• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

63 vjetori i operas së parë Mrika

December 1, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Sot me 1 dhjetor 2021, eshte 63 vjetori i venies ne skene te Operes ” Mrika” kompozuar nga i madhi Prenk Jakova. “Mrika” e pare shqiptare eshte Klotilda Shantoja. Nje ze brilant i njohur per rrethet muzikore te atyre viteve, por qe me vone u harrua totalisht…Kush ishte Klotilda Shantoja, kjo meteore e operistikes shqiptare?Lindi ne Tirane me 2 tetor 1930 ne nje familje te njohur shkodrane qe ishte zhvendosur nga Shkodra në Tiranë. Nga fundi i vjeshtës së vitit ’46, familja Shantoja dëbohet nga Tirana per ne Shkoder, pasi xhaxhai i Klotildes Dom Lazer Shantoja, kleriku i famshem intelektual, patrioti i madh dhe muzikanti i shquar, do te masakrohej pa gjyq nga regjimi komunist. Klotilda ishte aktivizuar që e vogël në Katedralen e Tiranës dhe në Radio Tirana. Dhe kënga e parë që këndoi në një koncert ishte kënga e “Borëbardhës”. “Isha vetëm 13 vjeç, kur më zgjodhën për të kënduar në koncert. Suksesi ishte i madh dhe për mua ai mbeti një emocion i rrallë. Në fillim karriera ime rrodhi natyrshëm. Për faktin se rridhja nga një familje me prirje muzikore, babai im i binte pianos dhe flautit. Kur mblidheshim në shtëpi organizonim koncerte familjare, shpeshherë dhe me pjesëmarrjen e axhës, dom Lazër Shantoja, i cili i binte disa veglave muzikore”. Vetem njehere cedoi regjimi ndaj kesaj kengetareje te talentuar… (por jo pa qellim)… kur perdori talentin e saj per Operen e pare shqiptare.Me pas emri i saj nuk u permend me…Me rastin e 20-vjetorit të operas “Mrika”, Klotilda Shantojës i hiqet fotografia nga origjinali i vitit 1958 dhe në vend të saj montohet një këngëtare tjetër, e cila asnjëherë nuk doli në rolin e Mrikës”, komenton muzikologu shkodran Ferit Bala. Pak para se të vdiste ne vitin 1994, Klotilda do të theksonte: “E them sinqerisht, se ndër fatkeqësitë e rënda, të cilat i kam vuajtur shumë, qoftë për axhën që e pushkatuan pa gjyq, burgosjen e babait dhe të vëllait, persekutimin e gjatë, largimi nga skena, ka qenë fatkeqësia më e madhe e jetës sime”. Por brenga e Klotildës ka vazhduar dhe pas viteve ’90. Për këtë ajo ka deklaruar: “Tani, me ardhjen e demokracisë, vuaj më shumë. Them me vete si nuk u kujtua kush për mua, për këngëtaren e parë të operas Mrika! Nuk u kujtuan as redaktorët e radios, as shoqëritë intelektuale të qytetit. Siç duket ende sot nuk dinë të respektojnë vlerat intelektuale të qytetit”.Nuk eshte kurre vone te rehabilitohen vlerat intelektuale dhe artistike…dhe gjeneratat te mesojne qe kush eshte “Mrika” e pare shqiptare…Ne pamundesi te gjetjes te regjistrimit zanor te premieres se Operas Mrika, po postoj interpretimin magjik te Klotilda Shantojes te kenges “Margjelo”, kompozuar nga Prenk Jakova.

Filed Under: Kulture Tagged With: Saimir Kadiu

Me rastin e 49 vjetorit të Gjuhës sonë letrare

November 25, 2021 by s p

Nga Bexhet Asani/


Në shekullin e njëzetë që lam pas, mund të shënohen vetëm dy ngjarje të mëdha historike: Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i drejtshkrimit. Intelektualët e mëdhenj të Kongresit të Manastirit përveç halleve të mëdha që kishin me unifikimin e alfabetit ata ishin tepër largpamës që atëherë hodhën idenë për unifikimin e gjuhës shqipe. Për unifikimin e Gjuhës letrare shqipe kanë merita edhe shqiptarët e Maqedonisë (që llogaritet se mund të jenë tani afër njëmilionë). Ishte gazeta “ Flaka e vëllazërimit” e para që vuri në praktikë Gjuhën letrare shqipe, shumë vjet më parë se të mbahej Kongresi i drejtshkrimit në Tiranë më 1972.Për nder të gjashtëdhjetë vjetorit të Kongresit të Manastirit më 1968 u ngrit pllaka përkujtimore te restoranti i Themistokli Gërmenjit, aty ku u mbajtën mbledhjet plenare të Kongresit me këtë rast shkrimtari i njohur maqedonas Vlado Maleski, njëherit dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare tha: “….Jetojmë afër njëri tjetrit. Jetojmë rrëzë malit e buzë detit. Jetojmë me vizionin për një të ardhme më të bukur, me kujtime të bukura për të kaluarën. Një kujtim i tillë është edhe kjo pllakë e mermerit, të cilën po e inaugurojmë në emër të Këshillit republikan për kremtimin e këtij jubileu. E mermeri nuk thyhet lehtë “. E ka thënë bukur. Ky mendim i artë i Vlado Maleskit vlen edhe për Kongresin e drejtshkrimit: “E mermeri nuk thyhet lehtë!”Katër vjet më vonë , pikërisht në nëtor të vitit 1972 në Tiranë u mbajt Kongresi i drejtshkrimit, i cili nuk ishte asgjë tjetër përveçse vazhdimësi e Kongresit të Manastirit. Në qoftë se mund t’i referohem thënies së bukur të shkrimtarit Vlado Maleskit: “e mermeri nuk thyhet lehtë”, atëherë Kongresit të drejtshkrimit i është vënë pllaka e granitit e cila nuk mund të thyhet lehtë. Kongresi i Manastirit si dhe Kongresi i Tiranës janë Kongrese gjithëkombëtare. Që të dy Kongreset janë mbajtur në muajin nëntor, në muajin e festave, kështu që të dy Kongreset e kanë kryer me sukses misionin e madh historik e kombëtar. Profesor Zeqirja Neziri nga Shkupi deklaron: “Kur panë autoritetet e Beogradit seriozitetin e shqiptarëve për unifikimin e gjuhës shqipe, atëherë reaguan nëpërmjet Komitetit Qendror të Maqedonisë e pastaj Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Maqedonisë kërkoi një raport në lidhje me gjuhën letrare shqipe nga prof. Petro Janura, për të themeluar një gjuhë letrare për shqiptarët e ish Jugosllavisë.Profesor Petro Janura kur pa qëllimet djallëzore të Beogradit, nuk pranoi në asnjë mënyrë. Ai përgatiti një raport prej pesëdhetë faqesh, në të cilin raport me argumente shkencore e arsyetonte pse shqiptarët duhet të kenë një Gjuhë letrare”. Nismës së “Flakës së vëllazërimit” për unifikimin e Gjuhës shqipe i parapriu Konsulta e Prishtinës në vitin 1968. Me Konsultën e Prishtinës, po e theksoj edhe njëherë në mes të gegërisë, tanimë ishte trasuar rruga për mbajtjen e një Kongresi ku vetëm se do të bëhej AMINI dhe kjo ndodhi në nëntor të vitit 1972 në Tiranë. E themi me bindje të plotë se çdo Kongres tjetër për Drejtshkrimin e Gjuhës shqipe do të dështojë më keq se Kongresi i Dibrës, Kongresi i Elbasanit dhe Kongresi i Janinës.Themelet e Gjuhës së sotme letrare u vunë në zemër të gegërishtes nga studiues e gjuhëtarë të mirëfilltë të gjuhës shqipe. Në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi morën pjesë këta delegatë: Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Remzi Nesimi, Ajet Bytyçi, Besim Bokshi, Isa Bajçinca, Ismail Bajra, Ismail Doda, Petro Janura, dhe Sefedin Sulejmani. Profesor Idriz Ajeti, si njeri që mbante mbi supe peshën e robërisë, ai e dinte sesa vlerë ka për një komb gjuha letrare, përveç rrojtjes së tij mbi një shekull ai do të mbahet mend edhe për thënien e tij të famshme e me peshë kombëtare: “Gjuha letrare s’ është vetëm thesari i kulturës sonë, por mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare!” Themelet e gjuhës së sotme shqipe u vunë në qytetin e Shkupit dhe të Prishtinës, në zemër të gegërisë, e jo në Tiranë apo në Gjirokastër, si mundohen disa ta paraqesin si “gjuha e Enverit”, këtë mund ta bëjnë vetëm pseudoshkencëtarët, atë që s’ mundi ta bënte politika e Beogradit ja po e bëjnë sot argatët e saj, xhonturqit shqiptarë pa marrë parasysh myslimanë apo të krishterë qofshin ata. Sot mund të deklarojmë dhe mund të krenohemi se u bë realitet ëndrra e delegatëve të Manastirit për Unifikimin e Gjuhës shqipe. Pra, siç e shikoni peripecitë po e ndjekin shqipen tonë hyjnore hap pas hapi. Asnjë pseudoshkencëtar nuk do të mund t’ ia dalë dot të përçajë më popullin shqiptar dhe gjuhën e tij hyjnore.Muaji nëntor është muaji i dy Kongreseve, që të dy Kongreset kanë hyrë në historinë e gjuhës shqipe si ngjarjet më të mëdha të shekullit të njëzetë, të cilët janë mbështetur thellë në tabanin kombëtar.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bexhet Asani

TRAGJEDIA NË BULLGARI, VATRA SHPREH NGUSHËLLIMET MË TË THELLA

November 23, 2021 by s p

Dielli

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA shpreh ngushëllimet më të thella për bashkatdhetarët tanë në Maqedoninë e Veriut që u ndanë tragjikisht nga jeta pas aksidentit të tmerrshëm në Bullgari. VATRA shpreh keqardhje dhe dhimbje të thellë për humbjen e jetëve të bashkatdhetarëve tanë, iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve nga ky aksident që na ka shokuar të gjithëve. VATRA lutet me shpirt për bashkatdhetarët që u ndanë prej nesh papritmas. VATRA u gjendet pranë familjeve të prekura, pranë të lënduarve dhe pranë të gjithëve shqiptarëve që u tronditën nga ky aksident tragjik. Ngjarja e kobshme në Bullgari, është një lajm tragjik që na ka shokuar dhe shkatërruar të gjithëve. Me zemër, me shpirt dhe me lutjet tona jemi pranë familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi të rëndë. Dhimbja është e papërshkrueshme, humbja është e pazëvendësueshme, tronditja është shumë e madhe për të gjithë ne. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë. Zoti qoftë ndihma, lehtësimi dhe shpëtimi prej kësaj tragjedie.

I prekur dhe me dhimbje të thellë

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Kulture Tagged With: Hazir Mehmeti

Dokumente mbi indoktrinimin komunist përmes kulturës letërsisë dhe arteve

November 20, 2021 by s p

Instituti i Historisë

Instituti i Historisë mbyll ciklin me 4 vëllime “Dokumente mbi indoktrinimin komunist përmes kulturës letërsisë dhe arteve” përmbledh dokumente të periudhës 1945-1985 mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung Albanien në Shqipëri dhe realizuar me mbështetje dokumentare nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Lidhur me vellimin e fundit 1977-1984 merr vlerë fakti se ndonëse Shqipëria e asaj periudhe kishte krijuar tashmë një mekanizëm horizontal kulturor, me shtëpi kulture, biblioteka, muze dhe elementë të tjerë në pothuajse në të gjithë vendin, të dhënat zyrtare tregojnë se fokusi i tyre thelbësor ishte sistemi horizontal i propagandës dhe kontrollit.Në mënyrë simbolike, situata e ndërhyrjes së thellë në çdo element të lirisë dhe ndjesisë krijuese del në pah në dokumentet e ofruara në këtë vëllim që kanë të bëjnë me kritikat ndaj krijimtarisë së shkrimtarëve të njohur apo akuzave për ndikime të jashtme muzikore tek disa prej kompozitorëve më të njohur të kohës. Botimi ofron fakte domethënëse që publikohen për herë të parë, në funksion të njohjes dhe kuptimit më të mirë të mekanizmit të censurës, kontrollit dhe indoktrinimit edhe të elitës kulturore të kohës. Në këtë vëllim, jo ratësisht, i është lënë vend edhe shkrimtarit Ismail Kadare dhe krijimtarisë së tij, ku zyrtarë të lartë të PPSH, të propagandës, por edhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të institucioneve të tjera, angazhohen intensivisht dhe me gjuhë të ashpër për të ndaluar botimin e disa prej krijimeve të tij. Akuzat se novela “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “është në themel e gabuar ideologjikisht” nuk vijnë vetëm nga drejtuesit fanatikë të propagandës, por edhe emra të njohur të letërsisë dhe artit brenda Lidhjes. Gjuhë të njëjtë kritike, refuzuese për botim dhe me apel që Kadare të thellohet dhe të formohet më mirë ideologjikisht, u përdor edhe në rastin e romanit “Gjakftohtësia”, për skenarin e filmit “Pasha Liman” (Ballë për ballë), ku autori kritikohej se nuk ka krijuar figura punëtore frymëzuese, nuk ka nxjerrë në pah sa duhet vlerat e shoqërisë socialiste, apo se përse i referhet qytetërimit evropian.Të gjitha vëllimet ndodhen në stendën e Panairit 2021 të Institutit të Historisë / Akademia e Studimeve Albanologjike.

Filed Under: Kulture Tagged With: Instituti i Historise

XHUBLETA ILIRO-SHQIPTARE NJË HISTORI 4000 VJEÇARE

November 19, 2021 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

HYRJE ME PAK NOSTALGJI :

Të shkruash e flasësh për xhubletën , për ne malësorët në pamje të parë duket e lehtë, por në fakt nuk është krejt kështu , pasi te kjo veshje unike , e bukur e fisnike e femrave iliro-shqiptare , “bashkëjetojnë”: trashigimia , historia, e pse jo edhe nostalgjia. Xhubleta në “luftë” me “harresen”, ndër shekuj gjeti “çerdhen” e mbijetesës mijëra-vjeçare, në veriun e Shqiperisë në pergjithsi dhe në Malësinë e Madhe në veçanti. Te malësorët u ruajt më gjatë e më mirë se në asnjë trevë tjetër iliro-shqiptare kjo veshje  dhe trashigimia e saj, të pakten  rreth katërmijë-vjeçare. U ruajt nga stergjyshet , gjyshet e nënat tona nga njeri brez në tjetrin. Xhubleta u ruajt jo vetëm si veshje me vlera të papersëritshme të tradites popullore shumëshekullore  , por edhe si veshje në të cilen “shkruhej” histori jete , zhvillimi , civilizimi, bestynish , besimesh etj. Nëse historia e popujve të tjerë  të lashtë u trashigua duke u shkruar në “hiroglife” të  gdhendura në gurë e mjete të tjera “rrethanore”, te   iliro-shqiptarët kjo histori u trashigua edhe e “qendisur” në mesazhet,  ngjyrat , simbolet e  figurat  xhubletës. Siç pranohet nga shumë etnografë , studiues , historianë e arkeolog. të huaj e vendas, xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme e më impozante jo  vetëm në trojet Iliro-Shqiptare , por më e pakta në të gjithë Ballkanin. Xhubleta ka transmetuar gjithnjë mesazhe të “koduara” të qytetërimit ilir e shqiptar dhe të kulturës sonë popullore. Ne që kemi pasur moshen për të mbajtur mend sado pak që në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XX , mund të na kujtohen shumë nuse në fis e katund që u moren, (martuan) me veshjen e xhubletës dhe “paimet” që e shoqeronin atë, që nga duvaku e deri te çorapet… Na kujtohen shumë nga ngjyrat , figurat dhe simbolet që zbukuronin xhubleten. Na kujtohet se edhe xhubleta me bukurinë e saj kishte “kokurencen” nga njera xhubletë në tjetren, persa u perket ngjyrave, figurave, simboleve dhe  mesazhet që percillte ajo. Ndersa forma e saj ishte unike , në formë këmbane. Në xhubletën  për gra “dominonte” sfondi i zi , ndersa në xhubleten për vajza ai i bardhë (që do të thoshte pasterti e virgjëri). Nënat tona deri në vitet gjashtëdhjetë të shek. XX , (kryesisht në fshatra) xhubleten e kishin veshjen kryesore , ndersa në arkat e tyre prej druri  mbi të gjitha ruanin xhubletën me të cilen kishin dalë nuse (xhubleten e nusërisë). Me xhubleten më të bukur  gratë shkonin në ditë të shënuara festash, gëzimesh , miqësish , pasishë e  mbi të gjitha ku zhvillohej logu… , që ngjason (edhe sot) me paradat apo konkurencen e miseve moderne. Xhubleta i shoqëronte gratë e nënat tona edhe në vorr, apo siç i thonin malësorët  hynin në dhe (varroseshin) me xhubletë. 

Xhubleten në arkë gratë e nënat tona e ruanin edhe nga brisa (tenja) duke  futur në pal të saj fleta duhani… Vlenë të thuhet se xhubleta të (vjetra) të ruajtura (megjithse pak) ka edhe sot në Malësinë e Madhe e më gjërë…

HISTORI  NGA XHUBLETA SI VESHJE PELLAZGO-ILIRE-SHQIPTARE…

Si çdo trashigimi e kulturës , jetës, zhvillimit e civilizimit tonë, edhe trashigimia  etnografike e xhubletës ka historinë e saj. Trashigimia e xhubletës permban një histori të pasur jo vetëm të etnografisë e civilizimit, por mbi të gjitha ajo trashigon elemnte të pakontestueshëm të autoktonisë iliro-shqiptare në trojet etnike e më gjërë. Duke pasur këtë histori të pasur trashigimie , xhubleta ka terhequr vemendjen e jo pak studiuesve , etnografëve, arkeologëve, historianëve , albanologëve e ilirologëve të huaj e vendas , të cilët kanë shkruar per xhubletën  , historinë, bukurinë , figurat , simbolet e mesazhet që trashigon ajo. Disa nga keto shkrime (apo pershkrime) mendova ti citoj si vijon: 

Historiani , arkeologu , albanologu dhe Ilirologu i njohur  kroat Aleksender Stpçeviç në zbulimet dhe studimet e tij shkencore ,  për veshjen e lashtë të grave iliro-shqiptare (për xhubleten) ka arritur në “perfundimin” se .. : “Gratë Ilire vishnin gjithashtu një tip fustani që ishte i prerë në brez kështu,  që pjesa e sipërme ishte e pelqyer për trupin , ndërsa pjesa e poshtme ishte e rrudhur dhe kishte formen e kumbonës (paraardhësja e xhubletës së sotme,N.B.). Këtë formë rrobash e mbanin hyjneshat lokale (Diana , nimfat…), në monumentet nga epoka romake si dhe gratë valltare , të paraqitura në urnat japode nga Ribiqi (shek.V-IV para Krishtit). Me rroba të tilla është veshur  hyjnesha Diana, që është paraqitur në monedhat e mbretit ilir Ballaeus (shek.II para Krishtit). Mendohet se kjo formë e rrobave ilire është ruajtur deri sot te shqiptarët e Shqiperisë së veriut dhe në Kosovë (te pjestarët e fisit të Kelmendit). 1. 

Kjo veshje në formë këmbane apo kumbone e  qendisur mrekullisht prej qindra figurash e bojnash ,  është pa dyshim xhubleta e grave iliro-shqiptare  (kryesisht malësore) e ruajtur mrekullisht deri në ditë e sotme në Malësnë e Madhe e më gjërë.. Xhubleta mendohet se ka qenë e perhapur edhe te paraardhësit e Ilirëve , Pellazgët.. Ilirët, si një ndër “fiset” më dinjitoze e trashiguan ketë veshje të fisme per shekuj deri në ditët e sotme. Xhubleta u ruajt me “fanatizëm” dhe u pasurua (në ndertimin e saj) me motive nga më magjepset me karakter natyror , hyjnor e deri fisnor.. Ndër fiset   ilire të Labeatëve  dhe Dardanëve e ka pasur dhe e ka konakun e saj Xhubleta edhe sot…Pra  kryesisht në trevat Veriore të Shqiperisë Etnike. Si simbol i kesaj veshje të fisme ,  me prejardhje (të pakten mbi katërmijë-vjeçare) ,  nga koha pellazge e deri sot, në Kretë të Greqisë , ruhet një skulpturë që ngjason me xhubletën…  Vlenë të cilësohet se veshja e grave me xhubletë “shoqërohej” edhe me veshje të tjera  si  xhoka, këmisha, postava  , çorapet, rubat (shamiat) e kokes të grave që janë trashigimi Ilire… Madje edhe  shamiat e bardha që shpesh lidheshin si kapica mbi kokë, janë trashigimi Ilire , që kishin per qellim të ruanin floket nga pluhrat ,por edhe të mos fshihnin hiret e fetyres së grave Ilire.2.  Hershmërinë e xhubletës si veshje ndër femrat iliro-shqiptare e vertetojnë edhe vetë figurat dhe simbolet e qendisura në xhubletë. E tregojnë , pasi ato figura e simbole u perkasin edhe bestynive dhe besimeve pagane , të cilat ndër ilirë kanë  ekzistuar të pakten qindra vite para besimeve monoteiste , kristiane  e tjerë. Ndër më të njohurit janë simbolet që i kushtohen Diellit , Hënës , Yjeve ,  Gjarprit , Shqiponjës (me dy krena), Dragoit e  figura të tjera që trashigojnë simbole jete e historie e deri simboli i Kryqit “thyer” (svastikës ) , që në gjuhen sanskritishte “svast”që do të thotë shëndet , mirësi dhe gëzim. Ndersa J.Dechelette… svastikën e ka karakterizuar si simbol “Dielli në lëvizje”.3. Për xhubletën , veshjen karakteristike tradicionale të grave iliro-shqiptare të veriut  shkruan edhe  Franc  Nopça -studiues dhe albanolog  (ish konsulli i pergjithshëm i Austrohungarisë në Shkodër) i cili ka qenë edhe “gjurmues” i apasionuar i etnografisë në trevat veriore të  Shqiperisë. Më 1910 Franc Nopça, pati konstatuar se disa forma të veshjes popullore shqiptare vijnë drejtpërdrejt nga veshja që ka qenë në përdorim në këtë hapësirë nga koha parahistorike. Këtu në rend të parë është fjala për tipin e fustanellës së mbledhur në formë të kambanës (ziles), të quajtur xhubletë, e cila është pasqyruar në shumë monumente ilire të kohës antike, dhe  e pandryshuar është ruajtur deri në ditët tona në krahinat kodrinore të Shqipërisë Veriore, mandej në zonat e fisit të Kelmendasve në Kosovë dhe tek shqiptarët në Mal të Zi… Xhubleta në pikpamje kostumografike , është shumë interesante , për aresye se perkon kryekëput me veshjet në formë fundi, të njohura nga disa terrakota të zbuluara në Kliçevec të Bosnjes dhe me objekte të tjera të ngjashme të gjetura në Mikenë dhe në Kretë (Greqi). Kjo terrakotë tregon se në të gjitha këto raste , kemi të bëjmë siç e theksojnë Hoernes , Wide , Evans dhe Vasits, me një veshje në formë këmbane , të njohur që nga koha e lashtë , mijëvjeçari i dytë para Krishtit..”.4.  

Xhubleta e Malësisë sipas studiuesve të mirfilltë të etnologjisë, paraqet një ndër veshjet më të vjetra të Europës , si mbetje e një qytetrimi të lashtë mesdhetar  e ruajtur në shekuj në mënyrë besnike dhe autentike në traditen e veshjes popullore shqiptare.5.    Veshje me zanafillë të lashtë është xhubleta e që është mbajtur në Malësinë e Madhe dhe më gjërë…  Kështu ka ardhur dhe dalmatika, një këmishë e gjatë  që në të njejten formë  e prerje është ruajtur edhe ndër shqiptarë.6.  Një studiuese, mike e shqiptarëve dhe malësorëve , që ka vizituar trojet tona në fundin e viteve të shek.XIX dhe fillimit e atij të XX do të shkruante per veshjen e malësoreve me xhublet (vajzave dhe grave): Vajzat vishen me një rrobë të trashë , të ngrirë prej leshi të bardhë me shirita horizontal me ngjyrë të zezë. Fundi vjen e bashkohet me pjesen e siperme të rrobës , e cila është e kapur anash… Çorapet e gjata të thurura  me figura të bëra  me fantazi , kuq  e zi , apo baardhë e zi.  Gratë e martuara mbajnë veshur një fund në formë këmbane , prej leshi të rëndë e të ngrirë , me shirita në një ngjyrë  kërmizi  të shuar (të lyera vetë ) apo ngjyrë të purpurt…7.   Xhubleten e çikave , ose xhubletën e bardhë, poetja dhe koleksionistja shqiptare Luljeta Dano e cilëson si një veshje e jashtëzakonshme, mrekullisht të bukur, për cilësitë e punimit dhe të qëndisjes, që  dallohet nga simbolet e fertilitetit. Është një nga kopjet më të rralla, sepse xhubletat e bardha janë vërtet të rralla. Vajza e vishte deri në momentin që martohej.8.  Studuesja Edith Durham në shkrimet e saj vlerson edhe rolin e këtyre grave (“të xhubletës”)  malësoreve në jetën e perditshme kur shkruan: “Një grua në Malësi  me gjithë punen e rëndë që është detyruar të bëjë nga shumë anë , është më e lirë sesa gratë në Shkodër. Ajo u fletë lirisht burrave, shpesh është e zgjuar  dhe e shkathët, mund t’i  kerkojnë mendim e ta dëgjojnë … kam parë gjithashtu gra   që kanë nderhyrë per të ndaluar një grindje, por kur preket nderi i familjes edhe ato janë të shqetësuara  ashtu si dhe burrat që të merret gjaku…”.9.  

Vlenë të cilësohet se në Malësi të Madhe ka pasur edhe një “lloje” xhublete , që quhej , xhubleta cubele. Kjo xhubletë ishte më  “thjeshtë”, me më pak (ose thuajse aspak) ornamente , zbukurime e “simbole”, si dhe ka qënë më e shkurter se xhubletat tipike të Malësisë e më gjërë, (dikun deri në gju). Xhubleta “cubele” ishte më komode dhe  e lehtë për t’u mbajtur gjatë punëve të ndryshme, në shtepi dhe punët e tjera familjare që bënte gruaja malësore. Kjo xhubletë mund të themi se ishte thjeshtë xhubletë pune…

XHUBLETA NË MUZE…

Raca shqiptare , duke qenë kaq e lashtë , ka ruajtur mrekullisht  shumë prej trashigimisë  së hershme kulturore të saj. Popullsia e  malësive  shqiptare është perçuesja  më besnike e qytetrimit  të saj të lashtë , por nuk është një race inferiore. Cilësitë fizike dhe morale e bëjnë atë një prej racave  më të bukura  dhe më të pastra të Lindjes dhe  të Europës.10.  Perveç ruajtjes të xhubletave në shtepia gratë fisnike të Malësisë Madhe e më gjërë , ajo është ruajtur në muzetë lokale , që nga muzeu i Shkodrës e deri te muzeu etnografik i Malësisë i ndertuar , themeluar e mbajtur në Lekaj të Tuzit (nën Malin e Zi) nga shqiptari patriot  trup-vogël e zemër-madh z.Shtjefen Ivezaj me bashkëshorten e tij Gjysten , (Muze per të cilin ka sakrifikuar shtepin e tij) e tjerë e deri në muzeun kombëtar në Tiranë. Në fondet Etnografike të Institutit të kultures  popullore ruhen  rreth 40 xhubleta , të futura në koleksionet e muzeut që nga viti 1948 e këtej. Ajo më e hershmja vjen nga Hoti  i Malësisë së Madhe ; një vit më vonë është blerë një xhubletë vajzash e pasuruar ndër vite edhe me blerje të tjera xhubletash. Midis tyre përmendet edhe një xhubletë që ka hyrë në koleksionet tona në vitin 1965, që i perkiste Mrikë Ndue Mundies , e datlindjes 1925, nga Nikçi i Kelmendit , e cila e pati veshur këtë xhubletë në vitin 1947 kur u martua në Mal të Jushit. 

Xhubletat me prejardhje nga vende jashtë  Malësisë së Madhe  janë më të pakta në numër e tjer… Xhubleta ose pjesë të kostumit me xhubletë si veshje me trashigimi dhe vlera historike ruhen edhe  në muze të ndryshëm jashtë kufijve tanë shtetror.   

Xhubleta , ruhen edhe në disa muze,si: në Muzeun Etnografikë të Beogradit , të Sarajevës e të Zagrebit , në Muzeun e Kitses në Austri.  Në Muzeun e  famshëm të njeriut në Paris , ku ka disa xhubleta , ndër të cilat edhe ndonjë më të hershme se ato të koleksioneve tona , të blerë që në vitet  tridhjetë (të shek.XX).11.  Në muzeun e Njeriut në Paris , xhubleta është e zbukuruar me disa iva ose rrogzina cohe vjollcë , vishnje ose të kuqe të alternuara me ivat e zeza dhe në pajtim me të shkojnë edhe zbukurimet e përparjes , të këdhokllës e të xhokës (sidomos thekët e supave). Kurse një xhubletë e paraqitur e Max Tilkes mbi kostumet , është ngjyrë portokalli me të bardhë.12.  Pra siç shihet Xhubleta ka terhequr edhe vemendjen e disa muzeve të shteteve europiane , të cilat kanë siguruar dhe ekspozuar xhubleta (dhe pjesë të kostumit të saj) , në ambientet e muzeve të tyre.  

PAK RRJESHTA NGA MJESHTRIA E PUNIMIT TË XHUBLETËS.  

Xhubleta nga etnografët e kostumografët konstatohet se është një nga veshjet më të veçanta , më komplekse dhe më të veshtirat në punim. Në punimin e xhubletes kerkohet profesionalizem prefekt , njohje e traditës historike e pa deformuar , saktësi , durim , fantazi , por edhe  novatorizem në kombinimin e të vjetrës së tashiguar me të rejat që impononte koha…  Xhubleten e kanë punuar  mrekullisht vetëm mjeshtre duararta.  Veçantitë e këtij kostumi (xhubletës) kanë terhequr vemendjen me prerjen  e jashtëzakonshme të saj, që nuk gjen paralele me asnjë nga tipet e tjera ekzistuese të veshjeve për gratë në Shqipëri, në Ballkan e më gjërë. Ajo perbëhet nga një numër çuditrisht i madh copash e rripash shajaku e cohe dhe nga një sasi e konsierueshme spiku të leshtë. Konkretisht duheshin afersisht 25 deri në 30 copa me forma të ndryshme, por duheshin gjithashtu dhjetra metra spiku të përgatitur në shtëpi me një teknologji mjaft primitive , duheshin po ashtu penjë të fortë leshi për qepjen e saj… Konfeksionimi i saj është padyshim një provë e vertet bravura (zotësie) , sepse duhet njohuri e shkathtësi e veçantë për  t’i  montuar së bashku gjithë ato copa e copëza , aq më tepër që, duke qenë të trasha, ka veshtirsi të manovrohen për t’u  bashkuar njëra me tjetren, sidomos kur ky bashkim nuk bëhet midis gjatësish të barabarta , si ndodh zakonisht. Kështu një rrogzinë , të themi 200 cm , duhet  bashkuar  me një 180 cm , ose në rastin e xhokes, një copë shajaku , që formonte pjesën e poshtme të saj , duhej mbledhur në formë palash të dendura , punë aspak e thjeshtë kjo. Duhej pra një teknikë shumë e nderlikuar dhe e vështirë për të qepur pjesët e ndryshme të kostumit më xhubletë… Kostumi më xhubletë ka një sistem shumë të veçantë zbukurues , ku perdoren elemente shumë të lashta zbukurimi , si thekët apo mbivendosja e copave , shumë spik , pastaj edhe rruaza, pafta të vogla filigrame , shirita e fije ari etj… Edhe përbrenda pjesëve përbërëse të këtij kostumi; xhubletës , kërdhoklës , përparjes , xhokës etj…- bie në sy një pështatje e kërkuar e motiveve  të zbukurimit nga njëra pjesë në tjetrën…13. Gjithashtu në kostumin e xhubletë vihen re disa tipare arkaike. Për shembull , ashtu si në veshjet homerike , xhubleta nuk është një veshje që bie lirshëm në trup , por rri e ngrirë dhe pa shumë perkulje. Pastaj perdorimi i thekëve të gjatë  për zbukurim tek supet e xhokës  dhe te pjesa e poshtme e përparjes ka gjithashtu karakter arkaik. Edhe kërdhokla duket se është shumë e lashtë. Një dëshmi tjetër kemi tek vargoi i brezit që perdorin gratë malësore, i dëshmuar arkeologjikisht  që në prehistori…. Xhubleta është dëshmitare e një qytetrimi të lashtë mesdhetar , që i pati paraprirë qytetrimit ilir, në të cilin , me sa duket , ajo u integrua por nuk u asimilua… E strukur në zona relativisht të izoluara e malore , ajo pëshkoi Mesjetën, duke arritur deri në shekullin tonë, duke na sjellë një mesazh  mjaft të qartë nga e kaluara e largët.14.  Xhubleta është punuar nga leshi i deleve , nga fijet e tymnit dhe init , të cilat lënuren-tirren në bosht , thuren në formë pelhure në katër liq në avlëmend , shkalen në shkalatore , prehen dhe qepën. Të gjitha këto punë i bënë gruaja malësore. Ky matrial quhet tirk. Xhubleta e punuar nga tirku zbukurohet me fije spiku të zi . Spiku punohet prej leshi të zgjatur (tymnit) . Bashka sëpari lahet , pastaj shprishet me dorë , ndahet tymni , lënuret me gërhanë e tirret i hollë me bosht në furkë. Pastaj dredhet po ashtu në bosht dhe bëhet 16 fish , duke u dredhë të gjitha fijet së bashku, për t’u bërë i gatshëm për qepje me gjylpërë. Dredhja e spikut është bërë në veglen adekuate ku punohet. Ky quhet koshi i spikut dhe ka tetë kalema  ku është i mbështjellë peri. Xhubleta përbëhet nga ivat , që nga ana e përfundme kanë tirk , spiku , rruazat , coha e terrtili. Xhubleta përbëhet nga gjithësit 31 pjesë iva dhe spiku. Fundi i xhubletës punohet nga leshi i ngjyrës së bardhë, prej katër liqsh , që quhet me emrin t’pramtë e xhubletës. Iva e xhubletës dekorohet me rruaza të galme … me të gjata e të vogla , në motive floreale, n’lula. Iva e xhubletës me terrtil e rruaza- e perzier. Ka pasur edhe laxhuhere – në formë rruazash. 

Kliti i xhubletës është punuar prej tirkut e spikut , ndërkaq krahët dhe kracat e xhubletës janë punuar nga leshi – tirku.  Prehni i xhubletë po ashtu. Në fund greshpet , të punuara nga peni i leshit ngjyrë fice (të kaltër). Shogzat në vend rrypi.15.   Zakonisht në rreshtin e fundit të këmbanës, të kordonit të bardhë, gjithmonë gjen një rresht të tillë që është o gjarpër, o është shumë i ngjashëm me zinxhirin e ADN-së ose me diçka si fetus, embrion fëmije. Por këto janë çudirat që i përkasin kësaj bote. Gjithashtu është shqiponja me dy kokë, me tipare dragoi dhe shumë herë e gjejmë me flakën që dragoi nxjerr nga goja… 

Është kjo larmi punimi e kombinimi ngjyrash e figurash që e ka “nxitur” studiuesin dhe shkrimtarin e njohur  hungarez Daniel Kornidez në vitet 1753-1754 të shkruante: “As palloi , e as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e grave kelmendase-shqiptare, se kjo veshje ka të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë.”.16.   Vlenë të thuhet se kostumi i xhubletës kishte edhe “paime” të tjera si ; ruben e leshit (ruben me thekë), këmishen e pelhurës me gryken e saj , kraholin prej cohe , malloten (e galme), grykcen (matrial veleduni-kadife), pshtjellakun,   çorapet , këputët , opakët etj.  “Ndertimin” ose punimi i xhubletës  është mjaft i sofistikuar. Gruaja malësore duhet të ketë një “tabelë logaritmesh” në kokën e saj që ta thurë kokërr për kokërr sythi dhe ta montojë në një mënyrë të tillë që të marrë formën e duhur të kambanës dhe të rrijë në këmbë… Çfarë është më e rëndësishmja… xhubleta bëhej besnikërisht në vijë familjare dhe çdo vajzë mbart statusin familjar, farefisnor etj. Veshja është si veshja e “ushtarakëve”, përfaqëson gradat e jetës civile-familjare.   Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë me dominacë: të zeza për gratë dhe bardh e zi për vajzat… Xhubleta është e vetmja (veshje) që jep identitetin e kombit Shqiptar, nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja. Në misterin e xhubletës janë edhe një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet…me  besimin te zoti, dashurinë dhe bukurinë e femrës malësore. Gruaja malësore merrte 5-7 xhubleta në pajë.17.  Ngjyrat më shumë të zgjedhura që perdoren në xhubletë janë ngjyra e zezë, vjollcë ose blu, e kuqe, jeshile (ose bojëhoxhe)… Xhubleta, e cila peshon rreth 15 kilogramë.  Për ta mbyllë këtë “pjesë”, të shkrimit tim publicistik per xhubleten , nuk besoj se mund të gjejë fjalë më brilante e domethenëse se sa ato të studiuesit e publicistit të njohur Fahri Xharra  në një shkrim të tij që ka pasur si qellim sensibilizimin për mbrojtjen e xhubletës nga UNESCO, kur ndër të tjera shkruan: “Kostumografia jonë të mahnit me vlerën e materialeve të përdorura si ari, argjendi, mëndafshi apo kadifja vishje që njihej në të gjithë europën si veshje vetëm e aristokratëve por që gjendet në të gjitha objektet tona etnografike. Por më e çuditshme se materialet janë teknikat e punimit që mundësojnë të kemi sot veshje 4000-vjeçare që gjenden jo në formë arkaike, por me një sofistikim të frikshëm në kuptimin estetik, kulturor dhe pasuror, duke sjellë antikitetin si një postmodernizëm të pasuruar me figura simbolike”.18.

MALËSIA E MADHE “ARKA” KU U RUAJT MË BESNIKRISHT TRASHIGIMIA  ETNIKE  ILIRO-SHQIPTARE E XHUBLETËS. 

Për të “treguar” diçka nga kjo trashigimi e xhubletës etnike iliro-shqiptare, që në Malësi në Madhe ruhet më besnikërisht se në asnjë trevë tjetër shqiptarie, (gjë që vertetohet “lehtësisht” edhe sot) ,  mendova që të citoj njërin nga mbledhësit dhe redaktuesit e Visareve të Kombit, (këngë kreshnikësh dhe legjenda), At Bernardin Palaj-n, (I cili  për kontributin e tij në këtë lamë “thirrej” edhe Frati i këngëve). At Bernardin Palaj në një studim të tij me titull Veshja dhe zejtaria ndër male (botim i vitit 1943, në Bota shqiptare dhe me 1944 në “Hylli i Dritës”…), ndër të tjera do të shkruante: “Turisti që kerkon malet, fushat e qytetet e Shqipënisë , sheh se sa ndryshime të mëdha kanë petkat (veshjet) e burrave e të grave në Toskëni e në Gegëni, ndër qytete e ndër katunde…. Në shkosh në festë ndër malet e veriut të Shqipnisë, ke me u çuditë per ndryshimin e madh që ka trajta e petkut sidomos në grani në Malësi të Madhe, në Mirditë, në Zadrimë, në Pukë e në Dukagjin….Në Malësi të Madhe bjen në sy Xhubleta në trajtë kumone (forma më e lashtë Iliro-shqiptare e xhubletës N.B.), ndërsa në Dukagjin trajta e saj është më e permbledhët. Zadrimorja ka ruejtë koretin e vjetër, (një fare kotulle që veshin katundaret),; mirditorja djahengun, (dallamë e leshtë e bardhë e punueme me spik e gajtana që veshin mirditoret), e stravecat (petk i vogël punue me tufa per me shterngue dallmen në ije), ndersa kosovarja paranikët (bohçe që vihet perpara e mund të jetë leshi ose pelhure), e punueme per bukuri… Puna e dorës  per gratë e maleve ma me rëndësi është xhubleta…19.

“XHUBLETA DHE RREZIKU SERB I PERVETSIMIT TË TRASHIGIMISË…”.  

Prej disa kohesh  “thuhet” se Serbia po bënë perpjekje , që xhubleta si trashigimi  etnografike, të njihet , regjistrohet e mbrohet nga UNESKO si trashigimi e kulturës autoktone të popullit serb. Siç tregon edhe një eksperiencë e thjeshtë e çdo niveli,  jabanxhinjë për t’u integruar e dukur sa më vendali (autokton) janë munduar të imitojnë , kopjojnë e pervetësojnë  sa kanë mundur vlera morale , matriale , kulturore e historike të vendalive (autoktonëve) të vendbanimit ku kanë zbritur.  Serbët si ardhacakë të vonë në trojet ilire të Ballkanit (pas shek.VII-IX mbas lindjes Krishtit) , të zbritur nga Uralet , perveçse kanë grabitur troje iliro-shqiptare, në të cilat banojnë, vazhdimisht janë munduar të grabisin e pervetsojnë edhe vlerat kulturore -monumentale- civilizuase e njërzore, të historisë, besimit , trashigimisë e autoktonisë iliro-shqiptare. Fatkeqësisht deri tani ja kanë arritur jo pak , por pangopsia e tyre duket se nuk ka fund. E fundit trashigimi kulturore iliro-shqiptare që duket se UNESKO e ka regjistruar si “serbe” është vegla muzikore popullore, lahuta. Të njëjten gjë serbët janë duke u munduar të bëjnë edhe me xhubletën… Është me vlera të thuhet se jabanxhinjët serb kanë jo më shumë se 1100-1300 vite që kanë ardhur në trojet ilire të Ballkanit , ndersa xhubleta pranohet historikisht e shkencërisht se ka të pakten 4000 vite që njihet e trashigohet si veshje autoktone e grave iliro-shqiptare. Një “argument” pa argument që po e perdorin  serbët dhe sherbëtorët e tyre, per të pervetsuar autoktoninë e xhubletës , është ajo se gjoja xhubleta ka formen e kumbonës (këmbanës) së kishës, pra është veshje kristiane (siç është popullsia serbe-ortodokse), ndersa shqiptarët janë me shumicë muslimane , dhe xhubleta nuk ka si të jenë e tyre. Ky “argument” bie poshtë me historinë e moshës së xhubletës , që është të pakten 2000 vite më e vjetër se besimi Kristian. Si rezultat i kësaj të vertete historike nuk ka si të kopjojnë xhubleta e kohës pagane , kumbonen e kishësh kristiane , kur kumbona e kishës kristiane ka “lindur” të pakten 2000 vite më vonë se xhubleta iliro-shqiptare.  Gjithashtu ndër shqiptarët e veriut duke perfshirë edhe Malësinë e Madhe, xhubleta ka qenë veshje pa dallim si  për gratë kristiane (katolike) dhe ato muslimane… Ndërsa këmbana e paisje të tjera të ngjashme të “sherbimeve” të ndryshme për kohët janë prodhuar që kur u zbuluan dhe u perpunuan metalet nga njeriu , atëherë me “besim” pagan. 

Sa për xhubleten që ka formen e këmbanës , mendoj se ajo formë ka qënë më e pershtatshme për gratë ilire  , si për të qitur në pah belin e bukur dhe formen e trupit , si dhe për të pasur një lëvizje të lirshme  e të shpejt të këmbëve. Natyrisht edhe forma e xhubletës e “ndihmon” edhe këmbanen që “vegla” e cila e godet nga brenda këmbanen të kenë më hapsirë  e lirshëmëri për të lëvizur , goditur dhe për  rrjellojë për të dhënë tinguj më të fuqishem…

EPILOG  ME PAK NOSTALGJI…

Femra malësore e veshur me xhubletë dukej më e bukur , më e hishme , më burrërore dhe më e plotë. Femra malësore dhe xhubleta ishin bërë ndër shekuj “sinonim” i njera tjetrës. Është kjo arësyeja që femra shqiptare  me xhubletë ishte më e “kerkuara” per tu fotografuar (apo pikturuar). Më duket “unike” një poezi e Zefir Shehut (e gushtit 2009), me titull: Në ëndërr , që ia kushton  plot nostalgji dy malësoreve në një foto, të fotografuar në Podgoricë rreth një shekull më parë , poezi të cilen nuk po mundem pa e cituar në këtë “shkrim” publicistik: 

NË ËNDËRR ! 

U bëra në ëndërr prapë djal i ri 

E u lëshova për në qytet .

Kur çfar po shoh ? Dy malësore ! 

Malësore apo zanat vet ? 

Desha t’i  shikoi nga afër , 

U solla rrotull , por çudi ! 

Unë sillu rrotull , dhe ato rrotull 

Epo një pamje në sytë e mi .

U zgjova vrik nga marazi 

E po mendoja : ku i kam parë ?  

O mu kujtua fotografia 

Rreth njëqind vjet më parë. 20.

REFERENCAT : 

1.Aleksander Stipçeviq ,ILIRET , historia , jeta, kulura, simbolet e kultit, fq.91, botime Toena , Tiranë 2002.  

2.Aleksander Stipçeviq , po aty ,fq.92. 

3.Aleksander Stipçeviq , po aty ,fq.277.  

4.Franc  Nopça , Albanien.. Glasnik zemaljskog muzeja , 22/1910 ,fq.347-354.  

5.Flamur Doli ; Veshja kombëtare shqiptare në studimet e Franc  Nopçes , fq.106 , Ekskluzive , nr.24 prill 2002.  

6.Mark Tirta , Etimologjia e shqiptarëve , fq.102 , Shpb ”GEER” Tiranë 2003.  

7.Edith  Durham ; Shqipëria e Epërme , Një udhëtim në Shqipërinë e veriut të vitit 1908 , fq.61-62 , botime IDK.  

8.https://www.voal.ch/xhubleta-shqiptare-4000-vjecare-pse-jo-si-trashegimi-boterore-e-mbrojtur-nga-unesco/.  

9.Edith  Durham ; Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera pë Shqiperinë dhe shqiptarët, fq.125.  

10.Luigi M. Ugolini ; Shqipëria e Lashtë,sh,gjurmime arkeologjike , shb “Migjeni” , Tiranë 2009.  

11.Prof. dr. Andromaqi  Gjergji ; Xhubleta  një  element  i lashtë kulturor, Matriale të sesionit shkencor , Malesia e Madhe një visar shqiptarie , fq.114-115 , Koplik , dt.23-24 shtator 1996 , botim  “Logoreci” Tiranë 1997.  

12.Prof. dr. Andromaqi  Gjergji , po aty fq.116. 

13.Prof. dr. Andromaqi  Gjergji, po ay fq.115-116.  

14.Prof. dr. Andromaqi  Gjergji ; po  aty fq.117.  

15.Prof.dr. Ukë Xhemaj;Vështrim etnologjik i krahinave shqiptare në Mal të Zi , botua , Në një cep të Ilirisë , monografi e shqiptarëve në Mal të Zi ,fq.125, Art Club , Ulqin 2007.   

16.Prof. dr. Andromaqi  Gjergji, po aty fq.116. 

17.Intervistë e poetes dhe koleksionistes Luljeta Dano: marrë nga https://www.voal.ch/xhubleta-shqiptare-4000-vjecare-pse-jo-si-trashegimi-boterore-e-mbrojtur-nga-unesco/.   

18.Fahri Xharra: Xhubleta, 4000 vjet histori, nuk ka një të dytë në botë , 24 gusht 2017,  https://www.kultplus.com/tag/xhubleta/.  

19.At Bernardin Palaj ,OFM ; Bota e Maleve Shqiptare (dokumente historike, zakone, doke dhe tradita, fq.166-167. Botime Franceskane , Shkodër 2018.

20.Sokol P. Lulgjuraj ; Malësia e Madhe ndër shekuj , fq.323 , Podgoricë 2010.

SHENIM: Kjo kumtesë ripublikohet me kerkesen e shumë lexuesve pas publikimeve të sukseshme në : https://balkansnews.net/vshtrim-shkurtr-mbi-xhubleten-iliro-shqiptare-me-moshe-mbi-4000-vjecare/(publikua me 26 shtator 2019), Revista-Fjala.com me 27 shtator 2019,  dhe https://www.albdreams.net/xhubleta-iliro-shqiptare-4000-vjecare-ne-ne-majen-e-pendes-sime/ (publikua me 30 shtator 2019.

AUTORI 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ndue Bacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 153
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT