Nga Fritz RADOVANI*/
Në Shqipni “rrêna i ka kambët e gjata”!…/
Plot 70 vjet që vazhdon me rrêjtë Shteti Shqiptar, Akademia e Shkencave dhe me té, të gjithë ata mercenarë historianë, që nuk e shkruejnë një rresht per bombardimin ma mizor të Luftës së Dytë Botnore, me 13 Tetor 1943, ora 13.13’ të drekës, ku u vranë 503 qytetarë të Tiranës nga Aleatët. Bombardimi filloi tek fusha e vjeter e aviacionit dhe vazhdoi per të gjatë rrugës së Kavajës, deri tek shtëpia e oficerëve (klubi i artistëve)…
Tirana u la me gjak!
Deri sot që po mbushen plot 70 vjetë të kësaj gjakderdhje të pashembullt, askush nuk ka tregue qellimin e vertetë të ideatorëve barbar kundrejt popullsisë së pafajshme të Kryeqytetit Shqipnisë Tirana… Dhe, as nuk duket kund “e verteta” e shemtueme e të gjithë atyne që e projektuen dhe zbatuen këte veper kriminale!
Shqipnia e shkelun nga një pushtues tek tjetri…Pa i shpallë luftë “askujt”…dhe pa pasë pushtue KURRË një pëllambë tokë të huej, bombardohet kur sejcili asht me lugë në dorë, tue shty të shkreten kafshatë e tue mendue se “çka t’ bajmë per darkë”?
Bombardohet një nga zonat ma të popullueme të Kryeqytetit, dhe nuk vritet asnjë “okupator”…vetem, kalimtarë dhe njerzë të ulun nder sofrat e bukës së drekës!
Edhe sot mbi trotuarët e asaj rrugë perballë Kishës së Jezuitëve, janë nder pllaka gjurmët e ciflave të hjekuna të atyne bombeve që gjakosën një Popull të pafaj…
Gati 15 vjet perpara kobra Nexhmije Hoxha, i pohon gazetares R. Xhunga, se “ne komunistët nuk kishim si të pohonim bombardimin nga Aleatët, se ne ishim me ta!”
Sigurisht, as Aleatët, nuk kishin si të pohonin bombardimin e tyne mbi kokat tona të mituna…e mbi të gjithë Ata Shqiptarë, që per 47 vjet nuk e harruen atë “Gjak !”
Vertetë u vranë e u masakruen me mija Burra… U interrnuen mija familje e humbën pergjithmonë nder kampet e shfarosjes komuniste, e edhe pse ikëm nga Europa me flamurin e “revolucionit”, terroristi Ramiz Alia deklaroi: “I kemi ruajtur lidhjet e vjetra si unë dhe shoku Enver…Edhe gjak do bëjmë…Pushteti është perjetësisht yni !”
***
Ishe i vogel tre vjeç, në shtëpinë nr. 173…tue ngranë drekë me Baben dhe Nanen.
Zhurma e uturima e avionëve si atëditë, vazhdon edhe sot në trunin tim…
Në zbritje të shkallës Baba u vra! Nana filloi virrmen… Unë nuk kuptova asgja!
Atë natë u nisëm per Shkoder dhe arrijtëm nga mesnata…
Mbas dy o tre ditësh dikush në rrugë holli një bombë… U trondita nga krisma e saj dhe vrapova tek prehni i Nanës, shikova Nanën e topitun dhe kishe thirrë: “Gjak!”
Unë kujtoj vetëm Fëtyren e tronditun të Nanës…po jo, thirrjen time “Gjak!”…
Kujtoj, se kur fillova me u rritë dhe na dilte gjumi spontanisht nga shprazja e armëve në orët e para të ditës, në Zallin e Kirit, jo larg nga rruga Badra, ku jetonim…
Automatikët e komunistëve godisnin në trunin tim gjithnjë thirrjen “GJAK !”…
(Pjesa e parë…Vazhdon.) Melbourne, Tetor 2013.
Reshat Kripa says
Keni te drejte i nderuar zoti Radovani. Ne ate periudhe edhe ne banonim ne Tirane dhe pikerisht ne rrugen e Kavajes ku ndodhi ajo ngjarje. Atehere kam qene i vogel, shtate vjeç, por ngjarjet e asaj dite me jane ngulitur ne mendjen time.Keto i kam pasqyruar ne librin tim “Rini e copetuar”, botuar ne vitin 2008, ne faqet 29-30. Po jua riprodhoj:
“Pas dy muajsh. Ndodheshim në shkollë. Një zhurmë e fortë motorësh dhe zëri i sirenës së alarmit gjëmuan në qytet. Një skuadrilje avionësh aleatë filluan bombardimin e fushës së aviacionit. Mësuesit na mblodhën të gjithëve në katin përdhes të shkollës. Ishim fare afër fushës së aviacionit. Gjëmimi i bombave ishte i tmerrshëm. U bë një panik i madh. Një pjesë e fëmijve të klasës së parë filluan të qajnë nga frika.
– Mos qani vogëlushë? Nuk ka asgjë. Edhe pak dhe ata do të largohen.
Mësuesit mundoheshin të qetësonin nxënësit. Së fundi, bombardimi pushoi. Ndiheshin avionët që largoheshin. Zhurma e tyre sa vinte dhe pakësohej deri sa u shua fare. Ishte hera e parë që përjetonim një bombardim të tillë
Në këtë kohë shohim nënën që vinte e alarmuar. U qetësua vetëm kur pa se ishim mirë të tre. Na mori me vete. Rrugës shiheshin disa shtëpi të shkatërruara. Flitej se pranë fushës së aviacionit ishin vrarë disa njerëz. Më tutje, më zuri syri një kalë të vrarë. Nuk u mor vesh se përse ndodhi një gjë e tillë, për gabim të pilotëve apo ishte bërë qëllimisht”.
Me respekt