• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEDE GJO LULI SHEMBULLI ME I MIRE I ÇESHTJES KOMBETARE

May 31, 2018 by dgreca

 1 Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911 Flamuri

NGA JAHJA LLUKA/* 

Se sa sublime është dashuria ndaj atdheut, se sa e shejtë është mbrojtja e pragut të shtëpisë,edhe kur shancat janë të pamundura dhe fitorja thuajse është e paarrirë, shpirti luftarak i malsorit Dedë Gjo Luli duhet të jetë shembull, si njeri që i kushtoi çështjes kombëtare mbi gjysmë shekulli jetë, duke mos u dorëzuar deri në frymën e fundit. Familja e Gjo Lulit në historinë shqiptare njihet me përkushtimin e denjë ndaj dashurisë së atdheut. Nga kjo derë e madhe lindën shumë burra që me veprën dhe gjakun e tyre do të ngisinin në përjetësi emrin e fisit të tyre, sa madhështor aq dhe të dhimbshëm por të vdesësh për atdhe është akti më i lartë që mund të jep njeriu nga vetja. Kur shfletojmë historinë radhë nëpër epoka do gjejmë se si kjo tokë e bekuar lindi shumë trima e trimëresha të cilët nuk e njihnin frikën dhe dorëzimin ndaj armikut. Shpirti i shqiptarit është i etur për liri, në mohimin e tyre nga bota, në vuejtjen e tyre pa mbarim shqiptarët janë një ndër popujt e rrallë që njeh historia, sepse anjëherë nuk pranuan dorëzimin e aq më pak nënshtrimin. Trimi i madh Dedë Gjo Luli u lind në Traboin më 1840, emrin e trashëgoi nga gjyshi për tu bërë njëri ndër figurat më të mëdha të qëndresës shqiptare. Si i ri u njoh me Prende Gjeloshin, me të cilën lidhën kurorë dhe nga kjo martesë paten katër fëmijë dy vajza dhe dy djem. Shpirti i tij luftarak nuk e lejoi që të rrinte anash në luftën për shlirimin e Shqipnisë, Kongresi i Berlinit me vendimet e tij, la jashta shumë territore shqiptare duke ja dhuruar fqinjëve, kështu trimi Gjo Luli u angazhua në luftën heroike në mbrojtjen e Hotit dhe Grudës të cilat ju dhuruan Principatës së Malit të Zi. Populli iu bindën fjalës dhe luftës së Gjo Lulit, ai udhëhoqi malësorët e Hotit dhe Grudës dhe Kelmendit,në Kryengritjen antiosmane të 1911. Ndezi gjakun e malsorëve për ta ngjallur qëndresën e tyre,që të zgjidheshin njëherë e përgjithmonë nga pushtimi turko-sllav,duke bërë të mundur kështu hapjen e një epoke të re me shpalljen pavarësisë e Shqipërisë e cila nuk do ishte ashtu siç deshën shqiptarët.Luftrat ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër ishin ogur –zeza për kombin tonë.Ishte mbi 70 vjeç por pushka e tij nuk ndali edhe atëherë kur ja vranë birin Gjergjin në moshën 22 vjeçare dhe kushëririn Nik Gjelosh Lulin. Me zemrën e thyer, burrërisht nuk u ndal jo vetëm ai por gjithë Malësia gjëmuan, duke dhënë mesazh fqinjëve pushtues se gjaku shqiptar nuk shuhet edhe atëherë kur dielli nuk arrinë të lind. Do ja ndalte hapin Turgut Pashës në Tuz i cili erdhi të pushtoi Malësinë, poashtu dhe Etem Pasha me misionin e tyre prej 27 mijë ushtarësh shumë më të armatosur sesa timat e maleve, nuk arrijnë të mposhtin djemtë e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli. Malet gjëmonin, toka çahej, Evropa bënte sehir, por askush s’arriti ta qante qëndresen madhështore të trimave akilian, në mbrojte të atdheut të shejtë. Ishte shtator i vitit 1915 kur Deda, ballafaqohet me një pritë në Sheshëz afër Oroshit.Ai vritet pabesisht nga hordhit serbo –malazeze. Tri vite pas me 1918, djali i tij Kola do ndërronte jetë si pasojë e helmimit. “ Më 1920, në verilindje të Shkodrës, do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit i djathtë i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi.”

E dergoi per Diellin Skender Mulliqi. Faleminderit!

Filed Under: Histori Tagged With: ceshtja Kombetare, Dede Gjo luli, Jahja Lluka

FJALIMI NË KONFERENCEN E PAQËS:“SHQIPTARËT E TË DREJTAT E TYNE”

May 31, 2018 by dgreca

M U E J    QERSHOR 2 0 1 8:  K u j t o j m ë …/

  • FJALIMI NË KONFERENCEN E PAQËS:“SHQIPTARËT E TË DREJTAT E TYNE”- PËRGATITË NGA AT GJERGJ FISHTA O.F.M. SEKRETAR I DELEGACIONIT SHQIPTAR  NË PARIS …/

luigj-bumc3a7i

U LEXUE NGA IMZOT LUIGJ BUMÇI,KRYETAR I DELEGACIONIT SHQIPTAR… NË PARIS 1919 ….KY ISHTE KLERI KATOLIK SHQIPTAR QË NUK I DHA GREKUT DHE ASNJË SLLAVIT  ASNJËHERË AS KORÇEN, AS GJINOKASTREN E ASNJË PLLAMBË TOKË NGA TROJET TONA SHQIPTARE !/

Nga Fritz RADOVANI/

***

24 Qershor 1879 Asht le Fra Ndue VILA (1879 – 1956)U arrestue në Nandor 1946 dhe asht masakrue nga kafshët e sigurimit që donin me futë armët në Kishen e Fretenve. Burrnisht qendroi dhe nuk ua dorzoi çelsat kriminelëve Zoi Themeli e Pjerin Kçira./

26 Qershor 1918 u le në Shkoder At Aleks Baqli, nip i At Gjon Shllakut me prirje letrare Ka shkrue Dramen “Skenderbeu” qe u luejt ne teatrin e Fretenve në Shkoder…Vdiq me 16 Gusht 1993 dhe u vorros në Rrëmaji Shkoder./

  • Qershor 1921 në Parlamentin e Parë Shqiptar i tha një deputet Imzot Luigj Bumçit:

“Pse katolikët nuk ikin nga Shqipnia? Imz. Luigj Bumçi u pergjegj: “Unë po Ju dishmoj si Ipeshkëv Katolik se, e mbaj vedin vlla me Muhamedanët Shqiptarë e shka ju duhet ju kur unë, në këte gjendje, due me jetue me ta!”

25 Qershor 1925 Shugurohet Meshtar i pesti klerik i Familjes Prennushi në Shek. XX, Don Kolec PRENNUSHI, mbasi pat perfundue studimet në Linz Austri.

13 Qershor 1944 Bekohet Kisha e Françeskanve të Tiranës nga At Anton Harapi O.F.M.

5 Qershor 1945 arrestohet në Plan të Dukagjinit nga sigurimi i shtetit At A Harapi…

15 Qershor 1945 At Mati Prennushi dergon nder Malsi klerikët At Mëhill Miraj, At Filip Mazrrekun, At Leon Kabashin, At Gjon Shllakun dhe At Daniel Gjeçaj…

21 qershor 1945 arrestohet xhakoni Fra Gjergj VATA dhe fillon Kalvarin e pafund…

13 Qershor 1946 forcat e Ndjekjes vrane Mark Gjomarkun dhe Ndue Pjetrin në Prosek të Kthellës së Mirditës… Kjo ishte faza e parë e shkatrrimit Mirditës.

20 Qershor 1947 arrestohet Don Zef SHTUFI edhe pse ishte antifashist. Torturohet nga kriminelët e sigurimit po nuk pranon akuzat. Bani tri vjet burg dhe vdiq në 1950.

10 Qershor 1951 Arrestohet Don Nikoll GJINI (1911 – 1987) Nuk firmoi “Statutin e Kishës së 1950” perpilue nga shteti, vdes në burg në kampin e shfarosjes Zejmen  1987.

5 Qershor 1957 Vdes At Pal Çiurçija (1878 – 1957) Ishte nder ma të kulturuemit Klerikë, po edhe nder ma pak të shpjegueshmit per popullin Shqiptar per vuejtjet e Tija.

13 Qershor 1967 arrestohet Alfons RADOVANI e denohet 10 vjet burg se beson në Zotin.

29 Qershor 1967: U mbyll edhe Kisha e “Zemrës së Krishtit” në Tiranë.

11 Qershor 1970 arrestohet Don Shtjefen Kurti dhe pushkatohet se ka Pagzue një fëmij.

9 Qershor 1973 Inaugurohet Muzeu Ateist në Shkoder: “I Vetmi në Botë”…

7 Qershor 1978 Don Ndoc VOLAJ nga Shiroka Shugurohet Meshtar (1924 – 1995).

11 Qershor… Kongresi i BGSH në Pallatin e Sportit Shkoder… Enver Hoxha doli nga ai kongres dhe iku me “urimet e Popullit” dhe, nuk erdhi kurrma në Shkoder…

12 Qershor 1991 Kongresi i 10 i PPSh…Mbas takimit në Venecia dhe Katovicë…

Loja e këthimi në Parti Socialiste.., dhe “qendresa komuniste para RILINDJES”…

Melbourne Qershor 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, konferenca e Paqes, Paris

“Populizmi”, nji hap në rrugën drejt “fashizmit”

May 30, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212 Nga  Sami Repishti, Ph.D./

Në nji Editorial “Cili ashtë problemi i Europës?“(The N. Y.Times 22 maj 2018) nobelisti në ekonomi, Profesor Paul Krugman, i Universitetit Princeton, shkruente:  ”Në se ju duhet me identifikue nji vend dhe nji kohë ku dhe kur andrrat tona humanitare – vizioni i nji shoqënie që ofron jetë me dinjitet për të gjithë anëtarët e saj- u plotësuen aq shumë, ky vend dhe kjo kohë pa dyshim do të ishin Kontinenti Europian dhe gjashtë dekadat e mbas L2B. Ka qenë nji nga mrekullitë e historisë: nji kontinent, që njohu shkatërrime masive të cilat sollën diktaturat, gjenocidin, dhe konfliktet ushtarake, u tranformue në nji model të demokracisë, dhe të properitetit ekonomik të shpërndamë me zemërgjanësi”.

Europa filloi reformat shoqënore që në shekullin 19. Në Britaninë e Madhe. legjislacioni për klasën punëtore, në Francë me arsimin e përgjithshëm cilësor, në Gjermani me sigurimet shëndetsore që në vitin 1881 nga kancelari Bismarck, e të tjera. Europa e re e tronditun nga luftat e vazhdueshme përforcoi pozitat e kujdesit shëndetsor për popullsinë që pruni zgjatjen e jetës, pakësimin e vorfënisë, rritjen e pagave në nivele njerëzore, dhe pruni paqën, stabilitetin (80 vjet Europë pa luftë!) bashkëpunimin dhe mbrojtjen kolektive, në mes tjerash.

Sot, kjo “mrekulli e historisë” kërcënohet seriozisht nga “forcat e errëta”, jo liberale që lindën nga keqësimi i gjendjes ekonomike europiane, dhe u ashpërsuen nga efekti negativ i konservatizmit politik në SHBA, me presidentin D.J.Trump.

Gabimet e së kaluemes krijuen konditat e sotme. Në Europë, vendimi për krijimin e “euro-s” si monedhë europiane e përbashket, pruni nji atmosferë euforike, të shoqënueme nga shpenzime të pajustifikueshme që ndihmuen shumë në zhvillimin ekonomik të disa vendeve, krahas me korrupsionin. Koncentrimi i pushtetit ekonomik europian në Bruxelles, shkaktoi dobësimin e politikës financiare të pavarun të shteteve anëtare. Kur kriza ekonomike filloi të përhapej, shumë shtete nuk ishin në gjendje me përballue nevojën e marrjes së masave qeveritare të nevojshme, sepse vendimet merreshin me aprovimin e organeve të Bruxelles-it. Shtete si Italia, Spanja, Portugali, Greqia u gjetën në nji pozitë të vështirë ndaj kërkesave për nji politikë austeriteti, dhe u banë viktima të nji krize që damtoi randë jetën e tyne të përditëshme dhe perspektivat për nji zhvillim ma të tejshëm në të ardhmen. Papunësia u rrit, dhe bashkë me atë pakënaqsia e masava në nevojë ndihme qeveritare që nuk mund të vinte. Disa vende, si Islanda dhe Polonia që nuk pranuen euron si monedhë, u gjetën në nji situatë ma të mirë për rindërtimin e ekonomisë, sepse tue çvlerësue monedhën, u rritën eksportet dhe krijuen fonde që ndihmuen rindërtimin.

Ramja ekonomike, dhe papunësia e krijueme ngjallën moskënaqsinë e përgjithëshme popullore, dhe në atmosferën e re rezultoi fitorja politike e së djathtës ekstreme me frymë anti-europiane: në Itali (me fitoren e lëvizjes “cinque stelle”) në Poloni, ku Partia Ligjë e Drejtësi –PiS- ka mbushë gjykatat, neglizhue mediat publike dhe pothuejse monopolizue administratën me anëtarë të Partisë, dhe në Hungari ku kryeministri V.Orban shfrytëzon shoqëninë civile dhe abuzon fondet e shtetit dhe të BE me pasunue oligarkët që e përkrahin, dhe ku marshi i forcave të errëta rrezikon rrëshqitjen në “fashizëm”. Në Rumani udhëheqsit kanë dobësue ligjët kundër korrupsionit që rrezikon me i gëlltitë.

Në qarqet intelektuale europiane u krijue dyshimi se varja e ekonomive lokale nga qendra europiane në Bruxelles mund të ishte “shkaku” e jo “sherimi” i problemeve që ballafaqojmë! Në raste të vendeve ku historia peshon randë –si ishte rasti i Britanisë së Madhe, “perandoria botënore”,- nënshtrimi ndaj “zyrtarëve të Bruxelles-it” ishte nji përulje që shkaktoi pakënaqësi të thellë. Kjo spjegon daljen nga Bashkimi Europian i Britanisë së Madhe, i njohun si fenomeni “Brexit”. Si rrjedhim, thyhet uniteti europian, dhe shkelën disa nga vlerat morale të B.E. kryesisht emigracioni ekonomik i lirë dhe solidariteti me refugjatët që ikin nga vdekja…!

Europa përballohet me “forcat e zeza” që rezistojnë demokracinë. Hapi i parë ashtë krijimi de facto, i hapët ose i mshehun, i qeverive që dominohen nga nji parti e vetme politike. Cinikët në vende të ndryshme flisnin për këte zhvillim thellësisht të padëshirueshëm. “Tashti që Europa e Lindjes u çlirue nga ideologjia e huej politike, komunizmi, ka mundësi të kthehet në rrugën që ka nderperë, ne fashizëm”. Edhe në SHBA –shkruen nobelisti Krugman- “sot praktikisht sundohemi nga nji parti politike që ka shumë pak respekt për normat demokratike, ose sundimin e ligjit!”. Kjo gjendje quhet “populizëm” (në SHBA edhe “trampizëm”) – premtime të pa sprovueme për zgjidhjen e problemeve serioze, premtime me zgjidhë hallet e popullit të thjeshtë, shoqënue edhe me kufizimin e të drejtave qytetare të garantueme me kushtetutën – qendrime që përfundojnë në neo-fashizëm. Ata u mundësuen nga diskreditimi i nji elite politike, dhe nga dalja e vrullëshme në skenë e “hijeve të zeza”. Ky zhvillim frikëson!

******

‘Fashizmi”, përshkruhet nga Profesor N.O’Sullivan si“….nji doktrinë që kombinon ‘nacionalizmin’ etnik me pikëpamjen totalitariste, se shteti duhet të kontrollojë të gjithë aspektet e jetës shoqënore. Fashizmi kundërshton ‘liberalizmin’, lirinë personale, dhe ngulë kambë që plotësimi i dëshirave tona duhet t’i nënshtrohet (kërkesave) të shtetit, e jo e kundërta – ose (kërkesave të komunizmit) identitetit klasor dhe aspiratave që kërcënojnë unitetin e shtetit….Autoritetet politike e kulturale asimilohen dhe identikohen me ‘vullnetin kombëtar’, i cili artikulohet nga nji “udhëheqës’ (Duce!) kombëtar që koncepton detyrën e vet si nji mision me pengue degradimin kombëtar.” (“Fascism”, London,1983)

Preokupimi i jonë i madh dhe zhvillimet politike që dëshmojmë shkaktohen nga fakti se në opinionin e gjanë të botës demokratike nuk mund të injorojmë “stuhinë” që grumullohet për rreth nesh. Parasiti “fashist” sot paraqitet nepërmjet nji kërcënimi që nuk e kemi pa që nga vitet e mbas L2B. Lista e zhvillimeve shqetësuese ashtë e gjatë: përpjekjet e njimbasnjishme të partive në fuqi me grabitë autoritetin shtetnor, në Hungari, Poloni, Filipine, Turqi, vende aleate të SHBA-se.

Por edhe në SHBA fryma e urrejtjes, që zakonisht shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë, zhvillohet vazhdimisht, me rezultate që mund të tregohen si katastrofike. Lëvizja nativiste e Presidentit Trump “America first!” ashtë në të vertetë nji kërcënim serioz për paqën në botë, dhe infrastrukturën ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe mbrojtjes kolektive.

Në Federatën Ruse despotizmi i Presidentit Putin lulëzon. Rezultatet e shumëta i shohim në okupacionin e Krimesë, infiltrimin e “rebelëve” rusë në Ukrainë, nxitjen dhe përkrahjen e kriminelit Asad në Siri, dhe sidomos në ndërhymjen brutale të vitit 2016 në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, nji lëkundje e fortë politike që vazhdon pa ndërpremje edhe sot. Shtypi ndërkombëtar thekson tashti edhe presionin rus në gadishullin ballkanik në përpjekjet e veta me zevendsue tërheqjen strategjike të SHBA-së nga ky gadishull.

Sot, SHBA janë ba objekt kritikash të hapuna për shkeljen e të drejtave të njeriut me ligjët e reja të emigracionit, dhe anulimin e njianëshëm të marrëveshjeve të arrituna ma parë, për “politizimin” e veprimeve qeveritare pa asnji shqetësim për damin e madh që i bahet shoqënisë- veçanërisht rinisë- amerikane. Me ushqimin e “mitit” të invincibilitetit amerikan shpenzohen miliarda dollarë për armatimet dhe kërcënimet që rrezikojnë konfliktin e qellimshëm ose aksidental.

Në ballafaqim me këte “rrezik” publiku përparimtar amerikan përdorë mbrojtjen e së vërtetës, shtypin e lirë si mbrojtës të popullsisë, forcimin e parimit që asnjeri –tue përfshi edhe vetë presidentin- nuk ashtë përmbi ligjin; dhe, me shumë randësi, kërkon nga çdo qytetar amerikan “pjesëmarrjen’ në procesin demokratik pa u dekurajue, sidomos pjesëmarrjen në votimet lokale dhe kombëtare.

Ky qendrim përjashton aksionin e dhunëshëm!

Sot, në SHBA populli amerikan tregon pjekuninë e vet politike, dhe konfirmon besimin në të ardhmen demokratike të këtij vendi. Amerika ashtë nji vend ku populli, me origjinët ma të ndryshme, punon së bashku për të mirën e përgjithëshme, për mbrojtjen e të drejtave për të gjithë, dhe për sigurimin e lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Ky ashtë “the American exceptionalism”, shpesh i keqinterpretuem, por nji model për të gjithë popujt e botës që andrrojnë nji jetë të lirë dhe me dinjitet, për të gjithë ata që kundërshtojnë sundimin e nji partie ose të nji njeriu të vetëm që mashtron i mbështjellun me rrobe demokratike…!

*****

Zhvillimet politike në Europë- kryesisht në Hungari e Poloni – kanë prodhue dy sisteme hibride. Në dy shtetet nuk ka polici sekrete. Qarkullimi i qytetarëve ashtë i lirë. Kapitali i huej hynë në të dy vendet. Por as Hungaria as Polonia nuk mund të quhen “vende demokratike”, sepse demokracia e tyne ashtë “illiberale”, pa frymën e lirisë. Dora e udhëheqësve politikë, ashtë e randë nga qendrimi ultra-konservativ i partive politike në fuqi. Ky zhvillim u ba i mundun në dy vende që u dalluen për qendrimin e tyne heroik kundër diktaturës së kuqe, me sakrifica të mëdha. Pa dyshim, nji ironi e historisë që do të mbetet si shembull i mundësive të pakufizueme që paraqiten në jetën politike të vendeve tona- edhe në Shqipëri! Ky zhvillim politik tregon se edhe në Shqipëri “…po humbasim zakonin- ndoshta edhe aftësinë- me ba dallimin në mes të realitetit dhe zbrazëtisë. Ky ashtë faktori që vështirson shumë rimbëkamjen” me citue nji shprehje të Masha Gessen.

Sot, në vendin tonë, PD-ja që përfaqsoi kundërshtimin popullor ndaj PPSH-së në fillim dhe ndaj PS ma vonë, dhe premtoi nji Shqipëri me “liri dhe demokraci”, nji “Shqipëri si e gjithë Europa” ashtë reduktue në nji grup “politikanësh” qellim-mirë ndoshta, por pa eksperiencë, pa sensin e përgjegjsisë, e pa aftë me dalë nga “dara socialiste” që e mban të gozhdueme në vend…në karriket e Kuvendit, nji minoritet aty ku vendimet merren nga “shumica” pa respekt për pakicën dhe fjalën e saj; dhe akoma ma keq, pa bindjen se “politika ashtë në esencë kompromis”, dhe se vendimet merren me debate të nderëshme dhe argumentime profesionale nga të dy palët. Ndërsa PS ka humbë vlerën e saj “socialiste” e komprometueme randë me “pasunimin” e saj nga elementë neo-komunistë që gëzojnë mbështetjen e plotë të PS.

Grindjet e vazhdueshme, zhurmëmëdha e pa substancë, kanë krijue nji kakofoni që nuk shërben asnjenën palë. Probleme serioze për jetën e vendit si korrupsioni që nga koka deri në kambë, zhvillimi i shfrenuem i drogës dhe efektet katastrofale të saj për familjen shqiptare, papunësia dërmuese sidomos në zonat malore të vendit dhe vorfënia masive (qe ajo krijon!) ramja e prestigjit tonë kombëtar, udhëheqës që nuk frymëzojnë as lejojnë me shpresue për nji përmirësim të mirëfilltë të gjendjes, dhe dekurajimi i masave do të krijojnë konditat e nevojshme për nji reagim –kam frikë!- violent, dhe daljen në skenë të “hijeve të zeza, ose të kuqe” me mendimet  e qellimet e tyne, të zeza ose të kuqe, si këmishat e zemrat e tyne, të zeza ose të kuqe…..!

Dhe kjo ashtë krejtësisht e mundun, sepse “elita politike” që ashtë krijue në vendin tonë ashtë diskreditue randë si entitet politik pa program e pa vullnet. “Jepi popullit punë, dhe shpresë!” përfundonte këto ditë ish KM i Britanisë së Madhe, Tony Blair. Ai shtonte: ”Organizoni aksione të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta; fraksionalizmi në politikë ashte i destinuem me dështue”.

Sot ma shumë se kurrë, në Shqipëri duhet përjashtue zemrimi që shpesh sjellë diversiteti i mendimit; sot, ma shumë se kurrë na duhen përgjigje që kërkohen për pyetjet e shumëta nga të katër anët e vendit. Premtime që nuk mund të mbahen për zgjidhjen e shqetësimeve të popullit të thjeshtë, krijojnë probleme edhe ma të mëdha, ndoshta zgjidhje të përkohëshme, por përfundojnë pa përjashtim në nji zemrim popullor kundër “elitave” të vendit. Trazina shoqënore nuk duhet të kenë vend në Shqiperi.

Konflikti në mes të vlerave tradicionale të demokracisë liberale perendimore, dhe forcave të reja të autoritarizmit, mostolerancës dhe nacionalizmit etnik, ashtë sot sfida e madhe botnore.

Ne shqiptarët, mesazhi i Presidentit francez E. Macron na ngrohë, sidomos në këto ditë  kur shpresohet se hymja e Shqipërisë në Bashkimin Europian po afrohet. Le ta presim me krahë hapët.:

“Nuk dëshiroj me qenë pjesë e breznisë që flen me sy hapun e që ka harrue të kaluemen e vet. Unë dëshiroj me qenë pjesëtar i breznisë që ka vendosë me mbrojtë me fuqi demokracinë…Po! Ashtë e vertetë se këto janë ditë të vështira, por demokracia europiane ashtë shansi i jonë ma i mirë.”

Europa ashtë shtëpia e jonë! Bashkimi Europian ashtë, simbas udhëheqësve shqiptarë, “…instrumenti i vetëm me modernizue dhe me rindërtue shtetet dhe institucionet”, deklaronte kryministri Rama. Kush tjetër njeh ma mirë problemet tona se ata që as ndërtuen shtetin as institucionet tona që akoma sot nuk funksionojnë?

Por para se të hyjmë në Bashkimin Europian, duhet të edukojmë “europianët shqiptarë” me mendue e me veprue si europianët e Schuman-it në Europë.

Filed Under: Histori Tagged With: Europa, Ph.D, Populizmi, Sami repishti, shqiptaret

MBI ORIGJINËN PELLAZGE TË SHQIPTARËVE

May 27, 2018 by dgreca

LIBRI I 1829 / RRËFIMI I ETNOLOGUT WILLIAM FREDERIC EDWARDS MBI ORIGJINËN PELLAZGE TË SHQIPTARËVE/1 Libri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Maj 2018/

Në librin me titull “Caractères physiologiques des Races humaines considérés dans leurs rapports avec l’histoire, lettre a M. Amédée Thierry”, të etnologut William Frederic Edwards (1777-1842), botuar në Paris në vitin 1829, gjejmë një përshkrim të veçantë të autorit në lidhje me origjinën pellazge të shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :“…Nga dy tipet (pellazgë dhe helenë) që kemi folur, është e sigurt se i pari është i pastër; ndërsa për të dytin, jo. Ky mund të jetë rezultat i një përzierjeje të të parit me një tjetër, i panjohur për ne, sepse nuk më duket mjaft elegant (uniform) apo origjinal. Duhet të kërkohet në të gjithë Greqinë duke i dhënë këtij emri kuptim më të gjerë.

Një popull gjendet aty (në Greqi) që nuk është studiuar mjaftueshëm. Ai flet gjuhën e tij; ne nuk e dimë prej nga erdhi, as kur u vendos aty; të paktën unë nuk kam qenë në gjendje të mësoj asgjë nga ata që ishin më të arsimuar.Në disa aspekte, shqiptarët janë në Greqi ashtu siç janë baskët në të dyja anët e Pirenejeve, bretonët në Francë, galët (uellsianët) në Angli, dhe ata që flasin gjuhën « erse » në Skoci dhe Irlandë, një ‘mbetje’ banorësh të lashtë.Pse të mos i konsiderojmë si të tillë, nëse është e vërtetë që nuk gjejmë asnjë gjurmë të origjinës së tyre të huaj qoftë në traditat e tyre, në histori, apo në krahasimin e gjuhëve ?

Pse të mos jenë pasardhësit e Pellazgëve ? Kam parë shqiptarë në Venedik, madje edhe i kam pikturuar (vizatuar) ; por unë nuk do të përpiqem të vë në dukje idetë që më kanë sugjeruar, se unë nuk e di nëse kam parë tipin karakteristik të këtij populli, dhe nëse informacionet e origjinës së tyre që unë sapo kam sjellë janë të vërteta apo iluzione.

Le të shpresojmë që shkencëtarët e dërguar në të dy vendet, që kanë qenë vatrat e para të rilindjes në Evropë, do të ndërrmarin nisma të reja ekspeditash shkencore, të cilat do të rivalizojnë me ato të lundruesve, në lidhje me përcaktimin e saktë të llojeve të racave njerëzore…”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Edwards, Origjina Pellazge, shqiptaret

Kosova në kërkim të lirisë, grevë urie para çerek shekulli

May 27, 2018 by dgreca

-Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike…/

Greva-urise-Rilindja-1993-Adem-Demaci

-Nga greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin Rilindja u bë edhe një film dokumentar, ku është regjistruar edhe raportimi që bëja me telex nga Prishtina në Tiranë dhe flas për për atë që ndodhte…/

Greva-urise-Rilindja-1993-

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Greva-urise-Rilindja-1993-tituj-gazeta-Bujku (1)

PRISHTINË, 27 Maj 2018/ Në Kosova para  çerek shekulli zhvillohej një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë, dhe nga ajo bëhej një film dokumentar.

Greva-urise-Rilindja-1993-Ali-Podrimja-ne-mes-reciton-vargje

Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim.

 Trokëllima e telexit të raportimeve, që nga dita e zgjedhjeve historike i bëja nga Prishtina në Tiranë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe të para çerek shekulli-25 viteve, të nisur në 24 maj 1993, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi serb në Kosovë.

Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar:  “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar në Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision  evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Në ataë mbrëmje të 31 majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi.

“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej nga 24 maji deri në  3 qershor të vitit 1993, në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

“Më 20 maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’ të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe  të shtypit të lirë…”, thekson ai.

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

“Kjo është dëshmia: Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë… Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, flas në dokumentarin e grevës së urisë në Pallatin Rilindja – lexoj titujt e mëdhenj në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”.

Në atë kohë, në dokumentar flas, lexoj edhe titujt e numrit vijues të gazetës që nuk u ndal edhe kur u ndalua: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”.Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në dokumentar shihet: Data 31 maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca,  greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja, që nuk mbeti vetëm kështjellë e rezistencës dhe ëndërrave të mëdha: Pas lirisë e pavarsisë u bë ndërtesë qeveritare e shtetit të Kosovës.

Para Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë në 23 maj 2015 u ngrit dhe u përurua shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit.

Në nëntor të vitit 2014, në një takim të drejtuesëve të Prishtinës me delegacionin e intelektualeve nga Vlora u patën shpalosur hollësitë e idesë dhe projektit të vendosjes së shtatoreve të Ismail Qemalit në Prishtinë dhe të Hasan Prishtinës në Vlorë.

“Vendosja e shtatores e simbolizon rolin e Ismail Qemalit në pavarësinë e shqiptareve si dhe në zhvillimin e kombit shqiptar”, theksonin organizatorët e ceremonisë në kryeqytetin e Kosovës. 

FILMI DOKUMENTAR
https://www.youtube.com/watch?v=Qn0U61s8GQo

Filed Under: Histori Tagged With: Behllul Jashari, Greve urie, Kosova në kërkim të lirisë, para çerek shekulli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 302
  • 303
  • 304
  • 305
  • 306
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT