• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si Dr. Adhamudhi “kërreu” origjinën pellasgjike të shqiptarëve 

October 1, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi

Të gjithë ne e mbajmë mend atë batutën e Çajupit tek Klubi i Selanikut, “kwrreje njërin sy të shpëtojë tjetri”. Te komedia e tij ai e ndërtoi personazhin “Doktor Adhamudhi” duke portretizuar Adamidhin. 

Por si është e vërteta dhe kush ishte Gjergj Adhamidhi? Çajupi  përmes këtij personazhi autori trajtonte shqiptarin grekoman, zengjin, parazit e oportunist që gjendej rëndomë nëpër shoqëritë sekrete të Selanikut dhe gjetkë nëpër perandori. Arsyeja se pse Çajupi e trajtoi në mënyrë të tillë ka qenë sepse i kërkoi dorën njërës prej vajzave të familjes ku ishte dhëndër Adamidi, sipas Kristo Frashërit ky i fundit kishte refuzuar ta kishte për baxhanak Andon Zakon; ku dhe gjeti burim mëria e shkrimtarit.

Gjergj Adhamidhi, i njohur edhe si Gaqo Adhamidhi ose Adamidi Frashëri, lindi në vitin 1859 në Korçë dhe vdiq në vitin 1939 në Gjenevë. Ai ishte një mjek okulist historian dhe një figurë e shquar politike shqiptare gjatë fillimit të shekullit të 20-të. 

Pas lindjes në Korçë, Adhamidhi u shpërngul në Egjipt, ku studioi mjekësinë dhe u bë mjek personal i Khedivit Abbas II të Egjiptit nga 1892 deri në 1914. Gjatë qëndrimit në Egjipt, ai u përpoq të krijonte lidhje midis komunitetit shqiptar atje dhe atij në Rumani, por pa sukses. Në vitin 1914, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Adhamidhi u kthye në Shqipëri dhe u emërua Ministër i Financave në kabinetin e Turhan Pashë Përmetit, qeveria e parë e Principatës së Shqipërisë të Princ Vidit. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, ai u vendos në Zvicër, ku u angazhua aktivisht në mbështetje të çështjes shqiptare dhe u bë kryetar i “Këshillit Kombëtar Shqiptar” në Gjenevë. Ai gjithashtu përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. 

“I njohur me pseudonimet Pano Bej Frashar apo Dr. Frassari Adamiti, të cilin Çajupi, për inate veç personale do ta shndërronte atë në personazh qesharak, “Dr. Adhamuti” apo “Adham –Uti”, siç e shkruan këtë nofkë Dr. Robert Elsie.  Më 1908 u zgjodh njëzëri në krye të grupit “Bashkimi” të shqiptarëve të Egjiptit dhe mori pjesë në përgatitjet për Kongresin e Manastirit, ku ishte i prerë për vendosjen e alfabetit latin si dhe shkronjave “dh” e “th”.   Ky portretizim ka qenë objekt diskutimesh dhe kritikash, duke u konsideruar nga disa si një denigrim i figurës së Adhamidhit. Dhe ashtu është.

Kontributi Patriotik dhe Akademik

Adhamidhi kontribuoi në pavarësinë e Shqipërisë me fonde dhe veprime konkrete. Ai mori pjesë në njё debat me një historian grek Dr. Apostolidhes dhe shkroi një debat të gjatë shkencor në Akademinë historike arkeologjike të Egjyptit në njё konferencë të gjatë për disa numra në gjuhën frënge me titullin Les Pélasges et leurs descendants les Albanais,  (Pellasgët dhe pas ardhësit e tyre shqiptarët) ku theksoi prejardhjen pellasge të shqipes në vitin e largët 1902. Ky kontribut ishte një nga përpjekjet për të argumentuar lidhjen historike dhe etnografike të shqiptarëve me pellasgët.

Gjergj Adhamidhi është një figurë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, jo vetëm për kontributin e tij në pavarësinë e vendit, por edhe për përpjekjet e tij për të argumentuar dhe promovuar identitetin kombëtar shqiptar në arenën ndërkombëtare. Përpjekjet e tij për të lidhur komunitetet shqiptare në mërgim dhe për të përfaqësuar interesat e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve janë pjesë e trashëgimisë së tij politike dhe diplomatike.

“Pellasgët dhe pasardhësit e tyre shqiptarët”, botuar: Kajro: Instituti Egjiptian, më 1902 ku shkruhet:  “Historia e Pellazgëve është aktuale në rendin e ditës brenda Institutit dhe paraqet një interes të veçantë për shkak të lidhjeve midis këtij populli arkaik dhe Egjiptit. Bashkëpunëtori im i ditur, Dr. Apostolidès, e ka nisur tashmë këtë çështje në dy seancat e mëparshme të Akademisë tuaj të nderuar, lidhur me një mbishkrim përkujtimor parahistorik të gjetur në ishullin e Lemnos. Duke përfunduar, folësi na tha:  «το ἐπιγραφή δεν mund të jetë pellasge, duke marrë parasysh që Pellasgët ishin plotësisht helenizuar dhe të përthithur nga Helenët». Unë propozoj sot të korrigjoj gabimet e përfundimit të tij dhe të tregoj për ju të kundërtën e pohimit të tij, d.m.th se Pellasgët nuk u përthithën nga një racë e vogël helene, e cila vetë ishte pellasge, por ata vazhdojnë të jetojnë edhe sot, të maskuar nën emrin shqiptar si pasardhësit e tyre. Kjo do të jetë një përmbledhje strikte e njëzet viteve studimesh, që kam nderin ta paraqes para jush, duke e ndarë në dy kapituj: historik dhe gjuhësor.

Kapitulli  I – Historik

Të gjithë historianët e lashtë e njohin pa përjashtim se Greqia, para se të quhej Hellas «Ἑλλάς», mbante emrin «Πελασγία», Pellasgjia, dhe pellasgët konsideroheshin autoktonë. Herodoti e pranon qartë duke thënë:  «Πελασγία ἦν τὸ πρότερον Ἑλλάς, πᾶν τὸ Ἑλληνικὸν πρότερον Πελασγικόν». (“Pellasgjia ishte Greqia e dikurshme, çdo gjë greke ishte Pellasge e dikurshme.”

Eskili, në veprën e tij Lutëset, na vizaton hartën e një perandorie të madhe pellasge, ku Argosi është qendra dhe kufijtë e saj, shtriheshin nga Adriatiku deri në Hellespont, humbin në Erebu-n e mbretërisë së Plutonit në Epir.

Harta e autorëve të lashtë është shumë i kufizuar në veri; sipas dëshmisë së autorëve më të rinj, perandoria pellasge do të zgjerohej deri në territoret e Danubit. Për më tepër, bregdeti i Italisë, i Sicilisë dhe i Azisë së Vogël ishte gjithashtu i banuar nga pellasgët.

Epiri, ose Shqipëria e Jugut, ishte qendra e racave më të mira të Pellasgëve hyjnorë të Homerit. Molosët, Myrmidonët, Selli ose Helli ose Graeci, të grumbulluar rreth orakullit të Dodonës, pranë malit të Tomorit, që përmenden nga autorë të ndryshëm dhe veçanërisht në Iliadë si ushtarë të Akilit; Petthalli, ose Θεσσαλοί, një fis tjetër i mbretërisë së Akilit, duke emigruar në lugina të Peneut, vendosën emrin e tyre, dhe territori u quajt Thessali, ndërkohë që më parë mbanin emrin Pélasgiotis, sipas banorëve të tij, pellazgëve.

Rreth malit Pindit, gjejmë Pellasgët Dolopë dhe Perrébi. Midis Œthé dhe Parnassit, fisi i famshëm i Dryopëve (Pellasgët Dorianë dhe Maqedonas sipas autorëve) merrej me minierat dhe pyjet, dhe për këtë qëllim ata shtriheshin, si dëshmojnë gërmimet dhe monumentet, në Epir, Maqedoni, Eube, Argolidë, në ishujt e Kretës, Qipros, Karistos, etj.

Pellasgët ishin Kranoi të Athinës, pellazgë, fiset e Minieveve me vendbanimin e tyre në Beoti, Tebë, Thera, Orchomenos. Të gjithë Ionët e lashtë të bregdetit jugor të Peloponezit quheshin pellasgë nga Herodoti. Pellasgë ishin dhe Lelegët, megjithëse të përzier me Egjiptianë dhe Fenikas. Ishulli i Andros, Antandros-i i Plinit, kishte popullsi pellasge; një qytet tjetër Antandros, sipas poetit Alcei, quhet qytet i pellasgëve nga Herodoti. Straboni, në përputhje me Homerin, i vendos ata në një vijë me pellasgët. Ishujt Lemnos, Samos, Imbros, Samothrake dhe Kalkidike ishin strehë e Pellazgëve.

Dardanët e Samothrakës themeluan koloninë e Dardanëve midis Teukrëve,(trojanëve) dhe këto dy racat, të përziera kështu, bashkëpunuan për të ndërtuar qytetin e Trojës. Por Dardanët pushtuan, gjithashtu, një pjesë të Ilirisë Maqedonase ose Shqipërisë aktuale. Frygët e Azisë konsiderohen Pellazgë dhe të afërm të Argjisë dhe Brygëve të Maqedonisë dhe Epiro-Ilirisë, etj.

Siculi ose Sicali të këtyre territoreve janë të njëjtët me ata të Italisë dhe Akarnanisë, të gjithë Pellazgë; po ashtu, racat e tjera pellasge homonime, të vendosura në të dy anët e Adriatikut, përmenden në disa pasazhe të historianëve kompetentë. Të gjitha këto popullsi pellasge bashkëpunojnë dhe ndërmarrin ekspedita detare shumë të guximshme dhe aventuriere.

Konfederata e tyre e parë përmendet nga një mbishkrim përkujtimor i Karnakut, në kohën e Ramses II. Ky mbret tregon me gisht pellasgët ose ndryshe “njerëzit e detit”, të cilët ishin skllevër dhe të ndëshkuar për guximin e tyre, që donin të pushtonin Egjiptin nën komandën e mikut të tyre, mbretit të Libisë. Achaivit ose Abaousi, aty parmendën Etruskët ose Tyrshi, Sikali përmenden veçanërisht.

Straboni thotë se fisi Sikali, që banonte Brindisi, vishte brirë dreri; Pellasgët e quajtën qytetin Brindesi, që do të thotë kokë ose brirë dreri. Aktualisht, shqiptarët e zonës e quajnë ende Brindrizi. Helenët, natyrisht, nuk përmenden në këtë mbishkrim.

Përveç ekspeditave të Argonautëve dhe Heraklit, ajo e Luftës së Trojës është më e famshmja, falë poemës së pavdekshme të Homerit. Poeti i shquar i referohet një të kaluarës së lavdishme të Pellasgjisë, para Helenëve, në një epokë kur të gjitha këto kantone pretendonin të kishin marrë pjesë në këtë aventurë të bukur.

Sipas Homerit, në të dy anët e fushës së betejës, luftëtarët janë të një fisi, duke përdorur dialekte të përafërta, dhe sipas vërejtjeve të drejta të Strabonit dhe Tukididit, asnjë nga popujt e kësaj perandorie pellasge nuk konsiderohet barbar. Mbreti Priam numëron Pellasgët e ushtrisë së tij, ashtu si dhe mbreti Agamemnon. Homeri ka pavdekësuar kështu homogjenitetin e idiomave dhe qytetërimin e Pellazgëve në një gjuhë që mban ende farat e dialektit eolian të këtyre popujve arkaikë.

B.Tani do të demonstrojmë gabimin e propozimit të bashkëpunëtorit tonë, i cili pretendon se Pellasgët u përthithën të gjithë më vonë nga Helenët. «Les Pélasges en grande partie ne purent pas être absorbés par leurs frères les Hellènes, et ils continuent à survivre jusqu’à nos jours, masqués sous le nom d’Albanais ou Skypetares».  (“Pellasgët nuk ishin në gjendje të përthitheshin kryesisht nga vëllezërit e tyre helenë dhe vazhdojnë të mbijetojnë deri më sot, të maskuar si albanë ose shqiptarë.“)

Pas fitores së Salaminës, Helenët, sidomos Atikët, arritën kulmin e përpjekjes intelektuale në lavdinë e tyre. Shkëlqimi i epokës së Perikliut duhej të fshinte çdo qytetërim të mëparshëm të Pellazgëve të tjerë. Anatema e barbarëve u shpall për ata që mbetën indiferentë ndaj qytetërimit atik dhe që nuk morën pjesë në lojërat olimpike.

Vendet e origjinës së helenëve, Epiri, Iliria dhe Maqedonia, u quajtën barbare dhe u përjashtuan nga këshilli i amphictyon. Pak a shumë, mbreti i Maqedonisë, Aleksandri, i biri i Amintas, u quajt philohelen dhe u pranua në lojërat olimpike. Helenët krijuan një barrierë kundër popullatave të tjera pellasge të veriut, të bashkëfiseve të tyre.  Megjithatë, Filipi kaloi këtë kufi barbar, në dëshpërim të Demosthenit, të cilin e quan barbar, dhe arriti me mençurinë dhe forcën e tij të përfshihet në punët e shenjta të Delfit, duke u quajtur mbrojtës, por kurrë helen. Djali i tij, Aleksandri i Madh, i papërkulur, fëmija i dy shtëpive të mëdha mbretërore të Pellazgëve të veriut, pas bashkimit të Ilirë-Epirotëve dhe Maqedonasve nën skeptrin e tij, afroi dy elementet e ndara – Helenët dhe Pellasgët barbarë – dhe arriti të pushtojë Lindjen me fuqinë e falangave pellasge dhe shkëlqimin e dijetarëve helenë.

Ushtarakët e komanduar nga Parmënioni ishin pothuajse të gjithë maqedonas, dhe gjuha e tyre ishte e pakuptueshme për helenët. Nga 30,000 ushtarë, vetëm 500 ishin helenë dhe 1,500 Tesalian dhe Etolë, të cilët edhe Straboni heziton t’i quajë helenë. Aleksandri vetë fliste maqedonisht me nënën e tij Olimbinë e Epirit dhe u drejtohej ushtarëve në dialektin maqedonas. Por, duke folur barbarisht, ai kishte si mësues të madhin Aristotel dhe si udhërrëfyes heronjtë e Homerit. Akili, gjyshi i tij, ishte idhulli i tij në Iliadë, nga i cili merrte forcë për të gjitha ekspeditat e tij.

Ky pellasg i madh shkoi deri në Indi për të paguar atë që gjuha pellasge i detyrohej sanskritishtes dhe për të shlyer në Egjipt borxhin ndaj qytetërimit të Tebës. Pasardhësi i Dodonës, ai u lut në shenjtëroren e Zeusit të Libisë, vëllai i orakullit pellazg, dhe në fund vendosi në kujtim, në Aleksandri, qendrën e një civilizimit të ri pellazgo-egjiptian.

Ptolomejtë, pavarësisht kësaj aleance midis epiro-maqedonasve dhe helenëve, nuk mundën të helenizonin Pellasgët e veriut, përveç disa banorëve kufitarë. Ata nuk patën kohë për këtë. Përkundrazi, përkundër rezistencës guximtare të Pirros dhe Epiro-Ilirëve të tij, të Teutës, Agronit ose Arianit, romakët vendosën me masakër dhe skllavëri sundimin e tyre mbi Epiro-Ilirinë dhe Maqedoninë. Këta Pellazgë të veriut mbetën kështu të palëvizshëm dhe të huaj ndaj gjuhës dhe qytetërimit helen deri nën sundimin romak.

Dëshmia më e qartë ndodhet tek historianë dhe gjeografë të kohës romake, të cilët vizituan disa herë këto vende të paeksploruara. Straboni, mes të tjerëve, na tregon saktësisht etnografinë e këtyre vendeve veriore, sot të banuara nga shqiptarët. Ai pajtohet në përgjithësi me Ptolomeun, Skylaxin dhe Titus Livin.

Kapitulli II – Linguistik

Në këtë kapitull do të shqyrtojmë lidhjet gjuhësore midis pellazgëve dhe pasardhësve të tyre, shqiptarëve. Gjuhësia tregon qartë vazhdimësinë e popullsisë dhe kulturës, duke dhënë prova të identitetit të tyre të pandërprerë. Sipas të dhënave të Strabonit dhe historianëve të tjerë të lashtë, Pellasgët e veriut ruanin dialektin e tyre origjinal edhe pas ndikimit të Helenëve dhe pushtimeve të ndryshme.

    «…Αὐτὸς δὲ ὁ Μακεδονικὸς λόγος ἦν ἀκατάληπτος τοῖς Ἕλλησιν» — Curtius (“…Por kjo gjuhë maqedonase ishte e pakuptueshme për grekët” – Curtius)

Kjo do të thotë se dialekti maqedonas, i folur nga pellasgët e veriut, ishte i pakuptueshëm për helenët. Dialekti maqedonas ka shumë ngjashmëri me dialektin e epirotëve dhe është i njëjtë me gjuhën e ilirëve, sipas profesorëve O.E. Müller dhe Benlow. Dialekti i Pellazgëve të veriut ishte eoliorian dhe jo atik, dhe ky dialekt është paraardhësi i drejtpërdrejtë i gjuhës shqipe. Ky fakt tregon se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Pellazgëve, duke ruajtur idiomën e tyre origjinale. 

Për më tepër, Pellasgët që u vendosën në male dhe zona të largëta të Maqedonisë dhe Epirit, mbajtën gjuhën e tyre edhe gjatë Mesjetës, për shkak të mbrojtjes natyrore që ofronin maleve nga pushtuesit dhe përzierjet me popullsitë e tjera.

Në shekullin XIV, këta Pellazgë të veriut filluan emigrime të ngjashme me ato të dorianëve, drejt Greqisë. Ata u ftuan nga despotët e Moreas për të ripopulluar fushat e zbrazura nga piratët. Nevruz Bey, arkeologu nga Aleksandria, dokumenton se emigrimet ndodhën në mijëra, duke përfshirë fëmijët, gratë dhe kafshët e tyre.

    «C’est par milliers, dit-il, que ces Pélasges de l’Epire et de l’Yllyrie émigraient vers la Grèce accompagnés de leurs enfants, de leurs femmes et de leurs chiens.» (“Ata ishin me mijëra,” tha ai, “që këta pellazgë nga Epiri dhe Ylliria emigruan në Greqi të shoqëruar nga fëmijët, gratë dhe qentë e tyre.”)

Këta emigrantë rigjallëruan vendet e paraardhësve të tyre Pellazgë dhe luajtën një rol të madh në historinë moderne helene, duke ruajtur gjuhën e tyre të veçantë – gjuhën shqipe – dhe zakonet e tyre.

Edhe pas pushtimit osman, shqiptarët ruajtën gjuhën dhe identitetin e tyre. Disa u konvertuan në islam, të tjerë u shpërndanë në Itali dhe Sicili, por të gjithë ruajtën gjuhën e tyre. Për shembull, familjet shqiptare si Albani dhe Crispi në Itali ende përdorin shqipen në familje.

Gjuha dhe zakonet e shqiptarëve tregojnë vazhdimësinë e Pellazgëve deri në ditët tona. Kjo përputhet me dëshmitë historike të Strabonit, Ptolomeut dhe autorëve të tjerë, të cilët raportojnë se shqiptarët e veriut banojnë në Epir, Maqedoni dhe Iliri.

Shqiptarët dhe vazhdimësia e Pellazgëve

Pas pushtimeve dhe emigrimeve të mëdha, shqiptarët, pasardhës të Pellazgëve, ruajtën gjuhën dhe zakonet e tyre. Historiani Gibbon, i cili nuk e kuptoi këtë vazhdimësi, i nënvlerësoi këta heronj të Dardanisë dhe Epirit. Por dokumentet tregojnë qartë se shqiptarët e veriut janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Pellazgëve dhe të figurave historike si Aleksandri i Madh dhe Akili.

Skënderbeu, udhëheqësi shqiptar i shekullit XV, i cili mbrojti territoret e tij kundër osmanëve për 27 vjet, duke ruajtur identitetin dhe zakonet e Pellazgëve. Ai i referohej trupave të tij si Epirotes ose Maqedonas, dhe në letra përmendte:

    «Mes soldats descendants des phalanges d’Alexandre et de Pyrrus ne seront jamais timides!» — Delpessis  (“Ushtarët e mi, pasardhës të falangave të Aleksandrit dhe Pirros, nuk do të jenë kurrë të turpshëm!” – Delpessis)

Edhe pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët u shpërndanë në Itali dhe Sicili. Ata ruajtën gjuhën shqipe dhe traditat e tyre, dhe disa familje të njohura, si Albani dhe Crispi, morën pjesë aktive në ngjarjet politike evropiane.  

Shqiptarët e Kosovës, Epirit dhe Maqedonisë, si muslimanë apo katolikë, treguan guxim dhe trimëri në ushtrinë osmane, duke qenë një element i fuqishëm dhe i besueshëm i Perandorisë. Si ortodoksë, shqiptarët e Epirit dhe të veriut kontribuan në ngjarjet historike, duke përfshirë kryengritjet greke. Figura të shquara si Ali Pasha Tepelena, i njohur si “Luani i Janinës”, treguan talent ushtarak dhe politik, duke qenë pjesë e kësaj vazhdimësie Pellasge.

Në Egjipt, Mehmet Ali Pasha, shqiptari i lindur në Shqipëri, themeloi dinastinë e njohur të Khedivëve, duke nisur një periudhë të re civilizimi në Egjipt, në frymën e paraardhësve të tij Pellazgë.

Ky rrëfim historik tregon qartë se Pellasgët jetojnë ende tek shqiptarët të shpërndarë në Shqipëri, Maqedoni, Epir, Greqi dhe Itali. Prova kryesore për këtë vazhdimësi është gjuha shqipe, një dialekt unik që nuk përzihet me asnjë gjuhë tjetër. — Adhamidhi”.

***

Shtojcë, hipotezat e sotme mbi gjuhën pellasge (RF)

Në Iliadë dhe Odise Pelasgët shfaqen si aleatë të Trojës dhe banorë të Thesalisë dhe Kretës [Homeri, Iliada, II, 681–685]. Ata përshkruhen si popull i respektuar, që ruante tradita dhe institucione të veçanta. Përdorimi i termit “Pellasgë” tregon një identitet gjuhësor dhe kulturor të dallueshëm, i veçantë nga grekët e hershëm.

Herodoti (I.56–58) përshkruan Athinën si qytet ku banorët origjinalisht ishin Pellasgë, ndërsa Spartanët përfaqësonin Hellenët. Ai sugjeron se me kohën, Pelasgët e Athinës adoptuan gjuhën dhe zakonet e Hellenëve, duke u bërë pjesë e grekëve. R.A. McNeal (1973) analizon këto kapituj dhe thekson vështirësitë tekstuale, gramatikore dhe logjike, duke e konsideruar Herodotin një historian që ndërthur digresione dhe kontradikta.

Ato janë një digresion etnografik i rëndësishëm, i lidhur me ngritjen e pushtetit të Spartanëve dhe Athinasve, dhe shpjegojnë transformimin e Athinasve Pelasgë në Hellenë. McNeal thekson se Herodoti përdor antitezën midis Spartanëve (Hellenë, Dorikë) dhe Athinasve (Pelasgë, Ionikë), duke nxjerrë në pah ndryshimet kulturore dhe migratore [McNeal, 1973, 5–12]. Hipoteza para-indoeuropiane

Hipoteza para-indoeuropiane i sheh Pelasgët si popullsi autoktone, të lidhur me kulturën minoike, që fliste gjuhë jo-indoeuropiane. Kjo shpjegon pse shumë toponime dhe etnonime nuk kanë kuptim në greqishten e lashtë [Cabanes, 1988, 24–28].

Hipoteza indoeuropiane sugjeron se Pellasgët ishin degë e hershme indo-europiane, e lidhur me grekët, ilirët dhe trakët. Emrat e perëndive dhe toponimet mund të interpretohen në shqip, duke treguar ruajtje të elementëve gjuhësorë të hershëm [Georgiev, 1977, 5–12; Çabej, 1976, 115–118].

Teoria e Georgievit dhe kalimi nga pellasgët tek ilirët 

Vladimir Georgiev argumenton se Pellasgët ishin popull indo-europian paragrek, pjesë e substratit ballkanik që përfshinte trakët, frigjët dhe ilirët [Georgiev, 1966, 42–47]. Kontakti midis Pelasgëve dhe Ilirëve ishte i vazhdueshëm, dhe pjesë e gjuhës së Pelasgëve ruhej në substratin e shqipes.

Ky substrat shpjegon ruajtjen e disa toponimeve, etnonimeve dhe elementëve hyjnorë që nuk interpretohen lehtësisht në greqishten e lashtë, por që gjejnë kuptim në shqip [Çabej, 1976, 120–125].

Tabela e mëposhtme tregon toponime dhe etnonime pelasge, krahasuar me greqishten e lashtë dhe shqipen:

Toponim/Etnonim PelasgGreqisht e lashtëShqip dhe kuptimKoment
Athína.Ἀθήνη (Athēnē)“Atë + na” = “mbrojtësja jonë”Ruajtje e emrit të lashtë; substrat gjuhësor ballkanik
LarisaΛάρισα (Lárisa)“Lari + sa” = “shtëpi e fortë”Substrat lokal, i interpretuar përmes shqipes
KorinthosΚόρινθος (Kórinthos)“Kor + inthos” = “kodër e rrethuar”Toponim i hershëm, ruan strukturë fleksionale ballkanike
DionysosΔιόνυσος (Dionysos)“Di” (diell) + “nysë” (vajzë/nuse)Trashëgimi hyjnore indo-europiane
LemnosΛῆμνος (Lēnmos)“Lëm + nos” = “ishull i butë”Toponim i ruajtur, lidhet me shqipen e hershme
ThesprotëΘέσπρωτες (Thésprōtes)“Thes + protë” = “të hershëm”Etnonim që tregon kontinuitet historik
KaonëΚαόνες (Kaones)“Ka + onë” = “të mbrojturit / fis”Ruajtje emri tribal; substrat ballkanik

Përfundime

Ky përkthim akademik ruan citimet origjinale në greqisht dhe frëngjisht, duke pasqyruar në mënyrë të plotë përmbajtjen e librit të vitit 1902 “Les Pellasges et leurs descendants les Albanais”, nga Adamidhi, Botuar në Kajro, Instituti Egjyptian. 

Në Francë dhe botën frankofone, termi Institut d’Études Égyptiennes shpesh përdoret si sinonim për qendra që merren me egjiptologji (studimin e historisë, gjuhës, kulturës dhe arkeologjisë së Egjiptit të lashtë).  Institucioni më i njohur është Institut Français d’Archéologie Orientale (IFAO) në Kajro, themeluar në vitin 1880, që konsiderohet qendra kryesore për studimet egjiptologjike franceze. 

Niveli shkencor i Gaqo Adhamidhit kapërcen interpretimit të kohës e tregon sa patriotizmin e tij dhe nivelin e lartë shkencor akademik mendoni ishte viti 1902, dhe njё figurë aq i largët dhe e përkundërt nga karakteri i krijuar prej “urrejtjes” së Çajupit.

Filed Under: Histori

THE VOICE (1942) / “SHQIPËRIA, ÇELËSI I DERËS SË PASME TË RRËZIMIT TË GJERMANISË” — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME MBRETIN ZOG NË HOTEL “WEST END” NË LONDËR

September 30, 2025 by s p


Burimi : The Voice, e shtunë, 26 shtator 1942, f. 4
Burimi : The Voice, e shtunë, 26 shtator 1942, f. 4

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Shtator 2025

“The Voice” ka botuar, të shtunën e 26 shtatorit 1942, në faqen n°4, intervistën ekskluzive të Mbretit Zog dhënë asokohe gazetarit George Slocombe në hotelin e famshëm West End në Londër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbreti Zog i Shqipërisë, në një intervistë ekskluzive, tregon çelësin e derës së pasme të Gjermanisë

Burimi : The Voice, e shtunë, 26 shtator 1942, f. 4
Burimi : The Voice, e shtunë, 26 shtator 1942, f. 4

(Nga George Slocombe)

“Nuk e them këtë për të lavdëruar bashkatdhetarët e mi, por Shqipëria është çelësi i Ballkanit dhe vendi ideal i zbarkimit për një ekspeditë aleate të dërguar për të sulmuar anën më të prekshme të Gjermanisë.” Biseduesi ishte Mbreti Zog. Skena zhvillohej në një dhomë në hotelin e famshëm West End nga ku, siç më tha ai, kishte qenë dëshmitar i të gjitha sprovave tona, nën zjarr dhe bomba, gjatë Betejës së Londrës.

“Deri tani,” tha ai, “si shumë të tjerë, unë kisha menduar për fuqinë dhe pasurinë e Britanisë në aspektin material. Por tani e di që forca e popullit britanik qëndron në karakterin dhe qëndrueshmërinë e tyre – një forcë morale, jo materiale.” Për vite me radhë, ky sovran evropian, më i pakapshmi, ka ngjallur dhe i është shmangur kureshtjes së botës. Bukuria dhe eleganca e tij ; karriera e tij romantike ; largësia dhe mungesa e aksesit të supozuar të mbretërisë së tij të ashpër dhe malore ; martesa e tij me një grua të bukur, gjysmë hungareze, gjysmë amerikane ; vargu prej gjashtë motrash tërheqëse, në moshë për tu martuar ; të gjitha këto kishin dhënë shkas për thashetheme të lehta.

U tha në mënyrë absurde se ai ishte arratisur nga Shqipëria me 30 valixhe me thesar, dhe madje edhe në anijen ushtarake britanike që evakuoi Mbretin Zog dhe familjen e tij me qindra refugjatë të tjerë (unë midis tyre), legjenda vazhdoi.

Megjithatë, e vërteta rreth Zogut është në fakt më e çuditshme se trillimi. Ai është i gjatë, i hollë, i veshur me kujdes, por jo elegant. Ai flet pak anglisht, pak frëngjisht dhe italisht ; më shumë gjermanisht dhe mjaft turqisht. Zëri i tij është i ulët, melodioz dhe simpatik. Origjina e mbretërimit të tij është po aq e thjeshtë dhe logjike sa ajo e Robert Bruce të Skocisë, ose e ndonjërit prej mbretërve të hershëm skocezë ose saksonë. Ai është kreu i një klani malësorësh shqiptarë që e ka prejardhjen nga udhëheqësi i madh luftëtar Skënderbeu. Ai luftoi në luftërat ballkanike të pavarësisë dhe, në një betejë, më tha ai, udhëhoqi një ushtri prej 30,000 burrash që u shkatërrua përveç tij dhe 15 të tjerëve. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai u internua si nga gjermanët ashtu edhe nga italianët.

Pas Traktatit të Paqes, kur këmbëngulja e Presidentit Wilson mbi parimin e vetëvendosjes kishte siguruar pavarësinë e Shqipërisë (pavarësisht pretendimeve italiane për sovranitet, të mbështetura nga traktati anglo-italian i vitit 1915), Zogu u bë Kryeministër dhe Ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Në vitin 1926, kur ai ende e quante veten Ahmet Bej Zogu, ai u zgjodh President i Republikës. Në vitin 1928 (megjithëse ai kishte kundërshtuar me këmbëngulje krijimin e një monarkie) ai u zgjodh nga Asambleja Legjislative mbreti i parë i Shqipërisë dhe mori titullin Zog I. Zogu në shqip do të thotë “Zog i Madh” – d.m.th., shqiponjë.

I ngacmuar nga Italia

Që atëherë, historia e Zogut ka qenë historia e të gjithë fqinjëve të vegjël të Fuqive me mendje agresive. Të ngacmuar dhe të përkëdhelur herë pas here nga Musolini, ai dhe mbretëria e tij e vogël por historike – Iliria e lashtë e Romakëve – e panë veten pre e pashmangshme, por jo të parezistueshme të tiranit. Pashka e kaluar shënoi përvjetorin e tretë të pushtimit cinik të Shqipërisë nga Musolini, dhe sundimtari në mërgim i atij kombi malësorësh të ashpër festoi duke thyer betimin e heshtjes politike që kishte bërë që kur ai dhe mbretëresha e tij, së bashku me foshnjën e tyre të porsalindur, gjetën strehim në Greqi nga Këmishat e Zeza të Italisë.

“Kanë kaluar tre vjet e gjysmë”, tha Mbreti Zog në intervistën e tij të parë, “që kur Shqipëria u sulmua padrejtësisht nga Italia fashiste. Dhe më 10 qershor 1940, kur Italia i shpalli luftë Britanisë së Madhe dhe aleatëve të saj, Shqipëria përsëriti solemnisht deklaratën e saj të luftës kundër Italisë. Ky fakt historik nuk mund të anulohet nga rrethanat që deri më tani e kanë penguar Shqipërinë të bashkohet me Aleancën e Madhe të Demokracive.”

“As ekzistenca e Shqipërisë dhe as ligjshmëria e përfaqësuesve shqiptarë në mërgim nuk mund të sfidohen nga shtetet që zhvillojnë një luftë të shenjtë për ligj dhe drejtësi. Pavarësia e Shqipërisë u njoh nga Traktati i Londrës, i cili i dha fund Luftërave Ballkanike.”

“U njoh nga Konferenca e Ambasadorëve dhe, pasi kufijtë e saj u përcaktuan nga një Komitet Ndërkombëtar, ajo u pranua në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1921. Autoritetet shqiptare që tani janë në mërgim janë të vetmit përfaqësues kombëtarë me mandat nga populli i tyre. Pushtetet e tyre janë konfirmuar brenda Shqipërisë nga zgjedhjet e njëpasnjëshme kushtetuese në Shqipëri dhe në të gjitha vendet e tjera nga njohja e monarkisë kushtetuese. Aktualisht, Shqipëria ende gëzon një shkallë të caktuar përfaqësimi diplomatik.”

“Asnjë shtet nuk e ka njohur de jure pushtimin fashist të Shqipërisë. Dhe madje edhe sot vendi im, i cili ishte i pari që i rezistoi pushtimit të armatosur me forcë, është shumë larg pushtimit. Italianët nuk kanë arritur të imponojnë vullnetin e tyre në vend. Prandaj, Shqipëria është në të njëjtën anë të barrikadës me britanikët, amerikanët, polakët, grekët dhe jugosllavët dhe të gjithë popujt e tjerë që luftojnë për demokraci.”

Një mbretëri e vogël

“Së bashku me Greqinë dhe Jugosllavinë, Shqipëria bën pjesë në shumicën dërrmuese të popujve të Ballkanit të përfshirë në këtë konflikt dhe të bashkuar në kauzën e përbashkët. Të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve tanë kanë vetëm një mendje të vetme për këtë temë. Ne nuk kemi konflikt me grekët. Gjatë 25 viteve të pavarësisë sonë, Shqipëria i ka provuar botës të drejtën e saj për të qenë e lirë. Në vitin 1920 vendi ishte praktikisht pa shkolla apo rrugë dhe ishte i prekur nga malaria. Në vitin 1939 kishim 700 shkolla, 75,000 nxënës, nga të cilët një e treta ishin vajza.”

“Shqipëria mund të bëhet e lirë dhe e begatë me ndihmën e burimeve të saj minerale dhe punës së popullsisë së saj. Ajo ka nevojë vetëm për kapital.”

Mbreti shtoi : “Ne jemi vetëm një popull i vogël, maksimumi një milion, dhe nuk dua ta ekzagjeroj rëndësinë tonë në sistemin evropian. Megjithatë, në një kohë krize, kur edhe shërbimet e një individi të vetëm janë të vlefshme, ndihma e mundshme e një kombi luftëtarësh nuk duhet të përbuzet. Unë besoj se e drejta do të triumfojë në këtë luftë, dhe për këtë arsye nuk kam frikë të pretendoj se frytet e fitores dhe drejtësisë duhet të jenë të disponueshme për të gjithë ne.”

Kështu u shpreh Mbreti Zog i Shqipërisë, pasardhës i udhëheqësit luftëtar Skënderbe.

Filed Under: Histori

MUSTAFA MERLIKA – KRUJA, HISTORI E DOKUMENTUAR E NJË JETE NË SHËRBIM TË KOMBIT SHQIPTAR

September 29, 2025 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Pjesa III

Lexuesit dhe studjuesit do të kenë rastin të njihen me ndihmesën e Mustafa Krujës n’atë fushë deri në shkurtin e vitit 1922, sepse në mars t’atij viti ai mori pjesë në kryengritjen e Elez Isufit e të Zija Dibrës kundër Ahmet Zogut e së ashtuquajturës “klikë”. Me dështimin e asaj kryengritjeje ai u arratis në Sërbi, e më pas në Itali deri në qershorin 1924, kur u kthye në Shqipëri.  

Në Sërbi ai mësoi për gjashtë muaj sërbo-kroatishten dhe mori përsipër përkthimin e librit të ish kryeministrit të Sërbisë Vladan Gjorgjeviç “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”. Është një nga librat më kundër- shqiptarë që mund të jenë shkruajtur, me qëllimin për të paraqitur shqiptarët si popull që nuk ishte në gjëndje të vetëqeverisej, pra që nuk meritonte të kishte një shtet të pavarur. Shumë vite më vonë, në letër-këmbimin me shkrimtarin Martin Camaj, Mustafai mori vesh nga ky i fundit se Vlladani ishte me origjinë shqiptare, një prej atyre që, fatkeqësisht, i këthenin shpinën Shqipërisë kur fitonin poste të larta në Vënde të tjera. Librin e shoqëroi me një parathënie dhe një mbasthënie, në të cilat shpjegoi pikëpamjet e tij, në lidhje me përkthimin e botimin: 

“Ma në fund s’ka dyshim se si për njeriun më vete ashtu edhe për nji popull qi dëshiron me dijtun e me qortue të mêtat e veta, opinioni i anmiqvet âsht tepër i dobishëm. Edhe nga kjo pikëpamje pra ky libër asht i interesueshëm në gradën mâ të nâltë për ne shqiptarët. Na zêmërojnë  e na indinjojnë pa dyshim shpifjet, aq mâ tepër kur kemi para sŷsh qi na bâhen për të na minue ekzistencën t’onë si komb, për të na skllavnue, për të na shue farën. Por nuk duhet të na idhnojnë aspak të mêtat reale qi na përmênden, makar të zmadhueme e….të zbukurueme me sarkazmat e ironít e gjuhës së nji Vladan Gjorgjeviçi. Nji katalog mâ komplet të mungesavet t’ona kombtare, si edhe të gjithë sa shpifjeve qi mund t’i bâhen nji populli, s’ka mundun bir nâne tjetër me na e vûe përpara kurrë në fytyrë të kësaj toke. A pak shërbim âsht ky?… Anmiku detyrën e tij e ka krye. Ndashti âsht detyra e jonë me përfitue edhe prej nji vepre të këtillë: me qortue gabimet, me ndrequn të mêtat e me u lâmë para botës nga shpifjet.”

Ka shumë atdhedashuri në përkthimin e atij libri, të shkruar nga një shqiptar i shpërngulur familjarisht prej tri të katërtash shekulli në Sërbinë fqinje, një njeriu të shquar në Vëndin në të cilin është trapiantuar, që arrin deri në majat e jetës politike, por edhe kulturore. Sigurisht shkakton dhimbje fakti që aftësitë e tij Gjorgjeviçi, i ve me zellin më të madh, në shërbim të një qëllimi djallëzor, të pandershëm e tejet imoral: të pengojë popullin fqinjë, shqiptarët, ku gjinden edhe rrënjët e tij, të mos ketë të drejtën që, për herë të parë në historinë mijravjeçare të themelojë Shtetin e parë të bashkuar e të pavarur. Për përkthyesin, që kishte punuar që në vitet e rinisë për atë synim, të kthyer n’idealin e disa brezave, duke e sendërtuar atë, nëpërmjet nënëshkrimit në listën e 37 të tillëve, puna për të përkthyer librin e “halabakut sërb”, siç do t’a përcaktonte me një farë përçmimi një atdhetar shqiptar i zakonshëm, ishte një mundim i dhimshëm.

Por, për këndvështrimin e hapur, që kishte formuar në jetën e tij, ai libër përbënte një rast të rrallë për t’i treguar bashkatdhetarëve, se sa e vështirë e në të përpjetë ishte rruga e ecjes përpara, rrethuar nga popuj të tjerë jo dashamirës, e që, nëpërmjet penave të tyre të shquara, villnin mbi ta vrerin më të zi të mërive shekullore, me të vetmin qëllim ndalimin e krijimit të Shtetit të tyre. Nuk nguronin para asnjë mjeti të pandershëm e të paligjshëm, për t’i a arritur synimit të tyre, duke i servirur popujve të tjerë t’Evropës dhe qeverive të tyre mendimin e tyre të zi, nëpërmjet botimit t’atyre lloj librave në gjuhët e tyre. Për të shkruar atë libër, thotë përkthyesi, autori kishte studjuar me dhjetra vëllime kushtuar Shqipërisë e shqiptarëvet, duke marrë prej tyre gjithshka t’errët e të zezë që ishte shkruar, deri te një legjendë e austriakut Hahn që thonte se shqiptarët “janë me bisht”….

Por ndërsa ai shqipëronte atë vepër, në vetvete ndiente një kënaqësi të veçantë, sepse qëllimi i autorit të librit kishte mbetur një ëndërr e pasendërtuar, se Shqipëria ishte krijuar me vullnetin dhe zellin e pjesës më të mirë të shqiptarëve, por edhe me ndihmën e dy Shteteve të mëdha t’Evropës, më pranë saj gjeografikisht. Shqipëria, edhe se e gjymtuar, ishte një realitet i gjallë politik, më i riu në fushën kontinentale. Me gjithë dështimin e projektit për të cilin ishte shkruajtur libri, përkthyesi, në filozofinë e tij pohenike, gjente në të një mësim që bashkatdhetarët e tij duhet t’a kthenin në një vlerë: atë të përmirësimit të tyre të vazhdueshëm, heqjes dorë nga mendësi e metoda të trashëguara prej afër pesë shekujsh, përqafime të ideve që vinin jo më nga Lindja, por nga Perëndimi, ringjallje morale e qytetëruese pa mohuar traditat më të mira të trashëguara. Sendërtimi i këtyre synimeve që koha vinte para shqiptarëve ishte, simbas përkthyesit : “me qortue gabimet, me ndrequn të metat e me u lamë para botës nga shpifjet”.

Kjo do t’ishte fitorja e vërtetë e jona kundrejt përpjekjes së shtetarit sërb e të ngjajshmëve të tij, do t’ishte dështimi i tyre i plotë në veprimtarinë e tyre keqdashëse kundrejt nesh. Kjo ide i sillej nëpër tru, ndërsa përkthente e po kjo ide u bë zotëruese, kur në “Një shënim i nevojshëm”, të shtuar para botimit të librit ai shprehej kështu:  

“Nja nji vjet banim në Sërbi, në përpjekje me sërbët mâ të thjeshtë, me ata të Shumadís, dhe pak studim mbi ta ndër fletore, revista, e sa libra të tyne, si edhe në disa vepra të shkrueme prej autorëve të huej, më kanë përgatitun deri diku edhe mue sa me qênë i zoti me shkrue diçka si kundër-ofensivë për popullin fqinjë, po t’ishte nevoja me i u përgjigjun në këtë mënyrë veprës së Vladan Gjorgjeviçit.

E pa dyshim qi ka shqiptarë edhe mâ kompetenta se un në këtê lamí. Por mue më duket se nuk âsht urtí, në shekullin t’onë sidomos, me ndezun mënín në mes të dý popujve kufitarë, qi, si pat thânë tash vonë Benito Mussolini, nuk mund të jetojnë veçse si miq ase si anmiq. E populli shqiptar nuk dëshiron tjetër pos miqsís me kê do qi i a don miqsín dhe nuk e përbuzë. Ky përkthim pra kundrejt sërbëve ka vetëm nji qëllim difensiv: mos me mbyllun sŷt përpara sherrit e me i u ruejtun,

Nji dijetar arab, Imam-Aliu ka thânë: “E nxuna sherrin jo për sherr, por për t’i u ruejtun sherrit”.

Sot, pothuaj mbas një shekulli të botimit të librit, na takon të matemi me vetveten si komb, në sendërtimin e porosisë së Mustafa Krujës, dalë nga mësimi i përkthimit të librit të ish kryeministrit sërb.  

U arratis nga internimi ku e kishin vënë sërbët e mundi të shkojë në Itali, në qytetin e Barit. Në qershorin e vitit 1924 ai u kthye në Shqipëri. Kthimi në Tiranë qe një kënaqësi e veçantë, mbas mërgimit të dytë që zgjati pak më shumë se dy vite. U prit befasisht nga një shumicë njerëzish në hyrje të kryeqytetit, i cili, mbas largimit të Zogut dhe administratës së tij ishte në dorë të ushtrisë e të Opozitës. Vdekja e Avni Rustemit më 22 prill 1924, si pasojë e atentatit kundër tij të dy ditëve më parë, kishte elektrizuar opinionin publik dhe sidomos rininë që kishte parë tek ai jo vetëm vrasësin e Esat Pashë Toptanit, por edhe si nismëtarin e federatës “Atdheu” dhe të shoqërisë “Bashkimi”, e një nga përfaqësuesit më të besueshëm të prirjes për demokraci. Vdekja e tij dhe ceremonia madhështore kombëtare e varrimit kishte shtuar atmosferën kundërshtuese ndërmjet pushtetit të Ahmet Zogut dhe Opozitës. Pritjet e kësaj të fundit ishin të  mëdha e çuan në një acarim të jashtzakonshëm që u shfaq në atentate e deri në ngjarjet e qershorit që detyruan qeverinë të largohej në drejtim të Jugosllavisë e Opozitën të ngjitej në pushtet. 

“Mbas lëvizjes kryengritëse qi mbaroi me dëbimin e Zogut nga Shqipnija në qershorin e 1924-ës, u kthye në Atdhe. Mbas gjithë këtyne  mundimeve desh të pushojë për do kohë në gji të familjes pranë së cilës i kishte tokue gjithmonë me kalue kohë të shkurtna si i huej. Por si qeverija ashtu edhe përfaqësuesit e Shkodrës e sidomos këta, të krishtenë e myslimanë bashkë, i u lutën fort qi të pranonte me qeverisun atë krahinë aq delikatë si prefekt. Dhe Krujës i u desh me i u shtrue vullnetit të Shkodrës ku kishte edhe shumë miq personalë.

Mustafa Kruja e sundoi prefekturën e Shkodrës për gjashtë muej rresht me autoritet e energjí të pashoqe, me të drejtë e me takt tue lânë kujtime të pashlyeshme deri n’ata qi kanë pamë interesa apo mendime të tynetë cënueme prej veprimit të tij.”  

Më 17 qershor Mustafai mbajti një fjalim të shkurtër në sallën e Bashkisë së Tiranës. Në të ai shprehu ngazëllimin e tij për fitoren e “revolucionit”, në sajë të “armëve të ushtrisë kombëtare”. Ky fjalim u botua në gazetën “Dajti” e gjëndet në vëllimin “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”. Ja disa nga fragmentet e fjalës:

“Zotnij të ndershëm!

Si juve qi ndodheni pranë, ashtu edhe të gjithë atyne qi, prej ngushticës së vêndit, s’munden të marrin pjesë këtu u faleminderës me gjithë zêmër për këtë pritje vllaznore e shumë simpatike qi patët mirësinë të na bâni. Na e dijmë fare mirë se këtë nuk e kemi meritue për kurrgjâ tjetër veç se ndoshta për vuejtjet e shumta e të padame qi na kanë takue si ushtarë e puntorë të vjetër të nji ideali, realizimi i të cilit sod ka fillue me na ndriçue para sŷsh…..

Por a thue se ky ideal i shênjtë, ideali i nji Shqipnie për popullin e jo për pesë a dhjetë zotnij, qi e quejnë veten mbi popullin e zot të tij, a thue se ky ideal âsht i realizueshëm sod plotsisht me armët e ushtrís kombtare. Un kujtoj se jo! Un them se këto armë kreshnike vetëm kanë çelë rrugën e realizimit t’atij ideali qi kemi të tânë në zêmër. Triumfi i armvet nuk lypset të na dehë e të na lânë në gjumë aspak…..

Thashë se nji ndër pengesat mâ të mëdhaja qi s’na kanë lânë deri sod me realizue idealin demokratik ka qênë antagonizma, dasia në mes të demokratvet vetë. E pra sod qi ndalimet e tjera u zhdukën me gjak duhet qi të zhduket me do e mos edhe ky turp i demokracís, duhet bashkim i të tânë atdhetarvet pa ndryshim feje e krahine. Vetëm atëherë mund të besojmë me sigurí se gjaku i Avniut e i dëshmorvet të tjerë të revolucjonit s’kanë shkue kot e se ideali i ynë i përbashkët do të realizohet plotsisht. Por vjen me pyetun se si do t’a bâjmë këtë bashkim. S’ka njeri të thotë se s’e don bashkimin. Në vênd qi në praktikë na ka dalë gjithmonë i vështirë. Shkaku? Egoizmi! Pra për me u bashkue duhet me shkulun egoizmin prej zêmrash….”

Siç shihet, qëndrimi i tij n’atë periudhë ishte ai i një idealisti revolucionar, në pozitat e pjesës më radikale të kombëtarizmit shqiptar. Mbas shumë vitesh, kur shkruan mbi ngjarjet e atyre muajve të vitit 1924, është mjaft kritik. Ai përmënd fjalën “revolucion”, siç u quajt rëndom n’atë kohë e deri sot në historiografinë zyrtare komuniste, grushti i Shtetit i 10 qershorit 1924. Vetë Mustafai, në shpjegimet që i jep prof. Stavro Skëndit mbi ato ngjarje, vë në dukje se kundërshtari më i vendosur i atij “revolucioni” ishte Luigj Gurakuqi, njëri ndër shtetarët më largpamës e atdhetarë të politikës shqiptare. Çdo lloj revolucioni ka në qëndër të tij pështjellimin e masave, ndërsa n’atë qershor populli nuk mori pjesë aspak në ngjarjet politike. Veprimi qe krejtësisht i politikës, që u mbështet në komandantët ushtarakë, pra në thelb qe një “grusht Shteti” i mirëfilltë e, për mendimin tim vetiak, në tërësi shumë i dëmshëm për disa arsye. 

Grushti i Shtetit që u krye mbas dorëheqjes së qeverisë Vërlaci, si përfundim i mos zgjidhjes së ngërçit të krijuar nga vrasja e Avni Rustemit dhe nga ngujimi i Opozitës në Vlorë, si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi formën e regjimit në Asamblenë Kushtetuese, qe ngjarja që i dha goditjen e fundit metodave demokratike që, mirë a keq kishin filluar të bënin rrugë në ecurinë e Shtetit shqiptar. Ai përcaktoi një çarje të madhe të klasës politike, në dëm të dialektikës që kishte filluar, edhe se me mangësitë e saj, në parlamentin shqiptar. Grushti i Shtetit u bë shkaktari kryesor i prishjes së barazpeshave kushtetuese të dala nga votimet e 27 dhjetorit të vitit 1923 për Asamblenë Kushtetuese, të fituara nga Ahmet Zogu me shumicë absolute prej 44 deputetësh, duke mos respektuar përfundimet e votimeve, pra duke dhënë shëmbullin e daljes nga binarët ligjorë  të jetës institucionale n’emër të parimeve të huajtura nga përpjekjet komuniste në mjaft Vënde t’Evropës për të përsëritur përvojën e revolucionit bolshevik. Edhe zija e parlamentit për vdekjen e Leninit ishte një tregues i asaj atmosfere. Mjaft idhtarë të grushtit të Shtetit më vonë krijuan KONARE-n e përfunduan në Bashkimin Sovjetik, për të përgatitur në vite përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri, të cilat më vonë, me ndërlikimet e pushtimeve dhe luftës së Dytë botërore, përcaktuan vendosjen e diktaturës së kuqe për gati gjysëm shekulli. Madje duhet vënë në dukje se Ahmet Zogu, megjithëse fitimtar në zgjedhjet e 27 dhjetorit, e megjithëse viktimë e një atentati të një bashkëkrahinari të tij, Beqir Valterit, në sallën e parlamentit, u përpoq deri në fund, edhe me dorëheqjen e tij e krijimin e një qeverije që kishte edhe përfaqësues të Opozitës, të qetësonte gjëndjen e të vazhdonte metodat demokratike në praktikat politike e institucionale. Po të kishin ndjekur edhe përfaqësuesit e Opozitës të njëjtën rrugë, ndoshta Shqipërisë do t’i ishin kursyer shumë dukuri johenike n’atë periudhë e më vonë. 

Edhe Mustafa Kruja, megjithëse nuk pati asnjë lloj pjesëmarrjeje në veprimet e mësipërme ishte në një gjatësi vale me Opozitën demokratike, sikurse shihet edhe në fjalën e mbajtur në Bashkinë e Tiranës. Por megjithë ngazëllimin për revolucionin, mëndjes së tij të mprehtë nuk i shpëtonin problemet e vërtetë të Shqipërisë e demokracisë së saj, që dalin në pah, sikur në shumë raste të jetës së tij politike, të përqëndruara në dasitë e ndryshme të shqiptarëve, në nevojën urdhëruese për t’i shmangur ato, për të sendërtuar bashkimin në synimet, në dëshirat, në idealet më thelbësore të interesave të atdheut. Në këtë domosdoshmëri pengesa vjen nga “egoizmi”, nga diçka e lindur në natyrën njerëzore e, prandaj, aq e vështirë për t’u luftuar….

N’administratën e qershorit 1924 ai nuk pati detyra e poste në qeverinë qëndrore. U emërua prefekt, me fuqi të plota në Shkodër. Ishte një qytet që kishte joshjen e tij të posaçme në zemrën e tij. Në parlament ishte bashkuar me grupin e atij qyteti, sepse kishte gjetur në të më shumë afërsi mendimesh e shllimesh. Miqtë e tij më të mirë ishin nga ai qytet. Shkodra ishtë më perëndimori i qyteteve shqiptare, ku tregëtia me Italinë e bregdetin dalmat linte gjurmët e saj. Ishte qyteti me më shumë histori në trevat shqiptare, madje simbas projektit të tij duhej t’ishte kryeqyteti i Vëndit. E bëri këtë propozim në vitin 1921 në parlament por mbeti pa vazhdim. Në Shkodër ai solli edhe bibliotekën e tij të pasur, për të cilën flet me shumë dashamirësi edhe prof. Ernest Koliqi. Në përvjetorin e dymbëdhjetë të festës së Pavarësisë prefekti e përfundoi fjalën e tij, drejtuar popullit të Shkodrës nga ballkoni i Bashkisë me këto fjalë:

“Të jemi pra të lidhun e të bashkuem me besën qi na kanë lânë babat e gjyshat t’onë, për lirín e lulzimin e Atdheut; t’i napim dorën shoqi shoqit burrnisht e vëllaznisht, tue i mbajtun në cakun e vet ndryshimet e fevet e t’idevet e të betohemi mbi flamurin e shênjtë se kurrë i hueji e tradhtori s’ka me na sundue për së gjalli!

Popull i Shkodrës! Ti, sidomos, me malet e tueja nuk do t’i harrojsh traditat e lavdishme qi trashigon prej të parvet të tuej, qyshë prej Kara-Mahmudit e te Oso Kuka, nj’ashtu si t’i kanë përshkrue Vaso Pasha i yt e auktori i pavdekshëm i Lahutës së Malsís! Meritoje pra edhe me veprat e mbaskëndejme vêndin e naltë qi të ka caktue historia në gjî të Kombit shqiptar! Vetëm bashkimi, or vëllazën, bashkimi i të gjithë Shqiptarvet të ndershëm, na bân me qênë të drashun prej tradhtorvet e të nderuem prej të huejvet. Me bashkim e vëllazní të pa hile e të pa sherr kjo ditë e lumnueshme do të na gjêjë për gjithë vjetë mâ mirë.

                                                    Rrnoftë Shqipnía e lirë! “  

Qeveria e Fan S. Nolit, që në fillimet e saj u ballafaqua me problemet e kufijve, trashëgimi të Konferencës së Paqes. Në Arkivin e Ministrisë së Jashtëme italiane gjindet një letër e Kryeministrit Noli, drejtuar kolegut të tij italian Benito Mussolini, e cila bën fjalë për atë problem. Ja teksti i përkthyer i asaj letre:

Ministria e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë

Kabineti i Ministrit

Tiranë, 6 korrik 1924

Shkëlqesi,

Po përfitoj nga rasti i kthimit të të Ngarkuarit me punë, zotit Tefik Mborja, për të tërhequr vëmëndjen e Shkëlqesisë Suaj mbi çështjen e kufijve, që shqetëson në këtë çast gjithë Kombin.

Qeveria shqiptare është shumë e alarmuar nga drejtimi që po merr ajo çështje delikate. Jemi njoftuar, për shëmbull, se Komisioni Ndërkombëtar, i kryesuar nga gjenerali Gazzera, ka ndërprerë punimet e tij në zonën asnjanëse të Korçës, si pasojë e udhëzimeve të marra nga Konferenca e Ambasadorëve e cila po rishqyrton dhënien e katërmbëdhjetë fshatrave të caktuara Shqipërisë nga Komisioni, ndërsa pak ditë më parë, e njëjta Konferencë urdhëronte Qeverinë greke t’i zbrazte ato. Nga ana tjetër jemi të kërcënuar nga humbja e mundëshme e monastirit të Shën Naumit, që zotëron rrugën Pogradec-Korçë e të malit të Vermoshit që zotëron qytetin e Shkodrës.

Një zgjidhje e pafavorshme e këtyre tri pikave tejet të rëndësishme të kufijve shqiptarë do t’ishte fatale për Qeverinë e sotme shqiptare, sepse ky dështim nga kundërshtarët tanë sigurisht do t’i vishej paaftësisë së saj dhe antipative të shkaktuara jashtë. Asnjë shpjegim nga ana e jonë nuk do të mund të kënaqte popullin e dëshpëruar nga kjo bjerrje tokësore. Autoriteti i Qeverisë sonë do të dëmtohej në mënyrë të pandreqëshme e një tjetër shpërthim i brëndshëm mund të kishte pasoja të pallogaritëshme.

Për të shmangur këtë ndërlikim të rrezikshëm  vemë të gjitha shpresat tona tek Shkëlqesia Juaj e tek mbështetja diplomatike e Qeverisë italiane në dobi të tezës shqiptare mbi tri pikat e diskutueshme të kufijve tanë. Jemi të sigurtë se kjo mbështetje nuk do të na mungojë edhe në këtë rrethanë të vështirë, siç nuk na ka munguar në të shkuarën.

Duke përgëzuar Shkëlqesinë Tuaj për shpejtësinë me të cilën kaluat krizën e fundit të Vëndit Tuaj, urojmë që Ju të mbeteni në pushtet për një kohë të gjatë, për të mirën e dy Vëndevë tona.

Ju lutem pranoni ndjenjat e konsideratës sime të lartë.

Fan S. Noli  

Kjo letër dëshmon se sa e rëndësishme ishte për Shtetin shqiptar t’asaj kohe, mbështetja italiane në kontekstin evropian e botëror të gjeopolitikës. Dëshmon edhe një tjetër fakt: kur bëhet fjalë për interesat madhore të një Kombi, i kërkohet ndihmë edhe një regjimi që, në kushte normale, për bindje politike apo ideologji, nuk do të parapëlqehej. Kryeministri Noli i mbante sytë nga Lindja e Bashkimi Sovjetik, por nuk nguronte t’i kërkonte ndihmë Italisë e Mussolinit, madje duke i uruar që “të mbetej në pushtet për një kohë të gjatë për të mirën e dy Vëndeve tona”. 

Është një këndvështrim i gjërave që ka qënë i pranishëm në shumë çaste dramatike të historisë sonë, por jo gjithmonë ka gjetur miratim nga historiografia, sidomos ajo e tetëdhjetë viteve të fundit. Ajo e ka mbushur skenën shqiptare me “tradhëtarë” e “armiq”, pa mbajtur parasysh se ata protagonistë të ngjarjeve e vendimeve kishin punuar vetëm për interesat e vërteta të Kombit, herë herë duke flijuar dhe vetëveten….

 Raporti i markezit Durazzo, drejtuar Ministrisë së Jashtëme në personin e Kryeministrit Mussolini, që mbante edhe postin e Ministrit të Jashtëm, është një dokument me interes për të krijuar një ide, pak a shumë të qartë, mbi opinionin e diplomacisë italiane për gjëndjen politike në Shqipërinë e mbas revolucionit të qershorit 1924. Ai e përshkruan atë periudhë të shkurtër të “sprovës socialiste” me ngjyrat më të errta. Paraqet një Vënd të zhgënjyer në pak muaj qeverisje të elitës intelektuale të Shqipërisë, të përfaqësuar nga ekipi i Imzot Fan Nolit, që përballet me një gjëndje  kushtetuese të paligjësuar nga grushti i Shtetit, me një “gjëndje kronike të dështimit të financave publike; me mosmarrëveshje të brëndëshme; me mungesa pothuajse absolute të njerëzve me përvojë dhe kompetentë në degët e ndryshme të administratave publike; me një rënie të mprehtë ekonomike, të nxitura nga varfëria e përhapur e nga pakënaqësia e gjallë”.

Në tërësi ky raport  jep një radiografi të Vëndit tonë për atë periudhë. Autori i tij nuk është një dashamir i Vëndit tonë, por me gjuhën e tij të diplomatit vë theksin mbi një sërë mangësish e, në këtë drejtim, besoj se i bën një shërbim jo të keq studjuesve të historisë për të përimtuar e përcaktuar më mirë arsyet që çuan në dështimin e asaj sprove historike.  

Nuk është e vështirë të zbulohet mes argumentimeve të tij prirja e përgjithëshme e politikës tradicionale italiane deri në ditët tona të një farë dyfaqësie, në të cilën hasen vështirësi të krijohet besim e të ketë siguri në qëndrimet, të cilat më shumë përcaktohen nga inrteresat e çastit të Vendit se sa nga parime të fuqishme e të ngulitura thellë në vetëdijen e kombit e të Shtetit.

Në arkivin e Ministrisë së Jashtëme italiane, në pakon nr. 731 jepet një listë emrash, ndërmjet të cilëve ishin edhe Luigj Gurakuqi e Mustafa Kruja, të cilët kanë lundruar atë natë me anijen ushtarake “Cesare Rossa RGL” në drejtim të portit të Barit n’Itali. Nuk shënohet vëndi i nisjes, por me gjasë duhet të ketë qënë Shëngjini. Ata emra janë:

Dervish Bej, Hasan Dani, Rakip Dani, Luigj Gurakuqi, Rexhep Shala, Hysni Curri, Ismail Haki Korça, Zija Prizreni, Halit Kastrati, Mustafa Maksuti, Sulejman Shkodra, Bejto Plava, Mehmet Plava, Idriz Sadiri, Muharrem Mitrovica, Riza Drini, Qazim Kruja, Mustafa Kruja, Caje Kruja me dy fëmijë, Vat Gjoni, Luigj Naraçi, Ahmet Kaiza, Llazar Nikolla, Llazar Marko, Dobuj Plava, Kristofor Popi.

Kapiteni i Fregatës

      Komandanti

Carlo Alberto Mercalli

Ikjen e opozitës nga Shqipëria dhe zbarkimin e saj në tokën italiane, në muajt e parë të vitit 1925 e përimton mirë ish prefekti i Shkodrës, Mustafa Kruja, në një letër që i shkruan At Paulin Margjokajt më 25 maj 1950, në përgjigje të një pyetjeje të këtij të fundit, të datës 14 t’atij muaji. At Paulini i shkruante kështu bashkëbiseduesit krutan: “Më shkruani në letër se qysh më 1927 e njihshi maskën çlirim-nacjonale të fabrikueme në Moskë. Kishe me dashtë me dijtë mâ gjatë mbi këtê pikë….” Dhe ja përgjigja e Krujës:

“….Do me vapore do me barkë e me Fan S. Nolin e qeverín e tij në krye të gjithë na, kundështarët e athershëm t’Ahmet Zogut u zhbarkuem e u shpërndamë në 25-27 dhjetor në Brindizi e në Bari. Ishim nji ushtrí intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në tê se, si grup-se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa fé mundsije me e çue kryet mâ përpjetë. Pandërgjegjsija (incoscienza) e pazotsija politike kolektive përmbrênda e përjashta e mizerja morale e Opozitës antizogiste kurrë s’pat qênë shfaqun aqë sheshit e aqë tragjikisht sa ndër ata gjashtë  muej të provës së vet qeveritare nën kryesín e Fan Nolit (qershor-dhjetor 1924). Ky regjim qe nji kshtjell kartet nga mâ e dobta. Nji erë e lehtë, nji frymë vetëm, mjaftoi me e shêmbun. Kur erdh në fuqí i a hapi Mussolini dyert e i a shtroi udhën vetë për nji marrveshtje me kushte mâ të mira se ato qi pat pranue mâ vonë Zogu. Qeverij’e Fan Nolit nuk desht e nuk dijti me përfitue. Të kishte dashtun e dijtun, së jashtmi do t’a kishte sigurue veten qind për qind. Por Fan Noli desht me u marrë vesht me Rusín sovjetike, kjo çeli në Tiranë nji legatë me nji personel 40 vetësh. Tirana ishte kushtue me u bâmë qêndra e veprimtarís komuniste në Ballkan. Prandej nëse Zogu materjalisht pat vetëm përkrahjen jugosllave, politikisht e moralisht kishte gjithë Okcidentin për vete, me Anglín në krye.

Por makar, si u mujtëm, si u shkatrruem e thyem qafën në mërgim a i kuptuem, a i pamë, a i njohëm nemose gabimet e fajet t’ona qi na çuen n’atë hall? Asnji grimë! Të tana ato mizerje morale, të tanë nj’atë pandërgjegjësí politike kolektive – qi po na përsiell edhe sod e ka me na përsjell deri në vorr – i kishim marrë me vete e s’i lëshojshim, s’dojshim me i lëshue për së gjalli! E me gjithë këtê dojshim ende me besue, madje besojshim ngultas se mbrênda gjashtë muejve – mbasi kaqë kishte ngjatun regjim’ i ynë – Zogun do t’a hidhshim përsëri… E si?

Të tâna pushtetet kapitaliste qi kishin interesa direkte a indirekte në Shqipní i kishin shtŷmë me duert t’ona kah Zogu. E pa ndihmën e ndonjânit prej këtyne – këtê  po  e kuptojshim të gjithë – se  s’mund të bâhej gja.”

Filed Under: Histori

Telegrafi i Morsit dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

September 27, 2025 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Në fillim të shekullit XX, telegrafi i Morsit ishte një nga mjetet kryesore të komunikimit zyrtar nëpër kancelaritë dhe administratat shtetërore. Pajisje të tilla, me leva metalike, bobina dhe tinguj të shkurtër e të gjatë, bënin të mundur dërgimin e mesazheve në distanca të mëdha brenda pak minutash.

Për shtete të vogla e të sapokrijuara, telegrafi përfaqësonte një armë diplomatike.

Pas aktit historik, Ismail Qemali dërgoi një notë telegrafike drejtuar Fuqive të Mëdha (Britanisë, Francës, Austro-Hungarisë, Italisë, Gjermanisë dhe Rusisë), ku shpallte mëvetësinë e Shqipërisë dhe kërkonte njohjen ndërkombëtare.

Kështu, aparati i thjeshtë i Morsit u bë një instrument i heshtur, por i fuqishëm, në lindjen e shtetit shqiptar. Ai e shndërroi aktin e shpalljes së Pavarësisë nga një ngjarje lokale në një lajm ndërkombëtar. Nëse flamuri në Vlorë i dha ngjyrë simbolit të kombit, telat e telegrafit e shndërruan atë në fakt politik të njohur në kancelaritë e Europës.

Ky është telegrafi me të cilin shqiptarët, për kushtet dhe rrethanat që ndodheshin kanë bërë “shakanë” më serioze në histori…

Filed Under: Histori

Branko Merxhani, publicisti dhe patrioti i historiografisë shqiptare

September 26, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Branko Merxhani, i lindur në vitin 1894 në qytetin e Nishit në Perandorinë Osmane, është një nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar të shekullit të XX, një intelektual i thellë, publicist, filozof, pedagog dhe patriot i përkushtuar ndaj kombit dhe kulturës së tij. Ai lindi në një familje ku trashëgimia kulturore dhe intelektuale ishte e pasur dhe e larmishme. Babai i tij ishte një gjykatës ortodoks shqiptar nga Sopiku i Pogonit, ndërsa nëna e tij, me origjinë gjermane, i ofroi një ndikim të veçantë në formimin kulturor dhe intelektual të tij, duke i dhënë akses në gjuhë të huaja dhe letërsi të thelluar. Kjo kombinim i origjinave shqiptare dhe evropiane i mundësoi Merxhanit një perspektivë të gjerë dhe multidimensionale për kulturën dhe shoqërinë, duke formuar një themel të fuqishëm për mendimin e tij filozofik dhe publicistik.

Qysh në moshë të hershme, Merxhani tregoi një kureshtje të jashtëzakonshme për historinë, letërsinë dhe filozofinë. Arsimi i tij filloi në qytetin e Bursës, ku ndoqi shkollën gjermane, një vend ku ai mori njohuri të thella mbi letërsinë dhe filozofinë evropiane. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ai vazhdoi studimet në Austri, ku u njoh me mendimet filozofike dhe sociologjike të kohës, duke u ekspozuar ndaj teorive të avancuara për shoqërinë dhe kulturën. Ky edukim evropian do të ndikonte thellësisht në formimin e programit të tij ideologjik dhe vizionit për modernizimin e shoqërisë shqiptare, gjithmonë në respekt të traditave dhe identitetit kombëtar.

Pas kthimit në Shqipëri, Merxhani filloi punën në shtyp, duke shërbyer fillimisht si gazetar dhe publicist në Turqi dhe më pas në vendin e tij, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit intelektual shqiptar. Ai ishte një nga figurat kryesore që prezantoi konceptin e “Neo-shqiptarizmit”, një program ideologjik dhe kulturor që synonte zhvillimin e një vetëdijeje historike dhe shoqërore te shqiptarët. Ky koncept ishte i frymëzuar nga mendimi sociologjik i Ziya Gökalp-it dhe synonte t’i bashkonte shqiptarët me kulturën dhe qytetërimin perëndimor pa humbur lidhjen me traditat dhe identitetin kombëtar.

Në vitet 1930, Merxhani u vendos fillimisht në Gjirokastër dhe më pas në Tiranë, ku bashkëpunoi me revista dhe botime të rëndësishme të kohës. Ai kontribuoi në revistat “Demokratia” të Jorgji Meksit, “Illyria” dhe “Koha e Re”, duke bashkëpunuar me intelektualë të shquar si Karl Gurakuqi, Vangjel Koça, Suat Asllani, Petro Marko dhe Tajar Zavala. Në këtë periudhë, Merxhani filloi të ndërtonte një platformë të thellë filozofike dhe kulturore, duke u bërë mentor dhe udhëheqës i mendimit modern shqiptar. Artikujt e tij publikoheshin përmes eseve, analizave shoqërore, studimeve historike dhe komenteve mbi letërsinë, duke krijuar një hapësirë të gjallë intelektuale për reflektim dhe debat kritik.

Në tetor të vitit 1936, Merxhani filloi botimin e revistës “Përpjekja Shqiptare”, një botim që shërbeu si instrument edukativ dhe patriotik, duke promovuar letërsi moderne shqipe, përkthime nga autorë të huaj, ese filozofike dhe analiza shoqërore. Kjo revistë, e cila vazhdoi deri në vitin 1939, pati një ndikim të madh në formimin e mendimit kulturor shqiptar, duke lidhur brezat e rinj me konceptet e modernitetit evropian, pa humbur respektin për historinë dhe traditat kombëtare. “Përpjekja Shqiptare” u bë një model i integrimit të dijes, kulturës dhe patriotizmit, duke ofruar një hapësirë ku mendimi kritik dhe reflektimi për shoqërinë shqiptare ishin të përqendruar dhe të strukturuar.

Branko Merxhani nuk ishte vetëm publicist dhe filozof; ai ishte edhe pedagog i përkushtuar, duke u përpjekur të edukonte studentët dhe të rinjtë shqiptarë në kuptimin e vlerave historike, filozofike dhe kulturore. Ai besonte se arsimi dhe kultura janë baza e zhvillimit të një shoqërie të ndriçuar dhe se vetëm individët e arsimuar mund të kontribuojnë në përparimin e kombit. Në ligjëratat dhe shkrimet e tij, ai i inkurajonte studentët të kuptonin historinë e tyre, të njohin vlerat evropiane dhe të ndërtojnë një shoqëri të bazuar mbi dijen, moralin dhe integritetin qytetar.

Në vitin 1939, pas pushtimit italian të Shqipërisë, Merxhani u shpërngul në Stamboll, ku vazhdoi aktivitetin e tij publicistik dhe intelektual, duke ruajtur një qëndrim kritik dhe të pavarur ndaj regjimeve politike. Ai vazhdoi të shkruante artikuj dhe analiza mbi kulturën dhe historinë shqiptare, duke lënë gjurmë të thella në historiografinë dhe publicistikën shqiptare. Ai jetoi në Stamboll deri në vitin 1981, duke ruajtur integritetin dhe vizionin e tij për Shqipërinë dhe kulturën e saj, duke e bërë veprimtarinë e tij një burim të pasur për studiuesit dhe historianët shqiptarë të brezave të ardhshëm.

Trashëgimia e Branko Merxhanit është e pasur me kontribute në historiografinë shqiptare, publicistikë, arsimin e brezave të rinj dhe zhvillimin e mendimit kritik. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e identitetit kulturor shqiptar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së historisë, traditave dhe lidhjes me qytetërimin perëndimor. Ai ishte një vizionar që besonte se përparimi i një kombi nuk mund të ndodhë pa edukim, vetëdije historike dhe angazhim kulturor.

Branko Merxhani nuk ishte thjesht një akademik apo publicist; ai ishte një vizionar, një edukator dhe një patriot i përkushtuar. Ai tregoi se dashuria për vendin nuk shprehet vetëm me fjalë, por përmes veprave, edukimit, shkrimeve dhe ligjëratave, duke frymëzuar brezat e rinj të shqiptarëve që të punojnë për përparimin e shoqërisë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Trashëgimia e tij mbetet një shembull i gjallë i angazhimit intelektual dhe patriotik dhe një dëshmi e fuqishme e rolit të intelektualëve në zhvillimin e një shoqërie të ndriçuar dhe të përgjegjshme.

Në përfundim, Branko Merxhani është një nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar të shekullit XX, një intelektual i përkushtuar që kontribuoi në zhvillimin e kulturës, edukimit dhe publicistikës shqiptare. Ai la pas një trashëgimi të pasur intelektuale dhe kulturore, duke u bërë një pikë reference për studiuesit dhe historianët shqiptarë, dhe një shembull i pashlyeshëm i dashurisë për vendin, dijes dhe kulturës. Përmes veprës së tij, Merxhani tregon se edukimi, kultura dhe patriotizmi duhet të ecin gjithmonë së bashku, duke krijuar një udhërrëfyes të qartë për brezat e ardhshëm të shqiptarëve.

Foto: kultplus.com

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT