• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ka pasur gisht Serbia në vrasjen e Avni Rustemit?

September 13, 2023 by s p

Dr. Hasan Bello/

Më 20 prill 1924 deputeti Avni Rustemi i paraqiti Kuvendit Kushtetues kërkesën për një leje tremujore. Ai mendonte të zhvillonte një udhëtim në ShBA. Por legata amerikane ia refuzoi vizën. Një rast shumë i rrallë për kohën, duke e shpallur atë si shqiptarin e parë “non grata” për qeverinë amerikane. Kjo për shkak të tendencave antikushtetuese të organizatës “Bashkimi”, siç ishte eleminimi fizik i kundërshtarëve politikë.

Atentati kundër kryeministrit të kohës, A.Zogu në shkallët e parlamentit, në shkurt të 1924 kishte si autorë Beqir Valterin, por në fakt nga hetimet rezultoi se organizator dhe stërvitës i tij kishte qenë A.Rustemi. Gjithashtu, anëtarët e organizatës “Bashkimi” u jepnin me zor deputetëve kundërshtarë vaj ricini, që t`i zinte diarrea dhe të diskretitoheshin në sytë e popullit. Për të gjitha këto amerikanët kishin informacion të plotë.

Vrasja e Avni Rustemit ndodhi në një moment kur situata politike mes pozitës dhe opozitës ishte shumë e tensionuar. Ajo ngjasonte me një shesh ku ishte derdhur benzinë…Sipas versionit zyrtar dhe shtypit të kohës thuhet se, rreth orës 16:00-17:00 të 20 prilli 1924, ai po shkonte në shtëpinë e ministrit të Arsimit, Fahri Gjilani, kur në “Varrezat e Pashës” afër Pazarit të Ri, u qëllua nga Isuf Reçi, i cili njihej si mullixhi i Esat Toptanit. Pas disa ditësh ai ndërroi jetë. Trupi i tij u balsamos nga dr.Sezai Çomo dhe më 28 prill u nis nga Tirana në Durrës për tu transportuar drejt Vlorës me vaporin jugosllav “Beograd”.

Më 29 prill kortezhi mortor i shoqëruar nga përfaqësuesit e opozitës, deputetë dhe ndonjë ministër i qeverisë së koalicionit mbërriti në Vlorë. Ajo që dihet është fakti se, trupi i të ndjerit u përdor politikisht për të ndezur gjakrat e popullit, ushtarakëve dhe nënpunësve të ndershëm dhe për t`i hedhur ata kundër qeverisë. Ky ishte sipari i një grushti shteti, i cili njihet edhe si “Revolucioni i Qershorit”.

Por kush ishin të interesuar për vrasjen e A.Rustemit dhe një luftë civile mes shqiptarëve?

Sipas botimit me dokumenta nga arkivat ruse “Marrëdhëniet sovjetiko-shqiptare (vitet 20-30 të shek.XX)”, të përgatitur nga Prof. Lenina Zhila dhe Prof. Vlado Popovski shtrohet një pistë e re. Në një dokument të zbulimit sovjetik për “Komitetin e Kosovës” dhe ngjarjet politike në Shqipëri në vitin 1924, për vrasjen e Avni Rustemit shkruhet: “Kah mesi i këtij prilli, Avni Rustemi u plagos rëndë dhe tashmë ka vdekur. Nuk mund të anashkalohet fakti se vrasja e tij qe inspiruar nga agjentura serbe në Shqipëri.”

Kjo pistë përputhet edhe me disa informacione të mbledhura nga prefekti i Shkodrës, Abedin Nepravishta, i cili më 10 prill 1924 informon Zyrën Sekrete pranë Ministrisë së Brendshme se një person që kishte marrëdhënie konfindenciale me konsullatën jugosllave i kishte deklaruar se, brenda dhjetë ditësh po përgatiteshin disa atentate kundër personave me rëndësi. Në fillim prefekti nuk e kishte besuar vërtetësinë e këtij informacioni, por kur kishte ndodhur vrasja e dy turistëve amerikanë në pyllin e Mamurrasit, ai kishte filluar ta merrte seriozisht.

Pas vrasjes së A.Rustemit, personi në fjalë ishte takuar përsëri me prefektin e Shkodrës, duke i konfirmuar faktin se, si vrasja e amerikanëve ashtu dhe ajo e A.Rustemit ishin organizuar nga konsullata jugosllave, e cila përgatitej të eleminonte edhe disa personalitete të larta politike si A.Zogu, Luigj Gurakuqi etj. E gjitha kjo bëhej për të destabilizuar situatën politike dhe për t`i çuar shqiptarët drejt luftës civile. Megjithëse vrasja e A.Rustemit, për shkak të veprimeve të tij, ishte vetëm çështje kohe.

Filed Under: Histori

#SiSot, më 12 shtator 1998, u vra në pritë deputeti Azem Hajdari

September 12, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

“Vrasja e shekullit”, sikurse e quajti shkrimtari Ismail Kadare, u parapri prej disa atentatesh radhazi përgjatë vitit 1997 kundrejt ish-udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990. Atentati i parë u shënua në qershor të atij “viti të mbrapshtë”, në Shkallnuer të Durrësit. Dy muaj më pas, Hajdarit iu ngrit pusi në Qafën e Buallit në Sarandë, ndërsa më 18 shtator 1997, mbeti i plagosur në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë, i qëlluar me pesë plumba nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Gafurr Mazreku (lexo dokumentin). Dy atentate të tjera do të zhvilloheshin në muajt që pasuan, derisa Hajdari të mbetej i vrarë para selisë së Partisë Demokratike.

Hajdari ushtroi funksionin e legjislatorit në gjirin e partisë së parë opozitare në vend pas periudhës diktatoriale, që prej vitit 1991 e gjersa u shua. Në 50-vjetorin e lindjes së tij, më 11 mars 2013, u nderua me titullin më të lartë, “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#AzemHajdari

#AQSH

Filed Under: Histori

Kryengritja e Postribës 1946, lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore

September 9, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

9 shtatori 1946 shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të përballjes së shqiptarëve me instalimin e diktaturës komuniste.

Si sot 77 vjet më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend dhe në Europën Juglindore.

Kryengritja u zhvillua në rrethanat politike të krizës së marrëdhënieve të regjimit komunist me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Ajo u bë ditët kur po zhvillohej konferenca e paqes në Paris (29 korrik – 15 tetor 1946), në të cilën SHBA-ja deklaroi se nuk do ta njihte qeverinë komuniste të Enver Hoxhës.

Kryengritja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptar.

Megjithëse nuk ia arriti qëllimit, ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit.

-U arrestuan rreth 200 persona

-U pushkatuan pa gjyq 33 persona

-U pushkatuan me gjyq: 5 persona

-U dogjën nga regjimi pas ngjarjes: 33 shtëpi

-U arratisën: 69 persona

-U zhvilluan 5 procese të mëdha gjyqësore e disa të tjera më të vogla, ende të paidentifikuara të gjitha. Në këto procese u përfshinë edhe shumë persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen, por thjesht ishin antikomunistë.

Është në nderin tonë, që sot të të kujtojmë e të përulemi me veneracion martirët e Postribës.

Të përulemi përpara kalvarit e dinjitetit të treguar nga antikomunistët e vërtetë!

Lavdi të përjetshme martirëve të Postribës!

Filed Under: Histori

#SiSot, më 9 shtator 1946, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend

September 9, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Lëvizja qendrestare ishte e nxitur kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe të banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, u mbajt një mbledhje në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër dhe në fshatrat rreth saj. Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij.

Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm dhe do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë. Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta. Osman Haxhia, u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.

Në imazhet bashkëngjitur këtij postimi, paraqitet një raport i Komitetit Qendror të Partisë mbi kryengritjen e Postribës. Në foto shfaqen anëtarë të çetave të Ballit Kombëtar, ndër ta edhe Jup Kazazi, një nga drejtuesit kryesorë të kësaj levizjeje.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#KryengritjaePostribës

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Histori

CINEMONDE (1937) / RRËFIMI I GEO KELBER MBI XHIRIMET E FILMIT DOKUMENTAR NË SHQIPËRI

September 7, 2023 by s p


Geo Kelber, operatori i tij dhe dragomani i tij shqiptar në Shkodër — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Geo Kelber, operatori i tij dhe dragomani i tij shqiptar në Shkodër — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Shtator 2023

Revista “Cinémonde” ka botuar, të enjten e 7 tetorit 1937, në faqen n°8, rrëfimin e gazetarit francez Geo Kelber mbi xhirimet e filmit dokumentar në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Kamera në mes të plumbave të Shqipërisë ku mbërriti në mes të revolucionit

Geo Kelber, gjuetar i palodhur i imazheve, solli një fill të sinqertë, të gjallë dhe me interesin më të lartë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Geo Kelber është një gazetar i ri. Ish-redaktor në një të përditshme të madhe të mbrëmjes, ai ka disa vite që interesohet për kinemanë. Me dëshirën për të mësuar teknikën, ai fillimisht vëzhgoi për një kohë të gjatë dhe studioi me kujdes, pastaj kur gjykoi se dinte mjaftueshëm, mori guximin të prodhojë. Duke dashur të mbetet reporter, ai filmoi dokumentarë si “Kina 37”, të cilin mund ta shohim aktualisht dhe tema e të cilit është një aktualitet i nxehtë, dhe “Andorra”, që do të publikohet së shpejti në Paris. Këto janë suksese të përsosura.

— Filmi dokumentar duhet të realizohet sipas koncepteve gazetareske, na thotë Geo Kelber. Ose një gazetar duhet të bashkëpunojë me operatorin e kamerës, ose drejtori (regjisori) duhet të jetë gjithashtu reporter. Deri më tani, producentët e dokumentarëve e konsideronin këtë lloj filmi vetëm nga këndvështrimi reklamues dhe me subvencionin e marrë dërgonin një kameraman që aty-këtu bënte një xhirim, pa ditur nëse filmimi i tërë do t’i përgjigjej qëllimit të dëshiruar.

“Sot dokumentari ka evoluar. Regjisorët e mëdhenj si Léon Poirier, Van Dyke, Robert Flaherty, nuk besonin se po dështonin duke u marrë me të; eksploruesit e famshëm e kuptuan vlerën e kinemasë, gazetat ranë dakord të bashkëpunonin në prodhimin e reportazheve kryesore të filmuara dhe të huazonin yjet e ekipit të tyre editorial për këtë. Për më tepër, iniciativat origjinale, si La Marche du Temps – Marshi i Kohës, kanë qenë një stimul pozitiv dhe kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut ndaj reportazhit të filmuar, i cili më në fund po gëzon suksesin e merituar.

Sapo kam realizuar dy filma të pablikuar më parë, njëri për Republikën e vogël të Andorrës, tjetri për Shtetin e ri të Shqipërisë. I dyti, i cili është mjaft i rëndësishëm duke qenë se ne impresionuam pothuajse 4000 metra, kërkoi më shumë se katër muaj përpjekje dhe durim.

Majin e kaluar, kur isha në Lozanë, më kërkuan të shkoja në Shqipëri për të filmuar një dokumentar atje. Pasi mblodha dokumentacionin e mjaftueshëm dhe realizova një projekt-skenar, sepse unë nuk jam aspak adhurues i improvizimit në vend, u nisa me operatorin tim, Georges Alexath, me qëllimin për të bërë një punë të mirë.

Sapo mbërritëm në Durrës, dikur rezidenca e Princ Vidit, u detyruam të qëndronim në vend (palëvizur) për tre javë, të ndaluar të filmonim asgjë. Shqipëria ishte atëherë në mes të një revolucioni. Et’hem Toto, ish-ministër i Brendshëm, sapo ishte ngritur kundër Zogut I, mbretit aktual dhe kishte pushtuar qytetin e Gjirokastrës. Të monitoruar natë e ditë, Alexath, Victor Rich, producenti im, drejtori ynë i produksionit dhe unë pritëm derisa të kthehej qetësia. Ndërkohë, qeveria shqiptare po kryente një hetim të dyfishtë në Paris dhe Lozanë dhe informacionet që ajo mori ishin të kënaqshme, ne mundëm që kur kryengritja u vu më në fund nën kontroll, të punonim si të donim.

Të shoqëruar nga Avni Bej Delvina dhe Rexhai (Reks) Kosturi, përfaqësuesë të zotit Musa Juka, ministër i Brendshëm, u nisëm për në malet e veriut, ku banojnë fiset mirditore dhe dukagjinase. Ata jetojnë sipas traditave të malit, duke ndjekur një kod nderi shumë të rreptë, duke zbatuar në mënyrë të paepur hakmarrjen dhe duke ju pritur në mënyrë madhështore, siç kërkohet nga ligjet stërgjyshore të mikpritjes.

Jugu ka pësuar dominimin e grekëve që ishin zotërit e tij pas Luftës Ballkanike. Nga ana tjetër, ka gjurmë të shumta të Hellasit (Helladës), veçanërisht rreth detit Jon. Kështu në Butrint, një mision arkeologjik francez po ndërmerr gërmime shumë të rëndësishme. Bregdeti i Himarës, ku majat e maleve mbeten vazhdimisht nën re, ka një notë kurioze misterioze dhe pa dyshim që nga ky rajon ka nisur historia fantastike e Kimerës. Vlora duhet cilësuar si Gjibraltari i Adriatikut. Është një pikë e rëndësishme strategjike që italianët e lakmojnë dhe që shqiptarët e ruajnë (mbrojnë) me xhelozi.

Shqiptarët që për 400 vjet ishin nën dominimin e osmanllinjve dhe që megjithatë ruajtën dashurinë për atdheun e tyre, me shumë mundësi janë arianë të pastër. Ata praktikojnë tre besime fetare. Ata janë : katolikë, myslimanë, ortodoksë. Ajo që është kurioze është se ata janë shumë tolerantë. Pra, katolikët shkojnë në festat myslimane dhe ortodokse dhe anasjelltas.

Në Shkodër, duke pasur nevojë për ndihmën e ushtrisë, sepse pjesa e parë e filmit tim është një retrospektivë e shpejtë historike, shkova te komandanti i garnizonit, kolonel Ullagaj. Ky ish-oficer rus i bardhë pothuajse u bë zot i Moskës në kohën e Revolucionit të Kuq dhe më vonë mori pjesë në grushtin e shtetit të Zogut I që rezultoi në paqësimin e Shqipërisë. Ullagaj më priti shumë mirë dhe më dha gjithçka që kisha nevojë. Të nesërmen, rreth njëqind burra, të cilëve u ishin shpërndarë armë dhe gëzhoja bosh, sulmuan qytetin dhe qëndruan para aparatit tim gjatë gjithë ditës. Popullsia, e pa paralajmëruar, me të shtënën e parë u vërsul drejt kalasë, në panik. Jo pa vështirësi ia dolëm që të kuptojë se bëhej fjalë vetëm për kinemanë. Komandanti i garnizonit më autorizoi të përdor mitralozë, por më kërkoi që të mos përdorja topat, sepse nuk duhet t’i shqetësoja jugosllavët, kufiri i të cilëve ishte vetëm dymbëdhjetë kilometra larg.

Pasi mbaruan xhirimet, ne patëm shumë vështirësi për të rimarrë armët tona, shqiptarët donin me çdo kusht të gjuanin të gjitha gëzhojat bosh që u kishim shpërndarë.

Një herë tjetër gati sa nuk patëm një incident të lehtë. Për qëllimet e një skene, unë udhëzova një shqiptar të gjuante me pushkë nga maja e murit të një fortese të lashtë. I rekomandova që të mbante shenjestër në drejtim të një varreze të vogël ku nuk kishte njeri. Kështu bëri. U dëgjua një shpërthim, i ndjekur nga një britmë e dhunshme. Ne nxituam. Plumbi kishte kaluar afër një gruaje të moshuar që falej, pranë një varri dhe për pak centimetra mund ta kishte prekur.

Shqiptarët, ju thashë tashmë, janë shumë mikpritës. Për ta, vizitori, veçanërisht i huaji është i shenjtë. Asgjë nuk është shumë e mirë për të dhe gjithçka duhet të vihet në dispozicion të tij.

Një nga përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, që na shoqëronte, na tha se mund të shkonim kudo pa frikë se do të na sulmojnë apo grabitin.

Një mbrëmje, teksa hoqi tunikën përpara nesh, pashë të varur në brez, një revolver mbresëlënës. Ndërsa i tregova habinë time, ai u përgjigj :

— Ju jeni i huaj, nuk duhet të keni frikë, por për mua nuk është e njëjta gjë, unë jam vendas.

A nuk është e bukur ?

Kështu, pata mundësinë, jo pa rrezik, pasi, teksa qëndronim në një vend moçalor, më kapi një lloj malarie, për të xhiruar atje një film që shpresoj të jetë interesant. Unë kam sjellë disqe të muzikës shqiptare që do të frymëzojnë shoqëruesin muzikor dhe shpresoj që publiku të ketë në filmin tim një vështrim të sinqertë të asaj që është Shqipëria, një vend plot sharm dhe poezi.”

— Projekte të tjera ?

— Po. Unë jam duke përgatitur një reportazh shumë të madh, i cili do të marrë shumë muaj për ta përfunduar dhe për të cilin do të shoqërohem nga një koleg gazetar, i cili krahas filmit do të shkruajë një seri artikujsh për një të përditshme të madhe në Paris. Pra, do të jetë njëqind për qind reportazh.

Le të urojmë që Geo Kelber të mos ndalet me kaq. Ai ka besimin dhe entuziazmin e të rinjve. Ai ka gjithçka për të pasur sukses dhe duhet të japë një kontribut të vlefshëm dhe të dobishëm në filmin dokumentar.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT