• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reciprociteti, sherbimi inteligjent serb dhe ndikimi i Rusisë

September 25, 2021 by s p

PhD Dritan Demiraj

Duke ndjekur me vemendje ngjarjet dhe protestat e paligjshme te shtetasve te Republikes se Kosoves me etni serbe, te organizuar dhe dirigjuar nga sherbimet inteligjente serbe, deklaroj se perfshirja qe nga mbremja e djeshme e mercenareve me precedent kriminal dhe background militar me origjine nga Rusia nuk ndihmojne ne zgjidhjen e situates se tensionuar ne kufirin verior te Kosoves. Nderkohe qe mbeshtesim ne maksimum vendimin e kryeministrit Kurti, per zbatimin e parimit demokratik te reciprocitetit i bejme thirrje autoriteteve dhe sherbimeve destabilizuese sekrete dhe trupave te xhandarmarise serbe te mos provokojne forcat e policise se Kosoves. Prania e mercenareve ruse te cilet perdoren nga administrata e Rusise per te destabilizuar ne vazhdimesi si ne rastin e zgjedhjeve ne Maqedonine e Veriut, ne Malin e Zi dhe ne vende te tjera te Ballkanit, tregon se Beogradi e ka shume te veshtire te distancohet nga ndikimi dhe urdherat e Rusise ne rajon. Ky eshte nje fakt shqetesues te cilin qeveria e Kosoves dhe e Shqiperise duhet ta denoncoje kete shkelje te sovranitetit ne te gjithe forumet dhe organizatat nderkombetare. Ne te njejten kohe edhe diaspora shqiptare ne Amerike do te beje çdo perpjekje per informimin dhe sensibilizimin e administrates amerikane dhe Kongresin Amerikan ne lidhje me veprimtarine destabilizuese te Rusise dhe Serbise ne Kosove. Si perfundim, mbeshtesim me force policine e Kosoves si dhe i bejme thirrje te gjithe faktorit shqiptar per te ruajtur qetesine dhe per te kontribuar ne zgjidhjen e shpejte te mosmareveshjeve ne pikat kufitare me Serbine duke respektuar mareveshjet dhe rregullat nderkombetare sipas standarteve Europiane dhe demokratike.

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan demiraj

MARRËDHËNIET SHQIPTARO-ITALIANE DHE INVESTIMET E ITALISË GJATË PERIUDHËS SË AHMET ZOGUT

September 25, 2021 by s p

Dr. Paulin MARKU

Marrëdhëniet dypalëshe, Shqiptaro-Italiane janë të hershme. Ato datojnë shume më parë se Shqipëria të shpallej e lirë dhe e pavarur. Italia ishte e lidhur ngushtë me Çështjen Shqiptare edhe gjate periudhës së Ahmet Zogut. Arsyet ishin të ndryshme: së pari, strategjike e gjeografike për shkak të pozicionit gjeografik për të siguruar sigurinë Kombëtare, pasi me përforcimi e kufirit, Italia forconte pozitat dhe parandalonte çdo depërtim të mundshëm nëpërmjet detit; së dyti, për shkak te investimeve ne fusha te ndryshme ne vend, duke i kushtëzuar Shqipërisë, një lloj varësie financiare e institucionale ndaj Italisë; së treti, për shkak të lidhjeve të hershme dhe të interesave personale qe kishte ndaj Shqipërisë, si dhe të lakmive të vazhdueshme të Fuqive të Mëdha dhe të Shteteve Ballkanike për të fituar epërsi dhe shtrirje në bregdetin shqiptarë, te cilat shkonin ne kundërshtim me interesat e Italisë.

Marrëdhëniet dypalëshe midis popullit shqiptar dhe atij italian janë të hershme dhe luajtën rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit tonë. Këto marrëdhënie u forcuan gjatë periudhës kur në krye te Shtetit Shqiptare ishte Ahmet Zogut. Një vend te rëndësishëm ne zhvillimin e Shqipërisë zënë investimet e kapitalit italian, ku bashkëpunimi ishte evident dhe dora e investimeve italiane gjendej në fusha të ndryshme. Mund te përmenden disa prej tyre, si: ngritja dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë, themelimi dhe ngritja e sistemit bankar e financiar, marrëdhëniet tregtare. Ndikim të rëndësishëm pati dhe në ndërtimin e sistemin urbanistik-arkitekturor, kulturore e fetare, te cilat ndikuan në zhvillimin shoqërore ne Shqipëri.

Bashkëpunimi dhe investimet italiane ne Shqipëri pati dhe ne fushën politiko-diplomatike, doganore ne shkëmbimin eksport-import midis dy vendeve, ne infrastrukture rrugore për ndërtimin e rrugëve dhe te urave për te mundësuar lëvizjen e njerëzve ne zonat e thella rurale. Investimet e Italisë nuk mbeten vetëm me kaq, ato u shtrinë edhe ne fushën e bujqësisë ku kontribuan ne sistemin e drenazhimit te këneta dhe te sistemit kullues për ti kthyer ato ne toka bujqësore pasi një pjese e madhe e shoqërisë shqiptare jetonte me te ardhura nga sektori i bujqësisë e blegtorisë. Te gjitha këto investime, jo vetëm ishin jetike për institucionalizimin e Shqipërisë por ndikuan drejt për drejt ne zhvillimin e vendit dhe te popullit shqiptar ne periudhën e Zogut.  

Gjatë viteve 1925-1939 pushteti ishte i përqendrua ne duart e Ahmet Zogut dhe Italia ishte një partner i rëndësishme strategjik e ekonomik qe ndikoi drejt për drejt në zhvillimin e Shqipërisë në fusha te ndryshme për ndërtimin e godinave qeveritare, linjat detare e ajrore. Mund te përmendim, përpos investimeve ekonomike-financiare gjatë procesit të ndërtimit dhe të konsolidimit te shtetit shqiptar, rendësi pati edhe ne zhvillimin e ushtrisë e xhandarmerisë, si dhe ne arsim e kulture. Po ashtu, Italia u investua ne ngritjen dhe themelimin e sistemit bankar, konkretisht atë të ngritjes së Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ku një rol kyç pati themelimi i SVEA-as. Pra, mund të pohohet se vendi fqinj investoi gjerësisht ne Shqipëri dhe luajti rol kyç ne disa fusha kryesore për zhvillimin e vendit. Pati dhe momente kur marrëdhëniet midis Zogut dhe Musolinit u ftohen dhe mund te thuhet se Shqipëria u përball me sfida te vështira financiare-ekonomike dhe më gjere. Vlen te përmendet mos rinovimi i “Paktit te Tiranes” dhe pozitat e Zogut me Italinë u ftohen dhe për pasoje gjendja u përkeqësua ne Shqipëri. 

Procesi i Shtet-Ndërtimit dhe konsolidimit të Shqipërisë në Arenën Ndërkombëtare lidhet ngushtë me figurën e Ahmet Zogut. Kjo për shkak se Zogu mbajti poste të rëndësishme gjatë procesit të shtet-formimit si: Kryeministër në vitet (1922-1924), President (1925-1928) dhe mbret i shqiptarëve (1928-1939) deri në pushtimin e Shqipërisë, 7 prill 1939 që përket dhe me largimin përfundimtar nga vendi. Solla në vëmendje këto tre etapa për të analizuar rolin dhe ndikimin e Italisë në Shqipëri pasi përpjekjet e shtetit shqiptar për të ndërtuar institucione dhe për të zhvilluar ekonominë në vend ishin të vazhdueshme dhe pa padyshim ndihma e shteteve të huaja ishte e domosdoshme.

Në dhjetor të vitit 1922, sapo Ahmet Zogu emërohet kryeministër i Shqipërisë, ai delegoi Jak Koçin për të biseduar me qeverinë italiane. Ai arriti të rivendosë kontakte me përfaqësuesin e qeverisë, Alessandro Lessona, i cili iu përgjigj pozitivisht kërkesës së kryeministrit Zogu dhe se ai kishte ardhur fshehurazi në Shqipëri për të takuar Ahmet Zogun në çifligun e tij në Mat. Më tej thuhet se ata biseduan për ngritjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinjë me objektivave konkrete. Ky takim shërbeu edhe si një urë lidhëse ndërmjet Zogut dhe qeverisë së Italisë të kryesuar nga Benito Mussolini.

Ahmet Zogu shprehej se duhet të ngriheshin ura bashkëpunimi me ndërkombëtarët. Në një prej fjalimeve të mbajtur në parlament, Zogu ishte shprehur se “vendi ynë duhet të ketë marrëdhënie të mira me vendet fqinj, gjithashtu ne duhet t’i respektojmë dhe të kërkojmë që edhe ata të na respektojnë”. Ahmet Zogu iu bënte thirrje të huajve që të kontribuonin në zhvillimin ekonomik, institucional të shtetit si dhe social-kulturore.

Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Itali kishin filluar në mënyrë konvencionale me traktatin e tregtisë dhe të lundrimit të nënshkruar më 20 janar 1924. Këto marrëdhënie u pasuan me paktin e stabilizimit dhe atë konsullor që u nënshkrua në Romë në shkurt të vitit 1924. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga përfaqësuesit Fuqiplotë të dy vendeve: për Italinë Benito Musolini dhe nga pala  e qeverisë shqiptare ministri i Financave Kol Thaçi dhe ish ministri Fejzi Alizoti.

Nga fillimi i vitit 1925, Musolini kishte dalë prej problemeve të brendshme dhe ishte shprehur pozitiv për të depërtuar në Ballkan. Nga ana e tij Zogu shprehte gatishmëri që të ngrinte ura bashkëpunimi me Romën zyrtare. Qeveria shqiptare nënshkroi në mars të vitit 1925 një konventë me një grup financiar italian. Marrëveshja e nënshkruar ishte mjaft e favorshme për shtetin e Italisë, ndërsa për Shqipërinë ishte mjaft e kufizuar. Duhet të theksoj se në ato kushte ekonomike që ishte vendi, Zogu e kishte të detyruar të pranonte marrëveshjen sepse duhej t’i jepte një impuls rimëkëmbjes ekonomike në vend. Pjesë e këtij grupi financiar ishin shumë banka italiane me potencial të lartë financiar për të investuar në Shqipëri. Pra, falë bashkëpunimit dypalësh, më 12 shtator 1925, u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë që ishte e domosdoshme dhe mjaft e rëndësishme për ekonominë e vendit. Banka mori të gjitha të drejtat ekskluzive të emetojë kartëmonedha*. Selia administrative e bankës ishte në Romë, selia qendrore në Tiranë, ndërsa filiale u hapën në qytete të ndryshme të vendit si: Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Sarandë. Banka e Emetimeve ishte ajo që krijoi kartëmonedhën shqiptare. Një kompani italiane siguroi një kredi prej 50.000.000 fr. ari për t’i investuar në punët publike.

Po ashtu një tjetër institucion mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për kohën ishte dhe krijimi i Società per lo Sviluppo Economico dell’Albania (Shoqëria e Zhvillimit Ekonomik në Shqipëri) (SVEA)**. Ajo u krijuan në vitin 1925 dhe luajti rol kyç në ngritjen e ekonomisë dhe në zhvillimit e shoqërisë në Shqipëri. Me miratimin e Paktit të Tiranës në vitin 1926 dhe zgjerimin e tij në vitin 1927 midis dy vendeve, marrëdhëniet Shqipëri-Itali vazhdonin të intensifikoheshin në rritjen e vazhdueshme të shkëmbimit të mallrave dhe të investimeve në vend. Italia e pa të domosdoshme të investojë në bonifikimin e tokave dhe t’i kthejë ato në tokë buke. Duhet të theksojmë se një pjesë e mirë e tyre ishin këneta, moçale apo të pamundura për t’u shfrytëzuar. Po ashtu për të rritur rendimentin dhe cilësinë e prodhimit duhej të sistemoheshin kanalizimet dhe sistemi i kullimit të arave dhe kërkohej investime në shfrytëzimin e pyjeve. Gjatë viteve 1925-1928 u ngritën disa ferma bujqësore me kapital italian. Ndër fermat më të rëndësishme të kohës ishte EIAA në Sukth të Durrësit, krijuar në vitin 1926 me kapital prej 18.200.000 lireta italiane apo 2.926.045 të kthyera në fr. ari, ferma Luka Mimbellit në Aliko të Delvinës, SAPIA në Ysberisht të Tiranës etj… . Ndërhyrja e Italisë nuk ishte vetëm për të monopolizuar tregun shqiptar, ajo synonte të lehtësonte gjendjen në vend nëpërmjet rritjes së infrastrukturës dhe prodhimin vendas. Qeveria italiane mbështeti projektin e qeverisë shqiptare, të miratuar në fund të marsit të vitit 1926 të klasifikuar në gjashtë fusha: rrugë e ura; bonifikime tokash e kanale kullimi; ndërtesa qeveritare; porte; si dhe në përmirësimin e kushteve bujqësore duke bërë të mundur shfrytëzimin e tokave. Në projektin e qeverisë parashikohej edhe ndërtimi i molit të portit të Durrësit që kushtonte 8 milion fr. ari, pastaj nëse do të ishte e mundur investime do të kryheshin edhe në porte të tjera.

Nga huaja e marrë Italisë, pjesë e listës së punëve publike ishte parashikuar ndërtimi i shumë objekteve qeverisëse si: rezidenca presidenciale, parlamenti, gjashtë struktura ministrie, prefektura, komanda e xhandarmërisë, komanda e forcave të armatosura, spitali i përgjithshëm, pallate në shërbim të qeverisë, një shkollë e mesme për femra si dhe do të riparoheshin të gjitha ndërtesat ekzistuese. Për realizimin e këtyre projekteve publike ishte parashikuar një kosto totale prej 4.535.000 fr. ari.

Këtu do te rendisim disa vepra te rëndësishme publike të ndërtuara në periudhën e Ahmet Zogut, të cilat patën mbështetjen financiare dhe u angazhuan inxhinier e arkitekt italian në realizimin e tyre

  • Rruga: Shkodër-Pukë me dy ura të mëdha, njëra në Pistall 27,80 metra dhe tjetra në Vaun e Dejës mbi Drin, 209,94 metra;
  • Rruga Krujë-Burrel;
  • Rruga Tiranë-Elbasan, me tri ura të mëdha;
  • Rruga Durrës-Tiranë përbri hekurudhës me një urë të madhe mbi lumin Erzen me gjatësi 71,60 metra;
  • Rruga Lushnjë-Brostar;
  • Ura me Harqe, ose siç quhet edhe ndryshe “Ura e Zogut” mbi lumin Mat me 148 metra;
  • Ura Uraka me 124 metra;
  • Ura Shoshi me gjatësi 85 metra;.
  • një tjetër urë ajo e Limuthit 39 metra;
  • Në total investimet në infrastrukturë rrugore llogariten rreth 275 km rrugë të ndërtuara dhe 1500 km rrugë të rikonstruktuara;
  • Vlejnë të përmenden këtu edhe transporti detar dhe ajror që u zhvillua me ndihmën e Italisë;

Në vitin 1931 qeveria italiane i ofron mundësinë e një borxhi prej 100.000.000 milion fr. ari dhe vendi ynë duhet t’ia shlyente borxhin Italisë me dhjetë këste nga 10.000.000 milion në vit. Kushti i Italisë ishte që këto të holla të investoheshin për bashkëpunim doganor me pretendimin për të rritur ekonominë e dy vendeve. Por kjo nismë nuk u finalizua me sukses pasi mbreti Zog e shikonte të papërshtatshme bashkimin doganor dhe ndërhyrjet e potencialit italian në çdo fushë. Kjo ishte dhe një ndër arsyet e mosrinovimit të Paktit të vitit 1926, 1927 që shkaktoi një krizë të thellë në vitin 1932 mes dy vendeve dhe i shkaktoi mjaft probleme politike e ekonomike mbretit Zog. Por pas shumë diskutimesh, qeveria italiane, me në krye Musolinin i erdhi në ndihmë shtetit shqiptar në shkurt të vitit 1935 duke i vënë në dispozicion 3.000.000 fr. ari për shlyerjen e pagave të prapambetura, pasi administrata, ushtria dhe shumë funksionarë publik nuk kishin marrë rrogat. Kishte prej atyre nëpunësve që ankoheshin se kishin afro gjashtë muaj pa marrë pagat.

Kontributi i Italisë në procesin e shtet-formimit dhe në vendosjen në shina të ekonomisë ishte jetik dhe evident në Shqipëri. Padyshim se gjatë viteve 1925-1939 Italia kontribuoi në ndërtimin dhe centralizimin e financave, në ngritjen e sistemit monetar dhe atë të Bankës Kombëtare në Shqipëri, me investime të ndryshme në porte, rrugë e ura, u shfrytëzuan pyjet duke i kthyer në faktor pozitiv për zhvillimin e ekonomisë se vendit, u bonifikuan disa hektarë tokë me sistem kullimi, u çelën puse, gjithashtu u gërmua në miniera.

Shume prej veprave te ndërtuara gjate kësaj periudhe i kane rezistuar kohës, ndonëse nje pjese e tyre janë amortizuar dhe lënë ne mëshirë te fatit apo shkatërruar me qellim, siç ishte rasti i stadiumit “Qemal Stafa” apo “Teatri Kombëtar” etj… .

Për ta mbyllur, mund të pohohet se investimet e Italisë ishin te shumta dhe jetike qe ndikuan në procesin e shtet-ndërtimit dhe në zhvillimin shoqëror e kulturore, si dhe në konsolidimit e Shqipërisë në Arenën Ndërkombëtare.


* Themelimi dhe administrimi i monedhës shqiptare pati jehonë të gjerë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ajo u kotua rregullisht në bursën e Triestes dhe të Milanos. Kursi i saj ishte 1 frang ari = 3,66610 lira italiane. Prerjet e kartëmonedhave ishin 1, 5, 20, 100 franga prej letre të konvertueshme në ari dhe një frang ari ndahej në 5 lek.

** SVEA: “Società per lo Sviluppo Economico dell’Albania”-( Shoqëria për zhvillim ekonomik në Shqipëri).

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Paulin Marku, MARRËDHËNIET SHQIPTARO-ITALIANE

VATRA U TAKUA ME PRESIDENTEN E KOSOVËS VJOSA OSMANI DHE MINISTREN DONIKA GËRVALLA

September 24, 2021 by s p

Sokol Paja

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra u takua me Presidenten e Republikës së Kosovës zonjën Vjosa Osmani, Ministren e Jashtme dhe të Diasporës Donika Gërvalla, Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Ambasadorin Frymëzim Isufaj, Ambasadorin Valdet Sadiku dhe ekipet shoqëruese diplomatike. Në takimin e pritjes në Konsullatën e Republikës së Kosovës në New York që Presidentja e Kosovës Osmani zhvilloi me diasporën shqiptare në USA, delegacioni i Vatrës përbëhej nga kryetari Elmi Berisha, Presidenti i Nderit Agim Rexhaj,  nënkryetarët Dr. Pashko Camaj e Besim Malota, anëtari i Kryesisë Anton Raja, anëtari i Këshillit Agim Alickaj, editori i Diellit Sokol Paja e vatranë të tjerë. Ceremoninë e pritjes dhe fjalën përshëndetëse e hapi Konsulli i Shtetit të Kosovës në New York, Ambasador Frymëzim Isufaj i cili falenderoi të pranishmit dhe u ndal në vlerësime të larta për rolin dhe ndihmën që diaspora e Amerikës ka dhënë për shtetin e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se: “Mërgata shqiptare në USA ka qenë dhe mbetet shpirti e zemra e shtetit e kombit tonë. Ju e keni mbajtur gjallë shtetin tonë në kohët më të vështira. Këtë e dëshmuat edhe në kohë pandemie, ju nuk na latë vetëm. Nga ju patëm çdo mbështetje dhe për këtë meritoni çdo respekt dhe vlerësim. Mërgata jonë e sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është mergata më e jashtëzakonshme. Potenciali i jashtëzakonshëm që ofron mergata jonë do të jenë në vazhdim një investim për shtetin e Kosovës mbi të gjitha. Institucionet e Kosovës të dala nga vullneti i qytetarëve të Kosovës ka ndyshuar kuadrin ligjor duke hequr shumë procese burokratike me qëllim që mergata të jetë e sigurtë dhe të ketë lëhtësira investimi në Kosovë duke filluar te eleminimi i barrierave, dhënie përparësie dhe siguri në investimet strategjike. Shteti i Kosovës do të angazhohet drejtëpërsëdrejti në mësimin shqip në diasporë. Shkollat shqipe në diasporë do të mirëmbahen nga shteti  i Kosovës. Shteti do të bëjë gjithçka që së bashku me diasporën gjeneratat e reja ta mbajnë të gjallë lidhjen më Mëmëdheun e tyre. Edhe qëndrat kulturore do të jenë më aktive. Jam këtu për t’iu falenderuar nga thellësia e zemrës. Ju kurrë nuk na keni lënë vetëm. Kontributi juaj si diapsorë për shtetin e Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm. Askush nuk mundet ta përshkruajë me fjalë. Mirënjohje për gjithçka që keni bërë” tha Presidentja Vjosa Osmani. Ministrja e Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla pasi falenderoi diasporën e Amerikës për kontributin e dhënë tha se: “Do identifikojmë nevojat dhe potencialin që qëndron në bashkëpunimin e ngushtë mes mergatës dhe institucioneve të Kosovës. Institucionet tona do të jenë të hapura dhe bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës me mërgatën do të jetë shumë i fortë, dhe nga ky bashkëpunim do të fitojë Kosova. Diaspora do të jetë e përfshirë në ndërtimin e institucioneve, nismave dhe projekteve konkrete me qëllim që të forcojmë e zhvillojmë Kosovën” përfundoi Ministrja Gervalla. Takimi vëllazëror zgjati deri në mbrëmje vonë ku u zhvilluan biseda miqësore dhe falenderuese për ndihmën që diaspora ka dhënë për shtetin e ri të Kosovës.   

Filed Under: Featured Tagged With: Donika Gervalla, Sokol Paja, Vjosa Osmani

SHKENCA, NANOTEKNOLOGJIA DHE DIASPORA SHQIPTARE

September 24, 2021 by s p

Nga Akademik Prof. Dr. Arben Merkoçi

Drejtor dhe Koordinator i institutit NANOALB pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Profesor ICREA dhe drejtor i Grupit të Nanobioelektronikës dhe Nanobiosensorëve, ICN2, Barcelonë, Spanjë

Shkenca shqiptare dhe nje model i ri i saj i mishëruar tek instituti NanoAlb ka mundësi te shumta por edhe kërkon mbështetje nga institucionet vendase dhe te huaja. Ajo kërkon mbështetje dhe beson tek ndihma qe mund te japë diaspora. Kongresi me i madh i nanoteknologjisë qe do te zhvillohet ne Tirane, nje shans për te futur vendet shqiptare ne hartën e shkencës botërore.

SHKENCA DHE RËNDËSIA E SAJ PËR SHOQËRINË

Shkenca është ajo qe merret me studimin e natyrës dhe shoqërisë duke ndjekur një metodologji te caktuar e cila është mjaft sistematike dhe mbi te gjitha e bazuar në dëshmi eksperimentale (shkencat natyrore dhe teknike) apo te dhëna te marra nga vëzhgimet, analizat e fenomeneve qe kane te bëjnë me shoqërinë (shkencat shoqërore).

Rezultatet e shkencës mund te shihen sot ne çdo aspekt te jetës sonë te përditshme. Është e pamundur ti shmangemi sot kaq shume produkteve dhe teknologjive te ofruara falë mundit te gjeneratave te shumta te shkencëtareve ne te gjithë boten. Ne ndeshemi ne fakt me produktet e shkencës ne çdo dite te jetës sonë duke filluar me çdo objekt qe kemi ne shtëpitë tona (nga produktet e higjenes tek paisjet elektroshtepiake etj.), veshjet qe perdorim (tekstile te ndryshme), mjetet dhe teknologjite e komunikimit (interneti, telefoni celular, radio, TV etc.), mjetet e transportit (makina, trena, avionë), teknologjite dhe paisjet ne spitale (ilaçet për kurimin e sëmundjeve, teknologjite e diagnostikimit, kirurgjisë etj.) e shume e shume shembuj te tjere nga ushqimet, bujqësia, mbrojtja/kontrolli i mjedisit dhe shume industri te tjera. Gjithçka kemi sot, ne se e mendojme pak me thelle, e ka burimin tek një studim shkencor i bere dikur, tek puna dhe pasioni i nje shkencetari qe sikurse çdo person tjeter mundohet te beje me te miren ne profesionin qe ka zgjedhur te ushtroje ne jete.

NANOTEKNOLOGJIA, ZHVILLIMET E SAJ NË TOKAT SHQIPTARE DHE NANOALB

Çdo teknologji e re qe lind mbështetet në shkencë, shkenca dhe teknologjia plotësojnë njëra -tjetrën. E tille është dhe nanoteknologjia, teknologjia e lindur, e mbeshtetur ne nanoshkencen, shkenca e cila merret me studimin e fenomeneve qe ndodhin kur materialet kane dimensione mjaft te vogla, dimensione te afërta me atë te një grupi te vogël atomesh. Imagjinoni nje meter ta ndajme ne njemije pjese, do te kemi nje milimeter. Ne se kete e ndajme perseri ne nje mije pjese te tjera do te kemi nje mikrometer dhe ne se kete perseri e ndajme ne nje mije pjese do te kemi nje nanometer. Nanometri para eshte nje e milionta e metrit (10-9 m). Eshte pikerisht kjo zona ku nanoteknologjia eshte e përqendruar dhe punon. Çfare ndodh me materialet kur ato kane dimensione te tilla, nanometrike? Si mund te perftohen/pergatiten materiale te tilla? Çfare interesi / aplikime kane keto materiale per shoqerine?

Nje shembull mjaft i njohur ne nanoteknologji eshte ari. Ne dimensionet nanometrike, ato qe quhen nanogrimca te arit gjejne perdorime nga me te ndryshmet. Keto grimca kane veti optike mjaft interesante duke i bere ato mjaft te dobishme ne shume aplikime duke perfshire edhe diagnostikimin e semundjeve. Nanogrimcat e arit jane ato qe perdoren sot ne testet e shpejte te COVID19. Jane pikerisht nanogrimcat e arit ne ato vizat e kuqe qe shikojme tek testi i COVID duke na lajmeruar per gjendjen e infektimit dhe marre masat me tej. Nje aplikim tjeter i nanoteknologjise i lidhur me COVID19 jane nanokapsulat qe perdorin ne disa nga gjeneratat e reja te vaksinave per te përmirësuar efikasitetin e tyre. 

Kerkimet shkencore ne fushen e nanoshkences dhe nanoteknologjise jane nga me te shumtat. Nje nga aspektet me interesante te nanoteknologjise eshte karakteri i saj multidisplinar. Nanoshkenca dhe nanoteknolgjia jane mjaft te lidhura me shkenca te tjera si kimia, biologjia, materialet, elektronika, mjeksia, informatika.  Kjo ka bere qe me zhvillimet e nanoteknologjise bashkepunimi midis fushave te ndryshme shkencore te marre nje hov te madh pasi shumica e zhvillimeve teknologjike, dhe sidomos ato qe kane te bejne me tema te rëndësishme si shendeti, mbrojtja e mjedisit etj kerkojne nje bashkepunim midis disiplinave te ndryshme shkencore. Nanoteknologjia paraqitet si një shkencë gjithëpërfshirëse duke e shtuar akoma edhe më shumë interesin në të gjithë komunitetin shkencor ne botë dhe me kete rast edhe në universitetet shqiptare kudo qe ndodhen.

Kerkuesit shkencore ne universitetet shqiptare prej vitesh kane treguar interes dhe praktikisht po kryejne kerkime shkencore edhe ne fushen e nanoteknologjise ose ne disiplina te aferta apo me interes per te. Per kete arsye eshte krijuar në fund të vitit 2019 NanoAlb, njësia a ngritur pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një njësi virtuale e cila perbehet prej 23 grupesh kërkimore shkencore që punojnë pranë universiteteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut (për më shume informacion shikoni: http://www.nanoalb.al/nanoalb/). NanoAlb synon të nxisë aktivitetet ekzistuese në ketë fushë apo edhe të nxjerrë në pah/zbuloj aktivitete të reja te lidhura drejtëperdrejtë ose jo me nanoteknologjinë. Mbi të gjitha NanoAlb synon të nxisë edukatën e bashkëpunimit të kërkuar nga një shkencë kaq multidisiplinore, dhe nga ana tjetër është një domosdoshmëri për të pasur sukses në kërkimin shkencor ne kete fushe.

Megjithe kushtet e veshtira per sa i perket infrastruktures dhe mungeses se fondeve te mjaftueshme te kerkimit shkencor, aktivitetet shkencore ne fushen e nanoteknologjise dhe mbi te gjitha entuziazmi i kerkuesve shkencore te NanoAlb në Universitetet e Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës jane per tu pergezuar. Këto aktivitete zhvillohen në departamentet pëkatëse të këtyre universiteteve si në departamentet e Kimisë (përdorimi dhe studimi i nanomaterialeve për përgatitjen dhe aplikimin e sensorëve dhe biosensorëve), Biologjisë (metodave të reja të analizës biokimike), Fizikës (materialet e avancuara), në Universitetin e Mjekësisë (medikamente të reja), Universitetin Politeknik (zhvillimi i metodave te reja të monitorimit të ndotësve të mjedisit, përdorimi i nanomaterialeve natyrale, aplikimet e tekstileve inteligjente etj.) etj. Aktivitetet shkencore të përmendura më sipër (për më shumë informacion shikoni: http://www.nanoalb.al/nanoalb/services.php) janë të lidhura direkt ose indirekt me nanoteknologjinë dhe nanomaterialet. 

NANOALB DHE STRATEGJIA E ZHVILLIMIT TË SAJ TË MËTEJSHËM

NanoAlb është tashme nje realitet ne kontekstin e universiteteve shqiptare. Ai eshte nje qender virtuale e cila synon të shndërrohet në një qendër të ekselencës e cila do të shërbej edhe si model për qendra të tjera. Qellimi i NanoAlb eshte ambicioz pasi bazohet ne nje plan te qarte mbi te gjitha bazuar ne talentet qe përbejnë grupet e saj dhe te tjere qe synon te terheqe ne te ardhmen. Objektivi i NanoAlb eshte ti shërbeje pozicionimit të Shqipërisë në këtë fushë kaq të rëndësishme duke u bërë lider në Ballkan dhe duke shërbyer si një urë bashkëpunimi me qendra të tjera të rëndësishme të nanoteknologjisë në Evropë dhe në botë.

NanoAlb synon te jape kontribute te rendesishme ne fusha me rendësi jetike në Shqipëri, Kosove, Maqedonine e Veriut e me gjere si diagnostikimi i sëmundjeve (duke përfshire epidemitë), analiza e ndotësve emergjente (metalet e rënda si mërkuri, plumbi, kadmiumi, pesticidet e përdorur në bujqësi dhe lëndëve të tjera kimike të rrezikshme për shëndetin e njeriut të përdorura në industri të ndryshme) dhe teknikat bashkëkohore përkatëse të kërkimit shkencor të lidhura me metodat e diagnostikimit me nanobiosensorë përveç aplikimeve te tjera industriale.

Nga ana tjeter, duke ndjekur modelin e nje qendre ekselence sikurse Instituti Katalan i Nanoshkences dhe Nanoteknologjise dhe Rrjeti i Qendrave te Kerkimit Shkencor te Katalonies, I-CERCA (https://cerca.cat/en/) ne Spanje idea eshte krijimi ne te ardhmen i nje qendre reale te nanoteknologjise ne Tirane, nje qender me pjesmarrje te grupeve nga te gjitha universitetet shqiptare. NanoAlb synon të krijojë mundësitë për të thithur fonde të financimit shkencor nga Komuniteti Europina dhe organizmat e tjera nderkombetare qe financojnë shkencen. Qysh me krijimin e tij (në Dhjetor të 2019) NanoAlb ka organizuar nje seri takimesh e konferencash /workshopesh vjetorë në këtë fushë duke përfshirë dhe takime ndërkombëtare në Shqipëri  (p.sh. Nanoteknologjia midis Shqipërisë-Japonisë-Spanjës, në Janar të 2020 në Tokio; për më shumë info shikoni në: http://www.1and2dm.com/2020/nanoworkshop.php) te cilat kane evidentuar arritjet ne kete fushe.  Grupet kerkimore te NanoAlb, përveç projekteve të financuara nga institucionet përkatëse apo ato të huaja (EU etj.), janë përfshirë kohët e fundit edhe në projekte të reja modeste të financuara nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë (shikoni: http://www.nanoalb.al/nanoalb/projects.php ) me qëllim rritjen e nivelit shkencor, forcimit të bashkepunimit midis grupeve brenda dhe jashtë NanoAlb si dhe për të dhënë kontribut në luftën globale kundër pandemisë COVID19. 

KONGRESI MË I MADH BOTËROR I NANOTEKNOLOGJISË KËTË VIT NË TIRANË

Fale zhvillimeve, megjithese modeste ne kete fushe ne universitet shqiptare, Konferenca Ndërkombëtare e Trendeve në Nanoteknologji (TNT2021) do të zhvillohet këtë vit në Tiranë nga 4 deri më 8 Tetor 2021 (http://tntconf.org/2021/index.php?conf=21 ). Kjo konferencë organizohet nga Phantoms Foundation, ICN2 (ne Spanjë) dhe me organizues në vend të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe te NanoAlb dhe mbështetjen e Ambasadës Spanjolle ne Tiranë. TNT2021 do të jetë vazhdim i suksesit të Konferencave të mëparshme të nanoteknologjisë. Ky takim shkencor i nivelit më të lartë në këtë fushë synon të paraqesë një gamë të gjerë kërkimesh aktuale në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjise me synim transmetimin e informacionit dhe vendosjen e kontakteve midis kërkuesve shkencorë në këtë fushë. Me rastin e TNT2021 do të organizohen disa sesione specifike me tema të rëndësishme sikurse janë “Grafeni dhe materialet e tjera dy dimensionale”, Workshopi i 2te i bashkëpunimit ne nanoteknologji Shqiperi-Spanje-Japoni si dhe një shkollë në fushën e nanosensoreve me interes të veçantë për kërkuesit e rinj shkencorë. Ky kongres, ndër më prestigjozet në botë, është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e shkencës në Shqipëri. TNT2021 ka një mbështetje nga një seri institucionesh prestigjoze të nanoteknologjisë në botë me pjesmarrje në komitetet drejtuese dhe si të ftuar të shumë personaliteteve në këtë fushë. Ardhja me këtë rast në Tiranë e kërkuesve shkencorë më të shquar në këtë fushë do ti hapë mundësi të reja bashkëpunimi Shqipërisë në një nga fushat më të përparuara të shkencës. TNT2021 eshte nje mundei e shkëlqyer per te futur Shqiperine dhe vendet e tjera shqiptare ne harten e shkences boterore.

NANOALB DHE MBËSHTETJA QË MUND TË KETË NGA DIASPORA SHQIPTARE PËRVEÇ ATYRE NGA INSTITUCIONET VENDASE DHE NDËRKOMBËTARE

Zhvillimi i mëtejshëm i NanoAlb dhe shndërrimi i saj në një qendër shkencore reale (me një ndertesë dhe infrastrukturë të nevojshme) do të kërkojë një planifikim dhe investim serioz nga shteti shqiptar në bashkëpunim/ndihmë edhe nga fondet e zhvillimit të kërkimit shkencor në nivel BE. Mbi të gjitha ndërtimi i një qendre të tillë duhet të realizohet në kuadër të një strategjie të zhvillimit shkencor në vend e cila duhet ti hapë rrugë krijimit të një qendre të këtij kalibri e cila do të shërbejë si model në të ardhmen. Për këtë nevojitet një strategji kombëtare (në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe institucionet përkatëse, Ministrinë e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Industrisë, Bujqësisë dhe Mjedisit etj.) që te mbështesë më tej NanoAlb në misionin e saj dhe të shërbejë si shembull për qendra të tjera të ekselencës në Shqipëri, e cila është e nevojshme për të siguruar më pas fonde nga Bashkimi Evropian. NanoAlb do të hapë rrugën për mundësimin e afrimit të talenteve shqiptare kudo në botë dhe do të sjellë perspektiva të reja të zhvillimit të shkencës shqiptare. Zhvillimet në një fushë multidisiplinare si nanoteknologjia dhe ne pergjithesi të gjitha zhvillimet shkencore i paraprijnë dhe mbështesin fort edhe zhvillime të tjera si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe të gjitha industritë por mbi të gjitha forcojnë edukimin e brezave të rinj duke i hapur perspektiva të reja talenteve shqiptare kudo që ndodhen. Një investim në këtë fushë do të ishte i nje rëndësie strategjike pasi do të shndërronte Shqipërinë në një pol të rëndësishëm të shkencës në rajonin e Ballkanit duke e rritur më tej besueshmërinë e Shqipërisë përpara institucioneve ndërkombëtare dhe duke ndikuar edhe në përshpejtimin e hyrjes së saj në Bashkimin Evropian. Shkenca shqiptare ne pergjithesi por ne veçanti NanoAlb, per stadin e arritur, nivelin shkencor te grupeve dhe strategjinë e qarte te zhvillimit ka nevoje per ndihme. Ka ardhur koha qe diaspora shqiptare shqiptare te ktheje syte edhe nga shkenca shqiptare. Shkenca shqiptare, kerkuesit shkencore ne Shqiperi, jane ndoshta nga pjeset me vulnerable te shoqerise duke patur parasysh mundin dhe perpjekjet e tyre per te arritur nje nivel akademik te admirueshem i cili nuk perkon me kushtet e tyre te punes dhe mbi te gjitha pritshmerine e tyre dhe te shoqerise shqiptare me ate c.ka ata mund te kontribuojne. Investimi tek shkenca, tek NanoAlb eshte investim per te sotmen pasi kjo qender shume shpejt mund te shnderrohet ne nje model jo vetem per vendet shqiptare por edhe me gjere. Investimi tek NanoAlb eshte investim per te ardhmen pasi do ti hape rrugen me modelin e tij krijimit edhe te qendrave te tjera. Mundesite e mbeshtetjes dhe investimeve jane te shumta duke filluar nga ato te ndihmave direkte financiare per terheqjen e talentit duke siguruar bursa per kerkues shkencore shqiptar e te huaj qe duan te kthehen e punojne tek NanoAlb deri tek blerja e paisjeve te ndryshme te cilat mungojne. Krijimi i laboratoreve te reja apo permiresimi i laboratoreve ekzistues gjithashtu do te ishte nje ndihme e madhe. NanoAlb do te ishte mirenjohes per çdo lloj ndihme qe do ti ofrohej duke pare edhe mundesine qe ne shenje mirenjohje te vendose emrat e dhuruesve/donatoreve shqiptare si emra te respektuar te laboratoreve (me nje pllakate mbi dyert e tyre) apo ambienteve te reja qe mund te krijohen. Ky model i mirenjohjes ndiqet me sukses edhe nga diaspora e vendeve te tjera. Krijimi i bursave te studimit (ne kete rast per kthim ne universitetet shqiptare te talenteve) me emrin e donatoreve apo krijimi i çmimeve nderkombetare po me kete emer do te ishte nje nxitje mjaft e mire per kete qellim.

Le te mendojme per te ardhmen e femijeve tane, per nje emer me te mire per vendet tona. Vendet tona nuk kane nevoje vetem per investime ne betonizime dhe hyrje masive te turizmit apo shpenzime te tjera lluksi. Vendet tona kane ne radhe te pare nevoje per kthimin e trurit, shqiptareve te talentuar ne shkence kudo qe te jene dhe po keshtu ardhjen tek ne pse jo edhe te talenteve te huaj. Shqiperia dhe vendet e tjera shqiptare kane nje pozicion gjeografik, natyre, kulture, stil jetese  mjaft te admirueshëm per shkencetaret qe do te donin te vinin te punonin dhe jetonin aty ne se do te kishin edhe oferta te mira profesionale.  

Investimi per shkencen, terheqja e ekselences do te ishte investimi me i sigurte per shoqerite tona. Kjo do te ndihmonte dhe do te siguronte nje ndryshim rrenjesor ne shume aspekte te jetes ne truallet shqiptare dhe, edhe pse jo, per nje edukate te re ne përgjithësi duke perfshire edhe ate politike. Sa me shume shqiptare te edukuar te kalibrit te shkencetareve te kthehen ne truallet shqiptare aq me shume rriten shancet edhe per marrjen ne dore te drejtimeve politike e shoqerore ne vend nga ata qe vërtet mund ti bejne keto vende ashtu siç te gjithe i enderrojme. Per çdo ide bashkëpunimi mund te me kontaktoni ne: arben.merkoci@icn2.cat , Tel: 0034618687921 dhe nëpërmjet rrjeteve te ndryshme sociale (Linkedin, Instagram, Facebook, Twitter). 

Filed Under: Featured Tagged With: Arben Merkoci, NANOTEKNOLOGJIA

LIRIKA E FISHTËS, NË NJË PERSPEKTIVË TË BOTIMIT FILOLOGJIK

September 24, 2021 by s p

At Gjergj Fishta në vitin e 150 vjetorin e lindjes, Akademia e Shkencave mbajti konferencën shkencore ad honorem, “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.

PROF. DR Evalda PACI

Si një prej aspekteve më me interes në këndvështrim studimor mbi krijimtarinë e Atë Gjergj Fishtës O.F.M., komponimet lirike zënë një vend të konsiderueshëm në pikëpamje tematike dhe inicimi; kësisoj dhe në trajtesat e përpiluara mbi shkrimtarinë e tij janë argument i gjerë diskutimi.Lirikat ndër të tjera, duke qenë të ofruara për lexuesin në disa formate e variante botimi, duke qenë gjithashtu pjesë procesesh që kanë të bëjnë me vetë rrugëtimin jetësor të autorit, mund të gjinden të dokumentuara si në të përkohshme, fletore e trajta jo krejt të përpunuara, ashtu dhe si pjesë e botimeve tematike që me kalimin e kohës dhe janë rishikuar simbas vullnetit të vetë këtij të fundit. Krijime të veçanta nga një arsenal i tillë reflektojnë përfshirjen e autorit ndër rrethana e ngjarje që lidhen me vetë zhvillimet e kohës, por dhe me afektet e tij personale, me çështje të atdhetarisë, ndjeshmërisë ndaj një aktualiteti që ai e përjetoi në dimensione të ndryshme, duke qenë përherë i pranishëm apo pjesëmarrës. Në motive të caktuara, përveç shtjellimit të aspekteve individuale të një shkrimtarie genuine për të cilën përkujtohet e studiohet në vijimësi, Fishta përkon me orientime të ndjekura dhe nga bashkëvllazën të tij, në veçanti në rasë përvjetorësh me vlerë të përveçme historike e të lidhur me kontekstin në të cilin dhe ky i fundit ushtroi për një kohë të konsiderueshme misionin meshtarak dhe baritor.

Rindërtimi i historikut të lirikave të Fishtës përbën një iter jo të thjeshtë që në qendër të vëmendjes duhet të ketë momente të rëndësishme jetësore të autorit, përjetime të tijat dhe shprehje të vullnetit autorial që në raste të ndryshme përbën premisën themelore për përfshirjen e krijimeve të caktuara në korpusin e teksteve me natyrë e tematikë lirike. Në rastin e Gjergj Fishtës lirikat kanë një historik të mirëfilltë, i mundshëm për t’u ndjekur në disa orientime, përfshirë dhe shfaqjet e autorit në revista që lidhen dhe me thelbin e përshpirtnisë françeskane, jetëgjatësia e të cilave përkon dhe me momente kruciale të historisë së Urdhnit të cilit ky i fundit i përkiste. Krijimet lirike të Atë Gjergj Fishtës O.F.M. kanë një inicim të hershëm, që duke u reflektuar në vëllime të mëvona, ruajnë një lidhje të pazgjidhshme me momentin e formësimit dhe më tej, të përforcimit të frymës gjinore që i karakterizon që në thelb. Në pikëpamje filologjike, tekstet e të njëjtave komponime përbëjnë variante autoriale në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duke ofruar një mundësi të mirë qasjeje mes botimeve të ndryshme në të cilat kanë qenë përfshirë, sidomos nëse i referohemi një kuadri kohor që përmbyllet me botimet e fillimit të viteve ‘40.

Bëhet fjalë për ndërtime e përveçime që u përkasin regjistrave specifikë dhe për vetë tematikën e krijimeve të Fishtës, që ndërtojnë natyrshëm sythe të një leksikoni të plotë e kompleks, të shtrirë në një gamë të gjerë krijimtarie të autorit tonë. Tejshkrimet e këtyre përveçimeve nuk janë të njëjta në botime e ribotime, fakt që nuk është i rastësishëm dhe për më tepër, përbën dhe zgjedhje mbi lexime e interpretime fonike e grafematike të rëndësishme për planin sinkronik që reflektojnë. Lirikat e Atë Fishtës, të para në vështrim të vendit që zënë në krijimtarinë e tij komplekse, zbulojnë aspekte qenësore të vetë formimit të tij në pikëpamje të njohjes apo zbatimit të një sërë skemash e artificesh. Vëmendja ndaj krijimesh më të veçanta që e përfaqësojnë në thelb këtë prirje unike krijimtarie shfaqet që në kohë të përgatitjes për botim të tyre, duke qenë objekt i një sërë interpretimesh dhe shënimesh që dhe sot e kësaj dite janë një udhërrëfyes i rrugëtimit që u ndoq deri në daljen në dritë të shtypit të tyre. Qasja mes botimesh të këtij autori, të cilat dhe mbajnë në vijimësi të njëjtin titull përbën një argument të mirëfilltë studimor, jo vetëm në pikëpamje të vëzhgimit formal dhe të modifikimit të trajtave specifike që lidhen me një sërë zhvillimesh, por dhe të reflektimit të kulturës së shkrimit në tipografi dhe në organet kulturore të kohës. I prirur të kontribuojë në një sërë lamijesh të krijimtarisë letrare, me një ndjeshmëri të konfirmuar dhe ndaj faktesh historike që shënuan dhe vetë kthesat më të rëndësishme në të shkruarit e Atë Fishtës, autori ynë shfaq përmes lirikave një orientim që duhet ndjekur që në zanafillën e formësimit të teksteve të veçanta të kësaj krijimtarie.

Çka paraqet interes të veçantë në vështrimin tonë është dhe fakti që krijimet e mëvetësishme që kategorizohen në syrin e studiuesit si të natyrës lirike, kanë ndjekur një rrugëtim të mirëfilltë në më tepër se një rast, duke qenë se autori i ka përpiluar në momente të ndryshme jetësore, duke i reflektuar në të përkohshme të kohës.

Mund të gjurmohen mjaft aspekte të shkrimtarisë së tij pikërisht në krijime që në variante të ndryshme të botimit të veprës dhe veprave të tij janë rimarrë e më tej vënë në kujtesë të lexuesit nga ana e kujdesuesve të saj, duke lehtësuar për më tepër dhe njohjen nga ana e studiuesit e historikut të përvijimit të lirikave, që në vise të ndryshme kanë zënë jo përherë të njëjtin vend. Referencat për autorin kanë qenë krijime që i njihte më parë, modele të cilat e frymëzonin në pikëpamje tematike apo të nëntekstit që përcillnin, por dhe ngjarje reale të kohës në të cilën jetoi, të cilat pa dyshim jo vetëm ndikuan, por dhe u bënë shtysë për përpilime që gradualisht plotësuan mozaikun e krijimtarisë së tij, edhe asaj lirike. Përkojnë një pjesë e tyre me hapa të rëndësishëm të shtetformimit, fakt që reflektohet në tekste të veçanta, me një lidhje të qartë tematike me ngjarje që kontekstualizohen në vise specifike të Veriut të vendit tonë, në dekada të para të shekullit të kaluar.

Lirikat e Fishtës, në variantet që lidhen me kohën më të afërt në të cilën ai jetoi janë në të vërtetë një shembëlltyrë procesesh që na lidhin drejtpërdrejt me një rrugëtim specifik të tij, në veçanti në fushë të shkrimtarisë. Një periudhë e tillë ndiqet qartë e reflektuar në disponimin e disa varianteve të botimit, përfshirë disa me më pak shënime, por dhe të tjera, në të cilat do të mund të gjejmë të shpjeguar dhe pasurimin përkatës në motive, apo elemente të përpilimit metrik e përmbajtësor. Edhe të para në mënyrë individuale, krijimet që janë përfshirë në korpusin e komponimeve lirike janë reflektim procesesh apo përjetimesh që dhe me kalimin e kohës nuk humbasin konotacionin që kishin për autorin, lexuesin dhe vetë përgatitësin e veprës. Mbeten të tilla tekste, në veçanti nëse konsultohen në vëllime me një destinacion të qartë antologjik, një evokim i ndjeshëm i një kohe që autorin e përfshinte në shumë pikëpamje, reflektuar si fakt pikërisht në krijime të natyrave specifike. Prania e përgatitësit, në një rol të mirinterpretuar dhe mjaft të nevojshëm dhe në ditët tona, zbulon mjaft rrethana që në zanafillë të ndodhjes shërbyen për formësimin e krijimeve që dhe me rishikimin apo ripërfshirjen në formate më të ndryshme veprash do të ruanin tipare origjinare të momentit në të cilin u krijuan. Interpretimet që nuk mungojnë në hyrjet që u paraprijnë krijimeve lirike të Atë Gjergj Fishtës O.F.M. në botimet e pasuruara të lirikave në të vërtetë kthehen në një vademecum të domosdoshëm duke pasur parasysh se janë të disa dimensioneve dhe nuk lënë jashtë vëmendjes dhe historikun e përvijimit të teksteve që përmbahen në to. Të tilla botime, në ditët tona pasqyrë e një formati më të ndryshëm, por gjithsesi sa i thjeshtë, aq dhe i dobishëm për lexim e studim, ofrojnë sërish qasje për të njohur autorin, shprehësinë e tij në gjini të përveçme krijimtarie, arsenalin gjuhësor e letrar që i shërbeu si një suport i fortë dhe në këtë sfidë shkrimtarie, por dhe një pasuri mjetesh që vetë modeli gjinor do t’ia ofronte, përveç formimit të spikatur klasik, që për fat e zotëron natyrshëm dhe përgatitësi i veprës për botim.

Në një koherencë të plotë do të gjinden tipare gjuhësore të një mozaiku krijimtarie që nuk u përvijua plotësisht në të njëjtën kohë me një aparat aspak të thjeshtë kritik e interpretativ që në vështrimin tonë përbën dhe një model ekzemplar të një periudhe të lulëzimit të gjurmimeve filologjike dhe tekstore në studimet tona.

Në vështrim të proceseve që kanë shoqëruar përgatitjen për botim, tematizimin e arsyetuar dhe rikthimin në vëmendje të lexuesit të krijimeve lirike, teksteve të përshtatura me të njëjtën përkatësi gjinore bie në sy kujdesimi i pamunguar në elemente të brendisë, të sistemimit në pikëpamje shpjegimesh të elementeve më të përveçme të tyre, bashkë me një përkushtim që nuk lë t’i mungojë këtij kuadri qasja analitike mbi ndërtime, fjalë a sintagma që për poetin kanë një konotacion të veçantë.

Pavarësisht gjerësisë së shtrirjes së komenteve dhe shpjegimeve që janë të disa orientimeve, duke përfshirë vlerat fonike të lemave të caktuara, të qenit variant dialektor që reflekton dhe përzgjedhje nga ana e autorit, përkime në pikëpamje metrike e aliterative si shfaqje të artificeve të këtij të fundit, prani fjalësh e përveçimesh që janë pjesë e formimit të tij kulturor, pajisja e teksteve me të tilla aparate, ashtu dhe me shënime që introduktojnë ndaj njohjes së historikut të këngës, shqipërimit apo përshtatjes vjen e mirëpritur dhe në vështrimin e lexuesit kritik, që bindet shpejt se po bëhet pjesë e një excursusi jo vetëm kulturor, por dhe brendësues në natyrën e një poeti që frymëzohet nga muza të njëjta me ato të autorëve më të mëdhenj të klasicitetit letrar.

Ndjekja e një itinerari të mirëfilltë dhe maturimi që ndjekin botime specifike që mbajnë autorësinë e Atë Gjergj Fishtës O.F.M. përbën dhe një rrugëtim në njohjen e disa varianteve, që ndër të tjera dëshmojnë dhe se konceptimi mbi gjininë së cilës po i kushtojmë dhe këtë trajtesë tonën nuk ka qenë përherë i njëjtë në kohë të caktuara. Ndërkohë që rimerren krijime që qartësisht janë burim i një motivimi të fortë për autorin tonë, të paraqitura me modifikime që argumentohen me një sërë arsyesh që kanë të bëjnë me procesin përgatitor të botimit e daljes në dritë të shtypit, konstatohen në vëmendjen tonë dhe ridimensionime që kanë të bëjnë me çka u tha më sipër, me rishikime që mund të interpretohen me vullnetin autorial, por dhe me sistemime përmbajtësore që lidhen me vetë ecurinë e krijimtarisë së tij.

I gjendur para shtysash të krijojë në disa gjini e shtjellime të një shkrimtarie që te autori ynë është një dhunti e lindur dhe e përpunuar më tej me elemente të një formimi ekselent në tipare e karakteristika shprehësie, te një autor si Fishta mund të shfrytëzohet më së miri mundësia për të gjurmuar në variantet e sipërcituara jo pak ndryshime, rimarrje, zhvendosje apo transkribime që në vështrimin e sotëm paraqesin vlera të një diakronie përherë me vlera për studimet filologjike dhe tekstologjike.

Lidhja me klasicitetin grek e latin qëmtohet në disa prirje të krijimtarisë së Atë Gjergj Fishtës O.F.M., përfshirë ndërmarrjet për të sjellë në gjuhën shqipe pjesë veprash madhore nga letërsia antike, apo dhe për t’i kontekstualizuar figurat themelore të mitologjisë së lashtë në fragmente të krijimtarisë së tij shumëdimensionale. Por për t’u theksuar mbetet ndërthurja e jo pak motiveve nga tradita e sipërcituar me një moto të përhershme frymëzuese për të: tekstet biblike, historinë e shkrimit të shenjtë dhe reflektimin e tij në një letërsi më specialistike si ajo me tematikë e orientim të pastër kishtar. Motivet ma të njohuna në letërsinë ekleziastike, të trajtuara në modele të ndryshme tekstore, që njohin një historik të veçantë qasjesh që me fillesat e shkrimit shqip, janë pjesë e vëllimeve tematike lirike të Atë Gjergj Fishtës, i grishun të krijojë e të përshtasë rreth Pasionës, figurës së të Kryqëzuemit, Ngadhnisë së Kryqit, figuracionit të Liturgjisë së Pashkëve, personazheve që mbeten mes mitikes dhe historikes, por dhe figurave qendrore në burimet agjiografike, argumente këto që e përfshijnë ndjeshëm, duke bërë të pasurohet një kuadër tipik krijimesh për të cilat kontribuan dhe të tjerë prelatë françeskanë të kohës. Do të gjejmë të ndërthurura në këto tekste të Fishtës dhe sprova shqipërimesh të përfshira në krijimet përkatëse, që në të vërtetë janë rimarrje këngësh të njohura për rëndësinë themelore që paraqesin për historinë e Urdhnit të cilit Fishta i ishte kushtuar përgjithmonë.

Bartin qartë të tilla tekste një frymë tipike për vetë natyrën tematike të përzgjedhur, me një leksik të kujdesuar e njëkohësisht një konceptim vargënimi që i shkon ma së miri frymës së motivit të trajtuar. Zotërues i thekur i një teknike komplekse që ka të bajë me vjershërimin dhe me shtjellimin e tij simbas motivesh që i shkojnë për shtat petkut që mban prej kohësh, Atë Fishta pasqyron një aspekt qenësor të personalitetit të tij, të qenit auctor por dhe artifex, mjeshtër i vargut dhe i ritmit. Në botimet tematike që përbëjnë shtjellimet më të qarta të lirikës së autorit tonë, vijimësia në trajtesa të personazheve tipike të një bote komplekse si ajo biblike mbetet një bosht orientimi që duke e ndjekur të përafron me Të lemit e Zojës; Nunciatën si simbol i një momenti të rëndësishëm në incipitet e teksteve ungjillore; Nanën e dhimbsunueme si evokim të sublimitetit të dhimbjes njerëzore që përballet me vdekjen e birit të vetëm; celebrimet dhe festivitetin që lidhen me muaj të caktuem të kalendarit vjetor liturgjik, por që janë dhe pjesë e traditës së një kulture besimi karakteristike për qytetin e Shkodrës. Përshkrimet e pasuna në atribute e cilësime përkëdhelie, por dhe me mjete të tjera që kujtojnë artin figurativ evropian që përjetësoi të njajtat portrete, na rikthejnë te Pjetër Bogdani dhe trajtesat e tij tematiko-ezegjetike mbi Marinë, gjenealogjinë dhe urtësinë e saj të pashoqe.

Botimet e Valles së Parrizit, që përmbajnë pikërisht krijime, përshtatje dhe rimarrje motivesh të njohura në një letërsi të tillë, kaq specialistike dhe të pasuruar dhe me prurjet në gjuhën shqipe, do të jenë burim i pasur të dhënash mbi frymëzimin e poetit tonë mbi të tilla motive, që e bëjnë atë një lëvrues të denjë të një tematike që gëzoi një vëmëndje të qartë në shekujt e lulëzimit të letërsisë humaniste. Një vështrim krahasues me botime e ribotime të Mrizit të Zanavet, dëshmon se të tilla realizime janë të pandara jo vetëm për faktin se përmbajnë përkime në krijimtarinë e autorit, por dhe se grishin për një perspektivë të pashmangshme të vështrimit të tyre në një optikë të përbashkët studimore.

Krijimtaria lirike e Atë Gjergj Fishtës O.F.M. ka njohur dhe ridimensionime interesante përgjatë ribotimeve të veprës së tij, të kushtëzuara nga një sërë faktorësh, ndër të cilët dhe kërkesa e ethshme për ta lexue Poetin e madh të dheut tonë.

Në këtë vështrim, në një pjesë të rëndësishme të historikut të ribotimeve të tilla, të argumentuara e interpretuara dhe në parashtresat e Atë Viktor Volajt O.F.M., lexohet qartë një ndjeshmëri e këtij të fundit ndaj ruajtjes së origjinalitetit të krijimeve, por dhe të historikut përkatës të inicimit të tyre, fakt që reflektohet dhe me të dhëna konkrete mbi kohën në të cilën mjaft prej tyre morën formën e parë nga mendja e pena e autorit.

Botimet më të hershme që përmbajnë dhe krijime të përfshira më vonë në vëllime tematike të orientuara ndaj krijimtarisë lirike mbartin qartë tipare të një kulture tipografike tipike për kohën dhe vitet në të cilat shohin dritën e shtypit, duke u bërë premisë krahasimi për realizime të mëvona, pjesa më e madhe e të cilave kalon në vëmendjen dhe kujdesin e Atë Viktor Volajt O.F.M., i pajisur me një kulturë të rrallë gjuhësore, me lidhje të pazgjidhshme me klasicitetin në pikëpamje të prozodisë, metrikës, elementeve të tjera që natyrshëm konvergojnë kur bëhet fjalë për mbajtjen e një roli kujdesues dhe mbikëqyrës ndaj integritetit të një pune autoriale, që veçanërisht kur shfaqet në formate vjershërimi e përmban në funksion të tij një arsenal gjuhësor që i shërben këtij të fundit, përbën një angazhim e ndërmarrje serioze për këdo që merr përsipër ta shoqërojë në hapat finalë të përgatitjes. Dallohen mirëfilli në shumë pikëpamje botimet më të hershme që përbëjnë dhe shfaqjet më të para të krijimtarisë lirike të Atë Fishtës, nga ato të mëvona, disa prej të cilave shohin dritën e shtypit dhe pas ndarjes së tij nga jeta. Një rrugëtim interesant në shumë pikëpamje gjurmohet në proces të krahasimit të varianteve përkatëse të botimeve në fjalë, duke pasur parasysh dhe faktin që pajisja me komente, interpretime, shënime të nevojshme për një vështrim më përafrues me brendinë e veprës përbën një veçanti unike në kuptimin e leximit të saj dhe për lexuesin e specializuar.

Aparati kritik e filologjik që shoqëron botimet që patën kujdesimin e Atë Viktor Volajt O.F.M. përbën një material të pasur burimor, i denjë për t’u marrë si referim dhe në vështrimet e sotme mbi veprën e Poetit të madh dhe perkursin e përshkuar nga njëri realizim në tjetrin. Është më se e qartë që në duart e Volajt vjershat, kangët, karminat, kushtimet, odet, përshtatjet, himnet, rishikimet e autorit marrin një vlerë të mirëfilltë në kuptimin e transmetimit të mesazhit inicial dhe motivor që mbartin. Tematizimet më të detajuara dhe renditjet me prirje të qartë nga arsyetimi i përafrimit të vjershave e krijimeve më të gjata marrin një domethënie konkrete nëse shoqërohen nga shpjegimet e pasura të Atë Volajt. Historiku i lirikave në të vërtetë nuk ka të bëjë me njohjen e inicimit të çdo krijimi, sa me një sërë të dhënash të tjera, ndër të cilat do të rendisnim dhe pranëvëniet në botime të ndryshme të teksteve të ndryshme, disa prej të cilave të mbiquajtura si melodramatike.

Autorin dhe përgatitësin e botimeve të gjysmës së parë të shekullit të kaluar i afron me njëri-tjetrin një mirëkuptim i natyrshëm, që receptohet në notat e sigurta me të cilat kujdesuesi introdukton krijimet e veprës lirike, pavarësisht gjatësisë tekstore dhe kohës reale në të cilat për herë të parë morën formën e tekstit poetik; dallojnë për një numër të madh komentesh e shpjegimesh krijime të caktuara, por dhe për introdukta të gjata, të cilat vijojnë të jenë analiza më e qartë e kontekstit që shoqëroi rrugëtimin e tyre. Një argument po aq i rëndësishëm mbetet dhe krahasimi tekstor mes pjesësh e kangësh që të botuara së pari disa dekada para se të realizoheshin botimet më të plota që marrin dhe formatin ekdotik e filologjik, reflektojnë trajta fjalësh që më tej përcillen me ndryshime që bëjnë të mundur të receptohet natyra e theksit të fjalës, prania e diftongjeve në trup të saj, pajisja me shenja diakritike të domosdoshme, apo dhe rishikimi i grafive të caktuara që mund të paraqiten në botimet më të para më të afërta me gjuhë të tjera dhe aparatet fonatore të tyre. Historikun e lirikave të Atë Gjergj Fishtës e përbëjnë një sërë mikrohistorish që plotësojnë të qenit mozaik të vetë qenësisë së shkrimtarisë së poetit tonë, i lindur për të qenë një vates, siç shprehet me të drejtë në lidhje me të dhe një bashkëkohës besnik dhe i afërt, siç ishte Atë Viktor Volaj O.F.M.

Lirika e Atë Gjergj Fishtës O.F.M. gjindet gjerësisht e pasqyruar në një sërë burimesh që priren nga letërsia e mirëfilltë e reflektuar në sythe e rubrika revistash të dekadave të para të shekullit të kaluar, në botime që më tej të rimarra paraqiten të ridimensionuara në pikëpamje të modelit gjinor që përmbahet në to, por dhe në vëllime që përfundimisht janë pasqyrë e përmbledhjes tematike dhe përmbajtësore të një sërë krijimesh që janë në të vërtetë motivet më të dashura për Poetin e madh shqiptar.

Ndryshimet që vihen re në variantet e botimit të veprës së Fishtës mund të përmblidhen të emërtuara si ridimensionime tekstesh që do të gjinden të përfshira nën një konceptim a emërtim gjinor që nuk i largon gjithsesi nga mëtimi i autorit, i cili rijeton me veprën e tij në çdo ribotim të dokumentuar, por dhe në tekste në format dorëshkrimi, të cilat duket se i njihte nga afër dhe kujdesuesi aq i përkushtuar i kësaj vepre, Atë Viktor Volaj O.F.M.

E vërtetojnë një gjë të tillë jo pak ubikime e referenca biblike që vetë argumenti qendror i vjershave dhe i komponimeve poetike i thërret natyrshëm; e vërtetojnë një sërë artificesh e mjetesh që autori i prodhon fuqimisht ndërsa interpreton momente të parabolave më popullore për humanitetin dhe historinë e tij.

Ndërthurur me vështrime mbi modele të afërta gjinore, që në momente të caktuara qenë dhe mjaft të përafruara në formate botimesh me krijimet që në gjykimin tonë i afrohen një përkatësie mirëfilli lirike, aq më tepër në një koherencë të kuptueshme me kohën në të cilën panë më se një herë dritën e botimit, kjo prirje në krijimtarinë e Fishtës vijon të grishë interes për një perspektivë më të arrirë të rimarrjes së tyre në studimet tona albanologjike.

Filed Under: Featured Tagged With: At Gjergj Fishta, Evalda Paci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT