• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SAMI FRASHËRI, MENDJA MË E NDRITUR SHQIPTARE

August 25, 2021 by s p

Nga Besnik Imeri

Shqiptarët kanë fatin e madh që nga raca e tyre ka dalë një mendje e ndriçuar si Sami Frashëri. Por ky fakt madhor, madhështia e këtij burri, a u është bërë e ditur shqiptarve në mënyrën më të plot dhe gjithpërfshirëse të veprës së tij? Prandaj këtu kemi të drejtën që të shtrojmë edhe disa pyetje:

  • A ka zënë vendin e merituar figura e tij në historiografinë shqiptare?!
  • A është vendosur ai në vendin që i takon në panteonin e burrave të shtetit atdhetarë të racës shqiptare?!
  • A janë vlerësuar dhe pasqyruar realisht kontributet e jashtëzakonshme të tij në fushën e shkencave albanologjike?!
  • A është renditur dhe a është pasqyruar në mënyrën e merituar nga arti pamor, letërsia, dhe kultura shqiptare në përgjithësi?!

         Sami Frashëri, ashtu si dhe shumë Rilindas të tjerë si Jeronim De Rada, Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Minga, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, etj, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në lëmin e etnogjenezës së shqiptarëve, të origjinës pellazgjike të racës dhe të gjuhës së tyre. Por, çuditërisht, ky kontribut madhor, në mënyrën më të turpshme, është lënë mënjanë, është lënë në hije, madje është parë me përbuzje dhe përçmim.

I pari që ka hedhur gurë kundër kësaj veprimtarie të shkëlqyer, por tinëzisht dhe pa e përmendur me emër, ka qënë Eqerem Çabej.Ja se çfarë thotë ai:“Nuk do të mund të kënaqim ata që edhe sot kanë besim të patundur në një origjinë pellazge të gjuhës sonë. Përkundrazi, është koha që, së paku në shkollë, të mos mbushen trut’e nxënësve me hipoteza të mjergullta të mezit të shekullit tëkaluar…”[1] (“Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe”,Tiranë-1936)

Pra të mos vendoset, dhe nëqoftëse është, të hiqet nga librat shkollorë mësimi i origjinës pellazgjike të shqiptarëve dhe gjuhës së tyre, gjuhës shqipe.Një inkuizicion i vërtetë. Por historia mësohet në shkollë, dhe në qoftëse një kombi do t’ia ndryshosh historinë, atëhere hiq të vërtetat historike nga librat shkollorë, ose ndryshoi ato me të pavërteta, dhe të jesh i sigurtë që brezat që do të vijnë nuk do ta dinë saktë historinë e vendit të tyre. A nuk po ndodh sot e njëjta gjë, ku ministreshat e arësimit gjithë këto vite kanë ndryshuar historinë që fëmijët tanë mësojnë në shkolla.Një veprim antishqiptar i frymëzuar nga qarqet antishqiptare në Europë dhe në Botë, dhe të nxitura nga veglat e tyre antishqiptare në Ballkan.

Tani me të drejtë të zotit mund të pyesim: Kush ishte ky person në vitin e largët 1936 që propozonte që në shkollë fëmijët e shqiptarëve tëmos mësonin origjinën e vërtetë të kombit të tyre? Nga e merrte këtë fuqi ky person dhe kush e frymëzonte apo e inspironte në një veprim tragjik për shqiptarët?!!

Pavarësisht se Sami Frashëri nuk është shpallur publikisht heretik, dhe ai vetë dhe vepra e tij, të digjen publikisht në turrën e druve. Por,  në të vërtetë kështu ka ndodhur. Pasi frikaçët, të paaftët, servilët e pushteteve dhe të karikes së ngrohur prej tyre, meskinët dhe djallëzorët, asnjëherë nuk kanë guxuar të dalin burrërisht kundër ideve të ndritura të Sami Frashërit. Por gjithmonë në mënyrë tinzare, djallëzore dhe dhelparake e kanë goditur atë prapa krahëve dhe në errësirë, duke e vendosur në pusin e errët të moskujtesës.

        Në asnjë studim, në asnjë vepër studimore të historianëve dhe gjuhëtarëve tanë, të cilët me këto studime kanë arrritur deri tek grada më madhore, ajo e akademikut, në asnjë vepër të Akademisë së Shkencave dhe të akademikëve tanë, jo vetëm nuk janë trajtuar, por as që janë përmendur fare, në asnjë rresht, idetë e ndritura të Sami Frashërit për origjinën pellazgjike të gjuhës shqipe, por dhe të vetë shqiptarëve. Ndërkohë, që ato qysh me krijimin e Akademisë së Shkencave në vitin 1972, duhej të ishin kthyer në një platformë studimore në të gjitha drejtimet e shkencave albanologjike.

       Por çfarë ka thënë Sami Frashëri për origjinën e racës tonë dhe të gjuhës shqipe? Ndjekim disa thënie të tij:

  • “Më të vjetërtë prinërt’ tanë bota i quajnë pelasgë…Ky komp kaq’ i vjetërë e kaq’i vlejturë për istorit ka qën’ i shumë’e i fortë e i përhapunë nëpër gjith’ Evropët të Lindjesë. E tërë Sinisi’e Ballkanit edhe përtej Tunësë, Ungaria, Kroatia etj. Si dhe Greqia e gjith’ anët’ e perëndimit t’Azisë së Vogëlë, do-me-thënë t’Anadollit, ishinë vend i Pelasgëvet, shqiptarëvet të vjetër, ca nga këta pelasgë u hodhë përtej den’(detin) Adriatik, n’Itali; Etrusqitë, llatinëtë e të tjerë kombe t’Italisë janë prej farës’ së pelasgëvet…Pa ndryshim (dyshim) Pelasgetë janë m’i vjetër’i i kombeve arianë  t’Europësë…Ka edhe shumë argumenta të tjerë që provojnë se pellazgët e lashtë dhe shqiptarët e sotëm përgjithësisht i takojnë një race dhe kanë të njëjtën gjuhë…”[2]
  • “Kjo besë (besim fetar) që thuhetë mythollogji, është bes’ e të parëvet prindër tanë, pelasgëvet…Emënat’ e perëndivet q’u faleshin pelazgëtë e prej të cilëvet i ka marrë mythologji e grekëret e e romanëvet…”[3]

        Sami Frashëri, 130 vjet më parë ka treguar se origjina e të gjithë shqiptarëve rrjedh prej pellazgëve. Por ai nuk është ndaluar deri këtu, por tregon se në antikitet pellazgët, të parët tanë, ndahen në disa fise të rëndësishme, që janë ilirët, epirotët dhe maqedonasit; pasi sikur ta ketë ditur që Akademia e Shkencave të Shqipërisë (vendi ku mblidhen më të mençmit e shqiptarëve), do ta dhunonte këtë të vërtetë, jo vetëm duke mos pranuar origjinën pellazgjike, por duke mohuar edhe origjinat e pjesëshme të mëvonshme në antikitet të shqiptarëve nga epirotët, dardanët, maqedonët dhe paionët.

        Kjo është njësoj sikur njëzet nipërve jo vetëm t’u mohohet prejardhja e gjakut nga gjyshi prej babait (në këtë rast pellazgët), por një pjese të tyre t’u mohohet edhe babai duke u thënë se ju nuk rridhni nga baballarët tuaj (në këtë rast epirotët, dardanët, maqedonasit dhe paionët), por nga xhaxhai tuaj (në këtë rast ilirët)!!! Tregova këtë shëmbull vulgar për të treguar se sa absurde dhe vulgare është teoria që u tregon Akademia e Shkencave shqiptarëve për origjinën e tyre.

Ndryshe, këtë fabul mund ta paraqesim. Nëqoftëse origjina e shqiptarëve do të konsiderohej një godinë, ku prejardhja nga pellazgët do të ishte themeli i kësaj godine, ndërsa pasardhësit tanë nga pellazgët në antikitet Ilirët, Epirotët, Dardanët dhe Maqedonët (përfshirë dhe Paionët)do të ishin katërmuret mbajtëse të kësaj godine; po të pranonim vetëm origjinën ilire të shkencës tonë zyrtare, atëhere godina jonë e etnogjenezës do të qëndronte në ajër, pasi asaj i janë hequr themelet, si dhe tre nga muret mbajtëse. Më thoni si mund të qëndrojë një godinë pa themele dhe vetëm me një murmbajtës?!!! Por të ndjekim se çfarë thotë Samiu.

  • “…Popullsia e Epirit dhe e Maqedonisëflasin një gjuhë…Iliria: Populli i Ilirisë ishte një racë dhe fliste një gjuhë…Popullsia e vjetër e Ilirisë i përkiste racës pellazge, që është nga më të moçmet e popujve arianë. Ajo është një racë dhe flet një gjuhë me popujt e Epirit dhe të Maqedonisë…Ky popull është populli shqiptar…”[4]
  • …edhe Shqipëria mbet një vënt i vogëlë, që pushton gjysmën’ e jugës s’Ilyrisë, gjysmënë (anën’ e veriut e të perëndimit) të Maqedonisë edhe gjithë Epirë”[5]
  • “…Iliria: Është emri i një treve të vjetër në viset perëndimore të Gadishullit Ballkanik…Vetëm pjesa jugore e Shqipërisë, domethënë Toskëria quhej me emrin e veçantë Epir, prandaj edhe shumica nuk e konsideronin Iliri. Kufiri jugor i Ilirisë konsiderohet lumi Vjosa…”[6]
  • “Shqiptarët kanë krijuar vetëm tri shtete të njohura. Këta ishin: njëri në viset e Shkodrës (ilirët), njëri në Epir, domethënë në viset e Janinës (epirotët), dhe tjetri në qytetin e vjetër Pela që ndodhet afër Jenixhe Vardarit në Maqedoni (ku përfshihen edhe dardanët me paionët.B.I).”[7]
  • “…Epirotët nuk kanë patur aspak lidhje me grekët, prandaj nga grekët janë quajtur barbarë, d.m.th jogrekë. Përkundrazi me dëshminë e Strabonit, i cili konsiderohet plaku i gjeografëve dhe historianëve të tjerë të lashtë grekë, është provuar se pellazgët (epirotët) formonin një popull që ka patur afërsi nga pikëpamja e Gjuhës, e moralit dhe e zakoneve  me popullsinë e Maqedonisë dhe të  Ilirisë.”[8]
  • “…Ilyri i vjetërë nuk pushtonte tërë Shqipërinë, se nuk  unjësh më poshtë Vijosësë nga juga, por nga veriu ish’shumë m’ë e madhe, se sikundër thamë, xgjatëshë gjer në Savë e gjer në funt t’Adriatikut…Që nga Vijosa e gjer në mëngët t’Ambraqisë (t’Artësë) cop’ e jugës së Toskërisë së sotme quhësh Epir…Mbretëri’ e Ilyrisë ish veçan, e Epirit veçan…Ilyrianëtë,si dheEpirotëtë, të cilëtë s’ndryshonin nga ata me nonjë fare mëndyre, roninë eishinë si shqiptarët e sotëm pa ndonjë ndryshim, edhe flisninë gjuhënë, që flasimë na sot…”[9]
  • “ Epir është emri i vjetër i Toskërisë që përbën pjesën jugore të Shqipërisë. Toskëria shtrihet nga veriu deri në lumin Shkumbin dhe nga lindja deri në Manastir; kurse Epiri i Vjetër nga verilindja ishte i kufizuar me lumin Vjosa; vëndet që ngelen në lindje të këtij lumi quheshin Maqedoni dhe ato në veri të tij quheshin Iliri. Nuk mund të besohet që emri Epir të jetë përdorur prej popullsisë së vjetër të atij vendi dhe sot popullsia vendase e quan atë Toskëri.”[10]
  •  “Shqiptarët që ndodhen në Greqi (arvanitasit) e Itali (arbëreshët) janë toskë. Emri toskë është shumë i vjetër dhe ka mbetur qysh prej kohës së pellazgëve…”[11]
  •  “Edhe viset e Manastirit hynin në Maqedoni, kurse trevat e Kosovës e të Shkupit njiheshin me emrat e veçantë Misia e Dardania dhe nuk përfshiheshin në Iliri, d.m.th si kufiri lindor i Ilirisë ishte Mali i Sharrit.”[12]

GJUHA  SHQIPE

Sami Frashëri në veprën e vet madhore “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”në kreun e VII “Kombëri’e gjuh’e shqiptarëvet” thotë:

  • “Shqiptarëtë flasin një nga më të vjetërat’e më të bukurat gjuhë të dheut. Gjuhërat, që kanë qënë shoqet’e motërat e shqipesë, kanë mijëra vjet që kanë humburë e s’flitenë në nonjë vënt të dheut; po në vendit t’atyre përdorenë mbesat’e stërmbesat’e tyre. Shqipja është shoqe me greqishten e vjetër, me llatinishtenë, me sanskritishtenë, gjuhën’e Indis së vjetërë, me sendishtenë, me tevtonishtenë etj. Po këto gjuhëra, që numuruamë, nga të cilat ca kanë qënë motra të vogla të shqipesë e më shumë më të ra (reja) se ajo, këto gjuhëra, them, kanë mij a mijëra vjet që nuk po flitenë më e s’rojnë përveçse me faqet të ca livrave të vjetra. Ato quhenë gjuhëra të vdekura e shqipja, gjuha jonë, q’është m’e vjetërë nga ato, ësht’e gjallë e flitetë edhe sot si në kohët të PELASGËVET…
  • …Kemi shumë shenja e shumë dëftime, të cilatë dëftejnë faqeza që ata pelasgë, që na dukenë si përrallë nga vjetëri’e tepër’e tyre, kanë folurë këtë gjuhë, që flasim na sot…
  •  …pelasgëtë kanë folurë kaqë mijë vjet më parë këtë gjuhë që flasim na sot, po thua pa ndryshime a me aqë pak ndryshim, sa të muntte të delte sot një pelasg, do të muntimë të flasim me të si fletë një gegë me një tosk…”[13]
  • “Shkronjëtor’i gjuhësë shqip, të përkëthyerit e fjalëvet në aqfytyra (sinonimet),hollësi e nyjevet, të perëmënavet e tëtjera bukuri, që s’i ka nonjë nga gjuhët’e sotme, e të cilatë edhe gjuhët’e vjetra s’i kanë kaqë të mbaruara (përkryera, përsosura) e të tepra (të shumta), gjithë këto gjërëra e rrëfejnë që shqipja është një gjuhë e vjetërë, e mbeturë që nga kohërat’e qëmoçime e të përallta (legjendat)  e ruajturë sikundër qe (ishte), pa prishur’e pa ndryshuarë.”[14]

Disa studjues sllavo-helenë, edhe sot e kësaj dite, flasi për një origjinë të shqiptarëve nga Kaukazi.Por këto teori antishqiptare janë kritikuar nga Sami Frashëri 130 vjet më parë. Por çuditërisht asnjë studiues nuk thotë, që i pari kritik i tyre ishte Sami Frashëri! Ndjekim Samiun.

  • “…Disa thonë se shqiptarët kanë ardhur kohët e vona nga vendi Albaniad d.m.th Dagestani që ndodhet në Kaukaz. Disa thonë se shqiptarët bëjnë pjesë në grupin e popujve sllavë dhe disa kujtojnë se janë degë e grekërve të ngelur në gjëndjen e vjetër barbare, kurse disa nga historianët tanë supozojnë se shqiptarët janë një fis i ardhur nga Arbëria. Në të vërtetë këta e dinin se në gjuhën shqipe ka fjalë të ngjajshme dhe të përbashkëta me gjuhët e vjetra greke, latine, e sllave, por kujtonin se këto fjalë ishin marrë nga këto gjuhë…Më në fund disa studjues duke e njohur thellë gjuhën shqipe, kuptuan se deri në çfarë shkalle ishin marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e vjetra greke, latine, sllave, gotike, persishte e sanskrite  dhe duke marrë për bazë gjuhën studjuan edhe historinë, zbuluan origjinën e popullit shqiptar, vendin nga ai kishte ardhur. Kjo çështje që kishte mbetur enigmë për shekuj, tashmë u zgjidh krejtësisht. Populli shqiptar është një prej degëve më të vjetra të popujve të Azisë dhe të Evropës që quhen arianë….

Gjithashtu, kritikën më të fuqishme të teorisë antishkencore dhe antishqiptare të të ashtuquajturave huazime të gjuhës shqipe, të mbrojtur fuqishëm nga Eqerem Çabej, dhe pas tij një tufë e madhe gjuhëtarësh, përfshirë dhe disa prej tyre antishqiptarë dhe filosllavë, e ka bërë Sami Frashëri. Ndjekim Samiun.

  • “…Por nuk gjykohet se këto fjalë shqipe janë marrë nga gjuhët e vjetra greke, latine, sllave, gjermane, për pasojë me gjithë gjuhët e reja evropiane që rrjedhin prej tyre dhe nga ana tjetër me persishten, zendishten e sanskriten. Përkundrazi ka shumë fjalë që vërtetojnë se forma e tyre shqipe janë BAZË, ndërsa format në gjuhët e vjetra greke e latine janë derivate të tyre. Kjo tregon se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja ose latinishtja e moçme dhe se populli shqiptar është shumë i vjetër…Në disa fjalë lidhjet dhe gjasimet janë më të shumta me gjuhët persishte, zendishte e sanskrite se sa me gjuhët e tjera ariane të Europës. Kjo përbën një prej argumentave që provon se gjuha shqipe nuk është degë e gjuhëve latine, greke, sllave, porse është degë që i përket drejtëpërsëdrejti familjes së vjetër me fillesën e vet nga Azia e mesme, ashtu si popujt e tjerë Arianë…”[15]

        Sami Frashëri ka folur edhe për mënyrën e ndërtimit të shtetit  të shqiptarëve kur ata të shkëputeshin nga Turqia, ku megjithëse   ai i njihte shumë mirë format e qeverisjes së shteteve perëndimore, nuk rekomandon asnjerën prej tyre; por përkundrazi, duke njohur kulturën e trashëguar në shekuj  të qeverisjes së shqiptarëve, mentalitetin, zakonet, traditat, virtytet, personalitetin dhe karakterin e shqiptarit, rekomandon atë që i përshtatet më mirë, që e kishte provuar efektshmërinë në shekuj, formën më demokratike: Pleqësitë. Ndjekim Samiun.

“Straboni, dheshkronjs’ i madh, duke shkruar për vendin tënë afro dymijë vjet më parë, thotë që: Maqedhonasit, Ilyrianët e Epirotëtë (do-me-thn gjith shqiptart), sado që çeku kanë ca mbretërira, por qeveri’e tyre e vërtetë është një farë këshillesh prej të parëvet, që këto këshilla i quan plakoni (do-me-thënë pleqësi), edhe qeverisin’ e gjykojnë në ata vende. Përse, pra, ta lëmë këtë zakon të bukur kaq mijë vjeç…?”[16]

Duke mos u ndaluar në të gjitha çështjet që trajton Sami Frashëri në veprën e tij madhore “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, e cila duhet të kishte shërbyer si një platformë për Akademinë tonë të Shkencave, qeveritarët dhe politikanët tanë, vazhdojmë me problematika të tjera.

        Ndonëse vepra e Samiut “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet” nuk është hedhur poshtë formalisht dhe publikisht, kuptohet nga frika e reagimit dhe ndëshkimit popullor; ndërkohë që realisht idetë, mendimet, propozimet e vyera jo vetëm që nuk janë vlerësuar, përkundrazi janë rrëzuar dhe hedhur poshtë në mënyrën më tinzare dhe burracake, siç e treguam edhe me shëmbujt e mësipërm.

        Vendosja në vend e nderit të Samiut do të fillonte me emërtimin e akademisë tonë me emrin “Sami Frashëri”, dhe, në mos ajo, me domosdo këtë emër duhej ta kishte Universiteti i Tiranë, të paktën në respekt të asaj që në vitin e largët 1889 Samiu propozonte, që shqiptarët të kishin dy universitete kombëtare, një në jug dhe tjetrin në veri të vendit. Por jo vetëm kaq. Para Universitetit të Tiranës duhej të vendosej një shtatore e madhe e Sami Frashërit dhe sheshi para universitetit të emërtohej: Sheshi “Sami Frashëri”. Më tej. Tek Akademia jonë e Shkencave janë bustet e Eqerem Çabejit, Aleks Budës dhe Sabri Godos. Si nuk paska një vend për një bust të Sami Frashërit?!!

        Më tej, kohët e fundit, mësojmë se kartëmonedha 10.000 lekëshe ka për simbol fytyrën e Asdrenit. Shtrojmë pyetjen: A është Asdreni një figurë gjithëpërfshirëse e të gjithë shqiptarëve dhe me atë rëndësitë veprës së tij në rrafshin kombëtar? Përse është haruar Sami Frashëri, figura më madhore dhe më përfaqësuese e të gjithë shqiptarëve edhe përtej Shqipërisë Cung? Përse asaj nuk i është gjetur nje vend në ndonjë monedhë apo kartëmonedhë?!! Të jetë rastësi kjo, apo një veprim i qëllimtë dhjetravjeçar?!!

        Sami Frashëri (por edhe Abdyli apo Naimi) nuk ka ndonjë shtatore në asnjë qytet të Shqipërisë (përfshirë dhe Kosovën që tashmëështë e ‘lirë’), madje as në kryeqytet. Asnjë shesh i Shqipërisë nuk mban emrin e Samiut, ndërkohë që në sheshet e vendit tonë shikon lloj lloj emërtimesh, me emra personash të stisur, pa ndonjë kontribut madhor për Çështjen Shqiptare, madje edhe personash që mund të kenë vepruar kundër interesave tona kombëtare.

        Mund ta themi me siguri të plotë se nëqoftëse emri dhe figura e Sami Frashërit nuk do të vendoset në vendin që i takon, dhe si rrjedhojë e kësaj nuk do të pranohet saktë, ashtu siç është dhe në të vërtetë, etnogjeneza e shqiptarëve; atëhere Çështja Kombëtare, vetë Shqipëria, përfshirë dhe shqiptarët do të shkojnë drejt rrënimit kombëtar, tjetërsimit të identitetit, rrënimit të  gjuhës shqipe dhe zhdukjes graduale si komb.

Zoti e mbroftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Besnik Imeri, 22 gusht  2021.


[1] Spiro N.Konda “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”,Bot.UEGEN-2011, f. 448.

[2]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), Kostandinopojë -1889, vëll.I. f. 143-148; vëll.II, f, 1161-1162, Bot.Naim Frashëri, f. 61-64

[3]Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë -1889,Kreu. I, “Çka qënë Shqipëria”, artikulli I, “Pelasgëtë”, artikulli VII,  “Kombëri’ e Gjuh’ e Shqiptarëve”, Bot.”Falcon”-Tiranë,  f. 8 dhe 24

[4]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), Kostandinopojë -1889, vëll.I. f. 143-148; vëll.II, f, 1161-1162, Bot.Naim Frashëri, f. 61-64

[5]Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë -1889,Kreu I “Çka qënë Shqipëria”,  artikulli III “Shqiptarëtë nënë romanëtë”, Shtë.Bot.”Falcon”-Tiranë, f. 15

[6]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), Kostandinopojë -1889, vëll.II, f, 1161-1162, Bot.Naim Frashëri, f. 61-64

[7]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), Kostandinopojë -1889, “Shqiptarët”, vëll.I.f. 143-148. Bot.Naim Frashëri, f. 43

[8]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-alam”, vëll.I. f. 773-774), Kostandinopojë-1889; Bot.Naim Frashëri, f. 55

[9]Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë -1889,Kreu I, “Çka qënë Shqipëria”,   artikulli II, “Ilyrianëtë e Epirotëtë”, Shtë.Bot.”Falcon”-Tiranë, f. 10-11

[10]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-alam”), Kostandinopojë-1889, vëll.I. f. 773-774, Bot.Naim Frashëri, f. 54

[11]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), vëll.IV, f. 3023-3024.Kostandinopojë -1889, Bot.Naim Frashëri, f. 65-66

[12]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”),Kostandinopojë -1889, vëll.II, f, 1161-1162, Bot.Naim Frashëri, f. 61-64

[13]Sami Frashëri,“Shqipëria ç’ka qënë,ç’është dhe ç’do të bëhet”, Kostandinopojë 1889, Kreu I “Çka qënë Shqipëria ”, artikulli I, “Pelasgëtë”, Bot.”Falcon”, f. 24-25

[14]Sami Frashëri,“Shqipëria ç’ka qënë,ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë 1889, Kreu I “Çka qënë Shqipëria ”, artikulli VII, “Kombëri’e gjuh’e shqiptarëvet”, Bot.”Falcon”,  f. 24-25

[15]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), vëll.I.f. 143-148. Kostandinopojë -1889, Bot.Naim Frashëri, f. 35-37

[16]Sami Frashëri,“Shqipëria ç’ka qënë,ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë 1889, Kreu III “Çdo të bëhetë Shqipëria ”, artikulli VII, “Krei i qeverisë së Shqiprisë”, Bot.”Falcon”,  f. 87-88

Filed Under: Featured Tagged With: Besnik Imeri, Rilindja Kombetare, Sami Frasheri

Kampi i Tepelenës është një nga faqet e errëta të diktaturës

August 24, 2021 by s p

Nga: Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991

𝐓𝐞̈ 𝐩𝐚𝐠𝐣𝐞𝐭𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐓𝐞𝐩𝐞𝐥𝐞𝐧𝐞̈

Më 23 gusht, Ditën Europiane të Viktimave të Totalitarizmit, ekipi i Autoritetit zhvilloi sot pelegrinazhin e përvitshëm në ish-kampin e internimit të Tepelenë, vend ndëshkimi gjatë regjimit komunist, 1949-1953.

Kampi me tela me gjemba i Tepelenës është një nga faqet e errëta të diktaturës, ku u mbajtën për disa vjet në kushte cnjerëzore me mijëra familjarë të kundërshtarëve të regjimit, gra, fëmijë e të moshura, të pafajshëm. Mes tyre edhe Lek Pervizi, sot në të nëntëdhjetat, që me vizatimet e tij akribike dëshmoi këtë kamp internimi, historitë e tij, madje edhe një hartë me vendvarrimet e atyre që mbetën në Tepelenë. Dëshmitë flasin për qindra jetë të humbura, që ende sot kërkohen nga familjarët.Sot, ish-kampi i internimit i Tepelenës pritet të kthehet në muze, i vizitueshëm nga shqiptarë e të huaj, duke dëshmuar diktaturën dhe gjurmën e saj në të sotmen. Njohja në terren e vendeve të rëndësishme të kujtesës përcakton edhe itinerare të vizitueshme nga të rinj e shkollarë, për njohjen me vendet e vuajtjes së dënimit dhe ndëshkimit në komunizëm.Pas vizitës përkujtimore në kamp, me të mbijetuar e trashëgimtarë të tyre, përfaqësues të shoqatave të të drejtave të njeriut, takimi vijon në pallatin e kulturës Tepelenë, me aktivitetin e radhës për të zhdukurit, që AIDSSH organizon në bashkëpunim me ICMP dhe pushtetin lokal në Tepelenë, në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste”, i mbështetur nga Bashkimi Europian.

Shënim: Fotot janë marrë në faqen zyrtare të Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991.

Filed Under: Featured Tagged With: Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, Kampi i Tepelenes, Nebil Cika, Simon Mirakaj

NË KOSOVË ALBANOLOGË NGA E GJITHË BOTA, NIS SEMINARI NDËRKOMBETAR

August 23, 2021 by s p

-Seminari i 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, nis punimet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë/

-Kryeministri Kurti: Nëse albanologjia është shkenca që drejton dijen shqiptare, ajo duhet të bëhet shkenca që motivon fakultetet/

-Historiku i Seminarit të themeluar para 47 viteve…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 23 Gusht 2021/ Në ambientet e Bibliotekës Universitare të Prishtinës sot është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit të 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i themeluar para 47 viteve. Punimet e Seminarit mbahen nga 23 Gusht deri më 3 Shtator 2021.

 Në ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit ishin të pranishëm: Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës; Hajrullah Çeku, Ministër i Kulturës; Edona Maloku, Zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Naser Sahiti, Rektor i Universitetit të Prishtinës; Sabri Laçi; Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë; Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë, Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit; Dhurata Shehri, bashkëdrejtore e Seminarit, akademikë, profesorë dhe seminaristë.

“Prodhimi i multidisiplinaritetit, relacioni i hollë i metodës me përmbajtjen, cilësia e shqipes dhe formëzimeve të saj letrare dhe kulturore, janë tri detyrat e përhershme që i kam ndeshur gjatë jetës në merakun e zëdhënësve tuaj”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij para studiuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare, profesorëve dhe zyrtarëve të institucioneve universitare dhe shtetërore, në ceremoninë e hapjes.

Për pikën e tretë, Kryeministri Kurti tha se kemi një rënie në plan të përgjithshëm. “Besoj se po shpreh shqetësimin tuaj në këtë pikë. Drejtshkrimi dhe leksiku janë dobësuar nga tre shkaqe: 1. shkëputja e sistemit arsimor, për shkak të ndarjes së shqiptarëve në pesë shtete (duhet të mendojmë këtu edhe arbëreshët e Italisë), për shkak të aparteidit serb, për shkak të çoroditjes së sistemit arsimor gjatë dekadave të fundit; 2. Mësymja e teknologjive dhe mediumeve të tyre e sidomos thjeshtimi dhe rrallimi i shkrimit që kërkohet prej tyre; 3. Fakti që pjesa më e madhe e shqiptarëve janë larguar prej trojeve këto tri dekadat e fundit (pa përfshirë ata që kanë shkuar më herët)”, tha kreu i Qeverisë së Kosovës.

 Kryeministri Kurti theksoi se nëse ndiqet teza themelore se albanologjia është shkenca që drejton dijen shqiptare, ajo duhet të bëhet shkenca që motivon fakultetet në një pjesë të trupës së tyre.

Në një fjalë rasti, Zëvendësministrja Edona Maloku, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë uroi fillimin e Seminarit, duke përmendur traditën e gjatë të Seminarit që ka nisur nga viti 1974. Gjithashtu, ajo e ka përgëzuar Seminarin për temat e zgjedhura ndër vite.

“Sivjet, bie në sy gërshetimi i bukur i traditës së seminarit me temat që prekin të rejat aktuale si lajmet e rreme e infodemia, që janë bërë më relevante se kurrë në këtë kohë pandemie. Trajtimi i temave të tilla në kuadër të Seminarit ndihmon që të kuptohen më mirë e më thellë mënyrat se si gjuha mund t’i ndajë njerëzit, por edhe të gjejë mënyra se si gjuha mund t’i bashkojë ata”, ka thënë Maloku. Më tutje, ajo ka thënë se përkrahja nga kjo ministri është bërë me kënaqësinë më të madhe.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, përgëzoi organizatorët dhe bashkëpunëtorët për qëndrueshmërinë e treguar dhe për vazhdueshmërinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kombëtare.

“Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe i Kulturës Shqiptare paraqet padyshim njërën ndër forumet më të rëndësishme, i cili organizohet për të diskutuar dhe promovuar aspekte të veçanta që e karakterizojnë gjuhën, letërsinë, kulturë tonë dhe albanologjinë në përgjithësi”, ka thënë Rektori.

Po ashtu, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova ka falënderuar pjesëmarrësit dhe seminaristët që kanë marrë rrugën për Prishtinë në këtë periudhë të paqëndrueshme për shëndetin publik dhe ka theksuar rëndësinë e Seminarit për albanologjinë.

“Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë, është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore vështruar nga një kënd global, por edhe prezantim i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët”, ka thënë Dekania.

Ajo nuk ka lënë pa përmendur miqësitë mes studiuesish, shkëmbimet e studentëve dhe bashkëpunimin mes Tiranës dhe Prishtinës. Rugova e ka përgëzuar gjeneratat e reja, duke mos harruar kontributin e albanologëve të tjerë.

Drejtori i Seminarit të sivjetmë, Profesor Shkumbin Munishi, ka theksuar organizimin e këtij Seminari në një kohë të jashtëzakonshme, i organizuar në kohë rekorde, që do të duhej të mbahej në tetor të 2020-ës, por shkaku i situatës me pandemi ishte anuluar.

“Sivjet po bëhen 47 vjet që kur ka filluar organizimi i Seminarit. Janë 47 vjet histori dhe traditë e padiskutueshme që e bëjnë Seminarin të veçantë dhe të patejkaluar jo vetëm në hapësirat ballkanike, por edhe më gjerë”, është shprehur Munishi.

Tutje ai e ka falënderuar rektoratin e Universitetin e Prishtinës që e ka mbështetur Seminarin në këto rrethana. Dhe në fund ka shpallur të hapur zyrtarisht edicionin e 39-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës kanë dalë shtatë shtete.

Seminarit në vitin 1991 i është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme okupatore të Serbisë. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.Pas çlirimit të Kosovës në Qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Albanologji, Albin Kurti, Seminar Nderkombetar

TË PËRNDJEKURIT E REGJIMIT KOMUNIST KRYEN HOMAZHE NË KAMPIN E SHFAROSJES NË TEPELENË

August 23, 2021 by s p

DIELLI

Të përndjekurit e regjimit komunist shqiptar në ditën Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit kryen homazhe nderimi e përkujtimi në Kampin e Tepelenës ku komunistët kryen shfarosje e vrasje të njerëzve e fëmijëve të pafajshëm.

Qëndrestarë të burgjeve komuniste, Autoriteti i Dosjeve, Shoqata Antikomunistëve e të Përndjekurve Politik, Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit, përfaqësues të fesë e shumë bashkëvuajtës të internuar në Tepelenë, kryen si çdo vit homaxhe e përshpirtshmëri në nderim të personave të pafajshëm që humbën jetën në këtë Kamp të tmerrshëm Internimi, vuajtjesh e persekutimi. Në kampin e llahtarshëm të Tepelenës kishte të internuar nga e gjithë Shqipëria, antikomunistë që nuk u pajtuan kurrë me regjimit kriminal të komunistëve sllavë. Të internuarit në Tepelenë ishin  familje me gra dhe fëmijë dhe të përqendruar në grupe në një kazermë në kushte çnjerëzore jetese. “Nderim në jetë të jetëve martirve tanë antikomunistë” përkujton Nebil Cika me rastin e Ditës Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare. Simon Mirakaj tregoi për ferrin komunist dhe tmerret e familjeve shqiptare në këtë kamp Internimi. Në ceremoninë e nderimit në Kampin e Tepelenës të pranishmit theksuan rëndësinë e nderimit të këtyre viktimave të pafajshme. Të përndjekurit përkujtuan qindra fëmijët e humbur të Tepelenës, që sot e kësaj dite janë pa varre. Në Kampin e Tepelenës, një kamp me tela me gjemba i ndërtuar nga regjimi komunist, 1949-1953, janë ende sot varret pa emër të fëmijëve që vdiqën nga sëmundjet, uria e kushtet e rënda të jetesës. Projekti i komunistëve ishte shfarosja në masë e popullsisë që nuk iu bind regjimit. Pasi i vrau dhe i burgosi kundërshtarët, regjimi kriminal diktatorial krijoi kampe si i Tepelenës e jo vetëm me qëllim që ti torturonte për vdekje kundërshtarët e tij. Komunistët kryen një genocid të paimagjinueshëm ndaj familjeve kundërshatre të regjimit komunist, klerit dhe intelektualëve shqiptarë. (Dielli)

Fotot u morën nga Profili i Nebi Cikës në FB.

.

Filed Under: Featured Tagged With: Gentiana Mara Sula, Nebil Cika, Simon Mirakaj

VARRET PA EMËR…

August 23, 2021 by s p

Homazh në Ditën Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit…

VARRET PA EMËR…

“Varret pa emër” është historia e zhdukjes së mijëra shqiptarëve gjatë regjimit komunist, Blerina Gjoka, drejtoreshë e Fondacionit “Kujto.al” në një rrëfim për gazetën Dielli- Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dhënë Editorit Sokol PAJA shprehet se dokumentari përfshin dëshmi të familjarëve dhe dokumente arkivore që tregojnë se si regjimi i Enver Hoxhës u soll me kundërshtarët politikë, duke i vrarë, burgosur e internuar dhe në mijëra raste duke u zhdukur varrin.

DOKUMENTARI “VARRET PA EMËR

”Regjimi totalitar komunist në 45 vite të qeverisjes e ktheu territorin e Shqipërisë në një varrezë masive. Statistikat zyrtare njoftojnë vdekjet, me dhe pa gjyq, të mijëra kundërshtarëve të regjimit, ndërsa familjarët e tyre kërkojnë me shpresë prej dekadash të gjejnë eshtrat e tyre e t’u ndërtojnë një varr. Pas viteve ’90 një pjesë e tyre u gjenden nga përpjekjet e familjarëve, por 30 vite pas rënies së komunizmit, mijëra të tjerë figurojnë akoma të zhdukur. Fondacioni Kujto – Arkiva online e viktimave dhe krimeve te komunizmit ka realizuar projektin “Varret pa emër”, një dokumentar me dëshmi të familjarëve dhe dokumente arkivore që tregojnë se si regjimi i Enver Hoxhës u soll me kundërshtarët politikë, duke i vrarë, burgosur e internuar dhe në mijëra raste duke u zhdukur varrin. Dokumentari përveç dëshmive dhe dokumenteve arkivore ka arritur të ndërtojë grafikisht se si do të dukej harta e Shqipërisë nëse do të shënojmë në të, të gjitha pikat që besohet se janë përdorur si vendvarrime në Shqipërinë komuniste.

ÇFARË NA TREGON HARTA E VENDVARRIMEVE

Kjo hartë na tregon se Shqipëria ishte një varr i madh. Dhe për fatkeqësinë tonë që nuk kemi mundur t’i lajmë hesapet me të shkuarën, vijon të jetë një varr i madh sekret pasi dhe sot që flasim 3 dekada pas rënies së komunizmit mijëra shqiptarë konsiderohen të zhdukur, pasi asnjëherë në këto 30 vite nuk pati një nismë seriozie dhe zyrtare nga shteti shqiptar për t’i hapur këto vendvarrime dhe për të bërë identifikimin e trupave të të zhdukurve. Nga Veriu në Jug, anash lumenjve, në male, pranë burgjeve, apo kampeve-burgje, pranë reparteve ushtarake, apo dhe pranë fshatrave të banuara, gjenden varre të humbura të përdorura nga ish-sigurimi i shtetit për pushkatimin dhe më pas varrosjen e kundërshtarëve politikë. Në të dhënat zyrtare janë të paktën 35 vendvarrimeve të tilla, por sipas dëshmive besohet se janë shumë më tepër. Dëshmitë e familjarëve dhe dokumentet arkivore kanë ndihmuar për të krijuar një perceptim më të qartë mbi shtrirjen e këtyre vendvarrimeve sekrete. Mbi bazë të këtyre të dhënave fondacioni Kujto ka krijuar një hartë dixhitale interaktive që do të pasurohet me informacione hap pas hapi. (https://kujto.al/harta-e-vendvarrimeve/) Çdo njeri që ka dijeni për këto vendvarrime mund të ndihmojë në plotësimin e kësaj harte me informacione të reja duke klikuar në pikat në hartë dhe duke plotësuar formularin përkatës. Projekti do t’u mundësojë studiuesve shqiptarë dhe të huaj informacion bazë mbi këtë fushë, lehtësisht të aksesueshëm, duke rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë për krimet komuniste. Po ashtu u vjen në ndihmë familjarëve që të sjellin dëshmi dhe dokumente për të afërmit e tyre të zhdukur gjatë periudhës konuniste 1944-1991. Gjej rastin tu bëj thirrje të gjithë mërgimtarëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë familjarë të zhdukur gjatë regjimistrit të Hoxhës që të klikojnë në këtë hartë dhe të japim informacionet e tyre për vendndodhjen e mundshme të trupit të të afërmit të tyre. VENDVARRIMET E FSHEHTA,

ÇFARË KA ZHDUKUR KOMUNIZMI NË KËTO VARRE?

Praktika e zhdukjes së kundërshtarëve të regjimit nisi të zbatohej prej tyre që në vitet e para të vendosjes së diktaturës komuniste dhe u përdor deri në fund të saj duke shënuar të paktën 35 varre masive dhe mijëra të zhdukur, të pushkatuar nga regjimi totalitar ose të vdekurit në burgje e kampet e internimit. Sipas Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë. Prej 30 vjetësh familjarët e tyre, kërkojnë me shpresë se një ditë do ti gjejnë e do t’ju ndërtojnë një varr ku të mund ti qajnë e ti nderojnë. Dokumentari “Varret pa emër” e sjell në mënyrë kronologjike dhe të lidhur me ngjarjet më të mëdha që tregojnë këtë krim, siç janë kryengritjet e para, gjyqet politike, vdekjet në kampe e burgje e vrasjet në kufi, etj. Për secilën prej këtyre ngjarjeve flasin dëshmitarët, që janë familjarë që kërkojnë ende eshtrat e të afërmëve. Vrasjet e para politike, përkojnë me instalimin e regjimit, mes viteve 1944 – 1948. Në këtë periudhë një fushatë e gjatë spastrimesh u shënua në veri të vendit, si Shkodër, Mirditë, Malësi e madhe, Pukë, Kukës, Kurbin etj. Ngjarjet më domethënëse, ishin kryengritja e Postribës në veri të vendit dhe kryengritja e Zhapokikës në jug. Këto ngjarje, sikurse edhe eliminimet e grupeve të intelektualëve vit pas viti, shkaktuan një numër të madh viktimash, pjesa dërrmuese të zhdukur pa gjurmë. Në vitet e para të regjimit janë shënuar edhe një varg vrasjesh, me gjyq edhe pa gjyq, sikurse edhe shumë të vrarë në qelitë e hetuesive nën tortura, apo të vdekur në burgje prej sëmundjeve dhe urisë. Pak familje kanë mundur t’i tërheqin trupat e të vdekurve, pasi pjesa dërrmuese nuk i morën kurrë. Spastrimet politike të regjimit vijuan vit pas viti. Të pushkatuarit, apo të vdekurit në burgje dhe kampet e punës së detyruar, mbushnin statistikat e Ministrisë së Brendshme. Proceset e para të bujshme, si gjyqi special, gjyqi i deputetëve, gjyqi i sabotatorëve të Kënetës së Maliqit, etj, vijuan më vonë me një mori procesesh të tjera gjyqësore, që linin pas viktima të shumta dhe varre të fshehta që nuk mësoheshin kurrë. Një nga varret e para që mban brenda një nga krimet të më të mëdha të komunizmet është ajo e kampit të Turanit, një fshat malor 15 minuta larg Tepelenës, ku gjenden shenjat e një varreze të vjetër, ku gjatë muajve të verës së 1947, ishin varrosur prej të internuarve të stacionuar aty, qindra fëmijë dhe pleq, vdekur prej dizanterisë dhe mungesës së ushqimit. Vdekjet nuk do të ndaleshin edhe pas zhvendosjes së kampit nga Turani, në fushën e kazermave të italianëve pranë Tepelenës. Aty varret ishin zhvendosur 3 herë, derisa përfundimisht i kishin vendosur buzë lumit Bënçë, ku thuhet se u zhdukën nga gërryerjet vit pas viti. Një dëshmi rrënqethëse për fatin e këtyre varreve na vjen nga Fetah Bajram Hamata. Ai këmbëngul se eshtrat e fëmijëve të vdekur në Tepelenë janë ende aty, pasi 2 vite para rrëzimit të regjimit ai i ka parë dhe prekur me dorë kur punonte si punonjës ndërtimi në ndërtimin e disa pallateve fare pranë kampit. Po ashtu, kufiri i Shqipërisë, përgjatë 45 viteve izolim shihej si shpresa e vetme për t’i shpëtuar terrorit dhe përndjekjes, por kufiri është përgjakur në gjithë vijën e tij nga vrasjet dhe më pas zhdukjet e atyre që trentonin të arratiseshin nga ferri komunist.

SHPRESA PËR GJETJEN E TË HUMBURVE PA VARR

Të afërmit e të zhdukurve jetojnë me shpresë se një ditë do i gjejnë njerëzit e tyre që tu ndërtojnë një varr, që ti kujtojnë, ti nderojnë. Këtë gjë e tregon dhe fakti që qindra prej tyre kanë shkuar pranë zyrave të ICMP ( International Commision for Missing People) në Tiranë për të dhënë kampionin e gjakut që do të shërbente si provë për verifikimin e ADN-së në rastet kur gjenden eshtrat e të zhdukurve. Por… përkundrejt shpresës së tyre unë nuk shoh një vullnet politik për të ndërmarë një hap serioz dhe konkret në hapjen e këtyre varreve, të identifikuara tashmë nga dëshmitarë të kohës, nga dokumentet e ekzekutimeve që ndodhen në Ministrinë e Brendshme dhe nga të afërmit e të zhdukurve. Pati një hap të vogël po që nuk arriti dot që të kishte rezultatet që priteshin. Në tetor të vitit që shkoi, 2020, nisën gërmimet pranë Burgut të Burrelit, një ndër vendet e identifikuara nga shumë dëshmitarë për varrosjen e të burgosurve politikë që vdisnin në këtë burg. Gërmimet në Burgun e Burrelit patën si synim gjetjen e eshtrave të shtetasit italian Giuseppe Terrusi, i cili vdiq në këtë burg në vitin 1952. Në këtë burg mendohet se janë varrosur dhe qindra të burgosur të tjerë që kanë humbur jetën gjatë dënimit nga torturat, sëmundjet ose uria, por është hera e parë që shteti shqiptar ndërmerr një akt të tillë për gjetjen e tyre. Sipas informacioneve në media ishte këmbëngulja e ambasadës italiane në Tiranë dhe djalit të Terrusit, Aldo Renato Terrusi, që bëri të mundur nisjen e gërmimeve. Pas një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe ambasadës italiane është ngritur një task-force e posaçme për të nisur këtë proces. Por, gërmimet u ndërprenë pas 24 orësh dhe akoma nuk ka asnjë hap të ri për hapjen e atij vendvarrimi. Ja një dëshmi që na vjen për këtë vendvarrim: “Ku varroseshin gjithë ato kufoma?” “Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj. Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mes vetes xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”- thotë Engjëll Kokoshi, ish i burgosur politik në këtë burg gjatë një bisedë me Aldo Renato Terrusin pas viteve ’90.

PUSHTUESIT KËRKOJNË ESHTRAT, TË VRARËT TANË ENDE PA VARR

Gjetja e të zhdukurve është një plagë e hapur për mijëra familje në Shqipëri. Një pjesë e tyre mundën t’i gjenin me përpjekjet e tyre trupat e të afërmëve në vitet e para të tranzicionit, direkt pas rënies së komunizmit, por mijëra të tjerë akoma nuk kanë një vend ku t’i qajnë baballarët, vëllezrit apo fëmijët e tyre. Në dokumentarin tonë “Varret pa emër”, kemi dy dëshmi që kanë arritur t’i gjejnë të afërmimit me përpjekje private, por ndërkohë kemi dëshmi se si janë përpjekur me vite me radhë duke u shkruar autoriteteve dhe madje duke iu lutur dhe xhelatëve që janë akoma gjallë ( rasti i Taip Hoxhës) dhe përsëri nuk kanë mundur të gjejnë njerëzit e tyre. Drama e madhe e mungesës që trashëgohet brez pas brezi në këto familje mund të përmblidhet më mirë me atë që thotë malësori Ndoc Culaj në fund të dokumentarit tonë; “…Këta grekët pushtues, eshtnat, këta italianët pushtues eshtnat, n’dijeninë teme edhe gjermanët kanë pas raste që kanë ardh kanë marrë eshtnat e ushtarëve ose oficerave të vet. Po shqiptarët n’tokë të vet, po shqiptarët në shpi të vet, pse s’paskan të drejtë me i marrë eshtnat e njerzëve të tyne? Pse s’paska të drejtë nji nanë ose nji babë me i çu nji lule te vorri i djalit t’vet? Pse s’paska të drejtë nji djalë me shkue me i çua nji lule te vorri i babës së vet? Kjo asht e papranueshme…”. Linku i dokumentarit: https://www.youtube.com/watch?v=reaiSGeetaw

Filed Under: Featured Tagged With: Blerina Gjoka, Sokol Paja, Varret pa emer

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT