• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Persekutimi i ekzekutimi i Lef Nosit nga diktatura komuniste

January 28, 2014 by dgreca

Nga Edmond Malaj/

Për të pasqyruar sa më saktë persekutimin dhe dënimin e tij nga shteti komunist u mbështeta kryesisht në të dhëna dokumentare arkivore. Dhe në disa artikuj të botuara në shtypin shqiptar vite ma parë. Se kush ishte Lef Nosi, dhe cili qe kontributi i tij i shumanshëm tashmë nuk është e nevojshme të përsëritet nga unë, pasi të pranishmit e nderuar e dëgjuan në mënyrë të detajuar nga parafolësit. Unë këtu do të hedhë dritë, apo do të thërras në kujtesë vetëm një periudhë të shkurtër të jetës së tij, periudhë që ishte më e vështira për të. E kam fjalën këtu për përndjekjen, procesin gjyqësor dhe ekzekutimin me vdekje të Lef Nosit nga diktatura komuniste.

Përndjekja e Lef Nosit

Tani, përsa i përket përndjekjes së Lef Nosit, ai u përndoq gjatë gjithë gjysmës së parë të vitit 1945, deri më 7 gusht 1945, datë kur ai u arrestua. Sipas Stiliano Nosit,[1] Lefi nga njëra anë shpresonte që ndryshimi i gjendjes ndërkombëtare të ndryshonte situatën edhe në Shqipëri, prandaj fillimisht nuk donte që të largohej nga Shqipëria. Një arsye tjetër, pse Nosi nuk iku, ishte edhe, se ai tashmë ishte 68 vjeç dhe vitet e fundit të jetës së tij do të ishin shumë të rënda, nëse ai do ti të kalonte në emigracion. Ai zgjodhi kështu rrugën e arratisjes nëpër male brenda territorit shqiptar. Nosi fillimisht qëndroi në Shkodër dhe në malësinë e Dukagjinit, duke u fshehur së bashku me patër Anton Harapin. Ai ikë nga Malësitë e Shkodrës për shkak, se jeta atje ishte shumë e rëndë, duke pasur parasysh edhe moshën që kishte, dhe furnizimi me ushqime ishte bërë gjithnjë e më i vështirë.

Pasi Nosi[2] kishte ndenjur për disa kohë në Shkodër, kohë për të cilën nuk kemi gjetur të dhëna të tjera, ai vjen në Tiranë në muajin shkurt të viti 1945. Megjithatë ai më vonë ndërroi mendje, në lidhje opsionin e arratisjes. Kështu me shpresë se britanikët do ta ndihmonin, ai paraqitet tek Misioni Anglez si shitës antikash, dhe i kërkon këtij misioni ndihmë, për tu larguar nga vendi, porse britanikë e zhgënjejnë duke i  thënë, se nuk kishin mundësi që ta nxirrnin jashtë.[3] Nga Tirana kishte marrë rrugën për në Elbasan me Vasilin Nosin.

Fillimisht Lefi qëndroi në afërsi të Manastirit të Shën Gjonit dhe takimet gjatë kësaj kohe i bënte me Vasilin në një vende të caktuara të fshehta.[4] Më pas (qershor 1945)  ai vazhdoi të qëndronte në rrethinat e Elbasanit, dhe pikërisht në fshatin Godolesh, dhe gjatë kësaj kohe mbante lidhje me Vasilin dhe me Stiliano Nosin, të cilët për të takuar Lefin shkonin aty si të maskuar. Megjithatë fjala ishte përhapur tashmë, që Lefi ndodhej diku në rrethina. Si rrjedhojë “komanda e Mbrojtjes së Popullit dërgoi menjëherë njerëz në Godolesh për të filluar kontrollet, pa treguar se bëhej fjalë për arrestimin e Lefit.”[5] Gjatë kësaj kohe  Lefi banonte në shtëpinë e Adem Samurit. Nosi ka qëndruar i fshehur edhe në Fshatin Fikas e pastaj në një pyll, ku ndenji pa ngrenë përreth dy a tre ditë dhe nga aty është zhvendosur pastaj tek shtëpia e Ademit. [6] Adem Samuri me Lef Nosin kishte një miqësi të vjetër pasi edhe gjyshi i Ademit kishte qenë mik i Lef Nosit. Pastaj ngaqë gjendja e ishte bërë e padurueshme nga kontrollet e partizanëve, Lef Nosin e kishin shpënë në fabrikën e alkoolit në dalje të Elbasanit, fabrikë kjo që ishte pronë e familjes Nosi.[7]

Më pas aktiviteti i Ademit për fshehjen e Lef Nosit qe zbuluar dhe për këtë Ademi u arrestua dhe përfundoi në hetuesi e pastaj në burg. Nosi më tej u dërgua në shtëpinë e Vasilit, a pastaj ka qëndruar i fshehur në lagjen Kala në shtëpitë e Kolë Gignasit dhe Ahmet Daklit dhe prej aty qe transportuar për në tiranë, ku qe fshehur fillimisht tek Mulliri i Xhemal Farkës në hyrje të Tiranës.[8] Inxhinieri hebre Mark Menahem i gjen strehim dhe e dërgon Lefin tek shtëpia e një mësueseje shkodrane që quhej Fahrije Haveriku banuese në Tiranë, e cila kishte miqësi me Menahemin që në vitin 1937 në Sarajevë ku Fahrija kishte kryer shkollën e vajzave.[9]

Fahrie Haveriku njihej për urrejtjen e saj ndaj pushtetit komunist dhe kishte vepruar për ti krijuar Lefit mundësi të tjera strehimi në Tiranë, pasi ishte e ndërgjegjshme se Lef Nosi nuk ishte tradhtar, siç e paraqiste propaganda, por një patriot i këtij vendi dhe për këtë gjë kishte refuzuar të merrte të holla për ta strehuar atë.[10] Shtëpinë e Fahrijes Lefi detyrohet ta lëjë sepse kishte dyshime, se mos bëheshin kontrolle dhe për këtë arsye atë e dërgojnë në shtëpinë e Xhelal N.[11] (Emrin e këtij personi nuk kam mundur ta gjej të plotë). Xhelal N. Ishte rekrutuar nga “Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit” i cili në mënyrë të pabesë e çoi Lef Nosin në duart e forcave që e arrestuan.[12] Lef Nosi u arrestua më 7 gusht 1945 në Tiranë. Me arrestimin e Lefit janë marrë Siri Çarçani dhe Edip Çuçi, Manol Milo dhe një person tjetër me inicialet Z. M.[13]

Sekuestrimi i Pasurisë së tij

Në lidhje me sekuestrimin e pasurisë së tij, disponojmë një dokument nga arkivi qendror, i cili paraqet një listë të detajuar të asaj që u inventarizua në shtëpinë e Lef Nosit. Dokumentin për rëndësinë që ka po e sjellim të plotë:

“Pasunia e t’arratisunit politik Lef Nosi:

Nji kopsht me pemë të ndryshme në semtin e kullës e përbame prenj një pendë dheje Kufijt nga L. Ibrahim Bicoku, në perëndim Xhemali Filja, në Veri Demir Lulja e nga Juga Shtëpia e engleskës.

Vërejtje: Ky kopsht administrohet prej vetë pronarit.

Gjendja familjare e politike e pronarit përbahet prej nji personi, gjendja politike e tij para se të arratiset sih pjestarë i ballit kombëtar dhe tash më banim të paditun. Firmosës të këtij dokumenti janë: Hajrullah Demeli, Kostandin Doku, Pavli Kavaja, Selim Shehu.

II Shtëpi në lagjen Xhomi Elbasan Tre kate

Kati I tre dhoma si depo, njena bibliotekë

Kati II tre dhoma e nji banjë komplete e një kuzhinë

Kati III dy dhoma e nji sallon

Në kufi me Vasil Nosin. Gjendja e shtëpisë

Shënim: “Në këtë Shtëpi banon komandanti i Qarkut shoku Arif Konica si dhe Matilde Nikoll Nosi (nëna e Frederik Nosit) Matilde deklaron se shtëpia së bashku me të gjitha mobiljet që gjenden brenda i kemi me Lef Nosin.

Gjendja politike ish organizues i Ballit Kombëtar.”[14]

Në faqen e dytë të dosjes nga ku është marrë dokumenti i mësipërm jepet urdhër që pasuria të sekuestrohet, por në rast se janë të varfër jo. “Megjithatë, në ato raste qi pasuria asht e madhe ose punohet me bujq komisioni i sekuestron dhe i administron sikurse pasunit e t’arratisunve politikë e bejlerëve”[15] Pra, nga ky dokument nuk del në dritë, se çfarë u mor në shtëpinë e Lef Nosit. Megjithatë ky dokument është vetëm një inventar dhe por më vonë dënimi me vdekje i Lef Nosit, Patër Anton Harapit dhe Maliq Bushatit, kishte të përcaktuar edhe sekuestrimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme, sepse ata persona që dënoheshin “nga gjyqet ushtarake me burgosje që nga një e gjer më 30 vjetë, ose me burgim të përjetshëm ose me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme dhe me humbje të përhershme ose të përkohshme të të drejtave politike.”[16]

Përveç kësaj Lefi pati edhe një sërë studimesh që u ndalën në vitin 1944 e për fatin e keq nuk u botuan, por ngelën nëpër arkiva, nga ku një pjesë, me sa duket është vjedhur. Megjithatë në Arkivin Qendror Shqiptar ka një fond të veçantë në lidhje me Lef Nosin. Humbja është shumë e madhe pasi Shtëpia e Lef Nosit ishte një muze materialesh të ndryshme që kishin vlera të mëdha, dhe librat e bibliotekës së tij përfunduan në drejtime të ndryshme, dhe mesa duket një pjesë e tyre gjendet edhe në Bibliotekën e qytetit të Elbasanit.

Ai botoi më 28 nëntor të vitit 1937 dokumentin historik të Shpalljes së Pavarësisë,[17] por sot ky dokument nuk gjendet.

Procesi gjyqësor ndaj atyre që e ndihmuan 

Më 9 tetor 1945 prokuroria me aktakuzën që e kishte nxjerrë nga  procesverbalet e hetimeve të para, i dërgon Gjykatës Ushtarake të Tiranës aktet kundër të pandehurve Vasil Nosi, Stilian Nosi, Marko Menahem, Adem Samuri, Fahrie Haveriku dhe Xhemal Farka. Ata akuzoheshin se kishin “strehuar kriminelin e luftës Lef Nosin duke qenë dhe ndërlidhës”[18]. Mbi këtë prokuroria kërkonte caktimin e ndëshkimit të tyre në bazë të artikullit 1 të ligjit nr. 21, botuar në “Gazetën Zyrtare”, datë 23 dhjetor 1944, pra një ligji që u botua më vonë dhe hyri në fuqi më 15 dhjetor 1944. Këtë ligj po e citoj më poshtë:

 “Artikulli 1. Të gjithë ata që sabotojnë luftën dhe pushtetin e popullit, ata që fshehin kriminelët e luftës dhe ata që ndiqen prej ligjit, ata që kanë dije mbi këta dhe nuk tregojnë, ata që vjedhin pasurinë e Shtetit dhe të popullit, ata që spekulojnë dhe falsifikojnë ata që bëjnë kontrabandë, ata që fshehin sende të domosdoshme për ushqimin, strehimin e popullit dhe për ndërtimin e vendit, dënohen nga gjyqet ushtarake me burgosje që nga një e gjer më 30 vjetë, ose me burgim të përjetshëm ose me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme dhe me humbje të përhershme ose të përkohshme të të drejtave politike.”[19]

Më 21 tetor 1945, gjykata e formuar nga Irakli Bozo (kryetar), Q. Deçka, R. Kruja, në bashkëpunim me prokurorin Skënder Kosova i ka shpallur fajtorë të gjithë të pandehurit në bazë të nenit 1 të ligjit të sipërpërmendur i ka dënuar si vijon[20]:

Vasil Nosi u dënua me 6 vjet burgim dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë, ai vdiq i burgosur në fabrikën e alkoolit në Elbasan;

Mark Menahem u dënua me 4 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë;

Stiliano Nosi u dënua me 3 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë. Ai vdiq në vitin 1983;

Fahrie Haveriku u dënua me 3 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë dhe më pas, së bashku me të vëllanë, u arratisën nga Shqipëria dhe shkuan në një shtet evropian;

Xhemal Farka u dënua me 2 vjet burg dhe humbjen e të drejtave politike e civile për aq kohë. “Më pas u ridënua me pushkatim për shërbime në misionin ushtarak anglo-amerikan”;

Kurse Adem Samuri u dënua me 6 vjet burg, nga të cilat vuajti 4 prej tyre. Ai vdiq në  shtëpinë e tij si mik i familjes Nosi.

Pas procesit të tyre disa muaj më vonë nisi një proces tjetër, ai i Lef Nosit dhe i dy personave të tjerë, këta ishin Maliq Bushati dhe kleriku françeskan Patër Anton Harapi OFM.

Gjyqi ndaj Lef Nosit

Lef Nosi qëndroi në hetuesi për 5 muaj, deri në fund të janarit të 1946, kur ai u nxor në gjyq më 31 janar 1946. Aty prokuroria e Gjykatës Ushtarake të Tiranës lëshon aktakuzën kundër të tre të arrestuarve, duke i akuzuar  ata si “kriminelë lufte dhe armiq të popullit”, dhe me shumë akuza të tjera, që sigurisht nuk ishin të vërteta. Procesverbalin me Akuza po e japim në vijim:

 

 

“Republika P. e Shqipërisë

Gjykata Ushtarake e Tiranës

Nr. 24 i Librit Themeltar

Tiranë, më 31 janar 1946

 

Procesverbal

Prokuroria e kësaj Gjykate me akt-akuzën datë 31 janar 1946 na deferon për gjykim bashkë me aktet tre të pandehurit: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi nga Shkodra dhe Maliq Bushati po nga Shkodra, të akuzuar pse si kriminela lufte dhe armiq të popullit: dy të parët në cilësinë e tyre anëtarë të Regjencës në kohën e okupacionit nazist, kanë bashkëpunuar dhe i kanë shërbyer këtij okupatori në dëm t’interesave të larta të Atdheut dhe janë përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë dhe i treti ka përgatitur, n’ bashkëpunim me tradhtarë të tjerë, terrenin për okupimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, ka sabotuar rezistencën e popullit shqiptarë, në cilësinë e tij Kryeministër në kohën e okupacionit fashist ka bashkëpunuar në mënyrën më të ngushtë me okupatorin në dëm të popullit shqiptar dhe ka mobilizuar e subvencionuar forca armate për kundra luftës Nc. Çl, etj, etj. Aktet u regjistruan nën Nr. 24 të Librit themeltar të këtij vjeti dhe për ditë gjykimi të çështjes u caktuan data 1 fruer 1946, ora 9, duke iu njoftuar të pandehurve që ndodhen të arrestuar.”[21]

 

Pra më 1 shkurt 1946, një trup gjykues prestarë të të cilit ishin Irakli Bozo, Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, në praninë e prokurorit Misto Treska, hapë gjyqin në kinemanë “Kosova” në Tiranë (sot Teatri Kombëtar).[22] Gjykimi u mbajt, në tetë sesione, të pranishëm ishin edhe shumë anëtarë të partisë që vazhdimisht e ndërpritnin procesin dhe me tallje dhe sharje.[23] I pari është marrë në pyetje Lef Nosi, i përfaqësuar nga avokat Zoi Xoxa. Ndër shumë akuza të tjera Lef Nosi, nga prokurori u akuzua edhe si përgjegjës për vrasjen e 50 mijë vetëve, pavarësisht se e gjithë lufta nuk kishte më shumë se 3 – 4 mijë të tillë. Të tre ndër të tjera u mbajtën përgjegjës edhe për të gjitha humbjet që pati Shqipëria gjatë luftës.[24]

Në përfundim të këtij procesi politik ku nuk doli asnjë akuzë e drejtpërdrejtë nga ato që mëtoheshin nga prokurori dhe vendimi i gjykatës, qe dënimi me vdekje për të tre të pandehurit. Pra, më 12 shkurt 1946 Gjykata Ushtarake e Tiranës mori vendimin për dënim me vdekje për Lef Nosin, Maliq Bushatin dhe Patër Anton Harapin. Dokumentin e Vendimit po e sjellim më poshtë:

 

“Akt-Gjykim

Gjykata e Lartë Ushtarake e formuar prej: N/Kolonel Gaqo Floqi Kryetar, Major Frederik Nosit Anëtar, Kapiten Ire Veledin Zejneli, anëtar.

Me ligj:

Vendimi i gjykatës së faktit është i bazuar në dispozitat ligjore përkatëse, sasia e ndëshkimit caktuar me VDEKJE për të dënuarit është i drejtë dhe në përpjesëtim me fajet dhe veprat e kryera prej tyre:

Prandaj:

Gjykata e Lartë duke pëlqyer edhe mendimin e Prokurorit në bazë të nenit 31 të Ligjit Nr. 41 datë 14 Janar 1945 mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë

Vendosi:

Aprovimin e akt-gjykimit Nr. 24 datë 12. II. 1946 të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me të cilën është vendosur ndëshkimi me VDEKJE të pandehurve: Lef Nosi nga Elbasani, Patër Anton Harapi nga Shkodra dhe Maliq Bushati nga Shkodra, me të cilën humbin të gjitha të drejtat qytetare dhe politike, sekuestrimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.”[25]

 

Lef Nosi nuk pranoi të bënte kërkesë faljeje. Megjithatë organet e atëhershme bënë një dokument, që gjoja Lef Nosi kishte kërkuar që ti falej jeta. Dokumentin e përmendur do sjellim si më poshtë:

 

“Vdekje Fashizmit liri e popullit

            P. T. Asamblesë kushtetuese Tiranë

            I nënshkruemi Lef Nosi kam nderin me parashtrue sa më poshtë:

            Gjykata Ushtarake e Tiranës me vendimin e saj datë 12 të muajit vazhdues më     ka ndërshkue me vdekje.

            Tue përsërit gjithçka kam thënë gjatë rrjedhimit të gjykimit lutem të kini mirësinë të më falet jeta

            Tiranë 12/2/1946                   

            Me nderime Lef Nosi (firma).”[26]

 

Një dokument me përmbajtje pak a shumë të ngjashme gjeta edhe për pater Anton Harapin, kurse “kërkesën për falje” të Maliq Bushatit nuk munda ta gjej. Vendimi u la në fuqi edhe dy ditë më pas nga Gjykata e Lartë Ushtarake, Lef Nosi u ekzekutua tek “Kodrat e Priftit” në Tiranë, por ka edhe një version tjetër ku thuhet se ai u pushkatua në Kodrën e Kryegjyshatës Bektashiane.[27]

Sipas Katriot Dervishit, “Lef Nosi i ka “ftuar” xhelatët e tij t’i jepnin fund kësaj komedie siç e kishin nisur duke mos pasur as besimin më të vogël në të ashtuquajturën “drejtësi të popullit” që nuk ishte gjë tjetër veçse vegla e Partisë Komuniste në ekzekutimin e planit famëkeq për zhdukjen e kundërshtarëve politikë dhe të njerëzve të ditur të këtij vendi.”[28]

Adelina Kosturi, pak vite më parë në moshën 92-vjeçare, në lidhje me ekzekutimin e Lef Nosit kujton: “Fill pas pushkatimit, kunati im, Jorgaq Kosturi, që ka vdekur prej shumë vitesh, mori dy punëtorë, i mbuloi me dhé, se ishin varrosur shumë cekët dhe vendosi një kavanoz tek këmbët e Lefit për ta identifikuar më vonë. Ky varr nuk është gjetur akoma”.[29] Personin që tradhtoi Lef Nosin, sipas Adelina Kosturit, “më pas e graduan nga kapiten në major dhe me sa di unë, bëri 10 vjet burg, u lirua pas viteve ’90 dhe sot gëzon statusin e të përndjekurit politik, madje shkruan edhe kujtime?!”[30]

 

 

 

 

Literatura e përdorur

Arkivi Qendror Shqiptar

Arkivi i Ministrisë së punëve të Brendëshme

AMB, F. 1, D.1068. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.
AMB, F.1, D.9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

1912-1937 Dokumenti i shpalljes s’Indipendencës Kobëtare në Vlonë më 28 Nanduer 1912 edhe fytyrat e përfasuesvet të popullit shqiptar që paten fatin e lumtun me e shpallë. E boton Lef Nosi. Ribotimi asht I rezervum. Tiranë 28 Naduer 1937. (Dokument i fotokopjuar.)

Deçja, Klevisa, “Kur injoranca ndëshkonte intelektualët….” URL:  http://www.lajmishqip.com/?p=13958 (23. 11. 2012)

Deçja, Klevisa, “Proceset famëkeqe: diktatura e gjykoi tradhtar Lef Nosin”. Standard. – Nr. 1559, 29 maj, 2010, f. 16 – 17.

Elsie, Robert, Historical Dictionary of Albania. Second edition. Maryland: Scarecrow Press 2010, f. 335.

Gazeta Zyrtare, 23 dhjetor 1944, Nr. 2, f. 2.

Historia e Sigurimit të Shtetit, 2, botim i brendshëm i MPB-së, sekret.

Sadiku, Miranda, “Dokumentet, si u pushkatua Lef Nosi, miku i Qemal Stafës”, Gazeta Panorame, dt. 31 Janar, 2012. Online: URL: http://www.panorama.com.al/2012/01/31/dokumentet-si-u-pushkatua-lef-nosi-miku-i-qemal-stafes/ (19. 11. 2012)

Zane, Hyqmet, “Ditët e fundit të Lef Nosit Para Pushkatimit”, në: ”http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=19779 (dt. 19. 11. 2012)

 



[1] Në lidhje me dënimet e personave të sipërshënuar shih: AMB, F. 1, D. 1068. -AMB, F. 1, D. 9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[2] Po  aty.

[3] Po  aty.

[4] Po aty.

[5] Po aty.

[6] Po  aty.

[7] Po aty.

[8] Po aty.

[9] Po aty.

[10] Po aty.

[11] Po aty.

[12] Po aty.

[13] Po aty.

[14] AQSH, F. b 497 V. 1945, D. 1945, Dt. 17 prill 1945,  Fl. 16/12.

[15] Po aty.

[16] “Gazeta Zyrtare”, Tiranë e shtunë më 23 dhjetor 1944, Nr. 2, f. 2.

[17] 1912-1937 Dokumenti i shpalljes s’Indipendencës Kombëtare në Vlonë më 28 Nanduer 1912 edhe fytyrat e përfasuesvet të popullit shqiptar që paten fatin e lumtun me e shpallë. E boton Lef Nosi. Ribotimi asht I rezervum. Tiranë 28 Naduer 1937. (Dokument i fotokopjuar.)

[18] AMB, F. 1, D. 1068, AMB, F. 1, D. 9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[19] “Gazeta Zyrtare”, Tiranë e shtunë më 23 dhjetor 1944, Nr. 2, f. 2.

[20] Në lidhje me dënimet e personave të sipërshënuar shih: AMB,F.1, D.1068. -AMB, F.1, D.9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[21] Klevisa Deçja, “Kur injoranca ndëshkonte intelektualët….” URL  http://www.lajmishqip.com/?p=13958 (23. 11. 2012)

[22] AMB,F.1 , D. 1068. -AMB, F. 1, D. 9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[23] Po aty.

[24] “Lef Nosi was brought to trial in February 1946, together with Anton Harapi and former prime minister Maliq bey Bushati. According to the British Military Mission, which covered the trial: The trial took place, in eight sessions, in a squalid cinema in Tirana before a house packed by Party members who constantly interrupted and jeered, while three military judges on the stage kept hurling accusations and abuse at the defendants, jointly and severally. All three were held responsible for, among other things, Albania’s entire war losses…. Defendant’s counsel was howled down as a ‘fascist’ and never succeeded in making himself heard… The three accused were shot two days afterwards, on 15 February.” Robert elsie, Historical Dictionary of Albania. Second edition. Maryland: Scarecrow Press 2010, f. 335.

[25] Klevisa  Deçja,  “Kur injoranca ndëshkonte intelektualët….” URL  http://www.lajmishqip.com/?p=13958 (23. 11. 2012)

[26] AQSH, F. 889, V. 1946, D. 204, fl, 55.

[27] Hyqmet Zane, “Ditët e fundit të Lef Nosit Para Pushkatimit”, në: ”http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=19779 (dt. 19. 11. 2012)

[28] AMB,F.1, D.1068. -AMB, F.1, D.9273. Material i Arkivit të MPB vënë në dispozicion nga Kastriot Dervishi.

[29] Hyqmet Zane, “Ditët e fundit të Lef Nosit Para Pushkatimit”, në: ”http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=SHQIPTAR%C3%8BT&article=19779 (dt. 19. 11. 2012)

[30] Po aty.

Filed Under: Histori Tagged With: Edmond malaj, Lef Nosi, Persekutimi i ekzekutimit

REZOLUTA E BUJANIT- 2 Janar 1944 –Para dhe Mbas (III)

January 26, 2014 by dgreca

Me rastin e 70 vjetorit-Pjesa e trete/

Nga Prof. Sami Repishti/

 Nji sukses i madh i arritun mbas demonstrative ka qene themelimi i Universitetit te Prishtine (1970). Ndersa “amendamentet“ kushtetuese forcuen poziten e Kosoves ne kuader te Federates Jugosllave, si “…element konstitutiv te Federates” (Amendamenti VII) Po pergatitej terreni per ndryshimet qe do te konfirmoheshin me kushtetuien federale te vitit 1974. Me kete Kushtetute konfirmohet ligjerisht sovraniteti real i “republikave” dhe “krahinave autonome” mbi pasunite e tyne, organizimi ne tete njisi ekonomike “kombetare” dhe organizimin e Federates mbi “tete” njisi federale. Koncepti i nji “shteti” te Kosoves u forcue dhe nuk pushoi se qenuni pikesynimi i deshirave te popullsise.

Studjuesi Faredin Ferovic perfundoi:” Me kete (Kushtetute) krahinat autonome, nga pikepamja kushtetuese-juridike fituen elemente te randesishem te shtetesise(sovranitetit), pikerisht pjesen ma te randesishme te atributetve te republikes” (Bushovi, 366) Por mbetej edhe nji rruge e gjate me arrijte fundin e procesit te mundimshem.

Kushtetuta e re u aprovue me 21 shkurt 1974, dhe me 28 shkurt 1974 kuvendi i KAKM fitoi Kushtetuten e pare qe siguroi mjaft elemente te pavaresise operative mbrenda Krahines. Ky sukses i konsiderueshem i Kosoves terhoqi vemendjen e elementeve regressive serbe dhe shkaktoi mobilizimin e nacionalisteve serbe kunder ketij “suksesi”. Ne fakt, “suksesi” ishte thjeshtesisht nji njohje e vonueme e te drejtave te Kosoves. Parulla  serbe ”serbet fitojne me lufte dhe humbin me paqe” ishte fjala mbizotenuese “per nji rikthim ne te kaluemen”. Per kete qellim, nacionalizmi serb doli me dosjen “Libri i kaltert” (The blue book) ku pershkruehen “padrejtesite” e Federates Jugosllave ndaj Serbise, sidomos ne Kosove. Pika qendrore e sulmit serb drejtohej kunder ngritjes politike te shqiptareve te cilet me veprimtarite e tyne premtojshin me transformue Prishtinen si qender shpirtenore te Kosoves, jo vetem ne lamin kulturor, arsimor e artistik, por edhe ne lamin politik. Prishtina po kthehej ne nji Tirane te dyte.

Efektet politike te nji transformimi te ketill dukeshin qarte si mjete te domosdoshme me nxjerre Kosoven e shqiptaret nga suazat e nji “pakice kombetare” dhe me e drejtue ate kah afirmimi i tyne ne nji komb shtet-formues, me te gjitha prerogativat e duhuna. Magneti terheqes i shqiptareve ne Jugosllavi tani e mbrapa do te jete Prishtina, e jo Tirana, rregjimi terrorist i se ciles frikesonte shume shqiptare ne ish-Jugosllavine. Ska dyshim se nji zhvillim i ketill ishte edhe ne favor te Federates Jugosllave, sepse kjo reflektonte daljen ne skene te nji klase te re politike, elemente te shkolluem qe gezojshin besimin e Presidentit Tito. Figura kryesore e ketij zhvillimi ka qene Mahmut Bakalli, numri nji i PKJ per Kosoven, i cili pati sukses me lansue Kosoven ne rrugen e nji zhvillimi te shpejt politik, ekonomik e shoqenor. Ne kete atmosphere premtuese u festue me madheshti edhe 100 vjetori i Lidhjes Shqiptare te Prizrenit (1878), me fryme te plote kombetare shqiptare.

Kesaje periudhe i takon edhe adaptimi i “gjuhes se njesuar” me standarde te perbashketa me ate te shqiptareve ne Shqiperi, dhe rritja e shkembimeve kulturore me Republiken e Shqiperise. Parulla emocionale “nje komb, nji shtet, nje gjuhe” u ba thirrje mobilizuese e afrimit kombetar me konotacione te qarta pan-shqiptare deri atehere, te papercaktueme mire.

Ky orientim permbante edhe nji “kercenim” te paevitueshem. Tue konsiderue veten si pjese e “kombit shqiptar” , shqiptaret ne ish-Jugosllavine- sidomos kosovaret- rrezikojshin trajtimin e “nji pakice kombetare”, “kombi” i te cileve kishte shtetin e vet, “Republiken Popullore te Shqiperise”. Ky zhvillim ishte pothuejse fatal per Prishtinen sepse eliminonte bazat e kerkesave te tyne per trajtim si “komb” me te drejta te barabareta ne Federate. Per Serbine, ky zhvillim i Kosoves shihej sikur “…barazia e matejshme nacionale e shqiptareve çonte kah ngritja e vetedijes irredentiste te tyne, e me kete edhe krijimit te kushteve qe Kosova te shkeputej nga Serbia, dhe Juigosllavia” shkruhej ne “Librin e kaltert’ Rruga per konfrontim ishte tashma e hapun!

Dyshimet serbe dhe akuzat e tyne percaktuen edhe ma me hollesi, ne vitin 1986, me Memorandumin e Akademise Serbe te Shkencave dhe Arteve, nji vije politike, qe ma vone, u ba  programi politik i diktatorit Slobodan Millosheviq, kasapi i Kosoves. Ky zhvillim u ba edhe ma kercenues me largimin nga skena politike e ish Presidentit  J.B.Tito ,ne vitin 1980.

Ne kete atmosphere te tensionueme shperthyen demonstratat e medha te pranveres se vitit 1981, qe ma vone u percaktuen si “fillimi i mbarimit te Jugosllavise federative”.  Kosova u vue para nji dileme  ekzistenciale: ose fitoren e plote te barazise me kombet tjera te Jugosllavise – qe konkretizohej me formimin e “Republikes se Kosoves”- ose humbjen e fitoreve te arrituna qe do te perfundonte perseri ne neshtrimin e Kosoves, ndaj Republikes se Serbise, dhe humbjen e statusit te nji njisie federale. Fatkeqsisht, fitoi opsioni i dyte.

Serbet kishin adaptue programin e “Librit te kaltert” qe pretendonte se punohet per “shpetimin e Jugosllavise”, por edhe “per forcimin “ e saj ne perputhje me interest serbe. Ky ndryshim kursi, mbas vdekjes se J.B.Titos, do te fillonte ne Kosove. Shqiptaret e Kosoves nguleshin kambe se vazhdimi i Jugosllavise  Federale mund te sigurohej vetem me barazi e drejtesi, ma konkretisht me formimin e” Republikes se Kosoves”..

Ne nivel federal,, ne nji mbledhje te Kryesise se KQ te PKJ, 5 prill 1981, u vendos me percaktue “demonstratat e Kosoves” si nji ngjarje anmiqsore me karakter kunder-revolucionar. Parulla “Kosova-Republike!” ishte anmiqsore dhe synonte shkaterrimin e Jugosllavise. Dy udheheqes shqiptare te Kosoves, Fadil Hoxha dhe Mahmut Bakalli, u identifikuen si shkaktaret kryesore te ngjarjeve, dhe u zevendsuen me kuadro “te besueshme” serbe: Ali Shukriu, Sinan Hasani dhe Kole Shiroka. Udheheqsi partiak, Veli Deva, sulmi sidomos klasen intelektuale, kryesisht Universitetin e Kosoves. Intervenimet politike te Beogradit –kryesisht serbe- kishin per qellim eliminimin e sukseseve te arrituna, dhe rikthimin e militarizmit serb ne Federate, dhe kjo do te arrihej me “procese te montueme gjyqesore”. (“diferencimi ideo-politik”) dhe masa ndeshkimore ndaj “nacionalisteve” e “irredentisteve” shqiptare. Idete e centralizmit te pushtetit federal nuk u kundershtuen as nga bota e jashteme, qe pranonte shtypjen e mbrendshme per hir te “stabilitetit dhe paqes” ne Ballkan. Tragjedia ma e madhe ka qene numri i nalte i viktimave qe simbas agjensive te hueja numerohet ne qindra te vrame, e ma shume te plagosun.

Rezultati i pare i “centralizmit” ka qene “Platforma Politike per Kosoven” (nandor 1981), nji akt qe u kundershtue nga udheheqsi kroat, Vladimir Bakaric si “i panevojshem”. Cveshja e Kosoves nga prerogativat vete-administruese qe gezonte me Kushtetuten e vitit  1974 ishte tashma nji process qe do te zhvillohej sistematikisht deri ne fundin e tij: heqja e “Autonomise” ( qe u arrit ne mars 1989).

Vendimi i pare ka qene prishja e Mbrojtjes Territoriale te Kosoves dhe largimi me dhune i shume oficereve shqiptare si dhe marrja ne dore e Komandes se kesaj force ushtarake nga serbet. E fillueme si mase “e perkoheshme” ajo u ba definitive nga Kryesia federale me 11 dhetor 1981. Kosova ishte tashma pa asnji mundesi vete-mbrojtje, dhe ne meshiren e agresionit serb. Kjo ngjau edhe me forcat speciale policore te Kosoves, si rezultat i “gjendjes se jashtezakoneshme” te deklarueme me 3 prill 1981.(Ne Kosove Korpusi ushtarak komandohej nga Ratko Mladicc, kasapi i Bosnjes)

Ne qarqet jo-serbe dhe ne qarqet e hueja, trajtimi i Kosoves u shikue edhe si perpjekja e pare e mbas ramjes se A. Rankoviqit per dominimin serb te Federates. Kosova praktikisht u ba keshtu “fillimi i mbarimit te Jugosllavise”

Njikohesisht, Serbia filloi edhe procesin e “diferencimit politik” qe te justifikonte largimin masiv te shqiptareve “te dyshimte” nga pozitat qeveritare, dhe te hidhte bazat per ndryshime legjislative qe do t’i kthejshin Serbise “unitetin e mbrendshem” shkrimjen e Krahines autonome te Kosoves. Nji plan i ketill perfshinte edhe privilegjimin e pakices serbe-malazeze ne te gjithe sektoret e shtetit, tue perfshi edhe ekonomine e arsimin.

Plani serb parashikonte krijimin e nji “shtabi serb” ne Kosove, dhe nji “shtabi serb” ne Beograd, ky i fundit,, i perqendruem ne klubin e shkrimtareve serbe te Akademise se Shkencave dhe Arteve te Serbise (i njohun nga adresa si Francuska 7). Per plotesimin e kuadrit pushtues te Kosoves u mobilizue edhe personeli fetar i Kishes Ortodokse te Serbise.

Ne kete situate u botue “Memorandumi” serb (1986) si platforme politike e kesaj levizje shoviniste. “Humbja e Kosoves” nga Serbia, dhe “pushtimi i Kosoves nga Arnautet(sic!)” ishin dy temat themelore, qe u çfaqen ne te gjithe madhesine e tyne ne mitingun e 28 qershorit 1989, ne Gazimestan, me rastin e 600 vjetorit te Luftes se Kosoves (1389). Si rrjedhim doli kercenimi serb “ne qofte se kerkesat serbe nuk pranohen, do te kemi edhe lufte”. “Mitingashet” siç quheshin aktivistes serbe, u bane militante per mbrojtjen e Jugosllavise.

Para nji situate kaq kritike, elemente te LKJ (Lidhjes Komuniste Jugosllave) udheheqes te Kosoves, Azem Vllasi e Katjusha Jashari ndryshuen qendrimin e tyne pro-serb dhe moren persiper mbrojtjen e popullsise se Kosoves. Edhe udheheqes tjere kosovare kundershtuen vendimin e Kuvendit te Jugosllavise te dates 15 nandor 1987, per anulimin final te Rezolutes se Bujanit (2 janar 1944) dhe deklarimin e saj si akt politik e jo juridik, d.m.th. pa vlere ligjore, megjithese ishte nji akt i kryem nga “Keshilli Antifashist Nacional-Clirimtar i Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit”, organi legjislativ  i Levizjes Nacional-Clirimtare te Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit.

Reagimi Kosovar ndaj ketyne masave partiake e administrative qe i shpoejte dhe i forte. Me 17 nandor 1988, punetoret e minieres “Trepça”  marshuen ne kondita te veshtira atmosferike drejte Prishtines.  Ne Pallatin e Sporteve arriten edhe rreth 3.000 punetore te tjere.Menjihere, me levizjen punetore u bashkuen edhe studentet e arsimtaret. Kjo mase njerezish eksplozive u rrite shume, dhe me 19 nandor 1988, ne Prishtine demonstruen ma shume se 100.000 shqiptare. Parulla kryesore: “Jo,Serbise!”  Perfundimi? Kosova duhet te dale jashte Serbise!

Me 23 nandor 1987 u moren masa me pengue ardhjen e qytetareve ne Prishtine, dhe me ndalue çdo manifestiom publik ne qytet. Para nji gjendje te ketill, punetoret e “Trepçes” ,me 22 shkurt 1988, shpallen greven e urise,, u mbyllen ne zgavellat e minieres me rrezik serioz te jetes se tyne Kerkesa e tyne: “garancite e njohuna simbas Kushtetutes se vitit 1974”. Beogradi u pergjegj se ndryshimet e Kushtetutes jane te paevitueshme” e duan apo nuk e duan shqiptaret”. Per kete sulm  te fundit kunder autonomies se Kosoves u vendosen tre “kosovare” te njohun per prirjet e tyne pro-serbe, qe nuk kundershtojshin kerkesat serbe. Ne kete situate grevistet kerkuen doreheqjen e “te shituneve”. Me 28 shkurt Beogradi pranoi kete kerkese. Minatoret nderpene greven. Beogradi mohoi premtimin dhe “te shitunit” u kthyen ne detyret e tyne.

Efekti  greves se punetoreve u ndie edhe ne klasen intelektuale shqitare te Kosoves. Nji Apel i Intelektualeve “Per mbrojtjen institucionale dhe afirmimin e pozites kushtetuse te Kosoves” mbi bazen e parimeve themelore te Kushtetutes se RSFJ-se u nenshkrue fillimisht nga 215 intelektuale te te gjitha institucioneve te Krahines. Apeli u ba publik dhe me 21 shkurt 1988 iu drejtue Kuvendit te Serbise, dhe opinionit publik te Jugosllavise. Reagimi serb ishte i menjihereshem dhe i ashper: demaskimi politik  nenshkruesve dhe pushimi i tyne nga puna.

Histeria politike serbe kunder Kosoves paralajmeronte dite te veshtira. Ish udheheqsit politike kosovare u arrestuen. 253 intelektuale qe perkrahen Apelin u arrestuen, u keqtrajtuen, dhe u burgosen pa afat. Serbia adoptoi Amendamentin 47qe lejonte ndryshime kushtetuese pa pjesemarrjen efektive te Kosoves. Gjykatat, policia, kuvendet komunale u moren ne dore nga pakica serbe-malazeze. Kosova u transformue ne nji “koloni” te thjeshte serbe. Beogradi, me manifestime te medha publike festonte riokupimin e Kosoves, me formulen “Ne mbrojtje te Jugosllavise” kunder kercenimit shqipptar. Autoritetet federale jugosllave aprovuen kerkesat serbe. Me qellim te manipulimit publik, udheheqsi maqedonas, Llazar Mojsov, deklaroi se ishte zbulue nji “plan” dhe nji “shtab” Kosovar per kryengritje. Nji çpifje!

Me 8 mars 1989, Kryesia e Republikes Federative Jugosllave kerkoi zbatimin e “masave te posaçme” per ruejtjen e rendit kushtetues”. Nji dite ma vone, Kuvendi i Kosoves perkrahu masat federative kunder vetevetes. Mbeteshin ndryshimet kushtetuese per rrenimin e autonomies se Kosoves, dhe venja e Krahines nen tutelen e Serbise. Me 14 mars, ne nji kumtese te perbashket, udheheqja “shtetnore” dhe ajo “partiake” e Kosoves aprovuen nevojen per ndryshime kushtetuese. Mbetej vetem ceremonia. zyrtare per perfunimin tragjik te kesaj komedie politike serbe qe solli aq gjak e vuejtje per popullsine shqiptare te Kosoves.

Me 23 mars 1989, ne kundershtim me Rregulloren e Kuvendit te Kosoves, u vendos qe votimi i Amendamentit Kushtetuese te bahej “hapet” jo “sekret” me qellim frikesimi te delegateve. Dhete deputete votuen kunder, u deklarue zyrtarisht. Por rregjistrimet filmike tregojne se numri i atyne qe thane “Jo!” ishte ma i madh.

Votimet ne Kuvendin e Kosoves u kundershtuen me manifestime te fuqishme populloe me parullen :”Jeten e japim, Kosoven nuk e japim!”. Megjithe nderhymjen e ashper te policise dhe njisive ushtarake serbe ata vazhduen deri ne mbramje. Gjate nates, forcat ushtarake u forcuen edhe me njisi te blindueme. Vetem ne Prishtine mbeten 13 te vrame dhe qindra te plagosun me arme zjarri. Mediat e botes se jashteme i bane jehone te madhe ngjarjeve ne Kosove, dhe situata politike e krijueme nga i  ashtuquetuni “pushtimi i katert i Kosoves” zuni nji vend qendror ne raportimet e tyne, sidomos ne Gjermani dhe ne SHBA. Kosova po fitonte nji status nderkombetar, qe do te revelohej ma vone edhe vendimtar.

Me 28 mars 1989, Kuvendet e Serfbise dhe te Federates, do te aprovojne ndryshimet kushtetuese te Kosoves. Me 28 qershor 1989, Presidenti Slobodan Millosheviq kthehej ne Fushe Kosove me helicopter ushtarak, e deklaronte se Serbia ishte tashma e plote, xdhe kercenonte republikat tjera te Jugosllavise se do te perdorej forca kunder atyne qe pengojne planet serbe. Kosova ishte hapi i pare.

***

Zhvillimi i ngjarjve te matejshme ashte nji seri perpjekjesh aktive e paqesore ma pare dhe luftarake ma vone per rifitimin e plote te pavaresise se Kosoves. Zgjidhjet gjysemake te problemit, ose ata qe kufizojshin pavaresine e nji republike te Kosoves ishin tashma te papranueshme, Kalvari, rruga me gjemba ishte e haoun per shqiptaret e Kosoves, Ketu fillonte Golgotha e vertete, kryqezinmi i shqiptareve, ringjallja e tyne dhe formimi i shtetit te ri, Republika e Kosoves, e lire, e pavarun, demokratike dhe europiane. “Alea iacta est!” Rubikoni u kalue! Mbetej beteja dhe eventualisht fitorja finale.

Idealet e Rezolutes se Bujanit te 2 janaritr 1944, u plotesuen, megjithese kushtet per bashkimin mbarekombetar nuk lejojne kete akt te deshiruem kaq shume.Mbetej alternative e dyte:dhe thelbesoree: Kosova u imponue para botes jo si pakice kombetare me te drejta te dhurueme nga “kombi “ sundues, por si nji “komb shtet-formues” me te drejten e formimit te “Shtetit” te vet, Republiken e Kosoves.

Ky sukses hisatorik u arrijt me 17 shkurt 2008 me Deklaraten e Pavaresise se Republikes se Kosovs nga Kuvendi i Kosoves. Sot Republika e Kosoves njihet nga 105 shtete, anetare te OKB-se, dhe veçanerisht nga SHBA, dhe 25 shtete te Bashkimit Europian.

E ardhmja e Republikes se Kosoves premton dite ma te mira per popullsine e vendit, pa dallim, pa perjashtim.

Ridgefield, CT, USA

Janar 2014

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Pjesa e trete, Rezoluta e Bujanit, Sami repishti

Radika si pjesë e historisë dhe kulturës shqiptare

January 25, 2014 by dgreca

“ Hajredin Pasha/ Oh poj vjen Radikes/

Nga Gëzim Llojdia

1.

Pasqyra ku tejqyrë fytyra:river Radika.Mediumet shqiptare në mes të ditës  dhe më shpesh. Gjendet emri i lumit në këtë kohë :llaftari dimërore. Radikën duan të gjymtojnë. Një natyrë e pastër,që plagoset nga ngjarjet. C’ka do të përbëjë gjymtimi?Sinori i saj të devijojë udhën e mot-motit. Fytyrë-bukuri- lum.Në asnjë breg ,nuk rri  kyçur. Lëvizje e ngahershme. Zbritur prej Sharrit,frymëmarrja e ngadaltë e shtruar,e qetuar. Radika  në mot, të motit ka përshkruar shtratin e saj të kahershëm. Nëpër lugjet e Radikës,ujërat e kristalta,do të shkrihen. Prej mahnisë. Ari qelqor,ndrinë nëpër   lëfyte, e këtillë është Radika.Radika me lëvizjen e saj të   ngahershme. Udha:është Lindja. Vërshimi: është zbritja  në përskuqje të diellit. Shtegtimi :caqe  ka brigjet e kahershme.Si mundet ta perceptojnë  banorët e këtyre viseve që kanë lindur pranë lumit  udhëtimin  e fundmë të lumit? A  duhet të harrohet një lum që rrjedh nëpër  jo vetëm nëpër kujtime,  më së shumti në udhën e jetës së tyre? Përgjithësisht shpërthimi  i ujërave është ora më e  rëndësishme. I gjithë ky operacion, konsarkon frymën e Zotit. Hapësira e saj është pakufishmëria. Fytyra e saj :pamatësia. Bukuria :pafundësia. Në mos është, ideja për ta copëtuar ka pjesë nga lugati. Ky zemërkeq me piskama uluritëse si lukuni ujqish të xhindosur,që hënën në mos vërtetë,copë-copë do ta bënin. E kërrusur nata nga tërbimi. Afrohet fjala- fukarallëk ideje.

Radika it’s not Vardar river

2.

Radika ,është lum i cili buron në malin Vraca (pjesë e Maleve të Sharrit), në një lartësi mbidetare prej 2 200 m, në jugperëndim të Kosovës mandej rrjedh nëpër Maqedoni dhe derdhet në Drinin e Zi. Lumi Radika është i gjatë 67 km.Ky lum  mbartet në historinë dhe epikën shqiptare.  Ringrihet krejt zona në  kryengritjen e krahinës  që gozhdoi osmanët:”Hajredin pasha po i vjen o Radikës…është kumti popullor,këndohet nga rapsodi sot e gjithë ditën.

Heej
Hajredin Pasha
Oh poj vjen Radikes
Vall ku jan oh Kto malet e Dibrees
Vall ku jan oh Kto malet e Dibrees
Heeeeeeej
Vall ku jan oh mor keto malet e Dibres
Bajn kuvend oh mor nat fush oh tGjorices
Bajn kuvend mor nat fush oh tGjorices
Nfush tGjorices oh more ke kalaaja
Haredin Pashen e ka gjet belaaja
Haredin Pashen e ka gjet belaja
Se belaja Pashen qe ka gjete
Malet e Dibres more kan lidh Besë
Malet e Dibres more kan lidh Besen
Heeeeeeeeeeej
Ka ja lidh bes oh por kan lidh oh te tane
Turku Dibren oh mos me ja laane
Turku Dibren oh mos me ja lane
Heeeeeeeeeeej
Hajredin Pasha oh mor kry hutaqe
Srrihet Dibra more me kerbaq
Srrihet Dibra more me kerbaq
Heeeeeeeeeeej
Hajredin pash oh mor kryeshenik
Nuk osht Dibra bac mor Selanik
Nuk osht Dibra o Selanik
Selanik o mor as Prilep
Qysh e lype ne Diber e ke gjet
Qysh e lype ne Diber e ke gjet
Hajredin Pasha ku e ke oh ushtrine
Ne malet e Dibres mi kan ngri
Ne fush te Llogores mbeten ne dhe pa i shti
Heeeeeeeeeeej
Malet e Dibres oh kan mi kane ngri
Nuk jan pak oh mor por 12 mije
Nuk jan pak oh mor por 12 mije

3.

Lumi Radika është një margaritar midis lumenjve të Maqedonisë thotë burimi maqedonas. Lumi Radika ka ujë të pastër, të qartë dhe të freskët me ngjyrë jeshile të errët, e cila është rezultat i karbonat kalciumit në të. Lumi Radika rrjedh n në 2200 metra mbi nivelin e detit në mënyrë spektakolare  në malin e Bistrës. Nga burimi i saj deri në grykën e lumit në Dibër, lumi Radika është 67 km e gjatë. Lugina e lumit Radika është një nga luginat më tërheqëse dhe piktoreske të kanionit.Kanioni është formuar gjatë miliona viteve, nga  depërtimi në anët malore të Bistra dhe Stogovo në Lindje dhe Korabit dhe Deshatit në perëndim. Kanioni mbi lumin Radika është me të vërtetë shumë i këndshëm me ujë të pastër malor, i rrethuar me bimësi të trasha, si dhe me bollëk e peshkut troftë.Shkencëtarët kanë hulumtuar mbi 30 shpella, 10 metra të gjatë, në pjesën e sipërme të lumit Radika. Radika (maqedonisht: Rreth ky tingull Радика (Radika, Shqiptar: Radikes) është një lumë në Kosovën jugore  dhe Maqedonia perëndimore, me rreth km 70 I gjatë e kontribues për lumin Drini i  Zi. Radika e njohur ka rreth 52 km gjatësi, por matet nga burimi më i largët në pellgun e tij ujëmbledhës, atë të lumit Crni Kamen, ajo është rreth 70 km,në të vërtetë skon te 67 km.

a-Çfarë do të ndodhë me ujërat e Radikës? Me këtë titul lBujar Karoshi   në 4 – dhjetor 2013,shkruan te gazeta:”Rruga e arbërit”, midis të tjerave:Në vitin 2011 ELEM nënshkroi kontratë me kompaninë gjermane “consulting company Poyry infra” për hartimin e Studimit për vlerësimin e ndikimit në Mjedis nga realizimi i projektit “Fusha e Llukovës”. Përpunimi i studimit është 272,000 euro dhe do të financohej me një kredi të Bankës BotëroreNje video që mund te shihet në Youtube, e hedhur nga shoqeria energjetike ELEM në qershor 2011, tregon se si do të jetë hidrocentrali në Urë të Boshkuti. Në video shikohet një projekt ide e hidrocentralit që merr ujërat e Radikës. Sipas saj, ujërat që do të derdhen në hidrocentralin e ri do të kenë një prurje prej 5.64 m2 në sekondë, diga do të jetë e lartë 33 metra, dhe kapaciteti ujëmbledhës i saj do të jetë 160 mijë metër kub ujë.Ujërat që do të furnizojnë hidrocentralin do të kalojnë me anë të një tuneli të gjatë 8742 m dhe tunelet do të jenë me një diametër 3 m. Kapaciteti instalues i hidrocentralit do të jetë 68 MË dhe do të prodhojë elektricitet prej 117 GËh. investimi parashikohet të jetë 80 milionë euro.Ndërsa diga që do të ndërtohet në fushën e Lukovës do të jetë e lartë 71 m dhe do të ketë një kapacitet mbledhë ujor prej 39 milionë m3 ujë. investimi do të kushtojë 62 milionë euro. Në këtë linjë do të ndërtohen hidrocentrale me një prodhim prej 159 GËh energji.

b-Poeti Agim Vinca që ka shkruar edhe poezi për këtë lum  shkruan,po citojmë disa rradhë:”Radika është pjesë e historisë dhe kulturës shqiptare.Edhe kjo s’ishte dëgjuar: qeveria e Maqedonisë, nëpërmjet një projekti bizar, të paparë ndonjëherë në këto anë, synon ta devijojë rrjedhën e lumit Radika dhe t’i kthejë ujërat e tij në Vardar! Kështu shkruan këto ditë shtypi shqiptar në Maqedoni dhe, aty-këtu, edhe ndonjë medie tjetër. Nuk është me rëndësi se cila do të jetë sasia e ujit që do t’i rrëmbehet Radikës: një pjesë e tij, gjysma apo edhe në tërësi (informatat lidhur me këtë janë kontradiktore); shqetësues është fakti që po preket një pasuri natyrore, një lumë, ndër më të pastrit në Evropë, uji i të cilit, qoftë edhe pjesërisht, nuk do të derdhet më në detin Adriatik, si gjithmonë, prejse mbahet mend, por në detin Egje!

Ku kërkohet  të devijohet Radika?Pohimi është për lumin  Vardar (greqisht: Axhios) është lumi më i gjatë në Maqedoni dhe një lumë i madh i Greqisë. Lumi Vardar është 388 kilometra i gjatë, dhe kullon një sipërfaqe prej rreth 25.000 km ². Lumi Vardar kalon përmes Gostivarit , kanioni Shkup , Veles , Demir Kapi, dhe kalon kufirin grek në afërsi të Gjevgjelisë , Polykastro) dhe Axioupoli, para se të rrjedh në Detin Egje në Maqedonin Qendrore në perëndim të Selanikut në Greqinë e veriut ( Maqedonia e Egjeut ) . Mirëpo zëri shqiptar nuk do të jetë asnjehër pro këtij projekti ashtu si Radika it’s not Vardar river.

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, Kultures shqiptare, radika, si pjese e historise

Shfletojme Historine e Vatres:KËSHILLA KOMBËTARE

January 22, 2014 by dgreca

Nga “Historia e Federatës Panshqiptare VATRA” e Refat Gurrazezit/

             Duke parë se afroj ora më kritike për çështjen shqipëtare, javën e tretë të Nëntorit 1918 Vatra u-dërgoj nga një qarkëtore degëve të saj dhe i këshillonte të bëjin mbledhje të posaçme që të zgjithjin nga një delegat të zotin për në kuvënt të pazakontë që do të mblidhej në Boston për së shpejti. Me 11 t’atij muaji u-bë Armëpushimi dhe mori funt Lufta e Parë e Përbotëshme n’Evropë. Komisioni Qendral u-bëri një thirrje patriotike Shqipëtarëve t’Amerikës që të mblidheshin rreth Federatës Vatra, dhe me anën e saj të gjithë të bashkuar të nxirjin një zë të fortë në Konferencën e Paqës për të drejtat kombëtare të Shqipërisë.

            Përveç dy degëve të riorganizuara, e Chicago-s dhe e Syracuse-it, në pakë dit’e sipër u-filluan dhe pesë degë të ra: në Portsmouth, N.H., Në Erie dhe Branddock, Pa., në Barberton dhe Niles-Youngstown, Ohio.

            Duke parëshikuar se do t’i shtoheshin përgjigjësitë për çështjen e Shqipërisë dhe do të kish nevojë për fonde financiare më tepër, Vatra u-bëri thirrje gjithë Vatranëve që t’i jepjin edhe një sulm të ri Fushatës “Dita Tri Qershor” për Shpëtimin e Shqipërisë.

            Vatra priste informata nga kryedelegati i saj në London Mehmed Konitza se si dukeshin punët e Shqipërisë pas pushimit të luftes, q’ashtu të dinte se ç’masa munt të mirte kuvëndi që pritej të bëhej për së shpejti. Dhe ay, Mehmed Konitza, kish shkuar në Shqipëri ato ditë që organizoj Kongresin e Durrësit dhe u-formua Guverna Provizore nënëe kryesin’ e Turhan Pashës. Me gjith’ato, koha nukë priste dhe u-vëndos mbajtja e kuvëndit.

            Të Dielën me 29 Shën-Ëndre 1918 u-mbloth kuvëndi i Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, dhe u-përfaqësuan 51 degë të regullshme të Federatës VATRA. Çairman i atij kuvëndi me rëndesi u-zgjoth Dennis J. Kambury, delegat’ i  degës Nr. 69, Niles-Youngstown, Ohio, e cila s’kish pakë javë që ish themeluar. Sekretar i kuvëndit u-zgjoth Loni Kristua, delegat i degës Lynn, Mass., dhe raporter u-zgjoth Kostë Hotova, Delegat i degës Albany, N. Y.

            Kuvëndi vazhdoj një javë, mbajti XV (15) sesione gjithësej, dhe mbaroj duke bërë miaft punë me rëndësi për të mirën e Shqipërisë. Në sesionin e 5-të u-leçit një Memorandum i bërë dhe i nënëshkruar prej klerit orthodhoks shqipëtar t’Amerikës, dhe u-prit me të trokitura duarsh të nxehta nga delegatët e kuvëndit. Memorandumi hidhtë poshte çpifjet dhe tëndencat e Grekëve edhe të grekomanëve të vëndit që thoshin se “Shqipëtarët e kërshtërë orthodhoksë duan bashkimin e tyre me Greqinë”! Kish shumë Epirotë që vërtet atë dëshirojin, të cilët ishin vërbuar nga propaganda e Grekëve fanatikë. Për atë shkak Shqipëtarët qenë goditur dhe gjakosur me Epirotët në mbledhjet e tyre në Boston.

            Memorandumi u-bë sipas kërkimit dhe pëlqimit të Vatrës, dhe u-nënëshkrua nga këta klërikë orthodhoksë shqipëtarë: At Fan Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Çamçe. Pastaj ay Memorandum j’u dërgua Presidentit Woodrow Wilson në Washington, edhe Kryeministrive të Fuqive të Mbëdha n’Evropë.

            Kuvëndi e gjeti të nevojshmë shtuarjën e delegatëve të Vatrës, dhe emëroj keta: Dr. Charles T. Erickson, Rasim Bej Dino, Anselmo Lorechia (drejtor i gazetës “Kombësia Shqipëtare” që diltë në Romë), dhe Faik Konitzën me Sotir Pecin si delegatë nderi. Faik Konitza ahere u-lëshua nga guverna Austriake passi u-munt nga Aliatet dhe e humbi luftën. Bashkë me Faik Konitzën ishin t’internuar në Vienë dhe Kolonel Zogu me Fazlli Frashërin, dhe kur u-lëshuan nga internimi ata të dy shkuan në Shqipëri dhe Faik Konitza vajti në Romë, i cili hyri prapë në shërbim të Vatrës si delegat i saj.

            U-vëndos nga kuvëndi që Fan Noli të shkonte në Paris si delegat i Vatrës dhe të punonte me delegatët e tjerë atje. Për n’Amerikë, u-emërua Kostë Çekrezi delegat dhe editor i Revistës “Adriatik”. Dr. Ericksoni qëndroj një kohë të shkurtër në Paris, dhe, me këshillat e Mehmed Konitzës dhe të Dr. Turtullit, Vatra e thirri prapë Dr. Ericksonin dhe e emëroj delegat të saj në Washington bashkë më Çekrezin.

            Ay kuvënt votoj me-një-zë sumën prej 120,000 dollarësh që të harxhohesh nga delegatët e Vatrës në Konferencën e Paqës në Paris edhe gjetkë për të fituar Independencën e Shqipërisë me kufit’e saj ethnografike.

            Duke parë se vepërimet e Vatrës u-shtuan tepër dhe s’munt t’u bënte dot ballë Komisioni i Qendrës, kuvëndi e pa t’arësyshme zgjedhjen e një Këshille Kombëtare të përbërë prej 11 anëtarësh, njerës t’aftë për atë punë. Passi kjo çështje u-bisedua mirë prej delegatëve, u-vëndos zgjedhja e Këshilles Kombëtare dhe u-proponuan shumë njerës miaft të zottë, po me shumësin’e votave fituan këta:

            Dennis J. Kambury, Paskal Aleksi, Shefki Aliko, Kristo Kirka, Kostë Hotova, Kosta Issak, Bahri Omari, Xhevat Harxhi, Anastas Pandele, Loni Kristo dhe Thimi Hondro.

            Regullore e Këshillës: (1) Këshilla Kombëtare kish fuqin’ e një kuvëndi dhe jipte përfundime mi punët e Vatrës vetëm në çështjet politike. (2) Fuqia e Këshilles ish gjër në kuvëndin e regullshmë të Vatrës. (3) Anëtarët e Këshillës të zgjidheshin nga anëtarët e Vatrës me votim të kuvëndit. (4) Këeshilla Kombëtare thirrej në mbledhje kur ish nevoja nga kryetari i Vatrës, i cili e kryesonte gjër sa zgjidhej çairmani nga anëtaret e Këshillës. (5) Komisioni i Vatrës ish pjesëtar i Këshillës Kombëtare, sikundër dhe delegatët e saj n’Amerikë, po s’kishin të drejtë të votojin në bisedimet dhe vëndimet e Këshillës, natyrisht munt të pyeteshin për gjëra të Federatës që i dijin.

            Kuvëndi vëndosi këtë thirrje patriotike për gjithë Shqipëtarët e Amerikës (po vetëm Vatranët përgjigjeshin!):

            “Shqipëtarë t’Amerikes! Ardhi koha kritike në të cilën do të gjykohet fati i Shqipërisë. Armiqtë t’anë janë të pasur e të fortë dhe duhet t’u bëjmë ballë. Për të fituar të drejtat t’ona kombëtare duhet t’i lëftojmë këmba këmbës dhe që t’i lëftojmë me efekt na duhen para. Pjesë të çmuara t’Atdheut t’onë janë në rezik dhe tani ështe rasja t’i çkëputim nga duart e armikut. Ndihni pra më dorën plot dhe pa kursyer që t’a fitojmë Shqipërinë e madhe, plotërisht independente me Kosovën , Çamërinë dhe gjithë krahinat e tjera fjesht shqipëtare, dhe të rojmë të lirë, të lumur dhe kryelartë nënë hien e Flamurit të Skënderbeut. O burrani!”                                               

Në sesionin e fundit, Kuvëndi i Pazakontë bëri dhe votoj me-një-zë nga gjithë delegatët Rezollutën që shënojmë ketu më poshtë, dhe u a dërgoj guvernave të Fuqive të Mbëdha: t’Amerikës, t’Inglisë, te Francës, t’Italisë dhe të Japonisë.

                                                                           REZOLLUTA:

                                                                            “Delegatët e Federatës Pan-Shqipëtare të Amerikës VATRA, të mbledhur në Kuvënt të Pazakontë në Winthrop Hall, Boston, vëndosnë me 4 Jenar (1919) t’u bëjnë një thirrje Guvernave t’Amerikës dhe të Fuqive Aliate për rivëndosjen e independencës mbretërore të Shqipërisë;

Për ndreqjen e kufive me një mënyrë që të hyjnë brënda krahinat fjesht e kryesht shqipëtare të cilat u çkëputnë padrejtësisht prej Konferencës së Londrës me 1913; fjala vjen

Malësit’e Hotit, Grudës, Plavës, Jakovës, Prizrenit, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Ohrisë, Manastirit, Kosturit, dhe Krahinën e Çamërisë me qytetet e Prevezës dhe Janinës;

Për një Plebesitë në viset e përmëndura më sipër, i cili të bëhët pas zaptimit të këtyre vëndeve prej ushtrisë Amerikane që kështu të shigurohet çfaqja e lirë e dëshirave të ndenjësve; dhe

Për qasjen e delegatëve Shqipëtarë në Kongres të Paqës për të shtruar dëshirat dhe kërkimet e kombit Shqipëtar para se të vëndoset fati i Shqipërisë.”

Delegatet e atij kuvëndi me rëndesi, duke nisur nga Dega Nr. 1, Boston, Mass., dhe gjër të Dega Nr. 70, Barberton, Ohio, qenë këta:

Vasil Naso, Loni Kristo, Lazar Selenica, Kosta Issak, Ilo Pano, Pandi Vodica, Stathi Suli, Foqion Postoli, Paskal Aleksi, Arif Hiqmeti, Guri Filip, Muke Permeti, Vasil Bradvica, Mihal Kosmo, Kostaq Lepcishti, George Luarasi, Evan Elia, George Konda, Luka Trebicka, Xhevad Harxhi, Shaban Halil, Kosta Progri, Dhimitri Sido, Shefqet Frashëri, Thimi Hondro, Ligor Panajoti, Koço Grameno, Sulejman Hysen, Sotir Treska, Kost Hotova, Reis Asllan, Dr. Kondi, George Qafzezi, Ibrahim Bitincka, Kosta Pano, Qani Shehu, Luka Lasko, Hysen Leskoviku, Xhafer Starja, Isuf Maleshova, Anastas Pandeli, Nasi Aristidhi, Abas Kamenica, Sinan Lekdushi, Dennis J. Kambury dhe Isuf Vincani.

Çairmani u dha leje delegatëve të çfaqjin mendimet e tyre më parë se të mbyllte kuvendin. Me atë rast, shumë delegatë mbajtnë fjalë patriotike për independencen e plottë të Shqipërisë e cila ish e gjakosur, e djegur nga luftrat, e shtypur nga fqinjët, dhe me kufire të krasitura. Delegatet gjith’ashtu folën me emfaze për bashkimin e gjithë Shqipëtarëve t’Amerikës rreth Federatës VATRA, q’ashtu t’i bëhej ballë rezikut të Shqipërisë nga fqinjet e saj të cilet po i mprehjin thiket e tyre për t’i prerë kokën, se këmbet dhe krahet ja prenë duke i marë Kosovën dhe Çamërinë. Për fatin e zi të Shqipërisë, përçarja e Shqipëtarëve vazhdonte, dhe shpresa për bashkimin e tyre ish fare e pakët, sido që Shqipëria po jipte shpirt.

Për shëmbell, passi mori funt lufta e madhe n’Evropë dhe ish nevoja për punë kombëtare, Shqipëtarët e Shteteve Ohio, Michigan dhe Pennsylvania deshnë të bëjin një mbledhje dhe paradë të madhe n’Akron, Ohio. Po Kryekatundari (“the Mayor”) nuk u dha leje të paradojin në ruget e qytetit. Shkaku? Ay tha: “Juve e kini flamurin të kuq, dhe populli do t’a marë për flamur të Bolshevikëve dhe ashtu do të ndizet shamata në rugët e qytetit”! Po s’qe ay shkaku, e vërteta është se vanë Grekët që i thanë kryeplakut të qytetit t’a ndalonte mbledhjen e Shqipëtarëve, dhe ay i dëgjoj për interesin e votave se ata ishin me shumicë n’atë qytet.

Pas asaj ngjarjeje, Shqipëtarët vanë në Pittsburgh, Pa., që e bënë mbledhjen edhe paradën e madhe. Atje gjetnë përkrahje nga disa zyrtarë të qytetit, dhe nga policia. Komisioni që pregatiti atë mbledhje ftoj Vatrën dhe “Partinë Politike” që të dërgojin përfaqesonjësit e tyre. Vatra dërgoj Kostë Çekrezin, dhe “Partia Politike” dërgoj Kristo Dakon.

Pas paradës, u-bë mbledhja në një sallë të madhë të një binaje të lartë të qytetit. Ishin në mbledhjen jo më pak se 1,000 Shqipëtare t’ardhur nga kollonira të ndryshme të shteteve që shënuam më sipër. Mbledhja vëndosi bërjen e një Rezollute që t’u dërgohej Fuqive të Mbëdha për të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Rezolluta u-bë dhe u-pëlqye nga mbledhja, po duhej nënëshkruar edhe nga përfaqësonjësit e Vatrës dhe të “Partisë Politike.”

Kristo Dakua refuzoj t’a nënëshkruante Rezollutën, ay thosh se “Vatra donte protektoratën e Italisë në Shqipëri”, dhe s’desh të bashkëpunonte me përfaqësonjësin e saj Kostë Çekrezin. Dakua e bazonte akuzimin e tij në vajtjen e kryetarit të Vatrës Kol Tromarës nj’a dy herë në Washington që bashkoj ambassadorin e Italisë, po akuzimi i tij nuk u-vërtetua.

Populli u-mërzit nga ajo sjellje, dhe kërkonte nënëshkrimin e Rezollutës nga përfaqësonjësit e të dy organizatave. Ahere u-ngrit një Vatran i qojtur Ali Kuçi nga Tomorica e Beratit, një burrë i math gjashtë këmbë e ca i gjatë, qe u-vajti pranë tyrë dhe u-tha: “Jemi mbledhur sot këtu për një qellim të shëntë, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë kombëtare të Shqipërisë. Tani, nënëshkruajeni atë Rezollutë se për këtë Flamur ju hodha të dyve jashtë nga penxherja”! Dhe e zuri Flamurin më dorë qe e puthi. Më në funt, passi shikuan penxheren që ish katër patoma lart nga ruga, u-bintnë të dy “kundërshtarët” dhe e nënëshkruan Rezollutën.

Kuvëndi i Vatrës u-hap të Dielen me 29 Shën-Ëndre 1918, dhe Kongresi i Durresit u-mbloth me 25 te muajit, katër ditë më parë. Nje nga organizatorët kryesorë t’atij Kongresi që delegati i Vatrës Mehmed Konitza, i cili bashkë me Myfit Be Libohovën vanë nga Roma në Durrës, të dërguar për atë qellim nga ministri italian i punëve të jashtme Baroni Sonino.

Mehmed Konitza lajmëroj Vatrën me kabllogram për formuarjën e guvernës provizore të Durrësit nëne kryesin’ e Turhan Pashës. Me 25 Jenar 1919, Komisioni i Vatrës pati mbledhje. Mbledhja vazhdoj dy ditë, të parën u-kënduan disa telegrame të dërguar nga miq të huaj Filoshqipëtarë, dhe raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Gjith’ashtu u-këndua një kabllogram nga Turhan Pasha, kryetar’ i qeverisë provizore të Durrësit. Në përgjigjjën që i ktheu Vatra, i zotohej se do t’i jipte përkrahjen e plottë qeverisë së tij.

Nga ana tjatër, Vatra falënderoj Guvernën Italiane për përkrahjen që i dha Kongresit të Durresit, dhe i lutesh qe t’i jipte përkrahjën qeverisë shqipëtare në Konferencën e Paqës për të fituar independencën e plottë të Shqipërisë.

Është fakt që vërtet guverna italiane e përkrahu bërjen e Kongrësit të Durrësit, po me dy zemera nga frika se munt të gjënte kundërshtime nga fqinjët e Shqipërisë. Po gjith’ashtu fakti është se guverna italiane një mot më von u-përpoq t’a ndalonte Kongresin e Lushnjes, po nuke mundi dot. Do të flasim shkurtazi mi këtë pike kur të vemi atje.

Në mbledhjen e dytë, të nesërmen me 26 të muajit, Komisioni vëndosi t’i dërgoheshin 5,000 dollarë delegatit të Vatrës Mehmed Konitzës në Romë. Gjith’ashtu n’atë mbledhje u-emërua Kostë Hotova si konferencier i Vatrës që dolli nëpër kollonitë shqipëtare t’Amerikës, për t’u dhënë dritë Vatranëve mi veperimet e Vatrës për çështjen shqipëtare.(Ne foto: Komisioni themelues i Vatres)

Filed Under: Histori Tagged With: Historia e Federates Panshqiptare, Keshilla Kombetare, refat Gurrazezi, te Amerikes Vatra

BAJRAM CURRI, THIRRJE MADHORE NË PESË DECENIE

January 22, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

Ka njerëz të lidhur kaq ngushtë me fatet e popullit dhe kombit të tyre,ashtu siç janë të lidhura valet e detit me shkëmbijtë e bregut.Ata ndodhen gati në një dialog intim të përjetshëm.Natyrisht lidhja e fateve të kombit me ate të burrave që e duan atë,mund të zgjase me vite.Por si rrallë kund në historinë tone,jeta e Bajram Currit,është e lidhur ngushtë në pesë decenie me fatin e Shqipërisë. Brenda kësaj lidhje shkëlqeu më tepër se gjithshka ylli  i trimërisë i këtij gjakovari.Thirrjes madhore të kombit të vet në pesë decenie,Bajram Curri iu përgjigj me rininë,burrërinë e më pas,me vdekjen e vet. U lind në Gjakovë në vitet e largëta 1862. I jati i tij Shaqiri,kishte udhëhequr disa çeta gjakovare në luftë kundër reformave të Tanzimatit,të urdhëruar prej Portës së Lartë.Për këtë shkak, familja e tij internohet e duket se ky internim do të ishte pos të tjerave,vrasja e ëndrave fëmijnore të Bajramit të vogël.Biri i Gjakovës,trashëgoi prej të jatit dy virtyte të vyera karakteri,ndershmërinë dhe guximin.Por të dy këto virtyte të shenjta,at e bir nuk i shfaqën në kuvende,në odat e burrave. Më pare se këtu,guximi i tyre ndriti si ata yjet e majit,në fushëbetejat e shumta që përcuallën jetën e tyre.Ngase ndiqej në Kosovë,Bajram Curri,në rininë e tij,vendoset disa kohë në Mal të Zi.Por edhe këtu,karakteri i tij,nuk mund të pajtohej me jetën e qetë,kullat e burnisë dhe bisedat në kulla.Merr pjesë aktive në lëvizjen shqiptare për Mbrojtjen  e Plavës dhe Gucisë.Madje në disa luftime, bashkëkombasit e tij,duke luftuar në krah,parashohin tek Bajram Curri,udhëheqësin dhe strategun e ardhshëm ushtarak.Për hir të së vërtetës,duhet thënë se dikur në rininë e pare,Bajram Curri pat nisur të studjojë në shkolla ushtarake por kundërshtimi i hapur i tij ndaj administratës osmane,bëri që ai të rrëmbejë armët e të verë në jetë parimet e artit ushtarak popullor.Në vitet e qëndrimit në Plavë e Guci pos të tjerave,biri i Gjakovës do të kishte mik bese Hasan Ferrin,të birin e legjendarit Jakup Ferrit. Në ag të këtij shekulli,i lodhur prej jetës në megrim,larg atyre kujtimeve të bukura me ç’ka mund ta lidhte Gjakova,Bajram Curri kthehet në vendlindje.Hafijet e Mustafa Pashës ndërkohë kanë bërë detyrën.Në fshatin Vranovc,ai rrethohet prej gjashtëqind ushtarëve dhe thirjes pë t’u dorëzuar i përgjigjet me krismën e pushkës.Është dashur të kalojnë 48 orë,është dashur pikërisht të meret vesh se Bajram Curri ka çarë rrethimin,për të kuptuar se Gjakova ka lindur e rritur trima që s’mund t’i kape plumbi i pushkës.mbas kësaj beteje ku në krye të një grushti burrash,Bajrami çau rrethimin e 600 ushtarëve,ka qenë vetë Sulltani që lejoi rikthimin e tij në Gjakovë.

Anipse ai u fal prej Sulltanit,(këtë metodë e përdote ngaherë Porta e Lartë për tjera qëllime) biri i Gjakovës e dinte se pas çdo hapi që hidhte e priste pusia o e osmanllinjëve e serbozinjëve.Madje kjo lloj falje nuk mundi të stepte për asnjë cast jetën plot vrulle e veprimtari të këtij atdhetari të lidhur aq ngushtë me fatet e popullit.Tashmë miqtë tij të besës janë; Hasan Prishtina,Isa Boletini,Nexhip Draga dhe Elez Isufi tek karakteri dhe qendrueshmëria e të cilëve ai gjen vehten e vet në rrafsh të marëdhënieve me fatin shqiptar.Këto lidhje u formuan edhe më shumë në rrjedhën e luftrave që Shqipëria zhvilloi sikundër Portës së Lartë,ashtu edhe ndaj synimeve aneksioniste të sllavo-grekëve.Kuptohet që Bajram Curri,bën pjesë në radhët e atyre burrave që  në fillim përkrahën politikën e Turqve të Rinj.Ndërkohë,ai bën pjesë në rradhët e atyre atdhetarëve që kur pane se ç’ishte kjo lëvizje,as qanë,as bërtitën dhe as shkuan pas turqve të rinj.Bajram Curri u përket atyre burrave të mençur që ndërsa në parim binte dakord me turqit e rinj,në praktikë çdo ditë e jetës së vet ishte në funksion të plotë të shqiptarizmës.Kështu,në vitet 1908-1911 e shohim në Shkup,Tetovë e Manastir duke u përpjekur në çeljen e shkollave shqipe apo themelimin e klubeve shqiptare që u shëndrruan në çerdhe të lëvizjes sonë kombëtare.Ftohet në Kongresin e dytë të manastirit më 1910 dhe ngase përgaditet për luftime në Gjakovë,dërgon aty Hysni Currin.Me fjalën e tij,nisen dhjetra  djem të rinj nga Kosova të studjojnë në gjimnazin ushtarak të Manastirit apo Normalen e Elabasanit.Duke qenë se bënte pjesë në komitetitn e fshehtë të Shkupit,mban lidhje të drejtëpërsëdrejta me krerët kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare të kohës.

Në pranverën e vitit 1911,Bajram Currin e shohim të formojë në Gjakovë një degë të komitetit të fshehtë të Shkupit.Dihet tashmë se në rend të pare të kësaj dege ishte mobilizimi total i njerëzve në rrafsh të kryengritjes së përgjithshme.Disa muaj më pas,me nismën e Bajram Currit,midis Gjakovës,Hasit,Bytyqit e Krasniqes,lidhet besa “perme me luftue autonominë shqyptare”.Në vitin 1912,që në vigjilje të tij,kryhen disa beteja të rëndësishme në Nikaj-Mertur,Has e Gjakovë.Në këto beteja,pos trimërisë shkëqeu edhe diplomacia e trimit të Gjakovës.Në bashkëpunim të ngushtë me Elez Isufin e Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën,Bajram Curri ndërkaq ka filluar të armatosë çetat vullnetare shqiptare ngase gjendja e tyre në këtë drejtim linte shumë për të dëshiruar.Kështu,në një raport sekret që konsulli austro-hungarez në Prishtinë,Prohaska,i dërgonte më 23 maj 1912,Ministrit të Punëve të jashtme në Vjenë thuhej ; “Një e treta e arnautëve nuk kanë pushkë dhe armatosen me kosa,shumë të tjerë presin ditën e betejës për të vrarë ushtarë armiq,që të mund të armatosen”(Sipas arkivit shtetëror të Vjenës,materiali gjendet në arkivin e Institutit të Historisë ).

Ndërkaq,është ideuar dhe organizuar prej Hasan Prishtinës,Bajram Currit,Mahmut Zajmit dhe dhjetra trimave të tjerë Kuvendi i Junikut.Kahja për veprime autonomiste të këtij Kuvendi ishte tepër e dukshme,mandej në te u gjeneruan edhe ide të reja,të rëndësishme që kishin të bënin me ardhmërinë e kombit shqiptar.Krerët e kryengritjes së përgjithshme,me anën e një memorandumi i kërkuan Portës së Lartë bashkimin e tokave shqiptare,ngritjen e flamurit shqiptar në çdo vilajet,njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare si edhe caktimin këtu të një guvernatori të përgjithshëm shqiptar.Natyrisht në Junik,pati edhe element të tjerë anonim nga politika turke duke mos qenë dakord me idenë e kryengritjes së përgjithshme.Lidhur me këtë,pjesëmarësit do të prisnin me entuziazëm fjalën e Bajram Currit,I cili me ndershmërinë dhe guximin që e karaterizonte me ate devocion kulmor ndaj lirisë së trojeve tona, e mbylli diskutimin e tij me fjalët ; “Asht nji detyrë e shenjtë për me luftue kundër çdo armiku,edhe mos me pas aspak pushkë.Lufta na u ka ba detyrë. Pra duhet t’u dalim zot të drejtave tona e të shpëtojmë prej robnisë”.(H.Prishtina.Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vjetit 1912, Shkodër 1912,faqe 15 ).

Menjëherë pas vendimeve të rëndësishme të Junikut,mbi 2 mijë burra u mblodhën në fshatin Strrellë nën komandën e Bajram Currit.Ata së pari sulmuan Pejën e mandej iu drejtuan Gjakovës,në garnizonin ushtarak të së cilës ishin forca të konsiderueshme të ushtrisë osmane.Ata dërguan menjëherë në Gjakovë një division që e mbanin të dislokuar në Mitrovicë.Bajaram Curri,duke parparë një përleshje në kushte krejtësisht të  pabarabartë,manovroi me kujdes duke i çuar forcat e veta në Guci.Edhe këtu,pas një organizimi disa ditësh,forcat e komanduara nga i biri i Gjakovës ndërmuarën një varg aksionesh duke sulmuar befasisht garnizonet osmane jo për t’i djegur ata,më tepër se për të marrë prej tyre armë dhe municion luftarak.Më tej,këto forca ju drejtuan Qafës së Prushit si një ndër garnizonet më të plota të ushtrisë turke,ngase rruga disa kilometra larg Qafës, ishte nyje nevrallgjike.Edhe këtu spikati talenti ushtarak i Bajram Currit dhe intuita e tij për ta goditur armikun në vendin dhe kohën që ai nuk e pret.Trimat e Kosovës,luftuan në Qafë Prush me flamurin Kuq e Zi në ballë të formacioneve të tyre luftarake,të bindur tashmë se ky flamur do të valonte së shpejti në trojet e çliruara shqiptare. Lidhur me këtë betejë,konsulli Prohaska i shkruan Kontit Bertold në Vjenë me 4 prill 1912 ; “Luftimet vazhduan disa ditë.Ato qenë nga më të ashprat dhe përfunduan në disfatën e plotë të turqve të cilët u larguan duke lënë mbi 300 të vrarë e të plagosur dhe 250 robër,nga të cilët 5 oficerë,si edhe një sasi e madhe armësh e municionesh”. (Arkivi shtetëror I Vjenës.Dokumenti gjendet në Arkivin e Institutit të Historisë).

Pas betejës së Qafës së Prushit,ku u shkruan faqe të një heroizmi të paparë,autoritetet administrative turke u përpoqën të përdorin ndaj Bajram Currit dhunën psikologjike duke arestuar krejt familjen e tij.Por kjo masë asgjë nuk ndryshoi në karakterin dhe veprimtarinë e Bajramit.Ky e ndjeu së mbrendshmi se me gjithë privimin e lirisë,familjare të tij të shtrenjtë,do ta kuptonin burrin dhe atin e tyre,ashtu siç pat kuptuar ai të atin e vet në fëmijëri,ndërsa i ngryste netët në internim. Trimi i Gjakovës,në krye të burrave të Hasit,Gashit e Krasniqes sulmon tani në malësitë e vendlindjes.Edhe këtu,betejat janë të mëdha por fatmirëissht ata çlirojnë Gjakovën.Përmes entuziazmit të madh të fitoreve,nuk është vështirë të dallosh një fakt.Ngase shqiptarët e ndjenjë se kryengritja e përgjithshme,pat filluar si një ortek i cili duke zbritur nga mali,ata vrapuan të mbushnin radhët e luftëtarëve duke nënkuptuar me ç’rast se liria do të vinte vetëm në bashkimin e zemrave dhe gjokseve të tyre.Tanimë trimat nga kosova numërojnë mbi 10 mijë vetë nën udhëheqjen e Bajram Currit.Me 23 korrik 1912 ata hyjnë në Prishtinë ku populli i pret si çlirimtarë.Është i njohur tashmë fakti që Hasan Prishtina formuloi një program prej 14 pikash ku në qendër të vëmndjes ishte autonomia e Shqipërisë.Prej Prishtinës,Portës së Lartë iu dërgua një telegram në të cilën përcaktohej qartë se,nëse kërkesat e shqiptarëve të pasqyruara në programin e Hasan Prishtinës nuk do të plotësoheshin brenda dy ditëve,forcat vullnetare shqiptare do të pushtonin Shkupin.Natyrisht të pranoje ato kërkesa ishte më tepër se kapitullim,ndaj Porta e Lartë preferoi heshtjen. Vetëm një ditë pas mbarimit të afatit,më 5 gusht kryengritësit shqiptarë hyjnë në Shkup duke zhvilluar edhe disa luftime në rrethinat e tij.Pas tyre në krye të 6 mij trupave vullnetare,hyri në Shkup,Bajrym Curri,duke dëshmuar edhe një herë vendosmërinë e vet,për t’i shkuar deri në fund çështjes së pavarsisë shqiptare.Marrja e Shkupit që ishte qendër e Vilajetit të Kosovës,ishte një epilog i tërë atyre përpjekjeve të filluara që me 1908.Në shtypin e kohës,lidhur me këtë ngjarje shkruhej ;”Ate manifest që e bani Bajram Curri,se ban tjetër shqiptar.U çue në kamb Shkupi,i madh e i vogël,sheshazi dukesh se u ngjall Shqipëria e shqiptarët e dashunia ishte e pa kallxueshme ke mileti shqiptar”.( Gazeta “Shkupi” viti 1912 numër 31 ).

Është i njohur tashmë prej të gjithëve fakti që,Bajarm Curri u kthye nga rruga që kish marrë për në Vlorë.Edhe pse zemra ja desh të shihte se si do të valvitej i lirë flamuri kuq e zi,ai e ndjeu se luftimet që sërbët po bënin në Kosovë,donin ta mbysnin që në djep foshnjën e sapo lindur,shtetin e ri shqiptar.Trimat që e shoqëronin,u thotë se do ndërrojmë rrugë dhe ata e kuptojnë komandantin  etyre.E vërteta është se luftimet e para,ai i zhvillon në Plavë e Guci ku në bashkëpunim edhe me luftëtarët e këtyre trevave,brenda disa javësh mund të largojë prej andej forcat malazeze.Më pas në lidhje të ngushtë me trimat e kosovës,ndërmerr aksione të befta e të fuqishme në Rrafshin e Dukagjinit.Bajram Curri do të priste ndërkaq me indinjatë të thellë vendimet e Konferencës së Londrës për coptimin e trojeve shqiptare.Së bashku me Isa Boletinin,Sali Gjukën,Vehbi Dibrën,Elez Isufin,Mit’hat Frashërin e dhjetra atdhetarë të tjerë,biri i gjakovës martire do të ngrinte zërin fort ndaj kësaj padrejtësie.Mandej edhe pushka e tij do të shkrepte kurdoherë duke gjëmuar për bashkimin e trojeve shqiptare.Në vitet 1915-1918,Austro-Hungaria dominoi në mënyrë të ndjeshme në jetën politike dhe kulturore shqiptare.Fillimisht,disa reforma administrative dukej se do të sillnin diçka në jetën shqiptare.E vërteta është se Bajram Curri,në bashkëpunim të ngushtë me Luigj Gurakuqin,Aqif Pashë Elbasanin,Dervish Himën,Hill Mosin etj, në këto vite punuan mjaft për prosperitetin e kombit tonë në rrafsh të çështjes kombëtare.por në mjaft raste,kur panë se Austro – Hungaria kishte qëllimet e veta,ata propaganduan e punuan sa mundën për përhapjen e diturisë në radhët e shqiptarëve.Ka qenë pikërisht kjo veprimtari atdhetare që çoi autoritetet austriake në Shqipëri,të marrin vendim për largimin e Bajram Currit pikërisht nga Shqipëria. Por edhe në Vjenë,shpirti i tij s’mund të rrije i qetë.Sytë e tij plot dritë treten larg,përmes mjergullës vieneze.Mendja e tij vrapon në Gjakovën e pushtuar,pushka e tij e harruar diku duket se kërkon burrin.Në një prej këtyre ditëve të zymta,ai merr penën dhe në një melankoli të thellë i shkruan një mikut të tij ; “Pa asnji dyshim mund t’ju kallxoj,se tepër më vjen keq… Kaq larg shokëve të mi,të cilët sot jan tue derdh gjak për me mbrojt kufirin e stërgjyshnive të tokës sonë,ku armiku shekullor po mundohet me na qitë prej andej… Lajmet që jamë tuj i marr prej Kosove,janë tepër të vështira e plot dhimbe për çështjen tonë në Kosovë.Mu,atje po më thërrasin për me u nisë”.(Arkivi Qendror i shtetit,fondi 818,dosja 13,fq, 4 ).

Pranvera e vitit 1920 e gjen Bajram Currin në Gjakovë.Natyrisht,mosha e tij e madhe, vuajtjet , luftërat që pati bërë ,sikur donin që ai të mbetej aty,sa më pranë familjes, vendlindjes miqve që e dëgjonin duke e adhuruar e duke i thënë : na prijë o baca Bajram !Ngase Bajram Curri kish dëgjuar kurdoherë vetëm thirrjen e tokës së vet,ai rrëmben pushkën e viret sërish në roje të lirisë.Ndërkaq ishte zhvilluar Kongresi i Lushnjës dhe atdhetarët aty,duke parë situatën e rëndë të mbrendshme dhe ate rreth kufijve,emërojnë Bajram Currin në detyrën e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Plaku i maleve,i derteve dhe halleve,e pranoi këtë detyre jo si një ofiq por si urdhër për të rinisur sërish jetën e vështirë të betejave.U deshën vetëm disa javë në këtë detyrë dhe forcat esadiste të mpleksura me rryma gjithfarlloj antikombëtare,të goditeshin në mënyrë të rreptë. Qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjës,shihte tek energjitë e birit të Gjakovës,jo vetëm ruajtësinë e sigurisë së mbrendshme por edhe tejpamësinë e veprimeve dhe organizimeve luftarake në kufijtë e Shqipërisë. Në një letër të datës 12 qershor 1920,Aqif Pashë Elbasani,në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Shtetit,i drejtohet Bajram Currit tekstualisht ;

“ E gjindmja e një burri me shpirt thjesht kombëtar,si zotëria juaj në qeveri,na jep nji shpersë të madhe për shpëtimin e Shqipërisë.Ja pra,u pa një shenjë fitimi prej veprimeve të fundit,të cilat u bënë nën drejtimin dhe komandën e zotërisë suaj.Ju uroj pra me gjithë zemër për fitimet që bëtë në këto ditët e fundit,dhe lus Zotin,që të dilni faqebardhë në të gjitha punët që do nisni të bëni edhe pas kësaj”.( Arkivi Qendror i shtetit, fondi 818 , dosja 9 , faq. 2 ).

Në gusht-shtatorin e vitit 1921,serbët,ndërmuarën aksione të mëdha spastirmi pothuaj në krejt kosovën dhe trojet shqiptare në Maqedoni.Për serbinë tashmë ishin vënë në funksion të plotë makanizmat e dhunës të ideuar në elaboratet famkeqe të shkenctarëve-bastard.Madje  formacione të rregullta serbo-malazeze po kryenin në këto kohë vrasje e dhunime në Dibër,Dukagjin e Mirditë.Në cilësinë e komnadantit të trupave shqiptare në këto territore,Bajram Curri organizoi në tetor 1921 disa kundërsulme të fuqishme.Ai u ndihmua gjithashtu edhe nga vullnetarë shqiptarë dhe kësisoj, forcat serbo-malazeze u torhoqën prej kufijve të shtetit amë. Më pas,duke parë se politika shqiptare,po kalonte nëpër rrugë interesash të vogla,plaku i maleve mendon se roli,fjala dhe pushka e tij duhet të jehojë në Dibër e Kosovë.Është pikërisht kjo arsyeja që në fundvitin 1921,plaku i maleve organizon në Dibër me krejt parinë e saj duke kërkuar sigurimin me armë në dorë të interesave kombëtare.Me ndihmën edhe të Elez Isufit e Suf Xhelilit,u formua aty “Besa e Shenjtë”, organizatë e cila do të udhëhiqej kurdoherë vetëm me kahje nga shqiptarizmi.Anipse në këtë kuvend,merrnin pjesë burra të sprovuar në sa e sa beteja,ata dëgjuan me vëmendje fjalët e plakut të maleve dhe zgjodhën ate si “komandant i përgjithshëm i forcave ushtarake të “Besa e Shenjtë” (Arkivi Qendror i Shtetit , Fondi Gjygji  politik,dosja 28 , fleta 17 ).

Brenda disa muajve,shtrirja e kësaj organizate mbërriti deri në Kavajë,ndërsa në veri,ajo u përhap në Dukagjin,Krasniqe e malësi të Gjakovës. I prirur kurdoherë ndaj një atdhetarizmi të heshtur e të ndershëm,Bajram Curri do të qëndronte larg lojrave politike që luheshin në Tiranë.Për te,mbi çdo rrymë,mbi çdo parti apo grup njerëzish,rrinte kurdoherë i zgjuar,.mendimi për bashkimin e krejt trojeve etnike shqiptare. Është kjo arsyeja që në tërë periudhën 1918-1924,ai bashkëpunon ngusht pos të tjerave edhe  me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës.Mesazhet që ai ka marrë në vite prej personalitetit tjetër Hoxhë Kadria,apo ato që vetë Bajrami i ka dërguar këtij komiteti, përbëjnë një një kuptim tjetër mesazhin e madh të bashkimit të krejt shqiptarëve partia e të cilëve ishte Shqipëria.Nuk janë të pakta ato raste kur komiteti kombëtar i Kosovës,për të marrë vendime të ndryshme i drejtohet plakut të maleve,tek i cili shihte jo vetëm urtësinë e mendimit por edhe shpresën e veprimit energjik.

Në vitin 1924,turbullirat e brendshme në Shqipëri janë të mëdha.Natyrisht,të para nën një objektivitet potencues,këtu ndërthuren sidomos politikat destabilizuese si edhe lakmitë e fqinjëve tanë të cilët askurrë s’i rreshtën veprimet luftarake ndaj nesh.Gjithsesi,plaku i maleve,edhe në këto momente,dënon ate politikë përçarëse të krerëve,të Tiranës. Bajram Curri mbledhe rreth vehtes forca përparimtare,të gatshme jo vetëm ta shuajnë çdo vëllavrasje mes shqiptarëve por edhe të ruajnë kufijtë verior të shtetit amë. Bashkëpunon ngusht me Hasan Prishtinën dhe niset për në veri të Shqipërisë për të ngrohur sadopak zemrat e atdhetarëve të krejt brigjeve të Drinit ku rreziku serb ndahej vetëm prej disa dallgëve.Me energjitë e pashterura që e shoqëronin gjithkund,arrin të vendose qetësi në Krume e të organizojë mbrojtjen e vendit.Në një letër që i dërgon mikut të tij Gjelosh Ramës,më 30 maj 1924,plaku i maleve thotë ; “Une hina në Krume,ku u bashkova me ushtrinë e do të punojmë për atdhe gjithë së bashku.U baj me die që,me të marrë këtë letër të niseni me nga katërdhet djem te Nikaj-Merturit,e në qofshin gjysma pa pushkë, i gjejmë këtu.Kur të dilni në Krasniqe,të shihni edhe me Rexhep Bajaraktarin e Halil Llapin,me të cilën ta lidhni besën me krasniqe ashtu edhe me juve.Presim që të vini sa ma parë”.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi 818 , dosja 18 , fleta 9 ).

Ndërkaq në Tiranë ka ndodhur përmbysje.E nënvizoj përmbysje për një fakt tepër domethënës.Deri më tash,kësaj përmbysje të përmasave madhore,historiografia shqiptare,ndofta i ka bërë nder të pameritur.Ende sot ajo kryengritje që çoi në rrëzimin e Ahmet Zogut,konsiderohet si normale madje vazhdon të quhet revulucion demokratiko-borgjez.Ky emërtim gati-gati me terminologji bollshevike,natyrisht që nuk mund të përputhet me ate çka në të vërtetë ngjau në qershorin e vitit 1924.Njëher tjetër ndofta,ne mund të analizojmë realisht shkaqet që çuan në përmbysjen e shtetit të asaj kohe ( të cilin në pamje konstitucionale ende sot s’po arrijmë dot).Për hir të së vërtetës,duhet thënë se në ditët e marrjes së pushtetit Fan Noli nxitoi të marre “me të mirë” Bajram Currin.Ky tash më kishte bërë emër jo vetëm si burrë trim por edhe si njeri i ndershëm e atdhetar i palëkundur,fjala e të cilit respektohej në krejt trevat veriore shqiptare.Duke dashur sigurisht një mbështetje sa ma të madhe në Malësi,Noli,iu drejtua Bajaram Currit se ç’mendim kish ky lidhur me postin e ministrit të arsimit.Natyrisht plaku i maleve e vlersoi këtë mesazh dhe në një letër që mban datën 5 korrik 1924,shkruan pos të tjerave ; “Si une vetë dhe tanë kosovarët e çmojnë plotësisht rëndësinë që ka ministri i arsimit,prandaj kemi ma të madhen dëshirë që ate vend,ta zane një njeri kompetent,i zoti i punës,që të ketë dhanë dhe prova në jetën e vet në të kaluemen,se idetë e tij i përshtaten gjendjes së krijueme prej sakrificave që bani populli ynë… Këto cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme në personin e Sali Gjukës,thjesht i degës arsimore,patriot e demokrat i vjetër”.(Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 818,dosja 7, faqe 35 ).Por, ngase plaku i maleve do të ishte krejt i pavarur në veprimtarinë e vet,ngase i vetmi merak i tij do të ishin kufijtë e coptuar të atdheut,edhe muaji i mjaltit të tij me Fan Nolin do të mbaronte shpejt,ende pa filluar mirë.Kështu disa javë pas këtij letërkëmbimi,një urdhër administrativ i firmosur prej Nolit,urdhëron për dalje në pension të Bajram Currit.plakun e maleve,të derteve,të halleve,ate që pesë decenie u lidh veçse me fatet e Shqipërisë, tani e nxirnin në pension.Po a mund të nxirej në pension trimi,a mund të hiqej pushka nga duart e Bajram Currit ? A mund të flere stuhija ? Ndaj sërish ai niset në rrugët e luftës,aty ku serbi e malazezi jo vetëm kërcënonin kufirin e shenjtë por edhe kryenin masakra të egra në popull.Plaku i maleve mendon se ma tepër se oratoria e Nolit në Parllament,kombi,atdheu i përvuajtur duan krahë e zemër për të mbajtur pushkën.Dhe mendimi i tij ngadhnjeu shumë shpejt.I papërkrahur prej qeverisë së re,madje i kërcënuar prej saj,në gjendje pothuaj varfërie,së bashku me miqtë e tij të mirë Shefqet Dragën e Met Vejselin,plaku i urtë e trim i ngjitet Dragobisë nëpër ate dimër të madh. Natyrisht këtë gjendje gati të mjeruar ka patur parasysh Pashiçi kur i dërgon Bajaram Currit një letër me anë të Isuf Hamzës.Në te thuhej : “Bajram Currit i vihen nën dispozicion dy milion dinarë dhe i jepet liri banimi ku të dëshiroj ay vetë në nji qytet të jugosllavisë dhe disa privilegje të tjera,nëse pranon marveshje dhe pushon luftën kundër jugosllavisë”.(Tahir Zajmi,tragjedia e shpellës së Dragobisë,Gazeta “Kosova”,qershor 1943).Ndërkaq përgjegjja e plakut të maleve ka qenë e prerë “Shko thuaj atyne faqezezëve me i çue fjalë asaj dhelprës së Shumadisë,se Bajram Curri nuk asht nji burrë që me shpetue shpirtin,të tradhëtojë atdhenë”.

Kësisoj për të ardhur në fundmarsin e vitit 1925,atëherë kur  kriminelët shqiptar e bellorusë e malazez afro 800 vetë i ngjiten në Dragobi dhe rrethojn plotësisht shpellën në të cilën Bajram Curri ndodhej i strehuar me një grusht djemsh.Ata e kishin në kujtesë Bajram Begun i cili së bashku me Ali Riza Kosovën e Ahmet Zogun ua shuajti “Republikën e Mirditës” mbrenda Shqipërisë jo vetëm bjellogardistët e pashiqit por edhe ca Mirditorë mercenarë të tyre,këtu  fshihej tradhëtia ( jo si trumbetoi historia komuniste e shtetit amëdukle ia mveshur Ahmet Zogut ).Me të shkrehur pushka e parë,brof disa dhjetra metra larg shpelle,Sali Mani.Ai së bashku me disa luftëtarë të pafriguar zënë pozicione duke lënë plakun e maleve në besë të Shefqet Dragës.Luftimet janë zhvilluar gjithë ditën të furishme ngase pozicionet e trimave të Bajram Currit janë tepër të favorshme e shpirti i tyre nuk frigohet aspak kundër mercenarizmit të palës kundërshtare. Në muzg,Bajram Curri dhe Shefqet Draga,të ndejkur prej dy-tri djemve të tjerë,dalin nga shpella duke menduar se pushka e tyre duhej të shkrepte në ato momente.Të përfshirë në afshin e luftës,ata zbresin deri poshtë në pozicione për t’u mbrojtur shpinën e krahët bashkëluftëtarëve të tyre.Por armiqtë janë me qindra.Pas çdo të vrari dërgohen dhjet prej tyre duke mos pyetur për çmimin e jetës.

Pikërisht në muzg,ndërsa Bajram Curri po luftonte i vetëm tek një shkëmb,dëgjohet një zë si bubullima ; kapeni të gjallë dhe lidheni ! Eplaku i maleve i përgjigjet po me ate zë gjëmues ; ”Bajram Currin veç nëna në djep e ka lidhë !” E ndërsa gryka e Valbonës gjëmon prej pushkëve,bie nata e zezë, e ftohtë,nata bie shpejt a thua se ajo nuk donte të shihte si skuqej gjoksi i trimit prej plagëve të mëdha,si binte burri tek shkëmbi i qetë se gjithshka që pati në jetë ja dha Shqipërisë, e tash i falte edhe jetën.Valbona duke gurgulluar gurëve,ende sot rrithotë legjendën e Dragobisë, legjendën e pavdekur në mote që mban emrin Bajram Curr.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Bajram Curri, thirrje madhore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 605
  • 606
  • 607
  • 608
  • 609
  • …
  • 697
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT