• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËLLUMB KULLA PROMOVOI LIBRIN” LUFTË PA FUND”

December 20, 2013 by dgreca

Në Universitetin Europian të Tiranës u promovua përmbledhja publicistike e Pëllumb Kullës.  “Luftë pa fund” është botimi më i ri i UET-Press, i cili ka bërë bashkë, siç i quajti botuesi Çili “tre të tmerrshmit” e publicistikës shqiptare të këtyre 20 e ca viteve të fundit, autorin Pëllumb Kulla dhe Mero Bazen e Filip Çakulin që kanë shkruar parathënien. Të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, kreu i FRD-së, Bamir Topi, anëtarë të kabinetit, personalitete të tjerë të politikës, artit dhe medias, në njëfarë mënyre një “inventar miqsh” për autorin.

“Falenderoj me radhë që nga Mustafa Nano që u bë iniciator, te Henri Çili që e përqafoi menjëherë dhe që më bëri një nder shumë të madh, sepse unë e quaj një libër me vlera të mbledhësh tharmin satirik të 20 e ca vjetëve, si dhe drejtoreshën e Botimeve, Valbona Nathanailin. E zgjata qëndrimin në Shqipëri pikërisht që të dilte libri, i cili nuk do kishte dalë pa angazhimin e kaq njerëzve”, tha Kulla gjatë fjalës së tij të shkurtër përshëndetëse. Ndërkohë që botuesi Çili shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit me një nga njerëzit e adhuruar së largu në fund të viteve ’80 për modernitetin e përhershëm. Në këtë libër ka pak për çdo shije lexuesish, shkrime politike, fjalime diplomatike, krijime të satirës dhe humorit, publicistikë, shkrime për figura të njohura të Shqipërisë. “Pëllumbi është një publicist “sui generis” sepse lëndën e vet e nakatos me një humor që mua më pëlqen shumë. Unë bëj pjesë te njerëzit e pakët që dinë ta shijojnë humorin e Pëllumbit. Unë vetë nuk shquhem për të bërë humor, por di ta shijoj atë të Pëllumbit. Pëllumbi është një njeri i ledhatuar nga Zoti në një kuptim, sepse Zoti përveç talentit për të bërë humor, i ka dhënë edhe talentin për të shkruar dhe kjo është një bujari që Zoti nuk e shfaq me shumë njerëz. Njerëzit që dinë të bëjnë humor dhe dinë të shkruajnë, janë sipas meje, njerëzit nga më të dobishmit për një shoqëri, sidomos për një shoqëri si e jona”, tha Mustafa Nano gjatë promovimit.

Publicistika, politika dhe satira e Kullës

Ky vëllim i Pëllumb Kullës, i 15-ti për të në gjini të ndryshme, ndryshe shtegtimi i tij nëpër qiellin politik, sjell një përmbledhje të artikujve, letrave, fjalimeve dhe intervistave të tij në këto 20 e ca vitet e fundit. Jo ato që janë të rëndësishme sot, siç thonë autorët e parathënies, por ato që kanë pasur vlerë në atë çast dhe që vazhdojnë të kenë. “Në këtë vëllim, autori ka bërë një shtegtim në jetën e tij dhe ka përzgjedhur në të, jo atë çfarë i intereson sot, por atë që për të ka qenë e rëndësishme kur ka ndodhur. Ky kriter i jep vlerë identitetit të autorit dhe respekton jetën, mendimet, vlerat dhe “marrëzitë” e tij në kohë, pa vrarë mendje nëse sot janë të përshtatshme ose jo”, thuhet në parathënie. Sipas autorëve të saj, Pëllumb Kulla, është nga ata “diktatorë” të skenës politike, artistike dhe publicistike të këtyre 24 viteve që nuk do të fshehë asnjë pjesë të kësaj jete publike, përkundrazi na i sjell ato me “arrogancën” e zotëruesit të së vërtetës dhe vlerave të qëndrueshme dhe si I tillë ai meriton të skanohet nga publiku shqiptar edhe sot, në këtë moshë. “Vëllimi “Luftë pa fund”, është një dëshmi e gjallë e mënyrës se si një intelektual shqiptar ka jetuar diktaturën dhe dështimet e demokracisë. “Libri është një pasqyrë e gjallë e asaj se si një intelektual nuk mund të heshtë, nuk mund të rrijë mënjanë, nuk mund të bëjë sikur nuk e ka mendjen, ose nuk e shikon çfarë po i ndodh shoqërisë së tij edhe kur ai jeton larg saj. Përkushtimi i Pëllumb Kullës ndaj artit, satirës, politikës dhe publicistikës është një standard, i cili i bën mirë shoqërisë shqiptare. I bën sidomos në këtë krizë të rëndë morale që po kalon, ku debati më i madh i saj është për lojërat e fatit, se sa për fatin e kulturës, për ndërtimet pa leje, se sa për ndërtimin e një shoqërie me vlera, për kultivimin e drogës më shumë se sa për kultivimin e dijes dhe kulturës”, thuhet mes të tjerash në parathënie.

 

Ligji i mercenatit, si mbështetës i vlerave të vërteta

Çakuli dhe Baze ndalen në udhëkryqin ku gjendet sot shoqëria shqiptare, mes banalitetit të komercializmit dhe vlerave të qenësishme që ato kërcënojnë. “Do donim të falenderonim Shtëpinë Botuese të Universitetit Europian të Tiranës, që ka sjellë për publikun kohët e fundit një seri botimesh që nuk bazohet te komercialiteti, por te sistemi i vlerave, një botim i tillë është edhe ‘Lufta pa fund’ i Pëllumb Kullës, i cili është një leksion i hapur për studentët, për gazetarët për intelektualët, për mënyrën si duhet t’i përkasin shoqërisë”, thonë autorët e parathënies, ndryshe një nga “fjalët e vetme të mira ndoshta, thënë nga dy profile që nuk thonë asnjë fjalë të mirë për asgjë dhe asnjëherë”, do komentonte botuesi Çili. Ai shfrytëzoi praninë e Ramës për të propozuar si rregullatorin e trafikut të vlerave dhe jovlerave në këtë udhëkryq të rrëmujshëm, ligjin e mercenatit. “Ndoshta ka ardhur koha që mercenati, ose mbështetja e librave dhe gjithë veprimtarive të tjera kulturore, sportive, të shoqërisë civile të ishte vërtet një veprimtari e mbështetur nga shteti dhe sistemi ynë ligjor dhe fiskal. Kemi një kryeministër që na vjen njëkohësisht nga shoqëria civile, nga arti dhe nga sporti dhe më shumë se secilit do i takonte atij të sillte një erë të re në këtë drejtim, në mënyrë që vërtet të kemi një ekuilibër të ri mes atyre fenomeneve që i prodhon tregu dhe vlerave që shoqëria duhet të gjejë një mënyrë për t’i mbështetur dhe shteti është mbështetësi më i keq, më i dobët, më i padrejtë i këtyre vlerave. Duhet gjetur një mekanizëm nëpërmjet ligjit të mercenatit që sistemi ta bëjë këtë gjë vetë”, tha Çili.

“Shqipëria gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm, mes banalitetit dhe komercializimit të vlerave vulgare nga njëra anë, dhe sqimës e sistemit të rrezikuar të vlerave në anën tjetër. Kryqëzimi është historik, pasi në anën e banalitetit dhe komercializimit janë miliona euro në dispozicion dhe një tabor njerëzish pa emër dhe pa fytyrë, kurse në anën tjetër ka pak njerëz që nuk lodhen së treguari se kush është sistemi i vlerave dhe standardi që duhet të respektojë shoqëria, edhe pse nuk paguhen për këtë gjë. Kjo është një betejë që shoqëritë perëndimore e kanë fituar duke hequr dorë nga komercializimi i vulgaritetit dhe duke çuar në bashkëjetesë vlerat me marketingun”, japin ata zgjidhjen që ende nuk ka ardhur në Shqipëri, për të cilën botuesi Çili propozoi një mekanizëm vetërregullues të sistemit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeminsitri rama, Lufta pa fund, pellumb Kulla, promovim ne Tirane

FJALA KRYENGRITËSE NË TELEVIZION

December 20, 2013 by dgreca

E ëmbël dhe e bukur është të vdesësh për atdhe / dhe të lirë të lësh pas vetes / fëmijët, shtëpinë dhe çdo gjë tjetër. –  Homeri/

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/

Fjala e thënë me kohë, dhe e peshuar  mirë, forcën e saj e ka në çastin kur thuhet. Njëri nga zërat kryengritës të fjalës në Televizion, padyshim ishte, gazetari, xhiruesi, montazhieri dhe redaktori. Kujtesa e asaj kohe s´guxon të mbetet  e pa thënë. Prandaj,është e nevojshme të shkruhet për atë histori të papërsëritshme të fjalës së popullit. Kosova, e përgjakura e fjalës, dhe e kryengritjes, nga dita në ditë po bëhej me shumë duar. Pushtimit të Kosovës i kishte ardhur fundi. Në ato mëngjese rebelimi, qytete e fshatra nëpër Kosovë, lulëzonin me parullat „Kosova Republikë“! „Dhe dil jashtë nga Kosova, Serbi“! Pushteti i pushtuesit dhe vegëltarët e saj, ishin të paaftë ta mbysnin vullnetin e popullit për liri dhe pavarësi. Përkundër shtypjes së egër, dhe dënimeve drakonike, bijtë e saj po ia bënin gjëmën armikut. Rrugët dhe sheshet e Kosovës kudo ishin me kryengritës, dhe të mbytura në gjak. Toka mund të frikohet nga lufta, por, njeriu për liri, kurrrë jo. Demonstratat e vitit 1968, 1981, dhe ato mëpastaj, do t´ia shkulnin rrënjët pushtimit serb në Kosovë.

Jeta e intelektualëve shqiptarë në ato vite ishte me plotë të papritura. Vlimet e brendshme për një Kosovë jashtë pushtetit dhe prangave të serbit zienin kudo në mesin e intelektualve të formuar. Mësuesi në shkollë nxënësit i përgatiste për beteja të reja. E vërteta për Kosovën dhe rreth Kosovës, kudo kërkonte qartësim, rrugën kah do të vejmë. Armiku dhe vegëltarët e saj nuk reshtnin të trumbetonin fuqinë e pushtuesit. Mirëpo, populli është i mençur, ai përherë ka duar dhe grushta. Lavdërimi i disa komentatorëve në RTP ishte i pa zë. Por, populli në çdo çast, di ta hap rrugën e tij dhe ta bëj betejën. Eshtë e ndaluar që Kosova të mos jetë e lirë, e pavarur, dhe mëvete, lexonim në traktet e asaj kohe.

Në Televizionin e Prishtinës, kishte një grup gazetarësh, redaktorësh,  montazhierësh dhe teknikë të përgatitjeve të transmetimit, që nuk i përfillnin urdhërat nga lart, dhe i kundëviheshin politikës gjenocidale serbe, ata ishin; Rexhep Kasumaj, Ismet Begolli, Sherif Konjufca, Ekrem Kryeziu, Mentor Kaçi, Bashkim Ramadani, Hamdi Gërvalla, Rrustem Geci, Xhavit Spahiu, Florie Veselaj, Sejdi Bylykbashi, Ismail Kurteshi, Xhafer Krasniqi,Shaip Dubova, Shaqir Sadiku, Nezir Istrefi, Hamdi Sopa, e të tjerë. TVP-ja kurrë s´reshti të publikonte të vërtetën, pse Kosova duhet të jetë e lirë dhe më vete. Në Televizionin e Prishtinës, rrëfen Bashkim Ramadani, ( një kryengritës i fjalës së lirë ), atë kohë, dorë më dorë ( kuptohet në fshehtësi të madhe ) lexonim trakte, broshura, dhe thirrje të grupeve Ilegale për vetëdijësim të popullatës për një kryengritje të përgjithshme. Televizioni i Prishtinës, ishte vatra, që e bëri të shuhet Lidhja e Komunistëve të Kosovës.

Në ato vite të vlimeve të mëdha, Televizioni i Prishtinës, ndihmoi në pajtimin kombëtar, në faljen e gjaqeve, në zvogëlimin e mullinjëve të gjakut, në ndriçimin e vrasjeve në Armatën Jugosllave, dhe kontribuoi dukshëm , në unitetin dhe ndërgjegjësimin politik të njeriut shqiptar të Kosovës.

Në vitet 1981-1991, Kosova po kalonte një nga periudhat më kryengritëse dhe më të përgjakshme të saj. Demonstratat e studentëve, Grevat e minatorëve , Demonstratat e punëtorëve në ndërrmarrjet e Kosovës për kushte të këqija në punë, Marshi i madh i Kosovës, dhe demonstratat për rrogat e papaguara, vlonin në gjithë Kosovën.

Falë grushtave dhe pikave të gjakut, Kosova po absolvonte në drejtim të shkëputjes prej Serbisë. Liria në fakt as s´falet, as s´blihet, por ajo merret dhe fitohet, këndonin rapsodët nëpër demonstrate dhe pajtime gjaqesh. Kosova e atyre viteve nuk frikohej as nga tymi, as nga baroti. Në këtë tokë, 13 mijë vjet të lashtë, është lind, rritë, dhe është qytetëruar populli ynë i përvuajtur. Arbër, s´jemi mbetje pa rrënjë.  Historia jonë herët a vonë, do të shkruhet ashtu s´i duhet.

Në vitet 1981-1990, Televizioni I Prishtinës, ishte ekrani i betejave dhe i vërshëllimave. Nga ajo dritare magjike e quajtur, Televizion, Kosova edhe qahej edhe zemërohej. Nuk ishte e lehtë  në  RTP,  t´i transmetoje lajmet me praninë e policisë në studio. Por, vullneti për liri ishte ma i madh se kërcënimi për vdekje.

Në ngjarjet e vitit 1981 shumë nga punëtorët e RTP-së, ishin pjesëmarrës të demonstratave, në mesin e tyre patëm edhe të vrarë, të plagosur, dhe të burgosur. Komenti i RTP-së i shkruar nga Rexhep Kasumaj, i pari shkrim i hapur i këtij lloji në gazetarinë e Kosovës kundër  politikës  serbiane të asja kohe, ishte një gjëmë për regjimin, dhe Komenti i Bashkim Ramadanit, për braktisjen e shqiptarëve nga Lidhja e Komunistëve, ishin dy maja të fjalës kryengritëse në Televizion. Në periudhën 1981- 1990, po edhe në vitet e pastajme, Kosova gjenocidohej vetëm për shkak të përkatësisë shqiptare. Njeriut tonë në atë kohë i digjej shpirti për atë që po ndodhte. Sa mbyllej një varr, hapej një varr i ri. Drejtësia për shqiptarët e shtypur dhe të poshtëruar, nuk ekzistonte. Njerëzit dënoheshin pse kishin një lope të kuqe dhe një të zezë. Shqiptarët në atë peridhë nuk gëzonin kurrfarë të drejtash. Harta e Kosovës në ato vite kudo kullonte gjak. Këtë e kemi parë dhe ndjerë të gjithë.

Në vitet 1981-1990 i gjithë sistemi komandues në Kosovë ishte në duar të pakicës serbe. Demonstratat e pandërprera të studentëve, Grevat e minatorëve, grevat e të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet serbe, diferencimet në ndërrmarrje dhe shkolla,vrasjet e ushtarëve shqiptarë në ushtri, maltretimet e çdoditshme, helmimi i nxënësve, dhe poshtërimi i shqiptarëve vetëm pse ishin shqiptarë, bën që zëri i fjalës kryengritëse dhe fotografisë në Televizion të jetë më i hapur dhe më i drejtpërdrejt.

Marshi i madh i popullit, ose bashkimi i popullit për të mbijetuar në trojet e veta, ishte një heroizëm i paparë i popullit tonë. Ato pamje epiko-tragjike mbeten të papërsëritshme. Televizioni i Prishtinës në atë kohë kudo ishte me popullin. Ekipet e televizionit brenda dhe jashtë studios në teren, bënin punën e duhur. Punonim ditë dhe natë. Koha s´priste për asgjë. Jugosllavia pritej të shpërbëhej. Çarja dhe thyerja e Jugosllavisë ( u pa ) ishte e përgjakshme. Inflacioni, nacionalizmi serbomadh dhe luftat nga ato çarje e thyerje, do ta shuanin përgjithmon Jugosllavinë, atë krijesë të komanduar nga serbët hegjemonist.

Në gjithë atë katrahurë, Kosova do paguaj çmimin më të lartë; 17 mijë të vrarë, mbi 1 milion të ndjekur dhe të dëbuar, mbi 1 qin mijë shtëpi të djegura, 25 mijë vajza e gra të dhunuara, dhe një popull i tërë i plaçkitur dhe i poshtëruar, nga ata që vrasjen kishin mësim. Në tërë atë ndodhje, TVP-ja bëri atë që duhej bërë, u mbështet fort në krahët e popullit.

Kontributi i Televizionit të Prishtinës, dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, është për t´u vlerësuar. Ne s´bëmë asgjë më shumë se sa kërkonte vullneti i popullit,  TVP-ja ra dëshmor si gjithë dëshmorët e kombit. TVP-ja u rrah, u ndëshkua, u vra, dhe u burgos, dhe më në fund u mbyll për veprimtarinë e saj patriotike, nga një desant që i bëri Ushtria Jugosllave. Prandaj, Unë kujtoj se TVP-ja dhe rreth 500 punëtorët e saj, e meritojnë një vlerësim institucional dhe një pllakë përkujtimore për kontributin e TVP-së, dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Publik i nderuar, rrugën nga kemi ardhur, askush s´ka forcë që ta mbyllë. Ajo rrugë e bërë me vuajtje jete, me dhimbje burgu, me ekzekutime aty për aty, me ndjekje dhe dëbime, me poshtërime e mërgime të detyruara, ngre pyetjen; sa thellë i ka hyrë dhimbja e plagës në trup njeriut tonë, popullit tonë. Gjenocidi i padënuar serb në Kosovë, le të hapur konfliktin me shqiptarët e më gjerë.

Unë kujtoj shprehet Rexhep Kasumaj, se ka një heshtje të çuditshme kombëtare për atë  periudhë të lavdishme të rezistencës sonë. Vërtet, harrimi i asaj rruge, nga kemi ardhur, nuk i bën nder, as RTK- së, as udhëheqjes së saj “harruese”. Deshën apo s´deshën RTK-ëistët, RTK-ja, rrënjët i ka në RTP, në dëshmoren e fjalës kryengritëse. Duhet thënë, se brenda RTK-së është një arkiv i tërë, i trashëguar nga TVP-ja, e që i jep frymëmarrje çdo televizioni!..Eseja për Fjalën Kryengritëse në RTP vazhdon!..

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dortmund, fjala kryengritese, ne Televizion, Prishtine, Rexhep Geci

I ftuar ne Sofren Poetike te Diellit: Qazim Shehu

December 20, 2013 by dgreca

BLERIMI I POETIT/

QAZIM D.SHEHU/

Kur blerimi më afron pranverën për fejesë,/

Më vjen Esenini , emër kujtesë./

Ky margaritar i poetëve ,lirik që buis,/

Më sillet rreth netëve me vargun që ngjiz/

Ndjenja e mendime, brenga pakufi,/

Teksa kërkon nënën mbështjellë me shall të zi,

Teksa kërkon vajzën që iku dhe s`u kthye,

Kur s`kupton Leninin e ikën nëpër pyje.

Kohë s`ka dhe natyra për ç`pati më të mirë,

Ia dha kaçurrelit ;dhe fat të vështirë,

Zoti seç i dha,u gjethërua bejroza e prapë u tha,

Veç vargu i poetit bleroi në dhjetra vjet,

Dhe frymë marrin pyjet me një fllad të lehtë,

Dhe pret në funde muzgjesh një mall pa kufi,

Them korie e në çdo dru fytyra e tij rri…

 

+++

Prej ëndrrash tutesh,nga ëndrrat mos kij frikë,

Ëndrra është krijuar e keqja të ikë.

Është ëndërruar me kohë nga njeriu i parë,

Ëndërrohet dhe sot, sikur të mos ketë ndodhur,

Nga ëndrrat njeriu nuk ndihet i lodhur.

Po mos ishin ato, planeti s`do kish orbitë

Netët s`do sillnin netë dhe ditët ditë,

Po mos qenë ato s`do shkruheshin këto vargje,

Vargjet të gatuhen si brumi në magje.

Thellësitë s`do dukeshin asnjëherë,

Atje ku shikimi hidhet pa prerë….

 

LOTI

 

Ta përvetësova lotin e dashurisë e shkrova

Me të një baladë.Loti i hidhur i mati caqet

E ndezura në flakë.Dhe nata u bë më e bukur,

Dhe dita më e bukur u bë.Veç ajo dashuri s`është më.

Mbetet veç dashuria dhe balada, dashuria tjetër

Që në gjurmët e së parës ecën nëpër të….

+++

Po të zhvishja si një kalli në netët hënore,

Apo në agun kur dielli mëngjesin shtyn,

Kokrrat e hireve të tua do binin si brilante,

Mbi vesën që ankthin mbyt e mbërdhin.

Si  dielli vesën shkrin ashtu afshi im ,

Të gjitha do i shkrinte  … deri në mbarim

 

LISI DHE PËRROI

Fjalë të ujit kullot,shkruan mbi lëkurë të ashpër

Gjithë fjalët e gurgullimave me tepri.

Shkruan e ç`nuk shkruan mbi lëkurë,

Gjithë misteret e rrugës dhe brengat që pëlcitën.

Të gjitha i mblodhi në lëkurë.

Vetëm lojën e fjalëve s`mundi ta kuptojë kurrë.

Si lojën e grave që s`e kupton një burrë….

 

PËRVOJË

Të quhet rrospi, farmak,

Mos vallë e ka hak?

Të quhet diell, lumë, det,

Mos vallë përmbytjen e do vetë?

Kjo botë…

Duhet parë mirë.

Ndoshta një herë duhet zhdukur,

Për t`u rikrijuar më e bukur…

 

 

Filed Under: Featured

Buçpapaj ka një jetë që i bie me çekiç mureve që ndajnë

December 20, 2013 by dgreca

Nga Rrustem Geci – Dortmund/

Libri i Skënder Buçpapajt, „Frikë nga atdheu“ është një thirrje hyjnore e mbijetesës poetike e cila është e nevojshme në kohën tonë më shumë se kurrë, për të mbajtur gjallë diellin në vargjet tona. Shkrimtari, publicisti dhe eseisti Skënder Buçpapaj është vendali i Tropojës epike. Ai ia njeh nga afër zemrën Shqipërisë, dhe frymën ajrit që Shqipëria e konsumon. Buçpapaj një disident malsor nga gjigantet e alpeve shqiptare, ka një jetë që i bie me çekiç mureve që ndajnë!../

Nuk jam as Platoni as Jezui, por një shkrimtar që do udhën për tek nëna, tek gjiri i saj, tek jeta e saj, tek Gjylë Buçpapaj. Me këtë parathënie poetike hapet libri i shkrimtarit, Skënder Buçpapajt ”Frikë nga atdheu”. Brendia e poezisë të Skënder Buçpapajt, është poezi e gjerë, e thellë, me leksik dhe figurë shumë të pasur.

Në poezinë „Tamël zanash“, poeti Buçpapaj, na e shfaq gjithë fuqinë e tij poetike, njeriun poetik të truallit tonë. O shpirti im që tymon;Hënën e marrin nëpër fletët e aheve / dhe e shndërrojnë në tamël zanash / nëpër krojet fund ashté…tamlin e zanave foshnjat e pinë…Vargje vërtet të bukura, të përkryera, perla. Evat e sotme vazhdon poeti, janë të krevatëshme,../ ato e dinë se në parajsë, ai që i ka falë do t´i presë pa asgjë…

Libri poetik i Skënder Buçpapajt „Frikë nga atdheu“ është i konceptuar në shtatë cikle, dhe brenda ka 210 poezi. Gama poetike në poezinë e Skënder Buçpapajt është e gjerë. Arti poetik i Skënder Buçpapajt është i ngrohtë dhe mbresëlënës, epik dhe shpërthyes. Në poezinë „Ndërsjelltas“ poeti me lirikën më shqipe i thotë të vërtetës; Tani asnjë rrugë s´duhet të të sjellë te unë/ bëje të pamundurën që asnjëra prej tyre të të mos sjellë te unë / vërtiti nga të duash rrugët / ngatërroi si flokë një vit e më shumë të pakrehura / bëji lëmsh e hidhi në zjarr rrugët / edhe nëse betohesh se të gjitha të sjellin te unë / bëj të pabërën, shpik të pamundurën…/ vdis, zhvdis, jeto, çjeto / Mos shkel në asnjëren prej tyre / Të bëhem unë dëshmitar …

Në këtë poezi himn, poeti Buçpapaj, tregon se është gjigand në letërsinë tonë të bukur. Disa nga poezitë e Skënder Buçpapajt mund të quhen rrëfenja, rrëfenja poetike model. Në kohën tonë poezisë nuk po i shkojnë punët dhe aq mirë. Ajo here-herë qan, i dalin lot. Tyrifilët, ata që e zgjyrin fjalën e shenjtë të poezisë, e ndotin me gjithfarë baltërash, ata janë bijtë e mjegullave të palara,.. Rrukë, Mrrukë, dhe Ndrrukë…Poezia e Skënder Buçpapajt është poezi e mirëfilltë, poezi e cilësisë së lartë, poezi e idesë së luleve. Në poezinë „Rrugës së ashtës“ poeti Buçpapaj na shpie në një ambient të virgjër poetik. Rrugës së ashtës / kam shkuar shpeshherë / pa më vënë re…të takoj… popullin e ashtës,..ketrat, arinjtë, zogjtë, zvarranikët, krimbat.. Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është krejt e veçantë nga poetët e tjerë. Duket e thjeshtë, por shumë diell dhe jetë ka brenda. Ndërsa, në poezinë „Guri kalbur“, Buçpapaj bën një gjetje të shkëlqyer, dhe përdorë një figurë krejt të veçantë nga poetët e tjerë. Në fund të kënetës ushqen klorofilën e lëmashqeve / Në zemër i lëshon filiz ëndërra/ ëndërra e shëndërrimit në baltë…

Ndryshimi mes idesë së luleve dhe gurit të kalbur është se as  lulja dhe as guri nuk kanë as kujtesë, as kohë. Realizimi poetik i autorit këtu është i përkyer. Dramaturgjia poetike e figurave; Rrukë, Mrrukë, Ndrrukë, shkruar nga autori Buçpapaj, është një gjetje  nga më të realizuarat në poezinë moderne shqipe. Librin „Frikë nga atdheu“ unë e bleva para pak ditësh në Prishtinë. Dhe jam i befasuar për të mirë me vlerën poetike të librit. Meqenëse librit i kam bërë dy lexime, vlerësimet e mia kanë të bëjnë me një libër vërtetë të arritur.

Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është nga më befasueset. Në poezinë, “ Nëpër fletët e aheve”, po edhe në poezi të tjera, poeti ka zgjedhur një ambient të paprekur poetikisht. Askund  më të kulluar / se në fletët e aheve / agimin nuk mund ta kemi / prandaj, kullojeni nën kullojsen / e fletëve të aheve… Kjo ese është një ftesë për të hyrë në brendësi të librit, në brendësi të shpirtit të poetit. Z. Skënder Buçpapaj, urime për këtë libër të arrirë. Presim edhe poezi të tjera nga ty. Shëndet e jetë të gjatë, o i madhi poet!

 

Filed Under: Featured Tagged With: Rrustem Geci, Skender Bucpapaj

New Jersey : Ministri Makolli hodhi idenë për rrjetëzimin e bizneseve të diasporës

December 20, 2013 by dgreca

Makolli : :” Ka ardhur koha që niveli i organizimit tonë në realacionin vendëlindje – diasporë të avancohet. Në mënyrë që të eci në hap me kohën duke faleminderuar edhe potencialit që kemi famirësisht sot në diasporë.”/

Nga Beqir SINA/ Nju Xhersi/

SUMMIT – NEW JERSEY : Ky konceptim për krijimin e një rrjeti të përbashkët “Rrjetëzimi i bizneseve të diasporës në Diasporë”, ka nisur duke pasur parasyshë se Kosova, dhe Shqipëria, si dhe viset e tjera shqiptare në Ballkan, kan një numër të madh të qytetarëve, që me dekada jetojnë në vendet e tjera, kryesisht në Evropë, Amerikë, por edhe më gjerë. Ky konceptim e shikon diasporën shqiptare si një pasuri për Kosovën, Shqipërinë, vendorigjinën e shqiptarve në Mal të Zi, Maqedoni, dhe Luginën e Preshevës.

Prandaj iniciativa është nga Qeveria e Kosovës e cila thotë se synon ta kultivojë atë, të ofrojë kushte për t’i mbajtur lidhjet e saj me vendin e origjinës, si dhe t’ia bëjë më të lehtë përfshirjen e Diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit, duke krijuar një bazë ligjore që e hap rrugën për ta stimuluar dhe për ta mobilizuar diasporën tonë kudo në botë.
Mbasi dihet se Diaspora ka kontribuar në faza të ndryshme të historisë së Kosovës, Shqipërisë dhe vendorigjinës së saj, prandaj ka merita të mëdha në mirëqenien e shoqërisë shqiptare dhe në ndërtimin e zhvillimin e Kosovës dhe Shqipërisë dy shtetet shqiptare në Ballkan.

Në kuadër të axhendës së tyre, delegacioni nga qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Diasporës u ndal mbrëm në Summit – New Jersey, ku u mbajt një takim me një grup afaristësh, biznesmen dhe veprimtar të komunitetit, për të shpalosur idenë në prag të Konferencës, që mbahet nesër me moton “Rrjetëzimi i bizneseve të diasporës në Diasporë”.

Konferencë, e cila sipas tyre ka si qëllimi të saj krijimin e një rrjeti të përbashkët të bizneseve shqiptare në botë. Konfrenca e së shtunës në Royal Regency Hotel në Yonkers New York, do të  mbahet nën kujdesin e Ministrisë së Diasporës, Ministrit Ibrahim Makolli, përkatësisht, Departamentit të Hulumtimeve dhe Përkrahjes së Investimeve, drejtorit të departamentit, z.Naim Dedushaj, në kordinim ky edhe me MZHE-në, MTI – IPAK, Odën Ekonomike Amerikane, UNDP-në dhe IOM-in, si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Agjencinë për Promovimin e Investimeve (MTI), Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Ambasadën e Kosovës në Gjermani, UNDP-në dhe me IOM-in.

“Këtë lloj përvoje, tha në hapje të këtij takimi drejtori i departamentit, z.Naim Dedushaj,  Departamentit të Hulumtimeve dhe Përkrahjes së Investimeve, pra duke krijuar një shoqatë të këtill, të përbashkët e kemi konceptuar, duke menduar se dotë ecim më përpara ddhe ndjekur përvojën e nisur së pari në Zvicër, Austri e Gjermani, ku është edhe numëri më i mdha i mërgatarëve tanë, por edhe në vende të tjera të Europës, për t’a shtrirë edhe këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Takimi mbrëmshëm u iniciua nga Ministri i Diasporës zoti Ibrahim Makolli dhe zoti Naim Dedushaj , drejtor i departmentit me një grup biznesmenësh, afaristeësh dhe veprimta të komunitetit:

Ministri Makolli i nisi fjalën e tij, duke përshëndetur dhe faleminderuar diasporën shqiptare në Amerikë. Ai me këtë rast ka sinjifikuar emrin e Ambasadorit Bekim Sejdiu – Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, i cili tha Makolli “personifikon lidhjet e mira, që ka ai me shqiptarët e Amerikës, dhe punën e madhe që ka bërë në komunitetin shqiptarë. Kurse, në emër të pjesmarrësve, Ministri Makolli iu drejtua mërgimtarit më të vjetër, veprimtarit të njohur të komunitetit z. Musli Mulosmani, të faleminderojë të gjithë pjesëmarrësit”

Në takimin e mbrëmshëm Ministri Makolli, nënëvizojë se ” besoj që së bashku me angazhmin e gjithë secilit nga ne, disa gjëra që sot ndoshta për arsye të ndryshme na duken të pa mundura, nesër do të bëhen realitet – Dhe, në këtë besoj shumë për shkak se e kaluara jonë tregon se ” aty ku e kemi filluar diçka, kemi pas edhe rezultate edhe me sukses në bazë të potencialeve dhe mundësisve tona”.

Ai shprehu bindjen se në këtë kohë, që jemi nuk do të ketë sfida të na pengojnë në rrugën tonë, mbasi e kemi theksuar, edhe më parë tha Makolli, së bashku me ju në 100 vjetorin e themelimit të  Vatrës dhe 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë se :”Ky shekull është shekulli i Shqiptarëve”.

Në shpalosjen e kësaj ideje para takimit të së shtunës Konferencën “Rrjetëzimi i bizneseve të diasporës në Diasporë”, Minsitri Makolli, i cili shoqërohet edhe nga një grup afaristësh dhe biznesmenesh shqiptar nga Gjermania, Zvicra, dhe Austria, tha se  se i kan kaluar të gjitha fazat e organizmit dhe se në mërgatë, janë duke punuar për të qenë në një fazë kohore, ku për shkak të rrethanave të reja edhe me vendin e origjinës, por edhe me vendin ku shqiptarët në diasporë jetojn dhe punojn. Sipas parimit se :” Ka ardhur koha që niveli i organizimit tonë në realacionin vendëlindje – diasporë të avancohet. Në mënyrë që të eci në hap me kohën duke faleminderuar edhe potencialit që kemi famirësisht sot në diasporë.”

Duke parë atë se Mërgata shqiptare në Amerikë, vazhdon të jet e lidhur drejtëpërdrejt me të gjitha hallet e problemet e vendit për nga vjen – dhe duke demostruar në të gjitha kohërat e saj proukupim dhe përpjekje të mëdha për ti zgjidhur ose ndihmuar ato në të gjitha hallkat e saj , Ministri Makolli, u shpreh  se :” Qëllimi ynë është se duhet së pari t’i krijojmë këto rrjete biznesesh me shqiptarët në diasporë, kudo qofshin ata dhe më pastaj t’i lidhim ato në një bazë, e cila do t’ua mundësojë edhe funkcionimin – duke shpërndar përvojën dhe eksperiencën e njëri tjetrit .”

Kështuqë, mërgimtarët në Euopë, sipas tij të ken se çfarë të mësojnë e japin në Amerikë dhe ansajelltas ata në Europë të ken se çfarë të tregojn dhe merrni nga njeri tjetri. Mbasi kjo përvojë dhe eksperiencë e mirë është shumë e nevojshme në zhvillimin e Kosovës Shqipërisë dhe vend-origjinës, tha ai.

Në fund Ministri Makolli, sqaroi se me këtë konceptim për krijimin e një rrjeti të përbashkët gjithë shqiptar “Rrjetëzimi i bizneseve të diasporës në Diasporë”, në asnjë mënyrë :”Nuk kemi për qëllim që të bëjmë thirrje “ejani invistoni në Kosovë”, mbasi kemi si parim që kudo të investohet nga shqiptarët në vendlindjen e tyre është i njëjtë. Qoftë në Uqin apo Plavë e Guci, Luginën e Preshevës, Tetov, Dibër dhe Shkup, apo në Kosovë dhe Shqipëri, pa pasur ndonjë përcaktim specifik në orientimin tonë në fushën e biznesit dhe investimeve.”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Makolli, rrjetezimi i bizneseve, shqiptare en diaspore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 787
  • 788
  • 789
  • 790
  • 791
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT