• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori: Çfarë ndodhi më 7 tetor?

October 7, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

3761 p.e.s – Dita e parë e botës – anno mundi, viti i botës – sipas traditës hebraike, në të cilën Perëndia nga asgjëja krijoi Kohën, Ekizistencën, Materien, Errësirën dhe Dritën. Të gjashtën, Zoti krijoi Adamin dhe Evën; kjo ndodhi në vitin 3760 p.e.s, ose Rosh Hashanah, Viti i ri hebraik.

1492 – Kapiteni i anijes Pinta, Martin Pinzon i sugjeron Kristofor Kolombit për të ndryshuar drejtim; ata kishin disa javë që lundronin në ujra të panjohura, dhe ende asgjë. Kolombi jep urdhër për ndryshimin e drejtimit dhe 5 ditë me vonë, me 12 tetor, vrojtuesi në majën e direkut thërret “tokë!, tokë!” – ai kishte parë ishujt Bahamas – spanjisht “baja mar” “det i cekët”  “det u ulët” ose “det pa dallgë”.

1571 – Forcat detare otomane e të krishtera përleshen në Betejën e Lepantos. Pas 4 orë luftimesh, flota otomane shpartallohet. Me këtë fitore, Lidhja e Shenjtë e Krishterë shkurajon shtrirjen kontrollit otoman në anën evropiane të Mesdheut. Disa historianë vlerësojnë se një fitore turke mund të kishte sjellë rrënimin e Evropën Perëndimore, siç kishte ndodhur me Perandorinë Bizantine më shumë se një shekull më parë.

1908 – Austria anekson Bosnje Hercegovinën duke krijuar shkëndijën për fillimin e krizës ballkanike.

1933 – Në Vienë të Austrisë, Eqrem Çabej, 25-vjeçar, përfundon doktoraturën me tezën “Studime italo – shqiptare” dhe kthehet në Shqipëri prej nga ishte larguar para 13 vjetësh. Pas një periudhe pune si mësues në shkolla e qytete të ndryshme nga veriu në jug; me shkrime e kërkime në fushën e gjuhës, historisë e folklorit, Çabej shpejt bëhet emër i njohur në rrethet intelektuale. Në shtator 1942, atij i ofrohet anëtarësia në Institutin e sapo krijuar të Studimeve Shqiptare, por për arsye politike nuk pranon t’i bashkohet. Disa burime thonë se gjatë periudhës së pushtimit gjerman, Çabej gjithashtu refuzoi postin e ministrit të Arsimit në qeverinë e Rexhep Mitrovicës. Por në “A Biographical Dictionary of Albanian History” 2013, Robert Elsie thotë se “Çabej ishte ministër i Arsimit në administratën e qeverisë së Rexhep bej Mitrovicës nga 5 nëntor 1943 deri më 7 shkurt 1944 dhe ishte në Romë deri korrik 1944.” Për hollësitë që sjell, konstatimi është i bindshëm; ndërsa burimet e para duket se i referohen ende një historiografie të politizuar dikur. Më 1947, profesor Eqrem Çabej bëhet anëtar i Institutit të Shkencave, pararendës i Universitetit të Tiranës; nga viti 1952 – 1957 ai jep mësim si profesor i historisë së Shqipërisë dhe i fonologjisë historike të shqipes. Në vitin 1972, profesor Çabej bëhët anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Pavarësisht se jetoi e veproi në një periudhë izolimi të rreptë stalinist, Çabej, u bë i njohur e i respektueshëm brenda e jashtë vendit si shkencëtar albanolog i mirëfilltë. Mund të thuhet se ai është i pari shkencëtar abanolog shqiptar i renditur si i barabartë mes albanologëve të huaj me famë si Kretschmer, Patsch, Jokl etj, të cilët kishin qenë edhe profesorët e tij. Eqrem Çabej vdiq më 1980, në një klinikë në Romë ku ishte dërguar për trajtim mjekësor. Gjirokastra e quan atë birin e saj dhe Universiteti atje, mban sot emrin Eqrem Çabej. Një nga bashkëpuntorët e tij të afërt, profesor Emil Lafe, thotë diku se edhe Çabej “për Gjirokastrën, kishte mall dhe dashuri të veçantë. Ndonëse në të vërtetë kishte lindur në Eskishehir të Turqisë më 6 gusht 1908, si vendlindje shënonte gjithnjë Gjirokastrën. Herë pas here kishte dëshirë të vinte në dukje qytetarinë e gjirokastritëve, seriozitetin, përmbajtjen, mirësjelljen, dinjitetin vetjak dhe familjar, ndjenjën e jetës shoqërore, dëshirën për të nxënë, aftësinë për t’i bërë ballë jetës.” Eqrem Çabej është autor i mbi 200 publikimeve; la pas shumë shkrime e studime mbi letërsinë e folklorin; si dhe dy veprat madhore: botimin studimor prej dy vellimesh “Meshari i Gjon Buzukut, 1555“, dhe“Studime Etimologjike në fushë të shqipes”. Shumë prej punimeve të tij janë përmbledhur në 9 vëllime “Studime Gjuhësore” – Nga gjithë kjo, ajo që lë mbresë është idea që krijohet, sipas së cilës; gjuha shqipe është si aisberg, më e thellë e më e lashë sesa duket.

1940 – Diktatori nazist gjerman Adolf Hitler pushton Rumaninë si pjesë e strategjisë së tij të Luftës së Dytë Botërore për të krijuar një front të pathyeshëm lindor kundër Bashkimit Sovjetik.

1945 – Krijohet në Tiranë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve (LSHA) – me vetëm 70 anëtarë, më pas numri i tyre erdhi duke u shtuar. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Maleshova; president nderi, Fan Noli – i pari nuk qëndroi gjatë në krye dhe për bindjet e tij u internua, brenda vendit; i dyti nuk arriti të bindej për të mos qëndruar jashtë dhe për ndonjë arsye nuk pranoi të kthehej. LSHA ka kaluar shumë kohë e sprova të vështira dhe në statutin e saj ekzistues thuhet:LSHA është një institucion i lirë dhe i pavarur, një bashkësi krijuesish profesionistë, i hapur për çdo shoqatë tjetër letrare dhe artistike, i pakushtëzuar nga bindjet politike, rrymat dhe platformat artistike. Sot LSHA ka rreth 1300 anëtarë.

1949 – Shpallet krijimi i Republikës Demokratike gjermane (Gjermania Lindore) në zonën e kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik. Kjo ndodhi më pak se 5 muaj pasi Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Franca kishin themeluar Republikën Federale gjermane (Gjermania Perëndimore). Afërsisht sa gjysma e Gjermanisë Federale, Gjermania Lindore, në varësi thuajse të plotë të BRSS-së përbëhej nga 5 shtete gjermane, dhe nga gjysma e ish kryeqytetit Berlin. Kjo gjendje vazhdoi deri në vitin 1990, kur vendi u ribashkua.

Mendim i ditës

“Anno Mundi, a më dëgjon?
Mund të më thuash ku është lavdia?
Kalëro ditën e lundro natën
Dhe përgjigjen do t’a gjesh
Në rrjedhën e shiut që bie.”

Popullore

 

Filed Under: Histori Tagged With: 7 tetor, Astrit Lulushi, Histori

Histori: Çfarë ndodhi më 3 tetor?

October 3, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1226 – Vdiq Giovanni di Pietro di Bernardone, i njohur me emrin Françesku (francezi), dhe më pas Shën Françesku i Assisit, themelues i Urdhërit Françeskan. Lindi në një familje të pasur, por e humbi shijen e mirëqenies për veten kur pa rreth tij shumë njerëz vuanin nga varfëria dhe luftrat – madje ai shkoi deri në Egjipt për të bindur Sulltanin që t’i jepte fund konfliktit të kryqëzatave. Françesku themeloi 3 shoqata fetare, përfshi Urdhërin Françeskan. Në vitin 1224, në trupin e tij filluan të shfaqeshin “stigmata”, duke u bërë i pari person i regjistruar që mbarte plagët e Krishtit. Më 16 korrik 1228, Papa Gregorio IX e shpalli atë Shenjtor. Urdhëri Françeskan ka qenë i pranishëm në Shqipëri që në fillimit e tij. Për shembull, studiuesi Lutfi Alia, duke iu  referuar arkivave françeskane në Romë, thotë se në vitet e para të shekullit XIII Shën Françesku ka vizituar Shqipërinë, ku themeloi dy manastire;  Manastirin Shën Martini në Kunavia (Martanesh) dhe manastirin Shën Maria në Lezhë.
1863 – Presidenti amerikan Abraham Linkoln shpall të enjten e fundit të nëntorit, si Ditën e Falenderimeve në mbarë vendin. Lincoln shpalli këtë ditë të njësuar për të nxitur një ndjenjë bashkimi mes shteteve veriore dhe jugore. Për shkak të luftës së civile dhe refuzimit të Shteteve jugore për të njohur autoritetin e Linkolnit, Dita mbarëkombëtare e Falenderimeve nuk u realizua deri në përfundim të fazës së Rimëkëmbjes në vitin1870.
1923 – Moska dërgon në Tiranë një agjent të saj për të biseduar me kryeministrin Ahmet Zogu mbi vendosjen e lidhjeve diplomatike sovjeto – shqiptare dhe për nevojën e hapjes së një dege të Kryqit të Kuq sovjetik në Shqipëri. Por kryeministri Zogu refuzoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike derisa BRSS të njihej nga shumica e fuqive të mëdha. Ai besonte se lidhjet me Moskën dhe prania e Kryqit te Kuq sovjetik në Tiranë ishin hapa të planifikuara nga Moska për të çuar përpara kauzën e saj komuniste.
1929 – Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndryshoi emrin duke u quajtur zyrtarisht Mbretëria e Jugosllavisë. Ajo ishte krijuar që në vitin 1918, pak pasi mbretëria e Malit të Zi ishte bashkuar me Serbinë, ndërsa rajonet e Kosovës, Vojvodinës dhe Maqedonisë së Vardarit ishin pjesë e Serbisë që para bashkimit. Në prag të pushtimit nazist, më 1941, familja mbretërore jugosllave  iku në Londër, ku krijoi një qeverisë në mërgim , e cila u njoh nga Britania dhe fuqitë e tjera aleate. Në vitin 1944, nën presionin  e kryeministrit britanik Winston Churchill , Mbretëria e njohu Federatën Jugosllavinë si pasues të saj, nëpërmjet traktatit të nënshkruar në Viç nga Ivan Subasiç (në emër të Mbretërisë) dhe Josip Broz Tito (në emër të partizanëve jugosllavë ).
1990 – Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore bashkohen në një Gjermani të vetme, 45 vjet pas ndarjes në dy shtete në fund të Luftës së Dytë Botërore. Me një përvojë të kaluar naziste, një nga hapat e para të Gjermanisë së re për të shëruar plagët e shkaktuara nga regjimi komunist ishte përcaktimi i fatit të dosjeve së ish-sigurimit gjermano-lindor, Stasi. Legjislacioni i miratuar  i vuri këto dosje në dispozicion të të gjithë gjermanëve që donin të ballafaqoheshin me të kaluarën.
1995 – Presidentit i Maqedonise Kiro Gligorov bëhet objektiv i një tentative për vrasje me makinë bombë në Shkup. Ndërsa udhëtonte nga shtepia per në zyrën e tij, automjeti i Gligorovit u hodh në erë nga shpërthimi i një makine të parkuar, duke vrarë shoferin e presidentit  dhe plagosur disa kalimtarë. Gligorovi u plagos rëndë në syrin e djathtë dhe menjëherë u dërgua në spital. Që nga koha e incidentit, jane kryer shumë hetime rreth fajtorëve të mundshëm, por pa çuar në ndonjë arrestim. Kiro Gligorov vdiq natyrshëm në shtëpinë e tij më 1 janar 2012 në moshën 85 vjeçare.

Mendim i ditës
“I grabituri që buzëqesh, fsheh diçka nga vjedhësit.”
William Shakespeare

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ndodhi, me 3 tetor

Histori: Çfarë ndodhi më 1 tetor?

October 1, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI*/

331 pes – Aleksandri i Madh del fitues ndaj Darit III të Persisë në Betejën e Gaugamelas, diku në afërsi të Mosulit të sotëm në Irak. Pas përleshjes, e njohur edhe si Beteja e Arbelas, Dari ikën duke u thënë ushtarëve që e shoqëronin se po shkonin në pjesën lindore të perandorisë për t’u rigrupuar. Në të njëjtën kohë, Dari u dërgoi mesazhe mëkëmbësve të tij që t’i qëndronin besnikë. Por, këta kishin qëllime të tjera. Bessus, oficer i lartë tepër i afërt e vrau Darin para se të nisej drejt lindjes. Kur Aleksandri mësoi se Dari ishte vrarë, ai u pikëllua thellë që një armik të cilin e respektonte, u vra në një mënyrë kaq të ulët. Aleksandri organzoi një ceremoni madhështore varrimi për Darin; pastaj i zemëruar u vu në ndjekje të Bessus, e kapi dhe e ekzekutoi. Historianët thonë se Perandoria Persiane de-facto morri fund me vdekjen e Darit.
*1880 – Thomas Edison hap fabrikën e parë për prodhimin e llampave elektrike. Ai i kishte premtuar bashkisë së Nju Jorkut për ndriçimin e qytetit me rastin e Krishtindjeve.
*1908 – Kompania Ford nxjerr në treg makinën Model-T me një çmim prej 825 dollarësh duke e bërë automobilin të përballueshëm për gjithnjë e më shumë amerikanë.
*1936 – Francisko Franko emerohet kreu i qeverisë së Spanjës nga një grup ushtarakësh që sapo kishte rrëzuar qeverinë republikane të udhëhequr nga Fronti Popullor. Kjo ngjarje i dha shkas shpërthimit të luftës civile në vend. Më 1939, Franko do të shpallej diktator, dhe qëndroi në pushtet derisa vdiq më 1975.
*1943 – Në afërsi të Pejes, lind Jusuf Gervalla – studioi në Kosovë e Slloveni, punoi si gazetar në Prishtinë e Shkup, krijoi një levizje klandestine per çlirimin e Kosovës, por u detyrua te ikte nga vendi. Në vitin 1982, Gërvalla u vra nga persona të panjohur pranë shtepisë së tij në periferi të Shtutgardit, Gjermani. Nga të shtënat, krahas tij, mbetën të vrarë i vëllai Bardhosh Gërvalla dhe shoku i tij Kadri Zeka. Vrajsa e trefishtë, për të cilën dyshimet ranë mbi sigurimin jugosllav, shkaktoi zemërim mes shqiptarëve në Kosovë dhe jashtë. Studiuesi Robert Elsie thote se disa vëzhgues e cilësojnë këtë vrasje si pike-nisjen e konfliktit të armatosur midis shqiptarëve dhe autoriteteve serbe në Kosove. Jusuf Gervalla ishte edhe shkrimtar e poet. Ja nje strofë nga:
SHTËPIA QË NDËRTOJ
“në një skutë do të ketë më shumë dritë
në tjetrën vend për shtratin dhe minjtë
një derë do ta ketë për në rrugën kryesore
një tjetër për kopshtin me lule të bardha
një verandë do ta ketë me një fuçi druri portokalli
do ta llogarisë këndin e diellit mbi dritare.”
*1946 – Gjyqin e Nurembergut dënon 22 udhëheqës nazistë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
*1949 – Mao Ce Duni shpall krijimin e Republikës Popullore te Kinës e cila përfshin Kinën kontinentale dhe dy rajone administrative, Hong Kong dhe Makao. Vendimi pasoi përfundimin e luftës civile midis forcave komuniste dhe ushtrisë së Republikës së Kinës, e themeluar që në vitin 1911/1912. Kjo republikë doli e humbur nga lufta por ruajti kontrollin e Tajvanit dhe disa grupe ishujsh aty pranë me një popullsi prej rreth 9 milionë banorësh. Për shumë vite, të dyja Republikat pretendonin se ishin qeveria e vetme legjitime e Kinës. Para vitit 1970, Republika e Kinës (Taivani) njihej nga shumë vende dhe nga Kombet e Bashkuara si qeveria e vetme legjitime – ajo kishte qenë anëtare themeluese e Kombeve të Bashkuara dhe një nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit. Kjo zgjati deri më 28 tetor 1971, kur përfaqësuesi i Republikës së Kinës në OKB u zëvendësua nga përfaqësuesi i Republikës Popullore të Kinës, pasi Asambleja e Përgjithëshme miratoi projekt-rezolutën e paraqitur nga Shqipëria.
*1957 – Në kartmonedhën amerikane shfaqet për herë të parë  shprehja “In God We Trust”. si alternativë apo zëvendësuese e motos jo-zyrtare  “E pluribus unum”.  Disa thonë se shprehja “Në Zot ne besojmë” është marrë nga hymni i Amerikës “The Star-Spangled Banner”. Strofa e katërt përfshin frazën, “Dhe kjo të jetë motoja jonë: Në Zot është besimi ynë.” Feisal Abdul Rauf, imam mysliman shkruan se fraza “Në Zot ne besojmë” përkon me mësimin islam, dhe ofron dy paragrafe nga Kur’ani (3:193 dhe 2:285). Në mënyrë të ngjashme, Melkote Ramaswamy, dijetar amerikan hindu, shkruan se prania e frazës “Në Zot ne besojmë” në monedhën amerikane është kujtesë se Perëndia ndodhet kudo, pavarësisht nëse jemi të ndërgjegjshëm apo jo. Në judaizëm dhe krishtërim, motoja “Në Zot ne besojmë ” ngjason me vargje nga Bibla, përfshi Psalmet (118:8, 40:3, 73:28) dhe Fjalët e Urta (29:25). Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, të gjitha shkollat publike në Shtetet e Bashkuara u pajisën me parrulla  “In God We Trust” të cilat u vendosën në zyra, biblioteka, kafeteri, korridore dhe klasa.
1971 – Për herë të parë në historinë e mjekësisë, në spitalin Morley në Londër realizohet skanimi i trurit duke përdorur mënyrën CAT me rreze-x.
1991 – Shënohet për herë të parë Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, për të shtuar vetëdijen publike rreth çështjeve që prekin të moshuarit. Në disa vende kjo ditë njihet edhe si Dita e Gjyshërve dhe Gjysheve për te vlerësuar ndihmesën e të moshuarve në shoqëri, përfshi sjelljen në jetë të brezit të ri.
Mendim i ditës
“Plakja duket se është mënyra e vetme e mundshme për të jetuar gjatë.”
Kitty O’Neill Collins

  • Zeri i Amerikes

 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, c'ndodhi me 1 tetor, Histori

KRYENGRITJA E VITIT 1913 NË DIBËR

September 30, 2013 by dgreca

NGA BEQIR SINA, Dibra e Madhe/
DIBER : Kryeqyteti i Shqipërisë,Tirana  dhe Dibra e Madhe me rrethinë,  për një javë u shëndërruan në destinacion kryesor të disa historianëve dhe studiuesve të ardhur nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria, për t’u bërë pjesë e shënimit të 100 vjetorit të Kryengritjes së Shtatorit të vitit 1913, të njohur si : “Kryengritja Dibrane 1913″. Historianët dhe studiuesit e tubuar në Dibër të Madhe, së bashku me qytetar të Dibrës e rrethinës, së saj, përfaqësuesve të pushtetit lokal nga Peshkopia dhe Dibra e Madhe, dhe një grup i dibranëve – familje të vjetra dibrane që jetojnë prej vitesh në Tiranë, dibranë nga Shtetet e Bashkuara(përfaqësues të Shoqatës Atdhetare Dibra në Staten Island – New York, së bashku me veprimtarin e dalluar të këtij komuniteti zotin Rrape Ruci – i cili njëhereshit, është edhe president i Insitutit Amerikano-Shqiptar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me seli në State Island, ishin pjesë e simposiumit kushtuar kësaj ngjarje të madhe historike, që u mbajt në Hotelin Uraniku në qendër të qytetit.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kreu i Këshillit Bashkiak, të Tiranës, zoti Njazi Kosovrasti, Gëzim Ostreni, kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, zoti Ilir Krosi, Kastriot Haxhirexha, Bashkim Mashkulli, kryetari i Shoqatës Bashkësia Dibrane, në Tiranë, zoti Saimir Shatku, zoti Tefik Jegeni, kryetari i shoqatës së Intelektualve dibranë zoti Fatos Daci, zoti Mexhit Capa, kryemyftiu i Dibrës Ramazan Hasa, profesorë, studies dhe historian të tjerë, të shquar nga qyteti i Dibrës, si dhe televizioni MTV2 dhe media lokale.

Pas prezantimit të historianëve dhe mysafirëve të nderuar, mbajtësve të kumetesave, moderatori i saj Ylli Mirzo ia dha fjalën përshëndetëse kryetarit të Komunës së Dibrës, zotit Ruzhdi Lata, i cili mes tjerash theksoi: “Kryengritja Dibrane ishte kryengritja shqiptare që erdhi pas atyre padrejtësive që iu bënë kombit tonë në atë kohë. Kjo kryengritje, është ngjarja më e rëndësishme dhe më e madhe e kësaj treve, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme historinë tonë, kombëtare, ajo është një kryengritje e cila u udhëhoq nga burrat më të mirë të Dibrës, të cilët bënë sakrificën më sublime për vatanin edhe  nderin e familjes, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre, për dinjitetin  dhe qënien e tyre në këto troje. Duke e përkujtuar këtë ngjarje, kreu i Dibranëve, zoti Lata, vlerësoi lart kontributin e të gjithë historianëve shqiptarë, e sidomos atyre dibran të cilët po japin një kontribut të paçmuar, në studimin e tyre rreth kësaj kryengritje, e cila ishte nga më të fuqishmet e asaj kohe për t’ju kundërvënë pushtuesve Serbë .Kryengritja e Dibrane, sipas tij është lufta e shqiptarve në fillim shekullin njëzet, për bashkimin kombëtar”- theksoi kryetari i komunës së Dibrës në cilësinë e mikëpritësit të kësaj konference.
Konferenca shkencore kushtuar 100 vjetorit të Kryengritjes se Shtatorit të vitit 1913, e njohur si : “Kryengritja Dibrane 1913″ që zhvilloi punimet nën kujdesin e komunës së Dibrës së Madhe, kryetarit të saj zotit Ruzhdi Lata, e parë në të gjitha trajtesat e saj si  ngjarja më e madhe historike e Dibrës, e cila hodhi mjaft dritë në ngjarjet e shtatorit të 1913, duke sjellë fakte e argumente të reja nga hulumtimet e shumta të studiuesve, historianeve dhe gjurmuesve të shumtë, pjesëmarrës në këtë Konferencë shkencore, që u mbajt në Hotel Uraniku në Dibër të Madhe.

Kjo konferencë që kishte mbledhur në një vend me rëndësi gjeo-politike shumë të rëndësishme të asaj kohe, studiues, gjurmues e hulumtues këta nga Shkupi, Tirana dhe Prishtina, me kumtesat që u paraqiten në këtë Konferencë, thanë se :”Kjo ishte kryengritje dhe lufta e parë e shqiptarëve për të mbrojtur dhe çliruar territoret e okupuara nga ushtria dhe hordhitë serbe, të asaj kohe. Kryengritje e shtatorit 1913, sipas tyre ishte lufta e parë e shqiptarëve për territoret që mbetën jashtë Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe pas konferencave ndërkombëtare, e sidomos  pas vendimeve të Konferencës së njohur të Londrës, që rezultoi me copëtimin e trojeve shqiptare dhe aneksimin e pushtimin nga ushtria serbe.

Në 100 vjetorin e Kryengritjes së Shtatorit 1913, ose të njohur si “Kryengritja Dibrane 1913”, pjesëmarrësit e Konferencës shkencore vlerësuan se Kryengritja Dibrane ishte goditje e fuqishme dhe e parë e armatosur e shqiptarëve ndaj pushtuesit të ri serb,  që kishte okupuar tashmë trojet e banuara me shqiptar në këtë pjesë të Ballkanit, ku edhe filloi të rritej rezistenca nga pushtuesve të egër, që sa kalonte koha represioni, dhuna dhe krimet ishin gjithnjë e më të egra, ndaj rezistenca shtohej paralelisht me dhunën dhe terrorin që serbët e ushtronin ndaj popullatës së Dibrës, Strugës, Ohrit  dhe rajoneve tjera përfshirë edhe Kosovën. Megjithëse, thanë oratorët ajo asnjëherë gjatë këtyre 100 vjetëve, nuk u vlerësua ashtu si e meritonte të trajtohej ajo, madje u tha se kjo kryengritje në kohën e komunizmit u quajt edhe “nxituar” dhe e pa menduar mirë.

Për këtë qëllim zbardhjen e saj të vërtet nga studiues dhe historian të njohur, pikërisht në këtë 100-vjetor të rezistencës së dibranëve kundër serbëve dhe i eksodit të tyre drejt Tiranës, fillimisht u përkujtuan këto ditë gjatë një konference shkencore që u mbajt në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, organizuar prej Unionit të Krijuesve dhe Gazetarëve Dibranë, me president Fatos Dacin  dhe dje gjatë pasditës së shtunë në Dibër të Madhe, organizuar nga Komuna e Dibrës, dhe përkujdesjen e madhe të kryetarit të saj zotit Ruzhdi Lata.Koferenca shkencore, e Dibrës me trajtesat e saj erdhi me fakte dhe dokumente të reja për këtë eveniment të rëndësishëm historik. Në këtë konferencë u mbajtën 5 trajtesa të ndryshme nga njëra tjetëra dhe të pa paraqitura më parë. Në këtë konferencë fillimisht u paraqitë profesori i universitetit të Prishtinës, Prof Dr. Mahmut Hysa, me trajtesën “Mbi kryengritjen dibrane dhe jehonën që pati ajo rreth e përqark Dibrës”. Më pas referuan zëvendës drejtori i Arkivit të Maqedonisë, zoti Qerim Lita, historiani i njohur nga Shqipëria, Uran Butka, studiesi dibran Agron Tufa, Drejtori i Institutit te Studimeve te Krimeve te Komunizmit, kërkoi  që kryengritja e shtatorit të zen vend në historinë e kombit shqiptar si një ngjarje e rëndësishme njëherazi edhe më tragjike e qëndresës së popullit shqiptar, për të hedhur poshtë robërinë serbo-malazeze dhe për të realizuar bashkimin me shtetin e pavarur shqiptar.  Më pas me trajtesat e tyre interesante erdhën dhe historiani prof. Gafur Zoto, dhe juristi Saimir Shatku, i cili është kryetar Shoqatës Bashkësia Dibrane, i nismës qytetare, intelektualësh dhe familjesh dibrane me banim në Tiranë.
Dhe në fund Konferenca kushtuar 100 vjetorit të Kryengritjes së Shtatorit të vitit 1913, të njohur si : “Kryengritja Dibrane 1913″, u përmbyll me një darkë gala – ku morën pjesë më shumë se 300 vetë e sposorizuar financierisht  nga veprimtari i njohur dibran në Amerikë, zoti Ylber Piku, një tjetër personalitet i njohur i diasporës shqiptare në SHBA, që do të evidentohej jo vetëm si pjesëmarrës aktiv, së bashku me bashkëshorten, dhe familjen e tij, por dhe si organizator e sponsor kryesor i këtyre dy aktivitetve në Tiranë dhe Dibër të Madhe.
Në këtë Konfrencë trajtuesit e saj kërkuan që këto trajtesa të botohen në një libër të veçantë, mbasi ato për shkak të kohës së limtiuar nuk u lexuan të plota, dhe në qendër të qytetit të Dibrës së Madhe, u propozua që të ngrihet një obeliskë kushtuar Kryengritjes Dibrane të viti 1913. .
Ndërsa, të gjithë mysafirët nga Tirana, sot gjatë ditës së diel vizituan qendrën e qytetit të Dibrës së Madhe dhe disa monumentet kulturoro-historike të kësaj ane, dhe familjet dibrane.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, Kryengritja e Dibres 1913

Konferenc​a e Londrës, nje padrejtësi për Dibrën dhe Shqipërinë​”

September 23, 2013 by dgreca

U zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, një veprimtari përkujtimore kushtuar Kryengritjes së Përgjithshme të Dibrës dhe eksodit të parë masiv dibran në Tiranë dhe Elbasan/
Nga Beqir SINA, Tiranë/
TIRANë :Në kuadrin e aktiviteteve të javës dibrane më datë 20 shtator 2013,në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u zhvillua një veprimtari përkujtimore kushtuar 100-vjetorit të Konferencës së padrejtësive të Londrës, Kryengritjes së Përgjithshme të Dibrës dhe eksodit të parë masivë dibran, në Tiranë dhe Elbasan.
Ky aktivitet ndoshta dhe i pari i këtij lloji për dibranët  u organizua nën kujdesin e shoqatës “Bashkësia Dibrane” me kryetar zotin Faruk Borova dhe shoqata “Unioni i krijuesve Dibranë” me kryetar zotin Fatos Daci, si dhe ndihmës modeste finnaciare të një grupi dibranësh në Amerikë anëtarë të kryesisë së SHAD.
Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të familjeve të vjetra dibrane, personalitetet të shquara dibrane veprimtar dhe aktivist dibranë që prej vitesh jetojnë në Shqipëri, kryeqytetin e shqiptarëve Tiranën. Ndërkohë, që një grup(30 veta) intelektualësh dibranë , veteran të arsimit profesor dhe arsimtarë me ndihmën financiare të veprimtarit dhe biznesmenit të suskseshëm dibran në SHBA, Ylber Pilku nga kompania – PilkuConstraction në Nju Jork, udhëtoi drejt Tiranës, për të marrë pjesë në këtë konferencë,kushtuar 100-vjetorit të Kryengritjes së Përgjithshme të Dibrës dhe eksodit të parë masivë dibran, në Tiranë dhe Elbasan.
Moderatore e këtij aktiviteti ishte zonjusha Ina Saraci.
Me këtë rast u mbajt një sesion shkencor kushtuar këtyre ngjarjeve historike jo vetëm për historinë e Dibrës, por edhe për historinë e kombit shqiptarë në të cilën personalitete të fushave të ndryshme të historisë, hulumtimeve dhe studimeve historike, mbajtën disa kumtesa mjaft interesante rreth këtyre ngjarjeve që ndodhen 100 vjet më parë duke sjellur edhe shpërnguljen ose muhaxhirllëkun e madh dibran, përtej kufirit shqiptaro – shqipëtar.
Profesoreshë Valentina Duka, mbajti kumtesën e saj të titulluar : “Konferenca e Londrës, nji padrejtësi për Dibrën dhe Shqipërinë”, ndërsa, Profesor Gazmend Shpuza, mbajti kumtesën shkencore me temë: “Dibra në vorbullën e pazareve diplomatike”. Kurse, zoti Fatos Daci publicist e historian, anëtar i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqipëtare të Shkencave dhe Arteve, mbajti trajtesën e tij me temë: “Dibra, nëntë vjet luftë me krajla, përballë masakrave e shpërnguljeve masive”.
Një vëmendje e vecantë në këtë konferencë, iu kushtua trajtesës që i bëri kësaj ngjarje historike për dibranët dhe kombin shqiptarë, profesori i njohur dibran Bajram Xhafa, i cili mbajti kumtesën e tij me temë: “Heroizmi dibran në Kryengritjen e Përgjithsme të Dibrës kundër pushtuesve serbë”.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  me një përshëndetje mjaft emocionuese në emër të komunitetit dibran, në këtë veprimtari erdhi enkas nga Nju Jorku, zoti Musa Pacuku – kryetari i shoqatës “Dibra” me seli në të ashtuquajturin “Ishulli i Dibranëve” Staten Island – Nju Jork, së bashku me veprimtarin e dalluar të këtij komuniteti zotin Rrape Ruci – i cili njëhereshit është edhe president i Insitutit Amerikano-Shqiptar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me seli në State Island.
Ndërkaq, aktori shqiptar nga Chicago Pajazit Murtishi recitoi një poezi të potetit tonë të madh Lashgush Poradeci.
Në kuadrin e kësaj veprimtarie organizatori i saj shpërndau disa mirënjohje, duke nderuar me certifikatë kryeqëndrën shqiptare Tiranën, e cila u bë shtëpia e dytë e dibranëve, sofra bujare dhe e mikëpritjes,që më 1913 priti dibranët dhe i sistemoi ato,:z. Arben Tafaj – kryetar i shoqatës “Tirana”, familjen Zyber Hallulli, dhe atë të profesor Haki Sharofit, si dhe Shoqatën atdhetare Dibra në Amerikë, dhe kryetarin e saj zotin Musa Pacuku, anëtarët e kryesisë zotin Rrape Ruci dhe Ylber Pilku.
Më pas u dha një program artistik me këngë e valle popullore, nga kjo krahinë e hershme shqiptare, ku kënduan këngëtarët e këngëtaret: ” Lirie Rasha, Caje Poleshi, Arif Madana, Zaim Tollja dhe Flora Shabani” , ndërsa, ansambli “Shqiponjat” u prezantua me një tufë me valle popullore të kësaj krahine.
Ndërkaq, nuk mund të anashkalohet edhe fakti se në këtë aktivitet organizatori i saj megjithëse nga Dibra e Madhe kishin ardhur enkas me këtë rastë duke udhëtuar me qindra kilometra, më shumë se 30 personalite të shquara dibrane, aktiivist dhe veprimtar, me keq ardhje asnjënjerit prej tyre, nuk iu dha fjala qoftë edhe ajo pershëndetëse për të falemnderuar të paktën Tiranën, për mikëpritjen e tyre historike, dhe sistemimin e dinranëve në atë kohë, e cila ka zanafillën e saj 100 vjet më parë me dibranët, të cilët, edhe sot e kësaj dite kanë edhe mëhallën e tyre në një nga lagjet më të njohura të Tiranës.

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, dibranet, eksodi masiv, Konferenca e Londres, ylber Pilku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 630
  • 631
  • 632
  • 633
  • 634
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT