• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Spiridon Ilo – Firmëtar i Pavarësisë, shërbestar i arsimit kombëtar

November 5, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Spiridon Ilo lindi më 30 shtator 1876 në qytetin e Korçës, një qytet i cili në fund të shekullit XIX ishte ndezur si një pishtar i dritës e i vetëdijes kombëtare, një vatrë e ngrohtë ku zemrat e njerëzve rrihnin për të ruajtur gjuhën shqipe dhe për të mos u zhdukur në përplasjen e gjatë e të mundimshme me errësirën e perandorisë, që synonte të shuante çdo shenjë të identitetit të popullit tonë. Familja e Ilos ishte një familje e njohur për ndershmëri dhe përkushtim ndaj punës e traditës. Babai dhe nëna e rritën me ndjenjën se njeriu nuk është vetëm një qenie që jeton për veten, por një filiz i gjallë i trungut të kombit, i cili duhet ta ushqejë e ta forcojë trungun me mundin e tij. Qysh në fëmijëri, ai përthithi frymën e dashurisë ndaj gjuhës amtare dhe ndjenjën e thellë se populli shqiptar kishte lindur për të qenë i lirë dhe i dinjitetshëm.

Arsimi bazë i tij u krye në shkollat e Korçës, në një kohë të vështirë kur gjuha shqipe ishte e ndaluar, ndërsa mësimet në shumicën e rasteve zhvilloheshin në gjuhë të huaja. Spiridon Ilo e kuptoi herët se gjuha është gurthemeli i ekzistencës së një populli dhe se pa gjuhë nuk ka kujtesë, nuk ka shpirt, nuk ka atdhe, siç nuk ka as rrënjë, as degë, as frut. Kjo ndjenjë e brendshme do ta ndiqte gjatë gjithë jetës së tij. Ai u rrit me libra të pakët, por me etje të madhe për dije. Ai nuk ndoqi fakultet të lartë universitar, sepse koha nuk ia dha këtë mundësi, por ai ishte një shembull i lartë i vetë-arsimit: lexonte çdo gjë që i binte në duar, dëgjonte bisedat e njerëzve të mençur, vëzhgonte historinë dhe mbante mend, siç mban mend zemra e një njeriu që e di se jeton jo vetëm për veten, por për diçka më të madhe se ai vetë.

Rinia e tij e shtyu drejt Bukureshtit, aty ku kolonitë shqiptare ishin bërë qendra të rëndësishme të mendimit dhe organizimit kombëtar. Në Bukuresht, Spiridon Ilo u lidh me shoqëritë patriotike “Drita” dhe “Shpresa”, të cilat ishin rrahjet e zemrës së atdhetarizmës shqiptare jashtë atdheut. Aty u organizuan, u botuan libra, u përkthyen tekste, u kënduan këngë, u mblodhën fonde dhe u ndezën shpirtra. Ilo u gjet në mes të tyre, jo si spektator, por si punëtor i heshtur, si krah që nuk lodhet, si sy që nuk mbyllet, si mendje që nuk stepet. Ai e kuptoi se rilindja e popullit shqiptar nuk do të vinte vetëm nga pushka, por mbi të gjitha nga pena, nga fjala, nga kënga, nga arsimi.

Roli historik i Spiridon Ilos arriti majën e tij më 28 Nëntor 1912, ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Në Vlorë, ai ishte ndër ata burra të urtë e të guximshëm që nënshkruan aktin e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë. Me dorën e tij, ai vendosi firmën për idealin e lirisë, duke dëshmuar se nuk ishte vetëm një poet i ndjenjës kombëtare, por një veprues i realitetit historik. Me atë firmë, Ilo u bë kujtesë e gjallë e lindjes së shtetit shqiptar dhe pjesë e themeleve të tij. Por për të, pavarësia nuk ishte një pikë fundore, ishte vetëm fillimi i një pune edhe më të rëndë: puna për të ndërtuar arsimin kombëtar.

Arsimi ishte besimi i tij i thellë. Ai e dinte se liria pa dituri është një derë e hapur drejt errësirës së re. Prandaj, Spiridon Ilo punoi pa reshtur për shkollën shqipe. Ai kujdesej për librat, për materialet didaktike, për përkrahjen e arsimtarëve, për hapjen e qendrave të reja të mësimit. Ishte ndër të parët që e kuptoi se atdheu nuk është vetëm një tokë fizike, por është një qiell shpirtëror ku flenë kujtesat dhe ëndrrat e popullit. Dhe ky qiell ndërtohet me shkollë.

Një ndër veprat më të mëdha të tij, që e bën emrin e tij të pavdekshëm jo vetëm në histori, por edhe në zemrat tona, është fakti se Spiridon Ilo regjistroi për herë të parë me fonograf Himnin e Flamurit. Ky akt, i thjeshtë në dukje, ishte në të vërtetë një akt i pamatshëm historik. Ai ruajti tingullin e shenjtë të identitetit tonë kombëtar, këngën që ngre zemrën e popullit tonë drejt qiellit, këngën që valëvitet bashkë me flamurin, këngën që na bashkon kur jemi në gëzim e kur jemi në vaj. Pa këtë regjistrim, shumë nga kujtesa e këngëve tona kombëtare do të ishte zhdukur në erërat e kohës.

Jeta e Spiridon Ilos nuk ishte as e pasur materialisht, as e lehtë. Ai nuk kërkoi asnjëherë shpërblim, as titull, as lavdi. Jetoi mes njerëzve, modest, i thjeshtë, por i madh në shpirt. Ai nuk ndërtoi shtëpi të larta për veten, por ndërtoi themele të pathyeshme për kombin. Nuk foli shumë për vetveten, sepse e dinte se veprat flasin më gjerë se fjalët. Në plakjen e tij, ai u kthye sërish në Korçë, në qytetin e zemrës, ku kaloi vitet e fundit të jetës me qetësi dhe me dinjitet. Spiridon Ilo ndërroi jetë më 7 nëntor 1950, duke lënë pas një trashëgimi që nuk shuhet.

Sot, emri i tij rron si një fener i dritës kombëtare. Ai është dëshmi se njeriu i madh nuk është ai që ngrihet mbi të tjerët, por ai që i ngre të tjerët bashkë me veten. Spiridon Ilo është një gur i çmuar në ndërtesën e identitetit tonë. Dhe si çdo gur i shenjtë, ai nuk duhet harruar. Është detyrë e brezave që vijnë ta përkujtojnë jo vetëm emrin, por frymën e tij: frymën e përkushtimit të heshtur, të dashurisë së pastër për gjuhën, arsimin dhe atdheun.

Në këtë mënyrë, jeta e tij nuk është thjesht një kapitull historie. Është thirrje. Thirrje për me punua, me dashtë, me ruajtë, me mbrojtë. Thirrje për me kuptua se kombi jeton vetëm atëherë kur bijtë e tij ia kushtojnë zemrën, mendjen dhe mundin. Dhe kështu, Spiridon Ilo mbetet shembull për ne sot, për brezat që do të vijnë, për ata që e kuptojnë se vepra e njeriut mbetet vetëm atëherë kur ajo vepër është ndërtuar mbi lirinë, dijen dhe dashurinë e pastër njerëzore.

Filed Under: Histori

KUR GJERGJ KASTRIOTI-SKENDËRBEU U KTHYE NË KRUJË 3 NËNTORI 1443

November 4, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Historia shënon se në këtë datë të rëndësishme në historinë e fisit shqiptar, Heroi i Përgjithmonshëm i Kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në atë datë, shekuj më parë, u kthye në Atdhe për të filluar kryengritjen e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Me një grup prej 300-kalorsish besnikë shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane, Gjergj Kastrioti-Skenderbe braktisi ushtrinë turke dhe u nis drejt Krujës. Pas largimit nga beteja e Nishit, si udhëheqës ushtarak i ushtrisë osmane në vitin 1443, ai i drejtohet vendlindjes së tij Shqipërisë, duke arrijtur në Krujë, ku me 28 nëntor po të njëjtit vit, Gjergj Kastrioti ngriti flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare, duke shpallur, njëkohësisht, çlirimin e trojeve arbërore nga pushtuesit turq dhe themelimin e shtetit të parë shqiptar pas disa shekujsh. Me marrjen nën kontroll të kështjellës së Krujës, si një prijës i vërtetë i Kombit të vet, Skënderbeu shpall pavarësinë nga Perandoria Osmane, duke u bërë kështu udhëheqsi i parë për një çerek shekulli i shqiptarëve, por jo vetëm, në luftën e tyre për liri nga pushtuesit osmanë. Pa dyshim një datë e tillë historike do ishte me rendësi për çdo komb tjetër në botë, si një ditë që shënon, sado simbolikisht dhe përkohsisht, lirinë dhe pavarsinë e vet, nga Perandoria më e fuqishme kohës. 

Po a shënojnë sot, zyrtarisht, Shqipëria dhe Kosova si dy shtete shqiptare të lira e të pavarura të kohës moderne, përvjetorin e nëntorit historik të vitit 1443 — si një ditë simbolike të çlirimit të trojeve shqiptare nga Skendërbeu – dhe si një kujtim por edhe reflektim i thellë – ndaj meritave të Prijsit të Kombit, i “cili gjithëherë, mbi çdo interes, ka venë vlerat kombëtare të trashëguara të besës, të nderit, e të burrënisë”, siç e ka cilësuar Papa Pali i VI me rastin e 500-vjetorit të Heroit të Shqiptarëve, duke u shprehur se, “Fatosi Gjergj Katrioti- Skënderbeu ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive dhe se këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim”, është shprehur Papa Pali i VI, në fjalimin e tij para shqiptarëve mërgimtarë në Romë dhe Vatikan, me rastin e 500-vjetorit të Skenderbeut.

Po çfarë ndodh sot me trashëgiminë dhe vlerat e Gjergj Kastriotit-Slenderbe: të besës, të nderit, e të burrënisë ndër rradhët e shqiptarëve në Atdhe dhe në mërgim?  Sot, në këtë përvjetor të hyrjes së Gjergj Kastriotit në Krujë, i bie kujt në mend – sidomos klasës politike, këtyre “prisjave” aktualë të kombit sot, për trashëgiminë dhe vlerat e Heroit të madh Kombëtar. Nuk ma merr mendja! 

 Nëqoftse historia e këtyre 35-viteve të fundit na mëson ndonjë gjë sa i përket kujtimit, respektimit dhe nderimit të trashëgimisë dhe vlerave të Heroit Kombëtar, anë e mbanë trojeve shqiptare, atëherë, mbetet shumë për tu dëshiruar. 

Për fat të keq, vihet re gjatë viteve se në vend që – me zemër dhe me shpirt të pathyeshëm shqiptari –me respekt dhe mirënjohje të kujtohet dhe të nderohet përgjithmonë Heroi i Kombit Gjergj Kastrioti -Skenderbe, pushtetarët e sotëm sidomos në Tiranë, prania e përmendores së Gjergj Kastriotit në kryeqytein shqiptar është më shsumë një prani e bezdishme më shumë se një simbol krenarie. Shpeshherë gjatë viteve ata kanë mbuluar statujën e Skenderbeu në Sheshin mu në qëndër të Tiranës gjatë vizitave të presidentit turk, Erdogan në Tiranë, ndërkohë që Presidenca në raste të tilla ka hequr bustin e Skenderbeut nga salla e takimit në takimet me presidentin Erdogan në Tiranë. 

Merreni me mend nëse Londra zyrtare do i kishte kërkuar presidentëve amerikanë që në vizitat e udhëheqsve britanikë në Shtëpinë e Bardhë të heqnin fotografitë e Xhorxh Washingtonit ose të tjerëve për të mundësuar vizita të tilla zyrtare, me qëllim që të mos zemëronin anglezët. Absolutisht e paimagjinueshme! Por për botën e çudirave të politikkës aktuale shqiptare, çdo gjë është e mundur dhe e lejueshme në emër të interesave personale, qofshin ato edhe në dëmin historik ndaj vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Uroj në këtë përvjetor (3 nëntor, 1443) të hyrjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Krujë, që ky brez i shqiptarëve, mbrojtës dhe përgjegjës sot i interesave dhe identitetit historik kombëtar të shqiptarëve — të mos jenë një brezni e nemur, e papërcaktuar dhe e papërgjegjshme ndaj identitetit kombëtar dhe qëllimeve dhe interesave madhore të Kombit shqiptar. Por të jetë një brezni burim shpresash për liri dhe bashkim kombëtar, në mbrojtje të vlerave bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të Gjergj Kastriotit – Skendërbe.  Gjithmonë sipas Skënderbeut, me porosinë e tij: “Ngrehni Flamurin përpara dhe tregohuni burra si gjithënjë.  Perëndia, si gjithnjë edhe pasketaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.”  Ishte dhe është edhe sot ky besimi dhe amaneti i të Madhit dhe të Përgjithmonshmit të Kombit shqiptar. Por, për fat të keq, deri më sot është vështirë të thuhet se shqiptarët janë treguar “burra”, siç i donte Skenderbeu. Sigurisht që jo duke mbuluar fytyrën e të Madhit Gjergj Kastriotit -Skenderbe, mu në mes të Tiranës, vetëm e vetëm, se dikush i huaj e kërkon një gjë të tillë.

Frank Shkreli

I përgjithmonshmi i Kombit – Gjergj Kastrioti-Skenderbeu — me 28 nëntor, 1443 ngriti flamurin kuq e zi me shqiponjën dy-krenare – Flamurin e Lirisë, Krenarisë Kombëtare dhe Bashkimit të të gjithë shqiptarëve pa dallim.

Filed Under: Histori

KOMANDANT MEFAIL ZAJAZI – Shmangu luftën vëllavrasëse në Kërçovë

November 3, 2025 by s p

Mefail Shehu (Mefaili i madh) – Udha jonë është Shqipëria Etnike ! Mefail Shehu 1898-1945

ULNI ARMËT – THA KOMANDANTI  DHE SHMANGU VËLLAVRASËSEN NË KËRÇOVË 

— në kujtim të 80 vjetorit të vrasjes – 

Emri i komandantit që i rezistoi KOMUNIZMIT PANSLLAVIST, Mefail Shehu – Zajazi, edhe 80 vjet pas vrasjes së tij, ka mbetur i skalitur, kryesisht në kujtesën popullore.  Strukturat tjera vazhdojnë heshtjen. Kalimthi, e përmendin si bashkëluftëtarë i Xhemë Simnicës-GOSTIVARIT.

Ne 80- vjetorin e vrasjes së tij, duhet përkujtuar merita e tij për të shmangur luftën vëllavrasëse me Brigadën e katërt Shqiptare, në vitin 1944. Ai sigurisht meriton më shumë se kaq. 

 Në emisionin folklorik RRËNJËT TONA,  bëra një sqarim për Mefailat e Zajazit: MEFAILI MADH  dhe MEFAILI I VOGËL. Aq sa e pat vendin, aq e prezantova, por nuk e harrova. 

Në popull njihen si: MEFAILI MADH dhe MEFAILI VOGËL. Kjo sipas dukjes fizike, por në thelb ka dallim më të rëndësishëm. Dihet se Mefaili Madh – Mefail Shehu,  ishte i madh edhe për nga  funksioni që  kishte në lëvizjen e rezistencës  shqiptare  antikomuniste për rajonin e Kërçovës.  Ishte komandant i kësaj lëvizje dhe strateg i rezistencës, i disiplinuar dhe korrekt me bashkëluftëtarët e tij. Mefaili Vogël – Mefail Mehmeti, një shenjëtar i rrallë,  ishte krahu i djathtë i Mefailit Madh,  

Në 80- vjetorin e rënies së tyre, meriton të përkujtohet kontributi i Komandant Mefail Zajazit për shmangien e luftës vëllavrasëse me Brigadën e katërt shqiptare, në Kërçovë në vitin 1944. 

Për marshimin e Brigadës katërtë Shqiptare drejt Shkupit, ku u formua Brigada e Shtatë Maqedono-Kosovare, që marshoi drejt Frontit të Sremit, ishin të angazhuar Mehmet Shehut, Haxhi Lleshi dhe Reis Malile. Brigada duhej të kalonte nëpër Kërçovë, drejt Gostivarit. Në Kërçovë vepronte lëvizja e Rezistencës ANTIKOMUNISTE, në krye të së cilës ishte Mefail Zajazi-komandant i përgjithshëm, me Mefail Mehmetin-Mefaili Vogël, krahu i djathtë i Mefailit Madh.

Në Kërçovë zhvillohej luftë midis forcave Antikomuniste, nën udhëheqjen e Mefail Shehut- Zajazi dhe atyre  Prokomuniste e udhëhequr nga maqedonët.  

  Nga burime të ndryshme dihet se Mehmet Shehu kishte dhënë urdhër për shpartallim të forcave të Mefail Shehut deri në “ … zhbërje të ”bandës së Mefail Zajazit”, por heshtet fakti se MEFAIL ZAJAZI, shmangu luftën vëllavrasëse në jug-perëndim të Kërçovës, midis Brigadës katërt shqiptare dhe forcave të rezistencës shqiptare kundër komunizmit, së cilës i printe Mefail Zajazi. 

Besohet se Mefail  Shehu – Zajazi,  e kishte kuptuar qëndrimin e  ideologjisë komuniste që ishte shprehur në Evropë se elementin shqiptarë duhet luftuar dhe dëbuar nga Evropa jug-lindore, dhe kishte vendosur të luftojë kundër  asaj ideologjie antishqiptare, kurse Mehmet Shehu përkundej në djepin e iluzioneve të Vëllazërim-Bashkimit të Miladin Popviqit, Dushan Mugoshës dhe të Svetozar Vukmanoviq – Tempos, i cili e realizonte me përpikëri porosinë e Titos: “Sve obećavaj- ništa ne daj!” ( Gjithçka premto-asgjë mos realizo).

Kam pas fatin që nga goja e bashkëluftëtarit të  Mefailit Madh të dëgjoj disa herë, ballafaqimin ndërmjet dy forcave të armatosura, të një gjaku e një gjuhe-por dy ideologjive që luftonin në vitet 1940-1945. Ato dy forca deklarativisht luftonin për një qëllim, por praktikisht të rreshtuar në dy platforma të kundërta:ANTIKOMUNISTE DHE PROKOMUNISTE.

Platforma ANTIKOMUNISTE në Kërçovë, në krye me Mefail Zajazin, përfshinte vullnetarët shqiptarë për të luftuar kundër forcave komuniste, për Shqipnin e vjetër- Shqipëri etnike. 

Platforma PROKOMUNISTE, sikur në Shqipërinë POLITIKE, ushqente ëndrrat iluzore për  VLLAZNIM-BASHKIM me SLLAVËT, qoftë edhe me vrasjen e vëllezërve të gjuhës e gjakut.

 Kjo është e qartë nga urdhëri i Mehmet Shehut që me çdo kusht “…të likuidohet banda e Mefail Zajazit.”  Praktikisht  Mehmet Shehu dhe Mefail Shehu-Zajazi  ishin në pozita të kundërta njëri me tjetrin.

  Brigada e Katërt Sulmuese Shqiptare  në vjeshtën e vonë të vitit 1944, u përballë me forcat e rezistencës antikomuniste të Mefail Zajazit, në jugperëndim të Kërçovës, ku ndahet rruga për Dibër.

Haki Mehdiu, (1893-1979), i cili me nja 12-13 vetë, në pozicion për të hap zjarr, rrëfente në hollësi momentin kritik:  

“Ne nuk kemi qenë më shumë 12-13 vetë, por pozita që kishim zënë ne, nuk kishte mundësi të kalojnë zogu, jo një brigadë. Ngrehëm pushkët dhe i ndalëm. Brigada kërkoi të bisedojnë me komandën tonë dhe ne ua mundësuam të shkojnë të bisedojnë me Mefailin. Delegacioni i Brigadës shqiptare u taku me Mefailin në Zajaz… 

Mbas bisedave  si vijon:

Delegacioni Brigadës – Zotni Mefail, ne kemi urdhër të marshojmë për në Shkup, atje ne presin shokët; cili është qëllimi i luftës tënde me luftëtarët tu?

Mefaili  – Ne  luftojmë  kundër komunizmit dhe anmiqëve tonë, luftojmë  për lirinë e shyptarëve –  Shqypnin e vjetër- Shqipërinë  etnike.* 

Delegacioni Brigadës – Po, ja pra,  ne jemi shqiptarë, nga shteti shqiptarë, nuk jemi kundër juve. Kërkojmë të na lejoni të vazhdojmë rrugën për në Gostivarë drejt Shkupit. 

Mefaili  –  Ta dini nji gja, komunistët sllav do t`u vrasin edhe juve, mendohej mirë. Me ata nuk ka besë. Ne nuk kimi pushkë për vëllavrasje – do t`u garantojmë të kaloni lirisht. 

A garantoni ju se partizanët maqedonë nuk do të sulmojnë popullatën e Kërçovës?

Delegacioni Brigadës  – Ne kërkojmë besën e Mefailit, dhe i japim besën që popullata e Kërçovës do të jetë e sigurtë prej çdo sulmi.  A jemi të lirë të marshojmë sipas planit tonë?.

Mefaili – Lirisht! Prej aty ku e keni Brigadën deri në Bukoqë, pushka jonë nuk ashtë kundër jush, nuk kimi armë për vëllavrasje!  Me besë.

 Mbas kësaj marrëveshje, “…neve  na erdhi urdhëri:  ULNI ARMËT – ka thënë  KOMANDANT MEFAILI, Le të kalojnë! Nuk i kimi rrok pushkët të luftojmë vlla me vlla.”

Sa herë që e kujtonte atë situatë, xha Hakiu  shtonte “ … nuk e di  bre birë, a bëmë mirë a bëm keq, që e lishuam Brigadën shyptare të kalojn e të bohet bashk me brigadën Maqedone-Kosovora

Ama urdhri ishte urdhën, xhako! Mefaili urdhnoi, ulni pushkët! Dhe ne ashtu bomë.

Brigada e katërtë shqiptare kaloi nëpër Kërçovë pa ferrë në këmbë, por garanca e Brigadës Katërt  zgjati vetëm deri sa kaloi Brigada hapësirën e Kërçovës.  

Urdhëri  i Mefailit ULNI ARMËT!, shmang vëllavrasjen, por forcat prokomuniste, partizanë, çetnikë, organe të OZN-ës të bashkuar edhe me ndonjë shqiptarë, nga 26 tetori intensifikuan ndjekjen hap pas hapi të forcave të Mefail Zajazit. U siguruan se ku strehoheshin Mefailat e Zajazit dhe me rrethim të hekurt arritën t`i likuidojnë: Mefailin e Vogël në Kollarës – n` Zallë të Vogël, kurse Mefailin e Madh, në ahishtën e Baqishtit, Ke Hella. U vranë edhe disa bashkëluftëtarë të tyre.

Ata që i shpëtuan plumbit nga rrethimet, u pushkatuan pa gjugj, te Gështenjat e Osojit – në perëndim të Kërçovës. Aty dergjen sot e kësaj dite në një GROPË TË PËRBASHKËT.

As Mefailat e Zajazit nuk kanë vorr!

Bashkëluftëtarët tjerë që mbetën gjallë, disa u arratisën, në mesin e të cilëve edhe Xhema, i biri i Mefailit Madh – bashkëluftëtari më i ri i rezistencës antikomuniste.  Përmes Greqisë përfunduan në Turqi dhe në SHBA.(Stamboll, Nwe York, Çikago) 

Të tjerët e paguan me burg, nga 3 deri në 20 vjet burg, në Manastir, Shkup ose në Nish,*të dyshuar se kishin qenë bashkëluftëtarë ose përkrahës të Mefail Zajazit. 

Feti Mehdiu, fetimehdiu44@gmail.com

Filed Under: Histori

Anastas Lakçe, bamirësi i heshtur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare

October 31, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Anastas Lakçe (1821–1905) është një nga figurat më të ndritura të Rilindjes Kombëtare, edhe pse shpeshherë i lënë në hije nga emrat e mëdhenj të letërsisë dhe arsimit shqiptar. I lindur në Korçë, ai emigroi që herët drejt Rumanisë, ku u vendos si tregtar dhe arriti të krijojë një pasuri të konsiderueshme. Por ajo që e bën të paharruar nuk është pasuria e tij, por mënyra se si ai vendosi ta vërë atë në shërbim të çështjes kombëtare.

Në një kohë kur arsimi shqip përndiqej dhe gjuha amtare nuk njihej zyrtarisht, Anastas Lakçe u bë financuesi kryesor i Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, e hapur më 7 mars 1887. Pa ndihmën e tij, kjo shkollë – simbol i dritës dhe i lirisë shpirtërore të shqiptarëve – do ta kishte pasur shumë më të vështirë të mbijetonte. Po ashtu, Lakçe financoi edhe botimin e veprës së Naim Frashërit, duke mundësuar që fjala e poetit të madh të arrinte te lexuesit shqiptarë dhe të bëhej frymëzim i një brezi të tërë.

Në koloninë shqiptare të Bukureshtit, ai ishte ndër përkrahësit më të flaktë të veprimtarisë patriotike, duke bashkëpunuar me rilindësit e njohur si Jani Vreto, Nikolla Naço dhe Asdreni. Përmes ndihmave financiare, Anastas Lakçe nuk kërkoi kurrë lavdi për veten, por dritë për kombin. Kjo e bën atë një figurë të rrallë: bamirës të heshtur, të cilët me veprën e tyre vendosin gurët themeltarë të një kulture dhe arsimi kombëtar.

Prandaj, pyetja “Çdo të ishte letërsia dhe arsimi shqip pa Anastas Lakçen?” ka një përgjigje të qartë: një rrugë shumë më e vështirë me të tatëpjeta, një udhë pa dritën e Mësonjëtores dhe pa librat e Naimit. Kujtimi i tij mbetet një thirrje për të nderuar jo vetëm poetët dhe mësuesit, por edhe ata që me sakrificën e tyre financiare dhe shpirtërore u bënë mbështetësit e padukshëm të Rilindjes sonë.

Filed Under: Histori

“Historia e Çamërisë nuk mund të zhbëhet nga tentativat negacioniste të Greqisë së sotme”

October 31, 2025 by s p

Luan Rama/

(Konferencë në Breshia të Italisë me Federatën e Shoqatave Shqiptare të Italisë)

Historia njerëzore është përvojë njerëzore, eksperiencë, mësim nga e kaluara. Në përshkrimet e historisë kanë ekzistuar gjithnjë dy lloje historianësh : kronistët e vërtetë, dëshmitarë të historisë dhe ngjarjeve, luftrave, armëpushimeve, zhvendosjes së popujve dhe shuarjes së qytetërimeve të tyre (Pausanias apo Herodoti ishin ata që udhëtonin dhe shkruanin atë çka u shikonte syri) dhe haxhiografët, ata që jetonin në oborret e perandorëve, tiranëve e diktatorëve, me detyrën për të shkruar atë çka u pëlqente atyre (çka e shohim edhe sot me Putinin që kërkon ta shuajë historinë dhe gjuhën e Ukrahinës). Pra ndodh që dhe kur historitë, ngjarjet janë shkruar nga kronistë të vërtetë, dëshmitarë okularë të një jete e qytetërimi, kjo lloj historie kthehet në një lloj makthi për një politikë zyrtare, e cila kërkon ta shuajë dhe fshehë një të vërtetë historike, një ngjarje të hidhur që ka ndodhur me qeveritë paraardhëse. Dhe në këtë rast, shëmbulli i Greqisë « demokratike » është mëse i dukshëm në sferën historike të vendeve të Bashkimit Europian.

Shumë studime janë shkruar rreth kësaj teme, shumë kërkesa i janë bërë qeverive të njëpasnjëshme greke që pas ndryshimeve politike në Shqipërinë e fillimit të viteve ’90, që Greqia të kërkojë falje për krimet e kryera në emër të një ideologjie dhe urrejtje nacionale dhe masakrën historike ndaj shqiptarëve të Çamërisë e cila pas Konferencës së Londrës mbeti në kufijtë e Greqisë. Por në të kundërtën, Greqia vazhdon të këmbëngulë në negacionizmin e saj, thua se “kjo histori s’ka ndodhur ndonjëherë dhe se s’duhet të flitet më për të ». Negacionizmi lindi si nocion kur filloi të flitej për holokaustin e hebrejve. Negacionizëm do të thotë të mohosh një realitet historik, do të thotë një interpretim i deformuar i historisë, siç e kemi parë gjithashtu dhe me Ligjin e Luftës që ende nuk është abroguar. Ajo që deklaroi koloneli Zerva kur ndërmori masakrën ndaj shqiptarëve çamë se « këtej e tutje s’do të dëgjohet më fjala çam dhe Çamëri », duket se ka mbetur sllogan i përqafuar nga tërë politika greke. Përse ky makth i madh kur flitet për Çamëri dhe çamë, term që më së fundi gjatë këtyre 80 vjetëve Greqia zyrtare e varrosi në të gjitha tekstet e saj të shkollave apo dhe në tekstet e vetë historianëve, të cilët jo rrallë kanë guxuar ta thonë fjalën e tyre por që janë ndëshkuar. Madje Shqipëria, përmes presioneve të ndryshme politike arriti ta zhdukë atë dhe nga kurrikulat e teksteve shkollore shqiptare që në vitin 2018.

Ky është absurdi më i madh fatkeqësisht i pranuar nga politika shqiptare që për interesa të caktuara dhe jo rrallë personale, ti shtrojë « qilimin e kuq » historisë politike greke. Historia nuk mund të diktohet nga qeverisësit dhe dëshirat e tyre. Historiografija moderne duhet të ketë koncepte moderne dhe të gjykojë mbi koncepte novatore, siç janë ato të historianit të madh evropian Fernand Braudel lidhur së pari mbi identitetin kombëtar por dhe mbi impaktin e gjeografisë mbi historinë, që është një nga konceptet revolucionare të tij, të impaktit të ekonomisë dhe lëvizjeve sociale apo të asaj që ai e quante « civilisation materielle », pra « qytetërim material ». Para më shumë se dy dekadash, kur parlamenti francez tentoi të vendoste diçka për tekstet shkollore lidhur me përkufizimin e historisë së kolonializimit francez, historianët nuk e pranuan diktatin e politikës. Madje edhe vete ish kryeministri francez De Villepin pohoi se « historinë nuk mund ta bëjnë legjislatorët ». Dhe këtu ishte fjala vetëm për « rolin pozitiv » që kërkohej ti jepej kolonializimit dhe jo siç ndodh në botën shqiptare për diktatin që i bëhet botës shkencore për ta rishkruar me urdhër historinë.

Zhdukja e fjalës Çamëri

Si mund ti fshish nga tekstet historike fjalët “çam” dhe “Çamëri” kur ato kanë ekzistuar prej shekujsh në tekstet dhe hartat e vjetra? Një nga helenistët më të mëdhenj të para Revolucionit Grek për Pavarësi ishte konsulli francez François de Pouqueville që Napoleon Bonaparte e dërgoi si konsull të tij pranë Ali Pashës në Janinë. Meqë Greqia zyrtare sot kërkon të zhdukë përfundimisht emrin Çamëri dhe çam nga librat e historisë (çfarë ka bërë prej kohësh në botimet e saj në gjuhën greke) le të kujtojmë këtu shkrimet dhe atë çfarë pohonte në vitet 1810-1820 mbojtësi më i madh i Greqisë së shtypur në librat e tij si “Udhëtim në Moré, në Konstantinopojë dhe Shqipëri” (Voyage en Morée, à Constantinople et en Albanie), “Udhëtim nëpër Greqi” (Voyage de la Grèce) dhe “Rilindja e Greqisë” (La Régéneration de la Grèce), tre libra themelorë për të kuptuar se ç’ishte Greqia e asaj kohe. Në të tri librat, kur udhëton apo bie fjala për çamët dhe Çamërinë, ai nuk shkruan thjeshtë për banorë të Epirit, por shkruan për çamët dhe Çamërinë, siç e shkruanin dhe disa historianë disa shekuj para tij. Ja çfarë shkruan ai në librin “Voyage de la Grèce » në faqet 217-220 : « Në brigjet e detit jonian, mes vendeve të mrekullueshme të Thesprotisë, në vendet e gjelbëruara që përmbledhin Thyamis dhe Achéron, jetojnë çamët, që i kanë shpëtuar shpatës së satrapit të Janinës… Çamët thesprote kanë sy të mëdhenj dhe të zinj, flokë të gjatë e gështenjë, kanë një lëkurë delikate, disi brune ku shfaqet qafa e tyre e bukur, sensuale e me këmbë të holla…” Në vëllimin e dytë të këtij libri prej 6 volumesh, në f. 53 ai vazhdon: “Fshatarët e fshatrave që ngrihen nga ana e djathtë e lumit Thyamis, të cilët i numurova që nga Sarashovica, janë shqiptarë kristianë që flasin gjuhën çame (chamides).

Mes tyre gjen një vitalitet të lindur, një gjak të pastër, burra bjondë apo brunë dhe krenarë që nuk e durojnë dot zgjedhën…” Madje në këto faqe ai sjell dhe një këngë të bukur, “këngën e zambakut”, një këngë lirike të cilën e ka regjistruar dhe sjellë në frëngjisht me një poetikë të jashtëzakonshme. Në kapitullin e VI, nën titullin “Cestrine dhe Chamourie”, ai shkruan: “ Cestrine është ajo pjesë e Thesprotisë që përfshin zonën mes Thyamis dhe Acheron dhe që grekët e quajnë Çamëri, ndërsa turqit Çam-Sanxhak, me kryeqendër Paramithinë”. Më tej, në faqen 132 ai shton se “Çam-Sanxhak ose pashallëku i Çamërisë përfshin dhe zonat e Ajdonatit dhe Margaritit gjer në brigjet e detit jonian. Ky territor është i shënuar në arkivat perandorake të Konstantinopojës nën titullin “Vilajeti i Ajdonatit”.

Për Çamërinë dhe fisnikët e Çamërisë kanë shkruar shumë autorë, studjues, historian e gjeografë, arkeologë dhe etnografë të shekujve XVIII-XIX-të, dhe meqë s’mund ti përmendim të gjithë, jo vetëm francezë por dhe anglezë (duke filluar me Martin Leak), gjermanë, italianë, etj, le ti drejtohemi librit të Henri Belle, përfaqësuesit të Francës në Athinë në vitin 1852, i cili në raportet e tij drejtuar Quai d’Orsay-it dhe më gjerë në librin e tij “Chretiens et Turcs” (Të krishterë dhe turq”) një vend të rëndësishëm i kushton dhe Çamërisë. «Shqiptarët e Çamërisë – shkruan ndër të tjera ai, – janë konvertuar shpesh në fenë muslimane vetëm që të mos paguajnë haraç. Në familjet e tyre gjen fëmijë me emrat Mehmet dhe Abdullah, bij të Konstantinit apo të Dhimitrit…» Dhe më tutje ai shton: «Ajo çka është e famëshme, është se ata janë virtuozë në përdorimin e armëve. Venecianët i ndihmuan në luftën kundër pashallarëve në Shqipëri. Gjatë pushtimit të shtatë ishujve nga francezët, çamët ishin pro Francës. Tregëtia e tyre në atë kohë lulëzonte dhe prijësat çamë mund të vinin të armatosur në Korfuz…”

Belle, i cili i ra kryq e tërthor Greqisë, në librin e tij “Të krishterë dhe turq” me një interes të veçantë përshkruan vendbanimet arvanitase dhe figurat e tyre historike gjatë Revolucionit Grek e më pas si dhe mbi çamët e famshëm Çaparët, Pronjot, Dematët e Sejkatët etj, pa harruar Tafil Buzin. Si një vëzhgues i hollë dhe erudit, ai përshkruan vlerat e shoqërisë çame dhe karakteristikat e trashëgimisë çame në histori e kulturë, në zakone dhe pasurinë folklorike. “Gratë muslimane të Janinës janë shumë të bukura dhe shamia e hollë mbi kokë i bën ato akoma më shumë tërheqëse duke shtuar misterin rreth tyre. Brenda shtëpisë, zonjat greke veshin kostumin elegant çam apo të Shqipërisë së jugut që qepin aq bukur rrobaqepësit e Janinës. Fustani prej mëndafshi është i shtrënguar rreth trupit me një copë kashmiri punuar me shumë finesë. Shalli zëvendëson korsenë pa e shtrënguar fort trupin dhe ku gjinjtë nuk i humbin hiret e tyre dhe voluptetin, çka të nxit imagjinatën….” Duke shkruar për kontributin e madh të arvanitasve në Revolucionin Grek ai shton se “Tombazët, Çamidët (familje e Çamërisë) dhe veçanërisht Miaulët e Hidrës, panë që emri i tyre u duartrokit shumë herë nga e gjithë Europa…” Këtë aleancë të arvanitasve dhe çamëve me liderët e Greqisë së kohës së Revolucionit e gjen në shumë tekste historike. Në librin e tij, Belle nuk harron të përshkruajë dhe udhëtimin e tij drejt Sulit dhe Çamërisë, i shoqëruar nga sulioti Niko Zerva, i cili i zemëruar me qeverinë e Athinës, ishte bashkuar me pashain e Janinës i cili e kishte lënë si kapedan që të mbronte interesat e suliotëve dhe çamëve. Duke ndaluar në Kamarina, Belle shënon: “Sapo u ulëm në taracë kur agallarët e fshatrave përreth erdhën të na takojnë.

Ishin veshur njëlloj si Zerva, me kostumin shqiptar e me një fez në kokë, me ato flokë të gjata e të shpërndara në mënyrë të çrregullt. Ishin muslimanë dhe me Zervën flisnin vetëm shqip apo “skip”, dhe quheshin “skipëtares”. Agallarët u vendosën rreth nesh dhe vëzhgonin me një kureshtje fëminore e të vrazhdë armët e mia, hartat gjeografike që kisha, librat dhe nargjilenë time. Vështirë të kuptonin dhe të bindeshin se Çamëria tashmë ishte e njohur nga gjithë europianët si shqiptare dhe jo greke. Lëshonin britma habie duke parë apo dëgjuar kur u tregoja në hartë emrat e fshatrave të tyre…” Dhe më pas, duke vazhduar udhëtimin e tij ai shton: “Le ta lemë tani Sulin dhe të shohim Margaritin, qytezën e vogël të Çamërisë që varet nga peshkopata e Paramithisë, Pargën në bregun jugor të Margaritit, qytezën e fortifikuar, emri i të cilës duhet grisur nga faqja e historisë së Anglisë; Delvinën, qytezën e vogël dhe të fortifikuar, e cila varet nga peshkopata e Janinës, me shtëpitë e saj të shpërndara mes lirishtash dhe popullsinë e saj të armatosur…”

Edhe konsulli britanik, skocezi James Henry Skeene, deklaronte para Shoqatës ethnologjike të Londrës në qershor të vitit 1848 : « Çamët janë një popullsi e paqtë dhe që merren me zejtari, tregëti dhe bujqësi. Vishen me kostume të shkëlqyera dhe veshjet e tyre janë me dantella ari dhe plot qëndisma ; mbajnë armë si bashkëpatriotët e tyre që janë më luftarakë edhe pse nuk i përdorin shumë. Banojnë një zonë që laget nga lumi Thyamis, që është përballë ishullit të Korfuzit. Vendin e tyre e quajnë Çamëria dhe veten çamë, që padyshim vijnë nga emri i lumit Thyamis. »

Në librat e shekujve XVII-XIX të autorëve perëndimorë që i referohen historisë greke dhe ngjarjeve të mëdha, shkrimet për çamët janë të shpeshta. Gjenerali Grivas në Nafplio hidhte vallen çame, shkruan një tjetër autor. Të tjerë shkruajnë për kontributin e madh të admiralit dhe familjes Chamides në Hidra, etj, etj. Mjafton të hapësh librat e vjetër për të gjetur aty të vërtetën! A nuk ishte linguisti Ksylander që na solli nga Greqia gjuhën e vërtetë çame siç flitej në përrallat dhe këngët e vjetra çame të shekujve XVII -XIX? Dhe Charles Claude Fauriel, ky linguist dhe folklorist i madh që para Pukëvilit, shkruante për Tchamourie në librin e tij voluminoz “Këngë popullore në Greqinë e sotme”… E po kështu piktori francez Louis Dupré që në librin e tij “Voyage à Athènes et à Constantinople” shkruante se në “Regjimentin e shqiptarëve” që takoi dhe pikturoi disa prej tyre, “ndër 3000 luftëtarët e regjimentit shumica ishin suliotë dhe çamë”? Ja pra çamët dhe historia e vërtetë e luftës së tyre.

Tentativat për revizionimin e historisë na bëjnë ti kthejmë sytë prapa dhe ti drejtohemi urtësisë antike, pasi historia moderne gjithnjë u referohet historianëve të mëdhenj të antikitetit si Herodoti, Ksenofoni, Tuqididhi, Tit-Livi, Lucieni, etj. Ishin pikërisht ata që hodhën bazat e historiografisë, baza që dhe sot mbeten aktuale, pasi në to është një përvojë mijëravjeçare, ku pleksen drama de tragjedi të perandorive të mëdha, luftra dhe shuarje kombesh, shtetesh, ndryshime kufish dhe krijime shtetesh të tjerë, pra ndryshime gjeopolitike të mëdha. Pikërisht ata na mësojnë se ç’janë haxhiografët. Shkrimet e tij për historinë dhe historiografinë mbartin vlera të mëdha për historiografinë moderne, pasi në to është shprehur thelbi i vërtetë i shkencës së historiografisë : e vërteta, fakti, ngjarja dhe pavarësia e atij që e shkruan historinë. «Historiani, – shkruani Lucieni, – duhet të jetë i lirë në opinionet e tij. Ai s’duhet të ketë frikë askënd.» Mësimi i Lucien-it ka të bëjë jo vetëm me objektivitetin historik dhe të vërtetën por dhe me çlirimin nga etno-nacionalizmi, pra shikimi i historisë në frymën nacionale, shoviniste dhe të krenarisë kombëtare që nganjëherë arrin tek disa historianë gjer në megalomani. Vështrimi nacionalist ka qënë tipar jo vetëm i historiografisë ballkanike veçanërisht. «Lufta» mes historianëve ballkanas, shqiptarë apo serbë, serbo e kroatë, maqedonas, bullgarë apo grekë, etj, dëshmohet jo vetëm në konferencat e ndryshme por siç po e shohim gjer dhe në tekstet shkollore të historisë, ku për të njëjtën ngjarje, vështrimet dhe përfundimet historike janë të ndryshme, kontradiktore, të kundërta.

Historia e Kosovës është një nga ato, pasi histori të shumta ngërthejnë historinë ballkanase, veçanërisht nga shekullit XII e këndej. Historia e Çamërisë, po ashtu. Po, për Çamërinë si mund të shkruhet kur Greqia zyrtare i bën barrierë çdo lloj diskutimi, duke ua mbyllur arkivat e saj historianëve shqiptarë? Historiografia e ka thënë fjalën e vet dhe ti politikan, i çfarëdo ngjyre qofsh, s’mund ta zhbësh historinë. Historia duhet ti shërbejë gjithnjë të ardhmes sonë të përbashkët.

Lucieni shkruante : « Faktet historike nuk duhen bashkuar në mënyrë të rastësishme por duhet ti nënshtrohen një pune të palodhur dhe një kritike të ashpër. Historiani duhet të dëgjojë vetëm ata që janë besnikë ndaj faktit ». Kjo frazë lakonike përbën një koncept të tërë, pasi ajo përmbledh një nga karakteristikat kryesore të historiografisë shkencore : atë të referimit me besnikëri të faktit dhe atë të analizës. Historia nuk mund të shkruhet apo rishkruhet pa u mbështetur në faktet konkrete. Lucieni shkruante gjithashtu se « Kur të gjitha faktet mblidhen, pikërisht atëherë historiani fillon tregimin e tij ».

Toponimia – prehë e nacionalizmit

Gjatë 80 viteve, qeveria greke ka venë në zbatim një plan nacionalist dhe konseguent për të shuar çdo kujtesë rreth Çamërisë dhe historisë së saj. Në fillim ishte tkurrja e territoreve të tyre, nisma e dëbimeve në vitet 1922-1923, përndjekja e pastaj shfarosja e tyre përtej kufijve, drejt Shqipërisë, atdheut të tyre. Gjatë 80 vjetëve emrat e fshatrave çame kanë ndryshuar nga emra në shqip në emra grek që u kanë vendosur. P.sh. fshati Skupica quhet sot Kestrini, Spllanxa quhet Amudhia, Spathari quhet Trikofirio, Shgetari- Miloi, Stanova – Mandhotopos, Popova – Ajia Qiriaqi, Nemica – Vuvopotamo, Pleshvica – Planisio, Picari- Aetos, e shumë të tjerë. Nëse sot një çam i moshuar dhe i dëbuar nga Çamëria më 1944-1945 gjatë masakrave të mëdha dhe të donte të shikonte fshatin dhe shtëpinë e tij të fëmijërisë (për çka do i duhej ndonjë pasaportë europiane apo amerikane se ndryshe do të kthehej mbrapsht në kufi si shumë të tjerë gjatë këtyre 30 viteve) ai padyshim do të ç’orientohej thua se do ta kish lënë kujtesa, pasi tabelat sinjalitike të rrugëve që tregojnë fshatrat prej kohësh janë ndryshuar., sepse Manxhari p.sh. do ta kishte emrin Qiparisos, se Liku quhet tashmë Haravanji, Luarati – Kathovothra, Logati-Agora, Kushovica – Marina, etj.

E pamundur ta ndihmonin dhe mjetet më të fundit të komunikacionit GPS. Dhe padyshim ai do ta pyeste veten se përse kishte ndodhur gjithë kjo. Por menjëherë do ta kuptonte se gjithë kjo ishte pasojë e një politike nacionaliste dhe që mbështetej gjithnjë në “Megalo-idenë” e Greqisë së madhe, se aty ku ka ortodoksë duhet të jetë Greqi, edhe pse tashmë Greqia është një republikë parlamentare, demokratike dhe e të Drejtave të Njeriut, edhe pse këto të drejta nuk u njihen shqiptarëve. Po të rikrijosh sot hartën toponomastike të Çamërisë veçse disa emra të kujtojnë Çamërinë me këto toponime të vjetra që kanëm betur: Filates (Filati), Paramithia, Margariti (Margëlliçi) apo Igumenica.

Siç dihet, toponimia është pjesë e gjeografisë. Për më tepër kjo fjalë vjen nga greqishtja e vjetër “topos-vend” dhe “onoma-emër”. Emërtimi i vendeve është një proçes historik që lidhet me ngulimet e popullatave dhe që kanë të bëjnë me jetën shekullore të tyre. Toponimet kanë ndryshuar veçse në kohë luftrash të mëdha dhe kolonizimesh. Ndryshimi me forcë i toponimeve është tregues i luftrave pushtuese. Të ndryshosh toponimet do të thotë të emërosh dhe ç’emërosh botën sipas politikës dhe synimeve hegjemoniste e nacionaliste. Kështu ka ndodhur në kohën e instalimit të perandorive të vjetra, kështu ndodhi në kohë e perandorisë Otomane, kështu ndodhi në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX në Bashkimin Sovjetik i cili i zhvendoste lehtësisht popullatat. Por kjo nuk ndodhi në Europën e qytetëruar dhe republikane e demokratike, kjo nuk ndodhi në Francën e Gjermaninë e dalë nga një luftë e gjatë dhe e tmerrëshme. Toponimet gjermanike në Francën lindore mbetën të tilla. Një vend demokratik nuk mund të legjitimojë një përkatësi territoriale duke ndryshuar toponimitë, duke i përdorur ato si prova historike.

Savoja e Italisë mbeti Savoie e Francës, pasi tek francezët nuk ishte kompleksi i historisë të kësaj krahine. Nëpër shekuj Franca nuk është ajo që ishte dikur apo Gjermania nuk është ajo e dikurshme. Kufijtë kanë lëvizur dhe për këtë mjafton të shikoni hartën e Europës dhe ta krahasoni me atë të pesë shekujve më parë. Por tek Franca dhe Gjermania nuk ka qenë revanshi i shuarjes së historisë, të kujtesës, të trashëgimisë kulturore apo i zhdukjes së toponimive. Shqipëria nuk e bëri këtë me fshatrat e minoritetit grek në Shqipëri, i cili kishte shkollat dhe gjuhën greke, toponimet greke, ndryshe nga ajo që ndodhi në Çamëri. Edhe gjatë diktaturës totalitare emrat e fshatrave greke në territorin shqiptar nuk u ndryshuan. A është e mundur të ndryshohen ato si kundërpërgjigje nga politikës zyrtare greke? Sigurisht, por kjo do të ishte antidemokratike dhe antieuropiane, që konventat europiane e ndalojnë.

Dihet që në Shqipëri, kur disa fshatra maqedone morën emra të tjerë, kjo shkaktoi një pakënaqësi dhe ky proçes nacionalist ndaloi menjëherë. Emrat sllave të shumë fshatrave në Shqipëri vazhdojnë të ekzistojnë siç janë Bozhigrad etj, çka për shqiptarin nuk përbën asnjë problem. Në Kosovë, shumë toponime fshatrash dhe qytetesh mbahen me dy emërtime, duke ruajtur kështu dhe trashëgiminë e një bashkëjetese të vjetër. Le të kujtojmë këtu luftën e madhe mediatike e politike që bëri Greqia me emrin e Republikës së Maqedonisë, duke ngulmuar se Maqedonia ishte pjesë e Greqisë. Hija e Aleksandrit të madh u shfaq në ekranet e televizioneve dhe diskursin politik. Greqia republikane dhe evropiane bëri çmos ta pengonte integrimin e Republikës së Maqedonisë në Nato dhe Evropën e Bashkuar. Dhe kjo vazhdoi gjatë, madje u bë e mëriztshme dhe arkaike në peizazhin politik europian. Më së fundi do të quhej Republika e Maqedonisë së Veriut. Të fshish nga hartat e sotme emërtimet e djeshme sipas një plani të përcaktuar ideologjik nuk mund të quhet ndryshe veçse “epuration”, spastrim, i cili ndiqet më pas nga proçesi tjetër “restauration”, restaurim i një historie të re, krijimi i një reference të re gjeopolitike, i një kujtese të re, i një ideologjie të re që në fakt në rastin e Greqisë është vazhdë e “Megalo-idesë” që sot nuk thuhet hapur por që ndiqet nën presionin e ortodoksisë greke.

Ç’nevojë kishte Greqia për ndryshimet e toponimive të Çamërisë, ç’nevojë kishte që fshatrat si Lluri të quhej Filipiadha, Nista- Faksomilia, Curila-Kalithea, Salica – Llaka; që Lopsi të quhej Aproklisi, që Vola të quhej Sivota, Shencia-Lefteri, Voshtina Paliokastri, Galbaqi-Elea, Draganji-Ambelia, Kuç-Polineri e dhjetra e dhjetra të tjerë. Sigurisht do tu merzisja po të vazhdoja me listën e gjatë të toponimeve të vjetra që lidhen me historinë e jetës së një popullsie shqiptare të mbetur mjerisht nga Fuqitë e Mëdha pas Luftrave Ballkanike të fillimit të shekullit XX, çka sot është skandaloze për një studiues, një etnolog, antropolog dhe politikan. Çamët, përveç atyre që u dëbuan me një dhunë të tmerrshme ku u vranë rreth 3000 çamë dhe shumë të tjerë vdiqën udhëve të mërgimit, ata që mbetën, të fesë krishtere pësuan asimilimin e detyrueshëm: zhdukjen e shkollave shqip, eliminimin e përdorimit të gjuhës dhe referimin ndaj kulturës e trashëgimisë shqiptare. Duhet të dijmë se ndryshimet toponamistike nuk u bënë thjesht nga komunat apo fshatarët e krishterë që mbetën, ato si kudo u iniciuan nga Komisioni Kombëtar i toponimeve që ka çdo shtet, nga vetë qeveria, sipas një plani metodik që u vu në jetë për të zhdukur çdo gjurmë shqiptare.

Lumturisht që kjo gjë nuk ndodh në komunietin grek në Shqipëri si në Dropull, Derviçan, Pogon, Luginën e Drinos, etj. Para disa javësh udhëtoja përmes qytezës së XXXX dhe nuk më shqetësoi aspak që nuk pashë tabela në gjuhën shqipe por vetëm në greqisht. Lumturisht kjo shuarje identare e një komuniteti fqinj gjatë historisë, s’ka për të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Nuk mund të jesh republikan, evropian dhe mbrojtës i të Drejtave, kur këto të drejta i shkel me këmbë brenda territorit tënd. Greqia nuk kishte pse të ndryshonte toponimet shqiptare dhe le të përmend ende dhe disa të tjera: sot Vojniku quhet Prodhromi, Zelesoi quhet Ksirolopos, Velani-Hrisavji, Vllahori-Polidhroso, Llabanica-Ellataria, Hani i Xhumbës-Dhafni, Gardhiqi – Aj Jorjios, Gorica- Stavrohori, Besherea-Ajdhoni, Branja-Aj Morina, Bulmeti-Lelovë, Birbili-Ajdhoni etj, etj. Është e qartë se gjithë kjo është një tragji-komedi që u shkrua në Athinë, në këmbët e Akropolit… Mund të them thjesht se kjo quhet nacionalizëm, negacionizëm, një atavizëm që historikisht ka qenë shkak konfliktesh në Evropë, ndërkohë që sot jetojmë një Evropë të Bashkuar.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT