• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Basha-Kerry: Do të kontribuojmë për reformat dhe demokracinë në Shqipëri

February 14, 2016 by dgreca

Nga Ilir Vata/
TIRANË, 14 Shkurt -Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u takua sot me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ne kuader te vizites qe zyrtari i lartë amerikan po zhvillon në Tiranë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha pas takimit me Sekretarin amerikan te Shtetit, dha një prononcim për mediat ku u shpreh se vizita e sekretarit Kerry vjen në një moment kyç të demokracisë shqiptare.
“Falenderimet e mia më të përzemërta për sekretarin Kerry, për SHBA-ne, për administratën e Presidentit Obama dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhëne dhe i jep Shqipërisë dhe shqiptarëve. I sigurova në këtë takim se Partia Demokratike do të jetë në krye të përpjekjeve dhe të ruajtjes së standarteve euro-atlantike të demokracisë e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut.
Ashtu si në qeverisje edhe në opozitë, PD mbetet e përkushtuar ndaj këtyre vlerave jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, siç ishte rasti i procesit të dekrimnalizimit, proces kyc ky për të sotmen dhe të nesërmen e demokracisë shqiptare dhe që nuk do të ishte përfunduar me sukses pa mbështetjen e plotë dhe të gjithëanshme të SHBA-së”, tha Basha.
Në fokus të bisedimeve me sekretarin Kerry, tha Basha ishin çeshtje si 25 vjetori i rivendosjes së marredhënieve diplomatike, rekordi i angazhimit tonë si në qeverisje dhe në opozitë për të mbështetur çeshtje të përbashkëta të bashkëpunimit me SHBA. “Takimin me sekretarin Kerry e konsideroj një shenjë besimi të madh tek shqiptarët dhe Partia Demokratike”, tha kryetari i opozites shqiptare.
“Të tjera sfida të mëdha që e presin Shqipërinë janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit si parakusht i ecjes së Shqipërisë përpara drejt integrimit europian, si një kusht i forcimit të kapaciteteve të Shqiperisë për të ecuar përpara e denjë, një aleate e vërtete e SHBA-së, që jo vetëm konsumon por dhe kontribuon në sfida të përbashkta kundër ekstremizmit, kundër terrorizmit por në radhe të parë duke forcuar demokracinë e brendshme që është investimi më i mirë, më i fuqishëm në të ardhmen eropiane dhe Euro-Atlantike të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit. Në këtë kontekst ecim përpara me reforma të rëndësishme siç është reforma në drejtësi, në përputhje me rekomondimet, standartet, normat e pranuara bashkarisht, sic janë ato të Komisionit të Venecias si dhe çeshtja kyce sic është çeshtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të cilat opozita kërkon angazhimin e parterve tanë si një reformë kyce pa të cilën Shqipria nuk mund të bëjë përparë”, tha Basha.

Filed Under: Komente Tagged With: Basha-Kerry, Ilir Vata

20 vite të pranisë amerikane në Kosovë

February 14, 2016 by dgreca

Kosovë-Interesim i madh për vizitën e Sekretarit amerikan Kerry në Shqipëri/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Shkurt 2016/ Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, sot në Shqipëri, po përcillet me interesim të madh nga media në Kosovë, duke qenë lajm i parë, në kryetituj dhe në transmetime të drejtpërdrejta.
Sekretari John Kerry vizitoi Kosovën para pak më shumë se dy muajëve, në 2 dhjetor 2015, me ç’rast theksonte se, në emër të Presidentit Obama sjellte përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Tash, 20 vite më pas në këtë 17 shkurt Kosova feston 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë me 111 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së, që në orët e para shtet nga SHBA e Shqipëria.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë më 6 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, më 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Në 21 gusht 2015, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.
Derisa sot vizita e John Kerry në Shqipëri raportohet e transmetohet nga shumë media në Kosovën e lirë e të pavarur, kujtoj se në vitin 1991 për të përcjellë vizitën e Sekretarit amerikan James Baker në Tiranë nga gazeta e vetme shqipe në Kosovë në atë kohë “Bujku” dërguam ekipin në qytetin pranë kufirit të hekurt ndërshqiptar, në Gjakovë, atje ku mund të shihej Televizioni Shqiptar, i cili nuk mund të shihej në Prishtinë e në shumë rajone tjera kosovare.

Filed Under: Komente Tagged With: 20 vite të pranisë amerikane, Behlul Jashari, ne Kosove

Kosovë-Veseli: Sundimi i ligjit nuk ka alternativë

February 12, 2016 by dgreca

-Kryeparlamentari Veseli në takim me drejtuesit Agjencisë Kosovare të Privatizimit: Ka ardhur koha për një vlerësim të procesit të privatizimit në Kosovë nga fillimet e tij deri më tani/
-U diskutua edhe për Ndërmarrjen Trepça, si një prioritet i veçantë nacional/
-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në 71 vjetor, 14 vjet dëbim dhe mbyllje. Shkelje shumë e rëndë e të drejtave, rast i pashembullt në botën e lirë e demokratike/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 12 Shkurt 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi, kryeses i Bordit dhe Avni Jashari, drejtor menaxhues, me bashkëpunëtorë.
Në takim u diskutua për një varg çështjesh, të cilat vazhdojnë të jenë sfiduese për këtë agjenci dhe drejtuesit e saj.
Sipas dakordimit nga takimi i kaluar, ishte qëndrim i përbashkët i bashkëbiseduesve që lista e të gjithë uzurpatorëve të pronave publike dhe shoqërore në Kosovë, që nga viti 1999 e këtej, të bëhet publike këtë të hënë.
Kryetari Veseli falënderoi drejtuesit e AKP-së për punën tyre në krye të kësaj agjencie dhe për vendimet e tyre të rëndësishme, sidomos lidhur me listën e uzurpatorëve, për të cilën tha se nevojitet përfshirje e drejtpërdrejt e prokurorisë.
Veseli tha se ka ardhur koha për një vlerësim të procesit të privatizimit në Kosovë nga fillimet e tij deri me tani.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dinë me emër dhe mbiemër se kush ka privatizuar në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve, por edhe se kush janë uzurpatorët dhe përfituesit e paligjshëm në Kosovë. Ka ardhur koha që manipulimet të marrin fund dhe akuzat të qartësohen. Sundimi i ligjit nuk ka alternativë”, theksoi kryetari Veseli.
Në takim u bisedua edhe për mundësitë e rritjes së investimeve të huaja në Kosovë, nëpërmjet krijimit të lehtësirave, siç janë zonat e reja ekonomike, të cilat do t’u krijonin mundësi investitorëve të rinj që të investojnë në Kosovë, duke rritur kështu prodhimin vendor dhe hapur vende të reja të punës.
U diskutua, gjithashtu, edhe për Ndërmarrjen Trepça, si një prioritet i veçantë nacional.
Gjatë takimit, u fol po ashtu, edhe për ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që investimet në komuna të mos jenë peng i barrierave ligjore që dalin nga ligjet ekzistuese mbi pronat, u bë e ditur pas takimit.
***
GAZETA RILINDJA NË 71 VJETOR, 14 VJET DËBIM DHE MBYLLJE/

-Shkelje shumë e rëndë e të drejtave, rast i pashembullt në botën e lirë e demokratike/
Një nga ndërmarrjet nën autoritetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit është Ndërmarrja Shoqërore Gazetare – Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila në këtë 12 shkurt do të duhej të festonte 71-vjetorin. Por, s’ka festë shumë vite. Në këtë 21 shkurt bëhen 14 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm, i padrejtë e i dhunshëm nga Pallati Rilindja që i bëri UNMIK gazetës Rilindja ndërmarrje shoqërore. Ishte mbyllje detyrimisht e gazetës dhe ndërmarrjes. Ishte edhe dëbim kolektiv dhe i dhunëshëm nga puna i gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të gazetës historike Rilindja. Shkelje shumë e rëndë e të drejtave, rast i pashembullt në botën e lirë e demokratike.
Besojmë dhe urojmë që gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja – Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja të jetë prioritet i Bordit të ri të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe menaxhmentit të kësaj Agjencie, për zgjidhjen e ligjëshme brenda këtij viti ndërkohë që në këtë muaj shkurti nis viti i 15-të nga dëbimi e mbyllja e kundërligjëshme, e padrejtë dhe e dhunëshme.
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit, të udhëhequr nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para 7 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”, krahas titullit “Ministri Bajrami: Qeveria do të përkujdeset për Pallatin dhe për punëtorët e Rilindjes, e gatshme ta ndihmojë daljen e gazetës”.
Ky paralajmërim ishte si rezultat i këtij premtimi dhe të drejtës së ligjëshme, duke besuar se Rilindjen do rifillojë të dalë e pёrditshme edhe para privatizimit me statusin qё ka tё ndёrmarrjes shoqёrore, pas pёrfundimt tё rinovimit tё Pallatit Rilindja qё u bё.
Me rastin e rifillimit të punëve për rinovimin e Pallatit të Rilindjes, më 7 nëntor 2008, ministri i atëhershëm i Administratёs Publike, Arsim Bajrami edhe në konferencën e shtypit me atë rast theksonte premtimin për zgjidhjen e ligjshme që do duhej të bëhej edhe për gazetën tradicinale të Kosovës Rilindja.
“Pallatin e Rilindjes përkohësisht e merr Qeveria nën pëkujdesje, ne do të kemi përkujdesje edhe ndaj punëtorëve të Rilindjes. Punëtorët e Rilindjes i kemi pasë pjesë të procesit…” , theksonte ministri Bajrami.
Punimet për rinovimin e Pallatit të Rilindjes rifilluan pasi ai ishte lënë si gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, pas vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 15 shkurt 2005 për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”. Kjo pasoi insistimet e vazhdueshme të Rilindjes dhe të Agjencisë Kosovare të Mirbesimit (tash Agjencisë Kosovare të Privatizimit) për pronësinë, si dhe përgjigjen në letrën zyrtare të Rilindjes me shkresë poashtu zyrtare përkrahëse të kreut të UNMIK-ut, kryeadministratorit, Harri Holkeri, në 3 nëntor 2003. Holker në letërën dërguar gazetës Rilindja shkruante edhe se, “UNMIK-u do të bëjë gjithë çka është e mundur për të gjetur lokale alternative në mënyrë që kompania juaj të rifillojë punën në sektorin medial”, duke mbështetur edhe në të drejtën e pronësisë, të shkelur nga kryeadministratori para tij, Hans Haeekerup, në kohën e të cilit gazeta e përditëshme tradicionale e Kosovës Rilindja u dëbua nga Pallati i saj.

Meqë edhe pas rinovimit të Pallatit nuk u përmbushën premtimet dhe nuk u bë zgjidhja e duhur e ligjshme për Rilindjen, kjo gazetë iu drejtua atëherë zëvendëskryeministrit dhe ministrit edhe aktual të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili në përgjigjen me shkresë zyrtare tё datёs 2 maj 2012, shprehte sigurime institucionale në emër të qeverisë dhe personale “pёr zgjidhje tё drejtё dhe ligjore tё problemit tё objektit dhe tё punёtorёve tё Rilindjes”…

Në letrën zyrtare të 12 shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja, mes tjerash, ka ritheksuar:

“Emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje dhe në objektet ku kanë qenë.

Por, në rrethanat tona kur Pallatin Rilindja e ka marrë qeveria dhe duhet ta kompensojë, ne privatizimin e gazetës nuk e lidhim me objektin. Kush e blenë gazetën – të drejtën për të qenë trashëgimitar i ligjshëm i emrit dhe traditës së Rilindjes, siguron vetë lokalet e punës”.
Në letrën zyrtare të 12 shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja, mes tjerash, ka ritheksuar kërkesën për kompensimin e punëtorëve në procesin e likuidimit të ndërmarrjes dhe të mos ketë vonesa të mëtejme në këtë proces, si dhe në ndarjen e 20 përindëshit të vlerës së të gjitha pronave përfshirë arkivin pasuri kombëtare e pazëvendësueshme e me vlerë shumë të madhe dhe të vlerës së privatizimit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja.
Është kërkuar edhe që në procesin e likuidimit të ndërmarrjes, kompensimi të bëhet sipas tre padive që i kemi bërë në gjyq, veçmas të padisë së parë (C.nr.521/02) të 14 majit 2002 për dëbimin kolektiv nga puna.
Është kërkuar që kompensimi në procesin e likuidimit të bëhet edhe sipas padisë së dytë (C. nr. 151/03) të 22 prillit 2003 dhe padisë së tretë (C-1573/04) të 30 qershorit 2004, për vlerën e gjithë teknikës e inventarit dhe për të gjitha dëmet e humbjet e shkaktuara.
—(Behlul Jashari, kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes. Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovë-Veseli: Sundimi i ligjit, nuk ka alternativë

Kosovë-Veseli vazhdon takimet me ambasadorë perëndimorë

February 12, 2016 by dgreca

-Bisedohet për proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës/
-Shtypi kosovar në kryetituj: Pushteti do zgjedhjen e presidentit para 17 shkurtit. Opozita: Te presidentja, vetëm për zgjedhje/
PRISHTINË, 12 Shkurt 2016-B.Jashari/ Kryeparlamentari kosovar, Kadri Veseli, vazhdon sot takimet me ambasadorët perëndimorë në Prishtinë, me tre prej të cilëve dje bisedoi për proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryetari Veseli sot takohet me ambasadoren e Gjermanisë, Angelika Viets, ambasadoren e Francës, Maryse Daviet dhe me ambasadorin e Italisë, Andreas Ferrarese.
Në takimet gjatë ditës së djeshme, ambasadori SHBA-ve, Greg Delawie, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, si dhe ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu, sipas njoftimit dërguar nga Kuvendi, theksuan domosdoshmërinë që të hiqet dorë nga përpjekjet që përmes dhunës të diktohen vendimet politike, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjet, sepse kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike. Përpjekje të tilla janë duke e dëmtuar shumë imazhin e vendit dhe përparimin e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin demokratik të shtetit, theksohej në njoftim.
Në këto takime u bisedua edhe rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës. Ambasadorët kërkuan që ky proces të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa kryetari Veseli theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik, transparent dhe inkluziv.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe shpërndarjen e Kuvendit e shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërkohë që ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.
Ndërsa, “Pushteti do zgjedhjen e presidentit para 17 shkurtit”, thekson sot në një kryetitull balline shtypi kosovar.
Koha Ditore shkruan se, pushteti është në fazën finale përgatitore për seancën plenare, në të cilën ka për synim ta zgjedhë Hashim Thaçin për president të shtetit. Seanca do të organizohet brenda pak ditësh.
Tashmë janë bërë gati ftesat për ligjvënësit e mysafirët, ka thënë një burim i gazetës të enjten.
Ka treguar edhe për anulim të të gjitha vizitave jashtë vendit, të planifikuara nga deputetët e subjekteve që qeverisin, apo nga zyrtarët e lartë të Ekzekutivit. Edhe skenari është gati.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka nisur turin përfundimtar të konsultave me ndërkombëtarët. Burime të gazetës kanë thënë se kryeparlamentari ka marrë dritën jeshile për të ecur përpara me çështjen kryesore që e ka në axhendë Kuvendi, raporton gazeta.
Liderët kosovarë ritheksojnë qëndrimet e mbajtura deri tash kundër qeverisë, kundër seancave të Kuvendit e kundër zgjedhjes së Presidentit, edhe pasi Presidentja aktuale e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi në 8 shkurt 2016 një takim të përbashkët me drejtuesit e subjekteve politike parlamentare, për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend. Në tryezën e përbashkët të dialogut ishin liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dhe në këtë përpjekje të tretë të Presidentes që nga fundvera 2015, për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj.

Për takimet tjera që priten, sipas një kryetitulli tjetër sot në shtypin Kosovar, opozita tash ka qëndrimin: “Te presidentja, vetëm për zgjedhje”.

Gazeta Zëri shkruan se, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka paralajmëruar vazhdimin e takimeve me krerët partiakë për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend.

Megjithatë, përfaqësuesit e tre subjekteve opozitare thonë se kryetarët e këtyre subjekteve do të pranojnë të takohen me drejtuesit e koalicionit qeverisës vetëm nëse në rend dite do të jenë modalitetet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ndryshe, sipas opozitarëve, takimet e organizuara nga Presidentja Jahjaga janë të kota sepse nuk prodhojnë asnjë rezultat.

Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se Jahjaga do të vazhdojë angazhimin e saj për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e krizës, por nuk tregon se kur do të thirret takimi tjetër i liderëve partiakë, pas atij që u mbajt të hënën. “Presidentja Jahjaga do të vazhdojë angazhimin e saj për dialog ndërmjet partive politike parlamentare për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentes.
Kuvendi i Kosovës ende nuk ka mbajtur asnjë seancë plenare në sesionin pranveror, duket në pritje të një zgjidhje për krizën politike, që po vazhdon nga fundvera e vitit të kaluar.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare.
Ndërsa, Kuvendin e Kosovës e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pasi Presidentes aktuale i kalon mandati pas më pak se dy muajsh, në 6 prill. Sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Kushtetuta përakton edhe se, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë 13 deputetë opozitarë, të cilët ndërkohë janë liruar.

Filed Under: Komente Tagged With: me ambasadoret, Veseli, vijojne takimet

Konfirmohet teoria e Ajnshtajnit

February 12, 2016 by dgreca

…. zbulohen valët gravitacionale nga vrimat e zeza/
Shkencëtarët shpallën sot detektimin e parë të drejtpërdrejtë të valëve gravitacionale, një përparim madhor në fizikë që hap një dritare të re mbi universin dhe misteret e tij.
Ky zbulim, që u publikuar gjatë një konference për shtyp në Uashington, konfirmon një parashikim kyç të Albert Ajnshtajnit në teorinë e tij të relativitetit të përgjithshëm të prezantuar një shekull më parë.
“Ne kemi detektuar valë gravitacionale, ne ia arritëm”, deklaroi nën duartrokitje, David Reitz, një fizikant i “Caltech” (California Institute of Technology), drejtor i observatorit “Ligo” (Laser Interferometer Gravitational-wave Observatory) që mundësoi këtë vëzhgim më 14 shtatorin e kaluar në përfundim të 50 viteve përpjekje.
“Ky detektim është fillimi i një epoke të re, ajo e astronomisë së valëve gravitacionale që tashmë janë bërë një realitet”, theksoi Gabriela Gonzalez, zëdhënëse e ekipit “Ligo”, profesoreshë e astrofizikës në Universitetin e shtetit të Luizianës.
“Me këtë zbulim, njerëzimi hidhet në një ndjekje të mrekullueshme për të eksploruar vendet më ekstreme të universit, ku objekte dhe fenomene janë formuar me deformimin e hapësirës dhe kohës”, shtoi Kip Thorne, profesor i fizikës teorike në “Caltech”. “Përplasja e dy vrimave të zeza dhe valët gravitacionale janë shembulli ynë fantastik i kësaj aventure të re”, tha ai.
France Cordova, drejtoreshë e “National Science Foundation” (Fondacioni Kombëtar Shkencor), që financon laboratorin “Ligo”, shpjegon se “ky vëzhgim shënon fillimin e një fushe krejt të re të astrofizikës, të krahasueshme me momentin kur Galileo drejtoi për herë të parë teleskopin nga qielli në shekullin e XVII”.
Valët gravitacionale janë prodhuar nga turbullime të lehta të pësuara nga struktura hapësirë-kohë nën efektin e zhvendosjes së një objekti me masë të madhe, pak a shumë si deformimi i një rrjete kur vendosim një peshë. Ato përhapen me shpejtësinë e dritës dhe asgjë nuk i ndalon.
Vrimat e zeza
Për këtë zbulim, fizikantët përcaktuan se valët gravitacionale të detektuara në shtator janë formuar në fraksionin e fundit të sekondës para fuzionimit të dy vrimave të zeza, objekte me densitet të lartë ende të mistershme.
Mundësia e përplasjes mes dy trupash të tillë është parashukuar nga Ajnshtajni por ky fenomen, shmbull ekstrem i gravitetit, nuk ishte vëzhguar më parë.
Sipas teorisë së relativitetit, një çift vrimash të zeza në orbitë njëri rreth tjetrit humbet energji, duke prodhuar valë gravitacionale. Janë këto valë që u detektuan më 14 shtator 2015 në orën 16:51 GMT. “Një moment i pabesueshëm, nuk mund ta besoja, ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë”, u shpreh David Reitze.
Analiza e të dhënave mundësoi të përcaktohej se këto dy vrima të zeza janë bashkuar rreth 1,3 miliardë vite më parë. Ishin 29 dhe 36 herë më masive se sa dielli ynë, me një diametër prej vetëm 150 kilometrash.
Tashmë dimë se burimi i këtyre valëve ndodhej në hemisferën jugore të qiellit madje detektorët arritën të mundësojnë një lokalizim edhe më preçiz.
“Aplikimi i parë që shohim është për vrimat e zeza, pasi ato nuk emetojnë dritë dhe nuk do të mund t’i shikonim pa valët gravitacionale”, theksoi astrofizikanti, David Shoemaker, përgjegjës i “Ligo” në “Massachusetts Institute of Technology” (MIT), duke vënë në dukje gjithashtu se ende nuk dihet se si këto objekte, që ndodhen në qendër të gati çdo galaktike, zmadhohen.
Eksplorimi i universit
“Valët gravitacionale mund të ndihmojnë të shpjegojnë formimin e galaksive”, mendon David Shoemaker.
“Graviteti është forca që kontrollon universin dhe fakti që mund të shohim këto valë na mundëson të shohim fenomene të kozmosit nga më shkatërrimtaret dhe themelueset, që janë gati të pavëzhgueshme me forma të tjera”, theksoi Tuck Stebbins, shef i laboratorit të Astrofizikës Gravitacionale në qendrën Goddard të NASA-s.
Fakti që mund të detektojmë këto valë që lëvizin pa u panguar për miliarda vite bën të mundur që të arrijmë në të mijtën e sekonëds të parë të Big Bang.
“Zbulimi i fundit i kësaj rëndësie është bërë në vitin 1888, kur Heinrich Hertz detektoi valët radio të parashikuara nga ekuacioni i James Clerk Maxwell mbi elektromagnetizmin në vitin 1865”, shkruan profesori i fizikës James Tom McLeish, i Royal Society në Londër dhe i Universitetit Durham.
Një provë indirekte e ekzistencës së valëve gravitacionale ishte prodhuar nga zbulimi në vitin 1974 të një pulsari (një objekt qiellor, mendohet të jetë një yll prej neutroni, që lëshon një mijë pulses për sekondë si dhe valë radio dhe rrezatim elektromagnetik shën. i pëkth.) dhe një ylli prej neutronesh që vinin rrotull njëri tjetrin me një shpejtësi shumë të madhe, nga Russel Hulse dhe Joseph Taylor. Për këtë zbulim ata morrën çmimin Noble të fizikës në vitin 1993.

Filed Under: Komente Tagged With: Konfirmohet, teoria e Ajnshtajnit, valet graviteacionale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 361
  • 362
  • 363
  • 364
  • 365
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT