• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Parlamenti i Ontarios me Plisa të Bardhë

November 24, 2015 by dgreca

Voal –Pasditen e 20 Nentorit në një nga sallat e Parlamentit të Ontarios, menjëherë pas leximit nga deputetja Laura Albanese të projekt-ligjit për shpallen e nëntorit si Muaji i Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, me nismën dhe drejtimin e Dr. Ruki Kondaj dhe organizimin e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, u mbajt një veprimtari e bukur, emocionuese dhe domethënëse. Nëpërmjet fjalimeve, veshjeve tradicionale, këngëve, valleve, stendave me punime dhe objekte të trashëgimisë kulturore, videove të ndryshme, shqiptarët përcollën te dhjetra deputetë të pranishëm mesazhin se ne jemi një popull me kulturë, krenar për identitetin tonë, por edhe që dimë ta çmojmë dhe duam vendin që na hapi dyert, Kanadanë dhe pse jo, dimë edhe të bëjmë humor. Përgëzime të gjithë atyre njerëzve që e bënë të mundur këtë veprimtari që arriti të mbledhë në një vend dhe për një qëllim përfaqësues të rëndësishëm të mozaikut tonë të vogël shqiptar. Bashkatdhetarë të të gjitha trojeve u bënë bashkë për të festuar dhe gëzuar këtë ditë historike për komunitetin shqiptar të Kanadasë. Fotot përcjellin bukur atmosferën e kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Kanadeze me qendër në Toronto.
FALENDERIM i veçantë i shkon Presidentes së Nderit të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, Dr. Ruki Kondaj, për nismën e filluar që mbi dy vite më parë dhe për drejtimin e këtij aktiviteti.
FALEMINDERIT deputetes Laura Albanese që e solli projektligjin në Parlament, bashkë me shumë deputetë të tjerë që e mbështetën fuqimisht këtë projektligj.
Faleminderit ambasadores së Shqipërisë në Kanada, Znj. Elida Petoshati që erdhi nga Otawa për të na nderuar me praninë e saj.
Falenderimi gjithashtu shkon për të gjitha shoqatat si-motra, bashkësitë fetare, tek të gjithë të pranishmit në sallë si dhe tek ato bashkatdhetarë që nuk patën mundësi të ishin present por që me mendje e zemër ishin aty.
Faleminderit secilit që pati mundësi të japë kontributin e tij për realizim e këtij projekti madhor të komunitetit shqiptar të Kanadasë, si ; Grupi i Punës për Trashëgiminë, Zv. Presidenti i Shoqates Z. Ramazan Këllezi bashkë me “Shqiponjat e Vogla”, Mbretëresha e Valles Popullore Znj. Lili Cingu, sopranoja që mahniti parlamentarët me zërin e saj Mirela Tafaj, Pasqyra Shqiptare me producent Z. Ilir Lena kamera e së cilit përcjell emocionet e ngjarjes tek të gjithë bashkatdhetarët , LGH Art Photography me fotografin profesionist Gent Hali, Bruna Brari me tortën simbolike, si dhe shumë vullnetarëve dhe aktivistëve të Shoqatës ndër vite.

Ta gëzojmë Muajin e Trashëgimisë Shqiptare dhe t’ua përcjellim brezave Shqiptarinë!

Photo credit: LGH Art Photography,
I talentuari Genti Hali. FALEMINDERIT Genti!(Marre nga VOAL)

Filed Under: Featured Tagged With: Parlamenti Ontarios, Plisa te bardhe, VOAL

Tucoviqi dhe shqiptaret

November 23, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
Dimitrije Tucoviqi dhe shqiptarët !

I vetmi njeri, gati i vetmi serb i cili e ka demaskuar politiken serbe ndaj shqiptarëve ishte Dimitrije Tucoviqi (1881-1914) i lindur në fshatin Gostilja në Zlatibor, ka qenë një ndër udhëheqësit dhe teoricienet e lëvizjes socialiste në Serbi , themelues i Partisë socialdemokrate serbe (Srpska social demokratska partija), nismëtar dhe redator i gazetës Radničke novine dhe Borba. .
Akademia Serbe, historian dhe politikanë të ndryshëm serb , mjetet e informimit, ambasadat serbe , pastaj jugosllave dhe prap tani ato serbe e vazhdojnë të njëjtën “melodi’ për ne . 

”Ne kemi kryer tentativë vrasjeje me paramendim të një kombi të tërë. Ne u kapëm në këtë vepër penale dhe u penguam.- thoshte Dimitrije Tucoviqi në vitin 1912 . E njifni sot ndonjë nga Serbia që e flet ndonjë fjalë pendimi për luftën e 1998-1999 të Kosovës ? As që kanë për të folur .
Po ne ? si ne, veprojmë ? a jemi në përballim të suksesshëm kundër propagandës se tyre antishqiptare ? E dimë ne , që me islamizmin ekstrem të disa qarqeve ne tokat shqiptare vetëm se e trashim propagandën antishqiptare neper bote? U pamë në UNESCO se kish ishim. U pamë në UNESCO , se sa të bindshëm jemi karshi botës ; kur i “reklamojmë’ virtytet tona.

“Në Luftërat Ballkanike, Serbia jo vetëm që dyfishoi territorin e saj, por edhe armiqtë e saj të jashtëm.”shkruante Dimitrije Tucoviq ? ai ashtu mendonte . Por e vërteta e jonë sot është se papjekuria e jonë politike ( në Kosovë dhe në Shqipëri ) jo vetëm që ia ndërroi mendjen botës por bile bile kemi filluar edhe të shikohemi me sy të dyshimit. Nuk e besoni ?

Edhe sot, libri i Dimitrije Tucoviqit per Shqipërinë, nuk ka humbur asnjë germë nga aktualiteti i vet. Te njëjtin qëndrim negativ, te cilin Ballhausplatz-i dhe zotërinjtë Aehrenthal dhe Berchtold kishin ndaj tërëproblemit jugosllav, te njëjtin qëndrim kishte Beogradi radikal, politikan ndaj çështjeve shqiptare, si atehere ashtu edhe sot e kesaj dite , e ka.
Në librin Srbija i Albanija –( Jedan prilog kritici zavojevaçke politike srpske burzhoazije, Beograd,1914;
Dimitrije Tucoviqi,ishte shumë i ashpër ndaj borgjezisë serbe të kohës.
Çka shkruanin dhe çka shkruajnë serbët për e di . Po çka flitet ne kuloaret diplomatike duhet ta dine politikanët shqiptar të të gjitha ngjyrave politike.

Nuk e di se çka flitet ballë për ballë me serbët ,por e di se si reagoi ambasadorja e Kosovës në Washington ,kundër Daciqit “Kur ai i tha se Kosova nuk është shtet dhe nuk e njeh si ambasadore, Vlora Çitaku e mori fjalën. I tha se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Daçiq në ato çaste me nervozë hodhi nga veshi dëgjueset kur po dëgjonte me përkthim ato që po thoshte ambasadorja Çitaku”
“Ne nuk kërkojmë leje nga ju për asgjë, ne në dialog nuk kemi hyr që të tjerët të na e njohin pavarësinë sepse ajo ka ndodhur, por jemi për fqinjësi të mirë. Në UNESCO s’ia kemi dal për tre vota, por të siguroj se herën e ardhshme do ja dalim”, i tha ajo. “Ju ftojmë të pranoni realitetin dhe ta pranoni vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për vërtetësinë e pavarësisë së Kosovës, të cilën pyetje Serbia vetë e drejtoi atje”, tha ajo. “
 Po çka flasin serbët për ne ? “Kurse shtypi i Beogradit, si pandan i karabushëve vjeneze, opinioni publik radikal, kabinetet e Beogradit para luftës dhe zotërinj ministrat e punëve te jashtme i konsideronin (gjithashtu) shqiptaret raje te paemër, qe banonin ne vend te paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhe letrare, pa tradita, pa poezi, pa te gjitha ato atributet, pra, qe njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor. Qysh para disa vitesh, udhëtaret ne Shqipëri paskan pare njerëz me bisht, “me bisht te kalit ose te dhisë” dhe këta bastarde te Tribalëve dhe Skordiskeve antikë, ketë Gege dhe ketë Toske, ketë meleze te tipave te ndryshëm antropologjike, kjo bande e përçare ne pesëdhjete dialekte plotësisht te pakuptueshme nderveti , bërtet dhe theret nder vete ne anarki skëterrës. Ne këta shkrepa te egër, te zeze dhe te pashkelshëm, shtatëdhjetë për qind te burrave vdesin nga hakmarrja, kurse vdekja, prej sëmundjes ne shtrat, është turp. Këta te egjër gjakpirës, këta lëkurëkuq evropianë, intolerante fetare deri ne ekstrem, te te cilët fjala cub dhe bandit është sinonim për kalores, këto bisha te egra me fytyre njeriu, ditëve te festave gostiten me miell misri te zier, nuk dine çka është kripa, kurse për sheqerin mendojnë se është bore. Banojnë neper shpella si njerëzit e Neandertalit, jetojnë neper kulla te gurit pa dyer, pa dritare dhe pa oxhaqe; flenë nen dritën e pises, te veshur, me pushke ne dore, kurse para kasolles, kafka e kalit e ngulur ne hu është trofe lufte. Për Zotin, besojnë se u ka dhëne pushkët qe te vriten mes tyre, kurse ka vise ne veri, ne te cilat perëndite e vjetra ende u shugurohen si njerëz te gjalle. Shqiptaret e pine gjakun e nxehte te viktimave te veta te therura, i prenë hardhitë, i rrënojnë kullat, zhduken me pasion nder vete, duke vrare gratë nga lakmia, kurse kuptimi i dashurisë nuk ekziston te ata dhe fjala dashuri nuk gjendet ne gjuhen e tyre. Nuset shiten e blihen për paje prej disa lugësh, nevojtore nuk ka ne ketë vend, te gjithë janë te ndyte dhe me morra dhe këta vjedhës te kuajve, tradhtare, bandite, rrenacake, e tipa te poshtre, qe i lëshojnë sytë për toke si qentë para njeriut jetojnë ne retë e tymit, tifos, malaries, lisë, dizenterisë dhe sëmundjeve venerike, këta janë gjakataret dhe vrasësit qindravjeçare te elementit serb ne viset jugore. Kjo mase e zjarrte, e tërbuara, anarkike, e ngjashme me kafshët, dridhet si lava ne luginat e buta te viseve jugore dhe atje vret e pret, djeg dhe shkatërron vendbanimet tona te qeta e te qytetëruara me qindra e qindra vjet. Kjo llave e bastardeve shqiptare qe jeton ne provincat qe ne Mesjete i takonin Perandorisë Serbe, derdhet si lume- “vërshon” ne viset e buta dhe te qytetëruara dhe ketë lume “vërshues” duhet kthyer ne shtratin e tij te natyrshem ne malet e zeza dhe te pashkelshme.”

Po sot ? e njëjta gjë ! Po na si veprojmë ?

 Fahri Xharra,23.11.15
Gjakovë

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, Tucoviqi dhe shqiptaret

FASLLI HALITI SJELL HERMANN HESSE NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

November 23, 2015 by dgreca

Hermann Hesse 1877 . 1962/
Hermann Hesse (Calw, 2 korrik 1877 – Montagnola, 9 gusht, 1962) ishte shkrimtar, poet, aforist, filozof, lindur në Gjermani, piktor zviceran, nderuar me Çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 1946.
Prodhimi i tij, në vargje dhe prozë, është shumë i gjerë; ka pesëmbëdhjetë përmbledhje me poezi dhe tridhjetë romane dhe koleksione të shkurtra me histori. Romanet e tij më të famshme janë Peter Camenzind (1904), Gertrud (1910), Demian (1919), Siddhartha (1922), Steppenwolf (1927), Narcissus dhe Goldmund (1930) The Glass Bead Game (1943) .
Veprat e tij pasqyrojnë interesin e tij për ekzistencializmin (sidomos Schopenhaueri, Nietzsche dhe Heideggeri), spiritualizmin, misticizmin, jo më ​​pak se filozofia lindore, veçanërisht hinduse dhe budiste. [2]
Në vitet ’60, duke u frymëzuar nga kritika e tij për konsumizmin dhe kapitalizmin amerikan, qe pikërisht në Shtetet e Bashkuara që Hesse u bë një autor kult, pas vdekjes së tij, midis pacifisteve të rinj të rinj dhe hipive të cilët refuzonin Luftën e Vietnamit dhe materialitetin e shoqërisë perëndimore, por edhe komunizmin sovjetik. [3] Së bashku me Thomas Mann dhe Stefan Zweigun, Hesse është shkrimtar i gjuhës gjermane të shekullit XX më i lexuari në botë, përkthyer në më shumë se 60 gjuhë dhe rreth 150 milionë kopje të shitura në të gjithë botën. [3]

Nuk mjafton vetëm të përçmosh luftën, teknikën, ethet e parave, nacionalizmin. Duhet të zëvendësojmë besimin idhujve të kohës sonë. Kjo është ajo që unë kam bërë gjithmonë: në ujkun e Stepës janë Mozarti, të pavdekshmit dhe teatri magjik; në Demian dhe në Siddharthën të njëjtat vlera, vetëm me emra të ndryshëm. »
(Hermann Hesse, nga libri i poezive të krizës: nga faqet e një ditari)

NË MJEGULL

E çuditshme, të endesh në mjegull!
Tё vetmuar janё çdo kaçube dhe gur,
as pemët s’e shohin njëra-tjetrën,
secila qëndron e vetmuar.

Plot miq më dukej bota,
kur jeta ime ish e qartë ende;
tani që bie mjegulla
nuk shoh më nga miqtë asnjë.

Asnjë, që errësirën s’e njeh,
nuk është i urtë, sigurisht,
që lehtas dhe gjithnjë
e ndan atë nga të gjithë

E çuditshme të endesh në mjegull !
Të jetosh, vetmi, do të thotë.
Asnjë qenie s’e njeh tjetrën
Secili i vetëm është në botë.

DITË ME ERË QERSHORI

Kushtuar Friz Brun

I sheshtë liqeni si kristali –
nga era, mbi rrëpirë, valëzon lehtas,
i argjendti, bari,

Në ankthin e një vetmie mortore
Lëkundet një varkë,
dhe erërave qan me të madhe.

Nga bregu njё dallgёzim
mes tingullit të kosës dhe erës së barit
(O, nostalgji) nё bregun tjetёr arrin.

POETI

( i kushtohet Hilde Schoeck )

Vetëm mua të vetmuarit
më shkëlqejnë yjet e pafundmë të natës,
mërmërit burimi shkëmbor këngën e tij magjepsëse
vetëm mua të vetmuarit,
më tërheqin hijet koloristike
të ëndrrave të reve pluskuese mbi fusha.
S’m’u dha as shtëpi, as tokë,
as pyll, as zonë gjahu, as zanat,
imja është ajo që askujt s’i përket,
imja është rrëkeja gurgulluese prapa perdes së pyjeve,
imi është deti i tmerrshëm,
të miat cicërimat e lojërave fëmijërore,
të mitë, lotët dhe këngët e të dashuruarve të vetmuar në mbrëmje.
Të mitë janë edhe tempujt e zotave,
imi zabeli i shenjtë i së shkuarës.
Dhe jo më pak harku i kaltër i tymit
është atdheu im i kulluar:
shpesh i bërë me flatra nga malli,
shpirti im ngrihet të studiojë të ardhmen e njerëzimi të bekuar,
dashuri, triumfuese mbi ligjet, dashuri nga populli në popull.
Të gjithë unë i gjej fisnikërisht të shndërruar:
fshatarin, mbretin, tregtarin, turmën e zellshme, bariun e kopshtarin
dhe të gjithë ata festojnë falas festën universale te së ardhmes.
Vetëm poeti mungon,
ai, soditësi i vetmuar,
ai, epifora e nostalgjisë njerëzore dhe i përfytyrimit të zbehtë,
për plotësimin e të cilin jo e ardhmja, jo bota ka nevojë.
Shumë kurora thahen mbi varrin e tij
por kujtimi për poetin është përhapur kudo.

MOTRA VDEKJE

Edhe tek unë do të arrish një ditë,
mos më harro, të vish tek unë
këputen prangat
dhe mundimi do të ketë një fund.

Dukesh ende larg dhe e huaj
motër vdekje, ti,
si yll i ftohtë qëndron
mbi fatin tim tani.

Por një ditë do të bëhesh e afërt,
e mbushur do jesh me zjarr.
Eja e dashur, jam këtu,
jam yti, merrmë në varr.

SHTATOR

I trishtuar kopshti!
i freskët zbret mbi lulet shiu.
E heshtur dridhet stina e verës,
nga fundi i saj duke anuar vetiu.

Shtrihen gjethet e arta
nga akacia e madhe mbi shesh.
Qesh e shtangur dhe e zbehtë vera
brenda ëndrrës së saj që vdes.

Vonohet midis trëndafilave
për paqen e saj duke menduar
mbyll lehtë sytë e mëdhenj
nga mundimi të rënduar.

LAMTUMIRË, BOTË

Shtrihet bota në thërrime
e deshëm shumë një kohë,
tani edhe vdekja ne
nuk na tremb më jo.

Bota nuk përbuzet,
e egër dhe e larme është ajo,
magjirat e vjetra vdesin
ende japin shpirt rreth vetes ato.

Duam të ndahemi mirënjohës
nga loja e saj pa kufi
na dha gëzim dhe mundim
na dha dhe shumë dashuri.

Lamtumirë botë,
bëhu prapë e bukur plot shkëlqim
ne jemi të gëzimit tënd,
e të ngopurit mundim.

1944

TRISHTIM

Ata që ende digjeshin dje
i janë kushtuar vdekjes vetë,
lulet mbi lulet bien
nga pem’ e trishtimit si fletë.

I shoh të bien e të bien
si dëborë mbi shtegun tim,
hapat nuk ushtojnë më
e fundit heshtje po arrin.

Qielli s’ka më yje
s’ka dashuri më zemra aspak
hesht largësia opake
bota bëhet shkretëtirë dhe plakë.

Kush mund ta mbrojë zemrën
në këtë kohë me ashpërsi?
Bien lulet mbi lule
nga pem’ e trishtimit tani.

1944

DIELL MARS

E dehur nga ngrohtësia e parakohshme
një flutur e verdhë vërtitet mbi lulet.
një plak ulur në dritare
i kërrusur përgjumet.

E joshi të këndojë një kohë
brenda blerimit të pranverës
por mbi flokët e tij dalloi
pluhur rrugësh të ngritur prej erës

Veç pema në lulëzim
dhe flutura e verdhë
paksa të plakura duken
por janë pёrsёri siç’ishin njëherë.

Ngjyra dhe kundërmimi
tepër të hollë dhe të lehtë janë,
më e ftohtë është drita,
dhe ajri që thithim më i rëndë.

Gumëzhin pranvera nga bletët
kënga e tij më e këndshme sakaq
blu dhe i bardhë harkohet qielli
ku zhduket flutura e artë.

I FEJUARI I RI NË NJË MANASTIR ZEN

Gjithçka është gënjeshtër dhe iluzion,
E vërteta e pashprehshme ёshtё natyrisht:
por mali i dhëmbëzuar më shikon
dhe është i dallueshёm lehtёsisht.

Cjap, korb, trëndafil i kuq,
blu e detit, ngjyra dhe forma.
Mblidhe veten: do të shpërbëhen
brenda anonimitetit dhe sё paformёs.

Mblidhe veten; kthehu te vetja,
mëso të shikosh, të lexosh,
Mblidhe veten : bota do të jetë Dukje,
Dukja do të jetë Qenie.

1961

KANCONETË

Poezi e ylbertë
magji drite që vdes,
gëzim si muzikë e tretur
dhimbje mbi fytyrën e Madonës,
spirale e hidhur e ekzistencës.

Lulëzim i fshirë tutje nga stuhia,
kurora të vendosura mbi varre,
qetësi jetëshkurtër e përkohshme
yll që bie në errësirë
tyl bukurie dhe keqardhjeje
mbi humnerën e botës.

1962

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: Featured, LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Hermann Hesse, perkthim Faslli Haliti, poezi

70 vjet:HAPNI DOSJEN NR. 7842

November 22, 2015 by dgreca

PROF. FILIP NDOC FISHTA-(1904 – 1973)/
■“Kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”/
Nga Fritz RADOVANI/
■Prof. Filip Fishta ishte i biri i Ndocit dhe i Çiles. Nana ishte bijë nga familia Shiroka. Filipi ka lé në Shkodër në vitin 1904. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të naltat i përfundoi në Beograd për gjuhësi. Ka kenë doktor i shkencave filologjike dhe profesor në Universitetin e Sorbonne-s në Francë. Qysh i ri bashkëpunon me Ndue Palucën, edhe ky figurë e “harrueme”. Ishte mik i Prof. Gaspër Ugashit, Karl Gurakuqit, Ernest Koliqit e në veçansi mik i etënve Justin Rrota, Donat Kurti dhe Bernardin Palaj.
■“E thrret Atdheu”, si shumë atdhetarë të tjerë që mbasi mbarojnë studimet jashtë vijnë me dhanë ndihmesën e tyne modeste në Shqipninë e porsa rilindun. Në vitin 1933 emnohet në Elbasan, ndërsa në vitin 1934-35 vjen në Shkodër dhe në 1938 asht në Tiranë, në Institutin “Nana Mbretneshë”, ku vazhdon me punue deri në mars të vitit 1944.
■Në mars, emnohët në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, deri në fillim të vitit 1945, ku la disa punime shkencore.
■Me datën 19 janar 1945 arrestohët nga komunistët, i akuzuem si “kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar.” Deri këtu asgja e jashtëzakonshme. Fillon hetimet para një komisioni hetimor të përbamë nga Frederik Nosi, Mynir Tirana dhe Andrea Jakobini. Cilësohet prej tyne si njeri që ka kontribue për ardhjen e fashizmit italian dhe se, me artikujt e tij ka shpërnda idetë fashiste anë e kand vendit. Relacioni asht i shkurtë por me përmbajtje që i rrezikon kokën e profesorit.
■Prof. Filipi deklaron: “…Nuk mund të cilësohem si gazetar, përveç disa artikujve teknik-shkencorë, p.sh. ”Historia e lindjes së shtypit”, etj. si letrar-artistik po, por jo politik.
Nga gazeta “Mesagero”, kam përkthye artikuj nga jeta e familjës italiane dhe pushimet verore. Nuk kam pasë të baj me BRUFSH-in (Rinia Universitare Fashiste Shqiptare). De Angelis-in e kam njoftë se i kam dhanë mësim fëmijve të tij…”(Dosja 7842).
■Rreshti i fundit i deklaratës ishte i mjaftueshëm me provue lidhjet e ngushta të Filipit me fashizmin. Dëshira e italianëve me botue një revistë “Jeta Shqiptare” në Firencë, nën kujdesin e Prof. Filip Fishtës, që nuk u hap atje por në Tiranë, ku ka shkrue prof. Kol Prela, Rebi Alikaj, Injac Ndoja etj. e rreshton Prof. Filip Fishtën në bankën e të akuzuemve, para Trupit Gjykues me datën 11 qershor 1945, për dënim si “kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”.
■Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetar, nën/kol. Bilbil Klosi, antarë Argjir Lipivani dhe Gjylhani Shehu (oficera), prokuror Ismail Çaushi dhe sekretar Mustafa Zaja, i japin dënimin e “merituar”, 30 vjet burg me heqje lirie dhe konfiskim “pasurie”.
■Cila ishte “pasuria” e Profesorit?
“Një raft me libra, një shtrat, një dyshek dhe dy batania. Një lagen, një tavolinë me dy karriga. Një sahat xhepi dhe një stilograf.” (simbas proçes-verbalit të ruejtun ne arkiv). Komisioni i shtetizimit të “pasurisë” shkoi tek shtëpia ku banonte me qera profesori me një kamion të madh, por nuk pat me shka me u mbushë, përveç policve që solli me vedi dhe i këthej prap në Sigurim.
■Ku bazohej akuza?
Prof. Filip Fishta ka shkrue tek: “Tomori i vogël”, “Hylli i Dritës”, “Shkëndija”, “Shkolla Kombëtare”, “Balli i Rinisë”, “Drini” dhe “Fashizmi”.
■Prokurori thekson: “Vetë juve z. Kryetar, i patë artikujt e tij sa të ndyrë ishin!…”
“Faji” i profesorit ishte se ai qysh i ri rreshtohej me At Justin Rrotën, Eqrem Çabejn, Aleksandër Xhuvanin etj. ndonse, vepra e Prof. Filip Fishtës u zhduk menjëherë mbasi ai vdiq.
***
■Prof. Androkli Kostallari e “ndihmoi” profesorin kur doli nga burgu, i “premtoi” se do të riabilitohej dhe se do të i jepej e drejta e botimit të shkrimeve, por deri sot punimet e tija
“prehën në paqë të pafund”, mbasi nuk i dihët ende “vorri”.
■Arsyeja që më ka shty me kujtue prof. Filip Fishtën nuk asht njohja përsonale, as vlera e tij si dijetar apo shkenctar, mbasi kjo asht detyrë e atyne që do të nxjerrin në dritë veprën e tij, ose që e kanë atë (në kjoftë se ndodhë ndonjëherë me tregue), po më ka shtangue guximi i avokatit të tij, z. Kol Dhimitri, i ruejtun në dosje. Një çudi e vërtetë!
Kundërshtimi i akuzave, mënyra sesi ai nxjerr në pah vlerat letrare dhe shkencore dhe ndoshta, tue u vetsakrifikue për një atdhetar që si të gjithë të tjerët kërcnohej nga vdekja prej tradhëtarëve të padijtun dhe barbar, që mendonin dhe vepronin për gjithshka që shkatrron kulturën dhe shkencën ose ma keq, kërkonin labirintët e shmangëjes nga rruga e qytetnimit europian.
■Avokati i nderuem në mbrojtjen e tij me datën 13 qershor 1945, thotë: “Filip Fishta ka kryer studimet e veta në Beograd, duke u diplomuar në fakultetin e Letërsisë, dhe ka vazhduar mësimet edhe në Sorbonné të Francës për disa vite. Është një person me kulturë të lartë, gjë që e bën të besueshme se nuk mund të bëhet vegël e okupatorit në vendin e tij…
Edukoi rininë shqiptare dhe këtë qëllim të tij, me krenari duhet të pohojmë se e ka arritur, sëpse, sa e sa breza që i drejtoi, e kujtojnë me mirënjohje e dashuri të sinqertë.
■… Por, nuk mund të akuzohen nëpunësit e asaj kohe, si vegla të okupatorit, sëpse ata nuk kanë pasë një qëllim të tillë, dhe nuk kanë bërë ndonjë veprim kundër popullit shqiptar, ashtu si edhe Filip Fishta, ka kryer vepra kundër shqiptarëve, duke pranuar një revistë kulturore dhe për më tepër shqiptare….
■Po të ishte me të vërtetë një vegël, sigurisht, do të ngarkohej me ofice politike ose të paktën administrative të larta, mbasi ishte me kulturë dhe me zotësi të rrallë, pra, mospërfitimi nga italianët në kohën e pushtimit të tyre është prova më e gjallë se ky nuk ka qenë vegël e tyre.
■… Profesori nuk ka propaganduar për fashizmin, por ka vënë në dispozicion të idealeve të Kombit tonë të gjitha fuqitë e veta, kur rraca e jonë shqiptare shuhësh nga shkrimtarë të paskrupull, si artikulli në “Rivista d’Albania”, kundër Cordignanos me 1941.
Artikulli titullohet “Shqipnia jonë”…
■Ka mbrojtë në programe mositalianizimin e shkollës sonë kombëtare.
Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tija të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia e jonë letrare.
■Nga ana tjetër, si mund të bëhët vegël informator një shkenctar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare.
Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare.”
■Avokat Kol Dhimitri d.v.
***
■Duhet me thanë “shyqyr” që nuk e mori vesht kush këtë mbrojtje, mbasi mund të këthehej vendimi edhe “me pushkatim”…
Prof. Filip Fishtën e pata njohtë mbasi pat dalë prej burgut, mbasi atë kohë erdhi në Shkodër. Punonte në podrumet e Muzeut Popullor të qytetit. Ishte i thjeshtë dhe i veshun keq.
Kur fliste e bante disi të veçantë shqiptimi i një “thëje” në maje të gjuhës. Ne atëherë nuk mujshim me kuptue se kush mund të ishte ky burrë që me një leckë në dorë, fshinte pluhunin e kopertinave të librave që ishin të hullun përtokë.
Ai i fshinte me kujdes dhe i sistemonte mbi një tavolinë.
■Ata ishin librat e sekuestruem në bibliotekat e Françeskanëve dhe të Jezuitve.
■Prof. Filipi dhe Prof. Izet Bebeziqi ishin ngarkue me atë punë aq të rëndomtë vetëm, me hangër një kafshatë bukë të thatë me emnin “pastrues”, pikërisht Ata, që ndër këta libra kishin edhe artikujt e tyne. Librat e ndamë prej tyne, mandej zënin vend në “bibliotekat” përsonale të “Prof. Doktorave” Jup Kastrati e Kostallari me shokë, libra e materiale që i kanë edhe sot ndër shtëpitë e bibliotekat e mëdha të tyne.
■… Duhet plotsue fraza, mbasi volumet e mangta i plotsuen me “Revolucionin Kultural” në vitin 1967, me bibliotekën e Argjipeshkvisë dhe të njerëzve që u arrestuen dhe u zhdukën me atë rasë.
***
●Prof. Kol Alimhilli, thonte: “Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa hamajtë e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” (Shkoder, 1958).

Melbourne, Nandor 2015.

Filed Under: Featured Tagged With: dosja 7842, Fritz radovani, PROF. FILIP NDOC FISHTA

Mustafa Aranitasi, themeluesi i qeverisë së parë shqiptare në Korçë

November 20, 2015 by dgreca

Nga Vepror Hasani/
 Qeveria shqiptare e Korçës e krijuar nga Mustafa bej Aranitasi dhe e mbështetur nga oficerët hollandezë mbahet mend për mposhtjen e kryengritjes së armatosur “vorioepiriote” të 2 prillit 1914 dhe ngritjen e flamurit kuq e zi mbi Korçë. Nga kjo kryengritje e përgatitur prej dhespotit Gjermanos për të kërkuar bashkimin e Korçës me Greqinë mbetën 112 të vrarë.
 Ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Ushtria shqiptare prej 250 vetash hyri në Korçë më 2 mars 1914. Koloneli grek Kondulis nënshkroi dorëzimin e Korçës. U formua Këshilli i Qeverisë shqiptare. Oficeri hollandez, major Johan E. Snellen van Vollenhoven mori komandën e Mbrojtjes së Korçës. Bashkë me kapitenin Jetze Doorman organizuan xhandarmërinë shqiptare. Vunë në në përdorim vulën zyrtare me shqiponjën dykrenare në mes, me nënshkrimin “Comission de Controle Provisore Korça” (Komisioni i Kontrollit të Përkohshëm, Korçë. I kërkuan dhespot Gjermanos shpërndarjen e “batalioneve të shenjta” (Ierus loqus), të krijuara prej tij pas vizitës së Jorgos, birit të mbretit Kostandin në Korçë, më 16 maj 1913.
 Qeveria pati këtë përbërje: Pandeli Vangjeli, prefekt; Abdyl Ypi, nënprefekt; Themistokli Gërmenji, shef policie dhe Hysen Nikolica, komisar policie. Pas kësaj, Mustafa beu shkoi në Kolonjë për ngritjen e qeverisë shqiptare edhe atje. Përplasja mes forcave të Qeverisë së Korçës dhe andartëve të dhespot Gjermanos nuk do të vononte.
 Dhespoti i Korçës ndihej i favorizuar. Ushtria greke kishte bërë sikur ishte larguar, por në të vërtetë një pjesë e saj ishte fshehur në Mitropoli, të tjerë te spitali grek dhe pjesa tjetër përrenjve përreth Korçës. Batalionet e shenjta prej 1000 vetash qëndronin të armatosura.
 Qeveria shpejtoi ngritjen e trupës së parë të xhandarmërisë. Organizoi paradën e parë ushtarake për të demonstruar forcën. Njerëzit vetofroheshin për të qenë në shërbim të Korçës. Për këtë arsye ata u quajtën “vetëdashës”. “Kurrë s’do të harrohet dita e diel, që për të parën herë në histori të Përlindjes së Shqipërisë, nacionalistët mundën të shikojnë një nga dëshirat e gjalla që ëndërronin; kurrë s’do të harrohet themi, se të gjithë që muarrë këtë detyrë ishin me gjithë zemër vetëdashës dhe jo zordashës si ishte në kohët e kaluara, vinin nga frika e kërbaçit dhe e bajonetës…”
(Gazeta “Koha”, 18 mars 1914).
 Fillimisht numri i xhandarëve ishte 120, por çdo ditë regjistroheshin të tjerë. Edhe Gjermanos vijonte me përgatitjet. Nga trupa e vetëdashësve nisën të dilnin qëllonjëtarët e parë (snajperat), si Kristo Pema, Qerim Butka, Koli Kaluci Zenel Plasa etj, prej të cilëve do të krijohej batalioni i qëllonjtarëve. Në Moravë u dërguan 1500 burra të armatosur për të qenë gati në mbrojtje të Korçës.

Dita e kryengritjes mbërriti. Më 2 prill 1914, rreth orës 03-04.00 të mëngjesit, qeveria shqiptare u sulmua nga kryengritësit e dhespot Gjermanos. “Batalionet e shenjta” u vunë nën komandën e Jorgji (Gjergji) Sulios. Gaqo Busho zuri vend te vreshtat e qytetit për të mos i lejuar kapedan Kajos hyrjen në Korçë. Doktor Harisiadhi, (Epaminodha i Mit’hat Harizit), me 400 veta do të pengonte ardhjen e mborjarëve në ndihmë të Korçës.  Ushtarët grekë që rrinin të fshehur përrenjëve, u lajmëruan të niseshin urgjentisht.
 Kryengritja zgjati 5 ditë e 5 netë. Në krye të forcave të qeverisë dolën: komandant i Mbrojtjes së Korçës, majori Johan E. Snellen van Vollenhoven; kapiteni Jetze Doorman; kapiten i xhandarmërisë Leopold de Gilard; kapiteni i misionit hollandez, Reimers në Pogradec;  konsulli amerikan, major Harold Sherëood Spencer; Themistokli Gërmenji, Abdyl Ypi, Hysen Nikolica, major Mustafa Elmazi, kapiteni Sadik Rexhepi, doktor Osman Feriti, leitant Ismail Hakiu, Ferit Frashëri, Riza bej Helmësi, Dervish Filja i teqesë së Turanit etj. Princ Vidi përcillte urdhërat nga Durrësi dhe ndiqte më vëmendje çdo hap të kryengritjes. Fundi i kryengritjes u shënua me ardhjen e çetave të kapedan Kajos, Agush Çaushit, Muharrem Moglicës, Zalo Prodanit, Gani Butkës etj. Nëpër rrugët e Korçës u gjetën 112 të vrarë
 Andartët e dhespot Gjermanos u mbyllën në shtëpitë e tyre duke nxjerrë nëpër dritare flamujt e bardhë të dorëzimit. Më pas nisën të dilinin me duartë lart. U bënë shumë arrestime. U arrestua edhe dhespoti Gjermanos.
 Në mbrojtje të Korçës mbërritën edhe gegët. Tmerri i grekomanëve u bë edhe më i madh. Përgjonin me ankth çfarë do të ndodhte. Hajdar Blloshmi në krye të 300 trimave tha: “Neve gegët e kemi për detyrë të vijmë në ndihmë dhe të luftojmë për të shpëtuar dhe liruar Toskërinë nga armiku barbar, më parë edhe për Korçën se është e ditur dhe e provuar që Shqipëria pa Korçën s’mund të rrojë dhe të përparojë siç duhet”.
(Gazeta “Koha”, 3 maj 1914).
 
Bashkë me Hajdar Blloshmin kishte mbërritur dhe Shaban Blloshmi me të tjerë. Më pas arriti edhe tabori i xhandarmërisë së Tiranës: “Ardhja në Korçë e taborit të xhandarmërisë së Tiranës nën komandën e z, Shaban Adil lë të kuptohet edhe një herë më shumë vëllazëria e shqiptarëve. Vetëdashësit e Korçës duke bërë nderimet dhe gjithë populli e pritën me një gëzim të madh dhe me këngë kombiare”.
(Gazeta “Koha”, e shtunë, 3 maj 1914)
 Princ Vidi vijonte të interesohej për Korçën, dërgonte armë dhe veshje për ushtrinë, ndërsa grekomanët ende nuk gjenin dot qetësi:  “Gjer më sot arrinë nga Durrësi në Korçë 400 barrë me armë dhe 500 barë me fishekë. Armët janë nga më të mirat, të sistemeve të reja. Gjithë oficerët që kemi pyetur kanë mbetur fort të kënaqur … Nesër priten të arrijnë në Korçë dhe 12 topa që dërgoi qeveria jonë nga Durrësi. Topat, siç mësojmë, janë nga më të mbaruarat (përkryerat) që kanë dalë deri më sot”… Uniformat që porositi Qeveria e Korçës për ushtrinë e Korçës është fort e pëlqyer dhe e bukur. Pas tri ditësh shprehemi që do të jenë gati të vishen nga ushtria…”.
(Gazeta “Koha”, e shtunë, 3 maj 1914)
 Ndërkohë u ngrit një komision për analizimin e ngjarjes, ku “…të fajimit do të gjykohen prej komisionit nderçim (të ndershëm), që u formua nga z, prefekt Pandeli Vangjeli, nënprefekt Abdyl Ypi, komandanti hollandez Snellen van Vollenhoven, dhe Kristo Floqi”
(Gazeta “Koha” e enjte 17 prill 1914)
Grekomanët prisnin të merrnin vesh kush do të arrestohej…

Filed Under: Featured Tagged With: Mustafa Aranitasi, shqiptare në Korçë, themeluesi i qeverisë së parë, Vepror Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 613
  • 614
  • 615
  • 616
  • 617
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT