• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

24 Shtator 1915 NJË DATË E PAHARRUESHME

September 23, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

                  Ne foto: Dedë Gjo’ Luli me të birin, Kolen/

Mali i Zi hyni për të dyten herë në Shkoder…Shpresat e Shkodranëve sa vinin e shuheshin dita me ditë.

Mjaft njerëz ishin ndër duert e pabesa të malazezëve. Bota ishte kapërthye ndër ngatrresat e mëdha e nuk i binte kujt ndër mend se a ka apo nuk ka kund Shqipni. Secili shtet veç çonte kryet mbi murin e atij komshij që kishte pranë dhe nuk mendonte tjetër, veç çka me i vjedhë apo me i shkye ndonjë copë tokë të mbetun pa mbrojtje. Pjesa ma e madhe e tyne mendonin me shty gardhiqet kufizuese tue marrë çka të mujshin me zhvatë prej fqinjëve. Shtetet e vogla, porsa përendonte dielli, mendonin se a kanë me u zgjue në mengjes pa u pasë shkelë nga thundra e një zaptuesit grabitçarë e vrasës, që gjithë natën ishin si kope ujqish lëshue në vendet e Europës. Nuk të jepej me mendue se a ka ndonjë shtet nga të mëdhejt që shikonte punën e vet apo kërkon me u mbrojtë.

Gjithkah e gjithkund veç shihej kjartë rreziku i sulmit të secilit nga ma të fuqishmit. Austria, ishte një nga shtetet që donte me shpirt dhe pa interes Popullin Shqiptar, dhe u ba shkak për Pavarësinë tonë të 1912. Kjo nuk kje lojë nën rrëgozë, por veprim i haptë dhe i pakompromis…

Kjo arritje e Austrisë kje një përpjekje e saj ma se 30-vjeçare, që mori hov njëheri me Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Nga ajo kohë e deri në Pavarësinë e Shqipnisë në 1912, vetëm po të bajmë një bilanc të përgatitjes së kuadrove të nalta në Universitetet e njohuna të Austrisë, apo ndihmat materiale për shkollat tona shqiptare të porsa çeluna, vetëm atëherë do të formonim një ide të kjartë për t’ ardhmen që po i hapej Shqipnisë, e ardhme që do të sillte pa dyshim Shqipninë Europiane.

Shqiptarët dolën nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër, vetëm se nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar tue i shërbye kujtdo përveç Atdheut!

Rusia synonte me kenë trashigimtare në të gjitha pjesët sllave që kishte pasë ose kishte ende nën kontroll Austria. Gjermania sa vinte e forcohej tue u ba rrezik për të gjithë shtetet e Europës që e shikonin me sy të shtrembët këte influencë të saj, që sa vinte e rritej. Franca ishte e para që friksohej nga forca e Gjermanisë, që Francës i krijonte vetëm pasiguri. Franca direkt nuk futej në luftë për problemet ballkanike, ndoshta për hatër të Rusisë dukej se sakrifikonte, por në fakt haptas nuk dilte. Anglia në vitin 1908 u bashkue me Antanten dhe kështu u krijue lidhja e tyne Tripalshe: Francë, Rusi dhe Angli. Mbi lidhjen e tyne të vitit 1891 mes Rusisë dhe Francës, ajo lidhje u pat përforcue në vitin 1894 me marrveshjet ushtarake. Hymja e Anglisë në këte Aleancë Tripalshe në vitin 1908 asht shkaku që solli pasojat e randa fatale e të pariparueshme të 1913, me Kongresin famkeq të Londrës, vendime që Europa u qendroi në mbrojtje të tyne tash ma se 100 vjet e kushedi deri kur!! I vetmi Shqiptar që demaskoi dhe parashikoi rrezikun që iu kërcnue Popullit Shqiptar, Trojeve dhe Tokave Etnike Shqiptare dhe Lirisë së Atdheut ishte At Gjergj Fishta, i cili vazhdon me kenë i “dëbuem” nga tradhëtarët shqiptarë dhe të gjithë përkrahësit e tyne edhe sot, dhe pikrisht për ato “letra të hapuna” me të cilat Ai ua ka tregue  rrugën e pakorrigjueshme të tradhëtisë së tyne. Pikpamjet e Tij janë vizioni i kjartë i gjithë Klerit Katolik Shqiptar, Atdhetar e Liridashës. Ngjarjet e sajueme në Serbi nga një atentat terrorist me 28 qersor 1914, kundër Princit austriak Franc Ferdinandi, sjellin gjakderdhjen e madhe…Bota e trazueme që nga viti 1908 u gjet në pellgun e sajuem nga vetë ajo prej të cilit nuk mujt me dalë pa vorrosë miljona të vramë.

Amerika, në dukje e “largët”, në caktimin e kufijve të vitit 1913 në Kongresin e Londres, porositë “Pavarësinë e Shqipnisë”, por me një kusht që “Rusisë duhet t’i ruhet mundësia e daljes në detin Adriatik me një rryp toke…”, e “këte rryp toke” shtetet europjane e gjetën në Ato krahina të çmueshme Shqiptare, ku përfshihej Hoti, Gruda dhe zonat e Tivarit e Ulqinit, që nuk u “quejten” kurrma Shqiptare. Në përputhje me këte vepër asht edhe Masakra e Tivarit e vitit 1945, kur kosovarët fatzezë i sjellin komunistët me spijunët e tyne Enver Hoxha e Ramiz Alia nga Kukësi, vrasin sa vrasin rrugës dhe tepricën nuk e kalojnë në tokat e Malit të Zi të qeverisuna nga “druzhe” Tito, (i cili mundohet me dalë lugë e lame në këte tradhëti), po i vrasin në trojet tona shqiptare, tue i tretë kufomat në brigjet e Adritikut, brijë Tivarit.

Pabesia shekullore serbe kishte depërtue edhe ma thellë se vija formale e kufinit me ta. Edhe miqësia e Rusisë me ta kje po aq e vjetër.

Na ishim të mësuem me këto ngatrresa, po me parashikue fatin e një kohe të ardhëshme ishte e vështirë. Malet e thepisuna, ku edhe ariu shkon me pritesë, ishin këthye në strehë Atdhetarësh. Kleri Katolik dhe shumë nga Atdhetarët u banë pré e ngatrresave dhe pazarlleqeve serbe. Vrasjet dhe lufta për shfarosjen e Tyne asht poaq e vazhdueshme.

Mbas Qeveritarëve të Nderuem të Qeverisë së Parë Shqiptare, tue përjashtue Mehdi Bej Frashërin, Mustafa Krujen apo Anëtarët e Asaj Rregjence të 1943 – 44 të njollosun me tana të zezat tash 65 vjet, janë pothuej të gjithë drejtuesit e ardhun në pushtet nga Serbia, ose të lidhun drejtpërsëdrejti me interesat e veta, në dam të Atdheut, Shtetit dhe të Popullit Shqiptar, që luftuen për kolltukun dhe mbushjen e xhepave të tyne, tue tradhëtue interesat e Shqiptarëve që u vriteshin pabesisht si derrat e egjer prej tyne ndër male e fusha, ku pabesia mbretnonte.

Kjo psikologji nuk ishte e panjohun as nga Malësorët tanë, që interesin e Atdheut e të Flamurit të Gjergj Kastriotit e kishin të ngjeshun për kafazin e krahnorit, e të pazgjidhun asnjëherë mbi të Katër Gozhdat që vinin dorën e Tyne të djathtë gjithmonë para se me shkue në luftë…

Ishte ideali i naltë “Atdhe e Fe”, që kishte rindërtue në Shpirtin e Tyne virtutin e paster të Lirisë, që Malësorët e Veriut me Prijsin e tyne Dedë Gjo’ Lulin i bani të përjetshëm.

Dedë Gjo’ Luli mendoi me u largue për pak kohë me shpresë se do të ndryshonte gjendja dhe do të kthente prap ndër Malet e veta.

Ishte vetëm pjekunia e Tij për mos me ua shtue gjakderdhjen e vllazënve të vet në këte situatë kausi ballkanik.

Mori rrugën nga Mazrreku dhe shkoi në Pukë. I përcjellun me miq, doli në Qelzë të Pukës, e aty u nda nga Ata Atdhetarët e vet besnikë me të cilët Ai mendoi se do të shihej shpejt, kështu Don Loro Caka, Rexhep Shala, Ndoc Ndoja dhe Simon Doda u kthyen, ndërsa Deda me djalin tjetër dhe me Nik Prelocin u nisën për Mirditë. Kaloi lumin Drin dhe hyni në thellsi të maleve të egra të Mirditës jo ma pak të lame me gjak për Liri. Atje për tre muej pat përpjekje me forcat e tradhëtarit Esad Pashë Toptani, i shpallun “besnik” i të gjithë shteteve shoveniste që na rrethonin dhe që kërkonin pjesë në Tokat Shqiptare. U pat shërbye të gjithëve pa dhimbje sa kje gjallë dhe i vdekun.

Dedë Gjo’ Luli nuk arrijti me i shpëtue kurthës së tradhëtarit, po u gjet i rrethuem në mes tyne bashkë me Nik Prelocin e djalin e vet Kolën tek qela e Oroshit, ku Deda mendonte se do të gjente aty disa besnikë, që po e pritnin edhe ata të armatosun. Porsa po afrohej në vendin e caktuem, aty u gjet në mes të shumë ushtarëve serbë, që porsa i pa, Deda kuptoi gjithshka, dhe tha: “Sot kemi mbarue!” Ishte data 24 Shtator 1915. U koll; pështyu për tokë dhe trimnisht iu afrue komandantit serb, i cili kërkoi nga Deda që me i tregue drejtimin e shokëve të vet. Deda iu përgjigj se nuk kishte me i tregue kurrë Ata. Ushtarët serb e ndanë Deden nga Nika dhe i biri, të cilët ua dorzuen ushtarëve esadistë, ndërsa  Dedën e lidhën dhe u nisën nga Mali i Shejtë i Oroshit, ku e mbytën tue e therë me bajoneta derisa i doli Shpirti. Trupin e mbuluen me gjeth dhe e lanë mbi dhe. Disa barijë mirditas e patën gjetë rastësisht dhe mbas gati pesë javësh, prifti i fshatit, mbasi e mori vesht vendin nga barijtë, e pat marrë natën me datë 8 Tetor 1915 dhe e pat vorrosë tek Kisha e Oroshit, pa i tregue askujt për këte. Aty asht mbajtë deri në vitin 1917. Atë vit Delegati Apostolik i Vatkanit në Shqipni, Imz. Ernesto Cozzi, që ishte edhe Feldkural i ushtrisë Austro – Hungareze, dhe Mik zemre i Dedë Gjo’ Lulit e shpesh bashkëpunëtor i Tij, bani hetime; madje Ai vet u interesue me ia stolisë vorrin me rrasa të latueme guri. Ai u ba edhe ndërmjetës me gjetë edhe trupin e Djalit të madh të Dedës, Kolën për të cilin ishte interesue me kohë e shoqja.

Eshtnat e Tij i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se:

“Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 24 shtator 1915, Ded Gjo Luli, Fritz radovani

Histori: Çfarë ndodhi më 20 shtator?

September 21, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

480 pes. – Grekët mundin persët në betejën detare të Salaminës, ishull pranë Athinës. Kjo betejë shënoi pikën kulmore të pushtimit persian. Një vit më pas, grekët hidhen në ofensivë, mundin persët në betejën e Plateas, duke i dhënë fund pushtimit.

1187 – Saladini fillon rrethimin e Jeruzalemit që zgjati deri më 2 tetor kur qyteti u dorëzua dhe banorët u lejuan të largoheshin kundrejt një pagese. Disfata e Jeruzalemit sinjalizoi fundin e Mbretërisë së parë të Jeruzalemit. Evropa u përgjigj në vitin 1189 me Kryqezatën e tretë të udhëhequr nga Richard Zemërluani, Filip Augustus, dhe Frederik Barbarossa, secili me ushtritë e veta.

1519 – Ferdinand Magellani fillon lundrimin rreth globit. Ai kishte nën komandë një flotë prej 5 anijesh (Trinidad, San Antonio, Concepcion, Santiago, Victoria) dhe rreth 240 marinarë. Magelani ishte portugez, por i shërbeu mbretit të Spanjës në kërkim të një rruge detare drejt perëndimit për në ishujt indonezianë të pasur me erëza e bimë ekzotike. Magelani ishte i pari që lundroi nga Oqeani Atlantik në Oqeanin Paqësor (i quajtur “deti paqësor” nga vetë ai), duke kaluar nëpër Ngushticën që u quajt “e Magelanit”. Ekspedita arriti të kryejë lundrimin e parë rreth tokës, megjithëse nga 5 anijet, vetëm “Viktoria” me disa marinarë në bord mundi të mbërrinte në brigjet spanjolle. Madje, as vetë Magelani nuk arriti t’a përfundonte lundrimin – ai mbeti i vrarë gjatë një beteje në Filipine.

1685 – Në Padova të Italisë del nga shtypi libri “Çeta e profetëve” i Pjetër Bogdanit, vepër teologjike-filozofike, edhe letrare shqipe. Pjeter Bogdani – kryeipeshkëv, teolog dhe filozof – lindi me 1625? në Gur te Hasit (midis Kukesit dhe Prizrenit) dhe vdiq me 1689 në Prishtinë. “Çeta e profetëve” cilësohet jo vetem si libri i parë i prozës origjinale shqipe, por edhe si një nga monumentet e gjuhës për konceptet që artikulon duke u shtuar shqiptarëve të asaj kohe krenarinë për pasurinë shprehëse të gjuhës së tyre. Zhdërvjelltesia e të shprehurit të Bogdanit tregon gjithashtu se gjuha shqipe është shumë më e vjeter sesa dolumentohet – prandaj Pjeter Bogdani edhe është quajtur përfaqësues i hershëm i lëvizjes së Rilindjes Kombëtare. Ja si shkruan ai në parathënie për lexuesin: “…Të lutemi pra, litari em i urtë, të më ndijeçë në gjeç fjalëzë, që të trazon veshëtë. Përse as dielli pa hije as hëna pa mjegullore mbi faqe nuk anshtë…” Rreth Pjeter Bogdanit jane kryer shumë studime ku veçojmë librin “Vepra e Bogdanit 1675–1685” nga doktor Ibrahim Rugova më 1982, atëhere studiues e kritik i njohur para se të bëhej i famshëm edhe si politikan dhe shtet-formues.

1848 – U themelua në Filadelfia Shoqata Amerikane për Avancimin e Shkencës. Fillimisht me vetëm 87 anëtarë, sot, kjo shoqatë është organizata më i madhe dhe më e njohur në botën shkencore; ka rreth 127-mijë anëtarë, dhe është botuesja e revistës së njohur Science me një tirazh javor prej 140 mijë kopjesh.

1870 – Trupat italiane marin kontrollin e Shteteve të Papës, duke çuar në bashkimin e Italisë.

1881 – Nënpresidenti Chester A. Arthur përurohet si Presidenti i 21-të i Shteteve të Bashkuara pas vrasjes së James Garfield në stacionin hekurudhor Baltimore – Potomak afër Uashingtonit. Garfield u qëllua nga Charles J. Guiteau më pak se katër muaj pasi ishte zgjedhur President. Garfield vdiq më 19 shtator, duke u bërë i dyti mes katër Presidentëve të vrarë; pas Abraham Linkolnit, dhe duke i paraprirë William McKinlit dhe John F. Kennedit. Garfield jetoi më gjatë pas të shtënave,11 javë, në krahasim me presidentët e tjerë. Lincolni dhe Kennedi vdiqën ditën që u qëlluan, ndërsa McKinley vdiq një javë pas të shtënave.

1946 – Hapet festivali vjetor i filmit në Kanë. Festivali ishte planifikuar të fillonte në vitin 1939, por shpërthimi i luftës së dytë botërore detyroi anulimin e përurimit të kësaj ngjarjeje. Festivali i parë ndërkombëtar i filmit u mbajt në Venecia në vitin 1932. Deri në vitin 1938 ky festival ishte kthyer në vegël propagande fashiste e naziste, me Musolinin dhe Hitlerin që diktonin përzgjedhjen e filmave dhe i ndanin çmimet mes vendeve të tyre. E zemeruar nga kjo, Franca vendosi te organizoje një festival alternativ filmi, atë të Kanës në rivierën franceze.

1909 – Parlamenti britanik miraton Aktin për krijimin e shtetit të Afrikës së Jugut nga bashkimi i kolonive britanike; Kepi i Shpresës së Mirë, Natal, Orange River, dhe Transvaal.

1955 – Në Tiranë, Zëri i Popullit, duke cituar Gazetën Zyrtare, shpall planet për riatdhesimin e te gjithë italianëve që mbaheshin në burgje politike, në kampe të punës së detyruar ose në fshatra internimi në Shqipëri. Mes tyre ishte edhe prifti jezuit At Giacomo Gardini, i cili u transportua nga një kampi i punës së detyruar për në portin e Durrësit. Natën e 24 shtatorit, ish-të burgosurit u nisën me anije për në Itali. Pak vite më vonë, At Gardini botoi edhe një libër me deshmi mbi jetën në burgjet dhe kampet e punës së detyruar ku njerëzit mbaheshin në kishte çnjerëzore.

2001 – Në një fjalim para dy dhomave të Kongresit dhe drejtuar popullit amerikan, presidenti George W. Bush shpall luftën kundër terrorizmit.

2011 – Shtetet e Bashkuara shfuqizojnë politikën “Mos Pyet, Mos thuaj” duke lejuar homoseksualët për të shërbyer hapur për herë të parë në ushtri.

Mendim i ditës

“Ne do të donim për të jetuar si dikur, por historia nuk n’a e lejon këtë.”

John F. Kennedy

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ndodhi, me 20 shtator

LUFTËRAT BALLKANIKE – KRIMET SERBE NDAJ SHQIPTARËVE

September 19, 2013 by dgreca

Shkruan: Xhelal Zejneli/

Kanë kaluar një shekull nga luftërat ballkanike. Në vitin 1912 Mbretëria e Serbisë e pushtoi Kosovën. Menjëherë pas kësaj filloi politika e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, e përcjellë edhe me shpërnguljen e dhunshme të tyre nga trojet stërgjyshore. Krahas kësaj ka rrjedhur edhe procesi i kolonizimit të Kosovës me serbë.Pushtimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912 u shoqërua me krime të rënda ndaj popullsisë shqiptare. Pas pushtimit të Kosovës u zbatua politika e dëbimit të shqiptarëve për në Anadolli. Ndaj shqiptarëve që nuk i lëshuan trojet dardane, serbët ndoqën politikën e forcës, të gjenocidit dhe të kolonializmit.

Ndaj politikës kolonialiste serbe në Kosovë, përfshi edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi,  kancelaritë e Evropës kurrë s’kanë reaguar.

Të ushtrohet gjenocid ndaj një populli – në Evropë – dhe kancelaritë e saj të rinë duarkryq, kjo është absurde.

*   *   *

Krimet serbe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare – Për krimet serbe ndaj shqiptarëve në kohën e luftërave ballanike 1912-1913 flasin edhe të dhënat e disa studiuesve dhe intelektualëve serbë të asaj kohe, të publikuara në shtypin e kohës në Beograd si dhe në periudhat e mëvonshme.

Në periudhën e Mbretërisë së Jugosllavisë, terror dhe vrasje mbi popullsinë shqiptare kanë kryer të ashtuquajturat “aradha fluturuese” (leteći odredi) të ushtrisë, të policisë dhe të çetnikëve serbë.

Politikën imperialiste serbomadhe të periudhës së luftërave ballkanike e ka demaskuar edhe publicisti dhe socialdemokrati serb Kosta Novakoviq (1886-1939), autor i librit Katër muaj në Shqipërinë qendrore, Beograd, 1914. Në vitin 1912, në gazetën Radničke novine të Beogradit, midis tjerash ai shkruan: “Ka dalë në skenë një Serbi imperialiste, pan-Serbia, me dinastinë e saj panserbe dhe me militarizmin panserb. Ky imperializëm i ri, i egër, brutal dhe i pamëshirshëm ëndërron për ringjalljen e perandorisë së Dushanit”.

Në artikullin e vet Kolonizimi dhe serbizimi i Kosovës, për krimet serbe të viteve 1912 dhe 1913 Kosta Novakoviqi shkruan:

“Kosova është një territor i pastër shqiptar. Serbë në të ka vetëm 10 deri në 15 %. Imperialistët serbë kanë përdorur taktika dhe metoda të luftëtarëve mesjetarë apo të pushtuesve kolonialistë: shfarosjen e popullatës shqiptare nën pretekstin e zhvillimit të operacioneve ushtarake, çarmatosjen e popullatës shqiptare dhe shtypjen e qëndresës së armatosur të shqiptarëve. Në vitin 1912 dhe 1913 serbët kanë vrarë 120.000 shqiptarë – burra, gra, djem, pleq, plaka dhe fëmijë. Qindra fshatra janë goditur me armatime të rënda, artileri dhe topa. Një numër i madh i fshatrave në Kosovë por edhe në Maqedoni – janë djegur. Të paktën 50.000 shqiptarë, për ta shpëtuar jetën nga masakrat e forcave ushtarake serbe, u detyruan t’i braktisin trojet e veta, të bëhen refugjatë dhe të ikin për në Turqi dhe Shqipëri. Kjo politikë shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës e dobësoi faktorin shqiptar në të, por në asnjë mënyrë nuk e ndryshoi karakterin shqiptar të saj. Me këto masakra të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, Serbia synonte ta zbrazë atë vend, në mënyrë që ta kolonizonte me serbë dhe malazezë si dhe ta serbizonte atë.

 Ambasador i Rusisë cariste në Beograd në periudhën e luftërave ballkanike ka qenë  Nikollaj Genrikoviç Hartvig (1857-1914). I njohur për idetë tij pan-sllaviste, ka qenë dhe “më serb se  serbët”. Në prag të Luftës së Parë Botërore ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e qeverisë serbe. Ka mbështetur fuqimisht pushtimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare si dhe krimet e ushtrisë serbe dhe të njësive paramilitare ndaj popullatës civile shqiptare.

Prej vitit 1918 deri në vitin 1938 ushtria pushtuese serbe ka djegur dhe ka shkatërruar 320 fshatra shqiptare. Vetëm në periudhën e viteve 1918-1921, në viset shqiptare serbët kanë bërë një terror, deri atëherë të paparë në Evropë: kanë vrarë 12.346 vetë, kanë burgosur 22.160 vetë, kanë plaçkitur 50.515 shtëpi, ndërsa 6.125 shtëpi kanë djegur.

Të dhëna të caktuara për krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, në kohën e luftërave ballkanike jep edhe Trocki (Lev Davidoviç Bronshtajn, 1879-1940), në një artikull të botuar me titull “Prapa perdeve të luftërave ballkanike”, të publikuar për herë të parë në Kievskaya Mysl, Kiev, No. 355, datë 23.12.1912

Për hetimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1913 u formua edhe një komision ndërkombëtar. Për masakrat e konstatuara u hartua një dokument me titull Raport i Komisionit për investigimin e shkaqeve dhe për rrjedhën e luftërave ballkanike. Raporti u publikua në Uashington D.C. në vitin 1914 nga Carnegie Endoëment for International Peace.  Komisioni i lartpërmendur përbëhej nga profesorë universitarë dhe individë të tjerë prominentë nga Franca, Britania e Madhe, SHBA-ja, Gjermania, Austria dhe Rusia. Anëtarë të këtij Komisioni ishin edhe tre laureatë të Çmimit Nobel.

 

*   *   *

Politika e pastrimit etnik – Në Mbretërinë e Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, e cila prej vitit 1929 do të quhet Mbretëria e Jugosllavisë, Beogradi nuk e njihte ekzistimin e bashkësisë etnike shqiptare, ndaj i quante myslimanë.

Dëbimi i dhunshëm i myslimanëve, d.m.th. i shqiptarëve nga Kosova, nga Sanxhaku dhe nga Maqedonia filloi në Luftën e Parë Ballkanike në tetor të vitit 1912. Sipas dokumenteve të diplomacisë serbe, deri në gusht të vitit 1914 nga viset e sipërthëna janë shpërngulur 281.747 banorë, duke mos i llogaritur fëmijët e moshës deri gjashtë vjeç. (Dokumente për politikën e jashtme të Mbretërisë së Serbisë 1903-1914, Libri VII, Vëllimi 1, Beograd, 1980, f. 617-618).

Familjet shqiptare, prej rajoneve të sapo pushtuara, nëpër Greqi u deportuan për në Turqi. Popullata myslimane e shteteve ballkanike duhej të vendoseshin në brigjet e Anatolisë, ndërsa shqiptarët, përpos në Turqi, duhej të vendoseshin edhe në vilajetet Halep dhe Bagdad, në Siri dhe në Irak. (Dokumente për politikan e jashtme të Mbretërisë së Serbisë 1903-1914, Libri VII/2, f. 319 Nr. 186, ASSHA, Beograd, 1980).

Në pronat e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë, qeveria serbe solli mbi 20.000 familje serbe, ndërsa qeveria e Malit të Zi planifikonte të vendosë 5.000 familje në rrafshin e Dukagjinit. (Dr. Branko Babiq, Politika e Malit të Zi në viset e sapo çliruara 1912-1914, Titograd, 1984, f. 267-277).

Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve vazhdoi edhe në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë. Pas kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë në vitin 1918, shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve, pa detyrim kthimi, ka vazhduar deri në Luftën e Dytë Botërore.

Përpos shpërnguljes për në Turqi, një numër i madh i shqiptarëve kanë emigruar edhe për në Shqipëri. Historiani dhe akademiku serb Dimitrije Bogdanoviq (1930-1986) në veprën e tij Libri për Kosovën thotë se vetëm në vitin 1921, nga viset shqiptare në Jugosllavi janë shpërngulur për në Shqipëri rreth 40.000 shqiptarë.

Pushteti i Beogradit ka organizuar formacione paraushtarake të çetnikëve të udhëhequra nga Kosta Peqanac, Miliq Kërstiq, Jovan Babunski, Vasilije Tribiq etj., të cilët kanë ndërmarrë ekspedita ndëshkuese duke ushtruar dhunë, terror dhe plaçkitje të organizuar. Më 7 tetor 1938 Ministria e Ushtrisë e Mbretërisë së Jugosllavisë jep urdhër për vazhdimin e shpërnguljes së shqiptarëve, ndërkaq Komanda e Armatës III propozon masa që ky aksion të zbatohet “me maturi, në mënyrë sistematike, por edhe energjike”, të vendoset këtu elementi serb dhe të bëhen përpjekje që brenda një kohe sa më të shkurtër masat kompakte të fuqishme të arnautëve të shkatërrohen.

Dimitrije Bogdanoviqi, i njohur për pikëpamjet e tij serbomadhe dhe antishqiptare, në librin e lartpërmendur shkruan se në fillim të vitit 1936 Turqia kishte shprehur gatishmëri për të lidhur me Jugosllavinë marrëveshje formale për shpërnguljen e 200.000 banorëve “të cilët, për nga mentaliteti janë të ngjashëm me turqit, në mënyrë që në Turqi të asimilohen më lehtë”.[Dimitrije Bogdanović, Knjiga o Kosovu, Beograd 1986, botim i ASSHA. Redaktor i botimit të këtij libri është akademiku serb – shkrimtari Antonio Isakoviq (1923-2002), njëri prej hartuesve të Memorandumit të ASSHA-s]  Ky libër u shkrua në vitin 1985 dhe u botua  një vit më vonë, pothuajse në të njëjtën kohë kur doli në Beograd – si një libër anonim – edhe Memorandumi famëkeq i akademikëve serbë, në janar 1986.

Në periudhën prej vitit 1919 deri në vitin 1940, prej Mbretërisë së Jugosllavisë për në Turqi janë shpërngulur gjithsej 255.878 myslimanë. Prej tyre,215.412 shqiptarë; 27.884 turq; dhe 2.582 boshnjakë.

Për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, për uzurpimin e tokave të tyre dhe për terrorin mbi ta nën regjimin e monarkisë serbe, jepen të dhëna edhe në Enciklopedinë ushtarake (Vojna enciklopedija, Beograd, 1972, knjiga četvrta, f. 656).

Politikani serb nga Kroacia, i periudhës midis dy luftërave botërore, Svetozar Pribiçeviq (1875-1936), në studimin e tij Diktatura e Mbretit Aleksandër, thotë se pas vendosjes së diktaturës, Mbretëria e Jugosllavisë e ka intensifikuar pastrimin etnik të trojeve shqiptare, me ç’rast rolin kryesor e ka luajtur Klubi Kulturor Serb në Beograd, i drejtuar nga Sllobodan Jovanoviqi (1869-1958) – profesor i Fakultetit të Drejtësisë, historian dhe rektori i Universitetit të Beogradit. Ky klub në të cilin tuboheshin akademikët serbë, intelektualët eminentë dhe profesorët universitarë, mbështetej edhe nga administrata shtetërore. (Svetozar Pribičević, La dictature du roi Alexander, Paris, 1933; Diktatuara Kralja Aleksandra, Beograd, 1983, f.15; Diktatura Kralja Aleksandra, Globus Zagreb, 1990, f. 311).

Publicisti i sotëm serb Vladan Jovanoviq, në studimin e tij Në kërkim të atdheut – migrimet e myslimanëve nga Jugosllavia për në Turqi 1918-1941, thotë se në vitin 1935 autoritetet jugosllave kanë organizuar në Beograd një takim në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e pesë ministrive të shtetit dhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, me ç’rast është hartuar projekti “për shpërnguljen e elementit josllav nga Serbia Jugore”. Një prej konkluzioneve të këtij projekti ka qenë: Miratimit urgjent i një konvente dypalëshe me Turqinë. Me një marrëveshje që do të arrihej, parashikohej:

– personat të cilët vullnetarisht heqin dorë nga shtetësia jugosllave, do të lirohen nga të gjitha tatimet dhe nga detyrimet ushtarake; si dhe

– transporti falas për ata të cilët pasurinë e vet të paluajtshme do t’ia lenin shtetit.

  

Propozimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllave u miratuan si masa për shpërnguljen “e suksesshme dhe të shpejtë të popullatës josllave” për në Turqi dhe Shqipëri.

 

Masat e sipërthëna, ndërmjet tjerash përfshinin:

 

– luftimin e propagandës kundër shpërnguljes, që zhvillohej nga Tirana;

– thirrjen e shpeshtë të rekrutëve shqiptarë të zonave kufitare në stërvitje ushtarake;

– ndalimin e pranimit në shërbime shtetëror “të personave që janë të parashikuar për shpërngulje”;

– zhvendosjen e nëpunësve aktualë josllavë (d.m.th. shqiptarë) në zonat e tjera të vendit;

– “shtetëzimin e objekteve gjeografike dhe ndërrimin e mbiemrave personalë” etj.

 

Me këtë rast, ushtria serbe flet edhe për rolin e rëndësishëm që duhet të luajnë Kisha Ortodokse Serbe, mbrojtja popullore dhe iniciativa private.

 

*   *   *

Politika afatgjatë e largimit të dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore për në Anadolli dhe prolongimi i shpërnguljes së tyre, has në kritikat e akademikut serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990). Për ta zgjidhur shpejt dhe për t’i dhënë fund “çështjes shqiptare”, autori i memorandumit apo i elaboratit famëkeq të dëbimit të shqiptarëve nga Kosova dhe kolonizimit të saj me serbë dhe malazezë, propozon mënyra efektive dhe konkrete të pastrimit etnik.

Në studimin Ideologjia e Serbisë së madhe, politikani kroat Ante Belo (1946-) shkruan se projektin e dëbimit të shqiptarëve për në Turqi e hartoi Çubrilloviqi në vitin 1937, e pikërisht për qeverinë e kryeministrit Stojadinoviq të Mbretërisë së Jugosllavisë. Atë duhej ta zbatonin autoritetet shtetërore. Midis tjerash, Çubrilloviqi shkruan:

“Shqiptarët është e pamundur të luftohen vetëm nëpërmjet kolonizimit gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e organizuar, e organeve të shtetit. Në këtë pikëpamje,  serbët  gjithmonë kanë qenë mbi ta.”(Ante Beljo, Ideologija Velike Srbije, artikull në Hrvatski iseljeniçki zbornik, Zagreb, 1995, f. 219-238).

Pas politikës së dhunës dhe të pastrimit etnik të trojeve shqiptare, Serbia zbatoi politikën e kolonizimit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare me kolonë serbë dhe malazezë.

 

Konventa ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë

për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet stërgjyshore nën pushtimin serb

 

Kontaktet e para shtetërore ndërmjet Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (SKS) dhe Turqisë lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve, janë realizuar në vitin 1926, ndërsa në vitin 1933 është përcaktuar platforma e re e Ministrisë Jugosllave të Agrikulturës, ideja kryesore e së cilës ka qenë se ekspatriacioni (çatdhesimi) i shqiptarëve mund të kryhet vetëm në kuadër të një procesi afatgjatë, e pikërisht për dy arsye:

– e para, Jugosllavia nuk ka mjete të mjaftueshme për ta realizuar një projekt të tillë;

– e dyta, rrethanat ndërkombëtare nuk do të lejonin që deportimi i shqiptarëve të realizohet në afat të shkurtër.

Vlladan Jovanoviqi në studimin e sipërthënë shkruan se veprimtaritë shtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi arritën kulmin me nënshkrimin e konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë.

Prej 9 deri më 11 korrik 1938 në Stamboll janë mbajtur një varg mbledhjesh për përgatitjen e Marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë për shpërnguljen e shqiptarëve. Të dyja palët kanë rënë dakord që brenda gjashtë vitesh, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi të shpërngulen 40.000 familje shqiptare në zonat e shkreta, të pabanuara të Anatolisë. Konventa ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë u nënshkrua më 11 korrik 1938 dhe duhej të hynte në fuqi pasi ta ratifikonin parlamentet e t ë dy vendeve. Me shpërnguljen ne shqiptarëve duhej të liroheshin tokat pjellore dhe të punueshme për serbët që do të vinin prej viseve pasive të Serbisë8.

Me nenin 2 të Konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë parashikohej ekspatriacioni (çatdhesimi) i plotë i shqiptarëve nga shumë qytete të tyre, midis të cilëve janë: Prizreni, Ferizaj, Prishtina, Kaçaniku, Gjilani, Presheva, Peja, Istogu, Mitrovica, Gjakova, Vushtrria (Vuçitërni), Drenica si dhe nga qytetet e tjera shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Për pesë vitet e para të shpërnguljes, d.m.th. në periudhën e viteve 1939-1944, sipas konventës së sipërthënë parashikohej të shpërnguleshin në Turqi 25.000 familje shqiptare, e pikërisht me dinamikën vijuese: 4.000 familje në vitin 1939; 6.000 familje në vitin 1949; 7.000 familje në vitet 1941 dhe 1942; dhe 8.000 familje në vitet 1943 dhe 1944.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë, një familje ka mundur të përmbajë deri në 250 anëtarë, kështu që 40.000 familje shqiptare kanë mundur të arrijnë edhe mbi 1 milionë vetë.

Ratifikimi dhe realizimi i  kësaj konvente  është penguar për shkak të:

– mosmarrëveshjeve financiare ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë,

– fushatës së autoriteteve të Shqipërisë kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore për në Turqi si dhe

– shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

 

Edhe pse kjo marrëveshje nuk është ratifikuar dhe nuk është zbatuar siç ka qenë planifikuar, ka pasur pasoja të rënda për pozitën dhe të ardhmen e popullit shqiptar në Jugosllavi.

 

Pastrimi etnik afatgjatë dhe kolonizimi i viseve shqiptare në Jugosllavi ka shkaktuar ndryshimin etnik të strukturës së popullsisë. Masat e dhunshme të ndërmarra nga Beogradi ndaj shqiptarëve, kanë ndikuar që marrëdhëniet e grupeve etnike gjithmonë të jenë të  tensionuara, e sidomos ndërmjet shqiptarëve vendas dhe kolonëve serbë. Kjo ka ndikuar edhe në thellimin e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve.

 

*   *   *

Ideologjia kombëtare serbe – Ideologjinë nacionaliste serbe të Ilija Garashaninit (1812-1874) të paraqitur në projektin e tij Naçertanije, Beograd 1844 si dhe të filologut dhe mbledhësit të këngëve popullore serbe Vuk Stefanoviq Karaxhiqit (1787-1864), do ta vazhdojnë me devotshmëri intelektualët serbë të qarqeve akademike dhe universitare të fillimit të shekullit XX.

Në vitet 1912-1918, ideologë të njohur të të ashtuquajturës çështje kombëtare serbe, kësaj murtaje të zezë të Ballkanit, ishin studiuesit, intelektualët, profesorët universitarë dhe akademikët serbë, si: Jovan Cvijiqi (1865-1927); Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1939) – autor i librit famëkeq Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913; Stojan Novakoviqi (1842-1915), filolog dhe historian i letërsisë, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe, kryeministër i Qeverisë së Serbisë; Nikolla Stojanoviq (1880-1966), jurist dhe politikan serb nga BH; Stevan Moleviq (1888-1959), politikan, publicist dhe avokat serb nga BH, autor i një memorandumi që mban titullin Serbia homogjene (Homogena Srbija), të vënë në qarkullim në Nikshiq të Malit të Zi më 30 qershor 1941. Në të i paraqet ambiciet territoriale të Serbisë dhe “të drejtën” e saj për të dominuar në Jugosllavi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Moleviqi ka qenë këshilltar i udhëheqësit të Lëvizjes së Çetnikëve – Drazha Mihajlloviqit.

Vijës së kësaj ideologjie vepruan hartuesit e Memorandumit të ASSHA (SANU) që u botua në Beograd si një libër anonim në janar të vitit 1986: filologu Pavle Joviq; shkrimtari Antonije Isakoviq; biologu i biologjisë molekulare Dushan Kanazir; filozofi Mihajlo Markoviq; historiani i artit Dejan Medakoviq; historiani i letërsisë Miroslav Pantiq; gjeologu dhe paleontologu Nikolla Pantiq; historiani Radovan Samarxhiq; profesori i fakultetit të mjekësisë dhe shkencëtari Lubisha Rakiq; historiani Vasilije Krestiq; inxhinieri i makinerisë Miomir Vukobratoviq dhe kritiku i artit figurativ, piktori Stojan Gjeliq. Në krye të tyre qëndronte babai i kombit serb, shkrimtari dhe akademiku me shkollë të mesme bujqësore Dobrica Qosiq.

 

Nga ideologjia në agresion – Ideologjia serbomadhe u bë politikë shtetërore e Serbisë dhe u zbatua nga: karagjorgjeviqët, Nikolla Pashiqi (1845-1926), Aleksandër Rankoviqi (1909-1983) dhe Sllobodan Millosheviqi (1941-2006).

 

Synimi i tyre ishte:

 

– ta rimëkëmbin perandorinë e car Dushanit dhe ta krijojnë Serbinë e Madhe;

– të ndjekin politikë hegjemoniste, ekspansioniste, centraliste, unitariste dhe etatiste;

– t’ia caktojnë Serbisë rolin e Piemontit  në gadishull;

– t‘i sigurojnë Serbisë rol dominues në  Jugosllavi dhe në Ballkanin – fuçi baruti;

– ta shndërrojnë Serbinë në faktor të rëndësishëm në rajon, në mënyrë që fuqitë evropiane, për t’i realizuar synimet e tyre strategjike, të llogarisnin në aleancën e serbëve;

– të përhapin propagandë se serbët janë popull hyjnor (nebeski narod);

– t’ua bëjmë me dije kancelarive të fuqive të mëdha se serbët janë popull historik;

– t’u tregojmë fuqive historike të Evropës se serbët janë popull politik;

– ta bindim faktorin ndërkombëtar influent se popujt e tjerë të rajonit, nuk janë as popuj historik dhe as popuj politik.

 

Duhet t’u bëhet me dije kancelarive të evropiane se: serbët kanë traditë shtetërore dhe ushtri të fortë; në çaste të caktuara historike kanë marrë pjesë në luftëra; janë rreshtuar në anën e drejtë; kanë luftuar përkrah forcave ngadhënjyese; ushtritë serbe kanë bërë luftëra frontale dhe kanë shpërthyer fronte etj.

Shpërthimin e frontit të Selanikut në tetor të vitit 1917 në Luftën e Parë Botërore, përkrah ushtrive franceze, angleze dhe greke, kundër ushtrive gjermane, austro-hungareze dhe bullgare, serbët e kanë shndërruar në mit.

Në saje të atributeve të mësipërme, serbët merituakan të dominojnë në gadishull.

 

*   *   *

Sipas radikalëve serbë, populli serb ndahet në tre religjione: serbët në Serbi janë serbë të fesë ortodokse; kroatët në Kroaci janë serbë të fesë katolike; ndërkaq myslimanët në Bosnjë e Hercegovinë, janë serbë të fesë myslimane. Armiqtë historikë të serbëve – qendrat katolike, habsburgët dhe habsburgu i fundit Tito, e copëtojnë Serbinë për të krijuar prej saj tre shtete dhe po aq kombe. Dy prej tyre – artificiale dhe johistorike.

 

Në periudhën e viteve 1918-1941 ideologjia serbomadhe:

 

– mohonte ekzistimin e kombit shqiptar në Jugosllavi dhe i quante myslimanë; sipas tyre, shqiptarët janë inferiorë, nuk janë popull historik, nuk janë popull politik dhe nuk posedojnë aftësi shtetndërtuese, ndaj dhe territoret e tyre duhet të zotërohen prej serbëve.

– mohonte ekzistimin e malazezve, të myslimanëve (boshnjakëve) dhe të maqedonasve si bashkësi etnike të veçanta; qoftë mbi baza gjuhësore, qoftë mbi baza fetare, këta konsideroheshin serbë.

 

Ndërsa me një ideologji unitariste, centraliste dhe etatiste synonte krijimin e kombit jugosllav dhe homogjenizimin e popujve joserbë, sidomos të kroatëve dhe të sllovenëve, me qëllim të asimilimit të tyre në serbë.

Me fjalë të tjera, malazeztë janë serbë ngase gjuha që flasin s’është veçse një dialekt i serbishtes; myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës s’janë veçse serbë të islamizuar. Edhe këta, sikurse malazeztë, flasin serbisht apo një dialekt të saj; maqedonasit nuk kanë histori dhe janë pa identitet; duke qenë se  banojnë në Serbinë Jugore (Juzhna Srbija), rrjedhimisht janë serbë; kroatët janë serbë të fesë katolike; gjuha që flasin s’është veçse serbishte, apo një dialekt i saj; me një politikë unitariste, centraliste dhe etatiste do t’i asimilojmë në serbë; sllovenët, për t’u shpëtuar synimeve ekspansioniste të Vjenës, medoemos t’i kthehen gjirit të sllavëve të jugut.

Ndaj malazezëve, myslimanëve të BH-së, maqedonasve dhe kroatëve, serbët zbatonin teoritë apo thëniet latine: quius lingua, eius regio (e kujt gjuha, i atij  territori) apo quius religio, eius regio (e kujt feja, i atij territori).

Pra, malazeztë janë serbë mbi bazën e gjuhës dhe të fesë; myslimanët e BH-së dhe kroatët – mbi bazën e gjuhës;  ndërsa maqedonasit –  mbi bazën e fesë.

Po shqiptarët?! Shqiptarët, në këtë bashkësi sllavësh të jugut, janë trup i huaj. Si të tillë, do t’i dëbojmë për në Anatoli. Ndaj atyre që do të mbeten do të ndjekim politikën e forcës, të restriksionit, të diskriminimit dhe të represionit, do të ushtrojmë dhe opresion. Kosova për ta ishte Serbi e Vjetër (Stara Srbija).

Kështu Jugosllavinë do ta shndërrojmë në serbosllavi.

 

*   *   *

Ideologët serbë të sotëm – Historianët e sotëm serbë, me në krye akademikun dhe shkrimtarin Dobrica Qosiq thonë:

 

– Ballkani sot ndodhet nën sundimin e SHBA-së dhe të aleatëve evropianë të saj – Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë;

– Sot në Evropë dhe në Ballkan mbizotërojnë fuqitë humbëse të dy luftërave botërore;

– Para Luftës së Parë Botërore dhe gjatë saj, imperialistët gjermanë synonin Drang nach Osten (Depërtim në Lindje), drejt Kostandinopojës e më tej. Depërtimet e Gjermanisë naziste në drejtim të juglindjes para Luftës së Dytë Botërore, paraqesin vazhdim të asaj politike. Berlini dhe Vjena të njëjtin pretendim e kanë edhe sot, por në forma të tjera. Ndaj krijimi i kombit të fortë dhe të konsoliduar shqiptar në Ballkan përputhet me synim historik gjerman për të depërtuar në lindje;

– Armiq të përbetuar të Serbisë kanë qenë dhe janë: Vatikani, CIA, Berlini, Vjena dhe agjenti i tyre Josip Broz Tito;

– Sot në Ballkan, me ndihmën e Vatikanit, të SHBA-së, të Gjermanisë dhe të Vjenës zhvillohet haptas procesi i krijimit të Shqipërisë së Madhe;

– Procesi i fragmentarizimit të Serbisë do të vazhdojë, duke ia shkëputur asaj Vojvodinën, Sanxhakun dhe Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë).

– Turqia, nën parullën e neo-osmanizmit, pretendon të rikthehet në gadishull, duke gjetur mbështetje ndër shqiptarë dhe ndër boshnjakë.

*   *   *

Propaganda antishqiptare serbe – Serbia, sot e kësaj dite vazhdon të përhapë propagandë nëpër kancelaritë evropiane për pretendimet e Ankarasë për t’u rikthyer në një pjesë të gadishullit. Sipas kësaj propagande,  pretendimet turke për të depërtuar në rajon, çojnë në krijimin e shteteve islamike në të. Ndaj Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet të lejojnë kreatura fundamentaliste para dyerve të Evropës.

Qëllimi i kësaj propaganda antishqiptare të Beogradit është që shqiptarët t’i paraqesin para perëndimorëve si popull me identitet kombëtar të diskutueshëm, si pro turq, pro arabë, pro persianë, si popull që është përçues i vlerave anadollake, aziatike dhe islamike në Evropën e krishterë, si popull që funksionon me vlera jashtë evropiane, si popull që funksionon me vlera turke, arabe, persiane dhe islamike në gadishull. Kohët e fundit, propaganda serbe dhe ajo greke në mënyrë intensive i denoncon shqiptarët nëpër zyrat e fuqive evropiane edhe si islamistë radikalë që punojnë kundër Perëndimit dhe që i rrezikojnë vlerat e qytetërimit perëndimor.

 

*   *   *

Për të ndërtuar një Jugosllavi me dominimin serb, gjatë historisë politike të tyre, serbët u përqendruan kryesisht:

– në krijimin e faktorit të forcës; dhe

– në ndërtimin e një makinerie propagandistike gebelsiane.

 

Për ta mbajtur serbosllavinë, këtë krijesë artificiale të Versajës dhe burg të popujve, karagjorgjeviqët dhe pashiqët, më vonë rankoviqët dhe millosheviqët zbatuan politikën e forcës.

Serbia, me politikën e saj destruktive, luftënxitëse, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste është shkaktarja kryesore dhe permanente e destabilizimit të Ballkanit, këtij rajoni të cilësuar si fuçi baruti, ku është zhvilluar bellum omnium in omnes. Një politikë e tillë është irracionale. Për gjakderdhjet që ua kanë shkaktuar fqinjëve të vet, serbët duhet të mbajnë përgjegjësi para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë.

Francezët kanë gabuar që i kanë lejuar serbët ta keqpërdorin miqësinë me ta.

Ambiciet e serbëve gjatë historisë kanë qenë në shpërpjesëtim me potencialet reale të tyre. Ata janë një popull i vogël, ndaj politikën shtetërore duhet ta harmonizojnë me përmasat kombëtare reale.

Në Evropë dhe në planin global, sot kemi një konstelacion të ri: muri i Berlinit ka rënë; Gjermania është ribashkuar; Traktati i Varshavës është zhbërë; ideologjia bolshevike është rënuar; perandoria sovjetike është shpërbërë; kampi socialist është shuar; lufta e ftoftë ka marrë fund; Rusia nuk është më superfuqi; kontradiktat historike të fuqive evropiane harmonizohen në kuadër të BE-së; Jugosllavia e Versajës dhe e KAÇKJ-së (AVNOJ-it) u shkatërrua me gjak.

Serbët duhet të heqin dorë nga idetë kombëtare retrograde, anakronike, antihistorike dhe antidemokratike të shekullit XIX. Duhet ta pranojnë realitetin e ri në rajon dhe në planin global dhe ta ridefinojnë ideologjinë kombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: krimet serbe, Lufta ballkanike, ndaj shiptareve

Kristo Frashëri: Ja si u krijua emri i shqiptarëve

September 18, 2013 by dgreca

Kristo Frashëri: Ja si u krijua emri etnik i shqiptarëve/

Kur në shek. XI u shfaq emri albanë dhe arvanitë nuk kishte vështrim etnik, por ishte, sikurse u tha, emri i krahinës Arbëni/Arbëri (Arbanon), që shtrihej në Shqipërinë e Mesme me qendër Krujën. Pas shek. XI filloi përhapja e apelativit Arbëni, Arbëri, Albani edhe në viset e tjera ku banonin shqiptarët. Faktori që përcaktoi shtrirjen e emrit ishte po ai që përcaktoi shfaqjen e tij në shek. XI – në fillim bashkësia politike dhe fetare dhe më vonë bashkësia politike dhe gjuhësore.

Sikurse u tha, emërtimi Arbanon ishte në origjinë emri i trevës rreth e rrotull Krujës, e cila deri kohët e vona e ruajti të paktën në Kurbin, emrin historik Arbëni. Ishte pra, njësoj si emrat e krahinave të tjera të vendit Polati (Pulti), Kunavia (Martaneshi), Crnika (Çermenika), Trafandena (Mirdita), Matia, Dibra, Skuria, Tamadea, Benda, Mokra, Skrapari, Malakas, Mazarek etj.

Peshkopata e Krujës e krijuar sipas traditës në fillim të shek. VII194, ishte në shek. XII fqinje me peshkopatën e Lisit, që shtrihej në Mat e Mirditë, dhe me peshkopatën e Stefaniakës, që përfshinte krahinat e Tamadhesë e të Bendës. Pra, ishte krijuar bashkësia fetare në shkallë krahinore. Më 1166 Arbanoni kishte një prior (Andreas prior Arbanensis) dhe një peshkop katolik (Lazarus episcopus Arbanensis).

Titulli “prior” i qeveritarit tregon autonominë e krahinës; mbiemri i primarit të dioqezës sqaron kufijtë e saj. Të dyja së bashku tregojnë se konsolidimi dhe shtrirja e emrit Arbanon për territorin dhe arbanit për banorin, erdhi si pasojë e konsolidimit dhe e shtrirjes së komunitetit politik e fetar arbanit që ishte formuar në shekullin e mëparshëm.

Dinamika e përhapjes në shekujt e mëvonshëm e emrit Arbanon, Arbanum, Albania është me interes. Kjo duket sidomos gjatë ekzistencës së Principatës së Arbërisë që shfaqet në burimet historike të fundit të shek. XII. Gjatë sundimit të arkondit Progon, emërtimi Arbanon u shtri në veri përtej Matit dhe Trafandenës deri në krahinën e Pultit.

Po ashtu gjatë sundimit të arkondit të madh Dhimitër Progonatit u shtri nga ana jugore në viset e Kunavisë e të Cernikut deri në luginën e Shkumbinit. Shtrirja e këtij emërtimi përtej kufijve të Arbanonit historik mund të shpjegohet fare mirë me përfshirjen e këtyre krahinave në komunitetin politik e fetar të shtetit të arbanitëve, i cili u formua nga shkrirja në të e katërmbëdhjetë bashkësive krahinore.

Ky fenomen vihet re edhe gjatë gjysmës së dytë të shek. XIII, kur Karli I Anzhu i grumbulloi në vitin 1271 territoret e pushtuara në Shqipëri në një formacion të vetëm politik – në “Mbretërinë e Albanisë” (Regnum Albaniae) me kufij më të gjerë nga ç’kishte principata arbanite në kohën e arkondit të madh Dhimitër Progonatit.

Po në këtë kohë sovrani anzhuin i detyroi dioqezat kishtare të territoreve të pushtuara të kalonin në katolicizëm. Pavarësisht se “Mbretëria e Albanisë” ishte një pjellë e dhunës së armatosur të feudalëve anzhuinë, për shkrimtarët dhe kancelarët e shek. XIII ajo formonte një komunitet politik e fetar më vete. Sipas mendësisë mesjetare, banorët katolikë të këtij komuniteti politik u konsideruan anëtarë të kombësisë arbanite/ albanite.

Si pasojë, emërtimi Albanum, Albania u shtri në shek. XIII që nga lumi Drin i bashkuar në veri deri në Kaninë në jug, që nga brigjet e Adriatikut në perëndim deri në Drinin e Zi në lindje. Banorët jokatolikë të kësaj mbretërie nuk u përfshinë në gjirin e kombësisë arbanite, albanite. Pavarësisht nga gjuha amtare, shqiptari ortodoks ishte, për shkak të traditës shumëshekullore, “romaios” për bizantinët, “graecus” për anzhuinët.

Kur Karli I D’Anzhu shkruante: “armiqtë tanë grekë”, e kishte fjalën për bizantinët. Por kur në 1274 shkruante se Durrësin e kishin rrethuar kryengritësit “albanitë dhe grekë” (albanenses et greci), ai nënkuptonte me këta dy apelativa shqiptarët katolikë e ortodoksë, mbasi ekzistenca e fshatarëve të gjuhës greke në zonën e Durrësit nuk vërtetohet dokumentarisht. Në fillim të shek. XIV me arbanit/albanit, kuptohej gjithnjë shqiptari katolik.

Që në shek. XIII në qarqet e njerëzve të ditur bizantinë të Perandorisë së Nikesë u shfaqën shenjat e para të një koncepti të ri mbi kombësinë, i përcaktuar jo si më parë nga komuniteti politik e fetar, por nga ai gjuhësor e fetar. Si pasojë e këtij koncepti të ri, nga gjiri i kombësisë “romaios” filloi të shquhej “heleni”, shtetasi bizantin ortodoks greqishtfolës.

Me zhvillimin e mëtejshëm të këtij botëkuptimi të ri, shqiptari ortodoks filloi të dallohej nga heleni ortodoks, sepse u takonin dy komuniteteve gjuhësore të ndryshme. Por, nga ana tjetër, shqiptari ortodoks mbeti përsëri i dalluar nga shqiptari katolik, sepse bënin pjesë në dy komunitete fetare të veçanta. U krijua kështu terreni për daljen e një emri të përbashkët për gjithë shqiptarët ortodoksë.

Prodhimin e parë të konceptit të ri duket se e ndeshim te shkrimtari bizantin i shek. XIV. G. Paclymeres, i cili duke folur për banorët e Eprit të Ri përdor në një rast emrin albanitë (????vo?), në një rast tjetër emrin ilir ????????. Më vonë krahas apelativit albanit doli në shesh emri epirot.

Në disa raste, kundrejt epirotit që kishte tingull të lashtë historik, emri i albanitit u zëvendësua me atë të makedonit, gjithashtu me tingull të lashtë historik: për analogji Makedonia u bë emër i dytë i Albanisë (Macedonia sive Albania). Ndikoi në këtë mes fakti se në shekujt e parë të erës sonë provinca e Epirit të Ri me qendër Durrësin, ku bënte pjesë edhe krahina e Arbanonit, u quajt për disa shekuj Provinca e Maqedonisë së Dytë. Në këtë mënyrë, banorët e hapësirës gjuhësore shqipe u quajtën nga të huajt epirotë dhe albanitë (Epirotes et Albanenses) ose epirotë dhe makedonë (Epirote et Macedones).

Por konsakrimi i dy emërtimeve të veçanta etnike për shqiptarët e dy riteve fetare të ndryshme, nuk mori formë të prerë, siç ndodhi te sllavët e jugut, midis kroatit katolik dhe serbit ortodoks. Pa dyshim ka luajtur rol, në masën e vet, fakti se në viset e banuara nga shqiptarët ortodoksë nuk u krijua ndonjë komunitet politiko-fetar i veçantë që t’i kundërvihej komunitetit politik-fetar katolik të Arbanonit.

Arsyeja kryesore duhet kërkuar te toleranca fetare, karakteristikë e shqiptarëve të të gjitha kohëve. Këtë e ka konstatuar M. Šufflay kur thotë: “në Kohën e Mesme fanatizmit fetar të shqiptarëve mezi i gjenden gjurmët”. Shkurt, folësit e gjuhës shqipe të krahinave të ndryshme nuk bënin nga pikëpamja etnike dallim midis bashkatdhetarëve të feve të ndryshme. Kjo veçori ndikoi në lindjen e një emërtimi të përbashkët për mbarë shqiptarët, pavarësisht nga ritet e tyre fetare.

Shprehësit e parë të këtij emërtimi të përbashkët janë përsëri shkrimtarët bizantinë. Megjithatë, zgjedhja e emrit të përbashkët nuk ishte që në fillim e njëjtë. Te shkrimtari i shek. XIV N. Gregoras, duket se ndikoi tendenca savante arkaizuese mbasi ai shqiptarët pa dallim feje i quajti ilirë. Bashkëkohësi i tij, J. Kantakuzeni, i quajti albanë, sepse, sipas tij, pasardhësit e ilirëve qenë tribalët (serbët). Në shek. XV u quajtën albanë nga Halkokondili, nga Duka, nga Sfrantzes, kurse ilirë, siç është thënë, nga Kritobuli.

Megjithatë, koncepti i ri i kombësisë nuk triumfoi plotësisht as gjatë shek. XV. Duken ende shkrimtarë apo kancelarë, kryesisht nga bota perëndimore, të cilët shkuan pas konceptit gjuhësor-fetar. Duke mos u shkëputur dot nga mendësia tradicionale mesjetare, ata e kishin vështirë t’i konsideronin si gjymtyrë të një kombësie të vetme të gjithë banorët që flisnin në të njëjtën gjuhë, që jetonin në të njëjtin territor, por që u takonin dy riteve të ndryshme fetare. Kështu shpjegohet përse në disa akte të huaja të shek. XV flitet ende për albanitë dhe epirotë ose për makedonë dhe epirotë, si për dy etni të ndryshme.

Për shqiptarët, të dyja këto emërtime u veshën me të njëjtin kuptim etnik. Ata e identifikonin veten edhe me arbanitë, edhe me epirotë. Dëshmitar i parë është vetë Skënderbeu. Në korrespondencën e vet me kancelaritë e huaja, ai nënshkruante “Zot i Arbërisë” (Dominus Albaniae), bashkatdhetarët e tij i quan “albanë/arbër” (albanenses, albanesi). Përkundrazi, në letrën e përmendur që i drejtoi më 31 dhjetor 1460 princit të Tarentit, J. A. De Orsinis, ai shkruante: “Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë” (se le nostre croniche non mentino, noy in chiamamo Epiroti).

Dëshmitar i dytë është Marin Barleti. Humanisti shkodran i përdor të dy emërtimet etnike, pa bërë dallim midis tyre. Ai i quan arbër (albanenses) si shqiptarët që banonin në Arbëri apo Epir, ashtu dhe ata që kishin zënë vend në Peloponez. Njëkohësisht i cilëson epirotë (epirotes) jo vetëm krutanët e dibranët, por edhe zotërit feudalë të malësive veriore si Lekë Dushmanin e Pjetër Spanin. Vetë Skënderbeun e quan zakonisht epirot, në disa raste e cilëson arbër, por preferon t’i japë titullin “Princ i Epirotëve” (Epirotarum Princeps).

Nganjëherë M. Barleti flet për arbër dhe epirotë si për dy grupe të ndryshme etnike, por këto raste të rralla duhen parë si gjurmë pa jetë të koncepteve të vjetra që jetojnë në mënyrë të pandërgjegjshme edhe për disa kohë nga forca e traditës. Dëshmitar i tretë është Gjon Muzaka, i cili gjithashtu i përfshin të gjithë shqiptarët pa dallim feje, në një emër të përbashkët: i quan albanesi, gjuhën e tyre lingua albanese, kurse emrin epirot nuk e përdor asnjëherë.

Mund të thuhet se në shek. XV me albanë dhe epirotë nënkuptoheshin banorët e hapësirës gjuhësore shqipe; se përmbajtja e tyre gjuhësore-fetare e kishte humbur fuqinë e saj; se për vetë shqiptarët ato ishin veshur me të njëjtin kuptim etnik; se në shumicën e rasteve shqiptarët njiheshin edhe jashtë Shqipërisë me një emër të vetëm etnik, pavarësisht se ekzistonin ende qarqe të huaja, të cilat e ruanin ende konceptin gjuhësor-fetar mbi kombësinë, emërtimi albanitë po fitonte vazhdimisht terren.

Në shek. XV emërtimi Arbëri (Albanum, Albania) ishte shtrirë në një hapësirë gjeografike më të gjerë se ajo që pati arritur gjatë “Mbretërisë Anzhuine”. Nga ana veriore më 1429 Tivari në bregdet, më 1430 Lushtica pranë Kotorrit, më 1442 Podgorica, quhen qytete të Arbërisë, de Albania. Nga ana jugore Vlora cilësohet si dhe në kohën anzhuine qytet në Arbëri (Valona in Albania). Nga juglindja, sipas një akti raguzan të vitit 1390, Kosturi quhej pjesë e Arbërisë, Castoria de partibus Albaniae.

Shtrirja e emërtimit Albanum, Albania në këtë hapësirë gjeografike mund të shpjegohet me po ata faktorë që përcaktuan shtrirjen e dikurshme të këtij emërtimi nga kufijtë e ngushtë të mesit të shek. XI në kufijtë e gjerë të fillimit të shek. XIV. Konkretisht, mund të shpjegohet me shtetin e Balshave që u formua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV. Në fillim, brenda kufijve të këtij shteti u përfshinë territore shqiptare e sllave. Pra, Balshat mbështetjen kryesore politike e gjetën te popullsia shqiptare. Më 1369, me kalimin e tyre në anën e Kishës Perëndimore, lidhjet me sllavët ortodoksë u dobësuan edhe më tepër, kurse komuniteti politik e fetar me shqiptarët katolikë u forcua edhe më tej.

Si rrjedhim i këtyre lidhjeve, në vitet ’70 Balshat filluan të shtriheshin në jug, drejt krahinave shqiptare, duke arritur më 1372 në vijën Vlorë–Berat–Kostur. Në veri humbën krahinat sllave, duke u tërhequr afërsisht në vijën Tivar–Podgoricë–Prizren. Në këtë mënyrë ky komunitet politik fetar mori dalëngadalë karakterin e një komuniteti shqiptar e katolik.

Rrjedhimisht, edhe titulli i sundimtarëve Balsha u ndryshua nga sovranë të Zetës (Dei Gratia dominus Zetae), në sovranë të Arbërisë – Gjergj II Balsha “Zot i Arbërisë” (Arbanaskim Gospodinum), “Princ i Arbërisë” (Princeps Albaniae). Pra, Albanum, Albania u shtri në veri vetëm në viset shqiptare dhe katolike që hynë në shtetin e tyre.

Si përfundim, emërtimi Albanum, Albania, duke filluar nga shek. XI u zgjerua vazhdimisht duke shtyrë më në jug emrat Epir dhe Romania dhe më në veri emrat Dioklea dhe Sklavonia dhe arriti në shek. XV atje ku e çoi përçuesi i vet historik – faktori politik shtetëror shqiptar dhe jo ekspansioni i supozuar i shqiptarëve, siç mendojnë pa të drejtë disa historianë, ndër të cilët J. G. von Hahni dhe G.Stadtmülleri.

Në lidhje me territoret që shtriheshin në jug, pika më delikate qëndron te çështja nëse emërtimi Epir kishte ose jo një përmbajtje etniko-gjeografike. Sipas mendimit tonë, çështja zgjidhet sapo të sqarohet përkatësia etnike e epirotit dhe në vështrim më të gjerë karakteri etnik i Epirit të Vjetër. Me epirot mund të nënkuptohej, të paktën në shek. XV, shqiptari që banonte në Epir.

Për të sqaruar përkatësinë etnike të banorit të Epirit të Vjetër, mund t’u referohemi drejtpërdrejt shkrimtarëve dhe kronistëve greko-bizantinë që nuk e përdorin fare termin epirot. J. Kantakuzeni gjatë përshkrimit të ngjarjeve që ndodhën në territorin e Epirit gjatë gjysmës së parë të shek.

XIV quan albanë banorët që jetonin në afërsitë e Beratit e të Kaninës, në krahinat e Devollit e të Kolonave, në rrethet e Pogonianit e të Libisdës, në afërsi të Ohrit dhe gjetkë, të cilët dihet se praktikonin ritin bizantin. Nga “Kronika e Janinës” mësojmë se banorët e trevës së Përmetit ishin mazarakët; të Dropullit e të Delvinës: zenevistët; në rrethin e Janinës: malakasët, të cilët sipas mendimit të përgjithshëm të historianëve, qenë shqiptarë.

Që viset bregdetare të Jonit banoheshin nga shqiptarë, na e thotë shkoqur Kritobuli dhe na la të nënkuptojmë Halkokondili. Prania e shqiptarëve në krahinat lindore të Epirit të Vjetër provohet nga fakti se në vitin 1330 ata thyen një çetë të kompanisë së madhe katalane në Gardhiq të Janinës që kishte kaluar Pindin dhe po plaçkiste Epirin. Nga njoftimet që jep Kantakuzeni dhe nga ato që ndeshen në “Kronikën e Janinës”, mund të nxirret lehtë konkluzioni se banorët e Epirit në shumicën dërrmuese qenë shqiptarë, përderisa siç vinte re me të drejtë J. G. Hahni, fituan në luftë kundër grekëve dhe serbëve.

Ne do të shtojmë me këtë rast se formacionet shtetërore shqiptare që u krijuan në territoret e Epirit gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe në mënyrë të veçantë ekzistenca për një kohë të gjatë e despotatit shqiptar të Gjin Bua Shpatës, i cili u përmbys vetëm nën goditjen e vërshimit osman, na japin në dorë dy elemente të rëndësishme në favor të problemit që kemi në diskutim.

Nga njëra anë, provojnë se shqiptarët, të cilët u bënë bartësit etnikë të këtyre formacioneve shtetërore në luftë kundër pushtetit bizantin dhe serb, përbënin masën kryesore të popullsisë së Epirit. Nga ana tjetër, komuniteti politik-gjuhësor, që u formua nga këto formacione shtetërore shpjegon arsyen përse shqiptarët dalin në Epir me emrin e tyre etnik pikërisht në burimet historike të kësaj periudhe dhe jo më parë. Me këtë përbërje etnike, emërtimi gjeografik Epir u vesh për shumicën e shkrimtarëve dhe kancelarëve të Mesjetës së mëvonshme, me një vështrim etnik shqiptar.

Për shqiptarët u sanksionuan kështu në shek. XIV–XV dy emërtime etnike: arbër dhe epirotë. Në këto dy emërtime nuk u përfshinë viset e banuara nga shqiptarët që ndodheshin jashtë kufijve të emërtimeve Arbëri dhe Epir. Është fjala kryesisht për territoret e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë) dhe të Maqedonisë Perëndimore, vendbanimet e dikurshme të dardanëve, paionëve dhe lunkestëve ilirë.

Fakti që shqiptarët nuk përmenden me emrin e tyre etnik si banorë të këtyre viseve ose përmenden rastësisht në burimet historike mesjetare jo më parë se në shek. XIV, mund të shpjegohet, si dhe për pjesët e tjera të Shqipërisë, jo me mosqenien e tyre në ato vise, por me konceptin mbi kombësinë që kishin shkrimtarët dhe kancelarët mesjetarë.

Meqenëse këto vise qëndruan në mënyrë të pandërprerë nën sundimin bizantin, dukljan, serb apo bullgar dhe nuk arritën të grumbullohen në ndonjë formacion shtetëror shqiptar, është e tepërt të pretendohet që ata të shfaqeshin në burimet historike me emrin e tyre etnik.

Përpjekjet që janë bërë për t’i zbuluar shqiptarët e këtyre viseve me anën e toponomastikës dhe onomastikës, as kanë dhënë, as mund të japin rezultat për shkak të tendencës së theksuar që kanë pasur sllavo-jugorët mesjetarë për t’i sllavizuar në masë jo vetëm emrat e vendeve që pushtonin, por edhe emrat e vendeve që pretendonin.

Emrin etnik të shqiptarit në trajtën “arbanas” ne do ta ndeshim si banorë të këtyre viseve vetëm atëherë kur ai nuk kishte njërin nga të dy komponentet e konceptit mesjetar mbi kombësinë – ose bashkësinë politike ose bashkësinë fetare, me serbët ose bullgarët, praktikisht vetëm po të mos ishte më ortodoks.

Nuk është pra e rastit që “arbanasët” përmenden për të parën herë në burimet mesjetare të shek. XIV pikërisht në ato zona (në rrethet e Shkupit e të Prizrenit), ku dihet se u përhap në një masë të kufizuar katolicizmi – si frekuentues në Pazarin e Manastirit të Shën Gjergjit pranë Shkupit, si barinj, bujq e ushtarë në krahinën e Tetovës, si fshatarë në feudet e manastirit të Kryeëngjëjve të Prizrenit, si bujq në analet e manastirit të madh të Deçanit, kurse gjurmët e tyre i gjejmë gjithnjë në shek. XIV dhe jo më parë, në Dalmaci, në Bosnjë, Hercegovinë.

Fakti që shënojnë L. Thalloczy, K. Jire?eku dhe M. Šufflay se deri në kohët e vona, në sllavët e Dalmacisë e të Malit të Zi, me “arbanas” kuptohej vetëm shqiptari katolik, ndihmon në konkluzionin tonë se shqiptari ortodoks, i cili banonte në territoret e përfshira për një kohë relativisht të gjatë brenda kufijve të shteteve serbe ose bullgare, konsiderohej thjesht “serb” ose “bullgar”. Në këto rrethana, problemi i përkatësisë etnike të banorëve mund të sqarohet vetëm me defterët osmanë të shek. XV–XVI që u përkasin sanxhakëve të Kosovës, Metohisë e Maqedonisë, materiali i të cilëve do të na ndihmojë për të hedhur një vështrim retrospektiv.

Me islamizimin në masë të shqiptarëve në shek. XVII, folësit e gjuhës shqipe u ndanë në tre besime fetare – në katolikë, ortodoksë dhe myslimanë. Për konceptin mesjetar, ishte e vështirë që shqiptarët myslimanë të quheshin arbër apo epirotë, përderisa ata nuk qenë as katolikë, as ortodoksë. Qenë vetë qarqet qeveritare osmane, të cilët u dhanë atyre emrin “arnautë”.

Por prirja e shqiptarëve për të mos i dhënë rëndësi përkatësisë fetare, e cila sillte diferencimin në radhët e tyre, solli si pasojë nevojën për një emërtim të përbashkët etnik për mbarë folësit e gjuhës shqipe. Apelativi i ri lindi nga fjala shqip, të cilën e ndeshim që te Buzuku, nënkuptimin e gjuhës që e kuptonin të gjithë banorët shqipfolës. Që këtej lindi apelativi “shqiptar”, ai që flet shqip, ai që e kupton gjuhën shqipe.

Me sa dimë, apelativi shqiptar zëvendësoi për të parën herë në burimet e shkruara historike emrat arbër dhe epirotë në shek. XVIII, kurse emri i vendit Shqipëri në vend të Arbërisë dhe të Epirit u sanksionua në fushën e shkrimit në shek. XIX. Si apelativi për banorin shqiptar, ashtu dhe ai për atdheun Shqipëri, u përhapën në mënyrë të rrufeshme gjatë Rilindjes Kombëtare vetëm në radhët e shqiptarëve që nga Mitrovica deri në Prevezë. Për qarqet e huaja u përhap apelativi Albanese për banorin dhe Albania për vendin, i cili zëvendësoi gjithashtu në mënyrë të rrufeshme apelativat historikë arbanitë, epirotë dhe arnautë.

Etnogjeneza e shqiptarëve vështrim historik

Një vepër e re studimore e akademikut kristo Frashëri sapo është botuar nën logon e botimeve M&B. Mografia “Etnogjeneza e shqiptarëve” është një vështrim historik, që trajton që në hyrje problemin e metodikës dhe metodologjisë që kanë ndjekur deri sot dijetarët e ndryshëm dhe, pasi vihen në dukje dobësitë e disave prej tyre, sugjerohen kritere më shkencore në trajtimin e albanologjisë dhe të ilirologjisë. Pastaj kalohet në trajtimin e mirëfilltë të të dy problemeve.

Bëhen përpjekje për të hedhur ndopak dritë mbi popullatat e stërlashta që kanë banuar në kohët parahistorike, në trojet e sotme shqiptare dhe të gjurmëve që ato kanë lënë në formimin e etnosit shqiptar dhe të gjuhës shqipe. Flitet për popullatat paraindoeuropiane që banonin në këto vise. Trajtohet e ashtuquajtura çështje pellazgjike. Më tej trajtohet problemi i gjenezës së ilirëve dhe përfundohet me etnogjenezën e shqiptarëve. Monografia mbyllet me shfaqjen në vitin 1043 në fushën e dokumentacionit historik të emrave Arbër dhe Albani si apelativa krahinorë dhe shndërrimin e tyre më vonë në emërtime kombëtare.

Me rastin e këtij botimi historiani Frashëri ka deklaruar se për këtë trajtesë është mbështetur në kronologjinë historike që disa dijetarë mendojnë se i përshtatet parahistorisë së Europës Juglindore: grupet njerëzore që banonin në Europën Juglindore në Paleolitin e vonë quhen në mënyrë konvencionale popullata të Cro- Magnon-it. Popullatat që këtu banonin gjatë Neolitit të hershëm dhe të mesëm (7000–4000 p.e.r.) quhen popullata paleoballkanike.

Ato të Neolitit të vonë, që nga fillimi i mijëvjeçarit të katërt deri në mesin e mijëvjeçarit të tretë p.e.r. (4000–2500 p.e.s), popullata të grupit etnikogjuhësor alarodik ose mesdhetare. Ato të epokës eneolitike (2500–2000 p.e.r.), popullata protoindoevropiane, ku bënin pjesë edhe pellazgët. Për banorët e epokës së bronzit (e cila mbulon mijëvjeçarin e dytë p.e.r.), nënkuptohet se është fjala për popullatat indoeuropiane – grekët, trakët, protoilirët, dorët, ilirët… Nga ky libër me mjaft interes ne zgjodhëm për lexuesit tanë me lejen e botuesit kapitullin ku trajtohet emri etnik i shqiptarëve. /shqiptarja.com

 

Filed Under: Histori Tagged With: emiri etnik i shqiptarece, Kristo frasheri, si u krijua

Histori: Çfarë ndodhi më 17 shtator?

September 17, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1787 – Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u nënshkrua nga delegatë të 12 shteteve në Konventën në Philadelphia të Pensilvanisë. Kushtetuta amerikane është Kushtetuta më e vjetër në botë ende në veprim.

1884 – Një gjykatës në Okland të Kalifornisë vendos një rekord te ri, duke zgjidhur 13 çështje kriminale brenda 6 minutave.

1934 – Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik shkëmbejnë nota diplomatike dhe vendosin lidhje në nivel konsullor. Mbreti Zog e pa këtë kontakt të ri me Moskën si hapje të mundshme të një rruge për të dalë nga vështirësitë financiare, tani që marrëdhëniet me Italinë ishin tensionuar dhe marrja e ndonjë huaje nga Roma dukej e pashpresë. Ky hap i Mbretit Zog, pa dashje, do t’i hapte udhën edhe shtimit te hyrjes së literaturës komuniste në vend.

1983 – Vanessa Williams, Mis Nju Jork, u kurorëzua Mis Amerika. Williams ishte gruaja e parë zezake në historinë 62-vjeçare të konkursit Mis Amerika që fitonte këtë titull. Williams e dorëzoi kurorën kur disa foto që e tregonin atë lakuriq u botuan në revistën Penthouse. Gjithësesi, Vanessa Williams vazhdoi të gëzojë popullaritet si këngëtare dhe aktore..

2011 – Në Tiranë del për herë të parë në kinema filmi “Falja e gjakut”, edhe pse filmi kishte muaj që shfaqej në Evropë, ku ishte nderuar me çmimin Ariu i Argjend në festivalin e Berlinit, për skenarin më të mirë. “Falja e Gjakut”, një bashkëpunim amerikano – shqiptar (Joshua Martson – Andamion Murataj), tërhoqi vemendjen jo vetëm për fenomenin shqetësues që trajton, por edhe sepse suksesi në Evropë ri-nxorri në dukje faktin se realizimi i tij nuk ishte përkrahur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqiperisë. Filmi “Falja e Gjakut” u propozua edhe per çmimin Oskar në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj, por Akademia në Hollywood e hoqi nga lista pas disa ankesave se filmi nuk ishte prodhim shqiptar.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ndodhi, me 17 Shtator

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 631
  • 632
  • 633
  • 634
  • 635
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT