• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUVENDI I SHQIPËRISË NDRYSHON KODIN ZGJEDHOR-DO TË VOTOJNË EMIGRANTËT

July 23, 2020 by dgreca

-SHBA: KY AKT RESPEKTON MARRVESHJEN E 5 QERSHORIT/

Shtetasit shqiptar jashtë vendit fitojnë të drejtën për të votuar –

Kuvendi i Shqipërisë vendosi ndryshimin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. 

Vota e shtetasve shqiptarë jashtë vendit  tashmë do të garantohet njësoj si për shtetasit shqiptarë që do të votojnë në Shqipëri. Ndryshimet janë produkt i konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës në Këshillin Politik.

Ndryshimet e miratuara në Kodin Zgjedhor përcaktojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucionin i cili do të drejtojë dhe mbikëqyrë procesin për votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë të bëjnë me të drejtën e votës për zgjedhësit që kanë vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. 

Sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, votimi nga jashtë vendit do të organizohet dhe administrohet nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve. Ai do të vendosë për sistemin e rregullave dhe procedurat e votimit jashtë vendit. 

Vota e votuesve nga jashtë vendit do të administrohet nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj.

Votimi nga jashtë vendit do të quhet i çelur nga dita që KQZ nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit, ose sipas rastit dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve jashtë vendit.

Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin parazgjedhor të sistemeve, janë pjesë e rregullave të përgjithshme që Komisioni Qendror Zgjedhor do të miratojë për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje. 

Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar se garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materialit zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim nuk mund të jenë më të ulta se sa ato për votimin brenda vendit. 

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë zbatim i të drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë jashtë vendit.Këto ndryshime ishin përgjigje e kërkesave të hershme të komuniteteve shqiptare në diasporë. 

Dy nenet kryesore për të drejtën e votës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit, miratuar në Kodin Zgjedhor me konsesusin e të gjitha palëve politike, të mazhorancës dhe opozitës, janë Neni 24 dhe Neni 25.

Neni 24

Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë vendit 

1. KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë.

2. Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij ligji.

3. KQZ-ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.

4. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së.

Neni 25

Procedura e votimit nga jashtë vendit

1. Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj.

2. Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit ose, sipas rastit, dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë më në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më pas. Nëse votimi nga jashtë vendit bëhet elektronik, sistemi elektronik i votimit mbyllet në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit.

3. Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit, si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin paszgjedhor të sistemeve, janë pjesë e rregullave të përgjithshme që KQZ-ja miraton për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje.Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materiali zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim nuk mund të jenë më të ulta se sa ato për votimin brenda vendit.

***

SHBA: KY AKT RESPEKTON MARRVESHJEN E 5 QERSHORIT

Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për reformën zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian. Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare. Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike.

***

| The United States welcomes Parliament’s enactment of electoral reform legislation that codifies the June 5 agreement of the Political Council on Electoral Reform. This action honors the agreement made by all parties and moves Albania another step toward the European Union. We applaud all parties for ensuring that the June 5 agreement has been achieved, honored, and implemented in a manner that is inclusive and transparent. Such inclusiveness and transparency should be the norm for undertaking significant national actions. In this respect, we welcome the decision to reconvene the Political Council to discuss additional electoral reforms. All parties should participate in good faith; explain their positions clearly and fully to each other and to the Albanian people; and seek a resolution that benefits all of the Albanian people and continues to move the country forward on its democratic path.

Filed Under: Kronike Tagged With: do te votojne, Emigrantet, Ndryshon Kodi Zgjedhor

Kosovë-Serbi, takim në Bruksel pas 20 muajsh

July 16, 2020 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Hoti pas takimit të sotëm me Presidentin e Serbisë Vuçiç në Bruksel: Njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi. Me kërkesën tonë, dy temat e takimit ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike/

 PRISHTINË, 16 Korrik 2020- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar sot në Bruksel, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit  2018.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012  në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.

Nga Brukseli është njoftuar se nikoqir i takimit të sotëm Kosovë-Serbi ishte Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun dhe Çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës Hoti në deklaratën pas takimit me Presidentin e Serbisë Vuçiç ka konfirmuar se një nga temat e diskutimit sot në Bruksel ishte edhe çështja e të zhdukurve të luftës në Kosovë,  të përfunduar para më shumë se 21 viteve.

Deklarata e plotë e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është kjo:

Pas 20 muajsh, sot e rifilluam procesin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi.

Me kërkesën tonë, dy temat e takimit të parë ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Për ne tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme. Jemi të vendosur që çështja e të pagjeturve të mbyllet sa më shpejt, sepse ndjejmë obligim moral ndaj familjeve të tyre.

Destinacioni i Kosovës është integrimi euro-atlantik. Dialogu nuk ka alternativë. Me mbështetjen e miqve do të arrijmë qëllimin tonë, sepse është në interes të Kosovës dhe Serbisë, në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe në interes të BE-së dhe SHBA-së.

Gjatë këtij procesi të vështirë, ne besojmë plotësisht në miqtë tanë ndërkombëtarë, siç kemi besuar në të kaluarën kur ata e mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove-Serbi, takimi pas 20 muaj

Dekorimi i Ali Pashë Gucisë nga qeveria austriake, lajm që nuk do t’i shpëtojë askujt !…

July 14, 2020 by dgreca

Le Globe (1880) / Dekorimi i Ali Pashë Gucisë nga qeveria austriake, lajm që nuk do t’i shpëtojë askujt!
– Nga Aurenc Bebja (Francë)/
“Le Globe” ka botuar, të shtunën e 28 shkurtit 1880, në ballinë, një shkrim në lidhje me dekorimin e Ali Pashë Gucisë asokohe nga qeveria austriake dhe reagimin që do të sillte ky lajm, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar. Gazeta shkruante:“Thuhet se qeveria austriake i ka akorduar Ali Pashës, kreut të Lidhjes shqiptare, një dekoratë.

Kemi të bëjmë këtu me një shenjë të mbështetjes morale të kabinetit të Vjenës ndaj shqiptarëve.

Rëndësia e këtij lajmi nuk do t’i shpëtojë askujt.”

Filed Under: Kronike Tagged With: Ali Pashe Gucija, Aurenc Bebja, Le Globe

Kosova, zgjatje teknike njëvjeçare mandatit të EULEX-it

July 11, 2020 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pajtohen për zgjatje teknike njëvjeçare të mandatit të EULEX-it/
PRISHTINË, 11 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pajtuar për zgjatje teknike njëvjeçare të mandatit të misionit të EULEX-it me një letërkëmbim me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell. Zgjatja teknike po bëhet pasi që pandemia ka pamundësuar negociatat për të ardhmen e mandatit të EULEX-it.

Në letërkëmbimin e tij, presidenti Thaçi ka shprehur gatishmërinë që “në mënyrë që të sigurojmë vazhdimësinë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (“EULEX KOSOVA”) gjatë këtyre rrethanave të jashtëzakonshme, Kosova pajtohet për një zgjatje teknike të EULEX KOSOVA, më së voni deri më datën 14 qershor 2021”.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka shprehur mbështetjen për misionin, duke konfirmuar se institucionet e Kosovës vazhdojnë të mbështesin në tërësi mandatin e “EULEX KOSOVA” në përputhje me dokumentet e nënshkruara deri tani.

Në përgjigjen e tij, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pranon këtë pajtueshmëri për zgjatje teknike njëvjeçare të EULEX Kosovo deri më 14 qershor 2021 dhe thekson mbështetjen e BE-së për Kosovën, me theks të veçantë te mbështetja në këto kohë të “sfidave të pa precedencë” të shkaktuara nga pandemia.

Përfaqësuesit e BE-së, duke folur edhe në emër të shteteve anëtare të BE-së, kanë njoftuar se për shkak të pandemisë COVID-19 ka qenë e pamundur që të mbahen takime për t’i shqyrtuar misionet e BE-së, përfshirë edhe atë EULEX-it në Kosovë dhe kanë kërkuar mirëkuptim nga autoritetet vendore për zgjatje teknike të mandateve aktuale për një vit.
Mandati i EULEX-it është negociuar çdo dy vite dhe gradualisht është zvogëluar mandati dhe janë bartur kompetencat tek organet vendore.

Filed Under: Kronike Tagged With: Belul JASHARI, Eulex, mandat 1 vjecar

KOSOVA NË 24 ORË: 44 TË SHËRUAR DHE 195 RASTE ME COVID-19!

July 6, 2020 by dgreca

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ndonjë minutë para mesnate publikoi raportin e 24 orëve:

Sot më 06 korrik 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 429 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 195 raste pozitive.
Numri total i rasteve pozitive 3.703 raste nga 25.674 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 79 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese
Sot më 06 korrik 2020, janë shëruar 44 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.946 raste, kurse raste aktive 1.678.
Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 102 raste, komuna e Ferizajt 17 raste, komuna e Fushë Kosovës 11 raste, komuna e Gjakovës 10 raste, komuna e Gjilanit 8 raste, komuna e Prizrenit 7 raste, komuna e Deçanit 6 raste, komuna e Mitrovicës 5 raste, komuna e Drenasit 4 raste, komuna e Skenderajt 4 raste, komuna e Lipjanit 4 raste, komuna e Obiliqit 3 raste, komuna e Rahovecit 3 raste, komuna e Pejës 2 raste, komuna e Vushtrrisë 2 raste, komuna e Shtimes 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Graçanicë, Kaçanik, Kamenicë, Podujevë dhe Suharekë.
Të nderuar qytetarë!
Virusi është kudo! Ju lutemi pëmbajuni rekomandimeve! Virusi vret!
Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.
BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!
Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.
Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.
Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!
Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!
Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!
NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
Ju faleminderit për mirëkuptim!

Filed Under: Kronike Tagged With: COVID-19, IKSHP, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 135
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT