë me lule pranë monumentit të arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës; mbështetësit dhe mbrojtësit të vlerave të përbashkëta shqiptaro-amerikane,  këtij burri të madh të shqiptarisë dhe mikut të çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured

PROF. DR. MUHAMED MUFAKU VIZITOI VATRËN

January 9, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York- 8 Janar 2022, Prof. dr. Muhamed Mufaku vizitoi Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. I shoqëruar nga vajza e tij Mërgime, miku i përbashkët Elez Osmani me zonjën e tij Nurije Osmani, në selinë qëndrore të Vatrës u pritën nga kryetari z.Elmi Berisha dhe Editori i Diellit Sokol Paja. “Jam shumë i gëzuar që po vizitoj Vatrën. Ju përgëzoj për punën që po bëni. Ne i kemi ndjekur gjithmonë aktivitetet e Vatrës. Është krenari të jem në këtë qendër shqiptarie me histori të madhe historike dhe kulturore për kombin tonë. Jam shumë i emocionuar që ju takoj sot të gjithëve në Vatër. Uroj shumë suksese në vazhdim dhe bashkëpunim” ishin fjalët e ndjera të Prof. dr. Muhamed Mufakut në vizitën vëllazërore në Vatër. Kryetari Berisha e informoi profesor Mufakun me detaje rreth punës së Vatrës në vitet e fundit në aspektin diplomatik, kulturor dhe në fushën e kërkimit shkencor ku Vatra shumë shpejt do të ketë historinë e saj të dokumentuar në pesë vëllime, një histori autentike, projekt i inicuar nga z.Berisha dhe udhëheqës shkencor Akademik Beqir Meta dhe bashkëpunëtorët e tij shkencor në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Prof. dr. Muhamed Mufaku shprehi dëshirë dhe gatishmëri për të pasqyruar në gazetën Dielli artikuj të historisë së shqiptarëve në lindjen e mesme dhe figura shqiptare të panjohura por me kontribute të larta në historinë e shqiptarëve në botën arabe. Prof. dr. Muhamed Mufaku (Arnauti) është i lindur në Damask, në vitin 1952. Ka qenë anëtar i Shoqërisë për Kërkime dhe Studime. Është diplomuar në universitetin e Damaskut në gjuhën dhe letërsinë arabe, ndërsa magjistraturën dhe doktoraturën në letërsi krahasuese dhe histori i ka mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, ka doktoruar në filologji e në histori në Universitetin e Prishtinës, ushtroi detyrën e profesorit të historisë moderne në disa universitete të Jordanisë gjatë viteve 1989-2018. Pas përfundimit të takimit miqësor në Vatër, kryetari Berisha shtroi një drekë vëllazërore për miqtë e rinj të Vatrës dhe u diskutua për promovimin e veprës së plotë të Prof. dr. Muhamed Mufakut në muajin qershor 2022 në Selinë Qëndrore të Vatrës.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 904
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Grupi Shqiptar i Vallëzimit në Edmonton
  • Një frymë e re kombëtare…
  • Shqipëria nga krizë emigracioni në krizë perspektive
  • Prof. Dr. Nexhat Abazi, jeta, vepra dhe kontributi në arsimin dhe pedagogjinë shqiptare
  • Pasivizimi i adresave në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit
  • AMERIKA, ATDHEU GLOBAL I LIRIDASHËSVE
  • Prishtinë, “Liria Ka Emër” falënderon rreth 100 mijë qytetarë për Marshin për Liri: Më 16 shtator presim lirinë për çlirimtarët
  • LIRI – DREJTËSI – DINJITET
  • FOTOT E RRALLA TË TINA TURNER NGA GJON MILI
  • KUR VARGJET DHE MUZIKA BËHEN KRAHË PËR NJË LULE NË ZEMËR TË BJESHKËVE
  • KRIMINELET, NDERIM SHTETËROR PËR KRIMINELIN
  • STAND WITH OUR KLA LEADERS WHO RISKED EVERYTHING FOR KOSOVA
  • SHKOLLA SHQIPE “JONUS” NË GENOVA, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI
  • QUEEN TEUTA QUARTET BRINGS THE SOUNDS OF ALBANIA TO TRIBECA PERFORMING ARTS CENTER THIS FALL
  • “NË KOHËN E BRITMËS” – ROMAN I VISAR ZHITIT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT