• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMTUMIRË BERTI, DJALOSHI I PLUKUT!

August 20, 2022 by s p

“Doje dritë o Qiell, more dritën time

Dhe më mbushe jetën plot me hidhërime…”

A. Z. ÇAJUPI

Nga Eugjen Merlika

Një miku im i hershëm më dha lajmin, të hidhur si pelini, se ti kishe ndërruar jetë papritmas. Ishte një nga ata lajme që të ngurtësojnë, të venë në mendime e të bëjnë t’a shohësh në ngjyrë gri edhe një ditë të bukur pranvere. Zemra jote kish pushuar së rrahuri e shpirti ish ngjitur në hapësirat e pafundme, atje ku ka vetëm jetë, jetë të pasosur…

Largimi yt është shumë i dhimshëm për fëmijët ende të vegjël, për gruan e re, për Niken, për Dianën e për prindërit e tu, të provuar aq shumë nga jeta, por edhe për gjithë shokët, miqtë e dashamirët që një kohë, aq shumë e dëshëruar, i shpërndau si zogjtë e klloçkës në të katër anët e Vëndit tonë e të botës. Përballë dhimbjesh të tilla lotët shterrin e fjalët nuk kanë fuqinë e duhur ngushulluese. Por jeta vazhdon e ngushullimin e vetëm e gjejmë në mendimin se, përtej atij çasti të pashmangshëm për asnjë frymor në këtë rruzull, gjejmë një tjetër botë, në të cilën mjerimet e ligësitë e botës sonë janë të panjohura.

Ti ishe një burrë në lulen e moshës, një baba, një bashkëshort, një bir që kishte mbi supe një familje mbi të cilën gjëma është e rëndë si plumbi. Për mua ti ishe një fëmijë, një djalosh, të cilit nuk i kishte dirsur ende mustaqja. Gjatë këtyre ditëve un kam biseduar me atë djalosh, që e kam njohur që fëmijë në një qendër banimi mes fushave të Myzeqesë, që quhej Pluk. Ishte vëndi që na kishte caktuar pusht-shteti për banim, vëndi ku rrodhën ditët tona nën peshën e ankthit të së nesërmes, nën tmerrin që sillte e përhapte së bashku me pluhurin e rrugës një maqinë Gaz me targë LU 6701, me ndonjë mustakoç brënda që paguhej vetëm për të mbjellë zi e për të organizuar arrestimin e ndonjerit prej nesh “në emër të popullit”.

Në atë atmosferë terrori u rrite edhe ti, duke mbajtur që në lindje etiketën e “armikut të popullit”. Do t’a ndjenin më shumë peshën e asaj shprehjeje sytë e tu të përlotur në një mbrëmje ogurzezë, kur partia kobzezë komuniste tregonte kthetrat, duke tmerruar njerëzit nëpërmjet një gjyqi të shpifur ndaj babait tënd të ndershëm. Do t’a ndjenje edhe më shumë kur në vend të librave të shkollës e mundësisë për të studjuar t’u dha një lopatë për të gërmuar dhè në arat e Plukut.

Çuditërisht, duke kapërcyer kohë e hapësirë, ti vjen në kujtesën time pa buzëqeshje, me një fytyrë të menduar, me sy që mundoheshin të depërtonin në një tjetër realitet të padukshëm, të pakapshëm….Ajo fytyrë e menduar nuk i përshtatej moshës së lodrave, ajo tregonte ritme jete të tjera që përpinin kohët. Ndoshta në mprehtësinë e thellësinë e shikimit tënd fshihej një e ardhme, për të cilën as që mund të ëndërrohej… Të sjell nëpër mend si fëmijë që shkonte në shkollën pranë shtëpisë ku banonja, më vonë me librat në dorë duke shkuar në gjimnaz, të kujtoj të heshtur në shtëpinë tënde bujare kur vinja të shihnja ndeshjet e futbollit në televizor.

Më pas u ndamë mbasi mua më përpiu rryma e terrorit, duke më çuar në burgje e internime larg Plukut. Kështu kaluan shumë vite, në të cilat ti u rrite e u burrërove. Pastaj koha bëri mrekullitë e saj e jeta të çoi atje, në Vendin e ëndërruar ku, ndoshta, mendimi yt fluturonte që kur ishe fëmijë. Zërin tënd prej burri e kam ende në vesh kur më ngushullove për vdekjen e prindërve të mij. Të faleminderit Berti.

Tani e tutje zërin tënd nuk do t’a dëgjoj më, por kujtimin tënd të djaloshit të Plukut do t’a mbaj gjithmonë në mëndje e në zemër. Ti e mbylle rrethin tënd shumë i ri, por ky ishte fati yt e me të nuk mund të luftohet. Ti u largove fitimtar nga kjo jetë, mbasi nuk u munde. Nuk u munde nga e keqja që të rrethoi në fëmijërinë e në rininë tënde të parë, mbete i ndershëm e jetove me dinjitet. Nuk u munde edhe nga beteja e mëpasme me jetën e vështirësitë e saj në një Vënd të madh e të lirë, por gjithmonë një Vend i huaj. Në atë Vend ti çove përpara një familje e nxore në jetë tre djem. Kjo ishte fitorja jote, ky është triumfi yt mbi vdekjen që të ndau prej tyre padrejtësisht. Ata do të rriten me kujtimin tënd në zemër e me krenarinë se babai u la një emër të nderuar. Ata do të të ringjallin ty para prindërve e të dashurve, do t’i japin sodisfaksion e stimul jetës së nënës së tyre, do të realizojnë në jetë atë që fati nuk t’a lejoi ty t’a sendërtonje. Lus Zotin, në dritën e të cilit shpirti yt i pastër sot prehet, t’u lehtësojë dhimbjen të dashurve të tu, pranë të cilëve jam me gjithë shpirt në këta çaste hidhërimi të pashoq e zbrazësire të llahtarëshme.

U luta për ty edhe njerëzit e tu në një kishë të qytetit ku banoj. Ndeza një qiri para figurës së Shën Anoit, të cilit i jam shumë besimtar, e të kujtova gjatë në meditimet e mija.

Lamtumirë Berti, lamtumirë djalosh i dashur, u prehsh në paqe e të qoftë i lehtë dheu që ka strehuar trupin tënd, lamtumirë!

Maj 2006

Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë

May be an image of 1 person

2,605

People reached

203

Engagements

+1.9x higher

Distribution score

Boost post

4040

5 comments

Like

Comment

Share

Filed Under: Kronike Tagged With: Eugjen Merlika

Ndërroi jetë z.Guri Durollari

August 20, 2022 by s p

Me dhimbje morēm lajmin se nē SHBA ka ndërruar jetë z.Guri Durollari ish kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit në vitet 1993-1998 dhe Deputet i Kuvendi të Shqipërisë për PLL përgjatë viteve 1997-2001.

z.Durollari rridhte nga një familje atdhetare patriotike nga Pogradeci dhe si një i tillë ne egzil e më vonë edhe në Shqipëri gjithë jetën e vet e vuri në shërbim të interesit kombëtar duke punuar e kontribuar për kthimin e mbretërisë në Shqipëri.

Me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri ai vjen në atdheun mëmë i inkuadruar në strukturat e larta të PLL dhe në Kuvendin e XII zgjidhet kryetar i partisë.

Gjatë Referendumi të viti 1997 për ndryshimin e formës së regjimit nga republike ne monarki z.Durollari ishte në krah të Mbretit Leka I në fushatë në të gjithë Shqipërinë duke u takuar me elektoratin edhe aty ku asnje politikan tjetër mund të shkonte për takime.

Po në zgjedhjet e vitit 1997 z.Durullari zgjidhet deputet i Kuvendit duke përfaqësuar me dinjitet Partine Levizja e Legalitetit për çdo kërkesë politike dhe programire të saj duke kundërshtuar gjithashtu manipulimin e bërë në lidhje me rezultatet faktikike pro mbretërisë.

Në emër të PLL dhe të gjithë legalistëve i shprehim ngushëllimet tona familjes Durollari, miqve dhe shokëve për humbjen e këti njeriu të dashur dhe me vlera të larta për të gjithë ne.

Lutemi që i ndieri Durollori, u prehtë në Paqe.

Partia Lëvizja e Legalitetit- SHBA

Filed Under: Kronike

JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË

August 17, 2022 by s p

Nuk ka dialog të suksesshëm pa pjesëmarrjen direkte të Amerikës.

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *

Në këto momente vendimtare për Kosovën dhe ekzistencën e kombit shqiptar, është e panevojshme që liderët e Kosovës të merren me shamija dhe mbulesa të vajzave 16 vjeçare. Toleranca fetare e shumicës së popullit shqiptar duhet të kultivohet dhe të pasurohet. Ekstremizmat fetar nga të gjitha anët duhet të luftohen në çdo kohë dhe çdo nivel. Kjo duhet të bëhet me qetësi dhe me kujdes, pa shkaktuar përçarje dhe pa i dëmtuar interesat kombëtare. 

         Kjo është detyrë edhe e të gjithë klerikëve që e duan kombin, nëse ata vërtetë punojnë me besim te Zoti dhe ju përmbahen porosive pozitive të librave të shenjta. Një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë. Kombi dhe familja janë mbi të gjitha. Feja është çështje personale dhe nuk bën të përzihet kurrësesi në shtet, shkolla publike dhe institucione tjera jofetare.

         Dialogu është mënyra më e mirë dhe faza e fundit e zgjidhjes së çdo konflikti. Për të patur sukses duhet të udhëhiqet nga mediatorë të paanshëm dhe që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive, pavarësisht interesave të ndryshme.

         Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që nga shpallja e pavarësisë, janë shembull i një dialogu të mbrapsht, të padrejtë, joparimor dhe me standarde të dyfishta nga ana e Evropës. Pa pjesëmarrjen direkte të Amerikës, i udhëhequr nga ndërmjetës pro-serb, ishte kryekëput në funksion të rehabilitimit dhe plotësimit të kërkesave ekspansioniste serbe. Kosova nuk fitoi asgjë. Dështim komplet dhe humbje kohe.

         Serbia po vepron në mënyrë destruktive dhe agresive, hapur dhe pa kurrëfarë ngurrimi. Me rrena dhe propagandë mashtruese vazhdon ta luaj rolin e viktimës. Me huliganët e infiltruar në pakicën serbe në veri të Kosovës, ngre barikada, bllokon rrugë, sulmon civilët shqiptar dhe organet zyrtare të rendit. Armatoset nga Rusia, ndërton baza ushtarake rreth kufirit të Kosovës dhe kërcënon me luftë. Në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe Sanxhak i shtypë të drejtat nacionale dhe njerëzore të shqiptarve duke e realizuar pastrimin “e qetë” etnik. 

         Qeverisja e Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e fundit po përpiqet të punojë drejt dhe në mënyrë konstruktive për ta zgjidhur problemin me Serbinë dhe për ta ruajtur paqen. Ajo është zgjedhur nga populli i Kosovës për t’i mbrojtur interesat e Kosovës dhe të askujt tjetër. Duhet të qëndrojë dhe të mos ju nënshtrohet presioneve joparimore nga të gjitha anët. Politika e dështuar e nënshtrimit dhe lëshimeve ndaj kërkesave serbomadhe është e papranueshme. “Përkrahja” ndërkombëtare për shkatërrimin e shtetit të Kosovës nuk i duhet gjë askujt. 

          Thjesht dhe qartë. Nuk ka ndryshim të kufijve dhe ndarje të Kosovës. Nuk mund të shpërblehet agresori serb me tokë shqiptare. Boll na ka plaçkitë dhe na ka vra. Ekstraterritorialiteti i manastireve ortodokse të Kosovës nuk bën lejohet. Nuk mund të bëhen Asociacione të pastërta etnike në një shtet multi-etnik. Ato janë kundërkushtetuese, kundër vlerave demokratike, kundër interesave afatëgjatë shqiptare, evropiane dhe amerikane. Ato janë formulë për vazhdim të konfliktit pafund. Po të pranohej Asociacioni i komunave serbe, Kosova nuk do të ekzistonte më si shtet. 

          Kjo do të ishte shkelje e rëndë mbi rezistencën shekullore të popullit shqiptar ndaj pushtimit serb, mbi luftën heroike të UÇK-së, shkelje mbi gjakun e heronjëve dhe martirëve të lirisë, mbi gjakun e civilëve të keqtrajtuar, torturuar dhe masakruar nga kriminelët serb. Do të ishte edhe dështim i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për të ndaluar gjenocidin serb mbi shqiptarët, dështim i investimit amerikan në Kosovë.

         Serbia dhe Perëndimi duhet ta kuptojnë se të gjitha kompromiset dhe lëshimet e Kosovës kanë përfunduar. Ata politikanë, diplomat dhe mendimtarë brënda ose jashtë Kosovës, që trumbetojnë se Serbisë duhet dhënë tokë për ta siguruar njohjen dhe ti falen krimet, janë budallenjtë më të mëdhenj të shekullit. Apetitet grabitçare të Serbisë nuk shuhen kurrë. Me te mund dhe duhet të bisedohet vetëm për njohje të dyanëshme dhe çështje ndërshtetërore, asgjë tjetër. Pikë.

         Marrëveshjet e dëmëshme të nënshkruara nga qeverisjet e kaluara të shantazhuara, nuk ka nevojë të pranohen as të implementohen. Asnjë shtet normal nuk e bën këtë. Ato duhet të çvlerësohen dhe zëvendësohen me marrëveshje të dobishme për të dyja palët në konflikt. 

         Vendimi i Gjykatës së shantazhuar Kushtetuese të Kosovës pas lufte, i bazuar në vendimin e parlamentit të kriminelit serb Milosheviq gjatë okupimit, për dhënien e tokave me vlerë turistike manastirit të Deçanit duhet rishqyrtuar. Për të drejtat pronësore të këtij manastiri duhet biseduar me përfaqësuesit e tij, me ndërmjetësim ndërkombëtarë, pa prezencën e shtetit serb. Ndërkohë historianët tanë duhet të punojnë, hulumtojnë dhe vlerësojnë faktet dhe mundësitë që ky manastir dhe të tjerë si ky, të shpallen monumente kulturore shqiptare të përvehtësuara nga kisha  ortodokse hegjemoniste serbe.

         Reciprociteti në të gjitha fushat është formula e vetme për të arritur sukses dhe ulur Serbinë aty ku e meriton. Nuk ekziston asnjë arsye që pakica serbe në Kosovë të gëzojë më shumë të drejta se sa populli shqiptar që jeton në tokat e veta stërgjyshore të okupuara nga Serbia, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Asnjë!

         Njohja e shtetit të Kosovës është edhe në interes të Serbisë. Ajo do ta kuptojë këtë vetëm kur të shërohet nga sëmundja e urrejtjes, dëshirës për dominim dhe grabitjes së tokave të tjerëve. Me ledhatime dhe lëshime nuk shërohet, vetëm me presion të vërtetë ekonomik dhe diplomatik, si dhe në rast nevoje me përdorim të forcës. Diktatorët dhe kriminelët si Vuçiq dhe Putin e kuptojnë vetëm gjuhën e forcës. Është e sigurt se krimineli Putin do ta humbë luftën e padrejtë pushtuese kundër Ukrainës. Edhe Vuçiqi nëse guxon ta fillojë luftën, do ta humbë edhe luftën edhe Serbinë.

         Përpjekjet e Serbisë për shkatërrimin e Republikës së Kosovës, është duke i mbështetur me të madhe edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Pallavrat dhe mashtrimet e tij për maskaradën “open Ballkan” dhe të ish-ambasadorit Amerikan pro-serb Richard Grenell për kinse “mirëqënie ekonomike” me Serbinë, janë në shërbim të interesave serbo-ruse, kundër interesave të popullit shqiptar dhe popujve tjerë të Ballkanit, si dhe kundër interesave strategjike evropiano-amerikane. 

         Këta dy individ të shpifur, po ndihmohen dhe nga karikaturat politike të Ballkanit, Dritan Abazoviq dhe Ali Ahmeti, një pjesë e madhe e opozitës së dështuar të Kosovës, si dhe nga shumë gazetarë analista të shitur dhe mediat e tyre të kontrolluara nga grupe interesi anti-shqiptare. 

         Sidomos janë befasuese dhe dëshpëruese veprimet e opozitës së Kosovës, e cila është e koncentruar e tëra në kritika (sharje) të pozitës, vend e pavend, pa kurrëfarë logjike, vetëm me qëllim të rrëzimit të qeverisë Kurti, edhe kur ato veprime mund të iu shërbejnë interesave të armikut serb. Shihet se nuk kanë mësuar asgjë nga dështimet e mëparëshme që e sollën Kosovën para shkatërrimit. 

         Duket se opozita nuk e ka të qartë se pushteti mund të merret vetëm duke ofruar zgjidhje konkrete dhe programe reale për të ardhmen, më të mira se sa i ofron pozita. Kritikat e tyra kohët e fundit janë bërë aq të ulëta saqë janë duke i larguar me të madhe votuesit e pavarur. Posaqërisht janë duke e irrituar mërgaten e mrekullueshme patriotike shqiptare në Amerikë dhe anë e kënd botës.

         Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti me bashkëpuntorët e tyre, pavarësisht nga vështirësitë e shumta, deri tashti, janë duke e udhëhequr me sinqeritet, atdhedashuri, aftësi, mençuri dhe kompetencë shtetin e Kosovës. Nuk janë pa gabime, por jo në çështjet madhore shtetërore dhe nacionale. Shihet se ata e kanë zgjedhur rrugën e vështirë të lavdisë kombëtare, jo rrugën e lehtë të përuljes ndaj të huajve dhe nënshtrimit ndaj Serbisë. 

         Qeverisja e shtetit nuk është e lehtë, presionet për kompromise janë të shumta dhe mund të ndodhin gabime. Por është me rëndësi që të lëshohet pe në çështje të vogla, kurrsesi në ato me rëndësi strategjike shtetërore dhe kombëtare. Përkrahja popullore ka rëndësi vendimtare për ardhmërinë e çdo politikani. Mashtrohen ata që mendojnë se mund të fitojnë vota të mjaftueshme për pushtet me servilitet ndaj të huajve dhe forcave të errëta anti-kombëtare.      

         Bashkëpunimi i Kosovës me Evropën është i domosdoshëm. Aspiratat për hyrje në Evropë dhe në NATO janë qenësore për ardhmërinë e saj. Por, Evropa nuk ka drejtësi as mundësi për ta zgjidhë problemin e Kosovës me Serbinë. Këtë mund ta bëjë vetëm Amerika, vendi i lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe ruajtjes së rendit botërorë. Ajo është drita dhe shpresa e Kosovës dhe e kombit shqiptar. Duhet insistuar që Amerika të merr pjesë në mënyrë aktive dhe direkte në proçesin e dialogut. Kjo është e vetmja mënyrë për të patur sukses dhe garanci në implementimin e marrëveshjes eventuale me shtetin racist serb.

          Koordinimi dhe bashkëveprimi me SHBA-të është me rëndësi ekzistenciale. Duhet kërkuar dhe gjetur forma të ndryshme të bashkëpunimit dhe krijimit të lidhjeve më të forta me Amerikën. Kjo nuk nënkupton servilitet dhe dëgjim të pakusht. Amerika nuk i do miqtë qyqana. I do dhe respekton ata që dijnë çka dojnë dhe si të punojnë. Ajo është e hapur dhe i konsideron me vëmendje faktet dhe argumentet serioze. Interesat tona strategjike përputhen me ato të Amerikës. Qëndrimet e ndryshme duhet të trajtohen me respekt, kujdes dhe diplomaci. 

         Nëse shovinistët serb ia arrijnë të depërtojnë të ndonjë zyrtar i Administratës apo Kongresit amerikan, ekziston forma legale e veprimit për t’i kundështuar dhe neutralizuar. Shembull i ndritshëm i organizimit profesional shumë të suksesëshëm lobist në Washington është Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga legjendat e veprimit lobist Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi me 35 vjet punë në shërbim të kombit shqiptar. Joe Dioguardi ishte tmerri i Milosheviqit, e tha ai vetë gjatë gjykimit në Hagë.  

         Edhe me të gjitha vështirësitë aktuale, Republika e Kosovës është në pozitë shumë më të fortë se Serbia. E drejta është në anën tonë. Përkrahja e Amerikës është në rritje. Përkrahja e Rusisë për Serbinë është duke u dobësuar, që lidhet me rënjen e paevitueshme të saj pas agresionit në Ukrainë. Serbia e ka gati të pamundur shkëputjen nga Rusia. Evropa ka filluar të zgjohet nga gjumi shekullor dhe ta kuptojë rrezikun nga hegjemonizmi serbo-rus. 

          Edhe pa njohjen e pavarësisë nga Serbia, me udhëheqje të mirë shtetërore dhe bashkëpunim gjithëkombëtar në të gjitha fushat, Kosova Dardane mund të bëhet shembull i demokracisë dhe shtetit ligjor në Gadishullin Ilirik. Fitorja është e jona dhe varet nga ne.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane 

Filed Under: Kronike Tagged With: Agim Alickaj

U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE

August 16, 2022 by s p

Shkruan: Lekë Mrijaj/

Nën patronatin e Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të komunës Klinës, në Asamblenë e komunës së Klinës, është mbajtur Akademi Përkujtimore me rastin e 85 vjetorit të lindjes së prof. Frrok Gojanit, njëkohësisht për nderë të tij është bërë edhe promovimi i librit:”FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE” autor Mikel Gojani.

Moderimin e kësaj Akademie Perkujtimore dhe promovimi të librit e bëri Valjeta Gojani (mbesa e prof. Frrokut) e cila veq tjerash tha se: “Profesor Frrok Gojani një jetë të tërë ja kushtoi dijes dhe arsimit shqip pikërisht dhe për këtë ideal të lartë i ngjan Qiriut Naimian, duke shkrirë veten për t’u bërë dritë të tjerëve. Gjatë gjithë rrugëtimit jetësor, profesor Frrok Gojani bëri përpjekje që midis nesh të sjellë sa më shumë dritë mendimi, sa më shumë dituri, sa më shumë vërtetësi. Ndërsa në vazhdim moderatorja Gojani. Këtë përkushtim dhe idealizëm të tij e konfirmoi edhe data e 28 Nëntorit të vitit 2020, kur në këtë Ditë më Kulmore të Kombit – Ditën e Flamurit Kombëtar, u shua nga jeta, duke na i lënë peng Selinë e dijës, mësimet, mesazhet dhe udhërrfimet që brezave të rinj do t’ju shërbejnë frymëzim në jetën e tyre. Tërë jetën punoi si misionar i denjë i arsimit për të gjallë të tij duke siguruar i siguruar vetës përjetësinë tha në fjalën e saj moderatorja, znj/sha Valjeta Gojani.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin drejtues të pushtetit lokal, zv/kryetarja, znj. Marqe Tanushit-Selmanaj me stafin e saj, miq, familjarë të prof. Frrok Gojanit, bashkolegë e ish nxënës të tij Intelektual të lartë dhe qytetarë të tjerë nga Klina me rrethinë. Njëkohësisht morën pjesë edhe klerikët shqiptar të dy bashkësive fetare katolike e muslimane, dom Pashk Dani, mulla Xhevat Kryeziu dhe dom Ambroz Demaj.

Të pranishmit në këtë Akademi me nga një fjalë i kanë përshëndetur zv/kryetarja Marqe Tanushi-Selmanaj e Skender Maxharaj, drejtor i tanishëm, i shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë.

Me pas në këtë Akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e prof. Frrok Gojanit, ka folur edhe prof. Pal Canaj, kryetar i Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë i cili shpalosi disa mbresa kujtimi për prof. Frrok Gojanin duke thenë: “Mësuesi është përhapësi i dritës“ pohonte atdhetari dhe mësuesi ynë i madh Luigj Gurakuqi “Një nxënës, një mësues, një libër dhe një laps mund të ndryshojnë botën”, ka thënë aktivistja e shquar pakistaneze Malala, laureate e Çmimit Nobel për Paqe. Kjo humaniste ishte shprehur kështu disa vite me pare, ndërsa profesori Frrok Gojani para gjysmë shekulli, përmes lapsit dhe librit, respektivisht arsimimit te gjeneratave të reja synonte ta ndryshonte botën e njerëzve të rrethit të tij, në Kosovën e atëhershme . Për profesorin Frrok Gojani si mësimdhënës , drejtor i parë i Gjimnazit “ Luigj Gurakuqi” në Klinë, për misionin e tij prej iluministi, ruajnë përshtypje shumë bashkëkohës të tij, mbresa të cilat vështirë të jenë shteruese, kushtuar kësaj figure të ndritshme të arsimit shqiptar. Madje Profesor Frrok Gojani, gjatë shkollimit të mesëm sa isha në gjimnaz, ishte drejtor i Gjimnazit ‘Luigj Gurakuqi” në Klinë, por ka pasur semestra që angazhohej edhe si mësimdhënës. Në të gjitha angazhimet e tij profesori Frrok Gojani ishte një kontributdhënës i një shembulli të rrallë. Figura e këtij pedagogu nga ish nxënësit dhe koleget e tij mbetet në kujtesë si vlerë e një periudhe historike. Mbresa kujtimi: Urtësia prej pedagogu e profesorit Frrok Gojani sikur ngjasonte me metodologjinë e Sokratit. “Unë nuk mund t’i mësoj askujt asgjë, unë vetëm mund t’i bëjë ata të mendojnë” -shprehej Sokrati. Ndërsa Shkrimtari argjentinas Borges pati thëne “E kam imagjinuar gjithnjë Parajsën si një lloj biblioteke”, ndërsa shkrimtari Mikel Gojani, bibliotekën, ketë parajse të dijes e ka begatuar me monografinë kushtuar profesorit: “Frrok Gojani pedagog dhe misionar i denjë i shkollës shqipe”. Rruga jetësore prej pedagogu e profesorit Frrok Gojani, ishte misioni i tij i përndritjes se mendjes tek gjeneratat e reja. Prandaj në përkujtim të mësuesit –profesorit Frrok dhe pishtarëve të tjerë të arsimit, si dhe në shenjë te 30 -vjetorit të nismës Shtëpi- Shkollë, në rrethanat e okupimit serb në Kosovë, sa bukur do të jehonte që një prej rrugëve në kahe të gjimnazit, në qytetin e Klinës të quhet “Rruga e Mësuesit”, tha në fund të fjalës prof. Pal Canaj.

Në pjesën e dytë të Akademisë përkujtimore në drejtimin e panelisteve: dr. Xhavit Bicaj, Luigj Gojani, Anton N. Berisha, Fatjona Gashi, drejtoreshë e kulturës, Mikel Gojani, autor i librit, u mbajt edhe promovimi i librit: “FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE” ku folen njohës të përmasave të larta letrare.

Shkrimtari dhe studiues i mirënjohur i letërsisë, i cili njëherësh është edhe redaktor i këtij libri, prof. Prend Buzhala veq tjerash tha se: “Emri i pishtarit të arsimit Frrok Gojani është i njohur, jo vetëm në Komunën e Klinës, Dukagjin, Rugovë, por edhe në tërë Kosovë, Shqipëri dhe gjithë hapësirat tona etnike. Ky pishtar i dijes dhe i arsimit shqip, një jetë të tërë ia kushtoi këtij misioni të shenjtë arsimimit dhe edukimit të shumë brezave shqiptarë. Ndërsa në vazhdim ka trajtuar librin “FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE” dhe foli për srukturen tekstuale e dëshmuese të librit si dhe bëri disa evokime në intermexo. Me një fjalë, prof. Prendi tha se është sikundër e thotë dhe e pranon vetë W. Churchill: “Mësuesit e shkollave kanë një fuqi që kryeministrat vetëm mund ta ëndërrojnë”. Dhe kjo dëshmi e kësaj fuqie misionare pedagogjike, e tejkohshme, na vjen edhe tani, nëpërmes kësaj monografie.

Shkrimtari dhe studiuesi më i spikatur letërsisë shqipe, prof. dr. Anton Nikë Berisha e vlerësoj prof. Frrok Gojanin veq tjerash ka thenë se secili autor që është marrë mirëfilli me studimin e letërsisë sonë gojore nuk e ka pasur të vështirë të bindet se në procesin e formimit, të gjallimit e të zhvillimit të popullit tonë kjo letërsi me llojet e saj luajti një rol të rëndësishëm dhe të vijueshëm që nga kohët më të lashta. Krijuesit gojorë nëpërmjet këngëve dhe llojeve të ndryshme të prozës (përrallës, kallëzimit, anekdotës) ose urimeve, mallkimeve, fjalëve të urta etj., shprehën botën e tyre të brendshme dhe shfaqën ndjenjat dhe mendimet për jetën, për veprimin dhe për fatin e njeriut, pastaj për natyrën dhe për dukuritë e saj tha prof. Anton Berisha.

Pedagogu, shkrimtari dhe studiuesi i cilësueshëm, prof. Hajdin Morina: Emri i profesorit Frrok Gojani është një nyjë ku lidhen ndryshimet, zhvillimet, sfidat dhe planifikimet për një arsim sa më të avancuar e cilësor, të mbështetur në tabanin tradicional historik dhe kombëtar, në komunën e Klinës, por edhe më gjerë. Ky personalitet e ka siguruar tashmë vendin në panteonin e arsimit shqip, pranë personaliteteve të tjera që dhanë mund e gjak për zhvillimin e shkollës shqipe dhe për shfrytëzimin e kapaciteteve të saj për emancipimin e popullit, për përparimin dhe pjesëmarrjen e tij në krijimin e integruar të vlerave evropiane dhe të produkteve që do t’u nevojiten brezave të nxënësve dhe të mësuesve të çdo kohe kur do të përballen me sfidat e reja të epokave të zhvillimit ekonomik e teknologjik dhe me kërkesat për ndryshim të kurrikulave mësimore në përputhje me prirjet dhe tendencat bashkëkohore, por të ndërlidhura gjithmonë me traditat e mira dhe pozitive të shkollës sonë tradicionale, me rrugën e saj plot mundime e sakrifica, flijime e vizion të qartë për perspektivat kombëtare dhe ato të integrimit në praktikat më të përparuara dhe më të dobishme të shkollës bashkëkohore në Europë e më gjerë. Profesor Gojani ka qenë me pikëpamje dhe ide novatore në fushën e mendimit pedagogjik dhe në fushën e emancipimit kulturor e qytetar. I kishte hije dhe ndikim fjala, rrëfimi për shkollën, për historinë e për pajtimin kombëtar. Nëpër ndeja, në raste gëzimesh e hidhërimesh, shprehte dëshirën ta marrin fjalën të rinjtë dhe kur krijohej një situatë e tillë e komunikimit, profesori bëhej një dëgjues aktiv dhe emocionohej. Kudo e thoshte fjalën e vet që rrezatonte dashuri, përvojë dhe interesim të dëgjuesve për ta kuptuar në tërësi domethënien, kuptimin dhe mesazhin që ishte aktual në kontekstin kohor. Kishte aftësi të rralla oratorike, kreative dhe komunikatave. Kudo ishte mësues i mirë dhe efektiv. Jo vetëm para nxënësve në shkollë. E kaloi një jetë vertikalisht. Asnjëherë, në asnjë rrethanë shoqërore e personale, nuk bëri kompromis për çështje të kombit, të arsimit dhe të gjuhës shqipe. Profesor Gojani është rilindës i kohës sonë. I devotshëm në parimet, qëndrimet dhe praktikat e tij njerëzore, qytetare, zyrtare dhe edukative. I devotshëm në qasjen ndaj gjuhës shqipe dhe produkteve të saj letrare. I pakompromis dhe kritik konstruktiv ndaj çdo shfaqjeje jo të mirë, diletante dhe pa etikë në kontekstin shoqëror qoftë në fushën politike e shoqërore, qoftë në fushën arsimore e kulturore. Unë kështu e njoh profesor Frrok Gojanin tha në fund të kumtesës së tij, prof. Hajdin Morina.

Publicisti, Lekë Mrijaj bëri një portretizim të figurës së prof. Frrok Gojanit dhe veprës dedikuar këtij pishtari të arsimit, shkruar nga prof. Mikel Gojani, duke thenë: Se “Historia është mësuesja e jetës”, më së miri e shohim në monografin “FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE” të studjuesi dhe shkrimtari Mikel Gojani. Ky autor, edhe pse vokacion kryesor ka artin shumdimenzional letrar, me stilin e tij tejët të veçantë, ka bërë një emër të fuqishëm në fushën letërsisë shqiptare por edhe në atë të historiografisë letrare dhe shkencore. Këtë kushtimisht e them se e deshmojnë veprat e tija të shumta monumentale të botuara, qe janë libra të zhanreve të ndryshme me ese, poezi, romane, studime, hulumtime, gazetari, opinione etj. Përmes, këtij recensioni të shkurtër unë pak a shumë jam munduar që t’i pasqyroj disa pika të rëndësishme të këtij projekti që ka një vlerë madhore në oqeanin e historiografisë sonë, gjë që ky libër siq e kam thenë edhe sipër, lirisht mund të themi se mund të jetë model edhe për hartimin e shumë librave të tjera nëpër kapituj të librit të cilat paraqesin një vlerë të madhe për galerinë e Selisë së dijës dhe arsimit tonë mbarshqiptar tha në mes tjerash publicisti, Lekë Mrijaj.

Me këtë rast të shenuar me një këngë rapsodike përkushtimore dedikuar doajenit të arsimit shqip prof. Frrok Gojanit, është prezantuar edhe rapsodi i mirënjohur, Bajram Haliti nga Skënderaj, me tekstin e shkruar nga krijuesi Zenel Zekolli. Ndërsa në emër të familjes së Frrok Gojanit, të pranishmit i përshëndeten dhe i falenderuan për pjesmarrje në këtë ngjarje, biri i tij Arianiti dhe autori i librit, prof. Mikel Gojani.

Në fund të organizimit autori i librit, prof. Mikel Gojani, ju ka dhuruar nga një libër të gjithë të pranishmeve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Leke Mrijaj

U NDA NGA JETA ‘MËSUESI I MERITUAR‘ SADIK SEJDI LEKA 

August 14, 2022 by s p

Nga Thanas L. Gjika/

Më 2 gusht 2022 u nda nga jeta prej komunitetit shqiptaro-amerikan të qytetit Clinton MA, ‘Mësuesi i Merituar‘ Sadik Sejdi Leka në moshën 81-vjeçare. Sadiku ishte lindur në fshatin Qinamakë të Kuksit më 5 Prill 1941. Ai pati një fëmijëri të vështirë, mbasi babai i tij e la jetim në moshën 10-vjeçare bashkë me një vëlla 8 vjet më të vogël. Në vitin shkollor 1955-1956 Sadiku fitoi bursë shteti për të studiuar në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës. Aty, djaloshi nga Malësia e Kuksit u njoh me shumë shokë e shoqe nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Përfundimi me rezultate të larta të kësaj shkolle e nxiti Sadikun të kërkonte të drejtë studimi për të vijuar shkollën e lartë, Institutin Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës për degën Gjuhë-Letërsi-Histori. Pasi e fitoi bursën edhe për këtë shkollë, ai e kreu atë me sukses dhe në shtator të vitit 1961 filloi punën si mësues i gjuhës e i letërsisë në shkollën 7-vjeçare të fshatit Surroj të Kuksit. 

Duke u shquar për korrektësi e profesionalizëm Seksioni i Arsimit të Rrethit e emëroi pas disa vjetësh Inspektor arsimi e më vonë Drejtor shkolle në fshatin Arren të Kukësit. 

Në vitin 1970 ai u martua me zonjushen Baftie Domi, infermiere. Më pas u emërua Drejtor shkolle në fshatin Surroj të Kukesit. Nga viti 1971 filluan lindjet e fëmijëve, në çdo dy vjet nga një. Për të qenë pranë familjes Sadiku kërkoi të emërohej mësues në fshatin e lindjes ku kishte nënën, bashkëshorten e katër fëmijët e parë. Kërkesa iu muarr parasysh dhe ai filloi punën si mësues në shkollën 8-vjeçare në Qinamakë. Jeta familjare vijoi të begatohej. Sadiku e Baftia lindën dhe tre fëmijë të tjerë, gjithsej pesë djem e dy vajza. Të gjithë të pashëm, të shëndetshëm e të zgjuar. Katër prej tyre kryen shkolla të larta, vajza e madhe, Violeta u bë mjeke e dalluar, djali i madh Alberti kreu Shkollën e Lartë Ushtarake dhe e mbajtën me punë në Tiranë, Albani mbaroi Shkollën e lartë të Policisë, vajza Afërdita mbaroi shkollën e lartë për Infermjeri dhe tre të tjerët shkollat e mesme.

Në vitin 1996 u vlerësua me titullin ‘Mësues i merituar”. Dy vjet më vonë doli në pension pas 37 vjet shërbimi. Shumë ish-nxënës të Sadik Lekës janë shpërndarë nëpër atdhe e diasporë dhe ruajnë respekt të vecantë për të. Në vitin 1997 djali i madh Alberti me nusen e tij fitoi lotarinë e Green Cardit dhe u vendos në qytetin Clinton MA, pranë kushërirës Ava-Maria Domi Bulgareci. 

Baba Sadiku erdhi si turist për të parë djalin, nusen dhe nipin e parë, Edin, që kishte lindur në Amerikë. Pikërisht në vitet 1999-2000 u njohëm bashkë. Më pëlqeu për karakterin e malësorit të vërtetë, për historitë e bukura që tregonte nga jeta e tij, për bindjet demokratike të pastra. Pasi e shëtiti djali në disa qytete, Sadiku e pëlqeu qytetin dhe klimën e këtushme. Djemtë e tjerë filluan të vinin njëri pas tjetrit dhe Sadiku me Baftien erdhën dhe ata me bashkim familjar.

Në Clinton MA familjet Leka u shtuan shpejt: përveç dy prindërve dhe familjes së  djalit të madh, aty u vendosën dhe dy djem të tjerë me nuset e fëmijët e dy djemtë beqarë. Të gjithë u punësuan në punë të ndryshme dhe në biznese private. Albani u bë anëtar i Federatës Panshqiptare Vatra dhe Sadiku lexonte rregullisht gazetën “Dielli”. 

Si pensionistë Sadiku me bashkëshorten kryenin rregullisht shëtitje te parku i qytetit dhe krijuan përshtypje të mira te banorët amerikanë për sjelljen korrekte e pamjen dinjitoze. Shpesh herë mblidheshim herë te shtëpia e Albertit e herë te shtëpia e Besimit për të luajtur shah. Bëhej një farë kampionati midis djemve, babai e meje. Besimi fitonte më shpesh. Unë isha më i dobti dhe Adriatiku më ndihmonte duke më treguar me gjeste se cilin gur të lëvizja për të shpëtuar nga Mati.

Djemtë i dërguan prindërit disa herë për vizitë në atdhe. Begatia dhe lumturia ndjehej tek ata dhe te familjet e reja. Sadiku e Baftia e ndjenin veten të uruar prej Zotit, rrethuar me pesë djemtë, tre nuse, tre nipër e dy mbesa. 

Kur i shihja djemtë azgana e fëmijët e tyre njëri më i bukur se tjetri, i thosha: -“Sadik ti po e pasuron e shton Amerikën, por atdheun e varfërove me largimin tat e me gjithë djem”. Ai ma priste: -“ Atje në Tiranë ua kam lënë një shtëpi boll të madhe e të bukur, kur të forcohet shteti ligjor le të kthehen njëri, a dy prej tyre, të vijojnë bizneset, se dhe atje mund të pasurohen si këtu e mund të bëjnë jetë më të këndshme.” 

Mirëpo në fillim të vitit 2021 Sadiku filloi të vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila iu keqësua me rritme të shpejta pasi ai bëri një vizitë respekti në atdhe, ku shkoi për të varrosur vëllain e tij më të vogël, që u nda nga jeta parakohe. Shërbimet e mjekëve dhe të bashkëshortes, e cila nuk iu nda asnjë minutë në shtëpi, spital e nërsinghomë, nuk ia lehtësuan dot sëmundjen.

Pasi u muarr leja e riatdhesimit të kufomës, gjashtë pjesëtarë të familjes së madhe Leka u nisën për ta varrosur trupin e tij pranë prindërve të vet në Qinamakë të Kuksit, sipas porosisë, që ai kishte lënë me gojë. 

Në qytetin Clinton MA, komuniteti i vjetër i formuar para Luftës së Dytë Botërore ishte i vogël me nja katër familje, që nuk kishin fëmijë e lidhje me njëri tjetrin. Midis tyre shquhej vetëm Jim (Dhimitër) Marko, nip i atdhetarit korcar Thimi Marko. Ai ka dy vajza. Nga viti 1996 atje u shtuan shqiptarët e riardhur. Pas familjes Bulgareci erdhën familjet Leka e Vrapi, numëri i të cilëve u shtua me vajza e djem. Por kur kujton Clinton MA mendja të vete me njëherë tek familjet LEKA nga Kuksi, ato i japin tonin komunitetit tonë atje. 

Sadik Leka është i treti person i këtij komuniteti, që largohet nga jeta. I pari u largua Ing. Petraq Bulgareci, pas tij u largua ish-bashkëshortja Ava-Maria Domi Bulgareci, të cilët nuk patën fëmijë.

Humbja e Sadikut le në hidherim pasardhësit, dy vajzat: Violeta dhe Afterdita, pesë djemtë: Alberti, Albani, Besimi, Klodi e Adriatiku, shtatë nipërit: Edi, Andi, Dioni, Borisi, Eglantini, Ledioni, Elioni, si dhe katër mbesat: Alina, Erisa, Amanda e Diellza. Po ashtu le në hidhërim dhe familjen e madhe të vellait të tij në Shqipëri.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Mësuesit të nderuar e mikut tim Sadik Sejdi Leka!

Filed Under: Kronike Tagged With: Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT