• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100 VJET ME SHQIPËRINË

September 5, 2022 by s p

Ernest Marku/

Ky është titulli i një vepre studimore të autorit Llesh Kola, i cili, me një punë kërkimore disavjeçare dhe me skrupulozitet për t’u admiruar, ia ka dalë që t’i prezantojë një lexuesi dashamirës ndaj historisë e diplomacisë, kronologjinë e mardhënieve 100-vjeçare SH.B.A-Shqipëri, permes dokumenteve të Departamentit Amerikan të Shetetit. Autori është treguar i kujdesshëm që, para se të na paraqesë dokumentet arkivore të konsultuara prej tij, të bëjë një rezyme të situatës politike të kohës kur është prodhuar dokumenti në fjalë; si dhe, pa harruar të përmbledhë informacionin që buron nga këto dokumente, duke e parë sërish çdo gjë në një kontekst politik koherent. Natyrisht, përvoja e tij si diplomat karriere, e ka bërë zotin Kola që të jetë skrupuloz deri në fund në paraqitjen e këtyre dokumenteve, duke kryqëzuar informacionet që vijnë nga relacionet e ministrave amerikanë, të akredituar në vende të ndryshme europiane, si dhe ata respektive të akredituar në SH.B.A. Kjo metodë prezantimi, e kalit disi durimin e lexuesit, por nga ana tjetër të ofron mundësinë që, nëpërmjet nuancave të ndryshme të të shprehurit diplomatik, të krijosh një kulturë të përgjithshme mbi këtë fushë, apo të kuptosh ndikimin dhe orientimin paksa ndryshe të aleatëve perëndimorë, ndaj çështjeve shqiptare. Vlen të theksohet se gjuha e tekstit është e gjallë dhe korrekte, struktura e ndërtimit të fjalisë është e tillë që e lehtëson mjaft qasjen me mirakande të lexuesit; gjë e cila flet për një profesionalizëm dhe për një kulturë e erudicion të gjerë të autorit, si dhe për një punë të admirueshme të redaktores Albana Deda.

Befasitë dhe risitë historike, që zbulohen në këtë botim, janë të shumta e të gjithanëshme, cilësi kjo që mban gjallë kureshtjen e lexuesit, duke rritur pritshmëritë, nga kapitulli në kapitull. Gjëja e parë që zbulohet në këtë vepër, është fakti që dokumenti i parë diplomatik, ku përmenden shqiptarët, në Departamentin Amerikan të Shtetit, nuk është ai i viti 1914, siç publikonte historiani i mirnjohur, Paskal Milo; por këto dokumente për shqiptarët, shtyhen edhe më tej, deri në vitin e largët 1880. Ndoshta kjo ndodh, siç argumenton autori parathënies së këtij botimi, profesor Ksenofon Krisafi, për arsye të deklasifikimit periodik të dokumenteve sekrete, nga ana e Departamentit të Shtetit; gjë e cila na i rrit pritshmëritë dhe krijon kushtet për të lindur shpresa, se një ditë do të dalin në dritë dokumente edhe më të hershme të shekullit të XIX, pse jo edhe atij të XVIII. Është kënaqësi që lexosh, se si diplomati amerikan, Kasson, në relacionet e tij të vitit 1880, përshkruan “…përfitimet “bujare” që Malit të Zi mori nga Fuqitë e Mëdha, nëpërmjet traktateve famëkeqe anti-shqiptare, si ai i Berlinit, dhe vetëm tre muaj para Berlinit, nga Traktati i Shën Stefanit”. Natyrisht që këtu, për lexuesin shqiptar të mirinformuar në histori, nuk ka asnjë risi; por risi përbën lajmi se, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, qysh në atë kohë, ishte në dijeni të këtyre rrethanave.

Interesante janë ngjarjet e majit të vitit 1915, kur Marina Ushtarake Italiane, vendosi të kontrollonte çdo lëvizje të anijeve në detin Adriatik dhe kur, Ambasadori Amerikan në Itali, i bën një notë zyrtare Ministrisë së Jashtme Italiane, ku e cilëson këtë vendim si një shkelje të të drejtave të një vendi si Shqipëria, e cila nuk ishte pjesëmarrëse në Luftën I Botërore… Llesh Kola, paraqet të gjithë panoramën e komunikimit diplomatik mes dy shteteve, SH.B.A-ve dhe Italisë, deri në nëntor të atij viti, kur ngjarje të tjera më të rëndësishme e eklipsojnë këtë problematikë. Për sa i përket Konferencës së Paqes në Paris, në lidhje me ndikimin amerikan aty, autori sjell disa të dhëna interesante, siç është parimi i propozuar nga ata dhe i pranuar nga Konferenca se “përzierja e përfshirja e Fuqive të Mëdha duhet të ndalet dhe, përpjekjet për të arritur unitetin kombëtar nëpërmet masakrave, duhet të braktisen” Në dokumentet e Departamentit të Shtetit, Llesh Kola ka gjetur edhe opinione mjaft interesante, siç ishte ai Lordit Hobhouse, i cili shoqëronte Lordin Bayron në Shqipëri, në fillim të shekullit XIX. Ai shkruante për popujt që formonin Perandorinë Osmane: “Vetëm shqiptarët janë të vetëdijshëm për kombësinë e tyre, popujt e tjerë janë grupuar sipas besimit të tyre fetar”. Po ashtu edhe deklarimet e zotit Aubaret (Obare) delegat francez i Komisionit për Lindjen e Rumelisë, më 1880; i cili shprehet: “Ata janë shqiptarë para çdo gjëje. Nëse është e vërtetë se katolikët janë të lidhur ngushtë me fenë e tyre, është po ashtu e vërtetë se ata, bashkë me myslimanët, janë qytetarë me ndërgjegjie të lartë kombëtare, që dashurojnë tokën, respektojnë shumë zakonet dhe i vendosin ato mbi gjërat e tjera”. Leitnant-Koloneli Amerikan, Miles, do të deklaronte në Konferencë se: “…sllavët e jugut dhe shqiptarët, ishin aq shumë të ndryshëm, madje edhe të kundërt në të gjitha karakteristikat, aq sa ishte e pamundur të pritej që ata të jetonin në paqe, brenda të njëjtit kufi politik, edhe për shumë breza që do të vinin”.

Në lidhje me njohjen e Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, dokumentet janë të njohura ndaj autori nuk bën shumë komente mbi to. Interesante janë divergjencat e qeverisë amerikane dhe asaj britanike, në lidhje koncensionet e vajgurit në Shqipëri. Zoti Kola përshkruan me mjeshtëri, komunikimin diplomatik mes këtyre qeverive, për të mbërritur te nota verbale e Sekretarit të Jashtëm Britanik, që i dorëzon Ambasadorit Amerikan në Londër, ku ndër të tjera shprehet: “Ministri Britanik e mbështet koncensionin, por ai (koncesioni) nuk është i karakterit monopolist. Qeveria Britanike, është plotësisht dakort në parim me pikëpamjen amerikane, për parimin e dyerve të hapura dhe të mundësive të barabarta në konkurim”. Kuptohet qartë, ndikimi amerikan në demokratizimin e jetës e së shoqërisë shqiptare, edhe pse të iniciuara nga interesa të tjera. Ministri Amerikan në Tiranë, pasi Noli deklaroi se nuk do të kishte zgjedhje deri në mars të vitit 1925 (muaj që ai nuk e priti dot si kryeministër) do ta cilësonte Qeverinë Noli si “… të përkohshme, në një kryeqytet të përkohshëm dhe që vepron në mënyrë të paligjshme, sipas një kushtetute të përkohshme”. Nga ana tjetër, autori Kola, përshkruan plot elokuencë evoluimin e qëndrimit amerikan, nga refuzimi, pritja e deri te njohja e Qeverisë së Zogut, si dhe e monarkisë më vonë. Sekretari i Shtetit, Frenk B. Kellog, udhëzonte Ministrin Amerikan në Shqipëri, Hart, që t’i dërgonte një notë zyrtare Ministrit Shqiptar të Punëve të Jashtme, ku ndër të tjera thuhet: “Me udhëzimin e qeverisë sime, kam kënaqësinë të njoftoj Shkëlqësinë tuaj, se Qeveria e Shteteve të Bashkuara, e shtrin njohjen në Mbretërinë e Shqipërisë…” Vihet re se nuk njihet cilësimi i Mbretit Zog si Mbret i Shqiptarëve, por vetëm i Shqipërisë.

Në lidhje me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, autori Kola, pasi ka kosultuar me kujdes dokumentet e Departamentit Amerikan të Shtetit, bën një deklaratë mjaft interesante, ku thotë: “Departamenti i Shtetit, nuk e njohu kurrë Qeverinë Shqiptare të dalë pas pushtimit Italian të Shqipërisë…”. Gjatë Luftës II Botërore, Sekretari Amerikan i Shtetit, Hull, nënvizonte se “Ish-Qeveria e Mbretit Zog, mund të konsiderohet si e pezulluar dhe përçarja e fraksioneve në perëndim, ka penguar në formimin e një grupi me karakter përfaqësues”. Kurse pak më poshtë, ai shprehej: “Nuk kemi askënd, të cilit mund t’i dërgojmë një ftesë për ndonjë konferencë ndërkombëtare, që të mos jetë i paragjykuar më tej, nga institucionet politike të vendit”. Autori i këtij botimi, sjell të dhëna mjaft interesante mbi dakortësimin anglo-amerikan, për mosnjohjen e Qeverisë së Beratit, qëndrim i cili do të ndryshonte me kalimin e kohës. Këshilltari Amerikan, Kirk, do të relatonte në nëntor të vitit 1944: “E vetmja rezistencë që ka mbetur, është ajo e rretheve katolike në veriperëndim të vendit, rreth Shkodrës; por nuk është thënë se ata, do të luftojnë më tej me Frontin Nacional-Çlirimtar, kur ai të dominojë krejt vendin”. Llesh Kola ka pasqyruar me profesionalizëm, të gjithë evoluimin qëndrimit amerikan në lidhje me njohjen e Qeverisë Hoxha. Siç del nga konsultimet me dokumentet e Departamentit të Shtetit, amerikanët kanë qenë gjithnjë konsistentë, në kërkesën e tyre për zgjedhje të lira. Me ndërprerjen mardhënieve diplomatike dhe largimin e Misionit Amerikan nga Shqipëria, në vitin 1947, Nënsekretari Achson, do të deklaronte në një intervistë se: “Ai nuk do të fliste për Shqipërinë, sepse shqiptarët kishin vepruar në mënyrë tronditëse kundër tyre, kundër Misionit që u dërgua në Tiranë dhe shqiptarët e dinë shumë mirë se është e nevojshme për ta, të veprojnë në mënyrë të civilizuar dhe të përmbushin detyrimet e tyre… Durimi ynë me shqiptarët, ka mbaruar”.

Me rastin e provokacioneve greke në kufi, në gushtin e 1949-ës, autori Kola na ka sjellë një dokument mjaft të rëndësishëm, i deskriptuar nga takimi midis përfaqësuesve amerikanë, Bishop e Summers dhe anëtarëve të delegacionit grek, Rendis e Spiropoulos. Në memorandumet e përfaqësuesve amerikanë, të datave 21 dhe 22 gusht, arrihej në përfundimin se: “Argumentet greke nuk bindin, nëse ka pasur një qëllim të dukshëm nga autoritetet shqiptare apo greke, për ta konsideruar veten në luftë me njëri-tjetrin; apo që autoritetet shqiptare, kishin ndonjë të drejtë që të vepronin në emër të Shtetit Shqiptar”. Përfaqësuesit amerikanë, flasin për mungesë autoriteti të qeverisë kuislinge në kohën e pushtimit Italian, për t’i shpallur luftë një shteti tjetër. Qoftë edhe vetëm këtë dokument të na kishte sjellë Llesh Kola, ky libër do të vlente mjaft; pasi nuk ka argument më të fortë politik, apo edhe juridik, sesa ky qëndrim amerikan, në duart e Qeverisë Shqiptare, në bisedimet me Greqinë për abrogimin e Ligjit të Luftës. Në vitin 1980, Departamenti Amerikan i Shtetit, sipas autorit Kola, pasi kishte analizuar situatën dhe po mendonte që ta mbyllte përfundimisht dosjen e Shqipërisë, do të shprehej: “… nuk ka shenja se ajo do t’i ndryshojë qëndrimet e palëkundura ideologjike në favor të një hapjeje, me gjithë vështirësitë që po përballon, pas ndërprerjes së ndihmës ekonomike nga Kina, mbështetësi i fundit i Tiranës”.

Duke përfunduar, mund të them se ky është një libër mjaft profesional dhe i nivelit akademik, i denjë për të mbrojtur doktoraturën në çdo universitet prestigjoz, i rekomandueshëm për studentët e masterave shkencorë në fakultetet e historisë apo programet studimore të diplomacisë; ashtu siç është interesant për lexuesit e vëmendshëm e dashamirës të historisë.

Filed Under: Kronike

A mund të ketë një kornizë të re institucionale për statusin e serbëve në Kosovë dhe për shqiptarët në Serbi të jugut?

August 31, 2022 by s p

A mundet të kemi një pakt të ri me serbët e Kosovës, sipas rekomandimeve të Escobarit, përtej formulës së ofruar në Marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe a mundet Kosova të kërkojë reciprocitet që ky pakt i ri të arrihet edhe me shqiptarët në Serbi të jugut?

Nga Mehmet PRISHTINA

Asnjë prej përfaqësuesve politikë e institucional të shqiptarëve të Serbisë së jugut nuk e shfrytëzoi rastin të takohet ditëve të fundit me të dërguarit për Ballkanin të SHBA-ve dhe BE-së, Escobar dhe Lajçak. Përvoja ka dëshmuar se informimi dhe sensibilizimi i diplomacisë ndërkombëtare, sidomos asaj amerikane përmes një procesi të gjatë e intenziv lobimi, ka ndikuar që Kosova ta ketë këtë status shtetëror që e ka tani.

Një përpjekje më serioze dhe më të sinqertë deri më tani ka bërë vetëm biznesmeni dhe veprimtari Muharrem Salihu nga Medvegja, idetë dhe projektet e të cilit tash më ndodhen në zyrat kryesore të qendrave vendimarrëse.

Ajo çka ka mbetur pa bërë, është puna e pakryer e politikanëve të kësaj pjese të Serbisë e banuar me shqiptarë, të cilët janë mjaftuar me takime vetëm me politikanë të Prishtinës e Tiranës. Ata nuk krijuan ura ndërlidhëse me diplomacinë amerikane, sepse vetëm përmes atyre urave do të arinin ta konsolidonin statusin politik e institucional të shqiptarëve në Serbinë e jugut.

Kjo nuk u bë edhe përkundër faktit e në Amerikë ka përfaqësues të lobit shqiptaro-amerikan me origjinë edhe nga këto treva shqiptare, ku Serbia po mundohet të zbatojë planet e vjetra të spastrimit etnik. Kosova përfitoi shumë nga lobimi i këtyre përfaqësueve, sidomos nga lobimi i Xhim Xhemës, një veprimtar i palodhur i çështjes shqiptare nga Medvegja, i cili në Amerikë tash e disa dekada nuk i ka kursyer as financat as angazhimet personale që çështjen e Koovës ta shpiej përpara duke takuar dhe zhvilluar aktivitete lobimi me kongresmenë e senatorë amerikanë. Fatkeqësisht përfaqësuesit politik shqiptarë të Serbisë së jugut nuk i shfrytëzuan mundësitë e Xhim Xhemës dhe të miqëve të tij për kauzën jetike të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të cilët përpos gjenocidit serb, po vuajn edhe pasojat e një pasiviteti dhe moskoordinimi absurd të përfaqësueve të tyre lokal e qendror.

Mobilizimi politik i shqiptarëve në Ballkan dikur ndodhte si pasojë e një efekti domino, ku Kosova ishte epiqendra e koordinimit dhe bashkëpunimit, duke filluar që në fillim të viteve të nëntëdhjeta e deri te lufta heroike e UÇK-së. Frytet e këtij bashkëpunimi sot i shohim edhe në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët përmes rezistencës së armatosur dhe përmes një angazhimi të vazhdueshëm politik arritën të sigurojnë një status më dinjitoz, si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë social, ekonomik e kulturor.

Sikur të funksiononte më fuqishëm procesi i lobimit, tani me siguri shqiptarët e Serbisë së jugut do të përfshiheshin në axhendat e diplomatëve, sidomos tani kur po bisedohet për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi. Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, do të jetë shumë problem që të riaktivizohet diplomacia botërore, sidomos ajo amerikane, për të dëgjuar hallet e shqiptarëve në Serbinë e jugut.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një panel në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, tha se shumica e mosmarrëveshjeve në rajon vitet e fundit kanë të bëjnë me trajtimin dhe statusin e pakicave, qofshin kroatët në Bosnjë apo serbët në veri të Kosovës.

“Ne duhet të krijojmë një pakt të ri që do t’i bëjë pakicat të ndjehen të përfaqësuara, të vlerësuara dhe të integruara”, tha ai.

Sikur Escobar të ishte më i informuar mbi gjendjen e shqiptarëve në Serbinë e jugut, dhe sikur përfaqësuesit vendorë, por edhe deputeti shqiptar nga kjo pjesë, të ishin takuar më shpesh me të, sigurisht që ai do të fliste edhe për trajtat e diskriminimit që po iu bëhen shqiptarëve në Jug të Serbisë. Ai nuk foli për hallet e tyre, sepe me Esobarin u takuan vetëm serbët e Kosovës, por jo edhe shqiptarët e Serbisë së jugut.

Tani kur na ndan vetëm një ditë nga afati kur duhet të rifilloj aplikimi i reciprocitetit me erbinë sa i përket dokumenteve të identidikimit dhe targave të automjteve, deklarat e Esobarit në Bled të Sllovenisë do të duhej të na shërbejë si një kandil që ndriçon rrugën e errësuar.

A mundet të kemi një pakt të ri me serbët e Kosovës, sipas rekomandimeve të Escobarit, përtej formulës së ofruar në Marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe a mundet Kosova të kërkojë reciprocitet që ky pakt i ri të arrihet edhe me shqiptarët në Serbi të jugut?

Sikur elita politike e shqiptarëve të Serbisë së jugut të ishte më aktive dhe më këmbëngulëse në kërkesat e saj për një status më të avancuar institucional të shqiptarëve të kësaj ane, kjo me siguri do të krijonte një efekt tepër domethënës edhe në bisedimet Kosovë-Serbi ku përfaqësuesit e Prishtinës zyrtare do të kishin adute të forta që t’i neutralizonin ambicjet serbe për bosnjizimin e Kosovës dhe të kërkonin, atë që po e kërkon tani Escobar, që të krijohet një kornizë e re institucionale për statusin e shqiptarëve në Serbinë e jugut.

Sidoqoftë fokusi politik mbetet në çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe klasa politike e jona (pushtet e opozitë) duhet të jetë e përgatitur për çfardo sfide që vjen si rrjedhojë e marrëveshjeve me Serbinë. Takimi i fundit i kryeministrit Kurti me përfaqësuesit opozitarë është një rrugë e mbarë për të qartësuar dilemat eventuale publike në mënyrë që qytetarët të mos përjetojnë çfarëdo lloj traume nga arritja e marëveshjeve të cilat nuk mund të bëhen pa kompromise. Shqiptarët nuk duhet t’iu ngjajnë serbëve, që me barrikada dhe obstruksione mundohen të imponojnë diskursin e tyre politik në tryezën e bisedimeve. Kjo më së paku ka nevojë të ndodhë pasi që shqiptarët po sillen brenda normave normale të dialogut dhe në koordnim me aletatët tanë strategjik-amerikanët.

Prishtinë, 31 gusht 2022

Filed Under: Kronike

Konispoli i mbathur me heshtje dhe i veshur me histori baladash

August 29, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Nëpër ujëra dhe nëpër plantacione me agrume duhet të shkosh që të mbërish në Konispol. Është qyteza më e skajshme jugore e Republikës, e njohur ndryshe si ” kryeqyteti” i Çamërisë sonë.

I skajuar gjeografikisht, por i përveçueshëm për nga brendia e jetës së vet njerëzore.

Si vizitor të ftojnë e të përshëndesin me natyrshmërinë dhe afërinë më njerëzore. Qytetarët e rastësishëm që përshëndet, lehtësisht të bëhen guidë për çdo skaj dhe godinë të lagjeve që zgjaten përbri një rruge që mund të jetë projektuar si bulevard për të ardhmen.

Ndanë varrezave të dëshmorëve, të cilat janë në qetësinë e pishave që shpesh fërfërijnë prej erërave që vijnë nga jugu apo nga kanali i Korfuzit, janë pesë fëmijë që lozin. Një lojë e pazëshme, por me një heshtje inteligjente, që mbetet në fuqi edhe kur shfaqemi tre të huaj. Gati 50 metra përbri tyre, një vilë e vogël, e rikonstruktuar por e mbushur me vetmi, që na tregojnë se pas asaj shtëpie dikur ishte kloni. Matanë të cilit vetëm zogjtë shkonin dhe ndonjë i rrallë që shkelte vdekjen…

Mjafton një fjalë e tillë, të fitosh të plotë dhe dramatikisht në kujtesë, imazhin e një kohe me ndarje dhe tension të pashterur.

Në kthim, nga skaji jug-perëndimor i qytetit, do të kalosh përbri disa shtëpive të vjetra, në rënim, të braktisura dhe të lëna në fatin e krejt shembjes prej të zotëve. Braktisje dhe pritmëni shembjeje, për arsye që janë të shumta.

Qoshet dhe gurët e skalitur me aq fisnikëri mjeshtrish të lënë të mendosh natyrshëm se u përkisnin familjeve të mëdha, Dinot, Takët, etj. etj. Pak më sipër, një fushë që besoj se është stadiumi i vetëm, i qytetit barthatë. Ndanë saj, një kullë shtëpie e vjetër, e vetmja e mbetur si e tillë që siç na thonë, është e të famshmit të valles aq unike, e Osman Takës. Kaq detaj, do të mjaftonte të shndërrohej në një projekt unik kombëtar si Muze i Valles Shqiptare.

Në qendër ka pak njerëz, por ata të paktë janë më të mençur e më të lexuar se shumë prej njerëzve që hyjnë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Qyteza është e rrethuar nga male të zhveshur. Një kurorë zhveshjeje që e bën edhe më të theksuar vetminë gjeografike. Matanë kësaj kurore është e padukshme hapësira e alternativave arratisëse për punë, migrim dhe emigrim të banorëve. Por statistikat e tyre na dëshmojnë se ikjet janë të përkohshme. Shtëpitë e reja numerikisht janë shtuar. Modestia është natyralitet që trishton. Peizazhet rrethuese nuk kënaqin vetëm vizitorët. Çmuesit më të rëndësishëm të tyre janë banorët. Ata prej kohësh banimi, kanë projektuar se si dhe ku mund të përdoren asetet për investim dhe turizëm. Tej, në thellinat nën qytet, shtohen plantacionet e agrumeve që kanë për protagoniste prej vitesh, shembulloren Mursi, por që pasohen me aq pasion edhe nga vetë konispolatët.

Në Konispol të mjafton dhe një orë qëndrim për t’u mbarsur me aromën dhe ndiesinë e të qenit jo vetëm në skajin më fundor të vendit, por në atë hise ku tipologjitë dhe fati dramatik i entitetit Çamëri të bëhet frymë e të shtohet në ajër.

Për të shkuar dhe për t’u kthyer nga Konispoli, më e vlefshme është të bësh rrugët rrethore. Nëse shkon nga Livadhjaja, kthehu nga Butrinti. Mjaftojnë këto dy pika për të dëshmuar se sa në territor të pasur ke hyrë si vizitor. Për të depërtuar në thellitë e mëdha të shpirtit të këtushëm njerëzor, duhet kohë e gjatë dhe bashkëbisedim i shumtë. Aty çdo grimcë ajri dhe çdo peshë fjale vlen sa një baladë e pafundme të cilën e muzikon shpirti dhe viset e heshtura të kësaj ane.

Ky cikël fotografish që po bashkëpërcjell me këtë tekst, i mbart gjithë shprehitë dhe kumtet mundshme të të ndodhurave dhe të historive që mbulohen me heshtje dhe vishen me kohë, por pa u bërë harresë dhe pa u ndërprerë, ndër breznitë njerëzore të këtushme. Konispoli, i mbathur me heshtje dhe i veshur me histori të le si vizitor në asosacionin e një balade vijuese.

Filed Under: Kronike Tagged With: aleksander Cipa

Përurohet përmendorja e Baca Kurt Gjokaj

August 24, 2022 by s p

Fjala e Nik Gjeloshaj, Kryetar i Komunës Tuz:

Të nderuar zonja dhe zotërinj

Të nderuar pasardhës të tribunit tone të madh popullor, Baca Kurt Gjokajt,

Ndjej mburrje e krenari të jashtëzakonshme, e njëkohësisht edhe privilegj që të përkulem sot këtu para përmendores së njërit nga veprimtarët më të mëdhenj të çështjes kombëtare, jo vetëm të Malësisë, por edhe të mbarë kombit shqiptar, përmendores së Baca Kurt Gjokajt.

Baca Kurti ishte njëri nga ata burra që, duke mos pyetur fare për fatin e vet dhe të familjes, por duke e parë momentin kur kombi shqiptar po zgjohej nga letargjia shekullore e robërimit otoman pas gati pesë shekujsh, për ta marrë fatin në duar të veta, u bashkëngjit bijve më të zgjedhur të kombit në Lidhjen historike të Prizrenit, më 1878.

Ishte koha kur me paqen e San Stefanit dhe me Kongresin e Berlinit po tentohej që përsëri trojet shqiptare të bëhen pre e fqinjëve gllabërues.

Ishte koha kur edhe fuqitë e mëdha bënin pazare për të na e zëvendësuar një okupator me tjetrin, se gjoja shqiptarë dhe Shqipëri nuk ka, se ata të përçarë në tri konfesione të ndryshme nuk do të jenë të aftë të krijojnë, e lërë më ta mbajnë shtetin e vet.

Koha kur edhe për vet Bizmarkun, Shqipëria ishte vetëm term gjeografik e asgjë më shumë.

Një malësor i devotshëm, e luftëtar për trojet shqiptare, Baca Kurti, mori rrugën për në Prizrenin, atëbotë të largët, për t’i dëgjuar dhe kthyer në realitet idetë e vëllezërve Frashëri për krijimin e një shteti shqiptar plot 410 vjet pas vdekjes së kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që mbrojti fatin tonë dhe të mbarë Evropës.

Kërkesat e Lidhjes së Prizrenit të dërguara Kongresit të Berlinit ishin një kushtrim për mbarë kombin. Ishin dritë në fund të tunelit, që jepte shpresë për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve. Baca Kurti pas kthimit nga Prizreni iu përvesh organizimit të degës së Lidhjes në Shkodër dhe Malësi, për t’i mbrojtur trevat. Ai nuk u thye, as para kërcënimeve me jetë, e as para joshjes me para që të luftojë kundër bindjeve të veta dhe besës së dhënë në Prizren. Se ishte i papërkulur tregoi edhe vdekja e tij, kur e helmuan në kafen e Tuzit më 1881, por as ashtu i vdekur nuk u thye fryma e tij. Familja e Gjokajve brez pas brezi dha njerëz që luftuan me pushkë, me penë, por edhe me brushë për Malësinë dhe kombin shqiptar.

Ngritja e kësaj përmendoreje le të jetë përkujtim për të gjithë ne, gjeneratat e sotme se si duhet të angazhohemi dhe të punojmë për të mirën e vendit.

Qoftë i pavdekshëm kujtimi në Bacin dhe të gjithë malësorët tanë që luftuan për mbrojtjen e trevave tona.

Filed Under: Kronike

MALËSIA E GJAKOVËS, PASURI KOMBËTARE TURISTIKE E INTELEKTUALE

August 21, 2022 by s p

Agron PREBIBAJ

Elita kulturore e shkencore e Tropojës lakmi për çdo kryeqytet ballkanik.

Në nisje të kohërave në prehërin e alpeve, atëherë kur Zoti dhuroi të mirëPikturuar Malësinë e Gjakovës, tokën dardane e gdhenur me zellin dhe mjeshtërinë hyjnore duke i dhuruar të gjitha resurset e pasuritë dhe bukuritë e natyrës, zgjodhi vendin dhe qiellin përmbi, e shtriu në një terren fushor, kodrinor, malor, e stolisi me bjeshkët e përmendura (Alpet) që një gojëkeq i quajti “të nemuna”me një lartësi që nisen nga 143 m mbi nivelin e detit, aty ku bashkohet lumi i Curraj Eper me Drinin për të arritur në pikën më të lartë Maja e Hekurave 2561 m.

Shtrirja gjeografike e Tropojës është unikale, formon amfiteatre të mëdhenj e të vegjel, me livadhe e pyje të bollëshme por që kulmon me amfiteatrin më madhështor në Curraj Eper një befasi që mrekullon dhe mahnit përmbi krye Bjeshkët e Namuna që nis me vargun Qerem-Dragobi-Valbonë-Curraj-Theth të cilët pasurojnë historinë dhe letërsinë e visaret e kombit me “epikën legjendare“.

Tropoja është mjaft e pasur me bjeshkët të cilat kanë bimësi e ujëra të bollëshme, është Sylbica, Markovçe, Dobordol, Shkelzen, Lumi i Gashit, Bosh, Vashqefen, Lkeni i Ponarëve, Shtegu i Dashit, Treshja e Rajës, Bjeshkët e Salcës, T’thermja e Nikajve e plot të tjera që e bëjnë mrekullinë e vërtetë majën e ajzbergut të Apleve shqiptare, e pse jo të Ballkanit e më gjërë.

Malësia e Gjakovës është më e pasura me bimësi: ka një zonë fushore të cilën e zotëron kryesisht fisi Krasniqe, vazhdon me pyllin e gështenjave mbi 2000 ha që fillon nga Brisa deri në Qafë Morinë, më pas fillon dushku, ahu e pisha të cilat vendosen sistematikisht mes luginave për t’u bërë hije lumenjëve të kaltër me troftë, atë të Valbonës e Curraj Eper.

E gjithë Tropoja është prodhuese, pjesa fushore merr dy prodhime në vit, me pemëtari të zhvilluar, pasuri minerare të pashterrshme e ujëra të bollëshme.

Përjashtohet këtu zona e bokës nga Dega deri në Bytyç një tokë jo shumë prodhuese dhe e ftohtë në dimër.

Tropoja mbetet pasuri kombëtare e turizmit malor, mbretëreshë e alpeve shqiptare që po shfrytëzohet pjesërisht. Mrekullia vjen te zona e paprekur krejt e virgjër, amfiteatri përrallor i vëndosur në Curraj Eper.

Tropoja është kalaja natyrore e shqiptarëve, e cila nuk u mposht asnjëherë nga asnjë pushtues në shekuj.

Tropojanët nuk pranuan ofiqe e poste, nuk bënë pazare me tokën e tyre të shënjtë, nuk bënë kompromise dhe as ulën kryet, por qëndruan fort në kështjellën e vet dardane, asnjëherë të nënshtruar edhe në besimin e tyre fetar megjithëse mysliman, por asnjëherë të turqizuar duke mbajtur me qëndresë edhe besimin fetar katolik si qershia mbi tortë.

Krasniqja në shekuj ka një prodhim mjaft me potenciale intelektuale e me klerik katolik, porse duhet veçuar për Malësinë e Gjakovës klerikët e shekullit të fundit Hoxhë Dusha vërtetë një personalitet unifikues e bashkëpunues ndërmjet besimeve e qytetarëve, është kleriku Patër Pjetër Mëshkalla, Hoxhë Zogu, e Dom Ndoc Nikaj të cilët kanë përcjellur mesazhet më të shëndosha për besim në Zot e qëndresë ndaj secilit pushtues, vërtetë jo vetëm klerik por atdhetarë e nacionalistë të shëndoshë në mbrojtjen e çdo centimetri nga trojet dardane.

Ajo që e ngren Malësinë e Gjakovës më lart në besimin e vet ndryshe edhe nga të tjerët është krijimi i miteve e krijesa e shënjëtorëve të tyre nëpërmjet Dervishit të Luzhës e Rexhep Belit, pranë të cilëve e gjithë malësia e Gjakovës e malësitë për rreth kanë gjetur shërbim, shërim e shpëtim, kjo një Hyjnore e krijuar vetëm në Tropojë.

Për këtë malësi vetëkënaqësia është azma që pengon frymëmarrjen, bllokon proçeset e zhvillimit të rritjes.

Përballë kësaj azme vetëm fryma e ngacmimit nëpërmjet ndjenjes njerëzore e nacionalizmit të shëndoshë krijon progres duke marrë përgjegjësi e duke i rritur ato, për të frymëzuar të ardhmen e dobishme për shoqërinë tonë.

SHKOLLIMI, TRADITAT E ZAKONET

Tropoja fisin më të madh ka Krasniqen, gjenëzë e të cilit janë fisi Nikaj.

Gjithashtu Berisha gjak i të cilit është fisi Mertur, fise të tjera janë Bytyçi e Shipshani, por edhe fiset Hot, Vuthaj, Kelmend, Shalë si lulja e pranverës pranë kësaj malësie nëpërmjet prezencës e miqësisë.

Besimi fetar në Malsinë e Gjakovës në breza më parë përgjithësisht i përkiste besimit katolik, ndërsa sot e kanë ruajtur këtë besim vetem fiset Nikaj e Mertur një lule e pavyshkur e qëndresës dhe e bashkëjetesës për Malësinë e Gjakovës.

Krasniqja së bashku me vëllain Nikaj si fisi më i madh konsiderohet si truri e aristokracia e Malësisë së Gjakovës, Gashi konsiderohet me mëndje të pastër e shumë të vendosur në qëndrimet e tyre, Bytyçi-fisi i bujarisë e sojit, kurse vëllezërit Berishë-Mërtur një racë e shkëlqyer shqiptare.

E veçantë për Malësinë e Gjakovës është mikëpritja në oden e burrave, vyrtytet, traditat e zakonet e veçanta, krejt të përbashkëta përjashto ato të ritit të besimit fetar, por gjithnjë edhe festat fetare janë festuar sëbashku krejt si në mes vëllezërish.

Shkollimi në të gjithë Tropojën i përket shkollës së jetës së ashpër atëherë kur flinin në fier e me kokë në cumer, gjithnjë i madhi duke folur e të vegjlit duke dëgjuar, vetëm aty jepeshin njohuri e dituri me vlera njerëzore për të ardhmen e brezave.

Oda e burrave(Soba) ishte Akademia e kohës ku aty përplaseshin mendime, edhe të kundërta, por sëfundmi dilej me një vendim unik, i cili nuk cënohej nga askush, vetëm aty në odën e burrave secili fliste me rradhë dhe me mendim të qartë për të mos lënë hapësira me pasoja në të ardhmen për fshatin, zonën apo krahinën.

TROPOJA E SHEKULLIT TË FUNDIT

Sapo filluan lëvizjet kombëtare për liri e pavarësi tropojanët u vendosën në krye qysh në Lidhjen e Prezrenit me kolloset e tyre të vendosur në sofrën e parë me mendimtarë e prinjës në të gjitha etapat pa kursyer koston njerëzore për atdheun e tyre.

Tropojanët me mjaft përgjegjëshmëri kombëtare, të mirëvendosur e mjaft të maturuar janë fitimtarë në të gjitha betejat me secilin pushtues sikurse mendimtarët e tyre kanë dhënë ide të vyera e kane kryer shërbesa gjithë kombëtare. Edhe në Tropojë si kudo në Shqipëri shkolla shqipe është hapur me vonesë vetëm 105 vite më parë(Gjonpepaj), por vrapimi i tyre për t’u arsimuar e radhit trevën më me shumë intelektualë në shkallë kombëtar, gjithnjë në proporcion me popullsinë.

Malësia e Gjakovës zën vëndin e parë me profesorë e doktorë shkencorë të të gjitha fushave.

Rasti unikal në Shqipëri mbetet Nikaj-Merturi, kjo krahinë zën vendin e parë në Shqipëri për arsimimin e lartë pa proporcion popullsie e matur kjo në ish-komuna sot njësi.

Eshtë kjo etje për dijen dhe zgjuarsia e lindur e banorëve të saj, që e ka ngjitur Tropojën në majën e diturisë kombëtare me elitat e saj kulturore e shkëncore që do ia kishte lakmi çdo kryeqytet ballkanik.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT