• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ikona te shek XVI –XIX në Muzeun Ikonografik “Onufri”

October 20, 2015 by dgreca

*Për herë të parë për publikun në një pavion të ri/
*Muzeu Ikonografik ONUFRI është një vlerë e rëndësishme dhe identifikuese e trashëgimisë kulturore në qytetin e Beratit./
Nga Berati për Diellin Sulo Gozhina/
Dritaret një mbi një, keshtjella, ansamblet e papërsëritshme të Mangalemit e Kalasë, Gorrica me urën që lidh dy pjesët e qytetit, kishat e shumta e xhamitë me minaret elegante, kjo më së shumti është klisheja si e mendojnë qytetin e Beratit.
Por s’janë të paktë ata që kanë mundur të prekin e admirojne atë vlerën që rrjedh së brenëshm të vyer e orgjinale, të ikonave, ikonostasit, tavaneve, të veshjeve e zbukurimeve, të objekteve të mrekullueshëm të artit e artizanatit, dëshmi të çmuara të jetës së lartë qytetare të konservuara në fondet e muzeut Ikonografik ONUFRI dhe muzeut ETNOGRAFIK
I përshtatur që prej vitit 1986, në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, në monumentin më përfaqësues të arkitekturës pas-bizantine njëkohësisht katedrale te Mitropolisë, një rindërtim i vitit 1797, Muzeu Ikonografik Onufri që në zanafillën e tij u konceptuar si një muze i vecantë ku autorët u kujdesën të risillnin mjedisin orgjinal dhe frymën në të cilën u krijuan këto koleksione. Në to admirohen vepra të mjeshtërve më të rëndësishëm ikonografë Onufri, Nikolla, Onufër Qiprioti, Shpataraku, Çetirët (familja Katro) e të tjerë të paidentifikuara, shumë objekte liturgjike si dhe ansambli i pakrahasueshëm i ikonostasit, një shëmbull i lartë i drugdhëndies i realizuar nga atelietë e mjeshtërve vendas, një koleksion që na bënë krenarë.

A G R O N P O L O V I N A, Drejtor Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat

Në vitin 2014 Muzeumet e QKMB ishin një destinacion i rëndësishëm turistik me 1 500 vizitorë ?.
Si një shifër e shkëputur nga konteksi krahasues 15 000 vizitorë nuk shpreh atë ndryshim të suksesshëm tashmë në promovimin e koleksioneve të kryer nga stafet e Muzeun Ikonografik “Onufri” dhe Muzeun Etnografik cilët janë aset i rëndësishëm me përvojën e grumbulluar në një periudhë shumë të gjatë kontaktesh e kërkimesh. Nëse në vitin 2013 muzeumet patën vetëm 8 700 vizitorë, gjatë këtyre 9 muajve të vitit 2015 në përfundim të Sezonit Turistik të Verës muzeumet patën 20 170 vizitorë, bëhet më e qartë sfida e asaj që ka ndryshuar duke filluar nga puna e përditëshme dhe e padukshme për të përmirësuar shërbimin ndaj publikut, në ndryshimet në paraqitjen e koleksioneve, hapja e muzeumeve e orientimi drejt grupmoshave të ndryshme, ndërhyrjet restauruese, bashkëpunimin për organizimin e veprimtarive të rëndësishme kulturore kombëtare, përmiresimi i imazhit etj.
Në vitin 2016 do të ketë surpriza për vizitorët, çfar pritet të ndodhë në Muzeun Ikonografik Onufri?
“18 Maj – Dita Ndërkombëtare e Muzeve” u përjetua si një ngjarje e veçantë që ndodh rallë edhe për muze shumë të rëndësishëm. 11 ikona u transferuarn në Koleksionin e Muzeut Ikonografik Onufri nga Fondi i DRKK-së Berat. Ikonat janë realizime rreth shekujve XVI – XIX. që u atribuohen mjeshtërve ikonografe, Onufrit, Nikollës, Qipriotit, ateliesë së familjes Çetiri, të realizuar kryesisht për kishat dhe manastiret e Kalasë të qytetit të Beratit të papublikuara më pare.
Prej gati dy vitesh Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare kanë nisur një bashkëpunim institucional cili konsiston në një koncept të ri në menaxhimin e vlerave të trashgimisë kulturore, në një mendësi të re për të ndryshuar mënyrat e deritanishme, për të qenë më aktiv në kujdesin ndaj tyre, për ti berë më të ekspozueshme, më të prekshme nga publiku por njekohësisht së bashku mund të jemi më efikas me profesioniste në ruajtjen dhe konservimin e tyre.
Duke parë interesin e madh që pati për 11 ikonat e transferuara e të ekspozuara në mjediset e Katedrales vetëm gjatë një muaji u bindëm përfundimisht që së bashku me disa ikona të rëndësishme te koleksionit te MO të pa ekspozuara më parë që u atribohen mjeshtër Nikollës dhe Onufër Qipriotit ti paraqesim për herë të parë për publikun në një pavion të ri. Ekspozita me emërin kuptimplotë “Thesare të Fjetura”, si nje grishje drejt trashegimise kulturore mbetet një sfidë per ti ofruar publikut cdo sezon një produkt të ri, një koleksion të pa ekspozuar si një thesar që ne kërkojmë ta nxjerim në dritën e diellit me të gjithë shkëlqimin duke synuar te risim vizitueshmerine dhe te nxisim turizmin vendas dhe te huaj.
Prej disa muajsh jemi duke e realizuar këtë projekt të rëndësishëm në sallën e katit të dytë të muzeut, një mjedis tepër i veçantë e impresionues që pas viteve 90 ka qenë i lënë pas dore. Salla me financim të Ministrisë së Kulturës do ti nënshtrohet një përmirësimi konstriktiv dhe më pas vlerësimit të ndriçimit i cili do të jetë profesional e konservues. Është duke u përgatitur nga specialistët tanë i gjithë materiali promocional që duhet për këtë ekspozitë kaq të rëndësishme, katalogu, fletëpalosjet, kartolinat, posterat, banerat etj.
Rivleresimi i këtij mjedisi dhe organizimi i ekspozitës, muzeun e bënë akoma më të rëndësishëm e më të vizitueshëm, aktiv për të ofruar publikut produkte të reja nga trashëgimia kulturore e qytetit të Beratit. Ky projekt po mbeshtetet në çdo hap nga Ministria e Kulturës.
Por nuk është vetëm ekspozita “Thesare te Fjetura” ajo që po përgatitet të ndodh në vazhdim. Kodikët e Beratit, “Codex Purpureus Beratinus Φ” 043 dhe “Codex Aureus Anthimi” 1143, janë vlera shumë të rëndësishme të fondit botëror të letërsisë biblike dhe njëkohësisht trashëgimisë sonë e cila na bënë tepër krenarë.
Historia e tyre është e vecantë në kufijtë e legjendës, lidhet pazgjithshmërisht me Beratin dhe dëshmon një nivel të lartë kulturor të tij.
Keta kodikë janë ruajtur me shumë përkushtim që prej shekullit të 11 kur kemi shënimet e para për kërkimin e tyre dhe së fundi janë gjetur në Katedralen “Fjetja e Shën Mërisë” (sot Muzeu Ikonografik Onufri) në Kala të Beratit (12 Gusht 1968). Sot ata ruhen në Fondet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Duke parë që interesi për ta është jashtëzakonisht i madh, në projektet tona në vazhdim si domozdoshmëri po punojmë për të ekspozuar të kopjuar si replike e orgjinalit fillimisht “Codex Purpureus Beratinus” (Kodiku i Purpurt i Beratit) atje ku është gjetur së fundi, prapa ikonostasit të Katedrales.
Prej kohësh po punojmë dhe tashmë jemi në finalizim të transferimit nga Fondi i DRKK-së të dy objekteve të identifikuara si veshje në argjend të relikeve (këmbë) të një prej shënjtorëvë sllavë, shën Goratzi. Sic edhe dëshmohet nga lipsanat e Shën Gorazdit e Shën Angelarit të cilat ndodhen në Kishën Katedrale Fjetja e Shën Mërisë (në Muzeun Ikonografik Onufri) nga një ikonë të madhe të ikonostasit (me autor Joan Cetiri), dhe të një tjetre që është e një date të më vonë, me autor piktorin Kristo ku paraqiten shtatë shejtorët sllavë (Eptaritmi), Shën Gorazdi dhe Shën Angelari janë pikturuar “të fjetur” mbrenda mureve të Kështjellës së Beratit.
Në fakt sfida është të jemi një hap para. Për shumë vizitore të huaj që kanë destinacion dy muzeumet tona përbën surprizë funksionimi në mjediset e Muzeut Ikonografik Onufri dhe Muzeut Etnografik të guidës nëpërmjet sistemit QR code në 3 gjuhë në shqip, anglisht dhe italisht duke mundësuar që cdo kush të ketë lehtësinë e nevojshme të marrjes së informacionit në mënyrë individuale përpara veprës orgjinale.
Ndërkohë shumë prej tyre ndihen të përkedhelur kur vërejnë se në të dy muzetë e Q K M Berat mund të marrin informacion në gjuhën e vet pasi për vizitorët individuale funksionon dhenia e informacionit nëpërmjet fishave në 10 gjuhë që ndihmon krahas guidës gojore (me specialist guid didaktike), guidës me QR-cod për ti shërbyer cdo vizitori vendas dhe të huaj numëri i të cilëvë rritet çdo vit me rreth 30 – 35 % .

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Ikona te shek XVI –XIX, në Muzeun Ikonografik, Onufri, Sulo Gozhina

Radio Vatikani- Kujtojmë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë

October 19, 2015 by dgreca

Me 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Ganxhe Bojaxhiun – Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e altarit.
Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i FORMULES SE LUMTURIMIT nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003::
“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.
Sot pra, me 19 tetor, nuk është festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall Festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga Qqielli, ndërsa vijon të na kujtojë se:
“Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë, se Zoti na do, e se ne, duhet ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na do ne. Po ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke iu lutur së bashku Zotit. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar, do ta doni e respektoni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë e paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Jini të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.
Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes- pati thënë Papa Shën Gjon Pali II.
Ja çka shkruhet në motivacionin e lumturimit të Ganxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës:

“Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës – Gonxha Bojaxhiu (1910 – 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar”.
Veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe se gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në altar në një kohë tepër të shkurtër. E duke kujtuar figurën e madhe të së Lumes Ganxhe Bojaxhiut, në mendje, në zemër e shpirt tonë, jehojnë përsëri dëshmitë e shqiptarëve, të cilët nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, shprehen emocionet e thella të atij çasti historik kur, më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, si rrallëherë, mbarë bota përsëriste me nderim të thellë Emrin e Kombit Shqiptar, që kishte nxjerrë nga gjiri i vet Ganxhe Bojaxhiun, personalitetin e së cilës, Papa Shën Gjon Pali II e përshkoi gjatë kremtimit të lumturimit të 19 tetorit të vitit 2003, Figurën Simbolike të misionit të Kishës Universale, Nënë Terezën e cila shtrëngonte, me njërën dorë një fëmije e, me tjetrën, mbante Rruzaren Shenjte.
“Sot, shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës, është bërë burim frymëzimi, për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën dhe për mbarë njerëzimin!”. Kështu u shpreh Papa Gjon Pali II që e lartoi në nderimet e altarit Nënë Terezën më 19 tetor 2003, e ne sot e kujtojmë me respekt, mirënjohje dhe dashuri të Lumen Nënë Terezë, shembull jete personale e kombëtare.
Në përfundim të këtij përkujtimi, ti bëjmë tonat fjalët e Papës Wojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor 2003:
“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”.
Le të vazhdojmë, pra, ta ndjekim e ta imitojmë shembullin e saj, dhe të jemi mjete të dashurisë hyjnore në realitetin shqiptare e kudo tjetër.
Po kujtojmë të Lumen Nënë Terezë, me jetëshkrimin e botuar në libretin e Kapelës papnore me ritin e lumturimit, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, më 19 Tetor 2003:
“Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”. Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfrit ndër të varfër. “Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t’u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij”. Në shpirtin e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : “Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore”.
Kjo lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit. Më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze, mori Kungimin e parë në moshën pesë vjeç e gjysmë e u krezmua në nëntor të vitit 1916. Që ditën e Kungimit të parë, ndjeu në zemër një dashuri të thellë për shpirtrat njerëzore. Me vdekjen e papritur të babait, në sa Anjezja nuk i kishte mbushur endë 8 vjetët, për familjen filluan vështirësitë ekonomike. Dranja, grua burrneshë, i rriti fëmijët plot dashuri, duke ndikuar shumë në karakterin dhe rrugën e jetës që do të zgjidhte e bija. Më pas formimi fetar i Gonxhes u thellua në famullinë Zemrës së Krishtit, nën drejtimin e jezuitëve, në sa merrte pjesë gjallërisht ndër të gjitha veprimtaritë.
Në moshën 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin “Motrat e Loretos”, në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti më 6 Janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St. Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti kushtet e përjetshme duke u bërë, siç tha ajo vetë: “Vashë e Jezusit” për “amshim”. Që nga ajo ditë e tutje u quajt Nënë Tereza. Vazhdoi të jepte mësim në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Grua që ia kishte kushtuar jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur në Loreto për njëzet vjet me radhë. E njohur për zemërgjerësi, bujari, guxim, aftësi të posaçme në kryerjen e punëve më të rënda dhe për talent të natyrshëm organizativ, ajo e jetoi përkushtimin e saj ndaj Jezusit, ndërmjet motrave, me besnikëri dhe gëzim.
Më 10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu “frymëzimin” e ri, “thirrjen brenda thirrjes”. Atë ditë, si e qysh ajo nuk e tregoi kurrë, etja e Krishtit për dashuri e për shpirtra njerëzore e pushtoi zemrën e saj dhe dëshira e flaktë për ta shuar etjen e Zotit u bë qëllimi kryesor i jetës. Në javët dhe muajt e më pasmë, ajo nisi të dëgjonte një zë që i fliste shpirtit të saj e të shihte vegime. Krishti i zbulonte kështu dëshirën e zemrës së Tij ndaj “njerëzve, që duke u flijuar për dashurinë”, “do të rrezatonin dashurinë e tij ndër shpirtra”. “Eja, të jesh drita ime”- iu lut – “nuk mund të shkoj vetëm”. E i tregoi sa vuante duke parë mospërfilljen ndaj të varfërve, sa i dhimbte, kur mendonte se ata nuk e njihnin e sa dashuri të zjarrtë kishte për ta. Jezusi i kërkoi Nënë Terezës të themelonte një bashkësi rregulltare, Misionaret e Bamirësisë, që do t’i kushtoheshin shërbimit ndaj më të varfërve ndërmjet të varfërve. Kaluan rreth dy vjet arsyetimesh e verifikimesh, para se Nënë Tereza të merrte lejen për fillimin e misionit të saj të ri. Më 17 gusht të 1948-ës, veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe la pas shpine kangjellat e kuvendit të Loretos, të cilin e donte aq shumë, për të hyrë në botën e të varfërve.
Pas një kursi të shkurtër pranë Motrave Mjeke Misionare në Patna, Nënë Tereza u kthye rishtas në Kalkutë ku gjeti një strehë të përkohshme pranë Motrave të Vogla të të Varfërve. Më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve: vizitoi familje, u lau plagët disa fëmijëve, u kujdesua për një plak që dergjej në rrugë të madhe dhe për një grua që po vdiste nga uria e nga tuberkulozi. E niste ditën me Jezusin në Eukaristi; pastaj, me rruzaren në duar, dilte për t’i gjetur dhe për t’u shërbyer atyre që janë: “të braktisur, të padashur, të papërkujdesur”. Disa muaj më vonë, me të u bashkuan, njëra pas tjetrës, disa nga ish-nxënëset e saj.
Më 7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza filloi t’i dërgonte motrat e saj në të katër anët e Indisë. E Drejta Papnore, lëshuar Kongregatës nga Papa Pali VI në shkurt të 1965-ës, i dha zemër të hapte një shtëpi misionare në Venezuelë. Menjëherë pas saj u themeluan shtëpi të tjera në Romë e në Tanzani dhe, pak më vonë, në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën.
Për t’iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu dhe atyre shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza më 1963 themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si “rrugë e vogël që i çon në shenjtërim” ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj.
Gjatë këtyre viteve, në sa misioni i saj përhapej me të shpejtë, bota filloi t’ia ngulte sytë Nënë Terezës dhe veprës që ajo kishte nisur. Meritoi shumë çmime për veprën e saj, duke filluar nga Çmimi indian Padmashri, në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979, ndërsa mjetet e komunikimit filluan t’i ndiqnin veprimtaritë e saj me interes gjithnjë e më të madh. Si çmimet, ashtu edhe gjithçka që e vinte në qendër të vëmendjes, i pranoi “për lavdinë e Zotit e në emër të të varfërve”.
Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin. Por duhet theksuar edhe një virtyt tjetër heroik i kësaj gruaje të madhe, i cili u bë i njohur vetëm pas vdekjes së saj. E fshehur nga sytë e të gjithëve, e fshehur deri nga ata që i qëndruan më pranë, jeta e saj e brendshme u vu në provë: pati përshtypjen e dhimbshme e të vazhdueshme se ishte ndarë nga Zoti, madje se ai e kishte braktisur, ndërsa në shpirt i rritej gjithnjë e më tepër dëshira për ta pasur pranë. Atë që po provonte e quajti “errësirë”. “Nata e dhimbshme” e shpirtit të saj, e cila nisi në kohën kur sapo kishte filluar apostullimin mes të varfërve e që vijoi gjatë gjithë jetës, e çoi Nënë Terezën në një bashkim edhe më të thellë me Zotin. Përmes errësirës, mori pjesë mistikisht në etjen e Krishtit, në dëshirën e tij të dhimbshme e të zjarrtë për dashuri, duke u njësuar me mjerimin e të varfërve.
Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t’i printe Kongregatës së saj dhe t’u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Sot Kongregata 4000 motra, të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit “Eja, të jesh drita ime!”, u bë Misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.

Filed Under: Histori Tagged With: 19 tetor, i Nene Terezes, lumturimi, Radio Vatikani

12 vjet nga Lumturimi i Nënë Terezës, Bashkia aktivitete bamirësie

October 19, 2015 by dgreca

Sot shënohet 12 vjetori i ditës së Lumturimit të Nënë Terezës.
Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh në përkujtim të kësaj dite, në fokus të së cilave do të jenë çështjet e bamirësisë.
Që prej fillimit të javës që lamë pas, në Tiranë janë vendosur më shumë se 12 pika dhurimi që ndodhen në rrugët kryesore të qytetit, ku shumë aktivistë presin gjatë 24 orëve kontribute të ndryshme, të cilat do tu shpërndahen sot familjeve në nevojë.
“Të hënën, që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, do të kërkojmë që të gjithë vullnetarët të vendosen në të gjitha qendrat sociale, çerdhet, institucionet, ku ne trajtojmë rastet sociale, nëpër lagjet e komunitetit rom, te qendra jonë e emergjencave, ku shumë prej banorëve janë vendosur aty, për t’i akomoduar në një ambient shumë më komod se sa Liqeni i Tiranës” deklaroi Veliaj me 15 tetor gjatë takimit me organizatat rinore dhe drejtues të shoqatave.
Ndërkohë të martën ora 19:00, në përkujtim të kësaj figure në Muzeun Historik Kombëtar do të organizohet një aktivitet me rastin e Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, në bashkëpunim me gjimnazin “Qemal Stafa”.
Me këtë rast do të hapet një ekspozitë dhe do të transmetohet një film dokumentar për Nënë Terezën, i përgatitur nga Muzeu Historik Kombëtar.
Dymbëdhjetë vite më parë (19 tetor 2003), Nënë Tereza u shpall e “lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfëritë e të varfërve”, të cilëve ajo iu kushtoi krejt jetën

Filed Under: Histori Tagged With: 12 vjet, Lumturimi i Nene Terezes

…Romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët

October 19, 2015 by dgreca

Sa për sqarim/
Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Në artikullin e vet me titull:
“Zbulimi në arkivat e Vatikanit. Shkrimi më i vjetër i Shqipes, ja ç’shkruhej më 1210”, të botuar në internet më 09 tetor 2015, zotëria Sitki Cerekja flet për Guljelm Adamin, “.., i cili në vitin 1332 shkroi me porosi të papës Gjon XXII, traktatin “Directorium ad passagium faciendum”, duke i bërë kështu edhe një relacion Filipit VI Valua, mbretit të Francës, me titull: “DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM (UDHËZIM PËR TË KRYER KALIMIN [E DETIT], ku jep të dhëna për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu gjejmë edhe fjalinë e famëshme që e bëri të njohur në histori: “Dhe megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre”.
Në realitet, e vërteta për ato shkronjat “latine” që kanë pasur “në përdorim” shqiptarët, qëndron krejt ndryshe. Sepse Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.), një natyralist i famshëm romak ky, që botoi në vitin 77 serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar “Naturalis Historiae” (Historia e Natyrës) , në vëllimin VII, shkruan:
“Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”.
Një tjetër shkencëtar i njohur, profesori hungarez Imre Toth, specialist i sllavistikës, në një libër të vetin që ua ka kushtuar Kirilit dhe Metodit, dy krijuesve të alfabetit të sllavishtes së vjetër, të botuar në Sofje, në gjuhën bullgare, në vitin 1981, thekson se, gjatë punës për krijimin e atij alfabeti, ata u mbështetën në shtatë burime. Mes këtyre burimeve, burimi i tretë (f. 60 e librit në fjalë) ishte staro allbansko pismo (shkrimi i vjetër shqip). Dihet që Kirili dhe Metodi e krijuan alfabetin e sllavishtes së vjetër në shek. IX (viti 860). Ta quash shkrimin shqip të vjetër në shek. IX, do të thotë që “mosha” e tij duhet të jetë mijëravjeçare.
Me sa duket, kryepeshkopi i Tivarit Guljelm Adami, nuk e ka pasur informacionin e duhur për huazimin e alfabetit ilir nga ana e romakëve. Ose edhe mund ta ketë pasur këtë informacion, por e mohon qëllimisht të vërtetën historike për rrënjët e lashta të gjuhës shqipe. Sepse e kam të vështirë ta besoj që Guljelm Adami nuk ka pasur dijeni për rrënimin e kulturës mijëravjeçare iliro-epirote nga ana e gjenerali romak Paul Emile, i cili, me urdhër të senatit romak, në vitin 168 p.e.r., rrafshoi 70 qytete ilire, i vuri zjarrin të gjithë kulturës ilire dhe shiti si skllevër 150 mijë banorë vendës.

Tiranë, 19 tetor 2015

Filed Under: Histori Tagged With: e morën, nga ilirët, Prof. dr. eshref Ymeri, Romakët, shkrimin e tyre

ABAZ BEJ LUSHNJA – FIGURE E NDRITUR, LENE NE ERRESIRE…

October 17, 2015 by dgreca

Nga ANDREA LIKO dhe Dr NIKO FERRO/
Që në fillim po nënvizojmë se në titull nuk jemi duke thënë ndonjë gjë të paditur : shumë figura të vlerëshme historike të Lushnjës apo krejt Myzeqesë ende nuk janë vendosur ku e meritojnë sipas kontributit në dobi të vendit. Ndaj ne sot me modesti po tentojmë të ngushtojmë disi këtë boshllëk, duke u marrë me njërin prej tyre, të famshmin kryetar të Lidhjes Politike – Ushtarake, pra, të Besëlidhjes së nëntë krahinave, e themeluar në Berat më 1834.
Jemi në pranverën e Rilindjes sonë Kombëtare : filizat e mbjellë nga patriotët pionierë kanë zënë e po nisn të cojnë sythat e parë. Jemi në një fazë të vecantë të historisë së Perandorisë Osmane : ndërsa ndjen dobësimin, Porta e Lartë sajon reforma centralizuese. Jemi në ditët e lindjes së një shteti të pavarur – Greqisë – precedent e shembull për të tjerët…Pra, në trevat shqiptare, në mendjet më të ndritura të kombit po nis një histori e re : raport aspak miqësor me sundimtarët dhe administratën turke, lëvizje të organizuara e masive kundër tërë masave shtrënguese dhe avancim të kërkesave për vetqeverisje. Masakra barbare e Manastirit e vitit 1830 la një shije të hidhur farmak e boshllëk të kapaciteteve flamurmbajtës, por ndërkohë tribunë e prijës luftarak të mbetur, u bënë më të vendosur e më sycelët.
Njëri nga këta tribun ishte ABAZ BEJ LUSHNJA. Kur përfaqësuesit e zëshëm të 9 krahinave u mblodhën në Berat e formuan Besëlidhjen, beun e njohur nga fisi fisnik i Ngurrëzajve e zgjodhën kryetar të Pleqësisë. Dhe Pleqësia ishte tamam organi drejtues, si një trup legjislativ. Sipas historianit të njohur, prof. dr. Petrika Thëngjilli, “Besëlidhja e Beratit nuk ishte thjesht e vetëm një lidhje ushtarake ndërkrahinore”. Dhe ne kemi të drejtë të kujtojmë këtu si shembull Lidhjen e Lezhës të realizuar nga Gjergj Kastrioti në vitin 1444. Besëlidhja e 9 krahinave vlerësohej si një organ qeverisjeje e dalë nga lufta dhe me ambicien për të zëvendësuar administratën osmane. Dhe ne prapë kemi të drejtë ta vëmë atë si pararendëse të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Prijësit e saj më të guximshëm, si Abaz bej Lushnja, Tafil Buzi, Zyber Hoxha e të tjerë synonin të krijonin një hapësirë gati të pavarur, ku të mungonin qeverisja dhe ndikimi otoman. Dhe ne përsëri na lind e drejta të shprehemi se kemi të bëjmë me përpjekje për të vijuar në rrugën e Ali Pashë Tepelenës, pavarësisht përmasave, mjeteve e mënyrave.
Kështu, kur di përmbajtjen, përhapjen dhe veprimet konkrete të Besëlidhjes, ke një qasje më të plotë e mund të bësh një vlerësim më të saktë edhe për Kryetarin e saj, ABAZ BEJ LUSHNJA, kësaj figure të ndritur, deri tani të lënë në errësirë.
Atëherë, pra, cili është ky burrë, të cilin në kohë të rënduara pushtimi, ca burra të tjerë të mencur dhe trima, e zgjodhën kryetar ?
Në origjinë, Abaz bej Lushnja është ushqyer nga dy burime ujëshumë e të shkumëzuar. Nga nëna, ai njihej si i afërm me Ali Pashë Tepelenën. Ndërsa, nga babai, ishte nip i pronarit dhe pasanikut të madh myzeqar Ahmet Kurt Pashës, feudal i martuar me të bijën e Ismail Pashë Velabishtit. Kurt Pasha i Ngurrëzës, dhëndërr i sundimtarit të Beratit, pas vdekjes së vjehrrit mori pronat dhe titujt e tij, të cilat i ruajti për 14 vite me radhë, deri më 1787. Një pjesë të pronave pa mbarim, ato të Lushnjës, pashai i la të birit, Mehmet Pashës. Lagjja e sotme “Xhevdet Nepravishta” dikur kishte emrin e tij. Pikërisht këtu, më 1790 lindi Abazi, patrioti që guxoi të udhëheq një besëlidhje politiko – ushtarake, e cila bëri pushkë dhe e tronditi seriozisht Portën e Lartë.
Kemi hulumtuar në disa skedarë për të plotësuar njohuritë mbi figurën e tij. Mendojmë se të dhënat e listuara sqarojnë deri diku edhe faktin pse kryetar i Besëlidhjes, që u njoh edhe në Europë e tronditi sundimin osman këtu, pra pse në krye të kryengritjes së armatosur dhe vetqeverisjes u zgjodh ABAZ BEJ LUSHNJA.
Sipas burimeve gojore, të sistemuara tashmë, ai ishte “një njeri i drejtë e i gjërë, i vendosur dhe i prerë”. Edhe pse i pasur pa kufi, ai dallohej për shpirtin e gjërë human, sepse “ndante bukë për fukaran”. Për myzeqarët dhe jo vetëm në Ngurrëz apo në Lushnjë, beu ishte “trim dhe kapedan”. Në defterët osman, para themelimit të Besëlidhjes, ai nuk përmendet thuajse fare. Edhe kjo, besohet se i ka nxitur patriotët e tjerë në përzgjedhje. Deri atëherë ai nuk pati patur raporte me sundimtarët e lartë osman dhe, sikur të flisnim me gjuhën e sotme, ishte një figurë e pastër. Pastaj pushtuesit nisën të mbushin dosjen e beut rebel. Ai po u dilte një “feudal i pasur dhe me influence në popull”, “nxitës i revoltave dhe kundërshtues i Reformave të Tanzimatit, që kishte shumë njerëz pranë vetes”. Që në kohën e gjyshit të Abazit, familja kishte 45 shtëpi dhe shumë prona e cifligje në Ngurrëz, Lushnjë, Bishqethëm, Lumth, Karbunarë etj.
Për më tepër, ai ishte edhe kushëriri i Sulejman Pashës, bejlerbeut të Beratit, i cili vdiq më 26 prill 1834 dhe nuk la trashëgimtar. Abaz bej Lushnja mund të bëhej pronari i ri, por pastaj ai do të ishte një pasunar i përmasave të tjera. Portës së Lartë iu njoftua se pasuria e të ndjerit ishte mjaft e madhe, “Prandaj…të vihet dorë mbi to, të regjistrohen dhe të dërgohen menjëherë në Stamboll”. Duket që beu nga Ngurrëza nuk e ka gëlltitur dot këtë nëpërkëmbje, ndaj qe i gatshëm të bënte pushkë e të përzinte turqit nga trojet e veta dhe tërë nahija e Beratit.
Në qoftë se më parë për osmanët ai ishte një bej i pasur jo rebel, në krye të Besëlidhjes u etiketua si askush tjetër sepse turma e mbledhur në Berat prej Tafil Buzit shtohej përditë dhe si komandant i saj “u caktua një udhëheqës shqiptar, këmbëngulës, i quajtur Abaz beu nga Lushnja”. Sipas Stambollit, tani ai ishte “kryetar i tërë keqëbërësve” dhe madje ata “janë bashkuar në një shpirt me kryetarin”. Dihet që forcat e Besëlidhjes e morën kalanë e Beratit dhe nisën të vetadministronin tërë krahinat. Me lejen e Pleqësisë, Tafil Buzi u lidh edhe me sundimtarin e Egjiptit. Fryma e Beratit po përhapej shpejt tek shqiptarët. Abaz beu bëhej përditë e më i vendosur; besimi popullor për të po rritej frikshëm. Kjo e shqetësoi shumë Stambollin. Ose do ulej e të pranonte kërkesat e Pleqësisë, ose do të niste një luftë, fundi i së cilës nuk dihej. Vet ministri turk i Luftës shkoi tek veziri i madh posacërisht për situatën e krijuar. Ata u njohën me propozimet e Pleqësisë, të cilat ishin “cështje që prekin interesat e shtetit, ndaj nuk ka masë të përshtatshme, përvec se të tregohet forca”…
…Por nuk është qëllimi ynë analiza e kësaj kryengritjeje antiosmane. Ne po evidencojmë aq sa mundemi përmbajtjen e figurës së Abaz bej Lushnjës, e cila në këtë rast është qendrore. Për të, Porta e Lartë mori masën ekstreme, duke e shpallur fermanli. Mirëpo urdhëri nuk u bë i njohur e, natyrisht, nuk u ekzekutua. Jo se qeveria osmane u pendua, jo se ai, në këndvështrimin e saj nuk e meritonte, jo se Abaz beu u arratis etj., etj. Thjesht, turqit i trembeshin zbatimit të vendimit për dënimin e tij. Ata nuk mund ta bënin këtë hap, sepse beu “është nga familje fisnike. Ai ka me vete shumë nga fisi i tij dhe pasues. Prandaj, shpallja fermanlli nuk përputhet me kohën…”.
Pra, pushtuesit osman, kundërshtarët më të ashpër të tij, e vlerësuan, qoftë edhe sipas parimit të tyre : “dora që nuk kafshohet dot, puthet”. Tani na mbetet ne që, qoftë edhe me vonesë, t’i japim patriotit të spikatur ABAZ BEJ LUSHNJA vendin që meriton midis sivëllezërve…

Filed Under: Histori Tagged With: Abaz Bej Lushnja, Andrea Liko, Dr. Niko Ferro, figure e harruar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 475
  • 476
  • 477
  • 478
  • 479
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT