-Nga zhvillimet e fundit në Kosovë: Kuvendi në sesionin pranveror ende pa seancë plenare, opozita paralajmëron protestë edhe në një ditë tjetër feste. Shtypi: Qeveria e gatshme për emisar ndërkombëtar, opozita kundër/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Janar 2016/ Shefi i Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, David Cullen, sot në Prishtinë, ka theksuar përkrahjen e Komisionit Evropian për thellimin e axhendës evropiane të Kosovës, në veçanti përmes identifikimit të prioriteteve kyçe për zbatimin e MSA-së, si dhe për finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u takua sot me shefin e Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, David Cullen.
Me Cullen kanë diskutuar për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, angazhimet dhe punën që po bënë Kosova në rrugën e saj drejt BE-së e në veçanti për procesin e liberalizimit të vizave dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Ascociimit.
Ministri Çollaku, ka potencuar faktin që Kosova ka dorëzuar inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave, duke thënë se pret që rezultatet dhe të arriturat e paraqitura në të, të vlerësohen pozitivisht nga institucionet e BE-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës pret që gjatë vizitës së paralajmëruar të komisionerit të BE-së, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, të konfirmohet zbatimi i rekomandimeve për këtë proces dhe në këtë mënyrë të hapet rruga për procedurat e mëtutjeshme për heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ministri Çollaku.
Po ashtu ministri i Integrimit Evropian, ka informuar përfaqësuesit e BE-së, se Kosova është e gatshme për zbatimin e MSA-së.
Palët gjithashtu kanë diskutuar edhe për asistencën e BE-së në Kosovë, si dhe përgatitjet që po bënë Kosova për qasjen në Programet e BE-së.
Raportimi lidhur me plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave ishte sot edhe në axhendën e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, i cili ka nisur javën e kaluar sesionin pranveror, por ende nuk është ftuar seanca e parë plenare e sesionit të ri edhe pse u mbajt të premtën mbledhja e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.
Për raportim ishte ftuar ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili në 15 janar 2016 i ka dorëzuar Bashkimit Evropian inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave.
Ministri bëri një prezantim rreth raportit lidhur me plotësimin e rekomandimeve për liberalizimin e vizave, ndërsa theksoi se në Këshillin Evropian është dërguar imputi i fundit rreth plotësimit të rekomandimeve. Ai njoftoi se në pjesën e parë të muajit shkurt pritet të vijë komisionari Avramupoulos, për vizitë në Kosovë. Ministri Çollaku shtoi se kanë përpara disa javë kritike lidhur me liberalizim, duke u shprehur optimist se epilogu do të jetë pozitiv.
Në Bruksel, në 21 janar, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, mori pjesë në panelin diskutues me temë “Liberalizimi i vizave për Kosovën-Lëvizja nga izolimi në integrim”, organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Qendra Evropiane për Politika në Bruksel (EPC).
Gjatë prezantimit të tij, para diplomatëve evropianë, shoqërisë civile e mediave ministri Çollaku, shpjegoi në mënyrë kronologjike rrugëtimin e Kosovës drejtë përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ministri Çollaku informoi të pranishmit se ditë më parë kishte dorëzuar në Bashkimin Evropian inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve të fundit në këtë proces dhe se tani pret veprime të shpejta nga Komisioni Evropian.
“Ky input përfshinë të arritura dhe rezultate të qarta që janë arritur në tre muajt e fundit nga institucionet kosovare në adresimin e rekomandimeve të fundit të procesit të liberalizimit të vizave, për të cilat presim vlerësim pozitiv nga institucionet e BE-së. Ne presim që vizita e paralajmëruar e komisionerit të BE-së Dimitris Avramopoulos në Kosovë të përmbyllet suksesshëm dhe t’i hap rrugën procedurave për heqjen e vizave për kosovarët. Kjo duhet të ndodhë për faktin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me udhërrëfyes dhe është plotësisht e gatshme për këtë proces”, ka theksuar ministri i integrimit Evropian.
Një zhvillim tjetër shumë i rëndësishëm për Kosovën javën e kaluar ishte ratifikimi në Parlamentin Evropian i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015, në Strasburg, nga kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në 2 nëntor 2015.
Qeveria kosovare ka vlerësuar se, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është një sukses shumë i madh i Kosovës, është një mundësi e shkëlqyer për fuqizimin e gjithanshëm të dialogut politik, të marrëdhënieve tregtare dhe të bashkëpunimit të shumanshëm me Bashkimin Evropian.
Qeveria e Kosovës, me këtë rast, ka shprehur përkushtimin e saj për thellimin e mëtejshëm të reformave, për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetit, në partneritet të plotë me vendet mike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet tjera të BE-së.
Në 2 nëntor 2015, ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës u miratua me më shumë se dy të tretat e votave, me 86 vota pro të parlamentit 120 anëtarësh, por pa praninë e opozitës së bashkuar të tre partive me gjithësej 31 deputetë, e cila me këtë rast nuk bllokoi seancën, ndërsa u largua nga salla plenare pasi paraqiti qëndrimet e veta.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare, ndërkohë që Kuvendin, me shumë humbje kohe edhe pas zgjedhjeve edhe pas konstituimit, e presin shume punë. Së shpejti duhet të ndodhë edhe zgjedhje e Presidentit të Republikës së Kosovës, që sipas Kushtetutës bëhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë. “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”, thuhet në Kushtetutë, ndërkohë që mandati i Presidentes aktuale, Atifete Jahjaga, përfundon në 6 prill 2016.
Por, Kuvendi i Kosovës, i zgjedhjeve të parakohëshme të 8 qershorit 2014 e i konstituuar me vonesë pas plot 6 muajëve, prej më shumë se 4 muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit 2015, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur edhe deputetë opozitarë të arrestuar, 13 sipas opozitës, ndërkohë që ka ndodhur edhe lirimi i tyre.
Situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës, ndërkohë që opozita ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme “kundër ‘zajednicës’ (bashkësisë së komunave serbe), kundër demarkacionit me Malin e Zi, dhe për largimin e kësaj qeverie që e ka shkelur Kushtetutën” për datën 17 shkurt, kur është 8-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe në një ditëfeste tjetër pas asaj të 28 nëntorit – Ditës së Flamurit e të pavarësisë së Shqipërisë, të zhvilluar në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës është shprehur se, “Kauzat e opozitës kanë dalë që janë të paqëndrueshme, sepse Gjykata Kushtetuese ka përfunduar se Asociacioni duhet të themelohet, sepse është kategori juridike në Kosovë dhe duhet të bëhet sipas marrëveshjes së parë, ndërsa Departamenti i Amerikan i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konstatuar se vija kufitare me Malin e Zi është përcaktuar në vijën në të cilën është shpallur Pavarësia e Republikës së Kosovës”. Qeveria është shprehur pro “që të formohet një komision ndërkombëtar në mënyrë që të sqarojë çdo dyshim dhe çdo pretendim lidhur me këtë vijë kufitare dhe ajo pastaj të zgjidhet në bashkëpunim me Malin e Zi”.
Në këtë vit të dytë me protesta të opozitës, në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas tre partive opozitare, ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në 28 nëntor 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
“Qeveria e gatshme për emisar ndërkombëtar, opozita kundër”, thekson sot shtypi i Kosovës në një kryetitull balline.
Raportohet se, qeveria dhe opozita kanë qëndrime të kundërta përkitazi me mundësinë që ndërmjetës ndërkombëtarë t’i ulin në një tryezë për ta zgjidhur krizën politike.
Sipas gazetës Koha Ditore, derisa zyrtarë qeveritarë janë shprehur të gatshëm të pranojnë çfarëdo emisari, nga kampi opozitar kanë thënë se nuk ka nevojë për ndërmjetësues dhe se kthimi i normalitetit në vend mund të bëhet vetëm nëse anulohen marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.
Për analistët zgjidhja e vetme mund të jetë përmes ndërkombëtarëve, por nëse ata mbështesin liderë me integritet e aftësi, e jo të tillët që aftësi të vetme kanë dëgjueshmërinë karshi ndërkombëtarëve.
Ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, mbi propozimin e të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës, politikani suedez Carl Bild dhe së fundi ndihmëssekretari amerikan për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, janë emisarët e përfolur për mundësinë e ndërmjetësimit mes pozitës dhe opozitës në Kosovë.
Kosova, fuqizim i qëndrueshmërisë kundër radikalizmit të dhunshëm
-Zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Alessandra Roccasalvo, tha se Kosova është ndër vendet e Ballkanit dhe më gjerë më pro aktive, që është duke luftuar dhe parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm/
PRISHTINË, 25 Janar 2016/ Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara filluan punëtorinë treditore “Stresaviora”, ku po diskutohet për fuqizimin e qëndrueshmërisë kundër radikalizmit të dhunshëm.
Në këtë punëtori morën pjesë ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Alessandra Roccasalvo, Charles De Winter nga Policia Federale e Belgjikës dhe Noel Klima nga Shërbimi Publik Federal i Punëve të Brendshme të Belgjikës.
Ministri Hyseni tha se Ministria e Punëve të Brendshme po luan rol të rëndësishëm, madje ka marrë rol prijës në luftimin, parandalimin e radikalizmit të shoqërisë së kosovare, me synim parësor, ndalimin dhe parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmin me premisa dhune, që në faza të caktuara të zhvillimit shndërrohet në veprime të dhunshme që marrin format e akteve makabre terroriste.
“Ndërkohë na del si detyrim esencial i shoqërive të të gjitha shtresave të organizimeve sociale, politike që të bëjmë më shumë në parandalimin e radikalizmit të komunitetit tonë”, tha ministri Hyseni.
Ndërsa zëvendës-përfaqësuesja e përhershme e UNDP, Alessandra Roccasalvo, tha se Kosova është ndër vendet e Ballkanit dhe më gjerë më pro aktive, që është duke luftuar dhe parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, dhe kjo nuk është një kompliment.
“Një avantazh për Kosovën është se si një vend i vogël, policia është duke bërë një punë të mirë në këtë fushë, prandaj kemi vendosur që së bashku me MPB-në dhe partnerët tjerë për të zhvilluar disa trajnime që zhvillohen në disa shtete të cilat kanë pasur çështje të ngjashme”, theksoi Roccasalvo.
Kjo punëtori synon që të fuqizojë qëndrueshmërinë karshi radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, është organizuar në dy sesione, sesioni i parë i destinohet përfaqësuesve të institucioneve qendrore, ndërsa sesioni tjetër i është destinuar nivelit lokal. Kjo punëtori do të zgjasë tre ditë./b.j/
Presidenti Nishani dërgon në Gjykatë Kushtetuese Ligjin e Pronave
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, vendosi të dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”, ndërsa parlamenti e votoi për herë të dytë atë pasi ai e ktheu për rishqyrtim.
Presidenca njoftoi se zoti Nishani e ktheu ligjin në parlament me shpresën për një debat më serioz, profesional dhe të kujdesshëm rreth tij.
Sipas presidentit Nishani, ky ligj cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Ai theksoi se çështja e pronës është e një rëndësie madhore për qytetarët shqiptarë dhe ndikon drejtpërdrejt në përparimin e vendit ndaj është përcaktuar si një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Qeveria shqiptare u angazhua për të trajtuar çështjen e pronarëve, me synimin për ta eliminuar me ligj dhe në praktikë zvarritjet burokratike, dhe për të sjellë barazi të të gjithë pronarëve, të cilëve u është njohur prona për kompensim, me qëllim realizimin e një shpërblimi të drejtë.
Ligji i ri ndeshi në kundërshtimet e menjëhershme të shoqatave të pronarëve, sepse sipas tyre, formula e re zhvlerëson nga dhjetë deri në njëqind fish pronat dhe kompensimet e tyre.
Pronarët vazhdojnë ta hedhin në gjyq qeverinë shqiptare në Gjykatën Europiane për të Drejta Njerëzore për të fituar pronat e tyre.
Shumica dërrmuese e tyre po i fitojnë këto gjyqe, ndërsa gjykata po e ngarkon qeverinë përherë e më të madhe për t’u kthyer dhe kompensuar pronat, të cilat pronarët nuk i marrin dot me ligjet ekzistuese të Shqipërisë.(Ilirian Agolli-VOA)
DONIKA HAMITAJ DHE POEZIA E SAJ SHPIRTËRORE
Nga Eduard M. Dilo/
Mrekullohesh kur të jepet mundësia të lexosh vargjet e poetes tashmë të afirmuar si e tillë, Donika Hamitaj. Poezia e saj është krejt shpirtërore, një poezi që të josh, sepse në vargjet e saj flet zemra e destinuar për të përcjellë mesazhe aq njerëzore, edukative, të domosdoshme sidomos në kohën që përjetojmë.
Në vargje ajo ka vendosur aq kuptueshëm, kaq çiltër, kaq bukur, gjithçka. Ajo edhe pse një shpirt i përvuajtur, vuajtjet nuk e kanë mposhtur, por ajo i ka mposhtur në brendësi të saj ato, dhe është formuar me karakter të lartë.
Duke u bërë e fortë, duke vuajtur ajo vetë, nuk do që të tjerët të vuajnë, por do të përcjellë vetëm mirësi për këdo… Mesazhë tejet njerëzore përcjell ajo tek poezia “Kënga Tragjike”.
Është kënga që asaj i oshëtin në veshë, i futet në shpirt, kënga që këndonte Babai i saj,” kur vala shpirtin ta shkrumbonte”, si dhe Nënës që “Mbi gërmadha e mjerime, aty ku i shqyhej zemra”, gjenin kohë të këndonin duke sfiduar realitetin e hidhur për të rritur plot kurajo fëmijët. Donika është e lindur poete me shpirt poetik, edhe pse ia vranë fëmirinë e ia coptuan rininë. Në kohën që ndryshoi sistemi, shpërtheu e gjeti vetëveten, u bë ashtu siç e meriton. Me butësinë e një nëne, më ëmbëlsinë e një femre krijuese të bukur e model (jo vetëm në pamje, por sidomos në shpirt), vjen ashtu thjeshtë e pa bujë në vargje, vjen ëmbël, me një varg tërheqës e domethënës, më një poezi që kur njihesh më të bëhet domosdoshmëri e përherëshme ta lexosh. Ajo reflekton kudo mirësi, në jetën e përditshme, kudo…, natyrisht edhe në poezi:
“Përse shpirt po ligështohesh?…
Brënda meje përse shkumon?!…
… Përse shpirt me ujërat ndeshesh!…
Mos me lotin je dashuruar?…
Ndize ti shkëndijën e shpresës!
…Lër pas dete dhe oqeane,
Fluturo si zog me krahë të lira!..”
Sa bukur poetja del nga ligështimi, nga mërzitja e shpirtit, pushon lotët e “dashuruar” me to jashtë dëshirës së saj, dhe fluturon me krahë të lirë si zogjtë, si shqiponjat. Ajo është e drejtë, e vendosur drejt arritjes së qëllimit të saj, mposht gjithëçka që kërkon ta mposhtë dhe jeton e lirë në vetëvete! Sa e sinqertë, me sa shpirt të pastërt poetja zbraz “thesin e zemrës” tek shoqja me vlerë! Ajo atë nuk e ndërron me asnjë thesar: “Thesar është ajo/ shoqe e sinqertë,/ thesar mbi thesarë”- shkruan poetja. Donika, duke qenë fisnike në shpirt, e mbrujtur dhe edukuar me frymë të Shenjtë Biblike thotë – Perëndia nuk kërkon asgjë nga askush, veç kërkon që këdo vetë po të mundet ta ndihmojë, t’i japë… (Poezia “Bashkë me ju o njerëz”).
Varg optimist, varg plot ngjyra të bukura, plot metafora figurash, që aq këndshëm qëndrojnë si gjerdan e japin mesazhe mirësie. E tillë është poezia e Donikës, kësaj poeteshe që me vargun shpirtëror që shkruan, ushqen shpirtra të bukur. Sa shumë ajo e dashuron të vuajturën Nënë Shqipëri – edhe pse bishat na kanë ndarë- sepse një emër kemi, jemi gjithë shqiptarë! Ajo di të falë, di të mëshirojë ata mjeranë të mjerë, pra përcjell mesazhe briliante si rrallëkush…
Është nga të paktat poete që në letersinë tonë bashkëkohore, të këtë vargje shpirtërore, vargje që hyjnë në zemër të kujtdo që është Njeri! Plagët nuk shërohen thotë poetja, ato veniten. E vërteta është e hidhur, duam s’duam do ta pranojmë. Sa zemra kanë ndjerë dhimbje, kanë ndjerë çkulje nga krahërori, nga koha- diktaturë…! Një e tillë është Donika jonë, por ajo di të falë, të mëshirojë mjeranët që janë vërtetë të pandreqshëm, edhe pse kohët kanë ndërruar.
Donika shkruan qartë, saktë, me një stil të kuptueshëm nga kushdo, shkruan thjesht. Ajo ka gjithmonë shpresë dhë është e sigurt që drita e sfidon te”rrin. Me Besim të patundur tek Krijuesi, ajo predikon e reflekton duke përcjellë aq bukur e njerëzishëm të mirën. Optimizëm, oh sa optimizëm ka vargu i saj! (“Gardelina ose “Ankimet e Pjeshkës”).
“Dritë në mës të lotëve” – që në titull poezi që ka tërheqjen magjike kur e lexon: mes trishtimit lind një jetë – poetja bëhet Nënë. Nënë është gjëja më e Shejtë dhe më e Shtrenjtë, e Nëna poete – Donika, shkruan aq bukur, tamam zemër e flijuar për mirësi, nënë e dashuri!
“Sfida”, një poezi sfidë ndaj së keqës, vuajtjeve Jezusianë që Ai përsëri Fal! Më shpirt e dashuri vargjet për Reimondin, mjaltin e mjaltit. “Mos luaj me zemrën” poezi që përcjell paralajmërim për të mos bërë keq kurrë… Poezia “Nostalgji prej Nëne”, e bukur sa s’ka. Aty do gjesh dashurinë sublime të Nënës, do gjesh vargun brilant ku fryma e Nënës frymon me frymën e Fëmijës edhë pse Ai është i rritur, i madhuar, i bërë Baba. Sa bukur: “frymon bashkë, me frymën tënde”. Tejet shpirtërorë vargjet donikjane, aq sa të hyjnë në zemër, nuk do që libri të mbarojë, kërkon vazhdim, vazhdim akoma…
Portreti i Babait, një xhevahir i gjallë në poezitë e saj: “Ti ndriçoje lart si pishtarë,/ Terri i zi dritën ta fshehu,,,/ Ta shoi prapë, s’gjeti karar! / Si skifteri pëllumbin, të shqeu…” Donika shpirt qelibar, ndiqte vuajtjet në heshtje të të Atit dhe shkruan:
“Enden rrotull disa kujtime…
Si hije të zëza me baltë mbuluar!
Shkelin mbi vuajtje e mundime,
aty ku plagët ende s’janë shëruar”…
Nuk janë shëruar se mbartin ato “vite të mallkimit”. “Sikur për ty Nënë…”një poezi shumë shpirtërore, mrekulli e gjallë që buron nga pena e saj: Nënë: – sikur të krahasoja ngrohtësinë që ke harxhuar / As dielli t’i japë tokës, më shumë nuk mund…./ Ngrohja e Nënës më e ngrohtë se diëlli i korrikut! Një gjetje tejet e qëlluar dhe e bukur kjo! Librat e Donikës “Ëndrra vrastare” dhe “Sfidat e Shpirtit”, janë libra që të frymëzojnë, të bëjnë që jetën ta shikosh më bukur dhe ta dashuroshë atë.
Kosovë-Misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar
-Komandanti i Forcave të Kosovës, gjeneralmajor, Guglielmo Luigi Miglietta, vizitoi sot Gjakovën-
PRISHTINË, 22 Janar 2016/ Komandanti i Forcave të Kosovës, gjeneralmajor, Guglielmo Luigi Miglietta, vizitoi sot Gjakovën ku u takua me kryetaren, Mimoza Kusari-Lila në ndërtesën e komunës.
Gjenerali Miglieta dhe Kusari-Lila diskuatuan për situatën e tanishme të sigurisë në Kosovë me fokus në pjesën perëndimore të vendit.
Kryetarja shprehu mirënjohje për Komandantin e KFOR-it dhe falënderoi atë për qëndrimin e paanshëm dhe të efektshëm të KFOR-it në ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Gjenerali shprehu mirënjohje për Kusari-Lilën për përkushtimin e saj si kryetare.
“KFOR-i është i vendosur të vazhdojë të punojë së bashku me autoritetet vendore, Unionin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të përmirësohet procesi stabilizues”, tha gjenerali Miglietta.
“Misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar”, përfundoi gjenerali Miglietta, duke shtuar se “çfarëdo ndryshim i ardhshëm i prezencës së forcës së KFOR-it do të bazohet në analiza të kujdesshëme për situatën në terren”.
Komandanti i KFOR-it pat rastin që të vizitojë OJQ-ën “Medica Kosova”, organizatë kjo vendore e themeluar më 1999 për përmirësimin e gjendjes mentale dhe fizike të grave të traumatizuara në luftë, që udhëhiqet nga Veprore Shehu, drejtoreshë ekzekutive e organizatës./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 366
- 367
- 368
- 369
- 370
- …
- 482
- Next Page »