• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur drejtësia ndërkombëtare humbet kontekstin

October 22, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri/

Gjykimi special në Hagës i Hashim Thaçit dhe drejtuesve të tjerë politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është jo vetëm një sfidë juridike, por edhe një betejë për narrativën morale të Luftës së Kosovës. Ai ngre pikëpyetje thelbësore mbi mënyrën se si drejtësia ndërkombëtare po e zbaton parimin e “përgjegjësisë së komandës”. Ky parim lindi në Nurenberg kundër nazistëve, në një kontekst krejt të ndryshëm historik dhe etik.

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjyqet e Nurenbergut vendosën një standard të ri gjykimi. Komandantët nuk mund të justifikohen me faktin që thjesht “zbatuan ligjin” apo me padijen për krimet e vartësve të tyre. Ata mbajnë përgjegjësi, nëse e dinin ose duhej që ta dinin se krimet po kryheshin, dhe nuk morën masa për t’i parandaluar. Ky parim u vendos në themelet e së drejtës penale ndërkombëtare. Ai u përfshi në statutet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë, për Ruandën dhe në Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Por aplikimi i këtij standardi kërkon një element thelbësor. Ai kërkon një strukturë komandimi të qartë dhe efektive. Disiplinë dhe përgjegjësi shtetërore. Pikërisht këtu qëndron dilema në rastin Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi.

Ekziston një dallim thelbësor mes këtij kazusi dhe atyre të Nurenbergut apo Millosheviçit. Komandantët nazist e serb, kishin një aparat shtetëror represiv të mirë organizuar. UÇK ishte një ushtri pa shtet. UÇK nuk ishte një forcë e armatosur klasike. UÇK ishte pa një strukturë të qartë hierarkike, pa një zinxhir formal komande të dokumentuar.

UÇK-ja u farkëtua në kudhrën e flakëve të luftës për liri. Ajo u ngjiz në kulmin e gjenocidit serb, me qëllimin fisnik për të mbrojtur popullatën civile shqiptare, nga masakrimi i pamëshirshëm i aparatit shtetëror serb. Ajo ishte një lëvizje guerile që veproi në kushtet e një pushtimi ushtarak. Struktura e saj ishte e fragmentuar dhe komunikimi ishte i vështirë. Prandaj, përgjegjësia e Thaçit si “komandant politik” është më shumë e natyrës simbolike sesa juridikisht e dokumentuar.

Ndërkohë, prokuroria speciale në Hagë po e trajton sikur ai të kishte pasur kontroll të plotë shtetëror. Ndërsa në realitet, UÇK ishte një organizëm luftarak i decentralizuar. Autoriteti ishte i shpërndarë dhe kishte shumë zona autonome.

Në këto rrethana, është e vështirë që të provohet se Thaçi ka pasur kontroll efektiv mbi çdo akt apo veprim individual luftarak. Dhe pikërisht ky është standardi që e dallon drejtësinë penale nga përgjegjësia morale. Drejtësi nuk do të thotë barazi artificiale përpara ligjit.

Drejtësia përpiqet që të mos bëjë dallime mes fitimtarëve dhe humbësve. Por në rastin e Kosovës, ky neutralitet është bërë asimetrik. Serbia është një agresore, tashmë e mirë provuar. Por, krimet e saj mizore kundër civilëve, janë ndëshkuar me dënime selektive. Serbia akoma nuk ka kërkuar zyrtarisht falje për masakrat e saj në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Pavarësisht, se ishin ata që rikthyen në mes të Europës, krimet dhe masakrat naziste.

Ndërsa, pala që u ngrit për lirinë gjendet sot në bankën e të akuzuarve. Ky është një barazim moral i rrezikshëm. Kjo është një përpjekje për të rishkruar historinë, duke vendosur shenjën e barazisë midis agresorit dhe viktimës.

Procesi ndaj udhëheqësve të UÇK-së, duket më tepër si një përpjekje për të ruajtur simetrinë formale të drejtësisë, sesa për të zbatuar parimet e saj të vërteta. Ligji është mjeti dhe drejtësia ideali. Ky ideal duhet që ti bashkojë njerëzit, jo ti përçajë. Kosova dhe i gjithë rajoni ka sot nevojë për unitet, jo ndasi. Drejtësia pa kontekst humbet kuptimin. Drejtësia është një ideal në mbrojtje të njerëzimit, jo një instrument qetësimi tensionesh të diplomacisë rajonale.

Në realitet, ky gjykim është një gurë prove për vetë parimet mbi të cilat është ngritur dhe funksionon drejtësia penale ndërkombëtare. Gjykata po zbaton një standard të përgjegjësisë penale ndërkombëtare të aplikuar mbi aktorët shtetëror, mbi një lëvizje çlirimtare jo-shtetërore.

Ky fakt krijon një dilemë etiko-morale. A mund që të trajtohet një luftë çlirimtare me të njëjtat kritere si një regjim shtypës? A rrezikon ky proces moralin e luftës çlirimtare, duke vendosur në të njëjtin plan agresorin dhe viktimën? Ekziston një dallim thelbësor midis atyre që luftojnë për të nënshtruar dhe atyre që luftojnë për të çliruar. Atyre që luftojnë për liri dhe atyre që luftojnë për pushtim. Nuk mund të barazohet rebelizmi për lirinë me tiraninë e pushtuesit. Drejtësia ndërkombëtare nuk mundet dhe nuk duhet që të jetë moralisht e verbër.

Pyetja që shtrohet këtu natyrshëm është: A ka pasur drejtësi për krimet serbe Kosovë? A është vendosur drejtësi për ato qindra masakra mbi popullatën civile shqiptare, mbi fëmijët, gratë dhe pleqtë, për qindra varre masive, për mijëra civil të pafajshëm të vrarë, për qindra mijëra të shpërngulur, për mijëra civil të zhdukur dhe akoma pa një gur varri?

Ku është forca e drejtësisë ndërkombëtare këtu!? Për aq kohë sa kambanat e drejtësisë ndërkombëtare vazhdojnë që të kumbojnë, shpirti i atyre mijëra viktimave të pafajshme të gjenocidit serb nuk ka për të gjetur paqen e merituar. Ky është një gur i rëndë mbi ndërgjegjen e botës mbarë.

NATO ndërhyri në Kosovë për arsye humanitare. Ajo përkrahu UÇK-në, në luftën e saj të drejtë, duke shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja. NATO me ndërhyrjen e saj mbrojti parimin e humanizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pavarësisht arsyeve se pse, ky gjykim po vijon pas njëzetë e gjashtë viteve nga përfundimi i luftës, ne nuk duhet që të harrojmë se në Hagë nuk po gjykohen individualisht vetëm ish-krerët e UÇK-së. Aty po gjykohet një epokë, një ideal, një përpjekje kombëtare për liri. Aty po gjykohet një luftë çlirimtare që korrigjoi një padrejtësi historike. Nëse gjykata nuk arrin që ta dallojë këtë dimension të drejtësisë, ajo rrezikon që të përsërisë një gabim historik, duke barazuar rebelizmin me tiraninë.

Filed Under: Komente

Opozita dhe e djathta shqiptare, koha rinisje

October 11, 2025 by s p

Arian Galdini/

Koha e shpalosjes, nevoja për një gjuhë të re. Opozita shqiptare ndodhet në udhëkryqin më vendimtar që prej viteve ’90. Nuk është më çështje votash, por vlerash. Jo më luftë për pushtet, por betejë për besim. Në një vend ku politika ka humbur moralin dhe publiku ka humbur durimin, Opozita duhet të rikthejë ndershmërinë si normë dhe shërbimin si detyrim moral. E djathta shqiptare, nëse do të ripërtërihet e tia rinisë, duhet të rifitojë qytetarin, jo të ndjekë pas pushtetin.

Sepse pushteti pa besim është dekor i kotë, ndërsa besimi pa pushtet është energji që pret përmbajtje. Siç ndodhi me CDU-në e pasluftës në Gjermani, morali para pushtetit, vlera para llogarisë. Rrënjët e humbjes, kur pushteti bëhet qëllim. Kundër një regjimi të sofistikuar, që e njeh frikën si mjet dhe kontrollin si siguri, Opozita shpesh është kundërpërgjigjur me improvizim. Ka ndërruar flamuj, por jo doktrinë. Ka ndërruar emra, por jo sjellje. E kështu, është bërë pjesë e një rrethi vicioz që pretendon të luftojë.

Nëse e majta ndërton pushtetin mbi aparatin, e djathta duhet të ndërtojë moralin mbi qytetarin. Nëse e majta mobilizon frikën, e djathta duhet të ngrejë besimin. Asnjë opozitë nuk fiton dot kurrë, nëse nuk fiton ndërgjegjen e vet. Parimi si fillim, rindërtimi mbi themele. Fiton ai që ofron fillim, jo riparim. Që ndërton drejtësi, jo hakmarrje. Që sjell qartësi, jo zhurmë. Opozita duhet të ndalë së foluri si aktore në një dramë që e ka humbur publikun. Duhet të shpallë një rinisje nga e para, të bazuar mbi doktrinë, virtyt dhe drejtësi.

Një opozitë që reagon është pasqyrë. Një opozitë që mendon është alternativë. Siç e nisi Pjetër Bogdani, nga libri, jo nga karrigia. Shqiptarizmi dhe Dalëzotësia, si boshti moral. Doktrina e së djathtës duhet të ketë në themel Shqiptarizmin, jo si nacionalizëm folklorik, por si kulturë përgjegjësie, etikë besimi dhe vetëdije shërbimi. Shqiptarizmi është ndriçim që bashkon, jo thirrje që përjashton. Dalëzotësia është përkthimi moral i kësaj fryme, të dalësh zot për familjen, për dinjitetin, për kombin, për të vërtetën. Ajo është prova që e ndan të djathtën nga çdo tjetër.

Jo thjesht program, por sjellje. Jo thjesht mjet, por përkushtim. Siç Bogdani, Konica dhe At Gjergj Fishta përçuan vetëdijen kombëtare me pendë dhe sakrificë, po ashtu e djathta duhet ta rifillojë rrëfimin nga fjala që ringjall, jo nga britma që mbulon. Shteti i qytetarit, nga doktrina në institucion. Shteti i përket qytetarit vetëm kur ligji është më i fortë se pushteti, dhe transparenca më e fortë se propaganda.

Parime programatike përbashkuese:

• Transparencë fiskale në çdo qindarkë publike.
• Qeverisje vendore që raporton çdo 3 muaj publikisht.
• Kontroll kushtetues mbi çdo akt ekzekutiv, sipas modelit të Gjykatës Kushtetuese Gjermane.
• Referendum i detyrueshëm për çdo marrëveshje që prek interesin kombëtar.

Ashtu si Gjermania pas Luftës së Dytë ndërtoi rendin e ri mbi qytetarin si burim legjitimiteti, Shqipëria duhet ta rindërtojë republikën si marrëveshje morale, jo thjesht kushtetuese. Kush nuk ngre moralin, s’ngre dot as flamurin. Ekonomia e punës së ndershme. Puna është dinjitet, jo vetëm të ardhura. E djathta duhet të mbrojë njeriun që punon, jo vetëm bilancin që mat.

Parime përbashkuese:

• Ulje tatimore për sipërmarrjet që krijojnë punë të qëndrueshme.
• Program dual arsim-zanat, si në Austri dhe Gjermani.
• Politika për ringjalljen e prodhimit bujqësor kombëtar.
• Lehtësi fiskale për çdo teknologji që ruan vendet e punës.

Sepse pas çdo tatimi është një njeri që punon, jo një numër që paguan. Prindërimi politik, brezat dhe shteti. Krizat ekonomike kalojnë. Shterimi i shpresës, jo. Më pak lindje. Më shumë ikje. Më pak familje. Më shumë vetmi. E djathta duhet të bëhet dorë që mban, jo dorë që numëron.

Parime përbashkuese njerëzore:

• Stimul fiskal për prindërit dhe fëmijët që rriten në Shqipëri.
• Mbështetje reale për nënat që punojnë.
• Arsimi si investim për trashëgimi kombëtare, jo për kreditë ndërkombëtare.

E djathta duhet të mësojë brezin që e shpreson, jo brezin që e justifikon. Kosova dhe Bashkimi Evropian, bashkë ose hiç.
Evropa nuk është projekt teknik, por vendim moral. Shqipëria nuk mund të ecë drejt BE-së duke e lënë Kosovën jashtë. Integrimi që lë pas gjysmën e kombit është amputim moral.

Shtyllë përbashkuese:

• Krijimi i një Këshilli të Përbashkët Shqipëri-Kosovë për integrimin.
• Harmonizim legjislativ dhe diplomatik në çdo hap.
• Votë e përbashkët për çdo akt që prek fatin kombëtar.

Ashtu si De Gasperi e ndërtoi Italinë me parime përpara integrimit, Shqipëria duhet ta ndërtojë bashkimin kombëtar si themel për integrimin. E Djathta si shkollë, jo si klub. Partia që s’e edukon qytetarin, s’ka të ardhme. E djathta nuk duhet të jetë klub nostalgjik, por shkollë që formon breza.

Frymëzime përbashkuese:

• Akademi për formimin politik të të rinjve.
• Mbështetje për media dhe universitete që promovojnë dinjitetin dhe dialogun.

E djathta që s’e ngre kombin në shpirt, nuk e çon dot as në pushtet. Të djathtët nuk predikojnë. Ata ndërtojnë institucione që i përkasin njeriut, jo partisë. Opozita nuk ka nevojë për figura, por për dritë. Për të fituar duhen këshillat, jo duartrokitjet, vlerat, jo maskat, besimi, jo marketingu. Shqipëria do të fitojë, kur e djathta të rifitojë njeriun. Ky është misioni i së djathtës së rinisur, të kthejë politikën në shërbesë, qytetarin në zot të shtetit, dhe kombin në shtëpinë e vet të dinjitetit.

Filed Under: Komente

Shqiptarizmi si themeli i një të djathte të re në Shqipëri e ndër shqiptarët kudo!

October 6, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Shqiptarizmi është frymë që mban tokën gjallë dhe dritë që ngjit rrënjët lart. Në këtë bosht ngrihet e djathta e re, etikë dinjiteti, program punësh të mira, sovranitet kulturor që e lidh Shqipërinë me Evropën duke ruajtur gjuhën, kujtesën, besimin. Fjala kthehet në veprim. Kujtesa kthehet në rend. Identiteti kthehet në zhvillim. Dinjiteti si kontratë e re shoqërore. Qytetari kërkon të shihet, të dëgjohet, të vlerësohet. Francis Fukuyama e përkufizon këtë si kërkesën themelore të epokës sonë, dinjiteti si bërthamë e politikës që funksionon. E djathta e re e shkruan në nenin e parë, ligji mbron lirinë, institucioni respekton njeriun, politika shërben me fjalë të thjeshta dhe të vërteta. (Fukuyama, 2018)

Shteti-komb si kornizë lirie. Kujtesa e përbashkët i jep hapësirës politike busull dhe kraharor. Yoram Hazony e sheh pluralitetin e kombeve të lira si burim kapitali moral dhe stabiliteti. Integrimi europian rrit peshën e shtetit-komb kur ai ngrihet mbi drejtësi të besueshme, gjuhë të pastër dhe besë qytetare. Identiteti orientohet drejt bashkëpunimit. (Hazony, 2018). Nga meritokracia e ftohtë te dinjiteti i punës. Michael Sandel paralajmëron, rendi publik humbet shpirtin kur suksesi bëhet moral i fitimtarëve, ndërsa dështimi rëndohet si faj. E djathta e re vendos dinjitetin e punës në qendër, përpjekja shpërblehet, shkolla hap udhë, tregu njeh meritën, shoqëria e shndërron në të mirë të përbashkët. (Sandel, 2020)

Etika e Shqiptarizmit Performues (EShP).

Këtu vendoset nënshkrimi ynë teorik. Shqiptarizmi kthehet performues kur hija e fjalës bie mbi tokën e veprës. Tri shtylla e mbajnë: Dinjitet në shërbim, rregulla që flasin vetë, matje që shndërrojnë dritën në shifër, libra që hapen si dritare. Punë të mira, paga e lidhur me produktivitetin, aftësi që rriten bashkë me firmat, prona që respekton fytyrën e punëtorit. Kulturë që eksporton, gjuhë, art, kuzhinë, shërbime krijuese, identiteti si avantazh ekonomik.

Programi i punëve të mira. Dani Rodrik flet për një industrializëm të ri, politika vend-për-vend, klastra prodhimi, bashkë-investime, arsim profesional të lidhur me ekonominë reale. Kjo metodë shndërrohet natyrshëm në EShP (Etika e Shqiptarizmit Performues), turizëm me standard dhe fisnikëri, agropërpunim me markë të besueshme, industri kulturore që ngre vlerën e vendit, teknologji që i jep krah punës. (Rodrik, 2022–2023; Juhász et al., 2023/24)

Teknologjia si krah i njeriut.

Epoka digjitale merr kuptim kur makineritë zgjerojnë horizontin njerëzor. Daron Acemoglu dhe Simon Johnson theksojnë modele inovacioni që forcojnë aftësitë dhe shpërndajnë përfitimet gjerësisht. E djathta e re zgjedh inovacion që fisnikëron punën dhe krijon vendoste me vlerë të shtuar. (Acemoglu & Johnson, 2023)

Besimi si valuta e shtetit.

OECD e mat qartë, aty ku qytetari beson, politikat gjejnë udhë më të drejtë dhe zbatimi merr ritëm. Besimi ndërtohet me shërbim që respekton dinjitetin, procedura të arsyeshme, të dhëna të hapura, drejtësi që ndriçon. EShP (Etika e Shqiptarizmit Performues) e përkthen në praktikë të përditshme, radhë të pakta, përgjigje të shpejta, gjuhë të kthjellët. (OECD, 2024)

Ekonomi që flet gjuhën e vendit. Banka Botërore kërkon lidhje tregjesh, konkurrueshmëri reale, reforma të besueshme në Ballkanin Perëndimor. E djathta e re e kthen në hartë që flet shqip, rrugë që lidhin tregtinë me jetën, standarde që hapin dyer, administratë digjitale që kursen kohë dhe nerva, eksport identiteti që jep fytyrë në tregjet e mëdha. (World Bank, 2024–2025)

Antidot ndaj polarizimit. Pippa Norris dhe Ronald Inglehart tregojnë se shoqëritë humbasin qetësinë kur rrëfimi i përbashkët zbehet.
Shqiptarizmi e ringjall rrëfimin me dinjitet të ndërsjellë, feja si burim mirësie, tradita si urë, e vërteta si mjet shërbimi. Rituali i besës kthehet në standard politik, fjala e dhënë mban barrën e shtetit. (Norris & Inglehart, 2019/2022)

Autoktonia që hap krahët.

Fishta i fali lavdisë gjuhë, Konica i fali kritikës elegancë, Pashko Vasa i fali bashkimit shkallën e lartë, Bogdani i fali arsyes dritë shpirtërore. Kulla e fjalës që ata ngritën rri e fortë edhe sot, lahuta e vlerave, urat e kujtesës, trojet e mendimit. E djathta e re ecën mbi këtë dysheme dhe hap dritaret, kultura frymon, ekonomia flet, shteti shërben. Tri fjalë e mbajnë këtë projekt, Dinjitet, Punë, Besim.
Dinjitet si busull e kontratës politike. Punë të mira si strategji zhvillimi dhe si politikë e vetërespektit. Besim si valuta e rendit të drejtë. Shqiptarizmi i shpie këto në simfoni, rrënjë që mbajnë kombin, degë që prekin dritën, frymë që e kthen dritën në bukë, ditën në drejtësi, punën në shpresë. Shqiptarizmi është fryma që nuk shitet as kur tregu tundon, as kur frika errëson. Shqiptarizmi është ura që e çon vendin përtej mjegullës së tranzicionit.
Shqiptarizmi është etika e veprimit të përditshëm.

Filed Under: Komente

Flet “Mjeshtri i Madh” Bashkim Alibali: “Zambaku i Prizrenit”, festival me ritëm, atmosferë si Festivali i 11-të në RTSH

October 2, 2025 by s p

–           Në demokraci kënga nuk kornizohet dhe ideologjizohet në shërbim të ploitikës.

–          Ka një lidhje shpirtërore mes Festivaleve në RTSH dhe Festivalit “Zambaku i Prizrenit”,

–          Albert Z. ZHOLI

Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”, i themeluar në vitin 1986 në qytetin e Prizrenit, kryeqendra kulturore dhe historike e Kosovës, prej dekadash mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës qytetare. Që nga fillimi, e deri te edicioni i sivjetmë, i 36-ti me radhë. Më 26 shtator, festivali ka pasur për mision të ruajë, kultivojë dhe promovojë këngën qytetare si një trashëgimi shpirtërore të brezave, duke u shndërruar në një skenë ku janë ngjitur emra të njohur të muzikës dhe janë prezantuar krijime, që sot konsiderohen pasuri të kulturës sonë kombëtare.“Organizimi i festivalit nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen institucionale. Një falënderim i veçantë i takon Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit, e cila mbetet zemra organizative e këtij festivali, si dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që çdo vit qëndron krah nismave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore:, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të këtij evenimenti kulturor. Falë punës së poetëve, kompozitorëve, orkestruesve, këngëtarëve dhe orkestrës, “Zambaku i Prizrenit” vazhdon të mbetet një kurorë e artë e Prizrenit dhe një pasuri e të gjithë kombit dhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK) do të jetë sponsor medial i këtij evenimenti kulturor. Kujtojmë se më 26 shtator, “Prizreni u ndez me muzikë, art dhe surpriza të shumta që i dhanë qytetit një atmosferë unike, ndërsa emocionet janë në kulm.

Ju keni qenë pjesë e festivalit të këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”. Një festival që tashmë ka  një histori, ka një traditë dhe portret të lakmueshëm nga kritikët dhe vetë populli. Si do ta cilësonit këtë festival? Cilat janë specifikat?

Për mua “Zambaku i Prizrenit” është një ndër festivalet më të kompletuara që zhvillohet ndër trevat shqiptare.  Festivali pranoi një numër të madh këngësh në edicionin e sivjetmë nga të gjitha trevat shqiptare, prej të cilave  u përzgjodhën 15 këngë finaliste nga një komision profesionistësh, i përbërë nga kompozitorët Kreshnik Aliçkaj e Kushtrim Jakupi dhe solo/këngëtarja Arta Jashari. Organizatorët nga ShKA “Agimi” paralajmëruan se këtë vit festivali pritet të sjellë risi të shumta, me qëllim që të fuqizohen më tej vlerat e këngës qytetare dhe të krijohet një përvojë e pasur kulturore për publikun. Dhe ashtu ishte. Drejtori i ShKA “Agimi”, Festim Bytyqi, ka folur për ecurinë e përgatitjeve të edicionieve si histori duke treguar detaje nga programi i edicionit të 36-të të këtij festivali, teksa bëri të ditur se në mesin e 15 këngëve të përzgjedhura, 3 performues ishin nga Prizreni, 6 nga vende të tjera të Kosovës, 5 nga Shqipëria dhe 1 nga Maqedonia e Veriut. Unë isha mes tyre. Edicioni i 36-të i festivalit tradicional të këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”  u mbajt më 26 shtator në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren. Në këtë edicion përformuan disa artistë me emër si Gjergj Kaçinari, Ylber Asllani, Vullnet Ibrahimi, Artan Bakija, Vlladimir Kotani, Dëfrim Behluli, Tonin Tarnaku, Hyrmet Celina, Sami Pirraj, Andi Unaza, Arsim Kryeziu, Gazmend Kraja, Edon Ramadani, Isa Jakupi dhe Veton Perolli etj…

Ju me çfarë kënge morët pjesë?

Unë mora pjesë me këgën “Nuk pendohem” me muzikë të kompozitorit Vladimir Kotani, tekst të Ramazan Çekës dhe orkestrim të Gjergj Kaçinarit.

–          Si do ta cilësonit këtë Festival me këtë emër kaq domethënës?

–          Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”,  për mua është një Festival unik që krahasohet me festivalet e RTSH, por me një specifikë, sepse është i shtrirë në gjithë  gjeografinë ku ka këngëtarë shqiptarë, që interpretojnë këngën e bukur qytetare. Dihet që Prizreni dallohet për zambakët e bukur dhe të një lloji të veçantë ndaj dhe vajzave të bukura në Kosovë dhe jo vetëm ju thonë “ je bërë si zambak Prizreni”. Por edhe vetë Prizreni është një qytet i bukur me tradita dhe me shumë histori për gjithë kombin shqiptar dhe realizimi i një Festivali të tillë  në këtë qytet ka shumë domethënie. Ana tjetër është se ky Festival tashmë ka fituar emrin e vetëm, traditën e vetë si dhe ka ecur çdo vit në ngjitje me intepretime dhe organizime tejet serioze. Vetë pjesëmarrja e këngëtarëve më të mirë shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse tregon për seriozitetin, përkushtimin dhe ndërgjegjësimin për të afruar një festival me kërkesat e kohës. Por nëse kapërxej në kohë mund të them se ky Festival është si Festivali i 11-të i Këngës në RTSH, plot ritëm, dinamikë, muzikë që sjell risi. Në demokraci kënga nuk kornizohet dhe ideologjizohet në shërbim të ploitikës.

–          Po në Shqipëri a ka Festivale të tillë?

–          Në Shqiëri kemi disa Festivale por mbi të gjitha kemi festivalet në RTSH, që kanë një histori të rrallë dhe pse kohët e fundit ka pasur shumë reagime nga  kritikët, por edhe nga populli.

–          Pra ju bëtë një lidhje mes festivalit “Zambaku i Prizrenit”,  dhe festivalit të 11-të në RTSH. Një Festival i shumëdiskutuar. Po le të ndalemi te i shumëdiskutuari Festivali 11-të, i cili shkaktoi furtunë dhe bujë. Si e kujton sot Festivalin e 11-të?

–          Ai festival nuk harrohet për shumë arsye. Pra ai ashtu mbetet plot bujë, plot enigma, plot diskutime, Mora pjesë me një kompozim interesant për studentët. “Mbrëmja e fundit” titullohej kënga. Pra, kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar me shumë dashuri ditët e shkollës, sepse nesër do shpërndahen. Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit. Nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Ishte një këngë e suksesshme, natën e parë të pranishmit më kthyen dy –tre herë. Ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase. Por, çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim!! Megjithatë dola i kënaqur nga Festivali. Kënga ishte e bukur dhe u pëlqye. Por të këqijat erdhën mbrapa. Ky festival u kritikua shumë. Këngëtarët më të mirë u kritikuan për tendenca borgjezo-revizioniste. Për shfaqje të huaja. U kritikuan ashpër Sherif Merdani, Françesk Radi. Dhe për mua në Shkodër në ndërmarrje u zhvillua një mbledhje që zgjati 4 orë. Pas mbledhjes mua më hoqën të drejtën e këngës për 7 vjet, konkretisht, të mos merrja pjesë në Festivalet e RTSH-së. Pra, sërishmi më kritikuan për ekstravagancë. Dhe kush? Njerëz që nuk e kishin parë fare Festivalin. Pra, deri në vitin 1978, këndoja vetëm në Estradën e Ndërmarrjes këngë popullore. Muzikën e lehtë nuk e lëvrova. Më dukej vetja bosh.

–          Dhe…kur u kthyet sërishmi skenës së Festivalit?

–          Në Festivalin e 17-të. Përsëri mora pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Pas këtij Festivali kam marrë pjesë me ndonjë shkëputje në të gjitha festivalet në RTSH.

Filed Under: Komente

Shqipëria dhe Ballkani përballë oreksit rus!

October 1, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri/

Vetëm duke gjurmuar të shkuarën mund të orientohemi drejt në të ardhmen. Historia është një mësuese mizore për ata që ëndërrojnë me sy hapur dhe hyjnore për ata që ëndërrojnë me sy mbyllur. Sot, ndërsa Putini po përpiqet që ta shembë Ukrainën, Perëndimi ndodhet sërish në buzë të humnerës që e gremisi dikur botën mbarë, në honin e natës së luftës botërore. Le të kthehemi pak pas në kohë.

Në vitin e largët 1913, Konferenca e Londrës sakrifikoi trojet shqiptare për të kënaqur oreksin e Rusisë dhe aleatëve të saj sllavë e grekë, në emër të paqes botërore. Trojet shqiptare u copëtuan, duke u përdorur si monedhë shkëmbimi në tregun e cinizmit të “stabilitetit evropian”. Vetëm një vit më pas, shpërthyen flakët e Luftës së Parë Botërore. Diplomacia dritëshkurtër nuk e parandaloi dot tragjedinë, përkundrazi e përshpejtoi.

Në vitin 1938, Konferenca e Mynihut përsëriti të njëjtin gabim. Çambërlejni dhe Daladieri i dhanë Hitlerin Çekosllovakinë, duke menduar se kishin shpëtuar botën nga lufta. Një vit më vonë, Europa u përfshi në Luftën e Dytë Botërore. Sërish, iluzioni i kompromisit tinëzar i hapi rrugën shkatërrimit. “Paqe në kohën tonë,” tha kryeministri britanik, përpara se të vdiste i kapluar nga marazi. Kënaqja e agresorit nuk solli paqen, por i hapi atij oreksin për më shumë.

Nga Londra 1913, e deri te marrëveshjet e padrejta të shekullit XX, shqiptarët kanë paguar gjithmonë çmimin më të lartë. Sepse, kompromiset e padrejta janë gjithmonë burim tragjedish. Paqja nuk ndërtohet mbi padrejtësinë dhe i forti duhet të jetë i drejtë.

Sot, Perëndimi rrezikon që të bjerë sërish në të njëjtin kurth. Të kënaqësh Putinin do të thotë të pranosh që logjika e forcës të sundojë mbi ligjin, që tanket të kenë më shumë peshë se traktatet, dhe që gjenocidi të shitet si diplomaci.

Vladimir Putini nuk lufton për territore. Ai po lufton për të përmbysur rendin ndërkombëtar që ngrihet mbi lirinë, dinjitetin dhe sovranitetin e kombeve. Ai po teston vendosmërinë e Perëndimit ashtu si dikur Hitleri apo carët rusë. Çdo kompromis që i jep Moskës “një copë” është një ftesë për agresionin e radhës.

Lufta në Ukrainë nuk është një konflikt i izoluar. Javët e fundit, Putin po rrezikon duke ashpërsuar jo vetëm sulmet ndaj Ukrainës, por edhe luftën hibride ndaj Europës. Samiti miqësor me presidentin kinez, Xi Jinping duket se e ka trimëruar atë.

Ballkani është hallka më e brishtë, ku Moska po teston qëndrueshmërinë e NATO-s dhe BE-së. Dihet se një organizëm është po aq i qëndrueshëm sa fortësia e hallkës së tij më të dobët. Në Kosovë, Mal të Zi e Bosnje, Rusia përpiqet sot e gjithë ditën që ti fryjë flakës së ndasisë etnike. Ne nuk duhet që të presim, që nacionalizmi i verbër të zhuris sërish trojet tona përpara se të zgjohemi.

Rusia nuk ka arritur që të dominojë Ukrainën në tokë, det apo ajër. Prandaj, të vetmen shpresë e shikon tek përçarja e NATO-s. Lufta duket se do të përfundoj, vetëm atëherë kur njëra nga palët nuk do të ketë më burimet e nevojshme për ta vazhduar.

Nuk ka paqe duke sakrifikuar Ukrainën. Nuk ka stabilitet duke pranuar qorrazi planet e “botës serbe” të mbështetura nga Moska. Çdo tolerim i agresorit është një thikë pas shpine për kombin shqiptar dhe gjithë rajonin. Ne shqiptarë e dimë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të të mohohet e drejta e ekzistencës. Historia jonë është dëshmi e gjallë e faktit që kompromisi mbi kurrizin e të vegjëlve është recetë për tragjedi.

Politika ruse karakterizohet nga ambicie që tejkalojnë mundësitë reale. Rusia është përpjekur historikisht që nëpërmjet iluzionit të forcës, të kamuflojë dobësitë e saj. Ajo kërkon që të trajtohet si një fuqi e madhe, por nga ana tjetër i mungojnë kredencialet politike, materiale dhe morale për të qenë e tillë.

Nga frustrimi që nuk arrin të fitojë në ekonomi dhe shkencë, Rusia gënjen. Gënjen duke e shndërruar gënjeshtrën në art. Kur nuk mund të fitojë besnikërinë, imponon bindjen me forcë. Kur nuk arrin të dominojë me armë konvencionale, shfaqet me “masat aktive”, me luftë hibride, me dizinformim, me manipulim politik dhe psikologjik.

Strategjikisht udhëheqësit rus janë përpjekur që të kompensojnë ndjenjën e tyre të inferioritetit nëpërmjet mashtrimit dhe dhunës. Frika, terrori, dhuna dhe vrasjet nuk janë mjete dytësore të sistemit rus. Ato janë vetë themeli mbi të cilin ai ngrihet dhe mbahet në këmbë.

Këtë mentalitet të mbrapshtë, shkrimtari dhe politikani i njohur serb Dobrica Çosiç, e përshkruan me këto fjalë: “Gënjejmë për të mashtruar veten, për të ngushëlluar të tjerët; gënjejmë nga keqardhja, gënjejmë nga turpi, për të inkurajuar, për të fshehur mjerimin tonë, gënjejmë për shkak të ndershmërisë. Gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshtra është një gjendje e natyrshme e gjuhës, popullit dhe shtetit serb. Është patriotizëm dhe konfirmim i inteligjencës sonë të lindur. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, imagjinuese, shpikëse.”

Historia nuk fal. Ajo dënon të dobëtit dhe shpërblen ata që guxojnë. Shqipëria, Kosova, shqiptarët, dhe Ballkani mbarë, nuk mund të vendosen përballë një tjetër tragjedie, të shkruar nga cinizmi i atyre që harrojnë mësimet e historisë. Shqiptarët kanë ditur që të dallojnë gjithmonë anën e duhur të historisë. Historia na mëson se liria nuk dhurohet, ajo fitohet e mbrohet.

Nëse injoron të shkuarën, nuk mund të kesh të ardhmen. Në Ukrainë po luftohet për ideale. Aty është kufiri ku sot po përballen dy botë të kundërta. Vetë e ardhmja e demokracisë liberale varet nga kjo betejë vendimtare me tiraninë.

Lufta në Ukrainë dhe Gaza e kanë ndryshuar botën njëherë e përgjithmonë. Duhen kombinuar mësimet e së shkuarës me të tashmen, për të krijuar një të ardhme më të mirë. Në botën që do të rilind pas këtyre luftërave mizore, ne duhet që të kërkojmë paqen e drejtë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të njerëzimit mbarë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 486
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT